• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA PARA ÇEREK SHEKULLI, ZGJEDHJE PËR LIRI E PAVARËSI

May 24, 2017 by dgreca

-Presidenti i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr.Ibrahim Rugova/1 rugova vota

-Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme.1 Behlul-Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind/2 Behlul

-Raportimet me telex nga Prishtina të para 25 viteve për zgjedhjet e para pluraliste të 24 majit 1992, të korrespondentit tash edhe të Gazetës DIELLI nga 12 qershori 2015, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë në Kosovë/

1 behlul RugovaSPECIALE-GAZETA DIELLI NGA KORRESPONDENTI NË KOSOVË BEHLUL JASHARI3 behlul

PRISHTINË, 24 Maj 2017/ Kosova para  çerek shekulli – 25 viteve, në 24 maj 1992, mbajti zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi nga regjimi i dhunës serbe.2 Behlul

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike  angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Partia e parë e pluralizmit në Kosovë, Lidhja Demokratike, e cila ishte angazhuar edhe për formimin e partive të tjera, në 8 maj 1992 deklaronte se, “duke qenë se zgjedhjet e 24 majit, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i konsideron jo si luftë të partive politike të Kosovës për pushtet, por si përpjekje e organizuar e masive për të mos pranuar strukturat e pushtetit dhe statusit që po përpiqet të na imponojë Serbia, LDK-ja do të përpiqet që fushata parazgjedhore, organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të zhvillohen në frymë të bashkëpunimit të plotë, në mënyra e forma të ndryshme, në mes të të gjitha partive politike e të subjekteve të tjera politike”.

“Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës”, theksohej në Konkluzionet e Këshillit Qendror të LDK-së për zgjedhjet shumëpartiake në 1992.

Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë theksonte se ato janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor, dhe në vazhdim konstatonte:

“Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.
Zgjedhjet u mbajtën më 24 maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë.
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke.
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme.
Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind.
Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament.
Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 majit.

Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës  96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës  7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane  7 deputetë, Kandidatët e Pavarur  2 deputetë.

Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.
Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez.
Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës.
Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konsifkoi një pjesë të materialit zgjedhor.
I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga SHBA dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota.
Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve.
Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 qershor 1992.

Vëzhguesit e huaj në një konferencë shtypi të mbajtur në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve në Prishtinë, deklaruan përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 majit në Kosovë.
Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Gjatë këtyre vëzhgimeve, që bëri ai, nuk ka hasur në ndonjë parregullsi. Veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë.
Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, thanë se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. “Zgjedhjet janë mbajtur me efikasitet të madh, na ka impresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet edhe duke arrestuar njerëz”, thanë ata. Poashtu theksuan se, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar. Konrad Hubers, që i printe këtij delegacioni, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën.
Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyer nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve.

“U mrekulluam nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve, duke mashtruar edhe policinë”, tha ajo dhe falenderoi për këtë përvojë.

Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. “Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës”, u shpreh ai.

Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer. “Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupim, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilën nuk e ka pasur kurrë”, theksonin raportimet e kohës së zgjedhjeve të para pluraliste të Kosovës.

Po para çerek shekulli – 25 viteve, në 24 majin 1992, raportimet e korrespondentit tash edhe të Gazetës DIELLI nga 12 qershori 2015, që bëheshin me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë-ATSH në Kosovë.  Raportimet bëheshin nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës ishte korrespondenti prej atëherë-nga fillimi në Kosovë i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, e që kishte nisë të dalë nga 18 janari 1991. Që atëherë nisën edhe bashkëpunimet me ATSH-në, nga e cila merreshin informacione e botoheshin në gazetën “Buku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Zyra e telexit-e ATSH në Pallatin Rilinda u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Presidenti historik, i zgjedhjeve të para çerek shekulli,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare para 23 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, KOSOVA PARA ÇEREK SHEKULLI, per liri e Pavaresi, zgjedhje

PROFESOR SAMI REPISHTI DHE LUFTA E KOSOVËS PËR LIRI E PAVARËSI

December 31, 2015 by dgreca

SHKRUAN: DR. ELEZ BIBERAJ/*
DREJTOR I DREJTORISË SË EUROAZISË/
ZËRI I AMERIKËS/
E kam njohur Profesor Sami Repishtin që kur kam ardhur në këtë vend në vitin 1968 dhe jam me fat që kam ndjekur nga afër shumë prej veprimtarive dhe angazhimeve të tij. Kam punuar ngushtë me të për çështjen shqiptare, një kauzë shumë e dashur kjo për të dy ne. Gjatë katër dekadave të fundit kemi mbajtur kontakte të rregullta, jemi këshilluar dhe kemi bashkëpunuar për shumë çështje. Gjatë gjithë këtyre viteve, ne në Zërin e Amerikës kemi përfituar mjaft nga intervistat dhe komentet e tij të vyera mbi një gamë të gjerë temash. Personalisht, unë gjithmonë kam patur mbështetjen dhe inkurajimin e Profesor Repishtit, tek i cili kam vlerësuar edhe rolin prej mentori dhe për këto i jam mirënjohës.
Profesor Sami Repishti ka pasur një karrierë të gjatë, të shquar dhe shumëplanëshe: Ai është mbrojtës i madh i të drejtave të njeriut, luftëtar për demokracinë, dijetar i shquar, shkrimtar pjellor dhe avokat i dalluar i çështjes shqiptare. Profesor Repishti ka shfaqur një angazhim të paepur për vendosjen e një rendi demokratik në vendlindjen e tij Shqipëri, për vetëvendosjen dhe lirinë e shqiptarëve të përjashtuar padrejtësisht nga vendi i tyre amë dhe, vitet e fundit, për krijimin e shoqërive demokratike të gjalla e gjithëpërfshirëse në trojet shqiptare.
Sot dëshiroj të përqëndrohem te ndihmesa e Profesor Repishtit në luftën e gjatë dhe të vështirë të Kosovës për liri e pavarësi. Veprimtaritë e tij për Kosovën shtrihen në mbi pesë dekada, duke filluar nga koha kur ai sapo kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara e deri në ditët tona. Ai e promovoi çështjen e Kosovës me forcë, me kurajo të patundur, me përkushtim të thellë dhe me një qëllim moral. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka nxjerrë shumë veprimtarë të shquar, por pak mund të krahasohen me ndihmesen e shquar dhe aftësitë e jashtëzakonshme intelektuale dhe diplomatike të Profesor Repishtit. Ai krijoi një rrjet të gjerë kontaktesh profesionale dhe u njoh personalisht me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, anëtarë të shquar të Kongresit, ekspertë të politikës së jashtme dhe përfaqësues të mediave. Thellësia me të cilën ai e kuptonte politikën e jashtme amerikane dhe funksionimin e Uashingtonit si dhe shkalla e lartë e ndërgjegjësimit të tij politik kanë qenë të pakrahasueshme. Të gjitha këto ai i përdori me shumë efektivitet për Kosovën.
Profesor Repishti vepronte në disa nivele paralelisht. Ai angazhonte shqiptaro-amerikanë të tjerë të shquar, mobilizonte komunitetin për çështje me rëndësi të veçantë, ndihmonte krijimin e organizatave lobuese, shkruante, mbante ligjërata dhe kultivonte marrëdhënie me njerëz kyç të administratës amerikane e të Kongresit, me institucione studimore, me mjete të komunikimit si dhe me organizata të demokracisë e të drejtave të njeriut. Ashtu si edhe shumë grupe të tjera etnike, komuniteti shqiptaro-amerikan ishte politikisht i përçarë. Profesor Repishti shfaqi aftësi për të punuar me njerëz nga i gjithë spektri politik – me udhëheqës të partive politike, klerikë, studiues, studentë dhe biznesmenë – dhe arriti të krijojë mbështetje të konsiderueshme brenda komunitetit. Ai luajti rol të dorës së parë në krijimin e tri organizatave me rëndësi kritike: Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Nëpërmjet veprimtarive të tij të shumta shkencore dhe lobuese, Profesor Repishti u përpoq të arrijë disa objektiva të rëndësishëm:
• Së pari, të ndërgjegjësonte publikun amerikan dhe perëndimor për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve dhe kërkesat e tyre, duke iu kundërvënë rrëfimit konvencional negativ dhe paragjykimeve të dëmshme për shqiptarët që përhapte me mjaft agresivitet makina propagandistike jugosllave.
• Së dyti, të dokumentonte dhe demaskonte shtypjen sistematike të të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare të shqiptarëve.
• Së treti, t’u bënte thirrje Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar për të vendosur sanksione mbi qeverinë jugosllave për shkeljet prej saj të të drejtave të njeriut.
• Së katërti, të bindëte vendimmarrësit amerikanë mbi nevojën e ngutshme të veprimeve të rrepta për të shmangur një konflikt të armatosur mes shqiptarëve dhe serbëve, duke paraqitur argumentin se, në rast se nuk veprohej, kjo do të sillte rreziqe afatgjatë për paqen dhe qendrueshmërinë në rajon dhe do të minonte interesat strategjikë të SHBA.
• Dhe së fundi, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të nxiste zhvillimin e një shoqërie të drejtë dhe të një demokracie të gjallë me institucione të fuqishme demokratike, me shtet ligjor dhe mediume të lirë.
Kjo ishte një detyrë e vështirë, por Profesor Repishti dhe veprimtarë të tjerë të shquar që punuan me të i ndoqën këto objektiva me vendosmëri të patundur. Ndihëmesa e tyre është edhe më e madhe po të merren parasysh sfidat e shumta me të cilat ata ndesheshin dhe mjedisi politik në të cilin vepronin.
Deri në fund të viteve 1980, Jugosllavia gëzonte mbështetje të gjerë perëndimore. Nuk iu kushtohej vemendje e dukshme mbrojtjes se të drejtave të njeriut dhe nxitjes se demokracisë dhe pikëpamjet e Beogradit për ngjarjet në Kosovë pranoheshin gjerësisht. Politika amerikane ndaj Kosovës formulohej mbi bazën e pikëpamjeve kryesisht pozitive për Jugosllavinë dhe për rolin e saj ndërkombëtar. Pikëpamjet mjaft të favorshme për Jugosllavinë ishin në kontrast me ato kryesisht negative mbi shqiptarët e sidomos mbi regjimin totalitar të Enver Hoxhës. Mbështetja zyrtare dhe publike për Jugosllavinë në Shtetet e Bashkuara ishte e madhe dhe perëndimorët prireshin të ishin thellësisht skeptikë ndaj kërkesave të shqiptarëve. Shumica e mjeteve të informimit ishin në favor të Jugosllavisë dhe rrallë publikonin kritika për Beogradin. Për më tepër, ndikimi i komunitetit shqiptar në politikën amerikane ishte i papërfillshëm. Shqiptarët në SHBA nuk formonin një bllok të madh votuesish që të mund të ndikonte ndjeshëm në zgjedhjen e ndonjë kandidati në një post zyrtar. Prandaj, udhëheqësit shqiptaro-amerikanë u përballën me një betejë të vështirë në përpjekjet për të fituar mbështetjen e politikanëve amerikanë.
Profesor Repishti shkroi me dhjetra raporte dhe artikuj, dha leksione dhe intervista, mori pjesë dhe organizoi panele, seminarë dhe konferenca të shumta, formuloi skicë-ide dhe drafte politikash për zyrtarë të lartë amerikanë si dhe dëshmoi përpara Kongresit.
Në vitin 1982, profesor Repishti, së bashku me profesor Arshi Pipën, organizuan një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, ku morën pjesë studiues të shquar amerikanë, evropianë dhe shqiptarë, si Nicholas C. Pano, Martin Camaj, Safete Juka, Peter Prifti, dhe Anton Logoreci. Shumica e kumtesave janë përfshirë në përmbledhjen Studime mbi Kosovën, botuar në vitin 1984. Ky ishte një libër jashtëzakonisht i dobishëm dhe lexim i domosdoshëm për studiuesit dhe politikëbërësit. Vëllimi hedh dritë të re mbi çështjen shqiptare dhe marrëdhëniet e nderlikuara mes shqiptarëve dhe serbëve. Në kumtesën e tij, Profesor Repishti analizonte evolucionin e marrëveshjeve kushtetuese të pas Luftës së Dytë Botërore, që u mohonin shqiptarëve të drejta të barabarta me grupet e tjera etnike dhe në thelb i kthenin ata në qytetarë të klasës së dytë. Ai eksploronte marrëdhëniet midis të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje dhe këmbënguljes së Beogradit për një kornizë kushtetuese që do t’u mohonte shqiptarëve vetë-qeverisjen e vërtetë dhe të drejtat demokratike. Profesor Repishti bëri paralajmërimin e rreptë se konflikti do të ishte i pashmangshëm nëse Beogradi vazhdonte të mohonte kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese me grupet e tjera të mëdha etnike të Jugosllavisë.
Memorandumet e përvitshme që shkruante Profesor Repishti drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në emër të Rinisë Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, paraqisnin një histori të plotë të çështjes kombëtare shqiptare dhe një kronikë të detajuar të shkeljeve të të drejtave të njeriut në ish-Jugosllavi. Këto ishin raporte të dokumentuar mirë dhe shërbyen si këmbanë alarmi për shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve. Profesor Repishti bashkëpunoi ngushtë me organizatat që merreshin me të drejtat e njeriut dhe me nxitjen e demokracisë, si Freedom House, Amnesty International, apo Human Rights Watch si dhe me Zyrën e të Drejtave të Njeriut në Departamentin e Shtetit, duke u bërë një burim autoritativ për këto organizata. Ai botoi gjithashtu artikuj të shumtë në shtypin amerikan dhe në gazetat e emigrantëve shqiptarë.
Me analizën e tij të mençur, të hollësishme dhe të balancuar, Profesor Repishti u përpoq t’i kundërvihej rrëfimit negativ të nxitur nga Beogradi dhe t’i bënte njerëzit ta kuptonin më thellë natyrën e ndërlikuar të çështjes së Kosovës. Ai shfrytëzoi në këtë diskutim publik një kombinim të veçantë: njohuritë e tij personale e shkencore mbi marrëdhëniet shqiptaro-serbe me punën si një ndër zëdhënësit kryesorë të komunitetit shqiptaro-amerikan. Në shkrimet dhe deklaratat e tij publike Profesor Repishti hodhi rekomandime politike konkrete me shpresën që të ndikonte në formulimin e politikave amerikane për këto çështje. Para viteve 1990, ai argumentoi nevojën për sanksione kundër Jugosllavisë dhe kërkoi hapjen e një konsullate amerikane në Prishtinë. Në fillim dhe në mes të viteve 1990, Profesor Repishti ngriti argumentin që SHBA dhe NATO-ja të ndërhynin në Kosovë, duke theksuar se po të mos veprohej, kjo do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një konflikt të armatosur me rreziqe afatgjatë për paqen dhe qendrueshmërinë në rajon, duke dëmtuar interesat e përgjithshëm strategjikë të Shteteve të Bashkuara.
Në një kohë kur Kosova nuk kishte ndonjë përfaqësim të mirëfilltë zyrtar në Shtetet e Bashkuara dhe as mundësinë apo mjetet për ta ngritur çështjen e saj përpara qeverisë dhe publikut amerikan, Profesor Repishti promovoi dhe mbrojti të drejtën e Kosovës për vetëvendosje në mënyrë të shkathët, dinjitoze dhe të efektshme. Ai ishte gjithmonë i kujdesshëm për t’u dhënë bashkëbiseduesve informacion të besueshëm dhe objektiv. Kjo e ndihmoi të ndërtonte marrëdhënie besimi me njerëz të rëndësishëm, duke u bërë kështu një burim autoritativ. Ishte kryesisht rrjedhojë e punës së Profesor Repishtit dhe veprimtarëve e udhëheqësve të tjerë të shquar shqiptaro-amerikanë që bëri të mundur dëgjimin e zërit të Kosovës në Uashington.
Aty nga viti 1990, Jugosllavia filloi të humbasë mbështetje dhe imazhi i saj pësoi dëme të pariparueshme, ndërkohë që Kosova përjetoi lindjen e një udhëheqjeje të vërtetë përfaqësuese me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera. Këto zhvillime u pasuan nga ndryshime graduale, por të rëndësishme në qëndrimet amerikane ndaj shqiptarëve. Megjithëse kjo kthesë ishte pasojë e politikave shtypëse të Beogradit dhe e ndryshimit të shpejtë të peizazhit politik pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore, fushata e suksesshme e Profesor Repishtit dhe e veprimtarëve të tjerë shqiptaro-amerikanë ishte një faktor i madh kontribues. Komuniteti ishte mobilizuar dhe shqiptaro-amerikanët, duke punuar me organizata të shumta, si Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Vatra, po fitonin pak nga pak vëmendjen e anëtarëve me ndikim të Kongresit dhe të politikëbërsve në rangje të larta. Vitet 1990 mund të konsiderohen si epoka e artë e aktivizmit dhe e efektivitetit shqiptaro-amerikan.
Gjatë konfliktit në Slloveni e Kroaci dhe më vonë, gjatë luftës në Bosnjë, profesor Repishti vazhdimisht bënte thirrje që Shtetet e Bashkuara të ushtronin trysni politike dhe ekonomike për ta detyruar Beogradin të ndryshonte kursin e tij të rrezikshëm në Kosovë. Ai besonte fuqimisht se ndërhyrja ushtarake në Kosovë ishte absolutisht e nevojshme për të shmangur një zjarr të madh ballkanik. Profesor Repishti parashikoi saktë se përjashtimi i Kosovës nga procesi i Dejtonit do të kishte pasoja të rënda: nga njëra anë do të trimëronte Sllobodan Millosheviqin dhe nga ana tjetër do të bindëte shqiptarët se gjendja nuk mund të vazhdonte më si më parë, prandaj ata duhet t’i merrnin punët në duart e tyre.
Profesor Repishti u bë një mbështetës i patundur i udhëheqësve të Kosovës, veçanërisht i presidentit Ibrahim Rugova. Një pjesë e mirë e aktiviteteve të tij më pas u përqendruan në ndihmën për udhëheqjen e Kosovës që ajo të artikulonte qartë politikat dhe kërkesat e saj në takimet me zyrtarët e lartë amerikanë dhe në njoftimet e saj publike. Ai luajti rol të dorës së parë jo vetëm në lehtësimin e shumë takimeve dhe kontakteve për Presidentin Rugova, por ndihmoi gjithashtu në hartimin e skicë-ideve dhe memorandumeve të rëndësishme politike.
Ndërhyrja në Kosovë e NATO-s nën udhëheqjen e SHBA, çlirimi i Kosovës dhe më pas shpallja e pavarësisë së Kosovës, shënuan kulmin e veprimtarive të Profesor Repishtit dhe realizimin e ëndrrave të tij të hershme për lirinë e Kosovës.
Është për t’u habitur se pas euforisë që pasoi rrëzimin e komunizmit në Shqipëri në fillim të viteve 1990 dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Profesor Repishti nuk e pushoi aspak veprimtarinë e tij. Demokracia, respekti për të drejtat e njeriut dhe pajtimi kombëtar vazhduan të ishin çështje që trajtoheshin në shkrimet dhe veprimtaritë e tij publike. Ai u bë një promotor i fuqishëm për krijimin e demokracive të gjalla në të dy shtetet shqiptare. Duke njohur sfidat që ato kanë përpara tyre, Profesor Repishti ka theksuar domosdoshmërinë që shqiptarët të shfrytëzojnë mundësitë, të konsolidojnë orientimin e tyre perëndimor, të ruajnë dhe forcojnë harmoninë fetare dhe t’i kundërvihen çdo shenje të ekstremizmit fetar.
Në shumë prej deklaratave të tij publike, ai u ka bërë thirrje elitave të reja qeverisëse në Shqipëri dhe në Kosovë si dhe udhëheqësve shqiptarë në Maqedoni të përballen me probleme të tilla të ngutshme, si korrupsioni dhe krimi i organizuar, që kërcënojnë strukturën e shoqërisë shqiptare; të nxisin rritjen ekonomike; të zbutin pabarazinë; të fuqizojnë rolin e gruas; të krijojnë një qeverisje transparente dhe të përgjegjshme.
Profesor Repishti e shikon fuqizimin politik, shoqëror dhe ekonomik të shqiptarëve si diçka të lidhur ngushtë me marrëdhëniet strategjike dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara. Duke njohur rolin vendimtar që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara – së pari në mbështetjen dhe afirmimin e pavarësisë së Shqipërisë, në mbështetjen dhe nxitjen e demokracisë në Shqipëri, dhe më në fund rolin mjaft të rëndësishëm që Amerika ka luajtur në çlirimin e Kosovës dhe sigurimin e pavarësisë së saj – Profesor Repishti ka shfaqur një angazhim të fortë për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, por duke theksuar se kjo marrëdhënie nuk duhet dhe nuk mund të merret si e mirëqenë. E ardhmja dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve strategjike shqiptaro-amerikane bazohet në vazhdimësinë e vlerave të përbashkëta – respektimin e të drejtave të njeriut, vendosjen e sundimit të ligjit dhe qeverisjen e mirë.
Pas shumë dekadash si udhëheqës në fushën akademike dhe në mendimin e komunitetit, Profesor Repishti vazhdon të frymëzojë brezat e shqiptarëve në kërkim të një shoqërie më demokratike dhe më të drejtë. Ai është një shqiptaro-amerikan i madh, një patriot i vërtetë shqiptar, një dijetar i plotësuar, dhe një njeri i parimeve, i cili nuk e pushoi kurrë luftën në emër të asaj që besonte. Ka qenë nder i madh për mua që kam patur rastin të bashkëpunoj ngushtë me Profesor Repishtin dhe i jam shumë mirënjohës mbështetjes dhe miqësisë së tij të vazhdueshme.
*KUMTESË NË SIMPOZIUMIN ME RASTIN E 90-VJETORIT TË DITËLINDJES SË PROFESOR REPISHTIT
THE INTERNATIONAL HOUSE, NEW YORK
18 KORRIK 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Elez Biberaj, Lufta e Kosoves, per liri e Pavaresi, Sami repishti

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT