• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KËLMENDI, NDERI I KOMBIT

August 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Nga portali i Presidencës së Republikës së Shqipërisë me kënaqsi mësova se të shtunën më 10 gusht, Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani mori pjesë në “Logun e Bjeshkëve”,  një aktivitet ky që mbahet pë çdo vit në Këlmend të Malësisë së Madhe.  Përveçse njoftohet se Presidenti Nishani i dorëzoi Komunës së Këlmendit dekoratën e lartë,”Nderi i Kombit”, një vlersim i lartë ky për Këlmendin dhe mbarë Malësinë e Madhe,  thuhet se ai ishte presidenti i parë shqiptar në histori që vizitoi  Këlmendin, ku u prit me entuziazëm të madh nga banorët e Malësisë së Madhe.

Presidenti Nishani ia dorëzoi Këlmendit – fisit të luftëtarit legjendar, Prek Calit — dekoratën, ”Nderi i Kombit” gjatë aktivitetit artistik dhe kulturor, “Logu i Bjeshkëve”, që mbahet çdo vit në atë trevë, me qëllim për të ruajtur dhe kultivuar tiparet kulturore eksklusive të Këlmendit dhe Malësisë së Madhe, si pjesë e pa ndarë e kulturës dhe etnografisë së vjetër dhe moderne të Kombit shqiptar.  Kreu i shtetit shqiptar dekoroi fisin e Këlmendit, duke e dalluar,

“Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorje dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.

Është tepër me vend, vlerësimi dhe nderi që Presidenti Nishani i bëri luftës dhe qëndresës së Këlmendasve gjatë shekujve, të cilët gjithëmonë i treguan kombit dhe botës, përballë luftërave e shtypjeve, dhe pushtimeve të huaja që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare si plaçkë nga fqinjtë shovinistë, se është, “Ma mirë dekun me nderë se gjallë  e për mënderë!”.   Këlmendasit, gjatë gjithë historisë së qëndresës së tyre ndaj pushtuesve të huaj otomanë e sllavë, si dhe ndaj komunizmit, si rradhë ndonjë krahinë tjetër, ata gjithmonë ishin një shembëll bashkimi, të lidhur në besë, për t’i treguar mbarë kombit se ishte më mirë, “me vdekë se sa me jetue në robëni”, ashtu siç këndon edhe malësori lahutar, “

“O ti kangtari i kangve kreshnike,

Merre lahuten tashti nji herë,

Na i thuej trimnitë e doket fisnike,

Na i kujto të parët si e kishin për nder:

deken m’e ba sikur me le.”

Ndoc Vulaj, nga Libri, Lufta e Kelmendit

Sipas portalit të presidencës,  në fjalën e mbajtur në “Logun e Bjeshkëve”,  Kreu i Shtetit, përmendi një prej karakteristakave të kësaj treve, respektin që gëzon femra duke u shpreh gjithashtu se një vlerë e pashuar në shekuj e krahinës së Kelmendit, është edhe respekti gati proverbial ndaj grave dhe lirisë së shprehjes së tyre, si një shembull i përkryer i demokracisë së fiseve shqiptare, duke thënë se, “Trashëgimnia e kësaj treve është një shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte  lirshëm fjalën e saj, madje dhe  votonte.  Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”.    Në një gjest tepër fisnik, kryetari i shtetit paraqiti para këlmendasve të bijën e tij Fiona, e cila në shënjë respekti dhe admirimi për këtë zonë ishte veshur me kostumin popullor të kësaj krahine.

Presidenti Nishani me akordimin e dekoratës “Nderi i Kombit”, komunës së Kelmëndit, nderoi pasardhësit të gjithë atyre kreshnikëve, që gjatë shekujve ia kushtuan jetën, sakrificat, vuatjet dhe mundimet, lirisë dhe përparimit të kombit shqiptar, duke venë në vend të drejtën dhe të vërtetën.

Sot, është detyrë e jona, që atyre kreshnikëve që luftuan për lirinë dhe që mbrojtën terësinë territoriale  kundër armiqve shekullorë të kombit dhe atyre që gjatë gjithë historisë u përpoqën të ruajnë identitetin e fisit shqiptar, t’ua këthejmë lavdinë dhe nderin e kombit që e vërtetë u takojnë.  Unë si njëri me origjinë nga  ato treva, por për më tepër, si nip i Këlmendit, i jam mirënjohës Presidentit Nishani për njohjen e kontributit që ka dhënë treva e Këlmendit ndajë lirisë, përparimit dhe ruajtjes së bashkimit të kombit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli, Kelmendi, Nderi i Kombit

ANTHONY ATHANAS, NDERI I KOMBIT DHE KRENARIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN

July 9, 2013 by dgreca

RESTORANTI  ANTHONY’S PIER 4 NUK ËSHTË MË/

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Anthony Athanas me Presidentin Xhon Kennedy/

Mediat e Bostonit në Shtetet e Bashkuara njoftojnë se restoranti i famshëm i Bostonit dhe për një kohë të gjatë ikona e restoranteve në Amerikë, Anthony’s Pier 4, do të mbyllet përgjithmonë muajin e ardhëshëm.   Restoranti  Anthony’s Pier 4 Pier 4, ishte hapur  në vitin 1963 nga Anthony Athanas, afaristi dhe patrioti i dalluar i komunitetit shiptaro-amerikan.   Anthony Athanas ndërroi jetë në vitin 2005, në moshën 93 vjeçare.

Historia e tij ishte e një jete që është quajtur ”ëndërra amerikane”, e realizuar me punë të rëndë dhe dedikim. Ish-Senatori Xhin Kerry i shtetit Masaçusets dhe tani Sekretar I Shtetit Amerikan ka thënë për emigrantin shqiptar nga Korça se,   “Antoni Athanas jetoi ëndrrën amerikane dhe për asnjë minutë nuk harroi se nga kishte ardhur. Me një prejardhje të thjeshtë nga Shqipëria, Antoni mundi të realizojë ëndrrën e çdo emigranti duke punuar dhe arritur të bëhet një institucion kombëtar”. Ai ishte larguar nga vendlindja e tij Korça në vitin 1911 dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara  në moshën 4 vjeçare për tu bashkuar me babain e tij i cili ndodhej në Amerikë.   Antoni ishte ndër të parët shqiptarë që zbriti në Amerikë.  Nga nevoja për të bërë jetesën dhe i detyruar të punonte, ai largohet nga shkolla në moshën 13 vjeçare dhe punon ditë e natë, shtatë ditë në javë në restorante të ndryshme, ndërsa përpiqej të mbledhë një grusht dollarë për të blerë restorantin e tij të parë në vitin 1938, për 1800 dollarë.  Ndërkohë, Antoni hapë edhe restorante të tjera por në vitin 1961, ai blenë një truall buzë ujit dhe hapë restorantin që e pagëzon me emrin e tij Anthony’s Pier 4, një restorant ky që mbrenda një kohe të shkurtër u bë i njohur jo vetëm në Boston, por edhe në mbarë Amerikën.   Për një kohë të gjatë ishte ndër pesë restorantet më të suksesshme në Shtetet e Bashkuara, të ardhurat e të cilit gjatë viteve 80-të, arrinin në 12-milionë dollarë në vit, më shumë se çdo lokal tjetër i këtij lloji.  Sipas njërit prej djemëve të Antonit, në kulmin e suksesit të restorantit, mbi 600-veta shkonin aty për drekë dhe rreth 3000-veta për darkë, ndërkohë që shpesh duhej të prisje deri në dy orë për të hyrë brenda.

Është e qartë se Anthony Athanas ishte shumë i suksesshëm si afarist dhe u bë i njohur në të gjithë Amerikën si pronar lokalesh.  Si i tillë, Antoni kishte mundësitë të njihej me personalitetet më të shquara amerikane të politikës, kulturës dhe botës së artit, që kishin dëgjuar për famën e restorantit të tij, dhe të cilin ata e frekuentonin  shpesh.   Provë për këtë  janë fotografitë e renditura në mur në lokalin Anthony’s Pier 4, përfshirë emërat më të njohur të elitës politike të Bostonit, të shtetit Massaçusets dhe mbarë Shteteve të Bashkuara.  Aty, ndër të tjera,  janë fotografitë e Antonit me personalitete si Frank Sinatra, Elizabeth Taylor, Xhon Kenendy, Riçard Nikson, Henry Kissinger, Alfred Hitçkok, dhe dyzina të tjera figurash të dalluara nga fusha të ndryshme të jetës amerikane.  Megjithëse u largua nga shkolla në moshën 13 vjeçare për të punuar, për të siguruar jetën e vet dhe të familjes, Antoni Athanas, falë zgjuarsisë së shqiptarit, ai gjatë viteve ka shërbyer edhe si lektor shumë popullor i ftuar nga universitetet më të dalluara të Amerikës, si Harvard Buisness School, Cornell University e të tjera.

Megjithë famën dhe sukseset në botën amerikane, Anthony Athanas mbeti përgjithmonë një patriot, i cili punoi vazhdimisht për të mirën e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e kudo.  Për dekada me radhë, Anthony Athanas ishte njëri ndër figurat kryesore të organizatës pan-shqiptare Vatra.  Antoni nuk e zhvilloi punën e tij patriotike, as për nam as për para, pasi ai i kishte të dyja, por si atdhetarët e gjeneratës së tij, ai e bëri këtë vetëm e vetëm se kishte ndjenja të thella  atdhetare, duke mos kursyer asgjë  kur vinte puna tek Shqipëria dhe shqiptarët.  Agim Karagjozi, një bashkohas i Antonit dhe ish-kryetar i Vatrës, ka thënë  në një intervistë për Zërin e Amerikës, me rastin e vdekjes së Antoni Athanas se, “Ai kishte një krenari dhe ndjenja  të thella shqiptare, prandaj e gjente  kohën, sado i zënë që ishe. Kishte dhe kapacitetin financiar dhe moral që t’i kushtohej Vatrës, e ndjente këtë si detyrë.”  Për më tepër, vazhdon Agim Karagjozi, “Antoni Athanas ishte trashëgimtari i Nolit në Vatër, ishte ai që i siguroi jetën Vatrës për shumë dekada.”

Antoni Athanas, si bashkpuntor i ngushtë i Fan Nolit dhe Faik Konicës, megjithëse kishte të lidhje të ngushta dhe reputacion shumë të mire me ajkën e shoqërisë amerikane, ai kurrë nuk harroi rrënjët e tija, kurrë nuk harroi Shqipërinë dhe kombin e tij.  Është e vërtetë se restoranti i tij frekuentohej nga antarët më të dalluar të elitës amerikane, por Antoni Athanas, si patriot shqiptar që ishte, i mbante dyertë e restorantit të tij gjithmonë hapur edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan.  Më kujtohet disa herë që kam vajtur në restorantin e tij, me bujarinë e tij, Antoni të  bënte të ndihesh sikur të ishe në shtëpinë tënde. Ai të ndeshte dhe të përcillte vet, nganjëherë edhe të shërbente, deri në ditët e fundit të jetës së tij.  E tillë ishte atmosfera  në restorantin e Antonit, për të gjithë shqiptarët, pa dallim.   Ishin të shumëta darkat e drekat, mbledhjet dhe festimet e ndryshme, por njëra nga më të dalluarat ishte festimi i 60-vjetorit të gazetës Dielli më 1969, ku ishin ftuar edhe përfaqsues të Arbëreshve të Italisë.  Ernest Koliqi, pjesëtar i delegacionit arbëresh, e përshkruan kështu në revistën Shëjzat, atë që ai quan ”mrekullinë e mikpritjes” në restorantin Pier 4 të Antoni Athanas, njërit, sipas tij,  ndër ”shtyllaat e papërkulshme të Shoqatës Vatra”.  Koliqi thotë se, “Ky zotni i njerzishëm shtroi ato ditë papra sofra e gostina…dhe me buzë në gaz qerasi të parin e të mbramin, tue ndejë vet në kambë dhe shpesh tue u dhanë dorë atyne që u shërbejshin tryezave. Këtij zotënie i përshtatet njimend fjala derë çelë.”

Në kulmin e punës, nga 800-puntorët që kishte gjithsejt, shumë nga ata ishin shqiptarë të posa ardhur në Amerikë dhe të cilët kishin nevojë urgjente për punë.  Më kujtohet se në fillim të 70-ave, Antoni kishte marrë në punë të gjithë familjen e një kunatës time, me të ardhur në Amerikë.  I tillë ishte Antoni Athanas.  Gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, aty janë mbajtur takime me rëndësi të përfaqsuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan për të biseduar mbi hallet e Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe për strategjitë për marrjen e  masave për të siguruar përkrahjen amerikane për fatet e shqiptarëve, ekzaktërisht ashtu si në kohën e Nolit e të Konicës.   Ishte përvoja e hidhur e Antonit — kur si fëmij ai u detyrua nga masakrat greke të shpërngulej  nga vendlindja – ajo që e ndoqi gjithë jetën e tij dhe që e bëri atë të punonte me gjithë mundësitë e tija për të drejtat e  shqiptarëve kudo.  Madje, në moshë të shkuar, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, ai i bashkohet një delegacioni të Kongresit amerikan që vizitoi Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

Antoni Athanas, përveçse ishte një ndër afaristët më të dalluar të Amerikës, ai personifikonte bartësin e atdhetarizmit të frymëzuar nga objektivat e larta të kombit shqiptar.  Mund të mbyllet restoranti Anthony’s Pier 4, që ishte krenaria dhe suksesi i tij i madh profesional, por vepra patriotike e Antoni Athanas, njëri prej biznismenve më të dalluar të Amerikës dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, nuk do të harrohet kurrë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Anthony Athanas, Anthony Per Four, krenaria e komunitetit shqiptar, Nderi i Kombit

Presidenti Nishani nderon atdhetarin dhe luftëtarin Elez Ndreu me Urdhrin “Nderi i Kombit”

May 11, 2013 by dgreca

Ne Fotot: Vatrani i vjeter, anetar i bordit te vatres,Jonuz Ndreu, i nipi i Elez Isuf Ndreu, duke marre Urdherin Nder i Kombit nga Presidenti i Republikes, Bujar Nishani/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ishte sot në qytetin e Peshkopisë, ku i akordoi Urdhrin “Nderi i Kombit”, (Pas vdekjes), veprimtarit të lëvizjes sonë kombëtare, Elez Isuf Ndreu.
Kreu i Shtetit e cilësoi këtë takim një rast fatlum dhe një detyrim për të si President i Republikës për të nderuar me mirënjohje të thellë kontributin patriotik dhe liridashës të njërit prej bijve të kësaj treve.
Në fjalën e tij, Presidenti Nishani nënvizoi domosdoshmërinë e rikthimit tek etrit themelues në mënyrë që anija e identitetit kombëtar të mos e humbasë busullën dhe të ecë përpara. Kreu i Shtetit theksoi se vetëm në këtë mënyrë shpirti i frymëzimit të gjithsecilit do të jetë kurdoherë i gjallë, do të gjejë dritë dhe eksperiencë, forcë dhe besim për të punuar për atdheun me atë përkushtim ashtu siç bënë edhe patriotët e rilindjes kombëtare.
Duke iu drejtuar qytetarëve dibranë, Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu se mirënjohja shqiptare do të flasë përjetësisht për figura të tilla heroike, si Elez Ndreu, të cilët u vetësakrifikuan për të ruajtur trojet shqipare.
Veprimtaria kushtuar patriotit Elez Isuf Ndreu vijoi me një dokumentar kushtuar kontributit të tij në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe një program të pasur me këngë patriotike dibrane.
Në këtë ceremoni të organizuar në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli” merrnin pjesë autoritetet vendore të qytetit të Peshkopisë, të Qarkut, deputetë të zonës, qytetarë dibranë.
****
Më herët, Presidenti i Republikës Bujar Nishani u prit në një takim nga Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi në prani edhe të Prefektit të Qarkut Dibër, Genci Sharku; Kryetarit të Komunës Dibër e Madhe, Ruzhdi Lata dhe Kryetarit të Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta.
Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë duke e falenderuar Presidentin Nishani për këtë vizitë shprehu mirënjohjen për miratimin e propozimit për nderimin me Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” të një prej figurave të njohura historike të Dibrës.
Kreu i Shtetit u shpreh se Dibra ka nxjerrë figura të shquara të historisë ndaj me vlerësimin e një figure të tillë si Elez Ndreu nderohet edhe vlerësimi që qytetarët dibranë i bëjnë kontributeve të etërve të tyre.
Presidenti Nishani vlerësoi se Dibra dhe dibranët përfaqësojnë një simbolikë në aspektin e qytetarisë, traditave dhe historisë.
Në mbyllje të takimit, Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë në shenjë mirënjohjeje i dhuroi Presidentit Nishani simbolin e bashkisë, emblemën e qytetit të Peshkopisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Jonuz Ndreu, Nderi i Kombit, nderoi Elez Isufin, pas vdekjes, Presidenti Bujar Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT