• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“SHPËTIMTARËT”

April 26, 2020 by dgreca

ESE NGA PIRRO LOLI

                                                                                                                                                                  Po thyhen pasqyrat para fytyrës së armikut dhe mikut, pushtuesve dhe shpëtimtarëve; po prefektizohen maskat, teknologjia e xhamit. Si kamerat televizive, si ngjyrat. Dhelpërojnë gjuhët. Ka dhe fjalë të bukura që përhapen nga “shpëtimtarët” të tipit “soros” e co’,që, në heshtje përhapen si  viruset me gonxhe trëndafili..  Nuk thotë kot populli ynë “ Ruam nga miku se nga armiku ruhem vetë” Po nga tanët kush do na shpëtojë ?

                                          ***

Historikisht i huaji është parë nga ne  dhe me dyshim dhe si shpëtim e sot edhe si aleat e shpresë. Diku edhe me servilizëm e vasalitet neveritës. Qenia ime shekullore lidhur në skaje diagonalesh nga kontinenti në kontinent, ka gjetur shpëtimtarë plot me shpresa, dhe është futur nën ombrellë e në sqetull të dikujt. Jo më kot, edhe me njëfarë naivitetin, që para 600 vjetësh, shkruam në kanunin tonë historik:” Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e  mikut”.Por dhe Zoti na ka harruar dhe miqtë, na kanë ngatërruar. E ai,  dikushi. na është shtruar këmbëkryq në vatër si i zoti i shtëpisë. E kemi nga këta hoxhallarë, hashimllarë e ramallarë. që u kanë fërkuar kokën herë njërit e herë tjetrit, verbërisht. Janë vetëm maska, hipokrizi dhe mashtrim i sofistikuar. Maska, që nuk njohin Krisht e Muhamet, buzëqeshin, zbukurohen,  reklamojnë djallin si engjëll. Pas maskave të  tyre, fshihen fytyrat plastike çnjerëzore e perverse. Dhe kur maska njësohet plotësisht me lëkurën e diktatorit, drama jonë është kthyer në tragjedi të përmasave popullore e kombëtare.   

 Agonia e vasalit dhe e shpëtimtarit, tek ne, ka zgjatur me shekuj. E Breza të tërë na janë  “toksikuar” deri në palcë. Natyrisht, aleancat midis shteteve janë të vjetra sa bota e të domosdoshme për palët, por, për ne si vend i vogël historikisht të pushtuar, të plagosur e të përçarë, kanë qenë jetike. Por, ….

KUJTESA E PA THARË

(Këtu nuk do merrem me armiqtë e me pushtuesit që nuk na kanë munguar kurrë; –  ata erdhën, vranë, plaçkitën, shkatërruan, por e kanë ditën e ikjes, tutje shtyhen në gropat e historisë dhe harrohen.) Qenia ime shekullore lidhur nëpër skaje kontinentesh, shpresë  e besë në emër të dikujt, me miq e armiq, “çlirimtarë” e “shpëtimtarë” ulur këmbëkryq në vatër, në mes të shtëpisë. 

   Nuk na u shkulën  as shpëtimtarët; petale tharë, tashmë, kanë mbetur vetëm gjemba paqësorë.  As të puthin as të shpojnë. Na u bënë si të shtëpisë e këmbëngulin për paqe të përgjithshme, bisedime, traktate, kushtetuta, reforma, ligje   e lëshime…

Të shumtët “shpëtimtarët” tanë,  në më se  një shekull,  kanë qenë,  fatkeqësisht, nga shpellat bolshevike. Miq për kokë. Stalin Tito. Tavarish e druzhje, e më pas, vëllezër të dashur  Lej Fen. Në pamje të parë dukeshin sikur frymën tonë na e mbanin në pëllëmbë të dorës, serbë, rusë, kinezë.,…. Shpëtimtarë historikë. Mezi na u  hoqën qafe e, në heshtje, u shtynë tutje në honet e harresës. E ata shpesh na ngrihen në gjumë si lugetër,  na kujtojnë miqësinë, dhuratat, yjet, bukën, armët, frymën që më paskan dhënë. E ka ca plagë që nuk zënë kore dhe e kanë të lehtë që nga “miq “ për kokë të të kthehen në  armiq dinakë me bllokada buke. 

Lidhja me serbin, gjat e pas Luftës II, B,  mikun e madh jugosllav,  ishte katastrofale; krerët e Shqipërisë fort mirë e dinin që ata   kishte dhënë prova gjaku e çfarosëse për Shqiptarët.;  mutacioni i kuq serbo shqiptar i viteve 40`, vrau mijëra shqiptarë në Kosovë e Shqipëri; ( Ky i tanishmi covid-19, pandemiku, e shumta do vazhdojë disa muaj sa të bëhet zap, ndërsakorona-serbusi ka qenë  konstant, i pranishëm në jetën tonë shumë shekuj që nga i shtati; e, edhe kur e kemi pasur armik , dhe mik me kokë, me tavarish Stalin e druzhe Titon, (strukur në sqetull të tyre) ndër nesh,  kanë qenë gjithnjë të pranishëm, si epidemi e  pa vaksinuar, dhe kanë zhdukur qindra mijë jetë njerëzish. Vetëm në shek. e fundit ata dëbuar me zjarr  e bajoneta shqiptarët e Kosovës  nga rreth 700 vendbanime autoktone. Kujtesa jonë për ta është përvëluese.

“O LARO TË HËNGËRT TËNJA”…

  …E ke të keqen nga brëna”, thotë labi. 

Përvojat tona shekullore tregojnë se, gjithmonë në krye kemi  pasur mall vendi, të larë e të palarë, të  molepsur e të kokolepsur me miqtë tanë të mëdhenj “shpëtimtarë”… Sot, të gjithë dëshirojmë Evropën e Bashkuar. Tokën e merituar dhe të premtuar. A thua se shqiptari ka brenda vetes një farë Abrahami nga katundi që i paska humbur nuri dhe pret e pret të dalë në në BE, ose mes dallgësh “në stere”?. Të sotëshmit Hashimllarë e Ramallarë mes grupesh bejlerësh e agallarë, në Kosove e Shqipëri, por le të kujtojmë sadopak:

Që  nga 1912, me I . Qemalin, deri më 1944-5 kemi pasur 30 kryeministra, mall vendi, “laro”, po secili kush më pak e kush më shumë, nuk i ka shpëtuar dot influencave, aleancave të dobëta, e të gabuara, mbështetjeve e mosmarrëveshjeve. Nga 1945 deri 1991 kishim tre kryeministra komunistë, mall vendi, “laro” të shartuar me hibrite bolshevike staliniste, servilë e vasalë të rusit, serbit e kinezit; gati gjysëm shekulli diktaturë gjakësore në kohë paqeje, krejtësisht të izoluar, në luftë me të gjithë, e të shkatërruar… 

…Ç’ fytyrë kanë “shpëtimtarët”, “larot”e barkut tonë? I njohim. Historikisht të pa ndryshueshëm,  këtej e matanë kufirit. Maska e tradhtarit nuk ua mbulon plotësisht fytyrën. Lëkurë  zbetë. Buzëqeshje plastike. Kokërruar a me lesh të kremuar. Dhe kolltuku i lartë i pushtetit u duket se janë dhe pronarë të lirisë, të kushtetutës e  të popullit që mund të bëjnë ç’të duan me to e, të parat gjëra  që përmendin janë (gjoja)aleancat,  ndëshkimet, paragrafët, burgu, gjobat…Tapitë e pushtetit ua ngushtojnë rrugët, ua ndryshkin dekoratat, ua shkel gjakun, ua nxijnë  ngjyrat, ua ngatërrojnë aleancat. Në Shqipëri dhe Kosovë, grupe mafiozësh rreth presidentit Thaçi e        kryeministrit Rama,  qenie të heshtura të natës që dorën e zgjatin në terr.  kushdo qoftë, presidentë a kryeministra. Andej e përkëtej. Të mos të na lëbyren sytë.  Vulat e tyre zyrave ngjajnë me njollat e diellit nën lëkurë,  e maska e tyre në fytyrë u jep  pamje “të çiltër”…Këta tipa  nuk e kuptojnë dot se çdo qeveri rrezikohet vazhdimisht nga shkarkimi i vet. (Çurçilli)

KAKOFONI DIPLOMATIKE

Kakofoni me serbët por dhe midis Shqipërisë dhe Kosovës si absurditet. Kukuvajkat serbo shqiptare aktualisht çfrytëzojnë ndonjë mosmarrveshje midis miqve tanë strategjikë, SHBA e BE, duan vetëm e vetëm të nxisin ndjenjat antiamerikane ndër shqiptarë, që , siç dihet është populli më proamerikan në Evropë. Vendosja e Kosovës përballë dilemave me Amerikën a me Evropën është thjesht serbizëm  vuçian  ose enverizëm shqiptar.. Të kërkosh në rrugën tonë euro – atlantike vetëm njërën palë, qoftë ajo amerikane apo evropiane, është thikë me dy presa në shpinë. Dhe,  kur kjo thikë vjen nga tanët,  të ngulet  më thellë në trup të kombit tone. Kur pandemia po merr jetë njerëzish, Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, votoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kurtit, natyrisht me ndihmën aq të ngutshme e “dashamirëse” të diplomacisë  kakofoniste amerikane.(?!)

Është Europa, stacioni ynë perëndimor, “shpëtimtarja”,  ajo që ka harruar se ne kemi identitet autokton evropian  e jo njëherë, jemi vrarë për mbrojtjen e saj,  e ajo, jo njëherë, ka qenë promotor i coptimit të kombit shqiptar. A thua se nuk e di Evropa se korona serbe  vetëm në dy vitet e fundshekullit, përkatësisht më 1998-9, u vranë dhe u zhdukën rreth 15.000 qytetarë të Kosovës; nuk e di ajo se xhelati i Ballkanit, aktualisht i përkëdhelur nga qarqe e kulisa evropiane, vrau, preu,  masakroi, 300 mijë veta në Slloveni, Kroaci, Bosnje, Kosovë? Nuk i njeh Evropa , në veçanti Franca e Hollanda,  masakrat  serbe në Vukovar, Sarajevë,  Srebenicë,  Reçak,, Krushë, etj. Ku ishte kjo Evropë, kur militarët nazi-fashistë serbë, dhunuan 100 mijë gra kroate , boshnjake e shqiptare. A ka pasur genocid më të madh në Ballkan që pas L, së II B? Dhe ç’drejtësi e demokraci qenka kjo që, jo vetëm që nuk ndjek parimet e vetvendosjes, të barazisë e të të reciprocitetit, por ka privilegjuar xhelatin, jo viktimat, humbësin e asaj lufte dhe fundin e Jugosllaviseë, jo fitimtarin(krahun e NATO-s) dhe, është ajo (BE me burokratët e Brukselit që na dredh e përdredh si peshk në majë të grepit) e që  akoma e mban Kosovën të izoluar, e na  stigmatizon në heshtje çdo vlerë. Sot, sikur s’ka një lis të varësh torbën;  s’ka më peshë fjala, hollohet e hapet si llastikë për nevoja globale(gjoja); nëpërkëmben të vegjlit dhe kokëfortët që mbrojnë drejtësinë. Ju, miqtë tanë strategjikë, amerikanë e evropiane, nuk e kini njohur akoma atë dikushin, atë askushin, atë humbësin, atë mashtruesin, atë përdhunuesin?! Nuk e njihni akoma atë kobrën  që shkel syrin nga ju e kokën e kthen nga lindja, dhe vuçiçët, thaçistët etj. kafshojë  bishtin e vet të rizgjidhen kryeministra e presidentë… E pafalshme që dhe diplomatë të caktuar të “SHBA po kontribuojnë për krizën”, siç tha kongresmeni Engel, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara,, (mars 28, 2020) …SHBA-ja duhet t’i shtrëngojnë rripin Serbisë, të vendosë sanksione  për lidhjet e saj të sigurisë me Rusinë. …Sipas tij, kur një demokraci e vogël “detyrohet me dhunë” të bëjë diçka, ajo është “vepër maltretimi dhe jo vepër e partnerit të pjekur”. Presioni ndaj Prishtinës për taksën është padyshim i pabalancuar. Diplomatët serbë udhëtojnë në gjithë botën për t’iu bërë presion shteteve që të tërheqin njohjen e Kosovës, ndërkohë që Serbia i thellon marrëdhëniet me Moskën dhe blen sasi të mëdha armësh ruse”, vazhdon Engel. (?!)

Mungon bashkëpunimi midis Evropës dhë SHBA që, të paktën, të dyja Serbi e Kosovë,  t’i trajtojnë si panterë të baradartë. Dhe dihet diferencimet krijojnë mure, pengojnë negociatat dhe marrëdhëniet mbeten të ngrira. Frika e SHBA se mos Serbia, denbabaden,  pro ruse, mund të  kthehet edhe me Rusinë e Putinit, sot,  tingëllon absurde e tregon diplomaci të dobët perëndimore. E ja kështu, Jo vetëm që nuk ngrihen saksione kundër Serbisë për lidhjet e saj të sigurisë me Rusinë, për tregëtinë e armëve e provokimet e herëpashershme, por trajtohet si kaposh i krekosur edhe në bisedime me Kosovën. Ka diçka që  nuk shkon këtu. Akoma gjallon kulisave ideja çoroditëse e shkëmbimit të territoreve? Diplomatë të ndryshëm, Grenell,( filo serb), Kosnett, Palmer  etj. pohojnë dhe e mohojnë këtë absurd, që mund të trazojë përsëri Ballkanin. Çfarë drejtësie qenka kjo , kur hiqen paralele midis – temës së reciprocitetit tregëtar  me propagandën djallëzore të Vuçiçve për çnjohjen e kosovës si shtet sovran? Ka në këtë mes, jo vetëm moskuptime, por dhe spekulime – e gojët e liga thonë se Kurti duhej larguar se po na prishte me amerikanët.  Diplomati hipokrit, Grenell është po aq i (keq)përdoruri nga kapot e shqiptarëve, ashtu siç i  ka keqpërdoruar ai  shqiptarët për qëllimet parciale të  administratës burokratike amerikane. Pse Grenelli dhe Vuçiçi duan  Thaçin në bisedimet e jo Kurtin?! Kakofonia e diplomacisë amerikane, në Tiranë e tipit “Lu”, e ajo evropiane si F. Moderini, Vlahudin, Soreka etj. kllouna- soristë de xhepistë, me  komisionerë burokratë , këshilltarë, të dërguar e të paautorizuar, njeri gozhdës tjetri patkoit, në këto dhjetë vjetët e fundit  kanë dalë nga pozicioni i tyre e, shpesh,   janë sjellë( si zot në shtëpinë tonë) e  guvernatorë të Tiranës.  Ndërkohë, kurrsesi nuk kanë mundur të mbjellin masivisht viruse antiamerikane në Kosovë e Shqipëri.. Ndër nesh, ata që shtiren si pro amerikanët më të mëdhenj, janë  në thelb kundërshtarë dinakë … Ka ikur koha tashmë me lepe e peqe, c’thotë porta e  sulltani,  Moska, Pekini  e Beligradi… Diplomacia e demokracive të zhvilluara që aspirojmë të gjithë,  na mëson të pajtohemi, të biem dakord dhe për të mos rënë dakord apriori, atje ku preken të drejtat njerëzore e shtetërore e kombëtare. 

TË TRETËT…

Bisedimet Kosovë – Serbi, jo rrallë me maska – me të tretë e më të katërt, sikur do pajtohen dy planetë Deri kur do marrin pjesë nëpër komisione e negociata diplomatë e komisionerë  që,  si magjistarë, herë me një sy, e herë me tjetrin pas syzeve të zeza lexojnë llumin e zi të kafesë  në filxhan të bardhë. Na kërkojnë ta mbjellin paqen  si patate në gropa. Po lirinë tonë nuk e njohin. Zgjidh e merr  na thonë, direkt e indirekt, pylli ka hyrje dhe dalje më të errëta, rrugë me  bar të  pashkelur dhe shtigje  të parrahura nga shkon dhelpra. Paqja është më e komplikuar  duket sikur na  thonë, zgjidh e merr,  nga zjarri, uji e ngrica apo nga ndarja në copa, mendojnë…

Të tretë e të katërt, nuk duan t’i  njohin e t’i gjykojnë, as varret masive, as përdhunimet , as  kokat e prera si në kohën e Erdogulit.  Të pikëlluara, gotat   nëpër tavolina luksoze diplomatike, të kristalta heshtin, të gatshme të krisen nga një e qeshur krrak…Na thonë ta djegim të vërtetën si letër. Shkrumbi shuk i mbledhur paska vlerë; na thonë armiku është kohë e shkuar, armiku ka ndryshuar. Mos e mbylleni derën e mbyllur; Vetmia nuk pret. [Dhe  shpëtimtari nuk ka gojë. As flet as hesht.] E njohim kokën e kobrës zbukuruar me ojna. Luciferi paska ndryshuar lëkurë. Agresorët qenkan lodhur nga vrasjet. Përtypin urrejtje e  buzagaz duan të bisedojnë. Ia njoh  kokën  dhe zorrët akrepit; përtej vetvetes, shekujve të shkuar,  kërkon një copë zemër, një tjetër djep. Racë e zgjedhur . Dhe kobër. Dhe akrep. E njoh mirë gjarprin e madh që mbyti Laokontin. Që të pranohej kali.  Të digjej Troja. Të pranohet si zgjidhje trupi i Kosovës  copa copa….E kam provuar nënshtrimin. Dhe çlirimi ynë nga okupatorët  ishte ngjitur me okupimin nga shpëtimtarët. Çlirimtarë dhe shpëtimtarë të tillë  janë djaj me brirë e pa brirë. 

o Zot, o Zoti im, thashë, lejomë, të ngrihem më këmbë,   të eci drejt miqësisë së vërtetë, drejt drejtësisë, vetvetes, ligjit, bukës, lirisë dhe të mos lidhem me zinxirë të florinjtë, të shpëtoj nga shpëtimtarët gjysmakë e hipokritë, të shpëtoj dhe nga “të mitë”.

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Pirro Loli, Shpetimtaret

“KËSHTU KA THËNË LEKA”

July 26, 2018 by dgreca

… dhe kështu do të bëhet…

1 Lek Dukagjini

Se fjala e tij është e drejtë, urtësia, mençuria,  ligj dhe gjuha. Dhe dëshira e shpirti i shqiptarit përputhet me princin e vet…/

1 Pirro_Loli

Ese nga   Pirro Loli/

Lekë Dukagjini(1410-1481) ky princ bardhezi, krahu i djathtë i Skënderbeut, gjenerali i mençur që përbënte 1/3 e ushtrisë së Gjergjit tonë, që ka qenë përcaktues i fitoreve të mëdha e, më tepër se luftëtar, kapërcen breza e shekuj për t’u identifikuar si autor i Kanunit më jetëgjatë të kulturës shqiptare e evropiane.

Fatkeqësisht, ne shqiptarët e kemi parë princin dhe veprën e tij me bebëzat e syrit mjegullor. Nuk është hera e parë, që dhjetëra personalitete të historisë dhe kulturës, i kemi mohuar e përgojuar padrejtësisht, por Lekë Dukagjini  dhe Kanuni i tij përbëjnë një shembull të paprecedent: Leka dhe Kanuni janë luftuar ashpër nga armiqtë tanë, sidomos osmanlinjtë, Venediku e sllavët, por edhe nga historianë, analistë të vjetër e të rinj vendës e, mendësia e ideologjizuar komuniste e profesorëve tanë, na i ka servirur edhe autorin, edhe veprën, si “barbarë e reaksionarë”. (!)

Ndërkohë ai ngrihet, gjallon dhe vepron edhe i pagojë e u tregon brezave, se si fjala bëhet histori, si bëhet ligj, psikologji dhe si metalet e çmuara nuk e humbasin vlerën edhe plehrash e baltërash hedhur.

Marin Barleti e Fan Noli, dy mendjet e ndritura të kulturës sonë, në distancë katërshekullore midis tyre, duke fokusuar vetëm figurën e madhe të Gjergj Kastriotit, nuk e panë realisht yllësinë shqiptare. Ata, superlativë ndaj Skënderbeut, e pikturuan qiellin e Mesjetës shqiptare vetëm me një yll. Pa heronj si Leka, pa dekorin princëror të dukagjinëve, komnenëve, muzakajve, balshajve, golemëve etj., pa mijëra trima e dëshmorë që s’kishin emër, por zemrën e gjeneralëve të tyre, Gjergji ynë s’do të ishte ai Gjergji i historisë. Lekë Dukagjini, ashtu bardhezi, princëron nëpër breza e gjallon plot vlera edhe tash, pas 600 vitesh

Akademikë e profesorë në zë e kanë quajtur “vepër monumentale” (A. Buda. Sh. Gjeçovi, Kryeziu), C. Von Schëerin: “Kontribut në thesarin e kulturës botërore”, E. Durham: “Personalitet imponues”, J. Hahn: “Hero Kombëtar i popullit të vet” etj. Herë-herë ai është ngritur humbëtirave e është bërë jo vetëm objekt historik e juridik në referenca majash, por edhe objekt  gjuhësor, folklorik dhe artistik. Për të janë shkruar poezi e poema, drama, janë bërë piktura; është përkthyer në turqisht, gjermanisht, serbo-kroatisht e italisht, është lëvduar e akuzuar e, ai, ashtu princëror, krahasuar njëlloj me princat e tjerë bashkëkohës të Evropës, zhytet humbellave të Mesjetës shqiptare e për pak ngrihet sërish si Sizifi, me shkëmbin e drejtësisë mbi shpinë, me atë fjalën e tij që lyp vëmendje e përbën një vlerë unikale në të drejtën zakonore shqiptare, gjuhësore, folklorike dhe estetike.

E DREJTA ZAKONORE

Ashtu si shteti, e drejta zakonore është pjesë përbërëse e historisë. Për ne shqiptarët, e drejta zakonore( + gjuha) është dhe pjesë e qëndresës së popullit kundër legjislacioneve të pushtuesve të egër historikë. Jo më kot, të gjithë armiqtë na kanë goditur pikërisht këtu, në këtë kështjellë shpirtërore aq vitale e aq të qëndrueshme në shekuj. E drejta zakonore shqiptare, edhe për mungesë apo dobësi të shtetit, është zhvilluar si sistem normash juridike, që kanë rregulluar plotësisht marrëdhëniet shoqërore, civile, familjare, pronësore etj., duke e ngritur moralin me ligj e duke e detyruar qytetarin të njohë përgjegjësitë e tij. Origjinaliteti i kësaj të drejte qëndron në pasqyrimin me vërtetësi të psikologjisë shqiptare. Ajo do të ishte një bashkësi shkretinë pa elementët e besës, fjalës, nderit, burrërisë, mikpritjes etj. që është sintetizuar në Kanunin e Lekës, Kanunin e Skënderbeut (ose i Arbërisë), në Kanunin e Labërisë (ose i Papa Zhulit), në Kanunin e Muzakajve, në atë të Maleve etj. Ka vepruar pa përjashtim në të gjitha trevat shqiptare (mbartur shpesh edhe në diasporë), si dëshmia më e pakundërshtueshme e unitetit gjuhësor, zakonor, detyrues dhe kulturor kombëtar. Dallimet lokale të kanuneve, ashtu si dallimet dialektikore në gjuhë, kurrë s’kanë qenë të tilla, që të shndërrohen në sisteme më vete të së drejtës zakonore. Ato, së toku, përbëjnë kulturën dhe shpirtin e shqiptarit dhe kanë qenë kështjella të mbrojtjes së vetëqenies si person dhe si komb.

E drejta zakonore tek ne, fatkeqësisht, është studiuar me lentet e filozofisë M-L, prandaj dhe e padrejtë, prandaj jo shkencërisht. Edhe profesorë të nderuar si I. Elezi, Dh. Shuteriqi, kanë rënë në këtë kurth dhe i kanë parë vlerat si antivlera e, dashur pa dashur, e kanë akuzuar të drejtën zakonore, ashtu si gopçeviçët, oranoviçët etj. Duke anashkaluar studimet serioze e dashamirëse të të huajve të tjerë, si J. G. Hahn-it, F. Nopçe-s, M. Shuflaj-it, Edit Durhamit, Th. Ipenit, J. Godarit etj., duke kritikuar Fishtën, Koliqin (që paskan himnizuar Kanunin!); shkencëtarët tanë të jurisprudencës, kanë dhënë dëshmi të rëndomta antishkencore. Më i diskutuar e i përfolur keqas është fenomeni i gjakmarrjes. E drejta zakonore shqiptare gjithëpërfshirëse e trajton gjakmarrjen si institut vetëmbrojtës. Gjakmarrja nuk është dukuri vetëm shqiptare; ajo ka qenë gjithëvepruese edhe në qytetërime të tjera (që kanë bërë histori), si në Persi, në Greqinë antike, Romën e lashtë, fiset gjermane etj. Sot është vepruese në shumë vende dhe kushtetuta, madje,  dhe, kur e drejta e ndëshkimit kapital ngjitet në Kushtetuta demokratike, ajo bëhet shenjë qytetërimi. Tek ne, e koordinuar me institutin juridik të besës, zakonit, ndores etj.; ajo në shekuj është jo vetëm kategori etiko-morale, por edhe juridike. Dhënia e besës është detyrë dhe burrni, është marrëveshje dypalëshe armëpushimi, për të zbatuar e mundur urrejtjen dhe vetëgjyqësinë. Gjakmarrja në kanunet tona është penalitet dhe moral për të mbrojtur jetën e për të ndëshkuar vrasësin. Dënimi me vdekje në SHBA, Kinë, krejt Lindje e Mesme, etj, etj., sot është e drejtë juridike.

* * *

Në serinë e botimeve serioze, që nga Barleti e Noli, Biemmi nga Tivari e Dhimitër Frëngu nga Drishti, Gjon Muzaka, Buda, Zamputi etj., plus më të rejat nga Tonin Çobani,  David Luka etj. që, krahas botimit bazal të Shtjefën Gjeçovit, përbëjnë vlera dokumentare e analiza të mirëfillta shkencore. Vite të shkuara, kam mbajtur shënime për princin e largët dhe Kanunin, por ato më thaheshin që në sythe, sepse të gjitha stinët e  kulturës sonë sllavokomuniste ishin prej bore…

DUKAGJINËT

Siç shpjegon Gjon Muzaka, dukagjinët rrjedhin nga fiset e vjetër të qytetërimit mesjetar, trojanët ilirë. Ata kanë lëvizur nëpër Evropë e kanë ardhur në vendlindje të të parëve të tyre nga Franca (1202-1204). Njëri prej tyre u vendos në Itali (Venecie) e tjetri në Zadrimë, që erdh e u shumuan me toka e gjë, si sundimtarë të mëdhenj. Krahina ku shtriheshin dukagjinët popullohej nga fisi ilir i pirustëve të përmendur për mjeshtërinë e përpunimit të metaleve. Flitet për miniera argjendi në Fand, Dukagjin, Mirditë (Hopf, Suflaj) e në disa dokumente historike përmenden si përfaqësues të Arbrit, që në shekullin e 7-të, me shtrirje deri në Bosnjë.

Thuhet se mbiemrin e morën nga fshati Dukagjin, midis Mirditës e Pukës (sipas Sirdanit). Një etimologji e dytë e shpjegon mbiemrin nga fjala duk-a (dukje) +(e) gjanë, pra vend me sheshpamje të gjerë. Padyshim, pinjolli më në zë i asaj dere të madhe ishte Lekë Dukagjini, i lindur në Ulpianë  më 1410.

Edhe sot njihen kështjellat e tij pranë Drinit, në Iballë, Pejë, Kukës, Gjakovë, si dhe toponimet Sofra e Lekës, Guri i Lekës, Lisi i Lekës, Livadhet e Lekës, apo Dajlani i Lekës (mbi Vaun e Dejës), e  mbi të gjitha “Kanuni i Lekës” që u ka  qëndruar shekujve si shkëmb historik.

Leka ka pasur grua Teodhorën, motrën e Gjon Muzakës e dera e tyre i lidhte krushqitë me dyer princash. Motra e tij, bukuroshja Roza, kundërshtoi dorën e princërve Krajloviç Marku, Millosh Obiliqi e Rela, për motive patriotike të lidhura me prapaskena turko-sllave. (E legjenda thotë, se në pabesi Krajloviçi i nxori sytë dhe i preu krahun Rozës, duke shtuar mërinë shekullore që na ndan me ta). Thuhet se kështjellat e tij ishin nga më luksozet në Evropë, kurse kupa e verës e Princit Lekë ishte prej floriri e nxinte 9 litra verë. Principata e Dukagjinëve ishte nga më të mëdhatë në Shqipëri. Ajo përfshinte Zadrimën e Sipërme gjer në kufi me Serbinë. Ulpiana dhe Lezha qenë kryeqendra. Zadrima, Puka, Selita, Fani, një pjesë e Mirditës, Gashi, Krasniqi, krahinat e Pejës e të Gjakovës etj., ishin domene të Lekë Dukagjinit. Në fqinjësi me sllavët, atje ku mbaronte besa, Leka do të kishte probleme nga një aleancë e fëlliqur ortodokse-islame (Sulltan Murati i Dytë ishte martuar me bijën e Gjergj Brankoviçit, që sundoi Serbinë në vitet 1427-1456). Me ta ishin të qarta kufijtë e urrejtjes. Dhe shumë herë të tjera Evropa do të përkëdhelte Turqinë, në dëm të shqiptarëve që u bënë mburojë për vetë Evropën.

Lekë Dukagjini është përfolur edhe në marrëdhëniet me Skënderbeun, me Lekë Zaharinë e me Senjorën Venetik. Argumentet historike kryesisht të huaja, e vendosin të drejtën nga ana e Lekës. Një gjë është e saktë: Evropa, me gjithë dredhkat që i bënte Skënderbeut, e njohu atë si hero të shqiptarëve dhe të kristianizmit, por ajo kurrë, kurrë nuk e njohu ashtu siç e meritonte popullin shqiptar dhe princërit e tjerë në krah të Skënderbeut, ajo nuk ka njohur dhe vlerësuar zakonet e ndritura të shqiptarëve, kulturën tonë, paçka se fillesat e qytetërimit të saj nisin nga ilirët dhe trojet e tyre. Sidoqoftë, Lekë Dukagjini dhe Kanuni i tij, është ngritur në mit nga populli shqiptar. Dhe kur miti identifikohet me jetën e njerëzve që e krijojnë, ai fiton kuptimin universal dhe përhumb zanafillën historike… Pas vdekjes së Lekës, që luftoi si Skënderbeu edhe 15 vjet pas tij, e gjithë Shqipëria u bë gërmadhë. Qytete të mrekullueshme, që krahasoheshin me qytetet italiane, u rrafshuan e raca italiane mori goditje totale. Edhe për Evropën, që “më shumë kishte marrë, se u kishte dhënë shqiptarëve”, atdheu i trimave u bë një realitet i harruar e për qindra vjet, mollë për t’u kafshuar nga fqinjët.

KANUNI

Emri i Lekë Dukagjinit është identifikuar me veprën e tij, Kanunin, aq sa asnjëri s’qëndron dot pa tjetrin. Kjo përbën cilësinë e autorëve dhe veprave të mëdha, në të gjitha fushat e dijes njerëzore. Pak autorë e kanë këtë fat.

Kanuni zë fill pas vdekjes së autorit, në një nga kohët më të terrta e të shkatërrimeve të historisë mijëvjeçare të racës sonë, në natën osmane. Ndërsa Shqipëria u shkul nga themelet e kështjellat e qytetet ranë, nuk ra kështjella shpirtërore e shqiptarit. Shqiptarët u strehuan maleve e gërxheve e luginave të thella, në jug dhe në veri të vendit, ku nuk dëgjoheshin tamtamet aziatike. Brenda në gjoks morën gjuhën dhe kanunin. Larg garnizoneve barbare e në thikë për thikë  me ta (shqiptarët morën dhenë gjetkë, drejt detit) e, ata që mbetën, e ruajtën lirinë e tyre, gjuhën, zakonet, kulturën, me një rezistencë të pashembullt, kur të tjerët, dhe vende e shtete të mëdha, u asimiluan e u tretën si kripa. Shqiptari i besoi shpirtit të tij, i mbërthyer në një ekzistencë primitive (me një thi e me një gjel), ai jetonte lirshëm në balada, zakone, këngë… Oksigjen kishin gjuhën e madhe shqipe. Shtet dhe moral dhe detyrim dhe liri kishin  Kanunin. Që funksiononte pa asnjë administratë, polic, burg e gjykatë. E  kish bekuar Skënderbeu këtë Kanun në një Kuvend pleqsh të të gjithë veriut, e ashtu mbeti, i pandryshuar për qindra vjet.  “Paskan mbetë si e tha Leka”.,

Specifika e Kanunit: nuk bazohej në fjalën e shkruar, por në të thënën. Ashtu, gojë më gojë, ai përhapej e bëhej dije. Ashtu, si Homeriada, që u shkrua pas Homerit, ai mbështetej tek fjala e urtë (artistike) figurative, me atë koncizitet e saktësi si në poezinë e madhe. Këtë “monument unikal” e mblodhi dhe e shkroi shkencëtari Shtjefën Gjeçovi. Në 2000 faqe dorëshkrim, ai punoi 30 vjet, derisa Kanuni u botua i plotë më 1933 në Shkodër. E strukturoi në 12 libra, 24 kapituj dhe 159 nënkapituj. Nuk besoj të ketë libër ligjor apo Kushtetutë në botë, që 1263 sentenca jepen me fjalë të urta; një vulë e veçantë kjo, për drejtësinë, nivelin dhe floririn e urtësisë popullore.

…

Ne, te keqedukuar nga dogmat bolshevike,  nuk kemi parë në këtë Kanun mishërimin e mendimit progresiv të Rilindjes evropiane, ku lartësohen të drejtat natyrore të njeriut të lirë, në një bashkësi të lirë, njëkohësisht, gjithmonë e gjithmonë,  të pushtuar nga të huajt… Kanuni u botua menjëherë në gjermanisht dhe Universiteti i Lajpcigut i dha Shtjefën Gjeçovit titullin “Doktor Nderi”. Të mos harrojmë se Gjecovi ishte shkencëtar i madh. Ai ishte pjesë e  një katërshe  të shquar franceshkanësh me botime të shquara   si Lahuta e malcisë e Gj. Fishtës, Visaret e kombit  e B. Palajt, Përralla Kombëtare e Donard Kurtit dhe Kanuni që mori emrin e nderuar të tij;të katra këto vepra monumentale  këto në kulturën tonë kombëtare. Mbi to heshtja dhe goditjet kanë qenë kriminale. Indinjohem që Gjecovi ynë, juristi, gjuhëtari, arkeologu, folkloristi … nuk ka asnjë çmim nga dheu amë, as nga universitetet, as nga akademitë; të gjithë e kanë vrarë shpirtërisht në mënyrë akademike e , ndofta prandaj e vranë dhe fizikisht armiqtë më të egër të popullit tonë,  më 14 tetor 1929. (!)…

Goditjen më të madhe autori dhe vepra e morën në mesin e viteve ’60-të, kur prijësit e çartur me “profesorët” e tyre enveristë e quajtën “barbar dhe reaksionar”, duke ndërmarrë kështu fushatën më absurde kundër çdo gjëje tradicionale: fesë e institucioneve të saj, traditave, zakoneve, kanuneve… Mendësia politike e një politike të pistë postkomuniste, e ka goditur dhe shkatërruar Kanunin edhe pas viteve ’90-të, duke justifikuar kështu keqqeverisjet “bashkëkohore”. Në fakt, as gjakmarrjet e shumta të tipit mafioz e rrugaçëror, as ngujimet e sotme në disa zona të veriut, nuk kanë të bëjnë aspak me Kanunin e, aq më tepër s’kanë të bëjmë me besën e dinjitetin e shqiptarit. Thjesht, ato s’janë vrasje “me Kanun”, por me “pseudoqeveri”, dëshmia më e turpshme e reminishencave të regjimit turko-sllavo-komunist.

Kështu, kanunet tona, plagët i kanë më të rënda nga bashkëkohësia shqiptare e këtij shekulli, shprehje e një vetëvrasjeje shpirtërore me pasoja afatgjata.

Origjinaliteti i Kanunit të Lekë Dukagjinit del duke e krahasuar me legjislacionet popullore të vendeve të tjera të Evropës mesjetare. Ai i ngjan Common-loë-t,  anglez, por ai anonimat, fatlum, sepse vetë parlamenti i hershëm vepronte si gjykatë në bazë të Common-loë-t. Pikërisht fatlum, sepse kanuni i pashkruar anglez (700 vjeçar) ka përcaktuar parimet themelore të jurisprudencës anglo-amerikane, sot më përparimtarja në botë. (Kujtojmë se ky legjislacion, edhe sot, njeh dënimin me vdekje të vrasësve). Ndërsa Kanuni ynë…(?? ) gjatë 70 viteve të fundit kemi ndërruar 6-7 Kushtetuta dhe kjo në fuqi (e teta pas 90`)i ka themelet në rërë ose në sloganet burokratike të komisionerëve evropianë…

Kanuni ynë është pjesë e ndërgjegjes së vrarë kombëtare, kulturë e mohuar e korpus balador, por rezistent e i paprekshëm si baladat e mitet. Kurrsesi s’mund të quhet i pakulturuar e primitiv, një popull që i beson këngës e baladës e fjalës, që me majën e gjilpërës ka qëndisur veshjen e tij me larmi e art të pashoq, që çdo krahinë e qytet ka një origjinalitet veshjesh e këngësh, që dramat e tij i ka të pashkruara, që qytetet moderne i ka të mbuluara me dhé, që Evropa e fqinjët e tij veç e kanë lakmuar e kanë marrë prej tij, që ka mitologjinë më poetike në Evropë etj. etj.

Le ta shohim Kanunin paksa sa na lejojnë këto shënime, brenda në shtyllat e tij, atje ku dhe plagët i ka më të mëdha:

 

“FJALA MORT NUK BAN”

Sikur mban një urtësi biblike kjo sentencë (“e para ishte fjala”), diçka nga lindja dhe krijimi. Fjala e shqiptarit (në gjuhën më të vjetër të Evropës, e njohur që atëherë kur evropianët dilnin nga shpellat e vareshin nëpër pemë), është frymë dhe veprim, liri dhe e drejtë, përgjegjësi dhe urdhër. Fjala e zgjedhur, elitare, e pandryshueshme dhe stoike si guri i kështjellës… E tillë sepse “nuk ban mort”. Fjala shqipe në Kanun, si semantikë dhe ndërtim, shpreh një urtësi popullore të provuar dhe aq elegante e koncize, aq figurative dhe e drejtpërdrejtë, identifikohet me të drejtën dhe të vërtetën; dhe postulat juridik, dhe e bukur e tingëlluese, ajo të kujton poetët e mëdhenj. Jo vetëm Kanuni, por e gjithë kultura shqiptare, është një Homeriadë, mbledhur e ruajtur, fillimisht si e thënë.  Ashtu si Iliada dhe Odiseja, ashtu si këngët e kreshnikëve, si baladat, këngët, përrallat. E thëna është më e vjetër se e shkruara. Ajo është baza dhe oksigjeni i çdo dije e arti të madh, ata që filluan të ulin fjalën në letër, veç vlerës dhe qytetërimit që sillte shkrimi, tinëzisht mohuan prejardhjen shqipe… Dhe senjoret e vjetra e të reja (greqishtja, latinishtja, frëngjishtja, italishtja etj.) origjinat i kanë te fjala iliropellazgjishte.

Por le të vijmë tek objekti ynë:

Fjala në Kanun është gur i cmuar e shërben edhe si dije, edhe si nen e paragraf ligjor. Si e tillë, ajo ruan jetëgjatësinë shekullore, si në një Kushtetutë të sprovuar. “Gjaku shkon për gjak”, “Grueja është shakull për me bajtë”, “gja çdo gja”, “Pas pengut shkojnë opingat”, “fala s’ta fala”, “Kanuja s’e kap”, ”Cubi asht me be në krah”, “kamba e huej, kaptinat tona”, “be mbi be kanuja s’ban”, etj. Këto fjalë e sentenca juridike kaq jetëgjata, kanë rregulluar marrëdhëniet komplekse të një komuniteti, që, si ai, ka përballuar trysni vullkanike, ushtarake, administrative e shfarosëse nga armiq të egër. Kjo fjalë, si nen, ishte rezistencë patriotike e kulturore dhe ka përballuar kundërshti të shumta ideologjike, por ka vërtetuar edhe dobësinë e sistemeve-gjoja moderne të shteteve e qeverive të përkohshme.

Nga 1920 deri më sot, numërohen dhjetëra qeveri të përkohshme që kanë mbjellë mosbesimin e qytetarit tek shteti i tij, deri në vetëgjyqësi primitive, fatkeqësisht dukuri edhe pas 90`

“GJYQ MBI GJYQ KANUNI NUK BAN

”Institucioni i pleqësisë dhe fjala e urtë (kuvendet dhe nenet) kanë qenë çelësa të administrimit të jetës. Pleqësia është Kuvend burrash të zgjedhur. Jo kushdo merrte pjesë në Kuvend dhe kushdo njihej si “i urtë”, “burrë”, apo “plak”. Vetëm urtësia, fjala e mençur, e drejta dhe e vërteta ishin kritere vlerësimi, më tepër se vota. Pleqësitë, tradicionalë në çdo cep të kombit shqiptar, ruanin një urtësi, vendimmarrje e organizim të përsosur intuitiv, deri në përgjegjësitë penale të tyre e të palëve të kundërta, deri në shpalljen e luftës e mobilizimin e përgjithshëm. “Plak mbi plak, gjyq mbi gjyq e be mbi be”, kjo sentencë kuptimplote tregon, se asnjë çështje s’mund të gjykohet në shkallë të tjera. Juridiksioni (i pleqësisë) ka vetëm një shkallë dhe kjo “është e formës së prerë”, si të themi, të barabartë me një Gjyq Kushtetues, që kanë sot vendet demokratike. Edhe pleqësia e një fshati të vogël ballafaqohej me të drejtën kanunore, direkt si me të drejtën kushtetuese. Më së paku, kjo është shprehje e një përgjegjësie (ligjore) të shkallës më të lartë, që rriste autoritetin e pleqësive apo Kuvendeve që në hallkën fillestare.

Krahas pleqësisë, si një element organik përbërës i Kuvendit, lartësohej institucioni i besës, i be-së dhe i pengut. Veç karakterit të fuqishëm, besa tregon dhe rëndësinë e fjalës në Kuvend. Burri flet njëherë dhe nuk luan me fjalën. Burri lidhet me fjalë, jo me pranga e ai mund edhe të vritet, por jo të rrihet, të torturohet e të poshtërohet. Besa dhe pengu u jepet Kuvendeve, ose të dy palëve në kontradiktë, me vullnet të lirë dhe me përgjegjësinë e vendimit, pavarësisht palës fajtore. “Pas pengut shkojnë opingat” e këtu si në një gjyq qytetërimi, njihet edhe e drejta e mbrojtjes së dëshmitarit. (Kujtojmë se tash pas 600 e ca vjetësh, Kuvendi ynë Popullor mezi ka  hartuar  ca nene për mbrojtjen e dëshmitarit!). “Del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit”, ky “nen” nënkupton, se gjithkush mund të gabojë, pavarësisht detyrës, figura penale nuk përjashtonte as prijësit e vet, shprehje kjo që përcakton shkallën e drejtë dhe demokratike të pleqësisë. “Ndera e marrur gjobë nuk ka”, “Shtëpia e shqiptarit asht e zotit dhe e mikut” e “Mikut i lëshohet kryet e vendit”, por “ai nuk prin, por duhet t’i prijsh”. Një besim kaq shpirtëror tek fjala e urtë, te besa, te beja e pengu, pa ekuivokë e nënparagrafë, tregon se kemi të bëjmë me qytetarë dinjitozë. Gjithë ngrehina e Kanunit tregon një shkallë qytetërimi iluminist të një populli, që, veç është nëpërkëmbur e sharë, pikërisht në monumentet shpirtërore të tij. Nuk gaboj të them, se këshillat e sotme të komunave, bashkive e prefekturave, nuk e kanë autoritetin e pleqësive përkatëse të Kanunit. Kjo tregon, se qytetari shqiptar i historisë së re, është qytetar në rënie e diagrami i drejtësisë ka bërë më të poshtë…

Shembujt janë tepër diskreditues e më së paku tregojnë, se në raportin shtet-qytetar, mosbesimi është bërë normë, siç është bërë normale gënjeshtra e ministrit, kryeministrit apo presidentit(!) dhe kjo nën asistencën e Evropës!

“GJAKU SHKON PËR GJAK”…

Është faji, pa është ligji. Është një gjak fillestar, që nëse nuk lahet, bota njerëzore do të vriste në kaos. Sentenca “Gjaku shkon për gjak” në Kanunin e Lekës ka tërhequr mbi vete të gjitha shigjetat e akuzave dhe nga armiq e dashakeq të kulturës sonë, i është vënë vula Kanunit si Kanun gjakatar, i egër e barbar. E gjithë përmbajtja e këtij kapitulli, në fakt është kundër gjakderdhjes. Le t’u drejtohemi të vërtetave:

“Gjaqet i la Leka një për një”, domethënë po vrave, duhet të vritesh e krim të tretë nuk ka. Sipas Kanunit, gjaku ka vlerën juridike të të gjitha mbrapshtinave, por me ndryshimin esencial, se grabitja është një pre që dënohet “dy me një”, ndërsa gjaku “një me një”. Spekulimet e shumta e trajtojnë këtë marrje gjaku si vetëgjyqësi. Në fakt, është zbatim ligjshmërie zakonore e përcaktuar dhe e pranuar me vullnet të lirë nga një bashkësi historike etnokulturore. Aq më pak, s’kemi të bëjmë me hakmarrje, e aq më tepër se ky nen nuk përjashton askënd. “Kanuni nuk është shenjë e barbarisë apo e kanibalizmit të shqiptarëve”, – thotë Gjergj Fishta, – “ndëshkimi me vdekje i vrasësit në Kanun, ka qenë si një vendim i dhënë nga një gjykatë evropiane e asaj kohe”…

Pra, ekzekutori (qytetari apo polici), “nuk ban gja tjetër veçse çon në vend një ligj”… sikurse edhe francezët ia prenë kokën Luigjit XVI, sipas ligjit të tyre… Të marrunit e gjakut vazhdon Fishta, buron prej rrethanave të përjashtme e prej të metave të organizimit shoqëror të një kombi, jo prej gjendjes shpirtnore të tij. “Gjak për gjak” është plotësisht parandaluese, për një rrjedhje gjaku zinxhir, dhe jo siç e kanë interpretuar ata që e kanë lexuar së prapthi. Në Kanun edhe gjakësi ka mbrojtje ligjore si cubi, por ai është më i mbrapshtë, pra, atë që ka shkaktuar duhet ta paguajë me të njëjtin çmim. Nenet përkatëse, progresi i gjakmarrjes së drejtë (me Kanun), koha, shenjat, respektimi i viktimës etj., të kujtojnë kohën homerike të ballafaqimeve burrërore, të kujtojnë skenat e dramave madhështore të njeriut. Dhe të dramave të medha mitike.  “Kush e jep fishekun, kush prin në vrasje, kush e heq gishtin, dorasi e dorëzania” kanë kuptim në zbatimin e përpiktë, gjykimin e paanshëm dhe ndikim parandalues. “Shpirt për shpirt, se dukjen e fal Zoti”. E tillë është dhe dorëzania, ky “polic modern”, i njohur në Kuvend si një ndërmjetës për zgjidhjen e keqkuptimeve. “Gjaku shkon për gisht”, “Gjaku s’bahet gjobë”, “Kush vret vetin, shkon gjakhupës”, etj., flasin vetë. Vini re: Viktima nuk futet në gjak me shtetin. Gjaku që shkakton shteti, s’lahet me gjak. Kjo është një shenjë qytetarie kanunore. (Kujtojmë, se, sot, “në demokraci”, ka raste kur qytetari hakmerret edhe ndaj policit, gjykatësit, prokurorit apo dëshmitarit, domethënë është më primitiv se njeriu i Kanunit. Po si i bëhet kur Prokurori a gjykatësi apo polici gjykojnë me sy në xhep? Po atëherë kur përfaqësuesi i shtetit është vrasës dhe pjesëmarrës në krim? Atëherë, zotni, punët shkojnë keq e qytetari është i detyruar të bëjë vetëgjyqësi.

Kanuni përjashton nga hakmarrja të pambrojturit ose qeniet e dobëta, si pleqtë, gratë, fëmijët, madje dhe burrin që fshihet pas gruas.

Gjakmarrja ka qenë dhe është e njohur në shumë qytetërime dhe përvojat juridike tregojnë, se sa më të forta të jenë ligjet ndaj kriminelëve, aq më tepër shoqëria çlirohet nga krimi. Dënimi me burg të përjetshëm, sipas Evropës së re, për mendimin tim, nuk është më human se vrasja e vrasësit. Një jetë në burg, lidhur me zinxhirë duar e këmbë në një birucë, është më vrasës se vrasja. Jo se jam kundër Evropës, por në kushtet e vrasjeve kaotike në shoqërinë shqiptare në tranzicion, unë nuk do të votoja për heqjen e dënimit me vdekje… Natyrisht, jo çdo vrasje është vrasje dhe çdo krim ka rrethana lehtësuese që i njeh ligji dhe Kanuni…

“GJA ÇDO GJA”

Gjë çdo gjë. Prona çdo gjë. Prona është gjithçka. Kjo sentencë kaq hermetike, këto dy fjalë dyrrokëshe (gja çdo gja), shprehin parimin bazë të Kanunit-shenjtërimin e pronës private, themelin e të gjitha marrëdhënieve shoqërore. S’ka asnjë ndryshim nga parimi universal i shoqërisë së sotme demokratike, të sanksionuar te të gjitha instancat ndërkombëtare për pronën.

Më kot u kemi rënë në qafë kanuneve shqiptare!

Prona private, sidomos ajo mbron tokën, truallin e shtëpinë, është dukuri e lirisë, madje rritja e pronës shkon proporcionalisht me rritjen e lirisë. Të morën tokën, truallin e shtëpinë, domethënë të morën lirinë, ekzistencën, gjithçka. Sepse veproi kështu regjimi bolshevik në të gjithë lindjen komuniste, ndaj solli një nga krizat më të mëdha të njerëzimit në marrëdhëniet me pronën dhe shpërndarjen. Sikur këta vjetët e demokracisë shqiptare, të zbatonim parimin bazë të kanuneve tona, shoqëria jonë nuk do të ishte kaq problematike e konfliktuale. Dhe koha po provon, se ato Kushtetuta që nuk zbatojnë këtë ligj themeltar, gjithnjë do të kenë tronditje sizmike, bashkë me qeveritë përkatëse. Dhe plaga e pronës akoma rrjedh gjak.

Në këtë pjesë të Kanunit lexojmë:

“Themeli nuk shkulet”, “Guri i kufirit ka dëshmitarë prapa”, “Kufijtë e tokës nuk luhen”, “Kufini nuk ban lak”, “Ndera e vathit asht në kumbonë”, etj., etj., që në sentencën “gja për gja” përmblidhet gjithë esenca e të drejtës mbi pronën private. (shihni sa poetikisht shprehen edhe pronat për ujërat, udhët, ledhet, etj: “Ujët asht gjaku i tokës”, “udhët janë dejet e tokës”.

“GRUEJA ASHT SHAKULL PËR ME MBAJTË”

Kjo fjalë e Lekës dhe krejt pozicioni i gruas në Kanun është më e diskutueshmja dhe më e keqtrajtuar. Kjo mori goditje veçanërisht në vitet 60-të, kur propaganda sajoi të ashtuquajturin “emancipim të gruas”. Sentenca është cunguar dhe keqtrajtuar edhe në përkthimin anglisht, gjermanisht e italisht, fakt që ka ardhur jo vetëm nga paragjykimet, por edhe moskuptimi i shqipes.

Kujtojmë se pozicioni i gruas ka qenë inferior edhe në botëkuptimin babilonas, para 6000 vjetësh, edhe në atë biblik para 2000 vjetësh, edhe në atë islam para 150 vjetësh. Edhe sot, në demokracitë e zhvilluara, pozicioni i gruas nuk është i barabartë me të burrit, në asnjë vend të botës. Kjo mendoj, rrjedh jo vetëm nga tradita, por edhe nga mundësia më e madhe që ka mashkulli në fushën e dijes dhe të mendimit. Që kur u vendos pozicioni i mashkullit në shoqërinë njerëzore, njerëzimi hodhi hapin drejt kulturës së qytetërimeve që pasuan. Edhe perënditë në tragjeditë e Eskilit “Orestiada” gjykuan në favor të Agamemnonit dhe të Orestit, jo të Klitemnestrës.

Në Kanun gruaja nuk është aspak “kafshë ngarkese”, as e ngarkuar me mitrën e saj (barrën), as për të mbajtur burrin e vet, as për dru zjarri e buljerë uji. Shtrembërime të tilla kanë qenë të qëllimshme, por edhe nga moskuptimi figurativ i fjalës së urtë. “Shakullin për me bajtë”, autori i librit “Princi i përfolur” (T. Ç.), e shpjegon: “Shakulli” nuk është kosh, as samar, as buljerë. Dhe fjala “me bajtë” nuk ka kuptim “transportin”. Shakulli në malësitë tona (por edhe në jug) ka qenë një enë e mjedisit pastoral, ndërtuar me lëkurë të imtash, që përdorej për të mbajtur verën. Thuhet se vera në shakull ka një aromë të këndshme dhe e ndërtonin amvisat e atëhershme. Askush nuk ka vërejtur në këtë fjalë kuptimin figurativ. Shakulli është lëkurëhollë, i butë, delikat, i brishtë e vera joshëse që të deh (siç të deh gruaja). Ka kuptimin e një gjëje të mirë, eterike, diçka nga ëndrra e një ndjenje sensuale. Kjo është punë poetësh… Fjalët e urta grueja e ngarkueme (shtatzënë) si maza e tamlit (qumështit)”, “grueja e veje flet vetë”, etj si: “grueja s’bejn në gjak”, “., si dhe gjithë procedura e trajtimit të gruas në Shqipëri, nuk ishte aspak më poshtë se simotrat e saj legjislative në Evropë..

Dhe diçka tjetër: Figura e nënës, motrës, nuses, vjehrrës, kunatës, në marrëdhëniet familjare shqiptare, rrethohen me respekt, me dashuri e humanizëm, ato lartësohen në folklorin tonë, në mite, përralla e këngë, madje poetizohen mrekullisht, jo vetëm se lindin fëmijë, por edhe se janë kaq dinjitoze, kaq me shpirt artisti, kaq të bukura e të qëndrueshme, kaq besnike e të ndershme; ajo mban qiellin e dashurisë mbi supe dhe rrezaton vetëm dritë e mirësi dhe është e pakrahasueshme me gjetkë e ngjetkë… paçka se ne nuk dimë t’i puthim dorën formalisht e labi thotë: “Të dua, moj qene”!…

SI PËRFUNDIM:

Kurrsesi nuk shtrohet problemi, që ne të aplikojmë sot Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ai, si çdo Homeriadë, duhet trajtuar si monument kulture. Dhe si çdo monument, rrezaton përvojë, drejtësi e stadin e një jete gjashtëshekullore, plot dritë e hije të bukurisë e shkëlqimit të vjetër të racës sonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: ka thene Leka, Keshtu, Pirro Loli

JANI DILO MISIONAR I KOMBIT SHQIPTAR

May 14, 2016 by dgreca

Nga PIRRO LOLI/

Jani Ilia Dilo është një personalitet tejet kompleks që ndriti në dy fushëbeteja të mëdha: në atë të luftës që zgjati 10 vjet (39-44 kundër fashizmit italian e gjerman dhe 44-49, kundër komunizmit )dhe në atë të dijes që zgjati terë jetën e tij. Në baltën 70 vjecare, hedhur mbi të ka mbirë bar i zi. Por balta dhe llumi nuk mundën ta tjetërsojnë thelbin e kwtij njeriu që unë po e them me bindje se ishte misionar i kombit shqiptar..

Më tepër se Dita dhe fama e dilenje, sot le të jetë kjo ditë që na ofron Shoqata kulturore “Çajupi” dita jonë, dita e fjalës së lirë, dita e një mirëkuptimi dhe pajtimi të gjerë shoqëror, a thirrje modeste për të zbuluar të vërtetën. Por e vërteta historike si thelb është e prirë të lërë copa nga vetvetja, edhe kur shkruhet nga fituesit dhe nga humbësit.

Dilenjtë jetuan me nder, ata i dhanë emër kohës së tyre, por lartësuan dhe majat e Dhëmbelit e të Cajupit dhe supet e kombit; ata ishin ushtarë shembëllorë me penë e më pushkë dhe sot nuk kërkojnë ndere e dekorata. Ne, më tepër se ata, kemi nevojë të ngrihen flamujt e së vërtetës në historinë e këtij vendi.

Ata që dënuan Aristidh Rrucin e Jani Dilon, që i mbuluan dilenjtë me heshtje, që u lëvizën dhe eshtrat, ata që i burgosën e i torturuan një jetë të tërë, gratë, djemtë dhe nipat, persekutorët, që nuk kanë munguar as në Zagorie, po harrohen, ndërsa Dilua e Rruci, Jani, dhe krejt familja e madhe e dilenje, të ringjallur tashmë deri në nivelin “Nderi i Kombit”, ashtu të freskët e të bukure fisnikë, po i afrohen atdheut me amanete të rënda. Zagoria e vogël që nuk kishte as njëmijë banore ka pasur një elitë të shquar intelektuale. Atë, fshatin e vogël “me kishë e me varre”, e bënë të madhe e të dëgjuar bijtë e saj më të mirë, njerëzit e mençur, të penës e të dyfekut. Zagoritët kanë qenë gjithmonë më këmbë për ardheun e ndizen si ajo eshka e thatë që e merr zjarrin me një fërkim.

Burra dhe djem të tillë, si A.Z Cajupi, Mihal Harito, Aristidh Rruci, Ilia Dilua, Petro Harito, Jorgji Çakua, Diogjen Haritua, Kostika, deputetët e saj në të gjitha regjimet , dhjetë dëshmorët e shenjtë me në krye heroin Themo Vasi, komandantin e shquar, Pano Xhamballo, misionari i spikatur Jani Dilo etj, mbi të gjitha kishin një vizion te qartë kombëtar.

Për zagoritin, cdo gjë që i ndodh atdheut i ka ndodhur dhe atij. Natyrisht e vërteta e një kombi, nuk është sumim i të vërtetave individuale. Njeriu nuk është identik me njerëzimin. Dhe krimbat e një peme nuk do të thotë se janë të të gjithë pyllit.

* * *

Jani Dilo lindi më 17 janar 1911. Krejt moshës së adoleshencës dhe rinisë ( në liceun e Gjirokastrës dhe të Korces)ka qenë nën mbikëqyrjen e të atit, mësuesit të madh Ilia Dilos. Është pak të themi se qe nxënës i shkëlqyer. Ka qenë shok shkolle me Enver Hoxhën në lice. Pas liceut të Korcës ndjek studimet e akademisë ushtarake në Romë dhe paralel me të vazhdon studimin për financa dhe shkencat politiko shoqërore sidomos ato juridike. Si oficer i ri shërben në Korcë, gradohet shpejt në pozitë dhe më 1933 (23 vjec) emërohet sekretar i përgjithshëm në shtatmadhërinë mbretërore.

Ditët e para të atij prilli të zi të 1939-s Jani Dilon e gjen në Korcë me preokupimin e një organizimi ushtarak kundër fashizmit. Më 5 prill në krye të ushtërisë niset për Këlcyrë, merr urdhër për t’u kthyer dhe më 7 e 8 prill gjendet në Larisa. Në kalimin e tij dezertues, Mbreti Zog zgjodhi oficerin e tij të njohur për ta shoqëruar, por Jani nuk ndoqi udhën e mbretit , as të lumturisë së tij, ai kthehet menjëherë në atdheun e pushtuar. Në Korcë takon një gjeneral italian, ish pedagogun e tij në Akademinë e Romës. Ai zgjatet ta përqafojë ish studentin e tij të shkëlqyer, por Jani Dilo , i vë dorën para dhe i thotë :Të desha e të respektova si profesor, por jo si gjeneral që ke ardhur të pushtosh vendin tim. Ai i propozon postin e ministrit të arsimit. Por, më kot. Ai tashmë do ta shikonte veten ushtar dhe oficer i atdheut me armë në dorë, krye të 2000 forcave gjithmonë të gatshëme, të organizuara në qarkun e Korcës. Ka aktivitetet të dendur ushtarak në Korcë, Leskovik, Kolonjë, Përmet, Skrpar, Malësinë e Veriut dhe në Kosovë sidomos në Prizren. Mithat Frashëri e kish emëruar Kmandant në atë qark e ai shquhej mbi të gjithë i pakursyer si ushtar me armë në dorë dhe si oficer madhor e organizator i talentuar. Italianët e kapin e internojnë në Itali e pas internimit përsëri Jani Dilo është në luftë. Mithat Frasheri e kish projektuar si Ministër kombëtar, por jemi akoma në luftë e Jani do ishte ushtar e komandant. Për tu përmendur : Në Leskovik autoriteti i tij shpëton 100 burra nga pushkatimi dhe Leskoviku nuk u dogj sic kish vendosur komanda italiane.

Në Kosovë një grup kosovarësh donin të hakmerreshin ndaj një grupi serbësh të kapur rob. Jani Dilo urdhëron prerë: “Në asnjë mënyrë. Ne duhet të fitojmë me vetveten. Në doni të vrisni, vritmëni mua.” Në shumë shkrime të tij ai proteston ashpër kumdër komunistëve sidomos ndaj Mehmet Shehut dhe agjentëve jugosllavëve të tipit Mugosha, që vrisnin njerëz të pafajshëm dhe pushkatonin edhe robërit. Nuk donte terror dhe vëllavrasje. I tha Mehmet Shehut ne Kuçovë : “Nuk mund t’i jap dorën , dorës sate që është lyer me gjak shqiptari”. Ato vende ku shkelte këmba e tij ishin ishuj lirie. Jani nuk humbi asnjë beteje, anipse PBK, për arsyet që dihen dhe nuk dihen akoma, humbi luftën. Nuk harrohen, Betejat në Barmash dhe Qafë Thanë ku komandoi edhe forcat partizane e ku mbetën dhjetra gjermanë të vrarë.

“Shkemb dyfeku” e quajti Jani Dilo-n Mit’hat Frasheri në mbledhjen e K. Q. Me te drejtë Bazi i Canes tha: luftë kundër gjermaneve di të bejë vetem Jani Dilo ,ballë pëer ballë me ta e jo, 3 dyfekë e pastaj mbathja nga sytë këmbët….Në Korcë, para Bashkisë dora e një atentatori u drodh përpara Jani Dilos, dhe plumbi kapi qytetarin H.F. Oficerët anglezë dhe ata amerikanë që ndihmonin forcat partizane në Shqipëri vetëm premtonin se do të këtheheshin… E, ajo ditë që nuk erdhi kurrë, lidhej me stinën kur të “fillonte me dalë gjethi i fikut…” ndërkohë, dimri bolshevik, po thante edhe barin e fushave…

Jani Dilo dhe BK punuan me mish e me shpirt për Marrveshje, Por, sic dihet marrveshja e Mukjes u tradhëtua djallëzisht , akt ky që i kushtoi Shqipërisë një dramë gjakatare me regjisor agjentëturën serbe. Akademiku Jani Dilo që luftoi kundër fashizmit italian e gjerman e humbi luftën dhe në fund të nëntorit, 44`, sw bashku me liderin e tij Mit`hat Frashërin arratiset me një barkë për Itali.

Theksoj se brenda mureve të burgut dhe në arrati jashtë atdheut, nacionalistët, nuk e bindën dot kohën e vet me drejtësinë e vet. Drama e tyre mori përmasat e një drame kombëtare ku ata,“reaksionarët”, intelektualët e vërtetë të dyerve të mëdha të Shqipërisë e të universiteteve evropiane, – nuk arritën të realizoheshin, sepse liria e tyre ishte liria e munguar e kombit shqiptar. Më 6 mars 1945 Jani Dilo dënohet nga gjyqet ushtarake si kriminel lufte e tradhëtar.

Para se të largohet për në USA, 1950, ai, ra viktimë e një loje aspak objektive dhe të ndershme antikomuniste e drejtuar me verbëri nga aleatët britanikë dhe amerikanë. Kjo ndërmarrje ngarkon me përgjegjësi sidomos pseudomiqtë e aleatët tanë britanikë që për mendimin tim, po luanin thjesht një aventurë provokuese duke sakrifikuar edhe më gjakun e viktimave të parealizuara, tashmë mundës. Jani Dilo, i pari nga oficerët shqiptarë që i tha lordit Barthel se po hiqte dorë nga ajo aventurë sepse kish nuhatur tradhëtinë. Pas këtij monenti ai strehohet në USA dhe në të gjitha shkrimet e tij publicistike në disa gjuhë do mbronte lejmotivin e tij, se vatani duhet të çlirohet nga të vetët…

Ai nuk qe një ushtarak i thjeshtë, qe një strateg e politikan . Duke folur në ansamblene e Shteteve te roberuara , J. Dilo që, jo më kot, ishte zgjedhur si kryetar i delegacionit te Bashkimit Ndërkombetar te fshataresisë deklaroi se një politikë çlirimi “ do te thotë praktikisht qe Bashkimi Sovjetik të detyrohet të tërhiqet në kufijtë e mëpareshem”.. ka ardhur koha për ndryshime” E. D.fq. 272-273) . Kjo deklaratë do të thoshte përmbysjen e Jaltës famëzezë që i dhuroi Stalinit gjysmën e Evropës. Tashmë jemi dëshmitarë si u shpërbë Evropa komuniste dhuratë për Stalinin. Shpërbërja erdhi nga vetë komunistët, ndërsa Ruzvelti dhe Curcilli tashme harruar, duhet të dridhen që i jepnin dhurata Stalinit popuj dhe shtete…midis tyre dhe Shqipërinë e vogël.

Jeta e Jani Dilos është jeta e një trimi, e një intelektuali të shquar enciklopedik, fisnik e njerëzor, me aktivitet të spikatur patriotik për liri e demokraci. Edhe në mërgimin e detyruar politik, nuk rreshti kurrë edhe kur propaganda bolshevike kulmonte gjithandet plot urrejtje, por koha dhe mendimet e tij treguan se gjinkalla nuk u bë kurrë bilbil ! Deviza e tij është libri që e barazonte me lirinë. Tërë jetën vazhdoi studime pas universitare , mori disertacione e doktorata, jo vetëm në artin ushtarak, por kryesisht në studimet mbi shtetin dhe Të drejtën ndërkombëtare. Shquhej për kulturë shumë të gjerë elitare në shumë fusha edhe jashtë profileve të tij universitare e akademike si në gjuhësi e kritikë letrare me shkrime për rilindasit, Fishtën e Migjenin. Jani Dilo në gjurmët e të atit të madh ishte poliglot i talentuar. Që në klasën e tretë filloi të mësoi italisht, në vazhdim frëngjisht. Në Lice mësoi greqishten e vjetër dhe latinisht. Më vonë, përvetësoi gjermanisht, anglisht e i pangopur për dije mësoi edhe spanjisht dhe rusisht.

Ai qe bilbil në fjalë e mjeshtër në shkrim. Falë gjuhëve të huaja fitoi vendin e analistit në “Zërin e Amerikës” dhe dërgonte artikuj në shumë gazeta e revista. Kish stilin e një shkrimtari dhe mendimin e thellë të filozofit. Në asnjë rast, pra kurrën e kurrës, nuk shihte ndonjë dallim midis dëshmorëve të atdheut. Gjakun e tyre të pastër e sheh në valëzat e flamurit kombëtar kuq e zi. Më 31 korrik 1944 ai shkruante në ditar: “T’i lutemi Zotit që dëshmorët t’i vendosim ndër shenjtorët e kombit”. Jani Dilo ka realizuar dhjetëra portrete në personaliteteve shqiptare. Nuk është e rastit që njihej me dy presidentë amerikanë, shkëmbente kartolina për Krishtlindje e Niksoni i paska thënë se “Po. Diçka do të bëjmë për Shqipërinë”. Njihej me Pikason piktorin e madh botëror që i paska falur dhe tre piktura, sot, me vlera kolosale. Kish korrespodencë edhe me Nolin, Për të kanë shkruar dhjetra gazeta, kanale Tv e qindra personalitete të luftës e të kulturës. Në pamundësi për t’i përmendur veçoj gjuhëtarët e mëdhenj, Cabein dhe Petro Zhejin, politikanët Enver Hoxha, Ahmet Zogu, Mit`hat Frashëri, Abas Ermenji, dhe anglezët Maklin e Barthel, personalitete të shume fushave, profesorë, doktorë, shkrimtarë, avokatë të dëgjuar, gazetarë…Jani Dilo ishte gazetë folëse nëpër botë, një kanal televiviv shqiptar. I kudondodhur, gjithmonë shkruante për Shqipërinë, Kosovën e robëruar, dhe kombin, në Romë e Nev York, në Londër e Paris, tek mbretëresha e Anglisë dhe mbreti i Spanjës, në Vashington, Turqi, Hindi, Greqi, Amerikën Latine…Kudo ishte zëri i fortë i një shqiptari misionari. Heshtje varri, mallkim dhe ndëshkim ishte vetëm në Zagorie. Ky shqiptar i madh misionar i Shqipërisë së re, mungonte vetëm në Shqipëri. Ramis Alia , akoma pa vdekur Enveri ka thënë: “Kemi një armik të rrezikshëm në Amerikë., Jani Dilon. Partia po mendon për të.”. Pas pak kohësh më 14 janar 1984 u gjet i vdekur në shtëpi në Nev Jork. Kështu u gjet edhe Mit`hat Frashëri, Bilal Xhaferri dhe të tjerë e , të tjerë, kosovarë e shqiptare, që propaganda komuniste i quante “mërgata e qyqeve”, duke shpallur edhe në art një urrejtje gjaku. Por më e rëndë se vdekja ishte llumi i zi mbi veprën dhe personalitetin e tyre.; Prandaj them : kultura shqiptare sot kërkon, prej të gjithëve, vdekjen e skllavit të dikurshëm brenda vetvetes, me qëllim që të qartësojë të vërtetën. Dielli nuk mbulohet me shoshë. Komunizmi bolshevik i dha provat se si shkatërrohen gjërat e shenjta, kombi, feja, prona dhe vetë njeriu. Ashtu sic e parashikonin elitat tona nacionaliste, midis tyre dhe elitari zagorit, Jani Ilia Dilo.

Filed Under: Histori Tagged With: i Kombit shqiptar, JANI DILO MISIONAR, Pirro Loli

Aristidh Rruci dhe Koha e Burrave

August 8, 2013 by dgreca

Shpesh nuk e kuptoja nga më vinte drita mbi portretin e Aristidh Rrucit. Andej nga ai kërcuri që digjej e bubullonte në vatër, Ismail Qemali, apo nga të gjithë ata që i bënin dritë njëri-tjetrit, që punuan e u dogjën për të ndriçuar fatet e Kombit.(Pirro Loli)/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Duke lexuar librin  “Aristidh Rruci dhe Koha e Burrave” me autor shkrimtarin plot sqimë dhe studjuesin serioz z.Pirro Loli ndjen se ndër duar ke një peshë të rëndë që nuk gjen pajisje për ta matur.  Pesha e librit në fjalë është e rëndë si vetë malet kryelartë të Kombit, ështe e rëndë si vetë vepra e Etërve të tij.  Ndonëse si autori i librit dhe unë si lexuese i gëzohemi si fëmijë të brishtë kur shikojmë dhe ndalojmë pranë portretit të Aristidh Rrucit për vetë faktin se siç e shpjegon autori që midis të tjerash se: Babai im kishte punuar pranë tij, e kishte kaluar rininë në shtëpinë e tij dhe beu e kish trajtuar si djalin e vet, ndërsa personalisht si tepelenase i gëzohem dhe më shumë faktit se ishte i zgjedhuri i Tepelenës si delegat dhe firmëtar i Pavarësisë së Vlorës në 28 Nëntor të vitit 1912.  Ai ishte së bashku me avokatin Fehmi Bej Mezhgoranin etj, të mohuar padrejtësisht nga historianët.

Duke u zhytur e tëra brenda librit dhe pasurisë historikë që na lanë Burrat e Kombit, pakuptuar kishja kaluar e tëra në një gjendje ekstaze, ku me të drejtë Franc Kafka thotë se kur shkruaja libra ishja në një gjendje ekstaze me orë e orë të tëra.  Këto lloj ndjesi provova në lexim dhe në opinionin që krijoja rreth këtij libri derisa ta përfundoja atë.  Portreti i një prej Burrave të Kombit të magjeps dhe të fut në mendime të thella, sepse kulturimi i tyre në majat më të larta të shkollave në Perëndim dhe shkrirja e pasurisë për Kombin janë dy medalje që duhet të vihen në gjoks të Kombit.  Me një lirizëm të hollë, fin dhe plot dhimbje është përshkruar motra e bukur e urtë e Zagories, një nga trevat plot kulturë dhe patriotizëm, Sava.  Ajo ishte martuar me burrin tjetër të ditur dhe patriot të Kombit, shkencëtarin dhe gjuhetarin e shquar Ilia Dilo Sheperin.  Dy burra të Kombit dhe të Zagorise që i dhanë dritë, jetë dhe pasuri Kombit, por që fatkeqësisht historianët dhe diktatura i dhunoi dhe i mohoi.  Autori Loli metaforikisht ka shkruajtur se dhjetëra patriote të shquar anekënd vendit ashtu të mbledhur rreth Ismail Qemalit dukeshin sikur ishin të mbledhur rreth Lules së Diellit që rrotullohet rreth dritës.     Burrat e shquar u mblodhen si fëmijëkokëunjur pranë Babait të Kombit Ismail Qemal Vlorës.  Ai u shkëput si Prometeu nga Perandoria Turke, nga postet, paratë dhe erdhi për Flamur e Atdhe.   Për jetën e Aristidh Rrucit shkrimtari Loli ka sjellë me fakte kokëfortë jetën, veprën e tij brilante si dhe humanizmin e tij si Njeri.  Le të ndalemi një çast në historitë që rrëfente në netët e gjata të dimrit pranë oxhakut me kërcunj i ndjeri babai i shkrimtarit, ku së bashku me flakën dhe shkëndijat  e zjarrit merrte jetë historia e pashkruar, historia e mohuar e Burrave të Kombit.  Ai kishte punuar qysh i vogël pranë Beut dhe ai rrëfente me pastërtinë e shpirtit se Ai Burrë i burgosur nga diktatura mizorisht e kishte trajtuar si djalin e vet.  Me dashurinë e birit për të atin, ai i kërkon ndjesë që dikur e kundërshtonte kur fliste për Beun ndaj dhe e quan ndërmjet të tjerash dhe si një libër pendese karshi të atit.  Babai i Lolit vazhdimisht i këndonte elegjinë për djalin e vetëm të Aristidh Rrucit i cili ishte edukuar në Perëndim, por vdiq në moshë të re dhe ja si e vajtonte: Jeta jone flakë e erë/ ndezi shoi papushim/ Dhe s’të fali, o i gjorë/ asnjë ditë me gëzim… (f.22)

Këto vargje ishin të një shoku të Aristidhit në ditët e zisë i cili i botoi në gazetën “Përpjekja Shqiptare”.   Ndërsa vargjet mbi gurin e varrit, thonë se i shkroi vetë i ati zemërplasur.  Autori shkruan me të drejtë se ato vargje mund t’i kish zili dhe një poet.              Rruci me origjinë nga Zagoria dhe delegat i Tepelenës, (më duhet të sqaroj këtu se në atë kohë Zagoria ishte brenda rrethit të Tepelenës, por në kohën e diktaturës u vendos brenda rrethit të Gjirokastrës), jetoi dhe vuajti në Vlorën heroike, në Vlorën e Flamurit.  Thonë se kur i vdiq djali gjithë Vlora ishte në zi dhe dhomën e pritjes e veshi me pëlhurë të zezë.  Të shkruash për jetën e Burrave të Kombit është një punë e gjatë, sistematike dhe me disiplinë të një studjuesi serioz, të cilin e shohim qartë në faqet e librit.  Komunikimi që ka pasur me disa njerëz, dëshmitarë për veprimtarinë e tyre e bëjnë dhe më të ndjeshëm dhe më të vëmendshëm lexuesin.  Njeri prej tyre është z.Eduard Dilo njeri prej pinjollëve të familjes së shquar të Kombit Dilejve të Sheperit i cili dëshmon dhe për Aristidh Rrucin vëllain e gjyshes së tij.  Ai pohon se është e tmerrshme kur dëgjon dhe mendon që ai varr i bardhë me bust të bardhë u shkatërrua, u hap varri dhe nga skeleti i Nikollës u vodh ora, unaza dhe stilografi i florinjtë, që babai ia kish vënë në varr me vete!  Me siguri kushdo që i ka marrë, ndoshta do të vijë një ditë, që ato relike të vyera të një ëngjëlli që mbylli jetën në atë moshë, do t’i flasin e t’i thone: “s’jemi të tuat, na çoni atje ku ishim”…  Këtë e pohon edhe prof.Bardhyl Gaçe i cili shton se grabitjen e atyre relikteve e ka pohuar një varrmihës.  f.23.

Të lexosh librin medoemos që prej andej del sikur të kesh qenë në një muzeum botëror të vleresuar (jo të shkatërruar dhe të mohuar siç ka ndodhur rëndom pranë vendit tonë), pranë faqeve të tëra lexova historinë e Kombit dhe të treves së famshme Zagories.  Nuk është e lehtë shpirtërisht kur je brenda tij ngase ke parë si në një film horror masakrat që janë bërë karshi tyre.  Njeri prej tyre është dhe Lef Nosi zëri i kujtesës i cili gjithë dokumentacionin protokollar të ngjarjeve të vitit 1912 i ruajti dhe i fotokopjoi në qindra kopje, ku shumë prej të dhënave autori i ka marrë nga i nipi i tij Skënder Kosturi për këtë burr të rrallë dhe patriot zemërzjarrtë.

 

DILENJTË E SHEPERIT

 

Autori me plot kulturë sjellë pranë lexuesve dhe më gjerë familjen e madhe të Dilenjve ku në krye të oxhakut është Ilia Dilo Sheperi, gur themeli dhe perlë e gramatologjisë shqipe, i cili kur mbylli sytë vaj i grave sheperiote ishte: U shkëput mali me borë/ U nda ergjenda kurorë/ Shami loti për fakirë/ Kur flisje për Shqipërinë/ Ndrinte vendi vetëtimë/.  Amaneti i tyre nuk thinjet kurrë, jeton përjetësisht në balada edhe pse mbi supet e tyre parreshtur rrahën dhe u përplasën dallgët e egra të mohuesve të historisë.  Pranë kësaj familje janë fëmijet e tij të gjithë intelektualë që kishin studjuar në Perendim dhe dispononin titullin doktor duke filluar me Dr.Jani Dilon, Dr.Orest Dilon, Dr.Mihal, Dr.Qirjako dhe Koco Dilon, etj, të cilët lindën në atë treve që i jepte Kombit vetëm yje.  Libri i Grmatikës së gjuhës shqipe botuar në Vlorë në vitin 1927 u ribotua në Tiranë pas botimit të dytë në Romë në vitin 1972, në vitin 2001, nën kujdesin e nipërve të tij të nderuar e patriotë si Ksenofon, Enrik, Ylli dhe Etien Dilo shkruhet në libër.

Në Sheper në atë kohë sipas autorit numëroheshin 163 penda me arsim të lartë. Eshtë e pamundur të japësh aktivitetin e kësaj familjeje të madhe brenda një eseje, por autori me të drejtë nuk befasohet kur njerin prej tyre dhe në kohën e demokracisë e vlerësuan me titullin “Mësues i merituar”, si nipin e e tij Etjen Dilon.  Autori dëshmon se e kishte njohur në Athinë, si një burrë të qetë dhe të ditur, të cilët ishin aktivizuar në shoqatën e intelektualëve emigrantë pas 90-ës me emrin Arbëria, burrë paqësor si baballarët e tij.  Vazhdoj leximin dhe të krijohet ndjesia sikur puthesh dhe me Hënën, puthjet gjithmonë janë paqësore dhe shprehin dashurinë e sinqertë.  Hënë ja kishin vënë shkollës që hapi Ilia Dilo Sheperi nëvitin 1906 dhe u zyrtarizua në vitin 1917, Shtëpia e Hënës pagëzuar prej tyre.  Një pagëzim plot kuptim që ndriçonte errësiren që kishte pllakosur nga zgjedha otomane.  Ajo shtëpi u projektua nga burrat e mëdhenj të pendës dhe të mendjes si Aristidh Rruci, Jorgo Çako, Dhiogjen Harito, Çajupi etj.

Profesor Diloja fliste dhe recitonte bukur dhe ndërmjet të tjerave u mësonte vargje përmendsh si: Drin o Drin i madhi lumë/, Që sjell valëgurë shumë/, Vallë e ndjen ti robërinë/, që ka mbytur Shqipërinë/   E.Dilo, vep e cit. f.63

Në këtë braktisje të çmendurish që iu është bërë Burrave të Kombit ku hyjnë dhe Dilenjtë e Sheperit më krijohet një vakuum i akullt dhe brenda tij shetit historia e ndezur që çan ajzbergun si një titanik i pathyeshëm dhe i pakthyeshëm.  Brenda tij shqiponjat e Sheperit dhe pena e autorit ngrejnë folenë me vezë të shenjta si në kohën e Pashkës.  Dhe Historia e Kombit tim bëhet dëshmitare në gjyqin final të saj.

 

Në Paradë kombëtare parakalojnë Burrat e Kombit

 

Në këtë libër lexon për mjaft burra të ndritur që në krah me Aristidh Rrucin luftuan për gjuhën shqipe.  Shfletoj dhe lexoj e zhytur me kokë në ngjarje dhe histori dhe Gjuha Shqipe më del fitimtare, e mbijetuar në shekuj.  Lexoj dhe mendoj se sa shumë punë na duhet dhe këtu në Emigrim për të punuar dhe për t’i thënë me kulturë: “Stop asimilimit të gjuhës shqipe në Diasporë” që çuditërisht vazhdon dhe në këtë shekull që ka hyrë në dekadën e dytë të tij.  Si lexuese e magjepsur pas këtij libri jam veshur me një pelerinë të blunjtë Hëne ku shkruaj me rrezet e saj Yjet e Kombit dhe nesër kur të fillojmë shkollën në shtator me fëmijët emigrantë këtu në New York krahas urimit: Mire se erdhet, do t’ju shkruaj në dërrasë emrat e tyre dhe me vullnet të mirë do t’jua stampos emrat e ndritur në zemrat e tyre aq të pastra dhe të virgjëra për Kombin nga kanë rrënjët e tyre.

Ata Burra janë drite e diturisë, janë frymëzim i brezave, janë legjenda e Kombit tim.   Këta fëmijë emigrantësh një ditë me siguri duke mësuar gjuhën shqipe do t’i këndojnë të pakënduarës së trimave dhe nëpërmjet legjendave do të ndërtojnë skulpturën “Burrat e Kombit” per ta vendosur ndoshta një ditë në Muzeumin Metropolitan, nga më të famshmit në botë.  Ata parakalojnë para syve tanë në radhë si shkronjat e arta të alfabetit shqip që e kanë mbrojtur me gjak si Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani, Motrat Qiriazi deri tek vazhduesi i Kulluriotit Aristidh Kolja autor i librave fondamentalë në marrëdheniet greko shqiptare.  Autori është takuar me të personalisht dhe pohon se Aristidhi kishte 600 vjet që kishte emigruar në Greqi (Tiver) dhe shqipen e kishte ruajtur në shekuj, duke thënë se jam 24 karat shqiptar dhe grek s’bëhem kurrë.  Pjesa e dytë e librit hapet me dilemën historike ku gjithë Rilindasit donin një Shqiperi të pavarur, udhëtimet e Ismail Qemal Vlorës në Europë për Shqipëri të pavarur etj…

Më tej vazhdon me Prologun e zi ku Kongresi famëkeq i Berlinit 1878 i vodhi 25 mijë kilometra katrore Shqipërisë.  Eshtë një histori e tërë luftrash, gjak, plagë, që populli luftoi deri në Pavarësinë e Shqipërisë ku medoemos frymëzohem për të parët e mi që dhanë kontribut të padiskutueshem në Pavarësinë e Shqipërisë.  Më duhet të përmend dhe aktmandatin dhënë përfaqsueseve të Kazasë së Tepelenës nga banorët e saj për në Kuvendin e Vlorës.  Ata propozojnë që të jenë efendiu Aristidh Rruci nga Sheperi i Zagorisë Sheh Maksuti nga Tepelena, Sami efendiu nga Mezhgorani, persona të zotë që gëzojnë besimin e ne të gjithëve vazhdon aktmandati që është origjinal në osmanisht.  Përmes një leksiku të zgjedhur fjalësh që autori e ka pronë të tij të folurën bukur arrijmë në Kryeditën Kombëtare në aktin e Pavarësisë.  Kësaj kryedite i paraprin Flamuri Kombëtar që është urdhër lufte dhe nderi, alarmi më i shenjtë, betimi dhe Liria.  Fill pas shpalljes së Pavarësisë Aristidh Rruci do ju dërgonte telegram Sheperit të cilët brohorisnin nga gëzimi.

Megjithatë autori flet me fjalën e historisë se luftrat vazhduan gjatë ato nuk mbarojnë kurrë.  Kështu flet për masakrën e Hormovës ku egërsia greke therri 217 burra në Hormovë.  Selam Musai së bashku me popullin tepelenas u ngriten në këmbë për të luftuar urrejtjen e pashoqe të pushtuesve italianë. Heroizmi i tij mbeti si legjendë në këngë.  Me katërqind e ca komita/ bëre poshtë nga Babica, e zure topin nga grika/ italianët nga frika/ u trembnë sa u ra pika/ Tepelenë pse vajtoni/ Selam Musanë kërkoni/ trim’n e mirë mos e harroni/.

Po me kaq forcë jep dhe masakrat e bishës serbe që u bënë mbi popullin e pafajshëm të Kosovës.

Me shumë dhimbje lexon dhe shkrimin Vdekja e Ismail Qemalit, Ati i Pavarësisë ku të gjitha gazetat shqiptare dhe mediat e huaja dhanë për jetën dhe veprimtarinë e tij në Shqipëri.  Gjithë Kombi ishte në zi, Vlora e vajtonte me ligjet labe: Si na ike Smail be/ o zhgabonjë përmbi re/ zumë e të qajmë me ligje/ nëpër kodra e nëpër brigje/ dhe flamuri po vajton/ Vlorë e bekuar rënkon…”

Shkrimtari Loli demaskon absurditetin historik duke e vulosur si trashanik, cinik, armiqësor për mohimin që i është bërë delegatit Aristidh Rrucit e shumë personaliteteve të shquara historike që s’përmenden asgjëkundi.  Autori këtë radhë më duket sikur qëllon me beben e syrit si shigjetë të gjithë mashtruesit e historisë sic shkruan në një poezi dhe merr në mbrojtje burrat e Zagorisë, lidhjet me Kombin dhe Vlorën e Flamurit.  Në këto hulumtime serioze autorit Kombi i është dukur më i madh dhe ka shkundur borën e zezë përmbi emrat si Aristidh Rruci dhe Burra e Kombit.  Si lexuese përjetova Kohën e burrave, ndërkohë së shpejti m’u zgjua shpresa se nga ky autor do të lexojë librin që të perjetojë dhe Kohën e grave të Kombit.  Ato janë shumë duke filluar me mbretëreshën Teute, nënën Terezë etj të cilat jetuan krah burrave të mëdhenj dhe luftuan jo më pak se ata për Kombin. Pasi e mbaron gjithë librin, faktet, historitë e Kombit, ndjesitë që përshkruan autori të duket sikur ke lexuar një enciklopedi të tërë për Zagorien dhe dielli paprimtas lëshon dritë dhe verbohet nga harresa dhe gojët e legjendave që lëshojne zjarr dhe djegin shkretëtiriën e kujtesës për të filluar jo një Sahara, por një botë e re, nje botë e paqtë dhe e vërtetë.  Tek kjo Botë e Paqtë kam portën mijëravjecare me çelësin e artë Shqipëri, që s’ndryshket kurrë. Mbi portë është emblema: Burrat e Kombit që na ringjallin së vdekurish.

Gusht, 2013

Staten Island, New York

Filed Under: Kulture Tagged With: Aristidh Rruci, dhe koha e burrave, Keze Zylo, Pirro Loli

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT