• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËNË TEREZA NË NJË SHKOLLË AMERIKANE NË NJU JORK

September 7, 2016 by dgreca

” MEGJITHATË” …./

1-ilir-harshova-600x400NGA ILIR HASHORVA/

… Kur takohesh me Nënë Terezën, nuk mund të mos ndiesh inferioritet-  Indira Gandi/

Këtu e trembëdhjetë vjet të shkuara, pata bërë shkrimin e mëposhtëm për Nënë Terezën i cili, duke parë drejtimin e shtrembër moral që ka marrë shoqëria jonë sot, më duket më aktual se atëherë.Ne ceremoninë që u zhvillua në shkollën  e mesme “Teodor Ruzvelt” në Jankes, në Nju Jork, me rastin e mbarimit të vitit shkollor në vitin 2002, shkollë prej së cilës mbaroi  vajza ime, mora pjesë edhe unë si prind. Gjatë asaj ceremonie, e cila u zhvillua e bukur dhe serioze, diku nga mesi i programit, një prej drejtueseve, pasi thirri një nxënëse në skenë, filloi të recitonte: “Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë”, dhe nxënësja, e thirrur pranë saj, vazhdoi: “Ji i ndershëm dhe i sinqertë, megjithatë”. “Të kujt janë këto mendime?”, pyeti drejtuesja. “të Nënë Terezës” iu përgjigj nxënësja. “Pa dyshim”, tha drejtuesja. Dhe, më pas, ato, së bashku, recituan të gjithë poemën e shkurtër të Nënë Terezës, “MEGJITHATË” e cila u duartrokit nxehtësisht. Poema ishte vërtet  një koncentrat mendimi e urtësie i shkallës më të lartë. Ajo përmblidhej në tetë rreshta dhe kishte të bënte me sjelljen e njeriut të mirë në një botë të keqe.

Nuk e kisha dëgjuar më parë atë poemë, ndonëse dija vargje të tjera të ngjashme, apo gjerdane maksimash, po të Nënë Terezës, me titull “JETA” dhe që në Tiranë i kisha vendosur në xhamin e bibliotekës sime të punës.

Pasi  dëgjova atë mbasdite poemën e Nënë Terezës, u interesova të mësoja diçka më shumë për të. Dhe ja se çfarë mësova:

Origjinën ato vargje duhet ta kenë nga feja e lashtë indiane Xhain, e cila është një fe, ndonëse jo shumë e përhapur (për shkak të rregullave shumë të forta që i imponon besimtarit), me parime shumë interesante, ndërmjet të cilave edhe parimin e  Ahimsa-s, që do të thotë “pa dhunë”, dhe që ka frymëzuar lëvizje të mëdha botërore të shekullit që lamë pas, duke përfshirë atë të Gandit në Indi dhe të Martin Luter Kingut në Amerikë. Në citatet që jepen për të njëjtin subjekt nga ajo fe, përveç vargjeve të ngjashme me ato që përmbahen në poemën e Nënë Terezës, janë edhe  dy vargje të tjera që nuk ndodhen në thëniet e saj. Ato janë: ” Njeriu më i lartë me idetë më të shquara, goditet nga njeriu më i ulët me idetë më të errëta – Përpiqu të bëhesh i lartë, megjithatë” si dhe  “Në qoftë se mendon ndryshe, mund të kritikohesh nga të tjerët – Përpiqu të mendosh ndryshe, megjithatë”. Mundësinë  më të madhe të prejardhjes ato vargje duket se e kanë pikërisht nga kjo fe, por Nënë Tereza u dha atyre një përhapje dhe njohje universale.

Në vitin 1966 një nga udhëheqësit kryesor të studentëve amerikanë, Kent Keith, shkroi një pamflet për udhëheqës të tjerë të studentëve të asaj kohe të cilin e quajti “Revolucioni i qetë”. Në këtë pamflet u paraqitën disa maksima që u quajtën  “Urdhëresa paradoksale “. Janë gati të njëjta me ato të Nënë Terezës. Në vitin 2001 ato u riparaqitën në librin e tij “Urdhëresa paradoksale: të gjeturit e kuptimit personal në një botë të çmendur “. Në këtë libër tetë mendime janë si të Nënë Terezës, një është personal dhe një është si ai i fesë Xhain.

Fillimisht Nënë Tereza ato vargje i kishte vendosur në një mur të shtëpisë së të vegjëlve jetimë, Shishu Bhaven, në Kalkuta, por sot ato vargje gjenden të vendosura kudo nëpër botë: në mure, në zyra, në dyer frigoriferi, në dollapë, kudo. Ndikimi i tyre në edukimin moral të njerëzve, duket se është shumë i fuqishëm. Uein Daier (Waine Dyer) i quan ato vargje ” “Plani me tetë pika për dendotizim” i Nënë Terezës.

Më poshtë është poemthi i Nënë Terezës, “MEGJITHATË`”

MEGJITHATË

 Njerëzit janë të paarsyeshëm, të palogjikë dhe egoistë                                                

Duai ata, MEGJITHATË

 Kur bën mirë, të tjerët të akuzojnë se nise nga egoizmi                                                              Bëj mirë, MEGJITHATË                                                                                           Në sukses fiton miq të rremë dhe armiq të vërtetë                                               

Përparo, MEGJITHATË

Të mirën që bën sot, do të ta harrojnë nesër

Bëj mirë, MEGJITHATË 

Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë

Ji i ndershëm dhe i sinqertë, MEGJITHATË

 Atë që ndërton me vite, mund të ta shkatërrojnë brenda natës

Ndërto, MEGJITHATË 

Njerëzit duan ndihmë, por mund të të godasin, po t’i ndihmosh

Ndihmoi njerëzit, MEGJITHATË

Jepi botës më të mirën që ke dhe ajo do të të thyejë dhëmbët

Jepi botës më të mirën që ke, MEGJITHATË

Nuk duhet që Nënë Tereza të na shërbejë vetëm si një zbukurim të cilin e demonstrojmë sa herë që duam t’u tregojmë të huajve se ajo është jona. Ajo duhet bërë pjesë e kulturës dhe shpirtit tonë. Nuk mjafton  të shqetësohemi, kur nga indiferenca jonë, Nënë Terezën na i marrin të tjerët. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur harrojmë t’i përkujtojmë asaj ditëlindjen apo përvjetorin e vdekjes. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur kujtohemi që asaj nuk i është ngritur një bust a një përmendore për të qenë, ashtu siç e meriton, në atdheun e saj, në Shqipëri, pikërisht sepse ai vend u tregua aq i padrejtë dhe aq mizor ndaj saj.

Nuk di nëse mendimet e Nënë Terezës, apo moralistëve dhe humanistëve të tjerë të ngjashëm me të, mësohen apo jo në shkollat tona, por, në qoftë se nuk mësohen, apo nuk mësohen siç duhet, aty duhen kërkuar edhe rrënjët e një pjese të shkaqeve të gjendjes së mjeruar morale të popullit tonë sot.

            Nënë Tereza dhe moralistët dhe humanistët e tjerë, të cilët nuk janë vetëm shpirtra të mëdhenj, por edhe mendje të ndritura, duhen futur urgjentisht kudo: në kopshte fëmijësh, në shkolla, në universitete, në spitale, në burgje, në gjykata, në politikë, në pushtet, në ministri, në kryeministri e kudo. Dhe, po të bëhet kjo, me siguri Shqipëria do të ndryshojë dhe do të ndryshojë për mirë; po qe se s’bëhet kjo, të tjerat janë formalitete të karakterit hipokrit. 

Nju Jork, korrik 2003                                     

Ilir Hashorva

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Ilir Harshova, Megjithate, Nene Tereza, Nju Jork, shkolle amerikane

SHQIPTARO-AMERIKANET E WASHINGTONIT NDERUAN NENEN TEREZE

September 5, 2016 by dgreca

 

2 medalioni N terezes                                                                                                                                             Kisha Katolike shpalli shenjtore Nene Terezen te dielen me 4 Shtator.

3 nena tereze
Gonxhja shqiptare qe rembeu vemendjen e botes por jo te Shqiperise per dekada  të tëra , ka ndryshuar boten. Nisur nga dashuria per Zotin ajo iu sherbeu te varferve te me te varferve, duke u kujdesur per këdo që kishte  afër. Urdheri qe ajo themeloi “Misionaret e Dashurise ” vazhdon te jete sot I forte dhe terheqes me rreth 4500 Motra kontemplative dhe aktive duke ju sherbyer me nevojtareve dhe duke sherbyer me buzëweshje, pa u ankuar e pa u lodhur!
Per te nderuar vepren e Nene Terezes dhe per të  festuar 5 Shtatorin,  Diten e festês së Shenjtores Shqiptare,  ky komunitet I misionareve te saj ne Uashington DC mbajti nje Meshe ne mengjesin e SE Shtuned me 3 Shtator dhe pastaj iu sherbye ushqim e iu be shoqeri te pastreheve dhe nevojtareve te tjere ne kete  zone. Shume
Shqiptaro Amerikane ne Uashington DC, brenda nje kohe te shkurter, u organizuan dhe  iu bashkangjiten ketyre aktiviteteve  per te nderuar motren e gjakut Shenjtoren Tereza te Kalkutes me rastin e shenjterimit.
Merrnin pjese gjithashtu  Ambasadorja e Kosoves be DC Vlora Çitaku, diplomatet shqiptare Mamica Toska, Daniela Nesho, Atasheu policor Artan Didi , Diplomatet Frymezim Isufaj  dhe Ron Kryeziu .
Shqiptaret bene dhurata financiare dhe materiale per qendren e murgeshave per to ndihmuar ato sadopak ne misionin e tyre qe eshte vazhdim I asaj qe filloi Nene Tereza.
Ishte bukur te shihje bashkeatfhetare te çdo Moshe dhe deshire mire per te ndihmuar.  Ngjyrat kuqezi dukeshin qarte dhe buzeqeshja ne fytyrat e çdo kujt ishte teper e dukshme. Nënë Tereza, shenjtorja shqiptare, lutu per ne!  Gezuar Festen ! U befte Festen kombetare Dita e Nene Terezes!
Korrespondenti i Diellit

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: nderim, Nene Tereza, Shqiptaret e Washingtonit

Papa: Nënë Tereza është Shenjte

September 4, 2016 by dgreca

Papa Françesku: Homelia e Meshës për Shenjtërimin e Nënë Terezës në Sheshin e Vatikanit, 4 shtator 2016 (tekst i plotë).

“E kush mund ta përfytyrojë se çka do Zoti? (Ur. 9,13). Kjo pyetje nga Libri i Urtisë, që e dëgjuam në leximin e parë, na e paraqet jetën tonë si mister, çelësin e shpjegimit të të cilit nuk e kemi ne. Protagonistët e historisë janë gjithnjë dy: Zoti në njerën anë, njeriu, në tjetrën. Detyra jonë është ta perceptojmë  thirrjen e Zotit e, më pas, ta pranojmë vullnetin e tij. Por, për ta pranuar pa ngurrim, duhet të pyesim: Cili është vullneti i Zotit në jetën time?

Në të njëjtin fragment të Librit të Urtisë, gjejmë edhe përgjigjen: “Vetëm kështu njerëzit mësuan çfarë të pëlqen”(v 18). Për ta vërtetuar thirrjen e Zotit, duhet të pyesim e të kuptojmë ç’i pëlqen Atij. Shpesh herë profetët kumtojnë ç’i pëlqen Zotit. Mesazhi i tyre përmblidhet mrekullisht në shprehjen: “Mëshirë dua, jo fli!”(Os.6,6); Mt 9,13). Zotit i pëlqen çdo vepër mëshire, sepse në vllain, që ndihmojmë, shikojmë fytyrën e Zotit, që nuk mund ta shikojë askush (cfr Gjn 1,18). Sa herë përkulemi mbi vëllezërit nevojtarë, i japim të hajë e të pijë vetë Jezusit: e veshim, e ndihmojmë, e vizitojmë Birin e Zotit (krh Mt 25,40).

Jemi, prandaj, të thirrur ta jetojmë konkretisht, atë që themi në lutje e që e shpallim në fe. Nuk ka rrugë tjetër, përveç dashurisë së krishterë: gjithsa vihen në shërbim të vëllezërve, edhe pa e ditur, janë ata që e duan Zotin (khr 1 Gjn 3,16-18; Gc 2,14-18). Jeta e krishterë, gjithsesi, nuk është ndihmë e thjeshtë, që jepet në çastin e nevojës. Po të ishte kështu, do të qe sigurisht një ndjenjë solidariteti njerëzor, që sjell dobi të menjëhershme, por do të ishte shterpë, sepse pa rrënjë. Angazhimi që kërkon Zoti, përkundrazi, është ai i thirrjes për atë bamirësi, me të cilën çdo dishepull i Krishtit vë në shërbim jetën e vet, për t’u rritur çdo ditë në dashuri.

Dëgjuam në Ungjill se “një turmë e shumënumërt shkonte me Jezusin” (Lk 14,25), Sot, kjo “turmë e shumënumërt” përfaqësohet  nga bota e gjerë e vullnetariatit, që u mblodh tani këtu, me rastin e Jubileut të Mëshirës. Jeni ju, kjo turmë, që ndjek pas Mësuesin dhe e bën të dukshme dashurinë e Tij konkrete për çdo njeri. Po jua përsëris fjalët e Shën Palit Apostull: “Dashuria jote ka qenë për mua gëzim i madh dhe ngushëllim, sepse i ke përforcuar zërat e shenjtorëve”(Fm 7). Sa zemra ngushëllojnë vullnetarët! Sa duar ndihmojnë; sa lot terin; sa dashuri ka në shërbimin  e fshehur, të përvuajtur, pa pikën e interesit! Ky shërbim i lavdërueshëm i jep zë fesë e shpreh mëshirën e Atit, që bëhet i afërt me të gjithë nevojtarët.

Ndjekja e Krishtit është angazhim serioz e njëkohësisht, i gëzueshëm; kërkon radikalitet e guxim për ta njohur Mësuesin Hyjnor në më të varfërin e për t’u vënë në shërbim të Tij. Prandaj vullentarët, që u shërbejnë të fundmëve e nevojtarëve për dashuri të Krishtit, nuk presin kurrfarë falënderimi, kurrfarë shpërblimi, por heqin dorë nga të gjitha këto, sepse kanë zbuluar dashurinë e vërtetë. Ashtu si Zoti erdhi tek unë e u përkul mbi mua në çastin e nevojës, ashtu edhe unë shkoj tek Ai e përkulem mbi ata, që e kanë humbur fenë ose jetojnë sikur të mos kishte Zot, mbi të rinjtë pa vlera e ideale, mbi familjet në krizë, mbi të sëmurët, mbi të burgosurit, mbi refugjatët, mbi emigrantët, mbi të ligshtit e të pambrojturit   në korp e në shpirt, mbi të miturit e të lënët në mëshirën e vetvetes, ashtu si mbi pleqtë e braktisur. Kudo shtrihet një dorë, që kërkon ndihmë për t’u ngritur përsëri në këmbë, atje duhet të jetë edhe prania jonë e prania e Kishës, që mbështet e jep shpresë!

Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse  e mëshirës hyjnore, duke qenë gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e  të flakur tutje.  U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

Misioni i saj në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër. Sot po ia dorëzoj këtë figurë simbolike gruaje e rregulltareje mbarë botës së vullnetariatit; le të jetë Ajo modeli juaj i shenjtërisë! Mendoj se ndoshta do ta kemi pakëz vështirë ta quajmë Shën Tereza. Shenjtëria e saj është aq pranë nesh, aq e dhembshur dhe e frytshme, sa, vetvetiu do të vijojmë ta quajmë Nënë Tereza! Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”. Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë. Do të hapim, kështu, horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri!

Filed Under: Featured Tagged With: është Shenjte, Nene Tereza, Papa francesku

Vatikan- Mbahet koncerti madhështor për shenjtërimin e Nënë Terezës

September 3, 2016 by dgreca

Një koncert madhështor kushtuar Nënë Terezës u mbajt në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”, në Vatikan, ku interpretuan artistët shqiptarë më të njohur në mbarë botën./

14232528_10210502962511713_6482269064814133008_n

14184391_10210502965991800_5084377445089911419_nVatikani është shndërruar në qendrën shqiptare kur ka mbledhur yjet më të rëndësishëm të trojeve tona dhe elitën politike në koncertin e madh në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”. Në vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë, njëkohësisht 19 vjetorit të shuarjes së saj.

14238073_1261063877277286_3773486603703097689_n

1472928288_foto12

1472928296_foto13

1472927800_foto7Në fjalën e tij hyrëse, imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës dha një historik poetik për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.
Rita Ora dhe Lorik Cana zgjodhën që përshëndetjen e parë për të pranishmit ta bëjnë në shqip, në gjuhën që ushtoi në Bazilikën e Shën Palit.
“Ave Maria” me zërin e magjishëm të Inva Mulës ishte mirëseardhja muzikore.  Baritoni Gëzim Myshketa interpretoi “Libera Me”.
Një ndërthurje mes muzikës dhe narracionit të vargjeve të murgeshës së të varfërve solli më pas Andi Bajgorën me vargjet “Take Time”. Virtuozi Shkëlzen Doli, solli në fillim tingujt “Meditation të Massenet”.
Në këtë festim të madh nuk mund të mungonte edhe “Buka e Engjëjve, Panis Angelicus nën zërin e Ramë Lahaj. Lum Veseli përcolli magji me narracionin e tij sërish në gjuhën shqipe të vetë vargjeve “Gjithmonë kam në zemër” të vetë Nënës Terezë.
Rita Ora ishte shndërruar. Në pamjen e një katolikeje në një ndër bazilikat më të bukura artistikisht, ajo interpretoi simbolin “What Child is this”. Nën orkestrimin e Shpëtim Saracit.
Producentja Dijana Toska ja doli të bënte bashkë më shumë shqiptarë se asnjëherë në selinë e shenjtë për një shenjtore.
Sërish, Inva Mula finalizon himnin e Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, me fjalët “Lamtumirë” që murgesha e të varfërve i shkroi në vitin 1928. Të ardhura nën kompozimin e Genc Tukiçit.
Kjo nuk ishte një lamtumirë, por një përkatësi më shumë, që Nënë Tereza, është e jona. Dhe kjo magji ishte e gjitha në Top Channel në transmetimin dhe mbështetjen mediatike.(Top Channel)

***

Në koncert eshte degjuar dhe duartrokitur edhe himni i Nënë Terezës “Valsi Hyjnor” me muzikë të Lorenc Antonit e me vargjet e poezisë “Lamtumirë” të shkruar nga Nënë Tereza gjatë udhëtimit të saj nga Irlanda në Kalkutë. Himni u këndua nga soprano Inva Mula e shoqëruar nga Filarmonia dhe kori i Kosovës me orkestrant nga Shqipëria e Maqedonia.

Pjesëmarrës në këtë aktivitetet ishin emra të njohur të muzikës botërore si këngëtarja me origjinë nga Kosova, Rita Ora, sopranot e famshme, Inva Mula, Ermonela Jaho etj. Zyrtarët thanë gjithashtu se presin që në koncert dhe në shenjtërimin e Nënë Terezës të ketë një numër të lartë shqiptarësh.

Ndërkohë, Këngëtarja Rita Ora ka kënduar së bashku me tenorin Saimir Pirgu këngën “What Child is This”. Nga ana tjetër, këngëtarja Ermonela Jaho ka kënduar  himin “Panis Angelicus” (Bukë për engjëjt), një liturgji e shkruar nga Shën Tomazo d’Aquino.Shenjtërimi – Mbahet në Vatikan koncerti për nder të Nënë Terezës

03/09/2016 – 19:09
 Koncerti u zhvillua në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”, ku interpretuan artistët më të njohur shqiptarë në botë. Ndërkohë, në koncert janë të pranishëm edhe krerët e lartë të shtetit shqiptarë, përkatësisht Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, etj. Fotot e vidiot kortezi Ora News TV…
***

Kosovë-Presidenti Thaçi në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan

Prishtinë, 3 Shtator 2016-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.
Për nder të humanistës shqiptare, sonte në Selinë e Shenjtë do të mbahet edhe koncerti “Himni i Nënës Terezë”, ku do të marrin pjesë artistë të njohur botërorë.
Ndër solistët e njohur që do të përformojnë në këtë koncert janë edhe dy artistet shqiptare, Rita Ora dhe Inva Mula. Kurse futbollisti shqiptar, Lorik Cana, do të recitojë poezinë e “Nënës Terezë”.
Ceremonia e shenjtërimit të Nënës Terezë do të mbahet nesër dhe pjesë e saj do të jenë rreth 100 mijë besimtarë, si dhe liderë e personalitete të shumta botërore.
Pas ceremonisë së shenjtërimit, presidenti Thaçi në mbrëmje do të jetë i pranishëm edhe në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë.
E dekoruar me çmimin Nobel për Paqe më 1979, Nënë Tereza u lumturua nga Papa Gjon Pali më 2003, pasi që Selia e Shenjtë kishte pranuar se falë ndërhyrjes së mbinatyrshme të saj, Nënë Tereza kishte shëruar një grua indiane.
Më 17 dhjetor 2015, Papa Françesku ia njohu Nënës Terezë edhe mrekullinë e dytë, gjegjësisht shërimin e jashtëzakonshëm të një të riu brazilian, që ka ndodhur më 9 dhjetor 2008.
Njohja e mrekullisë së dytë nga Selia e Shenjtë i hapi rrugë shenjtërimit të humanistes shqiptare.

14183802_590062131118913_8493284182656677439_n

Koncerti Vatikan

14224743_590062201118906_4232826722525859814_n

Koncerti Vatikan

14232424_590062217785571_6349931137230603281_n

Rita Ora gjatë koncertit në Vatikan

14237712_590062134452246_2474537058192935037_n

Koncerti Vatikan

14238325_590062307785562_2671857258431547725_n

Rita Ora gjatë koncertit në Vatikan

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: i Shenjterimit, Nene Tereza, Nis Koncerti

Një takim i paharrueshëm me Nënë Terezen

September 2, 2016 by dgreca

 

1 SinanKamberaj-NeneTereza2

SinanKamberaj-NeneTereza4

SinanKamberaj-NeneTereza3Një fytyrë që rrezaton fisnikëri…/

Nga Sinan Kamberaj/

Sapo hapem zyrat e Gazetës Illyria, ra telefoni. Misioni Shqiptar në OKB na njoftoi se pas një kërkese që i kishin parashtruar zonjat dhe fëmijët e personelit të këtij Misioni,  zyrës së Motrave Misionare, për një takim të shkurtër me Nënë Terezën në Bronx, kishte arritur pëlqimi për takimin. Redaksia jonë kishte nderin dhe privilegjin të merrte pjesë në takim, gjë që ishte një kënaqësi e vecantë, e paharrueshme.

Takimi, në fakt, e kishte një të metë: nuk mund të bënim intervistë me Nënë Terezën, sepse Ajo ishte e lodhur nga puna që kishte bërë gjatë qëndrimit disaditor në Amerikë. Marrëveshja, si e tillë, duhej respektuar.

Kush do ta refuzonte këtë shans, pavarësisht nga ky kufizim? Do ta takonim Nënë Terezën, do të bënim fotografi bashkë, do të këmbenim ca fjalë, fundja, do ta përshëndesnim dhe do t’i thoshim shqip atë që duhej thënë: Lutu për ne!

E po, a nuk ishte ky një rast i rrallë?

Takimi u zhvillua gati ashtu siÇ e imagjinuam. Në një Shtëpi (të vogël) Misionare në St. Rita Church në Bronx, po na priste një Nënë e Madhe: Gonxhe Bojaxhiu  – Nënë Tereza.

“Do ta takoni pas pak Nënë Terezën”, tha Jenny, një ndihmëse e saj, e cila na priti ngrohtësisht para hyrjes së Shtëpisë.

U ngjitem shkallëve në katin e parë dhe sakaq u shfaq Nënë Tereza.

“Mirë se vini! Zoti ju bekoftë!”, përshëndet mysafirët Nënë Tereza dhe ulet në një karrike, në një dhomë të mobiluar fare thjeshtë.

“Është një nder për ne që e kemi Nënë Terezën në mesin tonë, krenarinë e kombit shqiptar dhe të gjithë njerëzimit” filloi të fliste ambasadori Pëllumb Kulla. “Kjo, me të vërtetë është një ditë e veÇantë për ne, që Ju takojmë këtu”, iu drejtua ai Nënë Terezës.

Ajo falënderonte për fjalët e mira dhe uronte pa ndërprerë. Fytyra e Saj rrezatonte ngrohtësisht mirësi dhe fisnikëri. Për një Çast pata ndjesinë se fytyra e saj ishte një mishërim i të gjitha fytyrave të nënave shqiptare. Fytyra e saj është vërtet një fytyrë tipike  e nënave tona, e atyre plakave fisnike, të cilat, sa më shumë që u rëndojnë vitet mbi supe, fytyrat e tyre bëhen gjithnjë e më ëngjëllore, duke rrezatuar ngrohtësi e butësi qiellore.

Në këtë Çast ajo uroi në gjuhën shqipe: “Zoti e baftë mirë”!

(Sa fotografi të Saj i kam parë të varura në muret e shtëpive shqiptare në Kosovë, në muret e klasëve në shkolla, sa këngë janë kënduar për Të në kopshte e shkolla, sa vizatime me fytyrën e saj, me të hequra vijash të sigurta, nga duar fëmijësh, sa vargje në faqet e shtypit shqiptar: “Nënëz-o, Nënëz-o!…)

Gonxhe Bojaxhiu ka shkruar edhe vetë poezi. “Po lë shtëpinë zemërfanar/ Vendlindje e farefis/ Po vete n’Bengalin dergjevarë/ Atje në të largëtin vis”. (Nga poezia: “Lamtumirë”, shkruar më 9 dhjetor 1928, gjatë udhëtimit për në Indi).

Dora e ngrohtë e saj prek butësisht duart tona. Gishtërinjtë magjikë përkëdhelin flokët e butë të fëmijëve mysafirë. Ata e shikojnë me kurreshtje dhe dashuri dhe sakaq edhe ne të rriturit, më bëhet se bëhemi si ata. Unë, për veten time – po. Me vinte t’i pyesja fëmijët: Si e ndjeni vetën kur, në Çastet e Çapkënërisë, pas ndonjë sherri të vogël, nëna ua ngre veshin? Ju dhemb? Jo, jo, ju “djeg“ ëmbëlsisht, sepse gishtërinjët e  nënës janë magjikë?

Kthjellohem kur Nënë Tereza fillon të flasë, qetë-qetë. Nuk mund të mos e përfytyrosh gurgullimën e Vardarit të Shkupit. Tek lutet, Ajo palos cepin e veshjes së bardhë, me vija ngjyrëkaltër të  Çelët, ndërsa ti përfytyron shkumëzat e bardha të Lumbardhit të Prizrenit, pas përplasjes me shkëmbin.

“Ma kanë punuar të sëmurët leprozë shqiptarë”, thotë ajo në anglishte.

Tek zë ngoje Shqipërinë, padashur të shkon ndërmend se dy lumnej – njëri i trungut familjar Bojaxhiu, ndërsa tjetri – i fëmijërisë së Gonxhes, rrjedhin në dy drejtime të ndryshme dhe derdhen në dy dete, poashtu të ndryshme: Lumbardhi – në Adriatik, kurse Vardari – në Egje.

Familja Bojaxhiu është e shpërndarë në disa vende të botës. Është e sigurt se familja e saj rrjedh nga Prizreni; një pjesë jeton ende aty, një pjesë në Shkup. Dega shkon deri në Egjipt.

Gonxhja u lind në Shkup, më 27 gusht 1910, nga babai Kolë Bojaxhiu, një tregtar i madh e i ndershëm, patriot i flaktë, si dhe nga nëna Drane, një grua fisnike e bujare.

Njëri nga studiuesit e jetës dhe veprës së Nënë Terezës, Dom Lush Gjergji, duke iu referuar rrëfimeve të vëllait të Gonxhes, Lazrit, thotë se “shtëpia e Kolë Bojaxhiut ishte gjithmonë krahhapur, si për miqtë, ashtu edhe për të varfërit. Ajo ishte një Çerdhe politike, kulturore, ndërtimtare…”.

Dom Gjergji shpalos kujtimin e Nëne Terezës për të jatin e saj, Kolën.”Bija ime, mos e le asnjë kafshatë buke pa e ndarë me të tjerët…”.

Lorenc Antoni, tashmë i ndjerë, një kompozitor i njohur nga Prizreni, bashkëkohanik dhe farefis me Nënë Terezën, thoshte se më 20 gusht 1928, duke u kthyer nga Kisha Katolike Shqiptare e Letnicës së Vitisë së Kosovës, Gonxhja i kishte thënë në besë: “Kam vendosur para Zojës së Letnicës të shkoj në misione dhe t’i kushtohem tërësisht Zotit për shëlbimin e shpirtërave…”

Që nga viti 1948 Nënë Tereza jeton në Kalkutë të Indisë, midis njerëzve të uritur.

Ajo, edhe pse mban mbi supe 85 vjet, ngrihet lehtësisht. Flet kulluar “Edhe pse po i mbushi 85 vjet, ndjehem mirë, sepse të gjithë luten për mua”, na thotë ajo në anglishte.

“Presidenti (Berisha) më ka ftuar të shkoj të jetoj në Shqipëri”. “Nëse dikush dëshiron të të vizitojë apo të bisedojë me Ty, le të vijë në Shqipëri”, më tha ai, – shton Nënë Tereza, duke qeshur. “Ndoshta do ta dëgjoj sugjerimin e Presidentit”.

Nënë Tereza e kishte nënën, vëllain Lazër dhe një motër në Shqipëri. Regjimi komunist i Tiranës nuk e lejoi ta vizitonte as varrin e së ëmës, as varrin e së motrës, deri në gusht të vitit 1988. Ky akt do t’i ketë shkaktuar dhimbje Nënë Terezës, por jo edhe zhgënjim. Dhimbjet e bëjnë njeriun të fortë, por akoma më të fortë janë ata që kaliten me vuajtje e dhimbje në fëmijëri.

Babain e Gonxhe Bojaxhiut, Kolën e kishin helmuar serbët në Beograd, në vjeshtë të vitit 1918, pas një mbledhjeje të rëndësishme të Parlamentit, ku ishte diskutuar për Çështje shqiptare. Kola ishte përfshirë në debat, duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve si deputet i Shkupit.

Vdekja e Kolës kishte shkaktuar dhimbje të madhe në familjen e tij, por edhe në mesin e shqiptarëve të këtij qyteti. Ishin pikëlluar veÇanërisht varfanjakët e shumtë të qytetit, të cilët i kishte mbajtur gjallë ai. Kola u varros me nderime të mëdha nga bashkëqytetarët e tij, në varrezat katolike në Shkup. Pas tërmetit fatal që goditi Shkupin, në vitin 1963, eshtrat e Kolë Bojaxhiut u zhvarrosën, bashkë me eshtrat e shqiptarëve të tjerë dhe u rivarrosen në periferi të qytetit të Shkupit.

Vitet e fundit Nënë Tereza ka qenë shumë herë në Shqipëri. Herën e fundit ishte më 25 prill 1993, ku bashkë me Papa Gjon Palin mori pjesë në ceremoninë madheshtore të inaugurimit të Katedrales së Madhe në Shkodër.

***

Është koha ta lëmë të qetë Nënë Terezën. “Rrnofsh sa malet!”, i thotë kolegu im, Isufi. “Ju kujtohet kjo uratë shqip?”, shton ai. “Ma përsërit ngadalë!”, thotë Ajo. “O, po, po!”, përsërit duke buzëqeshur. “Na rrnofsh sa malet”, – i themi edhe ne. “Edhe Ju”, thotë Ajo.

Nënë Tereza na përcjell deri te dera. I përqafon fëmijët, i ledhaton. Na uron rrugë të mbarë.

***

Pas ndarjes, nuk mund te mos meditosh për takimin. Si është e mundur që një komb i vogël, si ne shqiptarët, – bukur i pafat gjatë historisë, – t’i jepë botës figura kaq të mëdha, si Nënë Tereza. Nobelistja e Paqes, tashmë është, jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e gjithë njerëzimit. Më 557 shtëpitë e saj në 126 vende të botës, Misionet e saj ndihmojnë qinda mijëra fëmijë e pleq, të vuajtur e të uritur, njerëz të sëmurë e të pastrehë. Nënë Tereza ka në Shqipëri tetë Shtëpi Bamirësie. Në Kosovë i ka dy Shtëpi të tilla.

“Në Kalkutë i kemi marrë nga rruga të gjithë njerëzit e uritur dhe të sëmurë, i kemi strehuar dhe nuk i kemi lënë të vdesin në rrugë”, reprodukoj në mendjë fjalët e sapothëna të Nënë Terezës në zyrën e Motrave Misionare në Bronx.

Në redaksinë e gazetës, nxjerr nga rafti një libër me kujtime të Nënë Terezës, të Dom Lush Gjergjit.

“Kemi qenë një familje e lumtur, plot hare e dashuri … Edhepse kam vijuar shkollën laike, së pari familja ime, e më vonë “Famullia e Zemrës së Krishtit”, më kanë dhënë një edukim të shëndoshë dhe të thellë fetar”, shkruan Dom Gjergji, t’i ketë thënë Nënë Tereza.

Ndërkaq, vëllau, Lazri e kujton të motrën: “Ishte vajzë normale, ndoshta pak e mbyllur… Qysh nga vitet e para të shkollës fillore hetohej talenti dhe shkathtësia e saj për mësim. Ishte nxënësja më e mirë në klasë, gjithnjë e gatshme për t’i ndihmuar të tjerët…”

Teksa filloj t’i shkruaj këto rradhë, më shfaqen para syve gishtërinjtë e këmbëve të Nënë Terezës, që dukeshin paksa të ndrydhur në sandalet e saj të grisura… Pastaj, gishtërinjtë magjikë të duarve që preknin faqet e skuqura të fëmijëve mysafirë, të këtyre vogëlushëve që u bënë sebep për këtë takim të paharrueshëm.

“Prej nga je Ti, vogëlush?”. “Nga Shqipëria”. “Po ti?”. “Nga Kosova”. “Zoti Ju bekoftë!”.

Ajo lutet për liri e paqe midis njerëzve. Atë do ta ketë bekuar Zoti, qëkur u lëshua në krahët e Tij. Ndaj, Ajo lutet edhe për të tjerët që t’i bekojë e t’i pranojë në Mbretërinë e Paqes së Përhershme.

“Nuk është popull i vogël ai që ka dhënë një Nënë kaq të Madhe”, ka thënë për Nënë Tërëzën kardinali i Kishës Katolike të Hungarisë, Paskal.

Ky reportazh eshte botuar ne gazeten shqiptare-amerikane “Illyria” nr. 411 (29 qershor – 1 korrik 1995) ne New York. Eshte ribotuar po ne kete gazete me 28 Nentor 20012.

NEW YORK, 28 qershor 1995

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Nene Tereza, Sinan Kamberaj, TAKIM I PAHARRUAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT