• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndahet nga jeta Naum Prifti, ish-kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

June 17, 2023 by s p

Me dhimbje të madhe dhe pikëllim ndajmë lajmin për largimin nga jeta të ish-kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Naum Prifti. Vdekja e tij është një humbje e madhe për letërsinë shqipe, për anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve, për lexuesit, për familjen dhe për komunitetin shqiptar në Amerikë e në trojet amtare.

Penëndrituri Naum Prifti ishte kryetari i parë i Shoqatës gjatë vitit 2001-2013 dhe një anëtar i përkushtuar deri në fund të jetës së tij. Ikja nga jeta e shkrimtarëve i ngjan prerjes së lisave të diturisë, po që ka me vete dhe një kujtesë brezash.

Shkrimtarët shqiptaro-amerikanë do ta kujtojnë me shumë respekt dy vëllezërit, Peter dhe Naum Prifti. Ata ishin gurë të rëndë në kalanë e kulturës kombëtare me kontributin për letërsinë shqipe.

Kjo krijimtari ëshë një pasuri e madhe për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikaneë.

Përjetë do na mungojnë.

I paharruar kujtimi i tij!

Nga Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

NAUM PRIFTI

Naum Prifti ka lindur në Rehovë, Kolonjë, më 7 mars 1932. Studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe i kreu në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (New York). Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e

zgjedhin kryetar të saj (2001-2003). Në

vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. çmimin “Pena e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi II-të”.

Veprat e botuara (tregime e novela):

“Tregime të fshatit”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë,1956.

“Lëkura e ujkut”, Shtëpia Botuese “Mihal Duri”, Tiranë, 1958.

“Çezma e floririt”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1960.

“Vëllim me tregime”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1962.

“Një pushkë më shumë” Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1966.

“Litar i zjarrtë”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”,Tiranë, 1970. “Tregime të zgjedhura” Shtëpia Botuese “Naum Frashëri”,Tiranë, 1972.

“Njerëz të kësaj toke”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”,Tiranë, 1975.

“Njëqind vjet”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1983.

“Tre vetë kapërcejnë malin”, “Rilindja”, Prishtinë, 1972.

“Erë mali – Erë fushe” Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1985.

“Hëna e diellit mite dhe legjenda”, “Horizont”, Tiranë, 2000 “Yjet ndritin lart”, Shtëpia Botuese “Dukagjini”, Pejë, 2002.

“As Miço – As Muço” Shtëpia Botuese “Toena”, Tiranë, 2003.

“Grirja e shpirtit”, Shtëpia Botuse “Çabej”, Tiranë, 2008

Filed Under: Komente Tagged With: Naum Prifti

LAMTUMIRE MJESHTRIT TE LETRAVE SHQIPE Z. NAUM PRIFTI

June 17, 2023 by s p

Mjaftime Dushallari/

Janë shumë njerëz që mund të flasin dhe të shkruajnë për të nderuarin, z. Naum Prifti, i cili u nda nga jeta duke lene ne hidherim te thelle familjaret, te afermit dhe shume miq te tij. Janë kolegët e tij shkrimtarë, artistë apo studiues, që punuan dhe njohën nga afër veprën e tij shumëvjecare në Shqipëri dhe më gjerë. Janë bashkëkombasit e tij patriotë që e njohën, u aktivizuan dhe punuan krah tij në tubime të ndryshme të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe vecanërisht në organizatën e mirënjohur Pan-Shqiptare Vatra ku u zgjodh edhe sekretar i saj për shumë vite. Edhe unë kam pasur mundësinë të shpreh në shtyp mendimin tim për personalitetin e spikatur dhe vlerat e veprës letrare të z. Naum Prifti.

E kam njohur emrin e tij që kur isha nxënëse shkolle dhe lexoja veprat e tij të përfshira në antologjitë letrare. Në kohën e lirë më kënaqte leximi i librave të tij për fëmijë. E njoha personalisht Naum Priftin kur punoja në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe ai, i qetë dhe pa bujë, futej në katedër ose në auditor për të marrë pjesë në ndonjë sesion shkencor apo në mbrojtjen e diplomave të studentëve, ku dëgjonte paraqitjen dhe mbrojtjen e diplomës së ndonjë studenti që drejtonte, ose ku paraqiste me profesionalizëm ndonjë recensë diplome që i ngarkohej.

Ishte Amerika që na afroi, na miqësoi dhe na njohu më shumë me njëri tjetrin. Pa i hequr asgjë atyre që kam thënë më parë për këtë personalitet të shquar të kulturës shqiptare, do të doja të shtoja disa ndjesi të miat personale dhe të familjes time, por besoj dhe të miqve që ishin pranë nesh, që kam ndjerë nga afërsia dhe miqësia që na ofroi z. Naum Prifti dhe familja e tij në vitet e para të emigrimit në Amerikë, që flasin shumë për zemrën e tij të madhe dhe mendjen e tij të hapur. Ishin vitet e përpjekjeve dhe vështirësive të shumta për të përballuar jetën dhe për t’u integruar denjësisht në jetën amerikane, që për moshën tonë nuk ishte e lehtë. Shumë intelektualë bënin punë të rëndomta, disa ropateshin me përpjekjet për të mësuar anglishten, të tjerë ishin ende të papunësuar. Edhe në ato kushte, z. Naum Prifti, që kishte ardhur në Amerikë me familjen para nesh, si një baba i kujdesshëm dhe si një intelektual i mencur, na bëri të ndiheshim përsëri intelektualë.

Takimet e para familjare ishin shumë të ngrohta sepse dhe arsyet dhe mënyra se si kishin ardhur të dy familjet tona në Amerikë ishin të njëjta. Gjithashtu, me z.Naum dhe dy vajzat e tij, që unë kam pasur fatin t’i kisha studente në degën e Letërsisë, përbënim një grup që kishim c’të bisedonim. Diskutimet për letërsinë, artin, për jetën amerikane, mbushnin bisedat tona dhe na jepnin kënaqësi të vërtetë. Do te na mungojne historite interesante dhe humori i natyrshem qe i shoqeronte perhere.

Pjesëmarrja në aktivitete të tilla si promovimet e librave me platformë gjithëkombëtare “Shekulli 21” -Mendime dhe Opinione për të Ardhmen e Shqipërisë, të librit “Kombi” – Rrugët e Bashkimit Kombëtar, për të cilët Naum Prifti ishte koordinator, redaktor dhe korrektor letrar, na bënin të ndiheshim mirë mes intelektualësh dhe na jepnin mundësinë të njihnim këndvështrime të ndryshme të botës së gjerë intelektuale shqiptare për probleme madhore të kombit si dhe për të ardhmen e tij. Dhënia e ndonjë opinioni për fushën tonë, na jepte kënaqësinë e profesionit me të cilin sikur ishim shkëputur përkohësisht.

Telefonatat e z.Naum dhe vajzave të tij për t’u përfshirë në aktivitete të ndryshme shoqërore dhe politike të komunitetit shqiptar, i prisnim gjithmonë me kënaqësi e gatishmëri të plotë. Njohja dhe pjesëmarrja në aktivitetet e organizatës së grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”, ku fillimisht shkonim me Julikën dhe Rafaelën, ishin në ato vite dhe mbetën ende takime të dëshiruara shoqesh, kolegesh, konsulentesh, intelektualesh dhe motrash shqiptare.

Libri i ri i Naumit i botuar në vitin 2000, një përmbledhje me mite, legjenda, përralla, rapsodi, rrëfime popullore dhe fabula, i titulluar “Nëna e Diellit” u bë shkas për një takim artdashësish, për një promovim të suksesshëm në restaurantin e patriotit Bruno Selimaj. Leximi i këtij libri më bëri dhe një herë të ndalem në rrëfimet e shtruara dhe plot kolorit të tregimtarit të rrallë të letërsisë sonë.

Në ato vite, kemi pasur nderin të festojmë me familjen e tij dhe disa miq të afërm 65 vjetorin e lindjes së shkrimtarit te talentuar, Naum Priftit. Kjo festë e vogël, por e bukur familjare, na bëri të gjithëve të mendonim dhe të evidentonim dicka me vlerë nga vepra plot vlera dhe nga personaliteti i tij që e kanë bërë të ishte dhe të jetë gjithmonë njeri dhe krijues i nderuar dhe i respektuar. Natyrisht dhe ne ndiheshim mirë në një mjedis të tillë.

Me kujdesin e z. Naum kemi parë fillimisht ekspozitën e fotografit të talentuar shqiptar, Fadil Berisha ne Manhattan. Ishin këto aktivitete që na jepnin kënaqësi si intelektualë, na bënin të harronim të përditshmen, ta shihnim të ardhmen tonë më pozitivisht. Arritjet e këtyre individëve na ndihmonin të kuptonim mundësitë e pafundme që të ofron ky vend i ëndërruar nga të gjithë, vendi që i kthen ëndrrat në realitet, vendi që e bën talentin të lulëzojë.

Librat që shkëmbenim nxisnin më tej bisedat tona dhe na ushqenin njohuritë, sidomos ato rreth figurave të shquara të diasporës. Një prej të cilave është dhe monografia rreth jetës dhe veprës së vëllait të tij, Peter Priftit, patriotit, gjuhëtarit, letrarit dhe filozofit të letrave shqipe.

Edhe koha që mund të shpenzonim me z. Naum për një kafe diku, jo vetëm që nuk ishte kohë e humbur, por kthehej shpejt në moment gazmor, të këndshëm, intelektual, sidomos kur fillonim të tregonim të vërteta “me kripë apo me sheqer” nga koha e diktaturës në Shqipëri. Dhe ai gjithmonë qeshte, edhe kur dëgjonte historitë e treguara nga dikush tjetër, edhe kur tregonte vetë. Qeshte me shpirt se tregonte me shpirt, se tregonte me pasionin e krijuesit. Nuk tregoheshin barcoleta që të bëje të tjerët për të qeshur dhe vetë të mbaje qëndrim serioz. Ishin të vërtetat e kohës, të vërtetat e jetës rreth ngjarjeve dhe njerëzve realë të të gjitha kategorive. Prej atyre, ishin dhe kënaqësi që duheshin kujtuar sepse në rrethet artistike dhe intelektuale kishte dhe shume gjëra të bukura që duheshin mbajtur mënd, kishte dhe ndodhi të guximshme që dilnin nga kornizat e kohës dhe bëheshin të njohura vetëm në rrethe të ngushta të njohurish. Shumica e atyre që tregonte ishin dhe filizat apo idetë e shkrimeve të tij të arta.

Dhe ndërsa ne u përpoqëm dhe e gjetëm veten në këtë vend të madh, z. Naum Prifti vazhdoi gjithmonë të punonte dhe krijonte si “shkrimtar në profesion të lirë”. Shkruante pa pushim, edhe kur jeta e vuri në provë me fatkeqësi të rënda në familje, edhe kur pati probleme të vështira shëndetsore. Ai mbetet në kujtesën tonë si model i njeriut të punës dhe i intelektualit patriot të palodhur.

Dhe vitet kaluan pa u kuptuar derisa ne, një grup mësuesish shqiptarë, me nismën e z. Kristaq Papa, drejtues i shkollës shqipe në Astoria u mblodhëm përsëri në lokalin shqiptar “Kuq e Zi” të pronarit Kristaq Foto për të festuar 7 Marsin e vitit 2017, ditën e mësuesit dhe njëkohësisht ditëlindjen e z. Naum Prifti. Kishin kaluar plot 20 vjet. Shkrimtari 85 vjecar erdhi mes nesh më i pakët në trup, më i rezervuar në të folur, më i ngadalshëm dhe më i kujdesshëm në të ecur, por fytyra e tij ishte ende e qeshur, shkëlqimi i saj rezatonte kënaqësi e mirësi. Ajo që nuk ndryshoi kurrë te ky njeri, edhe në moshën e tretë, ishte mendja e tij e kthjellët dhe dashamirësia për të gjithe.

Edhe gjatë kohës që z.Naum ishte në spital dhe mundohej të mbijetonte, vazhdonte të shkruante dhe të mbahej aktiv. Tregimet e tij ishin te ndjera, te sinqerta, teper njerezore, art i vertete.

Mirënjohje dhe respekt për mjeshtrin e letrave shqipe, z Naum Prifti. Shpirti i tij pushofte ne paqe!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Mjaftime Dushallari Brati, Naum Prifti

Lisi

June 17, 2023 by s p

Naum Prifti/

Në bregoren e livadhit qe një lis të cilit nuk ia mbanin mend moshën ngaqë dukej sikur kishte qenë aty jetë e mot. Qe i lartë, i hijshëm dhe i fortë. Zemrën e kishte tepër të madhe e të hapur. Aty mund të futeshin njerëz të mirë dhe fëmijët, të cilët i donte shumë. Nëpërmjet zemrës së tij të hapur tejpërtej mund të shihje qiellin e kaltër, retë e bardha, manushaqet e muzgut, xixëllimën e yjeve.

Ishte i gjerë, me gunga e kore të plasaritur; shumë herë shqota e kishte shtyrë po s’kish mundur ta rrëzonte se rrënjët qenë pleksur me dheun e tokës që e kishte rritur.

Oh, si gjëmonte gryka e tij kur sokëllinin erërat e ftohta të lindjes, si i priste trimërisht ngricat e dimrit, rreshjet e dëborës, shqotën e furishme. Pranverës gëzohej e tundte krelat e gjelbra duke përshëndetur diellin kur çilte syrin nga maja e malit me gëzimin e një fëmije. Gazi i lisit ishte i çiltër, ashtu si edhe zemërimi i tij. Kur qielli dërgonte mjegull, ajo e mbulonte një hop, po sapo mjegullën e shtynte era, ai përsëri ishte aty në bregoren e tij.

Dëgjonte çuçurimat e zogjve në degë, mbante vesh kalimtarët, shihte milingonat që ngjiteshin e zbrisnin lëvores së trashë dhe thoshte: “Pa çka, le të marrin dhe ato ushqim.” Veç kur zhuzhitnin mushicat, ato s’mundej t’i duronte.

Dimret kalonin e ai po aty. Ndërronte gjethet dhe mbetej gjithmonë i veshur. Druvarët, që kalonin afër tij, e shihnin si një zgërbonjë që rrinte kot në këmbë nga kohët e moçme pa e parë se trupi i tij ushqehej nga toka dhe fletët që binin në dhe, e bënën atë të pjellshme. Druvarët shanin lendet e tij se u dukeshin të forta e të athta. Ata donin t’u gjenin punë sëpatave.

Druvarët nuk mundën ta rrëzonin, pleqëria po, e mundi këtë pranverë. Dhe kur u rrëzua dhe në bregore nuk shihej më trupi i tij e panë sa i madh kishte qenë. Edhe për ne që ishim mësuar me hijen e tij, dhe na dukej se do ta shihnim përjetë aty, me fletët që hapeshin mbi tokën e butë si duar, me vathën e lendeve që tundeshin në ajër, kur një mëngjes nuk e pamë më, zbrazëtia u zgjatua deri në zemrat tona.

S’ është më…

Prill 27, 1982 – Prozë poetike shkruar në sallën e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, pas ceremonisë së varrimit të Profesor Skënder Luarasit.

PS: Përzgjedhur nga familja, ky krijim sot i përshtatet mirëfilli Naum Priftit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Naum Prifti

DESHIRA E FUNDIT E NAUM PRIFTIT

June 17, 2023 by s p

Në bisedimet e fundit folëm me babanë për një udhëtim në Atdhe këtë verë pasi ishin hequr kufizimet nga Covid 19. Donim të vizitonim së bashku vendet për të cilat ai kishte shkruar në kujtimet dhe mbresat e tij të shumta. Babai vuri buzën në gaz dhe na tha se tani ishte “i moshuar” (nuk e donte fjalën plak) dhe se kishte ardhur koha për të bërë një udhëtim vetëm. Atëhere e kuptuam ku e kishte fjalën. Meqenëse babai nuk na i prishte kurrë dëshirat, ai u mendua pak dhe tha:

-Ne mund të udhëtojmë së bashku por me një ndryshim të vogël. Unë me Rinën e vura në vend amanetin e vëllait tim Peter Prifti për t’ia çuar hirin në Shqipëri. Ju mund ta merrni një pjesë të hirit tim atje dhe në çdo vend që të shkoni, ne do të udhëtojmë bashkë. Pjesën tjetër do ta lini këtu, se dua të jem përgjithmonë në Cypress Hill pranë Erit, nipit të dashur.

Familja Prifti ka ndjekur porosinë e tij dhe në përputhje me dëshirat e shprehura do të kryejë edhe plotësimin e mëtejshëm të tyre. Në këtë kohë familjarët e çmojnë mirëkuptimin e miqve dhe dashamirëve për t’i lejuar kohë të mbajnë zi për kryefamiljarin e dashur. Për kohën dhe vendin e ceremonisë përkujtimore do të ketë njoftim në media.

Filed Under: ESSE Tagged With: Naum Prifti

SHUHET NAUM PRIFTI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI

June 17, 2023 by s p

E nderuar familja Prifti/

E dashur dhe e çmuar mikja dhe bashkëpunëtorja jonë e ngushtë Rafaela

Me trishtim dhe keqardhje të thellë mësova lajmin e largimit nga jeta tokësore të babait tuaj të nderuar, njeriut të madh të letrave shqipe, shkrimtarit të apasionuar, njeriut të mençur të fjalës shqipe, mjeshtrit të prozës e tregimit, mikut tonë, patriotit të madh, linguistit, njeriut të veçantë, veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Naum Prifti.

Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e babait tuaj të shtrenjtë e të pa harruar.

Me ikjen e Naum Priftit, Vatra humbi ish-sekretarin e saj që kontribuoi për 15 vjet, gazeta Dielli humbi kontributorin dhe bashkëpunëtorin e saj më të ngushtë prej dekadash me radhë, kombi shqiptar humbi një emër të nderuar në fushën e letërsisë e gjuhësisë. Mediat humbën një penë të mprehtë, mërgata e Amerikës humbi një zë të fuqishëm që kontribuoi me dekada për komb e atdhe.

E dashur Rafaela

Zoti ju dhashtë forcë për të përballuar dhimbjen për humbjen e babait tuaj të dashur e të shtrenjtë.

Të gjithë bashkë si vatranë jemi pranë jush e familjes Prifti, familjarëve, miqve e dashamirësve tuaj në këto momente trishtimi, lamtumire e humbjeje të pa kthyeshme. Lusim Zotin për shpirtin e të paharruarit Naum Prifti.

Shpirti i pushoftë në paqe e përjetësi.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Opinion Tagged With: Naum Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 13
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT