• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në Lutjet e Mëngjesit në Shqipëri, takim me zyrtarin Amerikan Marocco

May 26, 2018 by dgreca

1 Lutje Mengjesi-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj  dhe dhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli Kosova në Lutjet e Mëngjesit në Shqipëri, takim me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështje të stabilitetit dhe sigurisë, Peter Marocco/

2 Lutje MengjesiTIRANË, 26 Maj 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në Shqipëri pjesëmarrës në Mëngjesin e Lutjeve janë takuar me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështje të stabilitetit dhe sigurisë, Peter Marocco.3 Lutje Mengj

Në Lutjet e Mëngjesit, të cilat po mbahen në Tiranë, nën organizimin e Kuvendit të Shqipërisë, në fjalën e tij para përfaqësuesve të parlamenteve nga shumë vende të botës, kryeparlamentari Veseli tha se ndihet i nderuar që gjendet në Tiranë për të përçuar mesazhin e paqes, dashurisë dhe respektit për njëri-tjetrin.

Kryeministri Haradinaj gjatë fjalës së tij si panelist tha se ndihet i nderuar që sot flet për një temë kaq të rëndësishme, duke qenë bashkë në një panel si ky i sotmi.

NJOFTIMI NGA QEVERIA E KOSOVËS: Kryeministri Haradinaj takon Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve Pete Marocco

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në Tiranë, ku po merr pjesë në takimin e 15-të të Evropës Juglindore, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një takim pune me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco për progresin e arritur në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit, parandalimin e radikalizmit ekstrem, rritjen e qëndrueshme ekonomike prej 4.4% dhe për arritjen e mbajtjes së borxhit publik të ulët.“Kosova dhe populli i saj janë të përkushtuar për rrugën evropiane dhe anëtarësim në Aleancën Veriatlantike NATO”, tha Kryeministri Haradinaj duke e ftuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco që të vizitojë Kosovën dhe të njoftohet nga afër me punën dhe të arriturat e vendit.Kryeministri Haradinaj, e ka falënderuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco për ndihmën e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë në vazhdimësi Kosovës. Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco e përgëzoi Kosovën për të gjitha arritjet e saja për një dekadë të shtetësisë, dhe siguroi se vëmendja amerikane do të vazhdojë të jetë e fokusuar rreth Ballkanit dhe Kosovës.

NJOFTIMI NGA KUVENDI I KOSOVËS: Kryeparlamentari Veseli takon zyrtarin e lartë të SHBA-së, z. Peter Marocco

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është takuar në Tiranë me ndihmës sekretarin Amerikan të Shtetit për çështje të stabilitetit dhe sigurisë, Peter Marocco, i cili po qëndron në Shqipëri si pjesëmarrës në mëngjesin e lutjeve.   Kryeparlamentari Veseli ka diskutuar me zyrtarin e lartë Amerikan, Peter Marocco, për zhvillimet politike në Kosovë dhe për bashkëpunimin Kosovë-SHBA.Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka informuar zyrtarin e lartë Amerikan për të arriturat e shtetit të Kosovës, me theks të veçantë për procesin e integrimeve euro atlantike të vendit.Veseli tha se Kosova po luan një rol të rëndësishëm për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit për çështje të stabilitetit dhe sigurisë, Peter Marocco, nga ana e tij ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën do të vazhdojë dhe do të thellohet në të gjitha fushat. Gjatë pjesëmarrjen në mëngjesin e lutjeve që këtë vit u organizua në Tiranë, kryeparlamentari Kadri Veseli ka pasur takime edhe me krerë të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse në këtë aktivitet.

VESELI: VETËM FQINJËSIA E MIRË DHE RESPEKTI I NDËRSJELL SIGUROJNË PAQE NË BALLKAN

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, po merr pjesë në Lutjet e Mëngjesit, të cilat po mbahen në Tiranë, nën organizimin e Kuvendit të Shqipërisë.Në fjalën e tij para përfaqësuesve të parlamenteve nga shumë vende të botës, kryeparlamentari Veseli tha se ndihet i nderuar që gjendet në Tiranë për të përçuar mesazhin e paqes, dashurisë dhe respektit për njëri –tjetrin.Veseli kujtoi takimin e fundit në Kosovë dhe drekën e veçantë buzë lumit Ibër në Mitrovicë, ku janë takuar bashkërisht shqiptarë, serbë dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera, për të përçuar, siç tha Veseli, mesazhin e përbashkët se atë që e ka krijuar zoti nuk është mirë ta ndajë njeriu. Ai tha se fqinjësinë e kemi të përbashkët, sikurse jetën. Kreu i Kuvendit shtoi se asgjë më të shenjtë nuk ka në jetë sesa besimi dhe respekti ndaj njëri-tjetrin.“Populli im në të kaluarën ka përjetuar gjëra të cilat nuk kanë qenë shumë të lehta. Populli im falë dhe mendon për të ardhmen, mendon për respektin edhe ndaj fqinjve, mendon edhe për respektin e të gjithë atyre që vuajnë po aq sa ka vuajtuar ai vet vetëm dy dekada më herët. Besoj dhe shpresoj që fqinjtë tanë do të na respektojnë ne ashtu siç duam t’i respektojmë ne ata, të jetojmë në paqe, me identitetet tona dhe me respekt ndaj njëri-tjetrit. Regjioni ynë ka nevojë për paqe dhe respect”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, kreu i Kuvendit tha se nëse shkencëtarët dhe ekspertët e ekonomisë do të bënin analiza se si do të arrihej prosperiteti në këtë regjion, formula më e thjeshtë, sipas tij, do të ishte bashkëpunimi mes vete.Në momentin kur arrihet që Ballkani të kuptojë realitetin dhe respektin për njëri-tjerin, shtoi Veseli, do të arrihet të ketë prosperitet shumë më të fuqishëm për qytetarët e rajonit, për të jetuar në vendet e tyre dhe për të mos kërkuar në vende të tjera.“Ky është mesazhi që dëshiroj të përçoj sot nga ky mëngjes. Lutjet tona shkojnë për të gjithë ata popuj dhe njerëz të cilët kanë nevojë. Lutjet tona shkojnë më së shumti për të gjithë ata që e kanë mendjen dhe qëllimin e mirë dhe që mëndojnë më shumë sa për veten, aq edhe për tjetrin”, tha kryeparlamentari Veseli.

 

KRYEMINISTRI HARADINAJ: DUHET ANGAZHUAR TË GJITHË PËR TË GJETUR ZGJIDHJE PËR TË GJITHA ÇËSHTJET E HAPURA NË RAJON!

Në kuadër të Takimit të Evropës Juglindore “Love Your Neighbor”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”, i cili po mbahet në Tiranë dhe është organizuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri Haradinaj gjatë fjalës së tij si panelist tha se ndihet i nderuar që sot flet për një temë kaq të rëndësishme, duke qenë bashkë në një panel si ky i sotmi.

“Jam krenar të jem këtu, por edhe ndjejë trusni, sepse jam i ftuar si njëri nga ne, i një rajoni që ka një të kaluar tragjike dhe me këtë rast nuk po flasim për një të kaluar të largët, për një të kaluar të freskët para dy dekadash. Do t’i paraqes këtu disa nga bindjet dhe ndjenjat e mia, por para kësaj, më lejoni të falënderoj Fatmir Mehdiun, i cili nuk po dorëzohet në emër tonin. Ka bërë një punë të shkëlqyer duke na bashkuar sot këtu, jo vetëm që ta duam njëri-tjetrin dhe fqinjët, por edhe të na duan fqinjët tanë dhe bota”, tha Kryeministri Haradinaj në fillim të fjalës së tij.

Duke folur rreth marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Haradinaj përmendi një përvojë personale.

“Njoh serb nga Kosovës, i cili ka autoritet dhe është vendimmarrës. Kam pasur mundësinë ta vizitoj në shtëpinë e tij dhe një herë e kam vizituar i shoqëruar edhe nga fëmijët dhe gruan time, Aniten. Për respekt, edhe ai i solli fëmijët e tij, që të na bashkohen. Pasi fëmijët tanë takuan njëri-tjetrin dhe filluan të flasin e diskutojnë, ia bëra nikoqirit një pyetje. Thash, si mundet që për ty është normale që fëmijët tanë të luajnë së bashku dhe ta njohin njëri-tjetrin, kurse nuk është normale që pastaj këta fëmijë, fëmijët serbë të Kosovës, të shërbejnë në ushtrinë e Kosovës. Pse, ti dhe unë, nuk e kemi guximin t’i lejojmë fëmijët tanë të kenë të ardhme më të mirë sesa që kishim ne? Sepse, jo larg, vetëm dy dekada më parë, të gjithë ishim në anë të kundërta gjatë luftës. Kështu që e pyeta se a do të ishte i lumtur t’i  linim fëmijët ta kenë fatin e njëjtë sikur ne dhe të ndodhemi sërish në dy anë të kundërta apo dëshiron të bëjmë gjithçka që është e mundur, ta marrim një vendim të vështirë, që t’i lëmë fëmijët tanë të jetojnë në paqe” tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se të gjithë në Kosovë janë duke punuar shumë, çdo ditë, për paqe të vërtetë.

“Paqja është në zemrat e njerëzve, është në besimin e njerëzve, është në thelb. Në vendin tonë, në Kosovë, jam i bindur se nuk jemi vetëm të përkushtuar për paqe, por jemi të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të jetosh në paqe dhe pajtim. Për këtë arsye, i trajtoj, jo vetëm me respekt, por edhe me integritet,  kolegët nga të gjitha komunitetet në shtetin tonë, kolegët serbë. Pra, për këtë arsye, mendoj se pyetjet e hapura nga e kaluara duhet të mbyllen, sepse këto përbëjnë rrezik për ne”, vazhdoi fjalën e tij Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj përmendi faktin se të gjitha  pyetjet e hapura në rajonin tonë, duke mos u finalizuar, duke mos u arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbinë, janë kërcënim për rajonin tonë, janë rrezik për fëmijët tanë.

Haradinaj shtoi se në Evropë janë humbur dy dekada dhe se duhet angazhuar të gjithë për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura, në mënyrë që t’i bashkohemi familjes sonë në Bashkimin Evropian, aty ku edhe përkasim.

“Zoti na ka bekuar, veçanërisht kombin tim, shtetin tonë më të ri, me lidhjen e posaçme me ShBA-në. Kjo dashuri nuk shërben për t’i bërë xheloz tjerët. Kurdo që e them këtë, e them për shkak se vijë nga një shtet ku jeta jonë ishte e rrezikuar, në vitin ’99. Ishim afër zhdukjes dhe të moskthimit më asnjëherë si vend. NATO e udhëhequr nga ShBA kanë bërë ndryshimin, që të gjithë ne të mund të riktheheshim dhe të ndërtojmë jetën tonë së bashku”, tha Kryeministri Haradinaj duke e përmbyllur fjalën e tij me mesazhin që në rajon duhet ta duam njëri tjetrin, që të mos përsëriten tragjeditë nga e kaluara.

Takimi i Evropës Juglindore “Love Your Neighbor”, i organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë ka për qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve për të ardhmen e përbashkët. Përveç Kryeministrit të Haradinaj, pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësues të lartë institucional nga Kosova, Shqipëria, vendet e rajonit, Evropa dhe bota./b.j/

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Marocco, Menges Lutjesh, ne Shqiperi

POLITIZIMI I PAKICAVE KOMBËTARE NË SHQIPËRI

November 9, 2017 by dgreca

Diskursi politik/

Barometer tregues  i nivelit të demokracisë të çdo vendi  përveç të drejtave dhe lirive të njeriut është edhe  qasja e pushtetit  ndaj pakicave kombëtare, përkatësisht qendrimi i shumicës ndaj pakicës,  sipas standardëve ndërkombëtare. Në këtë aspekt në vendet e ish kampit socialist pas dështimit të këtij sistemi shoqëror është punuar vazhdimisht për aplikimin e standardëve demokratike europiane, për të eliminuar qasjen hegjemoste e cila ishte e pranishme dekada me radhë ne vendet  përkatëse.Ndërsa rasti i Shqipërisë është specifik, sepse kemi përcaktimin e pakicave kombëtare jo sipas kritereve të njohura por sipas diktatëve politike.

Nail_Draga

Nga Nail  Draga/

Gjatë muajit tetor  vlen të cekën dy ngjarje  më peshë  që kanë të bëjnë me Kuvendin e Shqipërisë. E para ishte një ceremoni   përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të ekzekutimit të 16 deputetëve në vitin 1947, nga ana e diktaturës komuniste,  ndërsa  e dyta ka të bëjë me miratimin e projektligjit   për pakicat kombëtare.

Pra, kemi të bëjmë me një projektligj i cili definon dhe legalizon pakicat kombëtare  në Shqipëri  sipas standardëve ndërkombëtare. Trajtimi i kësaj çështjeje nuk është i panjohur për opinionin e gjerë, por të gjithë jemi dëshmitarë se edhe numri i pakicave kombëtare është politizuar sikurse edhe veprimtaritë tjera shoqërore. Eshtë çështje tjetër sa është real numri i përgjithshëm dhe shtrirja territoriale e tyre, sepse vazhdimisht ka spekulime. Nga të dhënat e ndryshme arkivore dhe historike dihet se  në hapësiren  etnogjeografike shqiptare në të kaluarën janë vendosur pjesëtarë të popujve  të ndryshëm,  për motive kryesisht sociale, të cilët kanë punuar në pronat e shqiptarëve. Cekim me ketë rast pjesëtarët e pakicës greke  në Dropull, apo ate malazeze(sllave) në Vrakë mbi Shkodër, të cilët  vazhduan të qendrojnë aty  së bashku me popullsinë shqiptare, duke marrë statusin e qytetarëve të Shqipërisë.Dhe janë pikërisht këto dy pakica kombëtare të cilat janë pranuar  në Lidhjen e Kombëve në vitin 1921, të propozuar nga qeveria shqiptare. Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, statusin e pakicës kombëtare e fituan edhe pjesëtarë të popujve të tjerë,  duke u bazuar qoftë në aspektin etnik, gjuhësor apo kulturor.

Bëhët me dije se në fillim të tetorit në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, me votat e të gjitha palëve është pranuar kërkesa e shoqatave bullgare  për t‘iu shtuar listës së minoriteteve në Shqipëri edhe  pakicën e tyre. Ishte kjo një risi sepse deri më tash zyrtarisht në Shqipëri nuk njihej pakica bullgare, edhe pse një qasje e tillë spekulohej nga mediat e ndryshme. Madje cekëj se shqiptarët janë deklaruar si bullgarë, duke marrë pasaportat e Bullgarisë, për të përfituar nga antarësimi i këtij vendi në Bashkimin Europian.Eshtë pikërisht gjendja e pavolitshme ekonomike, që i ka detyruar shqiptarët të emigrojnë nga vendi i tyre, duke marrë pasaportat e vendeve të tjera, për t‘iu mundësuar qarkullimin pa pengesa në Bashkimin Europian. Dhe pikërisht  në mbledhjen e Kuvendit të Shqipërisë të mbajtur me 13 tetor 2017, u miratu projekt ligji për pakicat kombëtare, me 102  vota për, 10 kundër dhe 1 abstenim ka njoftuar ATSH.

Shqipëria vend specifik për pakicat

Para se te miratohej në Kuvend një projektligj i tillë qarkullonin informata te ndryshme në media se Shqipëria po bëhet vend specifik, me vet faktin se deri më tash janë të njohura ligjërisht tetë pakica kombëtare, të cilat janë: pakica kombëtare greke, malazeze, maqedonase,  vllehe/aromune, rome, egjiptiane, boshnjake, serbe. Dhe këti numri i shtohen edhe bullgarët, duke e rritur në nëntë numrin e pakicave kombëtare.

Më të drejt bëhët pyetja se cilat janë kriteret që një bashkësi komunitare të marrë statusin e pakicës kombëtare. Dhe a janë konsultuar institucionet shkencore apo subjekte të tjera relevante që njohin çështje të tilla. Më sa jemi në dijeni nuk ka ekzistuar  ndonjë qasje shkencore apo profesionale në lidhje me këtë çështje, por ka dominuar ajo  politike, nga del se kemi të bëjmë me politizimin e pakicave kombëtare. Një veprim i tillë nga Qeveria e Shqipërisë nuk është për të çuditur sepse nuk ka veprimtari e cila nuk ka marrë përmasat e politizimit, dukuri kjo e cila do të ketë pasoja në të ardhmen.

Por, sipas informacioneve del se në lidhje me minoritetin bullgar në Shqipëri, ka ekzistuar edhe një letër nga disa deputetë europarlamentar, por gjithashtu edhe kërkesë nga qeveria bullgare për njohjen e pakicës bullgare në Shqipëri.  Dhe nga një presion i tillë u dorëzua fillimisht qeveria shqiptare, e më pas  deputetët me shumicë absolute të votave e votuan një projektligj të tillë.

Dhe pas një votimi të tillë pati reagime të ndryshme në vend dhe jashtë, ku duhet veçuar ate nga  diplomacia bullgare qe e ka cilësuar si fitore të saj, sepse është arritur objektivi pas 104 viteve. Eshtë çështje tjetër ana praktike, se sa është real numri i bullgarëve në Shqipëri, dhe si do të jetë qasja e popullsisë sllave maqedonase në të ardhmën, duke e ditur se deri më tash pakica bullgare nuk ka qenë e legalizuar. Në sajë të gjendjes së pavolitshme ekonomike, qytetarët e Shqipërisë kanë emigruar më të madhe në këtë periudhë të tranzicionit, ku madje cekët se në emigracion janë rreth 1.2 milion shqiptarë. Në këtë valë të emigrimit, nuk ka dilemë se një numër i konsideruar i qytetarëve  shqiptarë kanë marrë pasaporta të vendeve të ndryshme, ku përjashtim nuk bën as Bullgaria. Pikërisht ky ishte edhe motivi i angazhimit konkret i qeverisë bullgare  për njohjen e pakicës bullgare në  Shqipëri. Bëhët më dije së qytetarë nga krahina e Gollobërdës, Gora e madje edhe nga Kukësi janë pajisur me pasaporta bullgare. Eshtë çështje tjetër se si do të jetë në të ardhmën deklarimi i maqedonasve, apo edhe ata do të joshën me pasaporta bullgare, duke e ditur se Bullgaria ka përparësi për lëvizje të qytetarëve si pjesëtare e Bashkimit Europian.Një veprim i tillë nuk duhet të jetë befasi duke ditur faktin se një numër i konsideruar i qytetarëve të Maqedonisë të deklaruar me kombësi maqedonase janë pajisur me pasaporta bullgare, nga del se si të tillë janë edhe nga aspekti kombëtar.Nuk dihet saktësisht se sa ishte ai numër por bëhej më dije  se ishin disa dhjetëra mijëra, që ishte shkak   qe ndikoj  të anulohet edhe regjistrimi i popullsisë në Maqedoni në vitin 2011.Ishte ky një veprim i imponuar për të eliminuar  realitetin e strukturës  kombëtare të popullsisë në Maqedoni.

Diversiteti kulturor i pakicave

Një numër i tillë pakicash kombëtare  paraqet një diversitet kulturor dhe nuk duhet të paraqesë ndonjë shqetësim sepse paraqesin    një përqindje të vogël në kuadër të popullsisë së përgjithshme të Shqipërisë, edhe pse përfaqësuesit e tyre japin shifra joreale, që nuk ia vlen të komentohen.  Shqipëria si më herët edhe tash është vendi më homogjen në aspektin kombëtar të popullsisë,  si rrallë ndonjë vend  tjetër në Europë. Pakicat kombëtare me një të kaluar të konsiderueshme  janë bërë qytetarë të Shqipërisë  pa harruar origjinën e tyre  dhe kanë dhënë kontributin  në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror si në të kaluarën dhe në ditët tona.

Kriteret e jo vendimet  politike

Pa mohuar të drejtën elementare të çdo individi që të deklarohet në aspektin kombëtar ashtu si e ndien vetën, për legalizimin  e pakicave të ndryshme kombëtare duhet  patjetër të  respektohen kriteret përkatëse e jo të merren  parasysh vendimet  politike. Nëse në të ardhmën do të vendosë politika si ishte rasti me pakicën bullgare, nuk përjashtohet mundësia që numri i pakicave kombëtare në Shqipëri të jetë në rritje. Sepse nuk do të jetë befasi që ndonjë grup të deklarohet  fjala vjen si  italian apo turq dhe të paraqesë për legalizim një kerkesë të tillë. Sepse nëse  iu është mundësuar bullgarëve të jenë pakicë kombëtare, një dukuri e tillë për të tjerët nuk do të jetë  përjashtim, nëse politika nuk vendosë ndryshe.

(Nëntor, 2017)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, ne Shqiperi, POLITIZIMI I PAKICAVE KOMBËTARE

Çfarë dreqin bën provë në Shqipëri?!

November 5, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/Për shtetin, shtetarët e të tjerë sejmenë, patentat e Sajmirit nuk përbëjnë provë. Paratë po! Emrat e përfolur nuk përbëjnë provë. As ato që thotë drejtësia italiane etj. Droga e kapur këtu apo aty nuk është provë. Fikja ”rastësisht” e radarëve nuk është provë. Për shtetin, shtetarët e të tjerë sejmenë, ulërimat e vendit fqinj për dyndje kontenierësh, motoskafësh etj., nuk janë prova. Biles as plantacionet ku shfaqen me pamje, asgjesimi i kanabisit nga bujqit me uniforma kamuflazhi, nuk përbëjnë prova. As dëshmitë me pamje serash moderne ku kultivohen varjetetet me cikle të shpejtë zhvillimi, nuk janë prova. Pra për shtetin, shtetarët dhe të tjerë sejmenë asgjë nuk është provë. Dhe mund të mos jenë prova. Mund të mos jenë vërtetë për një drejtor policie, për policinë e shtetit. Për prokurorinë, gjykatat. Mund të mos jenë prova edhe për kabinetin qeveritar. Mund të mos jenë prova për shpurën e militantëve që çirren ha mut o gogol ha. I çirren sojit. Se soji me sojin nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, vetëm sa çirren. Bëjnë sikur, dhe, presin radhën. Pra për institucionet mund të mos ketë asnjëherë prova. Por nuk kuptoj, për ju o njerëz? Akoma nuk ka prova? Akoma në tribuna stadiumesh do rrini. Duartrokit këtej, duartrokit andej. Sehirxhinjë pazaresh të prishura. Strategjish me t’ja futur njëri-tjetrit. Mbetët duke i besuar verbërisht deklaratave që, po, çfarë ka këtu, e çova unë çunin të blej ca kile hekur. E çova në pazar…, çfarë ka këtu? O njerëz që flini më këmbë. Çfarë dreqin është provë në Shqipëri, që ju të kuptoni se si bëhet shteti. E ta bëni Shqipërinë me shtet, me shtet tuajin të shqiptarëve, jo të hajnave. Çfarë dreqin bën provë për ju të kuptoni se sa thellë ua kanë futur. Dhe se, përdita, me sa kënaqësi po ua fusin? Çfarë dreqin bën provë për ju që të ngriheni?! Kë prisni Lulzim Bashën? As mos e çoni nëpër mend. Mjafton ajo telajo blu, ato dy gishta përpjetë si shalë kurvash. Aq e fërko duart. Çfarë dreqin bën provë që të kuptoni se kur merr fund një kastë. Kur, të ndjeni se si u është mbushur trupi me shushunja? Dhe se ju me atë horinë e stadiumeve nuk po bëni asgjë tjetër veç po rrihni ujin në hava. Ikën vitet, po i afrohet gjysmës ky shekull i ri dhe ju, veç lojën e gogolit, ha mut o gogol, tirr lesh o gogol. Çfarë dreqin bën provë për ju që të kuptoni se djemve u duhet dhënë shanci, të drejtojnë e jo, t’i nënshkruani gjakhupës nën emrin e Ramës dhe ndonjë murtaje tjetër aty. Kolera u ka rënë dhe ju avazin.

Çfarë dreqin bën provë, pra?

Filed Under: Komente Tagged With: Çfarë dreqin bën provë, Ilir Levonja, ne Shqiperi

Fundi i Pandëshkushmërisë në Shqipëri?

October 21, 2017 by dgreca

Saimir Tahiri vetëmbrohet: Përgjigjen nëse jam fajtor ose i pafajshëm ta japin institucionet/

Nga Ani Ruci-DW/ Këshilli i Mandateve vazhdon mbledhjen për t’i hequr ose jo mandatin e deputetit ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të lejuar hetimin e tij korrupsion dhe trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë.

Albanien Prozess ehemaliger Innenminister Saimir Tahiri (DW/A. Ruci)

Ish-ministri i Brendshëm dhe deputeti socialist, Saimir Tahiri tha të shtunën se “akuzat janë shpifje, nuk ka kryer asnjë vepër penale, nuk ka vrarë askënd dhe gjithҫka është politizuar nga opozita”. Në mbledhjen e parë të këtij Këshilli për këtë ҫështje, të zhvilluar të premten (20.10), ish-Ministri i Brendshëm, Tahiri mori pjesë së bashku me avokatin e tij, Artan Hajdari, Anëtar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Burime zyrtare nga Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve pohojnë për DW se në takimin e sotëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda, paraqet prova të reja për të përligjur kërkesën e saj për të marrë autorizimin nga Parlamenti për arrestimin e Tahirit ose heqjen së lirisë. Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve po vazhdon mbledhjen e për t’i hequr ose jo mandatin e deputetit ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të lejuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda ta hetojë atë për korrupsion dhe trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë.

Mazhoranca socialiste: Duam prova

Kuvendi Parlamenstrat in Tirana (DW / Aida Cama)

Provat që prokuroria paraqiti në takimin e djeshëm (20.10) të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve ishte një dosje prej 416 fletësh, që autoritetet italiane ia kanë vënë në dispozicion nga përgjimet telefonike të grupit kriminal të vëllezërve Habilaj, kushërinj të largët të ish- ministrit Tahiri. Deputetët socialistë, anëtarë të këtij këshilli nuk i konsideruan prova këtë material të publikuar prej ditësh në portale dhe në media për të përligjur autorizimin për arrestimin e Tahirit. “Po të kishin prova Saimir Tahitri do të arrestohej në flagrancë. Përgjimi është një mjet kërkimi, por jo prova” deklaroi Ulsi Manja, deputeti socialist anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.

Në takimin e djeshëm u paraqiten edhe disa përgjime të kryera prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda në territorin e Shqipërisë, ku në asnjë rast nuk përmendej emri i ish-Ministrit të Brendshëm, Tahiri, por emrat e disa oficerëve të policisë. Por ndryshe nga deputetët socialistë, Prokurorët e krimeve të rënda dhe deputetët opozitarë në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve edhe sot vijuan t’i konsiderojnë prova përgjimet e autoriteteve italiane.

Vettingu dhe ҫështja Tahiri

Kërkesa e prokurorisë së Krimeve të Rënda për të  arrestuar Saimir Tahirin ka risjellë në vëmendje ҫështjen e kryerjes së Vettingut dhe pastrimit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të politizuar apo të përfolur për korrupsion politik. Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, thotë për DW: “Vettingu nuk e ka bërë ende skanerin e prokurorëve dhe gjykatësve që pritet të hetojnë dhe gjykojnë Saimir Tahirin, nëse Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve merr sot vendimin politik për t’i hequr imunitetin e deputetit dhe hapur rrugë arrestimit të tij. Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llala i  ka mbaruar mandati dhe përveҫ kësaj është përfolur për korrupsion politik dhe dështimin për të hetuar dosje korrupsioni si ajo e ÇEZ,  ku implikohet djali i ish-kryeministrit Berisha. Prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda po kështu nuk kanë kaluar vettingun. Çështja po politizohet. Qytetarët presin të vërteten, presin Drejtësi nga Drejtësia. Përndryshe nuk do të ndryshojë asgjë në qerthullin e pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë, dukuri që është konsoliduar në dy dekadat e fundit me raste flagrante, skandaloze.” thotë Aleksandër Çipa.

Aleksander Cipa Medien Analyst (DW/A.Muka)

Fund i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë dhe pazareve politike mes palëve 

Rastet flagrante emblematike të pazareve politike mes palëve në Shqipëri që kanë sjellë betonizimin e kulturës së pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë janë trazirat e vitit 1997, kur me shembjen e skemave piramidale vendi shkoi në prag të luftës civile, shteti dhe rendi publik u shembën, popullsia civile u armatos dhe bandat kriminale gjetën terren pjellor për të lulëzuar. Asnjë nga politikanët e lartë përgjegjës nuk u dënua.  Viti i mbrapshtë 1997 mbeti në errësirën e kompromisit mes palëve.

Kompromisi i 10 viteve më parë rezultoi fatal: ai i hapi rrugën mbylljes për arsye proceduriale të hetimeve për korrupsionin në Rrugën e Kombit, vrasjes së  4 qytetarëve në 21 janar 2011 apo kanabizimit të Shqipërisë në vitet e fundit. E djathta dhe e majta, që kanë kryer rotacionet politike në Shqipëri, me pazaret politike për interesa personale duket se kanë patur marrëveshje të heshtura për të mos ndëshkuar politikanët e lartë të secilës palë, kur ka qënë rasti për për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit. Marrëveshja pa fjalë mes dy palëve është vulosur nga një drejtësi e varur politikisht, e korruptuar dhe kompromentuar. Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë pritet në radhë të parë nga Drejtësia.

Bërja drejtësi ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, arrestimi i tij apo shpallja i pafajshëm do të ishte i pari rast në 27 vite demokraci në Shqipëri që ndaj një politikani të lartë të mos ndiqet tradita e deritanishme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fundi i Pandëshkushmërisë, ne Shqiperi, Saimir Tahiri

Në Shqipëri Studiojnë 2, 705 Studentë të Huaj

July 17, 2017 by dgreca

*Vendin e parë për numrin më të lartë të studentëve e mban Italia, me 529 studentë që kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri.Studentët turq renditen të dytët, me 308 studentë, ndersa nga Kosova 1269/

Fakulteti i Shkencave te Natyresharta-studentet-e-huaj-ne-shqiperi

1- Fakulteti i Shkencave te Natyres 2- Harta nga vijne studentet e huaj ne Shqiperi/

Nuk janë vetëm studentët shqiptarë që duan të arsimohen jashtë. Ka dhe të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të marrë një diplomë.Sipas Institutit të Statistikave të UNESCO-s, në Shqipëri studiojnë 2,705 studentë të huaj.

Vendin e parë për numrin më të lartë të studentëve e mban Italia, me 529 studentë që kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri.Studentët turq renditen të dytët, me 308 studentë.

Në të dhënat e UNESCO-s, nuk janë përfshirë studentët nga Kosova, të cilët vlerësohen se zënë vendin e parë për nga numri i studentëve të huaj në Shqipëri.

Nga përllogaritjet e Monitor numri i studentëve nga Kosova në Shqipëri është 1269.

Shqipëria, preferencë e studentëve nga rajoni

Nga vendet e rajonit, Maqedonia ka numrin më të lartë të studentëve në Shqipëri, me 202 studentë, Mali i Zi me 200 studentë, Serbia me 166 studentë, Greqia me 20 studentë dhe Bullgaria me 6.

Destinacionet e preferuara të studentëve të huaj

Numurin më të lartë të studentëve të huaj e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave të UNESCO-s, rreth 18% e studentëve që studiojnë jashtë kanë si destinacion ShBA-në.

Mbretëria e Bashkuar është e dyta më e preferuar, me rreth 11% të studentëve  që e zgjedhin luanin britanik.

5 nga 10 destinacionet më të preferuara të studentëve janë shtetet europiane, ku përveç Anglisë, studentët preferojnë të shkojnë edhe në Francë, Gjermani, Itali dhe Rusi. {Sh.K}.

 

Filed Under: Komente Tagged With: ne Shqiperi, Shefqet Kercelli, Studentët e huaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT