• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Poetët nuk vdesin — ata vetëm kalojnë në orën e njëzetepestë të ditës

August 5, 2013 by dgreca

Nga Gjekë Marinaj/

 Shpesh tek poetët frymëzimi vjen si një stuhi e çuditshme, fuqia lëvizëse e së cilës çliron nga gjoksi i tyre poetik emocionet për t’i komunikuar. Dueli shpirtëror midis poetit, si njeri, dhe muzës, si burim i frymëzimit poetik të tij, shndërrohen në atë gjini letrare që ne e quajmë poezi. Ndonëse teknikisht poezia mund të paraqitet më e organizuar sikur të kalojë nëpërmjet redaktorëve profesionalë, jeta e saj fillon pa kushte në çastin kur shkëputet nga shpirti i poetit. Poezia pastaj shtegton drejt përjetësisë së saj herë e lënduar, herë e vetmuar, herë e dënuar dhe, më së shumti, e lirë. Por, në kushte normale, poezia kurrë nuk vdes. Të njëjtin fat kanë edhe poetët. As poetët nuk vdesin kurrë – ata, kur mbyllin sytë, vetëm kalojnë në orën e njëzetepestë të ditës. Ndryshe nuk ka se si të kuptohet jeta dhe vepra e poetes amerikane të shekullit IXX, Emily Dickinson.

            Të ndjesh dhe të kuptosh jetën në ngjyrat e plota të saj është një gjë, por të jetosh ashtu siç e ndjen dhe e kupton atë është një gjë krejt tjetër. Ndjekja e dallgëve të ndjenjave, për secilin nga ne, është një trazirë psikologjike që kërkon arsyetim të veçantë. Për poetët, nga ana tjetër,  parimi i arsyetimit është disa herë më esencial. Kjo jo vetëm për faktin se poezia, si produkt shpirtëror i poetit, është thjeshtë thënia me art e së vërtetës, por edhe se e vërteta në vetvete ka një substancë, efektet e së cilës reagojnë në përpjestim të zhdrejtë me interesat individuale të disa “personave”. 

Ndoshta shpjegimi më i përafërt me të vërtetën e mbijetesës së poetes Emily Dickinson, njëra nga poetet më të fuqshme në historinë e deritanishme të letërsisë botërore, është dashuria e jashtëzakonshme për poezinë, në njërën anë, dhe besimi që dashuria e saj do të jetojë më gjatë me poezinë se frymëmarrja e saj si poete. Ajo konsideronte punën me poezinë të natyrshme, ashtu siç quajnë nënat e motrat tona të natyrshme dashurinë për fëmijët.  Duke e parë rolin e saj si poete në këtë prespektivë, ajo padashur krijoi një barrierë modestie për punën e saj me vargjet.

Dickinson, në gjithë jetën e saj, u takua vetëm nje herë me poetin Walt Whitman. Nga që nuk dinin asgjë për njëri-tjetrin, e gjithë biseda midis tyre filloi dhe mbaroi me këto fjalë:

“Mirëdita! Unë jam askush! Po ju kush jeni?”.

—Walt, u përgjigj tjetri.

Për poetët si Emily Dickinson, Sidney Lanier, William Vaughn Moody, që jetuan “kohën e hezitimeve” në letërsinë Amerikane, modestia në momente të caktuara mund të ishte veprim inteligjent, sepse anasjelltas mund të nxiste kuriozitetin e të tjerëve ndaj tyre dhe po kështu, të afronte levërdinë e të jetuarit pa presionin e njeriut të famshëm. Në kontrast, ama, në rastin e mësipërm, modestia e la Emily Dikinson-in pa mbështetjen profesionale të njërit prej poetëve më të mëdhenj të botës, për udhëzimet e kualifikuara të të cilit ajo kishte shumë nevojë. Pavarësisht se ajo nuk e dinte se po fliste me një  poet kaq të madh, siç ishte Whitman-i, dhe ndonëse  dedikimi i të dyre ndaj poezisë ishte absolut dhe i pakomprometueshëm, ajo kurrë nuk e paraqiti veten para tij si poete. Ajo, mund të themi, s’kishte si të bënte ndryshe. Deri në atë kohë, kishte botuar gjithësej vetëm shtatë poezi. Pra, po të përqendrohemi në numrin e poezive që ajo kishte botuar, natyrisht me prezantimin e saj si poeteshë para Whitman-it mund të rrezikonte përçmimin apo të paktën nënvlerësimin e tij ndaj saj. Gjthçka mund të ndodhin…

Po, gjithçka mund të kishte ndodhur… Por nuk duhet të harrojmë dashurinë që poetët kanë për njëri-tjetrin. Unë mendoj se do të kishte ndodhur e kundërta. Me siguri do të kishte ndodhur e kundërta. Oh, sikur t’i kishte thënë se kush ishte! E pasi të ishin njohur, sikur ajo të kishte nxjerrë nga gjiri nja njëqind apo dyqind vjersha dhe t’ia kishte zgjatur për t’i pare! Vetëm mendo bashkimin e dy qiejve aq të mëdhenj poetik… Kushedi se ç’ngarkesë elektrike do të kishte përshkuar shekullin e IXX-të prej bashkimit të tyre. Imagjinoni nivelin e frymëzimit, magjinë artistike, përqafimin e pasionit letrar që do të kishin ndjerë nga bashkimi të dy poetët — dy epiqendrat e tërmetit poetik të atij shekulli, që gjithmonë vibërojnë diçka të çuditshme Brenda, kur flasim për ta.

Në jetën e një artisti është e nevojshme prezenca e një artisti tjetër. Kjo i frymëzon artistët, i shtynë ndrejt niveleve më të larta krijuese, ua rrit guximin për t’u paraqitur para artëdashësve… Ne mund t’ia lëmë fajin modestisë, ngathtësisë, humbjes së rastit të mirë që kishte, por, fatkeqësisht, fakti që gjatë gjithë jetës së saj, Emily Dickinson gëzoi vetëm një grusht poezi të botuara në shtyp (më pak se njëzet), të lë në shpirt një shije të hidhur. 

Eshtë e vërtetë se ajo e kalonte kohën, më së shumti, e mbyllur në shtëpinë e babait të saj, në Amherst të Masachusetts. Megjithatë, jeta shtëpiake nuk e bëri poeten e madhe të tërhiqej nga bota. Ajo u shkruante letra të gjithë atyre që njihte, shkonte në shumicën e aktiviteteve  kulturore të qytetit dhe, ngaqë i ati ishte avokat, ajo pati mundësinë ekonomike të përfundonte studimet në Akademine e Amherst-it.  Aty ajo u njoh më gjerësisht me krijimtarinë letrare të Shakespieare-s, Byron-it, Goethe-s, Tennyson-it, etj. Faktikisht, në vend që të mërzitej, Emily e çmonte pa masë ngrohtësinë, frymëzimin dhe sigurinë që i afronte familja dhe shtëpia. “Nuk ka gjë më madhështore se fuqinë infinite të shtëpisë” – thoshte ajo.

Pavarësisht nga optimizmi që kishte për mënyrën e jetesës, mungesa e gjatë e emrit të saj në shtyp nuk jepte shpjegime të mjaftueshme për familjen dhe shoqerinë e saj. Ato e dinin se ajo i kishte kushtuar një jetë të tërë leximit dhe krijimit të poezisë dhe me të drejtë prisnin rezultatet e punës së saj.  Gjithsesi, ajo ishte plotësisht e ndërgjegjshme se ishte poete, jetonte si poete dhe e dinte se këndvështrimit të saj unik për poezinë do i vinte dita.

Natyrisht, ajo kishte pasë të drejtë. Ndonëse në një atmosferë të zymtë familjare dhe shoqërore, enigma u zgjidh më në fund. Menjëherë pas vdekjes së Emily Dickinson-it, e motra zbuloi 1,775 poezi, të cilat përbënin të rrahurat e vërteta të zemrës të poetes së madhe. Një numër kaq i madh poezish me të drejtë u bë objekt i bisedave të përditshme të intelektualëve dhe poetëve më të medhenj botërorë të asaj epoeke të zjarrtë poetike. Befasia që solli Emily Dickinson u kthye menjëherë në këtë mesazh fisnik: të jetosh me ëndrrën se gjithçka është e mundur nëpërmes disiplinës, punës këmbëngulse dhe ideve të mëdha poetike është një vërshim real drejt idealit të shenjtë të çdo artisti.

Një numër i madh poezish u gjetën të shkruara në copa letrash. Bile, disa prej tyre ishin shënuar “me ngut” në dy anët e pareve, nga që s’i kishte ndodhur leter me vete në kohën e frymëzimit. Kjo nuk ishte asgjë e re për familjen dhe miqtë e saj, sepse ata e dinin se Emily Dickinson e kishte pjesë të praktikës së saj të shkruarit kudo, kurdo e në çfarëdo vendi, kur i vinte një ide… Vetëm pasi kthehej në mbrëmje në shtëpi, i hynte dhe i rihynte punës për organizimin e mendimeve të saj në formë poetike.

            Nuk ka gjë më të vështirë se të pranosh faktin se segmenti jetësor i një poeti, nganjëherë, mbaron aty ku fillon vepra e tij. Vetëm në vitin 1890, katër vjet pas vdekjes, u botua përmbledhja e parë me poezitë e Emily Dikinson-it. Aroma e këndshme poetike e vargjeve të saj u shpërnda në ajrin e pafundësisë të së ardhmes si një parfum magjik, era e mirë e të cilit do të kënaqte lexuesit për një kohë të pafund.

Në poezinë e Dickinsonit gjejmë një tejdukshmëri të rrallë. Ndonëse, nganjëherë poezia e saj na paraqitet disi aventuriere nga plastika, ajo ka vlera të mëdha në aspektin e sinqeritetit poetik. Ç’ëshë me e rëndësishmja, poezia e Emily Dickinsonit është psikologjikisht krejtësisht e depërtueshme për lexuesin e kualifikuar. Aq më tepër në poezinë e saj gjejmë të bashkangjitura artin, inteligjencën dhe dhimbjen njerëzore, të cilat janë aq të rëndësishme në poezi. Pra, ajo ka gjetur forma që të vërë poezinë e saj në shërbim të të gjithë lexuesve dhe krijuesve njëherësh.

Në aspektin personal, biografët e saj e përshkruajnë poeten si një njeri plot jetë, që e donte pamasë njeriun dhe natyrën. Emily Dickins-on ishte e shqetësur për kohën dhe jetonte me ulje-ngritjet e fatit të bashkëkohësve të saj. Po kështu, ata sugjerojnë se poetesha nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie dashurie. Miqësitë që ka pasur me burrat gjatë jetës së saj kanë qënë prerë të karakterit intelektual. Megjithëse vepra e saj na bind se dashuria e saj e vertetë ishte poezia, tek lexon vargjet e saj për dashurinë logjika të shtyn të mendosh se ajo e ndjente mungesën e djemve në rininë e saj. Ja disa vargje nga poezia e saj (903, ca. 1846):

Më ke të fshehur në lulen time,

Që po të velet nëpër duar —

Ti, papritur, ndjen për mua,

Pothuajse vetminë e trishtuar…

Të punësosh një redakor për poezinë që nuk e njeh atë është e padrejtësia më e madhe që mund t’u bëhet poetëve dhe poezisë që ata krijojnë. Është tamam si të punësosh një veterinar  për të kryer punën e një doktori. Këtë do e pohonte pa hezitim T.W. Higginson.  Ai qe redaktori i parë i poezisë së Emily Dickinson-it, tek punonte si radaktor i faqeve letrare pranë gazetës Atlantik Monthly. Fakti që ai ka mbetur në histori si njëri nga kritikët letrar me disiluzionues të shekullit IXX nuk e ngjall dot atë që u shua me vdekjen e poetes.

            Ndonëse ai e pat pranuar akuzën dhe u pat kërkuar falje lexuesve të Atlantikut për mosarritjen e njohjes në detaje të gjenialitetit poetik të Dickinson-it, moskompetenca e tij nuk mund të falet lehtë. Emily Dickinson i kishte dërguar disa herë poezi, por gjatë gjithë karierës së tij, T. W. Higginson-i s’i kishte thënë një fjalë inkurajuese.  Poetja, duke i besuar gjykimit të tij, hezitoi të dërgonte poezitë e saj tek gazetat e revistat e tjera. Megjithatë, si për ta ngjitur atë që kishte thyer, Higgenson u tregua mjaft aktiv në botimin e veprës mbas vdekjes së poetes.. 

Cilat ishin pakënaqësitë e tij ndaj poezisë së poetës së madhe? Ai ia kishte kthyer e rikthyer mbrapa poezitë me mendimin se ato ishin spazmatike dhe kishin mangësi në rimë dhe sintaksë. Ai shprehte shqetësimin edhe për nje numër të madh vizash lidhëse, shumë pauza, për disa variante radikale të ritmit poetik etj. Ndoshta z. Higginson,  drejtonte kritikat e tij në këto drejtime për të fshehur arsyen e vërtëtë; pra për të mos thënë që ajo ishte femër dhe se kishte përjashtuar nga jeta e saj personale marrëdheniet me kishën, shërbimet fetare të së cilës preferonte ai dhe familja e tij.

Me vonë, sidoqoftë, kritikët letrarë, duke u munduar të jepnin shpjegime shkencore në lidhje me shkeljen e normave letrare të poetes, kanë arritur në përfundimin se Dickinson kishte adaptuar, për të mirën e e poezisë së saj, rregullat e gramatikës latine. Bile, disa studjues kanë shkuar edhe më larg në interpretimin e zbulimeve të tyre, duke e poetizuar sjelljen e saj me gjuhën si veprim “inteligjent” dhe “artplotë”. 

Megjithatë, shumë dashamirës të letërsisë së Dickinson-it mendojnë se gjykimi i Higgensonit,  ndoshta bëri që Emily Dickinson të humbiste shpresat se mund të krijonte poezi të përshtatshme për botim, dhe kështu ajo vendosi t’i mbante krijimet e saj vetëm për vete.

Në përfundim, Emily Dickinson është një nga ata poetë që sa herë që i lexoj, më bëjnë ta dua edhe më thellësisht poezinë. Poetë si ajo, më kanë bërë që të arrij në përfundimin se poezia është shpirti i letërsisë — gjinitë e tjera letrare edhe mund të funksionojnë disi në forcat e veta, por të mbarsura me komponentin poetik ato tingëllojnë si një trokitje te dyert e vdekjes. Ndoshta edhe unë personalisht do të jetoja disi edhe pa poetët; por pa ta, diçka e papërshkrueshme do të mungonte midis meje dhe Zotit.(Dielli Arkiv)

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Emily Dickinson, Gjeke Marinaj, poetet nuk vdesin

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT