• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nën peshën e mbresave dhe të përsiatjeve të Pavarësisë së Kosovës

February 16, 2017 by dgreca

1-anton-cefa2-220x300

 Nga Anton Cefa*/

Atë ditë aq të pritur prej shekujsh, prej vitesh, prej orësh, atë ditë të 17 Shkurtit, kur në ndërgjegjen kombëtare u përvijua e dyta datë e Madhe, pas 28-ës së Nëntorit, m’u ndërmend vetëtimthi ai shfrim i furishëm impulsi i gjakut tonë, aq bukur i shprehur prej Poetit : “Erdhi Dita e Arbrit!”

E kujt nuk iu përlot syri dhe nuk i gufoi shpirti tallaz gëzimi e krenarie, duke parë shqiptarët që pushtuan sheshet jo vetëm ato të trojeve tona, në Kosovë e Shqipëri, në Dibër e Malësi, po edhe në mbarë botën, kudo ku jetojnë ata! Me ditë vazhduan festimet, u valëvitën flamujt, shpërthyen brohoritjet, jehuan këngët më të bukura dhe u hodhën vallet më të gëzueshme prej shqiptarëve të veshur me rroba festive të stolisura me ngjyra e simbole kombëtare! Qenë këto ditë që do të na ndrisin gjithnjë me bardhësinë e tyre, që na bënë të shprehim para gjithë botës, si asnjë herë tjetër, veten tonë si popull dhe, po ashtu, edhe ta njohim më mirë veten tonë. Dhe na njohu e na kuptoi njëherë e mirë e gjithë bota, që u gëzua me ne, na përshëndeti dhe na uroi me zemër të hapur. E gjithë bota pau se si gëzohet shpirti i lirisë, ai shpirt optimist e entuziast, i etshëm prej shekujsh për t’u shprehur në plotninë e vet, në vetëdijen dhe nënvetëdijen e vet, ai shpirt i çiltër e këmbëngulës që synon veç ecjen përpara. Pau e u çudit se sa fort shqiptarët e ndarë më dhunë e duan njëri-tjetrin dhe e ëndërrojnë e vlerësojnë bashkimin.

Po çka se do të jenë dy shtete, dy administrata qeveritare, dy parlamente, dy data pavarësie, kur kemi një zemër dhe një shpirt! Do të jemi një e të bashkuar në shtetin e shpirtit tonë, shpirtit të kombit tonë, që nuk njeh kufij gjeografikë, por që, e thënë hapur, e ka të vështirë të pranojë dy flamuj, sado që njëri është thjesht një oportunitet politik i nevojshëm. Shqiptarët gjithnjë do të jenë shpirtërisht të bashkuar, do të glorifikojnë një hero kombëtar, do të shkruajnë një histori në një gjuhë të veten, do të kultivojnë një kulturë mbi të njëjtat rrënjë të qëmoçme, dhe do të valëvisin një flamur, flamurin e kuq të shpirtit tonë me shqiponjën me dy krerë, shtizën e të cilit e kemi të ngulur thellë në ndërgjegjen dhe nënndërgjegjen tonë; sepse ky flamur  është simbol i patjetërsueshëm i qenies  sonë, i vetëdijësimit tonë për ndjenjën e rrënjosur që motit të përkatësisë sonë etnike dhe të qenësisë sonë kombëtare, i ruajtjes së identitetit tonë si komb i lashtë, i plazmuar me virtyte aq të fisme, për t’u marrë si shembull prej të gjithëve.

*   *   *

Dita e madhërishme e 17-ës, na përhirohet sot e do të na përhirohet mot, së bashku me figurën e lavdishme të ideusit e të luftëtarit këmbëngulës të lirisë e të pavarësisë së Kosovës, Presidentit të Parë të saj, atdhetarit idealist, burrështetasit të urtë e të nderuar prej gjithë botës, gandistit të madh Ibrahim Rugova. “Një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, është vullneti politik i popullit të vendit tim”, pati thënë ai qartë e bukur, në Senatin Evropian, kur ky Forum i Lartë e shpalli atë Anëtar Nderi, në vitin 2004. Është ky vullnet politik që u jetësua atë ditë të 17-s dhe do të jetësohet më tej, kur Kosova do të hyjë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Me këtë vizion politik transparent, me këmbëngulje, durim e urti të pashembullt, ai arriti ta bëjë të njohur çështjen e Kosovës në të gjithë botën, i siguroi asaj miqësinë e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe me mbarë botën.

Në vitet e ndryshimeve kolosale, që ndodhën në të gjithë botën, por sidomos në Europë, nga shembja e komunizmit, Kosova shkroi një histori të lavdishme, për t’u paraqitur si shembull në historinë botërore i një lufte të qytetëruar gandiste, dhe i një qëndrese heroike vetëmbrojtëse. Hap pas hapi, ajo, nën drejtimin e tij, me pjekuri politike sendërtoi institucionet që mishëruan idealin dhe vullnetin e saj politik, duke shpallur para gjithë botës, në korrik të vitit 1990, Deklaratën e Pavarësisë, duke miratuar Kushtetutën, duke organizuar zgjedhjet e para të lira presidenciale e parlamentare. Në rrethanat e dhunës më të përgjakshme e më shnjerëzore të pushtuesit shekullor serb, në Republikën e Kosovës filloi të funksionojë një shtet sui generis, që qe quajtur në atë kohë “shteti paralel” dhe që u shtri në rrafshet më të rëndësishme të jetës politike, shoqërore, ekonomike. U mbajt një armatë e tërë mësuesish që ushtroi detyrën e vet në shkollat e improvizueme, një rrjetë shëndetësore aktive, u ngritën institucione të ndihmës sociale dhe u njëmendësuan detyra të tjera urgjente që kërkonte funksionimi i një shteti. U ndërkrye në përgjakjen e vet marramendëse pushteti kriminal serb, po edhe vërejti me vëmendje Europa dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare rrugën dhe përpjekjet paqësore të një populli të vogël për të fituar të drejtat e tij.

Dhe erdhi Rambuje-ja, ku një dorë e fisme shqiptare u shtri për paqe e miqësi, por mori një përgjigje arrogante: një mohim kategorik. Dhe më pas, ndodhi ajo që ndodhi: çmenduria serbe kaloi çdo kufi, duke dashur ta zgjidhte përfundimisht konfliktin me gjak, për ta zhbërë Kosovën sipas udhëzimeve të dikurshme të Naçertanie-s së Grashaninit dhe projekteve të Çubriloviçit.  Kosova organizoi menjëherë rezistencën, siç e ka organizuar gjithnjë. Radhëve të luftëtarëve të lirisë dhe të nderit kombëtar: Haxhi Zekës, Sulejman Vokshit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Azem e Shotë Galicës, Idriz Seferit, Shaban Polluzhës, për të përmendur një numër fare të vogël, iu shtuan martirë të rinj, Adem Jashari me shokë, me luftëtarët heroikë të UÇK-es. Forcat e NATO-s ndërhynë dhe i dhanë lirinë; OKB-ja dhe Bashkimi Europian e futën atë në rrugën e ndërtimit të institucioneve demokratike; Ahtisari, i ngarkuar nga OKB-ja, përgatiti planin që e çoi Kosovën drejt Pavarësisë.

Kosova e ka dëshmuar gjithnjë që pavarësia është e drejta e saj historike, etnike, shpirtërore, shoqërore, politike, ekonomike, e drejta e saj e shenjtëruar nga jeta e lufta e saj, nga mundimet dhe përpjekjet e saj, nga vlerat, meritat dhe virtytet e saj; ajo e ka dëshmuar që pavarësia është dëshira e saj, vullneti i saj, ëndrra e saj shekullore.

Kosova, në këtë hulli të rrezikshme ngjarjesh, për herë të parë në histori të saj pati përkrah Europën dhe Amerikën dhe, pothuejse, gjithë opinionin botëror, me përjashtim kryesisht të serbëve të mbrojtur si gjithnjë prej rusëve. Fatmirësisht, Europa e sotme nuk është më ajo e Kongreseve Berlineze dhe as e Konferencave Londineze, por është një Europë e Bashkuar, e formësuar mbi ligjëshmërinë e të drejtave njerëzore dhe Amerika është ajo e gjithmonshmja, Amerika e Wilsonit.

. . . . . . .

E ardhmja do të dëshmojë që shqiptarët në Ballkan, duke bërë një politikë të urtë paqësore, do të shndërrohen në një faktor të fuqishëm paqeje e stabiliteti.

17 shkurti e futi jo vetëm Kosovën në rrugën e zhvillimeve normale politike, ekonomike, shoqërore e shpirtërore, që karakterizojnë një shtet, në rrugën e integrimit të saj në bashkësinë e shteteve të lira të Europës së Bashkuar; po dhe gjithë kombit tonë i hapi një prespektivë historike krejt të re, që do ta çojë atë drejt realizimeve të reja të shpirtërimit shqiptar, dhe do ta bëjë faktor të rëndësishëm ndikues edhe për një shpirtërim ballkanik më realist, më human e më paqësor.

*(Ribotim)

KOSOVA*

Kosovën të lirë e paçim,

tonën për jetë,

Kosovën të lirë e paçim!

Në ditën e dasmës së madhe

ta bajmë nuse,

mbi krrelat e ditëve të ardhme

të hedhim kokrra gruni

ugur për Pavarësinë.

*Poezi e shkrueme në kohën kur Kosova vuente nën robninë dhe shtypjen e egër serbe.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, e mbresave dhe të përsiatjeve të, Nën peshën, pavaresise se Kosoves

NE ARIZONA,KREMTIM DINJITOZ I 8 VJETORIT TE PAVARESISE SË KOSOVES

February 19, 2016 by dgreca

NGA LULZIM MULLIQI/
Kremtimin e 8- vjetorit te Pavaresise së Kosovës,shqiptaret e Shtetit te Arizones e kremtuan ne menyre spektakulare dhe dinjitoze.Ketij manifestimi madheshtore i parapriu edhe Pikniku i Pavaresise,ku per dallim prej herave te tjera,kesaj radhe e organizoi Keshilli organizativ i Shoqates ne formim e siper”Bashkimi ne Arizona” e cila pretendon te jet nje Shoqate gjitheperfshirese e perbere me veprimtare te devotshem nga te gjitha trevat etnike shqiptare.Ne Piknikun e organizuar me kete rast moren pjese nje numer i konsiderueshem i bashkeatdhetareve tane si nga:
Kosova,Shqiperia,Ilirida,Malesia dhe Lugina e Presheves. Me pas u organizuan lojra te ndryshme sportive sic ishte,Turniri ne futboll te vogel dhe lojra te shahut.Nderkaq enkas per kete feste te rendesishme te Shtetit te Kosovës ne mbremje ishte organizuar edhe nje koncert festiv me kengetaret e mirenjohur te Estrades muzikore,Ermal Fejzullahun dhe Luka Hajdini,te shoqeruar nga instrumentisti i mirenjohur,Murat Rama.Me kete rast gjithcka ishte pergatitur ne menyren me te bukur,per nje mbremje shume te kendshme,per nje kremte shume dinjitoze dhe madheshtore.Ky koncert festiv u mbajt ne Qendren e performances,
La Princesa ne Bethany Home,ne Feniks te Arizones.Ne hyjre te salles spikaste nje atmosfere festive e me nje dekorim te shoqeruar me flamujt Shteteror te Kosovës pastaj flamujt kombetar te vendosur ne sfondin dekorativ.Kete manifestim e shpalli te hapur,gazetari dhe moderatori Lulzim Mulliqi.Ai,pasi i pershendeti te pranishmit dhe i falenderoi ata per pjesemarrje ne kete event kombetar dhe kulturor nder te tjerash theksoi”Shpallja e Pavaresise së Kosovës shenon nje arritje historike te te gjithe shqiptareve ,sepse shtetesia e Kosovës gjate ketyre 8 Vjeteve,ka ridimensionuar te drejtat dhe lirite kombetare te shqiptareve ne trojet e veta.Pavaresia e Kosovës perbene nje pike kyce dhe  te rendesishme per ruajtjen e paqes dhe te stabilitetit ne rajonin e Ballkanit perendimor.Ne fund te fjalimit te tij,gazetari dhe moderatori,Lulzim Mulliqi, u ndal tek rendesia historike e shpalljes së Pavaresise së Kosovës,i cili tha”Tete vjet me pare,me 17 shkurt,2008 ne Parlamentin e Kosovës u mbajt nje seance solemne,me e rendesishmja per popullin e saj,ku te zgjedhurit e popullit shpallen krijimin e Shtetit te Pavarur dhe sovran te Kosovës,qe ishte edhe nje kurorezim i idealeve dhe i sakrificave te vazhdueshme te popullit te Kosovës per liri dhe pavaresi.
Me pas fjalen e mori edhe bashkeorganizatori i ketij manifestimi,z.Murat Rama, i cili me nje fjale rasti i pershendeti te pranishmit dhe foli me pietet per kete date historike dhe te rendesishme per Shtetin e Kosovës.Me pas Ai i pershendeti edhe disa anetare te Komunitetit tone qe kishin kontribuar ne mbarevajtjen dhe organizimin e ketij manifestimi.Ne vijim per bashkeatdhetaret tane u shfaq nje program i larmishem kulturo-artistik kushtuar pervjetorit te tete te shpalljes së Pavaresise së Kosovës.Keshtu nen tingujt e bukur te muzikes dhe zerave melankolike dhe karakteristike  te kengetareve,Ermal Fejzullahu dhe Luka Hajdini,te pranishmit u argetuan deri ne oret e vona te nates.
Ne foto:Lulzim Mulliqi,gazetar dhe moderator duke drejtuar koncertin festiv per nder,te 8-vjetorit te Pavaresise së Kosovës!

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kremti i 8 vjetorit, Lulzim Mulliqi, pavaresise se Kosoves

Falenderim Presidentit të Shqipërisë në Ditën e Pavarësisë së Kosovës

February 17, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari/
Sot kur shënojmë 7 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kujtojmë sakrificën e sublime të popullit tonë në luftë kundër okupatorit serb, i cili na solli aq shumë vuajtje në rrugën tonë të gjatë për liri dhe pavarësi.
Nuk ka mburrje me të madhe sesa të kujtosh ata që flijuan jetën për lirinë e Kosovës, të kujtosh qendresën heroike të tyre dhe të kujtosh ata intelektualë e veprimtarë që në forma të ndryshme kontribuan dhe ishin kreatorë të lirisë e nderit tonë kombëtar. Për një shekull aq sa u luftua për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, u sakrifikuan shumë breza, shumë njerëz që historia ua ka borxh t’ i vlerësojë dhe t’ u japë vendin meritor për atë që bënë për ne, për ardhmërinë e kombit tonë dhe për lirinë që sot e gëzojmë. Nëse kthehemi prapa e shikojmë të kaluarën tonë përplot luftëra e përpjekje, borxhin ndaj tyre më së miri do ta lanim nëse do të punojmë më shumë për brezat e ardhshëm, nëse do të krijojmë të mira materiale, nëse do ta bëjmë Kosovën ashtu çfarë e ëndrronin ata që ranë për liri dhe njëherësh një Kosovë të sforcuar në Bashkësinë evropiane, si popull më i vjetër që jemi në Ballkan, me kulturë dhe civilizim të lashtë. Për këto 100 vite ka shumë personalitete që historia i ka vlerësuar dhe shumë të tjerë që duhet t’ i vlerësojë. Me rastin e këtij përvjetori të pavarësisë së Kosovës po përmendi dy personalitete më të rëndësishme të historisë sonë më të re: Dr. Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin që janë sinonim i vlerave që shkrihen në idealin e popullit tonë bashkë me shumë figura të tjera të kombit që i dhanë kuptim lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, duke u nisur nga vlerat atdhetare liridashëse, me rastin 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, dekoroi disa personalitete të rëndësishme: luftëtarë, veprimtarë dhe intelektualë( post mortum) për kontributin e tyre që dhanë për lirinë dhe pavarësinë që sot e gëzojmë. Me këtë vlerësim presidenti Nishani, ka nderuar veprën e tyre ushtarake, veprimtarinë e tyre kombëtare dhe intelektuale.
Me rastin e 7 vjetorit të pavarësisë së kosovës Z. Nishani, dekoroi Ahmet Krasniqin, ministrin e parë të mbrojtjes të Republikës së Kosovës me dekoratën” Gjergj Kastrioti- Skenderbeu” për kontributin e tij në themelimin e strukturave institucionale ushtarake. Ndërkaq me dekoratën “Nderi i Kombit” vlerësoi veprimtarët e shquar, luftëtarët, ushtarakët, atdhetarët: Salih Çeku, Zair Pajaziti, Tahir Zemaj, Agim Ramadani, Ekrem Rexha (Drini), Indrit Cara, Luan Haradinaj, Bekim Berisha( Abeja), Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi -Lladrovci dhe Smail Hajdaraj. Me ” Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Enver Malokun, Xhemail Mustafën, Shaban Manajn, Latif Berishën, Ukë Bytyqin dhe për merita të veçanta civile Ismet Rracin, Agim Hajrizin dhe Haki Ymerin.
Presidenti i Shqipërisë zoti Nishani, me vlerësimin e këtyre figurave ka nderuar jetën dhe veprën e tyre për liri dhe pavarësi të Kosovës, duke u nisur nga fakti se historia duhet të shkruhet në bazë të vlerave dhe sakrificave.
Kosova është shteti ynë që duhet ta ndërtojmë dhe ta integrojmë në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO. Në Kosovë mund të jetohet dhe s’ do të humbë shpresa për të. Sakrifica flet më shumë.
Urime Kosovë për këtë shtatëvjetor të pavarësisë. Faleminderit president i Shqipërisë z. Bujar Nishani.
* Autori është veprimtar dhe biznesmen i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: falenderim, harry bajraktari, në Ditën e, pavaresise se Kosoves, Presidentit të Shqipërisë

Në prag të 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

February 15, 2015 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/
– Më 17 shkurt shteti i Kosovës po mbush 7 vjetorin e saj të pavarësisë! Por ikja masive e qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të perëndimit, e ka zbehur këtë festë të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Shtrohet pyetja: pse erdhëm në këtë gjendje të rëndë, që njerëzit për pak vite pa dëshirën e tyre të dëshpërohen dhe të zhgënjehen aq shumë, sa ta refuzojnë atdheun e tyre? Përgjigjja është fare e thjeshtë.
– Falë këtyre debilëve, analfabetëve, batakçinjve, idiotëve dhe grykësve të politikës që shkatërruan dhe vodhën gjithçka, për pesëmbëdhjetë vite falimentoi shteti i Kosovës. Kjo klasë politike e pangopur, e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në fyt, ia humbi njerëzve shpresën se këtu mund të kenë një të ardhme të ndritshme për ta dhe familjet e tyre! E kur humbet shpresa, atëherë mbaron gjithçka.
– Këtu shpresa ka humbur për të gjitha shtresat e shoqërisë, prandaj jo vetëm popullata e varfër, e papunë dhe e pashpresë po e lëshojnë me të madhe Kosovën, por edhe klasa e mesme e shoqërisë që e kanë një vend pune dhe nuk qëndrojnë keq ekonomikisht. Po ikin fëmijët e vegjël, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Po ikin edhe studentët. Po ik edhe pjesa më vitale e vendit, të rinjtë prej moshës 18-30 vjeç. Po ik edhe truri i Kosovës, intelektualët, gazetarët, publicistët, mjekët, mësimdhënësit, arkitektët etj. Po ikin edhe artistët, piktorët dhe sportistët. Për shkak të haraçit, konkurencës jolojale dhe monopolit të krijuar nga disa kompani të lidhura me politikën, kanë filluar të ikin edhe bizneset e mëdha, të mesme dhe të vogla të Kosovës, për të investuar në shtetet e rajonit, si në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi etj! E, kur të ikin bizneset vendase dhe shkojnë në shtetet fqinje për të investuar, s’mund të mbajmë shpresë që do vijnë investitorët e huaj për të investuar në Kosovë!
– Prandaj, a ja vlen të festohet pavarësia e Kosovës kur ikja masive e qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës s’ka të ndaluar, dhe nëse vazhdon kështu vendi rrezikon të boshatiset e tëra dhe të shndërrohet në një shkretëtirë. Dhe me të drejtë qytetarët e Gjilanit iu drejtuan Presidentes Jahjaga me pyetjen: ”A hahet pavarësia” ?! Jo, pavarësia nuk hahet dhe nuk ja vlen e nuk kemi as luksin dhe asnjë arsye të festojmë, por është koha që pozita dhe opozita të reflektojnë fuqishëm dhe ta shpëtojmë Kosovën nga katastrofa!

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Në prag të 7 vjetorit të, pavaresise se Kosoves

NË QYTETIN E AUCKLANDIT, ZELANDE E RE, U SHËNUA DITA E PAVARËSISË

February 16, 2014 by dgreca

Si gjithandej botës edhe këtu në Zelandën e Re shqiptaro-zelandezët kremtuan Ditën e Pavarësisë. Shqiptarët me ketë rast u mblodhën në parkun e bukur të qytetit në drekë të përbashkët që nga ora 11:00 e ditës. Shtruan tryezën me pije, fruta e gatime tradicionale tona dhe ashtu  së bashku kokë më kokë përgëzuan njëri tjetrin për festën, folën për hallet e jetës, vendlindjen qeshën e u kënaqën deri në orët e vona të ditës. Silva Tërnava dhe Ilir Hoxha krijuan e ngjallën atmosferë emocionuese tek të pranishmit duke recituar poezitë e tyre. Duhet përmendur këtu edhe Osman Lleshin, që tamam si artist estrade për disa minuta me humor nga Gjakova i argëtoi manifestuesit.

Sabit Abdyli, Auckland, 16 shkurt 2014

Filed Under: Komunitet Tagged With: fesrohet 6 vjetori, ne Auckland, pavaresise se Kosoves, Sabit Abdyl

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT