• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Me Kadaren në mbrojtje të ambasadores Vlahutin

May 11, 2017 by dgreca

Hahn falenderon Kadarenë. Shkrimtari i kërkoi falje ambasadores Vlahutin/

1 kadare

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn falenderoi shkrimtarin Ismail Kadare për mbështetjen ndaj ambasadores Reomana Vlahutin.

“Falenderoj të madhin Imsail Kadare për mbështetjen e ambasadores së BE në Tiranë, Vlahutin. Bashkimi Europian punon shumë për të gjithë popullin shqiptar”, u shpreh Hahn.

Një ditë më parë shkrimtari, me një letër drejtuar ambasadores Vlahutin i kërkonte diplomates që mos ta lidhte veprimin e një njeriu jo normal me mendimin e një populli të tërë.

“Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar. Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë. Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve. Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë. E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme”, thoshte Kadare në letrën e tij.
Kjo letër e Kadare erdhi pas një komenti të publicistit Kastriot Myftaraj për ambasadoren e Bashkimit Europian. “Kështu që çdo shqiptar që do atdheun e vetë mund ta vrasë Romanën dhe ky do të ishte një akt anti-terrorist, jo terrorist”, shkruante Myftaraj në komentin e tij.
Për këtë koment policia në bashkëpunim me prokurorinë e ndaloi Kastriot Myftarajn me akuzën e thirrjeve për vepra të dhunshme. Pak orë pas ndalimit me kërkesë të prokurorisë, ai është lënë i lirë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Hahn, me Kadren, ne mbrojtje, Vlahutin

Shteti merr nën mbrojtje Rezidencën e Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova

April 27, 2016 by dgreca

Foto arkiv: Me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova  në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë – korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/

-Në këtë ndërtesë, nga viti 1993 është vendosur Presidenti Rugova me familjen e tij, dhe deri në janar të vitit 2006 ka zhvilluar veprimtarinë e tij zyrtare shtet-formuese për Kosovën/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 27 Prill 2016/ Kosova shtet merr nën mbrojtje Rezidencën e Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka vizituar sot “Rezidencën e Presidentit dr. Ibrahim Rugova” dhe i ka dorëzuar familjes së Presidentit Ibrahim Rugova vendimin e MKRS-së, me të cilin kjo ndërtesë përfshihet në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Me ketë rast, ministri Shala u shpreh se kjo ndërtesë ka vlerë të jashtëzakonshme nacionale dhe si e tillë do ta ketë përkujdesjen dhe mbështetjen e Institucioneve të Kosovës, meqë lidhet me kujtesën dhe rrugëtimet tona drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë.

Po ashtu, ministri Shala u shpreh se brenda “Rezidencës së Presidentit dr. Ibrahim Rugova” ruhen vlera të shquara historike, artistike e politike, të cilat presidenti i kultivonte me shije e kulturë, ndaj ato duhet të jenë të hapura për vizitorë.

Më tej, ministri Shala tha se, vepra e Rugovës është udhërrëfyese dhe vlerë e përhershme për ndërtimin e Kosovës moderne dhe evropiane.

Fane Rugova, gruaja e Presidentit Ibrahim Rugova e falënderoi ministrin Shala për këtë akt tejet domethënës dhe u shpreh se kjo ndërtesë i duhet Kosovës, ndaj edhe duhet të jetë e hapur për publikun.

Vendimi për të përfshirë “Rezidencën e Presidentit dr. Ibrahim Rugova” në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme është marrë duke u bazuar në kërkesën e Familjes Rugova drejtuar Departamentit të Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prishtinës.

Në këtë ndërtesë, nga viti 1993 është vendosur Presidenti Rugova me familjen e tij, dhe deri në janar të vitit 2006 ka zhvilluar veprimtarinë e tij zyrtare shtet-formuese për Kosovën.

Grupi punues, i cili ka vlerësuar kërkesën e familjes dhe hapjen e ndërtesës për publikun, kësisoj ka mundësuar që të bëhen vizita dhe të njihet nga afër jeta dhe vepra e Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit janë konstatuar 5 hapësira që do të hyjnë nën mbrojtje: në përdhese, është Salla e Pritjes, Salloni kryesor, me hapësirat përcjellëse, Kabineti i punës së Presidentit, Dhoma e Kristaleve dhe Salla solemne. Kjo e fundit e njohur si salla në të cilën janë mbajtur takimet e “Grupit të Unitetit”, të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, takimet me Presidentin Marti Ahtisaari, që shënon dhe fillimin e dialogut për statusin final të Kosovës e që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, në 17 shkurt 2016.

Brenda “Rezidencës së Presidentit dr. Ibrahim Rugova” ka piktura, fotografi të shumta të takimeve të Presidentit Rugova me personalitete të vendit dhe të huaj. Guri në oxhakun e Kabinetit të punës së Presidentit është punuar nga gjyshi i Presidentit Rugova. Ky gur është punuar në vitin 1910, si pjesë e kullës së ndërtuar në fillim të viteve 1900. Enterieri i Sallonit të pritjes është i trajtuar me nivel të lartë artistik. Tavanet e sallonit janë të punuara me drugdhendje në frymën tradicionale të shtëpive qytetare të Kosovës. Grupi konstaton se këto hapësira posedojnë vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë së luajtshme me interes për vendin.

Hapësirat dhe vetë ndërtesa “Rezidenca e Presidentit dr. Ibrahim Rugova” karakterizohen me vlerat historike, shoqërore dhe të raritetit.

Vlerat historike: Në këtë shtëpi nga viti 1993 deri më 21 janar 2006, kur ndërroi jetë, ka jetuar dhe vepruar Presidenti dr. Ibrahim Rugova.

Gjatë viteve 1996 deri 1999 në këtë Rezidencë Presidenti Rugova zhvilloi takime intensive me ambasadorët amerikanë Richard Holbrooke, Christopher Hill, senatorin amerikan Bob Dole, ambasadorin britanik Brian Donnelly, ambasadorin gjerman Wolfgang Ischinger, ambasadorët austriak Wolfgang Petritsch e Albert Rohan, që realizuan organizimin e Konferencës së Rambujesë, e cila rezultoi me fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, më 24 mars 1999 dhe përfundimisht me lirinë e Kosovës, më 12 qershor 1999.

Në nëntor të vitit 2005 në këtë Rezidencë u mbajt takimi i parë i Ekipit të Unitetit të Kosovës, i udhëhequr nga Presidenti Rugova, me Presidentin Marti Ahtisaari, që shënon fillimin e dialogut për statusin final të Kosovës e që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Vlerat shoqërore: Nga viti 1993 deri më 21 janar 2006, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në këtë Rezidencë zhvilloi takime me strukturat politike të Kosovës dhe me diplomatë e burrështetas ndërkombëtarë, me qëllim të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.

Vlerat e raritetit: Ndërtesa e parë Presidenciale para dhe pas luftës në Kosovë.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, ne mbrojtje, Rezidenca e dr. Ibrahim Rugova, shteti

Mehmet Gradica dhe roli i tij në mbrojtje të vendit

March 1, 2016 by dgreca

Shkruan : Mr. sc. Besim Morina/*

Jemi tubuar sot, për të respektuar veprën madhore të komandantit Mehmet Gradica, si dhe të shumë dëshmorëve të cilët ranë në altarin e lirisë, duke nderuar atdheun tonë, andaj i kujtojmë me mall: familjen emblemë të Jasharajve, komandantët Fehmi Lladrovcin, Ilaz Kodrën e Asllan Fazliun, mantel bardhët: Dr. Lec Lecin e Antigona Fazliun, me pas Milazim dhe Mehdi Fazliun, Hashim dhe Valdet Uken, Mehmet Saliukun, Muhamet Dervishin, Sadullah dhe Avni Dibranin,  qe me vepra te tyre treguan vazhdimësinë e luftës për liri, të trashëguar ndër shekuj nga bashkëvendësit e tyre: Tahir Aga Gradica, Lec Leci Gradica e Smajl Muja.

Thonë se dëshmorët mësojnë nga brezat, ndërsa kombet vlerësohen në bazë te veprave të tyre. Andaj,  është obligim shtetëror qe me gjuhen e së vërtetës faktografike, të nderohen figurat kombëtare, duke ju dhënë  vendin e mëritur, te gjithë atyre burrave të cilët me pendë, pushkë ose ne ndonjë mënyrë tjetër vepruan, punuan, dhe u sakrifikuan për të mirën e kombit tonë.

Mehmet Gradica u lind në vitin 1913, në fshatin Gradicë, nga babai Isufi dhe nëna Çame Berisha, motra e Lutë Gllanasellës.
Mehmeti ka shërbyer shef i xhandarmerisë ne Vuçitërnë, Skenderaj e Mitrovicë. Inkuadrimi i tij në regjimentin e Xjafer Devës, kishte si mision pengimin e përhapjes së propagandës Komuniste, ose sikur edhe shpreheshin kundër atyre “që nuk kanë as Zot e as Fe, as Nder e as Atdhe”.

Nga biografia e tij, del se Mehmeti kishte një urrejtje patologjike ndaj Komunizmit, dhe ky është shkaku kryesor, qe edhe sot emri i tij përmendët shumë pak për mos të thënë fare ne historiografinë shqiptare. Deri me tani historiografia e jonë në luftën e Drenicës përmend rolin e Shaban Palluzhës, Mehmet Gradicës dhe Bajraktarit të Llaushës, duke anashkaluar  qëllimisht dy figura të rëndësishme Rexhep Gjelin dhe Hamdi Gashin, oficerin e karrierës të shkolluar në akademinë ushtarake të Italisë.

Gjatë shërbimit në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, roli i Mehmetit ishte i një rëndësie të veçantë. Për te mbrojtur popullsinë shqiptare, në nëntor të vitit 1941, qeta e tij  ndërmori disa sulme te suksesshme ne rrethinën e Novi Pazarit. Është me rëndësi kombëtare të theksohet se në Kuvendin e Skënderajit (1943) dhe të Palluzhës (1944), në organizim të Hamdi Gashit, Bajraktarit të Llaushës, Mehmet Gradicës, Mulla Iljas Brojës, Azem Oruqit, Rexhep Gjelit, Mulla Ibrahim Palacit, etj., ju dha përkrahje e pa rezervë vendimeve të Kuvendit të Parë e të Dytë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Mehmeti do të mbështesë jo vetëm me trimërinë dhe mençurinë, por edhe me pasurinë e vet, Lidhjen e Dytë të Prizrenit duke paraparë tek idetë dhe fryma e saj të ardhmen e lirë të gjeneratave shqiptare.Pas lufte se dytë botërore, Kosova u ripushtua  nga serbet, ku populli shqiptar trajtohej si rob lufte. Më urdhrin e Titos, më 8 shkurtit të vitit 1945, u vendos në Kosovë Administrimi Ushtarak, „deri në rregullimin e rrethanave“, qe në të vërtetë nënkuptohej deri në aneksimin e saj nga Serbia.
Me kërkesën e Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë, serbëve u erdhën në ndihmë  forcat ushtarake shqiptare nga Tirana, ku se bashku kryen vrasje në forma te ndryshme pa dallim moshe e gjinie. Duhet veçuar rastin në fshatin Terstenik të Drenasit, në lagjen Bazaj, ku në prezencë të anëtarëve të familjes, foshnja  me djep është hedhur në zjarr.

Por, cili ishte roli organizativ i shqiptarëve në mbrojtje të vendit? Nëse e marrim parasysh organizimin e popullit shqiptar ne këtë kohë, mund të themi lirishtë se ishte nën nivel. Po në këtë kohë, KQ i PKSH  bënte thirrje për vëllazërimin e popullit shqiptar me popujt sllavë e grek. Duhet shtuar se sipas dokumenteve të kohës te cilat gjinden ne arkivin e Berlinit, tregojnë se numri i komunistëve në  Kosovë ishte tejet i vogël, dhe nuk gëzonin aspak përkrahjen e popullit.Është plotësisht e natyrshme se prijësit e Drenicës të cilët edhe më par ishin dalluar në luftërat kundër ushtrisë pushtuese serbe, duke u dalë zot tokave tona etnike, nuk pranuan të jenë pjesë e ideologjisë komuniste.

Në luftën e Drenicës, u angazhuan forca të mëdha jugosllave dhe shqiptare, që  numëronin mbi 42 000 veta. Për ti dalë zot vendit, Mehmeti kërkoi një bashkëveprim në mes të zonës së Drenicës dhe zonës së Shalës, konkretisht me Ahmet Selacin.

Numri i madh i ushtrisë pushtuese,  ka bërë qe lufta e Drenicës të shuhet, me plagosjen e dy udhëheqësve kryesor, Shaban Palluzha dhe Mehmet Gradica në betejën e zhvilluar në Terstenik, me 21 shkurt 1945. Si pasojë e plagëve te marruara komandantët ndërruan jetë, Shaban Polluzhën e varrosin nën akull të Lumit Drenica, në Bresillë, ndërsa Mehmet Gradicën në vreshtat e Brahim Lutës.

Komandanti Rexhep Gjeli dhe shokët e tij e mbajtën besën e dhënë, duke  vazhduar luftën e armatosur, por tani në një formë tjetër, më luftë guerile. Kështu, Rexhep Gjeli pas një rezistence vritet ne Malin e Qiqavicës së bashku me djalin e vetëm qe e kishte. Me pas do te vriten bashkëluftëtarët nga Gradica: Milazim Leci, Vesel e Lam Dervishi, Bahtir Muja, Maliq Hykolli, Hisen e Maliq Bardhi. Ndërsa, Smail Muja vritet pabesisht në fshatin Nekovc.  Themeluesit e Divizionit të Ibrit: Brahim Luta, Ajet Gjeli, Hajdin Haxhiu, vriten në një bunker afër fshatit Ceceli. Me pas vriten Ajet Gërguri, Gjon Sereqi e Hoxhë Avdija.
Vrasësit e Mehmet Gradicës ishin ata te cilët donin të realizonin planet serbe për zhdukjen e kombit shqiptar te përpiluara ne Beograd. Nder me të merituarit për këtë ishte edhe komisari komunist Fadil Hoxha, i cili për ironi, varroset me nderime ushtarake.
Ne fund duhet shtuar se toger Mehmet Gradica, u flijua për te mos u pushtuar tokat tona etnike nga sllavet, për te mos u përdhosur kombi ynë, gjuha jonë, u flijua qe flamuri jonë te jetë ashtu sikur ishte ne duart e Kastriotit. Ky flamur, sot valon i lirë falë orientimit tonë perëndimor, si kulturor ashtu edhe  politikë,  luftës sublime të udhëhequr nga SHP i UÇK-së, Komandantit legjendar Adem Jasharit dhe bashkëluftëtarëve të tij anë e kënd Kosovës, të përkrahur politikisht dhe ushtarakisht nga NATO-ja. Liria e popullit si dhe ndërtimi i shtetit tonë, edhe sot është i lidhur ngushtë me përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së.

Të nderuar të pranishëm, figura e komandantit Mehmet Gradica, nuk është vetëm figurë unikale e Kosovës, por e gjithë trojeve shqiptare. Urojë qe të gëzoni bustin e Komandantit, urojë që kjo shkollë te mbajë me pietetin me te lartë këtë emër!
Ky fjalim u mbajt në Gradic me 22 shkurt 2016 me rastin e zbulimit të bustitë të heroit te kombit Mehmet Gradica, në shkollen e Gradicës që e mban emrin e heroit.

*Autori ësht Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Intelektualëve mbarshqiptarë Trojet e Arbrit.

Filed Under: Histori Tagged With: dhe roli i tij, Mehmet Gradica, mr. Sc. Besim Morina, ne mbrojtje, të vendit

Krasniqi: Kadare s’pranoi të ishte lodër e klaneve politike

August 7, 2015 by dgreca

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka dal në mbrojtje Ismail Kadares, duke thënë se mos kërkoni nga ai që t’i shikon shqiptarët si numra e përqindje, pasi Kadare e sheh kombin si një, të tërë e të pa ndarë.
Krasniqi ka shkruar se Kadare është nder intelektualet e lartë, jo vetëm në Shqipëri, që nuk pranoi të ishte lodër e asnjë klani politik.
Ja opinioni i plotë i Jakup Krasniqit:
Këto ditë pat një seri reagimesh ndaj mendimit të lirë te Kryeambasadorit shqiptar të letrave shqipe, të intelektualit dhe mendimit të avancuar politik shqiptar, Ismail Kadaresë.
Ismail Kadare, pa dyshim që është njëri nga shqiptarët e rrallë i cili i ka rezervuar veti të drejtën për të dhënë mendime e ide, për të shpalosur vizionin se nga duhet të eci kombi shqiptar. Pozicioni i kombit tonë sot në ketë katrahurë politike, ekonomike e morale, asnjë shqiptari me vizion nuk ia jep komoditetin e heshtjes. Në fund të fundit, ai ka shfaqur mendimin e tij autonom, ka shfaqur botërisht idenë e tij te shqiptarizmës dhe vendin e kombit shqiptar në Evropë. Secili nga ne duhet ta kuptojë se demokracia nuk ë shtë njëmendësi. Populli ynë e ka një shprehje e cila thotë: “ Pas atit të mirë çohet shumë pluhur”.
Të gjithë duhet ta kuptojmë se Ismail Kadare, është mbret i letrave shqipe dhe për të qenë mbret në mbretërinë e tij, ai nuk ka pranuar të jetë pjesë e gëzhojës a e kornizës politike të asnjë ideologjie. Ai është nder intelektualet e lartë, nder më të rrallët jo vetëm në Shqipëri, që nuk pranoi të ishte lodër e asnjë klani politik. Madje, ai nuk u rrëmbye as nga lakmia për të qenë i pari i shtetit. Kështu Ismail Kadare i ka rezervuar veti vendin që të jetë pjesë avancuar e mendimit politik shqiptar. Ai nuk u rrëmbye nga lakmia e pushtetit të parasë duke qenë në pozita publike. Kjo është një arsyeje shtesë, pse Kadare imponon e meriton respekt!
Ismail Kadare meriton dhe imponon respekt edhe atëherë kur mund të kesh arsyeje që të mos pajtohesh me mendimin e tij, të cilin, ai e shpërfaq me guxim e liri të mendimit e të shprehjes. Për mendimin e tij të lirë politik, ai ka investuar shumë dhe nuk i merr leje askujt, çka e kur ta e thotë botërisht bindjen, qëndrimin a pikëpamjet e tija. Respekt!
Zotërinj, mos kërkoni nga Ismail Kadare që ti shikon shqiptarët si numra e përqindje, ai e sheh kombin si një, të tërë e të pa ndarë. Ashtu si e konceptuan edhe rilindësit tanë të lavdishëm! Kadare më të drejtë po e kërkon ngritjen e pozicionit te shqiptarëve në Kontinentin e tyre, në Evropë, për çka kombi ynë kanë investuar shumë. Kombi ynë, jo vetëm para Evropës, duhet që ti shpalos vlerat e kulturës e të traditës sonë nacionale, me çka edhe veçohet nga kombet e tjera. Kombi ynë nuk duhet të lejoj që t’i ikë ky rast për ti shpalosur vlerat e tija tradicionale shqiptare! Vlerat e kombit etnik. Koha është që t’i biem fortë këtij teli!
I thash këto fjalë, jo pse Kadare ka nevojë për mbrojtjen time a te dikujt tje tër, atë e mbron vepra e tij kolosale e shtrirë në të gjitha Kontinentet e banuara me njerëz dhe ku ne shqiptarëve na bënë nder. Kombi ynë e ka një yll që nuk guxon ta kontestoi apo t’ia errësoj shkëlqimin.(Zeri)

Filed Under: Featured Tagged With: Krasniqi Jakup, ne mbrojtje, te Kadarese

NË MBROJTJE TË VLERAVE TË PËRBASHKËTA

January 15, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe David Cameron, në një artikull të botuar të ënjtën në gazetën e njohur të Londrës, Times of London, njoftuan planet e përbashkëta të dy vendeve për të bashkrenduar përpjekjet e tyre në disa fusha veprimi të politikës së mbrendshme dhe të jashtme.
Artikulli u botua në vigjiljen e vizitës së Kryeministrit britanik në Washington, ku do të takohet me Presidentin Obama për të biseduar mbi çështjet që ata nënvijojnë në këtë artikull, por edhe mbi çështje të tjera të interesit të përbashkët. “Ndërsa do të takohemi në Shtëpinë e Bardhë, ne rithkesojmë besimin tonë se mundësia jonë për të mbrojtur lirinë është e rrënjosur në fuqinë ekonomike dhe në vlerat në të cilat ne besojmë dhe të cilat na dallojnë si popuj — e që janë liria e fjalës, zbatimi i ligjit dhe institucionet e forta demokratike”, pohojnë ata në artikullin e tyre në gazetën Times of London.
Udhëheqsi amerikan dhe ai britanik — në komentin e tyre botuar në gazetën e famëshme londineze — angazhohen për një front të përbashkët, për të përballuar sfida të ndryshme, të mbrendshme dhe të jashtme, përfshirë edhe kërcënimin që paraqet ekstremizmi islamik” dhe ajo që ata quajtën “ideologjia e tij e shtrëmbëruar”.
Duke iu referuar sulmeve terroriste javën që kaloi kundër një gazete satirike në Paris të Francës, udhëheqsi amerikan dhe ai britanik u zotuan se ekstremistët nuk do të kenë sukses kundër lirisë së fjalës, si një vlerë universale dhe si e drejtë e njeriut. Zotërinjtë Obama dhe Cameron shkruajnë se ata nuk do të “frikësohen nga esktremistët, qofshin ata indidvidë fanatikë, ose organizata terroriste si al-Qaeda, Shteti Islamik, ose Boko Haram”. Ata vazhdojnë artikullin e tyre në Times of London duke shpreshur angazhimin e tyre se, “Ne do t’i mundim këta vrasës barbarë, të cilët justifikojnë vrasjen e njerëzve të pafajshëm”, theksuan zotërinjtë Obama dhe Cameron në komentin e botuar në gazetën e Londrës. Ndërsa në lidhje me luftën kundër terrorizmit, ata zotohen në emër të vendeve të tyre se, “Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të bashkpunojnë ngushtë me të gjithë ata që beosjnë në paqë dhe në tolerancë. Terroristët”, nënvijuan ata në komentin e tyre, “dinë vetëm të shkatërrojnë, por së bashku, ne mund të bëjmë diçka që është shumë më e fuqishme: të ndërtojmë sigurinë, të forcojmë drejtësinë dhe të promovojmë paqën”, shkruajnë Zotërinjtë Cameron dhe Obama.
Para takimit të tyre prej dy ditësh në Shtëpinë e Bardhë, në këtë shkrim ata nënvijuan parimet e aleancës amerikano-britanike, duke shkruar se, “Sot, ne angazhohemi rishtas ndaj misjonit tonë historik, në mbrojtje të popujve tonë, për ruajtjen e sistemit tonë ekonomik dhe në mbrojtje të vlerave tona”, të përbashkëta. Ata theksojnë se në këtë moment të historisë, “Përsëri, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe qëndrojnë së bashku. Edhe njëherë, ne kemi nevojë për udhëheqje të fortë dhe të vendosur, për tu përballur me sfidat e kohës sonë”, shkruajnë ata.
Zotërinjtë Obama dhe Cameron theksuan gjithashtu edhe rëndësinë e promovimit të politikave ekonomike për të nxitur ekonomitë e vendeve të tyre, me qëllim për të mënjanuar një tatpjetë tjetër të ekonomisë botërore. Në lidhje me këtë, ata shkruajnë se janë duke punuar, “drejtë përfundimit të një marrveshjeje të përgjithshme tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian”, marrvehsje kjo që sipas tyre, “do të zgjëronjë dukshëm tregëtinë midis dy vendeve tona dhe do të hapë mundësi të reja vend pune për miliona puntorë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Kryeminsitri i Britanisë së Madhe, në artikullin e tyre, tregohen të vendosur edhe në qëndrimin e tyre kundër atij, që ata cilësuan si “aggression i Rusisë në Ukrainë”, duke u zotuar se do të vazhdojnë presionin diplomatik ndaj Moskës. Në lidhje me këtë ata theksuan duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë se, “Nëqoftse ne lejojmë që të ndodhin shkelje të tilla të ligjit ndërkombëtar pa u ndëshkuar, ne të gjithë do vuajmë pasojat që vinë më pas”, nga shkelje të tilla ndërkombëtare. Ata theksuan njëkohsisht se, “Përgjigja jonë e fortë dhe e përbashkët i ka dërguar botës një mesazh të fortë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të qendrojë duar-kryq, ndërsa Rusia vazhdon përpjekjet e saj për destabilizimin e Ukrainës.” Ndërkohë, ata shprehën gjithnjë gatishmërinë e tyre “për të vazhduar të mbështesin Ukrainën ndërkohë që ajo përpiqet të plotësojë aspiratat ekonomike dhe demokratike të popullit ukrainas”.
Presdienti Obama dhe Kryeminsitri Cameron përfundojnë artikullin e botuar nga Times of London, në vigjiljen e takimit dy ditësh të nivelit të lartë amerikano-britanik në Washington, duke shprehur besimin e tyre se, “Siguria dhe begatia janë të pandashme, nuk mund të ketë siguri pa begati. Dhe se ndërsa përballemi me me terroristët që na kërcënojnë, ndërsa mbajmë të njëjtin qëndrim kundër masave agresive të Rusisë dhe ndërsa vazhdojmë përpjekjet tona drejtë rritjes së përgjithëshme ekonomike, ne njëkohsisht do të vazhdojmë të çojmë përpara edhe sigurinë dhe begatinë, që meritojnë popujt tanë.”
Duket se lufta kundër terrorizmit, përpjekjet e përbashkëta kundër masave agresive të Rusisë dhe rritja ekonomike botërore, do të jenë subjektet kryesore të bisedimeve të nivelit të lartë amerikano-britanik në Shtëpinë e Bardhë gjatë dy ditëve të ardhëshme. Artikulli i shkruar nga Zotërinjtë Obama dhe Cameron sugjeron se kur bota përballet me terrorizëm, me konfliktet dhe kërcënime ndaj stabilitetit ndëkombëtar dhe kur vlerat universale janë në rrezik — janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ato që si gjithmonë më parë, mund të udhëheqin përsëri përpjekjet botërore drejtë një sigurie më të qëndrueshme ndërkombëtare dhe sigurimit të paqës në botë. Është ky një fakt që shqiptarët kudo duhet ta kujtojnë me rastin e përvjetorit të masakrës së civilëve shqiptarë në Reçak të Kosovës nga forcat terroriste serbe, masakër kjo që aso kohe tronditi botën e qytëruar dhe çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe, në mbrojtje të vlerave universale të njeriut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, ne mbrojtje, TË PËRBASHKËTA, TË VLERAVE

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT