ME RASTIN E DITËS BOTËRORE TË POEZISË/
QELIA /
Brenda katër muresh/
Rrethuar nga terri/
Zvarritem parreshtur/
S’po di nga lind dielli/
Brenda katër muresh
Shtangur nga vetmia
Hijet më rrethojnë
Nxinë e tërë qelia
Brenda katër muresh
Kruspull nga të ftohtit
Pres të vij mesnata
Ti drejtohem Zotit
Brenda katër muresh
Dhe pse natë e thellë
Më kot pres unë Zotin
Ai është lart në qiell
***
STATUJË E LIRISË
Eh Statujë, Statujë e Lirisë
Sa kufoma rinie vyshkur mbi ball
Jehona dashurie që kurrë s’u dhuruan
Kafka martirësh mbetur pa varr
Eh Statujë , Statujë e Lirisë
E vetmja dritë, i vetmi zjarr
E vetmja ëndërr ku shpresat udhëtojnë
Përzjere në klithma,kulluar në gjak.
Eh Statujë,Statujë e Lirisë
E vetmja dritë që na mban gjallë
Por dhe po ikëm pa u takuar
Besomë, do vijnë të të puthin vrasësit tanë.
Spaç 1979
DITA E VERËS
Trishtimin flaka sot
Mbi telat me gjemba
Dhe sytë e lodhur në qiell
Në arratisjen e një reje rebele
Që largohej me shpejtësi
Drejt foleve të panjohura
Ravijëzuan fytyrën tënde
E në çast,mitralozët
E bajonetat drejtuar nga unë
U shndrruan në petale dashurie
Vall pse je kaq larg
Sot që është
Dita e Verës
E unë trëndafilin e kuq
Dot nuk ta sjell…!
Spaç 1979
BASTARDËT
Gjithë jetën i kënduat përbindëshit
Kur ngordhi e qatë në ç’do varg
Tani si jashtëqitje sllavokomunizmit
S’ju mbetet gjë tjetër veç të pështyni lart
Të parët që ngritët dy gishtat lart ishit ju
Sekretarë të partisë, komsomolas te rinisë
E pështytë,me këmbë e shkelët paçavuren e kuqe
Dhe në mëngjes u gdhitë pishtarë të demokracisë
Të parët që ja mbathët në perëndim ishit po ju
Shkrimtarë të realizmit socialist,pa Zot,pa atdhe`
Ju që mbi gërmadhat e botës së vjetër kapitaliste
Do ndërtonit internacionalen komuniste,botën e re`
Ju që gjithë jetën shkelët mbi varre
Dhe hija e vdekjes ju ndjek nga pas
Mos harroni shkrepëtimën që zbret nga qielli
Ofshamat dhe mjerimin e një populli të pafat…