Sonte në mbrëmje, në orën 6.00 Federata Panshqiptare e Amerikës, do të përkujtojë Fan S. Noli, me rastin e 50 Vjetorit të ndarjes nga jeta.
Në këtë sesion përkujtimor, që do të hapet nga Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, do të jetë i pranishëm edhe Pastor fr. Nathan Preston St. Nicholas Orthodoks Church. Do të përcillet edhe mesazhi i Atë Arthur Liolin, Kryekancelarit të Kishës së Nolit, enkas për këtë rast.
Më pas do të shfaqet dokumentarit”Me Zërin e ngrohtë të Nolit”-Arkivi i VATRËS- nga TV KULTURA SHQIPTARE.
Disa nga studiuesit e njohur të komunitetit shqiptar do të përcjellin ligjërata të shkurtra:
– Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu : “Pranimi i Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve dhe roli i Fan Nolit”;
– Poeti, studiuesi, ish editor i Diellit- Anton Cefa: “Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni”,
– Gazetari, ish drejtori i Zërit të Amerikës për Europën dhe Azinë Frank Shkreli” NOLI DHE GURAKUQI, ROLE TE MEDHA NE NE FATIN E KOMBIT”.
Ish gazetari i TV të Prishtinës, ish kryeredaktor i gazetës Illyria- Sinan Kamberaj”Noli në fushën e letrave, poet, përkthyes e historian”,
Ish gazetari i Zërit të Amerikës, studuesi Idriz Lamaj ” Noli, Konica,Mbreti Zog- përpjekjet për një Qeveri në mërgim”-Letra origjinale-
Editori i Diellit- Dalip Greca-” VATRA, DIELLI DHE PËRCJELLJA E IMZOT NOLIT 50 VITE TE SHKUARA NGA SHQIPTARET E AMERIKËS.”
Noli, asesi nuk mund të cilësohet si “Peshkop i Kuq!”
Nga Safet Ramolli/
Në vitin 2012, kur Noli kishte 130-vjetorin e lindjes, askush nuk u kujtua të thoshte, qoftë edhe dy fjalë të vetme. Më 6 janar 1882 është ditëlindja e njërit prej më të mëdhenjve që ka prodhuar trualli shqiptar. Ai është Noli. I artikuluar si Theofan Stilian Noli, Fan Stilian Noli, Fan Noli, Noli, apo sido qoftë tjetër, mjafton që të ngjasojë me Të, menjëherë kuptohet nga shqiptarët, (por jo nga pseudo-nacinonalistë). Kjo sepse në memorien e shqiptarëve AI është “ulur galiç”, ka zënë vend meritueshëm në majën e piramidës shqiptare, të atyre që e meritojnë këtë nder, këtë përkujdesje komunitare të “Opingës” (sikurse shprehej publicisti dhe shkrimtari i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e sidomos bashkautori i Shpalljes së Pavarësisë, i ndrituri Mihal Grameno).
Noli jetoi relativisht gjatë, (pak më shumë se 83 vjet), çka i mundësoi fizikisht të përjetojë shijet, mbresat dhe emocionet që burojnë nga ngjarjet e rëndësishme të shqiptarëve. Ato i përjetoi me këndgjykimin, shijen dhe ndjenjën e patriotit dhe të artistit, por gjithsesi edhe me mendësinë si shqiptar i ndershëm. Një jetë luftoi me intelektin si rrallëkush, por edhe në krye të rretheve patriotike e të mbarë komunitetit për të mbrojtur interesat e larta të kombit. Shpalosi në sytë e botës intelektuale, shtetare dhe diplomatike të përparuar e të demoktarizuar, intelektin e popullit shqiptar si dhe vendosmërinë për të mbrojtur trojet etnike të të parëve të vet për të jetuar në prosperitet. Noli ngërthen disa cilësi të rralla, që e bëjnë atë gati të papërsëritshëm. Më poshtë do të bëjmë kujdes të evidentojmë disa prej tyre, por gjithsesi përciptazi.
Noli mbetet demokrat konseguent
Kjo është cilësia bazale e karakterit të tij, që e ka bashkëshoqëruar përgjatë gjithë jetës. Në themel të tij zë vend të çimentuar çështja e qeverisjes së popullit në liri, në barazi dhe progresivitet. Gjithëherët e pati të konsoliduar mendimin për një qeverisje sipas përvojës demokratike të Perëndimit, duke mbajtur në konsideratë formimin psikologjik të popullit të vet, por gjithëherët në demokraci e prosperitet.
Si Burrë Shteti, si intelektual, si diplomat e orator, e ka pohuar qartë dhe prerazi se, është për një qeverisje në formën e republikës demokratike, të cilën edhe e pranon si më të mirën, më efikasen, dhe më të pranueshme nga shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha. Krejt qartë pohon se koha e monarkisë në të cilën sundon me gjithëpushtet një njeri, që thirret e quhet mbret, ka perënduar. Ata që e kishin e “çporrën” me dhunë a me konsensus mbarëkombëtar, atje ku ruhet, përbën një ritual formal. Bota e qytetëruar, e përparuar dhe e demokratizuar e ka dhënë shembullin e qeverisjes në demokraci. Willsoni në SHBA, Ataturku në Turqi, disa të tjerë gjetiu, duke qenë prerazi kundër monarkisë, e rrëzuan dhe i dhanë jetë republikës si formë qeverimi me frymëmarrje të gjerë dhe me mundësi më të shumta për të shprehur dhe realizuar interesat themelore të shtetasve. (Por, nuk më duket ide e realizuar mirë vendosja e përmendores së Willsonit, (në kuadrin e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisëme shikim nga lindja. Ne “… nga ana e jonë kemi zgjedhur prej kohe anën e popullit. Nga ajo anë kemi për të qëndruar deri në fund…”, artikulon prerazi Noli. Ai dha shembullin sesi mund të organizohet një qeverisje në demokraci. Në kabinetin qeveritar, thirri intelektualë e patriotë në zë, me dëshirë për të punuar sipas interesave të popullit. Njerëzit që përbënin atë ishin patriotë të kulturuar, hipën në pushtet me dëshirën e popullit, nuk u dhanë shteteve të huaja asnjë copë toke shqiptare për të qëndruar në pushtet, qenë të ndershëm. Ishin të civilizuar, nuk bënë asnjë vrasje politike, jetuan me ndershmëri dhe dinjitet. Vetëm nga sa cikëm përciptazi më lart, mund të pohojmë se Noli në thelb mbetet demokrat. Të ardhmen e Shqipërisë e gjykonte në demokraci dhe prosperitet.
Noli mbetet figurë komplekse, por asesi nuk është “Peshkop i Kuq?!!”
Në mbrëmje 18 janari 2013 po ndiqja një emision televiziv. I mirënjohuri Nasho Jorgaqi pyetjes në se Noli ishte politikan apo fetar, iu përgjigj me një artikulim të sekretarit të Nolit, i cili pohon qartazi, se Noli, përtej asaj që nuk e njihte, besonte. Edhe studiues e biografë të veprës së tij, thuajse kanë rënë në emërues të përbashkët: Noli përbën një figurë komplekse, që duhet analizuar, vlerësuar e çmuar në kohë, duke vendosur gjithnjë paralele edhe në marrëdhëniet e tij me bashkëpunëtorët dhe me vlerat e rrethanave historike ku u ndodh e militoi. Disa personalitete të kohës, vendas e të huaj, e epitetuan “Peshkop i Kuq”, togfjalësh që e përdor edhe Xh. Kastellani, autori kontemporan i veprës madhore “Histori e Ballkanit”. Por studimi objektiv e shkencor i kësaj vepre, të çon tek mendimi se, Noli ishte jo vetëm intelektual poliglot, por dhe patriot demokrat. Ishte veprimtaria diplomatike këmbëngulëse, brilante dhe e argumentuar e tij, që ndikoi, që presidenti amerikan atëmot, Willsoni, të mos jepte pëlqimin për copëzimin territorial të Shqipërisë, tezë e fabrikuar në kulisat politike e diplomatike të Fuqive të Mëdha të Evropës dhe të vendeve ballkanike përmes disa traktateve të fshehta. Këto i pohon me gojëplot Xh. Kastellani, por togfjalëshin e mësipërm, gjykoj se e artikulon, ndoshta i ndikuar referuar disa analistëve, të shprehur jo pak herë në këtë çështje. Edhe në tetor 2004, media shqiptare, jo pa shqetësim shprehet për një botim në SHBA, që shpërndan tis mjegulle mbi figurën e Nolit, duke e konsideruar këtë veprim si një synim për të përbaltur kulturën shqiptare në tërësi.
Pas shpalljes së pavarësisë e në vijim, një kusht i domosdoshëm për njohjen e shtetit shqiptar ishte garantimi i tërësisë territoriale, (i kufijve të caktuar më 1913). Në këtë kuadër, pos veprimtarive diplomatike u kryen edhe disa veprime me karakter luftarak. Në janar 1920 në Lushnjë u mblodh një kongres i ngjashëm me atë të Vlorës, i cili krijoi një kabinet qeveritar me në krye Sulejman Delvinës, një mik i vjetër i I. Qemalit por edhe statist me vlera, i çmuar prej disa personaliteteve të kohës. Kjo qeveri në shkurt u zhvendos në Tiranë. Këtë vit francezët largohen nga Korça, territoret ua dorëzuan autoriteteve shqiptare, dhe, pas një lufte, që ka zenë vend dukshëm në histori, në qershor 1920, italianët dorëzuan me pahir Vlorën. Ndërkohë Noli shkon në Gjenevë për të mbrojtur me diplomaci fleksibile çështjen shqiptare, prandaj Lidhja e Kombeve e pranoi Shqipërinë anëtare në dhjetor 1920, vetëm me votën “kundra” të Francës. Konkluzioni mbetet i qartë, këto mendësi dhe këto qëndrime praktike, por edhe të tjera, nuk mund të vlerësohen dhe as të çmohen veprime tërësisht të një “Peshkopi të Kuq”.
A ishte Noli-antikomunist?!!
Duke qenë në thelb demokrat konsekuent, natyrshëm ishte dhe mbetet antikomunist. Është e qartë që Noli në Shqipëri punoi përkrah patriotëve të shquar dhe demokratëve të ndershëm A. Rustemi. H. Prishtina, Z. Dibra, Hoxhë Kadri Prishtina, L. Gurakuqi, B. Curri etj., cilët i pati bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë besnikë, të ndershëm e të vendosur. Edhe në emigracion pranoi për shokë, bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë patriotë të tjerë si F. Konica me shokë. Noli pranonte me dëshirë mbi krye personalitete të huaja të kohës që spikatnin në luftën për demokraci e prosperitet, por edhe të tjerë që kishin hyrë në histori meritueshëm si Willsoni dhe Abraham Linkolni në SHBA, Mustafa Qemali në Turqi, e të tjerë, të cilëve edhe u referohet me respekt gjatë veprimtarisë së tij. Ai perifrazon Linkolnin, i cili pati mençurinë të evidentojë forcën realizuese të popullit kur shprehet edhe sa vijon: ”Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë. Mund të gënjesh edhe tërë popullin për ca kohë. Po kurrë nuk mund ta gënjesh popullin e tërë për tërë kohën”.
Vlerësimin e Nolit si antikomunist e bën njëri prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në mërgim. Ky është Faik Konica, i cili pranon se Noli ka qenë njeriu, i cili ka luajtur rol të madh në lëvizjen shqiptare, dhe se do të mbetet në histori të Shqipërisë si Burri që i pari futi zyrtarisht gjuhën shqipe në meshë. Pohimi që bën F. Konica për Fan Nolin se, për “… nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij… u ngjan kishtarëve të Përlindjes Italiane”, na çon në përfundimin se Noli mbetet një nga figurat me përmasa të mëdha në fushën e qeverisjes dhe të administrimit të komunitetit shqiptar në demokraci dhe jo në autokraci. Në të pastajmen mendimi demokratik dhe antikomunist i Nolit evoluon, për të ardhur në vitin 1956, kur në mënyrë kategorike refuzoi ftesën për të vizituar vendin e tij, të cilin e deshte shumë, por që nuk mundi ta shohë më nga pranë. Kështu, mund të artikulojmë me plot gojën se, Noli mbetet një personalitet që i bën nder të veçantë kombit tonë. Ai kurrsesi nuk mund të mënjanohet, për më tepër të harrohet. Ishte i Madh në shpirt, në intelekt, në atdhedashuri, e në gjithçka të vyer për një njeri. Ishte dhe mbetet vigan, krahas viganëve të tjerë, të cilët i pranonte si bashkëshokë e bashkëluftëtarë.
“Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni
* “S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri . . . . Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësinë tonë kombëtare.” – Woodrow Wilson/
* “Wilsoni bëri më tepër se çdo njeri për indipendencën e Shqipërisë” – Fan Noli/
* “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre.” – Faik Konica/
NGA ANTON CEFA/
Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë, udhëheqësit e “Vatrës” erdhën në përfundimin se fitorja kaloi nga Forcat e Boshtit, tek të cilat kishin shpresuar deri atëherë në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në anën e Forcave Aleate (Antantës). Në mënyrë të veçantë, atyre ua ngrohi zemrat qenia në krye të këtij shteti të madh e presidentit Woodrow Wilson që “predikonte me gjithë zellin e një profeti biblik nevojën për një kod moral në politikën ndërkombëtare” 1).
Wilsoni qe përpjekur me ngulm ta mbante vendin e tij jashtë konfliktit dhe të zbatonte planet e tij reformiste, por me provokimet e herëpashershme të Gjermanisë dhe, sidomos, kur ajo fundosi katër anije amerikane, ai i kërkoi Kongresit t’i shpallte luftë asaj. 2).
Në fjalimin e tij historik para Kongresit Amerikan, më 2 prill 1917, ai deklaroi se “lufta qe bërë e paevitueshme, në emër të ruajtjes së paqes dhe demokracisë në botë. . . Ne nuk kemi asnjë dëshirë për pushtim apo dominim . . . nuk është gjë e lehtë të udhëheqësh këtë popull të madh e paqedashës në luftë. . . . Por e drejta është më e çmueshme se paqja dhe ne duhet të luftojmë për ato gjëra që janë të shtrenjta për ne . . . . Sot ka ardhur dita që Amerika të derdhë gjakun për parimet të cilat i dhanë jetën, lumturinë dhe paqen që ajo ruan . . . . Zoti e ndihmoftë!”3).
Më 8 janar 1918, Wilsoni propozoi “14 Pikat” e tij të njohura si bazë të bisedimeve për paqen. “Si njëri nga katër udhëheqësit e Konferencës së Paqes, ai luftoi burrërisht për të kontrolluar lakminë e vendeve fituese dhe u përpoq për të vendosur drejtësi për të gjitha kombet.” 4).
“14 Pikat”, ndër të tjera, kërkonin qw: politika e jashtme e një shoqërie demokratike të mbështetej në baza të shëndosha morale; zgjidhja e konflikteve të bëhej nëpërmjet marrëveshjeve të hapura, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popujve; të kufizoheshin armatimet në maksimum dhe të përdoreshin ato thjesht për sigurimin e brendshëm; lundrimet e lira në detra të hapura.
Një nga arritjet më të mëdha në planin 14 Pikësh ishte formimi i Lidhjes së Kombeve. Në pikën e fundit të planit të Wilsonit për paqën, thuhej: “Një shoqatë e përgjithshme e kombeve duhet formuar . . . me qëllimin e sigurimit të garancive të ndërsjellta të pavarësisë politike dhe integritetit territorial të shteteve të mëdha e të vogla” 5).
Ai arriti t’i bindë shtetet fituese të pranojnë formimin e Lidhjes së Kombeve, të parën organizatë të madhe ndërkombëtare, tek e cila ai varte shpresën e një paqeje të qëndrueshme; por u zhgënjye thellësisht, kur, pasi u kthye në Amerikë, Senati – armik i tij – nuk e ratifikoi Traktatin.
Në këtë dokument përmendeshin zgjidhjet konkrete të shteteve të veçanta si Rusisë, Belgjikës, Francës, Italisë, Austro-Hungarisë, Turqisë, Polonisë. Në pikën 11 (po e japim të plotë në referencat) (6), flitej për shtetet e Ballkanit, por nuk përmendej Shqipëria.
* * *
“Deklaratat e Wilsonit rreth ‘luftës për t’i dhënë fund luftës’ dhe ‘e drejta e vetëvendosjes së kombeve’ u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta të rinjve guximtarë (është fjala për ushtarët shqiptaro-amerikanë, – sqarimi im, A. Ç)” 7).
Ja si shkruan Qerim Panariti: “Me hyrjen e Amerikës në luftë në Prill 1917, shpresat për çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët u shtuan, po me zgjerimin e shpresave për shpëtimin e Shqipërisë, u zgjerua dhe aktiviteti i Nolit. Nolit tani s’i zinin këmbët dhe. Detyrat kishëtare s’mund t’i neglexhonte, Vatrën s’mund ta neverite. Personi i Nolit, oratori më i shënuar i racës Shqiptare n’Amerikë, u detyrua të bredhë nëpër kampet e rekrutimit ku ndodheshin djem Shqiptarë duke i këshilluar se hyrja e Amerikës në luftë do të shpëtonjë Shqipërinë dhe botën nga tirania militariste e autokrative monarqike të Evropës Qëndrale.” 8).
Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e “Vatrës” i joshi kërkesa e Presidentit për vetëvendosjen e popujve dhe ndalimin e traktateve të fshehta.
Më, më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historkik ku është varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Washington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilsonin, ai i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” nga Washingtoni këtë mesazh: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Ëilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .” 9).
Fakti që nuk përmendej Shqipëria në Planin 14 pikësh qe shumë shqetësues si për të gjithë shqiptarët ashtu edhe për shqiptarët e Amerikës. Gjithsesi, Noli dhe drejtuesit e “Vatrës” kishin besim tek Wilsoni, tek premtimi që ai i kishte dhënë Nolit në Mount Vernon dhe sepse në pikën 11 flitej për garancitë ndërkombëtare për pavarësinë politike e ekonomike dhe integritetin tokësor të disa shteteve ballkanike; dhe, mbi të gjitha, sepse fryma e Fjalimit të Presidentit në planin e paqes ishte plotësisht në hullinë e vendosjes së të drejtave të popujve. Nga fundi i Fjalimit të tij, Wilsoni thonte: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për gjithë popujt dhe shtetet, dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të barabarta të lirisë dhe sigurisë me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët”. 10).
Takimin e tij me Wilson-in, Noli ka për ta kujtuar me admirim e mirënjohje të thellë e vlerësim të lartë në disa raste. Në Fjalimin e tij drejtuar ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare në Camp Devens, më 8 shtator 1918, ndër të tjera, ai tha: “Ne i kemi sytë nga Amerika për mëkëmbjen e pavarësisë shqiptare. Duke gjykuar nga rrjedha e zhvillimit të ngjarjeve në fushën e betejës, tani nuk ka asnjë dyshim që kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Amerikës, që do të jetë një triumf për demokracinë botërore dhe kushtet e palës do të diktohen brenda territorit gjerman nga një arbitër botëror, që e do drejtësinë, siç është presidenti Wilson.” 11).
Po në këtë fjalim, duke bërë fjalë për takimin me Wilsonin, shkruan: “Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqëusesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Wilson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflover gjatë pelegrinazhit në Malin Vernon. Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: ‘Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”. Dhe shton: “Unë nuk kam nevojë t’ua tregoj sa i fortë është ai zë dhe se çfarë vëmendje të respektueshme dhe të bindshme ka ai në gjithë botën, i shtyrë nga drejtësia dhe i përkrahur nga miqtë e fuqishëm amerikanë, më të fuqishëmit që bota ka parë ndonjëherë.” 12). Po në këtë Fjalim, duke folur për Wilsonin, thotë: “Wilsoni është i sigurt se do të fitojë e do të zërë vend në histori si Linkoln-i për humanizmin dhe si çlirimtar i të gjithë kombeve të mëdhenj dhe të vegjël. Kur do të shpallet paqja, Shqipëria do të rifitojë pavarësinë.”
Në mbrojtje të çështjes shqiptare, Noli, udhëheqësit e tjerë të “Vatrës” dhe personalitete amerikane, miq të Shqipërisë, botuan, në këtë periudhë, shkrime në “Dielli” dhe në revistën “The Adriatic Review”. Revista “Adriatic Review” u botua në Boston në gjuhën angleze, në vitet 1918-1919. Ajo i dërgohej zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane dhe personaliteteve tjera të shquara amerikane. 13). Në një nga numrat e kësaj reviste, u botua një memorandum, dërguar presidentit Wilson, më 27 nëntor 1918, në kohën kur Aleatët po planifikonin rishtas copëtimin e Shqipërisë. Memorandumi u firmos nga këta klerikë ortodoksë shqiptarë: At Fan S. Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Camçe, 14). Mbasi jepet një historik i shkurtër i copëtimit të Shqipërisë, etj., në këtë dokument thuhet: “Shqiptarët shpresonin që Amerika dhe Aleatët do ta ndihmonin me zemërgjerësi Shqipërinë të rimëkëmbej, duke zgjidhur çështjen ballkanike në baza të forta, duke shpëtuar një racë të lashtë e mjaft premtuese nga zhdukja dhe skllavërimi, e duke i dhënë asaj vendin që i takon midis kombeve të qytetëruara të botës, vend për të cilin u zhvilluan betejat më të ashpra e më të gjata në shekuj.”15). Stili i memorandumit është dëshmi e qartë e dorës së Nolit.
Noli dhe vatranët e konsideronin Wilsonin si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Wilsoni në “14 Pikat” nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata, vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan, i cili në fund të Fjalës së tij, mbasi parashtroi planin për paqën botërore, pati theksuar: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për të gjithë popujt e shtetet dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët” 16). Në shkrimin “Peshkop Noli dhe bashkësia shqiptare në SHBA”, Peter R. Prifti ka shkruar: “I impresionuar thellë nga idealizmi i Wilsonit, Noli u bë një përkrahës i pasionuar i demokracisë wilsoniane. Drejtësia ndërkombëtare, vëllazërimi njerëzor, simpatia për të dobëtit, paqja botërore qenë idealet dhe vlerat që Noli dhe shqiptarët e Amerikës i bënë të tyret dhe u përpoqën të jëtojnë në përputhje me to.” 17).
Vlërësimi i lartë i Nolit për Wilsonin shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson. 18). “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Wodrov Wilsonit, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.” Mbasi vë në dukje të mirat ekonomike e politike që ka pasur Shqipëria prej shqiptarëve të mërguar atje dhe prej vetë shtetit amerikan, ai thotë: “Dhe kur themi Amerika, na kujtohet një emër, se të gjitha këto kanë ngjarë, kur nga Shtëpia e Bardhë e Washingtonit, administronte Shtetet e Bashkuara i shkëlqyeri dhe i shumëvuajturi President Wilson.”
Spikat, në Fjalimin e Nolit, idealizmi i Wilson-it dhe i vetë Amerikës.”Veç titullit ‘Amerikan’, Wilsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Ameriaka është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë.”
Më pas me penelata të shpejta, në këtë panegjerik, që është një nga perlat më të çmuara oratorike të Nolit dhe gjithë oratorisë shqiptare, ai na jep mjedisin familjar e shoqëror ku u rrit e u formësua karakteri i Presidentit: “Wilsoni u rrit në kishë, në një rrethim fetar me ungjillin në dorë, i predistinuar apostull i një ideali kristianik e njerëzor”, dhe më poshtë: “në çdo gjest e në çdo fjalë çfaqej njeriu mistik i iluminuar, i dërguar prej Përendisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të çelniktë kishte mirësinë e Shën Françeskut.”
Duke cituar nga Fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh, amerikan Wilsonit (A nuk qe edhe Noli një “apostull i një ideali kristian e njerëzor” e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Wilsonin, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, “Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij.”
Wilsoni u përpoq t’u detyrojë të dy palëve, fituesve dhe të mundurve, një paqe të drejtë të bazuar në idealet e tij, të përvijuar në “Katërmbëdhjetë Pikat”, “po në Versailles Wilsoni u ndodh si Danieli në shpellën e luanëve … Aleatët kujtonin se tërë programi idealistik i Wilsonit s’ishte veç një propagandë hipokrite për të gënjyer opinionin e përbotshëm”, thotë Noli. Dhe, vazhdon, duke përgjithësuar fatin e idealistëve, gjithnjë sikur mediton per veten e tij: “Se kjo është tragjedia e të gjithë idealistëve, që bota kujtojnë se idealizma është vetëm një maskë për të fshehur qëllime egoistike dhe materialiste të pavjelura.”
Drama e Wilsonit bëhët më e rëndë, kur kthehet në atdhe, sepse “dhe atë copkë të fitorjes që mundi të çkëputë nga thonjtë e luanëve të Versailles tani vendi i tij do t’ia rrëmbente nga duart … Senati Amerikan refuzoi të ratifikojë Paqen e Versailles, të kryesuar prej Paktit të Lidhjes së Kombeve . . . Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes”. “Partizanllëku i vërbër më shumë se çdo faktor tjetër e shkatërroi Lidhjen e Kombëve.” 19), ka shkruar historiani amerikan Thomas A. Bailey, duke komentuar mosmiratimin e vendimeve të Versajës nga Senati.
Rishtas, por me detaje më të hollësishme, edhe në këtë Fjalim, ai rikujton takimin me Wilsonin në Washington, duke e cilësuar atë “kalorës të kohëve të kaluara në një kohë tragjike”. “Atëherë iu afrova – dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjen e tij bujare e mbanj mend sikur po e dëgjonj sot … Dhe e mbajti fjalën. Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definiti. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufiret, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Wilson.”
Noli e rikujton Wilsonin, gjithashtu, në Gjenevë, kur Shqipëria, e përfaqësuar prej tij, u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht: “Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Wilson.”
Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për ëWlsonin, duke e quajtur atë: “profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist”. Dhe më poshtë: “Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë”; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: “Lufta jonë s’ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923; shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje”.
Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Wilsonin dhe Amerikën: “Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë sqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: “Regere parvos, debellare superbas” (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mprojnë të vegjëlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare.” Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barabaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjësë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që “të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes ndërkombëtare”. Dhe, po ashtu, ajo lindi George W. Bushin, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhët e pavarur.” Dhe, në emër të Amerikës, e njohu Pvarësinë e saj të shpallur më 17 shkurt të këtij viti.
* * *
Po, nga ledhet e fortesës së “Vatrës” qe edhe një tjetër shqiptar i madh që falënderoi Amerikën dhe presidentin Wilson për të mirat që blatuan për vendin dhe popullin tonë dhe vlerësoi lart idealet e tyre. Ai qe Faik Konica. “Jemi bindur se çdo shqiptar di dhe kupton – shkroi ai – se ç’borç të madh i kemi Wilsonit. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s’merr vesh se shpëtimi dhe liria e vendit (të) tij i detyrohet kryesisht Wilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë”. Dhe më poshtë: “Shqipëria ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s’ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau, dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilsonit . . . Ndërgjegja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh, dhe u drodh nga gëzimi; se Wilsoni duke mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt, e mbronte parimin” 20).
Kur vdiq presidenti Wilson, ai shkroi: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Wilsoni duhet t’ish i madh për Shqipëtarët”. 21).
Për ta përjetësuar emrin e këtij mbrojtësi të madh të atdheut tonë, Konica, në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”, i propozoi, me anën e një kabllogrami, Kuvendit Themeltar në Tiranë që emri i Presidentit Ameriakn të regjistrohet në toponiminë shqiptare. Ja telegrami i Konicës:
“Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve pa ndryshim partie: Me vdekjen e ish-presidentit Wilson u çduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtar’ i Shqipërisë. Proponimi im është t’i jepet emëri Wilsonville ose Shën Gjergjit ose Sarandës. Juaji me respekt: (Nënshkruar) Faik Konitza.
Përgjigjja Konicës i erdhi më 11 gusht 1924: “Me vendim ministerial, Shën Gjini u pagëzua Ëilson” (Nënshkruar) Noli. 22). Dihet që në periudhën e diktaturës komuniste u zhduk nga harta e Shqipërisë emni i këtij Presidenti të lavdishëm.
Konica nderoi Mikun e Madh të Shqipërisë, duke nderuar kështu veten, “Vatrën” dhe gjithë kombin tonë. Disa ditë pas vdekjes së Wilsonit, pikërisht më 12 mars 1924, ai i dërgoi zonjës së nderuar të ish-Presidentit, Edith Bollin Galt Wilson, një kurorë të bukur prej njëqind trëndafilash, 50 të kuqe e 50 të bardha, të lidhur me një kordelë me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, ku qe shkruar me dorë: From the Albanian Federation Vatra, Boston, Massachussets”. 23). Veç kësaj, Konica i dërgoi zonjës së nderuar Wilson telegramin: “Jepmëni leje, Zonjë, të bëhem me respekt dragoman i hidhërimit të thellë e të kthiellët që ndjejnë Shqipëtarët, të cilët te personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre, një mik mirëdashës e të fuqishëm në orët më të zeza të rrezikut e të brengjeve.” 24).
Mirënjohja e popullit tonë për presidentin ëWlson dhe Amerikën, falëlënderimi dhe nderimi gjetën pasqyrim edhe në një këngë popullore të thjeshtë e të bukur, “Këngë për Madhërinë e Tij Wilsonin”. Për popullin tonë kënga është vlerësimi më i lartë, që ai i jep një njeriu për bëmat e tij të shquara, është një lapidar përjetësimi. Ja disa vargje të kësaj kënge:
Thërresim ‘Rroftë Amerika’
Madhëri e Tij Wilsoni,
Me katërmbëdhjetë pika,
I thotë Evropës qëndroni!”
“Një profesori amerikan, të quajtur Elmer J. Jones, – shkruan Jup Kastrati në biografinë e tij për Konicën – i bie puna të vizitojë vendin tonë. Në fshatin ku kalon, dëgjon një këngë për Wilsonin. Ia përkthejnë dhe ky ia dërgon Presidentit amerikan. Atëherë ky i fundit shfaq mirënjohjen e vet me letrën që po riprodhojmë poshtë:
“Vashington D.C. 26th January 1922
I dashur z. Profesor Jones,
Ju falënderoj sinqerisht për letrën tuaj dhe për përmbajtjen e saj. S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri. Duket se do të keni pasur një eksperiencë plot interes. Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe ma sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësitë tona kombëtare.
Me urime të përzemërta,
(Nënshkruar) Woodrow Wilson. 25).
Referenca dhe shënime
1). University of Knowlledge, “Great Leaders”, Edited by Franklin J. Meine, Ph. B., M. A. and Harris Gaylord Warren, Ph. D., p. 379.
2). “The New Webster’s International Encyclopedia”, Edition published by Trident Press International, Fl., 1998, p. 1188
3). Albana Mëlyshi Lifshin, “Udhëtim në Historinë Amerikane”, “Dita”, Tiranë, 2003, f. 225).
4). “Great Leaders”, p. 385.
5). Arthur S. Link “The Papers of Woodrow Wilson, vol. 45, 1984, p. 536.
6). Arthur S. Link. “14 Pikat”, Pika XI – “Rumania, Serbia dhe Mali i Zi duhet të zbrazen (nga forcat e huaja ushtarake – shënimi im, A. Ç), t’u rikthehen territoret e tyre; Serbisë t’i jepet dalje e lirë dhe e sigurt në det, dhe marrëdhëniet e disa shteteve ballkanike me njëri-tjetrin të përcaktohen nga negociatat miqësore, në vijat kufitare të vendosura historikisht, dhe, gjithashtu, t’u jepen garancitë ndërkombëtare për pavarësi ekonomike e politike dhe integritet tokësor për disa shtete ballkanike sipas kombësisë.”
7). The Albanian Struggle in the Old =orld and Ne+” – Compiled and +written by members of The Federal =riters’ Project of The =orks Progress Administration of Massachusetts, The =riter, INC. publishers, Boston, 1939, p.58.
8). Qerim Panariti, Fan S. Noli, Albumi II”, botuar në Boston, Massachusetts, 1966, f. 67
9). Idem, ibidem, f. 68.
10). Arthur S. Link, vepër e cituar.
11). ‘Noli: ‘Shqipëria i ka borxh Amerikës, përgatitur nga E. Alliu, gazeta “Illyria”, dt. 31 janar-3 shkurt, 2003″, f. 24.
12). Po aty.
13). Shih “The Albanian Struggle in the Old =orld . . .”, p. 59-60.
14). Refat Xh. Gurrazezi: “Historia e Federatës ‘Vatra”, Shtëpia botuese Globus R., Tiranë, 2006, f. 93-94.
15). “Noli: “Shqipëria i ka borxh Amerikës”, “Illyria”, 31 janar -3 shkurt 2003.
16). Arthur S. Link “The Papers of =oodro+ =ilson, vol. 45, 1984, 536.
17). Peter R. Prifti “Land of Albanians: A Crossroads of Pain and Pride”, Tiranw, “Horizont”, 2001, p. 229.
.18). Fan S. Noli, “= =ilson”, në”Portrete dhe skica”, Mbledhur dhe përgatitur nga dr. Nasho Jorgaqi, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1995, f.123-129. Të gjitha citimet nga ky fjalim janë marrë nga ky botim.
19). Thomas A. Bailey Woodrow Wilson and The Great Betrayal”, Published 1963 by Quadrangle Paperback, p. 38. Për këtë problem, po në këtë vepër, f. 187, lexojmë: “Prokurori i përgjithshëm i Amerikës në kohën e =ilson-it, Thomas G. Gregory, ka thënë: “Lidhja u hodh poshtë në SHBA jo pse ajo qe Lidhja e Kombeve, por sepse ajo qe Lidhja e =ilson-it, dhe sepse udhëheqësi i madh qe rrëzuar dhe nuk kishte asnjë tjetër që mund ta përdorte shpatën e tij të fuqishme”.
20). Muin Çami, “Jehona e vdekjes së Uodrou Uilsonit në mjedisin shqiptar”, Studime historike, Tiranë 2004, f. 35.
21). Prof. Dr. Jup Kastrati, “Faik Konica” (monografi), Gjonlekaj Publishing, New York, f. 173.
22). Idem, f. 174-175.
23). Idem, ibidem.
24). Idem, ibidem.
25). Idem, ibidem.
NE FOTO: Presidneti Wilson dhe delegatet e Kombesive ne SHBA, te ftuar nga presidenti me rastin e 4 Korrikut 1918. Shqiptaret u perfaqesuan me ikonen e tyre, Fan S. Noli, qe duket ne foto ne te majte te Presidentit. Dallohet lehte nga Jaka Prifterore.
Shoqata, Kishës: Pranojeni “Nolin” dhe e bëjmë më të madh
Përplasje mes kishës së Durrësit dhe shoqatës që mban bustin e Nolit. Kreu i kishës, At Spiro Kostoli, akuzon shoqatën se ka vepruar pa lejën e kishës për nderimin e figurës së Noli/
Vetëm një ditë pas vendosjes së bustit të ish- Kryepeshkopit Fan Noli, në kishën e Shën Mërisë së Elbasanit, ka ardhur edhe reagimi nga Kisha Ortodokse e Durrësit. Për bustin e Nolit, të realizuar nga skulptori Idriz Balani, ka pasur një sërë mosmarrëveshjes mes Kishës Ortodokse Shqiptare dhe shoqatës përgjegjëse, konflikt i cili duket se do të mbetet i hapur. Vetëm dy ditë më parë kur busti i Nolit u përurua në Elbasan, në një atmosferë festive, me meshën e famullitarit At Nikolla Marku, në qytetin bregdetar, aty ku po bëheshin përpjekjet e fundit për të vendosur një tjetër bust të ish-Kryepeshkopit, është ngjitur vetëm një pllakatë. Kjo e fundit i referohet pikërisht meshës së parë shqipe, të mbajtur nga Noli në kishën e “Shën Spiridonit”, dhe sipas Elida Jorgonit, edhe rivendosjes, 40 vjet pas shkatërrimit nga regjimi komunist. At Spiro Kostoli, i Kishës së Durrësit në deklaratë për mediet ka kërkuar që busti i Fan Nolit të vendoset në Durrës dhe shoqata t’i drejtohet zyrtarisht bashkisë së qytetit për ta përmbushur këtë. “Deklarojmë se kemi qenë dhe jemi dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës. Theksojmë se ishte organizata ”Foleja kombëtare shqiptare” që i ndërpreu bisedimet me Kishën ”Apostull Pavli & Shën Asti” të Durrësit, për arsyet që ata i dinë dhe për asnjë moment për shkakun tonë. Sigurisht, këto çështje nuk zgjidhen as me pamflete dhe as me ultimatume, por duke dialoguar me të gjitha palët. Mënyra se si u veprua ditën e djeshme, nuk e nderon veprën e tij të jashtëzakonshme për Kishën dhe vendin, por e ul dhe fyen atë. Ne dëshirojmë që busti i Imzot Theofan Nolit të jetë në Durrës, sepse aty i takon të jetë. Për të realizuar këtë ne do të kërkojmë edhe bashkëpunimin e autoriteteve vendore të qytetit”, – thotë At Spiro Kostoli. Sipas Kishës së Durrësit, shoqata ka tentuar të vendosë një pllakat përkujtimor dhe bustin e Fan Nolit në ambientet e Kishës së Durrësit, pa i drejtuar kishës dhe as bashkisë, kërkesën zyrtare dhe qëllimin e saj. Refuzimin e kishës, shoqata e konsideroi si akt antikombëtar, ndërsa Kisha Autoqefale e konsideroi si një sipërmarrje individuale, personale, që duke fyer figurën e Fan Nolit për mënyrën si u trajtua, kishte qëllim për të goditur vetëm Kryepeshkopin Anastas Janullatos për kombësinë e tij.
• Reagimi i shoqatës
• Shoqata denoncon hipokrizinë e reagimit të djeshëm të Kishës Ortodokse në Durrës, e cila thotë se është “dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës. “Nëse priftërinjtë e KOASH mendojnë se janë kryebashkiakë ky është problemi i tyre. Kërkesa e dorëzuar që më datë 18 qershor kërkon që busti të vendoset në Kishën Ortodokse të Durrësit, ku Hirësi Theofan Noli ishte mitropolit dhe jo “diku në Durrës”. “Foleja Kombëtare” nuk ka bërë as pamflete e as ultimatume. Kërkesa është dorëzuar që më datë 18 qershor. Nëse ata duan të japin përgjigje pozitive që busti të vendoset në oborr të Kishës, ne marrim përsipër që të financojmë dhe ndërtojmë një bust edhe më të madh për Mitropolit Theofanin. Kisha Ortodokse në Durrës me hipokrizi nuk mund të manipulojë opinionin publik. Le të na thotë që e pranon bustin e Mitropolitit dhe ne do ta financojmë, do ta ndërtojmë dhe do ta çojmë sa më shpejt në Kishën e Durrësit”.
• Mesha e parë e Nolit
• Historia ka faktuar se 100 vjet më parë, pikërisht në datën 10 mars 1914 Fan Noli ka zbritur në qytetin e Durrësit për të mbajtur meshën e parë në gjuhën shqipe. Në kishën e “Shën Spiridonit”, Noli është ndjekur nga dhjetëra besimtarë ortodoksë. Kisha e Shën Spiridonit në vitet e regjimit komunist humbi një pjesë të gjurmëve të saj origjinale. Kështu, dera e saj u mor dhe u dërgua tjetërkund, por ishte poeti dhe përkthyesi Perikli Jorgoni, së bashku me bashkëshorten, Elidën që e gjetën dhe e mbajtën për një kohë të gjatë, në pamundësi financiare për ta rivendosur. Dera origjinale e kishës është vendosur, jo shumë kohë më parë dhe Z. Jorgoni nuk mundi t’ia arrinte kësaj dite. Edhe pse humbi jetën në dhjetor 2012 Jorgoni, nip i patriotit Hilë Mosi la amanet që një shumë prej 600 mijë lekësh e mbledhur me të shoqen e tij të përdorej për të bërë një bust për Fan Nolin. Realizimin e mori përsipër skulptori i njohur Idriz Balani.
• Busti i Nolit, Kisha Ortodokse sulmon At Nikolla Markun
• Duket se At Nikolla Marku është bërë sebepi i konfliktit në kishën Ortodokse Shqiptare me ceremoninë e vendosjes së shtatores së Fan Nolit në qytetin e Elbasanit. Zëdhënësi i Kishës Ortodokse shqiptare, Thoma Dhima, ka postuar një sërë deklaratash gjatë ditës së djeshme, në të cilat ka sulmuar drejtpërdrejt famullitarin e kishës së “Shën Mërisë”. Dhima shkruan se Marku nuk ka lidhje me asnjë episkop, pasi përmend më së pari rregullat kanonike të një famullitari që predikon a drejton një kishë. “Asnjë Kishë Ortodokse nuk mund të ekzistojë pa pasur episkop (as edhe ndonjë kishë tjetër e krishterë). Asnjë prift ortodoks nuk është autonom ose autoqefal. Ai është i varur nga ana kanonike nga një episkop që është gjallë dhe kur meshon ose kryen çdo lloj akti priftëror, është i detyruar dhe duhet të përmendë emrin e këtij episkopi. Ky episkop duhet të përmendë në çdo meshë emrin e Kryepiskopit të Kishës Autoqefale (dhe Kryepiskopi emrat e të gjithë Primatëve Ortodoksë). Në rastin konkret, N. Marku nuk ka lidhje me asnjë episkop, sepse, është më se e qartë, që nuk e njeh asnjë i tillë. Një arsye më shumë kjo, për pavlefshmërinë absolute te akteve të tij. Pra, çdo pagëzim, përshpirtje, martesë a Meshë e bërë nga At Nikolla Marku nuk ka asnjë vlerë për besimtaret ortodoksë. Por, sigurisht, ka vlerë për besimtaret e feve të tjera që e mbështesin dhe financojnë” – shkruan Dhima. Më tej ai i referohet një shkrimi të Markut të botuar në një nga të përditshmet shqiptare në vitin 2012, në të cilin zbulon një vendim gjykate, ku sipas tij flitet për mashtrim. “N. Marku ndërmerr të vërtetojë “në mënyrë të ligjshme me një vendim gjykate të korrikut 1996, me nr. 2634, ekzistencën e grupimit të tij si subjekt juridik”. Por kur shikohet ky vendim, menjëherë bie në sy mashtrimi i madh. Vendimi gjyqësor me të cilin përpiqet të mbrohet (të cilin ia bashkëngjisim këtij artikulli), e njeh si shoqatë që ka të drejtën e ushtrimit të aktivitetit privat në lëmin e tregtisë të shitjes me shumicë dhe pakicë, me bazë ligjin 7512, 11. 8. 1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, të dekretuar nga presidenti Ramiz Alia. Nuk bëhet fjalë për njohjen e një Kishe, por thjesht të një shoqate me emrin “Komiteti për mbrojtjen e Kishës ortodokse kombëtare shqiptare”, siç ka me qindra, së cilës i jepet e drejta të shesë dhe të blejë, siç bëjnë subjektet private të këtij lloji. Mashtrimi është i qartë. Asnjë gjykatë nuk e njohu këtë shoqatë ose këshill si Kishë dhe për më shumë si Kishë ortodokse. Dhe sigurisht, që një gjë e tillë nuk ndodhi as kur, pa ndonjë vendim tjetër gjyqësor, e ndryshoi vetë emrin e shoqatës dhe e vetëquajti “Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare” – citon Dhima.(Shkroi:Neritan Gjergo)
PROVOKIM NË SHENJTËRIM
TOLERANCA FETARE E SHQIPTAREVE DHE PROVOKIMI IRINEJ-JANULLATOS-RAMA NE MES/
IM ZOT NOLI: FALI SE NUK DIJNE C’BEJNE!
Nga Dalip Greca/
Bashkimi i ortodoksizmit botëror në kryeqytetin shqiptar më 1 Qershor 2014 me rastin e Shënjtërimit të Kishës së re, Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ishte një rast që vuri në provë tolerancën ndërfetare shqiptare dhe frymën antishqiptare të ortodoksizmit serbo-grek. Shqiptarët edhe një herë treguan tolerancën e tyre fetare që mbetet sërish një nga vlerat e cënuara më pak nga erozioni kohor shumëvjeçar i tranzicionit postkomunist dhe sherrnajës politike, ndërsa ortodoksizmi sllavo-grek fatkeqsisht mbetet ende i përfshirë nga ekspasioni territorial për trojet etnike shqiptare dhe fryma e antishqiptarizmit të përbetuar.
Natyrish që njeriu i Zotit, eksarku serb Irinej, tregoi edhe një herë intolerancën e fesë që përfaqëson, fallsitetin e fesë që predikon, tregoi primitivizmin e tij ultranacionalist, pabesueshmërinë fetare, tregoi se është ai vetë frymëzuesi i sloganit se “Kosova-është Serbi” dhe se Kosova është e shënjtë për Serbinë”, se “ Serbia nuk e lë Kosovën për Bashkimin Evropian” etj…Ky udhëheqës shpirtëror i tragjedisë ballkanike, gjeti kohë që të prishte festën e ortodoksve shqiptarë në Ditën e Shënjtërimit të Tempullit, madje edhe në sy të vetë Patriarkut Ekumenik Bartholomeu të Kostandinopojës! Zot, na ruaj nga blasfemitë! Ta besojmë?
Qëndrimi i Kryepeshkopit Serb në Tiranë, deklarata provokative e tij në ditën e shënjtërimit, nuk ra nga qielli dhe nuk ishte e papritur; ai e ka këtë slogan-moto të shërbesës së vet fetare dhe është ideali i tij ultranacionalist. A nuk ishte ky primat i ortodoksizmit sllav që nxiti shpirtrat e serbëve në luftën e çmendur nacionaliste dhe bekoi armët e vrasësve e kriminelëve serb?
A nuk po e udhëheq ai kursin antieuropian të Serbisë?
Çfarë prisnim nga ai, të kërkonte falje për krimet e serbëve në Kosovë?
Dekarata e tij natyrisht që nuk ishte e papritur dhe nuk ka pse interpretohet si e atille.Dhe nuk është e para herë që deklaron se Serbisë nuk i duhet Europa pa Kosovën,vendi më i shenjtë i Serbisë! Problemi qëndron se përse iu krijuan kushtet që ta bënte atë deklaratë mu në zemër të Shqipërisë?
Ftesa që iu bë, nga njëra anë, shpreh tolerancën e shqiptarëve, por a duhej toleranca me ekstremsitin ultranacionalist?
Pavarësisht presioneve që mund të ketë pasë Kryeministri i Shqipërisë për të mos e përjashtuar nga lista e të ftuarëve, ai duhej që ta kishte menduar se ekstremizmi serb vazhdon të jetë agresiv dhe se “Kosova-tokë e shenjtë e serbisë’, mbetet ende platformë e Shtetit dhe Kishës Serbe, njësoj si para lufte. Po, nëse Rama e ka pasë të kushtëzuar ftesën e Kryepeshkopit me vizitën e përgojuar dhe të shtyrë disa herë,viztë që Kryeministri ynëka ndërmend të bëjë në Beograd, ky është një kompromis antikombëtar dhe i dënueshëm.Shqiptarët nuk kanë për t’ia falur.
Nuk mund të justifikohet Kryeministri me bojkotimin e pretenduar të drekës zyrtare, që paska bërë dhe nga një deklarate, ku është servirur një fjali as mish as peshk, të cilën media afër kryeminsitrit është përpjekë ta ngjyrosë emocionalisht dhe t’i fusë pranë togfjalshin” reagim i ashpër.” Ku është ashpërsia, në reagimin që ai i ka cilësuar deklarimet e Irinejt“tërësisht të padëshirueshme “!
Fjala e padëshirueshme, nuk thotë asgjë, dhe vetëm ashpërsi nuk ka. Në fakt ato deklarime nuk janë vetëm të padëshirueshme, por të dënushme. Thënë shqip; kryeministri e goditi kryepeshkopin me pambuk!
Që në titull, provokimin në ditën e shenjtërimit, e kemi cilësuar si vepër në bashkëpunim të Kryepeshkopit Janullatos me Irinejn, pavarësisht se në mes është Kryeministri Rama, që nuk mund t’i ikë përgjegjësisë.
Përse është dyshja Janullatos-Irinej? Kush e hartoi protokollin e të ftuarëve, Kisha apo shteti? Në Shqipëri Kisha është e pavarur nga Shteti dhe është e drejta e saj që të bëjë ftesat, siç është e drejta e kreut të qeverisë të shpallë person non grata kryepriftin e fandaksuar që e ka shpirtin të rënduar nga mëkatet ndaj Kosovës, dhe nga gjaku i shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës, vrarë nga kriminelët, armët e të cilëve i ka bekuar pikërisht ai prift shpirt zi. Kam mendimin se po të ishte për Qeverinë, e majtë apo e djathtë, kushdo që do të ishte në pushtet, nuk do të linte jashtë ftese dhe dy kishat ortodokse të vendeve fqinjë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, me të cilat Shqipëria ka marrdhënie relativisht të mira. Mirëpo ato nuk u ftuan sepse Kisha serbe nuk i njeh dhe po të ftoheshin ato, do t’i prishej qejfi kryepeshkopit Irinej. Fortlumturia e Tij, kryepeshkopi ynë grek, nuk mund t’ia prishte qejfin”vëllamit” serb.Kjo është e vërtetuar dhe nuk ka nevojë për arsyetim më të thellë. A nuk ishin bashkë në një mendim edhe në kohëluftës e Kosovës?
Po t’i shtojmë kësaj logjike edhe dekleratën televizive përmes zëdhënësit të Kishës Ortodokse Autoqefale, Thoma Dhima,”se deklarata e patriarkut serb është tërësisht personale”, interpretimi bëhet më i lehtë. Zëdhënësi i Janullatosit përpiqet të lajë duart nga përgjegjësia dhe të shfajësojë Fortlumturinë. Në fakt nuk thotë asnjë fjalë për prishjen e festës fetare të besimtarëve shqiptar.
Nga ana e saj politika shqiptare, si gjithmonë, u ngatërrua me vete dhe e komentoi deklaratën trimërore të kreut të Kishës serbe fare përciptas.U mor vetëm me Irinejn, pa thënë asnjë fjalë për Fotlumturinë Janullatos, që është në krye të Kishës Autoqefale ,përkohësisht, gati që prej një çerek shekulli. Dhe të gjithë të këqiat vijnë prej uzurpimit që ai i ka bërë fronit të Kryepeshkopit, edhe pse nuk është shqiptar me gjak e gjuhë, siç e kërkon. Edhe pse në Statutin e Kishës Autoqefale Shqiptare ,hartuar në Korçë 29 qershor 1929, thuhet se “Gjuha zyrtare e Kishës ëshët shqipja”, Janullatosi ka kohë që predikon se Zoti ka për zemër Gjuhën helene!Dhe vazhdon të qëndrojë përjetësisht në krye të fronit për merita të politikës naïve shqiptare!Zot, na ruaj nga politikanet naïve dhe shtetaret e pa pergjegjshem!
Ku shkoi mundi I martirëve të Kishës Shqiptare? Po kryevepra e Imzot Nolit? I vetmi, Kryebashkiaku I Prishtinës, Shpend Ahmetaj, pati guximin që të zinte me gojë në atë situatë tensioni emrin e Im Zot Nolit, në prononcimin e tij qytetar, duke shtruar pyetjen: Çfarë do të thoshte Noli?
Vërtetë, çfarë do të thoshte Noli për humbjen e Autoqefalisë reale ët Kishës Autoqefale Shqiptare? Politika e Tiranës ka kohë që nuk merret me Nolin, ndoshta e quajnë ët vjetëruar mentalitetin e tij të dikurshëm për rrezikun që i vjen Kishës Shqiptare nga ajo greke, që e ka mallkuar, siç ka mallkuar dhe gjuhën shqipe. Ndoshta pyetjes së Shpend Ahmetit mund t’i japin përgjigje ata predikojnë dhe luten tek tempulli i Nolit, në Kryekishën e Shën Gjergjit, ku nuk mungon portreti i madh i Nolit të Madh! Eh, imzot, po kalojmë kohë të vështira!Fali se nuk kanë se ç’bëjnë!
Në gjykimin tim, akti i Kryepeshkopit serb ishte provokim në shënjtërim, pavarësisht se ata të Kishës Autoqefale Shqiptare të udhëhequr nga Janullatosi nuk e cilësuan të atillë-, ata thjesht, ia faturuan atij si deklaratë personale, dhe kaq!
Po t’i shtojme tablose serbo-greke ne Tirane dhe pjesmarrjen e Geixhit,ne ceremonine e Janullatosit,faktet e nxjerrin ne drite te diellit antishqiptarizmin e nje shenjterimi te provokuar, jo nga shqiptaret.
Jo zotëri, ishte fyerje për besimtarët shqiptarë dhe provokim për telerancën fetare shqiptare.
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- Next Page »