Flet, Mimoza Dajçi, themeluese e The Women’s Organization “Hope & Peace”/Intervistoi: Albert Vataj/
Nga përtej Atlantiku, nga toka e premtuar e kauzave të shenjta të lirisë dhe demokracisë, nga SHBA-të, mbërrin në tokën që lëngon prej kujtesës së vuajtjeve, zëri i një ndërmendeje, kushtrimi i një mirënjohjeje, solemniteti i një kremteje. E kush do ta meritonte më mirë këtë kujtesë të përkorë, këtë sublime përkujtuese, se sa Musine Kokalari, simboli i martirizimit të vajzave dhe grave në diktaturë. E kush më me ndjenjë dhe pasion, përkushtim dhe përgjegjësi, zemër dhe shpirtërore do ta bënte këtë më mirë se Mimoza Dajçi, ajo e cila ka qenë dhe vijon të jetë në radhën e parë të uraganit të të denoncimit të veprave makabre të diktaturës. Sepse ajo e di e di më mirë se askush se si dhëmb plaga e asaj të shkuare.
Emri i Musine Kokalarit lidhet me veprën më sinjifikative që është plazmuar në eterin e Shqipërisë së kohëve të errëta të diktaturës, të kohës së absurdit, të kohës së nënshtrimit, persekutimit, represionit dhe masakrave, të asaj kohe që gjithçka ishte e ndaluar. Kontributi vetmohues patriotik dhe ai i vleftë letrar i Musine Kokalarit, mbeten edhe sot një pikë referimi. Ndërgjegjja e shoqërisë shqiptare, vetëdija e opinionit publik, kujtesa, gjenden kushtruese në këto ditë kremteje, në këtë vlerësim që kapërcen kufinjt. Është 100- vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, përkujtimi si obligim, ajo që ka bashkuar shqiptarët në SHBA. Është Mimoza Dajçi, themeluese e Organizatës së Gruas The Women’s Organization në SHBA, nismëtarja dhe finalizuesja e kësaj ndërmendje. Në intervistën dhënë për “Koha Jonë” ajo rrëfen gjithçka që ka lidhje me finalizimin e këtij kushtimi për martiren Musine Kokalari. Ajo kërkon të ndajë me lexuesit e gazetës për aktivitet që janë organizuar në nderim të emrit dhe veprës së Musine Kokalarit, disidentes së parë shqiptare, gruas që mbetet shëmbëllim i kalvarit të gjatë të vuajtjeve dhe sakrificave të dhjetëra e dhjetëra grave dhe vajzave, të cilat besuan te aspiratat e larta të atdhedashurisë, besuan tek liria dhe u bënë theror i këtyre idealeve.
– Znj. Dajçi si themeluese e Organizatës së Gruas The Women’s Organization “Hope & Peace” në SHBA, si përfaqësuese e interesave dhe rolit të gruas çfarë mund të na thoni në lidhje me veprimtarinë në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes së heroinës shqiptare, Musine Kokalari, a do të kishit diçka që do të dëshironit ta ndanit me me lexuesit e “Koha Jonë” për këtë kremtim?
Së pari dëshiroj t’ju falënderoj juve për interesimin e treguar në vlerësimin e figurës shumëdimensionale të martires së deomkracisë, Musine Kokalari. Kjo figurë, emri dhe vepra, kurajoja dhe kontributi, meritojnë një vëmendje dhe vlerësim të veçantë. Ky përvjetor nuk mund të kalonte as këtu në SHBA pa atë interesim që është në një farë mënyre një mirënjohje e jona për gjithçka bëri ajo grua e kurajshme, ajo idealiste që nuk u step në realizimin e aspiratave të saj as para represionit dhe mizorisë së diktaturës. Organizata jonë e Gruas “Hope & Peace” në New York ose “Shpresë dhe Paqe”, ku si bashkëthemeluese është edhe Znj. Merita Shkupi, morëm inisiativën për të përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit.
Në mënyrë që kjo veprimtari të na dalë sa më mirë dhe me nivelet që kërkon koha, e denjë për këtë emër dhe këtë vepër guximi dhe krenarie, puna organizative zë fill katër muaj më parë. Gjithçka nisi me krijimin e një grupi pune, i cili do të merrej me hartimin e platformës dhe realizimin e çdo komponenti përbërës të kësaj strukture organizimi. Në këtë grup pune përfshimë personalitete të njohura shqiptare nga fusha e letërsisë, historisë, artit dhe gazetarisë, si dhe poeten dhe humanisten e njohur, Rita Saliu, shkrimtaren Eglantina Mandija, e cila në krijimtarinë e saj ka shkruar shumë për heroinën Musine Kokalari. Gjithashtu në këtë organizëm veprues, vlerësojmë pjesëmarrjen e veprimtares së njohur, Merita Shkupi, gazetares dhe autores së “Hymnit të Nënë Terezës”, Dijana Toska, publicistes dhe gazetares, Elida Buçpapaj, gazetarit dhe ish-të persekutuarit politik, Beqir Sina, studiuesit dhe historianit ish-të persekutuar politik, Agron Alibali, violinistes me famë botërore, Suzana Nehani Bezhani, balerinës, Tatjana Petrela, pianistes, Elona Muça, aktivistes, Violeta Mirakaj, Dia Saraçi, Lindita Semanjaku, etj… Në mënyrë që gjithçka të funksiononte sa dhe si duhet me të gjithë anëtarët e këtij grupi pune kemi patur takime dhe konsultime të herëpashershme, këtu në në New York, me disa të tjerë që jetonin më larg kemi zhvilluar “Conference Call”.
Në hapat vijues, sipas asaj platforme ne u drejtuam Fedaratës Pan Shqiptare, “Vatra” në New York, ku u pritëm nga Presidenti i saj, Dr. Gjon Bucaj, i cili e mirëpriti iniciativën tonë dhe shprehu gatishmërinë për të na mbështetur duke na ofruar ambientet e “Vatrës” për zhvillimin e aktivitetit. Dhe me këtë rast ne e falënderojmë Dr. Buçaj për përkrahjen që na afroi.
Po pse vendoset që ta mbanit pikërisht në “Vatër” këtë veprimtari, apo keni bashkëpunim të rregullt me Organizatën “Vatra”?
Ne kemi patur në vijimësi një bashkëpunim të frytshëm me Federatën “Vatra”, që në kohën kur drejtohej nga i nderuari, Agim Karagjozi, për të cilin sigurisht ruajmë akoma respekt e konsideratë të veçantë. Përsa i përket përzgjedhjes, ne jo se nuk kishim ambiente të tjera se ku mund ta mbanin këtë veprimtari, pasi na u afruan edhe disa të tjerë auditore universitare dhe kulturore, por qëllimi ynë ishte sa fisnik dhe patriotik aq edhe historik. Dhe është pikërisht “Vatra” ajo vatër e nderuar dhe e vlerësuar, ai tribun i fjalës edhe veprës patriotikëve të shqiptarëve në SHBA dhe jo vetëm, që i jep atë shkallë të lartë vlerësimi, i atribuon këtij aktiviteti atë çfarë e ngre në nivel kremteje kombëtare. Sepse “Vatra” është e para qendër historike shqiptare në SHBA qysh në kohën e figurave potenciale historike, si Fan Noli dhe Faik Konicës. Ne si organizatë i kemi zhvilluar shpesh aktivitetet tona në ambiente të tjera shumë prestigjioze siç janë universitetet amerikane, ku sallat na janë afruar pa pagesë, ku me këtë rast falënderojmë Profesorin e “Monroe College” në Bronx patriotin e devotshëm Z. Haxhi Berisha, i cili na ka përkrahur gjithmonë në çdo veprimtari tonën. Por për vlerat që folëm më sipër ne vendosëm që ta mbanim në “Vatër”.
Gjithashtu nuk mund të rri pa e shprehur faktin se sapo u shpërnda njoftimi, patëm shumë telefonata, e-mail-e nga personalitete të ndryshme shqiptare, të cilët ishin të gatshëm të jepnin sado pak ndihmesën e tyre për mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie madhore. Ndërmjet tyre dëshiroj të përmend mbështetjen e madhe që na dhanë, Muzeu Historik “Musine Kokalari” në Gjirokastër dhe vetë mbesat e Musine Kokalarit – zonjat Arjeta, Evi dhe Enit Kokalari Lulushi.
Çfarë ndihme konkretisht ju afroi muzeu “Musine Kokalari” dhe mbesat e saj?
Mbështetja nga Muzeu Historik “Musine Kokalari” dhe mbesave, Arjeta, Evi dhe Enit janë konkrete dhe shumë me vlerë, që kishin të bënin me me materialet ekskluzive që na dërguan dhe paraqitën, të cilat e pasuruan së tepërmi arkivin e këtij aktiviteti nga jeta dhe vepra e Musine Kokalarit, ku përfshihen dorëshkrimet origjinale të Musinesë, dokumentet, krijimtari, foto të saj me familjen, letra e korrespondenca me familjarët etj. Me këtë rast më lejoni të falënderoj në mënyrë të veçantë, Arjeta Kokalari është edhe njëra nga mbesat e familjes që kujdeset në mënyrë të shkëlqyer për Shtëpinë Muze, “Musine Kokalari” në Gjirokastër, ndërsa Evi dhe Enit i janë bashkangjitur punës tonë përgatitore me të gjitha mundësitë dhe kohën e tyre.
A mund të na flisni pak për figurën e lartë te martires, Muisne Kokalari, që nuk kurseu as jetën e saj të re për çështjen kombëtare?
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.
“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983, nga kanceri. Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.
Diçka më specifike në lidhje me atë që do të çonte atë në bankën e të akuzuarve?
Fakti që ajo kishte krijuar së bashku me Skënder Muçon, Partinë Socialdemokrate, në vitin 1943, nuk mund të anashkalohej nga sistemi njëpartiak i Enver Hoxhes. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria po vihej nën diktaturë, si kundërveprim i kësaj të fundit u themelua më 6 nëntor të vitit 1946, në Tiranë, grupimi i parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, një aleancë e Partisë Socialdemokrate, kryesuar nga Musine Kokalari, me Frontin e Rezistencës, drejtuar nga Sami Qeribashi dhe me Grupin Monarkist, të drejtuar nga Qenam Dibra.
Musineja u bashkua me disidentët e tjerë të opozitës, e cila sipas ideve të saj, do të ishte ilegale dhe do të luftonte me mjete demokratike për një Shqipëri ndryshe. Ajo nuk mund të pranonte diktaturë, ndaj dhe i shfaqi hapur bindjet politike, por në të njëjtën kohë dhe diktatura nuk mund ta pranonte Musinenë, ndaj e goditi për vdekje.
Në hetuesi dhe në gjyq, Musine Kokalari do të depononte: “Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, ku kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut. Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”.
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së heroinës, Musine Kokalari dhe me kërkesë të familjareve të saj, nga Komisioni Shtetëror i Autoritet Hapet Dosja është kërkuar më në fund fillimi i të shumëkërkuarës hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, konkretisht me dosjen e Musine Kokalarit, ju si e shikoni këtë proces dhe si po e vlerësoni shpërndarjen e dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë në Shqipëri?
Hapja e dosjeve ndoshta është shumë e vonuar, por mbetem me bindjen se ato duhet të kishte ndodhur kohë më parë që shoqëria shqiptare, politika, shteti të ishin të çliruar nga barra e rëndë e së shkuarës. Hezitimi i vazhdueshëm i politikës për ta shtytur për në një kohë të mëtëjme këtë hap të distancimit nga diktatura komuniste, nga veprat e përbindshme të Sigurimit të Shtetit, është sa i pakuptimtë aq dhe absurd. Nuk përjashtohet mundësia se kanë qenë segmente të caktuara brenda klasës politike shqiptare të interesuar që hapja e dosjeve të mos konkretizohej. Është pikërisht kjo klasë politike, e cila ka në radhët e saj njerëz të ish-nomenglaturës komuniste, ka ish-bashkëpunëtor të zellshëm të Sigurimit të Shtetit, të cilët jo vetëm nuk kanë kërkuar ndjesë për veprat e së shkuarës, por duket se janë bërë pengesë energjike që ky detyrim moral dhe politik të mos merrte zgjidhje. Përsa i përket dëmshpërblimeve ato duhen përshpejtuar pasi mijëra njerëz që kanë vuajtura nga ai regjim po ndahen nga kjo jetë pa marrë shpërblimin e torturave që hoqën nëpër burgje e kampet e përqendrimit shqiptar dhe kjo është e dhimbshme dhe e pafalshme, pasi siç dihet Shqipëria është klasifikuar si vendi që ka përjetuar diktaturën më të egër në Europë.
Nga media kemi lexuar se organizata juaj i ka kërkuar Presidentit Bujar Nishani që për gruan intelektuale dhe të guximshme të vendoset Çmimi “Musine Kokalari”, a keni marrë përgjigje nga Ai, nëse po a mund ta bëni publike?
Jo nuk kemi marrë përgjigje akoma, por shpresojmë të na miratohet si kërkesë.
Po ju Mimoza Dajçi a keni qenë pjesë e asaj viajtje, atij persekucioni politik gjatë rregjimit komunist në Shqipëri?
Po sigurisht që kam vuajtur edhe unë nga ai regjim makabër. Xhaxhai im Rasim Dajçi është pushkatuar pa gjyq nga rrëgjimi sllavo – komunist në Prizren. Edhe im at, Enver Dajçi, ndjesë pastë, i përket atij kalvari të gjatë vuajtjesh, ai dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Në këto kushte linda dhe u rrita unë. Më kujtohet se kur isha ende fëmijë sa sa herë ngjitesha dhe zbrisja shkallëve të pallatit me dukej vetja e padukshme, sepse nuk më përshëndesnin disa nga komshinjtë tanë. Aq keq dhe aq të parespektuar silleshin ata edhe me mua fëmijë në atë kohë në lagjen ku jetonim në Tiranë. Sigurisht nuk kam vuajtur si mijëra fëmijë, të rinj e të moshuar të tjerë nëpër kampet e përqendrimit shqiptar, por përsëri peshën e rëndë të luftës së klasave dhe diskriminimin e diktaturës komuniste e kam ndjerë në çdo kohë dhe kudo. Shkolla e lartë nuk me doli, zyrat e lagjes më dërguan për të punuar për disa vite radhazi, me punë të detyruar në fermë dhe nëpër disa punë të tjera të rënda.
Shqipëria po pret në qershor të mbajë zgjedhjet e reja parlamentare ku përfshirja e gruas në politikë është në kuotën 30%, sipas jush a është i mjaftueshëm ky përfaqësim ndërkohë që atje ka shume probleme sociale dhe dhunë nëpër familjet shqiptare?
Unë mendoj se përfshirja e gruas në politikë në kuotën parlamentare 30% është e pamjaftueshme. Shqipëria ka shume probleme sociale, ekonomike por edhe politike, femra atje diskriminohet edhe në auditorët e politikës dhe rastet i kemi të shumta. Në Shqipëri ka shumë dhunë, ka shumë krime ordinere, ka vrasje pa fund, ka prerje kokash nga kryefamiljari tek bashkëshortja, ka hedhje të nënës nga dritarja duke mbetur fëmijët jetimë. Kemi mos barazi gjinore në politikë. Prandaj nëse kjo shifër do të rritet do të shikojmë se atje do të kemi ndryshime të dukshme mes palëve dhe brezave që do të vinë. Pra unë jam për përfshirjen e gruas në politikë dhe vendimmarrje në kuotën 50%.
Cili është misioni i organizatës tuaj dhe në çfarë ndihmash keni operuar konkretisht?
Ne jemi një organizatë joqeveritare, jofitimprurëse, humane që merremi me kujdesin e gruas, nënave dhe fëmijëve, përfaqësimin dhe mbrojtjen e tyre. Shpesh kemi ngritur zërin për të drejtat e gruas ish të persekutuar politike në Shqipëri, për të drejtat e gruas së vrarë, zhdukur e keqtrajtuar nga makineria makabre serbe në Kosovë, kemi ngritur zërin për të drejtat e gruas në Çamëri, Maqedoni e për të gjitha trevat shqiptare. Në një rast përmbytjesh në Shqipëri ne së bashku me Z. Aleks Nilaj dhe Znj. Edith Blitzer kemi dërguar ndihma humanitare në Jug të vendit nëpërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar.
Ne Mimoza, ju kemi përcjellë nëpërmjet medias elektronike dhe asaj të shkruar, ku jemi informuar se ju edhe disa anëtare të organizatës që ju tashmë drejtoni jeni dekoruar nga personalitete të larta të Amerikës, si do ti vlerësonit këto medalje që u janë akorduar?
Po është e vërtetë që si unë ashtu edhe disa nga anëtaret e organizatës tonë jemi vlerësuar me disa tituj e çmime prestigjioze nga personalitete të larta amerikane. Akordimet që na janë dhënë, sigurisht flasin për kontributin tonë human dhe shoqëror që japim për të drejtat e gruas dhe fëmijëve dhe komuniteteve të ndryshme në SHBA, por për ne një vlerësim, një çmim do të thotë shumë dhe na jep kurajon për të ndërruare nisma akoma më të mëdha në ndihmë të komuniteteve. Ne jemi dekoruar nga Presidenti i Bashkisë në Bronx Z. Ruben Diaz Jr. për “Merita të Veçanta” nga Kontrollori i Lartë i New York-ut Z. Scott Stringer me Mirënjohje të Ndryshme, si dhe nga disa organizata që bashkëpunojnë me OKB me Medaljen “Ambasadore e Paqes”.
Faleminderit Znj.Dajçi
Faleminderit edhe juve.