• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Nishani nderon atdhetarin dhe luftëtarin Elez Ndreu me Urdhrin “Nderi i Kombit”

May 11, 2013 by dgreca

Ne Fotot: Vatrani i vjeter, anetar i bordit te vatres,Jonuz Ndreu, i nipi i Elez Isuf Ndreu, duke marre Urdherin Nder i Kombit nga Presidenti i Republikes, Bujar Nishani/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ishte sot në qytetin e Peshkopisë, ku i akordoi Urdhrin “Nderi i Kombit”, (Pas vdekjes), veprimtarit të lëvizjes sonë kombëtare, Elez Isuf Ndreu.
Kreu i Shtetit e cilësoi këtë takim një rast fatlum dhe një detyrim për të si President i Republikës për të nderuar me mirënjohje të thellë kontributin patriotik dhe liridashës të njërit prej bijve të kësaj treve.
Në fjalën e tij, Presidenti Nishani nënvizoi domosdoshmërinë e rikthimit tek etrit themelues në mënyrë që anija e identitetit kombëtar të mos e humbasë busullën dhe të ecë përpara. Kreu i Shtetit theksoi se vetëm në këtë mënyrë shpirti i frymëzimit të gjithsecilit do të jetë kurdoherë i gjallë, do të gjejë dritë dhe eksperiencë, forcë dhe besim për të punuar për atdheun me atë përkushtim ashtu siç bënë edhe patriotët e rilindjes kombëtare.
Duke iu drejtuar qytetarëve dibranë, Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu se mirënjohja shqiptare do të flasë përjetësisht për figura të tilla heroike, si Elez Ndreu, të cilët u vetësakrifikuan për të ruajtur trojet shqipare.
Veprimtaria kushtuar patriotit Elez Isuf Ndreu vijoi me një dokumentar kushtuar kontributit të tij në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe një program të pasur me këngë patriotike dibrane.
Në këtë ceremoni të organizuar në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli” merrnin pjesë autoritetet vendore të qytetit të Peshkopisë, të Qarkut, deputetë të zonës, qytetarë dibranë.
****
Më herët, Presidenti i Republikës Bujar Nishani u prit në një takim nga Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi në prani edhe të Prefektit të Qarkut Dibër, Genci Sharku; Kryetarit të Komunës Dibër e Madhe, Ruzhdi Lata dhe Kryetarit të Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta.
Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë duke e falenderuar Presidentin Nishani për këtë vizitë shprehu mirënjohjen për miratimin e propozimit për nderimin me Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” të një prej figurave të njohura historike të Dibrës.
Kreu i Shtetit u shpreh se Dibra ka nxjerrë figura të shquara të historisë ndaj me vlerësimin e një figure të tillë si Elez Ndreu nderohet edhe vlerësimi që qytetarët dibranë i bëjnë kontributeve të etërve të tyre.
Presidenti Nishani vlerësoi se Dibra dhe dibranët përfaqësojnë një simbolikë në aspektin e qytetarisë, traditave dhe historisë.
Në mbyllje të takimit, Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë në shenjë mirënjohjeje i dhuroi Presidentit Nishani simbolin e bashkisë, emblemën e qytetit të Peshkopisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Jonuz Ndreu, Nderi i Kombit, nderoi Elez Isufin, pas vdekjes, Presidenti Bujar Nishani

PRESIDENTI NISHANI E MBYLL VITIN 2012 ME DEKORIME

December 31, 2012 by dgreca

Presidenti Nishani dekoron personalitete të shquara të artit, kulturës dhe sportit shqiptar;/

 Urdheri “Nder i Kombit” per LORO BORICIN, dhe PROKOP MIMEN-pas vdekjes, “Mjeshtër i Madh” per Mihallaq Luarasin, Kolec Topalli, Rikard Ljarja, Fatos Kongoli, Justina Aliaj, Alush Shima, Visar Zhiti/

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbyllje të vitit 2012, kur Shqipëria dhe shqiptarët kremtuan madhërishëm 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, nderoi lart veprën e shquar dhe kontributin e disa personaliteteve të artit, kulturës dhe sportit shqiptar.

Ceremonia zyrtare e rastit u organizua në kuadër të një takimi me përfaqësues të shumtë të artit, kulturës dhe sportit, ku Presidenti Nishani, në vigjilje të datës së ndërrimit të viteve, shprehu urimet më të mira e të përzemërta për të pranishmit në veprimtari, gjithashtu dhe mirënjohjen për punën dhe veprimtarinë e gjithsecilit prej tyre në shërbim të kombit, të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u ndal në kontributet dhe veprimtarinë e këtyre personaliteve duke shprehur vlerësimin më të lartë, njëkohësisht dhe mirënjohjen për modelin e shkëlqyer të punës me përkushtim dhe vetmohim për ecjen përpara, për zhvillimin dhe trashëgimin e vlerave më të mira të artit, kulturës dhe sportit shqiptar.

Duke i konsideruar viganë të kombit shqiptar dhe elitën reale të kombit dhe vendit, Presidenti Nishani theksoi se arritjet dhe vepra e këtyre personaliteteve i përket të gjithë kombit.

“Ju, krahasuar me të gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi dhe me të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, keni një veçori, e cila ka të bëjë me veprën tuaj, me kontributin tuaj. Arritjet dhe vepra juaj nuk ju përkasin vetëm ju, ato i përkasin gjithë kombit, ato i përkasin gjithë shqiptarëve, por, fatmirësisht i përkasin të gjithë kohërave dhe atyre që vijnë, prandaj ato janë një pasuri e madhe kombëtare. Ndaj, unë jam shumë i privilegjuar që, në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë, të përcjell të gjithë ndjesitë, respektin e të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, mundësinë për t’ju thënë faleminderit! Falemnderit është një fjalë e vetme, një shprehje e sinqertë, por që mbart në vetëvete një respekt shumë të madh, që jo çdokush ka mundësinë ta thotë këtu, përballë jush, por ja që unë pata fatin në emër të të gjithë atyre që dëshirojnë t’ua thonë, t’jua përcjellin. Për këtë jam krenar”, u shpreh Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit duke sjellë në vëmendje vitin 2012, si vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nënvizoi se vlerësimi dhe nderimi i disa përfaqësuesve të spikatur të botës së artit dhe të kulturës për kontributet e tyre në këtë përvjetor është modest krahasuar me veprën e tyre.

Në këtë kontekst, Presidenti Nishani propozoi që nderimi i njerëzve të artit, kulturës dhe sportit të kthehet në një traditë të përvitshme festive.

“Le të nisim një traditë që në çdo fundvit së bashku me urimet për festat, le të ndajmë edhe këtë vlerësim e këtë mirënjohje për përfaqësues të botës së artit e kulturës shqiptare. Besoj që është një mundësi modeste, por një mundësi reale për të shprehur vlerësimin, falenderimin, mirënjohjen dhe mbi të gjitha, për t’i rikujtuar njëri-tjetrit të gjithë shoqërisë, të gjithë aktorëve të shoqërisë, çdo qytetari se sa i rëndësishëm është kontributi i këtyre njerëzve, se sa të mëdha janë vlerat që përmes jush i transmetojmë ndër kohë, ndër vite, ndër shekuj historisë sonë. Veprat tuaja janë pjesë e kësaj historie. Bashkë me urimin dhe vlerësimin për punën dhe kontributet tuaja, më lejoni të përfitoj nga rasti që në këto ditë të pritjes së ardhjes së Vitit të Ri të uroj për secilin prej jush, në radhë të parë një jetë të gjatë, një jetë të lumtur! Të uroj për secilën nga familjet tuaja shumë gëzime, paqe dhe mbarësi! Të uroj gjithsesi sa më shumë vepra, sa më shumë kontribute!”, vlerësoi Presidenti i Republikës.

Në vijim, pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, në një atmosferë solemne, të ngrohtë e miqësore, Kryetari i Shtetit nderoi këto figura të shquara për sportdashësit dhe spektatorët shqiptarë:

Loro Boriçi (pas vdekjes) me Urdhrin “Nder i Kombit”, me motivacionin: “Me përkushtim të rrallë, duke e konsideruar sportin si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë me talentin e tij të rrallë, ai ishte dhe mbetet ikona e futbollit shqiptar.”

Prokop Mima (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Njëri nga themeluesit e Teatrit Kombëtar, i cili vuri talentin, kulturën e diksionin e tij të përsosur në shërbim të artit skenik dhe të teatrit shqiptar duke simbolizuar shprehjen e një mjeshtrie interpretuese të pashoqe.”

Zotin Mihallaq Luarasi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit të palodhur i teatrit, i cili nuk u tërhoq as përballë dhunës së diktaturës duke e përdorur artin skenik si tribunën prej nga duhet të ushtojnë të vërteta dhe vlera universale”.

Zotin Kolec Topalli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në saje të vullnetit për t’i shërbyer me përkushtim studimit të gjuhës sonë, i ka çuar më tej dhe i ka ngritur edhe më lart studimet në fushën e gjuhësisë, me thjeshtësinë dhe vetëdijen e një shkencëtari të mirëfilltë.”

Zotin Rikard Ljarja me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Me larminë e interpretimeve të tij të përkryera, sidomos në kinematografi, ai është shndërruar në njërin nga aktorët më të adhuruar e mbresëlënës të filmit shqiptar dhe skenave teatrore.”

Zotin Fatos Kongoli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Shkrimtarit që trajton me mjeshtri anë të ndryshme të jetës sonë shoqërore. Veprat e tij me nivel të lartë letrar, të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, kanë pasuruar botën e krijimtarisë letrare shqiptare.”

Zonjën Justina Alia me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Aktores dhe këngëtares së talentuar, e cila në saje të pasionit dhe forcës shpërthyese interpretuese shkëlqeu në skenën artistike shqiptare si një meteor i shndritshëm.”

Zotin Alush Shima me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit virtuoz të penelit dhe shpërthimit të ngjyrave të gjalla, i cili rindërtoi në kanavacë realitetin e tij pamor duke i shpalosur mbarë botës një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist.”

Zotin Visar Zhiti me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Poetit, prozatorit dhe publicistit, i cili me sinqeritetin e rrëfimit dhe me forcën e shprehjes artistike shquhet për dhuntinë e fjalës, duke u bërë një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.”

Pas marrjes së dekoratës personalitetet e nderuara shprehën mirënjohjen për Kryetarin e Shtetit shqiptar për këtë gjest, që sipas tyre është shenjë vlerësimi dhe vëmendjeje e shtetit ndaj kulturës dhe sportit shqiptar.

Nipi i Loro Boriçit, Lorenc Radovani: Faleminderit zoti President! Ndihem thellësisht i privilegjuar që ndër nipat e Loros, më takoi mua që të merrja këtë çmim. Shpresoj dhe mendoj që me figurën e tij, me punën e tij deri në vetëmohim, ai i dhuroi emocione të mëdha popullit shqiptar në një sport shumë të dashur që është futbolli dhe në një kohë shumë të vështirë që ishte regjimi i kaluar. Ndoshta ishte i vetmi argëtim. Besoj gjithashtu që, përveç kësaj, ai e ka përfaqësuar Shqipërinë edhe jashtë kufijve të saj, duke e nderuar gjithmonë e duke qenë vërtet një “Nder i Kombit”. Ju faleminderit!

Vajza e Prokop Mimës, Ajkana: Më lejoni t’ju falenderoj ju, President i Republikës, për vlerësimin që i bëhet babait dhe familjes sime. Urime të gjithëve dhe një vit të mbarë!

Mihallaq Luarasi: Faleminderit të gjithëve që keni ardhur këtu. Ju përshëndes! Ju uroj një vit të ri të mbarë!

Kolec Topalli: Më lejoni të falenderoj Presidentin e Republikës për nderin që më bën dhe besoj se ky vlerësim i punës sime 40-vjeçare do të jetë dhe një premtim për të përfunduar vepra të tjera për të mirën e kombit shqiptar. Faleminderit!

Rikard Ljarja: Falenderoj Presidentin e Republikës! Falenderoj edhe kolegët prezentë sot në këtë ceremoni dhe të gjithë kolegët, me të cilët ne kemi punuar një jetë të tërë. Ju faleminderit!

Fatos Kongoli: Falenderoj me gjithë zemër Presidentin e Republikës për këtë dekoratë të lartë që më dha në këtë vit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe në prag të vitit të ri! Faleminderit shumë!

Justina Alia: Kur isha e vogël merrja distinktivë, ju e dini, ka qenë koha e tyre, dhe ngjitesha me vrap për t’ia çuar nënës e babait. Sot është krejt ndryshe. Atdheu sot më ka vënë një vello mbi krye, të respektit dhe të dashurisë. Këtë titull, unë do të vrapoj si atëherë fëmijë 10- vjeçar, për t’ia çuar fëmijëve të mi. I nderuar qofshi zoti President! Ashtu siç na nderoni, Zoti ju nderoftë edhe më shumë!

Alush Shima: Falenderoj zotin President të Republikës, të gjithë të pranishmit që ndodhen në sallë për këtë nder të veçantë që më krijoi mundësinë dhe mora këtë titull. Ju faleminderit të gjithëve që jeni prezentë!

Visar Zhiti: E pranoj me kënaqësi këtë dekorim, e konsideroj si institucionalizim, mbështetje dhe lartësim të asaj që më mungonte. Duke pranuar këtë dekoratë, mendoj se kemi pranuar një Shqipëri tjetër, më të mirë, më të bukur, të lirë dhe demokratike. E ndiej veten produkt i saj. Jeta ime dhe ajo që arrij i takojnë kësaj kohe! Me mirënjohje, faleminderit dhe njëherë!

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: dekorime, Presidenti Bujar Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT