• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dom Simon Jubani, legjenda e qendresës dhe e lirisë

July 11, 2016 by dgreca

Me rastin e 5 vjetorit të vdekjes/

Nga Pjeter Logoreci/ Vjenë/

Po afrohet, ndër ditët në vijim, pesvjetori  i vdekjes së Dom Simon Jubanit, burrit të lavdishëm që me lëvizjet e veta bëri histori, e që ka mbetur  i pashlyer në kujtesën e cdo shqiptarit. Mbasi e njihja nga afër dhe na lidhte miqësia, e ndjej sidetyrim shpirtërore qytetar që me këtë shkrim ta perkujtoj këtë gjigand të lirisë, demokracisë e të besimit në Zotin.

Sa herë qëvizitoja qytetin tim të lindjes, gjatë daljeve të mija në qytet,duke kaluar para katedrales,kontaktin e parë me njerzit me rastiste që ta kisha me Dom Simonin, i cili sapo hapeshin dyert e katedrales, ndodhej aty për ti sherbyer besimtareve të shumtë që vinin posaqërisht për te.  Mund të them që, vitet e fundit ai ishte i pakënaqur,i zhgënjyer dhe i vrarë shpirtërisht, jo nga vuajtjet e burgut apo nga shtrembërimet që vërente në ndërtimin e demokracisë së brishtë në vend, por nga kolegët dhe drejtuesit e kishës në Shkodër. Nëato kohë, shtëpia e tribunit të lirisë e të besimit, DomSimon Jubanit, ishte bërë një vend i rëndësieshëm për shumë besimtarë që vinin nga të katër anët e vendit, edhe nga besimet e tjera, për të biseduar e marrë bekimin e dishepullit të atdheut e të fesë. Sic duket popullariteti i Dom Simon Jubanit, mbrenda dhe jashtë vendit, takimi i tij (si i pari klerik shqiptar) me papën në Vatikan, por edhe qëndrimi i tij kritik ndaj paaftësisë dhe mosnjohjes së problemeve tona (shqiptare) nga drejtues joshqiptare të klerit, i verboj këto të fundit të cilët “gjetënshkelje” për të “marre masa” ndaj heroittë kombit, të demokracisë e të kishës.

Shpirti dhe sedrae Dom Simonit, që nuk arritën ti thyenin 26 vite të vështira burgu nën diktaturën mëtë egër të globit, u goditën nga padrejtësia e vendimit të pamerituar nga drejtuesit e arqipeshkvisë së Shkodrës, …për ti hequr atij të drejtën e ushtrimit tëdisa shërbimeve fetare …., goditje që la një plagë të thellë e të pashërueshme tek ai. Atij që në strofullën e bishave kriminale të diktaturës, në burgun famëkeq të Burrelit, kremtonte meshën shenjtë për të gjithë të burgosurit pa dallim feje, ju mohua e drejta që të shërbente në altarin e kishës. Edhe pse i gjymtuar nga makinacionet e “eprorve”, popullariteti i tij ndër njerzit e thjeshtë u rrit pa masë, mbasi cdokush ishte i bindur në personalitetin dhe karakterin e tij të drejtë. Drejtësia mund të vonojë por jo të humbasë.

Kush ishte Dom Simon Jubani?

…. Linda  në Shkoder me 5 mars 1927. Prindët e mi, Zefi dhe Cilja i falën kishës dhe atdheut një martir intelektual, Dom Lazer Jubanin, helmuar me arsenik nga policia sekrete komuniste me 1982…. – shkruan ai në librin e tij autobiografik “BURGJET E MIA”….., si dhe Simonin e Kinin.

Dom Simoni, filloren e bëri në shkollën franceskane si dhe (pas mbylljes sësaj) në gjimnazin e shtetit në Shkoder. Mbasi mbaron në Tiranë kursin për radiologji,  fillon të punojë si radiolog në spitalin ushtarak të kryeqytetit.  Në kohën e konfliktit me Greqinë, ai mobilizohet ushtar dhe dërgohet në front. Pas tre vitesh shërbimi ushtark kthehet në Shkoder dhe fillon të punojë në Sanatoriumin e qytetit si radiolog, ndërsa , ….sic shprehet ai:….për ta mbajtë trupin në formë, fillova sportin që më pëlqente aq shumë: atletikën e lehtë e  më pas edhe futbollin. Më pranuen menjëherë si anëtar i ekipit të Vllaznisë e, ma vonë, edhe të ekipit kombëtar të futbollit….

Për kënaqësinë e tij, në vitet 1957 (si gjakon) e 1958 (si prift) merr urdhërat e meshtarisë dhe dërgohet në Mirditë si famullitar, me qëllim të rindertojë besimin dhe kishat e shkatrrueme nga dhuna komuniste.

                “…Por çka më pëlqente mue, …shkruen ai, ….nuk i pëlqente komunistave, të cilët më vunë prangat e më banë me u nisë për një rrugë të gjatë e të mundimshme (drejt burgut të Burrelit), ku u mbylla për 26 vjet me rradhë, tue lanë kudo gjurmë gjaku…..Në Burrel kam krye “Universitetin e Burgut Komunist”. Mësova me shkrue e me folë Latinisht, Greqisht, Italisht, Frengjisht, Anglisht që ma vonë mëshërbyen me i ba miq Shqipnisë në tanë rruzullin toksor, tue i tregue se cka ka ndodhë nëvendin tem, tue fitue kshtu epitetin “ Profeti”….

Për sa i përket jetës së tij, vuajtjeve në burg, ai shprehet:….Nëse ndonjë piktori do ti tekej me pikturue simbolikisht jeten teme, do ti duhej me ble nji kalëbojë të zezë….

Ai u lirua nga burgu në sajë tëperestrojkës  dhe zhvillimeve politike në botë, me 13 prill 1989, së bashku me shumë klerikë të tjerë, duke i mbetur “borgj” Komitetit Qendror, 14 vite burgu.Të gjitha ato që e kanë njohur Domin, e dijnë që dita më e zezë e jetës së tij nuk ishte dita e arrestimit, por dita e vdekjes së nënës, e cila përjetoj për së gjalli vdekjen e të birit Dom Lazër Jubanit (të helmuem nga sigurimi) dhe zingjirët e roberisë së djalittë vogël Simonit.

Me kthimin e tij në liri, ai nispërpjekjet  dhe bën një aktivitet të dendur për tërifilluar ushtrimin e lirë të fesë. Si rezultat i këmbënguljes dhe kurajos së tij qytetare, arrin që me 4 nandor 1990 të kremtojë Meshën e Parë publike në varrezat e Rrmajit të qytetittë Shkodres, në praninë e 200 – 300 besimtareve. Kjo meshë u pasua nga ajo e 11 nandorit, ku edhe pse nën represionin e terrorine egër qëushtroj sigurimi dhe policia e rregjimit komunist, morën pjesë të gjithë qytetarët e Shkodres, pamvarsisht nga besimi. Kush nuk e kujton këtë ditë të shënuar për lirinë e besimit dhe të fjalës, ku Dom Simoni, edhe pse bëlbëzonte fizikisht, mbajti një fjalim të mirëpregatitur programatik që do të thyente heshtjen 23 vjecare.

Për kontribut të cmueshem mbarëkombëtar, Univesiteti i San Franciskos nëKaliforni në vitin 1991, i akordon titullin dhe diplomen “Doctor Honoris Causa” në shkencat humane me motivacionin: PROTAGONIST I NJE EPOKE SE RE NE SHQIPERI…

Më vonë, në vitin 1996-të, shteti i Miciganit e nderoj me një diplomë të posacme me motivacioni: NISMETAR I LIRISE SE FJALES DHE SHTYPIT….

Sic shkruan ai në shenimet e tija: … jam i pari shqiptar, që pas Perestrojkes, së bashku me shumë përsonalitete të tjera botnore (senatorë, kongresmenë, ministra, Andreottin, mbretin e Belgjikës), jam thirrë në audiencë nga Papa Gjon Pali i dytë në Vatikan. Jam i pari klerik pa kurrfarë grade që ftohet dy herë nga administrata amerikane në Washington, një herë nga parlamenti rus, një herë nga Spanja, Izraeli, Egjypti, Turqia,  shumë herë nga Franca, Italia, Belgjika, Gjermania, ndërsa kam refuzue me vizitue Kinen, Taivanin, Meksiken, Argjentinen…

Gjatë punës së tij baritore, ai krijoj famullinë katoliketë Spitenit, Kaftallit si dhe qendrën (fetare, kulturore, shëndetsore, sportive) të Kalivacit.

… Per me ruejte pamvarsine e mendimit, nuk kam pranue grada – tregon ai – … nuk pranovakurrë që prej altarit të kishës tëbajshe politike, që ti bajsha thirrje popullit të votonte për partinënë pushtet…Unë baj pjesë në partinë e të vorfënve, të masakruemve, të viktimave të së djeshmes e të së sotmes…

Kush lexon librin e tij autobiografik BURGJET E MIA, mund të krijojë një ide të plotërreth botës së mbrendëshme shpirtërore e punës së pashoqe që Dom Simon Jubani bëri për shoqërinë dhe popullin shqiptar. Edhe pse kurdoherë,…për guximin, idealizmin, atdhetarinë dhe qëndresën; ai për miqtë dhe popullin e thjeshtë… ishte një hero, …pat ndonjë keqdashës (edhe nga rradhët e kolegëve)që e etiketoj  “i marri”…

Me kërkesën e popullit të Shkodres, me 4 nandor 2010, Bashkia e qytetit i akordoj titullin e shumë merituar –  QYTETAR NDERI I SHKODRES – .

Dom Simoni vdiq në moshën 84 vjecare me 12 korrik 2011, duke na lënë pas një trashëgimi të pasur arritjesh nga puna e tij si dhe kujtimin e një figure tëpashoqe simbol i vuajtjes dhe qëndresës nga terrori i diktaturës komuniste. Për kalvarin  e vuajtjeve, sakrificat, vetmohimin e tij, për atdheun dhe kishën katolike, mendoj që ai duhet ti shtohet  listës së martireve të kishës shqiptare.

LAVDI KUJTIMIT DHE VEPRES SE TIJ.

Vjenë, me 06.07.2016

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe e lirisë, Dom Simon Jubani, e qendresës, legjenda, Pjeter Logoreci

Në kujtim të Imzot Nikollë Kacorrit, atdhetarit që projektoj pamvarsinë e atdheut…

May 8, 2016 by dgreca

Nga Pjeter Logoreci/Vjenë/

Sa herë që afrohen përvjetore apo data jubilare të jetës apo aktivitetit të Imzot Nikollë Kacorrit, më vjen natyrshëm deshira për ta kujtuar këtë burrë të madh të pamvarsisë së atdheut, në mëndyra të ndryshme, me foto, dokumenta mbi jetën e aktivitetin e tij, ngjarje të ndryshme apo thënie e kujtime të atyre që e njohën nga afër. Këtë vit,  me 29 maj, është   99-vjetori i vdekjes së tij në Vjenë të Austrisë dhe dëshiroj të publikoj një fotografi të marrë nga fondi fotografik i fototekës Marubi në Shkoder, një foto që flet shumë historikisht dhe që do të kënaq familjarët e dashamirët e arkitektit të pamvarsisë, Imzot Kacorrit.

Sic dihet nga shkrimet e hershme, Imzot Kacorri kishte lidhje miqësore me familjen e famëshme të Marubve, e falë natyrës së tij komunikuese dhe sociale, ai mbante kontakte të ngushta edhe me shumë figura të njohura të politikës, fesë, diplomacisë apo ato ushtarake. Në këtë shkrim po paraqes një foto të pabotuar me parë, ku Imzot Kacorri shihet përkrah kolosit tjetër të atdhetarisë, Imzot Luigj Bucit. Fotoja është fiksuar në studio nga Kel Marubi, por nuk ka shënim një datë egzakte.

Me sa shihet, kjo foto duhet të jetë e përiudhës kur kleriku Don Luigj Bumci është shuguruar ipeshkëv i Lezhës, në dhjetor 1911. Të dy klerikët ishin e shumë aktiv në bisedimet për marrëveshjen në mes malësorve dhe qeverisë turke. Imzot Kacorri si përfaqësues i Arqipeshkvit Bardhi dhe Imzot Bumci anëtar i komisionit që kryesonte Imzot Serreqi.

Në një referencë të po këtij viti, që konsulli i përgjithshëm Zambaur, nga Shkodra, i drejton ministrisë së jashtme në Vjenë, për Imzot Bumcin shkruan këto fjalë:…..”Kooperatori (ndihmësi) Don Luigj Bumci është një burrë inteligjent, me personalitet të fortë, i durueshëm e i qetë, i cili në lidhje me postin që merr (Ipeshkëv), ka nji aftësi të shprehurit, të vepruarit shumë të respektueshme, prandaj është shumë popullor dhe e duan të gjithë….

Me 10 dhetor 1911, në katedralen e Shkodres, u  bë shugurimi i tij dhe i Imzot Kolecit si ipeshkëv të Lezhës dhe Sapës, në praninë e klerikve të lartë, popullit të Shkodres, të Valisë, personelit të Konsullatave dhe Konsullit Zambaur….

Në realitet, Imzot Kacorri ka lindur në vitin 1862 ndërsa Imzot Bumci në 1872-shin dhe kanë 10 vite diferencë. Sic mund të shihet edhe në foto, është perafërsisht në moshën 38 vjecare, kur don Luigj Bumci, është shuguruar ipeshkëv. Edhe Imzot Bumci ashtu si Imzot Kacorri, ka një biografi të pasur me aktivetite në të mirë të atdheut e shqiptarve. Ai ka qënë autor i disa memorandumeve për autonominë e Shqipërisë, po ashtu në krah të Gurakuqit, punoj për të organizuar malsorët në kryengritje kundër pushtuesve. Nga përkushtimi i tij për atdheun, përsonalitetet e kohës e zgjodhën kryetar të përfaqësisë së shqiptarve në Konferencën e Paqës në Paris (ku pat sekretar Fishten). Me tagrin e klerikut, por i shtyrë nga atdhedashuria ai ndërhyri me forcë në Vatikan, pranë Papa Benediktit të XV, që Korca dhe Gjirokastra të mos i shkëputeshin Shqipërisë (sipas paktit djallezor, Itali – Greqi, ose sic quhet, marveshja Tittoni – Venizelos).  Mori pjesë në Kongresin e Durrësit ku u zgjodh anëtar i qeverisë së Turhan Pashës, si ministër pa portofol, ndërsa anëtar i Rregjencës, u zgjodh si përfaqësues i komuitetit katolik shqiptar, në Kongresin e Lushnjës. Si shumë burra të mëdhenj shqiptar, për ti shpëtuar përndjekjes së politikës së kohës, ju desht të mërgonte në vitin 1922 deri 1924-shin. Vdes nga dhuna e komunistave dhe sigurimit të shtetit në kuvendin e fretërve në Troshan me 1 mars 1945 dhe u varros në kishën e Kallmetit.

Ndërsa, Imzot Kacorri, kreu të njëjtën shkollë fillore në fillimet e tij si klerik dhe me vonë mori pjesë aktive në organizimin e malësorve në kryengritjet e Kurbinit. Arkitekti i pamvarsisë Nikollë Kacorri, mori pjesë në Kongresin e Manastirit 1908, si dhe atë të Elbasanit 1909. U aktivizua në krah të Isamil Qemalit në shpalljen e pamvarsisë së vendit, duke marrë përsipër rolin e zevendës kryeministrit në qeverinë e parë historike shqiptare. Ashtu si Bumci edhe Imzot Kacorri, i përndjekur nga forcat e errëta të kohës, u detyrua të largohet nga Shqipëria dhe të jetoj në Austri, ku pas tre viteve vdiq.

Ai nuk arriti (si Bumci) të njohë komunizmin, por figura e tij e njohu diskriminimin komunist që u distancua ndaj tij, si klerik. Edhe në ditët e sotme, vazhdon përsëri mungesa e vlerësimit për figurën e Imzot Kacorrit, për të cilin nuk u organizua asnjë pritje zyrtare me rastin e ardhjes së eshtrave të tij nga Vjena. Nuk egziston akoma sot një shtatore, që të jetë e vendosur në një vend qendror, sic ai për aktivitetin e tij e meriton. Vazhdohet gabimisht të shihet si prift katolik edhe pse aktiviteti i tij ishte në të mirë të pamvarsisë së vendit.

Dy vjet më parë, personalisht fillova të interesohem dhe të kontaktoj me personalitete apo nënpunës të lartë të shtetit shqiptar, që të organozohej një vizitë  zyrtare e qeveritarëve, ditën e festes kombetare, tek  varrit ku ndodhen eshtrat e kolosit te lirise e të pamvarsisë, në Durrës. Sic duket, ai vazhdon të shihet përsëri me skepticizëm, pasi asnjë personalitet i lartë nuk ka shkuar për të vendosur një kurorë me lule apo të bëjë homazhe nderi pranë varrit të këtij burrë të madh.

Si rrjedhojë, dëshëroj ti bëj thirrje politikës shqiptare, që ta shohë me objektivitet këtë problem dhe të vlerësojë sic i takon figurën madhështore të Imzot Nikollë Kacorrit, i cili u sakrifikua për atdheun me motivacionin:…. më parë Atdheu …. pastaj Feja.

Vjene,Maj 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: ne kujtim, Pjeter Logoreci, të Imzot Nikollë Kacorrit

DEGA E LIDHJES SE PRIZRENIT në Shkoder ose shtëpia e PASHKO VASES

May 1, 2016 by dgreca

Shkruan: Pjeter Logoreci-Vjene/

Këto ditë, duke shkelë për  një vizitë, në prakun e shtëpisë – muze të atdhetarit shkodran Pashko Vasa, mu kujtuan fjalët që më thoshte frati franceskan, atdhetari Ambroz Martini, gjatë takimeve të këndëshme herë pas heret tek ai.

„Gropa e Shkodres ka pas nxjerrë burra që mateshin me bjeshkët, …. e fillonte me permendë një varg të gjatë atdhetarësh që ja kushtuan apo e flijuan jetën për atdheun dhe lirinë e tij… Njerëz të thjeshtë, trima malsie, intelektual të shkolluar në perëndim e që u kthyen në atdhe për të dhënë kontributin e tyre,…. zyrtarë me origjinë shqiptare që punuan në administratat e vendeve të ndryshme, por që nuk e harruan kurrë vendin… e rreshti vazhdonte gjatë me emra trimash e personalitetesh të njohur të cilëve ne i detyrohemi për lirinë e trojeve tona. Ndër to rreshtohej emri i Pashko Vasës, burrit i cili dha ndihmesë të madhe e në shumë drejtime në të mire të atdheut.

“O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush të ka qitë me krye n’hi?? ….nuk ka vajzë e as djalë shqiptarit, që nuk i ka shqiptue ose ndigjue nji herë këto vargje kushtrimi, që nuk i ka dhëmbur shpirti nga kjo ofshamë e dala nga gjoksi  i njeriut që digjet për atdhe. E jo vetëm këto vargje, por edhe aktiviteti diplomatik, artistik e patriotik, e rritën ndër vite figurën shumëdimensionale të Pashko Vasës.

Pak mbi familjen e Pashko Vasës.

Lindi me 17 shtator 1825, nga prindët Roza dhe Hile Vasa. Pat edhe një vëlla, Nikollën dhe një motër që quhej Gonxhe. Bir i një familje me tradita qytetare e kulturë të gjërë, që zotëronte emër të mirë dhe pasuri në qytetin e Shkodres, Pashko-ja mësimet fillestare i mori në Shkodër, e qysh i ri, i prekur nga problemet e mprehta sociale të kohës si dhe gjendja e mjerë e atdheut, ai fillon të reagoje duke shkruar në disa gjuhë.

Pashko, fliste dhe shkruante në frengjisht, italisht, greqisht, turqisht, arabisht, serbisht dhe anglisht. U martua në vjentin 1855 me një grua shkodrane të cilës nuk i dihet emri (sipas Vehbi Balës), me të cilën pat Rozën, Linden, Marien, një djalë të quajtur Lerish dhe Silven. Si gruaja Roza ashtu edhe 4 nga femijët,  vdiqën të rinj.  Pashko u martua për së dyti me Katerina Bonatin (të cilën meqenëse ishte ortodokse e quanin “grekja”) e cila po ashtu  vdiq shpejt nga tuberkulozi. E bija e Pashkos, Roza, u martua me një shtetas turk me origjinë armene të njohur si KUPELIAN dhe pat dy vajza Silven dhe Mariken.

Për herën e tretë, Pashko u martua me Berta Lerish, një grua franceze që e kish njohur në Stamboll, me të cilën pat dy djem Mikelin dhe Leonin. Djali i madh Mikeli vdiq i pamartuar në 1914-tën, ndërsa Leoni i cili pat lindë në Beirut, vdiq rreth viteve 30-të, duke lenë një vajzë që jetoj deri vonë në Francë….

Me 18 qeshor 1883, Pashko Vasa emrohet guvernator i Libanit. Vitet e fundit të jetës , ai ka vuajtur nga semundja e zemrës, por thuhet që vdiq nga gripi me 29 qeshor 1892. U percoll në varrezën e fundit në Liban, nga miqtë e tij Filip Shiroka dhe Isamil Qemali. Eshtrat e tij dhe të gruas së tij, Katerinës, u sollën në Shqipëri nga Libani në vitin 1978 dhe janë të vendosura në varrezat e deshmorve në Shkoder.

Shtëpia e Pashko Vasës, degë e Lidhjes së Prizrenit

Objekti kryesor që ka mbetur dhe që aktualisht na lidh me figurën e atdhetarit Pashko Vasa, është shtëpia e tij në Shkoder që ishte baza kryesore e Lidhjes së Prizrenit, sot Monument Kulture…. Kjo shtëpi, që sot është e vendosur si objekt në hartën turistike të Shkodres, ka një histori të lavdishme, pasi jo vetëm ishte degë e Lidhjes së Prizrenit, vendi ku mbaheshin takimet e aktivistëve për ceshtjen kombëtare, por falë vlerave arkitekturore dhe etnografike, është pikë e preferuar e të huajve që vizitojnë vendin tonë.

Sipas dëshmive të njërzve që kanë jetuar aty, kjo shtëpi ka një histori rreth 300 vjecare. Ajo është rinovuar e restauruar tërësisht në vitin 1977 si dhe në vitin 2013, nga shteti shqiptar. Të gjitha dyert, dyshemetë, dritaret, tavanet e cardaku, janë punuar nga restaurator profesionist sipas origjinalit, në dru. Sot është një shtëpi e kategorisë së parë dhe i është kthyer si pronë private trashëgimtarve të familjes Vasa, qysh në vitin 1971. Shtëpinë e rrethojnë muret e larta karakteristike të Shkodres dhe në oborrin e saj qëndrojnë në origjinal, pusi i gurtë, lugu prej guri i larjes së rrobave, govata prej guri e shpërlarjes së rrobave dhe shkalla prej guri të latuar.

Sipas thënieve që mblodha nga disa pjestar të familjeve shkodrane që jetojnë në afërsi të degës së Lidhjes së Prizrenit, po në shtëpi karakteristike shkodrane, si familjet Suma, Kamsi, Gjonej, Kraja, Guga, Shiroka, thuhet që edhe kjo shtëpi duhet të jetë ndërtuar në  të njëjtën periudhë. Kjo mund të dallohet nga karakteristikat e njëjta me shtëpitë e tjera shkodrane që gjinden në të njëjtën zonë, që kanë pothuajse të njëjtën arqitekturë, fasada,  strukturën e mbrendëshme e po ashtu edhe oborret. Pjesa mbrendëshme e shtëpisë është e ndarë ndër dhoma të mëdha, të cilat kanë tavane të gdhendur në dru, të një bukurie të vecantë, ballkone për qëndrimin e grave, apo raftet e futura në mur. Dhoma e ndejës ose në gjuhën popullore “oda e zjermit”, që komunikon me dhomat e tjera me anë të koridoreve të vogla të veshur në dru të gdhendur, ka dritare të mëdha druri të mbrojtura me hekura, që e mbushin me dritë dhe hapin një pamje të mrekullueshme të oborrit të stolisur me luleborën e lulevilen tradicjonale të Shkodres.

Një cardaku i madh hapet në mbarim të shkallëve të gurta, ku zotërojnë  “qoshja e ndejës” dhe kandilat e shandanat karakteristik të tipit oriental. Poshtë pjesës së banuar, janë ahuret ku mbaheshin objektet e perdorimit të radhë, drutë e ngrohjes si dhe veglat për të punuar kopshtin dhe oborrin. Përpara shtëpisë është oborri me lule dhe lojrat e fëmijëve, ndërsa prapa kopshti i zarzavateve dhe pemëve frutore.

Përsëri sot, shtëpia është një pikë turistike që preferohet nga turistë nga e gjithë bota, jo vetëm për arkitekturen e vecantë, por edhe për të fjetur, pasi familja Vasa, në disa dhoma të shtëpisë, ka plotësuar kushtet normale të jetesës ku mund të flihet komod e me kujtimet e kohëve të shkuara. Shpresoj dhe uroj që bukurisë së fasadave dhe arkitekturës karakteristike të shtëpive të vjetra shkodrane, ti shtohet edhe shtëpia ku lindi dhe u rrit heroi kombëtar Luigj Gurakuqi, e cila nga moskujdesija e shtetit u rrenua. Kjo është deshira e cdo shqiptari atdhetar dhe e cdo qytetari shkodran, pasi është identiteti ynë.

Vjene, me 26 prill 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: DEGA E LIDHJES SE PRIZRENIT në Shkoder, e PASHKO VASES, ose shtëpia, Pjeter Logoreci, Vjene

Tradita e muzikes qytetare dhe grupi koral “Rozafa Expression”

January 31, 2016 by dgreca

Nga Pjeter Logoreci*/
Shpesh, në ambientet e kuvendit franceskan të Gjuhadolit, në Shkoder, vëreja grupe rinore apo fëmijësh, të cilët të shoqëruar nga mjeshtri i muzikës Zef Coba, i drejtoheshin ambienteve artistike të kuvendit, për prova apo shfaqje. Më vonë, disa herë, pata rastin të shijoj harmoninë e zërave të mrekullueshëm të këtij formacioni vokal, në interpretimin e pjesëve liturgjike apo klasike në salla të ndryshme apo në ambientet kishtare. Në kujtimet e mija të rinisë, mjeshtrin Zef Coba, e sjell në mëndje gjithmonë aktiv e shumë të angazhuar me të gjitha formacionet e shoqërisë, duke filluar nga fëmijët e festivalet e tyre kombëtare, emisionet muzikore në Radio Shkodra, si ekspert muzike në shumë emisione televizive apo në koncertet monumentale të organizuara në qytetin tonë dhe mbarë vendin. Pas shumë vitesh e perpjekjesh të mëdha, në vitin 1999, Zefi, arriti të kurorëzojë me sukses themelimin e një shoqatë me këngëtarë e muzikantë të kualifikuar. Një shoqatë të miqve të muzikës, që përbëjnë grupin koral të emërtuar nga ai “Rozafa Expression”. Gjatë një takimi me mjeshtrin Coba për informacione të këtij shkrimi, kurioz për emertimin e grupit, e pyeta:
….”Rozafa Expression” është një emërtim i menduar gjatë – më tregoi ai – e që simbolizon detyrimin qytetar e artistik të antarve. Simboli i Shkodres, kalaja e Rozafës, që është një histori qëndrese e sakrifice qytetare 2400 vjecare e ndërthurur me detyrimin artistik qytetar të mbështetur mbi realitetet artistike që buron nga ekspresiviteti i vlerave muzikore të qytetit e kulturës shkodrane. Kjo shoqate është simbol i lavrimit e pasurimit të muzikës së kultivuar e traditës së pasur muzikore të qytetit pas viteve 90-të. Ajo lavron këngën tradicionale shqiptare, pjesë muzikore korale të njohura e muzikë të zgjedhur nga vendi dhe bota. Suksesi dhe njohja e mbarëkombëtare e grupit është frut i punës plot pasion dhe pa interes, mbi baza vullnetare e në kohën e lirë të anëtarve të saj, por edhe merite e mbështetësve e sponsorve të aktiviteteve të tyre të shumta.
Kjo shoqatë muzikore është e strukturuar në katër ndarje (seksione). Ndarja e parë është kori i të rriturve ose “Rozafa Expression”. Ndarja e dytë është grupi “Në Lulishten e Këngës Shkodrane”, ndarja e tretë aktivizon fëmijët me grupin “Loja e Notave Muzikore” dhe “Miqtë e Muzikës” është grupi ose ndarja e katërt. Shoqata ka një aktivitet të zgjëruar, ku dominon grupi i të rriturve Rozafa Expression, i cili ka dhënë shumë koncerte në festivale e aktivitete të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Mund të vecojmë këtu turnet e suksesëshme në vende të ndryshme:
…në fillimet e tij në vitin 2000: në Tiranë, në Andros e Karditsa të Greqisë (edhe në vitin 2013), Cetinjë të Malit të Zi, Avola të Italisë. Më vonë në vitin 2001 Vibo Valentia të Italisë, në Shkodra Jazz të 2007-tës, Tuz të Malit të Zi (2007), Tetovë të Maqedonisë (2007,2009, 2013, 2014, 2015), në Ripatransone të Italisë (2007), Svigliano, Cuneo, Saluzo të Italisë (2009), në Tiranë (2009), Kragujevac të Serbisë (2011), Assisi – Itali (2014, Gjakovë të Kosovës (2014) si dhe shumë premiera dhe koncerte në qytetet e ndryshme të Shqipërisë: Shkodër, Tiranë, Durrës, Korcë.
Shoqata miqtë e muzikës përvec se evenimente të ndryshme kulturore apo raste festash, organizon edhe aktivitete bamirësie sikurse koncerti i festave të fundit të vitit në ambientet e spitalit Jorgji Karamitri të qytetit të Shkodres. Ky koncert që pat moton “ Mjeksia shëron trupin, Arti shëron shpritin” u organizu në bashkëpunim me drejtorinë e spitaleve për të argëtuar të sëmurët dhe të pamundurit.
Për repertorin e këngëve dhe të muzikës kujdeset vetë mjeshtri i muzikës, kompozitori Zef Coba.
Të njohim kompozitorin dhe mjeshtrin e muzikës Zef Coba…
Mjeshtri i muzikës, kompozitori Zef Coba, lindi dhe u edukua në një familje shumë të njohur për tradita qytetare e atdhedashuri, në qytetin e Shkodres. Shenjat e para të talentit dhe prirjes së tij muzikore i tregoj qysh në vogli duke mësuar dhe luajtur në shumë instrumente muzikore. Në rini, ai realizoj deshirën e tij për të studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e dirigjimit koral, ku pat fatin të ketë mentore pedagogen e njohur Rozmari Jorganxhi.
Në vitin 1989, me vendim të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, del në profesion të lirë si kompozitor. Mjeshtri Zef Coba është njohes i mirë i trashëgimisë sonë folklorike, sidomos të trevave të veriut ku ai ka punuar vite me radhë. Për shumë vite ai ka qënë gazetar dhe kryeredaktor i programeve muzikore të Radio Shkodres. Që nga viti 2003 punon në Universitetin e Arteve Tiranë, në fakultetin e muzikës si pedagog në lëndët e dirigjimit koral, klases korale, mukikës dhomës, harmonise..
Në vitet 1997 deri 2001, drejtoj korin Dom Mikel Koliqi, në kishen Katedrale në Shkoder,. Po në vitin 2004 fillon të drejtojë korin e Katedrales “Shën Palit” në Tiranë, si dhe nga viti 2010 është drejtues i korit të Kishës Franceskane në Shkoder. Që nga 1983, është sekretari lidhjes së shkrimtarve dega Shkoder. Ai ka kompozuar shumë pjesë vokale dhe instrumentale, muzikë filmash e për teatër, këngë për fëmijë apo popullore shkodrane, pjesë korale si dhe është autori i këngës, që është bërë hymni i atdhetarisë, “Xhamadani vija vija”. Ai është rektor i Akademisë së Arteve në Shkoder, ku jep edhe mësim. Eshtë vlerësuar me shumë cmime dhe mirënjohje për veprimtarinë e krijimtarinë e tij artistike si Mirënjohja e Shkodres, Nderi i Kulturës Dibrane, Cmimi Naim Frashëri i kl III dhe cmimin “Madre Teresa”. Mban titullin profesor që nga viti 2012 dhe është anëtar i bordit të “Forumit Ballkanik të Muzikës Korale”, anëtar nderi i Shoqatës “Besa” në Mal të Zi dhe asaj “Madonna di San Giovanni” në Itali.
Prof. Zef Coba është një vazhdues i denjë i traditës të kolosëve shkodran të muzikës Pjeter Gaci, Prenk Jakova…. Ai me modesti, po vazhdon të pasurojë më tej vlerat muzikore që ato i lanë trashëgim qytetit dhe atdheut të tyre.
Aktiviteti i pakrahasueshëm i Prof. Zef Cobës, i karakterizuar nga një disiplinë e kërkesë e lartë, që është vlerësuar me konsiderata të larta kudo, është një aset pasuror i qytetit Shkodres, të cilën ai ka arritur ta vendosë në piedestalin e qyteteve të njohur për traditën e kulturën muzikore, në botë. Po ashtu, grupi koral Rozafa Expression nëpërmes aktivitetit të tij mbrenda dhe jashtë vendit, me pjesmarrje në festivale dhe veprimtari të rëndësishme artistike, po perfaqëson me sukses kulturën dhe vlerat tona në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Eshtë për tu vlerësuar dhe falenderuar shteti austriak, i cili nëpërmes dhurimit të disa ambienteve moderne, ka krijuar mundësinë që Shoqata Miqtë e Muzikës të jetë një institucion me seli e ambiente komode, provash dhe aktivitetesh. Uroj dhe shpresoj që Shteti nëpërmes Ministrisë së Kulturës, Bashkia Shkoder, të tregohen më të vemendvshëm e zemergjërë se deri tashti dhe të mbështesin financiarisht këtë Grup përfaqesues të vlerave tona në botë.
*http://rozafaexpression.com/
Vjene, me 24.1.2016

Filed Under: Kulture Tagged With: “Rozafa Expression”, dhe grupi koral, Pjeter Logoreci, Tradita e muzikes qytetare

…A thue vepra dhe fama e kolosit Gjergj Fishta do të zgjojë krenarinë dhe atdhetarizmin e bashkëkombasve…

January 24, 2016 by dgreca

Nga Pjeter Logoreci-Vienë/
Disa ditë më parë isha dëshmitar i një skene e cila më la mbresa të forta, që sot, në kohët qëpo jetojmë, ndodh përherë e më radhë, por që i lë shije të mirë kënaqësie kujtdo që e përjeton dhe e dëgjon e që mua më dha shkakun të bëj këtë shkrim informues për lexuesin. Mendova të shkruej këto rreshta, jo për ti bërë reklame artit të përsonave të vecantë, por për ti bërë jehonë akteve e vlerave pozitive njërzore, që i sherbejnë shoqërisë shqiptare e atdheut, gjëra qëjanëpjesë traditës sonë popullore e që po humbasim, për të cilat kemi nevojë urgjente të përditëshme.
Më është bërëritual, që kur vizitoj qytetin tim, për nevojëinformimi apo kënaqësi- ndeje, të bëj një gjiro takimesh dhe kontaktesh me miq, njerëz të artit, të historisë, me intelektale të sferave të ndryshme, herë në shtëpitë e tyre, por edhe në kafenetë komode tëShkodres.Ato ditë, kënaqësisëqë pat publikushkodran nga hapja e ekspozitës me objektet e martirit Luigj Gurakuqi në muzeun e qytetit, ju shtua dhe kënaqësia e aktittë bukur e patriotik që bëri mjeshtri i skulpturës Ferid Kola, i cili në ceremoninë e hapjes sëekspozitës, i dhuroj punonjësve të muzeut një shtatore të vogël të heroit të popullit Luigj Gurakuqi, të ngjashme me origjiinalin e asaj të krijuar nga ai, që ishte evendosur në qëndër të qytetit. Qëlloi që dy ditë më vonë, të vizitoja atelienë e skulptorit për tu njohur me krijimet e tij të reja, ku në mes të shumë punimeve të arrira për nga mjeshtria evlerat historikeqë përmbanin, mëbënë përshtypje tri shtatore tëpërmasave të vogla (80 cm – bocet) të poetit kombëtar Gjergj Fishta, të cilat ishin tëpozicionuara nëtre kënde të ndryshme të ateliesë e që të krijonin përshtypjen sikur e ftonin vizitorin e sapo ardhur të hapë një bisedëpër to.
I rrëmbyer nga bukuria dhe vertetësia e realizimit të figurës së Fishtës në këto tri shtatore, u fiksova përballë njërës që më solli para meje si “të gjallë”homerin shqiptar. Nga ato që kisha dëgjuar dhe lexuar për Fishtën, më ngjasoi se e kisha shumë të afërt e të njohur këtëfigurëlëgjendë….- Ah, sa bukur do tëdukej kjo shtatore, ju drejtova autorit Ferid Kola, sikur të vendosej në mes të librave të tij në bibliotekën provincës franceskane këtu në Shkodër!! Artisti, sikur të ma kishte lexuar qysh përpara mendimin, duke u ngritë me hov në këmbë ma ktheu:… e po ta dergojmë aty ky i takon për të qenë, mirë ma kujtove. Kisha kohë që më mundonte mendimi që të gjej një vend të përshtatshëm për te.., ska më mirë…. U nisëm me makinën time, me shtatoren e At Fishtës ndër duar drejt kuvendit franceskan të Gjuhadolit, ku na pritshin me padurim fretnit të cilët i lajmërova më parë me telefon. Aty, nga atmosfera që u krijua, pata rastin të përjetoj caste të paharrueshme. Nga njëra anë, autori i shtatores mjeshtri Ferid Kola, i cili me sy të përlotur po ndahej nga krijesa etij qëe donte shumë, nga ana tjetër gëzimi i fretërve franceskanë që po e vëndosnin shtatoren në ambientin e bibliotekës, në vendin ku At Gjergj Fishta studioi dhe krijoj vargjet e pavdekëshme që na la trashigim.
Vëllezërit Franceskanë, nga gëzimi,i silleshin rrotull shtatores sikur po i bënin ritin e mirëseardhjesnë mes tyre, nëfamiljen e vet. U diskutua shumë se ku të vendosej, pasi për shtatoren e një kolosi si Gjergj Fishta dëshirohet gjithmonë një vënd dominant. E ndërsa të pranishmit po fiksonin në fotografi këto caste emocionuese e të paharrueshme, po mendoja…: …sa mirë do të ishte që njëra nga tri shtatoret emjeshtrit Ferid Kola të vendosej në një vënd të dukshëm në qytetin e Shkodres….
Realisht në qytet, ka vite që është inauguruar një vepër pamore, simbol i At Gjergj Fishtës, por që syri normal nuk e dallon për të tillë. Një vepër e artit modern, por jo një shtatore e mirëfilltë që të sjell në mes të qytetarve të Shkodres, kujtimin e figurës së njohur të Homerit shqiptar Gjergj Fishta.Edhe Shkodra i përket një qyteti me kulturë europiane, si ato ku janë të përsonifikuar nështatore gjenitëekombeve përkatës, si Goete, Mozart, Pushkin, Manzoni, Rafaeli etj…etj.. Edhe qyteti i Shkodres mund të krenohet me një figurë si At Gjergj Fishta, kolos i vargut, mjeshtër i satirës, atdhetar i shkallës së parë, një ndër themeluesit e alfabetit e pasurimit të gjuhës shqipe, i njohur dhe i studiuar në shumë shtete të kontinentit.
…. A thue vepra dhe fama e kolosit Fishta do të zgjojë krenarinë dhe atdhetarizmin e bashkëkombasve të vet, të pushtetit qëndror, të politikës, të drejtuesve të bashkisë së qytetit, të biznesmenëve të ndryshëm, për ti dhuruar atdheut një shtatore që përjetonfigurën e At Gjergj Fishtës? Qyteti i Shkodres i ka artistikisht e teknikisht të gjitha mundësitë, pasi ka nxjerrë nga mesi i vet, shume skulptore të talentuar, e nder tomjeshtrine skulpturës monumentale Ferid Kola, i cili ka arritur të sjellë në këto shtatore si “të gjallë “ poetin kombëtarë, që me tre bocetet e At Gjergj Fishtës ka arritur të emocionoje masa të gjëra njerzish?Duhet theksuar qe, bukuria dhe përsosmeria e realizimit të figuressë Fishtës nga skulptori atdhetar Ferid Kola, pervec se me talentin e tij, lidhet edhe me njohjen e thellë që ai ka për veprën dhe përsonalitetin e At Gjergj Fishtës, të cilin ai e adhuron.
Kisha dëgjuar që përpara, që ishteFerid Kolai cili kish gjetur dhe identifikuar në magazinat e objekteve kulturore të qytetit, maskën e vdekjes së Fishtës, të cilën pasi e riparoj, se ishte shumë e dëmtuar, bëri një kopjo dhe origjinalin ja dorëzoj etërve franceskanë. Që këtu atij i lindi dëshira për tu marrë me “njohjen” e figurës se poetit, që e konkretizoj në disa shtatore (bocet) në forma dhe vendosje të papara dhe të ndryshme nga autorët e tjerë. Më vonë, me rastin e rivarrimin simbolik të eshtrave të Fishtës, mjeshtri Kola realizoj artistikisht SARGUN që i mbante ato pak eshtra, cka kishin mbetur pas dhunimit të varrit dhe tretjes në lum të tyre. Këto ditë, mjeshtri Kola, pas një studimit disa vjecar, befasoi ndjekësit e tij me bocetin e katërt të shtatores së At Gjergj Fishtës, duke e paraqitur atënë një qëndrim të vecantë, me gishtin tregues lart nga qielli, si për ti kujtuar shqiptarve që: ….SI SHQIPNIA NJI VEND NUK KA..
Nga një vrojtues i thjeshtë dhe i vemendëshëm atdhetar, që njeh ligjetdhe traditat shqiptare, mund të konstatohet menjëherë qartë se autori, pa u kujtuar, por natyrshëm, i shtyrë nga dashuria për traditën shqiptare, ka realizuar plotësisht atë cka shkruhet në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:
… Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me besim te Zoti dhe …., me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, ……, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, … për paqen, mirëqenien, kulturën …., me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia … janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit….
Kjo ishte porosia që At Gjergj Fishta na la trashëgim nëpërmes veprës së tij. Uroj dhe shpresoj që, bukuria e veprës të tij, mbrojtja e zjarrtë që ai i bëri kufijve e trojeve shqiptare, të kontribuojë që figura e tij të materializohet në një shtatore që të jetë tempull atdhetarie e frymëzimi për përparim.
Wien, me 17.1.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: atdhetarizmi i bashkombasve, Pjeter Logoreci, Shtatorja e Fishtes

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT