
Mirela Nasi është një emigrante shqiptare që prej vitesh punon e jeton me familjen e saj në Macerata, në zonën e Anconas në Itali. Bashkë me bashkëshortin, Robertin, i cili është sipërmarrës i suksesshëm në zonë, kanë ndërtuar çerdhen e tyre familjare këtu në Itali, kanë rritur edhe djalin e tyre që tani është 26 vjeç dhe punon si shumë të rinj të tjerë që janë rritur në shtetin fqinj.
Me hapjen e shkollës shqipe në Macerata, duke qenë edhe aktiviste e shoqatës së njohur “Iliria”, Mirela punon si mësuese, ku jep një kontribut të çmuar që fëmijët e lindur në Itali nga prindër shqiptarë të mund të mësojnë gjuhën shqipe. Këta fëmmijë mesojnë në shkollat italiane, kurse në fundjavë frekuentojnë shkollën shqipe, ku mësuese Mirela dhe koleget e saj punojnë me pasion e përkushtim.
Po mësuese Mirela ka edhe një pasion tjetër, poezinë. Ndonëse shkruan prej kohësh, duke qenë e ndrojtur dhe e pasigurtë në vetvete, ajo nuk ka bërë përpjekje të botojë ndonjë libër. Rastësisht u njoha me disa poezi të saj dhe i sugjerova të punonte për një libër. U skuq si ato gjimnazistet e ndrojtura dikur që shkruanin dhe i fshihnin poezitë, megjithatë e priti me kënaqësi këtë sugjerim. Tani ajo po përgatit librin e saj të parë. Poezia e saj është rinore dhe i këndon dashurisë, mallit për vendlindjen e motiveve të tjera të dashura për autoren. Nga ky libër zgjodha këtë cikël, që po ia paraqes gazetës së mirënjohur “Dielli” për botim.
Ndue Lazri*
gazetar, Itali
***
Mirela Nasi
HIRE FEMËRORE
Marramendëse, plot finesë bukurie,
gjithçka tek ti në harmoni hyjnore,
refleks i një bote të madhe dashurie,
univers i tërë hiresh femërore.
Aroma jote ka esenca mirësie,
përmendore që vjen prej botës së lashtë,
pulson qenia jote, bekim perëndie,
lëkura jote mantel i mëndafshtë.
Det që valëzon, i ëmbli shikim,
ndjesi magjike prekja në lëkurë,
nota të hedhura në kompozim,
melodi e shtrirë përmbi partiturë.
Buzë përvëluar, drithërim i fshehur,
pasion që djeg gjer në thellësi,
etje e pashuar për eksplorim të dehur.
emocion unik, deri në madhështi.
Bukuri e rrallë, që na ke pushtuar,
serenatë trëndafili ujitur me vesë,
gjithë botën përballë ke gjunjëzuar.
romancë e çdo nate deri në mëngjes.
Shpirt që vezullon dhe yjet kanë zili,
magjike,ëngjëllore, mrekulli e vërtetë,
natyra të lindi, që ti në përjetësi
të marrësh dashuri e të dhurosh jetë.
LOT DASHURIE…
Në vuajtje u kthye përditshmëria,
gënjehemi me grimca nga zbrazëtia,
Sa vuajmë nga brenda askush s’e di.
sylotuar, plagosur thellë në ndjesi…
Kohë e vështirë, me shpirt të ngrirë,
diku të harruar, nervash të mpirë.
Netëve takohemi, puthemi me mall,
përballë ftohtësisë bëhemi zjarr.
Syri dhe zemra lëshojnëshkëndia,
flakëruese si vetë dashuria.
Kjo natë dimri na mbledh si buqetë
dy brigje zemrash, në afsh të nxehtë.
Mall i trazuar në shpirtin e dallgëzuar,
shkrijnë borën dy zemra bashkuar.
Rrjedh pa fund dashuria këtë natë
tretur muzgjeve, pa fllad, pa mëkat.
***
ME HESHTJEN FLAS
Në heshtjen e natës pres e pres…
e heshtur, me heshtjen, deri në mëngjes,
ndër kujtime të bukura veten humbas,
mes tyre gjej gëzim, buzëqesh e nuk flas.
Para syve familja, albumi plot ngjyra…
më mbushet shpirti, më çelet fytyra,
panorama e jetës qesh si luleborë,
në heshtje them: kemi jetën në dorë.
Jeta është dhuratë që nuk ka çmim,
udhëtim me biletë vajtjeje, pa kthim,
Në heshtje, me heshtjen flas këtë natë,
rrugëtimi i jetës i shkurtër, i gjatë,
kuptimin e saj është e kotë ta kërkosh,
kuptimin ia jep nëse di ta jetosh.
Nga krevati ngrihem dhe për një çast
tek dritarja në heshtje me hënën flas,
të dyja bisedojmë siç dimë veç ne,
kësaj nate në pritje të ditës së re.
***
HUMBAS NË SYTË E TU
Humbas në sytë e tu, dehur në gotë vere,
humbas e tëra, e dashuruar, si atëhere,
humbas në sytë e tu, harruar në marrëzi,
humbas tek pulsi yt, dorëzuar në dashuri.
Humbas në sytë e tu, lundroj e sfidoj rrymën
humbas në diell, me ngrohtësinë shkrij brymën.
Humbas në heshtje, në sytë e tu të shkruar…
humbas në lumturi, thellësisht e dashuruar.
Humbasim në sytë tanë si në përjetësi,
ti në shikimin tim, unë e tëra tek ti,
humbasim të dy, vështrimesh kryqëzuar…
në këtë det mrekullie, ëmbëlsisht harruar.
Humbasim në këtë romancë që flet pa zë,
kemi ardhur të dy e jemi bërë një,
humbasim në sytë tanë, zhytur në shkëlqim…
unë në zemrën tënde, ti në shpirtin tim.
***
NOSTALGJI…
Në sytë e mi çel buzëqeshja kristal,
si uji i një burimi që kurrë nuk u ndal,
diell edhe yje në buzëqeshje e shikim,
këngë dashurie, mall për fshatin tim.
Me buzëqeshje flas, përherë me çiltërsi,
buzëqeshja bëhet këngë, aty je dhe ti
shëtisim ëndërrimesh deri në agim,
ëndrra na çon larg, atje në fshatin tim.
Qesh me botën e grisur, të arnuar,
puthem, me fshatin tim dashuruar,
ndjenjat, emocionet rrezatojnë në fytyrë,
harrohem fshatit, në të bukurën natyrë.
Atje puthen malet me fushat, lëndinat
në valle për dore janë zënë kodrinat,
qëngjat përhidhen livadhit me rrëmujë,
pastaj vrapojnë burimesh për të pirë ujë.
Mallëngjyer shtegëtoj, si zogu në hapësirë,
atje në fshatin tim, lëndinash erëmirë,
ku deh aromë e bukës herët në mëngjes,
dhe zemra më rreh kur njerëzit përshëndes.
Ndoqa fatin tim, këtu në dhe të huaj,
në heshtje mendoj e në heshtje vuaj,
jam vajzë fshati, atje kam prindërit, folenë,
ndaj ndjej nostalgji për vendlindjen, atdhenë.







Nga taraca e madhe, ku na kanë ftuar të pimë kafenë e mëngjesit, vështroj ambientin e bukur përreth shtëpisë. Një pyll i bukur dhe i dendur, ku që në mëngjes herët dëgjohet kënga e zogjve. Herë-herë prej aty dalin ketra që ulen deri në barin e gjelbër, lëvizin me shkathtësinë e tyre të paparashikueshme dhe shqetësojne me praninë e tyre maçokun me emrin Zikzak, i cili ndihet zot i parkut, dhe një gjeldeti i egër me zogjtë e tij që lëvizin pa frikë nëpër ambientin rreth shtëpisë. Më tej syri të zë pishinat dhe një fushë të madhe e të bukur golfi. E më tej Oqeani Atlantik. Shtëpia mbyll një rrugë të qetë e të bukur të qytetit Milton në periferi të Bostonit në shtetin Massachusetts. Arkitekti Klarens Karanxha, që është edhe pronar i shtëpisë bashkë me bashëshorten Nensi, më afrohet dhe nis të më spiegojë: – Më parë ky terren ku është ngritur shtëpia, ka qenë pyll, si ai që shikon tani. Terren mjaft i thyer e ku duheshin bërë shumë punime për të ngritur një shtëpi si kjo ku banojmë tani. Ka qenë një sfidë e vërtetë përpjekja për të ndërtuar një shtëpi këtu, por ne e deshëm pikërisht në këtë vend dhe, pas dy vjet praktikash zyrtare, na u aprovua kërkesa për ta ndërtuar këtu shtëpinë tonë. Terreni, që është pronë e jona, është një hektar, bashkë me pyllin përballë. Ne e kemi projektuar vetë shtëpinë, duke e menduar në çdo detaj. Deshëm një projekt disi ndryshe nga ai i shtëpive tipike amerikane, diçka më moderne, që u përgjigjej më mirë kërkesave tona artistike, estetike e profesionale. Dhe në pjesën më të madhe kemi bërë po vetë edhe punën e ndërtuesit. Kemi shpyllëzuar me leje shumë pemë, kemi sistemuar terrenin e kemi hedhur themelet. Tani shtëpia ka katër kate me një sipërfaqe 420 metra katrore, pa përfshirë taracat e mëdha që janë në secilin kat. Pllakat metalike, që e veshin nga jashtë shtëpinë, janë reflektive dhe e bëjnë shtëpinë të shkrihet me qiellin. Ato japin idenë e një xhakete të ftohtë në pjesen e jashtme, (kurse druri i kuq që sundon në gjithë punimet e brendshme, i jep asaj ngrohtësinë e ambientit, komfortin dhe sensin e mikpritjes për këdo që hyn brenda). Sa për shpyllëzimin, këtu sundon rregulli që për çdo pemë të prerë, duhet të mbjellësh një tjetër. E ne kemi akoma edhe 52 pemë për të mbjellë që të arrijmë në atë nivel të mbrojtjes së ambientit që kërkohet nga ligji,-thotë Klarensi, duke na treguar pemët që ka mbjellë kohët e fundit. Tek e vështrojmë shtëpinë jashtë dhe brenda, konstatojmë punën e përbashkët të dy arkitektëve që dinë të harmonizojnë e shkrijnë në një të vetme aftësitë e tyre profesionale me shijet artistike. Ndërsa nga jashtë gjejnë zbatim kryesisht idetë e Klarensit, si arkitekt i formuar në projekte banesash e institucionesh, në punimet e brendshme është më shumë dora dhe talenti i Nensit, e specializuar si arkitekte e ambienteve të brendshme, por edhe mendimi fin si zonjë shtëpie dhe si piktore me shije të holla e moderne. Duke biseduar ata më ftojnë të zbresim në katin e parë, aty ku është “KNK-studios”. Në emrin e saj janë inicialet e dy arkitektëve bashkëshortë, Klarens e Nensi Karanxha. Është një studio e bukur e moderne, ku secili ka qoshen e vet të punës. Sëbashku këtu punojnë 2-3 ditë në javë, sepse ditët e tjera Nensi punon për një firmë mjaft të njohur në Boston, Elkus Manfredi Architects. Ndërsa ditët e tjera këtu punon vetë Klarensi, i cili është tashmë profesionist i lirë dhe ka klientët e tij që kërkojnë projekte jo vetëm në Boston, por edhe më larg. Në studio për momentin janë punësuar edhe 3 ndihmës arkitektë, sëbashku me kontributin e disa të tjerëve të punësuar si konsulentë jashtë Bostonit, bile edhe jashtë Amerikës. Për të krijuar një ide mbi volumin e punës së karrierës së këtyre dy arkitektëve ne mund të përmendim projekte dhe designe për mbi 2500 apartamente, kopshte, shkolla, restorante, konvikte të universitetit e deri tek ndërtesa e ambasadës braziliane në Boston, projekte multifunksionale, studime urbane etj. Ata kanë projektuar shtëpi e vila njëfamiljare të nivelit të lartë që nga New York, New Hampshire, Rhode Island, Connecticut, Massachusetts etj. Përveç projekteve ata merren edhe me manaxhim ndërtimi si supervizorë mbi objektet e ndërtimit e shpesh herë edhe me zbatimin e projekteve që ata kanë bërë. Kjo e ka rritur emrin e studios KNK dhe të dy arkitektëve të saj, përherë ekzigjentë në aspektin etik dhe profesional, e ka shtuar numurin e klientëve. -Ne nuk i imponohemi asnjëherë klientit, por e dëgjojmë atë dhe arrijmë të kuptojmë ekzigjencat e shijet e tij. Pastaj e “presim kostumin” sipas klientit,-thonë ata Më shumë shijeve të tyre moderne u afrohen klientët europianë e aziatikë, të cilët banojnë e punojnë në Amerikë. Por kanë projektuar edhe plot shtëpi për klientë amerikanë. Një kënaqësi të veçantë ndjejnë ata kur projektojnë shtëpi për klientë shqiptarë, për emigrantë që kanë arritur të realizohen profesionalisht e ekonomikisht në Amerikë dhe që kanë kërkesat e tyre edhe në këtë fushë. Më tregojnë projektin e fundit që kanë bërë për mikun e tyre të afërt këtu në Milton, të cilën pata rastin të shikoja nga afër. Një vilë e stilit bashkëkohor dhe e veçantë me një sipërfaqe 600 m2. Klarensi e Nensi ndihmojnë edhe profesionalisht arkitektët e rinj. Ata kanë ndihmuar të sistemohen në profesionin e tyre 5 arkitektë të rinj që kanë mbaruar studimet në Tiranë dhe që kanë shkuar të punojnë e jetojnë në Amerikë. Duke vizituar ambientet e ndryshme të shtëpisë bien në sy ngado nëpër mure piktura të ndryshme. Edhe ato janë vepra të Nensit e Klarensit. Duke i shikuar firmat e tyre në fund të pikturave, edhe këtu dallon njëfarë ndryshimi në shijet e tyre. Klarensi priret më shumë drejt realizmit spontan, duke kapur momentin dhe duke e interpretuar në mënyrën e tij. Kurse Nensi është një ndërthurje midis modernizmit e abstraksionizmit. Ajo e nis pikturën duke bërë më përpara sfondin e pastaj planin e parë. Mbi kavalet është një pikturë ende e papërfunduar, portreti i një vajze. Nensi thotë që nuk gjen kohë të lirë për ta përfunduar e piktura pret aty në një cep të sallonit të tyre të pritjes. -Pikërisht koha është ajo që na mungon më shumë, -shton ajo. Në vitin 2004 emri i Nensit është publikuar në librin Expose-4, dhe Elemental 3, që botohet nga Ballistic Publishing në Adelaide të Australisë e në Florida dhe ku përmblidhen emrat e artistëve më të mirë të universit në 3D në arkitekturë të vitit. Me artin e tyre ata hapën edhe një biznes të vogël, “Boston-Artwork”, në qendrën Prudential, në grataçielën më të lartë në qendër të Bostonit, ku janë mbi 75 dyqanet dhe restorantet më të njohura të këtij qyteti. Aty kishin punësuar tre vetë që u shisnin turistëve të shumtë pikturat dhe suveniret me pamje nga Bostoni. Nje biznes, i cilili tashmë vazhdon online. Shikoj realizimin profesional e qytetar të këtyre dy arkitektëve dhe mendoj rrugën e tyre plot sakrifica e mundime për të arritur deri këtu. Ata erdhën në Boston kur sapo kishin përfunduar dy vite studimi për arkitekturë në Universitetin e Tiranës. Pasioni dhe ëndrra për t’u bërë profesionistë të realizuar, ishte e vetmja pasuri që sollën me vete nga Shqipëria. Praktikisht për të filluar nga e para. Dhe u futën në Boston Arkitektural College, nga universitetet më prestigjioze në Amerikë në fushën e arkitekturës. E vetmja shkollë ku mund të studiohet edhe të punohet njëkohësisht. E ata studionin e punonin për të jetuar në Boston. Shpesh herë 24 orët e ditës ishin të pamjaftueshme. I gjente mëngjesi i ditës së ardhshme pa bërë asnjë minutë gjumë, u hidhnin një grusht ujë të ftohtë syve për të trembur gjumin e rendnin në leksion, për të shkuar pas tij në punë e natën të vazhdonin të studionin. Kështu për 7 vjet me radhë. Dhe rezultati: Gjatë viteve studenteske në kursin e tyre emrat e Klarensit e Nensit alternoheshin herë njëri, herë tjetri gjithnjë në dy vendet e para. Pastaj nisja e punës si arkitektë, aktiviteti privat, studioja “KNK-Studios” dhe volumi i punës që ajo përballon. Natyrisht, nuk mund të lë mënjanë djalin e tyre, Darion 9-vjeçar. Nuk do të flasim për të siç është bërë e modës nganjëherë të flitet për gjeni të vegjël. Ai është një fëmijë i zakonshën, që rritet në një familje e ambient profesionistësh. Ku fillimisht vizatimet dhe projektet e prindërve i shikonte gati si lodra e kërkonte të gjente në to anën zbavitëse. Por që sot ai arrin të lexojë planimetrinë e objekteve të projektuara, apo të japë edhe mendime për ngjyrat në ndonjë vizatim a pikturë. Prindërit nuk e mbingarkojnë e as i bëjnë sforcime për ta lidhur me profesionin e tyre, duke ia lënë atij zgjedhjet për të ardhmen. Por njëfarë orientimi i natyrshëm edhe bëhet. Gjatë ditëve të qëndrimit në Boston ne patëm rastin të asistonim edhe në mbylljen e një kampi – kurs veror për fëmijët e moshës së tij në ambientet e Universitetin MIT (ndër institutet më të mirë në botë për teknologjinë). Në fund të këtij kursi veror fëmijët pjesëmarrës demonstronin në kompiuter një ide të tyre. E Dario kishte projektuar një lojë, e cila u vlerësua si mjaft interesante nga specialistët që i kishin ndjekur fëmijët gjatë këtij kursi. Në mbrëmje ulemi e bisedojmë me dy arkitektët në shtëpinë e tyre mikpritëse, duke shijuar një verë të mirë kaliforniane me specialitetet e gatuara me art e shije nga Nensi. E aty bisedohet për ëndrrat e tyre të ardhshme. Neve na duket si çudi që edhe këtë shtëpi e shikojnë vetëm si një stacion të jetës së tyre profesionale. Sepse, siç shprehen ata, veten si profesionistë e gjejnë më shumë në Amerikën perëndimore, në bregun e oqeanit tjetër, atij Paqësor. E ne urojmë që të mund të shkojmë t’i vizitojmë një ditë edhe në ëndrrën e tyre kaliforniane.




