• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

INVESTIMET Е PERËNDIMIT NË SERBI USHQEJNË DESTRUKSIONIN SERBOMADH NË RAJON

November 8, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli

Problem i rajonit nuk është “kokëfortësia” e Albin Kurit, por ideologjia fashiste e Aleksandër Vuçiqit, i ushqyer nga Kisha Ortodokse fashiste Serbe dhe i dirigjuar tërësisht nga Moska.

Të investosh në Serbi, do të thotë ta forcosh ekonomikisht dhe ushtarakisht një shtet fashist, një politikë dhe një ideologji fashiste, një shtet që në vitet ’90 të shekullit XX kreu agresion ushtarak në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë,  një shtet që ka kryer gjenocid në BH dhe në Kosovë, që ka kryer gjenocid në Srebrenicë, ku ekzekutoi mbi 8.000 civilë boshnjakë, që ushtron gjenocid të heshtur në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), që ndjek me përpikëri politikën e kasapit të Ballkanit – Millosheviqit, që udhëhiqet nga bashkëpunëtorët e devotshëm të Millosheviqit dhe të Sheshelit, që ka pretendime territoriale ndaj Kroacisë, që mbështet politikën secesioniste të mikut të Putinit – Millorad Dodikut, që destabilizon në mënyrë permanente Malin e Zi, që i kanoset me agresion Kosovës martire, që përçon interesin e Rusisë në rajon, që s’i vendosi sanksione Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës. Investimet në Serbi paraqesin mbështetje për kryekriminelin Vuçiq, mikun e ngushtë të Putinit.

Kaq shumë investime perëndimore në Serbi nuk kanë as vendet – anëtare të BE-së. Nga kjo del se Serbia është e privilegjuar dhe e favorizuar më shumë se një shtet – anëtar i Unionit. 

Përkundër investimeve të mëdha të perëndimorëve në Serbi, ajo vazhdon të jetë satelite e Rusisë cariste, bolshevike dhe të Vladimir Putinit. 

Përkundër investimeve të mëdha të perëndimorëve në Serbi, ajo vazhdon të ndjekë politikë retrograde, anakronike, hegjemoniste, ekspansioniste, destabilizuese, destruktive, irracionale, luftënxitëse, antidemokratike dhe antihistorike. 

Problem i rajonit nuk është “kokëfortësia” e Albin Kurit, por ideologjia fashiste e Aleksandër Vuçiqit, i ushqyer nga Kisha Ortodokse fashiste Serbe dhe i dirigjuar tërësisht nga Moska.

Serbët s’ka pse të mbrohen prej Qeverisë së Kosovës. Serbët dhe Serbia duhet të mbrohen nga marrëzitë, çmenduritë dhe paranojat e veta, nga orekset e shfrenuara dhe të pangopura pushtuese dhe kolonialiste.  

Evropë! U ke borxh shqiptarëve, që nga Kongresi i Berlinit (1878) deri te Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), e këndej. Evropë! Ti ia dhe territoret shqiptare Malit të Zi, ti ia dhe Çamërinë Greqisë, ti ia dhe Kosovën – Serbisë, më pas edhe Maqedonisë.

Thuaji Serbisë Evropë, që t’u japë nga një bashkësi komunash, nga një entitet apo nga një zajednicë – shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), boshnjakëve në Sanxhak dhe hungarezëve në Vojvodinë. 

Evropë, a nuk e sheh vallë se Serbia e Vuçiqit është shndërruar në Kore të Veriut në rajon, Vuçiqi ndërkaq në Kim Jong un?! 

Kjo është e turpshme, e dhimbshme Evropë! 

Qendrat proruse të BE-së, duke blerë gaz natyror rus, i forcuan vendet e veta, por e fuqizuan ushtarakisht edhe Rusinë e Putinit, e cila më pas aneksoi Krimenë dhe kreu agresion ndaj Ukrainës.    

*   *   *

Amerikë! A e di ti se serbët çdo ditë deklarojnë: “Bota sot e tutje, nuk ka për të qenë njëpolare, por trepolare. Përpos ShBA-së, ekzistojnë edhe Rusia dhe Kina”. 

*   *   *

INVESTIMET GJERMANE NË SERBI – Gjermania është ekonomia kryesore e Evropës. Është partnerja kryesore e tregtisë së jashtme e Serbisë dhe tregu kryesor për produktet serbe. Ajo është një prej investuesve më të mëdhenj në Serbi. 

Për 10 vitet e fundit, d.m.th. deri në vitin 2021, kompanitë gjermane kanë investuar në Serbi rreth 3,12 miliardë euro. Kanë investuar në çeljen e fabrikave si dhe në prodhim. Deri në vitin 2021, në to janë punësuar 48.454 punëtorë. Vetëm në një kompani, kanë investuar mbi 600 milionë euro. Çelja e fabrikës së kompanisë “Continental Automotiv Srbija” në mars të vitit 2021 në Novi-Sad. Investimin më të madh e ka bërë kompania farmaceutike “Stada”, me vlerë 698 milionë euro. Deri në vitin 2021, në fabrikat e kompanisë “Stada” në mbarë Serbinë janë punësuar gjithsej 2.870 punëtorë. Më së shumti investojnë në auto-industri apo në industrinë automobilistike. Pason kompania “Henkel Merima” nga lëmi i industrisë kimike, me vlerë 313,3 milionë euro me 608 të punësuar; zinxhiri tregtar i shitjes me pakicë “Lidl”, në të cilin janë investuar 275 milionë euro dhe janë punësuar 2.905 punëtorë; fabrika e pjesëve automobilistike ZF, me vlerë prej 195 milionë euro në të cilën janë punësuar 1.281 punëtorë. Investues më të mëdhenj janë kompanitë gjermane të lëmit të auto-industrisë apo të industrisë automobilistike, siç janë “Continental”, në të cilën janë investuar 190 milionë euro me 1903 të punësuar; “Brose” me vlerë prej 180,3 milionë euro, në të cilën janë punësuar 1.100  punëtorë dhe “Leoni AG” në të cilën janë investuar 150 milionë euro dhe e cila ka punësuar numër më të madh punëtorësh – 12.940; zinxhiri tregtar “Metro Cash&Carry” në të cilin janë investuar 142 milionë euro dhe janë punësuar 1.201 punëtorë; kompania “Meser” me vlerë 119 milionë euro, në të cilën janë punësuar 335 punëtorë; dhe “MTU” nga lëmi i avio-industrisë apo industrisë së avionëve me vlerë 100,9 milionë euro me 440 të punësuar.

Investimet e firmave gjermane në Serbi, në miliona euro: në vitin 2015 – 72,4; më 2016 – 179,6; më 2017 – 185,4; më 2018 – 263,3; më 2019 – 335,8; më 2020 – 331,9 milionë euro. Në tre muajt e parë të vitit 2021, investimet janë shtuar edhe për 42.1 milionë euro. 

Prej vitit 2010 deri në mars të vitit 2021, të hyrat mbi bazën e investimeve të rezidentëve gjermanë në Serbi kanë qenë rreth 1,9 miliardë euro. Matur me këtë metodologji, Gjermania ka qenë në vendin e pestë të listës së vendeve me investime më të mëdha në periudhën e sipërthënë. Prej vitit 2018, investimet janë shtuar me të madhe, pa u reduktuar as në vitin e krizës nga Covid-19.          

*   *   *

Sipas Beogradit, vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, më 13.09.2021, është një sinjal i mirë për vazhdimin e ardhjes së investuesve gjermanë në Serbi. Pas vizitës së saj, investimet gjermane në Serbi u dyfishuan. 

Në Serbi ushtrojnë veprimtari ekonomike mbi 1.000 kompani dhe rreth 200 sipërmarrës me shumicë kapitali gjerman, të cilat punësojnë rreth 80.000 qytetarë të Serbisë. Kur të analizohen të gjitha ndërmarrjet të cilat janë furnitorë të kompanive gjermane në Serbi, si dhe ato që marrin pjesë në raportet afariste me to, atëherë bëhet fjalë për 650.000 të punësuar të cilët janë të lidhur tërthorazi me firmat gjermane. Që nga viti 2010, Gjermania ka investuar në Serbi rreth tre miliardë euro. Është investuar në industrinë e përpunimit, në industrinë automobilistike, përfshi prodhimin e pjesëve automobilistike, në industrinë kimike dhe ushqimore etj. Investime gjermane në Serbi parashikohen edhe në lëmenjtë e përkufizuar me Strategjinë e specializimit të mençur, në agrobiznes, në industrinë automobilistike, në IT, në energjetikë, në ekonominë cirkulare, në trajtimin e hedhurinave etj. Në vitin 2021, shkëmbimi tregtar i jashtëm ndërmjet Gjermanisë dhe Serbisë ka qenë 6.5 miliardë euro. Prej tyre, Serbia ka importuar nga Gjermania mallra në shumë prej 3.8 miliardë euro, ndërsa ka eksportuar në Gjermani mallra në shumë prej 2.7 miliardë euro. Gjatë qershorit të vitit në vazhdim (2022), u parashikuan takime afariste të kompanive gjermane dhe atyre serbe në lëmin e industrisë së përpunimit të metaleve dhe në industrinë e automjeteve. Sipas Beogradit, investimet gjermane në Serbi mund të shkojnë deri në 10 miliardë euro, ndërsa numri i të punësuarve në kompanitë gjermane në Serbi mund të arrijë në 100.000.           

*   *   *

INVESTIMET E FRANCËS NË SERBI – Më 15 korrik 2019, presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel Macron) bëri një vizitë dyditore në Beograd. Gjatë takimit të tij me Vuçiqin, ndërmjet tjerash u bisedua edhe për bashkëpunimin ekonomik midis Francës dhe Serbisë. Sipas burimeve zyrtare serbe të marsit të vitit 2019, investimet e Francës në Serbi arritën një shumë prej 751 milionë euro. Kjo shumë është shumë më e madhe, për arsye se kemi të bëjmë me të dhënat të tremujorit të parë të vitit 2017. Pas investimeve të sipërthëna  franceze në Serbi, pasoi nënshkrimi i kontratës për koncesion me Vansi-n. 

Sipas masës së planifikuar të investimeve franceze në serbi, kryesojnë firmat e poshtëshënuara:

   – Vinci Airports – 500.000.000 euro; koncesion për aeroportin “Nikolla Teslla” të Beogradit; kontrata u nënshkrua në vitin 2018;  

  – Мichеlin Тigаr Тyrеs – 367.000.000 euro; Mishelini u bë pronar 100 për qind i kompanisë Tigar Tires; viti 2009;   

  – Agricole Group – 264.000.000 euro; Kredi Agrikol Banka e rikapitalizoi bankën Meridian të Serbisë, duke ardhur kësisoj në tregun e Serbisë; viti 2005; 

  – Lafarge (Lafarge Holcim) – 160.000.000 euro; Lafarge (Lafarzh) është i pranishëm në Serbi që prej vitit 2002 dhe blerja e fabrikës së çimentos në Beoçinë;  

  – Tarkett – 136.000.000 euro; ndërmarrje për prodhimin e dyshemeve; në serbi ushtron veprimtari që prej vitit 2002;   

  – Schneider Electric DMS NS – 100.000.000 euro; Prodhues i pajisjeve elektrike; në tregjet e Serbisë dhe të Malit të Zi ushtrojnë veprimtari ekonomike që prej vitit 1997, ndërsa prej vitit 2002, si shpk;  

  – Le Belier – 35.000.000 euro; Merret me prodhimin e pjesëve për industrinë automobilistike, ndërsa në Serbi punon prej vitit 2003;   

  – Lactalis Group – 25.000.000 euro; Korporatë shumëkombëshe (multinacionale) e cila prodhon produkte qumështi;    

  – Bоngrаin SА – 25.000.000 euro; Pronar i “Mlekoproduktit” në Serbi, që nga viti 2004; 

  – Streit Nova – 16.400.000 euro; Në Serbi që nga viti 2004, prodhon pjesë metalike për industrinë automobilistike.

Shënim: Të dhënat e sipërthëna me siguri kanë ndryshuar. Deri në vitin 2022, investimet e vendeve të lartpërmendura të Perëndimit, kanë shënuar rritje.

*   *   *

INVESTIMET E ITALISË NË SERBI –  Sipas të dhënave të nëntorit të viti 2020, në Serbi ushtrojnë veprimtari mbi 1.600 kompani italiane. Numri i sipërmarrësve dhe i investuesve nga Italia shënon rritje të vazhdueshme. Në Serbi janë të regjistruar mbi 1.600 kompani që janë në pronësi të aksionarëve italianë. Në ato kompani janë punësuar mbi 50.000 punëtorë. Prej tyre, 390.000 – të punësuar të drejtpërdrejtë, ndërsa 12.000 – të angazhuar si personel spin-off dhe lizing, Të dhënat i jep Oda Italo-Serbe e Sipërmarrësve. Sa i përket numrit dhe vëllimit të investimeve në Serbi, Italia e ka konfirmuar pozicionin e liderit. Shumë kompani të pranishme në Serbi i rrisin investimet e veta dhe vazhdimisht vijnë investues të ri. Në Serbi janë të pranishme, si kompanitë italiane të mëdha, ashtu edhe shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Punojnë në shumë sektorë, në bujqësi, në sektorin automobilistik, në sektorin e tekstilit, në prodhimin e rrobave, në teknologjitë e informacionit, në punimin e produkteve industriale, në shërbimet në lëmin e konsaltingut dhe të hotelerisë, në sektorin bankar dhe të sigurimeve. Kryetari i Odës Italo-Serbe të Sipërmarrësve dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë së sigurimit DDOR, pjesë e grupit Unipol – Xhorxho Markexhani (Giorgio Marchegiani), ka deklaruar se “investimet italiane në Serbi flasin për partneritetin e shkëlqyeshëm midis dy vendeve”. 

Gjatë viti 2003, shkëmbimi i ndërsjellë i Italisë  dhe Serbisë arriti 1,3 miliardë euro. Me kalimin e kohës, investimet italiane në Serbi shënuan rritje. Në atë kohë, Italia u rendit e pesta në listën e investuesve të huaj në Serbi. Më 15 korrik të vitit 2004, një delegacion i përbërë prej shumë anëtarëve dhe i udhëhequr prej ministrit të investimeve kapitale të Qeverisë së Serbisë, Velimir Iliq, bëri një vizitë dyditore në Itali. Ai u takua në Romë me zëvendësministrin për veprimtari prodhuese të Italisë, Adolf Urs. Gjatë këtij takimi u bisedua që ndërmarrjet italiane të investojnë në sektorin e ndërtimit të rrugëve, në rrjetin hekurudhor, në telekomunikime dhe në infrastrukturën e aeroporteve. Velimir Iliqi u takua edhe me ministrin italian për infrastrukturë dhe ndërlidhje, Pietro Lunardi. Gjatë kësaj vizite, delegacioni serb u takua edhe me përfaqësuesit e “Telespacia-s” dhe të ndërmarrjes kombëtare të rrugëve – “Anas”. 

INVESTIMET E AUSTRISË NË SERBI – Sipas Odës Ekonomike të Serbisë, në vitet 2000-2010, Austria ka investuar në Serbi 3,1 miliard dollarë. Me këtë masë investimesh, ajo u rendit e para ndër investuesit e huaj në ekonominë e Serbisë. Për interesin e palës austriake për të bashkëpunuar me ekonominë serbe flet edhe prania e rreth 400 përfaqësuesve të firmave austriake në Serbi. Në tregun e Serbisë punojnë dhjetë banka austriake më të rëndësishme dhe kompani sigurimi, kompania e telekomunikimeve “Telekomi i Austrisë”, investimi i së cilës në telefoninë mobile është investim “grinfild” më i madh. Pason kompania e naftës OMV, si dhe shumë kompani të tjera të mëdha, siç janë “Henkel”, “Rauh”, “Knauf”. Kompanitë austriake kanë paralajmëruar investime të reja në Serbi, midis të cilave edhe “Svarovski”, prodhuese e kabllove “SMF” e cila planifikon të hapë fabrikën e tretë. U paralajmërua edhe ndërtimi i disa hoteleve. Kompanitë austriake ndërtojnë rrugë dhe ura në Serbi, ndërsa investuesit kanë shprehur interesim edhe për blerjen e uzinave të sheqerit në Cërvenkë, në Zhabël dhe në Sentë. Sipas Odës Ekonomike të Serbisë, investuesit austriakë në Serbi kanë një orientimi strategjik për përparimin e teknologjisë, rritjen e prodhimit dhe të eksportit. Shkëmbimi i tregtisë së jashtme arrin shumën mbi një miliard dollarë. Pas ndryshimeve të tetorit të vitit 2000, marrëdhëniet dypalëshe midis Austrisë dhe Serbisë u intensifikuan në të gjitha nivelet. Këtë e dëshmon niveli i shkëmbimit të tregtisë së jashtme. Në vitin 2011, Austria ndodhet në vendin e dhjetë të listës së vendeve në të cilat Serbia eksporton, ndërsa në vendin e tetë midis vendeve nga të cilat importon. Në vitin 2011, shkëmbimi i tregtisë së jashtme të Austrisë me Serbinë, arriti një vlerë prej një miliard dollarësh. Eksporti serb mori pjesë me 379,1 milion dollarë. 

Prej datës 1 janar 1995, Austria është anëtare e BE-së. Ajo është një prej anëtareve më të pasura dhe më të qëndrueshme. Bën pjesë në grupin e 15 vendeve anëtare të KB-ve me standard jetese më të lartë. Ka 8,3 milionë banorë. Në vitin 2010, ka pasur produkt shoqëror bruto prej 44,863 dollarë per capito (për kokë banori), duke u renditur në vendin pestë në Evropë dhe e dhjeta në botë. Për nga vlera e eksportit ajo ndodhet në vendin e 27-të, ndërsa për nga vlera e importit – në të 26-in. 

Në Panairin ndërkombëtar të bujqësisë të mbajtur në Novi-Sad prej 12 deri më 18 maj të viti 2012, Austria ishte vend partner i Serbisë. Ekspozuesit e saj i paraqitën arritjet nga lëmi i prodhimit të ushqimit organik, të blegtorisë, të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe të teknologjive bujqësore.  

*   *   *

INVESTIMET AMERIKANE NË SERBI –  Më 31 tetor të vitit në vazhdim, Vuçiqi bisedoi me një delegacion ekonomik të madh të Qeverisë së ShBA-së ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e disa prej korporatave globale amerikane më të mëdha. Në qendër të takimit kanë qenë energjetika, teknologjia informatike dhe teknologjia e gjelbër. Sipas kryetarit të Serbisë, Vuçiqit, kompanitë amerikane punësojnë në Serbi 30.000 njerëz, ndërsa shkëmbimi i tregtar midis ShBA-së dhe Serbisë, në tetë muajt e parë të vitit 2022 ka qenë 854,6 milionë dollarë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, kjo parqet një rritje prej 45,6 për qind.

Në Serbi ushtrojnë veprimtari gjigantët teknologjikë të ShBA-së, siç janë: CISCO, IBM, ORACLE. Sipas të dhënave të Agjencisë për Zhvillim të Serbisë, prej vitit 2007 e deri më sot, ndërmarrësit e amerikanë, si për nga numri i projekteve, ashtu edhe për nga vlera e tyre,  bëjnë pjesë në grupin e investuesve kryesorë të huaj në Serbi. Për nga numri i projekteve në Serbi, ShBA-ja është investuesja e pestë më e madhe, ndërsa për nga vlera – investuesja e tretë më e madhe. Biznesmenët amerikanë, në Serbi investojnë më së shumti në shërbimet arkitektonike, në qendrat call, në farmaci, në prodhimin e konservave metalike, në industrinë e metaleve sekondare me ngjyra dhe në industrinë e enëve prej qelqi: Valeant Pharmaceutical, NCR, LC Comgroup, Ball Corporation. Për nga vlera, investimet amerikane më të mëdha në Serbi, kanë të bëjnë me kompanitë Philip Morris, Pepsi Co, Coca Cola, Ball Corporation, Cooper Tire dhe Microsoft.

Sipas të dhënave zyrtare, prej vitit 2010 deri në vitin 2019, kompanitë amerikane kanë investuar në Serbi 508,1 milion euro. Por, shefi i sektorit ekonomik të Ambasadës së ShBA-së në Beograd, Baron Lobstein deklaroi në vitin 2021 se investimet amerikane në Serbi janë shumë më të madha se 600 milionë dollarë dhe jo aq sa thuhet në statistikat zyrtare. Investimet amerikane janë më shumë se 508,1 milion euro, për arsye se investuesi mund të jetë nga ShBA-ja, por fondi me mjetet e tij mund të jetë i regjistruar në Holandë apo në ndonjë vend tjetër që ka një sistem të përshtatshëm për selinë e fondit. Holanda është një prej vendeve nga ku vjen pjesa më e madhe e investimeve të huaja në Serbi. Sipas burimeve të Ambasadës së ShBA-së në Beograd, investimet e ShBA-së në Serbi kanë punësuar rreth 17.000 njerëz.

*   *   *

Për investimet e Rusisë, të Kinës, të Turqisë dhe të vendeve të caktuara arabe – në Serbi, nuk kemi çka diskutojmë. 

Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Komente Tagged With: Prof. Xhelal Zejneli:

NDRYSHIMI I HISTORISË SHPIE NË PËRSËRITJEN E SAJ

May 16, 2021 by dgreca

SHKRUAN:XHELAL ZEJNELI/

Historinë duhet ta rishikojnë, jo shqiptarët e sunduar, por sunduesit turq; pra, jo i sunduari, por sunduesi!

Autoritetet e sotme të Ankarasë kërkuan prej shqiptarëve të riinterpretojnë historinë kombëtare që ka të bëjë me periudhën osmane. Me fjalë të tjera, ata kërkuan prej shqiptarëve ta ndryshojnë historinë e vet. Këtë kërkesë turqit e bëjnë nga pozicioni i forcës.

Krahas shqiptarëve, në gadishull jetojnë edhe popuj të tjerë. Një kërkesë të tillë Turqia, të paktën publikisht, nuk ia ka bërë asnjë populli tjetër të rajonit, si për shembull grekëve, rumunëve, serbëve, bullgarëve etj. Një kërkesë e tillë popujve të sipërthënë as që mund të paramendohet.

Korrigjimin e historisë, autoritetet turke ia kërkuan edhe kryeministrit të Maqedonisë – Vllado Buçkovskit (1962-), gjatë vizitës së tij në Ankara dhe në Stamboll në vitin 2004. Në konferencën për shtyp në Ankara të kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan-it (1954-)dhe atij sllavo-maqedonas Buçkovskit, kryeministri turk deklaroi se me homologun e tij, përpos tjerash ka biseduar edhe për korrigjimin e historisë.

Historinë e vet – nën trysni – e ndryshojnë vetëm popujt e parëndësishëm. Shqiptarët nuk bëjnë pjesë në këtë kategori popujsh. Janë popull i lashtë dhe rrënjës në gadishull, në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut. Janë racë ariane, indoevropiane. Prej popujve të tjerë i dallon gjuha, e cila është mu në rrënjë të trungut gjenealogjik të gjuhëve indogjermane (indoevropiane). Rrjedhimisht, janë populli më i rëndësishëm i rajonit.

Periudha osmane e historisë së popullit shqiptar është hartuar dhe është shkruar me kritere shkencore, nga dijetarët më eminentë të kombit. Në të nuk mund të gjesh as edhe një fyerje të vetme ndaj pushtuesve dhe sunduesve osmanë.

Ata që parapëlqejnë rishikimin e historisë i referohen edhe një kërkese të Komisionit Evropian për ndryshimin e gjuhës së urrejtjes në Ballkan.

Është e vërtetë se Bashkimi Evropian sugjeron dhe parapëlqen që popujt e kontinentit të mos i përfshijnë në tekstet shkollore të historisë ato njësi mësimore që mund t’i ndezin ndjenjat nacionaliste dhe të mbjellin urrejtje ndaj një populli të caktuar.

Mirëpo, një kërkesë e tillë vlen në radhë të parë për vendet që janë anëtare të BE-së. Ndërkaq, për vendet që nuk janë anëtare të Unionit, ndonëse synojnë integrimin, një kërkesë e tillë nuk mund të jetë detyruese.

Përveç kësaj, Bashkimi Evropian prej vendeve anëtare kërkon të kenë kujdes sidomos për periudhat historike të kohës më të re, p. sh. për Luftën I Botërore dhe për Luftën II Botërore. Me fjalë të tjera, Brukseli nuk kërkon revidimin e historisë së shekujve të kaluar.

Revidimi i historisë së shekujve të kaluar, më parë se karakter shkencor, ka karakter politik. Pra, kërkesa e dy ministrave turq, Prof. Dr. Omer Dinçer-it (1956-) – për Arsim dhe Prof. Dr. Ahmet Davutoglut (1959-) – për Punë të Jashtme, nuk është veçse kërkesë politike.

Kërkesa e Ankarasë nënkupton revidimin e historisë, që nga periudha luftërave të Gjergj Kastriotit, e deri në shpalljen e pavarësisë. Kjo paraqet çhistorizimin e popullit shqiptar dhe zhveshjen e tij nga një pjesë e madhe e historisë së vet kombëtare. Të kërkosh prej një populli të ndryshojë një histori pesëshekullore, do të thotë ta lësh atë popull pa histori. Një popull që do të pranonte ta ndryshojë historinë e vet pesëshekullore, mbetet pa histori dhe çhistorizohet.

Duke qenë se as Shqipëria, përkatësisht Kosova dhe as Turqia nuk janë anëtare të BE-së, atëherë del se sugjerimet e Brukselit për ta zbutur historinë, nuk janë detyruese për shqiptarët.

In ultima linea, nuk kanë qenë shqiptarët pushtues dhe sundues të Turqisë. Përkundrazi, është Perandoria Osmane ajo që e pushtoi Shqipërinë – madje pas një qëndrese çerekshekullore.

Dhe nëse duhet ndokush ta ndryshojë apo ta riinterpretojë historinë, këtë duhet ta bëjnë turqit dhe jo shqiptarët. Këtë pra, duhet ta bëjnë ata që kanë pushtuar toka të huaja dhe që kanë sunduar mbi popuj të tjerë. Dhe jo të sunduarit – shqiptarët. Kjo i ngjan rrëfimit të ujkut dhe të qengjit: “Mos ma turbullo ujin” – i thotë ujku qengjit!

Për qëndresën heroike antiturke të shqiptarëve, sidomos në shekullin XV flet edhe orientalisti austriak Joseph von Hammer (1774-1856) në veprën “Geschichte des Osmanischen Reiches”, I-III, 1836. (Përkthimi në gjuhën kroate, Joseph von Hammer, Historija turskog / osmanskog carstva, 1-3, Zagreb, 1979. Vëllimi I: 1-536 f.; vëllimi II: 5-553 f.; vëllimi III: 5-571 f.

Epoka osmane e historisë së popullit shqiptar shquhet për dy periudhave të lavdishme:

– e para, periudha zulmëmadhe e luftërave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit (1405-1468) kundër pushtuesve osmanë, që në letërsinë dhe në artin shqiptar është quajtur moti i madh;

– e dyta, periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që fillon në vitet dyzet të shekullit XIX.

Pa epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, populli shqiptar nuk do ta kishte periudhën e Rilindjes Kombëtare. Ndërkaq, pa periudhën e Rilindjes Kombëtare, shqiptarët nuk do ta kishin pavarësinë. Arritje e rilindësve shqiptarë është pavarësia e Shqipërisë (1912), d.m.th. shteti shqiptar.

Shteti, gjëja më e shtrenjtë dhe më e shenjtë e një populli. Me fjalë të tjera, epoka e Kastriotit në shekullin XV, periudha e Rilindjes Kombëtare në shekullin XIX si dhe shpallja e pavarësisë në fillim të shekullit XX, janë tri verigat kryesore të zinxhirit historik të popullit shqiptar për t’u çliruar nga zgjedha osmane.

Pa Gjergj Kastriotin shqiptarët nuk do ta kishin as Rilindjen Kombëtare; pa Rilindjen Kombëtare nuk do të kishin as shtet. Shqipëria do të shlyhej nga harta politike e Ballkanit. Si disa popuj të tjerë pa shtet, edhe shqiptarët – të përbuzur – do të endeshin udhëkryqeve të botës.

Një popull që është çliruar nga sundimi i huaj, historinë e shkruan ashtu si do vetë dhe jo si ia diktojnë të tjerët. Aq më pak – pushtuesit dhe sunduesit. Natyrisht, duke u bazuar në argumente shkencore.

Kërkesa turke për ta riinterpretuar historinë, një ditë do të shtrihet edhe në rrafshin e letërsisë dhe të artit. Letërsia shqiptare e periudhës së Rilindjes Kombëtare, sikundër edhe e popujve të tjerë të gadishullit, ndërlidhet ngushtësisht me synimet për t’u çliruar nga sundimi osman. Romantizmi në letërsinë shqiptare, që lindi me figurën më të shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare Jeronim De Radën (1814-1903) në vitet ’30 të shekullit XIX ndër arbëreshët e Italisë,  trajtoi temat që janë tipike për këtë drejtim letrar dhe artistik, siç janë: tema e historisë, tema e së kaluarës së lavdishme, e lashtësisë së popullit, e prejardhjes, e figurave historike, e gjuhës, e traditave dhe e virtyteve të popullit. Figura qendrore e letërsisë shqiptare të drejtimit letrar të romantizmit është ajo e Gjergj Kastriotit. Ky personalitet vigan i historisë së popullit shqiptar ka qenë burim frymëzimi për studiuesit dhe për krijuesit artistikë shqiptarë, që nga humanistët shqiptarë në qindvjeçarët XV-XVI e deri në ditët tona.

Ç’nënkuptojnë turqit me revidimin e historisë së popullit shqiptar?! Të hiqet përmendorja monumentale e heroit të tyre kombëtar nga fortesa e Krujës legjendare që përjetoi tre rrethime (1450, 1466, 1467) në të cilat morën pjesë vetë Sulltan Murati II (1404-1451) dhe Sulltan Mehmeti II i njohur si Mehmeti Ngadhënjyes (Fatih Sultan Mehmed, 1432-1481), pushtues i Kostandinopojës. Të hiqet kryetrimi kombëtar nga sheshi i Tiranës, i Prishtinës, i Shkupit dhe i Dibrës?! Të shmanget antemurales i qytetërimit perëndimor nga sheshet anembanë metropoleve të Evropës?!

Ç’do të thotë ndryshim i historisë?! Të digjen si në mesjetë, sipas Index librorum prohibitorum – poemat e letërsisë shqiptare që kanë për protagonist qendror figurën e kryezotit të mesjetës?! Figura e Gjergj Kastriotit është trajtuar artistikisht nëpër shekuj edhe nga krijues letrarë dhe artistikë të huaj. Por, ndikimi i Ankarasë nuk shtrihet deri atje.

Luftërat antiosmane të shqiptarëve për liri u trajtuan në mënyrë artistike nga poetë, romancierë, dramaturgë, piktorë, skulptorë. Sot, kur ish-sundimtarët e kanë marrë veten, a duhet vallë që edhe veprat e krijuesve artistikë të asgjësohen?!

Ministri turk i Punëve të Jashtme – Ahmet Dautoglu thotë se historia e shqiptarëve duhet të riinterpretohet për arsye se qenkësh shkruar sipas urdhrave të Enver Hoxhës (1908-1985) dhe të Josip Broz Titos (1892-1980)!

Po letërsia dhe arti shqiptar i periudhës së viteve 1836-1944, që prej “Këngëve të Milosaos”, (Napoli 1836) e këndej, që midis tjerash trajton artistikisht edhe temën e qëndresës antiosmane të popullit shqiptar – pa diktatin e Enverit dhe të Titos – a duhet vallë të ndryshohet, të ndalohet, të seleksionohet dhe të asgjësohet?!

Ankaraja duhet të dallojë në mënyrë të qartë marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve: Shqipërisë, përkatësisht Kosovës, në një anë dhe Turqisë, në anën tjetër – nga raportet historike të të dy popujve: popullit shqiptar dhe atij turk. Pa një dallim të këtillë, Ankaraja nuk ka për të qenë në ndihmë të shqiptarëve.

Po qe se shqiptarët, me kërkesën e Ahmet Davutoglut, e ndryshojnë historinë, ndërkaq popujt e tjerë të Ballkanit nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë shtrohet pyetja: “Në ç’pozitë bien shqiptarët, përballë fqinjëve të tyre ballkanikë”?!

Dikur historianët serbë dhe grekë shkruanin: “Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, shqiptarët kanë qenë në shërbim të Stambollit. Si të tillë, ata nuk kanë luftuar për t’u çliruar nga zgjedha e turke”.

Shkrimet e tilla të historiografisë serbe, greke dhe ruse inteligjencia shqiptare për një i konsideronte si tendencioze dhe thellësisht antishqiptare. Historianët shqiptarë ndërkaq, shkrimet e tilla i hodhën poshtë në mënyrë shkencore.

Ç’ndodh sot?! Po ndodh diçka absurde dhe e pabesueshme!! Disa historianë shqiptarë të specializuar për periudhën osmane të popullit të vet (osmanologë) ngulmojnë se kjo periudhë për shqiptarët nuk ka qenë sundim por administrim. Sot, vetë shqiptarët i konfirmojnë shkrimet kuazi-shkencore të studiuesve sllavo-bizantinë për periudhën osmane të historisë së popullit shqiptar

Tash e tutje, kundër interesave jetike të shqiptarëve, s’ka nevojë më të shkruajnë serbët, grekët dhe rusët. Kështu sepse, këtë e bëjnë me devotshmëri vetë shqiptarët. Janë i vetmi popull i rruzullit që lufton kundër vetes e që vë në lojë identitetin e vet.!! E paparë kjo, në historinë e botës!! Me pikëpamjet kundër vetvetes, shqiptarëve do t’ua kishin zili edhe akademikët serbë.

Në këtë dance macabre bën pjesë kolona e pestë: kuislingët, mercenarët dhe shqiptarët e ndershëm të llojit të sejdo-bajramoviqit (“përfaqësues” i Kosovës në Kryesinë e RSFJ-së në kohën e Sllobodan Milosheviqit*). Ndër ta ka edhe klerikë, analistë politikë, drejtues të mediumeve, veprimtarë të shoqatave humanitare, pseudo-historianë. Kuptohet – edhe politikanë të shitur për pesë para. (Emra të tjerë “shqiptarësh të ndershëm” nuk  përmendim në shenjë konsiderate ndaj familjeve të tyre, që u distancuan prej bijve dhe vëllezërve  të vet).

Shënim: Sllobodan Millosheviqi (1941-2006) ishte jurist. Babai i tij quhej Svetozar, nëna Stanisllava. Prindërit u shkurorëzuan pak vite pas lindjes së Sllobodanit. Babai ishte prift i Kishës Ortodokse Serbe. Më 1962 bëri vetëvrasje. Nëna Stanisllava ishte mësuese shkolle. Më 1974 vrau veten duke u varur.

*   *   *

Ka që thonë se gjatë periudhës osmane shqiptarët zinin poste të larta perandorake. Turqit, elitën shqiptare e shpërblenin me favore dhe privilegje. Gjatë shërbimit në pushtetin otoman, shqiptarët shquheshin me zellin, devotshmërinë dhe luajalitetin. Nga dinastia e familjes me famë të Qypryllinjve (me prejardhje shqiptare), gjatë shekujve XVI-XVII dolën pesë kryevezirë. Gjatë pesë shekujve të Perandorisë Osmane dhjetëra vezirë (rreth 47 sish) kanë qenë me origjinë shqiptare. 

Shënim: Vezir ka kuptimin ministër, guvernator krahine, kryetar vilajeti; Vezir i Madh ose kryevezir – gradë më e lartë e qeverisjes në Turqinë e kohës së sulltanit.

*   *   *

Është më se e qartë se qeveritarët e Perandorisë, me prejardhje shqiptare, nuk i sollën popullit të vet ndonjë të mirë të veçantë.

Mirëpo, historinë e popullit shqiptar nuk e krijuan ata që i qëndruan besnikë Portës së Madhe edhe pas shembjes së saj. Histori krijuan dhe në histori  hyrën ata që kishin ideale të larta dhe që u flijuan për kauzën e madhe. Vepra historike nuk krijojnë ata që luftojnë për interesa meskine, por ata që kanë ideale madhore.

Për kuazi-historianët, sundimi osman mbi shqiptarët nuk ka qenë pushtim dhe sundim, por administrim dhe shpëtim. Mirëpo, shumë shqiptarë që nuk e pranuan fenë islame, për arsye të ndryshme u detyruan t’i lënë vatrat e stërgjyshërve. Pa i llogaritur shqiptarët që u shpërngulën në Itali pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, shumë shqiptarë kërkuan strehim në Greqi, në Rumani, në Bullgari, në Ukrainë, në Zarë të Kroacisë, në Vojvodinë (fshatrat Nikinci dhe Hërtkovci të themeluar nga fisi Kelmendi që u shpërngulën nga Kosova pas luftës austro-turke të vitit 1683-99; duke qenë se banorët ishin të fesë katolike, radikali serb Vojisllav Sheshel (1954-), më 1993 fshatrave ua vuri flakën, duke e dëbuar popullsinë për në Kroaci).

Shumë shqiptarë u vendosën edhe në vende të tjera të botës. Po qe se sundimi osman mbi shqiptarët paska qenë administrim dhe shpëtim, atëherë çka i shtyri shqiptarët që në periudha të caktuara të çohen në kryengritje antiosmane?! Cila e mirë i shtyri t’i lënë vatrat stërgjyshore?!

A ka qenë prania osmane sundim ose jo, këtë e kanë ditur më së miri ata që janë ballafaquar me formacionet e ndryshme të ordive perandorake, si dhe me pushtetin perandorak. Frang Bardhi (1606-1643) është autor i fjalorit të parë shqiptar “Fjalor latinisht-shqip” (Dictionarium latino epiroticum, Romë 1635). Kjo është e para vepër në gjuhën shqipe pa përmbajtje fetare të drejtpërdrejtë. Ndërmjet tjerash, vepra përmban edhe 113 proverba dhe fjalë të  urta (e para përmbledhje e tillë). Një prej fjalëve të urta, përkatësisht sentencave që e ka thënë populli shqiptar para rreth 400 vjetësh, thotë: “Tek shkel turku, nuk mbin bar”.

Kalvari i popujve, i shkaktuar nga bajonetat e ushtrive të huaja, nuk mund të përjetohet nga ex-katedrat e akademikëve. Në të kaluarën, për t’iu përshtatur sistemit të pushtuesit, d.m.th. për t’u integruar në shoqëri dhe për t’u asimiluar, një populli i nevojiteshin dekada, në mos dhe shekuj. Faza e integrimit ka qenë e dhimbshme.

A mund ta përfytyrojë ndokush sot eksodin biblik nëpër Adriatik dhe Jon të arbëreshëve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – drejt Kalabrisë dhe Sicilisë?! Një perandori, për t’u konsideruar dobiprurëse për një popull që ka qenë pjesë e saj, duhet që pas shpërbërjes, populli i sunduar (apo edhe i administruar):

– të ketë ruajtur njësinë tokësore;

– të ketë ruajtur gjuhën;

– të ketë ruajtur fenë e të parëve të vet;

– të ketë ruajtur folklorin dhe etnografinë e vet;

– të ketë ruajtur kujtesën historike;

– të ketë krijuar klasë dhe elitë intelektuale;

– të ketë krijuar klasë dhe elitë politike;

– të ketë krijuar determinantë historikë dhe sociologjikë;

– të ketë shënuar zhvillim ekonomik;

– të ketë ruajtur vetëdijen kombëtare;

– të ketë ruajtur identitetin kombëtar;

– të ketë ndërtuar institucione kombëtare.

Në çastin e shpërbërjes së perandorisë, populli që i ka ruajtur apo që i ka krijuar vlerat e sipërthëna, ka mundësi të rezultojë si subjekt politik i mëvetësishëm.

Pas zhbërjes së perandorisë, populli që ka qenë pjesë e saj, e që nuk i ka ruajtur apo që nuk i ka krijuar kategoritë e mësipërme rezulton: i asimiluar; pjesërisht i asimiluar; pa subjektivitet politik ose me subjektivitet politik të pjesshëm. Në rast të tillë, për popujt e asimiluar, pjesërisht të asimiluar, pa subjektivitet politik ose me subjektivitet politik të pjesshëm perandoria konsiderohet  pushtuese dhe sunduese.

Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane:

– shqiptarët nuk krijuan institucione kombëtare;

– në zona urbane të caktuara, në vend të gjuhës shqipe, mbizotëroi turqishtja;

– një pjesë e shqiptarëve u konvertuan në fenë islame;

– në rajone të caktuara u godit rëndë kujtesa historike e shqiptarëve;

– shqiptarët nuk arritën të krijojnë klasë dhe elitë intelektuale relevante;

– shqiptarët nuk arritën të krijojnë klasë apo elitë politike nacionaliste që do të mund të ishte në krye të përgjegjësisë historike;

– në shekullin e kombeve (shek XIX), për dallim nga popujt e tjerë të Ballkanit, shqiptarët nuk patën elitë politike nacionaliste;

– shqiptarët nuk arritën të krijojnë determinantë sociologjikë dhe historikë që do të ishin promotorë të proceseve politike;

– u rrezikua edhe vetëdija kombëtare e shqiptarëve;

– u rrezikua edhe identiteti kombëtar i shqiptarëve;

– në kohën kur Turqia e humbi luftën ballkanike (1912) dhe Shqipëria pas kryengritjeve të përgjithshme antiosmane (1909-1912) u shpall e pavarur, shqiptarët nuk ia dolën të ruajnë tërësinë tokësore.

Nga kjo rezulton se periudha osmane për shqiptarët ka qenë pushtim dhe  sundim. Në faza të caktuara, perandoritë dobësohen. Gjatë luftërave me fuqitë e tjera, ato humbin edhe territore. Gati si rregull, fuqive ngadhënjyese ua dorëzojnë provincat e perandorisë, d.m.th. tokat e huaja. Por, kur ishin në pyetje tokat turke të Perandorisë, Stambolli luftonte deri në pikë të fundit.

Përkundër kësaj, ka mercenarë dhe kuislingë që thonë se Perandoria Osmane s’paskësh qenë sundim por administrim, madje edhe çlirim!! Individë dhe grupe shoqërore të popullit të sunduar, për interesa vetjake kanë qenë të integruar në shoqërinë e pushtuesit dhe të sunduesit. Rrjedhimisht, ata kanë qenë edhe në shërbim të tij. Po të jesh sot në shërbim të ndonjë pushtuesi apo sunduesi, shpallesh tradhtar.

Ngecja e shqiptarëve në shekullin e kombeve – Kah mesi i shekullit XIX, kur serbët dhe grekët hartonin projektet e tyre  – “Naçertanien” (1844), përkatësisht “Megali idenë” (1844) për t’i formuar shtetet e veta kombëtare, Naum Veqilharxhi (1797-1846) mezi ia doli të përpilojë një abetare tetëfaqëshe (“Ëvetari”, 1844). Ëvetari i Naum Bredhit shënon fillimin e pranverës shqiptare drejt lirisë. Në agimet e historisë politike të kohës më të re të popullit shqiptar në Ballkan lindi edhe qarkorja e tij. 

Në shekullin e kombeve popujt e Ballkanit: grekët, rumunët, serbët, malazeztë, bullgarët arritën të fitojnë pavarësinë nga Perandoria Osmane. Shqiptarët ndërkaq, nuk ia dolën. Nuk kishin një elitë politike kombëtare që do të ishte në krye të përgjegjësisë historike.

Dhe në këtë mes, vetvetiu shtrohet pyetja: Në shërbim të kujt kanë qenë qeveritarët e Perandorisë Osmane – me prejardhje shqiptare?! Një popull që ndryshon historinë e vet mohon veten, punon kundër vetvetes, manifeston krizë identiteti dhe vë në dyshim qenien kombëtare.

Përshtatja e historisë objektivave turke do t’i konfirmonte pohimet serbe dhe greke se shqiptarët janë përçues të interesit turk në rajonin e krishterë dhe në Evropën katolike e protestante. Në fund të fundit, Ankaraja nuk duhet të brengoset gjithaq për rishqyrtimin e historisë së popullit shqiptar. Kështu sepse shqiptarët, edhe pa këtë rishqyrtim, nuk e dinë sa duhet historinë e vet.  Sikur ta dinin, një kërkesë e tillë nga pushteti turk as që do të shtrohej.    

Me ardhjen e turqve në gadishull, u ndërpre në lule të moshës veprimtaria e humanistëve shqiptarë – Gjon Gazullit (1400-1465), Marin Barletit (1450-1512), Mikel Marulit (1453-1500), Leonik Tomeut (1456-1531), Maksim Grekut (1480-1556), Marin Beçikemit (1468-1526).

Sundimi osman mbi shqiptarët e ndërpreu edhe traditën e shkrimit shqip të filluar nga Gjon Buzuku (shek.. XVI), Lekë Matrënga (1567-1619), Pjetër Budi (1566-1622), Frang Bardhi (1606-1643), Pjetër Bogdani (1630-1689). Lidhjet e shqiptarëve me botën perëndimore – u ndërprenë.

Sipas përfaqësuesve të mendimit politik shqiptar, islamizimi i shqiptarëve paraqet për ta aksident historik që:

– e ndërpreu zhvillimin e shqiptarëve në frymën perëndimore;

– e vështirëson riintegrimin e shqiptarëve në familjen perëndimore. 

Përkundër kësaj ndërprerjeje, do të ishte johistorike ta projektosh pozitën e shqiptarëve jashtë gjirit perëndimor.

Gjatë sundimit osman shqiptarët u asimiluan, jo vetëm në pikëpamje fetare por edhe në atë kombëtare. Deri vonë ke mundur të hasësh shqiptar i cili pyetjes: Ç’je me kombësi? i përgjigjej: “Turk, elhamdulilah!” Ndonëse, me përjashtim të huazimeve, nuk dinte asnjë fjalë në gjuhën turke. Me fjalë të tjera, feja islame  identifikohej me kombësinë turke.

Shkrimtari serb apo boshnjak i cili deklarohej serb, Mesha Selimoviq (1910-1982) thotë: “Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe përpos siç ka ndodhur”.

Duke qenë se gjatë sundimit osman u shlye edhe kujtesa historike e popullit shqiptar, këtij populli iu desh një rilindje kombëtare.

Tragjizmi shqiptar arriti kulmin në Londër (1912-1913), kur trojet e Arbërisë u ndanë në katër copa: në gjysmë-Shqipëri, në Greqi, në Serbi dhe në Mal të Zi. Më vonë edhe në dy copa të tjera: në Kosovë Lindore dhe në Maqedoni. Gjithsej gjashtë. Si asnjë popull tjetër në botë.

Për këtë tragjedi të popullit shqiptar, autoritetet turke duhet t’u kërkojnë shqiptarëve falje dhe jo riinterpetim të historisë. Tragjizmi shqiptar troket në ndërgjegjen e Ankarasë së sotme.

Të vonuar në histori dhe pa potencial intelektual dhe politik të duhur, shqiptarët as që mund të pritnin diç më shumë nga gërshërët londineze. Nuk mund të krijohej Shqipëria etnike duke ndenjur – deri në momentin e fundit – në parlamentin turk. Nga kolltukët  e atij parlamenti, mund të krijohej jo më shumë se një gjysmë-Shqipërie.

Përsëri shtrohet pyetja: Kujt i shërbyen qeveritarët me prejardhje shqiptare të Perandorisë Osmane?!

Edhe në kohën e Josip Broz Titos ka pasur shqiptarë që kanë qenë në maje të piramidës së shtetit të sllavëve të jugut – Jugosllavisë federative. Mirëpo, gati të gjithë u varrosën në Novo groble (Varrezat e reja) të Beogradit. Në dheun e Kosovës, për ta s’pati vend. Të tillët nuk e krijuan historinë e Kosovës. Duke qenë turpi i Dardanisë, ata u shndërruan në metaforë të tradhtisë së lartë dhe mbetën në anën e kundërt të historisë.

Popujt e Evropës vërtet kanë bërë ndryshime të caktuara në tekstet shkollore të historisë, por këtë e kanë bërë në mënyrë të ndërsjellë. Francezët dhe gjermanët tri herë kanë luftuar ndër vete. Për të ndërtuar një kontinent të qetë dhe me perspektivë, brezat e ri i edukojnë në frymën e bashkëjetesës dhe jo të të kaluarës së përgjakshme. Historinë duhet ta rishikojnë, jo shqiptarët e sunduar, por sunduesit turq. Pra, jo i sunduari, por sunduesi.

Gjatë historisë së kohës më të re, Serbia dhe Greqia kanë kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Prej luftës ruso-turke më 1877 e deri në ditën e çlirimit të Kosovës më 1999, serbët ndaj shqiptarëve kanë bërë krime përmasash të mëdha. Të njëjtën ndaj shqiptarëve e kanë bërë edhe andartët grekë dhe zervistët.

A thua një ditë, edhe serbët dhe grekët, me sugjerimet dhe me kërkesat e Brukselit, do të kërkojnë prej shqiptarëve që ta riinterpretojnë historinë?! Për pajtimin e popujve kolonizues me popujt e kolonizuar, më parë se rishkrimi i historisë, nevojiten veprime të tjera. Serbët dhe grekët, në radhë të parë duhet t’ua kthejnë shqiptarëve tokat e pushtuara, t’u paguajnë zhdëmtim dhe t’u kërkojnë falje.

Si mund ta riinterpretojnë historinë myslimanët (boshnjakë) me mbi 100 mijë të vrarë, përfshirë edhe masakrën e Srebrenicës?! Një ditë serbët mund t’u thonë shqiptarëve: “Në Jugosllavinë federative, sidomos pas Kushtetutës së vitit 1974,  i keni gëzuar të gjitha të drejtat. Shqiptari ka qenë: nënkryetar i Kryesisë së RSFJ-së, kryetar i Kryesisë së RSFJ-së, kryetar i Kuvendit të RSFJ-së, kryetar i Komitetit Qendror të LKJ-së (Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë), kryetar i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Jugosllavisë, sekretar (ministër) federativ. Keni qenë ambasadorë në shumë vende prestigjioze të botës. Keni pasur shkallën më të lartë të autonomisë; keni pasur qeveri, parlament, universitet në gjuhën amtare, akademi shkencash dhe artesh, veprimtari kulturore; keni qenë element përbërës i federatës…Dhe përsëri thoni se keni qenë të pushtuar, të robëruar, të kolonizuar, të eksploatuar!! Dhe gjithmonë jeni rebeluar!!”

E vërteta është se prej vitit 1877 e deri në vitin 1999 Serbia i pushtoi tokat shqiptare dhe ndaj tyre ushtroi gjenocid. Që nga dita e pushtimit, shqiptarët kanë pasur një synim të vetëm: çlirimin nga zgjedha e huaj dhe kthimin në gjirin e vendit amë – Shqipërisë.

Historinë e shqiptarëve nuk e krijojnë shqiptarët që u ngjitën në majën e piramidës së shtetit të sllavëve të jugut në të cilin dominonin serbët, por ata mbi të cilët ideologjia garashaniniste qëndroi si shpatë e Demokleut, ata që ecën tehut të shpatës dhe liri kërkuan ndër shekuj, duke qëndruar të patundur – si një mal i vetmuar.

Historia e dëshmon se popujt që kanë qenë nën sundimin e perandorive, rëndom janë asimiluar. Gjuha e tyre është bërë gjuhë e vdekur. Me shpërbërjen e perandorive, popujt që kanë mbijetuar, i kanë formuar shtetet e veta kombëtare.

Ndryshimi i periudhës osmane të historisë së popullit shqiptar mund të ketë reflektim negativ, të brendshëm, por edhe të jashtëm:

– e para, shqiptarët janë popull që u përkasin tre konfesioneve: katolike, ortodokse dhe islame. Shqiptarët e fesë katolike dhe ata të fesë ortodokse, kërkesën e Ankarasë do ta hidhnin poshtë në mënyrë të prerë;

– e dyta, përmbushja e kërkesës turke për rishikimin e historisë do të ndikonte në prishjen e harmonisë fetare, duke shkaktuar ndër shqiptarë edhe përçarje mbi baza fetare;

– e treta, fuqitë historike të kontinentit të vjetër dhe qendrat politike të tyre si: Roma, Berlini, Vjena, Parisi dhe Londra, përkundër kërkesës së Brukselit për shmangien e gjuhës së urrejtjes nga faqet e historisë, përmbushjen e kërkesës turke nga shqiptarët, nuk do ta shikonin me sy të mirë. Dhe do të thoshin: Shqiptarët janë pro-turq.

Rishikimin e periudhës osmane të historisë së popullit shqiptar Ankaraja e kërkoi edhe prej autoriteteve të Kosovës. Duhet ditur se kjo periudhë e historisë së popullit shqiptar, që nga çasti i pushtimit të Shqipërisë nga turqit më 1479 e deri në ditën e shpalljes së pavarësisë (1912) është histori e përbashkët dhe e pandarë e kombit shqiptar në Ballkan. Është një histori.

Me fjalë të tjera, pa pëlqimin e Tiranës, Kosova nuk ka të drejtë t’i qaset rishikimit të periudhës së sipërthënë të historisë së popullit shqiptar. Shqiptarët në Ballkan dhe në diasporë flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb. Po qe se autoritetet e Prishtinës do ta zbatonin kërkesën turke për rishqyrtimin e historisë, kjo do të shkaktonte përçarje edhe ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. 

Çështja e rishikimit, e rishkrimit dhe e riinterpretimit të historisë së një populli nuk është çështje politike, por shkencore. Me historinë duhet të merren historianët dhe jo politikanët. Rishikimi i historisë së një populli është e drejtë dhe detyrë e institucioneve shkencore të një kombi, siç janë Akademia e Shkencave, institutet përkatëse, katedrat e universiteteve, nën premisën që të jenë jashtë ndikimeve politike.

Natyrisht, shqiptarët për çdo dështim të vetin gjatë historisë dhe sot, nuk duhet ta fajësojnë Turqinë. Në mesjetën e hershme, serbët dhe bullgarët i krijuan mbretëritë e tyre. Shqiptarët jo. Atëherë mbi shqiptarët nuk sundonin turqit. Nga kjo shihet se shqiptarët nuk posedojnë kapacitet të mjaftueshëm shtetformues dhe shtetndërtues. Ndryshimi i historisë shpie në përsëritjen e saj.

Kurdistani është një rrafshnaltë dhe rajon malor në Lindjen e Mesme, në jug të Kaukazit. Në të hyjnë vise të Turqisë, të Irakut verior, të Iranit perëndimor, të Sirisë lindore, të Armenisë dhe të Azerbajxhanit. Prej shekujsh ka qenë atdheu tradicional i popullit kurd. Krijimi i një shteti të veçantë të Kurdistanit u propozua nga Aleatët pas Luftës I Botërore, por ky propozim u braktis më 1923 kur Turqia ripohoi pushtetin territorial mbi këtë rajon. Ndonëse zyrtarisht nuk njihet si shtet, banorët e quajnë rajonin Kurdistan.

Kurdët janë popull mysliman arian kryesisht baritor, që flet një dialekt të persishtes. Sipas burimeve britanike, janë afro 20 milionë dhe prej 3000 vjetësh (Sipas disa burimeve, në Turqi jetojnë 10,4 deri 14 milionë kurdë). I kanë ruajtur gjuhën dhe traditat e veta kulturore, por kurrë nuk janë bashkuar nën një sundimtar të vetëm. 

Në shekullin XIX lëvizjet kombëtare kurde vepruan të veçuara nga njëra-tjetra në secilin nga vendet që përfshin Kurdistani. E para kryengritje e madhe kurde ka ndodhur në Turqi më 1925, por vetëm kur u themelua ilegalisht Partia Demokratike Kurde në Turqi më 1967 nacionalizmi militant përfshiu të pesë provincat juglindore të Turqisë. Më 1984 kryengritjet e kurdëve në Turqi u ripërtërinë. Ankaraja i quan terroristë. Në vitet ‘60 dhe në fillim të viteve ’70 të shek. XX kurdët organizuan kryengritje kundër qeverisë së Irakut.

Pas revolucionit iranian (1979) pati një rritje të disidencës kurde në Iran. Vëmendja ndërkombëtare u përqendrua te kurdët më 1988-89, kur Iraku nisi zbatimin e politikës së shpopullimit të zonave kurde në kufi me Turqinë, dhe më 1991 kur, pas Luftës së Gjirit, qeveria e Irakut rifilloi fushatën e vet kundër kurdëve në Irakun verior. Ali “kimisti” përdori ndaj tyre edhe helme kimike. Më pas, për kurdët e Irakut verior u vendos “hapësira ajrore e sigurt”.

Të supozohet se një ditë do të krijohet shteti i kurdëve. Kryengritjet e tyre përballë Turqisë, Irakut dhe Iranit të shuara në gjak, do t’i shënojnë në historinë kombëtare të vet.

Shtrohet pyetja: A do të kërkojnë autoritetet e Ankarasë, të Bagdadit dhe të Teheranit prej kurdëve riinterpretimin e historisë ku përshkruhen bombardimet, tanket, burgjet, dënimet drakonike dhe helmet e Ali “kimistit:?!

Për të kërkuar riinterpretime të historisë, pushtuesit dhe sunduesit problemet e popujve që aspirojnë lirinë duhet t’i zgjidhin me dialog dhe jo me politikën e forcës. Nuk burgoset një popull i tërë. Aq më pak në shekullin XXI.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ndryshimi I Historise, Prof. Xhelal Zejneli:

QIRIAZËT – GJERASIMI, GJERGJI, SEVASTIA DHE PARASHQEVIA

March 9, 2021 by dgreca

Familja Qiriazi/

Familja patriotike Qiriazët është me prejardhje nga fshati Magarovë. Prej këtu u shpërngulën dhe u vendosën në Tërnovë afër Manastirit. Më vonë u vendosën në qytet, që në atë kohë ishte qendër e Vilajetit të Manastirit.

Shkruan:Xhelal Zejneli/ Babai Dhimitër Qiriazi, me profesion zdrukthëtar dhe nëna Maria kishin dhjetë fëmijë, shtatë djem dhe tri vajza: Tashko, Konstandini, Gjerasimi, Gjergji, Naumi, Kristo, Pandeli, Fanka, Sevasti dhe Parashqevi. Manastiri i asaj kohe ishte një qytet me përbërje etnike të përzier. Megjithëkëtë, Qiriazët i ruajtën traditat shqiptare, fëmijët ndërkaq u ritën në frymën e dashurisë për gjuhën amtare.

Nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Qiriazët dhanë një ndihmesë të madhe për zhvillimin e kulturës dhe të arsimit shqiptar. Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nga kjo familje dolën edukatorë, botues dhe personalitete publike. Anëtarë të caktuar të Qiriazëve, me veprimtaritë e tyre ndihmuan në forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Katër anëtarë të kësaj familjeje ishin pjesë e protestantëve të hershëm në Shqipëri por edhe në Kosovë.

Gjerasimi, Gjergji dhe dy motrat Sevasti e Parashqevi, si veprimtarë të lëvizjes kombëtare, lanë gjurmë në historinë dhe në kulturën shqiptare.

*   *   *

GJERASIM QIRIAZI (Manastir, 1858 – 1894) – Ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare, shkrimtar, rilindës. Shkollën fillore greke e ndoqi në Manastirin e tij të lindjes. I anëtarësuar në Bashkësinë Ungjillore të Manastirit dhe me ndihmën e mësuesit të tij të anglishtes, misionarit amerikan Xheni (Jenney), iu dha mundësia që në vitet 1878-1882 të studiojë në Kolegjin Teologjik Amerikan Protestant në Samiokov të Bullgarisë. Në vitin 1883 punoi në Korçë si misionar ungjillor i Shoqërisë Biblike Britanike dhe Botërore (British and Foreign Bible Society). Ishte edhe shpërndarës i librave të kësaj shoqërie në Shqipëri dhe në Maqedoni. Krahas shpërndarjes së diturive fetare në gjuhën shqipe, përhapi edhe abetaret, librat dhe gazetat laike shqiptare. Nisi të shkruajë edhe një gramatikë të shqipes dhe të predikojë në gjuhën shqipe. 

Më 12 nëntor të vitit 1884, gjatë rrugës malore Korçë-Manastir u sulmua nga komitët dhe u mbajt peng për gjysmë viti. Rrëfimi për gjashtë muajt e këtij kalvari është përkthyer anglisht nga John Wallace Baird nga Manastiri.   

Hapja e së parës shkollë shqipe në Korçë më 1887, të njohur zyrtarisht, e frymëzoi Gjerasimin dhe të motrat Sevastian e Parashqevinë të hapnin një shkollë për vajzat. Me ndihmën e Naim Frashërit (1846-1900), e sidomos të misionarëve amerikanë dhe anglezë,  morën autorizimin e duhur në Stamboll dhe më 15 tetor 1891 hapën në Korçë të parën shkollë shqiptare për vasha. Verën tjetër u shpërngulën në një ndërtesë më të madhe që mund të merrte më shumë nxënës. Hapjen e kësaj shkolle, që në krye të herës, hierarkia greke e kundërshtoi me fanatizëm   

Në vitin 1892 Gjerasimi formoi shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore” të Korçës. Për nevojat e shkollave shqipe shkroi dhe përktheu poezi në gjuhën shqipe, shkroi skica, dialogë, tekste shkollore dhe kompozoi këngë. Shumicën e krijimeve të tij i përmblodhi i vëllai, Gjergji, i cili i botoi ato në antologjinë “Hristomathi a udhëheqës për çdo shtëpi shqiptari” (Sofje, vëll. I, 1902, vëll. II, 1907). Këtu Gjergji përfshiu edhe dy krijime të veta dhe katër fjalime të së motrës, Sevastisë. Krijime të tjera të Qerasimit u botuan në përmbledhjen “Këngë të shenjtëruara për faltoret shqipe” (1924). Gjerasim Qiriazi konsiderohet si një nga pedagogët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai la pas studime me vlerë që u përmblodhën dhe u botuan në librin “Shkrime pedagogjike të Gjerasim Qiriazit” (1966). Njëherazi, është edhe themelues i letërsisë shqiptare për fëmijë në shekullin XIX. Për veprimtarinë e tij atdhetare u përndoq nga pushtetarët osmanë dhe nga klerikët e Megali Idesë greke. 

Gjerasimi Qiriazi vdiq më 4 janar 1894, në moshën 36-vjeçare, nga pleuriti që e kishte marrë gjatë kohës kur ishte zënë peng.

*   *   *

Më 1892 themelon shoqërinë Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë. Familja e tij i përkiste besimit ortodoks. Më 1877 Gjerasimi lë ortodoksizmin dhe përqafon besimin e kishës protestante, në atë kohë, e panjohur në Shqipëri. Kishte raporte me tre misionarë protestantë shqiptaro-amerikanë që kishin ardhur në Shqipëri më 1973. U martua me Athina Mikelidhi-n, e cila ishte e bija e pastorit të kishës ungjillore të Selanikut. U lindi djali i vetëm Stefani. Gruaja e Gjerasimit, Athina, vdiq më 1891, disa muaj pas lindjes së djalit. Stefani ka vdekur në ShBA më 1959 duke lënë pas gjashtë fëmijë. 

Më 1933 qeveria e A. Zogut e ndaloi veprimtarinë e shkollave ungjillore në Korçë. Më 1940, në kohën e pushtimit nazifashist të Shqipërisë, Kisha Ungjillore e Korçës u shpërnda. Pas rënies së komunizmit, tempujt fetarë në Shqipëri u rihapën. Filloi edhe veprimtari ungjillore shqiptare. 

Kërkesa e Gjerasimit dërguar më 1887 Portës së Lartë, për njohjen e ungjillorëve shqiptarë, ishte refuzuar. Ajo që u refuzua në atë kohë, u realizua pas më se një shekulli, më 22 nëntor 2010. Kjo ditë, për protestantët shqiptarë konsiderohet si ditë e shënuar. 

Më 1987 Gjerasimit u dekorua post mortem me titullin “Mësues i Popullit”, ndërsa më 1992 iu dha “Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë”. 

*   *   *

GJERGJ QIRIAZI (Manastir, 1868 – Manastir, 1912) është veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Ashtu si i vëllai Gjerasimi, ndoqi shkollën greke në vendlindje, në Manastir. Vazhdoi studimet në Kolegjin Teologjik Amerikan Protestant në Samokov të Bullgarisë. Edhe ai u mor në punë nga Shoqëria Biblike Britanike dhe Botërore (British and Foreign Bible Society).

Pas vdekjes së të vëllait Gjerasimit më 1894, Gjergj Qiriazi punoi për vazhdimin dhe mbajtjen në këmbë të Shoqërisë Biblike të Manastirit dhe të Shkollës Shqipe të Vashave në Korçë dhe mori në dorë drejtimin e shkollës së lartpërmendur. Në vitin 1908 ishte delegat në Kongresin e Manastirit ku u vendos për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Në vitin 1909, Gjergj Qiriazi ishte një nga themeluesit e gazetës në gjuhën shqipe “Bashkim’ i kombit” dhe shquhej për veprimtarinë e tij politike. 

Si sekretar dhe nënkryetar i klubit shqiptar “Bashkimi” të Manastirit luajti rol sidomos për organizimin dhe për zhvillimin e punimeve të Kongresit të Manastirit (1908). Mori pjesë në komitetin e fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë” të themeluar në vitin 1905 nga veprimtari i Rilindjes Kombëtare, pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit (1908) – Bajo Topulli (Bajram Topulli, 1873-1930). Përpos Bajo Topullit, në themelimin e këtij komiteti morën pjesë edhe veprimtarët e lëvizjes kombëtare Gjergj Qiriazi, Halit Bërzeshta (1840-1909), Fehim Zavalani (1859-1935) etj.

Gjergj Qiriazi dha ndihmesë të rëndësishme për përgatitjen dhe botimin e teksteve shkollore. Është autor i parë i tekstit të mirëfilltë të fizikës në gjuhën shqipe “Fisika” (Bukuresht 1899), me të dhënat më të reja në fushën e fizikës. Përpos hristomathisë së të vëllait, Gjerasimit – “Hristomathi” (1902 dhe 1907) në dy vëllime, me pjesë letrare didaktike, 640 faqe, Gjergj Qiriazi botoi një përmbledhje me poezi fetare me titullin “Kënkë të shenjtëruara” (Sofje 1906). Si publicist, në artikujt e vet trajtoi çështje kulturore dhe shoqërore dhe i botoi në organet e shtypit të kohës. 

Tregoi interesim për dorëshkrimet e lëvruesit dhe studiuesit të gjuhës shqipe, veprimtarit të Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës, Kostandin Kristoforidhit (1827-1895). Gjergj Qiriazi vdiq në Manastir më 30 dhjetor 1912. 

*   *   *

SEVASTI QIRIAZI-DAKO (Manastir, 1871 – Tiranë, 1949) – është veprimtare e lëvizjes kombëtare. Punoi për emancipimin e femrës shqiptare. Është motër e Gjerasimit, Gjergjit dhe Parashqevit. Shkollimin e mesëm e kreu në gjuhën angleze, në shkollën e Shoqërisë Biblike të Manastirit. Në vitet 188-1891 kreu studimet në Kolegjin Femëror amerikan (Womens College) të Stambollit. Me t’u kthyer në Shqipëri, me ndihmën e të vëllait, Gjerasimit, më 15 tetot 1891 hapi në Korçë “Shkollën Shqipe të Vashave”, e cila ishte e para shkollë kombëtare për vajza. Në vitet 1905-1906, në Universitetin (Kolegjin) Oberlin të Ohajos (Ohio, ShBA), kreu disa kurse kualifikimi për pedagogji. Përsëri u kthye në krye të shkollës së vashave në Korçë. Pas Luftës së Parë Botërore, kjo shkollë ende njihej me emrin e familjes Qiriazi. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin arsimor të Elbasanit dhe u zgjodh anëtare e komisionit për shqyrtimin e teksteve shkollore. Ky komision ishte formuar nga shoqëria “Përparimi”.  

Është thënë se në vitin 1912 ka botuar në Manastir një gramatikë të shqipes për shkollat fillore dhe ka redaktuar disa tekste historie për historinë botërore, për historinë e Shqipërisë etj. Bashkëpunoi me udhëpërshkruesen, etnografen, piktoren, antropologen, humanisten britanike, mike e shqiptarëve, Edit Durham (Mery Edith Durham, Londër, 1869 – Londër, 1944) për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar në arenën ndërkombëtare, në vitin 1913. 

Në vitin 1915, nga atdhetarët shqiptarë me qendër në Uorçster (ShBA), u zgjodh kryetare e Partisë Kombëtare Shqiptare. Hartoi një varg memorandumesh, që në emër të partisë që kryesonte, iu dërguan forumeve ndërkombëtare. Në to flitej për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. 

Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (Korçë, 1878 – Tiranë, 1941) dhe me të motrën Parashqevinë, Sevasti Qiriazi-Dako vajti në Rumani dhe prej andej emigroi në ShBA. Në vitin 1902 Kristo Anastas Dako kishte kryer në Bukuresht matematikën.  

Sevasti bashkëpunoi me Parashqevinë për botimin e revistës së përdyjavshme politike, historike, gjuhësore, letrare, pedagogjike dhe kulturore “Yll’i Mëngjesit” (The Morning Star, 1917-1920). Revista drejtohej nga Parashqevi Qiriazi dhe dilte në Boston (ShBA). Numri i parë doli më 15 janar 1917. Vijoi me ndërprerje deri në numrin 45. Një pjesë e shkrimeve ishin frëngjisht ose anglisht.  

Në vitin 1921, Sevasti Qiriazi-Dako u kthye në mëmëdhe, ku bashkë me të shoqin Kristo Dako dhe me të motrën Parashqevinë, iu përkushtua institutit arsimor “Kyrias”, të çelur prej tyre në Tiranë dhe Kamzë. Sevasti Qiriazi-Dako vdiq në Tiranë në vitin 1949. 

Sevasti Qiriazi_Dako është dekoruar me “Urdhrin e Skënderbeut”, me “Urdhrin për Veprimtari Patriotike” dhe me “Urdhrin e Lirisë”.    

*   *   *

PARASHQEVI QIRIAZI (Manastir, 1880 – Tiranë, 1970) ishte veprimtare e Lëvizjes Kombëtare, gazetare, publiciste, pedagoge. Punoi për emancipimin e femrës shqiptare. Autore e abetares së parë shqipe të shkruar me alfabetin e Manastirit. Është e para femër shqiptare, autore tekstesh. Është e para femër shqiptare që krijoi një projekt arsimor. 

Lindi në Manastir, më 2 qershor 1880. Ishte më e vogla prej dhjetë fëmijëve të familjes. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Manastir. Në vitet 1900-1904 studioi letërsinë në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll (Womens College apo American College for Girls) që vepronte në kuadër të Robert College. Në vitin e fundit të studimeve u caktua kryetare e organizatës studentore.  Pasi kreu studimet u kthye në Shqipëri dhe e filloi punën si mësuese në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë. Më vonë u bë edhe drejtuese e saj. Mori pjesë si delegate në Kongresin e Manastirit (1908), bashkë me Filomena Bonatin dhe Fineas Kenedi* (Phineas Bareber Kennedy, 1867-1963). Me këtë rast, Parashqevi përpiloi dhe publikoi “Himnin e alfabetit kombëtar”, që këndohet edhe sot. Më 16 apo më 21 janar 1909 themeloi në Korçë të parën shoqëri të gruas shqiptare që u quajt “Yll’ i mëngjesit”. Në vitet 1909, me shkronja të alfabetit të ri, hartoi dhe botoi në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” të Manastirit, tekstin “Abetare për shkollat e para”. Më 1911 teksti u ribotua në Manastir, ndërsa më 1915 kjo abetare u ribotua edhe në ShBA. 

Shënim: Fineas Kenedi (Phineas Bareber Kennedy) ka lindur në ShBA. Ishte predikues në kishën ungjillore protestante shqiptare, të themeluar më 1892 nga Gjerasimi. Fineas Kenedi mori pjesë në Kongresin e Manastirit në cilësi të vëzhguesit. Kenedi shërbeu në Korçë në vitet 1908-1939. Pas kësaj, bashkë me familjen, u kthye në Amerikë.

*   *   *

Në vitin 1912 Parashqevi ndoqi disa kurse kualifikimi, përkatësisht studimet pasuniversitare master në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlinit në Ohajo (Ohio) të ShBA-së. Po atë vit (1912) hartoi programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Në qershor 1913, në Universitetin e Oberlinit përfundoi studimet master pasi mbrojti temën “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri.” Mori gradën akademike M. A., d.m.th. master i edukimit (master of education). Më 1913 botoi në Çikago veprën “Shkolla e vashave – Korçë” (The School for Girls – Kortcha, Albania) e cila në vitin 2014 u ribotua në formën elektronike nga Instituti i Studimeve Shqiptare dhe Protestante, me parathënie të Dana Marie Stucky (1951-2018).  

Në vitin 1914, me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, u largua nga Shqipëria. Po atë vit mori pjesë në formimin e organizatës “Lidhja Kombëtare” në Sofje dhe u zgjodh sekretare e saj. Bashkëpunoi me veprimtarin e lëvizjes kombëtare dhe demokratike dhe para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë Themistokli Gërmenjin* (1871-1917) dhe me Kristo Anastas Dakon (1878-1941) për botimin e gazetës “Biblioteka Zëri i Shqipërisë” (1915-1916) në Sofje.

Shënim: Në vitet 1916-1917 Themistokli Gërmenji u kthye nga bullgaria në Shqipëri. organizoi forca të armatosura për ta çliruar nga pushtuesit grekë krahinën e Korçës dhe të gjithë Shqipërisë së jugut. Politikanë të huaj që mbanin qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë trilluan akuza të rreme për veprimtarinë e tij si “agjent” i austro-hungarezëve. U dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik dhe u pushkatua.

*   *   *

Në vitin 1917 Parashqevi mori pjesë në themelimin e partisë politike “Partisë Kombëtare Shqiptare” në Uorçester (ShBA). Kjo parti kombëtare shqiptare u themelua në gjirin e mërgimtarëve ekonomikë shqiptarë të atjeshëm. Vazhdoi të vepronte deri në mesin e vitit 1920. Kryetarë të kësaj partie qenë Sevasti Qiriazi-Dako dhe Kristo Dako. Partia u shpreh për mbrojtjen e pavarësisë dhe të tërësisë së tokave të shtetit shqiptar. si dhe për rishikimin e kufijve të tij.

Më 15 mars 1915 revista amerikane “The Oberlin Review” shkruan se në vitin 1913, Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike A. M. – Artium Magister apo Master of Arts.

Në vitet 1917-1920 Parashqevi qëndroi në ShBA. Në Boston Mass themeloi dhe drejtoi revistën dyjavore “Yll’i Mëngjesit”. Ajo u bë kryeredaktorja e parë femër në historinë e shtypit shqiptar. Në revistë ajo e kishte edhe rubrikën e vet “Fleta e editorit”. Në rubrikën e saj botoi një varg punimesh lidhur me arsimin dhe edukatën. Gazeta doli në vitet 1917-1920. Bashkë me Kristo Dakon, Parashqevi drejtoi shkollat e natës për mërgimtarët shqiptarë në Masaçusets të ShBA-së, në gjuhën shqipe dhe angleze.

Në vitin 1919, si delegate e Partisë Kombëtare Shqiptare të shqiptarëve të Amerikës,   mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte e vetmja delegate femër që merrte pjesë në atë konferencë. Këtu Parashqevi Qiriazi dha një ndihmesë të vyer për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Më 1921 u kthye në mëmëdhe dhe u bë një nga themelueset dhe drejtueset kryesore të Institutit Femëror “Kyrias” në Tiranë dhe Kamzë. Ky institucion punoi në vitet 1922-1933 dhe u shndërrua në një nga shkollat e mesme më serioze në Shqipëri.  

Më 13 janar 1922 revista amerikane “The Oberlin Review” përsëri shkruan se Parashqevi Qiriazi, në vitin 1913, në departamentin e arsimit të Kolegjit të Oberlinit, ka marrë gradën akademike master. 

Më 1931 Instituti Qiriazi (Kyrias) dhe motrat Parashqevia dhe Sevastia dekorohen me “Urdhrin e Skënderbeut”. Më 1933 Instituti Arsimor Qiriazi (Kyrias) mbyllet. 

Më 1943, e cilësuar si antifashiste, Parashqevi u internua nga Gestapoja dhe u dërgua në kampin e përqendrimit në Banjicë afër Beogradit. Pas mbarimit të luftës u kthye në atdhe.

  Më 1960 motrat Qiriazi u dekoruan me “Urdhrin e Lirisë”, ndërsa më 1962 u dekoruan me “Urdhrin për veprimtari patriotike”. Parashqevi Qiriazi vdiq në Tiranë në vitin 1970. Në vitin 1987 u dekorua post mortem me titullin “Mësuese e Popullit”. 

Për historinë e shkollës shqipe është me vlerë studimi i Parashqevi Qiriazit “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipërinë” (The development of schools in the Turkish Empire and an ideal system of education for Albania). Këtë tezë e mbrojti në qershor të vitit 1913 në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlinit në Ohajo (Ohio) të ShBA-së. Në vitin 1919 studimi u botua në Boston në gjuhën angleze në librin e Kristo Dakos “Albania, the master key to the Near East“ (Shqipëria, çelës i enigmës për Lindjen e Afërt), si pjesë e shtojcës E, në faqet 248-266. Ky studim, i përkthyer në shqip, ndodhet në veprën “Trashëgimi social-pedagogjike (Motrat Qiriazi)” të studiuesit të arsimit dhe pedagogut Shefik Osmani (Shkodër, 1923 – Tiranë, 2012).  

 Vepra të Parashqevi Qiriazit

– “Himni i alfabetit kombëtar” 1908;

– “Abetare – për shkollat e para” 1909, 1911, 1915;

– “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri” 1913;

– “Shkolla e vashave – Korçë“ 1913 (The School for Girl – Kortcha, Albania) 1913;

– “Një sistem shkollor për zhvillimin e arsimit në Shqipëri” 1920; 

– Përktheu dhe botoi tregimin “Evangjelina” të Henry Longfellow, 1923;

– “Shkolla e parë shqipe e vajzave“ (Kujtime) 1963;

– Në kuadër të monografisë “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit” 1972, botohet në Tiranë libri “Kujtime nga Kongresi i Manastirit” i autores Parashqevi Qiriazi. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Prof. Xhelal Zejneli:, Qiriazet

Prof. Xhelal Zejneli: Qeveria e Zaevit dhe sfida shqiptare

June 3, 2017 by dgreca

1 xhelal zenjeliProfesor, si e shihni situatën politike në hapësirat shqiptare në Ballkan?/

-Gjendja nuk është e mirë. askush nuk di të tregojë në janë shqiptarët ende në fazën e tranzicionit, apo e kanë tejkaluar atë. Midis partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, kemi një polarizim të skajshëm, si në asnjë vend tjetër të gadishullit. Udhëheqësit politikë më të lartë të Shqipërisë, si të shumicës parlamentare, ashtu edhe të opozitës, deklarojnë se në Shqipëri, që nga viti 1991 deri më sot, nuk janë mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme. Politikanë të niveleve më të larta thonë se duhet të nisin të ndërtojnë shtet, apo këto dy vitet e fundit, për herë të parë që nga viti 1991, kanë filluar të bëjnë shtet. Nga kjo del se, këta farë politikanë që sillen dhe enden me vite në skenën politike, brenda një çerek shekulli nuk paskan vepruar për të bërë shtet.

Po në Kosovë, si qëndron puna?

-Në të gjitha hapësirat shqiptare ka probleme të theksuara politike, ekonomike dhe sociale. Ka edhe papunësi të madhe. Tendenca, sidomos e të rinjve, për t’u shpërngulur për në vendet e Perëndimit, është tejet e madhe. Në anën tjetër, kemi krijimin e një shtrese oligarkësh, që në kurriz të popullit të varfëruar, janë pasuruar brenda natës.

Por, duhet shtuar se Kosova ndeshet edhe me rrezikun e synimeve ekspansioniste të Beogradit. Kosova nuk duhet të pranojë krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, as edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në dëm të vetin.

Si e vlerësoni situatën e shqiptarëve në Maqedoni?

Shqiptarët në Maqedoni, në vitin 1991 kishin një moment historik për ta zgjidhur atë që e quajmë kauzë kombëtare. Ky ishte momenti kur Maqedonia u shkëput nga amalgama jugosllave. Por, nuk ia dolën. Shqiptarët në atë kohë nuk kishin determinantë historikë as sociologjikë të mjaftueshëm për ta zgjidhur çështjen kombëtare. Me fjalë të tjera, shqiptarët në atë kohë kishin potencial politik dhe intelektual të pamjaftueshëm. Si të tillë, nuk mund të ishin në nivel të imperativit të çastit historik.

Lufta e vitit 2001 po ashtu paraqet moment historik për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Zhvillimet që pasuan, dëshmuan qartas se çështja shqiptare në Maqedoni nuk u zgjidh drejt as pas 2001-shit. Faktori politik shqiptar nuk posedonte kapacitet të duhur për të qenë në krye të detyrës historike. Një shkrimtar i njohur thotë: Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur. Si pasojë, u shua si subjekt politik.

Partia e Prosperitetit Demokratik, ndonëse tetë vjet në pushtet, nuk arriti ta lëvizë çështjen. Çështjen s’e lëvizi sa duhet as Partia Demokratike Shqiptare, e cila dy herë ishte pjesë e qeverisjes – në vitet 1998-2002 dhe 2006-2008. Si e tillë, u katandis aty ku është sot. PPD-ja dhe PDSH-ja dolën nga skena politike pa lënë gjurmë në histori. Bashkimi Demokratik për Integrim ndërkaq, si parti e pasluftës së 2001-shit, u angazhua për të sjellë ndryshime në dobi të shqiptarëve. Përkundër arritjeve të caktuara, edhe ky subjekt politik nuk ia doli që të jetë në lartësinë e çastit historik. Platforma politike apo deklarata të cilën faktori politik shqiptar ia paraqiti Gruevskit, përkatësisht Zaevit, tregon qartas se kauza shqiptare në Maqedoni nuk qenka zgjidhur as pas luftës së 2001-shit, edhe pse partitë politike shqiptare vazhdimisht kanë qenë pjesë e ekzekutivit.

A mund të flitet në këtë mes për një përgjegjësi historike?

Gjithsesi. Si pasojë e dështimit politik, PPD-ja u shua si subjekt politik, PDSH-ja ndërkaq, erdhi buzë greminës. Por, përgjegjësia më e madhe i takon BDI-së, pikërisht për disa arsye:

– e para, BDI-ja identifikohej si parti e luftës;

– e dyta, BDI-ja rregullisht e ka fituar verdiktin e popullit, d.m.th. votëbesimin e qytetarëve;

– e treta, BDI-ja ka qeverisur më së shumti: që nga viti 2002 deri në  vitin 2017, me një ndërprerje të shkurtër në vitet 2006-2008, kur PDSH-ja hyri në qeveri si humbëse.

Me fjalë të tjera, BDI-ja 14 vjet është pjesë e qeverisjes. Shqiptarët realizuan të drejta të caktuara vetëm në periudhën e viteve 2002-2005, periudhë kjo kur duhej të jetësohej Marrëveshja e Ohrit. Të jesh parti e luftës, t’i kesh pasur 19, përkatësisht 20 deputetë dhe të kesh qenë 14 vjet pjesë e qeverisë, e sot të dalësh me një deklaratë apo me një kërkesë për të drejtën e përdorimit të gjuhës, do të thotë të mos kesh qenë në lartësinë e çastit historik.

Si rrjedhojë e dështimit politik të BDI-së dolën në skenën politike edhe subjekte të reja, ndërsa mijëra shqiptarë të zhgënjyer u përcaktuan të votojnë për LSDM-në sllavo-maqedonase. Elektorati i BDI-së u përgjysmua.

Brenda këtij çerek shekulli, çështja shqiptare u përplas nga Skila në Haribdë, ndërsa kërkesat primordiale të shqiptarëve u shtruan në shtratin e Prokrustit.

Sidoqoftë, nuk duhet të jemi nihilistë dhe të themi se asgjë nuk është arritur. S’ka dyshim se ka pasur arritje të caktuara. Por, rezultatet e arritura janë në shpërpjesëtim frapant me energjitë e harxhuara të popullit dhe me pritshmëritë e tij.

Të mos harrojmë se disa të mira për shqiptarët i solli edhe koha, i solli edhe faktori politik ndërkombëtar influent, siç janë Uashingtoni dhe Brukseli.

Cili ka qenë roli i Tiranës gjatë periudhës së kaluar?

Kur është fjala për çështjen shqiptare në Maqedoni, qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina nuk kanë luajtur ndonjë rol të veçantë. Shqipëria, në konflikt me vetveten, nuk ka mundur të bëjë më shumë për shqiptarët në Maqedoni. Përveç kësaj, nuk duhet harruar se nuk jemi në kohën e të qenët Piemont. Sugjerimi i Tiranës dhe i Prishtinës për faktorin politik shqiptar në Maqedoni ka qenë: “Kërkesat tuaja zgjidhni me veprim politik dhe në rrugën demokratike në kuadër të institucioneve të sistemit, bëjuni faktor stabiliteti dhe jini konstruktivë, në funksion të paqes dhe të stabilitetit të Maqedonisë e të rajonit”. Ky farë sugjerimi, i përsëritur gjatë çdo krize në rajon, u shndërrua në një klishe banale dhe të pavlerë.

Si ndodhi kriza politike në Maqedini?

Krizën politike në Maqedoni e shkaktoi VMRO-ja dhe udhëheqja e saj, në krye me Nikolla Gruevskin. Kriza ishte pasojë:

– e ideologjisë nacional-romantike, anakronike, retrograde dhe antihistorike të VMRO-së;

– e politikës antishqiptare, antidemokratike, antiperëndimore dhe proruse të VMRO-së;

– e qeverisjes autoritare dhe autokratike të Gruevskit;

– e thellimit të konfliktit me vendet fqinje;

– e shtrembërimit të historisë, për të sajuar një komb të paqenë;

– e korrupsionit përmasash galaktike;

– e politikës populiste;

– e politizimit dhe e partizimit të skajshëm të institucioneve të sistemit.

VMRO-ja ka qenë dhe poqe se nuk do të reformohet, do të vazhdojë të jetë një parti skajshmërisht antishqiptare, BDI-ja ndërkaq, ka qenë partnere e saj 10-vjeçare e bashkëqeverisjes. Duke qenë se VMRO-ja është shkaktare e krizës politike, është e pamundur që ortaku dhe kompanjoni i saj – BDI-ja, të mbete e pafajshme. Është e pamundur që të bashkëpunosh e të bashkëveprosh me djallin, me Mefistofelin dhe të mbetesh i papërlyer, madje të hiqesh edhe engjëll.

Cili ishte roli i shqiptarëve në këtë krizë?

Pjesë e krizës së thellë politike, si partnere e bashkëqeverisjes, është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Ky subjekt politik, me VMRO-në e  sipërthënë, ka bashkëqeverisur që nga viti 2008 deri më sot, d.m.th. gati një dekadë. Gjatë kësaj periudhe, BDI-ja asnjëherë:

– nuk shkaktoi krizë qeveritare;

– nuk u largua nga qeveria;

– nuk e prishi koalicionin me partnerin e qeverisjes;

– nuk i tërhoq deputetët nga Kuvendi i RM-së;

– nuk shkaktoi krizë politike.

Bashkimi Demokratik për Integrim, duke qeverisur bashkë me VMRO-në gati një dekadë, është përgjegjëse e drejtpërdrejtë e krizës politike dhe një prej shkaktarëve të saj. Gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit, BDI-ja ishte në pozitë inferiore. Disa nga ministrat e BDI-së, që nga viti 2008  e këndej, ishin vasalë të qeverisë së Gruevskit, ishin instrumente të memece në dobi të ideologjisë së VMRO-së. Dhe sot, në vend që BDI-ja të ishte në margjinat e politikës dhe të mbante përgjegjësi historike për atrofizimin e çështjes shqiptare, ajo, në saje të mungesës së një opozite politike shqiptare të mirëfilltë, vazhdon të jetë në skenë, madje si një faktor relevant.

Udhëheqës i lartë të BDI-së, njëherazi dhe funksionar i lartë i shtetit, boton artikuj kundër qeverisë, pjesë e së cilës është vetë partia e tij. Çfarë paradoksi!! Udhëheqës i lartë i BDI-së, njëherazi dhe pushtetar i nivelit më të lartë, del e deklaron sesi ndihet i lumtur, për arsye se sot – pas dhjetë vjet bashkëqeverisjeje me VMRO-në e Gruevskit – më në fund ia paskësh dalë të zërë anën e duhur, d.m.th. anën e Zaevit. A s’është vallë kjo, kulmi i hipokrizisë, i demagogjisë dhe i djallëzisë?!

Këta të BDI-së çohen e thonë sot se do ta implementojnë Marrëveshjen e Ohrit. Nga kjo rezulton se Marrëveshja e Ohrit e cila duhej të jetësohej qysh në vitin 2004, ende nuk qenkësh implementuar. Që atëherë kanë kaluar 13 vjet, e ajo paska mbetur pa u realizuar. Atëherë shtrohet pyetja: Ç’ka bërë BDI-ja gjatë këtyre 13 viteve në qeveri, që s’e paska implementuar atë?!    

Në periudhën e viteve 2008-2017, me BDI-në në qeveri, shqiptarët shënuan, jo vetëm ngecje, por edhe kthim prapa. Të rinjtë e kësaj periudhe mund të quhen The Lost Generation  (brezi i humbur), i pashpresë, i gatshëm për t’u shpërngulur.

Ç’mund të thoni për dimensionin ekonomik të problemit?

 Në periudhën për të cilën flasim, pjesët veriperëndimore të Maqedonisë të banuara me shqiptarë, shënojnë një ngecje ekonomike frikësuese dhe drithëruese. Në vend të zonave të lira ekonomike, nëpër qytezat shqiptare vërshuan kazinotë. Qytetet shqiptare u devitalizuan, pësuan erozion, u shndërruan në qyteza, kasaba dhe varosh. Të gjitha investimet kapitale u orientuan në pjesën lindore të Maqedonisë.

 Cili ka qenë roli i inteligjencies shqiptare gjatë periudhës së kaluar?

Inteligjencia shqiptare në Maqedoni, aq sa mund të flitet për ekzistimin e saj në kuptimin e mirëfilltë, gjatë tërë periudhës së pluralizmit ka qenë kryesisht një inteligjencie në shërbim të partive politike, për interesa personalë meskinë. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një inteligjencie thellësisht oportuniste dhe konformiste, me qëndrime demagogjike, për të mos thënë, edhe me veprime poltronike.

Po roli i mediumeve gjatë kësaj periudhe?

Mediumet shqiptare në Maqedoni gjatë periudhës së pluralizmit politik dhe ideologjik, kanë qenë instrumente të verbëta të faktorit politik, d.m.th. të partive politike, të shtetit, të pushtetit dhe të qeverive. Kanë qenë në shërbim të politikës ditore dhe të qendrave të caktuara. Në Maqedoni nuk mund të flitet për mediume shqiptare profesionale, investiguese dhe të pavarura. Të pakta janë mediumet shqiptare që kanë një politikë redaktuese profesionale dhe të paanshme.    

Ç’mund të thoni për rolin e analistëve politikë dhe të opinionbërësve?

Atë që thashë për mediumet, mutatis mutandis vlen edhe për të ashtuquajturit analistë politikë. Analistët politikë shqiptarë dhe të tillët që e marrin veten për krijues opinionesh, nuk janë veçse instrumente të verbëta të politikës ditore, për interesa personalë meskinë. Ata kanë qenë dhe janë marionetë në duart e partive politike, e sidomos të atyre në pushtet, kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë shërbëtorë të shtetit dhe të qendrave nga më të ndryshmet. Pjesa më e madhe e këtyre farë analistëve politikë që për çdo ditë i ke në televizor, janë të zhveshur nga çdo ideologji kombëtare shqiptare. Madje midis tyre ka edhe të tillë që zotimin rreth idesë kombëtare e konsiderojnë anakronizëm. Progresive për ta është multikultura si dhe koncepti qytetar i ndërtimit të shtetit, ani pse me dominimin e plotë sllavo-maqedonas dhe sllavo-bizantin.

Çfarë analisti politik mund të jetë një person i cili ka qenë 2-3 mandate deputet dhe gjatë qëndrimit në parlament, çështjen shqiptare s’e ka lëvizur nga vendi, ndërsa sot del në debate dhe tregon se ç’duhet bërë. Çfarë debatuesi apo analisti mund të jetë  një ministër apo zëvendëskryeministër shqiptar i cili del e tregon sesi duhet punuar, ndërsa kur vetë ai ka qenë organin ekzekutiv, për shqiptarët ka bërë shumë pak, për të mos thënë fare.

Përgjegjës për mosrealizimin e kërkesave të shqiptarëve apo për zvarritjen pafund të tyre, nuk është vetëm faktori politik por edhe inteligjencia oportuniste, mediumet e kontrolluara si dhe analistët mercenarë.

Si e shihni VMRO-në sot e tutje?

Për të shpëtuar nga honi ku është katandisur, VMR)-ja duhet të riorganizohet dhe të reformohet, duhet të heqë dorë nga ideologjia e vjetruar e nacional-romantizmitdhe të orientohet qartas për integrim në strukturat politike, ekonomike dhe ushtarake të Perëndimit, d.m.th. në BE dhe në organizmin transtlantik.

Si i shihni partitë politike shqiptare sot?

Në momentin e pikërishëm, faktori politik shqiptar është totalisht i dekonsoliduar. BDI-ja, prej 19 deputetëve, përkatësisht prej 20 sish, ra në dhjetë, d.m.th. u përgjysmua. Opozita politike shqiptare ndërkaq, ka një ndikim të kufizuar dhe të parëndësishëm. Me fjalë të tjera, shqiptarët në Maqedoni sot, nuk kanë as shumicë parlamentare të mirëfilltë, as edhe opozitë të njëmendët.

Faktori shqiptar në Maqedoni nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë më shumë se dy parti politike. Opozitës së deridjeshme shqiptare i duhej dhe i duhet edhe sot – të bashkohet dhe ky bashkim duhet të bëhet mbi bazën e ideologjisë kombëtare, të vlerave perëndimore dhe të orientimit euroatlantik. Me fjalë të tjera, Lëvizja BESA, LR-PDSH-ja, RDK-ja, PDSH-ja dhe Uniteti duhet të krijojnë subjekt politik unik, si mundësi e vetme për të krijuar një baraspeshë ndaj BDI-së. Vice versa BDI-ja – meqë është në pushtet – ka gjasa ta rikthejë shtrirjen e vet dhe ndikimin e dikurshëm.

Ç’mund të thoni për qeverinë e Zaevit?

Qeveria e Zaevit do të jetë shumëfish më e mirë se qeveritë e deritanishme të koalicionit VMRO – BDI. Në aspektin ekonomik dhe social, pritet të jetë më mirë për të gjithë qytetarët e këtij vendi, për arsye se paratë e shtetit dhe të tatimpaguesve nuk do të shkojnë më për ndërtimin e përmendoreve pa kokë apo të Shkupit 2014.

Cilat çështje duhet të jenë prioritete të qeverisë së Zaevit, e që kanë të bëjnë me interesin shqiptar?

 – t’i plotësojë për një, të gjitha kërkesat e faktorit politik shqiptar të paraqitura në formën e një platforme apo të një deklarate politike;

– të përfshijë në historinë e Republikës së Maqedonisë, luftën e 2001-shit, si luftë e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të mbështetur nga populli shqiptar;

– të zgjidhë statusin e dëshmorëve të luftës së 2001-shit – ushtarë të UÇK-së;

– të zgjidhë statusin e invalidëve të luftës së 2001-shit, që luftuan në radhët e UÇK-së;

– t’u krijojë rrethana normale organeve të drejtësisë, në mënyrë që nga burgjet sllavo-maqedonase të lirohen të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë;

– t’u mundësohet organeve të gjyqësisë që t’i rishqyrtojnë drejt dhe në mënyrë objektive, rastet si: i Sopotit, i Brodecit, i Monstrës, në mënyrë që shqiptarët e dënuar në këto procese të montuara, të lirohen sa më pare, ndërsa të dënuarve të pafajshëm t’u paguhet dëmshpërblim;

– të zbardhet tragjedia e Kumanovës, ndërsa individët e pafajshëm të lirohen sa më parë.

Po në aspektin ekonomik ç’do të duhej të bënte Zaevi?

 Qeveria e re, investimet kapitale do të duhej t’i orientonte në pjesën veriperëndimore të këtij vendi, me qëllim të revitalizimit të saj.

Po cilat janë mundësitë e integrimit të Maqedonisë në BE dhe në NATO?

 Qeveria e re, e përbërë nga BDI-ja, nga Aleanca për Shqiptarët si dhe nga LSDM-ja e kanë si detyrë mbi detyra që brenda këtij mandati ta integrojnë Maqedoninë në strukturat transatlantike. Hyrja e Maqedonisë nën ombrellën e NATO-s dhe të BE-së, është kryeinteres i shqiptarëve, por edhe i sllavo-maqedonasve. Kjo do të ngjallte shpresë, do t’i çelte rinisë së këtij vendi perspektiva të reja dhe do të parandalonte penetrimin e Rusisë në gadishull. Po qe se Maqedonia nuk mund të hyjë në BE as me shkurtesën IRJM, atëherë, për ta ndërruar emrin e shtetit, duhet të arrihet një konsenzus në tërë spektrin politik të këtij vendi, përfshi edhe VMRO-në. Konsenzusi i spektrit politik do të lehtësonte mbase edhe organizimin e një referendumi gjithëpopullor.

Cili është qëndrimi i ndërkombëtarëve sot?

 Gjatë dy viteve të krizës politike në Maqedoni, qëllimi parësor i qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes ka qenë tejkalimi i krizës, zgjidhja e saj dhe stabilizimi i shtetit. Me fjalë të tjera, kërkesat e shqiptarëve nuk janë preokupim parësor i tyre. Ata i thonë faktorit shqiptar që të hyjë në sistem dhe kërkesat që kanë të bëjnë me interesin shqiptar, t’i artikulojnë në kuadër të institucioneve të sistemit. Këtë e kanë kërkuar prej shqiptarëve gjatë tërë periudhës së pluralizmit, pra që nga viti 1991 e këndej.

Ç’mund të veçoni si arritje më të madhe të shqiptarëve gjatë periudhës së kaluar të veprimit politik?

Krijimin e vargut të komunave me shumicë shqiptare që nga Struga deri në Likovë si dhe themelimin dhe zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës.

 Po nga qeverisja e Gruevskit?

 Njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila sot njihet nga 114 shtete të botës.

Ç’do të ndodhë me statusin politik të shqiptarëve?

Koncepti i LSDM-së së “reformuar” është ai i krijimit të shtetit qytetar. Ky koncept mbi shtetin është i dëmshëm për shqiptarët dhe si i tillë, duhet të hedhet poshtë, të refuzohet. Koncepti i shoqërisë multietnike dhe multikulturore, nuk është gjë tjetër pos njëfarë imitimi i vëllazërim-bashkimit të Josip Broz Titos. Maqedonia mund të ekzistojë si vend stabil dhe demokratik, vetëm si shtet dyetnik, shqiptaro-sllavomaqedonas.

Shqiptarët duhet të jenë trashëgues të shtetësisë dhe mbartës të shtetësisë, pikërisht mbi bazën e tre argumenteve:

– argumentit historik, që nënkupton faktin se shqiptarët në këto troje, d.m.th. në veriperëndim të këtij vendi, janë popull autokton;

– argumentit të bashkëkohësisë, që nënkupton faktin se shqiptarët në Maqedoni paraqesin potencial demografik, social, intelektual, politik, ekonomik, prodhues dhe mbrojtës;

– argumentit hipotetik, që do të thotë se shqiptarët në Maqedoni, midis konfliktit dhe paqes, janë përcaktuar për paqe dhe stabilitet.

Pothuajse të gjitha kërkesat e përfshira në platformën apo në deklaratën politike të faktorit politik shqiptar, parashikohen edhe në Marrëveshjen e Ohrit. Me rëndësi është që ajo, d.m.th. Marrëveshja e Ohrit të rikthehet në interpretimin autentik të saj dhe jo në interpretimin e shtrembëruar dhe të njëanshëm. 

  • E Dergoi per Diellin,Xhelal Zejneli- INTERVISTËN PËR TETOVA NEWS E ZHVILLOI ENVER NEZIRI, më 02.06.2017

Filed Under: Interviste Tagged With: dhe sfida shqiptare, Prof. Xhelal Zejneli:, Qeveria e Zaevit

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT