NJE CIKEL POETIK NGA IDAJET JAHAJ ENKAS PER DIELLIN/
MENDIMET/
( e dikurshme apo…?)/
Natë e ditë më bluajnë mendimet/
për jetën e lumtur, kulturën, artin;/
Po ç’e do, detyrohem nga mjerimi/
të marr rrugën e emigrantit…/
Gjysma e jetës më shkoi në terr,/
rinia e bukur- flutur;/
Tani mendimet më pikojnë vrer/
për kohën e artë, të humbur./
Mendimet, të lodhura, më shkojnë kudo,/
në sfera të jetës, në politikë;/
Veç përherë më rri ndezur përmbi to/
shqetësimi i këndshëm poetik…/
U DOGJA, O PISHE E NDEZUR…/
-(rinore ?)/
…I ra gurit,/
e thërmoi…/
I ra lisit-/
e shkrumboi,/
Më ra mua
e gjeti Ty
brenda.
…U dogja,
o pishë e ndezur
në muzg.
Ti- altar,
e unë-
murg…
Plejadat rreth hënës
dhurojnë rini
e treten.
Po ti, ti,
në ç’ plejadë
e galaktikë
bën pjesë –
e s’jepesh ?
E s’ jepesh ?!…
Po ha kujtimet,
vetveten…
NENA
(nga gojëdhëna lindore)
…E na i thënka nënës
i biri qafir:
-Aty të rrish,
në t’ errët,
pa yll !
Tek e lidhte për peme
mesnatës në pyll.
E na i thënka nëna
me zemrën fir:
-Kujdes, biro, veten,
të bëhesh i mirë;
Ktheji gjoksin erës,
mos ftohesh,bir…
Cijatnin fletët
nën erën- zefir,
E yjet pëshpërisnin:
-bir, bir…
DY POEZI PER REXHEP QOSEN- NDER I Kombit
-me rastin e 80-vjetorit të lindjes-
1.Besnik – Naim
Perëndia
s’e vdiq Naimin,
E hodhi farë
nën dhe.
E prej tij
mbitë Ju,
o Rexhep Qose-
besnik-Naim.
O fjalë-lotuari
bubullim,
O mjekërtreturi
i kombit tim,
Qe hedh firmën
yll-pranverë:
“Ti, Shqipëri,
më jep nder !”
Që skuq firmën
zjarr e valë :
Shqipëri,
të qofsha falë !”…
2.Yll i Kombit
Si dritë inxhie ndrijnë
mendimet për Shqipërinë.
Si shamia në një valle
ndriçon “Porosia e Madhe”.
Flaka-shatërvan i diellit-
prerë nga drit’ e Naimit.
Sytë-paqe, zjarr e bindje,
mjekra -tretur në Rilindje.
Vepra -shatërvan i nderit,
feks me harqet e ylberit.
Balli-i gjerë, hark Kosove,
Yll’ i Kombit, djersë fitoreje.
Pus i dijes, trim mentar,
krenari për çdo shqiptar !
NJE GRUSHT GRURE…
…Një grusht grurë
të mbjellur mbi një mur.
Një grusht fjalësh,
një grusht vargjesh…
Një grusht shtëpish
të mbledhura mes lagjes.
Një grusht yjesh
të çelura mes valësh,
Një grusht malesh…
Një grusht hi,
një grusht dhe;
Një grusht këngësh
për stinën e re.
Vetëm grushti-
si çekan fytyrash
duhet hequr nga pasqyra…
FJALA “POPULL”
Iku
dhe fjala “popull”.
“Popull”-
s ka më.
Ka pjesëza:
“shoqatë,
kolektivitet,
komunitet…
Pra -popullatë,-
si kafshatë e thatë…
Pra, pak fat
për fjalën “Popull” !
Pak vorbull .
Por, për çudi,
ajo fjalë
duket, zhduket,
çel sërish
si bishë,
hije-dritë
në orbitë
vjen rrotull…
Top of Form
FJALEZA TE URTA PER PUSHTETIN
…Pushteti
është këmishë zjarri.
Kur e largon-ftohesh,
kur e afron-digjesh !…
…Mund ta kesh trupin dhe postin
të madh- si ari,
Por sërish mund të mbetesh
një mikro-njeri !
…I ëmbël është shumë
kolltuku i pushtetit,
por fsheh brenda tij-
dhjetë ballë tërmeti !
…Kur i mbaroi kolltuku,
iu kujtuan shokët atij,
por atëhere mbeti rrugës
i lagur me…vetmi !…
NAIMI DHE MALET
-me rastin e 170-vjetorit të lindjes së poetit të madh (25 maj)…-
Naimi s’ka vdekje kurrë
sepse malet vdekje s’kanë,
E nxorrën nga thelb’ i tyre,
-Këndo, bir, tani !- i thanë.
I dhanë kartën në duar
edhe fjalëzën e artë,
Me shpirtin e përvëluar
këndoi mallin e zjarrtë.
U duhej bilbil-Naimi
maleve kurrize-blertë,
Ndaj e ngurosën Bilbilin
nëpër lisa monument.
Malet gjetën tek Naimi
krehërin e një pasqyre,
që të krihnin nëpër shekuj
flokët e gjelbër të tyre…
DHIMBJE PER POETIN
-me rastin e 80 vjetorit të vrasjes së poetit të madh spanjoll-Frederiko Garsia Lorka-
…Pllanga-pllanga gjaku
bota.
Pllanga-pllanga gjaku
koha.
Siç duket
ajo s’ do të rrotullohej
pa marrë mbi to,
ose edhe mbi njërën prej tyre-
Frederiko-Garsia Lorka…
HAIKU
(tre-vargsha)
…Përmbytje fushash.
Një kryq mbi ujë-
dorë lutjeje…
…Pranverë e plleshme
me lëng bari.
Kodrat-burime…
…Shkretimë fshati.
Selvia e shkollës
përkund cicërima nxënësish…
…Pemë e tharë.
Veç një xhufkë në majë-
blerim kujtese…
E TMERRSHME…
…Një komb hëngri
një tjetër më të vogël,
Një zjarr në Ekuator
shuajti një pyll;
Një tufë luanësh
preu brenda llojit,
Një yll i madh-
një tjetër yll…
…Një popull drejt Hadit
duke duartrokitur Zeusin…
…Një popull në këmbët
e një tjetri për bukë,
Segmenti i kohës
që pjell kriminelë !…
ÇAMERI-PELLG I DHIMBJES
(Duke parë një ekspozitë te fotografit të shquar çam-Skënder Beqirit)
…Gjtihçka aty brenda
gjëmon.
Gjithë
ulërimat e thekshme
të dramës.
Gra
me sy të errur
tmerri e vuajtjeje
për burrat e therur…
Ato-duar-lidhura
jetës ç’ t’i japin ?
Fëmijë
me zemra e koka të ngethura
urie e ere,
këmbëçarë nga ciknat…
Vasha
(oh, yllesat shqiptare!)
-në radhë për një copë bukë !
Sytë e hirtë, të vdekur
të një plaku
bri ullirit të djegur
vallë hënës ç’i thonë ?!…
Një magnetofon diku,
në skaj,
shpërndan simfoninë e dhjetë
të përgjakur çame.
Toka atje
lëkundet ende
nga valët e gjakut,
nga rrathët e dhimbjes.
Një djalë i sotëm çam
(prej Vlore)
puth muret e shtëpisë së gjyshit
atje në Çamëri.
Gurët aty s’janë
veçse lotët e ngrirë
të çamëve.
Mbi gërmadhat enden
me tym të zi e të kaltër
legjendat e Çamërisë.
Motër, bijë, Çamëri,
gjer kur do të të shohim
vetëm në fotografi ?
Çamëri-Hiroshimë shovene,
Çamëri- dy herë Bosnjë e Kosovë
retrospektivë e shekullit…
LIVADHI
T’i njihja gjithë lulet emër për emër,
Të emërtoja kështu krejt livadhin e gjelbër…
Ta lexoja livadhin, si libër ta ktheja ,
Çdo faqe me lule dhe aroma të reja…
Me pamje të tjera e të tjera ngjyra
që i stolis me aq ankth dor’ e mëmës-natyra.
E kështu, mes lulesh, do doja pa mbarim
të endej e të tretej përjetë shpirti im…
Sepse në zemër më ndrit një livadh me lule,
që zemrave dua t’ua jap
si me tinguj cule…