• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Promovim veprash të gjenocidit serb mbi shqiptarët!

October 4, 2022 by s p

Shkruan: Nusret Pllana/

Mbrëmë në Vienë, u promovua libri i xhepit MOS HARRO KURRË – VERGISS NIEMALS, i autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, përkthyer në gjermanisht nga Arlinda F. Çitaku.

Në këtë ngjarje kulturore e shkencore u promovua edhe filmi dokumentar DËSHMITË E HESHTURA, i përkthyer me titra anglisht, i autorit N.Pllana, film ky, që i kushtohet gjenocidit serb në Krushën e Madhe të Komunës së Rahovecit, kur më 25 mars 1999, ushtria dhe policia gjakatare serbe i vrasin 243   shqiptarë duarthatë të këtij fshati, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, në mesin e të cilëve, sot e 23 vite më parë, 63 janë ende të pagjetur, ndër ta edhe Heroi i kombit Mr.sc. Ukshin Hoti.

Përveç shumë bashkëatdhetarëve tanë nga Austria e Gjermania, na nderoi me prezencën e tij, edhe poeti i ri, Bear Berisha, djali i heroit të kombit Xhevat Berisha, ndërkaq morën pjesë aktive dhe e vlerësuan lartë këtë vepër publicistike e dokumentare edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Vienë, z. Lulzim Pllana dhe shkrimtari e dramaturgu nga Shkodra, Mag.Prof. Gjergj Jozef Kola, me banim në Vienë.

Autorët: N.Pllana e Agim Aliçkaj, i falënderojnë të gjithë të pranishmit për kontributin e tyre në këtë manifestim kulturor, e në veçanti organizatorin dhe moderatorin, z. Nikollë Gjini – këngëtarin e mirënjohur shqiptar nga Prizreni.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Nusret pllana

Roman për përmasën e krimit serb në Kosovë

July 20, 2022 by s p

(Bardhyl Mahmuti, Eskadronët e vdekjes, roman, Prishtinë, 2022)

                               ‘‘ Për mua, romani është si historia dhe si protagonisti               

                                    i saj, njeriu: një zhanër i papastër në shkallën më të       

                                    lartë. I qëndron çfarëdo qartësimi dhe shkon përtej 

                                    çdo kufizimi. Sa për teknikën, e konsideroj të   

                                    ligjshme çdo gjë të dobishme për qëllimet që ndiqen 

                                    dhe i konsideroj të paligjshme ato risi që bëhen vetëm 

                                    për hir të risisë.

                                                                                              Ernesto Sabato

Prof. dr. Nusret Pllana

Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’’

Prishtinë

Fjalë përmbledhëse

Roman që jep kronologjinë e gjenocidit serb përmes atyre që e kanë shkaktuar këtë gjenocid, duke i besuar një ideologjie fashiste.

Roman që vjen, edhe si kronikë dokumentare, pa e humbur gjuhën e rrëfimit artistik, kur përveç të tjerash shpalohet edhe bota psikologjike e personazheve, të të dy grupimeve, thënë për të dalluar përkatësitë ideologjike të atyre që bëjnë krime, dhe të atyre që i bëjnë publike këto krime.

Roman që shtresimin e rrëfimit artistik e krijon edhe me deklaratat policore, por gjuha e rrëfimit nuk ruan asgjë nga rrëfimi i skenarëve policorë.

Këto anë vështrimesh, marrë në tërësinë e shtjellimit të ngjarjeve në romanin Eskadronët e vdekjes të Bardhyl Mahmutit, mundësojnë krijimin e shtratit të ndërtimit të strukturës së rrëfimit në këtë vepër të veçantë artistike, e cila, thënë më së qarti, i ka munguar letërsisë sonë.

Hyrje

Autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, në një mënyrë, apo në një tjetër, ka përplotësuar analizën shkencore që u ka bërë ngjarjeve, me të cilat është marrë Dik Marti dhe Këshilli i Evropës për të akuzuar krerët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veprën lapidare Mashtrimi i madh. 

Në strukturën e romanit, përvijohen aq shumë aspekte të raportit, të cilin Këshilli i Evropës e ka miratuar si hulumtim të vetin, për të fajësuar një luftë çlirimtare dhe ushtarët e saj, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë deri tashti, së paku jo në Evropë, qe më shumë se 75 vjet, që kur ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore. 

Andaj, nuk është asgjë e rastit, se autori e ka filluar romanin me një përkujtesë nga koha e Hitlerit, nga veprimtaria e eshalonëve të ushtrisë së tij për të zhdukur hebrenjtë, pra për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e ekzistencës së tyre.  

Në romanin Eskadronët e vdekjes të Bardhyl Mahmutit, po ashtu shtrihet nëpër gjithë rrëfimin e tij, ankthi i ndëshkimit të kryerësve të krimeve, të atyre që kishin bërë gjenocid, gjë që nuk ndodh, kurse shtresimet e rrëfimit të ngjarjeve, përmes deklaratave policore, që protagonisti kryesor i romanit, Mifi L., i cili është dhe bartës kryesor i krijimit të atmosferës së ngjarjeve në roman, jep deklarata me shkrim para atyre organeve të hetuesisë, shpalon, si mbishtresë të rrëfimit, gjithë përmasën e tragjedisë së gjenocidit serb në Kosovë. 

Rastet janë konkrete, të ditura me emër dhe mbiemër, të njohura botërisht si krime kundër njerëzimit, të cilësuar nga organet e drejtësisë botërore si formë e gjenocidit, siç janë Pokleku e Abria, Likoshani e  Qirezi, Prekazi e Reçaku, maskara që as sot nuk i pranon politika e regjimit serb, edhe për faktin se është pjellë e sistemit qeveritar të Millosheviqit, si dhe shumë vende të tjera anë e mbanë Kosovës, ku është bërë gjenocid, por gjuha e shkrimit të këtyre deklaratave policore, shpalon, në bërthamë, gjithë përmasën e tragjedisë shqiptare të shkaktuar nga një regjim fashist, që nuk është dënuar asnjëherë.    

Ngjarje që tronditin ndjeshmërinë njerëzore

Rrëfimi i ngjarjeve bëhet përmes personazheve të proviniencës serbe, gjë që autori e ka shpaluar që në hapje të romanit, kur i nderon me përkushtimin që u ka bërë veprimtarëve dhe veprimtareve serbe, të cilët kishin guximin intelektual dhe brejtjen e ndërgjegjes për rrugën që kishte ndjekur kombi i tyre, me gjenocidin më çnjerëzor që kishin bërë kundër shqiptarëve. 

Herë pas here në zhvillimin e ngjarjeve dalin edhe të burgosur shqiptarë, me emër dhe të njohur për opinionin, jeta dhe vuajtjet e të cilëve shpalohen përmes rrëfimit të personazheve me përkatësi serbe, siç është burgu dhe torturat çnjerëzore ndaj veprimtarit të çështjes kombëtare dhe luftëtarit të lirisë, Sadik Zeqirit e ndonjë tjetër. 

Kjo mënyrë e rrëfimit të ngjarjeve, kjo bartje e mënyrës së rrëfimit, i ka dhënë dorë autorit që të jetë i natyrshëm në përshkrimin e ngjarjeve, qoftë edhe përmes gjuhës së deklaratave që bën para organeve të shërbimit sekret dhe shërbimit ushtarak serb. 

Në njërën nga deklaratat e tij, para atyre organeve, të cilat ruanin drejtësinë e proklamuar nga strukturat e shtetit, autori shpalon gjithë atmosferën e përmasës së gjenocidit që ishte kryer në Kosovë. 

‘‘Bombat e para të NATO-s krijuan kontekstin e shumëpritur që shërbeu si kallëp i farkëtarisë, për të vënë në jetë aq patkonj sa ç’kishte vendbanime shqiptare… Na u tha qartë, se ishte moment historik, ku njëherë e përgjithmonë do të spastronim tokën e shenjtë serbe: Kosovën.’’ (B. Mahmuti, aty, fq. 70). 

Pa marrë parasysh se një deklaratë e këtillë jepet nga një ushtarak që ka vepruar në Kosovë, del qartë logjika shfarosëse e veprimit të një shteti kundër një populli, duke ruajtur edhe elementin e propagandës së kishës sllave për tokën e shenjtë të Kosovës.  

Në funksion të rrëfimit të ngjarjeve, ka pasur kujdes që të zbërthejë deri në përbërësit më të vegjël gjithë hapësirën ku zhvillohen ngjarjet. 

Do të thotë, bartësit e ngjarjeve në këtë roman, të akuzuar për tradhti kundër shtetit, akuzohen siç ka ndodhur përherë gjatë historisë, me bëmat dhe të pabërat, me përmbysjen e fakteve me kokë poshtë, me këmbënguljen për ta lakuriqësuar të vërtetën e tjetrit, sepse nuk ishte e vërtetë e shtetit dhe e organeve të tij të ndjekjes, me përdorimin e metodave më çnjerëzore, në mënyrë që të detyrohej i akuzuari të pranonte faktet që thoshte shteti dhe organet e tij të ndjekjes, mbi të gjitha, në planin e rrëfimit, me shpalimin e botës së brendshme të këtyre ekzekutorëve, që jo rastësisht ishin pagëzuar eskadronët e vdekjes.   

Roman që shpalon veprimin e mekanizmit nëntokësor të shtetit fashist

Pasi e gjithë struktura e rrëfimit ndërtohet përmes jetës dhe veprimtarisë së  Mifi L., në njërën anë, si e kundërta e politikës së shtetit që kishte kryer gjenocid në Kosovë, si dhe organeve të atij shteti, të cilët asgjë nuk i tmerron më shumë se kur e vërteta që është e kundërt me ideologjinë e tyre shfarosëse, bëhet publike në organet e shtypit të huaj, të vendeve që, sipas gjuhës së atyre organeve torturuese, e kishin bombarduar shtetin e tyre dhe kishin vrarë njerëz të pafajshëm. 

Askund nuk përmenden ushtarët, eprorët ushtarak, që kishin udhëhequr eskadronët e vdekjes, askund nuk zihen në gojë shtabet komanduese për shfarosjen e një populli, siç ishin shqiptarët, rasti i dytë në Evropën demokratike pas hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Qoftë edhe vetëm për këtë rrafsh krahasimi që është shtresuar në strukturën e rrëfimit të romanit krejt të veçantë Eskadronët e vdekjes, gjë që autorit Bardhyl Mahmuti, i ka dhënë dorë për të shpaluar psikologjinë e frikës tmerruese të masës së njerëzve në qytetet dhe fshatrat serbe, ku secili njeri ishte i dyshimtë, si dhe ku në secilin rast e kishin jetën të rrezikuar. 

Në literaturën e popujve që kishin qenë viktima të luftës pushtuese, edhe mund të konceptohet drejtë, psikologjia e tillë e tmerrit masiv, por te një popull që e konsideronte veten popull hyjnor, si dhe luftën që kishte bërë për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë, e kishte shpallur luftë të drejtë për shenjtërinë e Kosovës së tyre, ajo gjendje e tmerrit, kur secili ishte kundër secilit, në të parë duket e pakuptueshme. 

Por, kur lexuesi shpalos, edhe përmes rrëfimit në deklaratat e hetuesisë policore, e ka të qartë gjithë përmasën e gjenocidit që ia kanë shkaktuar një populli, në njërën anë, si dhe gjithë shtresimin e pasigurisë jetësore të qytetarëve të atij shteti me ideologji fashiste, kur dihej se fashizmi kishte mbyllur kapitullin historik të ekzistencës, në Luftën e Dytë Botërore. 

Në planin e rrëfimit të ngjarjeve dhe të pjesëmarrësve në ato ngjarje, në përgjithësi të atyre që kryenin vepra gjenocidi, autori ka krijuar atmosferën e atyre ngjarjeve, qoftë edhe vetëm përmes një fjalie të vetme: 

‘‘Po shoh se ti nuk e di se çfarë janë në gjendje të bëjnë’’. (Po aty, fq. 79). Një përkufizim të këtillë e gjen në të gjithë galerinë e personazheve të autorit të këtij romani, e gjen te ushtarët e thjeshtë që duhet të zbatojnë urdhrat e eprorëve, e gjen te eprorët e njësive vdekjeprurëse kudo nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës, e gjen në urdhërat që u jepen njësive ushtarake për pastrimin e vendeve të krimit, duke bartur kufomat e të vrarëve, e gjen në shtabet komanduese të ushtrisë dhe formacioneve të tjera kriminele, e gjen në strukturat e shërbimit sekret serb, që marrin në pyetje dhe torturojnë, jo vetëm shqiptarët e burgosur, por edhe qytetarët serbë, doemos, ndonjë intelektualë aty-këtu, siç është rasti i Mifi L, të romanit të Bardhyl Mahmutit Eskadronët e vdekjes.

Atmosfera e rrëfimit të ngjarjeve dhe vërtetësia historike e tyre

Romani Eskadronët e vdekjes, përkundër pranisë së dokumentit, pra është një vepër me karakter dokumentar, ka ruajtur cilësinë e rrëfimit artistik, andaj ka arritur të krijojë atmosferën e ngjarjeve, pa e tjetërsuar vërtetësinë historike të tyre. 

Kjo, mendoj, është vlera themelore e romanit. Përkundër faktit se në roman janë ruajtur gjithmonë kufijtë e asaj që quhet përjetim i realitetit, në njërën anë, si dhe ndjeshmëria e rrëfimit artistik, në anën tjetër, autori Bardhyl Mahmuti, duke rrëfyer, si dhe duke dhënë dëshmi para organeve të ndjekjes së sigurimit të shtetit serb të kohës së luftës në Kosovë, i ka afruar lexuesit fakte që dihen botërisht, por tashti ato i rrëfejnë njerëz që janë ngritur kundër sistemit të shtetit të tyre. 

Si të tillë, këta njerëz, janë akuzuar për tradhti kombëtare. Në deklarimin e Mifit L., para organeve të hetuesisë serbe, që e zhvillonin organet ushtarake dhe sigurimi i tyre, duke dëshmuar me shkrim se çka i kishin treguar shokët dhe miqtë e tij, ai shpalon ecurinë e zbulimit të krimeve serbe ndaj shqiptarëve, me përmasë gjenocidi. 

Mënyra e deklarimit për gjetjen e dy kamionëve në dy anë të ndryshme të Serbisë së asaj kohe, flet në radhë të parë për vetëdijen e atyre ushtarëve, që ishin ngarkuar të bartnin kufoma të shqiptarëve, pa e ditur se çka kishte në ata kamionë, si dhe duke besuar se bartnin mish për kuzhinat e ushtarakëve.   

‘‘Dhe ashtu kishin vepruar: mbi pedalin e gazit të kamionit, me të cilin kishin pasur telashe gjatë rrugës, kishin vendosur një gur përafërsisht 5 kg dhe i kishin dhënë  tatëpjetën. Përkundër asaj që vendi kishte një pjerrtësi më të vogël, përplasja e kamionit me sipërfaqen e ujit ishte shpërndarë si bubullimë. Pastaj kishin vazhduar rrugën në drejtim të Beogradit, të Uzhicës dhe rreth orës 2 pas mesnatës kishin mbërritur te liqeni i Peruqacit, në kufi me Bosnjën. Ishin larguar disa kilometra nga diga e hidrocentralit ‘‘Bajna Bashta’’, dhe e kishin lëshuar kamionin në  tatëpjetën e lumit Drina, e kishin kaluar në këmbë në Republikën Serbe të Bosnjës...’’. (Bardhyl M., po aty, fq. 113).  

Për daljen e kufomave të shqiptarëve të vrarë, në të dy liqenet, di i gjithë opinioni botërorë, përveç atij të qeverisë serbe, që nuk ka gjetur forcë morale për ta pranuar krimin dhe për të kërkuar falje.  

Jeta e burgut dhe gjuha e rrëfimit në roman

Përmes personazhit të tij, Mifi L., autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, me gjuhën e rrëfimit, qoftë si  dialog me bashkëvuajtësit e dhomës, ku kishte edhe shqiptarë, qoftë përmes shkrimeve që përcillte shtypi i kohës, ka shpaluar gjendjen e të burgosurve, ka prekur anë të ndryshme të raporteve, pushteti dhe njerëz që kanë humbur lirinë, ka rrëfyer gjendjen e tyre psikologjike, por edhe anët e karakterit të të burgosurve, që dallonin aq shumë, sa ndonjëherë, vetëm me një fjali është thënë e gjithë përmasa e drejtësisë serbe, në njërën anë, si dhe gjithë qëndresa shekullore e të burgosurve shqiptarë, në anën tjetër: 

‘‘Monotoninë e jetës në burg e thyenin letrat që merrja dhe ato që shkruaja. Ndodhte të merrja dy-tri letra përnjëherësh, në varësi të kohës kur u kishin dhënë leje hetuesit. (…), ndërkaq për ashikun dhe Bekimin as letra, as vizita, as numërim pakosh dhe asgjë tjetër nuk e prishnin monotoninë e ‘‘rendit shtëpiak’’! Ishin pengje të rrëmbyera nga pushteti dhe askush nuk dinte çmimin që u kishin vënë kusarët’’! (Bardhyl M. Po aty, fq. 359)

Autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, ngjarjet i ka shtrirë brenda një periudhe kohore shumë të veçantë. Në Kosovë kishte përfunduar përgjakja dhe spastrimit etnik. Forcat ndërkombëtare të NATO-s kishin hyrë në Kosovë, mirëpo forcat ushtarake dhe policore serbe, duke u tërhequr nga Kosova, kishin marrë pengje, si mburojë, siç thotë autori, aq shumë të burgosur politikë, sa thuajse askush nuk kujtohej për ta, përveç të tjerash, edhe pse nuk kishin asnjë të drejtë. 

Prandaj, rrëfimi i ngjarjeve, tashti vetëm herë pas here ka për temë Kosovën dhe tragjedinë e saj. 

Vetëm kur të burgosurit Sadiku dhe Bekimi, ndonjëherë ndërhynin në bisedat me Mifin L., qoftë duke komentuar ngjarje të caktuar që rridhnin, thuajse si me skenarë në politikën e Beogradit, ku në radhë të parë ishte zhdukja e njerëzve që shprehnin hapur mendimin kundër nga qeveria e Millosheviqit. 

Gjatë shtjellimit të ngjarjeve, të kësaj periudhe kohore, qershor 1999, fund viti 2000, kur bie nga pushteti sistemi i Millosheviqit, Mifi L., në strukturën e rrëfimit të tij, ka sjellë një dorë personalitetesh, që kanë bërë dhe kanë zbatuar politikën e gjenocidit serb edhe në Kosovë,  duke paralajmëruar shenjat e para, se pushtetarët edhe mund të ndërrohen, por logjika pushtuese do të vazhdojë edhe për shumë kohë. 

Andaj, kur lirohet nga burgu, pasi është ndërruar pushteti, atij i vjen keq që bashkëvuajtësit e tij, Sadiku dhe Bekimi, kishin mbetur në qelitë e burgut, pa pasur asnjë të drejtë, as të shkruajnë e të marrin letra, as t’i vizitojë kush nga familjarët, si dhe, as të të dihej se cila do të ishte dita e nesërme e tyre.

Përfundim

Shtresimi i të dhënave të shumta për gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë, për mënyrën e kryerjes së tij, për urdhrat që ishin dhënë, për zbatuesit e atyre urdhrave, për lëvdata që kishin marrë nga eprorët e tyre, por edhe për gjendjen e tyre psikologjike, pasi ishin liruar nga detyra, sa nuk bënin gjumë të qetë natën, dëshmon se edhe në qendrën serbe të qeverisjes së asaj kohe, kishte njerëz, edhe intelektualë, që ishin kundër politikës zyrtare të Serbisë fashiste.

Po ashtu, autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, ka arritur përmes gjuhës së rrëfimit në roman, që të krijojë atmosferën e ngjarje, që është vlera themelore e një vepre artistike, sa lexuesi e ka përshtypjen se është edhe vetë pjesëmarrës në ato ngjarje.

Romani i Bardhyl Mahmuti, Eskadronët e vdekjes, përmbush mrekullueshëm atë mësimin madh në teorinë e shkrimit të romanit, siç e ka përkufizuar edhe Ernesto Sabato, sa i bën nder letërsisë shqipe, jo vetëm për temën e zgjedhur, jo vetëm për ngjeshjen e strukturës së romanit me aq shumë të dhëna, edhe të burimeve të huaja, por edhe për zhdërvjelltësinë e gjuhës së rrëfimit në punët e ndërtimit të karaktereve të bartësve të ngjarjeve, andaj edhe është një vepër e veçantë me temën që ka sjellë në letërsinë tonë. 

Prishtinë, qershor-korrik 2022

Filed Under: Politike Tagged With: Nusret pllana

VIZITË FAMILJEVE TË ÇLIRIMTARËVE

June 23, 2022 by s p

Prishtinë, Burojë, Gllogjan, Negrofc e Marinë.

Nga Nusret Pllana

Unë dhe bashkëluftëtari im, Ing.Xhavit Muqolli nga Pokleku i Drenicës legjendare(përfaqësuesi i njërës ndër Familjet më të martirizuara në Kosovë), znj.Zahrie Podrimçaku- Subashi (ish e burgosur dhe veprimtare e devotshme e çështjes kombëtare, kontribuesi i palodhur i çështjes kombëtare z.Ahmet Bytyqi me bashkëshorten Lumnijen – të cilët me dekada punojnë dhe jetojnë në Danimarkë, Zelfia Pllana dhe Zoja Muqolli, brenda dhjetë dite i vizituam Familjet e krerëve kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(ata të Presidentit Hashim Thaçi, Kryeparlamentarit Kadri Veseli, Prof.dr.Jakup Krasniqi, Gjeneral Rexhep Selimit e Gjeneral Nasim Haradinajt, Komandant Sali Mustafës – Calit e luftëtarit emblematik dhe invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hysni Gucati, të cilët padrejtësisht po mbahen në burgun famkeq të Gjykatës së Dhomave Speciale në Hagë, nga kjo Gjykatë njëetnike(Gjykatë e turpit të “drejtësisë ndërkombëtare”), e cila i akuzon për krime të supozuara, ndërkaq kriminelët e Serbisë pushtuese e gjenocidiale, për të gjitha ato barbari e mizori mbi shqiptarët civilë duarthatë, të dëshmuara e të faktografuara edhe nga faktori vendor edhe ai ndërkombëtar, i ka fal dhe i ka rehabilituar pa fije turpi!!

Kjo është ajo Evropa “demokratike” e cila shqiptarët gjithmonë i ka trajtuar shekuj me radhë, dhe vazhdon t’i trajtoj qytetarë të rendit të dytë edhe sot e kësaj dite!!

Ne besojmë thellë në pafajsinë e bashkëluftëtarëve tanë, sepse ata e kanë sakrifikuar jetën për ta mbrojtur popullin tonë të shumëvuajtur e liridashës nga gjenocidi serb, ata ishin aleat të përbetuar të NATO-s e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe, prandaj kërkojmë lirimin e tyre të shpejtë dhe pa kusht, e në vendin e tyre të ulet e të marrë dënimin e merituar sajuesi dhe trilluesi i kësaj aktakuze absurde, Dick Marty – argati i përbetuar i Serbisë dhe Rusisë barbare, i cili, kur e pa që u zhvesh i tëri nga ato trillime ogurzeza për t’i akuzuar çlirimtarët tanë për krime të supozuara, që me çdo kusht të barazohet viktima me kriminelin(sepse për këtë shërbim të ndytë i kishte marrë milionat nga Beogradi dhe nuk i doli matematika siç kishte planifikuar) atëherë filloi të ‘aktroj’ e ta luaj rolin e viktimës, duke kërkuar mbrojtje shtetërore nga Zvicrra, se gjoja serbët duan ta vrasin, për t’ua lënë fajin shqiptarëve!!

Familjarët e shokëve tanë çlirimtarë, i falënderojmë nga zemra për respektin, mikpritjen e bujarinë shqiptare që na e bënë këto ditë, me rastin e vizitave tona dedikuar familjeve të tyre, me një moral të lartë e qëndrim dinjitoz e të paluhatshëm, duke shpresuar e besuar se më në fund drejtësia do të fiton, e djemtë e tyre, bashkëshortët e tyre, vëllezërit e tyre, nëse vetëm një minimum i drejtësisë ndërkombëtare ekziston në këtë nënqiell, ata duhet të gjithë të lirohen të pafajshëm, edhe pse çdo drejtësi e vonuar është padrejtësi!!

P.S. I kërkojmë falje luftëtarit të lirisë Pjetër Shala, i cili gjithashtu ndodhet në Hagë për akuza të tilla absurde, se familjen e tij, për shkak të faktit që ndodhet në Belgjikë, nuk mundëm ta vizitojmë, por edhe Pjetrit i dëshirojmë shëndet e lirim të shpejtë nga ai burg famkeq, i cili po vazhdon t’i terrorizoj shokët tanë çlirimtarë, mu sikur në kohën e fashizmit hitlerian.

LIRI PËR ÇLIRIMTARËT TANË!

Filed Under: Fejton Tagged With: Nusret pllana

”NEVER FORGET – MOS HARRO KURRË(Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844-1999” u promovua në Zvicër

May 9, 2022 by s p

07 Maj 2022 ZVICËR – BAZEL Nga një organizim i mrekullueshëm i veprimtarit të palodhshëm të çështjes kombëtare, z. Rexhep Neziri, në bashkëorganizim me Prof. Riza Demaj dhe anëtarët e Kryesisë së LAPSH “Naim Frashëri” , Yll Idrizi, Shpejtim Brahaj e Idajet Llugiqi të Tifozave “Kuq e Zi”, të Bazelit, u promovuan veprat: “The Terror Of Serbian Occupier Over Albanians 1844 -1999”, të autorit N. Pllana, ”NEVER FORGET – MOS HARRO KURRË(Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844-1999”, të autorëve Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, dhe filmi dokumentar “Kush i vret fëmijët?!”, të producentëve Nusret Pllana e Esat Shala. E moderoi me sukses, z. Xheladin Shala , i biri i Heroit të kombit Gjeneral Shaban SHALA. Këtë ngjarje kulturore, edukative e shkencore, e përcolli edhe Ekipa e Rtk-së, me kameraman, z. Frrok Kolaj dhe Ing. Besim Neziri me aparatin e tij ‘magjik’. Përveç shumë bashkëatdhetarëve tanë nga Zvicrra, Gjermania, Franca, Belgjika e Holanda, me pjesëmarrjen e tyre na nderuan edhe Ish Konsulli i Republikës së Kosovës në Zvicërr, Dr.Salih Sefaj, Prof.dr. Fadil Çitaku, Prof. Xhafer Ymeri, Nexhmedin Demiri, Nikollë Tuci, Salih Gjonbalaj, Tahir Çitaku e shumë dashamirë të librit e të filmit dokumentar, të cilët i falënderojmë nga zemra për kontributin e tyre të çmuar!

Filed Under: Analiza Tagged With: Nusret pllana

KUR RRAHIN DAULLET E GJAKUT TË ARBËRIT

January 16, 2021 by dgreca

– Remzi Limani, pak fjalë mbi monografinë Djaloshi me dy zemra (Aushvici i Krushës së Madhe) nga autori Prof. Dr. Nusret Pllana, 2017

-Është e pamundur të shkruash, të lexosh, e mos të përjetosh shtërzime emocionesh shpirti ndër më të ndryshmet, nga të bëmat e Bajlozit të Zi, mbi pafajësinë e popullatës rrënjëse, ndër më të vjetrit në Gadishullin Ballkanik.

Nga, Remzi Limani/

Monografia në fjalë Djaloshi me dy zemra të autorit Prof. Dr. Nusret Pllana, e cila ka të gjitha tiparet e një romani dokumentar, kësaj radhe shtrinë dhimben e gatuar nga jargavecët barbarë mbi Krushën e Madhe, ku më 26 mars të vitit 1999, pamëshirshëm u masakruan 241 veta. Pra, atë që nuk e reprodukonte mendja e njeriut të shëndoshë, e bëri soldateska serbe në krye me Bajlozin e Zi…

Tani, vështirë është t’i mbështjellësh vragët e kohës, sepse të gjitha janë ende plagë të malcuara dhe, jo rastësisht, autori, Pllana, synarin e mendjes së tij në këtë libër e vë qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke u përbiruar nëpër shtjellat e historisë deri tek ditët e sotme – në vazhdimësi duke u marrë me sensibilizimin e kauzës kombëtare, përtej mureve të ndaluara… Pra, z. Pllana, narracionin e tij historik të tipit romanesk e fillon që nga fëmijëria, duke kaluar nëpër ëndrrat për lirinë dhe etjen për shkollimin, për ta kuptuar mirëfilli të sotmën, me të cilën kacafytemi ende… Mbi këtë bazë, autori i librit na jep shifra të sakta mbi të masakruarit, të cilët u shlyen nga sytë tanë sikur të mos ishin kurrë… Këto të dhëna, përveç të libruara, autori i vë edhe në beze filmi, për ta dëshmuar filmikisht atë që ka ndodhur mbi Tokën e Djegur, duke e shpalosur dhimbjen gjithandej botës demokratike.

Së këndejmi, i kthehemi Djaloshit me dy zemra, i cili sa rritej e lëshonte shtat prej Vigani që mund ta gjejmë vetëm në përralla, ku sytë e vashave fokusojnë dhe ëndërrojnë një  mashkull të bukur siç ishte në fakt, Blerim Nalli, protagonisti kryesor në këtë rrëfim prekës, ku pamja e tij prej një luani me pamje hyji, në kohën e tij më të bukur, ra në sytë e kanibalëve, të cilët, në kraharorin e gjërë sa bjeshka tek dëshmori, Blerim Nalli, i shihnin dy zemra dhe, pa hezituar, e morën dhe ia nxorën organet e brendshme, në brendinë e kamionit të policisë, i cili qëndronte pas kanibalëve me tërë stafin mjekësor, për t’i masakruar djemtë e ri pasiqë i vrisnin si zogjtë e pafajshëm…

Mëtej, për të bëmat e paskrupullta të dorës së zezë, do t’ua lë lexuesve, në veçanti gjeneratës së re, që edhe ata ta hetojnë dhimbjen kolektive, përmes Blerimit të Krushës se Madhe të të Madhit Ukshin Hoti

për të mos e harruar kurrë aromën e Tokës së djegur, në të cilën lindën dhe u rritën.

Së fundmi, duhet të përmendim se, Prof. Nusret Pllana, deri tash ka të realizuara 62 vepra, ca prej tyre libra autorial mbi luftën e UÇK – së, monografi, intervista dhe ekspozita fotografish mbi masakrat e kryera, të ekspozuara si artefakte nëpër shumë qendra universitare në Evropë dhe në Amerikë. Në kuadër të sensibilizimit të lufës, u shfaqën edhe shumë filma dokumentarë të shoqëruar me shumë intervista nga Prof, Pllana.

Filed Under: Histori Tagged With: Djaloshi me dy zemra, Nusret pllana, Remzi Limani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT