• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Princesha Dora d’Istria dhe vajzat Shkodrane

May 10, 2014 by dgreca

Një Zonjë e rrallë për zemrat e Shqiptarëve, u ngrit në piedestal nga personalitete më në zë të Evropës dhe Amerikës./
Dora d ‘Istria/
Shkruan: Pertefe Leka/
Lë të jetë,100-vjetori i Ditës së Nënave,proklamuar me 9 Maj 1914,nga presidenti Willson,një përkujtimore për të nderuar princeshen e gjithvirtytshme me origjinë shqiptare,Elena Gjika, e cila rrezatoi dituri në disa kontinente. Ajo qe nënë për një kohë të shkurtër por për një kohë të gjate nuk rreshti së shkruari për mbrojtjen dhe emancipimin e grave në Shqipëri dhe në botë. Shkrimtari i madh amerikan Longfellow,me krenari kishte shkruar me 1880:”Dora d’Istria energjikisht mbron të drejtat e grave” (“ I believe she strenuously maintains the Rights of Women”Nahant July 22,H.W.L.)
Ajo ,edhe për gratë Amerikane duhet të jetë një shembull I shkelqyer ,”Një yll brilant”
(To the women of America she must ever be a shining example,”a brilliant star”)
Ajo,në të vërtetë ishte bërë e njohur në rrethe të larta akademike, por fama e saj arriti deri tek njerëzit më të thjeshtë.
Për këte, mora shkas nga letra që vajzat shkodrane i drejtohen me admirim,mbretëreshës shpirtërore të tyre,Elena Gjikës.
Nderim
“Thone se je e ambël,e mirë,se zemren e ke të madhe po si të hollë ke menden ,bijë kreshnikësh,por edhe motra jonë;
Thonë se natyra yte asht e denjë per SKEPTER ,Prej njerit pol te tjetri,gjithkush kështu shprehet.E në zemrat arbnore tashma ke nji mbretni;Por na ,qi nuk kemi nji skepter ari,nji Fron…Nji Pende argjendi ,dhunti ta japim.Asht dhunti e vogël,nji mend;por difton sa të don e të nderon secili Arbnor!
Shkodër e Arbnisë”
2 Prill 1881
Vajzat shkodrane,me mirënjohje të thellë,ia dërgojnë shkrimtares së ndritshme, Princeshës Dora d’Istria,Nji Pendë Argjendi, me anë të A.Leonardo De Martino(1830-1923) prej Greci,M.O.
Kush janë vajzat shkodrane që e nderojnë me shumë respekt e admirim,motrën e tyre, Elena Gjikën.
Ato janë nxënëset e shkollës femërore që u themelue nga motrat stigmatine në vitin 1878,në Shkodër.
Këto institute u bënë një burim frymëzimi dhe emancipimi kulturor,por edhe një qendër për gjallërimin atdhetar të vajzave shqiptare.
Në ato shkolla pranoheshin vajzat e të gjitha religjioneve (myslimane e ortodokse dhe nga të gjitha viset shqiptare).Aty përfitonin jo vetëm një zhvillim kulturor por edhe pajiseshin me dije që të bëheshin të zojat me drejtue familjen dhe si rrjedhim të ishin të dobishme edhe për Atdheun.
Motrat Stigmatine,në Shkodër, nuk vepruan në një terren të zbrazët,Ato gjetën një qytet që kishte akumuluar dituri që nga lashtësia,kështu misioni i tyre si ndërlidhëse të kulturave,pavarësisht detyrave fetare, qe efektiv.
Me të drejtë është thënë se Shkodra është djepi i kulturës dhe i dijes dhe nuk është për t’u habitur se aty kanë filluar studimet shumë personalitete të shquara të kombit tonë,dijetarë,shkencëtarë,filozofë,poetë,arkitektë,fotografë shkrimtarë,piktor,kompozitorë etj.Disa prej tyre vinin nga ekstremi jugor i Shqipërisë,me religjione të ndryshme
Në Medresetë dhe bibliotekat e Bushatlinjeve, mori dijet e shkollës së mesme(pas mësimeve të para në Prevezë) eruditi nga Çamëria, Hoxha Hasan Tahsin(1812-1881), dijetar i shkallës botërore,pararojë i Rilindjes Kombëtare.
Po në Shkodër mori edukimin e parë në Kolegjin Jezuit Saverian,dhe në biblioteken e tyre shumë të pasur,Faik Konica,(1875-1942) një ndër figurat më të mëdha të kulturës shqiptare.
Pa lënë në harresë edhe numrin e madh të personaliteteve
shkodrane që janë të kalibrit botëror,si At Gjergj Fishta, promotor i edukimit femëror në shkollat stigmatine.
At Fishta,si drejtori i parë shqiptar i shkollës françeskane, zëvendësoi italishten me gjuhën shqipe në të gjitha lëndet mësimore.Me një zell të madh, At Fishta, i njohur si Homeri Shqiptar,përveç të tjerave shkruante edhe drama posaçërisht për vajzat e shkollës stigmatine.
Vetëm një të përmendësh,në mes të shumë e shumë dramave shqipe ose të përkthyera në shqip, melodramen “Shqyptarja e Qytetnueme”.Ishte krijim i Atë Fishtës, me pseudononimin Gegë Toska(vetëm nga ky pseudonim mund të njohësh Shqiptarin e Madh) .Pa hy në përmbajtje e në detaje,drama ka një domethënie të veçantë,emancipimin e vajzës shqiptare, edukimin dhe qytetërimin e saj nepërmjet shkollimit.
Për këte Fishta pohonte:”…Grueja do të jetë zojë e jo robneshë në shpinë e vet ……gruaja asht po njaj diell qe tue shndritë me urti e njerezi,shpinë robit do t’a kthiell…Shpirti i saj asht i njemendtë,bartës i dinjitetit dhe përgjegjësisë njerëzore,me fjalë të tjera ,shpirti për të cilin flasin të gjithë religjionet,profetët e poetët.
Në këto shkolla,përveç mësimeve fetare, merreshin njohuri nga kultura evropiane pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria.E veçanta ishte se aty mësonin për historinë e popullit tonë,për personalitetet e shquara të mbarë kombit shqiptar.

Nga kjo njohje vajzat shkodrane ia drejtojnë falenderimet dhe mirënjohjen, atdhetares më të ditur me origjinë shqiptare, Dora d’Istrias.
Këte prejardhje e paraqet më mirë ,poetesha vjeneze, Jozefina Knorr:”Elena jo vetëm rridhte nga një gurrë fort e kulluar shqiptare që ishte e shtrenjtë për shqiptarët, por edhe se ajo iu kushtua terësisht çështjeve te tyre”
Elena Gjika ishte e lindur princeshë (1828-1888,në Rumani,) e edukuar me pedagogë më në zë të Europës dhe e klasifikuar si enciklopedi e gjallë.
Ajo ishte një humaniste e pashoqe,një studiuse me visione të qarta politike në shërbim të popujve të shtypur të ballkanit e veçanërisht të Shqipërisë.Ajo ishte publiciste e shkrimtare përparimtare në lëvizjen kulturore të Evropës,me mendime progresive për emancipimin e gruas dhe barazinë gjinore.Pozita e gruas në shoqëri ka qenë pjesë e kërkimit të saj shkencor.
Mjafton të përmendim vetëm një prej shumë veprave të tjera, “Gratë e Orientit”, në të cilën, thekson edhe vlerat e gruas gege,gruas toske ,e veçanërisht të gruas çame nga ku kishte edhe prejardhjen nga nëna.
Ajo popullarizoi çështjen shqiptare në qarqet evropiane,përkrahu Rilindjen Kombëtare,duke mbajtur lidhje me veprimtarë të shquar si De Rada (109 letra)..etj
Ajo dha mendime të vyera për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Kur poetesha shkoi në Amerikë,me 1880,ndermjet shume personaliteteve amerikane takoi poetin Henri Longfellou(1807-1882),i cili e kishte shkruar poemën për Skenderbeun që në vitin 1873.
Në pritjen që shkrimtari i madh rezervoi për princeshën ishte shumë entuziast që po e nderonte Zonjën në fjalë në mes shumë të ftuarve (”We have a house full of people; and today a wallachian Princess, Dora d’Istria,is coming to dinner”)
Princesha me origjinë shqiptare,ishte shumë entuziaste për poemën “Scanderbeg” të Longfellou –t, të cilën me aqë mjeshtëri e përktheu,gjeniu i letrave Fan Noli në Boston me 1916
Ndër të tjera Princesha i foli me pasion shkrimtarit amerikan edhe për Shqipërinë e shqiptarët.Plaku i urtë Longfellou,pas shumë vlerësimesh, për Zonjën e mençur, për karakterin,për sjelljen,për paraqitjen dhe për gjithë formimin e saj, mbivlerësoi tek ajo, Thjeshtësinë,( the supreme excellence is simplicity) sepse aty lartësohej madhështia e saj.
Kur Princesha rumune me origjinë shqiptare u bë qytetare nderi e Athinës,ajo vizitoi në Miselengj,varrin e Boçarit duke thënë”U luta që të shoh një ditë të valojë mbi varrin e Kastriotit të Madh flamuri që ai e ka mbajtur me lavdi në njëqind beteja.Na u realizoftë kjo aspiratë”.
Ndërsa për Epirin ajo shkruante:”Grekët duhet të mësohen ta konsiderojnë Epirin për ate që është në realitet, domethënë të shohin në të Toskërinë dhe cilido që do të orvatet të vendosë mbi fatin e shqiptarëve pa pëlqimin e tyre, shpejt ka për t’u ndeshur me vështirësitë e pakapërcyeshme që është në kundërshtim me idetë e kohës sonë.”
Ajo ishte edhe piktore e shquar dhe alpiniste e guximshme.
Jo me kot Garibaldi e quan Elena Gjikën “Motra ime Trime”
E për këte kontribut mbarë kombëtar, vajzat shkodrane të edukuara në një institucion fetar,ku koncepti i mirënjohjes zinte pjesën më të madhe të kulturës së tyre,i kanë kaluar caqet e mirënjohjes individuale në mirënjohje kolektive.Ata kanë bashkuar firmat e 300 vajzave të varfra,por shumë të pasura në virtyte të larta,që ditën të vlerësojnë mendjen,punën,sjelljen,sakrificën e një atdhetareje shqiptare.

Kjo dashamirësi e tyre ka shërbyer si mjet ndërlidhes për të ofruar raportet njerëzore.Ato ishin shumë larg fizikisht nga Elena Gjika, por xhesti i tyre, sa njerëzor dhe fisnik u bë parim, u bë institucional,duke marrë vlerë universale të dobishme për njerëzimin.
Ky veprim njerëzor i vajzave në fjalë ka prodhuar shumë energji pozitive që vijnë të shumëfishuara deri sot tek ne.Ato i bënë një nderim jo vetëm institucionit të tyre,kulturës qytetare shkodrane por mbarë Shqipërisë duke lartësuar një zë të fuqishëm të kulturës evropiane dhe botërore.Ato së bashku shprehen mirënjohjen e tyre duke e ngritur princeshën në fronin e mbretërisë së diturisë, të fituar prej saj, si nga të rrallat gra që qëndrojnë në krye të inteligjencës,shqiptare,evropiane e botërore.
Ato e kishin mirëmenduar rolin e skeptrit mbretëror, duke I dhuruar, motrës së tyre vetëm një pendë,pa xhevahire dhe flori,por që simbolika e asaj pende ishte sa modeste aqë dhe e madhërishme.Parafytyroje Statujën e Elena Gjikes, me pendën në dorë si statuja e Jupiterit që mbante në dorë një skeptër.
E me të drejtë mbretëresha shpirtërore e vajzave shkodrane u përgjigjet denjësisht:
“E mora me mend pendën e bukur të shqiptareve të mia të dashura,të cilat do të kisha deshirë t’i përqafoja një ditë.Uroj që kjo pendë më e fortë se një skepter të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë,atdheut tim të nderuar”
Për ta pasur në qendër të kujteses,Dora d’Istrian, duhet të perjetësohet në vepra Arti siç bëri piktori arkitekt,Kolë Idromeno,i quajtur” Mikelanxhelo i Shqipërisë”,me portretin e Motres Tone.
Shqipërisë sot nuk i mungojnë artistët për ta përjetësuar bukurinë fizike dhe shpirtërore të mbretëreshës së grave shqiptare,Elena Gjika, në një statujë me pendën në dorë, duke firmosur aktin e bashkimit siç e kishte në mendje,kur ajo shkruante:”Uroj që bashkimi,zgjuarsia dhe veprimtaria e shqiptarëve të mos lejojnë që vëmendja e paqëndrueshme e Evropës të përqëndrohet gjetiu! Sot vitet vlejnë shekuj, historia ecën me hapa të shpejtë para syve tanë, kjo nuk duhet harruar kurrsesi”
E kjo ditë do të vijë, siç shkruante Dora d’Istria “Të mos ketë më gegë,as toskë,as lebër as çam,por vetëm bij të devotshëm që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh,të Pirros,dhe të Skenderbeut”
Është një dëshirë e madhe që ta shohim Statujen e saj,si shembëlltyrë të gjallë, në qytetin që ajo dëshironte të përqafonte motrat e saj, për t’ju rrëfyer atyre,fjalët e urta për të ardhmen.
Shqiptarët,janë të nderuar sot, ta festojnë ditën botërore të Nënave,sepse i dhuruan njerëzimit, Nobelisten,Nënë Tereza dhe mbretëreshën shpirtërore të grave,Dora d’Istria.
Prandaj sot më shumë se kurrë, na duhet ta forcojmë institucionin e mirënjohjes që bota të na mbështesi më mirë për vlerat tona pozitive.
Poeti shkodran Zefi I Ndokë Illis prej Jubanit i cili e kishte njohur personalisht Dora d’Istrian i ka kushtuar këte poezi:
Ti je nji yll e n’a shndrit Arbnin/Me dije ,me t’mira e me bukuri/ Me dashtni tande je tui n’a pertrin /Nji gazmend të math e nji lumni/
Drita e mendes s’ate asht tui lulzue /Si drita e syve asht sjellë për mbi ne /Perendija për t’mirë t’on t’ka krijue,e me sjelle marë dhen t’onë ti ke le/
Ndër hyj ti pra je regjinesha,/Që “Dora d’Istria t’emnojnë,/
Për Shqypni ti je begtaresha,/Që gjithkund e ktu të nderojnë./Po!Shpnesa e ambel je për ne,/
Pse zemra jote asht fort e mirë/
Sjelli sytë e t’e mos harro këte dhe,/
Të kesh edhe për ne mall e deshirë./

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe vajzat shkodrane, Pertefe Leka, Princesha Dora d'Istria

Mësues shkodranë në Vlorë,miqësia e tyre me Kryetarin e Bashkisë, poetin e mirënjohur, Z.Ali Asllani

March 7, 2014 by dgreca

Nga Pertefe Leka/Kur Ministri i Arsimit Dr.Prof.Mirash Ivanaj po zbatonte reformën arsimore,.programi  bazohej në luftën kundër padijes dhe plogështisë intelektuale,dhe  në luftën   që pengonte lirinë e mendimit dhe  kërkimin shkencor.Kontradikta, që lindi ndërmjet kërkesave pedagogjike dhe aftësive konkrete të kuadrove kërkonte   spastrimin e shkollës nga të paaftit dhe të papërkushtuarit  duke futur ligjin e kategorizimit përmes testimit. Në Vlorë ka pasur shumë mësues të ardhur nga Shkodra,  të përzgjedhur  nga ministria e arsimit si mësues  me experience te mire  për ta bërë shkollën  sa me funksionale me programet bashkëkohore.Vlorës nuk i mungonin mësuesit e aftë por reforma arsimore përfshiu të gjitha rrethet e Shqipërisë për të këmbyer metodat më të mira të mësimdhënies.

Edhe para reformës arsimore, një gjurmë të pashlyeshme   në Vlorë dhe në historinë e arsimit kombëtar ka lënë mësuesi i nderuar  shkodranë Kolë Kamsi, i cili  qe një shembull i përkryer për mësuesit e tjerë që erdhën pas tij.Në vitet 1930, në Shkollën Tregtare të Vlorës ishte mësues edhe Ernest Koliqi, të cilin e përmend me krenari,i madhi  Petro Marko, si mësuesin e tij të nderuar.

Në një foto të marrun nga fototeka e familjes së Jahja Domnorit,e vitit 1935, paraqitet një grup  mësuesish, shumica e tyre janë nga Shkodra. Mbrapa kësaj fotografie janë shkruar emrat e personave, që për kënaqësi të trashëgimtarëve të këtyre familjeve ,pasi është një foto 80-vjecare,janë shënuar këto emra:Nga e djathta në të majtë,dominon familja Beltoja  nga Shkodra,dy bashkëshortët  Cuku e Zina Beltoja,Neta, vajza e tyre studente ne  Tiranë dhe dy djemtë,ngjitur me to është mësuesja  Varvara Miho,me skufe të bardhe në kokë  dhe   Gjena  me  Jakun.Në qendër të fotos është  drejtori i shkollës,Jahja Domnori nga Shkodra ).

Historiku i kësaj fotoje është i thjeshtë:Ky grup mësuesish pasi kanë festuar së bashku ditën e Pashkës katolike,në familjen Beltoja, kanë dalë së bashku  me përcjellë për në Tiranë, Neten(vajzën e tyre ), e cila vazhdonte shkollën në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Është një foto mbresëlënëse, personat në fjalë, i përkisnin  të tri feve dhe  moshave të ndryshme. Vlorës nuk i mungonin  pamjet mahnitëse,as institucionet fetare,apo qendra të trashëgimisë kulturore, që të pozonin para tyre,por ato zgjodhën të faleshin përpara Tempullit të Pavarësisë.

Pasi  kishin celebruar me shumë mirëkuptim  një festë fetare katolike,paçka se  disave prej tyre  nuk u përkiste ai religjion.kishin dalur  së bashku të shoqëronin mësuesen e ardhshme, Neten, e cila së shpejti do te ishte kolegia e tyre.

Ata  i  bashkoi një ndjenjë e pastër, pa dallim veri a jug, feje apo moshe, ishte dëshira  për të  transmetuar një mesazh:Të gatshëm  për t’i shërbyer Atdheut në çdo skaj..

Në mes  të grupit bie në sy  mësuesi,Jahja Domnori, i emëruar  drejtor i shkollës, në Lagjen Zogu i parë,Vlorë.

Ministri i Aresimit, Prof.Mirash Ivanaj,i kishte  bërë thirrje ish studentit  të tij,në Gjimnazin e Shkodrës, të shkonte  atje  pasi kishte larguar  disa mësues  të padisiplinuar.(jo vlonjatë) Ministri  i  njihte  mirë aftësitë pedagogjike dhe organizative të ish nxënësit tij, kur Ivanaj  ishte mësues  dhe drejtor  i  atij gjimnazi.

Nga ditari i mësuesit J.Domnori mësojme se e kishte marrë në dorëzim shkollën, në skelë të Vlorës, me 80 nxënës,E kishte filluar punën vetëm me një mësuese, Varvara Miho,një zonjë shumë e nderuar.  Shkolla kishte shumë nevoja, por mbi të gjitha  duhet të përfshiheshin edhe femijët e portit që nuk kishin frekuentuar asnjëherë  në shkollë.

Me një punë këmbëngulëse,drejtori i emëuar, arriti të  regjistrojë shumë nxënës që punonin ose endeshin në port.Ai arriti ta trefishojë numrin e nxënësve.

Duke pasë një kontigjent nxënësish të vështirë,drejtori i kërkonte vazhdimisht Ministrit t’i dërgonte mësues,”dorë e fortë”,veçanërisht burra, por ministri  kishte besim te kuadrot që kishte emëruar atje,prandaj  i shkruante- po të dërgoj mësuese të afta- .

Kështu u rrit personeli mësimor me mësueset,Razije Kallulli (Nëna e Adriatik Kallullit),Ifet Asllani(vajza e Ali Asllanit), Hava  Xhaferi,të cilat punuan me përkushtim dhe krijuan me drejtorin e shkollës një kolektiv shumë kompakt dhe serioz.

Në mes të kolektivit përmendet edhe Kadriu nga Dukati i cili bënte punën e higjenistit  në shkollë.

Drejtori i shkollës shkruan për te se ai na ndihmonte në kontrollin e pastërtisë se çdo nxënësi, para se të futeshin në mësim.

Për këte,drejtori, kishte blerë peshqire,sapun dhe një fuçi të cilën Kadriu e mbante me ujë të ngrohtë, per t’u larë kokat e  nxënësve që  vinin të papastër.Ndërsa,për nxënësit  që kishin nevojë më shumë kishte blerë makinë qethëse  të cilën e bënte vetë drejtori dhe pastaj e mësoi edhe Kadriu.

Ai  e bënte punën me shumë përkushtim  dhe ishte bërë pjesë e pandarë e trupit mësimor.  Drejtori i shkollës shkruante me shumë respekt për Kadriun sa nuk e dallonte nga mësueset e tjera. Mirëkuptimi në kolektiv,me mësuese të përgatitura dhe organizimi me një disiplinë shembullore  bëri që shkolla të dali shumë shpejt nga prapambetja.

Për  t’i angazhuar nxënësit me punë,drejtori, kishte,krijuar kopshtin e shkollës ku fëmijët  praktikonin,mësimet  e tyre.po ashtu edhe një biblotekë modeste. Botimet e metodistit,Kolë Kamsi,  “Mësime përmbi natyrën”dhe “Lulet e mendimit”(1919),ishin  present  në përgatitjen e mësuesve,për të ofruar  dijet nxënësve  me natyrën.

Në ditarin e drejtorit theksohet se në shkollë kishte shumë femijë të familjeve ebrej.Ata sapo mbaronin mësimin shkonin në pikat e shitjes, ku i kishin caktuar prindërit.Një praktikë që i stimulonte fëmijët e tyre akoma më shumë për mësim dhe fitim,që  t’i  dinin më mirë  vlerat e shkollës e për ta përballuar me shpenzimet e tyre.

Interesante ishte ,njohja e drejtorit të shkollës me Kryetarin e Bashkisë, Z.Ali Asllani.Për ate flet me një konsideratë të admirueshme,jo vetem në sjelljen e tij prej diplomati,por edhe në sjelljen e tij,si njeri i thjeshtë i punës,organizator që kontrollonte në terren  detyrat e ngarkuara prej tij,si Kryetar Bashkie.

Një ditë, Kryetari i Bashkisë,Z.Ali, po shkonte të verifikonte,një punë që ua kishte ngarkuar punonjësve  të tij. Kur po kthehesh,  afër shkollës dëgjoi shumë fëmijë, që flisnin me një dialekt tjetër.U ndal të takonte drejtorin e shkollës të cilin e vlerësonte shumë për punën cilësore që kishte bërë në ate shkollë.Në bisedë e sipër e plot humor i tha:- Z.Jaho të përgëzoj për të gjitha punët e mira, por si është e mundur që fëmijët flasin në dialektin tuaj.-

Drejtori në bisedë e sipër i ishte  pergjegjur.-Në kopshtore është mësuese Zina Beltoja,ajo  flet një shkodranishte të pastër, ndërsa  unë jam lidhur shumë me femijët e portit për t’i tërhequr  sa më shumë pas shkollës,kështu që fëmijët së bashku me mësimet kanë pëlqyer  edhe dialektin e Shkodrës, janë fëmijë shqiptarësh,Zoti  Ali,kjo tregon  se dialektet kapërcehen lehtë.

Drejtori në vazhdim të bisedës  i kishte thënë: edhe ju, Zoti Ali, e keni pëlqyer shumë,  kur unë shqiptoj në dialektin tim, Vlona për Vlora sepse,   siç jeni shprehur ju,në Vlonë, vlon shpirti i vlonjatit. Dhe plot dashamirësi, Drejtori  i kishte thënë:  edhe unë Z.Ali,ta  kam mësuar përmendsh “Hanko Hallen”  në toskërishten  tuaj të bukur.Kështu e gjithë biseda  kishte kaluar  me humor pozitv.

Drejtori,J.Domnori komunikonte shumë mirë me Kryetarin e Bashkisë jo vetem për probleme pune por edhe  në diskutime të ndryshme për kulturen botërore.Te dy njihnin gjuhët orientale,dhe shpesh ndaleshin në poetët Persianë, Saadi e Rumi,Kajami,Avicena por edhe në kulturën përendimore.  Të dy e kishin për zemër Gëten. Drejtori shkruante: “Z.Ali Asllani si në bisedë edhe në poezi  kishte një humor të hollë,çfarë kishte në shpirt ja pasqyronte shprehja e fytyrës,të cilën e përcillte  me një buzëqeshje të ëmbël.Por kur shpërthente në poezitë e tij kundër padrejtësive ishte i rreptë dhe shpesh  më kujtonte Fishten tonë të shtrenjtë”

Si në zyrë ashtu e dhe në shtëpi kishte një sjellje  dhe një etikë që rrallë mund ta gjeje te intelektualët e kohës. Kur Z.Ali bashkë me Zonjën e tij, më ftonin në shtëpi, më  bënin një pritje  shumë të ngrohtë dhe të kulturuar.

Ishte interesante  se në  marrëdheniet me njerëzit ishte shumë i thjeshtë, por kur i shkonin ne zyrë  i donte njerëzit  me një paraqitje dinjitoze  dhe me një  veshje të rregullt sepse siç thoshte vetë, respektojnë institucionin”

Inisiativen e drejtorit,  për të hapur kurset kundër analfabetizmit  për vajza dhe gra Kryetari i Bashkisë e   përshendeti   me entuziazëm. Ishte shumë përparimtar,shumë modern,  emancipimin e gruas shqiptare e shihte me përparësi.,dhe këte e kishte shumë të qartë se këte zhvillim  mund ta bënte vetem shkolla.

Në afishen e shpallur në shkollë shkruar në dialektin verior nga drejtori i shkollës shkruhej:

”Zoja e zojusha – Çdo punë para se m’ba duhet me ditë se si bahet, për me ditë asht nevoja që të mësohet .Prandaj çdo nanë apo vajzë e rritshme do të mundohet të mësojë sa të jetë e mundur.Pra, për me zhdukë analfabetizmin e kësaj lagje ç’me sod asht cilë nji kurs për femna .Për  këtë punë janë ngarkue dy mësueset: Zoja Hafa Xhafa e Zojusha Ifet Asllani ,për të mësue çupat e rritshme e grat që s’kanë pasë fatin me mësue në shkollë.Prandaj ata që dishrojnë le të merren vesht me to e t’urdhnojnë ditën e enjte pas drake. Me kaq ju falnderojmë nga zemra me gjithë personelin t’im,që keni pasë mirësin me urdhnue.”(Jahja Domnori 1935)

Mbështetja që  na dha Z.Ali, për ndryshimet progresive në edukimin arsimor,ishte ndihma me e madhe  që i bëhej shkollës sonë.Ishte fat i madh për mua,që  nepërmjet Z.Ali  dhe Kadriut nga Dukati njoha Labin bujar,trim e patriot.(shkruan Jahja Domnori)

Kështu, reforma arsimore,bëri një mobilizim të përgjithshem duke i korrur   shpejt frytet e punës.Nuk ishte thjeshtë një dukuri e re për arsimin por ishte një thirrje për të punuar se bashku,në çdo skaj të vendit aty  ku ishte e nevojshme;  pa dallim krahine, feje, e ideje ne dobi të popullit dhe të  Atdheut.Ky ishte  orientimi i Ministrit  të Arsimi, M.Ivanaj për Shkollën e Shtetit ose shkollën e lirë  të cilën e shikonte si shkollë të Atdheut. “Shkollë të mendimit të lirë e të përparimit.Shkollën për djelmërinë e tri besimeve,për të forcue ate bashkim që vetë zoti na e ka dhanë  me nje gjak,me nje gjuhë ,me nje interes,megjithëse me tre besime të ndryshme.”

 

Filed Under: Histori Tagged With: Ali Asllani, me kryetarin e Bashkise, Mesues shkodrane ne Vlore, miqesia, Pertefe Leka

Çfarë i shkruante Presidentit Wilson, një zonjë nga Çamëria

September 1, 2013 by dgreca

Letra e zonjës fisnike Lejla Dino drejtuar Presidentit amerikan, Woodrow Wilson, për çështjen shqiptare/

Nga Pertefe Leka*/

Na vjen mirë kur degjojmë të huajt që vlerësojnë gruan shqiptare, sigurisht ata që e kanë vizituar vendin tonë ose kanë lexuar rreth lashtësisë Iliro-shqiptare. Studiuesit e çështjes shqiptare kanë shkruar shumë për vashen shqiptare pavarësisht se ajo nuk ishte pjesë aktive e drejt për drejtë në jetën shoqërore. Roli i saj në familje, që lindi dhe edukoi trimat dhe trimëreshat, është evidentuar prej studiusve, duke përjetësuar veprimin e grave krah burrave në ngjarjet e mëdha historike.

Nuk besoj të ketë në botë si në Shqipëri, obeliskë natyralë që kanë të gdhendur vetëmohimin e gruas shqiptare . Nuk është e tepërt të përsëritet se kalatë më të rëndësishme të Shqipërisë në veri e në jug, mbajnë emrat e grave të virtytshme shqiptare.

Jehona e bëmave të gruas shqiptare në shekuj, ka përjetësuar dashurinë si virtyt të tyre ndërsa nderin dhe besnikërinë, si ligjë dhe normë për to.

Kujto akademiken Franceze, Margaret Jursenar në tregimin “QUMSHTI I VDEKJES”. Autorja e tërhequr pas legjendës së murimit sipas së cilës u ngrit kalaja Rozafat, ka vënë në gojën e një personazhi, i cili i entuziazmuar kur u njoh me legjenden, u shpreh:”Ama për nënë do të doja të kisha një vashë si ajo e legjendës shqiptare.”

Bajroni, … e të tjerë janë tërhequr shumë në përshkrimin e gruas Came në shumë aspekte të rëndësishme të jetës saj. Pukëvili, e ka theksuar rolin e gruas çame në pajtimin e gjaqeve dhe në përfundimin e traktateve. Elena Gjika, me origjine çame, e shtriu më tutje këtë fenomen duke e përgjithësuar veprimtarinë e grave shqiptare, .në aspektin e barazisë gjinore, ku theksonte ”Trima burrat, Trimëresha grate.”

Me përsëritë bëmat e gruas shqiptare ndër shekuj, si luftëtare dhe të forta në karakter, është krenari. Ato kanë qenë aktive në momente vendimtare për atdheun e tyre, kanë mbijetuar me armë në dorë ose kanë vdekur me nder, si Argjiroja, gratë e Sopotit, apo suljotet në vallën e vdekjës, (te përjetësuara në pikturen e Ari Shefer“Gratë e Sulit”).

Ruajtja e identitetit të gruas shqiptare ka mbetur e gjallë në vizatimet, grafikat, etydet, portretet e tablotë të një numri të madh artistësh me tematikë të larmishme shqiptare. Ajo që është evidentuar për gratë shqiptare, pavarësisht nga statusi i tyre në jetën shoqërore, ishte se ato e kishin shpresuar të ardhmen e vendit, pa armiq dhe armiqësi.

Në rrethana të rëndësishme historike për mbrojtjen e bashkësisë kombëtare, atyre u ka lindë nevoja e natyrshme e grupimeve për të arritur në një mendim e mbrojtje të përbashkët.

Kjo ka qenë shtytja që Lejla Dino, në rrethana shumë deçisive për fatet e popullit tone, krijoi në Gjenevë të Zvicrës “Komunitetin e Gruas Shqiptare” në vitin 1919.

Më ka tërhequr shumë fakti i kësaj gruaje came, Lejla Rasih Dino, e cila në emër të grave shqiptare, u drejtohet në mënyrë diplomatike autoriteteve të larta botërore për çështjen e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijëve të 1913.

Lejla Dino (Ileri) 1893-1966, vinte nga një familje me tradita të larta patriotike e atdhetare, ku i kishte të projektuara kërkesat për ardhmërinë e kombit shqiptar. Në emër të komunitetit të gruas shqiptare, ajo iu drejtua Konferencës së Paqës në Paris, për problemet madhore të kombit tonë.

Ishte pra gruaja e parë shqiptare që me kurajo i drejtohet në kohën e duhur,

Kryetarit të Konferencës së Paqës në Paris, për çështjen shqiptare.(tamam kur po ndahej gjahu i luftës në mes forcave luftuese). Nuk ishte rastësi ky guxim i një gruaje çame por një vazhdimësi e pjesëmarrjes së familjes Dino në të gjitha ngjarjet e mëdha, të luftës për Liri e Pavarësi.

Familja Dino, ka nxjerrë shumë figura të përmendura, të pushkës e të penës, të cilët kanë hyrë në historinë e artë të kombit tonë. Kështu dhe bija e tyre, Lejlaja, eci në rrugën e të parëve të saj që nuk heshtën kurrë në kërkimin e drejtësisë për identitetin Kombëtar dhe trashëgiminë e trojeve shqiptare.

Babai i saj Rasih Dino, ishte djali i Abedin Dinos, pjesëmarrës ne” Lidhjen e Prizrenit”.Nën shembullin e të jatit, Rasihi, u bë një luftëtar dhe kontribues në Shpalljen e Pavarësisë.

Ishte në krye të delegacionit pjesëmarrës të Shqipërisë në” Konferencën e Londrës”. I ra botës kryq e tërthur për të lobuar për moscopëtimin e Shqipërisë nga fqinjët grabitqarë.

Si përfaqësues i shqiptarëve me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, i Federatës Ndërshqiptare “Vatra”dhe i shoqërisë “Çamëria”ne SH.B.A. prej Gjenevës i dërgon Këshillit të Ministrave të Italisë, në të cilën kërkon që qeveria Italiane të heqë dorë prej lakmive të saj për Vlorën dhe të ndihmonte në rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe në kthimin e krahinës së Camërisë dhe Kosovës.

Për këtë kontribut, Shoqëria “Çamëria”në Amerikë e caktoi si përfaqësues të popullsisë çame në Konferencën e Paqës në Paris 1919, por u pengua nga qeveria franceze dhe ajo Italiane.

Kështu, Lejlaja, kur pa pengesen që po i bëhej të jatit u mobilizua edhe më shumë. Ajo si Kryetare e Grave Shqiptare jashtë vendit, shfrytëzoi ardhjen e familjes Presidenciale, Wilson, në Konferencen e Paqës në Paris.

Ishte hera e parë që një President Amerikan vinte në Europë.

Ajo trokiti tek simboli i Paqës, Woodroë Wilson, i cili u vlerësua me cmimin Nobel për Paqën (Nobel Peace Prize). Trokiti tek humanisti, që mori bekimin e Papës Benedict XV, i pari president amerikan që vizitoi një Papë. Ajo i drejtohet kësaj figure më në zë të politikës botërore, për mbrojtjën e çështjes shqiptare në përgjithësi e të Kosovës e Çamërisë në veçanti.

Ajo trokiti në zemrën e një personaliteti fisnik, i cili kishte firmosur zyrtarisht dhe vendosur

ne kalendar të dielen e dytë të muajit Maj festën e nënave, “Mother’ s Day” – Lejlaja në këtë rast, shfrytëzoi njohjen e saj me Edith(Galt) Willson, gruan e presidentit, Woodrow Willson, ku nepërmjet një letre, i shtron kërkesat legjitime të popullit shqiptar të mohuara prej grabitqareve.

Sa për dijeni, Edith Galt ishte direkt trashëgimtare e gruas vendase amerikane, Pocahontas, (descendant of the Native American woman, Pocahontas)

Bija e Camërise në atë letër, ndër të tjera shkruante: “….Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria që nënat shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhimshurve të tyre të rrekullohet nën zgjedhen e shtypësve të huaj, kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do t’ na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur.Në këto çaste, shtetet fqinjë të Shqipërisë duan t’ i aneksojnë vende të tokës sonë të dashur ose që të marrin prej nesh indipendencën tonë politike.Por jemi të sigurtë se Lavdia e ndjenjave të larta dhe njerëzore të shoqit tuaj dhe me ndihmën tuaj këto gjëra nuk do të bëhen dot dhe se do të kemi për së afërmi indipendencën tonë me anën e së cilës do të marrin fund vuajtjet tona….

Qindra, mijëra prej punëtoreve shqiptarë, të cilët u shtrënguan të lënë shtëpitë e tyre dhe të refugohen në Ameriken tuaj të lire, shpresojnë nxehtësisht se Atdheu i parë i tyre, provincë e Kosovës dhe e Çamerisë, të cilët u ndanë padrejtësisht nga Shqipëria me 1913…do të lirohen…” (Publikuar ne Albania, 1 Janar 1919)

Sëmundja që i ndodhi Presidentit Wilson, kur ishte në Europe, ishte e papritur.

Edith, gruaja e përkushtuar ndaj këtij njeriu të madh e çoj me tutje kujdesin ndaj të shoqit deri në detyrat presidenciale sa mund të quhej se ishte një presidente grua në hije. Edhe pse presidenti ishte i sëmurë ajo nuk mundi ta ndalonte vrullin e tij shpirtëror e fizik që ai të vazhdonte rrugën e tij për krijimin e një organizate politike ndërkombëtare, e cila do të garantonte ruajtjen e Paqës në Botë.

.Ashtu, në gjendje të rëndë shëndetësore, i ndaluar nga mjekët që të vepronte në terren, me një vullnet të paepur, për te realizuar Paqën dhe detyrën presidenciale, mbijetoi deri në fund të mandatit me ndihmën e pakursyer edhe të shoqes së tij, Edith.

Kështu fundi i jetës i erdhi shpejt, por ai mbeti simbol i Paqës botërore dhe për ne shqiptarët shpëtimtar i moscopëtimit të mëtejshëm të trojeve tona nga grabitqarët.

Letra e Lejlasë është lexuar ndër vite dhe ka realizuar deri diku kërkesat e saj.

U desh përsëri një president amerikan(Bill Clinton ) që ta përshpejtonte çlirimin e Kosovës dhe përsëri një tjetër president amerikan (George W.Bush) që të finalizonte Pavarësinë e Kosovës.

Ceshtja çame, tashma e ndërkombëtarizuar, do ta fitojë legjitimitetin, sepse Camëria fizikisht është aty, martirët e saj dhe historia janë po aty.

Lejlaja nuk jeton më, por letrën e saj do ta vazhdojnë ta lexojnë brezat, për të cilët ajo mendoi.

Në atë portë ku trokiti Lejlaja ishte e vetëdijshme se mund të fitohen vlera të mëdha për të ardhmen e Kombit Shqiptar. Ajo kishte besim, kur iu drejtua Presidentit të SHBA Woodrow Wilson, sepse ishte udhëheqësi i një shteti të fuqishëm dhe shembulli më i përkryer i Demokracisë në botë, pa ndihmën e të cilit nuk do të ishim edhe ne, aty ku jemi sot.

Mesazhi i sekretares së shtetit të SH.B.A. Hillary Clinton në Parlamentin shqiptar, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, se “edhe 100 të tjera do të jemi pranë jush…” është një vazhdimësi dhe një ogur i mirë për ta bërë të pavdekshme letrën e Lejla Dinos.

Gruaja shqiptare sot, me një status të barabartë në jetën shoqërore, do të jetë një zë i fortë për mbrojtjen e identitetit të saj dhe të drejtave njerëzore. Me një demokraci të fortë në Shqipëri dhe me ndihmën e SH.B.A-së mund të zgjidhen probleme madhore, që koha i ka zvarritur.

*E dergoi per Diellin, Sali Bollati

Filed Under: Featured Tagged With: cfare i shkruante, Pertefe Leka, presidentit Wilson, zonja nag Cameria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT