• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Meta përshëndet 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

June 10, 2018 by dgreca

Presidenti Meta përshëndet 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit/

Prizren, Kosovë

     

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në veprimtaritë përkujtimore të 140-vjetorit të Lidhjes historike të Prizrenit, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Së bashku me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Rifat Jasharin në prani të deputetëve e përfaqësuesve të qeverisë së Republikës së Kosovës, akademikëve, historianëve, pasardhësve të pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit, krerëve të bashkësive fetare, ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, etj., Presidenti Meta fillimisht mori pjesë dhe përuroi gurthemelin e kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit: Ymer Prizeni, Abdyl Frashëri dhe. Më tej Presidenti Meta dhe Kryeministri Haradinaj vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast në Kompleksin Memorial të Lidhjes.

Presidenti i Republikës përshëndeti seancën solemne të mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes së Prizrenit, duke iu drejtuar të pranishmëve:

“Jemi mbledhur sot në këtë qytet të bukur dhe historik për të përkujtuar të gjithë së bashku 140-vjetorin e krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kësaj ngjarje lapidare në historinë e kombit tonë.

Krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastriot Skënderbeu shekuj më parë dhe shënonte në vetvete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të Kombit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtet-formim dhe për t’ia bërë ato të ditura të gjithë botës.

Qysh në themelimin e saj Lidhja Shqiptare e Prizrenit u përball me sfida të jashtëzakonshme të brendshme dhe ndërkombëtare.

Në rrafshin e brendshëm Lidhja u përball me vështirësi të panumërta për bashkimin politik të katër Pashallëqeve, për formimin e strukturës së saj organizative mbarëkombëtare, për ndërtimin administrativ, për krijimin e ushtrisë dhe për ndërmarrjen e aksionit politik, diplomatik dhe ushtarak për realizimin e programit të saj.

Në planin ndërkombëtar Lidhja Shqiptare e Prizrenit u krijua dhe ushtroi veprimtarinë e saj në një prej situatave rajonale dhe ndërkombëtare më të rrezikshme dhe më kërcënuese për fatet e kombit shqiptar dhe territoreve të tij.

Kriza Lindore Ruso-Osmane dhe Traktati i Shën Stefanit që e pasoi atë, tentonin të fshinin nga faqja e dheut kombin shqiptar dhe të aneksonin territoret e tij në dobi të interesave të shteteve të reja të sapokrijuara të Ballkanit dhe të disa Fuqive të mëdha.

Kongresi i Berlinit i mbledhur për të adresuar Krizën Lindore njohu shumë shtete të reja të pavarura në Ballkan, por as që i përfilli aspiratat legjitime të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Në këto rrethana Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të përballej nga njëra anë me rrezikun shovinist të politikave aneksioniste të shteteve fqinje dhe nga ana tjetër me injorimin dhe heshtjen ndaj çështjes kombëtare shqiptare prej Fuqive më të mëdha të kohës.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u gjend e rrethuar fqinjësisht dhe ndërkombëtarisht qysh në gjenezën e saj.

Prandaj asaj iu desh të ndërmerrte një veprimtari shumëplanëshe politike, diplomatike dhe ushtarake. Politikisht për ndërtimin e platformës shtet-formuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, diplomatikisht për bërjen e saj të ditur te Fuqitë e kohës dhe në vendet fqinje, ushtarakisht për të mbrojtur me armë, gjak dhe sakrifica popullin shqiptar dhe territoret e tij.

Për shkak të rrethanave jashtëzakonisht të vështira të krijuara nga agresiviteti militarist i shteteve fqinj si dhe nga koalicioni ushtarak i Fuqive të kohës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk jetoi gjatë.

Por pavarësisht kësaj, platforma politike e saj, aksioni diplomatik ndërkombëtar, vlerat e shquara të identitetit kombëtar shqiptar që ajo lartësoi, rezistenca dhe sakrificat e jashtëzakonshme që ajo ndërmori do të mbeteshin të gjalla përjetë dhe do të ushqenin përgjithmonë aspiratën e pashuar të popullit shqiptar për liri e pavarësi.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit shkaktoi një jehonë të madhe në qarqet politike të vendeve fqinje, por edhe të Fuqive më të mëdha të kohës.

Mediat e tyre e pasqyruan gjerësisht platformën dhe veprimtarinë e saj, duke vënë në dukje aspiratat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, identitetin e tij kombëtar, vendosmërinë për të themeluar shtetin e tyre të pavarur dhe sovran, por njëkohësisht edhe fuqinë ushtarake kundër një bashkësie shtetesh fqinj dhe një koalicioni fuqish kundër tyre.

Ndonëse në një kohë relativisht të shpejtë kjo Lidhje u shua, ajo avancoi programin e saj të bartur në ngjarje të tjera mbarëkombëtare.

Lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit, Lidhja e Junikut janë hapat e hedhura nga populli shqiptar për të jetësuar hap pas hapi programin madhor që nisi pikërisht këtu në Lidhjen e Prizrenit.

Në historinë e popullit shqiptar sa më shumë kohë do të kalonte aq më shumë do të lartësohej Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe do të kuptohej mesazhi i saj frymëzues përgjithmonë. Shpallja e pavarësisë së Shtetit Shqiptar në Vlorë në vitin 1912, shpallja e pavarësisë së Shtetit të Kosovës, zgjerimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në hapësirat e tyre në Ballkan nuk ndahen asnjë çast nga Lidhja Shqiptare të Prizrenit, nga programi, vizionet dhe aspiratat e saj për të lartësuar identitetin kombëtar dhe evropian të shqiptarëve.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit qëndron edhe sot e gjithë ditën në përpjekjet e mëdha të mbarë shqiptarëve për të zgjeruar hapësirat e tyre të lirisë, demokracisë dhe integrimit Evropian dhe Euro-Atlantik. Si e tillë ajo nuk është një relike historike, por është edhe sot një vepër e gjallë frymëzuese për të gjithë ne dhe për të gjitha kohërat.

Prandaj sot përkulemi me ndjenjë të jashtëzakonshme të respektit dhe mirënjohjes për Abdyl Frashërin, për Ymer Prizrenin, për Sulejman Vokshin e gjithë ata burra të mençur e atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka pikërisht për të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë kombit tonë. Sot përkulemi me respekt të jashtëzakonshëm edhe përpara sakrificave të Adem Jasharit dhe të gjithë heronjve të Kosovës, që janë në themel të këtyre arritjeve që Kosova ka shënuar gjatë 10 viteve të pavarësisë së saj.

Veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit, udhëheqësit e saj vizionarë dhe legjendarë, pasuesit e tyre janë një frymëzim për rininë shqiptare, që të rritet me frymë atdhetare, me shpirtin e lirisë, me formim qytetar e demokratik, me kulturë bashkëkohore dhe evropiane. Vetëm me një rini të tillë ëndrra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit jo vetëm do të mbahet gjallë, por aspiratat e saj legjitime do vijojnë të jenë frymëzim mbarëshqiptar në kohët që do vijnë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!
E paharruar jeta dhe vepra e themeluesve dhe drejtuesve të saj!
Zoti bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe mbarë shqiptarët kudo në botë!”

Filed Under: Politike Tagged With: 140 vjet, pershendetje, Presidenti Meta, Prizren

KOSOVA, MINISTRIA E KULTURES “MBARTET” NË PRIZREN

October 7, 2017 by dgreca

-Vendim i Qeverisë së Kosovës: Një pjesë e Ministrisë së Kulturës vendoset në Prizren. E mirëpret qyteti historik, më i madhi jugor i Kosovës afër kufirit me Shqipërinë/

3 Min Kul PrizPRIZREN, 7 Tetor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Një pjesë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e qeverisë së Kosovës do vendoset në Prizren. Ky qytet historik, më të madhi jugor i Kosovës afër kufirit me Shqipërinë, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë.Me kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të hënës së kësaj jave ka aprovuar vendimin për bartjen e një pjese të stafit politik e profesional të kësaj ministrie në qytetin e Prizrenit. Vendimi do të realizohet nga ministria, komuna dhe institucionet tjera, u paralajmërua në mbledhjen e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

1 Min Kulture

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në vizitën në Prizren, dje pasdite,  i dorëzoi kryetarit të Komunës, Ramadan Muja, vendimin e qeverisë, si dhe kërkesën e ministrisë për shqyrtim në Kuvendin Komunal dhënien në shfrytëzim të dy objekteve në Prizren – të Rektoratit të Universitetit “Ukshin Hoti”, në qendër të qytetit dhe të Internatit (Xhandarmërisë) në lagjen e Terzinjve.

“Ne, sot kryetarit ia kemi dorëzuar kërkesën e cila ka të bëjë me hapësirat e Rektoratit të Universitetit, ku kemi pasur biseda edhe me Rektorin, dhe jemi pajtuar që ky objekt t’i jepet në shfrytëzim Ministrisë, por sigurisht se vendimin përfundimtar do ta merr Komuna. Dhe objekti i dytë do të jetë ai i Internatit, një objekt nën mbrojtje, por në të cilin duhet të investohet për konservimin, restaurimin dhe adaptimin e tij si objekt për shfrytëzim nga Ministria”, tha ministri GashiNdërsa, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja u shpreh se e mirëpret kërkesën nga ana e Ministrisë por edhe faktin se ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit vjen nga qyteti historik i Prizrenit.“Qyteti i Prizrenit e ka mirëpritur një vendim të këtillë, javën e kaluar, të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe është kënaqësi për ne, qytetin e Prizrenit, për njerëzit e kulturës, e sporteve dhe unë jam shumë i bindur se Komuna e Prizrenit do të bashkëpunojë hollësisht me ministrinë për avancimin e zhvillimit të kulturës në Republikën e Kosovës”, tha ai.Së bashku, Gashi dhe Muja vizituan këto dy lokalitete, ku pritet të vendoset një pjesë e stafit politik, profesional e administrativ i Ministrisë së Kulturës nga fillimi i shkurtit 2018.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Ministria e Kultures, Prizren

PRIZREN- DOKUFEST SHPALLI FITUESIT

August 13, 2017 by dgreca

-Në ceremoninë përmbyllëse në DokuFest u shpallën filmat fitues të edicionit të 16-të, të verës 2017-të/2 Ok Doku –GARA PËR FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT – FITUESI: BUFFET ŽELJEZARA nga Goran Dević/Doku Fest, Kosovo-Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT filmin ONI SAMO DOLAZE I ODLAZE nga Boris Poljak./

1 ok Doku

-Nga një numër rreth 2000 filmave ishin përzgjedhur 102  për kategori garuese dhe rreth 150 filma për mbi 15 programe të veçanta të festivalit/

2 DokuPRIZREN, 13 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në qytetin historik të Prizrenit, më të madhin në jug të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë, të shndërruar edhe në një kryeqytet botëror filmi çdo verë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest shpalli mbrëmë fituesit e edicionit të 16-të gjatë ceremonisë përmbyllëse në kinemanë “Lumbardhi”.Mes diskutimeve të jurisë, ndarja e çmimeve vuri në fokus 102 filma, përfaqësues të 50 shteteve gjatë konkurrimit për 6 kategori, përfshirë dhe çmimin e audiencës.

Aktivitetet e festivalit 9 ditor përfshinin shfaqjen e 254 filmave nga 63 shtete, punëtori, diskutime, debate, masterclass-e, ekspozita dhe një seri të performancave live të njohura si DokuNights, të cilat në vetvete mikpritën yje botërorë në skenën “Andrra”, si Princess Nokia dhe shumë artistë të tjerë te njohur.

“Prizreni u shndërrua në një qytet të zhytur thellësisht në magjinë e kinemasë, kulturës dhe shpresës për të ardhmen”, u shprehën organizatorët e  festivalit që këtë vit kishte temën “E ardhmja”,

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest në edicionin e 16-të u hap në mbrëmjen e 4 gushtit për të vijuar deri në 12 gusht.

“Nga një numër rreth 2000 filmave ishin përzgjedhur 102  për kategori garuese dhe rreth 150 filma për mbi 15 programe të veçanta të festivalit, shumë prej të cilave i përkonin edhe temës së këtij edicioni”, theksuan në DokuFest.

Organizatorët e DokuFest janë shprehur shumë të kënaqur me pjesëmarrjen e filmave të regjisorëve nga Shqipëria dhe Kosova si dhe  me cilësinë e përgjithshme të filmave për këtë vit, të festivaleve kryesore si Cannes, Tribeca, Berlinale, Sundance si dhe nga festivale tjera, europiane dhe rajonale.

Programi kombëtar kishte gjithësej 9 premiera që shfaqeshin për herë të parë në DokuFest nga 7 deri në 10 gusht.

DokuFest në këtë edicion kishte një bashkëpunim të veçantë me Marubin-Muzeun Ndërkombëtar të Fotografisë në Shkodër, duke sjellë një ekspozintë, dy punëtori dhe një video-mapping nga koleksioni i Marubit.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar në Prizren e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë e artistësh nga rajoni dhe bota.

KOMUNIKATA
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DOKUFEST

DOKUFEST XVI SHPALL FITUESIT!

Fituesit e edicionit të 16-të të Dokufest u shpallën gjatë ceremonisë përmbyllëse të festivalit, mbajtur në mbrëmjen e sotme në kinemanë e qytetit të Prizrenit, “Lumbardhi”. Ndarja e çmimeve, e ndjekur nga diskutime të jurisë, vuri në fokus plot 102 filma, përfaqësues të 50 shteteve gjatë konkurrimit për 6 kategori të ndryshme, duke përfshirë dhe çmimin e audiencës.

Aktivitetet e festivalit 9-ditor përfshinë të tilla, si: shfaqja e 254 filmave nga 63 shtete, punëtori, diskutime, debate, masterclass-e, ekspozita dhe një seri të performancave live të njohura si DokuNights, të cilat në vetvete mikpritën yje botërorë në skenën “Andrra”, si Princess Nokia dhe shumë artist të tjerë te njohur.  Sërish për të satin vit rradhazi, Prizreni u shndërrua në një qytet të zhytur thellësisht në magjinë e kinemasë, kulturës dhe shpresës për të ardhmen.

GARA PËR FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT – FITUESI: BUFFET ŽELJEZARA nga Goran Dević

Juria: Karen Cirillo, Mimi Brody, Ognjen Glavonić.

DEKLARATA: Ne e shpërblyem BUFFET ŽELJEZARA (Steel Mill Café) si një portret i punuar në mënyrë eksperte të një komuniteti që lufton me realitetet ekonomike të popullatës që po pakësohet. Me shkathtësi kap pronarët e kafenesë dhe vizitorët me humor të hollë dhe një intimitet që tregon se sa e vështirë është t’i thuash lamtumirë shtëpisë.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT filmin ONI SAMO DOLAZE I ODLAZE nga Boris Poljak.

DEKLARATË: ONI SAMO DOLAZE I ODLAZE/ THEY JUST COME AND GO është një film lozonjar në aspektin vizual dhe një alegori që të lë gojëhapur, i dedikuar të pikturojë në mënyrë të hollë një botë në të cilën, nga agimi në perëndim, kapet jeta njerëzore në shkallë të ndryshme të dëshirës dhe pasigurisë në të gjitha ndërthurjet e veta pa drejtim.

Juria e njejtë zgjodhi FILMIN MË TË MIRË NGA REGJISORI BALLKANIK NË ARDHJE: MY LIFE WITHOUT AIR nga Bojana Burnać.

DEKLARATË: Ne e shpërblejmë filmin MY LIFE WITHOUT AIR për qasjen e tij të freskët dhe origjinale dhe fotografinë e mrekullueshme. Me një bindje që nuk shihet shpesh në filmat debutues, Bojana Burnac i beson subjektit të saj dhe audiencës dhe e le tregimin e saj të shpaloset ngadalë për të zbuluar personalitetin dhe realitetin e një zotëruesi tepër privat të rekordit botëror.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË NGA REGJISORI BALLKANIK NË ARDHJE filmin Gora nga Stefan Malešević.

DEKLARATË: Vlerësimi special shkon për filmin e Stefan Malešević i mrekullueshëm në aspektin vizual dhe meditimin e pasur lehtas për një komunitet të maleve dhe natyrës, kafshëve dhe njerëzve. Koha, tradita, ritmi dhe rregullat e jetës në Gora me kuriozitetin dhe vëzhgimin e autorit sillen më afër atyre që mund të mos kenë kurrë shansin ta vizitojnë këtë pjesë të botës.

FILMI MË I MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR I METRAZHIT TË GJATË – FITUESI: EL MAR LA MAR by Joshua Bonnetta, J.P. Sniadecki.

Juria: Carmen Gray, Cíntia Gli, Melody Gilbert, Rodolfo Castillo-Morales, Wood LIN.

DEKLARATË: Vështrimi i regjisorit në kohë dhe peizazhin e shkretëtirës në kufi mes SHBA dhe Meksikës, me filmin 16mm. Shenjat e jetës njerëzore vështirë se duken, por shkretëtira e zbrazët përgjatë kolonës zanore shërben si metaforë e gjallë e gjithçkaje të dukshme, megjithatë ndikuese, për jetët tona të përditshme. Aspektet gjeografike, ideologjike dhe politike po ashtu janë ndriçuar përmes strukturës narrative siç edhe e shpjegon udhëtimi. El Mar La Mar është një poemë e bukur dhe një deklaratë tepër politike me sinqeritet në kontekstin bashkëkohor.

 

 

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR TË METRAZHIT TË GJATË filmin 69 MINUTES OF 86 DAYS nga Egil Håskjold Larsen.

DEKLARATË: Një film i ndjeshëm që përshkruan udhëtimin e një familje përmes syve të pafajshëm, në kohë të vështira dhe të pasigurta të politikës dhe të ankthit shoqëror, ku mund të interpretohen shumë qasje drejt thelbit të filmit, të duhura apo problematike.

FILMI MË I MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR I METRAZHIT TË SHKURTËR – FITUESI: IF ONLY THERE WERE PEACE nga Carmine Grimaldi, Deniz Tortum.

Juria: Carmen Gray, Cíntia Gli, Melody Gilbert, Rodolfo Castillo-Morales, Wood LIN.

DEKLARATË:  Një eksplorim origjinal dhe shumë shtresor i marrëdhënieve të pushtetit, identitetit dhe performancës që na lejon të reflektojmë për funksionet e kinemasë si mjet shoqëror dhe kulturor.

FILMI MË I MIRË PËR TË DREJTAT E NJERIUT – FITUESI: THE WAR SHOW nga Andreas Dalsgaard, Obaidah Zytoon

Juria: Laura Limani, Mante Valiunaite, Miranda Pennel

DEKLARATË: Juria është impresionuar nga forma e punuar mirë e filmit, intimiteti i kamerës së tij dhe kualiteti reflektiv i rrëfimit të tij. Filmi arrin të ofrojë një pamje të afërt të rezistencës në Siri; ai është një homazh i bukur për aktivizmin politik dhe në fund, një tregim intim i miqësisë së humbur shumë shpejt. Ajo çka fillon si një tregim personal transformohet në një rrëfim guximi gazetaresk dhe përkushtimi për të dokumentuar ndikimin brutal të luftës në jetët njerëzore prej afër.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË PËR TË DREJTAT E NJERIUT filmin A FEELING GREATER THAN LOVE nga Mary Jirmanus Saba.

DEKLARATË: Një hetim i rëndësishëm dhe në kohë i historive të punës dhe solidaritetit të klasës punëtore në Liban në periudhën pak para luftës civile.

FILMI MË I MIRË PËR AMBIENTIN – FITUESI: AMA-SAN by Cláudia Varejão

Juria: Bilge Ebir, Riina Zachariassen, Uta Ibrahimi

DEKLARATË: Derisa ne ishim tepër të impresionuar me të gjitha propozimet e filmave këtë vit, çmimi për filmin më të mirë për Green Dox ishte unanim. I shkon një vepre që balancon për bukuri një ndjenjë komuniteti dhe humaniteti me ashpërsi dhe elegancë. Ky është një film me mirëkuptim të gjallë të ritmeve të natyrës, të krijuara nga një regjisore e cila jo vetëm që ka një sy të jashtëzakonshëm, por edhe di se si të na zhys në të gjithë botën. Ju mund ta ndieni këtë prani të regjisores në secilin kuadër të këtij filmi, dhe megjithatë ajo kurrë nuk del në rrugën e realitetit fascinues që po e prezanton.

FILMI MË I MIRË I SHKURTËR – FITUESI I PARË A DROWNING MAN nga Mahdi Fleifel.

Juria: Afolabi (Afo) Kuti, Jasmin Basic, Trimor Dhomi

DEKLARATË: A DROWNING MAN na çon në një udhëtim mbërthyes të një refugjati, me një aluzion të përkrahjes apo bujarisë së madhe. Me dramë që e ngacmon audiencën që jo vetëm të ndjekë por edhe të angazhohet. Mahdi Fleifel ka krijuar një film rrëzëllues me thellësi dhe frymë.

FILMI MË I MIRË I SHKURTËR – FITUESI I DYTË THE CHIMERICAL MUSEUM OF SHIFTING SHAPES

DEKLARATË: THE CHIMERICAL MUSEUM OF SHIFTING SHAPES është premierë botërore në DokuFest dhe juria janë kënaqur së tepërmi nga veçantia e imazhit me muzikën e  kompozuar. Damiàn Alquichire ka vetë punuar secilin aspekt të filmit duke e ndarë vetëm punën e muzikës. Talenti i tij është origjinal dhe unik me një zë që futet përmes kinemasë.

 

GARA KOMBËTARE – FITUESI: SANS LE KOSOVO nga Dea Gjinovci

 

DEKLARATË:  Një zë i ngrohtë dhe poetik përshkon rrugëtimin e sinqertë e delikat të një vajze dhe  babait të saj ndërsa së bashku provojnë të kuptojnë plagët e së kaluarës.

Juria e Garës Kombëtare vlerëson filmin SANS LE KOSOVO / PA KOSOVËN nga Dea Gjinovci si filmin më të mirë dhe siç përkon me temën e këtij edicioni të DokuFest, urojmë që regjisorja ta vazhdoj këtë kërkim drejt të vërtetës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor, sepse një e ardhme e mbarë e pret!!!

 

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për GARËN KOMBËTARE filmin ETHNOPHOBIA.

 

DEKLARATË:  Për vëmendjen e treguar ndaj çdo detaji, për sensin e fortë të humorit, për dashurinë, durimin, si dhe mjeshtërinë regjisoriale të treguar, juria vendosi të ndaj dhe një çmim special: Special Mention për filmin ETHNOPHOBIA nga Joan Zhonga i cili na ka dhuruar një film të hareshëm që prek njësoj si zemrat e fëmijëve, ashtu edhe të të rriturve.

 

ÇMIMI I AUDIENCËS:

 

Me dasht’ Me dasht’ Me dasht’ nga Ilir Hasanaj.

Filed Under: Featured Tagged With: 2017, Doku fest, Prizren, SHPALL FITUESIT

Kosovë: Dënohet dëmtimi i varrezave të komunitetit katolik

January 3, 2016 by dgreca

Në Kosovë, autoritetet dënuan një incident në një fshat të komunës së Prizrenit ku në rrethana të panjohura janë dëmtuar disa varreza të shqiptarëve të besimit katolik.
Policia në Prizren tha se është duke zhvilluar hetime lidhur me këtë incident por ende nuk dihet asgjë për motivet apo autorët e mundshëm. Incidenti ka ndodhur ne fshatin Dedaj të kësaj komune dhe sipas mbishkrimeve në pllakat e dëmtuara shihet varrezat i takojnë një familjeje të këtij fshati.
Qeveria e Kosovës dënon ashpër dëmtimin e varrezave. Në një reagim të saj thuhet se “thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës. Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë”, thuhet mes tjerash në reagim.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan se thyerja e varrezave “është vepër kriminale dhe përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë, e cila ka kohë që është shembull për shumë vende në rajon dhe më gjerë. E dënoj ashpër këtë akt qyqar dhe kërkoj që organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, i cili i qet hije të keqe, jo vetëm kësaj ane, por gjithë Kosovës”.
Në reagimin e zotit Haradinaj thuhet se “varrezat janë objekte të shenjta dhe kushdo ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë. Prandaj nuk do të lejojmë askënd që t’i rrezikojë këto vlera. Unë dua të besoj se kjo është vepër e kriminelëve dhe keqbërësve ordiner, por pavarësisht prej kësaj, zbardhja e këtij rasti, është me interes të jashtëzakonshëm për të gjithë ne”, thuhet në reagimin e kryetarit të AAK-së.
Kosova është vlerësuar shpesh si shembull i tolerancës fetare, një nam që është sfiduar në disa raste kohët e fundit, në radhë të parë për shkak të ndikimit nga luftërat në Lindjen e Mesme.(VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: demtohen, Kosove, Prizren, varrezat katolike

Prizren, DokuFest- “Paftuar”, kjo nuk është vetëm historia e Shqipërisë

August 12, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRIZREN, 12 Gusht 2015/ Filmi “Paftuar” nuk është vetëm historia e Shqipërisë, u tha sot në konferencën e katërt për shtyp në kuadër të edicionit të XIV të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, në qytetin e Prizrenit, në Kosovë.
Në konferencë morrën pjesë: Roland Uruci – regjisor i filmit “Paftuar”, Karim Aitouna – producent i filmit “I Am The People” dhe Amal Ramsis Labib – regjisore e filmit “The Trace of The Butterfly”.
“Kjo nuk është vetëm historia e Shqipërisë, Meksikanët shkojnë në SHBA, Morokienët – Algjerianët shkojnë në Spanjë dhe ata mbyten në det, Sirianët janë duke shkuar në Turqi … kjo është një histori e gjithë botës”, tha Roland Uruci teksa po fliste për filmin e tij “Paftuar”, premiera botërore e të cilit mbahet sonte në Dokukino Pllato.
Prezantimi i filmit nga DokuFest:
“Paftuar
USA / Albania, 2015, Colour, 21 min
Gjatë viteve ’90 Shqipëria ishte në trazira të vazhdueshme. Nga lufta civile, skemat e dështuara piramidale dhe eksodi masiv i popullatës së vet, për një jetë më të mirë. Fqinji i saj jugor Greqia shihej si parajsë nga imigrantët ilegal të Shqipërisë. Çka i priste këta shqiptarë nuk ishin krahët e hapur në vendin e lindjes së demokracisë.
Orari i Shfaqjes
12.08, 20:00, DokuKino Pllato
15.08, 18:00, Shtëpia e Kulturës
Kategoria
National / Life is Elseëhere
Regjisori
Roland Uruçi
Producenti
Bujar Alimani, Julian Biba, Tefta Bejko, Albert Elmazovski
Kinematografia
Albert Elmazovski
Zëri
Florian Heta
Montazha
Roland Uruçi”.
Në DokuFest, nga 228 filmat që do të shfaqen e që janë nga 43 shtete të botës, filmat shqip janë më të shikuarit. Festivali këtë vit, sipas organizatorëve, ka thyer rekordet e të gjitha edicioneve, për numrin e vizitorëve nga bota e vendi, si dhe të aplikuesëve për filma. Filmat që shfaqen janë të zgjedhur nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve.
Nga 8 deri 16 gusht, në qytetin e Prizrenit në Kosovë mbahet DokuFest, festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër. Tema qendrore e Fstivalit në këtë vit është migrimi, përfshirë një program filmi të kuruar në mënyrë të veçantë, diskutime në panel dhe punëtori tashmë tradicionale.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Doku Festi, Paftuar, Prizren

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT