• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALBANOLOGJIA NË UNIVERSITETIN E TRAKYAS NË TURQI

March 12, 2021 by dgreca

“Dielli” me shqiptarët në Edirne, Turqi/

ALBANOLOGJIA NË UNIVERSITETIN E TRAKYAS NË TURQI/

Rijetë Simitçiu pedagoge në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Trakya-s në Edirne, Turqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, historinë e Departamentit të Albanologjisë në Universitetin e Trakya, krijimin e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe që është i vetmi në mbarë Turqinë i themeluar në 125 vjetorin e lindjes së Fan Nolit, “Unionin e Universiteteve të Ballkanit”  një union që bashkoi universitet e vendeve të Ballkanit edhe një numër jo të vogël të universiteteve shqiptare etj. Me pedagogen Rijetë Simitçiu bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

HISTORIKU I DEPARTAMENTIT TË ALBANOLOGJISË NË UNIVERSITETIN E TRAKYA-S

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe u themelua në vitin akademik 2007/2008 në kuadër të Gjuhëve dhe Letërsive Ballkanike të Fakultetit të Letërsisë në Universitetine Trakya-s, i vetmi në mbarë Turqinë. Interesimi i studentëve për të studiuar gjuhën shqipe në Universitetin e Trakya-s përgjatë viteve 2011-2016 është rritur për herë më shumë. Në këtë departament deri në vitin akademik 2017/2018 numri i kontigjenit të studentëve që mund të fillonin studimet themelore/bachelor ishte 20(20+1) studentë, ndërsa tani ky kontigjen kaplon numrin 30(30+1) të studentëve. Aktualisht, rreth 56 studentë janë duke studiuar në Departament e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Edirne të Turqisë. Stafi i brendshëm akademik i këtij departamenti përbëhet prej tre mësimdhënësve dhe dy asistentëve. Studentët të cilët kanë përfunduar studimet themelore/bachelor për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe mund t’i vazhdojnë studimet postdiplomike (master dhe doktoratë) në këtë fushë në Departamentin e Studimeve Ballkanike. Ky departament u hap në vitin akademik 2013/2014 në kuadër të Institutit të Shkencave Sociale të Universitetit të Trakya-s.

AKTIVITETET QË BËHEN NË DEPARTAMENTIN E GJUHËS DHE LETËRSISË SHQIPE TË UNIVERSITETIT TË TRAKYA-S

Në këtë departament vite me radhë janë bërë aktivitete të ndryshme. Së pari dua të filloj për rolin dhe rëndësinë e “Programit të Shkëmbimit Mevlana” që ka luajtur në këtë departament. Me vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 23 gusht 2011, ky program synon të shkëmbejë studentë dhe staf akademik midis institucioneve të arsimit të lartë që ofron arsimi në Turqi dhe institucioneve të arsimit të lartë që ofrojnë universitetet shqiptare. Universitet shqiptare me të cilët është aplikuar ky shkëmbim përvojash në kuadër të departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe janë: Universiteti “Aleksandër Moisiu” – Durrës dhe Universiteti “Eqrem Çabej” – Gjirokastër (Shqipëri), Universiteti “Ukshin Hoti” – Prizren (Kosovë), Universiteti Shtetëror i Tetovës (Maqedoni) dhe Universiteti i Malit të Zi (Mali i Zi). Që nga gushti i vitit 2010 e këtej studentët e këtij departamenti janë mysafirë të Universitetit të Prishtinës “Ukshin Hoti” për të ndjekur kursin e gjuhës shqipe për dy javë rresht në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Seminari, që nga viti 1974, mbledh gjithë studiuesit e studentët që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Për disa vite radhazi është organizuar “Dita e Studentëve të Gjuhëve të Ballkanit”, në këto manifestime është recituar, luajtur e kënduar shqip në qytetin historik të Edirnes. Studentët tanë po ashtu marrin pjesë edhe në organizimin e manifestimeve të tjera si në “Ditën e Shpalljes së Republikës së Kosovës”, në “Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë”, e kështu me radhë. Këto manifestime që u përmendën së fundi organizohen nga studentët kosovarë e shqiptarë në krye me rektorin e këtij universiteti. 

UNIVERSITETI I TRAKYA-S THEMELOI “UNIONIN E UNIVERSITETEVE TË BALLKANIT”

Universiteti i Trakya-s për dallim prej universiteteve të tjera të Republikës së Turqisë që kanë për qëllim përgatitjen profesionale të profileve të caktuara, ai ka për qëllim edhe krijimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje, përkatësisht me shtetet e Ballkanit. Që nga viti 2014 ky universitet themeloi “Unionin e Universiteteve të Ballkanit” 34 anëtarësh, ndërsa sot ky union përmban 80 anëtarë. Prej këtyre 80 universiteve nga mbarë Ballkani një numër jo i vogël prej tyre janë universitete shtetërore e private nga mbarë trevat shqiptare. Në një farë mënyre ky union jo vetëm që bashkoi universitet e vendeve të Ballkanit, ai njëkohësisht bashkoi edhe një numër jo të vogël të universiteteve shqiptare. Misioni i këtij unioni është formimi i marrëdhënieve mes universitetesh të vendeve të Ballkanit për një mësimdhënie më efektive dypalëshe. Produkt i një misioni të tillë është edhe programi i “Diplomës së Dyfishtë (2+2)” i cili vuri bazën në mes të Universitetit të Trakya-s me Universitetin e Prishtinës nëpërmjet dy departamenteve, atë të Gjuhës dhe Letërsisë Turke dhe të Gjuhës e Letërsisë Shqipe. Marrëveshja e këtij të pari u realizua dhe filloi të zbatohet prej vitit të kaluar akademik.Për vënien e themelit të kësaj marrëveshjeje në fushën e gjuhës shqipe, në nëntor të vitit 2019, prorektori i Universitetit të Trakya-s që njëkohësisht është edhe drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë Prof. Dr. Murat Türkyılmaz-i u takua me dekanen e Fakultetit të Filologjisë Prof. Dr. Linditë Rugovën dhe me shefin e Departamentit të Gjuhës Shqipe Prof. Dr. Bardh Rugovën. Për hir të situatës së pandemisë për momentin ky proces ka stagnuar por në një të afërme shumë të shpejtë pritet të fillojë. Misioni tjetër shumë i rëndësishëm që po ndërmerr Universiteti i Trakya-s është numri i studentëve që pranon ky universitet çdo vit e më shumë, si prej Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë etj. Në këtë vit akademik në këtë universitet vijojnë studimet nga Kosova (477 studentë), Shqipëria (144 studentë), Maqedonia (177 studentë), Mali i Zi (36 studentë) dhe nga Serbia (61 studentë). Këta studentë i ndjekin studimet themelore/bachelor, master dhe dokoraturë me shumë përkushtim dhe dashuri për punë. Këtij numri kaq të madh të studentëve universiteti iu vjen në krah edhe pas përfundimit të studimeve duke iu dhënë një mundësi për punësim nëpër shtetet amë të tyre. Universiteti në fjalë filloi projektin “TEKNOPARK” në Kosovë, për të vazhduar më tutje në vendet e tjera fqinje. Më 20 janar të këtij viti në Prishtinë u nënshkrua protokolli i modelit “Kosova Teknopark” në mes të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe rektorit të Universitetit të Trakya-s Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu. Në fund nuk do i lë pa i përmendur edhe revistat të cilat boton ky universitet që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe. Revistat shkencore “Revista e Institutit për Kërkime Ballkanistike” dhe “Revista Ballkanistike përgjuhës dhe letërsisë”, si dhe “Revista – Ura e Rumelive”. Kjo e fundit punimet që kanë të bëjnë me gjuhën, letërsinë, kulturën shqiptare i boton në të dyja gjuhët, në njërën anë të faqes në turqisht e në anën tjetër në shqip.

KONTRIBUTI I REPUBLIKËS SË TURQISË PËR GJUHËN SHQIPE

Qeveria e Turqisë në këto vitet e fundit ka ndërmarrë mjaft hapa të rëndësishme lidhur me pozitën dhe rëndësinë e gjuhës shqipe në Republikën e Turqisë. E para, ka futur gjuhën shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat e mesme të ulëta. Ndërsa e dyta, ka futur gjuhën shqipe si provim zyrtar shtetëror në Republikën e Turqisë. Në dhjetor të vitit 2016 Ministria e Arsimit të Turqisë dhe Universiteti i Trakya-s kanë nënshkruar protokollin për bashkëpunim. Kështu që nxënësit e shkollës së mesme të ulët të mësojnë gjuhën shqipe si lëndë me zgjedhje në kuadër të gjuhëve dhe dialekteve që jetojnë në Turqi. Ky protokoll u nënshkrua nga ministri i arsimit të Turqisë Dr. Cem Gençoğlu dhe rektori i Universitetit të Trakya-s Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu ndërsa plan-programet dhe tekstet shkollore u përpiluan nga pedagogët e këtij universiteti. Plan-programet mësimore janë përpiluar duke marrë për bazë kurrikulën e Ministrisë Turke të Arsimit për plan-programet mësimore të gjuhëve dhe dialekteve që “jetojnë” në Turqi, mirëpo duke ia përshtatur natyrës së gjuhës dhe kulturës shqiptare. Tekstet mësimore prej klasës së 5-të deri në dhe të 8-tën kanë përfunduar, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje ka filluar gjatë vitit shkollor 2017/2018. Në Fletoren Zyrtare më 7 shkurt 2018-të u hap rruga për mbrojtjen zyrtare të gjuhës shqipe në Turqi. Qindra shqipfolës kanë hyrë në provimin e gjuhës shqipe. Interesim të madh kanë treguar jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Turqi por edhe shtetasit turq, ndër ta edhe ata me origjinë shqiptare. Në këtë provim janë futur edhe studentët që kanë përfunduar degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Trakya-s në Edirne. Ky provim ka për qëllim përcaktimin e nivelit të njohurisë së gjuhës shqipe. Kështu një nëpunës në Turqi që zotëron gjuhën shqipe, pas dhënies së provimit, do të marrë shpërblim nga shteti çdo muaj duke ia bashkangjitur atë rrogës mujore.

KUSH ËSHTË RIJETË SIMITÇIU?

Quhem Rijetë Simitçiu, jam e lindur më 7 prill të vitit 1979 në qytetin e Prizrenit. Shkollën fillore, gjimnazin dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike për mësuese i kam mbaruar në vendlindje. Studimet themelore Fakultetin e Mësuesisë dhe studimet master në Fakultetin e Filologjisë i kam përfunduar në Universitetin e Prishtinës. Tema ime e masterit me temë “Kohët e foljes sipas Selman Rizës” është udhëhequr prej Prof. Dr. Bardh Rugovës. Në janar të viti 2015 Instituti i Shkencave Sociale të Universitetit të Trakya-s vuri themelet për hapjen e Departamentit të Studimeve Ballkanike për studime të doktoratës, në kuadër të saj studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe. Në këtë rast unë pata fatin të jem studentja e parë e kësaj fushe. Me një fjalë u hap një derë historike për studime albanologjike në Turqi, prandaj ndihem jo vetëm e nderuar por edhe me shumë fat. Tema e doktoratës që unë studioj titullohet “Kopjimi i kodeve të turqishtes në shqipe në shembujt e gjetur te të folmet e Dibrës së Madhe (të Maqedonisë)  dhe të Dibrës së Vogël (të Shqipërisë)”. Kjo temë doktorate jo vetëm që bashkoi dy Dibrat, ajo bashkoi edhe dy studiues të ndritur mentorin tim Prof. Dr.Ahmet Günşen dhe bashkëmentorin Prof. Dr. Bardh Rugova, i pari nga Turqia e i dyti nga Kosova. Me 12 mars të vitit 2001 kam filluar karrierën time si mësimdhënëse në qytetin tim të lindjes Prizrenin. Ndërsa që nga fillimi i vitit 2014 e gjerë më sot punoj si mësimdhënëse në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Trakya-s në Edirne. Me një fjalë ky universitet m’i ka hapur dyert edhe si mësimdhënëse edhe si studente prandaj i jam shumë mirënjohëse. Kur u kontaktova nga gazeta “Dielli” e Federatës Mbarëshqiptare VATRA në New York, për të bërë një intervistë, emocionet ishin të papërshkruara. Nuk arrija të besoja se më kërkonin prej gazetës “Dielli”, gazetës të cilën e themeloi Fan Stilian Noli së bashku me Faik Konicën 112 vjet më parë. Dhe për çudi ky Departament i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe që është i vetmi në mbarë Turqinë u themeluar në 125 vjetorin e lindjes së Fan Nolit edhe atë vetëm 100 km larg vendlindjes së tij Ibriktepes (në atë periudhë Vilajet i Edirnes). Edirneja, Edreneja apo Adrianopoli, si të doni ja thoni, është qyteti ku mbaroi Noli gjimnazin. Tani të gjitha këto që u përmendën mund të jenë të rastit apo siç thonë: “Rasti është mbret i botës”. Para se ta përfundoj këtë intervistë dua t’ju falënderoj juve z. Sokol, si dhe shtëpinë e madhe të VATRËS e Gazetës “Dielli” që ma dhatë këtë mundësi. 

Filed Under: Histori Tagged With: Albanologjia, E TRAKYAS NË TURQI, ne Universitetin, Sokol Paja

Presidenti Nishani,i Ftuar Nderi në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes

September 27, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani, i Ftuar Nderi në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

  27shtator 2016-Uashington D. C. – SHBA

Presidenti i Republikës, njëkohësisht edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Sh.T.Z. Bujar Nishani ishte i Ftuari i Nderit në Sesionin e Presidentëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashington D. C.

Fillimisht Kreu i Shtetit shqiptar u prit nga Gjenerali Major Frederick Padilla, Presidenti i UKM (NDU) si dhe nga udhëheqësit e tjerë të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit e mendimit strategjik dhe përgatitjes ushtarake, me të cilët zhvilloi një takim duke shkëmbyer mendime dhe ide. Ndërsa më pas Presidenti Nishani nënshkroi Librin e Miqve dhe u prezantua në Sallën Lincoln për të mbajtur ligjëratën e Tij me temë: “Integrimi i Shqipërisë në NATO: Një ndër dy arritjet me rëndësi gjeostrategjike në historinë kombëtare që shërben si faktor kontribuues vendimtar për paqen, stabilitetin demokratik dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”.

Në vijim ligjërata e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani:

“I nderuar President i USMC, Gjeneral Padilla,

Të nderuar autoritete dhe akademikë të NDU,

Të dashur studentë dhe pedagogë,

Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!

Ndjehem shumë i nderuar t’i drejtohem sot këtij institucioni avangardë të mendimit strategjik dhe me kontribute të spikatura në çështjet e sigurisë në SHBA, NATO-s dhe në nivel global.

Kjo është hera e parë që vizitoj Universitetin e Mbrojtjes së SHBA. Por, ky institucion është mjaft i njohur në vendin tim, pasi me 100-ndra ushtarakë dhe civilë kanë përfunduar kurse të ndryshme në sistemin e edukimit të SHBA, përfshi edhe në NDU. Shumë prej tyre kanë drejtuar ose janë duke ushtruar funksione dhe përgjegjësi të larta jo vetëm në sistemin e sigurisë kombëtare, por dhe në fusha të tjera si ato të politikës, ekonomisë, legjislativit, qeverisjes vendorë, apo në drejtimin e negociatave dhe proceseve të integrimit të vendit tim.

Prandaj, dëshiroj t’ju falënderoj posaçërisht ju dhe stafin tuaj zoti Gjeneral, që më krijuat mundësinë të ndaj me këtë audiencë mjaft të ndriçuar disa këndvështrime dhe qëndrime për tematikën e pasqyruar në ekran.

Të nderuar pjesëmarrës!

Së pari: Pse anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është për Shqiptarët jo vetëm arritje madhore në fushën e sigurisë kombëtare, por edhe ngjarja e dytë gjeopolitike dhe historike pas themelimit të shtetit shqiptar 104 vjet më parë.

Për të siguruar një pamje sa më të qartë rreth vlerave që ka anëtarësimi në NATO për Shqipërinë dhe rajonin, dëshiroj t’Ju paraqes një përmbledhje të realizimeve dhe mësimeve të nxjerra nga ky udhëtim i suskesshëm.

Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, ndër popujt me histori shumë të lashtë të Evropës, si dhe me një pozitë mjaft të lakmuar gjeo-strategjike në Adriatik dhe në Mesdhe. Por përpjekjet shekullore të Shqiptarëve për pavarësi u kurorëzuan vetëm në 28 Nëntor 1912. Midis Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, Shqiptarët bënë përpjekje të jashtëzakonshme për të garantuar “paprekshmërinë territoriale” si dhe për ndërtimin e shtetit me vokacion perëndimor.

Në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria iu bashkua pa mëdyshje koalicionit antifashist. Siç e ka përshkruar Henry Kissinger në librin e tij të shumë njohur “Diplomacy”, Shqipëria ishte një ndër të vetmet vende që u vetë-çlirua pa prezencën e Ushtrisë së Kuqe. Megjithatë, ajo iu “nënështrua fatit të vendosur nga orekset gjeopolitike të Stalinit” dhe kështu për fat të keq u rreshtua nën hegjemoninë e kampit lindor të Rusisë.

Është shumë interesante të njihet, një “vendimmarrje e guximshme, gati e çmendur”, në vitet 1960, për shkëputjen e Shqipërisë nga kampi lindor dhe nga Traktati i Vashavës, armikun potencial për të cilin ishte themeluar Aleanca e Atlantikut të Veriut në Prill 1949.

Në periudhën e Luftës së Ftohtë, vendi im u sundua nga paranoja kriminale e përjetësimit të pushtetit të regjimit komunist. U shpallën armiq si Traktati i Varshavës ashtu edhe NATO, si dhe të gjitha vendet fqinjë. Po ashtu, mbi qasjen e “mbështetjes në forcat e veta” dhe i “gjithë populli ushtar” u militarizua skajshëm jeta e shoqërisë dhe u rrënua ekonomia e vendit. Mbi paranojën e mbrojtjes “pëllëmbë për pëllëmbë”: rreth 1000 reparte ushtarake dhe mbi 300 mijë bunkerë u përhapën në çdo skaj të vendit; u ndërtua një forcë ushtarake me rreth 115 mijë forcë aktive dhe 300 mijë rezervë; 1000 gryka zjarri artilerie dhe 800 tanke; një force ajrore me mbi 100 avionë MIG, dhe flotë detare me më shume se 120 anije luftarake, përfshi edhe 4 nëndetëse, etj!

Kjo marrëzi komuniste konsumonte çdo vit deri 25 % të GDP të qytetarëve të vendit më të varfër të Evropës.

Mbi këtë trashëgimi fatkeqe, pas viteve 1990, Shqipëria u orientua pa hezitim drejt sigurisë Euro-Atlantike. Anëtarësimi në NATO nuk ishte “një fushë me lule, por një fushë-beteje”, me sfida të panumërta, me përpjekje, arritje, gabime dhe ndonjëherë edhe me dështime. Për të kuptuar vlerat e arritjeve dhe shkaqet e dështimeve, do të përpiqem tju përshkruaj shkurt udhëtimin e vendit tim drejt anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), që u kurorëzua 7 vite më parë, në Prill 2009.

Për lehtësi, procesin e anëtarësimit e kam grupuar në tre faza kryesore: Faza e para-anëtarësimit (1992-2008), Faza e pas marrjes së ftesës (2008-2009), dhe Faza e përmbushjes së detyrimeve teknike të Anëtarësimit (Prill 2009 – Shtator 2013).

Në vitin 1992, mbas rrëzimit të regjimit komunist, Shqiperia ishte ndër të parat vënde që aplikoi dhe u pranua në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC). Në vitin 1994 nënshkruam Dokumentin Kuadër të Partneritetit për Paqe (PfP). Në 1995 paraqitëm Programin e parë Individual (IPP) dhe u përfshimë në proçesin e Planifikimit dhe Rishikimit të Partneritetit (PARP). Gjatë vitit 1996, zhvilluam një dialog mjaft intensiv me NATO-n. Në Maj 1999, në Samitin e Washingtonit, Polonia Cekia dhe Hungaria u pranuan anëtare, ndërsa 10 vende: Shqipëria, Bullgarinë, Rumaninë, Slloveninë, Sllovakinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe 3 vendet Baltike, u konfirmuan në Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP), 7 prej të cilave u anëtarësuan në Samitin e Stambollit 2005. Në Prill 2008, morëm ftesën dhe në Samitin e Prill 2009, Shqipëria dhe Kroacia e zgjeruan në 28 numrin e antarëve të NATO-s.

Në rrugëtimin e anëtarësimit të plotë në NATO (208-2013), Shqipëria realizoi një transformim thelbësor të konceptit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare. Nga koncepti i mbrojtjes individuale, u kalua në konceptin e mbrojtjes kolektive. Pas anëtarësimit siguria e vendit është me sigurt se asnjëherë në historinë 104 vjeçare të shtetit shqiptar.

Në gjykimin tim, një ndër sfidat themelore në reformat e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit ishte sfida e ndryshimit të mentalitetit. Njerëzit, ushtakakët dhe civilët e sistemit të sigurisë, ishin në qendër të kësaj sipërmarrjeje që synonte një sistem modern të sigurisë dhe mbrojtjes, me strategji, lidership, organizim, infrastruktura, stërvitje dhe pajisje bashkëkohore. Sot kemi një forcë ushtarake 100% profesioniste me rreth 9000 personel, gati 13 herë më e vogël se forca e trashëguar nga regjimi komunist dhe 90 herë më pak struktura, instalime dhe infrastruktura ushtarake. Por një forcë më cilësore, më të mirë-trajnuar dhe pajisur për misionet e sotme. Eliminuam MIG-ët, anijet e mëdha luftarake, nëndetëset, tanket dhe artilerinë e rëndë. Resurset që ato gllabëronin iu alokuan njësive prioritare me kapacitete të dislokueshme. Me mbështetjen e SHBA dhe aleatëve, në 20 vitet që lamë realizuam një “projekt shembullor” duke demontuar të rreth 300.000 ton municione si dhe disa dhjetëra tonë lëndë kimike të trashëguara nga regjimi komunist.

Buxheti i mbrojtjes në vitin 2009 arriti në 2% të GDP-së, dhe rreth 25% e tij u alokua për projekte të mëdha të modernizimit, si: Vëzhgimi i Hapësirës Detare, Anijet e Patrullimit, Helikopterët CUGAR, Grup Battalioni për NATO-n, Kursi i Lartë Rajonal për Sigurinë dhe Mbrojtjen, si dhe u nënshkruan disa dhjetra marrëveshje mirëkuptimi për: Inteligjencën, Forcat Speciale, njësitë e reagimit të shpejtë, Protokollin e Parisit / SOFA, shkëmbimin e informacionit të klasifikuar; etj.

Në rrugëtimin e integrimit, rritëm nivelin e ambicieve, sasinë dhe cilësinë e kontributeve në operacionet ndërkombëtare të drejtuara nga NATO, BE dhe UN. Prej vitit 1996, rreth 8000 djem dhe vajza ushtarakë shqiptarë kanë marrë pjesë në operacionet në Bosnjë, Irak, Afganistan, Kosovë, Gjeorgji, Ukrainë, Mali, etj. Nga 35 vetë në vitin 1996, në rreth 450 vetë njëherësh në vitin 2012. Po ashtu, më shumë se 500 nënoficerë dhe oficerë, deri kolonel dhe gjeneralë, kanë kontribuuar në shtabet e NATO-s, strukturat e forcës, përfaqësitë kombëtare, atashe ushtarak, etj, të cilët sot përbëjnë një aset mjaft të çmuar në fushën e planifikimit dhe drejtimit të FA. Pikërisht për këto arritje, në vitin 2012, Shqipëria meritoi përcaktimin zyrtar si “një ndër 5 vendet model në përmbushjen e detyrimeve në kuadër te NATO-s”.

Dëshiroj të konfirmoj se ndër elementët me peshë kritike ne këtë udhëtim ka qenë edhe vullneti dhe konsensus i gjerë politik. Të gjitha partitë politike në Shqipëri kanë mbështetur dhe mbështetin çështjet e integrimit ne NATO dhe BE. Po ashtu, kemi patur dhe vijojmë të kemi një mbështetje të jashtëzakonshme të opinionit publik: mbi 90 % e shqiptarëve, një shifër gati të “pabesueshme” edhe për vetë vendet themeluese aleate dhe partnere.

Po ashtu, dëshiroj të ri-përsëris dhe nënvizoj se anëtarësimi në NATO nuk ka qenë thjesht një proces reformash vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe një mekanizëm i fortë për të demokratizuar, evropianizuar dhe modernizuar shtyllat themelore të shtetit: Politikën, Ekonominë, Kuadrin Ligjor, Financat dhe pushtetin e Informacionit.

Të dashur miq,

Krahas arritjeve të merituara për anëtarësimin, nuk mund të lemë pa përmendur që në këtë proces dhe udhëtim të gjatë ne kemi mësuar shumë edhe nga gabimet e bëra. Fjala ime nuk do të konsiderohej e plotë pa i përmendur këto gabime edhe mësimet e nxjerra prej tyre.

Cilat mund të jenë disa mësimet e nxjerra në këtë proces? Izolimi i gjatë, eksperienca e pakët, lidership i pa-arsimuar, mos-adresimi sa/si duhej i pasojave sociale, diferenca midis nivelit të ambicies dhe burimeve kombëtare, balancimi i pushteteve të kontrollit demokratik dhe drejtimit strategjik, shpërdorimi politik i institucioneve të sigurisë, menaxhimi i personelit të arsimuar në perëndim, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake të pa-integruara me ato civile, mos-mbështetja e Objektivave të Forcës (Force Goals), ulja e shpenzimeve për mbrojtjen në me pak se 1 % te GDP-se, etj.

Në përmbyllje të kësaj rubrike, si ish-pedagog në universitetin shqiptar të mbrojtjes, si ekspert në strukturat e integrimit, si politikan, si ministër në instituciont e zbatimit të ligjit dhe sigurisë publike, si President dhe si Komandant i Përgjithshëm i FA, dua të ndaj me ju një impresion shumë personal: fillimet e këtij procesi i kujtoj gjithmonë me nostalgji. Ishim djem fare të rinj, plot me ëndrra, aspirata, por nuk kishim përvojën e duhur. Më besoni, nuk ka qenë aspak e lehtë të kapërcenim pasojat e izolimit 50 vjecar. Dhe siç besoj ta dini, reformat shumë shpesh shoqërohen me vendimmarrje të vështira, ndonjëherë edhe të dhimbshme nga ana sociale.

Së dyti, dëshiroj të bëj një vlerësim pse bashkëpunimi SHBA-Shqipëri, ka mbajtur dhe mbetet me peshë kritike për sigurinë kombëtare, të rajonit, NATO-s dhe me gjerë?

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne jemi një komb, që mirënjohjen dhe mikpritjen i kemi të rrënjosura si “vlera të çmuara të trashëgimisë kombëtare”. Para me shumë se 2 vjetësh, pata privilegjin të prisja në Tiranë Shënjtërinë e Tij, Papa Françeskun, dhe i shpreha se këto vlera, mishërohen në kodin zakonor të shqiptarëve: “Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut”. Prandaj, si President i Republikës dëshiroj që në emër të qytetarëve të vendit tim, të përsëris edhe para kësaj audiencë mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme, konstante dhe të pakushtëzuar që SHBA i ka dhënë kombit Shqiptar në këto 104 vjet të përpjekjeve për pavarësi, shtet-formim, demokraci dhe prosperitet. Në pamundësi për të përmendur çdo kontribut, më poshtë po ndriçoj vetëm disa nga protagonistet, ngjarjet dhe arritjet madhore që janë të skalitura në memorjen e nderit të historisë sonë kombëtare:

Mbështetja historike e Presidentit të SHBA, Woodrow Wilson, në jetësimin e pavarësisë së Shqipërisë; vizita e Sekretarit te Shtetit James Baker në udhëkryqin e përmbysjes së regjimit në vitin 1991, dhe mesazhi i Tij para 300 mijë shqiptarëve se “Liria funksionon”; roli vendimtar i SHBA në çlirimin dhe pavarësisë së Kosovës dhe ndryshimin e hartës gjeopolitike të Ballkanit; vizita e parë historike e Presidentit Xhorxh Bush dhe mbështetja kritike për anëtarësimin në NATO; investimi konstant të Uashingtonit për ndërtimin e demokracisë funsionale, shtetin e të drejtës; dekriminilizimin e institucioneve, reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe mbështetjen në realizimin e aspiratës së Shqiptarëve për integrimit në NATO dhe BE.

Do të ishte e pasinqertë dhe njëkohësisht e padrejtë të mos përmendja edhe sot me mirënjohje fushatën ushtarake të NATO-s, të drejtuar nga komandanti dhe Gjenerali i mirënjohur në hapësirën mbarë-shqiptare Wesley Clark, dhe rolin fondamental të SHBA për pavarësinë e Kosovës. Në rrafshin kombëtar, kjo përbën po ashtu një arritje gjeopolitike dhe historike. Dhe meqë jemi te Kosova, do të doja të konfirmoja angazhimin tim konstant, me të gjithë faktorët dhe aktorët në Shqipëri dhe Kosove për të jetësuar mesazhin-mision të ish-Presidentit Amerikan Bill Klinton pas luftës në Kosovë: “ne ju sollëm lirinë, ju duhet të ndërtoni paqen”.

Mbetem specifikisht mirënjohës për mbështetjen që SHBA i ka dhënë vendit tim në të gjitha fazat e anëtarësimit në NATO. Falë kësaj mbështetje, Shqipëria u trasformua nga një vend konsumues i sigurisë në një vend kontribuues për paqen dhe sigurinë. Dëshiroj të përmend me mirënjohje ish-Sekraterin e Mbrojtjes së SHBA, William Perry, iniciatorin e lançimit të Partneritetit për Paqe në vitin 1994 dhe arkitektin i ndërtimit të një platforme afatgjatë të partneritetit strategjik midis dy vendeve tona. Më konkretisht, përmend se dokumentet themelore (SSK, SU, LTDP), 3 Vlerësimet Strategjike 2000, 2006, dhe 2013, dhe ristrukturimi i FA nuk mundet të kryheshin me cilësi pa mbështetjen e SHBA. Dhe besoj se jam në vendin dhe kohën e duhur, tu shpreh mirënjohjen time emër për emër, të gjitha Autoriteteve dhe stafeve në Departamentin e Shtetit, në Pentagon, Ambasadorëve, Zyrës së Bashkëpunimit Bilateral në MM, dhe Atasheve Ushtarakë, deri te Commander Samuel Wartel, që i është bashkuar stafit tim në këtë vizitë, – për angazhimin dhe kontributet e jashtëzakonshëm që kanë dhëne për vendin tim në këto 25 vite.

Nga ana tjetër, gjej rastin të nënvizoj se në këto 25 vjet, Shqipëria ka qenë jo vetëm përfituese e dorës së parë, por edhe kontribuese me peshë kritike në jetësimin e iniciativave dhe projekteve të SHBA për ta çliruar Ballkanin nga tradita e përgjakshme e konfliktit. Kështu, ne shqiptarët përveç se i jemi mirënjohës SHBA, jemi njëkohësisht edhe krenarë që kemi kontribuar në këtë udhëtim të vështirë të Ndërtimit të Paqes, të Masave të Mirëbesimit Reciprok, stabilitetin social si dhe mbjellë modelin e harmonisë fetare në rajon dhe më gjerë. Si të tilla, mundet të përmendim se jo fare rastësisht Inisjativat rajonale, përkatësisht SEDM (South East Defence Ministerial) në 1996 dhe Adriatic-3 në 2003, janë nënshkruar në Tiranë. Këto iniciativa, dhe të tjera si këto kanë shërbyer si mekanizma ndihmues, për anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO dhe vazhdojnë të kontribuojnë për integrimin në BE.

Në përfundim të kësaj çështje, gjykoj se me gjithë përmirësimet e pakrahasueshme, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti demokratik në Ballkan mbeten një mision i papërfunduar, që ende ka nevojë kritike për prezencën dhe kontributet e SHBA dhe NATO. Nga ana tjetër, mundet të them se bashkëpunimi SHBA-Shqipëri mbetet i një rëndësie strategjike për interesat e të dy vendet tona si dhe me vlera jetike për gjeopolitikën e rajonit tonë.

Së treti, jam shumë i sigurt se të gjithë ju në këtë auditorium jeni të interesuar të dini se cili është niveli i ambicies së këtij vendi të vogël ? Kush mund të jetë roli, e përfitimet, dhe detyrimet e Shqipërisë në NATO, si dhe çfarë roli mundet të luajë në rajon? Cilat janë disa nga qëndrimet e RSH ndaj kërcënimeve dhe sfidave madhore të NATO-s?, etj.

Anëtarësimi në Aleancë mbetet pamëdyshje një histori suksesi. Këtë arritje kombëtare, ne nuk e kemi konsiderar si stacionin e fundit por si fillimin e një faze të re, me detyrime dhe përgjegjësi shtesë për të realizuar integrimin e plotë në NATO dhe BE. Mbetemi mjaft të vetëdijshëm mbi parimin e ndarjes së barrës, jemi të vendosur për të përmbushur standardet dhe për të paguar koston e anëtarësimit.

Vetëm më pak se 3 muaj në Varshavë, u zhvillua Samiti i 27 i NATOs. Ky Samit u mbajt në momente kritike, në kufijtë Jugore dhe Lindore të Aleancës sonë të përbashkët. Samiti u mbajt në pas përshkallëzimit të rreziqeve nga terrorizmi dhe ekstremizmi e dhunshëm në Francë, Belgjikë, Turqi, kur sfidat, angazhimet, dhe pritshmëritë nga Aleanca jonë e përbashkët janë më të mëdha që nga koha e luftës së ftohtë. Në vijim, po artikuloj disa nga qëndrimet e RSH për çështjet më të nxehta të pas-Varshavës:

“Shqipëria mbështet përpjekjet për ta adaptuar dhe transformuar Aleancën në përputhje me zhvillimet e mjedisit strategjik të sigurisë. Ajo mbështet çdo iniciativë dhe programet për zhvillimin diplomacisë së efektshme dhe kapaciteteve ushtarake të afta, në mënyrë në kuadër të artikullit 5 të NATO-s, të mbrojë territoret e saj nga çdo kërcënim, në çdo kohë, dhe nga çdo drejtim që të vijnë. Çmojmë si vlera komplementare dhe mbështesim forcimin e marrëdhënieve me BE dhe strukturat e tjera të sigurisë globale. Shqipëria do të mbajë barrën dhe do të vijojë të kontribuojë në operacionet e Aleancës në Afganistan, Irak, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, Gjeorgji, Ukrainë, krizën e refugjateve, dhe garanton votë të “pakushtëzuar” për angazhimet në kuadër të mbrojtjes kolektive.

Shqipëria ndjek me shqetësim demonstrimin e fuqisë së armëve në kufijtë lindorë të Aleancës dhe ambicieve të Rusisë në rajonin e Ballkanit. Ajo bashkohet me Aleancën për të ri-konfirmuar parimin e mbrojtjes kolektive ndaj kërcënimeve të çdo vendi anëtar dhe është e gatshme që të përmbush detyrimet me kapacitetet kombëtare për këtë qëllim. Po ashtu, mbështesim qasjen dhe projektet e përbashkëta ndaj kërcënimeve asimetrike të sigurisë: “terrorizmi, rreziqet kibernetike, konfliktet civile, shtetet e dështuara, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, siguria e mjedisit, emergjencat civile, përballimin e krizës së refugjatëve, etj.

Shqipëria e çmon forcimin marrëdhënieve trans-atlantike dhe veçanërisht rolin jetik të SHBA në Aleancë. Dëshiroj të jem i drejtpërdrejtë: pa fuqinë ushtarake (përfshi nukleare) të SHBA nuk mund të zbatohet strategjia e “frenimit” dhe nuk mundet të ketë një NATO të fuqishme për artikullin 5. Siç mundet ta dini, sot barra e buxhetit dhe kapaciteteve që mban SHBA në raport me 27 vendet e tjera është në kufijtë e 80 me 20% nga rreth 60 me 40% që ishte para viteve 1990. Prandaj, në 10 vitet e fundit, përfshi edhe në këtë Samit, Autoritetet e SHBA kanë kërkuar më shumë përgjegjshmëri në ndarjen e drejtë të barrës. Kjo kërkon që ne, udhëheqësit e vendeve evropiane, t’i përmbahemi angazhimeve që nënshkruhen në Samite, për arritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të GDP-së.

Në samit, Shqipëria konfirmoi “votën pro” pranimit të Malit të Zi, me bindjen se ky zgjerim do të shërbejë sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon si dhe interesave strategjike të NATO-s. Po ashtu, mbështesim fort përpjekjet e Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës për anëtarësimin ne NATO. Shqipëria angazhohet të mbështesë me ekspertizë dhe eksperiencën e saj 7 vjeçare, udhëtimin e këtyre vendeve në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të plotë. Na ana tjetër, jemi të gatshme për zhvillimin e projekteve dhe kapaciteteve të përbashkëta “smart”, për vëzhgimin e hapësirës ajrore dhe policimin ajror, mbrojtjen kibernetike, luftën kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacionit, emergjencat civile, etj. Ne besojmë fuqimisht se kjo qasje është mënyra më e gjetur për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit dhe kontributi i rajonit ndaj Bashkimit Evropian.

Shqipëria është një vend model i harmonisë fetare; ka një Strategji Ndërinstitucionale për Luftën Kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, ka një bashkëpunim shembullor me shërbimet e inteligjencës të SHBA (CIA&FBI), dhe vendeve të Rajonit. Po ashtu në kuadër të NATO-s ka lançuar ngritjen e një Qendre Ekselence për Luftëtarët e Huaj. Synimi këtyre projekteve është të kontribuojnë për sigurinë kombëtare, të rajonit, të vendeve të NATO-s dhe më gjerë.

Në përmbyllje, është mjaft evidente që rreziqet asimetrike, me shumë gjasa do të dominojnë gjatë spektrin e rreziqeve ndaj shoqërive demokratike dhe qytetarëve. Koha na ka mësuar, se asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm me këto rreziqe, siç edhe asnjë vend nuk mund të jetë imun prej tyre. Terroristët po na kërcënojnë përditë vlerat themelore dhe sigurinë e qytetareve. Ata kërkojnë të na imponojnë mënyrën e tyre të jetesës. Prandaj gjykoj se është jetike, që ne, vendet e NATO, të përmirësojmë rrënjësisht efiçencën e Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes (strategjitë, strukturat, buxhetin, pajisjet, trajnimin, personelin dhe rregullat e angazhimit). Na duhet vizion, vendosmëri dhe kapacitete të afta në përballjen me terrorizmin, krimin e organizuar, krizën financiare, qeverisjet e dështuara, trafiqet, korrupsionin, emergjencat civile, që kërcënojnë më shumë se kurrë më parë sigurinë e qytetareve, stabilitetin e shoqërisë dhe interesat jetike në mbarë hapësirën tonë euro-atlantike.

Dhe, për të përmbyllur këtë ligjëratë, jo rastësisht kam përzgjedhur fjalët e ish-Presidentit John Kennedy, në hapjen së Konferencës së Munihut për Sigurinë të vitit 1963: “T’i hedhim sytë përtej rreziqeve të së sotmes, te shpresat e së nesërmes”, si dhe atë që 50 vjet më vonë zonja Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në fjalimin-mesazh para Kuvendit të Shqipërisë: “Do të qëndrojmë me ju për njëqind vjet dhe me pas, edhe për njëqind vitet e tjera pas tyre.”.

Si dëshmitar dhe aktor i udhëtimit të vendit tim drejt integrimit në NATO, dhe BE, unë besoj fort te fuqia e lirisë dhe funksionaliteti i demokracisë. Po ashtu, mbetem shpresëplotë, se ne si komb, por edhe si rajon, me mbështetjen e SHBA dhe partnerëve perëndimorë do të mundemi të përmirësojmë standardet e demokracisë, shtetin ligjor, klimën e mirëbesimit reciprok, nivelin e sigurisë kombëtare, stabilitetin e shoqërisë dhe prosperitetin e qytetarëve në rajon që po i përmbledh me një fjali: ‘Na duhet të punojmë për publikun dhe për qytetarët tanë!’ Ju faleminderit!”

Në përfundim të ligjëratës Presidenti Nishani iu përgjigj pyetjeve nga të pranishmit e shumtë dhe interesimit të tyre.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kombëtar të Mbrojtjes, ne Universitetin, Nishani i Ftuar Nderi

NË UNIVERSITETIN “FAN NOLI” U PROMOVUAN DY LIBRA TE THANAS GJIKES

September 23, 2016 by dgreca

NË UNIVERSITETIN “FAN NOLI” U PROMOVUAN LIBRAT  “MOSDËNIMI I KRIMIT ËSHTË KRIM I RI”

DHE “SHËN PALI PUNOI DHE NË BRIGJET E ADRIATIKUT” TE PROF. THANAS L. GJIKA/

Nga Viktora V. Vllahu/

2-librat-gjika

Gjatë muajit gusht, profesor Thanas L. Gjika shkoi në atdhe ku mori e shpërndau librin e tij të ri “Mosdënimi i krimit është krim i ri” OMSCA-1 Tiranë 2016, 450 f.

Më 18 shtator, z. Gjika shprehu me shkrim në buletinin e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, Worcester MA. mirënjohjen e tij ndaj Shoqërisë Vatra, Kishës së qytetit dhe zotërinjve Olsi Gjinko, Flori Bixho dhe Eduard Postol për ndihmën bujare që i dhanë për sponsorizimin e botimit të këtij libri.

Me inisiativën e profesor Ali Jasharit, rektor i Universitetit “Fan Noli” të Korçës, më 25 gusht ora 12:00-14:00, u organizua në prani të autorit, në sallën e bukur të Senatit Akademik promovimi i dy veprave të fundit të profesor Gjikës. Aty morrën pjesë pedagogë, studentë, qytetarë dhe At Spiro Katundi, i dërguar i Peshkopit Joan Pelushi, Mitropoliti i Korçës.

Në fjalën e hapjes Prof. Jashari theksoi kënaqësinë e tij që ish-punonjësi shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, prof. Thanas Gjika, vijon punën shkencore në ShBA, ku që nga viti 2007 e deri sot ka botuar pesë vepra të rëndësishme në fushën e shkencave albanologjike në plan kombëtar e ndërkombëtar. “Thanas Gjika, tha midis tjerash folësi, nuk e harron qytetin e lindje, Korçën tonë. Ai vjen nga Amerika e largët dhe na sjell librat e tij të njëpasnjëshëm, duke na i pasuruar bibliotekat e qytetit për të ndihmuar në ngritjen kulturore e shkencore të qytetarëve e sidomos të studentëve tanë. Për këtë meriton falenderime nga të gjithë.”

Më tej ai i dha fjalën pedagogut të letësisë shqiptare, Dr. Neli Naço, fjalën e të cilit po e japim të plotë:

“Kur merr në dorë librin e Profesor Thanas Gjikës dhe lexon thënien proverbiale: “mosdënimi i krimit është një krim i ri” ke ndeshur edhe me kredon e cila ka qenë qëllimi kryesor i autorit, shpallja e një lloj humanizmi bashkëkohës që ai e ka për qëllim ta shpallë dhe ta argumentojë përmes shkrimeve të tij. Kjo kredo është një besim i palëkundur i autorit ai e artikulon atë në shkrime të ndryshme, por e ka bindje që kjo kredo është shumë e rëndësishme që atdheu të zhvillohet dhe të përparojë nëpërmjet një procesi pastrimi shoqëror. Fshehja e krimit, sipas tij, quhet krim dhe mungesa e dënimit mundëson që të çojë në përsëritjen e tij. Kjo kredo, ky fill i ndërtimit është filozofia e teksteve të shumllojshme që përbëjnë librin, ato rrëfejnë, analizojnë, krijojnë, momente e situata të ndryshme, krijojnë portrete dhe zbardhin disa të tjera duke na dhënë shpeshherë imazhe të reja, por shpeshherë edhe duke i nxjerrë disa prej tyre nga gjysmerrësira në dritë, duke u fashitur hijet për të nxjerrë më mirë tiparet e tyre të vërteta, që në thelb janë tiparet e vetë qenies njerëzore që duket e përkryer shpeshherë, por nuk është e tillë dhe anasjelltas.

Procesi i njohjes dhe i analizës që Thanas Gjika përdor, është kthjelluar edhe nga një moment tjetër vendimtar. Duke jetuar jashtë atdheut, duke njohur botën dhe mentalitetin perëndimor, sidomos atë amerikan, duke e përdorur atë mentalitet dhe kthjelltësi mendore ai e ka më të lehtë të gjykojë ato procese në të cilat është ngatërruar bota postkomuniste e Europës Lindore, dhe sidomos bota postkomuniste shqiptare. Largësia dhe kuptimi i mentalitetit perëndimor e bën që analiza e tij të jetë e thjeshtë, e kapshme, e drejtpërdrejtë dhe kuptimplote. Ai i sheh problemet shqiptare që nga larg, si astronauti që sheh tokën nga hapësira dhe e kupton realitetin më mirë se vështrimet mendjengushta dhe të pjesshme të protagonistëve. Kjo e ndihmon atë në arritjen e përfundimeve të sakta dhe të artikuluara qartë në pjesët që ndërtojnë librin. Libri synon pra, jo vetëm një analizë letrare (dhe kjo është pjesa kryesore e strukturës së këtyre teksteve letrare), por edhe një mësim humanist të gjerë që do t’i shërbente lexuesve të cilët e marrin nëpërmjet interpretimit të tekstit autorial.

Libri ka në përbërjen e vet artikuj kritiko-letrarë që tregojnë për vlera artistike, kulturore, letrare që janë shpërdoruar nga kritika e socrealizmit dhe larg syrit vëzhgues të socrealizmit që i shihte gjërat vetëm bardhë e zi dhe shquan nuancat e holla që përbëjnë vlera të patjetërsueshme. Nuk gjykon dot për pasurinë e një pylli duke parë vetëm drurët e njëjtë të tij. Duhet të njohësh edhe shkurret, lulet, barërat shumëllojshmërinë që jep delikatja e tij, për të krijuar një ide të saktë mbi realitetin e tij. Edhe letërsia ka gjithashtu drurët e lartë, por edhe ata që janë në hije, ka lulet me aroma të holla e të mezikapshme, por që ndikojnë në atë totalitet e plotëri që figurativisht mund të quhet pylli letrar.

Thanas Gjika me kureshtje dhe pa komplekse i afrohet këtij pylli dhe sheh jo lart ato që shohin të gjithë drurët, por sheh edhe lulet e rralla, barishtet, shkurret dhe çdo gjë tjetër që udhëtarit të rëndomtë i shpëton. Ai sheh shumëllojshmërinë brenda një trualli ku mendohet se ka pak shumëllojshmëri. Edhe ky krahasim, si çdo krahasim çalon, por le të shohim më konkretisht se çfarë përfaqëson ky libër.

Shkrimtarë që kritika letrare i ka trajtuar pak ose aspak të bien në sy për analizat që u bën Prof. Gjika atyre. Një nga shkrimtarët që bie në sy, mbase më i njohuri i kësaj letërsie të heshtur të quajtur letërsia e sirtarit është edhe Visar Zhiti, një shkrimtar që nuk u dorëzua dhe që mbas suksesit si poet, korr sukses edhe në prozën tregimtare dhe romanore si një kapacitet i veçantë. Gjika e analizon me sukses romanin e tij “Ferri i Çalë” sepse kemi të bëjmë me një lloj proze të re të ndryshme nga proza tradicionale që jemi mësuar të lexojmë, sepse Visar Zhiti vjen në prozë si një dukuri e re, i plotë në formatin e poetit ai artikulon midis dy gjinish poezi e prozë bashkë duke të kujtuar shpeshherë edhe fenomenin Camaj. Profesor Gjika e karakterizon kështu Ferrin e ri të përshkruar prej Zhitit duke analizuar dhe përmbledhur: “Këta rreshta tingëllojnë si vargje poetike, ku tipizohet në gjerësi e thellësi jeta shqiptare nën diktaturën komuniste për të burgosurit, me nëntë rrathët e ferrit, por edhe për popullin, i cili jetonte gjithashtu i rrethuar prej disa rrathësh të të njëjtit ferr…” Thanas Gjikës nuk i shpëton madje edhe një karakteristikë e njëmendët e Zhitit, që gjendet njëherazi edhe në letërsinë, edhe në karakterin e tij: ai nuk është i dehumanizuar nga urrejtja dhe krijon një tipologji të ndryshme nga ajo e shqiptarit tipik të ashpër dhe hakmarrës.

Një trajtim mbresëlënës është ai për shkrimtarin Ismail Kadare, ai titullohet “Vepra e Kadaresë e shkruar gjatë diktaturës ka qenë vepër me tipare disidente, maksimalja e mundshme”. Ky shkrim bëhet duke e vlerësuar shkrimtarin e madh në situatat komplekse në të cilat është ndodhur ai gjatë regjimit diktatorial e vlerëson shkrimtarin në dritëhijet e tij. Ai merret me një problem që në këtë rast nuk mund të shmangej, me problemin e disidencës, trajtimin e së cilës e bën në një plan më  të gjerë duke e krahasuar me disidencën si fenomen në Europën Lindore i klasifikon këta disidentë në ata që u dënuan dhe në ata që e zhvilluan disidencën e tyre jashtë atdheut. Zgjerimi i fokusit kritik, gjerësia me të cilin e sheh tablonë profesor Gjika bën që shumë faktorë të ashtuquajtur faktorë jashtëletrarë të merren parasysh në analizën autoriale dhe të saktësojnë shumë momente dhe situata decizive të procesit të vlerësimit. Një përfundim i thjeshtë por i goditur në këtë tekst është ai që ka lidhje edhe me titullin e veprës. Autori shpreh në formë postulateve dhe përmbledhëse: “Vepra më e mirë e Kadaresë e shkruar dhe e botuar gjatë regjimit komunist nuk ishte një vepër disidente në kuptimin klasik të fjalës, por ishte një vepër me tipare disidente.”

Vepra e profesorit të njohur Sami Repishti “Pika Loti” është gjithashtu një vepër që është marrë në shqyrtim dhe vlerësuar lart nën vëzhgimin kritik të Thanas Gjikës, si një vepër e cila merr përsipër të thotë të vërtetën, të zbulojë por edhe të portretizojë njerëz të zakonshëm e të jashtëzakonshëm, nga veçoritë e karakterit e të dijes së tyre, por të gjithë të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e fatit të tyre nën diktaturë, nga ajo çka përfaqësuan dhe ajo çka mbrojtën. Fatet e Qemal Draçinit, Hamdi Gjonit dhe Bego Gjonzenelit, Preng Kaçinarit, Qazim Danit dhe Atë Ciprian Nikajt, por edhe njerëzve të tjerë janë vlerësuar si shkrime që sjellin dhimbjen përmes një lirizmi karakteristik e stilit vetanak të Sami Repishtit.

Nën gjykimin e kësaj kritike pozitiviste dhe humaniste janë gjithashtu edhe mendimet për romanet “Rrugëtim me Psherëtima” të Makinsen Bungos dhe veprën autobiografike “Jetë në Diktaturë” të Hasan Kostrecit. Nën këtë gjykim pozitivist është edhe fati i familjes Kulla e dhënë nëpërmjet analizës së veprës historike “Jo të gjithë të vdekurit prehen në paqe” të Pëllumb Kullës. Në analizat e profesor Gjikës zbulimi i një humanizmi që kjo letërsi bart është pjesë e rëndësishme e vlerës së tyre dhe po ashtu humanizues dhe dinjitoz duhet të jetë trajtimi që pjesa tjetër e shkrimtarëve, duhet t’u bëjnë politikës dhe popullatës që ishte fajtore sepse u përpoq me sa mundi të zbulonte të vërtetën apo ta mbronte atë.

Nëpërmjet analizave të këtyre shkrimeve të gjinive të ndryshme letrare, shumica të pabotuara në kohën kur u shkruan, të njohura me emrin “letërsi sirtari”, na krijohet një imazh më i plotë dhe më i saktë për letërsinë shqipe, imazh që deri tani ka munguar për shkak të zbulimit rastësor dhe pjesor të tyre, në kohë dhe vende të ndryshme, nga shtëpi botuese të ndryshme dhe pa një kriter përzgjedhës, fakt që e nënvizon Thanas Gjika në analizat e tij. Disa pyetje të tjera mund të shtrohen për zgjidhje duke marrë shkas nga shkrimet për këta autorë, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me çështje të historisë së letërsisë. A është dinjitoze ta quajmë këtë letërsi thjesht “letërsi sirtari” sikur ajo thjesht të mos ishte e botuar nga harresa apo nga pasiguria e shkrimtarit për vlerat e saj? Si duhet kategorizuar nga pikëpamja kohore kjo letërsi, si letërsi e kohës kur u shkrua, apo e kohës kur u botua? Sepse komunikimi me lexuesin nuk ka qenë normal si për pjesën tjetër të letërsisë. A duhet trajtuar kjo lloj letërsie si një “qark letrar” (po të përdorim një term të Profesor Eqrem Çabejt) duke i dhënë kështu një rëndësi më të madhe trajtimit të saj historiografik letrar si një letërsi më e plotë? A duhet që të mënjanohen shkrimtarë më minorë të kësaj letërsie dhe të trajtohen vetëm shkrimtarë që i përkasin kësaj letërsie, por me vlera të spikatura, siç mund të ishte rasti i dallueshëm i shkrimtarëve Martin Camaj, apo Visar Zhiti? Afërsisht kështu u veprua nga kritika pas viteve nëntëdhjetë e cila ngurron të shkruajë për fenomene të reja, por shkruan për fenomene të sigurta letrare. Edhe një sërë çështjesh të tjera të vlefshme burojnë nga analizat e Thanas Gjikës mbi këtë lloj letërsie.

Një shkrim kritik me një opinion vetanak të autorit është edhe shkrimi vlerësues për romanin “Doktor Gjilpëra…” një nga pjesët më të rëndësishme të veprës së Konicës, po ashtu të letërsisë shqipe në kohën e fillimit të modernizimit të saj. Profesor Gjika e quan që në titull Romani i parë realist i letërsisë shqipe dhe pas një analize kuptimplote e vlerëson kësisoj: “Doktor Gjilpëra… është një roman realist satirik me problematikë shoqërore.”

Në shkrimin tjetër që pason po për këtë figurë të ndritur të letërsisë dhe kulturës shqiptare të titulluar “Roli i Faik Konicës në gazetarinë dhe letërsinë shqiptare” ai shpreh mendimin e patundur se koleksioni i revistës Albania përbën kryeveprën, veprën më monumentale të Faik Konicës. Dhe a nuk fillon aty kritika letrare dhe kritika sociale, gjuhësia dhe gazetaria informative? A nuk fillon aty eseja dhe proza poetike? A nuk fillon aty pluralizmi i ideve dhe kërkesa për një unitarizëm kombëtar thellësisht perëndimor? Këto shkrime me karakter kritik e vlerësues, me gjithë gjerësinë e trajtimit të tyre, pasohen edhe nga dy shkrime për rolin e Fan Nolit në publicistikën shqiptare të titulluar “Për stilin dhe individualitetin publicistik të Fan Nolit” dhe “Mendimet ekumenike të Imzot Nolit janë aktuale edhe sot”. Nga letërsia fare natyrshëm profesor Gjika hidhet në politologjinë dhe kulturologjinë shqiptare, nisur nga mendimet e një dijetari, kulturologu dhe politologu siç është rasti i Imzot Fan Nolit në këtë analizë, të krijojë edhe mendimin e vet mbështetur në truall të shenjtëruar si ai që krijon Noli dhe Konica. Mendimi i cituar prej autorit të librit dhe i artikuluar prej Imzot Nolit është gati një postulat politik e kulturor: “Të mos ndryshojmë gjë prej gjëje: vetëm të krejmë krerë fetarë me ndërgjegje. Kjo është më e mira udhë për të prurë bashkimin, se programi i ndryshimeve të rea në fetë do të jetë prishja jonë e përgjithshme.”

Në tekstet që të zgjojnë interesim mjaft të madh nga ky libër do të veçoja edhe portretet filologjike të disa autorëve të cilët me punën e tyre e kanë zgjeruar spektrin e vlerësimit personal, por edhe spektrin e vlerësimit të botës letrare në përgjithësi puna e vëllimshme e të cilëve duhet vlerësuar pa dyshim. Mbase ndër tekstet më impresionuese të gjithë këtij vëllimi është portreti filologjik, por jo vetëm filologjik, por edhe diplomatik i Fotaq Andreas, një njeri që ka marrë përsipër të shpalosë botën frankofone para lexuesit shqiptar, të zbulojë dhe marrëdhëniet e kësaj bote me botën shqiptare. Profesor Gjika e trajton këtë figurë letrare në disa dimensione, si përkthyes, si diplomat i shtetit shqiptar, si eseist dhe antologjist, si studiues arkivash dhe si një nga Konicologët më të përkushtuar dhe të dalluar. Ka lindur kështu bërthama e një biografie të ardhshme për përkthyesin, studiuesin, antologjistin, hulumtuesin e politikanin Fotaq Andrea. Të tjera vepra të ngjashme, bërthama monografish të ardhshme, janë dhe esetë kushtuar  historianit Ilia Karanxha, analistit Eugjen Merlika, poetit e piktorit të bugjeve Lek Pervizit botues i revistës “Kuq e Zi”, komunistit të zhgënjyer Thanas I. Qeleshi, ish-ballistit Sejfi Protopapa, etj. I. Karanxha ndriçohet si studiues i humanistëve shqiptarë dhe njëheresh pararojës së Rilindjes Shqiptare, si Beçikemi alias Barleti, Tomeu, Vitali, apo Dora D’Istria.

Portrete me penelata të gjera, portrete shumë ekspresive janë edhe ato kushtuar Lek Previzit dhe Eugjen Merlikës që shpalosin një botë intelektuale e cila njihet pak prej lexuesit shqiptar. E zhvilluar kryesisht në mërgim ajo njihet pjesërisht dhe shkakton befasi tek lexuesi, shkakton kërshëri dhe zgjon interesin për të zbuluar më shumë për krijimtarinë e këtyre autorëve të mbetur në hije. Shumë impresionues është edhe portreti filologjik i përkthyesit të “Biblës” Vladimir Dervishi. Një vazhdues i denjë i traditës së Shën Jeronimit të Ilirisë, Gjon Buzukut, Vangjel Meksit dhe Grigor Gjirokastritit, si dhe i traditës jashtzakonisht pikante të Kostandin Kristoforidhit.

Përmes portreteve humane autori analizon fenomene shqiptare të botës së djeshme komuniste dhe botës së sotme tranzicionale dhe kaotike, ku me guxim intelektual ofron zgjidhje ose ide për zgjidhje për të rivendosur hierarkinë e vlerave të munguara qofshin intelektuale, politike apo letrare.

Një vlerë që i jep ngrohtësi librit janë edhe kujtimet për njerëz të njohur të botës shkencore shqiptare. Veçojmë kujtimet për Profesorin e nderuar Eqrem Çabej apo intelektualë të jerm nga Kosova, si Rexhep Qosja, Agim Vinca, Engjëll Sedaj e të tjerë.

Lashë pa përmendur edhe shumë analiza të tjera, kontribute intelektuale, letra të hapura, mendime analitike siç mund të jenë ato politologjike që kanë të bëjnë me botën gjermane dhe nevojën për zhvillim të vendit tonë në po atë shembull e të tjera, apo refleksionet që autori bën, nisur nga disa fakte jetësore, për ata që në kohën e diktaturës ndëshkuan të tjerët dhe nuk e ndjenë e as e ndjejnë si nevojë të ripërtëritjes së shpirtit të tyre, po as si detyrë humane që të kërkojnë falje e të bëjnë një ndjesë publike mbi të shkuarën e tyre të errët. Lashë edhe ndonjë autor pa përmendur sepse trajtimet në këtë libër voluminoz, ku ngërthehet lëndë e tre librave bashkë, janë të shumta. Por do të doja të falënderoja autorin më së shumti për punën e kujdesshme filologjike dhe analizat e mirëfillta që i përkasin botës së letërsisë. Më kujton ndonjëherë ky libër një punë analitike të Mitrush Kutelit të quajtur “Viti letrar 1943”. I keqkuptuar së shumti nuk ju dha asnjëherë vlerësimi si një përpjekje për ta institucionalizuar punën e kritikës letrare, për ta bërë atë një instrument shkencor. Ky libër më zgjon idenë që autori kërkon të ndjekë këtë vazhdë. Si profesionist, si intelektual me një ide të madhe në mes që është padyshim në kërkim të një humanizmi të ri për rigjenerimin e mendësisë së popullit tonë.”

Më tej iu dha fjala pedagogut tjetër të letërsisë të Universitetit “Fan Noli”, poetit e prozatorit Dr. Eris Rusi, i cili u ndal kryesisht në vlerësimin që studiuesi Gjika i ka bërë veprës “Ferri i çarrë” të Visar Zhitit. Për të mos e bërë të mërzitshme e të lodhëshme këtë kronikë, fjalën e Dr. Rusit po e dërgojmë tek gazeta “Illyria”.

U kalua pastaj në promovimin e veprës “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut”, vepër e cila është vlerësuar dhe prej studiuesish amerikanë si Dr. Norman Wendth, prof. R. Dean Davis, akademikut Jorgo Bulo, etj. Peshkopi Joan Pelushi, Metropolit  i Korçës, në pamundësi që të vinte vetë kishte dërguar At Spiro Katundin, i cili dha përshtypjet shumë të mira të Mertopolitit për biografinë kushtuar Shën Palit.

“Kjo biografi pasuron në mënyrë të ndjeshme jetën dhe veprën e Apostullit Pavël, i cili solli fjalën e Jezu Krishtit, besimin e ri, qytetërimin e ri të krishter në trojet tona, tha At Katundi dhe vijoi, mbas këtij studimi, biografët që do të merren me jetën e këtij shenjtori do t’i referohen këtij studimi si një burim i dorës së parë për veprimtasrinë e tij në trojet ilire.”

Në këtë promovim, kishte ardhur nga Berati mësuesi në pension Çlirim Mukli, një ish-bashkëstudenti i profesor Gjikës në Fakultetin Histori Filologji gjatë viteve 1962-1966. Ai tha se mbasi e kishte lexuar me shumë vëmendje biografinë kushtuar Shën Palit, ishte nxitur të gjente ndonjë gjurmë të kalimit të këtij shenjtori nëpër Berat, mbasi përmendja në këtë vepër e kalimit të tij, nga Durrësi në Backë të Skraparit, në Përmet e pastaj në Butrint, e le të hapur mundësinë e kalimit edhe nëpër Berat, një qytet i lulëzuar në atë kohë, i njohur me merin Antipatrea. Z. Mukli theksoi: “Mitropoliti i Beratit, Anthim Aleksudhi, më 1868, botoi në Korfus “Syntomos istoriki perigrafi tis ieras Mitropolias Belegradhon” (Përshkrim i shkurtër historik i Belegradonit [kupto Beratit]. Ndër të rjera, në faqen 115, ai shkruan: “Në vitin 64 pas Krishtit, Kryemësuesi, i shenjti Pavël dhe shoqëruesit e tij… predikuan çështjen e kishës dhe të Ungjillit të Shenjtë, duke kaluar nga krahinat e Greqisë nëpër të gjithë Ilirinë, pra edhe në Antipatrea”.

Po ashtu në librin “Leksiku i kulturës popullore shqiptare”, botuar nga “Skanderbeg books” 2005, Robert Elsie shkruan për Shën Palin: “. . . E kremtja, bashkë me atë të Shën Pjetrit, i bie më 29 qershor me kalendarin perëndimor dhe më 12 korrik me kalendarin julian ose lindor. Dita e Shën Palit kremtohej në Mirditë, pa dyshim falë

kishës që mban emrin e tij në Blinisht, ku fiset mirditore mblidheshin në kuvend.

Kisha të tjera kushtuar Shën Palit ka pasur në Shupal – domethënë Shën Pal i Tiranës; në

Pult – Shkodër, e vitit 1348; abaci të Shkodrës – Pukë; Peshqesh – Mirditë; Qelzë –

Pukë; dhe Kabash – Pukë.”

Kështu, e mbylli fjalën e tij z. Mukli, mendoj se në të ardhmen kur autori të ketë bërë kërkime të mëtejshme, mund të bëjë një botim të ri të kësaj vepre, ku të saktësojë dhe të përvijojë edhe në hartën e tij vajtjen e Shën Palit në Berat, si dhe në disa fshatra të tjera në Shqipërinë veriore, krahas vendeve që ai ka përmendur.”

Mbas z. Mukli folën edhe disa qytetarë si profesor Ilia Tili, etj. Ky mbasi e përgëzoi autorin e këtyre dy veprave, vuri në dukje disa tipare të ish-gjimnazistit Thanas Gjika, kur e kishte pasur nxënës dhe kishte vënë re se ai shquhej për këmbënguljen për të arritur tek e vërteta, për ndershmërinë dhe dashurinë ndaj shokëve e qytetarëve të ndryshëm.

Në fund u ngrit profesor Gjika, i cili falenderoi rektorin e Universitetit “Fan Noli”, prof. Ali Jasharin për krijimin e kësaj ceremonie të frutshme, e cila për nga niveli shkencor ishte e njëjtë me promovimet që ai kishte bërë në Tiranë për librat e tjerë ”Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” (2007) dhe “Mihal Grameno jeta dhe vepra” (2012),  në prani të kolegëve të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe Institutit të Historisë. Ai tha se Universiteti “Fan Noli” me pedagogë të përgatitur kaq mirë, si zotërinjtë Naço dhe Rusi,  ka një të ardhme pedagogjike e shkencore që do ta kenë zili shumë universitete të vendit. Leximi i librit tim voluminoz dhe përgatitja e recensioneve kaq profesionalë prej këtyre dy kolegëve brenda një kohe prej vetëm 10-11 ditësh, tregon se ky kuadër pedagogjik është shumë më i përgatitur nga ana shkencore se sa isdhim ne në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në vitet 1970-1996, kur punoja unë atje.

Përgëzime dhe ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe dëgjimin e vëmendshëm.

1-shen-pali

Filed Under: LETERSI Tagged With: fan noli, ne Universitetin, promovim, Thanas Gjika

NJE KATEDER PER STUDIME SHQIPTARE NE UNIVERSITETIN E TEKSASIT

December 16, 2015 by dgreca

AUSTIN TX: Udhëheqja e komunitetit  Shqiptaro-Amerikan në Dallas- Teksas, nga shoqata ” Albanian American Heritage Center of Texas” njofton në rrjetin social facebook, se u takua me zyrtarë të Universitetit të Teksasit në Austin, si thonë ata për të filluar procesin e krijimit të katedrës së studimeve shqiptare me universitetin UT.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe një veprimtar i dalluar i komunitetit shqiptar në SHBA – Nazar Mehmeti, biznesmen i suksesshëm – President i Unionit Global i Biznesmenëve Shqiptare në Botë,
  Kështu sipas tyre hapja e katedres së studimeve shqiptare me universitetin UT, do të nisi me “përpjekjet për mbledhjen e fondeve dhe detajet Endowment, që do të pasojnë së shpejti” shkruajn ata në statusin e tyre në rrjetin social .
Në postimin e tyre në rrjetin social facebook nga shoqata ” Albanian American Heritage Center of Texas” , nuk mungojnë falënderimet të drejtuara për lidershipin e këtij komuniteti, siç është; Nazar “Nick” Mehmeti, Doc Vranici, Kreshnik Bishani dhe Gëzim Rushiti, të cilët kishin udhëtuar deri në Austin që të takohen me zyrtarë të universitetit UT, për të gjetur mënyrat e hapjes së katedres së studimeve shqiptare në këtë universitet prestigjoz në SHBA.
“Ne gjithashtu thotë shoqata ” Albanian American Heritage Center of Texas” , falënderojmë Mary Neuburger, Dirctor për Evropën Juglindore dhe Studime Euroaziatike, në UT, professor Stacy Clark, Drejtor i Zhvillimit dhe Agnes Sekowski, Koordinatore dhe Assitante “.
 Ata kan një falenderim të veçantë për Besmir Hoxha për fillimin e takimit të djeshëm, thuhet në njoftim./B.SINA/

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: e Texasit, Kateder per studime shqiptare, ne Universitetin

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT