• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

XHEVAHIR SPAHIUT NE 70 VJETORIN E LINDJES

March 2, 2015 by dgreca

Nga Përparim Hysi*/
XHevahir Spahiut*/
Xhevahir Spahiu! Xhevahir SKRAPARI!/
Tek ti është Poeti; është dhe luftëtari./
Në një anë Poeti, në tjetrën Njeriu/
Me gërmë të madhe: Xhevahir Spahiu!/

I përbuze dredhat, mbroje veç të drejtën/
Në rrugën e sheshtë kërkoje “përpjetën”/
Ndaj u “rebelove” dhe shkove në Vlorë/
Nuk të trembi ndjekja: s’pyete për terror./

Kupolë e Mesjetës dërgoi “kapuçinjtë”
Mbi kurrizin tënd varda ranë shkopinjtë.
Të goditën, Xhevo, me grusht harbutërisht
Ty që ishe ëngjëll; je Budë e je Krisht!

Krisht për fjalë të lirë ( pa shtypje e dhunë)
Që të ndihemi mirë( si ti,edhe unë)
Farën e urrejtjes mbolle për pushtetin
Seç e le rehatin, se zgjodhe Poetin!

Dhe gatove vargje në magje revolte
Helm për diktatorët, pjellë të çdo epoke.

* e botuar në librin tim “Regëtimat e dashurisë” f.185

Fier, 3 prill 1997

Lutje ZOTIT! *

( Miqësisht, Xhevahir Spahiut)

O ZOT! Të lutem, ktheja “Fjalën” Poetit!
Se Poetit i duhet fjala.
Fjalën hiqua atyre që Parlamentit
Na mbushën me përralla.

Përralla me mbret mu në mes të ditës
Kurse Poeti fjalën e ka me kursim
Atyre ua hiq,se janë pa kokrrën e kripës
Kurse Fjala e Poetit është krejt si rubin.

I duhet Fjala Poetit, o Perëndi
Se Poeti është tribun pa bërë fushatë
Në vargje Poeti mëkon dashuri
Dhe vret ne fjalën e tij njerëzit me shpirtin natë.

Emrin e ka Xhevahir… dhe është xhevahir
Në vargje i tillë: i tillë dhe me zemër
E presim të kthehet si djalë i përtërirë
Dhe ç’shkruaj, e ëdshiroj me zemër.

Nuk e dua vetëm unë, po janë me mijëra
Se të të duan me mijëra, nuk është pak
Mu në veshin tënd, Perëndi, kjo fjalë, imja
Që të vijë e të na flasë , Xhevua Fjalëmjaltë.

* me rastin e paralizës
Botuar tek libri im”Njerëz që dua” f.51

Florida, 27 prill 2009

Xhevos për 70-vjetorin e Ditëlindjes*

70-vjet për ty? A s’janë fare pak?
Ku të gjejmë një tjetër me vargun e mjaltë.
Kur të shoh të qeshur tek kafe “Evropa”
Më hipën një gaz, sa dua të marr “hopa”

Hopa si çunak, aq më hipën shendi
E, i bardhi fat! Sakaq më ik helmi
Helmi që dikur buzën seç na qepi
Por Zoti të pa, dhe t’u kthye shendi.

Rreziku i zi, iku pak nga pak
Kur të shohim Xhevo, sikur marrim flakë
Jo vetëm unë ( të gjithë sa të njohin)
Zënë e të qafojnë sikur zemrat ngrohin.

Ti vetëm buzëqesh… e ku ka më bukur?
Të shohim të qeshur dhe ndihemi të lumtur
Mbushe 70-vjet! Të mbushësh një shekull
Me Fjalë e me varg, gjuha pret hekur.

E, mor Xhevahir! Si emri dhe vargu
Kur të lexojmë, valë na bëhet gjaku
O Poet i bukur që sot ke DITËLINDJEN
100-vjet gëzim ( bashkë dhe me familjen)

* enkas për 70-vjetorin e lindjes

Tiranë, 1 mars 2015
* Poezitë e mia kushtuar Xhevahir Spahiut

Filed Under: LETERSI Tagged With: 70-vjetorin, e lindjes, perparim Hysi, XHEVAHIR SPAHIUT NE

Një meshë për “alienin” e Poezisë Mbarëshqiptare

February 16, 2015 by dgreca

In memoriam, Frederik Rreshpjes/
Nga Përparim Hysi/
Dua të shpjegohem: jam mëdyshur e mëdyshur, në është “alien” Frederik RReshpja dhe përgjigja vjen vetvetiu: po “alien” ka qenë se nuk ka se si të jetë ndryshe. I shikon poezitë që na ka lënë si trashëgim dhe nuk ke se si mos mahnitesh. Të lënë me gojë të haptë se nuk gjen notë që ta vlerësosh. Njëra poezi më e bukur se tjetra. Dhe thotë diku “alieni” Frederik: – Unë shkruaj se jam i trishtuar. Pra, ky poet unik, sikur e shtrydh me duar trishtimin që kurrë nuk iu nda nga pas, si një atavizëm apo si një apendiks.
Çudia është se nga kjo “shtrydhje” vjen e buron një verë e pastër poezie, nga e cila nuk ndahesh dot.
***
Mos kujtoni se po shkruaj me apriori?! Pëprkundrazi. Do tentoj që t’u vë përbri këtij shkrimi modest, atë verën kristaline të poezisë aq të zgjedhur. Po kush mund të shkruaj kaq bukur? Kaq artistikisht si ai? Askurkush: nga poetët e sotëm dhe të djeshëm. Rreshpja vinte nga Shkodra, nga ky qytet-djepkulture, dhe qe si një vazhdimi bukur i një Fishte apo Mjede. Qe vazhdim i më të bukurit poet që patëm në vitet ’30-të; pra, vazhdim i Migjenit. Ai e ktheu poezinë në një “tempull” ku nuk mund të shkelnin të gjithë. E dinte mirëfilli vlerën si poet, por dinte të vlerësonte dhe të tjerët.
-A ka poetë të vërtetë në Shqipëri?- e pyesin në një intervistë.
-Pak. Shumë pak. Sadik Bejko dhe Faslli Haliti dinë të shkruajnë poezi. Dhe qëllon drejt e në shënjë: që të dy këta poetë aq të mirë, dolën me “ftomë në biografi”, siç do ta pësonte dhe i miri dhe i shënjti, Frederik RReshpja. Do provonte edhe më keq se ata që citova më lart: 17-vjet burg nuk janë pak. Këtë burg Rreshpja e bëri një pjesë në regjimin që iku dhe, ç’është më e keqja, u burgos dhe në kohën e demokracisë.
Dhe, kur e pyesnin se kush të futi në burg? Ai,pa u menduar gjatë, thoshte:- Shokët! Ata m’i vunë prangat. Shiko se si shkruan në një poezi:/ skllevër mosmirënjohës, ju deri dje/ te këmbët e diktatorit jeni shtrirë/ dhe me broncin e thyer/ do ngrini bust për diktatorët e rinj/. Është i drejtpërdrejtë dhe nuk lë vend për ekuivoke.

Mos qe pak i njëanshëm, Poeti? Sa kam vënë re unë (aq sa kam lexuar nga ai), ai, kur gjykon për poezinë apo për kolegët tek Lidhja e Shkirmtarëve, është shumë i kthjellët. Shprehet me superlativa për Dritëronë dhe di të vëjë pikat mbi i:- Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, është një mrekulli.

* * *
Para se të kaloj tek ndonjë përshtypje e veçantë për të, do t’u lutem lexuesëve që të shijojnë poezinë e këtij Poeti që unë e kam quajtur Princi i Lirikës Shqiptare:

Requem
Noton në përrua me gjethet mbështjellë
Një ditë e bukur vjeshte
Dhe shtërgët e fundit shkuan të ngrirë
Mbi sytë e verdhë në heshtje.

Ose…
Të prita, të prita
Derisa çelën kameliet e mortjes tek porta
Ti mblidhi dhe bëj një kurorë
Për mua që deri në vdekje të prita

Për gjithmonë
O ajër i mbrëmjes mbështillëm: erdhi ora të vdes përsëri
Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë det.
Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në stere.

Shkoj dhe shirat po i lë të kyçura
Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që dua.
Unë kam qenë trishtimi i botës
O ajër i mbrëmjes, mbështillëm! Erdhi ora të vdes përsëri.

Nëse ndaloj tek jo poezi, dua të theskoj qëllimin e këtij shkrimi modest. Rreshpja nuk vdiq. Rreshpja (më dridhet dora kur shkruaj kështu,se me aq emocione jam mbushur!)
ngordhi. Sado e ashpër e brutale është kjo folje, por është e vërtetë. Pa bukë, pa strehë, pa pension u la si një barbon që të këpuste shpirtin. Kam qenë në Florida atë kohë dhe e kam ndjekur fundin aq tragjik të këtij “ALIENI” të papërsëritshëm. Nga aq sa kam lexuar, më ka mbetur në kujtesë ç’ka lënë me shkrim, kompozitori i bukur austriak,Franc Shubert:e zezë mbi të bardhë:- Është e tmerrshme të vdesësh nga uria! Shuberti vdiq (ngordhi) më 19 shtator 1828, sapo kish mbushur 31-vjet. Rreshpja vdiq më 17 shkurt 2006. Qe, kur vdiq, 66-vjeç. Por delja e zezë,- thotë populli,- ngordh e zezë. Ky Poet kaq i lavdishëm,sa nuk ka shok në poezi, u varros vetëm nga dashamirët e tij që nuk iu ndanë në atë varfërinë proverbiale të tij. Sa më erdhi keq që vdiq (më keq se De Rada me cironkën e tymosur në xhep), aq u revoltova me pushtetarët. Rreshpja vdiq i varfër dhe i rrethuar nga miq të tillë, si: Moikom Zeqo, Shpëtim Kelmendi, Riza Lahi, Skënder Drini dhe plot dashamirë të poezisë së tij të bukur. Mes tjerash, shkrova poezi dhimbjeje për të, ku në “vija të trasha”, anatemoja ministrin e ç(kulturës- të asaj kohe). Ja se si i shkrova:

Iku Poeti i bukur dhe pas la një zbraztësirë të madhe
Braktisja e Poetit, për ju është veç turp!
Se ai qe Prici i Lirikës Shqiptare
Ministër i kulturës! Haje turpin me bukë.

Dhe ministri vërtet që e hëngri turpin me bukë. Ndodhi që në atë muaj të vdisninhe tri figura qëbënin nder vendit, si: Ibrahim Kodra, Kel Kodheli dhe Vath Korreshi, U bë një homazh me nismën e ministrit të ç(kulturës). Koncerti-homazh, sipas shënimeve që mbaja, është mbajtur më 28 shkurt 2006. Rreshpja u la “prapa listës” si ai personazhi butaforik e estradës së Fierit, Lipe Shtogu.

Ja se si i jam drejtuar që andej këtij mininistri-eunuk.

….. ndoshta, ende nuk e ke marr vesh
Se bashkë me ta, iku dhe RReshpja!
Mos kujto, ministër, se ende ka sylesh
Ndaj për këtë homazh, s’më rri mirë festja.

Si mund të harrohet një lirik aq i bukur
Që aq vjet të rinisë i kaloi në qeli
Ti nuk je ministër, por eunuk kungull
Kur anashkalon një Poet si ai?

Prapavija e kësaj “harrese” është e lexueshme
Se Liriku i Bukur qe opozitar
Zoti Ministër! Nuk ke bërë gjë më të turpshme
Ky qëndrim i yt: shpirtin ma kthen në acar!

28 shtator 2006.

Natyrisht,as ministri dhe askush nuk u skuq nga fjala ime. Të paturpët nuk kanë turp.
Dhe unë nuk rresht që të shkruaj e të shkruaj për të. Nesër ai ka ditën e tij. E meritonte një meshë, po se po, si një katolik i mirë që qe, por jam i sigurt: askush nuk do të kujtohet për të. Ministrat e kulturës zënë e dmonstrojnë focë, se, gjasme, po bëjnë risi apo thagma. Ai që zëvendësoj këtë për të cilin është poezia ime, bëri një punë të “paqme”: prishi klubin e LIdhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe “zografiti” me daltë një basoereliev ku evokonte veten si madei in kokë. Jo më vonë se sa dje, Kolec Traboini, e lakonte ministern e kulturës si “talebane”: prishi kinostudion,- thotë Traboini. Dhe mirë e ka. Po në fund të fundit, kush pyet për Poetët? Qeveritë venë e ikin dhe askush nuk kujdeset për krijuesit. Një Poet,- them unë,- ka vdekur, nëse lëpin jargët e pushtetit. Poeti është luftëtar dhe në opozitë me pushtetin. I tillë qe RReshpja. Ai që këndoi më bukur se kushdo:
… verës që shkoi/ kaloi një stap që u bë shelg tek përroi i vjetër. Ose kush më bukur se ai këndoi për dimrin: “Bie dëborë. Rënkojnë qerret e lodhura si një kor tragjedish antike/. Apo gjeni të gjashmin:/ luanët e thyer të fëmijërisë/ pinë ujë tek pusi i vjetër/ mbi zjarrin e trëndafilave/ ngroh duarët Saadiu me turbanin prej vese. Dhe mund të vazhdoja të shkruaj për të. Dhe, tek e mbyll, them: kurrë nuk është vonë që të vlerësohet ky Poet kaq i bukur. E pakta që mund të bëhet për të, të krijohet një çmim letrar me emrin: Frederik RReshpja. Kurrë nuk është vonë të ndreqësh, ç’është prishur në kurriz të tij. I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Tiranë, 16 shkurt 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: mbarëshqiptare, Një meshë, për "alienin" e Poezisë, perparim Hysi

SHËN VALENTINI NË VARGJE- RAIMONDA MOISIU DHE PERPARIM HYSI

February 13, 2015 by dgreca

Nata e Shën Shpirtit/
nga Raimonda MOISIU/
Mezi pres natën e Shën Valentinit,/
atë natë që ka aq orë, sa netët e shkurtit,/
por unë dëshiroj të mos mbarojë kurrë,/
duke harruar edhe lindjen e diellit!/
Atë,/
natën e Shën Valentinit,/
të vetmen natë në netët e mia,/
natën e Shën Shpirtit tim./
Unë dua të më mbërthejnë prangat e ledhatimeve,/
dhe përskuqja e puthjeve të nxehta,/
si trëndafilat e Shën Valentinit./
Mezi pres agoninë e puthjeve,/
të magjepsura nga nxehtësia e tyre,/
të shkrijnë acarin e shkurtit./

Mezi pres të marrësh peng përhumbjen e syve të mi,
ndriçimin e tyre të qeltë e të gjelbër,
si blerimi në pranverë,
t’i japë dritë errësirës.
Të zbukurojmë bardhësinë e çarçafëve,
me aromën e kurorës së shpërthimit
t’u japë frymë trëndafilave të ndezur,
në kopshtin tim.

Jashtë bien qeparisët e flokëve të borës,
si nostalgjia e syve të qelqtë,
atë pranverë të parë, teksa çelje lulet e përgjumura,
në livadhin e mermertë si bora.

Mezi pres të ngrohim me frymën e ofshamave,
qeparisët dhe
t’i tretim në shtratin e virgjër të dëshirave,
kur hëna zbret në dritare e na shikon.

Mezi pres strehën e hajthshme të duarve tua,
në mashtrimin e brishtë të trëndafilave të bardhë,
që lulëzojnë në zjarrminë dehëse,
nën hutimin e diellit të mëngjesit,
nën fëshfëritjen e gjetheve ledhatuese,
që unë i dua kaq shumë,
jo vetëm në një natë me Shën Valentin,
për Shën Shpirtin tim.

Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA

SHËN VALENTINI NË VARGJET E MIA

( cikël me poezi)

Nga Përparim Hysi

Mirëse erdhe SHËN VALENTIN!

As e dinim nëse kishte, ditë si kjo: e dashurisë!
E panjohur fare ishte ( si dhuratë erdh prej demokracisë).
E festuam ne së pari veç pas viteve nëntëdhjetë
Se i mprehtë qe “hanxhari”, një hanxhar made in Mesjetë!

S’ka ç’na duhet “brishtësia”, është e huaj dhe me “njolla”
Tek ne ndryshe dashuria (ndryshe të zinte kolla?)
Po ku kish Shën Valentin (shën partia dhe Enveri)
Ferrobeton dhe dashuria që armiqtë t’i zijë tmerri!!!

S’kam pse vazhdoj më tutje, brezi ynë qe i pafat
Qe një kohë e mbushur “turpe”;qe një kohë mbushur gjezapë
Dashuri veç për partinë dhe, patjetër, për Enverin
Dashuri për dashurinë?! Nëse kërkoje “sherrin”.

14 shkurt 1992

A të kujtohet?

A të kujtohet,e bukura si yll?
Qe 14 shkurt kur u futëm në pyll.
Paska qenë Shën Valentin kur hymë atje
Por hiç nuk e dinim( e morëm vesh,tash,se…

Se kjo “Ditë Dashurie” qe mbajtur e fshehtë
Se dhe dashuria do bërë me “recetë”
Shën Valentini “ish festë e burgjezisë”
Dhe në dashuri: me mësimet e partisë.

Ndryshe dashuria jonë, ndryshe burgjezia
Po ne qemë “etalon”,se na “bekonte” partia
Vij vetëm tek pylli,kot sa për nostalgji
Sot është SHën Valentini! pa shih: ç’dashuri!

Dalin me buqeta, dalin me dhurata
Ka ikur mesjeta, e keqe si nata
Zënë puthen çiltër; çlirojnë ngrohëtsi
Përzënë çdo dimër! Kumbojnë dashuri!

14 shkurt 1996

SHËN VALENTINI

Erdhi! Erdhi Shën Valentini! Çiftet zbresin dy nga dy
I shikon Përparimi! Ah. që s’jam dhe unë i ri!
Dorë për dorë janë kapur, njëri-tjetrit i shtien çikë
Unë, tani, jam flokëzbadhur, por zili i kam njëçikë.

Këngë e valle zënë e hedhin, edhe puthen hapur fare
Unë i shoh dhe më shtojnë shendin (si me ta po hedh “valle”)
Sado jam azmatik (mezi mbushem unë me frymë)
Entuziazmi seç më mpik: ta gëzojnë Shën Valentin!

14 shkurt 2000

Ah, kjo “Dita e dashurisë!”

Ah, kjo “Dita e dashurisë” të vë flatra, të vë krahë
I hip delli pleqërisë, si të rinjtë të bëjë sevda
Kur shoh çiftet që po puthen se kanë Shën Valentinin
Unë i shoh dhe pak krrusem (se ka “cipë” Përparimi???)

Pse s’ dëgjojnë Përparimi që i ka mbetur ora prapa
Por festojnë Shën Valentinin sikur “lozin hapa-dollapa!
Puthen hapur dy nga dy dhe s’e kanë fare për pesë
Dhe çlirojnë ngrohtësi, sikur kanë vënë krahë si shpezë.

Kohë e re, or tunjatjeta! Kohë e re dhe janë të lirë
Ja tek shkëmbjenë buqeta, unë i shoh dhe ndihem mirë
Kthehem prapa unënë kohë, kur Çeçua kish biçak
Dhe regëtij e po bëj oh! Se regjimi qe farmak.

14 shkurt 2010

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: - RAIMONDA MOISIU DHE, NË VARGJE, perparim Hysi, Shen Valentini

Rrëfenja gazmore për ditët me shi

February 6, 2015 by dgreca

Nga Përparim Hysi/

E mbaj mend mirë: në ditët me shi, në fshat, mblidheshim pas oxhakut dhe të mëdhenjtë tregonin ngjarje apo përralla. Disa prej këtyre rrëfenjave i kam përjetuar dhe, si të tilla, po i sjell për lexuesit. Unë besoj se kemi nevojë që dhe të qeshim ndopak.
Dervishi
Këtë rrëfenjë nuk e kam të përjetuar. Ma ka treguar babai që ishte bektashi dhe këtë dervishin bektashi e kish njohur, kur jetonim në Skrapar, se nga Skrapari ishin prindërit e mi.
Dervishi kish shkuar në një gosti dhe, tek pritej që të shtrohej darka, kish thënë para gostiarëve dhe të zotit të shtëpisë:- Dëgjo ti i zoti i shtëpisë, por ta dëgjojnë dhe të tjerët. Unë për darkë nuk dua bukë, por vetëm një pulë të pjekur!!! Or, baba dervish,- ia kish pritur një besimtar hokatar,- po qenke keq nga mideja zotrote?! Po unë, po të kem një pulë të pjekur përpara për darkë, më ngrëntë goja një mut, në kërkoj gjë tjetër… Të gjithë ranë përmbys nga të qeshurit dhe qysh prej asaj darke, dervishi e preu atë kërkesën si ekstra.

Dy Dervishët
Këta të dy kanë emrin Dervish. Nga besimi dhe këta qenë bektashi. Por ç’do rrëfej për ta, nuk ka të bëjë me besimin, por me kondicionin e tyre a më tepër huqin. Që të dy qenë nëpunës para nëntëdhjetës dhe qenë kushërinj. Pra, me raste bëheshin familjarisht me njëri-tjetrin. Prej natyre, qenë hokatarë të mëdhenj dhe, kur bëheshin bashkë, njëri hidh e tjetri prit, si në atë garën: më i shkathti, më i shpejti. Që të dy, i kam njohur nga afër dhe, ç’ka do sjellë për ju, e kam nga goja e tyre. Për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesin, për t’i dalluar, njërin po e quaj Dervishi i madh ( në fakt, qe më i moshuar nga tjetri) dhe tjetrin, Dervishi i vogël. Të dy banonin në qytet, por në lagje paksa larg nga njëri-tjetri.
U sëmurë Dervishi i madh dhe Dervishi i vogël i thotë të shoqes:- Merr një trastë (asi kohe nuk kishte qeska në dyqane) se do shkojmë tek Dervishi se është i sëmurë, në shtëpi. E mori trastën e shoqja dhe, tek ecte krah të shoqit, kur u afruan tek pazari, i thotë:- Hë, do kthehemi që t’i blejmë ndonjë frut apo jo? Lëma mua këtë punë,- tha Dervishi i vogël. Vazhduan rrugën, hapën deriçkën e oborrit (Dervishi i madh kishte shtëpi përdhese) dhe, kur hynë në oborr, Dervishi i vogël hipi në portokallen e vetme që kish Dervishi i madh. E mbushi atë dingas dhe bashkë me të shoqen hynë tek i sëmuri. Ky qe vetëm në shtëpi (e shoqja nuk qe aty). Sa hynë brenda, Dervishi i vogël, tha:- Epo të shkuara! Mandej, i zgjati trastën me portokalle. I madhi, sado i sëmurë që qe, nga goja qe brisk. Ore, maskara,- i foli gjysëm me të qeshur dhe gjysëm me të ngjeshur,- po portokalle më bie ti mua, kur portokallen e kam në oborr.
Aha, mos u mërzit,- ia priti po me shpoti i vogëli,- se, kur të iki, i marr me vete unë.
Dhe kështu bëri vërtet. Kur u ngrit i sëmuri për të dalë në oborr, hodhi sytë mbi portokall dhe dha britmën:- Opo të di se ç’mall je, por të lumtë ty, kur nuk e mbajta trastën. Fjala mori dhenë dhe dy Dervishët jepnin e merrnin që t’i nxirnin “bojën” njëri-tjetrit.

Unë dhe babai

Prej natyre, babai im, ishte gazmor. Të skuqte duke të vrarë dhe me pambuk. Kurrë nuk e harroj kur më bëri për ujë të ftohtë vetëm me një fjalëgoje. Qeshë goxha, aty nga dyzet vjeçët. Babai kishte dalë në pension dhe mu para pallatit ku banonim, kishte marr sëpatën dhe po çante dru. Unë bëja sehir si të isha një snob anglez. Aty pari kalon një i moshuar sa babai dhe, pasi përshëndeti, shkëmbeu këtë bisedë me timatë.
– Hazis, çfarë po bën?
-Po çaj dru se është ftoht.
– Po Papi ?( kështu më thërresin të gjithë të njohurit)
Dhe imatë, flakë për flakë:- Pse kur do ma shohë hairin Papi apo kur të vdes?
Mua sikur më zuri pallati dhe, i turpëruar deri në majë të thonjëve, vrapova dhe hyra brenda.

* * *
Xha Myrtja

Xha Myrtja ka qenë një plak shumë i zgjuar dhe i kishte dukë fjala. Unë e kisha zakon që çdo mbasdite, pasi lija punën, e kaloja tek prindërit. Një pasdite, ballë për ballë me xha Myrten.
-Ku je nisur, të keqen xhixhaj tyja?
– Tek babai e nëna.
– Sikur nuk po të shoh gjikafshë në duar?!!!!
Unë i zënë gusht, i them:- Ore xha Myrte, pse të vegjël janë prindërit e mi? Dhe ai, flakë për flakë:- Digjo dhe ta kesh nasijet nga una. Pleqtë janë si fëmijtë. U vjen mirë që dhe një karamele po t’u shpiesh. Po ju, çunat, jini pak zullapër. Kurse cucat (çupat) t’i falë Zoti. I ke parë motrat e tua kur vijnë. Me duarët plot. Andaj thonë në Myzeqe, të keqen xha Myrtja tyja:- Kush ka pulën, i ha vezën. Kush ka gjelin, i ha gëlasat. Dhe, vërtet, që ma preu huqin.

Tiranë, 6 shkurt 2015

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dite em shi, perparim Hysi, rrefenje gazmore

Mëngjeset e bardha në kafe “Rostand”

December 19, 2014 by dgreca

(esse)nga Përparim Hysi/
Jam i magjepsur nga libri i fundit të Ismail Kadaresë dhe, tek do mundohem të jap përshtypjet e mia si lexues, nuk qeshë i zoti që të gjeja një titull të saktë dhe shtova veç epitetin të bardha. Se, kur thotë dhe imeshoqe: Kadare është si rrobë kadife: nuk mban qime! Shkurt: është vështirë që të flasësh për të. Vendos të heshtësh, po nuk të lë ai. Dhe ja tek më vijnë në ndihmë nja dy vargje nga Poeti i bukur Agim Shehu: “… rri, po nuk më rrihet/ se më vijnë mornica/”. Kështu që vendosa të them përshtypjet e mia.
* * *
E lexova me një frymë ” Mëngjeset në kafe “Rostand” dhe them (ndoshta nuk është vetëm imja kjo bindje) se ka shkruar librin më të bukur qëkur ka lënë Shqipërinë. Për kafenetë në Evropë dhe ca më tutje ku më ka çuar hera, kam parë e dëgjuar. Kafenetë vetëm në Shqipëri janë vend çeplendisjeje e më the të thashë, se jashtë është fare ndryshe. Në Florida ku kam jetuar jo pak, por 12-vjet, kish kafene nga të cilat nuk të bënte zemra të largoheshe. Kafe-librari dhe, në kishe nevojë për të dëgjuar muzikë, atje kishe kufjet, disqet dhe e ndjeje veten sikur në të njëjtën kohë ishe dhe në bibliotekë, por edhe duke ndjekur një muzikë dhome, simfonike apo klasike. Më mirë se kaq, nuk kish se si bëhej.
Për kafenetë në Evropë dhe sidomos në Paris kam dëgjuar prej kohësh. Aty, në Paris, gati 100-vjet më parë ka patur një kafe “Rotondo” ku mblidheshin shkrimtarë e artistë, sidomos nga emigracioni. Mblidheshin atje dhe, në shkoj me mend atje para gati 100-vjetësh, ndodh se edhe duke lexuar për Kafe “Rostand”, tak dhe më ravijëzohet një personazh emblematik: piktori italian me prejardhje hebre, Amedeo Modiliani. Atje Modiliani i madh sikur e kish ngritur “atelien” dhe bënte vizatime në kartë ( me laps, sigurisht), dhe i shiste fare “shtrenjtë”: qoftë dhe me një pjatë makarona nga pronari i Rotondos. Atje, veç tjerash, një ditë prej ditësh, u rrëfye “Hera që ngatërroi Perënditë” aliaz Anna Ahmatova një bukuroshe që, aq ia prishi mendjen Modilianit, sa ky, aty për aty, ia bëri portretin që, thonë, e panë të varur mbi kokën e një poeti tjetër të bukur, Aleksandër Bllok. Modiliani vdiq në përkorje. Pronari i Rotondos vuri pasje me pikturat e tij dhe të vjen që të vësh kujën, kur jo më vonë se vjet një pikturë e Modiliantit u shit 25 millionë dollarë!!! Por jo më kot nuk përmend Rotondon. Se kam edhe më. Në Rotondo dukej edhe Aleksej Tolstoi bashkë me të shoqen. Edhe filofrancezi rus, Ilia Ehernburg që, fare rastësisht, i shpëtoi gijotinës së Kobës (Stalinit). Pra, kafenetë në Evropë janë si “qela” ku mblidhen shkrimtarë e artistë. Nga kjo anë, them: dhëntë Zoti që kjo gjë të arrihet dhe në Shqipëri. Kjo dëshirë nuk duhet të jetë vetëm imja. Aq më tepër kur të vetmin klub që kishte Lidhja e Shkrimtarëve e mbylli ish ministri i ç(kuturës), Ylli Pango, dhe e zhbëri për të mos u bërë më. Shkrimtarët bredhin si “çifutët në shkretëtirë” dhe akoma nuk ka dalë një Moisi që t’i shpëtojë. Po kështu kryetari i fundit i Lidhjes bredh duke mbajtur në çantë “tapitë” dhe vulën e thatë. Pak paradoksale, por është e vërtetë.

* * *
Thonë që njeriu plaket duke nxënë. Kësaj thënieje do t’i shtoja vetëm kaq: gjithmonë ka vend për të ndryshuar bindjet. Kur them kështu, nuk flas me apriori. Si një lexues që nuk kam lënë pa lexuar (dhe blerë) qoftë dhe një vepër të Kadaresë, kam patur bindjen që veprat që shkroi, pasi la Shqipërinë, nuk e kishin atë tharmin dhe magjepsjen. Mirëpo ja tek lexoj këtë librin e fundit: “Mëngjeset në kafe “Rostand” dhe bindjet bien. Përmbysen dhe, sado që kam dy ditë që e kam lexuar, nuk ndahem dot. Bëhem agravues po nuk e pashë atje, mbi tavolinë, dhe jo vetëm kaq: jap e marr sikur kam rënë në dashuri. Është kthyer tek unë adoleshenca. E lexoj, i rikthehem dhe prapë më bëhet se dua të them diçka dhe nuk di nga ta nis. Vërtet që libri hapet me ” Mëngjeset…”, por këto mëngjeset u ngjajnë atyre përrallave të “Njëmijë e një netëve” kur Shehrezadeja vinte në gjumë sulltanin. Në një gjuhë kafeneje: “Mëngjeset…”, janë si kafe me bisht.
Tek lexon, befasohesh: e sheh shkrimtarin herë me kobure si Isë Boletinin në Londër dhe herë përbri emrash që të trondisin: “… qe një afishe ku lexoje Shekspir, Miler dhe Kadare… Sikur vetëm kaq, nuk do qe pak. Pastaj, pak nga pak, je dëshmitar i ngjarjeve pa preçedentë: Kadare do dekorohet a do shpallej si anëtar akademie dhe, për turpin e Sqhipërisë, “koksit që mos ta kenë kokën”, përtonin që të assitonin në këtë ceremoni që i bënte nder Shqipërisë më shumë. Pohimi: “Nuk më duan as të majtët dhe as të djathtët” është rrufe në qiell të kthjellët. Tek lexoj, e zezë mbi të bardhë, këtë pohim tronditës, më vinë ndër mend vargjet nga “Visaret e Kombit”( në pastë menden, me ma korit fisin/ gjujma re, njitash, me kokërr rrfeje”). E meritojnë këtë rrufe mbi kokë të gjithë ata shtetarë që e lanë vetëm Kadarenë në atë moment ku, veç tjerash, nuk u luajt himni vetëm e vetëm për këtë nonsens fare të pakuptimtë.
E gjej me vend që të them. Në Turkmeni ku ka vlerë të çmuar ujë, ka një porverb: “Burimit ia dimë vlerën vetëm kur thahet”. Për fat të mirë, Kadare për mabrëshqiptarët, është një burim që kurrë nuk do të thahet. Aty, në kafe “Rostand”, përmjet penës së autorit, has dhe në shkrimtarë të dëgjuar të kohës: ja Le Clezio që nuk ndahej nga Modiano… derisa i pari mori çmimin Nobel dhe, thuaj,se “lidhja” u prish. Modiano nuk është askush tjetër po frnacezi Patrick Modiano që, siç lexojmë, jep e merr me Kadarenë deri për një vizitë familjare. Me sot, me nesër, duket vizita nuk është bërë dhe ka një përkim të çuditshëm: dhe Modiano, dhe Kadare janë nominuar për Nobel.
Kadare për herë të tridhjetë ( vini re: për herë të tridhjetë dhe Modiano për herë të parë). Ku ta dinte Kadare që, ndërsa libri priste dritën e botimit, Modiano në tetor të këtij viti mori çmimin Nobel. Hë, dhe diçka tjetër: sado francez, ky, Modiano, po paskësh pika gjaku (kushëri i largët) me atë Modilianin e “Rotondos”. E, ndërsa Kadare,e pati për të tridhjetën herë, unë, si pak “kumarxhi” që jam, them: -Tridhjettë e njëshi merr paratë! Urimi im në vesh të Zotit!

* * *
Se ku kam lexuar:” Prozatorët e mirë lindin nga poetët e këqij”. Në rastin Kadare, kjo sentencë bie. Kadare ka qenë Poeti më i bukur i Letërsisë Shqiptare dhe nuk e la poezia atë, po qe Kadare që la poezinë. Sa për mua, bëri pak mëkat: sa shkroi poezi, ai qe më i paarriri. Iku si një poet i bukur dhe u bë edhe më i bukur me prozën e tij.
Këtu tek “Kafe Rostand” të ngre mendjen. Nuk di se ku të qendrosh më parë: tek esseja për “Makbethin” apo tek “Requemi” për RReshpjen. Askush si Kadare nuk e ka “qarë” RReshpjen. Është një “requem” aq rrënqethës sa t’i ngre flokët gjemb; mishit ta bën kokrra dhe, qoftë të jesh dhe zemërgur, do të ligështohesh e do mbresohesh. RReshpja është ai Princi i Bukur që përfundoi si një barbon ku nuk kish ku të futte kokën.
* * *
Pak popullorçe: bakllavaja hahet në fund. Në po tentoj që të shkruaj diçka për kafen “Rostand”, dua të jem i drejtpërdrejtë: ma ka bërë mendjen çorap dhe tërë natën nuk e bëj gjumin rehat nga “Kukulla” alias “portreti i nënës”. Është rrëfimi më emblematik, më i bukuri i shkruar në letërsinë shqipe. Më antologjiku. Më prekësi dhe më… që nuk mbarojnë. Ka të drejtë populli, kur thotë: ” Pas çdo të keqe, ka dhe ndonjë të mirë”. Parë me këtë sy, unë them: Kadare, po të jetonte në Tiranë, kurrë nuk do shkruante ( më drejt: kurrë nuk do ta jetërsonte kështu portertin e nënës.). Me “Kukullën” ai vjen aq i bukur,aq njerëzor, aq tokësor dhe i vërtetë, sa nuk i gjendet shoku jo vetëm në Shqipëri, po dhe në botë. Dhe mos kujtoni se po hiperbolizoj. Kadare i ka ngritur nënës monument. E ka treguar ashtu si është: pa makiaazh; pa atë parfumin që mbante në sepete, si nuse e porsaardhur që ia rrëmbyen gjermanët. E ka rrëfyer që nga “çupëria” kur pa “atë” nga dritarja dhe “realizoi” dashurinë e parë!!! E rrëfen duke qenë “vikitmë” të një shtëpie të madhe që po e “ha”; e ka parë në “bankon e drejtëssë” (ziqit të familjes) në raportet vjerrë-nuse; baticat dhe zbaticat e këtyre gjyqeve qenë” lotët” e nuses kur e humbte gjyqin, dhe “mbyllja” në kat të dytë të vjerrës, kur ballanca (ziqi) anonte nga nusja. Sa jetë ka në këtë tregim! Të duket për një çast që nëna nuk është me këmbët në tokë. Tek mbyllet e stërmbyllet me vetveten, ajo bëhet aq e bukur dhe e papërsëritshme, me propozimin aq shpotitës: dua bisedime!!! Pa më gjeni diku të gjashmen! Dhe më tej: a nuk mundesh shkrimtari që ta retushonte këtë figurë dhe ta bënte nga ato nënat që rrezëlinin vetëm intelegjencë e mënçuri. Jo. Retushimet do ta prishnin të gjithë portretin. Ajo është “Kukull” dhe ashtu mbetë në gjithë tregimin. Dashuria nuk ka brirë.Kadare, pse e do sipas mënyrës së vetë, domosdo, na e jep këtë “Kukull” të gjallë, të bukur dhe, gati- gati, si një portret që nuk qëndron i varur në mur, po vete e vjen në gjithë sheshveprimin e tregimit. Jo më kot autori, e vë “Kukullën” që kërkon bisedime, përkrah figurash të tilla potente, të njohur nga të gjithë, si: regjisori Piro Mani që shkëmben mendime për tetarin dhe pikërisht, për “Përbindshin”. Apo ca më tej me kinoregjisorin Kujtim Çashku. A mund që t’i shmangte këto nga tregimi i tij? Patjetër. Do t’i shmangte, mendoj unë, po të jetonte në Tiranë. Po, kur vdiq “Kukulla”, shkrimtari ynë qe në Paris dhe vrapoi me gjithë Helenën që o ta ngjente gjallë, o , në fund të fundit, t’i hidhte një grusht dhe. Ai erdhi me një frymë dhe plotësoi një nga “kërkesat për bisedime”: të më varrosni me “atë”.
Natyrisht, as që më mbarojnë përshtypjet për “Kukullën”. S’ka monument letrar më të bukur. Kjo “Kukull” që, çuditërsiht, më ravijëzohet ngado që lëviz dhe më duket dhe si nëna ime dhe si të gjithë nënat që janë aq të mira.

Tiranë, 18 dhjetor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Mëngjeset e bardha, në kafe "Rostand", perparim Hysi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT