Kosovë-Në Karaçevë, a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n/
-Ministrja Haradinaj – Stublla: Askush nuk ka mandat të bëjë patrullime me xhandarmerinë serbe brenda territorit të Republikës së Kosovës.Popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n, që ka hyrë 300m brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak!/
PRISHTINË, 9 Gusht 2020- Gazeta DIELLI/ Në një njoftim dërguar sot nga Ministria theksohet se, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj – Stublla, ka deklaruar se është e papranueshme hyrja e xhandarmërisë serbe brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Sipas Ministres Haradinaj – Stublla, patrullimi i sinkronizuar nënkupton që secila forcë ushtarake vepron brenda territorit të vet dhe nuk e kalon kufirin, dhe se palët dakordohen të lëvizin përgjatë vijës kufitare, duke njoftuar njëra tjetrën për atë se çka kanë hasë në terrenin e tyre gjatë patrullimit të sinkronizuar.
“Ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët me Serbinë, për të cilin nuk ka askush mandat e as autorizim. Prandaj, popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n, që ka hyrë 300m brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak!”, ka thënë kryediplomatja e Republikës së Kosovës.
Më tutje, Ministrja Haradinaj – Stublla ka thënë se terrorizimi i popullit shqiptar të brezit kufitar me Serbinë, përmes defilimit të uniformës serbe dhe rikujtimit të krimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, nuk e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin, e as vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Uniforma ushtarake e policore serbe në territorin e Kosovës hapë plagët e krimeve të pandëshkuara, dhe traumat e luftës së vitit 1999. Andaj, mekanizmat e sigurisë në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejojnë, e aq më pak të lehtësojnë patrullime të tilla në territorin e Republikës së Kosovës, që shkaktojnë shqetësime dhe pasiguri tek qytetarët e asaj ane, trazojnë paqen, dhe provokojnë dhunë e vetëmbrojtje”, është shprehur Ministrja e Jashtme.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ashtu siç e kanë njohur gati mbi 2/3-tat e shteteve të botës, 22 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, dhe 26 nga 30 shtetet anëtare të NATO-s, e poashtu të respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmoi ligjshmërinë e plotë të Pavarësisë të Republikës së Kosovës me 17 shkurt 2008 në kufijtë ekzistues.
Veprimi sipas Kushtetutës dhe Ligjit nuk është deklaratë pompoze, por obligim shtetëror që duhet ta ndjekin të gjithë!
KFOR DHE POLICIA E KOSOVËS – RIFILLIM I PATRULLIMEVE TË PËRBASHKËTA
-Ministri Veliu u takua me Komandantin e KFOR-it Gjeneral Majorin Michele Risi/
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës në një komunikatë dërguar dje theksonte:
Pas shqetësimeve të ngritura në media nga qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe letrës publike të Kryetarit të Komunës së Kamenicës, në lidhje me hyrjen e forcave të Xhandarmerisë Serbe në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë-Komuna e Kamenicës, Ministri i Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, zhvilloj një takim pune me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Majorin Michele Risi, duke diskutuar edhe çështjen në fjalë.
Komandanti i KFOR-it e vlerësoi lartë takimin, duke u shprehur se takimet e tilla janë mjaft të qëlluar dhe të mirëseardhura. Ministrit Veliu, ju bë e ditur se KFOR ishte alarmuar për këtë incident nga raportimet e mediave, pasi që një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë.
Në ketë takim gjithashtu u tha se, që nga viti 2008, KFOR zhvillon patrullime të përbashkëta dhe të sinkronizuara me Ushtrinë dhe Xhandarmërinë Serbe, përgjatë vijës kufitare. Në ketë rast, pra, ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i KFOR-it dhe i Forcave te Armatosura të Republikës së Serbisë. Aktivitetet të tilla të sinkronizuara mbahen si me Forcat Serbe ashtu edhe ato të Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtareve të dy forcave.
Ministri Veliu mirëpriti faktin se në të kaluarën ishin organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të ri-fillojnë edhe në ketë pjesë të Kosovës.
Nga ana e tij, Gjenerali Ris e mirëpriti iniciativën, duke theksuar se janë të gatshëm t’i asistojnë Policisë së Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla.
Në fund të takimit u dakorduan që KFOR dhe Policia e Kosovës, të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë.