• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

XHIM XHEMA: SHQIPTARO-AMERIKANI QË I QITI TELASHE TË MËDHA SERBISË SË MILLOSHEVIÇIT

February 19, 2017 by dgreca

2 Xhim xh(Me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)/

Nga Frank Shkreli/

Me rastin e 9-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Republika e Kosovës me institucionet e saja dhe shqiptarët kudo, në mënyrën e tyre, festuan këtë përvjetor duke nderuar veprat dhe heroizmat e shumë individëve që punuan, kontribuan, sakrifikuan dhe madje dhanë jetën për kauzën e lirisë dhe për pavarsinë e Kosovës.

Unë sot dua të vendos, jo vetëm në radhën e këtyre një shqiptaro-amerikan, të cilit ndoshta i takon vendi në krye të listës së atyre që duhet të kujtohen dhe të falënderohen për punën e tyre heroike dhe për kontributet që kanë dhënë në realizimin e çlirimit të Kosovës nga regjimi barbar i Serbisë.  Përpjekjet, sakrificat dhe luftërat shekullore të të cilëve, më në fund, u kurorëzuan me   pavarësinë e Kosovës, duke ndryshuar kështu, për më mirë dhe përgjithmonë, historinë e kombit shqiptar.

E kam fjalën për shqiptaro-amerikanin, Xhim (Xhemail) Xhema, biznismenin dhe njërin prej aktivistëve më të dalluar në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.   Xhimi, siç njihet nga miqtë dhe dashamirsit e tij, jeton e punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte vendosur më 1968.  Ai ka lindur në fshatin Tupallë të Medvegjës të “Shqipërisë lindore”, por pohon se familja e tij e ka origjinën prej Shkrelit të Malësisë së Madhe.  Për të gjithë ata që e njohin, Xhimi është tepër modest dhe nuk flet për veten dhe për as sukseset e tija në jetë, si njëri prej biznismenëve më të dalluar — i njohur si i tillë në qarqet amerikane dhe ato shqiptare, jo vetëm si mjeshtër i madh i profesionit të tij në ndërtimtari, por i njohur edhe në fushën politike si patriot që e ka provuar veten gjatë veprimtarisë së tij politike 40-vjeçare këtu në Amerikë, se ai ishte dhe, me të vërtetë, mbetet i pa-arritshëm në këtë fushë.   Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, të cilin ai me bashkpuntorë të tjerë  shqiptaro-amerikanë, kishte ndihmuar në themelimin e tij, e që falë përkushtimit të Xhimit, luajti një rol të rëndësishëm, ndoshta të pazevëndsueshëm, në mbrojtje të Kosovës gjatë 1990-ave dhe në mbështetje të interesave shqiptare në përgjithsi — e kishte dekoruar më 2003 me medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë përmirsimit të  jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”

Përkushtimi dhe devocioni i Xhim Xhemës – dje dhe sot — ndaj interesave shqiptare në Shtetet e Bashkuar dhe në trojet e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor nuk kanë kufi.  Xhim Xhema e kishte kuptuar shumë mirë se fati i shqiptarëve në të kaluarën kishte qenë i lidhur me Amerikën.  Ai ishte i vetdijshëm për rolin që kishte luajtur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Fan Nolin – në fillim të shekullit 20– në ndërmjetësimin e presidentit amerikan Woodrow Wilson, në favor të pavarësisë së Shqipërisë.  Xhimi me disa pjesëtarë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan kishte ardhur në përfundimin se vetëm Amerika do të ndihmonte shqiptarët dhe të drejtat e tyre edhe në fund të shekullit 20.  Ai filloi të trokiste në dyertë e senatorëve dhe kongresmënve më të njohur të jetës politike amerikane, për t’i njohur ata me situatën tepër të vështirë përball të cilës gjëndeshin shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët në përgjithsi, anë e mbanë trojeve të veta.   Dyertë e tyre nuk ishin kurrë të mbyllura për Xhimin.

Kam patur fatin që Xhim (Xhemail) Xhemën ta kem njohur për më shumë se 30-vjetë.  E kisha takuar për herë të parë në Washington aty nga gjysma e 1980-ave, në një prej vizitave të tija të shpeshta që bënte në atë kohë nga New Yorku në Washington.  Ishte pothuaj kulmi i luftës së ftohtë, por edhe fillimi i përpjekjeve të shqiptaro-amerikanëve për ndërkombëtarizimin e asaj, që në atë kohë filluam t’a cilësonim si, “çështja kosovare”, “The Kosova issue”.   Deri në vitet 80-ta, ish-Jugosllavia, megjithse një vend komunist, gëzonte një mbështetje dhe reputacion të konsiderueshmëm në Washington, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.  Fjalët e ish-Jugosllavisë kishin peshë dhe jo vetëm në qarqet qeveritare, por edhe në ato akademike dhe gazetareske.  Por ja, më në fund, falë veprimtarisë së Xhim Xhemës me shokë, gënjeshtrave  dhe shpjegimeve zyrtare të Serbisë mbi situatën dhe trajtimin e tmershëm që u bëhej të shqiptarëve të Kosovës, u kishte dalë boja – diplomacia jugosllave kishte filluar të vihesh gjithnjë e më shumë në dyshim nga Washingtoni zyrtar.  Serbia kishte filluar të fliste me veten, pasi nuk priste një ndryshim të qendrimit të Washingtonit ndaj shqiptarëve “irredentistë” të Kosovës, por gënjeshtrat e Beogradit nuk ishin më monopol i Serbisë.  Tashti kishte edhe një zë të besueshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me ngjarjet në Kosovë, një zë që filloi të sigurnte besimin dhe bindjen e zyrtarëve të Washingtonit dhe botës, se diçka e tmershme po ndodhte në Kosovë. Vërtetë, diçka po ndodhte! E vërteta mbi trajtimin e keq të shqiptarëve nga regjimi i Beogradit, më në fund, kishte arritur në Washington, falë përpjekjeve të Xhimit me shokë, të cilët nepërmjet të vërtetës mbi gjëndjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës, do të ushtrohej influencë mbi politikën amerikane në favor të kauzës së shqiptarëve për liri e demokraci dhe më në fund edhe për mbështetjen e pavarsisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara.

Periudha e 80-ave dhe sidomos në vitet 90, lobimi i komunitetit shqiptaro-amerikan kishte arritur kulmin dhe fal Xhim Xhemës me shokë, përfshirë edhe ish-kongresistin me origjinë arbreshe, Joe Dio Guardi, konsiderohej si një prej grupeve lobiste më me influencë në Washington, gjë që krahasohej me lobin izraelit, i cili konsiderohet si më i fuqishmi.   Është meritë e Xhim Xhemës që komuniteti shqiptaro-amerikan siguroi mbështetjen për kauzën shqiptare të disa ligjvensve më me influence në Amerikë — si republikanë ashtu edhe demokratë.  Xhimi ishte bërë si “vendas” në Washington gjatë 80-ave dhe 90-ave.   Më kujtohet me një rast një vizitë e Xhim Xhemës në Kongresin amerikan.   Ndërsa po shkonte tek disa zyra të ligjvensve, dëgjoheshin zërat e stafit që e panë, duke thirrur, “Jimmy is coming, Jimmy is coming”, Po vjen Xhimi, Po Vjen Xhimi.  E tillë ishte prezenca e tij, sidomos në Kongresin amerikan por edhe në ente të tjera qeveritare në Washington. Sidomos, miqësia e tij me Senatorin Bob Dole, ishte kritike në mendimin tim. Xhimi kishte mbështetur fuqishëm fushatat politike të Senatorit Dole dhe ish-presdentit George Bush por jo vetëm me këta.   Xhimi dinte të bënte për veten politikanë me mendime të ndryshme nga të dy partitë kryesore, përfshirë jo vetëm senatorët nga New Yorku, e Connecticut, ku jetonte dhe punonte, por edhe nga shtete më të largëta, si  Senatori Bob Dole nga Kansas dhe Senatori Mitch McConnell nga shtetit Kentucky, me të cilin Xhimi vazhdon të ruaj miqësi të ngushtë dhe i cili tani është kryetar i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Besoj se ndër sukseset e para me rëndësi dhe me pasoja të mëdha për të ardhmen e Kosovës dhe gjithë shqiptarisë – megjithse ai është tepër modest të flasë për sukseset e tija – të ketë qenë lobimi tepër efektiv, besoj me ndihmën e Senatorit Dole, për të bindur Presidentin Bush të vjetër që t’i dërgonte Serbisë, atë që tani njihet si “Paralajmërimi i Krishtlindjes – letra pra dërguar Beogradit zyrtar më 25 dhjetor të vitit 1992 për të mos shkelur vinë e kuqe.   Presidenti Bush i kishte dërguar një letër sekrete kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milloseviçit me një mesazh të shkurtër, por i cili ishte i qartë, i përpikët dhe nuk lente hapësirë për dyshim për askënd: “Në rast se në Kosovë ndodhë një konflikt i cili shkaktohet nga provokimet serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë si edhe mbrenda vetë territorit të Serbisë.”  Letra sekrete e Presidentit Bush u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët atje gjatë 1990-ave.   Këjo politikë e Uashingtonit, e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush në fillim të 90-ave, u përsërit herë pas here gjatë asaj dekade nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe zyrtarët e lartë të administratës së tij.  “Jemi të gatëshëm të përgjigjemi ndaj serbëve, në rast të një konflikti në Kosovë, i shkaktuar ose i provokuar nga Serbet”, kishte pohuar Sekretari i Shtetit në administraten e ish-Presidentit Klinton, Uorren Kristofer me 13 Shkurt 1993.   Dhe, “Politika amerikane nuk ka ndryshuar” pat deklaruar më 4 Mars të vitit 1998, Robert Gelbard, përfaqsues i posaçëm amerikan për Ballkanin kur u pyet nëse ishte gjithnjë në fuqi paralajmërimi i Presidentit Bush.   Dhe më në fund, vet ish-Presidenti Bill Klinton, në Mars të vitit 1999 deklaroi në Uashington se, “Vija e kuqe ishte shkelur….dhe nuk besoj se duhet të rrimë duarkryq ndërsa mijëra veta vriten e masakrohen dhe varrosen në fusha topi, para se ne të bejmë diçka”, pë t’i ndaluar ato.”   Me 24 Mars, 1999, Presidenti Klinton urdhëroi fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë.

Xhim Xhema e kishte gjithmonë gishtin në pulsin e politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj shqiptarëve në përgjtihsi dhe ndaj Kosovës në veçanti, deri në shpalljen e pavarësisë.   Nga paralajmërimi i Presidenti Bush të vjetër, qendrimi amerikan për lirinë e shqiptarëve të Kosovës u bë pjesë e politikës së jashtme amerikane, për tu zhvilluar, për tu mbështetur dhe për tu kultivuar nga udhëheqsit më të njohur të Amerikës në Kongresin amerikan të asaj kohe  dhe nga administrata të ndryshme — përfshirë Presidentin demokrat Bill Clinton i cili bindi NATO-n dhe urdhëroi bombardimin e Serbisë e deri tek republikani George W Bush i ri – njëri prej meritorëve të pavarësisë së Kosovës,  i cili deklaroi nga kryeqyteti i kombit në Tiranë se “mjaft është mjaftë”, Kosova duhet të jetë e pavarur.

Ky përkushtim i Amerikës ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës vazhdon të pasqyrohet edhe në ditët e sotëme.   Një delegacion kongresistësh amerikanë – republikanë dhe demokratë — në vizitën e tyre të parë të Kongresit të ri jashtë vendit në fillim të administratës së re amerikane, vizituan ditët e fundit Kosovën.  Në takimet e tyre me zyrtarë të lartë në Prishtinë, pohuan     mbështjen e vazhdueshme pa rezerva të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

Xhim Xhema e kishte kuptuar që në fillim se për kauzën shqiptare në përgjithsi, për lirinë dhe për pavarsinë e Kosovës në veçanti, ai duhej të punonte me përfaqsues të dy partive kryesore të Amerikës, si me republikanët ashtu edhe me demokratët.  Politika amerikane ndaj Shqipërisë dhe Kosovës vazhdon të mbështetet nga Washingtoni pa marrë parasyshë se cila parti ka shumicën.   Megjithë veprimtarisë prej pothuaj 40-vjetësh e cila vazhdon gjithnjë, Xhim Xhema kurrë nuk humbi interesimin as mbështetjen për mirëvajtjen e punëve shqiptare, gjithmonë i gatëshëm për t’i ardhur në ndihmë çeshtjes shqiptare.  Gjatë takimit të fundit me të, duke biseduar pak si me zhgënjim për zhvillimet dhe gjëndjen politike të këtyre viteve të fundit në trojet shqiptare, ndoshta me gjysëm shaka, e gjysëm seriozitet, Xhimi në kalim sugjeroi se ndoshta ka ardhur koha të ri-angazhohemi përsëri si komunitet, ndonëse kësaj radhe armiku nuk është më Sllobodan Millosheviqi.

I nderuar Xhimi, të njohim si njeri tepër modest për veprimtarinë tënde,  por e ndjejë si detyrim moral që në këtë 9-vjetor të Pavarsisë së Kosovës, këto dy tre fjalë t’i kushtoj me respektin ma të madh për punën tënde prej shumë dekadash në mbështetje të lirisë dhe demokracisë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për veprën tënde të vazhdueshme në mbështetje të kauzës mbarë shqiptare të kombit dhe për emërin e mirë që u ke dhënë shqiptarëve në atdheun tonë të adaptuar këtu në Shtetet e Bashkuara.   Xhimi, ti je krenaria jonë.  Të përshëndesim në këtë ditë të shënuar, jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët kudo.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, pavaresia e Kosoves, Xhim Xhema

SHQIPTARËT NË ZELANDËN E LARGËT SHËNUAN DITËN E SHPALLJES SË PAVARËSISË

February 19, 2017 by dgreca

Pergatiti per Diellin:Sabit Abdyli/
1 Zelanda e ReMe rastin e festës sonë të madhe të 17 Shkurtit. Mërgata shqiptare organizoi drekë të përbashkët në parkun e njohur të qytetit “One Tree Hill. Ata” krejt mbas ditën u kënaqën së bashku nën hijen e drurëve gjigant dhe ambientin e mrekullueshëm të parkut. Pranë sofrës së  përbashkët me ushqime tona tradicionale e pije uruan njëri tjetrin, shprehen gëzimet e shqetësimet e tyre për gjithçka që po ndodhë në tokën e origjinës së tyre. Krijuesi Ilir Hoxha zgjoi emocione malli  e krenarie  me recitime të poezive të tija të shkruara ekskluzivisht për Pavarësinë dhe  vendlindjen (Kosovën), kurse Osmon Lleshi me shakat e tija të këndshme, herë-herë edhe me thumba, krijoi çaste gëzimi e hareje në mesin e manifestuesve.
Sabit Abdyli, 19 shkurt 2017

Filed Under: Kronike Tagged With: Festohet, pavaresia e Kosoves, Sabit Abdyl, Zelande e Re

SHBA-Kosovë-Presidenti Trump uron presidentin Thaçi për Ditën e Pavarësisë

February 16, 2017 by dgreca

-President Trump congratulates President Thaçi on Independence Day/

-Mbretëresha Elizabeta II uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës/

4 Trump

PRISHTINË, 16 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-B. Jashari/ Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit.Kjo sapo u bë e ditur nga Presidenca e Kosovës në një njoftim të dërguar.

1 presidenti_hashim_thaci

Në vijim letra e presidentit Trump dërguar presidentit Thaçi:

I nderuar Z. President,

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të uroj popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë suaj më 17 shkurt.

Partneriteti mes dy shteteve tona mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare.Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtuan së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës fitimin e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike në Brazil, si dhe debutimin e përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA).E mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit tonë të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në mbështetjen e rritjes së zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, si dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë./b.j/

***

President Trump congratulates President Thaçi on Independence Day/

Prishtina, 16 February 2017 – The President of the United States, Donald Trump, congratulated the President of the Republic of Kosovo, Hashim Thaçi, on country’s Independence Day.
Dear Mr. President:

On behalf of the United States, I am pleased to congratulate the people of Kosovo on your independence day on February 17.
The partnership between our countries is based on shared values and common interests. A sovereign, multiethnic, democratic Kosovo’s future lies in a stable and prosperous Balkan region that is fully integrated into the international community.
The United States celebrated with all Kosovo citizens the historic gold medal win during the Olympic Games in Brazil, as well as your soccer team’s inaugural season in the International Federation of Association Football (FIFA).
We look forward to continuing our broad and deep cooperation, focused on supporting increased democratic and economic development, strengthening rule of law in Kosovo, resolving disputes with neighbors, and countering violent extremism and foreign terrorist fighters.

***

Mbretëresha Elizabeta II uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës/

Prishtinë, 16 shkurt 2017-Gazeta DIELLI/ Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeta II e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re, ka uruar Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit.“Kam kënaqësinë e madhe për t’ju përcjellur, Shkëlqesia Juaj, urimet e mia me rastin e shënimit të ditës tuaj shtetëore, së bashku me urimet e mia më të mira për lumturinë e popullit të Kosovës në vitin vijues”, thuhet në urimin e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeta II dërguar presidentit Thaçi./b.j/

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, pavaresia e Kosoves, Presidenti Trump, uron Thacin

Pavarësia e Kosovës nga Serbia u shënua edhe në Shtutgart

February 14, 2017 by dgreca

Shkruan Asllan Dibrani/

Për të nderuar vlerat e kësaj dite historike të pavarësisë nga Serbia , fillimisht u kënduan  dy himenet, kombëtare  i Republikës së Shqipërisë dhe ai Republikës  së Kosovës .Madhështia  e heronjve  dhe  të rënve,  për  çlirimin e  atdheut  u nderuan   me një minutë heshtje për  të gjitha kohërat  që ranë në altarin e lirisë në mbrojtjen e tokave shqiptare.

unnamed (2)

Të përcjellur me një duartrokitje  nga publiku  u prezantua Ansambli Pavarësia  me “Vallen e Shotës”.Për një fjalë rasti nga nikoqirët i kësaj mbrëmje nga moderatori Blerim Aliu u   ftua  Beqir Sopi. Manifestimi i pavarësisë së Kosovës ne Shtutgart , u shoqërua  edhe nga fjalimi  i konsullit të Republikës se Kosovës në Stuttgart zoti, Blerim Canaj.

“ Moj Serbi moj Shtrig e zezë”,ishte  kënga që entuziazmoj publikun nga  Besnik Bekteshi dhe Arlinda Krasniqi.

unnamed (1)

Sot u festua  Pavarësinë, për te cilën Pavarësi, sakrifikuan shumë gjenerata” Vallja e Pavarësisë prapë ne skenë  nga Ansambli Pavarësia një grup i përgatitur mjaft mirë qe i dha shpirt  takimit .Mbrëmja u kurorëzua me këngët e mrekullueshme të këngëtarja  Aferdita Demaku .Ky aktivitet është zhvilluar për të kremtuar ,Pavarësinë e Kosovës organizuar nga  Shoqata Pavarësia  e Shtutgardit,në vazhdim të traditës së saj, kjo qendër edhe këtë vit vazhdoi me traditën duke iu bashkëngjitur komuniteteve shqiptare në  gjithë Gjermaninë  dhe me gjere.Por aty nuk mungoi as prezantimi i kulturës shqiptare me anë të këngës e valleve, veshjeve tradicionale, por edhe ushqimeve nga kuzhina shqiptare. Për bashkatdhetarët në Gjermani ky  takim,ishte mundësi e rrallë për të shfaqur krenarinë e të qenit shqiptarë. Takimet  e tilla  i kontribuojnë   synimeve tona   për tu  përforcuar dhe bashkuar në   Platformën e  “Bashkimit Kombëtar”.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: asllan dibrani, pavaresia e Kosoves, Shtutgart

BASHKE, NE 9 VJETORIN E PAVARESISE SE KOSOVES

February 10, 2017 by dgreca

VATRA DHE BASHKESIA SHQIPTARE NE 9 VJETORIN E PAVARESISE SE KOSOVES/

Me 17 Shkurt, Bashkesia shqiptare, perfshire Bashkesite fetare, do te jene se bashku per te kremtuar 9 vjetorin e Pavaresise se Kosoves ne Eastwood Manor, ora 6.00 nen zerin e kengetarit te talentuar Gezim Nika dhe artisteve te tjere te komunitetit.

Kliko siper Posterit per rezervime….

 

Filed Under: Featured Tagged With: bashkesia shqiptare, pavaresia e Kosoves, Vatar

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT