• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Nishani në Spaç: Respekt ndaj vuajtjeve të atyre që u dënuan

December 6, 2015 by dgreca

Presidenti Nishani deklaroi se duhet të vendoset drejtësi dhe të gjenden eshtrat e të zhdukurve. Kreu i Shtetit theksoi se “edhe në 25-vjetorin e rrëzimit të komunizmit askush s’ka kërkuar falje”.Gjatë kësaj vizite u zhvillua edhe një ceremoni dekorimi për disa ish-të burgosur dhe të përndjekur politikë./
SPAÇ : Në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga ish-të burgosur dhe të ish-përndjekur politikë, vizitoi sot ish-burgun e Spaçit. Presidenti Nishani gjatë vizitës në ish-burgun e Spaçit shprehu respekt ndaj vuajtjeve të atyre që u dënuan.
Presidenti Nishani deklaroi se duhet të vendoset drejtësi dhe të gjenden eshtrat e të zhdukurve. Kreu i Shtetit theksoi se “edhe në 25-vjetorin e rrëzimit të komunizmit askush s’ka kërkuar falje”.
Gjatë kësaj vizite u zhvillua edhe një ceremoni dekorimi për disa ish-të burgosur dhe të përndjekur politikë.Presidenti Nishani nderon me Dekoratën “Pishtar i Demokracisë” katër ish-të burgosur, përfaqësues të revoltës në Burgun e SpaçitMë 22 Maj 2013 ishte po Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i cili nderoi zotin Demir Pojani, zotin Bashkim Fishta, zotin Luan Burimi dhe zotin Bedri Çoku me Dekoratën “Pishtar i Demokracisë” me motivacionin: “Për kontributin, trimërinë dhe sakrificën e madhe dhënë në kërkim të respektimit të lirive të njeriut, nëpërmjet një prej revoltave më të mëdha ndaj regjimit komunist’’.
Duke vlerësuar lart rezistencën e të gjithë të burgosurve që vuajtën persekutimin në Burgun e Spaçit si dhe kurajon e trimërinë e të gjithë atyre që me dinjitet të lartë njerëzor ngritën krye, Kreu i Shtetit theksoi se revolta e tyre do të mbetet gjithmonë simboli i spikatur i anti-komunizmit në Shqipëri, simboli i rezistencës ndaj shtypjes, i rezistencës ndaj krimit shtetëror, simbol i mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, dhe aspiratave të një kombi për liri.
Diktatura komuniste-Donald Lu Vizituam burgun e Spacit mbetem te tronditur
Më 27 Tetor të këtij viti ishte -Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, deklaron se ka vizituar sot burgun e Spacit, një nga burgjet më mizore të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook të faqes zyrtare të ambasadës shprehet se “Sot, së bashku me kolegët e mi, vizituam burgun e Spaçit, ku mbetëm të tronditur nga ironia e përplasjes së dëshmisë të brutalitetit njerëzor me bukurinë e peisazhit mahnitës malor të kësaj zone. Vizita në burgun e Spaçit është një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve që luftuan për liri dhe kundër tiranisë dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje. Ne patëm fatin të kishim tre njohës të mirë të zonës, të cilët na rrëfyen historitë e atyre që jetuan dhe humbën jetën këtu – Gjet Gjoni, guida jonë vendase, si dhe Nedi Pjetri dhe Jonathan Eaton nga Shoqata e Trashëgimisë Kulturore pa Kufij”.
“Dje, unë kisha nderin të takoja Fabian Katin, i cili ka qenë i dënuar politik në Spaç në mesin e viteve ’80-të. Z. Kati ia ka përkushtuar jetën e tij qëllimit për të mos e lënë në harresë tragjedinë e Spaçit. Ai së bashku me ish-të burgosur politikë të tjerë në Spaç, po punon për të ndërtuar një muze në ish- burgun komunist, në mënyrë që edhe brezat e ardhshëm të njihen me këto histori të rëndësishme. Gjithashtu, ai ka bërë disa filma dokumentarë dhe ka shkruar libra mbi ata që u zhdukën dhe ata që i mbijetuan kësaj përvoje çnjerëzore.
Stërgjyshja ime vdiq në një burg komunist në Kinë. Ajo u arrestua ndërsa ndihmonte familjet e tjera për t’u arratisur nga Kina gjatë revolucionit të Maos në 1947. Sot, unë përkujtoj stërgjyshen time, mijëra shqiptarë dhe njerëz të panumërt kudo në botë, që luftuan për liritë që ne kemi sot”.
Po ashtu, ambasadori Lu thekson se “Në oborrin e Ambasadës sonë ndodhet një pemë manjole, e mbjellë nga punonjësit tanë. Nën këtë pemë është një pllakatë, ku është gdhendur një citim i Maya Angelou, i cili thotë, “Historia, pavarësisht dhimbjes së saj therrëse, nuk mund të zhbëhet, por nëse përballohet me kurajo, nuk ka pse të përjetohet sërish.”
“Unë dua t’i nxis të gjithë të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë Spaçin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend. Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj” shprehet Lu, duke sjell në imazhe foto nga vizita e tij në Spac.
ARVIZU: VIZITA NË BURGUN E SPAÇIT MË LA TË MPIRË
Më 14 Dhjetor 2013 ka qenë Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu i cili vizitojë i pari burgun famëkeq të Spaçit.
Mbresat e vizitës së tij në burgun e Spaçit, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu i ka komentuar te një status që ka hedhur ditën e djeshme në rrjetin social të “Facebook”-ut.
“Disa vende në Shqipëri ende e ruajnë shenjën e asaj kohe, dhe asnjë prej tyre aq qartësisht sa Spaçi. Javën e kaluar, vendosa që doja ta vizitoja. Udhëtimi nga Tirana për në Spaç zgjat pak më shumë se dy orë. Nuk mund të flas për kolegët e mi, por mua kjo përvojë më la të mpirë, plot keqardhje të trishtë, madje edhe të nemitur.
Nuk folëm shumë me njëri-tjetrin kur ishim aty; nuk kishte nevojë për fjalë. Bëmë mirë që shkuam dhe unë nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Një falënderim të veçantë kam për Mirian Bllacin nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij, dhe z. Gjet Gjoni, i cili na udhëhoqi nëpër ato që kishin ngjarë, si dhe na hapi dyert e shtëpisë së tij pas udhëtimit tonë të paharrueshëm”, shkruan Arvizu në “Facebook”.
Veç kësaj, ai në status përshkruan edhe emocionet e të jetuarit për 4 vite në Shqipëri. Tek përgatitem të largohem nga Shqipëria, mendoj se si qëndrimi im këtu e ka thelluar të kuptuarit tim të historisë”, shkruan ambasadori amerikan Arvizu në “FB”./ Beqir Sina/

Filed Under: Featured Tagged With: Arvizu, Donald Lu, Nishani, Spaci

Ç’KËRKUAN PRONARËT NË TAKIMIN ME PRESIDENTIN NISHANI?

October 28, 2015 by dgreca

Nga Merko Bozhanaj/
Me datën 23 Tetor 2015 së bashku me Kryesine e Shoqates Krahina Jonë dhe përfaqësues të shoqatave të tjera të pronarëve, unë Merko Bozhanaj, morra pjesë në takimin që u organizuar nga Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani , për problemin e pazgjidhur të pronave tona të trashëguara. Presidenti shprehu preokupimin e tij të thellë për rëndësinë që ka zgjidhja e anarkisë së pronës duke u mbeshtetur në parimet dhe detyrimet kushtetuese si dhe në kërkesat e vendimit pilot të GJEDNJ. Zgjidhjen me përparësi të problematikës së këtij takimi vetë Presidenti e vlerësoi me rëndësi kombëtare. Eshtë fakt se vlerat morale të shoqërisë shqiptare në këto 25 vjet janë dëmtuar shumë dhe perspektiva e Shqipërisë në BE është e penguar pa u zgjidhur problemi i pronës private. Këtë e ndjejnë të gjitha familjet që vuajnë nga papërgjegjshmëria e Ramiz Alisë dhe e dy kryetarëve të PD dhe PS ne 1991 Sali Berisha dhe Fatos Nano, të zgjedhur prej tij, që imponuan vjedhjen me ligj të pronës së njeritjetrit dhe këtë platformë e servirën këtë si demokraci. Eshtë e pajustifikushme që kjo rrugë djallëzore vazhdon edhe sot. Të gjithë jemi koshientë se politikanët dhe partitë politike po tallen me pronarët, duke e nëpërkëmbur të drejtën e tyre. Mendova, që para Presidentit të Republikës, te shpreh mendimin e gjithë bashkëfshatarëve të mij që presin nga Shteti demokratik t’u kthejë fizikisht çdo trungu familjar pronat e tyre të trashëguara, një e drejtë, që Shteti po vazhdon të na i mohojë me demagogjinë e kompensimeve dhe me legalizimin e pushtimeve. Politikanët kujtohen për pronarët kur afrojnë fushata e zgjedhjeve parlamentare, prandaj ndër të tjera unë dhe pronarë të tjerë, që shteti pseudodemokratik na mohon pronën tonë, i parashtuam Presidentit të Republikës dhe njëkohësisht garant për zbatimin e Kushtetutës se:
Ne pronarët kemi një hall të përbashkët. Përpjekja e një grushti politikanësh që imponohen për të jetësuar ligjin 7501, një ligj ogurzi, vëllavrasës, antiligjor, antikanunor dhe mbi të gjitha antikushtetues me nenet 40, 41, 181 etj. Në asnjë vënd të botës demokratike nuk ka ndodhur që të merret me ligj prona pronarit të ligjshëm dhe ti jepet atij që nuk ka asnjë të drejtë trashëgimie për atë pronë. Kete model ligjor ka aplikuar Qeveria Serbe në vitet 1810, kohë në të cilën nxirte ligje me të cilat ju merrte tokat kosovareve dhe ua jepte kolonëve serbë. Në 1991pas rrëzimit të bustit, ne menduam se e rrëzuam sistemin e diktaturës komuniste, por diktarurën e zëvendësoi vjedhja, grabitja, tjetërsimi i pronës dhe për këtë çështje vazhdon gangsterizmi, prandaj demokracia është vetëm në letër. Shqiptarët janë trajtuar me standarde të dyfishta. Një pjesë e shqiptarëve janë bërë me dy prona, njëra në vëndbanimin e mëparshëm dhe tjetra në bregdet. Zullumet më të mëdha me pronat shihen aty ku janë pleksur interesat e pushtetarëve dhe këtë e gjen nga Kalaja e ujit të ftohtë në Vlorë dhe në jugë , duke përfshirë Dukatin, Himarën, Sarandën.
Koalicioni i majtë që qeveris vendin, premtoi zgjidhjen e problemit të pronës konform Kushtetutës por ky premtim nuk u mbajt. Projektligji që ka bërë Qeveria në 2015 është edhe më i zi se ligji 7501 që miratoi qeveria Berisha. Ligj i ri është pregatitur pa u konsultuar me grupet e interesit. Hartuesit e tij tallen me kushtetutën, me të drejtën tonë të pronësisë me vendimin unifikues të Kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë ne Mars 2002 dhe me vendimin pilot të GJEDNJ Manushaqe Puto etj. Madje një nen i draftit të Qeverisë, kërkon që pronarët mos të ankohen në Gjykatën e Strazburgut, mbasi kostot dhjetëra milionëshe për gjygjet e humbura nga ankimimet e pronarëve për pronën do të çojnë në falimentimin e shtetit. Ne e kemi votuar këtë shtet, dhe kërkojmë që ai të mos falimentojë sepse është shteti ynë. Por nëqoftëse shteti falimenton se politikanët duan të përvetësojnë pronat tona dhe nuk zbatojnë detyrimet që i ka ngarkuar Gjykata e Strazburgut dhe nuk kthen pronen tek pronari le të falimentojë menjëherë. Ne nuk e njohim dhe nuk do ta njohim këtë ligj. Kohët e fundit zoti Sali Berisha pranoi se ky ligj është bërë gabim. Por nëse vazhdon të shkelet Kushtetuta dhe sugjerimet e shoqates së pronarëve nuk merren në konsideratë, hipokrizia vazhdon.
Unë jam nga fshati Dukat i Vlorës dhe nga prindërit nuk kam prone në Karaburun, por jam i shqetësuar maksimalisht pasi nga të dhënat që kemi prona e Karaburunit, kërkohet të menaxhohet, të administrohet, të ndahet e të shfrytëzohet nga shteti sipas interesave të klaneve të pushtetarëve, e thënë shqip oligarkia politike kërkon të bëjë ligje për të vjedhur Karaburunin . Por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë ! Karaburuni është i Dukatit , ka qenë dhe do të jetë i Dukatasve. Para disa vjetesh Policia e Shtetit u përplas dhe e provoi me Dukatasit për problemet e pronësisë. Dukati e vuri përpara dhe e ndoqi policinë me gurë.
Unë jam 16 breza autokton në Dukat dhe me djalin tim dhe djemtë e djalit tim bëhen 18 breza që historikisht familjes time nuk ja ka marrë njeri pronën. Nuk ua mori as osmanlliu, as dushmani, as gjermani, as italiani, as diktatura se edhe ajo la ligjet përkatëse që nuk u zbatuan për klauzolën ligjore nëse prishej kooperativa, siç ndodhi me ndërrimin e sistemit. Mua dhe vëllezërve të mij nuk na është dhënë prona jonë në Dukat. Kjo është gabimi fatal i shtetit demokratik sepse atdheu im dhe i kujtdo nga ne që na është grabitur prona e babës dhe që nuk e posedojmë më atë, është vënë në shërbim të pushtetarëve dhe të pëlitikanëve të pandershëm. Eshtë turp i Shtetit Shqiptar, që pas vitit 1991 ne nuk na është kthyer prona që na morri padrejtësisht diktatura. Askush në botë nuk e ka tagin ligjor, kushtetues, kanunor që të më heqë mua identitetin e fshatit tim!
Anarkia e pronës ka krijuar dhe probleme sociale. Ata që kanë marrë pronat tona me këtë ligj të zi, na përcmojnë. Disa puthadorë dhe lëpirës kanë shkruar dhe në shtyp se ne ‘’jemi përcarës të fshatit’’, të depersonalizuar moralisht, kërkojmë të marrim protagonizmin dhe se pronat që ata na kanë marë me ligjin 7501 t’i harrojmë etj etj. Siç duket qeveritë tona të majta dhe të djathta nuk janë ngopur me gjakun e mbi 8000 të vrarëve për pronën. Ne sot jemi muhaxhirë në fshatrat tona, ne jemi çamët e koheve moderne. Çamët i përzuri Zerva me hekur e me zjarr ndërsa ne na përzuri Sali Berisha me një ligj që propaganda e tij dhe media demagogjike e quajti ‘’demokratik’’. Kërkojmë të drejtën dhe e drejta nuk na jepet. Para pak kohësh në Vlorë, Kryeministri, mbasi konstatoi shumë shkelje të rënda të pronës, tha se do të marrim masa për të dënuar gjykatës, noterë etj që kanë abuzuar me të drejtën e pronës. Po qeveritarët kush do t’i gjykojë. Kuptohet që ata do ti gjykojë populli dhe historia.
Ne pronarët autoktonë, nuk kërkojmë mëshirë e as lëmoshë por kërkojmë pronën e prindërve tanë të trashëguar në breza. Ne kemi guximin të luftojmë, pasi është prona jonë. Një nga nipat e mi më thotë se o do na marrësh pronën e gjyshërve tanë ose ty nuk do të të tretë dheu. Në krajun tjetër politikanët që kanë bërë zullume e paraqisin problemin e pronës si shumë të vështirë dhe që nuk ka zgjidhje. Projektligji që na është paraqitur parashikon shlyerjen financiare të pronarëve per 10 vjet me këste por faturat shkojnë miliarda. Këto qindra miliona euro që do të shpenzojë qeveria për 10 vjetë le të perdoren për nevoja publike e mirqënien e popullit që është aq i varfër. Nëse do të ketë vullnet politik zgjidhja është e thjeshtë: secili në pronat e tij dhe kjo nuk ka kosto. Për këtë duhet vetem vullneti i Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të LSI z. Ilir Meta dhe i kryetarit të PD z. Lulzim Basha për të pranuar kthimin e pronës si detyrim të shtetit sipas dokumentave të shtetëzimit të kohës së Enverit dhekompensim të ketë vetëm për ponat e tjetërsuara për nevoja publike.
Shteti po qe se ka kaq para të madhe të kompesojë ata që kanë nevojë për pronë dhe jo mua dhe mbi 90% e shqiptarëve që jemi pronarë të atdheut tonë . Kjo është kërkesa e pronarëve që zgjidh përfundiisht problemin edhe qeveria do të shpëtojë nga një borxh i stërmadh publik që e paguan kot, vetëm për një kaprico ose pragmatizëm elektoral të Sali Berishës.

*Merko Bozhanaj
Anëtar i Kryesisë të Shoqatës
‘’Krahina Jonë’’ Dukat Tragjas Radhimë

Filed Under: Komente Tagged With: Merko Bozhanaj, Nishani, pronaret, takim me presidentin

Vizita e Papa Françeskut në shtatorin e kaluar në Shqipëri, historike

September 21, 2015 by dgreca

Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për Radio Vatikanin me rastin e 1-vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri/

21 shtator 2015/Për Papën Bergoglio Shqipëria është shembull i bashkëjetesës ndërmjet feve, një vlerë e çmueshme kjo që duhet ruajtur e kultivuar gjithmonë me kujdes e dashuri. Vizita e parë në një Vend evropian: Papa zgjodhi udhën e Shqipërisë për të vizituar kontinentin e Vjetër. E nga Tirana Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se “forca e Kishës dhe e çdo komuniteti fetar është dashuria e Zotit”.

“Memoria e martirëve që kanë qëndruar në besimin e tyre në Hyjin gjatë diktaturës është garanci për të ardhmen e Shqipërisë; sepse gjaku i tyre është farë që sjell frytet e paqes e të bashkëpunimit vëllazëror”. Për Papa Françeskun Shqipëria “është Vend që dëshmon se si mund të bashkëjetohet ndërmjet besimeve të ndryshme” e të punohet për një shoqëri vërtetë njerëzore, të bazuar mbi vlera autentike.

Një vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, dëgjues të nderuar, e kujtojmë me Presidentin e Republikës se Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, Zotin Bujar Nishani, të cilin e falënderojmë përzemërsisht për kohën që gjeti, për të kujtuar së bashku atë ditë të paharrueshme, kur populli shqiptar e priti Papa Françeskun në Tiranë, një vit më parë.

Ajo vizitë papnore ishte një përqafim me mbarë popullin shqiptar, një takim me autoritetet më të larta të Vendit, duke filluar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Kryeministri, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, e të tjerë. Edhe një herë pra Zoti President ju  falënderojmë!

Shqipëria qe vendi i parë i Evropës që u vizitua nga Papa Françesku më 21 shtator 2014. Ju, si President i Republikës, si e vlerësoni atë shtegtim papnor në kryeqytetin e Shqipërisë?

Më së pari më lejoni që edhe unë të përfitoj nga rasti i kësaj bisede, të shpreh mirënjohjen time të pakufishme për atë çka Radio Vatikani ka bërë në historinë e përpjekjeve të Shqipërisë dhe shqiptarëve mbi të gjitha për lirinë. Liri për të drejtë, për besim dhe për demokraci.

Është një rast shumë i veçantë për mua, që të kem këtë komunikim e kontakt me Radio Vatikanin, me të gjithë dëgjuesit e saj, kudo që ndodhen nga e gjithë botën. Dhe me lejoni të nënvizoj faktin: që për ne shqiptarët Radio Vatikani ka qenë në ditë të vështira, por do të mbetet gjithmonë në memorien tonë, si shenjë e fortë e shpresës dhe e besimit për një të ardhme më të mirë, dhe juve na keni mbështetur në këtë. Ju falënderoj edhe njëherë!

Ju falënderojmë Zoti President për këtë vlerësim e për fjalë miradije që thatë tani, por edhe në përshëndetjen tuaj drejtuar Papës në Presidencë, duke përmendur edhe Radio Vatikanin, ndër shumë ngjarje të paharrueshme e personalitete të mëdha të historisë së popullit shqiptar. Po t’i  kthehemi vizitës së Papës. Një vlerësim i juaj, mbi atë shtegtimi papnor në Tiranë, i cili qe vërtetë domethënës, prekës e do të thosha kuptimplotë, po ta konsiderojmë edhe faktin se Shqipëria qe porta e Evropës të cilën e hapi Papa Françesku?

Vizita e Papa Françeskut në shtatorin e kaluar në Shqipëri, është pak të thuash se ishte historike, mbi gjithçka, ishte një mesazh i një vlerësimi të jashtëzakonshëm, që pakkush nga personalitetet botërore i ka bërë Shqipërisë, po kombit shqiptarë, gjatë historisë së tij. Përzgjedhja e Shqipërisë, pa dyshim që kishte simbolika shumë të forta, por ishte e lidhur edhe me mesazhet, me mesazhet e jashtëzakonshme, të shenjta që Papa Françesku drejtoi nga Shqipëria, nga Sheshi Nënë Tereza, nga Tirana për të gjithë botën e qytetëruar e të civilizuar, për gjithë njerizimin.

Ishte një vizitë e cila në fakt të them të drejtën, na ka befasuar, për shkakun se ishte vendi i parë që Shenjtëria e Tij, Ati i Shenjtë Papa Françesku zgjidhte për të bërë si vizitë në Evropë. Në një vend i cili, është një vend i shumë besimeve, i shumë feve, por që ashtu siç edhe do ta përshkruante në mënyrë të shkëlqyer Papa Françesku në fjalën e tij, në mesazhet e tij, jetoni në harmoni e në respekt me njëri-tjetrin, duke i treguar botës mbarë një shembull, nga i cili mund të udhëhiqemi dhe mund të referohemi. Pra mund të them se ishte një vizitë e cila në radhë të parë solli mesazhe të jashtëzakonshme, mesazhe vlerësimi pa dyshim, por mbi të gjitha shprese dhe besimi. Besimi tek Zoti, besimi tek Hyji, besimi tek e mira, besimi tek njëri-tjetri, dhe mbi të gjithë, e solli Shqipërinë me ato virtyte dhe parime, që ajo i ka trashëguar brez pas brezi në vëmendje të të gjithë botës.

Zoti President, ju patët një takim kokë më kokë me Papën në Presidencë. Për dëgjuesit e Radio Vatikanit dhe gjithë ata qytetarë shqiptarë që na dëgjojnë në atdhe e kudo tjetër, mund të na jepni një dëshmi tuaj rreth atij takimi, mund të ndani bashkë me ne diçka nga ai takim?

Po me kënaqësi, t’ ju them shumë sinqerisht, ishte një fillim shumë emocional. Ju garantoj se çdo njeri në botë, kur ka shansin dhe fatin të takoj Atin e Shenjtë, pushtohet në mënyrë krejt të natyrshme. Këto janë emocione të forta, emocione njerëzore, emocione që vinë nga, pikërisht shenjtëria që sjell me vete Ati i Shenjtë Papa. Dhe Papa Françesku e rrezatonte këtë shenjtëri që sa e takon, që sa i tok dorën, që sa e sheh në sy. Por më pas, po aq të çuditshëm, të gjitha këto emocione të zhduken menjëherë: nga mirësia, nga ëmbëlsia, nga mesazhet, nga biseda atërore e Papa Françeskut, i cili më befasoi me njohuritë e jashtëzakonshme që Ai kishte për Shqipërinë, për historinë e Shqipërisë, për hallet, problematikat, për vuajtjet që kishin kaluar shqiptarët veçanërisht në kalvarin e egër të regjimit gjakatar komunist në Shqipëri, të rezistencës që kishte pasur në tërësi populli shqiptar, veçanërisht Kisha Katolike, besimtarët katolikë, kleri katolik në Shqipëri, por dhe kleri i besimeve të tjera. Dhe mbi të gjitha, biseda qe aq e ngrohtë dhe aq e përzemërt  në lidhje me mesazhet për të parë drejt së ardhmes, për të parë drejt optimizmit, për të parë drejt respektit për njëri-tjetrin. Ishte një takim i cili do të mbetet më i paharruari në jetën time politike, institucionale dhe njerëzore.

Pikërisht këto vlera që Ju posa nënvizuat, të cilat Papa i dinte, i vlerësoi dhe ua propozoi, jo vetëm shqiptarëve por edhe Evropës edhe botës. Po kujtojmë se para disa ditësh, Papa përmendi përsëri Shqipërinë si shembull, si vend me vlera dhe një rini që premton shumë. Duke përmendur realitetin shoqëror, bashkëpunimin ndërmjet Shtetit e Kishës, Papa siguroi bashkëpunimin e Kishës katolike për të  mirën e shoqërisë.  Sipas jush, çfarë kontributi mund të japë Kisha Katolike, si institucion shpirtëror, së bashku me komunitetet e tjera fetare të vendit, për ndërtimin e indit të ri shoqëror tek shqiptarët?

Unë besoj shumë, jo vetëm për sa unë kam parë dhe kam qenë dëshmitar i një kontributi të jashtëzakonshëm të Kishës katolike, të klerit katolik, por edhe duke ju referuar historisë së gjatë të besimeve në Shqipëri, posaçërisht Kishës katolike e cila ka qenë pazgjidhshmërisht e lidhur me identitetin kombëtar të shqiptarëve, me atdheun e shqiptarëve, me ruajtjen e traditave më të mira të të parëve tanë, me ruajtjen e kulturës, të gjuhës, zakoneve, pra të identitetit tonë kombëtar. Po ashtu në momentet më të vështira të Shqipërisë, të okupimit, të mbylljes e të izolimit Kisha katolike ka qenë përçuese e mesazheve të ruajtjes së besimit, të ruajtjes së shpresës. Sot Kisha katolike edhe kleri tjetër i besimeve tjera në Shqipëri, në një harmoni edhe me njëri-tjetrin, në respekt të Shtetit shqiptar, në respekt të ndjenjave të popullit shqiptar, janë duke ofruar një kontribut të jashtëzakonshëm përmes mesazheve të tyre, përmes takimeve të ndryshme, përmes aktiviteteve të ndryshme. Me lejoni t’ju kujtoj se vetëm para pak ditësh në Shqipëri, nën kujdesin e Komunitetit të Shën Egjidit u zhvillua një konferencë  mbarë botërore, cila kishte në themel të saj, në fokus të saj çështjen e luftës kundër dhunës dhe të paqes; dhe besoj që mesazhet që dha pikërisht kjo konferencë, kur qindra e qindra klerikë nga e gjithë bota, nga të gjitha besimet, nga të krishterë, nga myslimanë, nga budistë, nga hindu, nga hebrenj u mblodhën në Tiranë, dhe nga Tirana përsëri duke  iu referuar mesazheve të Atit të Shenjtë të Papa Françeskut, rikonfirmuan dhe riadresuan edhe njëherë se sa e rëndësishme është bashkëjetesa, respekti i tjetrit, harmonia, mbi të gjitha paqja, paqja liria e demokracia. Pra, edhe kleri katolik në Shqipëri, Kisha katolike, ju siguroj se janë jo vetëm të pazgjidhshmërisht të lidhura me çështjen e identitetit kombëtar shqiptar, me rrugën Evropiane të Shqipërisë, por mbi të gjitha me krijimin dhe rrezatimin e një ambienti të harmonisë, të respektit dhe vëllazërisë.

Zoti President, në fjalimin tuaj para Papa Françeskut në Tiranë, theksuat binomin: “Atdhe Fe”, që karakterizoi klerin e Kishës katolike, por në përgjithësi edhe klerin e besimeve të tjera që dha jetën për të mbrojtur identitetin dhe vlerat që sot gëzon populli shqiptar. Papa Françesku insiston shumë që në shoqëri njeriu duhet të vihet në qendër. Shoqëria duhet të kujdeset për mbrojtjen e dinjitetin e qytetarëve. Papa pohon se vlerat etike e familja nuk mund të jenë në varësi të logjikës së përfitimit e apo të ndonjë interesi tjetër. Ju çfarë ideje keni? Ju për shoqërinë shqiptare, si e mendon dhe si do ta donte Presidenti Nishani shoqërinë vërtet demokratike të shqiptarëve?

Për fatin e mirë në traditën e hershme dhe të konsoliduar shqiptare, familja ka qenë, është dhe mbetet një vlerë e jashtëzakonshme, një vlerë themelore e cila përmbledh, përmban, lind, rrit e përçon të gjitha parimet tjera të së mirës tek njeriu: dijen, punën, respektin ndaj tjetrit, dashurinë për atdheun, ndershmërinë, thjeshtësinë. Pra, për mua baza e individit që lind dhe rritet tek një familje e shëndetshme, është pa diskutim jo vetëm e rëndësishme për individin, por është e rëndësishme për vendin tonë, për të ardhmen e tij, për kombin në tërësi, për shoqërinë dhe pse jo edhe për botën në të cilën ky individ pastaj  do të notojë në gjithë hapësirën e jetës së tij tokësore; kështu që unë vlerësoj shumë mesazhet dhe inkurajimet që vijnë pikërisht prej një familje të shëndoshë, prej një familje me vlera, e Shqipëria e ka të domosdoshme për t’a ruajtur fort këtë traditë, këtë trashëgimi, sepse  në fund të fundit përmes një familje të shëndoshë ne do të arrijmë të krijojmë gjenerata të cilat duke pasur në fondament respektin për familjen, do të kenë në refleksion respektin për shoqërinë, që do të thotë respektin për njeri-tjetrin dhe gatishmërinë për të kontribuar për të ardhmen.

Pikërisht në përkim me një vjetorin e vizitës apostolike në Tiranë, Papa Françesku nisi shtegtimin e tij në Kubë, që do të vazhdojë pastaj në SHBA-s, e me 25 shtator në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Papa dhe Selia e Shenjtë, kanë qenë përherë afër shqiptarëve e Shqipërisë dhe kanë vlerësuar virtytet e vlerat e kombit shqiptar. Si i vlerëson Presidenti Nishani marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Selisë së Shenjtë, marrëdhëniet diplomatike, po kujtojmë, janë të vendosur në shtator të vitit 1991?

Më së pari më lejoni të përfitoj nga rasti që të uroj dhe të lutem për një udhëtim të mbarë të Papa Françeskut në këtë sezon dhe jam i bindur që qoftë populli kuban, qoftë në SHBA-së e kudo tjetër, ku Papa do të jetë prezent, do të jetë një fat i mbarë, një ndjellje  e të mirës për ato vende dhe për popujt ku do të jetë i pranishëm Ati i Shenjtë Papa Françesku. Për Shqipërinë, marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, me Vatikanin, pavarësisht një periudhë të errët që u ndërprenë për shkak të një ateizmi të paimagjinueshëm dhe të çmendur të regjimit komunist në Shqipëri, kanë qenë edhe gjithmonë të rëndësishme pikërisht për vlerat për përparimet dhe mesazhet që Selia e Shenjte ka promovuar në mbarë botën. Tashmë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, janë më të shkëlqyera se kurrë më parë. Shqipëria ka një interes strategjik për t’i forcuar këto marrëdhënie me Selinë e Shenjtë, sepse mesazhet, inkurajimi, mbështetja dhe parimet që rrezatojnë nga Selia e Shenjtë, janë parime mbi të cilat shoqëria shqiptare duhet të ngrihet mbi to, t’i përqafojë fort ato dhe të shikojë të ardhmen e saj pikërisht në jetësimin e këtyre parimeve.

Unë jam i bindur që marrëdhëniet strategjike midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë do të vinë duke u përforcuar gjithmonë e më shumë. Sot Shqipëria është e angazhuar fort në udhën e saj të integrimit evropian dhe për ne në këtë udhëtim besimi, mbështetja dhe inkurajimi nga Selia e Shenjtë janë të pazëvendësueshme.

Duke ju falënderuar sinqerisht, pyetja ime e fundit është: çfarë do të donte Presidenti Nishani të veçonte nga ajo vizitë e paharrueshme e Papa Françeskut në Tiranë? Diçka që të mbetet si lajtmotiv e të jetë aktuale edhe për sot?

T’ju them të drejtën në mënyrë shumë të sinqertë, është e vështirë të zgjedhësh një mesazh specifik nga ato mesazhe dhe nga ato çaste që ne patëm mundësi të ndalemi me Shenjtërinë e Tij, Papa Françeskun në Tiranë, ishin aq të shumta sa që vërtetë është vështirë, çdo mesazh i tij ishte i veçantë, pati një jehonë të jashtëzakonshme, përmbante brenda këshilla të urta, por më lejoni të përzgjedh ndoshta njërën prej tyre që më vjen në këto çaste ndërmend, kur Ati Shenjtë kremtoi Meshën e Shenjtë në Sheshin Nënë Tereza, kur ju drejtua të gjithë shqiptarëve duke u thënë: ‘Uroj që shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e Vendit tuaj, të ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur për herë besimin tuaj në Hyjin që nuk na zhgënjen, por është gjithmonë pranë nesh posaçërisht në qaste të vështira’. Mbajtja e shpresës dhe natyrisht puna  nga ana e shqiptarëve, institucioneve shqiptare, shoqërisë shqiptare që shpresën për ta kthyer në dinjitet, është besoj mesazhi që ne duhet ta mbajmë vazhdimisht në mendjen tonë çdo ditë.

Zoti President ju falënderojmë e ju urojmë mision të mbarë në misionin tuaj me këtë përzgjedhje tuajën jashtëzakonisht simbolike, domethënëse, duke uruar e shpresuar që shqiptaret të dinë ta kultivojnë shpresën, bashkëjetesën, respektin vëllazëror e ta duan Atdheun si jetën e tyre. Ju falënderojmë!

Edhe unë ju falënderoj e uroj gjithashtu Radio Vatikanin, të gjithë stafin e saj e juve personalisht dhe të gjithë dëgjuesit e kësaj Radioje kaq të rëndësishme, punë të mbarë!

Filed Under: Featured Tagged With: Nishani, presidenti

Ambasadori Lu, pas takimit me Nishanin, takoi Ramën & Tahirin dhe Metën

September 21, 2015 by dgreca

Kryeministri Rama zhvilloi sot, e Hene 21 Shtator, një takim me ambasadorin amerikan në vendin tonë Donald Lu. Në takimin e mbajtur në kryeministri, ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.

Po sot, ambasadori amerikan ka zhvilluar një takim dhe me Presidentin Bujar Nishani. Për të dy takimet nuk ka pasur njoftime për temat e diskutuarat nga Zyrat e Shtypit.  Ndërsa në orën 13:30 Ambasadori i SHBA ka zhvilluar një takim me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Burime jo zyrtare nga Kryeministria thanë për mediat se në takim është diskutuar për vizitën që pritet të bëjë këto ditë në SHBA kryeministri Edi Rama. Megjithatë, vizita e kryeministrit në SHBA nuk mund të ketë qenë temë e takimit të ambasadorit Lu dhe me Presidentin, apo dhe me kreun e Kuvendit. Ka diçka që nuk thuhet, porse kanë filluar fjalët e para të dalin për një ndryshim në Qeveri. Kush ikën edne nuk dihet, komenton ne botimin e saj ne online gazeta Koha Jone !

Duke pasur parasysh dhe zhvillimet e fundit, akuzat për trafikun e drogës dhe dekriminalizmin, duket se takimet e sotme nuk janë zhvillime rutinë. Diçka po luhet në politikë. Pas takimeve të tilla gati urgjente, gjithmonë fshihen lëvizje të forta në politikë.

Prej ditësh ambasadori i SHBA-së ka qenë tepër aktiv lidhur me largimin e zyrtarëve të korruptuar dhe inkriminuar. Javën e kaluar ambasadori zhvilloi takime të veçanta me kryetarin e Opozitës Lulzim Basha, por dhe me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në ministrinë e këtij të fundit. Gjithashtu aktivitete publike të ditëve të fundit përcolli apelin për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi, luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasadori amerikan, Donald Lu, Meta, Nishani, Rama

Z. PRESIDENT, KTHENI DENIMIN ME VDEKJE!

July 7, 2015 by dgreca

Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe”/
New York, 7 Korrik 2015/
Deklaratë/
Drejtuar Presidentit të Shqipërisë Z. Bujar Nishani/
I nderuar Z. President!/
Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane “Shpresë & Paqe” (Hope & Peace) me Qendër në New York, ndjek me vëmendje ngjarjet në vend. Konkretisht jemi të shqetësuara për situatën e rëndë sociale që ndodhet Shqipëria përsa i përket vrasjeve ndaj të huajve e dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve jetimë.
Duke qenë se armët tashmë ndodhen në duart e njerëzve të pa ndërgjegjshëm e kriminelëve, organizata jonë është e mendimit se, Shqipëria duhet të aplikojë dënimin kapital – Me Vdekje.
Ngushëllojmë me këtë rast familjet e viktimave të dy turistëve çek si dhe popullin çek, si dhe dënojmë këtë akt barbar të shqiptarit kriminel në veri të vendit.
Njëkohësisht dënojmë dhunën që është ushtruar ndaj të miturve jetimë në Jetimoren e Shkodrës dhe e shikojmë të udhës që kujdestaret e kësaj qendre jo vetëm të pushohen nga puna, por edhe të marin dënimin e merituar nga drejtësia.
Për Organizatën e Gruas “Shpresë & Paqe”
Me respekt
Kryetarja
Mimoza Dajçi
Ne Foto:Ekzekutimi i denimit me vdekje per te fundit here eshte kryer 25 qershor 1992 në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër për t’u parë nga turma njerëzisht që erdhën dhe nga qytetet e tjera.Dy personat e ekzekutuar me vdekje ishin vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit. Ata u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”. Ata vranë pesë persona, mes tyre një foshnjë 8 muajshe.

Filed Under: Opinion Tagged With: Leter Presidentit, Mimoza Dajci, nag nju Jorku, Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT