• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Triptik përjetimesh për Nënë Terezën

August 25, 2016 by dgreca

 

1 andon dedenga Andon Dede, Nju York/

1.Çdo fund gushti e fillim shtatori më kujton një përjetim jo të zakonshëm që do të dëshëroja ta ndaja me lexuesit, jo thjesht për të kënaqur një kuriozitet por dhe për të dhënë një mesazh.

Atë mbrëmje kishim për darkë dy miq dhe po bisedonim shtruar në tavolinë. Kur, papritur, transmetimet e televisionit ndërprtien, siç ndodh shpesh kur ka ndonjë ngjarje të rëndësishme: në aksidentin e Parisit, të transmetuar një ditë më parë, kishte mbetur e vdekur edhe Princesha Dajanë. U ndërprenë të gjitha emisionet e tjera, e gjithë media po merrej vetëm me këtë temë. Të krijohej përshtypja se ato mezi po e përballonin fluksin e jashtzakonshëm të lajmeve. I kushtuan shumë më tepër rëndësi nga sa mund ta kishim menduar.

Në bisedë e sipër u them të tjerëve, tek po shihnim kronikat e pandërprera: “Sikur po e tepërojnë ca, se ajo vërtet mund të ketë bërë shumë gjëra, po nuk është Nënë Tereza, de!? Nuk e marr dot me mënd se si do ta njoftojnë vdekjen e kësaj të fundit, me gjithë këto superlativa që po thonë për Dajanën…”

Kjo bisedë do të kishte kaluar si shumë të tjera, pa u kujtuar më për të sikur, pas disa ditësh, tek po pushoja në dhomë të gjumit, hyn ime shoqe e më thotë: “Vdiq Nënë Tereza!”.      Kërceva nga krevati për të ndjekur lajmet. Kujtova bisedën që bëmë para pak ditësh. Edhe për këtë ngjarje, të gjitha kanalet televizive, po jepnin kronikat e rastit. Kjo ndodhi edhe të nesërmen e vazhdoi për ditë me radhë. Por, për hir të së vërtetës, më duhet të them se princesha Dajanës iu kushtua shumë më tepër vëmendje. Kamerat zhvendoseshin herë pas here, prej Kalkute në Paris, buzë Senës, në tunelin e Pont d’Alma, ku kish ndodhur aksidenti i përgjakshëm. Emisionet e lajmeve fillonin shpesh me bukuroshen e vrarë dhe më pas vinte Nënë Teresa. Për më tepër flitej për dy bamirëset e mëdha që humbi njerëzimi, duke e portretizuar edhe princeshën me të njëjtat penelata. Mali i kurorave për të, në sheshin e Londrës, theu çdo rekord. Edhe për Nënë Terezën nuk u kursyen lulet, por jo sa ato për princeshën e Uellsit.

E di se nuk është mirë të flasësh sado pak keq për ata që ikin nga kjo botë dhe unë as që kam ndër mënd të flas e të shkruaj keq për Dajanën. Por, për të qënë i sinqertë me lexuesin, më duhet të pranoj se po më revoltonte pa masë gjithë kjo që po ndodhte?! Ku ka të krahasuar Nënë Teresa me Princeshë Dajanën?! Jam dakord se edhe kjo e fundit kishte bërë shumë bamirësira, për të cilat meritonte respekt. Jo vetëm kaq, por dhe sfida që i bëri ajo Familjes Mbretërore, si askush tjetër deri atëhere, ia shton vlerat biografisë së saj. Por jo, kurrsesi nuk mund të meritojë ajo një përcjellje më madhështore se Nënë Teresa. Dajana konsiderohej e mbahet akoma, nga shumë veta si “britanikja më e famshme e botës”.  Por, për hirë të së vërtetës duhet pranuar se nuk janë të paktë edhe ata që pohojnë se ajo e arriti këtë duke ndërruar fustanet, bizhuterite e makinat luksoze.

Ato dy ngjarje treguan edhe një herë se sa subjektiv apo dhe i padrejtë është njerëzimi në vlerësimin e personaliteteve që i kanë shërbyer atij.

Diskutova me shumë veta për këtë temë. Shumica më jepnin të drejtë. Por, aty-këtu, pati edhe ndonjë që përpiqej ta përligjte atë që po ndodhte, duke sjellë si argument faktin që Dajana ishte një figurë më e njohur publike se Nënë Tereza etj. Vulën ia vuri presidenti i Italisë, Skalfaro. Pyetjes së një gazetari, para se ai të nisej për në Kalkutë, në ceremoninë e varrimit, se, si shumë vëmendje po i kushtohej edhe princeshës Dajana dhe ç’mendim kishte, kur i krahasoje me njera tjetrën, ai iu përgjigj shkurt e prerë: ”As që kanë të krahasur! Nënë Teresa është shenjt i gjallë…Ka bërë aq shumë për njerëzmin sa nuk krahasohet me asnjë tjetër…”. Këtë e përforcoi më tej ambasadori amerikan në Vatikan, James Nicholson, kur u shpreh, pas vendimit të Papës për shenjtërimin e saj: “Nuk u habita që Papa ka zgjedhur të shenjtërojë Nënë Terezën. …Në këtë kohë të heronjve nga fusha e sportit dhe artit, ai ndjen se bota ka nevojë për lloje të tjerë heronjsh”, theksoi ai.

Kjo temë, qysh atëhere, më ka ngacmuar vazhdimisht. Kujtoj Dajanën që i ndërronte fustanet e bizhuteritë, disa herë në ditë, e që i shkëlqente fytyra prej së largu, për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Edhe kur shpërndante ndihma, nuk e prishte luksin e vet mbretëror, pa hequr dorë prej argëtimeve e kënaqësive të një zonje të sërës së lartë. Dhe më del përpara Nënë Tereza, me atë veshje të thjeshtë, me sarin e saj të bardhë e të gjatë karakteristik që kushtonte vetëm një dollar, në atë trup të paktë, të mpakur, si gjithë nënat tona; me atë fytyrë tërë rudha e fisnike, tamam si mund të përfytyrohet një shenjt i gjallë. Më bënin përshtypje këmbët e saj të zbathura me sandalet e pluhurosura nga ecja. Hante e jetonte si të varfërit e të sëmurët e saj, prekte e ledhatonte me duart e veta trupat e tyre tërë plagë nga lebra e sëmundje të tjera, po aq të rrezikëshme e ngjitëse sa ajo. Po përmend vetëm një episod, nga të panumurtat që janë shkruar e thënë për të: Një e sëmurë rëndë, e befasuar që Nënë Tereza po e merrte në duar e po kujdesej për të si të qe motra e saj, e pyeti me buzë të dridhur: “Pse po e bën tërë këtë?”. “Sepse të dua, sepse Zoti ju do!” ia ktheu Nëna e Madhe. “Ma thuaj prapë. Eshtë hera e parë në jetën time që i dëgjoj këto fjalë…” – shtoi e sëmura. Dhe Shenjtorja e ardhëshme ia thotë përsëri e përsëri. “Nëse nuk mund ta shërojmë dot të sëmurin, të paktën t’ia lehtësojmë dhimbjet, ta ngrohim shpirtërisht, siç ngroh përqafimi i një nëne”, – ishte filosofia e saj.

Edhe njerëzimi sikur u ndie më jetim kur ajo mbylli sytë përgjithmonë. Të parët e shteteve të botës shkonin me radhë para arkivolit të saj, i ledhatonin ballin, i puthnin këmbët, binin më gjunjë, luteshin dhe përsiatnin aty, aq sa ndodhte të vinin kujdestarë nga personeli i shërbimit për t’i ngritur.

Nene Tereza nderroi jete me 13 shtator 1997. Ne varrimin e saj, moren pjese 1 milion vete, në një varg 9 kilometër të gjate; 3 miliard teleshikues të tjerë ndoqën direkt ceremonine e varrimit. Ajo nderroi jete, mbasi shenjtoret nuk vdesin. Si një mesazhere biblike, Shenjtorja e gjallë dhe e prekshme, sillte atë dashuri njerëzore që aq shumë i mungoi shekullit XX. Ndoshta vlerësimin më të madh për të e bëri presidenti Francez Zhak Shirak, i cili, ditën e vdekjes u shpreh: “Këtë mbrëmje, ka më pak dashuri, më pak humanizëm dhe më pak dritë në botë”.

2.Kisha pak kohë që pata filluar punë në JSA,(James Satërwajt Academy). Një ditë, vjen tek unë sekretarja, Ms. Darlin dhe me shumë takt e përzëmërsi, më thotë: “Zoti Dede, a keni ndonjë gjë për partin, ceremoninë që do të bëjmë për Vitin e Ri?”. “Jo!” – ia ktheva menjëherë, pa u menduar gjatë. Ç’ne unë, i sapovajtur aty të bëhesha pjesë e programit, kur atje kishte tërë ata me PH-dira e me përvojë apo dhe artistë të vërtetë për humor, këngë e të tjera si këto. Por, më pas, më lindi ideja për të recituar poezinë e nënë Terezës, “Sidoqoftë”, (Anyuay), që me siguri, një pjesë e tyre në mos të gjithë, nuk do ta kishin lexuar. U çova dhe ia thashë sekretares këtë ide e cila e mirëpriti. Ndërkohë, i them mikut tim, piktorit Hektor Alvarez që të ma printonte poemën sa më bukur, me letër speciale e me ngjyra, siç dinte ai. Qe mjeshtër për këto, ndaj dhe e kishin punësuar aty, si pllkatist. Dhe ai bëri një punë të shkëlqyer: me shkronja speciale, ngjyra të ndryshme, kornizë të bukur etj. që të tërhiqte edhe pa e lexuar atë ç’ka ishte shkruar në të.

Filloi parti dhe dikur prezantuesja më dha fjalën. Unë kisha përgatitur një hyrje të shkurtër: “Ju e keni dëgjuar dhe e njihni të gjithë Mother Terezën, por ndofta, jo të gjithë e dini, se ajo është nga vendi im, Shqipëria. Pavarësisht nga kjo, qëllimi im, nuk është ky, por desha të recitoj një poezi që hedh dritë mbi një anë tjetër, të panjohur të saj: ajo nuk qe vetëm bamirëse e shenjtore e gjallë, por dhe tepër realiste; e njihte natyrën njerëzore me thellësi, me të mirat e të këqijat e saj. Megjithatë, ajo nuk u lëkund për asnjë çast në vendimin që kishte marrë për t’i shërbyer njerëzve në nevojë.”

Më pas recitova poezinë e saj. Heshtje e plotë, si rrallë herë në atë sallë. Kur mbarova, pasuan ca çaste të tjera heshtjeje, a thua se pjesëmarrësit ishin shokuar apo ngrirë… Pas pak shpërthyen duartrokitje frenetike. Iu shpërndava të gjithëve nga një kopje të poezisë. Të dy palët ndjeheshim tepër të kënaqur, sidomos unë që ia arrita qëllimit. Por, kjo histori nuk mbaroi me kaq: sa e sa veta më erdhën më pas në kubikun ku punoja dhe më shprehën mirënjohje e falenderim, në emër të tyre apo të pjestarëve të familjes që ata ua kishin lexuar. Poezia e printuar nga piktori u afishua në tërë ato dyer e mure të Akademisë, ku mund t’i gjesh akoma, edhe pse kane kaluar gjithë ato vite. Nënë Teresa më dha kështu një kënaqësi aq të madhe sa rrallë e kisha provuar më parë.

 3. Falë erës demokratike që po frynte në të gjithë Evropën Lindore, Nënë Terez nuk mund të ndalej më dhe u lejua, më në fund, të vinte në Atdheun e saj, më 1989.

Në Botë, për Nënë Terezën qenë botuar libra e artikuj të shumtë, ndërsa në Shqipëri as edhe një rresht i vetëm. Megjithatë, ne kishim dëgjuar të flitej për të dhe, siç ndodh zakonisht, sa më tepër që të përpiqesh për ta fshehur një të vërtetë, aq më shumë i bën njerëzit kureshtarë për të. Ndaj dhe unë, si shumë të tjerë, isha kurioz ta shihja. Mora vesh se do të kalonte në bulevardin kryesor dhe po e prisja tek ura e Lanës, afër hotel “Dajtit”. Nuk vonoi të duket rreshti i gjatë i makinave. Hapa sytë që të mos më shpëtonte objekti dhe ia arrita qëllimit.

Po e riprodhoj edhe këtë episod jo rastësisht. Vë re se bashkë me mua, disa hapa më tej, po rrinte dhe po priste për ta parë Misionaren e njohur edhe një nga kuadrot e larta të PPSH-së, që e mbanin edhe si dorën e djathtë të udhëheqjes. Thoshin, madje, se nuk bëhej asgjë në politikën e jashtëme, pa miratimin e tij. Si i tillë, pa pikë dyshimi që ai kishte gisht në qëndrimin e mbajtur ndaj saj. Dhe ja tani, edhe ai, si unë, ndënji deri sa u largua karvani. Momentalisht apo dhe fizikisht, po kryenim të njëjtin ritual, por mendërisht e shpirtërisht, ishim në pozicione krejt të kundërta. Vetvetiu, nisa të përsias me vete:  “Ç’po bluan në mëndje ai, ndërsa  po ndjek me sy, gjithë përqëndrim, si unë vargun e makinave?! Mos vallë i vjen keq që iu iku nga duart e nuk e ndaluan dot as kësaj here?”

Tek e fundit, e ç’rëndësi ka edhe kjo?! E rëndësishme, për mua është që ndërsa mesazhet e fuqishme të saj, i dëgjon, i respekton e përpiqet t’i zbatojë gjithë bota përparimtare, në vendin tonë nuk ndjehet një gjë e tillë, në një kohë që, o kemi ne nevojë për to o asnjë tjetër. Nuk është vendi të zgjatem për ta shtjelluar gjerësisht këtë temë, por mjafton një argument për të më dhënë të drejtë edhe lexuesi më indiferent. Kur erdhi për herë të dytë në Shqipëri, në momentin e ndryshimit të madh, tek pa shoqërinë tonë të mbarsur me konflikte, si ato të një lufte civile, ajo dha mesazhin e madh: “Do ta doni më shumë Shqipërinë, po të doni më shumë njeri-tjetrin”. Kur kemi parasysh situatën aktuale, po aq konfliktuale sa atëhere, në mos edhe më keq, a nuk ju duket ky mesazh më aktual se kurrë?!

Nju York, 26 gusht 2016

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Andon Dede, Nene Tereza, Triptik

Shenjtërimi – Vatikani hedh në treg një pullë postare në nderim të Nënë Terezës

August 21, 2016 by dgreca

*Nënë Tereza Shenjte: programi i Misionareve të Bamirësisë(Motrat e Nënë Terezës)/

Në prag të eventit të shenjtërimit të Nënë Terezës, Shteti i Vatikanit do të emetojë një Pullë Postare në nderim të figurës së besimtares shqiptare.

Prej datës 2 shtator do të hidhen në treg 150 mijë pulla postare dedikuar Shenjtores së ardhshme Nënë Tereza. Vlera e pullës do të jetë 0.95 cent.

Realizimi i kësaj pulle është bërë nga artisti italian Patrizio Daniele. Nën mbishkrimin Nënë Tereza Shenjtore, besimtarja shqiptare shfaqet në dy momente;  me buzëqeshjen e saj klasike plot mirësi si dhe ndërsa ecën dorë më dorë me një vogëlushe. Larg në sfond duket katedralja St. Paul e Kalkutës në Indi.

Kjo është hera e dytë që Shteti i Vatikanit hedh në treg një seri pullash dedikuar procesit të shenjtërimit të Nënë Terszës.

Më shtator të vitit 2003 është emetuar pulla postare dedikuar nisjes së proesit të Lumturimit të Nënë Terezës me vlerë 0.41 cent.

 Logoja zyrtare për shenjtërimin e Nënë Terezës nga një artiste indiane/

Është bërë publike logoja zyrtare e eventit të shenjtërimit të Nënë Terezës që do të mbahet me 4 shtator në Vatikan.

Kjo logo është krijuar në qytetin Mumbai të Indisë nga dizenjatorja indiane Karen Vaswani nee D’Lima, besimtare katolike e Urdhërit të Nënë Terezës në lagjen Mahim të këtij qyteti.

Artistja Karen Vaswani nee D’Lima, e ka nisur karrierën e saj në moshën 21 vjeç dhe gjatë gjthë këtyre viteve ka ofruar punën dhe si dizenjatore për mjaft kisha në Indi.

Për Azia News Karen Vaswani nee D’Lima, rrëfen se “nuk e ka takuar kurrë personalisht Nënë Terezën, por ka admiruar gjithmonë veprën e saj, që e ka frymëzuar profesionalisht dhe në mjaft aktivitete bamirësie.”

Përsa i përket krijimit të logos për këtë event madhështor, artistja indiane thotë se Ipeshkvia e Kalkutës e kishte kontaktuar për të dizenjuar logon e celebrimit të ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Kalkuta.

“Pas realizimit drejtuesja e përgjithshme e urdhërit të Motrave të Nënë Terezës në Indi, Motra Prema, e pëlqeu aq shumë sa u vendos ta adoptojnë dhe për eventin zyrtar që do të mbahet më 4 shtator në Vatikan. Jam mjaft e kënaqur dhe mirënjohëse për këtë”, tha ajo.

Artistja Karen Vaswani nee D’Lima ka treguar se i janë dashur 3 ditë për realizmin e kësaj logo.

“Tema e zgjedhur nga Vatikani, thotë ajo ishte “Përcjellja e dashurisë dhe e mëshirës së Zotit”, kështu vendosa të punoj mbi një pozim klasik të Nënë Terezës, e cila mban me shumë dashuri ndër duar një fëmijë. Preferova të përdor një stil mjaft të thjeshtë në grafik e vetëm, dy ngjyra, gjë që lejon të përdoret me mjaft lehtësi nga të gjitha tipologjitë e mediave.”

Duke përfunduar, artistja indiane thotë se gjatë punimit të kësaj logo-je është lutur shumë, duke falenderuar Zotin për mundësinë që i dha, si dhe duke e falenderuar gjithashtu dhe për frymëzimin në realizimin e kësaj logo të thjeshtë e të fuqishme njëhershën, e qe flet vetë më shumë se çdo tjetër përshkrim.

logoja

Nënë Tereza Shenjte: programi i Misionareve të Bamirësisë(Motrat e Nënë Terezës)

ROMË – 4 SHTATOR 2016

PAPA FRANÇESKU SHPALL SHENJTE NËNË TEREZËN E KALKUTËS

Programi i Misionareve të Bamirësisë

E enjte – 1 shtator  

Hapja e ekspozitës

“JETA, PËRSHPIRTËRIA DHE MESAZHI I NËNË TEREZËS”

1-3 e 5 shtator 9.00-19.00

4 shtator 14.00-19.00

7 shtator 9.00-14.00

LUMSA – Kompleksi Jubileu,Via di Porta Castello 44

Shtegtarët mund të kapërcejnë Portat Shenjte ose të vizitojnë ekspozitën kushtuar Nënë Terezës.

______________

E premte, 2 shtator

Mesha Shenjte: ora 9.00 në gjuhën angleze; 10.00, në gjuhën spanjolle, 12.00, në gjuhën italiane.

Bazilika e Shën Anastasisë në Palatin

______________

MBRËMËSORE E LUTJES DHE ADHURIM SOLEMN

Kori i Dioqezës së Romës, drejtuar nga imzot Marco Frisina.

Tema: “Rrezatojmë dritën e Krishtit, thirrja për shenjtëri”.

20.30-22.00 – Bazilika e Shën Gjonit në Lateran.

__________________

E shtunde, 3 shtator

KATEKIZMI I PAPËS FRANÇESKU

8.30 përgatitja – 10.00 fillimi i katekizmit në Sheshin e Shën Pjetrit

Hyhet me biletë

ORATORI “MOTHER”

I Marcello Bronzetti, me korin dhe orkestrën Fideles et Amati, ora 17.00

Bazilika e Shën Andrea della Valle.

Mesha Shenjte, në orën 19.00

Në përfundim të Meshës, nderimi i relikeve të së Lumes Tereza e Kalkutës

______________________

E diel, 4 shtator

LITURGJIA SOLEMNE EUKARISTIKE E SHENJTËRIMIT TË SË LUMES

TEREZA E KALKUTËS.

Ora 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit

E nevojshme, bileta e hyrjes

Lutja e Engjëllit të Tënzot e Papës Françesku

Ora 12.00, Sheshi i Shën Pjetrit

______________________

E hënë, 5 shtator

FESTA E PARË E SHËN TEREZËS SË KALKUTËS

Mesha e falënderimit, kryesuar nga Hirësia e Tij, kardinali Pietro Parolin me pjesëmarrjen e korit të Dioqezës së Romës, drejtuar nga imzot Marco Frisina

Ora 10.00, Bazilika e Shën Pjetrit

Pasdite

NDERIMI I RELIKEVE TË SË LUMES TEREZA E KALKUTËS

Ora 16.0- 18.00 – Bazilika e Shën Gjonit në Lateran

 6-8 shtator

NDERIMI I RELIKEVE TË SHËN TEREZËS  SË KALKUTËS

E martë, 8 shtator, ora 9.00-18.00 Kisha e Shën Gregorit të Madh,

Vizitë në dhomën e Nënë Terezës në kuvendin e Shën Gregorit;

ora 8.30-18.00 Piazza San Gregorio 1

Për biletat e hyrjes dhe informacione të tjera të nevojshme, shiko:

www.motherteresa.org

Në të gjitha ngjarjet, me përjashtim të atyre që janë shënuar, hyrja është e lirë.

Kosovë: Pullë Postare për “Shenjtërimin e Nënë Terezës”/

 Me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, Kosova ka promovuar një Pullë Postare kushtuar pikërisht bijës e nënës së popullit shqiptar, krenarisë së kombit, Ganxhe Bojaxhiut. Kosova, Dardania e lashtë, vendlindja e prindërve të Nënë Terezës, e ndjen dhe vlerëson në një mënyrë të veçantë kanonizimin e Shenjtës shqiptare. 
Republika e Kosovës po i gëzohet Shenjtërimit te bijës dhe nenës së tyre, krenarisë së kombit, Nënës Terezë. Pas ndërtimit të Kishës Katedrale në Prishtinë, fal nismës së presidentit historik, Ibrahim Rugovës dhe Imzot Mark Sopit, populli i Kosovës pa dallim, edhe pak dite do ta këtë edhe te Shenjtën e kombit për ndërmjetësim tek Zoti, Shën Nena Terezë.

Për ta nderuar këtë ngjarje te papërsëritshme, Qeveria e Kosovës me 15 janar e ka shpallur, 2016-tën Viti i Nënës Terezë në Kosovë. Atë ditë në mbledhjen e Qeverise, kryeministri Isa Mustafa pat thënë se këtë vit te Shenjtërimit të Nënës Terezë do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, te mirëkuptimit, te  ndihmës, te raporteve të mira e korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë. Muaj me vone Qeveria e Kosovës ndau edhe mjete buxhetore në vlerë prej 300 mijë eurove për ta ndihmuar koncertin kushtuar “Himnit te Nënës Terezë” që do të shfaqet më 3 shtator në Romë, në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në prag të Shenjtërimit të saj.

Ndërkaq, me 13 korrik 2016, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare  me votim unanim e pat miratuar propozimin e Kryesisë për shpalljen e 5 Shtatorit në Kosovë “Ditë e Bamirësisë – Nëna Terezë”.

Në vazhdim, në kuadër të aktiviteteve kushtuar Vitit të Nënës Terezë, më 16 gusht në Prishtine është promovuar Pulla Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”. Ne ketë rast solemn, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se është nder i veçantë që të respektohet figura e Nënës Terezë. “Mund të them se për Republikën e Kosovës e për gjithë qytetarët e saj është një nder i veçantë që ne të respektojmë një figurë të jashtëzakonshme dhe një humaniste globale siç ishte dhe është Nëna Terezë”, tha Mustafa.

Ndërkaq, drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se institucioni që ai e drejton si mision të vetin e ka që t’i nderojë figurat kombëtare. “Ndjehem i privilegjuar qe, Filatelia e Postës së Kosovës nga sot pasurohet me këtë pullë postare që është edicion i jashtëzakonshëm dhe i kushtohet ngjarjes se jashtëzakonshme për kombin shqiptar siç është Shenjtërimi i Nënës Terezë. Një nga misionet tona është edhe promovimi i vlerave tona kombëtare, kështu që pulla postare për Nënë Terezën është përmbushje e këtij misioni”, tha ai.

Kontributi i Nënës Terezë i tejkalon kontributet e penës e të shpatës që i kanë dhënë të gjitha figurat kombëtare shqiptare, tha me ketë rast, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. “Në të kaluarën ne si komb kemi dhënë shumë figura të penës e të shpatës. Figurat të cilat kanë ditur të japin kontribut në zhvillimin e njerëzimit dhe qytetërimit evropian dhe në udhëheqjen e perandorisë otomane, por figura e Nënës Terezë i tejkalon të gjithë dhe është shpërblim nga Zoti për të gjithë sakrificën që kombi e ka bërë në historinë e vet sepse Nëna Terezë është figura e shpirtit tonë dhe e zemrës bujare të shqiptarit, askush në histori nuk ka ditur ta shpalos zemrën bujare të popullit tonë si Nënë Tereza”, tha ai.

Pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”, menjëherë pas promovimit fillojë të qarkullojë nëpër të gjitha vendet e botës.

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: Nene Tereza, pulle Postare, Vatikani

NËNË TEREZA NË FAQET E GAZETËS “DIELLI”

August 19, 2016 by dgreca

Nga Dalip Greca/

 Emri dhe vepra e Nënës Terezë në gazetën Dielli është përmendur shpesh. Herë ajo shfaqet me fotografi, herë me kronika dhe komente. Në shumë nga kronikat e kohës shprehet krenaria se ajo ishte bijë e gjakut shqiptar. Deri në vitin ‘1970 kemi pak informacion, ndërsa më pas ajo është e pranishme përherë e më shumë. Në numrin e 3 shkurtit 1971, botohet artikulli me titull: « Një motër nga gjaku ynë », që ka për  nëntitull : « Motër Gonxhe Bojaxhiu paraqit fisnikërinë e gruas shqiptare… »Ky artikull, me autor Dr. Athanas Gegaj, ish editorin e Diellit, që nis që në faqen 1 të gazetës Dielli, përshkruan Misionin e Bamirësisë së Nënës Terezë, ku ajo ishte themelonjëse dhe udhëheqëse. Autori informonte me emocion”Çudia është se Misioni po rritet dita-ditës. Është një shoqëri pa kuvende, pa mjete të sigurta; fillimisht një shoqëri grashë nga çdo Kombësi, që kanë zgjedhur që të jetojnë për të tjerët; më keq se të tjerët. »Artikulli është i gjatë dhe përshkrues, merr përsipër që të informojë në detaje. Në një nga mestitujt,”Kjo motër e vogël shqiptare », përshkruhet rruga që ndoqi ajo grua me shtat të vogël deri në Kalkutë- “Kjo motër e vogël shqiptare shkoi në Indi dhe u bë motër dhe nënë e të gjithëve; duke filluar nga të varfërit, nga ata që s’kishin asgjë ose që kishin humbur gjithçka… vetëm në Kalkuta kjo motër mbledh mijëra vetë…që janë duke vdekur dhe ajo me buzëqeshje e dhembshuri i kthen në jetë…Nënë Tereza ka shpirt të madh. Ajo ka dhe pushtet të fuqishëm moral. Askush nuk e kthen bosh, kur ajo shkon dhe kërkon diçka për të varfërit e saj…

Në një artikull tjetër që botohet në numrin e 10 nëntorit 1971, autori Eduard Liço, që në vitet ’80 do të ishte editor i Diellit, sillen të dhëna për famën që ka marrë Nënë Tereza ne Bote. Autori merr shkas nga një libër i botuar atë kohë në Londër. Autori i librit me titull”Something Beautiful For God” me nëntitull:” Motdher Theresa of Kalkuta”, ishte anglezi Malkolm Mëgrixh. Duke iu referuar subjektit të librit, Liço gjen momentin të përshkruaj jetën e Nënë Terezës dhe hulumtojë në origjinën e saj shqiptare. Ai sjell edhe citimet e një diplomati amerikan të asaj kohe,ambasadorit Shriver,  të cilin e  perifrazon kur thotë”Sa nder do të ishet që kjo grua e devotshme të ishte amerikane” dhe shtonte: ”Kjo është një grua revolucionare, por revolucioni i saj nuk del nga grykat e armëve; as nga iderat e ndryshme utopike të disa shkencëtarëve, ideologëve, apo studiuesëve të psikikës njerëzore, revolucioni i saj del nga dashuria e vërtetë për njerëzimin  e përvujtur.Në fund të artikullit, autori arrin në përfundimin:” Ndonëse dashuria që Nënë Tereza, tregon për njerëzimin i ka kapërcyer kufijtë e ndarjeve midis njerëzëve, që vetë njerëzit kanë krijuar, ne prapë jemi krenar që një grua e tillë ka dalë nga gjiri i popullit tonë.” Herë pas herë, gazeta Dielli sjell lutje dhe fjalë të urta të Nënë Terezës, që në esencë përbëjnë filozofinë e saj të durimit dhe vullnetit. Të tilla gjejmë në numrin e shtatorit 1997, ku urëtsia e saj shoqërohet me një fotografi që shpërndanë buzëqeshje.

  • Jam prej nji vendi me Nënë Terezën, prej Shqipnie

 Duke shfletuar koleksionin e gazetes 102 vjeçare te Federates Vatra, Në numrin e 15 shkurtit 1979, në një rrëfim plot kolorit, Lume Juka, sillte shkrimin”Festat e të vetmuemëve” . Shkrimit i paraprinte një thënie e urtë e Nënë Terezës, që i takonte dhjetorit 1978. Në të jepej ky mesazh:”Urija shpirtnore asht ma e zorshme se urija për bukë.Me e ndi veheten të hedhur e të përbuzun, asht gjaja ma e keqe që mund t’i ndodhi nji njeriu.Shkenca moderne mund të shërojë shumë sëmundje, por nuk ka , as ka me pasë kurrë, diçka që të zëvendësojë nji dorë e nji zemër që don…”.

Lume Juka përshkruan me një stil mallëngjenjës disa ditë të dhjetorit 21, 22 e 23 të vitit 1978, ku ajo si vullnetare e Misionit të Nënë Terezës, së bashku me disa murgesha dhe një grup fëmijësh, e ndriçuar nga drita ngazëllyese e Misionit Nënë Tereza, shkonte tek të varfërit, në Jugun e Bronxit ne New York, ku, siç shkruan ajo , njeriu andej pari; sidomos kur të zen nata, nuk ëset i sigurtë nëse ka me u kthye gjallë në shtepi: Vorfni, violencë, shpija të shkatërrume, xhama të thyem, zhumile gjithkund. Nji botë në vendi, që të bën me harrue se jeton në Nju Jork, qytet që strehon sa gjana të mrekullushme. Fëmijë të shumtë shihen nëpër rrugë.” Nanë Tereza thotë”N’Amerikë njerëzit nuk vuejnë për nji copë buke, por vuejnë prej urije shpirtërore të tmerrshme, e cila gjindet edhe në të pasun.”

Autorja e shkrimit, Lume Juka, përshkruan rast pas rasti se të pamundurit, ndjejnë dritën e jetës edhe në çaste e fundit, kur pranë kanë Motrat e Nënë Terezës. Më pas ajo përshkruan veten mes një grupi fëmijësh që e kanë rrethuar dhe na përcjell këtë dialog emocionues te vete Lumes me femijet amerikane:

  • A ban me shikue se çfarë keni shkruar në atë bllok?-më pyeti nji djal.

Menjiherë ia diftova shënimet.

  • “Po unë, po unë?-si e kanë zakon fëmijët. U afruan rreth meje:
  • -Kjo s’është anglisht; as spanjisht. Çfarë gjuhe është?
  • Shqip…
  • Ç’ka don me thanë shqip?
  • Asht gjuha që ka folë Nana Terezë kur ka kenë fmi.
  • Po ju ku e keni mësue?
  • Jam prej nji vendi me Nënë Terezën, prej Shqipnie.
  • Oh!-Jeni prej vendit të Nanë Terezës?-më shikuen me habi e me admirim.
  • Si i thonë në shqip”God”?
  • Zot!
  • O God
  • O Zot!
  • O God Help Us? O zot na ndihmo! Shpejt e mësuen me e shqiptue. Pak minuta zani i tyne tingëllus e i prekshëm, u ndigjonte tue thanë:
  • “O Zot na ndihmo…O Zot na ndihmo!…

Nënë Tereza : Mos bëni luftra, m’i jepni mua fondet e armatimeve… !

“Dielli” vijon ta ndjekë Nënën Terezë hap pas hapi. Në një shkrim të botuar me 16 prill 1979, përcillej kronika e marrjes së një çmimi në Itali, ku ishin të pranishëm, që nga presidentit e kryeministri deri tek diplomatët e akademikët. Korrespondenti i Diellit nga Roma jepte me detaje atmosferën e ceremonisë dhe madhështinë e Nënës Terezë, tek qëndronte përkrah presidentit Sandro Pertini dhe kryeministrit Xhulio Andreotti. Çmimi “Balzan” që iu dorëzua Nënës Terezë, konvertohej me një vlerë prej 325 mijë dollarësh.

Korrespondenti shqiptar me krenari raporton se ajo i sfidoi gazetarët tek e pyesin:

–  Ç’mendon për luftën, e pyet njeri gazetar :

Pergjigjet Nene Tereza : -Nuk e kuptoj këtë mëni e këtë luft, m’i jepni mue fondet e armatimeve që të luftoj mjerimin dhe t’u kthej dinjitein të vobegtëve…Përfundimi i korrespondencës të gazetarit shqiptar nga Roma, vjen natyrshëm:”Ne shqiptarët, edhe këtë rradhë, kemi të drejtë me u krenue e me i urue kësaj motrës sonë”Jetë të gjatë e të lumtun! E të mos harrojë të lutet edhe për Atdheun e vet, për Shqipninë e martirizueme. »

Kur Nëna Terezë u kandidua për çmimin Nobel për Paqen,më 1979, Dielli boton shkrime speciale, të shoqëruar me fotografi. Në numrin e 1 nëntorit 1979, Dielli botonte në Faqe të parë në gjuhën angleze shkrimin special, që komentonte me krenari se me fitimin e Nobelit, Nënë Tereza, do t’u kthente lavdinë shqiptarëve, lavdi të humbur 500 vite të shkuara me vdekjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.Ndërsa në numrin e dhjetorit, përveç speciales në shqip, Gazeta boton edhe urimet e shqiptarëve të Amerikës dhe Kanadasë. Krahas kronikave dhe reportazheve, botohen dhe letra indinjuse që kritikojnë pasaktësitë e shtypit amerikan, një pjesë e të cilit e paraqitën Nënën Terezë si sllave. Një letër e tillë ka për autor Mahmud Cungun, që sqaron se Nëna Terezë është shqiptare, ajo lindi në Shkupin shqiptar, në kohën që nuk egzistonte shteti sllav, por Perandoria Otomane. Nënë Tereza është me kombësi shqiptare, përfundonin letra. Nga ana e saj zonja Goldi Karagjozi i dërgoi  letër nga Washingtoni Nënës Terezë në Kalkutë dhe po atë natë, që u shpall dhënia e çmimit nisi grumbullimin e të hollave për Misionin e Nënës Terezë, te holla qe ajo i mblodhi bashke me vatranet. Për një kohë të shkurtër ajo kishte mbledhur 505 dollarë dhe ia kishte nisur Misionit të Nënës Terezë. Në letrën që zonja Goldi i nisi Nënës Terezë në Kalkuta, i shprehu asaj urimin e të gjithë shqipatrëve të Amerikës dhe i premton se do të kishte ndihmën e shqiptarëve të Amerikës.Në po atë numër botohej dhe komenti”Mother Teresa, humanistja shqiptare”.Në numrin e 31 dhjetorit, Dielli sillte një speciale, që kishte botuar për Nënën Terezë  të revistës Time, duke sjellë edhe ballinën me portretin e Nënës Terezë.Nëna Terezë tashmë është si në shtëpinë e vet tek faqet e gazetës Dielli. Në numrin e 16 prillit 1980, që në faqe të parë, niste një kronikë me titull”Nënë Tereza tek Papa”.Pas fitimit të Çmimit Nobel për Paqen , Papa Gjon Pali II ka pritë në audiencë private Nënën Terezë dhe e ka përgëzuar për çfarë ka bërë me misionin e saj. Po në të njëjtën kronikë, jepet dhe një lajm i ri:Nëna Terezë ka fituar çmimin më të lartë që jepej në Indi- Bharat Ratna- ”Xhevahiri i Indisë”. Ky çmim u jepej njerëzve me merita të veçanta.Lajmi i tretë që sjell Dielli në numrin e 16 prillit 1980 është përgatitja e një filmi për Nënë Terezën nga televizoni Italian. Filmi i gazetarit Brunelo Rondi, kishte në qendër Nënë Terzën shqiptare dhe misionin e saj në Indi.

I vëllai i Nënë Terezës: Ne jemi shqiptarë, jo sllavë!

Po në këtë numër(16 prill 1980) botohet një intervistë e vëllait të Nënës Terezë, Lazër Bojaxhiu, i cili ishte intervistuar nga një gazetar Italian. Shkrimi, që zë një faqe gazetë, nis me një notë dhimbjeje:”Një dramë sekrete qëndron në jetën e Nënës Terezë të Kalkutës, dramë të cilën askush deri më sot nuk e ka dijtë e ajo vetë kurrë nuk ka dashtë me e folë:nuk ka mujtë me përqafu nanën përpara se të vdesi….Asht nji dramë që ajo e ka jetue në heshtje, duke e nda këtë vuajtje me të vetmin person që i ka mbetë prej familjes; vëllaut Lazër!.. Lazëri i deklaron gazetarit: E dij se nuk do t’i vijë mirë Nanës Tereza, kur të lexojë këtë ngjarje nëpër revista. Ajo ka qenë përherë e rezervueme, deri dhe e frigshme për me folun për familjen”Ç’ka mund të jenë vuejtjet tona të vogla përkundrejt tragjedisë së miliona njerëzve që vdesin çdo ditë nga urija? E ka respektue këtë dëshirë të saj për sa e sa vjet, e kanë respektue edhe njerëzit e politikës, të cilëve ajo u është drejtue për të ba diçka për nanën tonë, por as Presidenti Kennedy, as De Gaulle nuk mujtën me ba kurrgja.Kësaj murgeshe të vogël e të përvujtë, që ka ba aq shumë për miliona jetë të vobegtish, që u ka lehtësue dhembjet e u ka mjekue plagët; nuk mundi me ba asgjë për nanën e vet në çastin e vdekjes. E ajo grue, vdiq e dëshpërueme, duke shëtrngue në gjoks nji fotografi të vjetër të njomun me lot; kështu vdesin njerëzit në nji vend komunist…

Më pas gazetari sjell dhe dëshminë e Lazrit për kombësinë e nënë Terezës, natyrisht dhe të vetën:”Përpara çdo gjaje, dishroj me sqarue nji pikë; thotë Lazri- Na jemi shqiptarë, e jo jugosllavë, si shkruejnë gati të gjitha gazetat në botë. Keqkuptimi ka lindur nga fakti se Shkupi, qyteti ku kemi lindun, ishte ma përpara nji qytet shqiptar  e pastaj i kaloi Jugosllavisë, por na të gjithë vijojmë me folun shqip e letrat ime motër (që flet edhe anglisht e pak frëngjishten) m’i shkruen  në gjuhën shqipe.”

Në ceremoninë e Çmimit Nobël u lexua telegrami i Vatrës

Interesant është një shkrim me titull”Nana Tereza, motër e vërtetë e popullit shqiptar” botuar në numrin e 15 shtatorit 1980, ku  në krye është vednosur një fotografi me portretin e Nënës Terezë, që ka në sfond shkrimin shqip të këtij teksti”Unë gjithëmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona…Lutem shumë për fukaratë e mij dhe për mua dhe motrart e mija.Unë lutem për juve.Artikulli ka për autor gazetarin Gjekë Gjonlekaj. Në të përcillet mesazhi se Nënë Tereza është aq e njohur sa e nderon popullin shqiptar. Pasi rendit disa nga sukseset dhe çmimet që ka koleksionuar Nëna Terezë, pasi përcjell jehonën e veprës së saj në gazetat më prestixhioze të botës, përfshi dhe ato të Amerikës, NYT,  që botonin të zmadhuar portretin e Nënës Terezë me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqen, kritikohet ashpër gazeta”Rilindja” e Kosovës që lajmin e Çmimit nobel e botonte diku nga faqja e tretë, me një fotografi të vockël. Ndërkohë që revista Kulturore-fetare në Kosovë”Drita” , shkruante se atë ditë që mori Çmimin Nobel për Paqe, Nëna Terezë, më së tepërmi u gëzua, kur lexuan Telegramin përshëndetës nga Shqiptarët e Amerikës, i cili ishte dërguar nga Federata Pan Shqiptare e Amerikës”VATRA”. Autori përgëzonte Federatën Vatra, që në traditën e saj, kishte nisë një fushatë ndihme për Misionin e Nënë Terezës.

Çdo vizitë e Nënës Terezë në SHBA përshkruhet me detaje në faqet e Diellit. Kështu në numrin e 16 qershorit 1981, përshkrueht vizita e saj në Washington, tek përcjell mesazhin kundër abortit. Artikulli që përshkruan vizitën në Shtëpinë e Bardhë shoqërohet me një fotografi, ku Nënë Tereza qëndron mes presidnetit Regan dhe zonjës së Parë . Nënë Tereza deklaronte në Simpoziumin e organizuar enkas me 3 qershor 1981 se “Duke shkatërruar fëmijën e pa lindur, ne jemi duke shkatërruar dashurinë, jemi duke shkatërruar vetë Zotin…’. Me 4 qershor ajo ishte e ftuara e presidentit për drekë, dhe Dielli tek përshkruan vizitën dhe respektin që ajo gëzon në Shtëpinë e Bardhë, ndjehet krenar për përkatësinë shqiptare të gjakut të saj.Në numrin e  1 shtatorit 1981 përshkruhet një vizitë e Nënë Terezës në Detroit. Ndërsa në numrin e 16 shtatorit, Tom Mrijaj prezanton një nga miqtë e Nënë Terezës, filozofin dhe historianin Indian Gurudev Shri Citrabhanu. Autori sjell vlerësimet e indianit për Nënë Terezë dhe kombin shqiptar, të cilit ajo i përket, historisë së tij trimërore, bujarisë dhe traditave.

Shqiptarët e kanë shpallur të shenjtë Nënë Terezën që në vitet ’80-të

Petro Vuçani, në faqen e parë të Diellit të 1 gushtit 1983, sjell mbresat e një takimi shumë emocionues me Nënën Terezë në Itali, ku ai së bashku me dy shqiptarë të tjerë, morën pjesë në një ceremoni për shugurimin e disa murgeshave të reja, prej të cilave dhe një vashë shqiptare nga Kosova. U ndala në këtë shkrim për arsye të parashikimit intuitiv të autorit, i cili e ka titulluar shkrimin që zë gati të gjithë faqen e parë të gazetës: ”Një ditë me Shën Terezën Shqiptare”.  I vë këtë titull , që siç thotë vetë, ia vesh emnin me Shejtni. Vuçani shkruan”Në historinë Kombëtare ka pasë shumë zoja ilire, arbnore, e shqiptare, që me flijimet e veta nuk janë ma pak  shejtnesha se mjaft prej shejteve të trevave të tjera, kurse raca shqiptare me Nanë Terezën, asht tue shejtnue gjallnisht bijën e vet, që tash sa mot po habit tokë e qiell! Ndoshta duhet kohë me pritë deri kur Selia e Shenjtë ka me e përkryer këtë dëshirë e nevojë, që zakonisht , jetësohen pas vdekjes…’

Gjitëhsesi Nëna Tereza me 4 Shtator do të jetë Shën Nënë Tereza! Kombi shqiptar ndjehet krenar për Simbolin me famë botërore.

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: dalip greca, e Gazetes Dielli, ne faqet, Nene Tereza

Shqiptarët e Amerikës: $ 2 milonë për Katedralen “Nënë Tereza”

August 18, 2016 by dgreca

Shqiptarët në Nju Jork drejt mbledhjes së 2 milonë dollarëve për Katedralen “Nënë Tereza”

Vatra-SHBA-te-Imzot-Dode-Gjaergji-Kosove-foto-ATSH-Behlul-JashariPRISHTINË, 18 Gusht /Behlul Jashari/.-Shqiptarët që jetojnë në Nju Jork kanë kontribuar me 1 milion e 800 mijë dollarë për Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë , u bë e ditur gjatë një pritje të Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, për delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj.

“Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Terezë në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për 9 vite me 1.800.000 dollarë. Mendojmë që deri vitin e ardhëshëm shifra të arrijë në 2 milionë dollarë”, tha Marjan Cubi. Ai është arkëtari i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punën e kryera në Katedrale si dhe për përgatitjet për koncertit “Himni i Nënë Terezës”, që do të mbahet në Vatikan, në 3 shtator 2016, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan.

Ndërkohë, për të shënuar ditëlindjen e saj dhe për të filluar zyrtarisht përgatitjen për shenjtërimin e Nënë Terezës, InfinityArt dhe Ipeshkvia e Kosovës organizojnë ekspozitë me portretet e Nënë Terezës, punime të artistëve të rinj të Kosovës, bëri të ditur sot për ATSH-në zëdhënësi i Ipeshkvisë, Don Fatmir Koliqi.Vatra-SHBA-te-Imzot-Dode-Gjaergji-Kosove-foto-ATSH-Behlul-Jashari-1

Ekspozita do të hapet në 26 gusht në ora 10:00 e do të jetë e hapur deri në 28 gusht, prej orës 10:00 deri në 16:00, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë.

Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, i deklaruar në 15 janar nga qeveria kosovare, e cila më pas në mbledhjen e 22 korrikut vendosi të ndajë mjete financiare me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.

Kosova ka shpallë 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare në 11 korrik, me votim unanim, ka miratuar propozimin e Kryesisë së Kuvendit.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 ka shpallë datën 5 shtator, ditën kur kaloi në amshim Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Rezoluta e OKB-së bënte thirrje që në 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë./

Filed Under: Featured Tagged With: 2 milonë dollarë për Katedralen, Nene Tereza, Shqiptarët në Nju Jork

Komuniteti shqiptar i New Yorkut vazhdon përgatitjet për Festimin e Shenjtërimit të Nenës Tereze

August 14, 2016 by dgreca

1 Mark Gjonaj

 

Nga Esad GJONBALAJ/

Me 4 Shtator në Vatikan behet shenjtërimi i Nenës Tereze, është kjo një datë dhe ditë historike për kombin shqiptar, është ky një moment ku nobelistja shqiptare do të shenjtërohet dhe qe nga ajo ditë do ta quajmë shenjtëresha Nëna Tereze

Me vlerësimin e lart që do i bahet Nënës Tereze do te çmohet dhe respektohet i tërë kombi shqiptar.

Komuniteti shqiptar në SHBA, ne bashkëpunim me asambleistin Mark Gjonaj do organizojnë një Manifestim madhështor në New York me datën 4 Shtator 2016, duke filluar nga ora 4 e mëngjesit paralel me manifestimin ne Vatikan, duke ua bërë me dije të gjithëve se Nëna Tereze me gjak është shqiptare dhe i përket tërë njerëzimit.

Me këtë rast janë duke u bërë përgatitjet përfundimtare për vendosjen e shtatores së nënës Tereze po te njëjtën dite ne një nga parqet shtetërore ne Manhatan, NY, njëkohësisht parashihet vendosja edhe disa shtatoreve tjera në te gjitha bashkitë e New Yorkut . Për realizimin e këtij projekt me karakter kombëtar kërkohet edhe përkrahja dhe mbështetja financiare e komunitetit tonë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Esad Gjonbalaj, komuniteti shqiptar, Nene Tereza, Shenjtërimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT