• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pashkët, fillimi i një jete të re!

April 3, 2021 by dgreca

Vazhdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët-Imzot Massafra uron nga spitali-/

Imzot Angelo Massafra nga rehabilitimi në spitalin “Miulli” ku gjendet tashmë pёr t’u shëruar nga Covid-19, i bashkohet festës sё Pashkëve me një mesazh.

Imzot Massafra shprehet në mesazhin e tij se tingulli i natës së këmbanave të të gjitha Kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. 

Ai thotë se Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re. Imzot Masafra bekon besimtarët dhe iu kërkon që të vazhdojnë lutjen tuaj për të dhe për të gjithë të sëmurët. 

MESAZHI I PLOTË
Të dashur vëllezër dhe motra, duke qenë e pamundur të jem i pranishëm personalisht në mesin tuaj për shkak të sëmundjes që po më detyron të qëndroj në Spital, gjë që po zgjat tashmë më shumë se një muaj, dëshiroj të jem i pranishëm me këtë mesazh për të reflektuar së bashku mbi dhuratën pashkore të Krishtit të Ringjallur, shpresa jonë e vetme.

Tingulli i natës së këmbanave të të gjitha Kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. Janë Pashkët e ringjalljes, aty ku Krishti i ringjallur nga të vdekurit përfaqëson risinë për të gjithë ata që aspirojnë jetën e re.

Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re, pasi që i kemi rënë mohit të keqes dhe mëkatit të futur në natyrën tonë; mohimi i së cilës Kreshmët kanë qenë një simbol, por edhe një rrugë konkrete. Por cili nga ne mund të thotë më të vërtetë se është i aftë për të bërë, në mënyrë të përsosur, zgjedhje për një ndërrim rrënjësorë? Gjithmonë ndihemi nevojtarë për të filluar nga e para, për të përshkuar shtigje mohimi, shkretëtireje, për të arritur oaze freskuese të cilat japin shpresë për të vazhduar ecjen.

Është gjithmonë dora e Zotit që na shtyn për të ecur, për të braktisur siguritë tona që t’i hapemi së resë. Njeriu, në fakt, nuk shëlbohet vetëm: sikur të varej nga ne, do t’u kënaqnim në zakonet tona, në “kështu është bërë gjithmonë”, dhe do të qëndronim në një gjendje vdekjeje të parakohshme, pa shpresë, pa aspirata, por vetëm me ato gjëra që ndodhin përpara syve tanë për të kënaqur nevojat e menjëhershme të mbijetesës. Por gjithashtu edhe këtë vit dora provanore e Zotit i shtyu besimtarët e tij për të përshkuar shkretëtirën kreshmore “për të arritur të përtërirë në festën e pashkëve” (lutja e të enjtes së javës së IV të Kreshmëve);

– Na ka bërë imitues të atit tonë Abrahamit i cili braktisë gjithçka për ecjen që do ta çojë në takim me Hyjin i cili premton risinë e jetës;
– Imitues të etërve tanë në ikje nga Egjipti me shpresë që të arrijnë tokën e premtuar;

– Imitues të Zotit tonë Jezu Krisht, solidar me ne në shkretëtirën e zhveshjes, ku njerëzimi ynë vihet përballë tundimit që të dalim fitimtarë, të forcuar me Fjalën e Zotit, shpëtimin e vetëm kundër së keqes. Dhe ja tani Pashkët, oazë freskie që shuan etjen tonë në këtë fazë të jetës; të gatshëm për të filluar rrugëtimin, pas zhytjes freskuese në ujërat e Pagëzimit, nga i cili jemi rilindur në jetë të re: “Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 4). Ecja që na vihet përpara, pra, ka shijen e jetës së re; dhe ky është urimi im i Pashkëve të Shenjta për këtë vit, 2021.

– Një jetë të lirë nga mëkati sepse është e palëkundshme në dashurinë e “Atij që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit” (2 Kor 5, 21);

– Një jetë në përputhje me vullnesën e Hyjit dhe në shenjtëri, në shembullin e Krishtit, i cili duke ardhur në botë thotë: “Ja, unë po vij për të bërë vullnetin tënd. (…) Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë e përgjithmonë”. (Heb 10, 9- 10 );

– Një jetë të shënuar nga bamirësia, në shembullin e Atij që “e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të”. (Vap 10, 38b);

– Një jetë nën veprimin e Shpirtit të mëshirës të dhënë nga Ai që, i Ringjallur, hukati mbi dishepujt natën e Pashkëve dhe tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”. (Gjn 20, 22b-23); Dhe me Shën Palin unë ju bëj thirrje: “Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit”. (Kol 3, 1).

Dhe në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë, pa dallim: ju më keni mbështetur në këto Kreshme të veçanta për mua. Krishti i Ringjallur ju bekoftë, gjithashtu edhe unë ju bekoj dhe ju kërkoj që të vazhdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët. Pashkë të Shenjta!

*** 

Besimtarët katolikë festojnë Pashkët, Imzot George Frendo mesazh: Mos lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri është hero…

“Mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit”.

Me këtë mesazh për forcë dhe shpresë në këto kohëra të vështira që po jetojmë, Imzot George Frendo përcjell urimin e tij për të gjithë besimtarët katolikë të cilët kremtojnë Pashkët këtë të diel.

Teksa iu bën thirrje të rinjve të mos largohen nga Shqipëria Imzot George Frendo i fton ata të sillen si heronj duke qëndruar dhe ëndërruar për një Shqipëri më të mirë.

“T’ia dëshmojmë të rinjve që kultivojnë një ëndërr, që një ditë të largohen nga Shqipëria drejt një vendi më të pasur. Kush kultivon këtë ëndërr mendon se është guximtar. Por ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero. Ndoshta shumë të rinj kënaqen të jenë guximtarë. Por le të kërkojnë më shumë të jenë heronj. Shqipëria ka nevojë për ju, të dashur të rinj: Jeni e ardhmja e Shqipërisë. Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, fitoren e shpresës mbi dëshpërimin. Ngjallja e Krishtit le t’ju dhurojë vendosmëri që Shqipëria jonë, vend i stolisur me shumë bukuri, të bëhet, përmes jush, një vend edhe më i bukur”, ishte disa nga fjalët e Imzot George Frendo.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Masafra, Pashket

PASHKËT, KRISHTI I NGJALLUR SHKATËRRON VDEKJEN DHE MËKATIN

April 2, 2021 by dgreca

Dom Pjetër Popaj, Famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës” në New York në një komunikim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, uron në mënyrë solemne besimtarët e krishterë në USA dhe të gjithë shqiptarët në mbarë botën me rastin e festës së Pashkëve. Famullitari Popaj falenderon dhe bekon besimtarët e famullisë së tij për përballimin me sukses të pandemisë në një kohë që jo vetëm nuk ia kthyen shpinën Zotit por dëshmuan fe dhe shpresë si dhe lutet për shpirtrat e humbur gjatë pandemisë globale.  Famullitari Popaj apelon për dashuri, vëllazëri, lutje, bekim, shpresë dhe pendesë.

PASHKËT, FESTA KU KRISHTI MUNDI VDEKJEN

Festa e Pashkëve është festa më e rëndësishme për ne të krishterët, është koha dhe festa më e shenjtë. Kjo festë është misteri i mistereve. Është koha në të cilën Krishti tregon se pse ka ardhur në botë për shëlbimin tonë, për të shkatërruar atë që na ka shkatërruar neve, vdekjen tonë e për të na ringjallur në jetën e pasosur. Vdekja ka ardhur prej mëkatit. Jezusi e shkatërron të keqen me ardhjen e tij. Për shëlbimin tonë Jezusit i është dashur të kalojë në shumë mundime njësoj si mundimet tona në jetë. Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit që përkojnë me vuajtjet dhe sakrificat e Jezusit 40 ditë e netë në shkretëtirë, që quhen Kreshme. Ne perkujtojmë atë rrugëtim sprovash e mundimesh që Jezu Krishti ka kaluar për shëlbimin tonë. Krejt besimi i krishtërë është themeluar në misterin e Pashkëve, në mundimet, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit prej të vdekuri. Ne vdesim me Krishtin e ngjallemi me Krishtin. Pashkët fillojnë përgatitjen që nga e “Mërkura e Përhimeve”, që fillojnë Kreshmet 40 ditë që na përgatisin si të krishtërë, për ti jetuar shpirtërisht këto kohë. Është një kohë thellimi në jetën tonë, kohë reflektimi në vepra të mira, në pendesë, në sjellje të mirë, në rrëfime, përshpirtshmëri, ka shumë rëndësi jo vetëm me u duk i krishterë por me jetu si i krishterë. Ashtu siç Krishti çrrënjosi vdekjen, ashtu dhe ne duhet të çrrënjosim brenda vetes tonë mëkatin. Më pas fillon e Enjtja e Madhe, ose tre ditëshi i Pashkëve që është themelimi i meshës së shenjtë dhe urdhëri i Krishtit që thotë: ‟Bëjeni këtë në përkujtimin tim”. Është themelimi i urdhërit të meshtarisë, shugurimi i apostujve. Jezusi u lan këmbët apostujve duke treguar dashuri të madhe. Se dashuri nuk do të thotë vetëm gjëra të mira por edhe sakrificë, edhe pluhuri i këmbëve, që simbolizon pluhurin e mëkateve tona. Është një shenjë e madhe dashurie e sakrifice. Kjo është shenjë e dashurisë së Zotit ndaj nesh, i cili përveç të tjerash vdes në kryq për shëlbimin tonë, për larjen e mëkateve tona. Në Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujtojmë kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Të shtunën është vdekja e Jezusit, e vetmja ditë që s’ka meshë. Të shtunën Krishti pushon në varr.  E Diela e Pashkëve është Ringjallja e Krishtit nga varri. Fjala ‟Pashkë” do të thotë “pesa” në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar. Kalimi nëpër detin e kuq, është një formë pagëzimi, kalim në tokën e premtuar. Kalimi i ëngjullit të vdekjes mbi dyert e shtëpive që ishin të lyera me gjakun e qingjit të Pashkëve në formë T. Qingji i Pashkëve është Krishti vetë, ai ofron theroren dhe bëhet vetë therore. Gjithçka që është thënë në testamentin e vjetër është zbuluar dhe plotësuar në testamentin e ri, testamentin e Krishtit. Pashka është festa e festave për ne të krishterët. Sa fort don Zoti me shëlbuar njerëzimin mbarë me anë të vdekjes e ringjalljes së Krishtit.

PANDEMIA NA FORCOI NË FE DHE SHPRESË

Për famullinë tonë ka qenë një vit shumë i vështirë. Me ndihmën e Zotit kemi dalë të jemi të fortë në fe dhe në shpresë. Ne jemi një popull shumë i ndërgjegjshëm dhe që zbatojmë me përpikmëri rregulloren dhe ligjet e Administratës së shëndetësisë dhe rregullat e kishës. Jemi një popull i vuajtur që kemi kaluar shumë në të kaluarën. Kjo na ka bërë më të fortë në fe dhe të dëgjueshëm. Kemi pasur mirëkuptim te njerëzit në zbatim të rregullave. Edhe ceremonitë kanë qenë në zbatim të plotë të rregullave dhe besimtarët kanë dëshmuar një qytetari të veçantë në këtë kohë. Ishte një kohë e pazakontë dhe na ka ardhur keq kur u kemi thënë besimtarëve mos hajdeni në Kishë, sa herë ndryshonin rregullat e shtetit për pandeminë. Edhe pse kishim shumë humbje, feja e njerëzve veçse rritej e nuk pakësohej. Besimtarët kanë qenë të shkëlqyer në këtë periudhë të vështirë për mbarë globin e jo vetëm për famullinë tonë. I falenderoj dhe i bekoj në mënyrë të veçantë.

RELIGJIONI NË KUSHTET E PANDEMISË

Ka qenë shumë e vështirë që të realizonim proceset fetare në famulli në kushtet e izolimit dhe pandemisë masive por nepërmjet LiveStream kemi ofruar çdo shërbesë fetare pothuajse si në kushtet normale. Në çdo moment ne kemi qenë prezent për besimtarët tanë. Besimtarët nuk u shkëputën nga kisha por qëndruan të lidhur shpirtërisht. Besimtarët tanë kanë pasur një fe të gjallë. Jam ndjerë i mrekulluar prej besimtarëve tanë që na kanë ndjekur dhe kanë treguar besim të fortë. Kjo është një shenjë e mrekullueshme prej Zotit. Duke qëndruar të lidhur me Zotin, në lutje dhe shpresë, duke ia dedikuar Zotit, duke i motivuar fort, duke u qëndruar pranë me këshilla dhe lutje kemi arritur të formojmë një marrëdhënie të fortë në fe dhe shpresë me besimtarët tanë. Lavdi i qoftë Zotit për besimin që kanë në zemër besimtarët tanë. Ata gjatë kësaj periudhe kanë treguar një shenjtë të fortë feje. Historikisht, ne shqiptarët kemi treguar shenja e lidhje të veçantë me besimin. Në kohërat më të vështira shqiptari nuk e humbi fenë. Këtë e dëshmuan edhe në këtë pandemi. Kjo është dhuratë dhe bekim prej Zotit. 

FAMULLIA ZOJA E SHKODRËS PËRBALLË PANDEMISË GLOBALE

Numri i vdekjeve dhe infektimeve jo vetëm në famullinë tonë por globalisht ka qenë një vit që nuk mbahej mend më parë. Bota u gjend sa hap e mbyll sytë nën një kërcënim dhe infektim masiv. Bilancet ishin si të luftës. Për këdo ishte e vështirë. Shumë gjëra ndryshuan por feja jonë nuk ndryshoi. Që prej pandemisë më shumë se 135 vetë ndërruan jetë, vdekje të parakohshme, një shifër kjo shumë e lartë për famullinë tonë. Në kushte normale, kjo famulli regjistronte nga 10 deri në 15 vdekje në një vit, imagjinoni sot sa të larta janë shifrat. Ky ishte një vit i rëndë pasi mbi të gjitha njerëzit nuk dinin fundin e kësaj pandemie dhe shqetësimi sa vinte e shtohej. Ne jemi popull që kemi vuajtur gjithmonë. Vuajtja nuk na ka frikësuar, vuajtja na ka forcuar më shumë. Shqiptari është i gjallë, është i fortë. 

JETA FAMULLITARE NË FAMULLINË ZOJA E SHKODRËS

Besimtarët e mi nuk janë thjeshtë besimtarë, ata janë familja ime. Unë kam 30 vjet këtu me këtë popull të dashur e të nderuar. Ne kemi një lidhje speciale mes nesh. Ne jemi rritur së bashku, ne jemi një familje e madhe. Njihemi familjarisht e kemi lidhje shumë të fortë. Shqiptarët janë model për jetën katolike që bëjnë. Kjo sëmundje ka shkaktuar dëme dhe çregullime politike, ekonomike, sociale, psikologjike. Kjo pandemi ka vënë në rrezik krejt njerëzimit në të gjitha aspektet. Pavarësisht sfidave të mëdha sidomos tek emigrantët e rinj, ata gjithmonë e gjejnë kohën të ndjekin procesionet fetare dhe të jenë të rregullt në kishë. U jam mirënjohës për fenë dhe besimin që kanë. Zoti i bekoftë dhe i shpërbleftë më të mira për besimin dhe devotshmërinë që kanë. 

MESAZHI I URIMIT PËR FESTËN E PASHKËVE

Kjo është një festë e madhe për të gjithë ne. Si fillim lus Zotin që në këtë kohë të shenjtë të pendesës, të uratës e të bamirësisë që të na shërbejnë për përmirësimin tonë të vazhdueshëm shpirtëror e fizik. Festë të gëzuar, të paqtë e të lumtur për të gjithë. Lus Zotin për të gjithë ata njerëz që e ndjejnë vetën të larguar pak prej Zotit që kjo kohë ti afrojë afër Zotit e njëri tjetrit. Kush vjen afër Zotit vjen afër familjes e afër vetvetes. Lus Zotit që të shërohen të gjithë ata që po lëngojnë prej pandemisë e të gjitha sëmundjeve e shqetësimeve të tjera. Lus Zotit që të shërojë çdo njeri ashtu si Krishti na sheroi ne prej sëmundjes së vdekjes. Lutem që pandemia të mbarojë sa më shpejt dhe bota të gëzojë paqen, zhvillimin e begatinë, pa kërcënime e shqetësime sëmundjesh, por me lumturi e besim te i madhi Zot. Lus Zotin që të kemi një kohë shërimi për të gjallët dhe për të ikur në botën e pasosur të kenë jetën nëpërmjet Krishtit me anë të Ringjalljes. I lumi Jezu Krisht me anë të Ringjalljes dhe dritës së tij, të lutemi që ta shkatërrojë terrin e vdekjes e të sjellë për të gjithë njerëzit shpëtimin e shëlbimin që ne presim dhe lutemi çdo ditë. Shërimi i Krishtit dhe shpëtimi që vjen prej tij le të jetë prezent në jetën e secilit prej nesh. Pashkë të gëzuara e të bardha për të gjithë. 

Filed Under: Featured Tagged With: dom Pjeter Popaj, Pashket

FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” UROJNE BESIMTARET ORTODOKSE

May 1, 2016 by dgreca

Fedearata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta”DIELLI” urojnë besimtarët ortodoksë: Përshumëvjet Festën e Pashkëve!

Filed Under: Komunitet Tagged With: besimtaret ortodokse, federata Vatra, Gazeta Dielli, Pashket

BESIMTARËT ORTODOKSË FESTOJNË RINGJALLJEN E KRISHTIT. GËZUAR PASHKËT!

May 1, 2016 by dgreca

Besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkët, ndërsa mesnatën e mbrëmshme kremtuan ngjalljen e Jezu Krishtit.

Mijëra besimtarë ortodoksë u mblodhën mbrëmë në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet. ku kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas janullatos iuroi fillimisht në gjuhën shqipe

Janullatos duke  u ndalur te  simbolika e pashkës, u kërkoi të gjithë të pranishmëve që të lënë pas mëkatin e përmes besimit të ndihmojnë veten dhe të tjerët për të përmirësuar sjelljen dhe jetën e tyre.

Me qirinj në duar, drita e të cilëve simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, besimtarët e shumtë ndoqën meshën e shenjtë.

Dashuria, shpresa dhe miresia nuk duhen lënë të vdesin është mesazhi që përcjell kjo festë.

Traditë e festes se pashkes janë vezët e kuqe. Pashkët festohen të dielën mbas hënës së parë të plotë të pranverës bazuar në kalendarin Julian.

pashketpashket 2pashket 1

Filed Under: Komente Tagged With: Besimtaret ortodoks, festuan, Pashket

Kosovë-Festa e Pashkëve, me ndjenjën e bashkimit dhe solidaritetit

March 27, 2016 by dgreca

-Urimi  i Presidentes Jahjaga me rastin e Festës së Pashkëve/

PRISHTINË, 27 Mars 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi një mesazh urimi Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Pashkëve.

 “Me rastin e Festës së Pashkëve, më lejoni që në emrin tim personal por edhe në emër të Institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Juve dhe të gjithë besimtarëve  t’iu urojë që këtë festë të ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjes së besimit te Zoti ta kremtoni në paqe, shëndet e harmoni”, thuhet në mesazh. Festat si kjo e Pashkëve,  vijon Jahjaga, kthejnë ndjenjën e bashkimit dhe të solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetjen dhe për përkujdesjen institucionale.

“Andaj,  në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të tolerancës së bashku të punojmë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe të lutemi për paqe, siguri dhe begati për gjithë njerëzimin”, shprehet Presidentja kosovare.

Ajo thekson se, urimet e përzemërta dua t’ua përcjelli edhe ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it,  si dhe të gjithë përfaqësuesve të  tjerë ndërkombëtarë, që do të festojnë Pashkët në vendin tonë.

“I nderuari Ipeshkëv Gjergji, ju uroj edhe një herë që Ju dhe të gjithë besimtarët,  këtë feste ta kaloni në paqe, gëzim, begati dhe mirëqenie shpirtërore”, përfundon mesazhin Presidentja e Kosovës.

***

Kryeministri Mustafa uron besimtarët për Festën e Pashkëve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë dhe krerët e komuniteteve fetare, të cilët kremtojnë sonte Festën e Pashkëve.Në urimin e kryeministrit Isa Mustafa, thuhet:

Me rastin e Festës së Pashkëve, iu shpreh urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë, të cilët kremtojnë sonte këtë festë të madhe.

Me mesazhet e saj të shenjta, Festa e Pashkëve, mbush shpirtin dhe mendjen e njerëzve anekënd botës plotë me shpresë, gëzim dhe dashuri.Festa e Pashkëve, me vlerat dhe virtytet e panumërta që risjell në mendjet tona, na frymëzon dhe na e forcon besimin dhe optimizmin se e mira do të triumfojë gjithmonë mbi të keqen, dashuria mbi urrejtjen, paqja mbi luftën dhe dhunën shumëformëshe.Festa e Pashkëve sivjet, ka një vlerë dhe përjetim të posaçëm në Kosovë dhe vendet tjera me shqiptarë, sepse në shtator do të përjetojmë nderin dhe kënaqësinë e shenjtërimit të Nënës tonë Terezë, simbolit global të humanizmit, mirësisë dhe dashurisë vetëmohuese për njeriun.Ta festojmë me gëzim e me besim në të ardhmen këtë festë të shenjtë.

Për shumë mot Pashkët!

Isa Mustafa

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Filed Under: Komente Tagged With: bashkimi, paqa, Pashket, Presidente Jajaga

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT