• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POLITIKA E JASHTME DHE FUSHATA PËR PRESIDENT TË SHBA

September 8, 2016 by dgreca

 

1-frank_shkreli

Nga Frank Shkreli/

Deri tani,  politika e jashtme dhe roli i Amerikës në botë nuk ka dominuar aq sa duhet debatin politik të fushatës presidenciale midis kandidates së Partisë Demokrate Hillary Clinton dhe kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump.  Por ka giasë se javët e fundit të kësaj fushate për president të dominohen nga çështje me rëndësi të politikës së jashtëme, por edhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur tradicionalisht në punët botërore gjatë pothuaj 100-viteve të fundit.

Zakonisht, gjendja ekonomike në vend dhe programet e kandidatëve për përmirësimin e saj, ato pra që cilësohen si “çështje të kuletës” (pocketbook issues), janë çështjet që vendosin se cili kandidat do fitojë në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare në nëntor, me fjalë të tjera cili është kandidati më i mirë që do të përmirsojë jetën ekonomike të familjeve amerikane.  Por duke marrë parasysh se megjithëse rritja e ekonomisë amerikane nuk është në nivelin që duhej të ishte, prapë se prapë ka shenja që tregojnë se ekonomia nuk është në krizë.  Sidomos kur të merret parasysh fakti se papunësia ndodhet në një nivel të ultë prej 4.9 për qind, në krahasim me katër vjet më parë kur papunësia ishte mbi 8 për qind. Rroga ndoshta nuk janë në nivelin e dëshirueshë, por të pakën njerzit mund të gjejnë punë po të duan.  Niveli i papunësisë midis 5 dhe 6 për qind, konsiderohet si normale këtu në Shtetet e Bashkuara.  Në këtë moment pra, duket se ekonomia nuk është një çështje me rëndësi dërmuese që do të shtyjë votuesin të votojë për njërin ose për tjetrin kandidat, por do të jenë një numër çështjesh përballë të cilave gjëndet Amerika, përfshirë politikën e jashtme, politikën mbrojtëse dhe të sigurirmit kombëtarsi dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. Do të jetë vlerësimi i votuesve amerikanë se cili ndër kandidatët do të jetë më i zoti dhe cili prej tyre ka përvojën dhe parimet dhe vendosmërinë e nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit në fushën ndërkombëtare përballë sfidave të tanishme dhe të ardhëshme gjatë mandatit katër  vjeçar.

Dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, kur votuesit amerikanë do të zgjedhin presidentin e tyre për katër vjetët e ardhëshme, bota duket se është në një gjëndje kaotike.  Presidenti/tja e ardhëshëme e Shteteve të Bashkuara, që në ditën e parë të mandatit do të përballet me një botë aspak stabile.  Vërejtësit e çështjeve ndërkombëtare paralajmërojnë re të zeza në horizontin ekonomik dhe politiko-ushtarak ndërkombëtar gjatë viteve në vijim.  Gjëndja në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë lamsh e rrëmujë, pa ndonjl shpresë zgjidhjeje në një të ardhme të afërt.  Flirtimet e fundit të dy autokratëve evropianë presidentit turk, Erdogan me presidentin rus Putin, janë shkak shqetësimesh serioze për NATO-n në përgjithësi dhe për implikimet e këtij flirtimi për krahun jug-lindor të aleancës perëndimore, në veçanti.   Shqetësues dhe me rrjedha të pa-parashikueshme është edhe vendimi i votuesve britanikë për të dalur nga Bashkimi Europian, si edhe rritja e tensioneve politike dhe ushtarake në Azi midis Kinës dhe fqinjve të saj dhe rritja e tensioneve politike në Europën Lindore si rrjedhim i politikave agresive të Rusisë së Vladimir Putinit.  Përfshirë Korea  e Veriut dhe Iranin nuklear, janë vetëm disa prej çështjeve të menjëhershme me të cilat do të përballet udhëheqsi i ardhëshëm amerikan, përveç krizave të pa parashikueshme botërore të viteve të ardhëshme.   Historikisht, ka ndodhur që presidentë të ndryshëm amerikanë — republikanë dhe demokratë — të kenë shpenzuar më shumë kohë duke u marrë me krizat dhe konfliktet ndërkombëtare se sa me punët e mbrendshme dhe me nevojat e përditshme të qytetarëve amerikanë.

Kandidati republikan Donald Trump sheh një hapje në këtë mes që ai po përpiqet ta shfrytëzojë në vazhdim të fushatës së tij, duke paraqitur politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama — pjesë e të cilës ishte edhe Hillary Clinton si Sekretare Amerikane e Shtetit — si të dështuar.

Por problemi i Trump-it është mos përvoja e tij në fushën e politikës së jashtme dhe asaj ushtarake. Ai është i pa sprovuar në këtë fushë, ndërsa kritikët e tij janë të shqetësuar në lidhje me temparamentin e tij në marrëdhëniet me të huajt.   Donald Trump, nëqoftse siguron fitoren në nëntor – do të jetë presidenti i parë në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, pa kurrfarë përvoje në fushën e politikës së jashtme dhe ushtarake, madje pa asnjë përvojë as në ndonjë administratë qeveritare.  Duke marrë parasyshë rëndësinë e politikës së jashtme si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, një shumicë amerikanësh – përfshirë këtu edhe një numër ish-zyrtarësh republikanë të diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare — janë shpallur kundër kandidaturës së Z. Trump, të shqetësuar pikërisht për mungesën e përvojës së tij në këtë fushë.

Ndërsa Hillary Clinton konsiderohet se ka më shumë përvojë në fushën e diplomacisë, falë shërbimit të saj si Sekretare amerikane e Shtetit dhe senatore – skandali me e-mailat e saja ka bërë që jo vetëm kundërshtari i saj politik për president Trump, por edhe vërejtës të tjerë të kritikojnë ashpër përvojën e saj në fushën e diplomacisë, duke thënë se mos kujdesi i saj në përdorimin e komunikimeve të fshehta përbën, sipas tyre, një rrezik ndaj sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.  Pse u shlyen dhe çfarë fshihej në to është një pyetje që po shkakton kokëçarje për Zonjën Klinton si dhe probleme në lidhje me besueshmërinë ndaj  në përgjithësi, në radhët e votuesve amerikanë, përfshirë edhe vetë demokratët.

Është e pamundur të parashikohet se cilin prej kandidatëve, Hillary Klinton apo Donald Trump, do të zgjedhin votuesit amerikanë në fillim të nëntorit.  Por mbetet për tu pa nëse çështjet e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme amerikane do të jenë çështjet kryesore ose faktori kryesor që votuesit amerikanë do të përdorin për të vendosur se për cilin kandidat për president do të votojnë më 8 nëntor, 2016.  Por një gjë është e sigurt. Duke marrë parasyshë statusin që gëzojnë sot Shtetet e Bashkuara si fuqia numër një në botë, zgjedhja e cilit do prej tyre — për mirë ose për keq – dhe politika e tyre e jashtme që eventualisht do të ndjekin,  do të ketë pasoja të thella jo vetëm për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, por për mbarë botën.  Le të shpresojmë që kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të jenë të vetdijshëm të këtij fakti.

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Frank shkreli, Fushata, Politika e jashtme, presidentet

Kosovë-Shqipëri, koordinim për temat e politikës së jashtme

June 14, 2016 by dgreca

-Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës  së Kosovës, Enver Hoxhaj në Tiranë ka takuar homologun shqiptar, Ditmir Bushati/

Tiranë-Prishtinë, 13 Qershor 2016/ Gazeta Dielli-B.Jashari/ Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka pritur homologun e tij nga Kosova, Enver Hoxhaj.

MPJ e Kosovës ka dërguar këtë njoftim: Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës  së Kosovës, Enver Hoxhaj ka qëndruar sot pasdite në Tiranë, ku është takuar me homologun shqiptar, Ditmir Bushati.Në këtë takim Hoxhaj dhe Bushati  janë koordinuar për tema të ndryshme të politikës së jashtme para një turi intensiv diplomatik të Kosovës në muajt e ardhshëm.

“Me ministrin Bushati diskutuam për koordinimin më të mirë të temave dhe aktiviteteve për jetësimin e partneritetit strategjik Kosovë-Shqipëri”, ka thënë ministri Hoxhaj.Përveç kësaj Hoxhaj e Bushati kanë disktuar edhe për takimin e radhës në Paris që është vazhdimësi e procesit të Berlinit.

Ditë më parë ministri Hoxhaj ka qëndruar në SHBA, në vizitën e parë zyrtare pas emërimit në pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, përfundon njoftimi.

Qeveria e Kosovës, në 2 qershor, është kompletuar me emërimin e zëvendëskryeministrit të parë, Hajredin Kuçit, i cili vazhdon të jetë edhe ministër i Drejtësisë, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajt, të cilat poste i mbante Hashim Thaçi deri në zgjedhjen President i Republikës në muajin shkurt.

Filed Under: Rajon Tagged With: kordinim, Politika e jashtme, Shqiperi Kosove

SIGURIA DIGJITALE, INTELIGJENCA DHE POLITIKA E JASHTME

February 15, 2016 by dgreca

Nga Bahri Beqiri/
Zbulimet e informatorit të CIA-s, Edward Snowden kanë treguar se monitorimi i paarsyeshëm global dhe masiv i komunikimit digjital është shndërruar në biznes kryesor të shërbimeve inteligjente. Ky vëzhgim, i ashtuquajtur “strategjik”, i cili operon pothuajse në çdo vend, ka po ashtu edhe pasoja në politikën e jashtme dhe pjesërisht nuk është në përputhje me normat tradicionale dhe detyrimet ndërkombëtare të shteteve. Humbja e besueshmërisë ndaj politikës së jashtme mund të shmanget nëse ndaj shërbimeve inteligjente fuqizohet kontrolli parlamentar dhe misioni i tyre do të fokusohej prapë fuqishëm në mbledhjen e të dhënave dhe analizave të ngjarjeve që ndërlidhen. Përfundimisht, secili vend (shtet) duhet të shtrijë angazhimin e tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut në hapësirën digjitale.
Më 18 dhjetor 2014, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, duke pasur parasysh vëzhgimin e paarsyeshëm masiv të komunikimit digjital në mbarë botën përmes shërbimeve te informimit, miratoi për herë të dytë një Rezolutë mbi të drejtat e mbrojtjes së privatësisë në epokën digjitale (Right to Privacy in the Digjital Age, A/RES/69/166; e paraprirë nga A/RES/69/167 e datës 18.12.2013). Përveç këtyre dy Rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme doli edhe një raport i Ekspertëve në Këshillin e të Drejtave të Njeriut (Raport i Komisares së Lartë të Këshillit për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay, A/HRC/27/37, 30.6.2014).
Me rezolutat e saj të vitit 2013 dhe 2014, Bashkësia Ndërkombëtare ka konfirmuar unanimisht se të drejtat e njeriut duhet të zbatohen edhe në botën digjitale. Edhe nëse mungojnë dispozitat kombëtare për strategjinë e vëzhgimit të huaj, shërbimet informative janë të lidhura me të drejtën ndërkombëtare.

Shërbimet informative dhe Siguria Digjitale.
Sa i përket vëzhgimit masiv, përveç problematikës ligjore, në ndërkohë, është qartësuar edhe problematika e politikës së jashtme. Për këtë arsye shërbimet e informimit me kooperimin e tyre ndërkombëtar kanë ndërtuar një lloj diplomacie në hije: Ata tregtojnë me të dhënat inteligjente pjesërisht pa kontrollin operativ, parlamentar ose ligjor. Përgjimet e tyre të shënjestruara dhe peshkimi i të dhënave globale, i pengojnë për më tepër marrëdhëniet politike të shteteve dhe i dëmtojnë vlerat e politikës së jashtme. Është e padiskutueshme se shërbimet informative (inteligjente) në gjithë botën janë strukturë e rëndësisë së veçantë. Ata duhet të jenë seizmografë dhe në të njëjtën kohë paralajmërues të krizave të afërta dhe t’i sigurojnë njohuritë, të cilat, si rrjedhojë e mungesës së transparencës së akterëve të vëzhguar, janë të paarritshme nëpërmjet mjeteve të zakonshme. Në këtë kuptim shërbimet e informimit janë mekanizma që kanë për qëllim furnizimin me informacione të politikës së jashtme dhe ushtarake. Në këtë aspekt, ato i plotësojnë mjetet diplomatike, sidomos në sistemet e errëta politike, kushtet jostabile dhe të pasigurta shtetërore dhe në një jo-transparencë të akterëve jo-shtetërorë. Mbledhja e informacioneve të dëshiruara në mënyrë të zakonshme është e vështirë ose edhe fare e pamundshme. Përfaqësuesit e shërbimeve informative gjermane theksojnë në mënyrë të përsëritshme se sikurse shërbimet e tjera edhe ato veprojnë për interesa të qeverisë nga e cila edhe kontrollohen.
Pra, politika duhet të vlerësojë se sa larg mund të shkojnë realisht shtetet me veprimet e shërbimeve të tyre të fshehta jashtë vendit. Aty ku ligji i përgjithshëm ndërkombëtar nuk bën dallime në mes të banorëve vendas dhe të huaj diferencimin e bëjnë faktik shtetet në legjislacionin e tyre kombëtar në mes të banorëve të vet dhe atyre të vendeve të tjera. Madje, edhe atëherë kur kushtetutat e tyre anojnë kah normat universale mbi të drejtat ndërkombëtare, siç është Karta e OKB-së dhe konventat ndërkombëtare, ku të gjithë janë deklaruar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përfaqësuesit e Shërbimeve Federale Informative në Gjermani argumentojnë me termin “bartës i së drejtës themelore”. Sipas asaj, jo të gjithë shtetasit gjermanë që jetojnë jashtë shtetit janë nën mbrojtje të plotë të Kushtetutës. Nëse për shembull, punoni për një firmë të huaj dhe keni detyra interesante të shërbimit informativ ose mbani kontakte, ju mund të vëzhgoheni nga Shërbimi Federal Informativ si çdo qytetar tjetër jo-gjerman. Ky gjithsesi është interpretimi ligjor nga ana e qeverisë gjermane.

Detyra të reja, probleme të reja
Pas përfundimit të luftës së ftohtë janë shtuar konfliktet asimetrike dhe jo të zakonta siç janë: aktivitetet e kriminelëve të organizuar ndërkombëtarisht dhe aktet e grupeve globale terroriste. Kjo ka bërë që shërbimeve informative t’u shtohen fusha të reja vepruese dhe objektiva të reja zbuluese. Meqenëse shumë nga akterët e rinj janë të organizuar në mënyrë jo-shtetërore dhe e përdorin infrastrukturën e komunikimit civil, edhe shërbimet informative botërore janë përqendruar dukshëm në zbulimet teknike (signal and network intelligence). Përveç vëzhgimit të shënjestruar të personave dhe grupeve të rrezikshme ata fokusohen edhe në vëzhgimin, vlerësimin dhe ruajtjen për një periudhë të gjatë kohore të komunikimit digjital në atë zonë dhe në nivel global.
Këtë e kanë bërë të mundshme dy zbulime: së pari, zëvendësimi pothuajse i plotë i komunikimit analog me tela me komunikimin digjital të kyçur përmes kabllove të fibrave optikë, lidhjeve satelitore dhe internetit. Së dyti, fuqia procesuese dhe kapaciteti ruajtës i sistemeve kompjuterike janë rritur në atë masë sa të lejon në kohë reale kapjen e plotë të komunikimit dhe analizimin e gjerë të saj. Vëzhgimi gjithëpërfshirës global i komunikimit në mbarë botën, është përgjigja e aparatit të sigurisë ndaj kërcënimit të delokalizuar asimetrik, përmes terrorizmit ndërkombëtar dhe krimit të organizuar. Ky burim i rreziqeve përshkruhet zakonisht me imazhin e gjilpërës në kashtë. Ndryshe nga e kaluara tani edhe kashta është në interes të shërbimeve informative. Dhe kjo kashtë, në këtë rast, janë të dhënat private të të gjithë qytetarëve. Në praktikë lejon vetëm analizimin e të dhënave të tyre për ta përshkruar dhe identifikuar gjilpërën. Është e qartë se të dhënat e fituara në këtë mënyrë mund të përdoren edhe për qëllime të tjera. Implikimi i vëzhgimit te përgjithshëm gjeneron një sasi gjigante të ashtuquajtura të gjetura, të cilat edhe më tutje janë të paspecifikuara si më herët. Edhe për këtë arsye është rritur nxitja e shfrytëzimit dytësor.

Politika e Jashtme dhe Siguria Digjitale
Vëzhgimi i internetit dhe i komunikimit të mbështetur nga interneti në marrëdhëniet ndërkombëtare është shndërruar në një instrument bazik pushtues. Njohuritë e fituara promovojnë ruajtjen strategjike të bashkëpunimit ndërkombëtar të shërbimeve informative. Veprimet politike gjithnjë e më shumë definohen sipas asaj se sa suksesshëm arrihet të posedohen informacionet e tjetrit. Dhe si rrjedhojë e këtij posedimi zbatimi i disa qëllimeve të synuara politike mund të rezultojë përsëri me rezerva, p.sh.: përballë detyrimit për të informuar parlamentet kontrolluese. Normat dhe qëllimet e politikës së jashtme, të përfaqësuara ndërkombëtarisht përmes diplomacisë së shteteve, rrjedhimisht bien në kundërshtim me praktikat e shërbimeve informative.
Përderisa diplomacia është e vendosur në ndërtimin e besimit, shërbimet informative nuk tërhiqen nga përgjimi i aleatëve në bisedimet dhe negociatat ndërkombëtare. Kjo dëshmon jo vetëm mungesën e besimit në diplomacitë e tyre, por edhe i delegjitimon veprimet diplomatike nga brenda dhe jashtë. Këtu mund të përmendet si shembull përgjimi i Samitit G/20 në vitin 2009 nga ana e Shërbimit Informativ Anglez GCHQ. Shërbimet e informimit dhe autorizuesi politik i tyre, në raste të tilla, luajnë me një rrezik shumë të madh, sepse në rast të zbulimit dëmi që i shkaktohet politikës së jashtme është i konsiderueshëm.
Disponimi në marrëdhëniet gjermano-amerikane mbetet akoma i stagnuar edhe pse ka kaluar një kohë që nga zbulimi i faktit se celulari privat i Kancelares Merkel ishte përgjuar. Marrëdhëniet transatlantike, raportet personale në mes Merkelit dhe Obamas dhe roli i SHBA-së si partner nga ana e Gjermanisë kanë rënë në tjetër nivel.
Vëzhgimi global masiv i komunikimeve i dëmton jo vetëm veprimet e diplomacisë, por qëndron në raporte të tensionuara edhe me interesat tradicionale të politikës së jashtme, sa u përket të drejtave universale të njeriut dhe kohezionin e vlerave të komunitetit perëndimor. Se shteti mund të ndërhyjë në raste të caktuara justifikuese në të drejtat e qytetarëve kur ka të bëjë me ruajtjen e interesit mbrojtës, është konsensus ndërkombëtar.
Ndërhyrjet e tilla duhet të jenë në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare dhe në përputhje me parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Njerëzit kanë të drejtë universale për mbrojtjen nga ndërhyrjet në privatësinë e tyre në formën e vëzhgimit masiv shtetëror jashtë-territorial. Megjithatë, konsensusi i vlerave të komunitetit perëndimor, i përmendur në fillim, duket i ndërprerë nëse i kemi parasysh negociatat dhe Rezolutën e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila doli nga këto negociata. Anëtarët e Aleancës së ashtuquajtur “5 sytë” (SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Australia dhe Zelanda e Re) nuk kanë qenë të gatshëm të respektojnë parimin e të drejtës ndërkombëtare të proporcionalitetit sa i përket ndërhyrjes në sferën private të qytetarëve dhe këtë jo vetëm në vëzhgimin e komunikimeve.
Në projekt-rezolutën e fundit vihet re se në çdo komunikim digjital mbledhja e të dhënave – Meta, nuk përmenden si te vlefshme për t’u mbrojtur. Këto të dhëna, të cilat nga ana e shërbimeve informative lejojnë shumë lehtë kapjen dhe analizimin e tyre në nivel mbarëkombëtar mundësojnë depërtime të thella në sferën private të njerëzve, duke përshirë p.sh. krijimin e profileve të personalitetit, marrëdhënieve dhe të lëvizjes. Edhe në raste të tjera, vlerat e politikës së jashtme gjermane janë të rrezikuara.
Liria e shprehjes dhe e medieve në një shoqëri të vëzhguar kolektivisht në mënyrë digjitale nuk mbrohet pothuajse fare. Kryeministri britanik, David Cameron, ka iniciuar një diskutim lidhur mbi ndalimin, respektivisht, shmangien e kodimit të komunikimit. Ky diskutim tregon se tek balancimi në mes të interesave shtetërore të sigurisë dhe të drejtave individuale të njerëzve teknologjia perëndimore vë në dyshim bujarinë. Me anë të kësaj, kërkesat liberale të drejtuara ndaj diktaturës dhe autokracisë e humbin besueshmërinë.

Primati politik dhe siguria digjitale
Sulmet e janarit dhe nëntorit të vitit 2015, në Paris, kanë bërë që roli i shërbimeve informative kundër terrorizmit të shndërrohet sërish në temë të diskutimit politik. Rasti i ndërlidhur me të drejtë nuk vë në dyshim bashkëpunimin ndërkombëtar. Edhe njoftimi nga ana e Ministrit të Brendshëm të Francës, mbi shtimin e autoriteteve për zbatimin e ligjit duket i kuptueshëm, vrasësit ishin të njohur për policinë por, për arsye të resurseve të kufizuara nuk janë vëzhguar intensivisht.
Mbetet e diskutueshme nëse vëzhgimi masiv global i komunikimit ka efekt parandalues. Nuk ka dëshmi të qarta sa i përket kësaj. Se vëzhgimi megjithatë ekziston është një dëshmi e mungesës së transparencës së aktiviteteve të shërbimeve informative. Krejt kjo flet për nevojën e të drejtuarit politikisht. Kjo ka të bëjë me lidhjen e sërishme të kontratës në mes të politikës së jashtme dhe të drejtave të njeriut me shërbimet informative dhe përmbushjen efikase të saj.
Si shembull, Republika Federale e Gjermanisë edhe më tutje njihet ndërkombëtarisht si mbështetëse e besueshme e normave të së drejtës ndërkombëtare dhe në veçanti universalitetit të të drejtave të njeriut. Sqarimi i ngadalshëm i NSA – Komisionit hetimor, i cili ndriçon edhe bashkëpunimin e SHIGJ me Shërbimet Inteligjente të SHBA-ve, sa i përket vëzhgimit global, i ka shkaktuar gërvishtjet e para kësaj renomeje.

Politika që duhet ta rikthejë primatin mbi shërbimet
Për të arritur këtë janë të nevojshme disa masa:
a. Përmirësimi i bazave ligjore për punën dhe kontrollin parlamentar të Shërbimeve Inteligjente. Jo shërbimi, por Vëzhguesit e tyre kanë nevojë për pajisje të reja teknike dhe të personelit. Në kuptimin e të drejtave universale të njeriut duhet që vëzhgimi strategjik i trafikantëve të huaj të nxirret nga “vakumi ligjor” dhe të rregullohet konform bazave ligjore.
b. Largimi i Shërbimeve inteligjente nga vëzhgimet masive dhe një kthesë në analizimin dhe bashkëpunimin e rasteve të veçanta në bazë të një kontrate konkrete politike.
c. Vazhdimi i angazhimit të treguar nga ana e OKB-së për forcimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut në botën digjitale. Standardet teknike dhe politike për kodimin, mbrojtjen e të dhënave dhe sigurisë së të dhënave janë elemente të rëndësishme në implementimin e Rezolutës 69/166.
d. Bashkëpunim më të mirë dhe më përmbajtjesor me partnerë të rinj të mendimit të njëjtë, përveç kësaj një pozicionim edhe më i mirë dhe më i arsyeshëm kundrejt aleatëve si: SHBA-të dhe Britania e Madhe, për jetësimin e normave të së drejtës ndërkombëtare për shërbimet inteligjente.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bahri Beqiri, INTELIGJENCA DHE, Politika e jashtme, SIGURIA DIGJITALE

TË DREJTAT E NJERIUT DHE POLITIKA E JASHTME

November 18, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë për një kohë të gjatë e kanë konsideruar mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë si një pjesë të pandarë të politikës së tyre të jashtme. Sidomos, Shtetet e Bashkuara e kanë promovuar mbështetjen e tyre ndaj të drejtave të njeriut kudo në botë, si një pjesë thelbësore të politikës së jashtme amerikane, në përputhje jo vetëm me Kushtetutën e Amerikës por edhe me Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut. Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur qendrimin se mbështetja ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut kudo në botë, “ndihmon në sigurimin e paqës, ndalon agresionin, promovon zbatimin e ligjit, lufton krimin dhe korrupsionin, forcon demokracitë dhe parandalon krizat humanitare.” Si e tillë, mbrojta e të drejtave të njeriut kudo, është konsideruar gjatë dekadave të kaluara si një politikë me rëndësi e interesit kombëtar për Shtetet e Bashkuara. Por ishte Presidenti Xhimi Karter ai i cili në vitin 1976 e ritheksoi këtë angazhim të Amerikës në mbrojtje të të drejtave të njeriut duke e bërë këtë pjesë të pandarë të politikës së jashtme të administratës së tij. Ish-Presidenti Karter besonte se politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara duhej të pasqyronte, mbi të gjitha, parimet më të larta morale të kombit amerikan. Duke njoftuar angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës e sidomos në ish-vendet komuniste, Presidenti Karter kritikoi politikënamerikane tëndjekur deri atëherë, duke thënë se “Për shumë vite kemi qenë të gatëshëm të pranojmë parimet dhe taktikat e gabuara të kundërshtarëve tanë, nganjëherë edhe duke hequr dorë nga parimet tona në favor të parimeve të tyre”, në kundërshtim të dukshëm me parimet tona në mbështetje të të drejtave të njeriut. Presidenti Karter e pat përcaktuar qartë politikën e jashtme që do të ndqite administrata e tij në marrëdhënjet amerikane si me aleatët ashtu edhe me kundërshtarët. “Politika jonë bazohet në një vizionhistorik të rolit të Amerikës në botë.Politika jonë rrjedhë nga një pikëpamje më e gjërë e ndryshimeve në botë.Politika jonë i ka rrënjët në vlerat tona morale, të cilat nuk ndryshojnë kurrë.Kjo politikë mbështetet nga pasuria materiale dhe në fuqinë ushtarake.Kjo politikë ka për qëllim t’i shërbejë botës”, ka deklaruar ish presidenti Karter.
Politika e re e Presidentit Karter në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe demokracisë anë e mbanë botës, çoi në vendimin që mori Kongresi amerikan më 1976, për t’i kërkuar Departmentit amerikan të Shtetit “një raport të plotë vjetor “, që tani njhet si “Raporti mbi të Drejtat e Njeriut në Botë”e që botohet çdo vit dhe i cili pasqyron gjëndjen e të drejtave të njeriut në çdo vend të botës.
Në mbështetje të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, Shtetet e Bashkuara historikisht kanë bashkrenduar politikën dhe veprimtaritë e tyre në këtë fushë, me aleatët e tyre me rëndësi, përfshirë Bashkimin Europian dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.
Mirëpo, Freedom House, një organizatë e pavarur që monitoron gjëndjen e lirisë dhe të të drejtave të njeriut në botë dhe e cila mbështetë ndryshimet demokratike kudo –në një raport të ri të botuar javën që kaloi –kritikon Shtetet e Bashkuara, Europën dhe vende të tjera se nuk po bëjnë sa duhet dhe sa munden në mbështetje të demokracisë anë e mbanë botës.Sipas raportit të javës që shkoi të Freedom House, “Demokracitë kryesore të botës nuk kanë dhënë prova se po i përgjigjen seriozisht rritjes dhe shtrirjes së autoritarizmit në rajonet e tyre”. Sipas një njoftimi për median nga Freedom House, në raport thuhet se “Shtetet e Bashkuara, Europa dhe demokracitë e reja shpeshëherë dështojnë që të ballafaqohen me rastet e shumëta të shtypjeve politike në rajonet e tyre të influencës. Mos vullneti për t’u përballur me shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, me raste të shtypjes së shoqërisë civile, me kufizimet dhe pengesat ndaj lirisë së medias dhe masa të tjera anti-demokratike – po vihet re në një periudhë ndërsa janë duke u shtuar sfidat ndaj insitucioneve demokratike nga fuqitë autoritare në zonën e Euro-Azisë, në Lindjen e Mesme, në Kinë dhe gjetiu”, thuhet në raportin e Freedom House.
Në raportine titulluar,“Në Mbështetje të Demokracisë në Botë: Një Vlerësim i Fuqive Kryesore”, thuhet se ndër 10 vendet më me rëndësi në botë, përfshirë Bashkimin Europian, nuk tregojnë asnjë kujdes ndaj abuzimeve të të drejtave të njeriut në rajonet e tyre dhe nuk kundërshtojnë autoritarizmin në rritje. Ndër vendet kryesore demokratike të botës, sipas raportit, vetëm Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një ndihmesë modeste në mbështetje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut.
“Vetëm disa vende kryesore demokratike, në mënyrë të vazhdueshme, mbajnë një qëdrim të prerë në mbrojtje të vlerave të veta në vendet përtej kufijve të tyre”, pohoi drejtoresha e raportit në fjalë, Sarah Repucci.Ajo u bëri thirrje vendeve kryesore demokratike që të tregohen më të angazhuara dhe më të kujdesshme në mbështetje të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, “Në një kohë që diktaturat dhe diktatorët po shtojnë influencat e tyre anë e mbanë botës”, theksoi ajo dke shtuar se, “demokracitë e mëdha duhet të tregojnë një interesim më të madh ndaj vendeve ku demokracia dhe mbështetsit e saj kërcënohen më së shumti.Kjo vlenëveçanërisht kur aktet shtypëse dhe shkeljet flagrante ndaj të drejatve të njeriut janë në rritje e sipër, sidomos në vendet fqinjetë një vendi demokratik.” Në lidhje me Kinën, drejtoresha e raportit të Freedom House, u bëri thirrje vendeve demokratike që të punojnë së bashku për t’ju përgjigjur shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe nismave anti-demokratike të udhëheqjes komuniste kineze dhe të mos shikojnë vetëm interesat e menjëhershme ekonomike dhe strategjike të tyre, në kurriz të të drejtave të njeriut të popullit kinez.
Raporti vjen në përfundim se ndonëse pothuaj të gjitha vendet për të cilat bëhet fjalë në raport japin ndihma të mëdha për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në vende të ndryshme, ato në përgjithësi pas zgjedhjeve sipas raportit, dështojnë të mbështesin dhe të promovojnë demokracinë dhe respektin për të drejtat e njeriut nepërmjet politikës së tyre tregtare dhe ekonomike.
Këtë muaj, gjermanët dhe bota festuan 25-vjetorin e shëmbjes së Murit të Berlinit, simbolit të shkeljes dhe të abuzimit me të drejtat e njeriut nga komunizmi ndërkombëtar që kishte skllavëruar gjysmën e Europës për pothuaj një çerek shekulli.Gjatë një ceremonie në përkujtim të këtij përvejtori, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi me këtë rast se shëmbja e Murit të Berlinit u jep shpresë edhe rajoneve të tjera të botës ku, “liria dhe të drejtat e njeriut vazhdojnë të kërcënohen dhe të shkelen”, tha ajo.Të hënën, në një fjalim që mbajti në Australi, kancelarja gjermane paralajmëroi se Rusia mund të përpiqet të prishë stabilitetin dhe sigurinë në zona të gjëra të Europës Lindore, nëqoftse Moska nuk sfidohet në Ukrainë. Kancelarja gjemrane tha se aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe destabilizimi i Ukrainës tani, “venë në pikëpyetje të gjithë rendin e tanishëm paqësor në Europë.”Ajo paralajmëroi në fjalimin e saj në Australi, ku mori pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë të G20, se “nuk kemi të bëjmë vetëm me Ukrainën. Por kemi të bëjmë me Moldovën, me Gjorgjinë dhe nëqoftse vazhdon ky trend, atëherë ne duhet të pyesim për Serbinë dhe pastaj do të detyrohemi të bëjmë pyetje se ç’bëhet me vendet e Ballkanit Perëndimor”, shtoi udhëheqsja gjermane.
Shqetësimi i kancelares gjermane duhet të merret seriozisht dhe paralajmërimi i saj duhet të shërbejë si një kambanë që duhet të dëgjohet si një paralajmërim për veprim të përbashkët nga të gjitha vendet demokratike të botës, para se të jetë vonë.Dhe në përputhje meraportin e Freedom House, botuar javën që kaloi, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Europë dheanë e mbanë botës, nevojitë një bashkrendim më të madh midis vendeve kryesore demokratike për të kundërshtuar autoritarizmin në rritje e sipër dhe për t’u përballur me sfidat kërcënuese ndaj lirisë dhe demokracisë, madje edhe 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit në Europë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Politika e jashtme, TË DREJTAT E NJERIUT DHE

Politika e jashtme “e çoroditur” e Serbisë

November 14, 2014 by dgreca

Ne Foto: Aleksandar Vulin, i cili ka akuzuar SHBA se i ka dhene urdher Gjykates se Hages te lirojne Sheshelj dhe paralajmerojne rrezimin e pushtetit ne Serbi!/
Serbia po dërgon sinjale kontradiktore, përmes të cilave po shkakton konfuzion në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm politik, se ekzistojnë teori të konspiracionit, të cilat synojnë ta përmbysin pushtetin aktual në Serbi.
Aleksandar Vulin, ministër i punës në Qeverinë e Serbisë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas tij, “kontrollojnë Tribunalin e Hagës”, e kanë liruar nga paraburgimi liderin e radikalëve serb Vojislav Sheshelj dhe se tash “përmes gojës së tij, thonë se do ta rrëzojnë pushtetin serb”.
Ai ka deklaruar se do ta porosisë qeverinë serbe që të mendoj për ndryshimin e kursit të politikës së jashtme.
Deri më tash, askush nga kreu i pushtetit serb nuk është distancuar nga këto deklarata të Vulinit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, i ka karakterizuar deklaratat e Vulinit si teori të pabaza të konspiracionit. Në reagimin e kësaj ambasade, të cilën e ka botuar e përditshmja serbe “Danas”, thuhet se “nuk ka asgjë të vërtetë” në ato që ka thënë Vulin.
“Gjykata penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, është krijuar nën kujdesin e Këshillit të Sigurimit dhe proceset që po zhvillohen aty, janë të mbrojtura nga ndikimi politik”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së, të cilën e ka botuar e përditshmja serbe “Danas”. Aty, gjithashtu, thuhet se SHBA-të e mbështesin punën e rëndësishme të gjykatës së Hagës, por nuk ndikojnë në vendimet dhe mendimet e tij”.
“Çdo interpretim tjetër, është i pavërtetë”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-ve në Beograd.
Florian Biber, ekspert për Evropën juglindore në Universitetin e Gracit, thotë për Radion Evropa e Lirë se teoria e këtillë e konspiracionit është tipike për politikanin siç është Vulin dhe ajo tingëllon, thuajse ka ardhur nga koka e Vojislav Shesheljit. Sipas tij, ato që ka thënë Vulin, janë ide e çmendura.
Biber shpreh mendimin se kryeministri serb Aleksandër Vuçiq është dashur të distancohej nga deklaratat e Vulinit, por, siç thotë ai, qeveria serbe po luan me sinjale të ndryshme.
“Ai është ministër në qeveri dhe mendoj se do të ishte korrekte që të (Vuçiq) distancohej, por në skenë është loja e kësaj qeverie me sinjale të ndryshme. Ajo po dërgon sinjale se dëshiron të jetë pro-ruse, e përsëri dërgon sinjale se dëshiron të jetë reformatore dhe pro-perëndimore. Në një moment ajo duhet të thotë qartë se çfarë dëshiron të bëj”, ka theksuar Biber.
Ai ka shtuar se qeveria serbe, sidomos, me rastin e kësaj deklarate, duhet të sqaroj se kush qëndron pas saj, Vulini, personalisht apo qeveria serbe.
Ai ka ngritur pikëpyetjen se si qeveria serbe mund të ketë marrëdhënie të mira më SHBA-të në qoftë se një anëtar i saj thotë se SHBA-të po udhëheqin politika përmes të cilave duan ta rrëzojnë pushtetin në Serbi?
“Unë, natyrisht nuk mund ta di se çfarë qëndrimi ka Vuçiq, por është fakt që Vulini është në qeveri dhe se të gjithë e dinë orientimin e tij politik dhe ky është sinjal që Vuçiqi, përveç se dëshiron marrëdhënie të mira me Perëndimin, gjithashtu dëshiron t’i ruaj marrëdhëniet e mira me rrymën pro-ruse konservative”, ka shtuar Biber.
Në anën tjetër, për deklaratat e tij, Vulin nuk ka ofruar asnjë dëshmi.
“Në qoftë Serbia, për gjithë mundin e saj për tu modernizuar, për të ndryshuar, që të jetë më e mirë, më e suksesshme, të jetë e ngjashme me vendet e zhvilluara dhe serioze, e vetmja gjë që marrim janë Rama dhe ofendimet e Shesheljit. Ne marrim promovimin e papenguar të atyre ofendimeve, si dhe kërcënimet se në këtë vend do të rrëzohen pushtetet dhe se do të piketohen si tradhtar të gjithë ata që dëshirojnë të ndryshojnë diçka”.
“Nëse shohim se e gjithë kjo është e ndihmuar nga disa vende, kam thënë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë, ndoshta është momenti që të mendojmë mirë për prioritetet tona të politikes së jashtme”, ka theksuar Vulin.
Por, lidhur me deklaratat e Vulinit dhe mosreagimit ndaj tyre nga ana e qeverisë serbe, Dushan Laziq nga Forumi për marrëdhënie ndërkombëtare, thotë se ky është një sistem që i huton qytetarët e Serbisë, por edhe botën.
“Kjo nuk është politikë e mirë për cilindo vend, e as për vendin tonë. Vulin nuk ofron kurrfarë dëshmish për çfarëdo që thotë. Ekziston mundësia që mbase Vuçiq i thotë disa gjëra përmes Vulinit. E ka të vështirë të sqarohem lidhur me këtë, sepse i di një varg deklaratash që nuk i përgjigjen Vuçiqit, por ai për këto nuk reagon. Por, unë nuk e përjashtoj mundësinë që inspirimi vjen nga qeveria, gjegjësisht, nga ana personale e vet Vuçiqit”, tha Laziq.
Ai ka shtuar se shumë shpesh në Serbi bëhen veprime në kundërshtim me interesat shtetërore dhe të qytetarëve, por edhe në kundërshtim me interesat racionale të pushtetit dhe se një gjë e tillë, mbetet e pakuptueshme.(Kortezi:Bekim Bislimi RFL)

Filed Under: Rajon Tagged With: "e çoroditur", e Serbisë, Politika e jashtme

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT