• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“VALIXHJA E SHQYER”, ATË E BIR NË NJË LIBËR

August 30, 2016 by dgreca

 – tregime nga Visar  Zhiti me vizatime nga Atjon Zhiti -/….LIBRI SHPERNDAHET SOT, NE DITELINDJEN E ATJONIT, QE SOT DO TE ISHTE 21 VJEC….

Ballina e Valixhes se shqyer“Valixhja e shqyer” është libri më i fundit i shkrimtarit Visar Zhiti, tregime të shoqëruara me vizatime nga Atjon Zhiti, atë e bir së bashku, botim i porsa dalë nga shtëpa botuese “OMSCA-1”.                                                                                                     I veçantë dhe tërheqës për përmbajtjen dhe “historinë” e vet, album bardhë-e-zi ndërkohë, një mpleksje moderne, që përçon ndër të tjera kumtet dhe emocionet e bashkëpunimit dhe të dashurisë mes brezave.                             Gjuha metaforike e Zhiti që shkruan, me gjuhën metaforike të Zhitit junior që vizaton, harmonia e fjalës me linjën, e ritmit me hijen, një risi, një puzzle artistik jete senërtohen begatshëm nën një kopertinë domethënëse dhe të bukur si me shi yjesh.

NË KOPERTINË E PASME lexojmë:

“Valixhja e shqyer” është një libër për të gjithë, i lexuesit pa moshë ose i çdo moshe, pra ka arritur më të vështirën, ndërkaq personazhet e tij më së shumti janë fëmijë e të rinj dhe lexuesi i parë sigurisht janë “ata që rriten”, teksa diçka mbetet e njëjtë e misterioze.

Pikërisht këtë sjell dhe ky libër, ku, ndër të tjera, përziehen fantastikja e reales me lojën, ringjallje statujash e rrëfime gjallesash që nuk flasin, amfiteatro qiellorë me kërshërinë e së përditshmes, modernizime të legjendës shqiptare e origjinalitet i spikatur.

Sinqeriteti dhe humori, poezia dhe trishtimi janë ‘princërore’, aq sa duket se kemi të bëjmë me një libër ‘princ’ si te Oscar Wilde e Antoine de Saint-Exupéry, por të mjediseve tona.

“Valixhja e shqyer” nis me një ese, që ndërpritet, për të vazhduar si mbyllje tronditëse e librit, i cili mbart copëza kohe të një jete, që nga fillesat e saj shkrimore e deri më tani, i shoqëruar me vizatime të djalit të autorit, Atjoni, që është dhe personazh në 19 rrëfimet që përfshihen këtu, aq sa dhe mosha e tij.

Prandaj dhe u rishkrua ky libër për të qenë i tillë, fëminor deri në trill, me urtësinë e të mëdhenjve, magjepsës gjithsesi.

FATI I LIBRIT:

      “Valixhja e shqyer” ka brenda dhe “historinë” e pazakontë të këtij libri, ku gjejmë dhe parathënien-dëshmi të shkrimtarit të njohur, Bashkim Shehu, i cili ndër të tjera rrëfen:“Një ditë, vite e vite më parë, po ky libër, i saposhkruar nga Visari, m’u dha nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” për t’u recensuar, siç ishte rregulli asokohe… Por libri nuk u botua, ngaqë Visarin ndërkaq e futën në burg…

Sidoqoftë, një nga kopjet e dorëshkrimit të këtij libri mbeti tek unë. Vazhdova ta ruaja, duke e mbajtur të fshehur diku. E ruajta deri në ditën kur babai im, ndonëse me pozitë të lartë në pushtetin e asaj kohe, u shpall… armik. Meqenëse prisja kontroll nga sigurimi, dorëshkrimin e Visarit e dogja, duke menduar se ruajtja e tij tash e mbrapa do të kishte qenë e rrezikshme për të dy.

Por, ashtu si çdo përrallë, edhe kjo mbaron mirë, për Visarin e për mua, që jetojmë të lirë dhe, gjithashtu për këtë libër, i cili, sidoqoftë, nuk humbi.”  

Vërtet është një libër “që nuk humb”, që e përtërin dhe pasuron arkitekturën e vetvetes, rrëfime të reja dhe imazhe të reja, që krahas aventurës së krijimit, ka dhe aventurën e mbijetesës, tipike kjo për shkrimtarin Visar Zhiti.                                                                                                        Ai në fund të esesë së tij për “Valixhen e shqyer” si fati shpjegon:

“E nisa në Shkodër, student, e vazhdova në Lushnjë, ku banoja, pastaj në fshatrat e Kukësit, ku më çuan mësues, më priti nën tokë, derisa dola nga burgu, e rishkrova në Tiranë, u botua dhe e rishkrova të gjithin edhe një herë në Romë. Është po ai dhe i ri njëkohësisht…. Libër që më ka ndjekur gjithë jetën…”

Vizatimet e freskëta, që mbartin dhe ato “rrëfimin” e tyre të pavarur, duke iu bashkuar tregimeve që “vizatojnë” pjesë jete e kanë fill lidhës mes tyre si krerët e një romani, zbulojmë se dy fëmini e dy adoleshenca japin dhe marrin në mënyrë të ndërsjelltë në dy kohë, në dy gjini arti, ndërkaq duket sikur të shkuarës i është hijezuar e ardhmja, përvojës i është shtuar ngazëllimi, lojës mënçuria, me një horizont fantastik pritjeje dhe dy autorët shkrihen në një, si në përqafimin e tyre babai me djalin.

Një vlerë të re, një ngjarje mes ngjarjeve kulturore do ta quanim librin “Valixhja e shqyer”, të cilin Shtëpia Botuese “OMSCA-1” e shpërndan sot, në ditën kur Atjon Zhiti do të mbushte 21 vjeç, dhuratë që besojmë se do ta gëzojë dhe në Qiell. Ndërkaq kjo është dhe dhurata që i japet lexuesit dhe artdashësve, një trini moderne e atit dhe e birit dhe e shpirtit të tyre në një vepër.

KANË THËNË

për Visarin shkrimtar:

Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyron më mirë historinë e kombit të tij…                                                                                                                                      Robert Elsie

…ai është Shkrimtar nga ata që ka fare pak, nga ata që fjalën e kanë krah, fluturojnë me të në ferr e parajsë, pa u tretur nga flakët, pa u verbuar nga drita.

Marisa Kërbizi

…ka forcën t’ia ndryshojë lexuesit vizionin për botën…

Kevin Higgins

për Atjonin piktor:

Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.

Giampaolo Mattei

Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.

Gëzim Qendro

Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…

Gëzim Tafa

_________________

         Përgatiti “Botuesi”

Filed Under: Featured, LETERSI Tagged With: “VALIXHJA E SHQYER”, ATË E BIR, NË NJË LIBËR, Visar & Atjon Zhiti

FILOZOFIA KOHORE NË NJË LIBËR ME RRËFENJA

January 4, 2015 by dgreca

Nga Illo Foto, Studiues/
      Në këto 2-3 vitet e fundit kam bërë mbi 30 vlerësime librash dhe autoresh, pjesa më e madhe i përket kontingjentit që më kanë dërguar autorët. Kjo mënyrë vlerësimi është kritikuar nga shumë  bashkëkohës në shtyp. “Plasën duke lexuar dhe mburrur njeri tjetrin, për disa shkrime surugato “, shkruante një i ri  me merita të cunguara në krijimtarinë bashkëkohore. Mënyra e korrigjimit të shkrimeve të njeri tjetrit, nuk më duket punë e pa dobishme. Sot nuk ka kritikë të sanksionuar zyrtar dhe as do të ketë. Kritikën klasike e mohoi vetë koha, liria e shtypit dhe e fjales.
     Sa herë shoh një botim nga brezi ynë, ose afër me ne, krenohem, ndërsa, kur shoh shkrime të spikatura  nga  autoret e rinj, ndihem i lumtur.  Ne na i ka  pas privuar e kaluara  fjalën e lirë. Të shkruaje atëherë duhet të beje hesap kokën, jo thjesht nga censura, por kryesisht nga interpretimi politik. Nuk ka pak njerëz, që shkruajnë.  Bëjnë shumë mirë, jo thjesht se lenë gjurmën e brezit, por lënë përvojë të besueshme dhe të vlefshme për të rinjtë. Krijimtaria e brezave të vjetër gjithnjë ka vlerë të lartë përmbajtjesore, sepse aty është tretur një përvojë e gjatë, me të mirat dhe të këqijat e saj.
       Sado, që  një i moshuar si ne, nuk njeh në themel raportet e tashme të vlerave dhe  kahet e zhvillimeve, por njeh sasinë shumatore të jetëve dhe ngjarjeve, në një diapazon shumë të gjerë, që ja jep faktori moshë, një faktor, që nuk mund ta perceptojnë jetët e reja. Nga kjo pikëpamje, një autor i moshuar është shumë i avancuar  dhe i pa mundur, për t’u imituar nga bashkëkohësit homologë me moshë të re. Ka dhe disa prioritete të tjera, por unë do të ndalem te njeri.
    Në moshën tonë të rinisë dhe adoleshencës është vënë në punë memoria, kujtesa, studimi i përqendruar, puna me arkivat, me ditarët, me  kujtimet. Sot, të tëra këto punë i ka zëvendësuar teknologjia. Në këtë rast, lipset të kemi mirë parasysh mësimin elementar biologjik, sipas të cilit, organet, që nuk përdoren, atrofizohen. Truri punon më pak, por natyrisht më cilësisht.
       Nuk ka arsye të ndahen shkrimet e të rinjve, nga ato të  të vjetërve. Ato e kanë bërë vetë ndarjen. Bien në sy qysh larg, por gjithsesi të tëra i bashkon kauza, për të lënë gjurmët e një realiteti, që kanë njohur autorët. Nga kjo pikëpamje, për mua, nuk ka shkrime pa vlerë, por, me vlera të kufizuara . 
 Lexuesi i sotëm është kualifikuar në nivel të pa parë  dhe të me njëhershëm. Nëpërmjet fejsbukut po thuaj ç’do lexues, është kthyer në krijues. Jep diçka dhe pa ndërprerje  nga vetja e tij. Në këtë kuptim, lexuesi  na gjykon brenda një spektri  shumë të gjerë, që kurrë nuk do ta kishte paraparë as Zhul Verni. Simbas shtypit, përdoruesit e fejsbukut, kanë arritur një miliard. Për të tërë ka një gjë origjinale, për ta sjellë përpara lexuesve dhe kjo ndodh në çdo sekondë të 24 orshit. Në këtë furtunë shkrimesh, krijimesh  dhe leximesh, mbeten me shumë vlerë krijuesit profesionistë, që mendimet e tyre i formulojnë në libra, siç është dhe rasti i librit të Luan Cipit, që e kam në ekranin e kompjuterit tim.
  Tregimet, që ka përmbledhur autori në librin e tij “Rrëfenja dhe Tregime“, kanë një vlerë të madhe edukuese, njohëse dhe kulturore, në mjedisin intelektual aktual shqiptar. Të tëra tregimet janë zgjedhur me shumë vëmendje si tematikë dhe janë punuar me shumë kujdes. Lexuesi i vjetër dhe i ri gjen përgjigje adekuate, për probleme të ngjashme, por dhe zgjidhjet e duhura, që mjeshtërisht i ka rekomanduar një shqiptar i moçëm dhe i ditur, siç është Luani.
   Mendimi im është tërësisht i sanksionuar: Letërsia e sotme, për të qenë e dobishme, lipset të jetë e provuar personalisht nga autori. Lexuesi i sotëm nuk ka nevojë, për hamendësime dhe trillime pa fund, për probleme të pa jetuara, që kur hidhen në tregim, ose marrin formën e përrallës, ose janë shumë bajate, që ke ndot t’i afrosh në tryezën e analizës. Përdoruesi i  internetit, është i saturuar me lloj, lloj ngjarjesh, që vinë nga burime të sigurta dhe, shpesh, të rreme. Këtij truri të lodhur nuk mund t’i servirësh parafabrikate mediokre, sepse në mënyrë të natyrshme i flak, pa i lexuar, madje i refuzon, qysh në takimin e parë. Këtu kam parasysh lexuesin e vëmendshëm dhe serioz, të pa lodhur nga komercializmi i jetës që na rrethon.
      U mundova të gjeja ndonjë tregim mediokër, brenda librit të Çipit. Tregimet nuk janë të tërë të një niveli artistik dhe përmbajtjesor, po nuk ka tregime të tipit limonade. Asnjë të tillë.  Brenda këtij libri gjen tregime me vlerë të rëndësishme historike, të cilëve duhet t’u drejtohesh, kur është fjala për dokumente historike. Po e përgjithësoj këtë fakt, duke  i rekomanduar lexuesit, se tregimet e Çipit, për historinë e qyteteve, ku ka banuar, të episodeve të luftës, të punës dhe portretet, që ka përshkruar janë dokumente, të cilave mund t’u adresohen dhe historianët e mirëfilltë. Ku mund të gjejnë historianët të vërteta të përjetuara nga një burrë 80 vjeç, që është i pajisur me një memorie të fuqishme, me talent për narracion  dhe me një përvojë pune të gjatë dhe korrekte? Ky është filozof, sipas kuptimit shqiptar, të këtij termi.  Shqiptari quan filozof, njeriun, që di gjithçka  dhe i jep rrugë gjithçkaje. Nuk është e gabuar si  koncept. Filozofët e lashtë të tillë ishin.
Mjafton të thoshe Sokrat, ose Aristotel dhe kishe thënë dhe biologun, dhe matematikanin dhe historianin dhe inxhinierin, pa dyshim edhe  shkrimtarin. Sot  ky lloj koncentrimi në një njeri të vetëm  është i pa mundur, sepse secila shkencë  ka një zhvillim kulmor. Filozofi i sotëm është një ndër specialistët e një prej shkencave, që studiojnë jetën, shoqërinë. Filozofi më i kompletuar është ai, që analizon përditshmërinë e jetëve njerëzore, shumatorja e të cilave bëjnë shoqërinë ku jetojmë, ku mësojmë në shkollë, ku bëhet luftë, ku punohet, ku besohet në zot, zhvillohet terrorizmi, bëhet jetë nate, etj. Këtë përditshmëri nuk e përshkruan kronologjikisht, por e ngre në art. Në rast se duam një shkrimtar filozof, kemi Luanin. Këtë e percepton secili lexues, sa bie në kontakt me librin, për të cilin bëj fjalë.  
     Vlerësimin e plotë të librit e ka kryer në parathënie shkrimtari Martiko, që e klasifikon dhe rrymën letrare, në të cilën Luani aderon. Pa dashur ta quaj vërejtje, mendoj se nuk ka pse të thuhet “Në vënd të parathënies “, kur ajo është realisht parathënie ose vlerësim. Në parathënien e Martikos do të shtoja se frymëzimin dhe formimin e Luanit nuk ja ka dhëne vetëm rritja dhe rinia në Gjirin e Vlorës, por pasioni dhe puna  e pandërprerë në studim, analizë dhe përgjithësim  të fenomeneve  mbështetur në  arritjet shkencore  të profileve, me të cilat lidhen problemet që trajton Luani.
     Shkrimet e Luanit unë i vlerësoj  perfekte . Ato  godasin drejt për drejt  fenomenin real. Ne jemi të lumtur, që këto analiza na i jep një njeri, që vlerëson të tëra shkencat dhe mbart një periudhe 80 vjeçare, me vështirësitë dhe gëzimet që jep jeta njerëzore.
Kam parasysh, një jetë, që  ka çarë vetë, pa e marrë askush për dore, për të baritur në labirintet. Ajo, që pasqyron Luani  ju vlen të tëra brezave dhe ata, që sot e refuzojnë, do të vijë koha, që do thonë: Sa të drejtë ka pasur autor Luani, kur na jep shembujt e shkëlqyer dhe vlerën morale të jetës së shkurtër të Babait të vet. Babai Luanit nuk pati ndonjë titull dhe as ndonjë pasuri të madhe të trashëguar, për të bëre bamirësi. Ai është një shqiptar me zemër të madhe, që është ndeshur me vështirësi të paparashikuara dhe të tëra i ka mposhtur me dinjitet dhe guxim, sipas specifikës që i është paraqitur. Nuk mund të krijosh një portret të tillë me fantazi. Kamani ka bërë jetën e tij të ndritur, që meriton të imitohet. Kjo është arsyeja, që i vlerësoj maksimalisht tregimet e Luanit  dhe i rekomandoj t’i lexojnë me tendencë njerëzit e çdo brezi. Kamanin  nuk e konsumonin vështirësitë, por vdekja e pa pritur, që i ndodhi në kulmin e jetës së tij prej krijimtari, në 58 vjeç .
  Në letërsi, gjinia më e lartë e të shkruarit është romani, sepse në një roman thuren disa aspekte të jetës dhe ndërvarësia e tyre  nga personazhet reale ose të krijuar. Por tregimtarë të fuqishëm në botën letrare janë të shquar dhe shumë të lexuar, siç është rasti i Çehovit. Në fund të fundit, po ta shtrydhësh një roman, nuk besoj se trajton më shumë probleme se sa libri me tregime i autorit Çipi. Nuk jam unë kompetent të gjykoj shijet e lexuesve, por them se është koha e prozës së shkurtër, kur kemi parasysh, që koha për leximin vjen gjithnjë duke u rrudhur. Detyrën e kësaj proze e plotëson, më së miri, libri me tregime i L.Çipit.
Luani shkruan dhe poezi. Unë do të veçoja poezinë për Babanë.  
  E kam të vështirë të klasifikoj cili është tregimi me i realizuar. Ata janë të tërë të pëlqyer nga ana artistike dhe të kërkuar si referencë historike. Librit internetik i mungon një tregues lënde, që është i domosdoshëm, por unë, për thjeshtësi të lexuesit tim, po përshkruaj atë, që unë plotësova  gjatë leximit ne ekran.
Kur është fjala për gjitonët, kujtova, se ndoshta duhet thënë fqinjët, por  jo. Gjiton është fjalë shqip. Me këtë tendencë kam verifikuar edhe fjalë të tjera. Luani është i kujdesshëm në përdorimin e fjalëve dhe të dialektalizmave.
Portreti i shkurtër i Petraq Palit, është më i sakti dhe më i kompletuar se të gjithë shkrimet që kam parë për këtë personalitet të Himarës.
     Historia e qyteteve Vlorë, Fier, Gjirokastër, Selenicë, është material reference për këdo që shkruan, për këto qytete dhe për ata, që vijojnë të jetojnë në to.
 Luani e dashuron objektin që përshkruan. Unë, si lexues, ndjej se autori  shkruan me ndjenjë të fortë, siguri dhe realisht, pa zbukurime  dhe retushime. E jep të plotë fotografinë, bardh e zi  dhe lexuesi gjykon vetë, për gjithçka; autori nuk i bëhet barrë rrugës  së gjatë të imagjinatës, që është karakteristikë e ç’do lexuesi.
       Në historinë e Vlorës, më bëri përshtypje rendimenti i ullinjve, për kohën e kaluar. Statistika thotë ishin 100 mijë rrënjë dhe jepnin 200 mijë barrë. I takon çdo rrënjë 2 barrë, ose rreth 140 kg. për  rrënjë. Përgjithësisht regjistrat otomane janë të sakta dhe nuk ka pse të paragjykohen, por ky rendiment, lipset të behet objekt i një diskutimi shkencor dhe ne kemi mjaft shkencëtarë të kësaj fushe, madje dhe nga brez i ri. Personalisht, me jepet rasti t’ua sugjeroj një realitet, për studim të thelluar, sepse të parët tonë kanë qenë mjeshtër në kultivimin e bimëve veçanërisht të ullirit.
    Shumë sinjifikativ tregimi për italianin Otello. Unë e kam përjetuar kohën e kapitullimit të ushtrisë italiane dhe se si ushtarët italianë u trajtuan nga familjet fshatare shqiptare. Është një moment i shpirtit human të këtij populli, që  shumë segmente të sotme, vijojnë ta deformojnë qëllimisht. Ky humanizëm nuk vdes, sepse është në karakterin kombëtar, gjë që e shohim  dhe në tregimin e dy djemve të furgonit të Vlorës. Brezi i ri i vlonjatëve, nuk është ai që paraqitin kronikat e zeza greke, italiane dhe tonat, është ai që na jep shkrimtari vlonjat, 80 vjeçar, L. Cipi. A ka njeri, që nuk bindet për këtë fakt të thjeshtë  në dukje, por shume specifik, për moralin kolektiv shqiptar?
 Doktorët e Vlorës , qe ka portretizuar L. Cipi, janë të njohur an’e kënd Shqipërisë , veçanërisht  gjatë viteve të monizmit. Kanë qenë shumë të dëgjuar mbiemrat e doktorëve:  Kauri,  Flloko, Angjeli, etj.  
  Kur lexon radhën e peshkut, të qumështit dhe të tërë sagën e kësaj natyre, njeriu jo vetëm, që ligështohet për jetën e popullit të vet, por armatoset me një material të sigurt, për t’u kundërvënë  disa shfaqjeve sporadike të disa veteranëve të pa sqaruar, qoftë dhe teorikisht, për dëmet kolosale, që i solli vendit instalimi i diktaturës komuniste të lindjes.
    Martesa e Kadiut te Gjirokastrës dhe Hotel Grandi – Korçë, janë tregime  të nivelit të lartë artistik dhe meritojnë një  përsiatje të veçantë, ndoshta sa e gjithë përsiatja e librit. Këto dy tregime, ai i Kamanit dhe Historinë e Vlorës, unë i veçoj si elitën e gjithë ketij libri elitar.
   Me shume elegancë, autori na ka futur në botën e hajdutërisë ordinere, që lidhen me tregimet për vjedhjen e shtëpisë dhe të portofolit. Autori ndërhyn me zemër të plagosur të sqarojë këto plagë shoqërore, por që nuk mund t’i anashkalojë, sepse ai i ka  vuajtur në kurriz. Në balancim të këtyre tregimeve, autori na jep tregimin e shkëlqyer “Po na kthehen djemtë“.  Me ketë tregim, autori jo vetëm na jep një pasazh të emigracionit si fenomen, por na përforcon idenë, që shqiptari emigracionin e ka përdorur si trampoline, për të rregulluar jetesën në vendlindje. Kjo traditë  është përcjellë dhe në masën e emigracionin biblik postkomunist.
   Nuk mund të le pa përmendur tregimet e sakta, për firmat piramidale  dhe përditshmërinë e jetës së pleqve, kompjuterit dhe celularëve. Luan Cipi me shokët e vet të moshës, që kuvendojnë në Vlorë e Tiranë, janë në grup enciklopedik, që lëvizin dhe përherë e pasuroje repertorin e tregimit, me kujtime që ju vlejnë kohëve dhe brezave. 
     Njerëzit e ditur, ose me saktë të rinjtë e etur për dije, shtohen çdo ditë në Shqipëri dhe kjo lidhet me rritjen e kërkesave të arsimimit, në të tëra nivelet. Brezin e Luanit, do ta kërkojnë , këta njerëz, që ndoshta tani e shohin me indiferentizëm zhvillimin e sotëm kulturor dhe prurjet memoristike të brezit, që ka përjetuar diktaturën komuniste .
  Në fillim të këtij shkrimi, zumë në gojë zhvillimin filozofik. Një filozof i pa diskutueshëm mbetet Luan Cipi, me botimet e tij, me bagazhin e dijeve, që vinë nga një maturant me medalje ari, nga një ekonomist, qe ka krijuar linjën e vet origjinale të karrierës profesionale. Nga cili filozof mund të mësosh më shumë?
Personalisht krenohem me krijimtarinë e suksesshme të Luan Cipit, bashkëmoshatarit dhe bashkëkohësit tim. I uroj jetë të gjatë dhe produktive!
Illo Foto / Studiues, në NY –  30 Dhjetor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: FILOZOFIA KOHORE, Illo Foto, ME RRËFENJA, NË NJË LIBËR

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT