• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Kryeministri Haradinaj, letër ministrave për Trepçën

October 2, 2017 by dgreca

Trepca-Kërkohen veprime të shpejta dhe konkrete rreth zbatimit të Ligjit për Trepçën si dhe adresimin e kërkesave tjera të minatorëve/

PRISHTINË, 2 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj u ka shkruar letra tre ministrave të Qeverisë që ai drejton, nga të cilët kërkon që të përfshihen me veprime të shpejta dhe konkrete rreth zbatimit të Ligjit për Trepçën si dhe adresimin e kërkesave tjera të minatorëve të Trepçës.Në letrën e  Kryeministrit Haradinaj për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, atij i kërkohet të shqyrtojë kërkesat e natyrës ligjore të parashtruara nga Ahmet Tmava, menaxher i Ndërmarrjes Trepça:

– Të miratohet Statuti i Trepça SH.A. duke u bazuar në nenin 6 të Ligjit nr.05/L-120 për Trepçën; Të bëhet regjistrimi Trepça SH.A në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (MTI) duke u

bazuar në nenin 7 të Ligjit nr.05/L-120 për Trepçën; Gjithashtu MZHE bazuar në nenin 7 të Ligjit të lartcekur të bëjë regjistrimin e njësive banesore Trepça SH.A. të cekura në nenin 2, paragrafet 2.1, 2.2 dhe 2.3 të këtij Ligji; Bazuar në nenin 3 paragrafi 3.1, 3.2 dhe 3.3 të Ligjit dhe arsyeshmërinë ekonomike dhe financiare, të formohen edhe njësitë e parapara në këtë dispozitë.
Ndërsa nga ministri, Skender Reçica, ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kryeministri, në bazë të vlerësimeve të Tmavës kërkon që:

– Të sigurohet baza juridike për dhënien e pensioneve me 70% nga paga e punëtorëve, ashtu siç janë pensionet në disa institucione në Republikën e Kosovës;

– Të sigurohet baza juridike për pranimin e stazhit të punës për vitet 1990-1999; – Punësimi i të rinjve, dhe Zbatimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.
Dhe së fundi në letrën dërguar ministrit, Bedri Hamza, ministria e Financave, Kryeministri Haradinaj i kërkon atij që:- Duke u bazuar në Ligjin mbi faljen e Borxheve Publike nr.05/0119, Ndërmarrja Trepça si Shoqëri Aksionare i është drejtuar Komisionit Qeveritar për përfshirje në falje të borxheve të saj të krijuara në kohën e UNMIK-ut./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Kryeministri Haradinaj, Leter Ministrave, për Trepçën

Ne Bruksel-Kosova refuzon bisedime me Serbinë për Trepçën

October 20, 2016 by dgreca

-Në Bruksel, sot, në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, është mbajtur një takim trepalësh/

1-vesh-trepca1-grupi-punues-diplomat-20102016-2

-Pala serbe tentoi ta ngrisë në këtë takim edhe çështjen e Ligjit për Trepçën të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ministrja Edita Tahiri refuzoi kategorikisht tendencën e palës serbe për të biseduar për këtë temë. “Trepça është aset dhe pronë e Kosovës dhe nuk e bisedojmë me askënd”, deklaroi ministrja kosovare/

BRUKSEL, 20 Tetor 2016-Gazeta DIELLI/ Në Bruksel, sot, në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, është mbajtur një takim trepalësh, për ta vlerësuar gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, me theks të veçantë për bllokadën që Serbia ia krijoi marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës.

Me këtë rast, thekson njoftimi i dërguar, ministrja Tahiri tha se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate të prekshme në këto vite të rrjedhës së vet, mirëpo kjo periudhë shquhet me tensione sidomos për faktin që Serbia bllokoi zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik, si dhe arrestimin arbitrarë të zyrtarit të lartë të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, që po vazhdon të mbahet në arrest në Serbi. Ministrja Tahiri kërkoi që BE-ja të vazhdojë angazhimet për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik dhe pavarësimin e KOSTT-it, sepse janë marrëveshje që po diskutohen tani e pesë vjet dhe nuk është arritur rezultati i përcaktuar me marrëveshjet.

Ministrja Tahiri po ashtu e përsëriti kërkesën e lirimit të Nehat Thaçit, duke thënë që Serbia nuk mund dhe nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Kosovës dhe se kjo sjellje e Serbisë po e dëmton edhe vet procesin e dialogut të Brukselit.

Pala serbe tentoi ta ngrisë në këtë takim edhe çështjen e Ligjit për Trepçën të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ministrja Tahiri refuzoi kategorikisht tendencën e palës serbe për të biseduar për këtë temë. “Trepça është aset dhe pronë e Kosovës dhe nuk e bisedojmë me askënd”, deklaroi ministrja Tahiri.

Ajo po ashtu theksoi se kjo nuk është biseduar dhe nuk do të bisedohet asnjëherë në dialog. “Kosova nuk do të pranoj hapjen dhe diskutimin e temave të brendshme shtetërore për të cilat vendosë vetëm Kosova”,  siguroi ministrja Tahiri.Ajo po ashtu theksoi se një palë nuk mund të imponojë hapjen e temave në dialog sepse për një gjë të tillë kërkohet pajtimi i të dy palëve pasi që po ashtu ky është edhe parimi themelor i dialogut të Brukselit i cili bazohet në respektimin e juridiksioneve të dyja shteteve.Krejt në fund të takimit, thekson njoftimi, ministrja Tahiri i rikujtoi palës Serbe së janë të kota tendencat e tyre për diplomaci në Bruksel rreth çështjes së Trepçës, pasi që njëzet e tre nga vendet anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se tashmë Kosova ka hyrë në marrëveshje kontraktuale me BE-në duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

NË BRUKSEL U MBAJT EDHE TAKIMI PËR DIPLOMAT

Bruksel, 20 tetor 2016/Në një njoftim tjetër të dërguar theksohet: Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është mbajtur takimi tre palësh për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 10 janar 2016 e cila parasheh fillimin e njohjes së diplomave.

Në këtë takim delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri, kryenegociatore, raportoi përgatitjet për zbatimin e kësaj marrëveshje si dhe mirëpriti faktin që BE ricaktoi organizatën SPARK për administrimin e procesit të aplikimit për certifikim të diplomave.

Po ashtu u vlerësua përcaktimi i mekanizmit të BE-së për certifikimin e diplomave të cilat pastaj të dyja shtetet obligohen t’i pranojnë në bazë të marrëveshjes. Në takim po ashtu edhe pala serbe dha një raport për përgatitjet rreth zbatimit të marrëveshjes.

BE e vlerësoi progresin e arritur, si dhe theksoi se në të ardhmen do të mbahet edhe një takim për të finalizuar të gjitha aktivitetet e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes.

Delegacioni i Republikës së Kosovës udhëhiqej nga ministrja Edita Tahiri dhe kishte në përbërje: Arjeta Rexhaj, koordinatore për çështjen, Qemajl Marmullakaj, koordinator profesional dhe drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në ZKM, Bekim Samadraxha, udhëheqës i divizionit në Arsim të lartë në MASHT, Gazmir Raci, këshilltarë politik dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: bisedime me Serbinë, Bruksel-Kosova, për Trepçën, refuzon

QEVERIA E KOSOVËS APROVOI PROJEKTLIGJIN PËR TREPÇËN

October 5, 2016 by dgreca

1-qeveria-kosove-5tetor2016-Qeveri e Kosovës miraton e procedon në Kuvend Projektligjin për Trepçën, të premtën seanca plenare/

-Trepça është pronë e Republikës së Kosovës dhe kjo nuk mund të negociohet/

-Projektligjin për Trepçën nuk e votuan përfaqësuesit e Listës Serbe në qeverinë e Kosovës/

-Ligji për Trepçën-falënderim në jug, kundërshtim në veri/

1-qev-treshePRISHTINË, 5 Tetor  2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Projektligji për Trepçën  procedohet nga qeveria, e mbledhur sot, ndërsa do jetë në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën plenare të së premtës, sipas vendimit të së hënës të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.

Në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, në 29 shtator, kryeministri Isa Mustafa, duke u përgjigjur në pyetjet parlamentare, paralajmëroi një Ligj për Trepçën  “në afatin që të mos rrezikohet e ardhmja e saj”.

Ndërsa, sot në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Mustafa theksoi se, “me ligj është thënë qartë se prona e Trepçës është pronë e Republikës së Kosovës dhe se kjo nuk mund të negociohet, se resurset minerare janë pronë e Kosovës”.

Ministri i zhvillimit ekonomik Blerand Stavileci ka theksuar se projektligj ka për qëllim krijimin e infrastrukturës për revitalizimin dhe investimet në Trepçë, se qeveria do  ketë 80 për qind të aksioneve ndërsa punëtorët 20 për qind.

“Gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për aprovim Strategjinë Zhvillimore të Trepçës”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në 1 tetor, gjatë vizitën në ndërmarrjen Trepça ka paralajmëruar perspektivë dhe ecje përpara duke theksuar se, “ligji i ri do të jetë në favor të punëtorëve, pa dallim etnie dhe religjioni, si dhe në favor të shtetit tonë në përgjithësi”.

Ndërsa, sipas medias serbe, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka deklaruar sot se, “autoritetet e Prishtinës përmes projektligjit për Trepçën duan ta nacionalizojnë atë kombinat, por kjo nuk do iu kalojë dhe se Beogradi do e mbrojë në çdo mënyrë”.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës projektligjin për Trepçën nuk e kanë votuar tre përfaqësuesit e Listës Serbe, që janë një zëvendëskryeministër e dy ministra.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të mëdha PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, zhvilloi sot mbledhjen e 111-të, të 43-tën në 2016-tën, në vazhdim të punës në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

RAPORTI I GJERË: QEVERIA E KOSOVËS APROVOI PROJEKTLIGJIN PËR TREPÇËN

Prishtinë, 5 tetor 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e 111, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ku ndër të tjera miratoi Projektligjin për Trepçën.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka prezantuar këtë Projektligj që ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për vitalizmin e “Trepçës”, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Dispozitat e këtij projektligji përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në Shoqëri Aksionare me ç‘rast Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronar i 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtorët pronarë të 20 për qind të aksioneve. Më detajisht dhe më saktësisht nenet tjera të kapitullit që bënë fjalë për aksionarët i rregullojnë këto çështje.

Po ashtu, ky projektligj trajton nëpërmjet kapitujve të tij, edhe këto çështje specifike: resurset minerale, bartjen e pasurive të të drejtave dhe burimeve njerëzore, statusin, regjistrimi dhe qeverisja e Shoqërisë Aksionare, mundësia e formimit edhe të njësive tjera biznesore, mundësia e pjesëmarrjes së sektorit privat, çështje sociale dhe raportin me komunitetin, pretendimet e kreditorëve si dhe dispozitat kalimtare dhe përfundimtare.

Ministri Blerand Stavileci, po ashtu, tha se ky proces nuk përfundon me kaq dhe se qysh në fillim secili prej institucioneve ka marrë detyrat e tyre: komisioni parlamentar trajtimin e disa rasteve studimore; Agjencia Kosovare e Privatizimit përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit; dhe që pastaj hap rrugë për Strategjinë Zhvillimore të “Trepçës”.

“Edhe në ligj e kemi precizuar që gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për aprovim Strategjinë Zhvillimore të saj. Duke e ditur që kjo ndërmarrje nuk është një ndërmarrje e thjeshtë dhe karakteri i punëve që janë aty ka një karakter shumë komercial, atëherë kemi dashur që shumë më shumë t’i japim trajtën e një Shoqërie Aksionare e cila i hap në të ardhmen rrugë investimeve, po ashtu edhe tek pjesa ku flet për punëtorët, një lloj kontributi i cili lidhet edhe me performancën e tyre në bazë të njësive biznesore ku ata janë të punësuar. Pra, kemi një ndërmarrje e cila në trajtën e një Shoqërie Aksionare, e cila i ka të definuara shumë mirë me parimet e qeverisjes korporative, dhe të cilat janë të përfshira edhe këtu. Jemi munduar pra që në kuadër të kapitullit të qeverisjes sa më mirë t’i specifikojmë funksionet e dy strukturave kryesore organizative të nivelit më të lartë në hierarkinë e kësaj Shoqërie, Bordit Mbikëqyrës dhe Bordit Menaxhues, dhe natyrisht që në shumë çështje tjera mbetet të precizohen nëpërmjet Statutit të saj. Po ashtu një kapitull shumë i rëndësishëm është ai i mundësisë së pjesëmarrjes së sektorit privat, që qysh tani ky aset i rëndësishëm të nis rrugën e saj të revitalizimit dhe të jetë i hapur për investime të ndryshme. Ne e dimë që sektori minerar në përgjithësi dhe fushat e veçanta të cilat i trajton në këtë rast edhe mineralet dhe xehet “Trepça”, sot për sot në botën bashkëkohore, i kemi disa modele të investimeve të cilat janë të preferuara. Ne edhe këto i kemi paraqitur, pra katër forma të mundshme të tyre: partneriteti publiko-privat; investimet private direkte; investimet e përbashkëta; po ashtu meqenëse kemi të bëjmë me një lloj shoqërie të tillë, edhe mundësia e shitjes dhe emetimit të aksioneve. Tjetër risi është edhe kapitulli për çështje sociale dhe komunitetin. Pra, kemi bërë edhe këtu në kuadër të principeve që kanë sot korporatat gjithandej, ta fusim konceptin e ri të përgjegjësisë sociale. Po ashtu edhe një përqindje e caktuar, e kemi si propozim, e rentës minerare, të jetë e dedikuar për komunitetin, në mënyrë që të mundësoj investime në fushën e infrastrukturës, mbrojtjes së mjedisit, shëndetësisë, arsimit dhe sportit”, tha ministri Stavileci.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu foli për Projektligjin për Trepçën.

“Ndoshta mund të jetë një mos të them problem, por pasqyrë e veçantë kjo që është përshtypja që në mënyrë të ngutshme ne po e vëmë këtë në rend dite edhe në Qeveri edhe në Kuvend. Kam parasysh edhe vërejtjet për këtë që dhanë disa anëtarë të Qeverisë, mirëpo po ashtu kam parasysh edhe një periudhë shumë të gjatë kohore, në të cilën ne kemi punuar për gjetjen e mundësive më të mira për statusin e ardhshëm të “Trepçës”. Ne e kemi themeluar me kohë një komision këtu në Qeveri, që ka pasur për detyrë të hartojë Ligjin për “Trepçën” dhe të përcaktojë statusin e saj, një komision i cili është përbërë prej ekspertëve që ne kemi menduar se janë më të mirët në këtë fushë, përfshirë edhe komunitetin serb. Kemi pasur prezantimin e pesë studimeve të rastit, që janë financuar nga Qeveria, por janë bashkërenditur nga Komisioni për Ekonomi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, që kanë trajtuar rastet e ngjashme ose të njëjta me vendet qoftë në tranzicion ose me vendet e tjera, të cilat pastaj na kanë shërbyer që ne të marrim disa elemente shumë të rëndësishme nga ato dhe t’i inkorporojmë në këtë ligj. Agjencioni për Privatizim ka kontraktuar Studimin e Fizibilitetit, për të cilin ne jemi zotuar me këtë ligj, se rezultatet e atij studimi, do t’i aplikojmë qoftë në themelimin e njësive të pavarura të ardhshme, qoftë edhe në atraktimin e kapitalit privat në “Trepçë”.

Natyrisht se unë si Kryeministër nuk mund të konstatoj se ne me këtë kemi gjet zgjidhjen optimale edhe një zgjidhje të pëlqyeshme dhe të pranueshme për të gjithë, por jam shumë i bindur se është një zgjidhje shumë e mirë për “Trepçën”, se ky ligj për “Trepçën” është me rendësi të veçantë, duke pasur parasysh se “Trepça” paraqet një sinonim të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por paraqet po ashtu një sinonim të sakrificës dhe flijimit për Kosovën, që nuk duhet ta lëmë anash. Por, ne me këtë ligj, si Qeveri, nuk pretendojmë në asnjë rast që ta kthejmë “Trepçën” në të kaluarën, por pretendojmë dhe kemi për qëllim që të pasqyrojmë të ardhmen dhe të hapim të ardhmen e “Trepçës”. Kjo e ardhme mendoj se është mjaft mirë e prezantuar në ligj, sepse janë konsultuar përvojat më të mira dhe rastet më të mira, të cilat na ndihmojnë që ky ligj të mbështes zhvillimin ekonomik, të respektoj kriteret e ekonomisë së tregut dhe të mbrohen interesat e punonjësve, përkatësisht minatorëve të “Trepçës”, përkatësisht të atyre që sot punojnë dhe të atyre që do të punojnë edhe në të ardhmen, sepse ligji i ofron mundësi të hapjes. Me ligj është thënë qartë se prona e “Trepçës” është pronë e Republikës së Kosovës dhe se kjo nuk mund të negociohet, se resurset minerare janë pronë e Kosovës, por po ashtu kemi hap një kapitull të ri në të cilin kemi paraparë që asetet mbitokësore të “Trepçës” janë aset mbi të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë aksione 80 për qind dhe 20 për qind do të jenë të punëtorëve të “Trepçës”, dhe po ashtu edhe 20 për qind nga taksat minerare do t’i ndajmë për komunat, përkatësisht për komunitetin në të cilat veprojnë njësitë organizative të “Trepçës”, në mënyrë që të ndihmojmë atje ndërtimin e infrastrukturës, ndërtimin e objekteve të arsimit, kulturës, shëndetësisë, dhe të kompensojmë të gjitha dëmet që ju krijohen vendbanimeve atje dhe ambientit në atë pjesë.Unë mendoj se organizimi i tillë e nxit frymën konkurruese, sepse kemi pjesëmarrje në aksione edhe të punëtorëve të cilët do t’i mbajnë fitimet e tyre në njësitë organizative ku ata i realizojnë këto fitime dhe nuk do të ketë derdhje të të ardhurave prej një njësie në njësinë tjetër, ndërkaq “Trepça” do të jetë organizatë unike me bilanc të konsoliduar, pra njësitë biznesore do ta kenë pavarësinë e tyre në të ardhura, në shpenzime, në identifikimin e rezultatit dhe në ndarjen e devidentit sipas rezultatit që arrihet. E tha edhe ministri gjatë prezantimit që në bazë të Studimit të Fizibilitetit, lihen mundësi të hapura për themelimin e organizatave të reja, të themi te metalurgjia e plumbit, zinkut, industria kimike, por edhe të atyre tjerave që merren me përpunimin dhe me finalizimin e produkteve, edhe për partneritet privat, qoftë përmes investimeve direkte, investimeve të përbashkëta, shitjes së aksioneve.

Unë nuk shoh asnjë arsye që ne në këtë fazë të mos e përkrahim këtë zgjidhje. Unë pajtohem që edhe gjatë procedurave të Kuvendit të mundohemi që, përmes propozimit të amendamenteve, të gjejmë zgjidhje që do të jenë të pranueshme për shumicën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por, mund t’ju siguroj se ligji nuk është hartuar për të mbrojtur interesa politike, sepse ne përmes “Trepçës” tani nuk do të zhvillojmë aktivitete të tilla, por është hartuar që “Trepçën” ta konstituojmë në të ardhmen si organizatë e cila do të punojë mbi bazat e ekonomisë së tregut, do të realizojë objektivat ekonomike, do t’ju ndihmojë të punësuarve atje, do të rregullojë çështjet e ambientit dhe do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit, nga e cila përfitojnë të gjithë njerëzit dhe të gjitha komunitetet, dhe ky është qëllimi ynë themelor që pretendojmë ta realizojmë edhe përmes këtij ligji. Prandaj, ju ftoj që ta përkrahim, ta votojmë dhe ta procedojmë në Kuvend, dhe po ashtu të jemi aktiv edhe në Kuvend dhe të përkrahim të gjitha iniciativat e deputetëve dhe grupeve parlamentare në Kuvend të cilat mund të përmirësojnë edhe më tutje këtë ligj”, tha kryeministri.

1-trepca-veriKOSOVË-LIGJI PËR TREPÇËN-FALËNDERIM NË JUG, KUNDËRSHTIM NË VERI

1-trepca-jug

Menaxhmenti dhe Sindikata e  Ndërmarrjes Trepça në jug në një deklaratë të dërguar falënderojnë për procedimin e ligjit për Trepçën nga qeveria e Kosovës në Kuvend.

“E falënderojmë qeverinë për këtë hap të shumëpritur  dhe paraprakisht i falënderojmë të gjitha grupet parlamentare që shpresojmë shumë se duke votuar pro ligjit për Trepçën do të bëhen pjesë e fillimit të epokës së zhvillimit për Trepçën”, thekson deklarata.

“Ne si menaxhment i Trepçës dhe sindikata e pavarur e punëtoreve të Trepçës zotohemi për marrjen e obligimeve zhvillimore të Trepçës, e që do të jenë me shumë interes për të gjithë”, përfundon deklarata.

Ndërsa, sipas medias serbe,  në veri punëtorët serbë të Trepçës kanë bllokuar sot për 15 minuta rrugën magjistrale që kalon nëpër komunën Zveçan për të kundërshtuar kështu procedimin e ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, për Trepçën, PROJEKT – LIGJI, qeveria e Kosoves

Kosova nuk bisedon me askënd për Trepçën

March 15, 2016 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa, në pyetjet e gazetarëve ka theksuar se Trepça assesi nuk do të shkoj në Bruksel dhe se qeveria e Kosovës me askënd nuk do të bisedojë lidhur me pronat e Republikës së Kosovës/

-Zgjidhja e afërt për Trepçën, në përputhje të plotë me interesat e qytetarëve të Kosovës/ 

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Mars 2016/ Zgjidhja e afërt për Trepçën do jetë në përputhje të plotë me interesat e qytetarëve të Kosovës, tha sot kryeministri Isa Mustafa në një konferncë shtypi pas mbledhjes së qeverisë.

“Në vazhdën e punëve për të definuar statusin final të Trepçës, sot në mbledhjen e qeverisë është aprovuar vendimi për themelimin e Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Trepçën, me një përbërje gjithëpërfshirëse”, theksoi ai.Kryeministri Mustafa tha se këtij komisioni i është dhënë detyrë që në afatin optimal t’i paraqes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik projektligjin, të kryhen pastaj të gjitha fazat e konsultimeve të brendshme dhe të jashtme, me të gjitha palët e interesuara për këtë ligj, dhe që ai të procedohet në qeveri dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë pjesës së parë, përkatësisht deri në mesin e këtij viti.

“Ligji do t’iu nënshtrohet të gjitha procedurave të rregullta dëgjimore dhe do të aprovohet në procedurë të rregullt në Kuvend dhe në qeveri. Ky Komision do t’i raportoj qeverisë lidhur me punën e tij dhe do të kemi bashkëpunim të ngushtë lidhur me këtë. Unë mendoj se themelimi i këtij komisioni për hartimin e projektligjit, paraqet hapin e fundit që qeveria po e ndërmerr në realizimin e premtimeve të saj që i ka dhënë për zgjidhjen afatgjate të statusit të Trepçës, e cila kompani tani gjendet nën qeverisjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ne do të dëshironim që gjatë këtij procesi të kemi të gjitha inputet edhe prej shoqërisë civile, qytetarëve, profesionistëve, në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen më të mirë dhe më të qëndrueshme për Trepçën”, tha kryeministri.

Mustafa, po ashtu tha se së shpejti do të kenë informatë edhe nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit lidhur me kërkesat e kreditorëve dhe lidhur me të gjitha borxhet për të cilat pretendohet se i ka Trepça. 

“Jemi në koordinim me Agjencionin e Privatizimit se tani janë në përfundim termat e referencës për organizimin e punëve për Studimin e Fizibilitetit dhe të Strategjisë së Trepçës, i cili studim presim që do të përfundoj në vjeshtën e  këtij viti. Ndërsa, në bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Kosovës, po ndërmerren masa për studime të rastit (case study), për raste të caktuara të firmave të tilla në shtete të ndryshme, qoftë të atyre në tranzicion apo të vendeve të tjera, se si ato i kanë zgjidhur në mënyrën më të mirë këto raste, të cilat ne do t’i marrim parasysh edhe gjatë procesit të hartimit të ligjit, por edhe në pikëpamje të organizimit dhe të funksionimit të mëtutjeshëm të kompanisë Trepça”, tha kryeministri.

Duke folur për këtë proces, kryeministri tha se po bëhen përpjekje që të kyçen të gjitha palët e interesuara. 

“Kemi biseduar edhe me sindikatat, kemi biseduar me udhëheqjen e Trepçës, kemi biseduar me profesionistët e ndryshëm që e njohin këtë fushë, dhe besoj plotësisht që qeveria me kohë do të përfundojë ligjin për Trepçën, se minatorët do të jenë të kënaqur me zgjidhjen, të cilën do ta bëjmë, dhe po ashtu që zgjidhja do të jetë në interes dhe në harmoni me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të gjithë atyre që janë të interesuar që ne ta aftësojmë, ta rigjenerojmë dhe ta revitalizojmë këtë kompani që është shumë e rëndësishme për ne”, u shpreh kryeministri. 

Kryeministri Isa Mustafa, në pyetjet e gazetarëve ka theksuar se Trepça assesi nuk do të shkoj në Bruksel dhe se qeveria e Kosovës me askënd nuk do të bisedojë lidhur me pronat e Republikës së Kosovës. 

“Trepça është pronë e Republikës së Kosovës, e sanksionuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe po ashtu është pronë e njohur edhe me Planin e Ahtisaarit, si bazë e rregullimit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se ka biseduar edhe me ministrat serbë të kabinetit dhe duke shprehur bindjen e plotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta aprovojë ligjin i cili do të përgatitet dhe se ai do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Kryeministri Mustafa, nuk bisedon me askënd, për Trepçën

Kosova, përvoja ndërkombëtare për Trepçën

February 5, 2016 by dgreca

-Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare në rastet e ngjashme me Ndërmarrjen Trepça/
-Është miratuar edhe propozimi për themelimin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut/
-Qeveria e Kosovës falënderon Parlamentin Evropian për vlerësimin pozitiv lidhur me progresin në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, duke apeluar që të bëhen veprimet e nevojshme në mënyrë që kosovarët të udhëtojnë pa viza gjatë vitit 2016/
Nga Behlul JASHARI/ PRISHTINË, 5 Shkurt 2016/ Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare në rastet e ngjashme me Ndërmarrjen Trepça. Kjo do të shërbejë në hartimin e Strategjisë dhe të Ligjit për Trepçën, gjigantin e ekonomisë kosovare.
Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë zhvilluar takime me të gjitha palët e interesuara lidhur me Trepçën dhe janë ndarë disa prej detyrave që të punohet në transformimin e Trepçës.
“Është një orientim që ne të kemi studime të rastit, të kompanive të ngjashme me Trepçën, në mënyrë që ato t’i marrin si modele gjatë hartimit të Strategjisë dhe të Ligjit për Trepçën. Këto mjete, janë të destinuara për ato qëllime”, tha kryeministri Mustafa.
Krahas reformave substanciale që ka bërë, qeveria e Kosovës ka theksuar se tani do të fokusohet në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës, Trepçës.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës është miratuar edhe propozimi për themelimin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Edhe vendimi që të kërkohet rekomandimi i Presidentes së Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit Ministrit të Integrimit Evropian, për nënshkrimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka marrë miratimin e qeverisë.
Kabineti qeveritar është informuar për rezultatin dhe rekomandimet nga takimet e Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociim për Drejtësi, Liri dhe Siguri dhe Inovacion, Kapital Njerëzor, Politika Sociale dhe Shoqërinë Informative, që janë zhvilluar nga 26 deri më 28 janar 2016 në Prishtinë.
Në mbledhjen e sotme, qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Ibrahim Makollin, kryetar të delegacionit të Kosovës për bisedime në çështjen e personave të zhdukur.
Me kërkesë të kryeministrit, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka njoftuar kabinetin qeveritar në lidhje me procesin e plotësimit të tetë rekomandimeve të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Sipas ministrit Bekim Çollaku, nga tetë rekomandime, gjashtë janë plotësuar ndërsa dy janë në proces. Ministri Çollaku është shprehur i bindur për një vendim meritor për liberalizim të vizave nga ana e Komisionit Evropian.
Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 73-të, të gjashtën në vitin 2016, të cilin e nisi me dy mbledhje brenda ditës së 8 janarit. Në mbledhjen e kaluar, në 29 janar, qeveria ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në 17 shkurt.
Mbledhja u mbajt një ditë pas miratimit nga Parlamenti Evropian të Rezolutës për Kosovën, e cila, siç thekson deklarata përshëndetëse e qeverisë, përmban kërkesa të qarta për avancimin dhe shpejtimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës.
Qeveria e Kosovës falënderon Parlamentin Evropian për vlerësimin pozitiv lidhur me progresin në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, duke apeluar që të bëhen veprimet e nevojshme në mënyrë që kosovarët të udhëtojnë pa viza gjatë vitit 2016.
Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron hap shumë të rëndësishëm gatishmërinë e Parlamentit Evropian për të dhënë pëlqimin pas rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, si dhe ftesën drejtuar Komisionit Evropian që të ndërmarrë një hap të tillë sa më shpejtë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur mirënjohje të posaçme për përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke pas parasysh edhe faktin se në këtë rezolutë është përsëritur thirrja e europarlamentarëve për pesë shtetet e mbetura të BE-së që të njohin Republikën e Kosovës.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
*Foto Gazeta DIELLI –Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhje, 5 shkurt 2016

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosova, për Trepçën, përvoja ndërkombëtare

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT