-Kryeministri Mustafa kërkon përkrahjen e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara për Kosovën/Nju Jork, 23 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në Nju Jork, po zhvillon takime me drejtues të shteteve të ndryshme të botës.Gjatë ditës, kryeministri Isa Mustafa, ka takuar presidentin e Naurusë, Baron Waqa, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen e deritashme, duke kërkuar mbështetje të mëtejme për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.Kryeministri Mustafa, po ashtu, mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Gambisë, e nënshkruar nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Jashtme e Gambias, Neneh MacDouall-Gaye.Gjatë një takimi me sekretaren të përgjithshme të Frankofonisë, Michaelle Jean, kryeministri Mustafa kërkoi përkrahjen e Frankofonisë për Kosovën në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe për procese tjera zhvillimore.
Kryeministri Mustafa u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për të drejtat njerëzore të personave LGBTI, Randy W. Berry, ku u theksua përkushtimi i Republikës së Kosovës për garantimin e të drejtave të të gjithë njerëzve pa asnjë dallim.Kryeministri Isa Mustafa, ka mbajtur edhe një ligjëratë në Universitetin prestigjioz St.John’s, ku para shumë studentëve dhe profesorëve ka folur për Kosovën, të kaluarën e saj, zhvillimet e fundit si dhe për progresin e gjithanshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës. Kryeministri Mustafa ka diskutuar dhe është përgjigjur në interesimet e shumë pjesëmarrësve, duke sqaruar proceset kryesore që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, zhvillimin ekonomik, integrimet euroatlantike e shumë procese të tjera.