• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIMET REGJIMIT TË KASTROS – NJË FYERJE PËR DEMOKRACINË

December 8, 2016 by dgreca

3-castro-funeral11-fidel-castro2-castro

Shkruar nga Angelo Panebianco/

1-eugjen-merlika-225x300

Perktheu: Eugjen Merlika/

Nuk është vetëm brerore romantizmi që prej kohësh rrethon revolucionin kuban dhe heronjtë e tij (Fidel Kastro, Che Guevara), dikur të rinj e të pashëm, që shpjegon kaq shumë deklarata nderimi kujtimit të Kastros, deklarata në të cilat fakti që Kuba e tij ishte një diktaturë, një burg në qiell të hapur, mbetej me ndrojtje në hije.

Ka edhe diçka tjetër. Dy shkaqe kryesisht. Nëse në të drejtën ndërkombëtare, sidomos në shkëmbimet tregtare, vepron kushti i quajtur i “kombit më të përkrahur”, mund të themi se në politikë, n’atë perëndimore, vlen(me një ndryshim të vogël kuptimi) kushti i “tiranisë më të përkrahur”. Në bazë të këtij kushti, për shembull, në gjysmën e dytë të shekullit të XX ishte e detyrueshme – nga ana e komentuesve të ndodhive publike – të dënohehin me furi krimet e nazistëve por nuk ishte – madje mund të shkaktonte dyshime për filofashizëm – të bëhej e njëjta gjë me krimet e komunistëve (varianti sovjetik apo ai maoist që t’ishte) : të vrarët nga të majtët, për shumë njerëz, vlenin më pak se të vrarët nga të djathtët. Gjykimi pozitiv për BRSS shtrihej, në frymën e atij kushti, te të gjithë revolucionet e të njëjtit frymëzim. Duhet mbajtur parasysh se ky zakon nuk zbatohej vetëm në brendësi të botës komuniste, që do të kishte qenë normale. Edhe shumë jo komunistë (shpesh nga frika se do të paditeshin për kriptofashizëm nga përfaqësues të asaj bote), përdornin dy pesha e dy masa.

Ajo mënyrë gjykimi u bë shkak ndarjesh t’ashpra edhe këtu n’Evropë. Për shembull, qe në origjinën e prishjes në Francë, të miqësisë së hershme ndërmjet sociologut liberal Raymond Aron dhe Jean-Paul Sartre. Kushti i “tiranisë më të përkrahur” është gjithmonë veprues. Mjafton të lexohen deklaratat mbi vdekjen e Fidelit të autoriteteve evropiane (nga Juncker tek Mogherini) dhe të tjerë akoma. Asnjëri prej tyre nuk do të kishte përdorur fjalë aq respektuese, të themi, për vdekjen e Gjeneralismit Franko.

Ideja se, të drejtohej një revolucion kundër një regjimi të korruptuar e shtypës, ishte një titull merite i tillë që të mbulonte çdo gjë të ndodhur mbrapa, ishte bijë, përveç se e një kundër-amerikanizmi të përhapur (Batista, ish diktatori i përmbysur, ishte i lidhur me amerikanët) por edhe e një paragjykimi : pikërisht kushti i “tiranisë më të përkrahur”. Është e njëjta arsye që shpjegon se përse shumë evropianë, të verbuar nga miti i revolucionit, kanë menduar se qe një meritë e madhe e Kubës të përfaqësonte, për vite me rradhë, një fener, një shëmbull të ndritshëm të një (vetë) “çlirimi”, për një kontinent latino-amerikan të shtypur nga diktaturat ushtarake. Qe një lajthitje e madhe. Fatet e Amerikës Latine u përmirësuan ndjeshëm kur, mbasi u shemb Bashkimi Sovjetik, nuk qëndronin më arsyet gjeopolitike që, më parë, kishin shtyrë Shtetet e Bashkuara të mbështesnin diktatura të ndryshme latino-amerikane, në funksion kundër-sovjetik e kundër-komunist. Vetëm atëherë erdhi “çlirimi” (por jo për Kubën).

Ka edhe një arsye tjetër. Vlen sigurisht për Italinë, një nga Vendet evropiane, traditat politiko – kulturore të së cilës kanë disa ngjajshmëri me ato latino-amerikane. Mjafton të shihet për rreth : tek ne “peronistët”(të djathtë e të majtë) janë gjithënjë në numur të madh. Është një Vend, i yni, në të cilin vërtiten shpesh ide të turbullta mbi çfarë është demokracia, dhe cilat janë kërkesat e saj të domosdoshme. Për disa, si shembull, demokracia nënkupton “miratimin e popullit”, ose të shumicës së tij dërmuese. E gabuar. Edhe diktaturat mund të gëzojnë miratimin e shumicës, së paku në disa faza historike. Sepse shprehu këtë për fashizmin italian Renzo de Felice qe objekt i linçimit moral. Qe sepse linçuesit nuk e dinin aspak se nuk është “shkalla e miratimit të popullit” që vendos nëse kemi të bëjmë me një demokraci apo me një diktaturë.

E vendosin atë dy kushte : së pari mbrojtjet ligjore e qenësore që gëzon pakica, bashkësia e atyre që kritikojnë qeverinë, e së dyti, prania e rregullave të lojës që i japin mundësi qytetarëve të përzenë apo të zëvëndësojnë qeveritarët. Kuba e Kastros nuk ka gëzuar asnjërin prej këtyre kushteve. Atëherë përse kaq nderim kundrejt një diktatori? Ka qëndruar aq gjatë në pushtet për arsyen e thjeshtë se asnjëri nuk mundëte t’a përzinte.

Por, thuhet, diktatura kastriste ka patur edhe merita. Në sigurinë se ka qenë një katrahurë, si nga pikpamja politike ashtu edhe ekonomike (të shihet artikulli shumë i arrirë i Angela Nocioni-t tek Fleta e 30 nëndorit), ndonjë meritë – për shembull, në fushën e arsimit – e ka patur. Me që në botë ka gjithmonë drita dhe hije, ndodh që edhe diktaturat mund të mburren me këtë apo atë meritë. Por kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me natyrën e regjimit.

A mund të kufizohemi duke i trajtuar si folklor disa deklarata mbi vdekjen e Fidelit ? Jo, plotësisht. Jo, mbi të gjitha sepse n’Evropë demokracia është përsëri e kërcënuar nga forca në ngritje që nuk e fshehin pakënaqësinë e tyre për detyrimet dhe kufijtë që demokracitë liberale venë në të vepruarit e atyre që deklarojnë se interpretojnë “vullnetin e popullit”. Për këtë është aq e rëndësishme të ngulet këmbë mbi hapësirën, edhe morale, që ndan demokracitë nga diktaturat. Edhe këto të fundit, si të dala nga revolucionet, po ashtu si edhe nga grushtet e Shtetit, mëtojnë se veprojnë gjithmonë në emër të popullit. Me përfundime përgjithësisht shumë të këqija, në Kubë e kudo.

Marrë nga “Corriere della Sera”, 1 dhjetor 2016

 

SHËNIM I PËRKTHYESIT

Shkrimi i profesorit të Fakultetit të Shkencave politike të Univeritetit të Bolonjës, Angelo Panebianco, njërit ndër intelektualët më të spikatur liberalë të botës kulturore italiane, “Nderimet Kastros – një fyerje për demokracinë”, mund të them pa mëdyshje se është një nga artikujt më të goditur, të prerë, objektivë e mësimdhënës, që kam lexuar në shtypin italian gjatë një të katërt qindvjetori.

Shkrimi  është një Lectio magistralis, e zhveshur nga terminologjia e “korrektësisë politike”, karakteristike për gjuhën e zakonëshme diplomatike të së majtës evropiane gjatë shtatë dhjetëvjeçarëve të fundit, e me një thjeshtësi e saktësi mahnitëse trajton tema themelore për botën e sotme, duke marrë shkas nga kundërveprimet e ndryshme t’asaj bote kundrejt ndërrimit jetë të diktatorit kuban. Nuk është e lehtë të shtjellohen në një hapësirë kaq të vogël sa ç’është ky artikull, ato ide e koncepte themelore për të hyrë në vetëdijen historike të një epoke të ndërlikuar e të keqinterpretuar deri në tjetërsim, si ajo e mbas luftës së dytë botërore. Duhet një pendë e fortë, një kurajë qytetare për të shkuar kundër rrymës e, mbi të gjitha duhet një ndershmëri intelektuale, për të pohuar në mënyrë bindëse, siç bën autori, se historiografia e asaj periudhe vuan nga një simptomë e rëndë patologjike, mbi të cilën duhet vepruar, mbasi rrezikon t’u japë brezave t’ardhshëm një përceptim të rremë e të shtrembëruar t’epokës së gjyshërve e baballarëve të tyre.

Autori, i cili është bashkëpuntor i mjaft enciklopedive, ka shkruar për to kapituj të rëndësishëm. Mund të kujtohen ndër to ata me tituj : “Lufta”, Shkenca e politikës” dhe “Politika” për Enciklopedinë e Nëntëqindit (1998, 2000, e 2004). Ka shkruar libra të ndryshëm e parathënie të veprave të politologëve të shquar si Aron, Bull, Buzan, etj.

Shkrimi që përktheva m’u duk tepër i përshtatëshëm edhe për lexuesin shqiptar. Nëse interpretimi i dukurive historike në Perëndimin e zhvilluar lë shteg për diskutime e krijon zbrazëti informative, në Shqipërinë tonë mbetet, ende mbas një të katërt qindvjetori “demokracie”, një problem, jo vetëm i pazgjidhur, por që është tepër shqetësues për edukimin e brezit të ri, mbasi tekstet e shkollave kanë mbetur robër të klisheve të historiografisë së regjimit komunist. Të gjitha problemet që shtron profesori i mirënjohur bolonjez në shkrimin e tij, në Vendin tonë ngrihen në fuqi kubike. Dy peshat e dy masat, në gjykimin e krimeve të nazifashizmit e të komunizmit, mbeten një kostante, jo vetëm e politikës, por edhe e shkencave historike e shoqërore.

Bëjnë përjashtim këtu, fatmirësisht, përpjekjet e lëvdueshme të disa studjuesve e gazetarëve si Kastriot Dervishi, Admirina Peçi, Ҫelo Hoxha etj.,  që hulumtojnë me sukses  në arkivat e Shtetit apo organeve të tij të dhunës, duke botuar fashikuj të tërë e libra të materialeve që pasqyrojnë të vërtetën historike të luftës dhe të mbas luftës. Këta njerëz, ndoshta më shumë se e gjithë aradha e artikullshkruesve, ku hyn edhe i nënëshkruari, meritojnë mirënjohjen e përgjithëshme për punën e tyre të dobishme në drejtim të ndriçimit të së vërtetës historike shqiptare të tre çerek shekullit të fundit.

Konceptet liberale mbi demokracinë, që na paraqet profesori 68-vjeçar italian, janë piketa të rëndësishme të mendimit shoqëror edhe për ne, madje duhet të jenë edhe shtigje udhërrëfyese jo vetëm për studjuesit por, kryesisht, për klasën politike, e cila ka nevojë të domosdoshme të përmirësojë e të rifreskojë idetë e saj. Do të theksoja një frazë nga shkrimi i përkthyer : “Është aq e rëndësishme të ngulet këmbë mbi hapësirën, edhe morale, që ndan demokracitë nga diktaturat”. Ngjarjet e fundit, sidomos rrahja e mendimeve në lidhje me dekorimet e ndryshme, tregojnë se ne jemi larg pohimit të këtij parimi të rëndësishëm. Malli për simbolet dhe “personalitetet” e diktaturës, i shfaqur jo rrallë edhe nga njerëz me moshë relaivisht të re në shoqërinë tonë, është tregues i faktit se rrënjët e “ançarit” të helmuar të saj janë ende të gjalla në trupin e tharë të saj. Titulli i këtij  shkrimi dhe ideja që shpreh, pavarësisht se emri i Kastros mund të këmbehet me secilin nga ish kolegët e tij, përfshirë këtu edhe Enver Hoxhën, duhet të hyjnë thellë në vetëdijen tonë e të jenë një gur themeltar në mendësinë liberale, që duhet të ndriçojë rrugën tonë për sot e për t’ardhmen.

Mendoj se, edhe në emër të lexuesve shqiptarë, është e drejtë të falënderojmë profesorin e nderuar, Angelo Panebianco, për leksionin e tij, aq të dobishëm jo vetëm për opinionin publik të Italisë së tij, por më shumë për atë tonin, i cili lëngon më tepër se të tjerët nga dogmat e së shkuarës komuniste.

Dhjetor 2016 Eugjen Merlika     

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, NDERIMET REGJIMIT TË KASTROS – NJË FYERJE, për demokracinë!

Bisedë me nënën time për demokracinë

October 31, 2015 by dgreca

Nga Gëzim Zilja/
Vajtëm dhjetë ditë që u mbytëm dhe uji e balta, e pluhuri ka pllakosur qytetin. Nuk ka njerëz të gjallë ky qytet, të vdekur janë të gjithë?
Nëna ime është në moshën 83 vjeçare dhe gëzon shëndet relativisht të mirë. Pjesën më të madhe të kohës e kalon duke parë në televizor sidomos lajmet. Nuk e ka dashur asnjëherë rregjimin e kaluar për shumë arsye, duke përfshirë edhe vuajtjet e familjes dhe të burrit të vet nga politika. Po dje ajo më befasoi.
-Mos u mërzit,- më tha. -Po disa gjëra këta të sor(t)mit nuk i kanë hiç mirë. Nuk them se Enver Hoxha ishte i mirë, po ja ca gjëra nuk ishin keq atëherë.
-Pa hë?- i thashë duke e përkëdhelur butësisht. – Cilat janë ato gjëra që ishin të mira.
– Po ti mos u mërzit a të keqen nëna. Po unë do t’i them se ashtu i mendoj.
Dhe ime më, qetë e qetë, pa inat, pa mllef, shtruar por me një brengë të madhe në shpirt filloi të rradhiste një e nga një ashtu si i vinin në mendje, të mirat që kishte ai rregjimi i mëparshëm:
-A të kujtohet ‘’Bar Lulishtja’’ atje te ‘’Sheshi i Flamurit’’, ku kishte muzikë dhe kërcente çdo darkë gjithë njerëzia dhe nuk i trazonte kush? Nuk ka më të tilla. Tani futen nëpër ca vrima nëpër pabe e pube, hotele e motele pinë hashash e drogë e therren me njeri-tjetrin.
-Mbushur me lulishte ishte Vlora, plot me limona e portokalle, kishte stola edhe për pleqtë. Rrugët i fshinin përditë, nuk kishte pocaqira si tani. Unë të keqen nëna nuk dal dot as te dera sot, se rrugët janë gjithë baltë e pellgaçe, i ke parë vetë ti.Nuk kishte ushqime fallco atëhere, se të fusnin në burg, tani një zot e di se çfarë hamë.
Por po të të hiqnin nga puna shkoje e ankoheshe te sindikata dhe nuk të linin pa sqaruar. Tre vjet ju bënë sat motre që e kanë hequr nga puna këta qenbirqensh, mbeti gjyqeve dhe hajde ta gjejë të drejtën. Tani na ka zënë rrugën një fshatar nga Lumi i Vlorës se ka bërë shtëpi e duhet t’i bijem rreth e qark për të shkuar në shtëpinë tonë. Kujt t’i ankohemi?
-Ç’u bë gjithë ai kombinat i konservave që prodhonte për ne e për jashtë shtetit? Pse e prishën dhe e vodhën? Me punën në kombinat unë dhe shoqet e mia rritëm nga një tufë fëmijë.
-Po kjo hataja e re që i ka gjetur njerëzit tani? Këta komshijtë tanë që nuk kanë lekë për bukë i futën në burg për ujin e dritat? Po qysh do i paguajnë lekët kur i fusin në burg? Se po nuk punuan…?
– Enveri një herë në kaq kohë dilte në televizor, këta ngelën natë e ditë duke dalë. Po punën kush ua bën këtyre se këta rrinë gjithë ditën duke llapur e sharë njeri-tjetrin. Është mbushur me policë por njerëzit nuk po gjejnë derman. I ke parë vet ti si vriten në mes të ditës sidomos këtu në Vlorë. Një polic, Zylfon, kishim ne në lagje dhe nga ‘’shtatë’’ u shkonte juve të gjithëve. Dhe një peligaç (shume i shkurtër, një pëllëmbë) ishte, po juve s’guxonit ama… Sa dilte ai në lagje, në shtëpi e mbanit frymën. Vija nga turni i dytë unë, nga puna në shtëpi po nuk të trazonte njeri. Tani gjetëm belanë edhe në mes të ditës se të marrin çantën e të heqin vëthët nga veshët. Mos o zot, kemi a s’kemi kohë e takat, po duhet të çojmë e t’i marrim kalamajtë nga shkolla me prindër. Nuk mbaj mend unë të shkonit në shkollë ju me prindër. Vetë shkonit e vet vinit madje edhe kur shkollën e kishit te ‘’Fabrika e Orizit’’.
– Vajtëm dhjetë ditë që u mbytëm dhe balta, uji e pluhuri ka pllakosur qytetin. Nuk ka njerëz të gjallë ky qytet, të vdekur janë të gjithë? Gjynah mor bir gjynah…
-E ku i kanë pasuritë Enver Hoxha me shokët e tij, se nuk po shoh gjë? Po këta të sor(t)mit që deri dje nuk kishin brekë në bythë, nuk kanë lënë gjë pa vjedhur për sojin e sorollopin e tyre, e janë bërë me vila,me toka, me nga katër e pesë shtëpi, me pyje e male. Po pasuri e popullit është ajo se nuk kanë ku vjedhin tjetër. Edhe detin po e vjedhin, e kanë bërë me gardhe a të keqen nëna se po e sheh vet me sytë e tu. Ne edhe atë copë tokë në ‘’Çole’’ të babait tim dhe atë në ‘’Kume’’ të babait tuaj nuk po e marrim dot se ua kanë zaptuar çamët e gorishjotët. Vajtët dhjetë vjet me gjyqe e dale pa, ku jemi.
– Më dëgjon ti mua apo po sheh në televizor se nuk të vjen mirë,- mu drejtua pastaj duke e ngritur pakëz zërin. –Po ja që mendja më shkon dhe ca gjëra si këto që të thashë nuk më pëlqejnë. Kam edhe një dhe e do mbyll se e shikoj që të mërzita,- më tha ajo plakë e mrekullueshme që ka punuar gjithë jetën dhe ka rritur jo vetëm neve por edhe një pjesë të fëmijëve tanë dhe kurrë nuk është ankuar dhe nuk ka bërë of e uf. Ngriti dorën, më drejtoi gishtin dhe më pa me ata sytë e saj të lodhur por gjithë dritë:
-Po ç’janë gjithë këta skafistë, hajdutë e bakabonë që kini futur në parlament… Po ju i njihni shumë mirë se me ta jini rritur dhe e dini sesi i kanë bërë paratë. Turp është, turp i madh… – Në majë të gjuhës e kisha përgjigjen t’i thoshja se ata nuk i kam vënë unë moj mama, se ashtu e kështu, por zoti më dha aq mendje sa të kafshoja gjuhën e të mos përgjigjesha menjëherë. Dikur i thashë: -Ke të drejtë mama, ke të drejtë, ne i vumë, unë me shokët e mi i kemi vënë-. Dhe ajo grua tetëdhjetëvjeçare aq e mirë, e dashur dhe e duruar mu përgjigj:
-Ah! Ju e keni bërë atë mut, ti me shokët e tu!? Atëherë i rrini sipër, se mirë e keni-. As mora mundimin ta sqaroja më.
– Çoje televizorin tani te ‘’Bidaiu’’ se më duket vajti ora dhe thuaji asaj çupës të na i lexojë se nuk shohim tani se jemi pleq-. Kështu u mbyll paqësisht biseda për demokracinë me time më, ndërkaq që në TV filloi filmi indian.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bisede, Gezim Zilja, me nënën time, për demokracinë!

Përfshirja në politikëberje e familjeve të Përndjekurve Politike domosdoshmëri për demokracinë!

February 1, 2015 by dgreca

Nga Besim Ndregjoni*/
Fisnikëria e të përndjekurve politikë shqiptar, nuk është thjesht kategori subjektive dhe as objektive. Ajo është kompleksiteti i vlerave njerëzore prej të cilave merr kuptim jeta, dashuria, humanizmi, dinjiteti, trashëgimia, prosperiteti, liria, dhe cilësia e jetës ne komunitet. Fisnikëria dhe shqiptaria janë lidhur fort, në një organizëm virtual,duke udhëtuar së bashku që nga Ilirët, Arbërit e deri me sot, në rrugën e gjatë të kombit tonë, vlerat prej të cilave janë frymëzuar brezat dhe kanë kultivuar viganë të jetës publike, politike, artistike, ushtarake dhe humanitare. Në historinë e Shkodrës martire nuk mund të harrohen kontributet e familjeve të mëdha fisnike në mbrojtje të truallit amëtar, që në këtë konferencë të I-rë nuk mund t’i përmend dot të gjithë por disa prej tyre si Bushatllinjte, Hodo Sokoli, Kazazi, Çoba, Lluja, Myftia, Koliqi, Hasani, Isufi, Repishtit etj ( Shkodër), bajraktarët e Shoshit, Hotit, Dede Gjo Lulit e Preng Calit , të Llesh Marashit e shum famijeve të tjera Mirënjohje dhe respekt elitës së ish të Përsekutuarve të Shkodrës e qarkut të saj. Kombit tonë s’i mjaftuan pushtimet e gjata, por si një hije e zezë, u huajt nga qarqet antishqiptare komunizmi, duke shkatërruar e masakruar fisnikërinë kombëtare, ata që mbajtën dorë më dorë, e brez më brez flamurin, identitetin, vlerat më të larta të historisë sonë. Filozofia e dhunës dhe e antivlerës nuk mund të jetonte në paqe me vlerat e fisnikërisë shqiptare. Ndaj dhuna do të ishte arma dhe metoda e realizimit të pushtimit dhe sundimit komunist. Dhuna çnjerëzore filloi me pushkatime, burgosje dhe internime të fisnikëve shqiptarë. Njizete e pese vite mbas levizjes studenteske te dhjetorit 1990, – për liri e demokraci- Shqiperia ka levize. Gjendja ekonomike e shoqërore ka pësue përmiresime, populli jeton pa friken e kerbaçit policor. Me gjithe vorfenine e të metat sociale që e mundojnë, Shqipëria ka avancue drejt anetarsimit në Bashkimin Europian. Europa ashte shtepia e jone, ashte zgjidhja e jone e vetme, si shtet ma pare dhe si komb shqiptar ma vone ! Ky ishte ideali dhe motua e të pushkatuarve dhe të denuarve politikë të Shkodrës e mbar Shqipërise.
Në këtë udhëtim të gjatë , vendi i jonë ka dëshmue dhe padrejtesi të mëdha, njena nga te cilat ashte keqtrajtimi i viktimave të komunizmit. sakrificat tona , qëndrimi i jonë heroik që nuk pranoi nënshtrimin ndaj “luftes se klasave” fenomeni ma negativ i shekullit 20-. Me fitoren tone morale kunder çnjerezimit komunist, ne kemi fitue të drejtën me u quejte “kapitali moral i shoqenise shqiptare”. Kështu dëshmon ish i denuar politikë, shkrimtari, shkodrani i madh Prof.Sami Repishti…
Këtë të drejte e konfirmon pafajesia e jone që ashte edhe stigma ma pozitive e zhvillimit politik ne Shqiperi. Ne i tham “JO!” diktaturës komuniste, jo pushtimit jugosllav, jo pushtimit sovjetik, jo marrezise kineze, jo krimineleve injorante të PKSH dhe PPSH-se. Sot ne kemi të drejtën me akuzue mosperfilljen e pushteteve qeveritare në vendin tonë, sepse jemi të pafajshëm. Pafajesia ashte thelbi i sakrificave tona i rezistences anti-komuniste ne Shqiperi!
Koncepti i qeverisjes në kohën tonë ashte nji sfidë që Shqipëria nuk e fitoi, fatkeqsisht. Mungesa e nji “pranevere shqiptare”, e zgjimit nga gjumi i rande i shqiptareve, tregon ekzistencen e te metave strukturale ne shoqenine tone. Por e meta e madhe sot ashte humbja e frymes se bashkesise qytetare.
Nji shtet dhe shoqeni e ketill nuk mund te ndertohet mbi padrejtesi! Keshtu veproi Europa e qytetnueme e mbasluftes, që dërmoi diktaturën fashiste-naziste. Tek ne, edhe sot, mbas 25 viteve nuk ashte denue krimi komunist 45 vjeçar, me gjithe sjelljen tone fisnike që përbuzi hakmarrjen. Na jemi breznia që keputëm zinxhirin e hakmarrjes, nji fitore historike e shpirtit shqiptar.
Dokumentimi i krimeve komuniste në Shqiperi po nxjerrë në dritë gënjeshtrën, urrejtjen e dhunën që kanë karakterizue rregjimin e gjakut. Sot, në Shqipëri, viktima e komunizmit vuen për bukën e gojës, për nji strehe mbi koke, për nji shërbim mjeksor – vuen për nji fjale të mire. Ashte mekat, ashte harrese, ashte vrasja e dyte e viktimes!
Ne duhet të udhehiqim nji kryqzate që do të shpëtoje dhe Shqipërine tone, Shqiperine e te gjithe shqiptareve.
Sot për të gjithë ne është një ditë e madhe, është dita kur ne i kthehemi historisë së vërtetë dhe merremi me të ardhmen.Të parët tanë na kanë lënë shumë pasuri shpirtërore dhe morale, të cilën e vlerësojnë kombet më të mëdha e të qytetëruara të botës. Është nën përgjegjësinë tonë historike, është njësi matëse e vlerave të pamohueshme tona, për t’i ridhënë kombit fisnikërinë e mohuar, në çdo tregues të jetës, në atë social, kulturor, politik dhe institucional. Çdo qelizë e shoqërisë tek ne duhet te udhëhiqet dhe të frymëzohet nga fisnikëria, nga ato vlera ideale dhe virtyte humane për të cilat ka nevojë të ushqehet shteti demokratik, shteti i së drejtës. Elita historike e kombit, e përndjekur nga regjimi komuniste duke njohur si pikë referimi vlerat më të larta njerezore e ka parë Shqipërinë në përkatësinë e vet Europiane në çdo aspekt të jetës dhe veçanërisht në aspektin politik. Orientimi perëndimor i kombit, mendimi dhe filozofia e jetës së fisnikëve në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë të mundur ruajtjen e marrëdhënieve me kombet e mëdha dhe të nderuara të botës, me kombet që sot më shumë se kurrë janë pranë Shqipërisë sonë, në aspektin e integrimit tonë.
Ndaj sot siç na tregon historia , lind thirrja e madhe për t’i dhënë më të mirën tonë, këtij kombi, këtij shteti, demokracisë, drejtësisë dhe paqes sociale.Por kjo kërkon angazhim dhe pjesëmarrje, gjithëpërfshirje aktive në të gjitha aspektet e jetës. Ashtu si gjithëherët fisnikëria ka qënë në krye të proçeseve historike të zhvillimit soc-politik edhe sot është e nevojshme dhe e domosdoshme për të qënë në krye të integrimit dhe zhvillimit kombëtar. Është përgjegjësi e gjithëkujt prej nesh për t’i bërë shërbim kombit, me angazhimin e vet politik dhe institucional, në këtë kohë të rëndësishme ku kombi ynë po ngrihet krahas me kombet Europiane për të qënë pjesë e Bashkimit Europian, për të qënë i barabartë në vlera me kombet e bashkimit Europian. Historia na ka treguar se fisnikëria Shqiptare iu ka dhënë udhëheqës të shquar edhe vendeve te tjera, duke filluar nga perandoria romake, Vatikanit, ajo bizantine e osmane, e deri në kohët më të vona. Fisnikëria Shqiptare ka shkëlqyer në Greqi, Turqi, Rumani, me Kryeministra që i kanë shpëtuar këto kombe dhe i kanë qyteteruar. Këto personalitete i gjejmë përmes dokumentave në Perandorinë Romake, P.Osmane, Egjipt etje. Është e vështirë të identifikosh me pak rreshta atë që fisnikët shqiptarë kanë kultivuar në shekuj, por është thjesht një përkufizim i asaj që të gjithë ne e ndiejmë se ekziston, e asaj që ne e dimë se kështu është, se fisnikëria e ka gjalleruar këtë komb, se ajo e bën atë më krenar, më të fortë, e më madhështor. Besoj se kjo është dëshira e çdo shqiptari fisnik ish i perndjekur politike. Për të gjitha këto del domosdoshmëri që politika shqiptare të jetë e orientuar, e frymëzuar edhe nga këto vlera. Komunizmi e zhduku këtë raport të natyrshëm të shoqërisë shqiptare me shtetin. Por dekomunizimi i shoqërisë shqiptare kërkon patjetër kthimin e vlerave të fisnikërisë. Në emrin tuaj dua t’i bëj të ditur faktorit politik se, pa përfshirjen dhe pjesëmarrjen e këtyre familjeve të mëdha fisnike në jetën politike dhe shoqërore në të gjitha sferat politike, ekonomike, gjyqësore ,ekzekutive e sociale, ne do të jemi tepër të vonuar, siç kemi qënë gjatë kesaj periudhe të gjatë tranzicjoni në ndërtimin e demokracisë, dhe ndërtimin e shtetit ligjor.
Fisnikëria është baza morale e shtetit që në krijimin e tij. E tillë është ajo në mënyrë të natyrshme, ndaj ne duhet ta konsiderojmë këtë fakt si një domosdoshmëri shtetërore, për të ndërtuar dhe për të patur një komb dhe një shtet mbi baza të shëndosha vlerash, se vetëm në këtë mënyrë do të jemi dinjitoz përpara qytetërimit perëndimor, vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të përmbushim ëndrrat e fisnikëve shqiptarë qe u vrane nga sistemi diktatorial komuniste.
Por absurditeti i nje zhvillimi të këtill cfaqet sot kur sistemi komunist është përmbyse dhe metodat e tia vazhdojne te aplikohen nga qeveritare të indoktrinuem qe refuzojne të pranojnë kuptimin e mirefillte të pronës private: jete të lire e të pavraur nga “shteti”. Eshte absurde kur shihen viktimet e rregjimit komunist te siellen vërdallë zyrë ne zyra me kërkue të drejtën e tyre, pasurine e trashegueme, dhe te sorollaten nga nje administrate shurdhe-memece që ‘sundon” dhe nuk “qeverise”, nga “aparatciket” e sistemit komunist e jo nga “sherbestaret” e demokracise, të shoqërise së lire.
Gjendja e sotme në Shqipëri është mjaft shqetesuese.
Nuk jetohet vetëm me buke dhe per buke. Një jete pa liri, pavaresi e dinjitet nuk vlen te jetohet
Heshtja, vret; indiferenca vret. Eshtë e vështirë me besue se ndergjegja e popullit shqiptar është aq e fjetur sa të lejoje vdekjen e atyre që gjetën guximin me sakrifikue gjithcka, ndoshta edhe jetën e tyre, për një Shqipëri të lirë, dhe një shoqeri shqiptare të lire e demokratike. Dhe për shum kohë armiku ma i madh do të jetë Harresa. Të gjithë të përndjekurit duhet të mobilizohen në një përpjekje me mbajt gjallë kujtimin e viktimave me ruajt në memorien e të gjithe shqiptarëve peshën e randë të krimit komunist dhe kjo asht detyrë kryesore për të gjithë ne që kaluam at kalvar vuajtjsh dhe martirizimi. Apeli i sotëm kombëtar asht jo indiferentizmit , jo heshtjes , PO angazhimit në politikë të këtyre familjeve fisnike ish të perndjkekura politike të regjimit komunist. Angazhimi i këtyre familjeve në politikë do të jetë nji shërbestare e demokracisë , do ti japi qeverisjes dhe shtetit ligjore moralin dhe vlerat njerzore të cilat për 25 vite klasa politike nuk mundi të i ndërtoi dhe të implementoi përpara shoqërise post komuniste. 100.000 familje ish të përndjekura politike e kan tagrin , kan kapacitete për të dhënë kontributin e tyre në politikbërje që shtetit shqiptar , demokracisë së cenuar nga kjo klasë politike 25 vjeçare ti kthehet morali dhe presporiteti i një demokracie fuksionuese në shërbim të vendit.
Le të na shoqëroi në këtë nisëm kombëtare thënja e pavdekshme e ikonës së fesë dhe vuatjes së dhjetra vjeçarve në burgjet e diktaturës komuniste At Pjetër Mëshkalla SJ ( Botue : 1933)
Prej të parëve pritëm një Shqipni të Lirë!
Nipat presin prej nesh një Shqipni të lumtun!
*E dergoi per Diellin vete autori. E falenderojme.- Kumtesë e mbajtur në konferencën rajonale të Përndjekurve Politike në Shkodër 31.1.2015

Filed Under: Analiza Tagged With: e familjeve, për demokracinë!, Përfshirja në politikëberje, Politike domosdoshmëri, te perndjekurve

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT