• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çun Lajçi, një artist i merituar-Merr pjesë Kryeministri Haradinaj

September 30, 2017 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj mori pjesë në përurimin e librit “Përgjërim e fjalë”, të autorit Çun Lajçi/

1 Cuni

PRISHTINË, 29 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/

2 Haradinaj Thaci

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në përurimin e librit “Përgjërim e fjalë”, të autorit Çun Lajçi.Kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë këtë përmbledhje poezish, duke e quajtur artist të merituar aktorin dhe poetin Lajçi.  “Te Çuni e shoh një artist të merituar, por që jeta e ka sfiduar shumë. Si pjesëtar i një populli të vuajtur, por që nuk është dorëzuar, Çunin e shoh edhe si luftëtarë që me armët e veta lufton dhe nuk e ndalë luftën për temat që i ka të vetat, i ka të popullit të vet, të bindjeve të veta”, tha kryeministri Haradinaj.Duke përgëzuar autorin Lajçi për këtë vepër, kryeministri Haradinaj tha se ai e ka pasuruar kombin dhe Kosovën me vlerat artistike dhe me qasjen e tij ndaj artit skenik.Para të pranishmëve, për librin e Çun Lajçit, folën edhe Besnik Mustafaj, shkrimtarët Jonuz Fetahaj, Abdullah Zeneli, ish-ambasadori Islam Lauka. Në fund aktori dhe poeti Lajçi i ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje./b.j/

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Cun Lajci, Haradinaj, promovim

Promovim libri ne Durres

December 29, 2016 by dgreca

-Ing.Garori prezanton librin më të ri: Anijet, njohuri mbi konstruksionet e tyre/

1-durres-promo-Dhjetra marinarë dhe qytetarë durrsakë mirëpresin botimet e librave për detin/

Nga Shefqet Kërcelli/

Dhjetra marinarë dhe qytetarë durrsakë u mblodhën mbrëmjen e datës 27 dhjetor 2016 në sallën “Odeon” të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, për të promovuar librin më të ri të inxhinjerit Albert Garori, “Anijet, njohuri mbi konstruksionet e tyre”. Fillimisht mbas urimit të mirëseardhjes, pjesmarrësit nën kujdesin e mjeshtrit televiziv, Astrit Tahiri, u njohën me një dokumentar të shkurtër që pasqyronte sakrificat dhe profesionalizmin e detarëve tanë gjatë  lundrimeve të kryera më anijet e transportit në vitet 1965-1970.  Më pas inxhinjer Todi Sota, specialist në Regjistrin Detar Shqiptar, bëri një përmbledhje të zgjeruar mbi përmbajtjen e librit në fjalë, duke evidentuar vlerat teknike dhe profesionale që bart ky botim. “Ky libër është vazhdim i botimeve, artikujve dhe kontributeve të mëparëshme në fushën e detarisë të Ing.Garorit, ku spikasin: “Montimi dhe kontrolli i bazamenteve të motorave në anije”, shkrime në revistën “Transporti”, mbi problemet e defekteve në ciftin aks-elike të anijeve, të cilat kulmuan me botimin e librit “Anijet detare” në vitin 2005, theksoi inxhinjer Sota. Libri është konceptuar në 16 kapituj, ku trajtohen teknikisht cështjet e konstruksionit të anijeve, kontrollet që ushtrohen mbi to gjatë dokimit dhe riparimit, përcaktimi i defekteve dhe mënyra e eleminimit të tyre, ndërtimi dhe përmasat kontrolluese të kicit të anijes, valvolat jashtë bordit, elikat e anijeve,{kontrolli, defektet dhe riparimi i tyre}, timoni i anijes, spiranca, fenomeni i osmozit në skafet plastike dhe disa njohuri për anijet me vela. Në recensën e tij, ing.Sota theksoi dhe vlerat e emërtimit në anglisht të pjesëve kryesore të anijeve, një terminologji e cila ilustrohet me figura dhe tregues përkatës. Aspekti konceptual dhe formativ i librit krijojnë një bazë të fuqishme, nga e cila të interesuarit në këtë sektor mund të orientohen për thellimin e njohurive të tyre  rreth konstruksionit, dëmtimeve, riparimeve dhe njohurive të reja, tha zoti Sota. Në vijim, rreth rëndësisë dhe vlerave të librit, diskutuan dhe inxhinjerët Llambi Huta e Fatmir Dragu, si dhe kapiten Enver Gucija dhe miq të autorit. Specialistët detarë evidentuan njohuritë themelore që jep ky libër në fushën e konstruksioneve detare, shërbimeve dhe riparimeve në kohë të tyre. Ndërkohë ata e etiketuan librin si një manual të cmuar që duhet të zerë vendin e tij, jo vetëm në bibliotekën e ekspertëve të fushës, por dhe të studentëve, punëtorëve, ekuipazheve të anijeve dhe të gjithë subjekteve shtetërore e private, që janë të përfshirë në veprimtarinë detare. Më konkretisht, studentëve që studjojnë në degën e detarisë apo menaxhim portesh, për njohuritë që i duhen në lidhje me konstruksionet e anijeve; ekuipazheve të anijeve mbi veprimet e shumta teknike që kryejnë në anije; pronarëve të mjeteve detare, të cilëve i duhen njohuritë bazë në lidhje me menaxhimin, mirmbajtjen dhe përdorimin e mjeteve të vogla detare. Gjithashtu ing.Famir Dragu, mbasi evidentoi rëndësinë tekniko-profesionale të librit për subjektet arsimore dhe instititucionet tona detare, theksoi rolin që duhen te kenë këto studime në të ardhmen e detarisë dhe anijendërtimit të vendit tonë. Diskutantët, dashamirësit dhe miqtë e këtij promocioni i uruan shëndet e suksese të mëtejshme ing.Garorit, njëherësh shprehën dëshirën dhe kënaqësinë që inxhinjeri të vazhdojë krijimtarinë e tij, për t’ja përcjellë brezave të detarëve shqiptarë eksperiencën e tij. Në vijim të aktivitetit zoti Garori, mbasi falenderoi të pranishmit, Drejtorin e Rregjistrit Detar, zotin Emiljan Jani dhe kolegët e tij, nënvizoi se, këtë libër ja kam dedikuar detarëve shqiptarë, të cilët me punën e tyre mbajnë gjallë traditën tonë detare. Inxhinjer Alberti e quan veten me fat, që shërben në sektorin e detarisë për mëse 40 vjet, ndaj jam borxhli që njohuritë e fituara t’ja trashëgoj brezve që vijnë, një detyrim që e ka secili që punon në këtë fushë. Jam përpjekur që të shkruaj dicka teknike që tu shërbejë personave që shërbejnë dhe studjojnë degën e bukur të detarisë, si në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, ashtu dhe “Aleksandër Moisiu” Durrës, theksoi zoti Garori. Në fund të pranishmit shkëmbyen mendime dhe diskutuan për librin, detarinë shqiptare dhe problematikën që ajo bart në ditët e sotme gjatë koktejlit të organizuar në hollin e pallatit “Aleksandër Moisiu”. Duke marrë shkas nga këta njerëz profesionistë, specialistë të anijeve e legjislacionit detar, punëtorë e të përkushtuar për ti dhënë dicka vendit dhe në këtë fushë, dhe unë si autor i këtyre rreshtave nxorra një mësim, duhet të vazhdoj të shkruaj historinë e këtyre mëndjeve e duarve të ndritura, që mbajnë gjallë dhe trashëgojnë vlerat më të mira të detarëve shqiptarë, pra dhe një vëllim tjetër të “Antologjisë së Detarisë”. E meritojnë! Ndaj parangalli që më ka ngecur në faqen 1000 të kompjuterit, duhet të lëvizë për një vëllim tjetër të detarëve shqiptarë gjatë vitit 2017.

Sigurisht një nga personazhet e librit të ri është inxhinjeri dhe studjuesi i talentuar Albert Garori, me një përvojë 45 vjecare në fushën e detarisë, specialist në Regjistrin tonë detar, përfaqësues teknik i Regjistrit britanik {Lloyd Register} në Shqipëri, autor i tre librave dhe dhjetra artikujve në fushën e detarisë, qytetar i thjeshtë durrsak, specialist virtuoz dhe këmbëngulës, që po i përcjell gjeneratave të reja vlerat e praktikat më të mira të detarisë shqiptare.

Inxhinjer Alberti! Natyrisht në këto ditë fundviti të shkon përshtat urimi:

Punë të mbarë inxhinjer, shëndet e lumturi në familje, mbarësi e krijimtari në Vitin e Ri 2017!

Filed Under: Kulture Tagged With: në Durrës, promovim, Shefqet Kercelli

DËSHMOR I KOMBIT….„VDEKJA E NJË NATE„

December 2, 2016 by dgreca

„VDEKJA  E  NJË  NATE„/

2-libri1-deshmori1-libri5-libri-deshmori

  Autori: DR. FAHREDIN  SH. HOTI-(DËSHMOR I  KOMBIT)/ Biblioteka Kombëtare e Kosovës „Pjetër Bogdani“  Prishtinë, 24  nëntor 2016/

1-fahredin-hoti46-libri6-vdekja-e-nej-nate

Promovimi i librit me poezi/

Në vigjilje të 63-vjetorit të lindjes së dëshmorit dr. Fahredin Hoti, në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, u promovua librit i poetit dëshmor, mjekut liridashës, dëshmorit të kombit dr. Fahredin Hotit me titullin “Vdekja e një nate”.Ku takim me familjarët, miq, shokët, bashkëpuntorët e dr. Fahredin Hotit ishte komunikim me shpirtin e dëshmorit, i cili e shkriu shpirtin poetik në vargje, duke na bërë të ditur sa shumë ishte i përkushtuar për vendin e tij. Nën moderimin e Alketa Gashi-Fazliu, të parnishëmve ju drejtuar profesori Bedri Dula, i cili ishte dhe recensenti i librit, i cili me durim dhe përkushtim është marrë me mbledhjen dhe renditjen e krijimeve poetik të dëshmorit-poet dr. Fahredin Hotit.

Nga Bedri Dula: SHPIRTI I POETIT JETON NË POEZI/

Nëse nuk dëshiron që të humbasin gjurmët e kohës, krijo artin poetik, nëse po ashtu do të jetosh i përjetshëm në historinë e popullit tënd, lufto për arritjen e lirisë, e nëse është e nevojshme edhe vdis për idealet e lirisë. Poezitë që po dalin në dritën e botimit në një përmbledhje të bukur poetike të Dr. Fahredin Hotit,“VDEKJA E NJË NATE” shprehin qartë se, poeti deshmor, la pas vetes pavdekësinë, ngase e plotësoi me ndërgjegje të lartë obligimin kombëtar e atdhetar në luftë për lirinë e atdheut.Por, la edhe gjurmët e shpirtit poetik të paraqitura me ndjenjatë  fuqishme në poezitë që po jepen si buçetë porosishë,  që shtegtojnë në horizontin e artit, duke na dhënë mesazhin se shpirti poetik jeton në poezi.

Metafora e përmbledhjes “Vdekja e një nate” e dr. Fahredin Hotit, shpeh shumë pastër, se poeti dëshmor në mënyrë figurative paralajmëron vdekjen e sigurt të regjimit serbo-komunist. Poeti lirinë e paralajmëron në poezinë, “Vdekja e një nate” me vargjet:

“ky zë hareshëm më lajmëroi

Ej, zgjohu e shiko

vdekjen edhe të një nate”

Poeti dëshmor, ndonëse poezitë i ka shkruar në një periudhë të hershme, rreth viteve 1970-1980, kohë kjo që ishte shumë e vështirë për poetin dhe popullin e tij, sepse ndenjat ishin shumë të forta dhe gjuha e rëndë për shijen e kohës në të cilën, bishat e egra të Karpateve dhe servilëve ishin shumë të ashpra. Poeti gjurmoi brenda vetes udhën e poezisë, provoi disa variante.Por, si duket profesioni i mjekut ishte ai që poetin e shtyu të merret me atë veprimtari, të cilës nuk iu nda deri sa në luftën për çlirimin e Kosovës dha edhe jetën heroikisht në shërbim të popullit në detyrë, si mjek e luftëtar i lirisë.

Në poezinë e tij shihet shumë qartë shqetësimi dhe  preokupimi për popullin dhe atdheun, që janë shprehur shumë rrjedhshëm në vargun e tij poetik.

Poezia  e Dr. Fahredin Hotit është e qetë, me një frymë lirike dhe e shprehur me emocion të fuqishëm, herë – herë shpërthyeshëm e në disa raste mjaft  arsyeshëm dhe stabile, por kurrë me patetizëm. Prandaj, poezitë e tij janë shumë të qëndrueshme në kohë dhe hapësirë, ngase sjellin një refleksion poetik të lehtë për të gjitha nivelet e lexuesve.

Në poezitë e Dr. Fahredin Hotit dominojnë motivet patriotike, sociale dhe motivet e një dashurie intime, të shprehura me figura e simbole, siç mund të shohim tek poezia

“Ma falë”, ku shprehet:

“Ma fal një buzëqeshje

t’i shuaj dhembjet e shpirtit”

Po ashtu, edhe te poezia tjetër, “Fati i dashurisë”, ku poeti shprehet, “shtegtoj si mysafir i kësaj toke”, ku poeti e shpreh dashurinë intime, por duke i shprehur edhe ndjenjat e tij të frikës, se nuk do të ishte i lirë për një gjë të tillë, ngase nevoja për lirinë e atdheut i’a rrembente kohën e artë për t’ia kushtuar popullit të tij, për ta zgjuar nga robëria, siç shprehet poeti në poezinë

“Shkrova”,  në vargun simbolik:

“Yjet t’i zgjoj nga heshtja”

Poeti këtu shpreh besimin tek popullii tij se ka njerëz të ndritur, por që u duhet guximi dhe ky ishte refleksioni i poetit, që përmes vargut poetik t’ju jepte forcën e duhur njerëzve.

Poeti dëshmor dr. Fahredin Hoti, duket se me kohë ishte i bindur se pushtuesi nuk e ka të gjatë jetën në këto troje, por që shporrjen e tij nga këtu e shihte përmes grykës se pushkës, gjë që shprehet qartë në poezinë me titull: “Aromë e kësaj toke”, ku shprehet:

“Lulet e mia sa thithën aromën e tokës

më duhet prapë krisma e pushkës”

Po në këtë frymë poeti i shpreh ndjenjat e tij se fati i popullit, edhe një herë duhet të kalojë nëpër zjarrin e luftës, ngase udha e lirisë për popullin shqiptar është e gjatë dhe e vështirë, prandaj poeti fuqishëm në poezinë e tij “Këtu” shprehet përmes vargut:

“Këtu me gjak ma shtruan udhën”,

Vërtetë udhët e lirisë se popullit shqiptar janë të hapura vetëm përmes grykës së pushkës dhe gjakut të derdhur nga atdhetarët më të devotshëm. Shikuar nga ky aspekt poezitë e Dr. Fahredin Hotit është e lehtë për t’i kuptuar, sepse poeti dëshmor ishte i përgatitur dhe i pjekur për kohë lufte dhe për një rënie të ndershme, çka edhe e dëshmoi me flijimin e tij, në pranverën e vitit 1999.

Se poetët e duan, po aq sa edhe të tjerët atdheun, dëshmojnë edhe poezitë për vendlindjen,që dr. Fahredin Hoti i thur me aq pasion poetik. Ai e shijonte me afsh atdhetar çdo ndryshim të vendlindjes së tij.Këtë ai e shprehu me forcë të jashtëzakonshme dashurinë ndaj bukurive natyrore dhe kur mungonte për ndonjë kohë ndjente mallë të fuqishëm. Vendlindja në shpirtin e tij ishte diçka e shenjtë, si gëzimi ashtu edhe pikëllimi kishin kuptim, ngase ai aty e ndjente veten më të fuqishëm, për ta përballuar edhe më të keqen, prandaj në poezinë e tij me titull “Për ty vendlindje”,  poeti shprehet

“Gëzimi e pikëllimi shënojnë rritën time”.

Poeti përmes poezisë shpreh edhe e mban gjithnjë të fuqishme ndjenjën e shpresës. Ëndrra për një të ardhme në liri dhe të lumtur, nuk venitet asnjëherë. Pra,nuk përfundon kurrë, sepse ai ka besim të madh në forcën intelektuale, në gjeneratën e re që po krijohej, në revolucionin shpirtëror të viteve ‘80, gjeneratë që ishte e gatshme dhe e përgatitur për t’i dhënë frytet e mbledhura nga idealet e rilindasve. Nga këto ideale ishte i ndikuar fuqishëm edhe poeti dëshmor Dr. Fahredin Hoti.

Poeti e sheh me besim të madh rritën e rinisë, një rini e rritur nën kthetrat e robërisë që është e kalitur të përballojë çdo stuhi të kohës, prandaj poeti në poezinë,  “Rini” pohonpjekurinë e kësaj rinie, siç thotë ai në vargun,“Rinove jetën në errësirën e djajve”.

Poeti dëshmor Dr. Fahredin Hoti, përmes vargjeve poetike, vjen edhe më fuqishëm, në kujtesën e popullit të tij që i’a kushtoi jetën dhe veprën.Përmes këtyre vargjeve poeti la gjurmët e tij, duke sjellë dritë në shpirtin e brezave që do të rriten në liri, për të cilën liri poeti kontribuoi edhe me pushkë edhe me penë. Kjo është forca e poetit. Poetët me forcën e shpirtit i’a ngritin vetes përmendoren e pavdekësisë, me kurorën e bukur të shprehur në vargjet e bukura artistike.

Një vështrim kritik të përmbledhjes me poezi “Vdekja e një nate” e prezentojë poetesha Selvete Abdullahu

“Kur shpirti i një luftëtari lëngon në dritën e poezisë”

Të shkruash për personalitetin e Dr.Fahredin Hotit të vin në mendje dy gjëra: cilësitë e formuara të një intelektuali dhe karakteri i fortë prej një humanisti dhe sfiduesi. Një njeri që vuatjet i shëndrron në këngë  e dashuri të shpirtit ky është vet autori tashmë i ndjerë Dr.Fahredin Hoti. Ky njeri shumë dimensional sot frymon në mesin tonë me vargjet e lira të cilat përveç ndjesisë së krijuar në këtë mes kanë sjellë dritë, diell e dashuri. Sot këto vargje kanë sjellë paqe dhe bekim.

Meqenëse e kaluara historike kullonte plagë të cilat rrehnin njeriun si shkëmbi në vet natyrën e autorit shihej e tillë duke thënë: Me shekuj u përgjakë balta dhe kjo përgjakje sikur i jep të drejtë autorit të ndjejë erën e gjakut edhe në supet e tij. Ai ishte i bindur se vetëm lufta do të sillte lirinë e vendit ndaj ndjente erën e saj.

Çdo pjesë që autori i kushton atdheut në fokus të vaçant shpreh parandjenjën e tij se vetëm pushka kundrejtë armikut do të sillte lirin e vëndit. Mbi të gjitha këto gjurmë gjaku autori pret ditën e gëzimit, ditën kur ai do të buzëqeshte në harmoni me natyrën. Pra,siç shprehet: Prita fatin të më gëzojë….

Poezinë e Dr.Fahredin Hotit e karakterizon llojë-llojshmëria e motiveve. Duke u nisur në atë se gjuha është mjetë esencial komunikativ që lidh njerëzitë në mes vete në shkëmbim idesh, mendimesh e bashkëpunimesh dhe këto lidhje mund të jenë të ndryshme dhe poashtu jo gjithëherë të mira dhe harmonike, por shtrohet pyetja: si e sheh autori këtë aspekt?

Autori e shpreh shpirtin e tij të madh e njerëzor kur i jep peshë fjalës dhe ate gjithnjë në kontest pozitiv ku thotë: Fjala e ëmbël si mjaltë

                       Fjala shpreh bukurinë

                      Fjala ndjenjë dashurie

Me fjalën e tij në kuptimin e mirë dhe të lartë ne e kuptojmë se autori e sheh botën përmes ndjenjave fisnike të afilacionit, altruizmit  dhe bashkimit. Ndjesia që të krijon poezia e Dr.Fahredin Hotit nuk është ndjesi sipërfaqësore, por ajo futet thellë në lëkurën tonë kur ne jemi afër vargjeve të tij, afër natyrës së tij, diellit e hënës së tij, shiut të bekuar të tij. Një shpirt harmonik prej intelektuali, poeti e dëshmori nuk mund të ishte ndryshe pos një korelacion i fuqishëm sensacional.

Në anën tjetër si çdo njeri edhe autori ka çaste ku e kaplon vetmia duke thënë:

                        Si një parandil i vatrës së shuar

                         Iu luta engjëjve të natës

                         Të më sjellin vetëm pak dashuri

                         Para se në heshtje të më mbyt vetmia

Ky libër poetik megjithëse lexohet me një frymë është një gjetje poetike e jashtëzakonshme që të fal kënaqësin e leximit.

Në poezinë “Toka jonë”autori përveç dashuris për tokën sheh edhe elementin e ndërveprimit të ngritjes njerëzore ku në këtë rast bënë ndërlidhje konkrete.

                           Toka ime,ti që shumë kohë heshte

                           Sot të putha

                            Sot të deshta më shumë se çdo herë

                            Më ngrite, o toka jonë

Unë mendoj se sot me këtë vepër poetike është ngritur dëshmori i kombit Dr.Fahredin Hoti.Sot toka e ka ngritur ate në piedestalin më të lartë ashtu siç e ka parandjerë vet ai dikur.

Pyes: Si mund të përfundojnë shpresat e një intelektuali kur ai ishte gjithënjë në kërkim të dijes dhe ngritjes në të gjitha aspektet?

Prandaj, vazhdoi me iden  dhe punën e azhuriteteve të reja me ëndërrat që nuk përfundojnë.

                             Etja për dituri

                             Shpërthen si vullkan

Çfarë mund të thuhet më tepër për motivacionin e një intelektuali kur flet vet vargu dhe fuqia e tij.Ndjenja të qeta,kalorike pasqyrohen me një ritëm të duar-duarshëm me fatin e dashurisë ku autori mundohet të paraqet rrugëtimin e tij përmes vargjeve.Dashuri identike rezervon edhe për atdheun në të njëjtën kohë të  mbushur plotë shpresë.

Përcepcionet e çarta dhe kognitive të autorit bëjnë të mundur lehtësimin e vargjeve duke vë në pah tek lexuesi anën e butë shpirtërore të tij, gëzimin, bukurinë, gjallërin, vrullin, sfidën, ambicien, dashurinë gjithëpërfshirëse dhe laramanin e Universit. Mesazhi  që përcjell autori është mjaftë kuptimplotë dhe shpresëdhënës.

Ai tek lexuesi përcjell vetëm nxitje pozitive. Citoj: T’ju këndojmë nënave tona

                                                                            T’a pakësojmë pikëllimin në zemër

                                                                            Me këngët e thellësisë së shpirtit

                                                                            Do sjellim shpëtim për një zemër

Në veprën e Dr.Fahredin Hotit unë takova një intelektual me frymë liridashëse dhe paqësore për njerëzitë në mbarë botën dhe një talent që shpalos dijen e tij artistike të mbështetur në fatin e tij.

                                                        Vallë si do të rrjedhë fati

                                                          Në universin e pa shkelur

                                                           Do të jem edhe unë

                                                          Ai që dote sjellë boshtin e jetës!

Lidhen momentet kur heroi thurrë vargje për heroin Bajram Curri i cili vinte nga vendlindja e autorit, pra nga Krusha e Madhe, por vargjet rrjedhën lirshëm duke ju kushtuar edhe Rilindasëve tonë kombëtar vëllëzërve Frashëri. Vazhdon me poezin kushtuar më të shtrenjtës nënë duke mos harruar edhe pjesën e mërgimit ku poeti bënë thirrje për t’u kthyer në tokën e vendlindjes bashkë me lutjet e tij drejtuar Zotit. Nuk arrin asesi dilema Hamletiane t’i vë në dyshim qëndrimet e autorit. Ai është objektiv dhe strikt në botëkuptimet dhe vizionet e veta.

                                                                                Shoh fatin e dëshirave

                                                                                Që po sjellin agime të reja

Rininë e shëndoshë dhe të bukur nuk e harron dot duke i dhënë një mesazh të fuqishëm:

                                                        Përballu me rrebeshet e kohës

                                                         Kosovës mos lejo t’i vdes shpresa

Këndëvështrimin tim lidhur me këtë vepër të rëndësishme shoqërore do t’a përfundoj me një strofë nga poezia “Pacientët” që është pjesë e profesionit të autorit. Përshkrimi i një nate dhe peripecitë në dhomën nr.17 në kirurgji,ankimet e pacientëve,ndihma e ofruar nga ekipi i mjekëve: Infuzioni pikon pikë-pikë…..

                                            Jetën do t’a shpëtojmë

                                            Dhe nesër do t’a gëzojë

                                            Edhe ditën e nesërme do t’a shoh

Dhe kështu përfundon humanizmi, intelekti dhe puna vetëm atë ditë kur autori ra në altarin e lirisë  për të mos vdekur kurrë.  LAVDI!

Ndërsa të pranishmit i përshëndeti djali i dëshmorit Besnik F. Hoti

Të nderuara familje të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve

Të nderuar familjar, koleg, miq dhe shok të babës.

Unë jam i nderuar të jem këtu para jush, si biri i dëshmorit dhe në radhë të parë t’ju falenderoj të gjithë të pranishmëve që shkëputët pak kohë për t’ia kushtuar dhe nderuar sakrificën e babës, poetit dëshmor, mjekut liridashës, dëshmorit të kombit Dr. Fahredin Hotit.

Historia nuk e ka përkëdhelë popullin shqiptare, në asnjë kohë, i pushtuar me shekuj, ka arritur të mbijetojë e të mos asimilohet i tëri. Prandaj fjala LIRI për popullin Shqiptar ka kuptim shumë të madh. Vërtet, liria është tepër e shtrenjtë, sepse paguhet me jetë, me jetën e më të dashurve, sakrificë që nuk ka çmim, pos ÇMIMIT TË LIRISË.

Lufta heroike e popullit shqiptare për çlirim, me emblemen e UÇK-s, ishte luftë në mbrojtje të atdheut nga okupatori serb, ishte luftë për liri, ishte luftë për çlirim, ishte luftë e pastër, luftë për të drejtën univerzale të njerëzimit për Jetë, ishte luftë në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor e kombëtar.

Atdheu fillon tek dëshmorët te zemrat e heronjve dhe martirëve të cilët me sakrificën e tyre sublime ranë në altarin e shenjtë të lirisë.

Dëshmorët janë gurëthemetaret e shtetit tonë, Dëshmorët janë krenari kombetare, Dëshmorët janë gjaku i lirisë, Dëshmorët janë të shenjtë, Dëshmorët janë sinonim i shtetësisë.

I përkulem gjithmonë sakrificës dhe heroizmit të heronjëve, dëshmorëve dhe martirëve.

LAVDI E PËRJETSHME, LAVDI QËNDRESËS HEROIKE TË DËSHMORËVE TË KOMBIT  DHE GJITHË TË RËNËVE PËR LIRI!

Ju faleminderit për vëmendjen dhe respektin që treguat, Zoti ju bekoftë.

Poezi nga përmbledhja me poezi “Vdekja e një nate” interpretoj poeti i ri Agim Gashi

PSE

Pse

para se të vdes

ëndrrat më shfaqen në shpirt?

Pse

shpresat e mia këmbët m’i lidhin

e gjakun ma pengon në damar?

Pse

kënga e zogjve është kaq e zbehtë

e dielli ka aq pak ngrohtësi?

Pse

lumenjtë janë kaq të qetë

edhe kur shushunjat pinë lëngun e tyre?

Pse

nuk ndjej tingëllimën e vdekjes

edhe kur laku sillet rreth qafës?

KOSOVA

Kosova këngë e mjerimit

Që rrjedhë nëpër errësirën e kohës

U rrite nëpër zjarre lufte

Fati i dhembjes së madhe

Kalove nëpër dyert e tragjedisë

Nga shekulli në shekull brezni gjaku

Për ta mbajtur një emër në histori

Shqiponjat bënë fole në gurë

Mbi trojet e kësulbardhëve

Të ngrihet i shenjti flamur…

TOKA JONË

Toka ime, o vend i shenjtë

do të shkruaj për TY

që kjo ditë, të mos shkojë kot.

U zgjove, si syri i pranverës

beharin ma prure me dashuri

e dritën ma fale-lumturinë

na zgjove nga ëndrrat shekullore

fitoren drejt fitoreve na dhurove

agimin më të bardhë se çdo herë na bëre.

Toka ime, ti që shumë kohë heshte

Sot të putha,

sot të desha më shumë se çdo herë

Më ngrite, o toka jonë.  

RINI

Rini e dhembjeve të gjata

nëpër breza kohërash të egra

rinove në errësirën e djajve

kryelartë barte flamurin në gji.

Nisu rini në udhëtimin e shenjtë

ec drejt fitoreve të reja

koha është mik i keq

kur mungon vullneti për jetë.

Ngritu rini mbi gjakun e etërve

mos e ndal hovin e shpirtit

përballu me rrebeshet e kohës

Kosovës mos lejo t’i vdesë shpresa.

30.X. 1979 Prishtinë

SHENIME PËR AUTORIN

Dr. Spec. Fahredin Sh. Hoti

U lind në Krushë të Madhe më 27 nëntor 1953. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren.  Fakultetin e Mjekësisë e regjistroi në Sarajevë dhe studimet e mjekësisë i kreu në Prishtinë në viti 1982. Një kohë të gjatë punoi si mjek i praktikës së përgjithshme në Rahovec e rrethinë, duke u treguar i palodhshëm dhe gjithmonë i gatshëm për t´u ardhur në ndihmë pacientëve të kësaj ane.

Në vitin 1991 kreu specializimin nga gjinekologjia me akusherisë në Rijekë të Kroacisë. Pas kryerjes së specializimit, si gjinekolog me zell e përkushtim punoi në Rahovec, Malishevë dhe Prizren.

Prania e Dr. Fahredinit në Repartin e Gjinekologjisë me Obstetrikë në Prizren, nuk i shkoi përshtati pushtetit serb. Sikur shumë gjinekologë të tjerë shqiptarë më parë edhe atë e përjashtuan.

Pas hapjes së lindtores „NËNA“ në Prishtinë në kuadër të Shoqatës Humanitare Bëmirëse „Nëna Tereze“,   Dr. Fahredini iu bashkëngjit gjinekologëve të tjerë të Kosovës në punën humanitare për mbrojtjen e shëndetit të nënave dhe fëmijëve të Kosovës. Njohuritë e veta profesionale e shkencore ua mësoi edhe brezave të rinj, duke punuar si mësimdhënës pa kurrfarë kompenzimi material në shkollën e mesme të mjekësisë „Dr. Luciano Motroni“ në Prizren nga viti shkollor 1993/94 e deri para vrasjes. U angazhua në veprimtari të shumta në Shoqatën e të Gjelbërve, si dhe Shoqatën „Mjekët pa kufi“.

Në planin profesional e shkencor ishte shumë ambicioz. Ka marrë pjesë aktive në të gjitha tubimet shkencore e profesionale nga lëmi i gjinekologjisë me obstetrikë, mbajtur në Kosovë, Shqipëri, Kroaci e më gjerë.

Për mbrojtjen e shëndetit të popullit dhe familjeve të atyre që lirinë e deshën më shumë se jetën Dr.Fahredini nuk ishte vetëm gjinekolog, por ai në kohën e luftës ishte mjek për të gjitha hallet e pacientëve.

Kreu punët e pediatrit, kirurgut, internistit edhe të teknikut mjekësor, duke filluar nga Krusha e Madhe, Pagarusha, Drenoci, Açareva, Likoci, e shumë vende të tjera të Rahovecit,  Prizrenit dhe të Malishevës, ku në shtëpitë e rrënuara të këtyre anëve dhe nën flakën e pushkëve, për herë të parë e dëgjoi zërin e fëmijëve të lirisë-trashëgimtarëve të së ardhmes, së cilës i gëzohej pa masë.

Shtëpia e tij në Krushë të Madhe u shndërrua në spital, ku kurohen shumë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë nga të gjitha trevat e Anadrinisë e të Malishevës, të cilët gjendeshin të rrezikuar dhe në gjendje të rëndë, pa ilaçe dhe pa ndihma mjekësore. Shtëpia-Spital e doktor Fahredinit ishte mobilizuar në 24 orë pandërprerë, ku kishte një numër të madh ndërhyrjesh kirurgjike dhe gjinekologjike, në të cilën spital brenda një viti janë të evidencuar mbi 800 lindje. Në këtë spital-shtëpi doktor Fahredini kishte të angazhuar bashkëshorten e tij, Nexhmien, si dhe dy kunatat e tij, Lejlan dhe Hatixhe Hotin.

Në ofensivën e përgjithshme serbe të pranverës së vitit 1999, e cila përfshiu mbarë Kosovën, Dr. Fahredin Hoti, në një spital fushor të improvizuar në kodrat e Krushë së Madhe kryen disa operacione kirurgjike, sidomos për civilët e plagosur.

Në përpjekje për t´i vizituar të strehuarit në pyll goditet nga predhat e ushtrisë serbo-çetnike, i biri i tij KRESHNIKU, në moshën dymbëdhjetë  vjeçare. Dashuria për të birin dhe ndjenja e lartë humaniste, nuk e lejoi t´i braktiste të plagosurit në asnjë moment. Duke u përpjekur t´i ndihmonte të birit të tij të plagosur rëndë,qëllohet  nga snajperistët serbë, të cilët kishin rrethuar në çdo anë popullatën e strehuar në pyll. Edhe pse i plagosur, doktor Fahredini nuk jepej. Njeriu që kishte kuruar qindra e mijëra njerëz, u përball i vetëm me plagët vdekjeprurëse që ia shkaktuan armiqtë e popullit të tij.Ndërron jetë në përpjekje për të operuar plagët e veta, që i kullonin gjak.

Gjendja tragjike e familjes Hoti nuk përfundon me kaq. Armiku gjakatar, i pangopur me gjakun e mjekut Fahredin dhe të birit të tij Kreshnikut, që ende të pa varrosur, serbo-çetnikët nisën keqtrajtimet ndaj familjes së Fahredinit, duke i rrahur e sharë në mënyrën më brutale, madje edhe i dëbuan nga vatrat e veta për në Shqipëri. Gjatë rrugës për në Shqipëri, nga rrahjet dhe plagët e rënda të shkaktuara nga serbo-çetnikët, në pikën kufitare të Morinës vdes edhe babai i mjekut, plaku i urtë Shemsedin Hoti, në moshën 67-vjeçare.

Kështu, familja Hoti me gjakun e tre brezave lau tokën e Kosovës, duke u sakrifikuar për lirinë e atdheut. Këta tre breza simbolizojnë tri kohë; të kaluarën që përfaqësonte babai i mjekut Shemsedin Hoti, të tashmen që përfaqësonte vetë humanisti mjek Fahredin Hoti dhe brezin e ardhmërisë, që e përfaqësonte i biri i mjekut, i riu Kreshnik Hoti

Kështu përfundoi jeta e njeriut dhe humanistit, i cili nuk dinte ta urrejë askënd, por tërë jetën e vet luftoi kundër vdekjes.Vdekja e hershme e Dr. Fahredinit e varfëroi mjekësinë tonë në përgjithësi dhe gjinekologjinë e këtij rajoni në veçanti.

Mungesën e tij e ndjejmë të gjithë ne, në radhë të parë pacientët e këtij rrethi. Vepra dhe puna e palodhshme do të mbeten përherë të gjalla në kujtimet tona, si shembull për mjekun e palodhshëm. Më fjalë të ëmbla dhe punë të palodhshme shëroi shumë pacientë, si dhe shumë foshnja (shpirtëra) të njomë i solli në jetë.

AI NUK  E  PRITI  LIRINË, PËR  TË  U  SAKRIFIKUA  E  AMANETIN  E TIJ  E JETËSUAM ME PAVARËSINË  E  KOSOVËS.

 U rivarros në Krushë të Madhe, më 12 gusht 1999,  së bashku me 206 dëshmorë dhe martirëtë Krushës së Madhe, të përcjellë nga mijëra qytetarë të ardhur për nderime nga të gjitha anët e Kosovës.  Përmbledhja me poezi kishte mbetur në dorëshkrim, ndërsa me angazhimin e të birit Besnikut, familjarëve dhe miqve e pa dritën e botimit.Për humanitetin dhe guximin e treguar për çlirimin e Kosovës Dr. Fahredin Hoti shpallet DËSHMOR I KOMBIT, si dhe nderohet me shumë mirënjohje nga institucione të ndryshme. Disa rrugë mbajnë emrin e tij, ndërsa në shenjë nderimi e respekti për jetën dhe veprën e tij, institucionet e komunës së Rahovecit, emrin e Dr. FahredinHotit ia vunë shëndetësi së së kësaj komune. 

                                                                      

                                         

Filed Under: LETERSI Tagged With: „VDEKJA E NJË NATE„, Fahredin Hoti, promovim

VATRA PROMOVON LIBRIN E MINISTRIT ENVER HOXHAJ

September 23, 2016 by dgreca

Federata “Vatra” do të promovojë të Dielën në orën 7 të mbrëmjes në Royal Regency Hotel, Yonkers, New York, librin “Ngritja e një shteti”  të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj…Mos humbisni rastin. Hyrja e Lire./

Federata Pan-Shqiptare në Amerikë “Vatra” organizon promovimin e librit “Ngritja e një Shteti” të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Libri që do të promovohet këtë të diel në New York, është botuar para dy muajsh në Kosovë dhe flet për aspektet e politikës së jashtme të Kosovës dhe ngritjen ndërkombëtare të shtetit më të ri.

I mirëpritur nga lexuesit, edhe në panairin e fundit të librit në Prishtinë, libri analizon aspektet praktike të sjelljes së Kosovës në politikën e jashtme, raportet brenda dhe jashtë, si dhe merr në konsideratë një kornizë intelektuale dhe akademike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Veçmas, Hoxhaj në libër i kushton një kapitull të veçantë ngritjes së cështjes së Kosovës në vitet 90-ta dhe rolin që ka luajtur diaspora shqiptare nëpër botë vecmas ajo në SHBA.  Aty mes të tjerash thuhet se “Shqiptarët në Amerikë kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e cëshjes së Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe Dapartamentin e Shtetit. Angazhimi i tyre ishte jetik edhe gjatë luftës e deri në shpalljen e pavarësisë”.

Një aspekt tjetër që përmban libri i ministrit Hoxhaj është raporti i Kosovës si shtet i vogël me botën jashtë, sjelljen në një rend botëror gjithnjë e më të ndërvarur dhe përdorimin e fuqisë së butë si kompensim i mungesës së fuqisë së fortë sikurse ushtria, fuqia ekonomike apo gjeografia e madhe. Diskuton gjatë konceptet e fundit akademike dhe praktike se si shtete të caktuara në botë janë përpjekur ta ushtrojnë këtë koncept të ri të diplomacisë, i sjellë së fundit nga Joseph Nye. Duke iu referuar Kosovës, Hoxhaj shkruan se “shtetet e vogla, pos nevojës së mirëpërdorimit të instrumenteve të fuqisë së butë, në mënyrë që të mbijetojnë dhe ngriten vazhdimisht në rrafshin ndërkombëtar duhet të jenë në një raport të veçantë me një superfuqi”, duke iu referuar marrëdhënies së Kosovës me SHBA-të.

Në mesin e shumë temave që trajtohen në libër, ka edhe momente të përvojës personale që Hoxhaj i përshkruan edhe pse libri nuk është një autobiografi e tij, siç autori edhe e shpjegon në parathënie. Madje ka momente, ku Hoxhaj i qëndron besnik gjykimit të lirë intelektual të tij teksa shfaqet i sinqertë kur pranon ndikimin ‘pozitiv’ në formë presioni që shpesh miqtë ndërkombëtarë kanë ushtruar ndaj Kosovës.

Ai përshkruan marrëdhënie të caktuara me politikanë të Kosovës, ndërkombëtarë dhe veçmas ata serb si Vucic e Dacic, me të cilët ‘ironizon’ për mënyrën e sjelljes politike sot e që në fakt janë relikte të së kaluarës të Millosheviqit. Enver Hoxhaj, në librin “ngritja e një shteti” analizon gjatë nedhe marrëdhëniet e vështira me Serbinë, siç i përshkruan aty dhe kërcënimet e Kosovës siç janë ISIS, Rusia dhe ndikimi në Ballkan apo tendencat ndonjëherë të pakuptueshme neo-otomane në Kosovë dhe rajon.

Pjesa e fundit e librit, dhe jo më pak e rëndësishme, është rezervuar për mendimin strategjik që duhet ta ketë Kosova në sjelljen e saj në vitet e ardhshme. Diçka që Hoxhaj e përshkruan si të nevojshme dhe e ndanë në tri rrathë. “Të gjitha këto janë trajtuar në detaje deri më tani, qoftë si domosdoshmëri bazike të vendit, qoftë si projektim i së ardhmes nëpërmes simbolikës së rrathëve gjeometrikë – Evropa Juglindore, sfera euro-atlantike dhe OKB-ja, duke i shërbyer idesë kryesore të librit për krijimin e një mendimi strategjik” shkruan Hoxhaj. Kjo pjesë, që mund të merret edhe si ‘doktrina Hoxhaj” analizon në detaje sjelljen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme që do të duhej të përmbyllej me anëtarësimin në OKB dhe hyrjen e plotë në sistemin ndërkombëtar.

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: Enver Hoxhaj, ngritja e nje shteti, promovim, Vatra

NË UNIVERSITETIN “FAN NOLI” U PROMOVUAN DY LIBRA TE THANAS GJIKES

September 23, 2016 by dgreca

NË UNIVERSITETIN “FAN NOLI” U PROMOVUAN LIBRAT  “MOSDËNIMI I KRIMIT ËSHTË KRIM I RI”

DHE “SHËN PALI PUNOI DHE NË BRIGJET E ADRIATIKUT” TE PROF. THANAS L. GJIKA/

Nga Viktora V. Vllahu/

2-librat-gjika

Gjatë muajit gusht, profesor Thanas L. Gjika shkoi në atdhe ku mori e shpërndau librin e tij të ri “Mosdënimi i krimit është krim i ri” OMSCA-1 Tiranë 2016, 450 f.

Më 18 shtator, z. Gjika shprehu me shkrim në buletinin e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, Worcester MA. mirënjohjen e tij ndaj Shoqërisë Vatra, Kishës së qytetit dhe zotërinjve Olsi Gjinko, Flori Bixho dhe Eduard Postol për ndihmën bujare që i dhanë për sponsorizimin e botimit të këtij libri.

Me inisiativën e profesor Ali Jasharit, rektor i Universitetit “Fan Noli” të Korçës, më 25 gusht ora 12:00-14:00, u organizua në prani të autorit, në sallën e bukur të Senatit Akademik promovimi i dy veprave të fundit të profesor Gjikës. Aty morrën pjesë pedagogë, studentë, qytetarë dhe At Spiro Katundi, i dërguar i Peshkopit Joan Pelushi, Mitropoliti i Korçës.

Në fjalën e hapjes Prof. Jashari theksoi kënaqësinë e tij që ish-punonjësi shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, prof. Thanas Gjika, vijon punën shkencore në ShBA, ku që nga viti 2007 e deri sot ka botuar pesë vepra të rëndësishme në fushën e shkencave albanologjike në plan kombëtar e ndërkombëtar. “Thanas Gjika, tha midis tjerash folësi, nuk e harron qytetin e lindje, Korçën tonë. Ai vjen nga Amerika e largët dhe na sjell librat e tij të njëpasnjëshëm, duke na i pasuruar bibliotekat e qytetit për të ndihmuar në ngritjen kulturore e shkencore të qytetarëve e sidomos të studentëve tanë. Për këtë meriton falenderime nga të gjithë.”

Më tej ai i dha fjalën pedagogut të letësisë shqiptare, Dr. Neli Naço, fjalën e të cilit po e japim të plotë:

“Kur merr në dorë librin e Profesor Thanas Gjikës dhe lexon thënien proverbiale: “mosdënimi i krimit është një krim i ri” ke ndeshur edhe me kredon e cila ka qenë qëllimi kryesor i autorit, shpallja e një lloj humanizmi bashkëkohës që ai e ka për qëllim ta shpallë dhe ta argumentojë përmes shkrimeve të tij. Kjo kredo është një besim i palëkundur i autorit ai e artikulon atë në shkrime të ndryshme, por e ka bindje që kjo kredo është shumë e rëndësishme që atdheu të zhvillohet dhe të përparojë nëpërmjet një procesi pastrimi shoqëror. Fshehja e krimit, sipas tij, quhet krim dhe mungesa e dënimit mundëson që të çojë në përsëritjen e tij. Kjo kredo, ky fill i ndërtimit është filozofia e teksteve të shumllojshme që përbëjnë librin, ato rrëfejnë, analizojnë, krijojnë, momente e situata të ndryshme, krijojnë portrete dhe zbardhin disa të tjera duke na dhënë shpeshherë imazhe të reja, por shpeshherë edhe duke i nxjerrë disa prej tyre nga gjysmerrësira në dritë, duke u fashitur hijet për të nxjerrë më mirë tiparet e tyre të vërteta, që në thelb janë tiparet e vetë qenies njerëzore që duket e përkryer shpeshherë, por nuk është e tillë dhe anasjelltas.

Procesi i njohjes dhe i analizës që Thanas Gjika përdor, është kthjelluar edhe nga një moment tjetër vendimtar. Duke jetuar jashtë atdheut, duke njohur botën dhe mentalitetin perëndimor, sidomos atë amerikan, duke e përdorur atë mentalitet dhe kthjelltësi mendore ai e ka më të lehtë të gjykojë ato procese në të cilat është ngatërruar bota postkomuniste e Europës Lindore, dhe sidomos bota postkomuniste shqiptare. Largësia dhe kuptimi i mentalitetit perëndimor e bën që analiza e tij të jetë e thjeshtë, e kapshme, e drejtpërdrejtë dhe kuptimplote. Ai i sheh problemet shqiptare që nga larg, si astronauti që sheh tokën nga hapësira dhe e kupton realitetin më mirë se vështrimet mendjengushta dhe të pjesshme të protagonistëve. Kjo e ndihmon atë në arritjen e përfundimeve të sakta dhe të artikuluara qartë në pjesët që ndërtojnë librin. Libri synon pra, jo vetëm një analizë letrare (dhe kjo është pjesa kryesore e strukturës së këtyre teksteve letrare), por edhe një mësim humanist të gjerë që do t’i shërbente lexuesve të cilët e marrin nëpërmjet interpretimit të tekstit autorial.

Libri ka në përbërjen e vet artikuj kritiko-letrarë që tregojnë për vlera artistike, kulturore, letrare që janë shpërdoruar nga kritika e socrealizmit dhe larg syrit vëzhgues të socrealizmit që i shihte gjërat vetëm bardhë e zi dhe shquan nuancat e holla që përbëjnë vlera të patjetërsueshme. Nuk gjykon dot për pasurinë e një pylli duke parë vetëm drurët e njëjtë të tij. Duhet të njohësh edhe shkurret, lulet, barërat shumëllojshmërinë që jep delikatja e tij, për të krijuar një ide të saktë mbi realitetin e tij. Edhe letërsia ka gjithashtu drurët e lartë, por edhe ata që janë në hije, ka lulet me aroma të holla e të mezikapshme, por që ndikojnë në atë totalitet e plotëri që figurativisht mund të quhet pylli letrar.

Thanas Gjika me kureshtje dhe pa komplekse i afrohet këtij pylli dhe sheh jo lart ato që shohin të gjithë drurët, por sheh edhe lulet e rralla, barishtet, shkurret dhe çdo gjë tjetër që udhëtarit të rëndomtë i shpëton. Ai sheh shumëllojshmërinë brenda një trualli ku mendohet se ka pak shumëllojshmëri. Edhe ky krahasim, si çdo krahasim çalon, por le të shohim më konkretisht se çfarë përfaqëson ky libër.

Shkrimtarë që kritika letrare i ka trajtuar pak ose aspak të bien në sy për analizat që u bën Prof. Gjika atyre. Një nga shkrimtarët që bie në sy, mbase më i njohuri i kësaj letërsie të heshtur të quajtur letërsia e sirtarit është edhe Visar Zhiti, një shkrimtar që nuk u dorëzua dhe që mbas suksesit si poet, korr sukses edhe në prozën tregimtare dhe romanore si një kapacitet i veçantë. Gjika e analizon me sukses romanin e tij “Ferri i Çalë” sepse kemi të bëjmë me një lloj proze të re të ndryshme nga proza tradicionale që jemi mësuar të lexojmë, sepse Visar Zhiti vjen në prozë si një dukuri e re, i plotë në formatin e poetit ai artikulon midis dy gjinish poezi e prozë bashkë duke të kujtuar shpeshherë edhe fenomenin Camaj. Profesor Gjika e karakterizon kështu Ferrin e ri të përshkruar prej Zhitit duke analizuar dhe përmbledhur: “Këta rreshta tingëllojnë si vargje poetike, ku tipizohet në gjerësi e thellësi jeta shqiptare nën diktaturën komuniste për të burgosurit, me nëntë rrathët e ferrit, por edhe për popullin, i cili jetonte gjithashtu i rrethuar prej disa rrathësh të të njëjtit ferr…” Thanas Gjikës nuk i shpëton madje edhe një karakteristikë e njëmendët e Zhitit, që gjendet njëherazi edhe në letërsinë, edhe në karakterin e tij: ai nuk është i dehumanizuar nga urrejtja dhe krijon një tipologji të ndryshme nga ajo e shqiptarit tipik të ashpër dhe hakmarrës.

Një trajtim mbresëlënës është ai për shkrimtarin Ismail Kadare, ai titullohet “Vepra e Kadaresë e shkruar gjatë diktaturës ka qenë vepër me tipare disidente, maksimalja e mundshme”. Ky shkrim bëhet duke e vlerësuar shkrimtarin e madh në situatat komplekse në të cilat është ndodhur ai gjatë regjimit diktatorial e vlerëson shkrimtarin në dritëhijet e tij. Ai merret me një problem që në këtë rast nuk mund të shmangej, me problemin e disidencës, trajtimin e së cilës e bën në një plan më  të gjerë duke e krahasuar me disidencën si fenomen në Europën Lindore i klasifikon këta disidentë në ata që u dënuan dhe në ata që e zhvilluan disidencën e tyre jashtë atdheut. Zgjerimi i fokusit kritik, gjerësia me të cilin e sheh tablonë profesor Gjika bën që shumë faktorë të ashtuquajtur faktorë jashtëletrarë të merren parasysh në analizën autoriale dhe të saktësojnë shumë momente dhe situata decizive të procesit të vlerësimit. Një përfundim i thjeshtë por i goditur në këtë tekst është ai që ka lidhje edhe me titullin e veprës. Autori shpreh në formë postulateve dhe përmbledhëse: “Vepra më e mirë e Kadaresë e shkruar dhe e botuar gjatë regjimit komunist nuk ishte një vepër disidente në kuptimin klasik të fjalës, por ishte një vepër me tipare disidente.”

Vepra e profesorit të njohur Sami Repishti “Pika Loti” është gjithashtu një vepër që është marrë në shqyrtim dhe vlerësuar lart nën vëzhgimin kritik të Thanas Gjikës, si një vepër e cila merr përsipër të thotë të vërtetën, të zbulojë por edhe të portretizojë njerëz të zakonshëm e të jashtëzakonshëm, nga veçoritë e karakterit e të dijes së tyre, por të gjithë të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e fatit të tyre nën diktaturë, nga ajo çka përfaqësuan dhe ajo çka mbrojtën. Fatet e Qemal Draçinit, Hamdi Gjonit dhe Bego Gjonzenelit, Preng Kaçinarit, Qazim Danit dhe Atë Ciprian Nikajt, por edhe njerëzve të tjerë janë vlerësuar si shkrime që sjellin dhimbjen përmes një lirizmi karakteristik e stilit vetanak të Sami Repishtit.

Nën gjykimin e kësaj kritike pozitiviste dhe humaniste janë gjithashtu edhe mendimet për romanet “Rrugëtim me Psherëtima” të Makinsen Bungos dhe veprën autobiografike “Jetë në Diktaturë” të Hasan Kostrecit. Nën këtë gjykim pozitivist është edhe fati i familjes Kulla e dhënë nëpërmjet analizës së veprës historike “Jo të gjithë të vdekurit prehen në paqe” të Pëllumb Kullës. Në analizat e profesor Gjikës zbulimi i një humanizmi që kjo letërsi bart është pjesë e rëndësishme e vlerës së tyre dhe po ashtu humanizues dhe dinjitoz duhet të jetë trajtimi që pjesa tjetër e shkrimtarëve, duhet t’u bëjnë politikës dhe popullatës që ishte fajtore sepse u përpoq me sa mundi të zbulonte të vërtetën apo ta mbronte atë.

Nëpërmjet analizave të këtyre shkrimeve të gjinive të ndryshme letrare, shumica të pabotuara në kohën kur u shkruan, të njohura me emrin “letërsi sirtari”, na krijohet një imazh më i plotë dhe më i saktë për letërsinë shqipe, imazh që deri tani ka munguar për shkak të zbulimit rastësor dhe pjesor të tyre, në kohë dhe vende të ndryshme, nga shtëpi botuese të ndryshme dhe pa një kriter përzgjedhës, fakt që e nënvizon Thanas Gjika në analizat e tij. Disa pyetje të tjera mund të shtrohen për zgjidhje duke marrë shkas nga shkrimet për këta autorë, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me çështje të historisë së letërsisë. A është dinjitoze ta quajmë këtë letërsi thjesht “letërsi sirtari” sikur ajo thjesht të mos ishte e botuar nga harresa apo nga pasiguria e shkrimtarit për vlerat e saj? Si duhet kategorizuar nga pikëpamja kohore kjo letërsi, si letërsi e kohës kur u shkrua, apo e kohës kur u botua? Sepse komunikimi me lexuesin nuk ka qenë normal si për pjesën tjetër të letërsisë. A duhet trajtuar kjo lloj letërsie si një “qark letrar” (po të përdorim një term të Profesor Eqrem Çabejt) duke i dhënë kështu një rëndësi më të madhe trajtimit të saj historiografik letrar si një letërsi më e plotë? A duhet që të mënjanohen shkrimtarë më minorë të kësaj letërsie dhe të trajtohen vetëm shkrimtarë që i përkasin kësaj letërsie, por me vlera të spikatura, siç mund të ishte rasti i dallueshëm i shkrimtarëve Martin Camaj, apo Visar Zhiti? Afërsisht kështu u veprua nga kritika pas viteve nëntëdhjetë e cila ngurron të shkruajë për fenomene të reja, por shkruan për fenomene të sigurta letrare. Edhe një sërë çështjesh të tjera të vlefshme burojnë nga analizat e Thanas Gjikës mbi këtë lloj letërsie.

Një shkrim kritik me një opinion vetanak të autorit është edhe shkrimi vlerësues për romanin “Doktor Gjilpëra…” një nga pjesët më të rëndësishme të veprës së Konicës, po ashtu të letërsisë shqipe në kohën e fillimit të modernizimit të saj. Profesor Gjika e quan që në titull Romani i parë realist i letërsisë shqipe dhe pas një analize kuptimplote e vlerëson kësisoj: “Doktor Gjilpëra… është një roman realist satirik me problematikë shoqërore.”

Në shkrimin tjetër që pason po për këtë figurë të ndritur të letërsisë dhe kulturës shqiptare të titulluar “Roli i Faik Konicës në gazetarinë dhe letërsinë shqiptare” ai shpreh mendimin e patundur se koleksioni i revistës Albania përbën kryeveprën, veprën më monumentale të Faik Konicës. Dhe a nuk fillon aty kritika letrare dhe kritika sociale, gjuhësia dhe gazetaria informative? A nuk fillon aty eseja dhe proza poetike? A nuk fillon aty pluralizmi i ideve dhe kërkesa për një unitarizëm kombëtar thellësisht perëndimor? Këto shkrime me karakter kritik e vlerësues, me gjithë gjerësinë e trajtimit të tyre, pasohen edhe nga dy shkrime për rolin e Fan Nolit në publicistikën shqiptare të titulluar “Për stilin dhe individualitetin publicistik të Fan Nolit” dhe “Mendimet ekumenike të Imzot Nolit janë aktuale edhe sot”. Nga letërsia fare natyrshëm profesor Gjika hidhet në politologjinë dhe kulturologjinë shqiptare, nisur nga mendimet e një dijetari, kulturologu dhe politologu siç është rasti i Imzot Fan Nolit në këtë analizë, të krijojë edhe mendimin e vet mbështetur në truall të shenjtëruar si ai që krijon Noli dhe Konica. Mendimi i cituar prej autorit të librit dhe i artikuluar prej Imzot Nolit është gati një postulat politik e kulturor: “Të mos ndryshojmë gjë prej gjëje: vetëm të krejmë krerë fetarë me ndërgjegje. Kjo është më e mira udhë për të prurë bashkimin, se programi i ndryshimeve të rea në fetë do të jetë prishja jonë e përgjithshme.”

Në tekstet që të zgjojnë interesim mjaft të madh nga ky libër do të veçoja edhe portretet filologjike të disa autorëve të cilët me punën e tyre e kanë zgjeruar spektrin e vlerësimit personal, por edhe spektrin e vlerësimit të botës letrare në përgjithësi puna e vëllimshme e të cilëve duhet vlerësuar pa dyshim. Mbase ndër tekstet më impresionuese të gjithë këtij vëllimi është portreti filologjik, por jo vetëm filologjik, por edhe diplomatik i Fotaq Andreas, një njeri që ka marrë përsipër të shpalosë botën frankofone para lexuesit shqiptar, të zbulojë dhe marrëdhëniet e kësaj bote me botën shqiptare. Profesor Gjika e trajton këtë figurë letrare në disa dimensione, si përkthyes, si diplomat i shtetit shqiptar, si eseist dhe antologjist, si studiues arkivash dhe si një nga Konicologët më të përkushtuar dhe të dalluar. Ka lindur kështu bërthama e një biografie të ardhshme për përkthyesin, studiuesin, antologjistin, hulumtuesin e politikanin Fotaq Andrea. Të tjera vepra të ngjashme, bërthama monografish të ardhshme, janë dhe esetë kushtuar  historianit Ilia Karanxha, analistit Eugjen Merlika, poetit e piktorit të bugjeve Lek Pervizit botues i revistës “Kuq e Zi”, komunistit të zhgënjyer Thanas I. Qeleshi, ish-ballistit Sejfi Protopapa, etj. I. Karanxha ndriçohet si studiues i humanistëve shqiptarë dhe njëheresh pararojës së Rilindjes Shqiptare, si Beçikemi alias Barleti, Tomeu, Vitali, apo Dora D’Istria.

Portrete me penelata të gjera, portrete shumë ekspresive janë edhe ato kushtuar Lek Previzit dhe Eugjen Merlikës që shpalosin një botë intelektuale e cila njihet pak prej lexuesit shqiptar. E zhvilluar kryesisht në mërgim ajo njihet pjesërisht dhe shkakton befasi tek lexuesi, shkakton kërshëri dhe zgjon interesin për të zbuluar më shumë për krijimtarinë e këtyre autorëve të mbetur në hije. Shumë impresionues është edhe portreti filologjik i përkthyesit të “Biblës” Vladimir Dervishi. Një vazhdues i denjë i traditës së Shën Jeronimit të Ilirisë, Gjon Buzukut, Vangjel Meksit dhe Grigor Gjirokastritit, si dhe i traditës jashtzakonisht pikante të Kostandin Kristoforidhit.

Përmes portreteve humane autori analizon fenomene shqiptare të botës së djeshme komuniste dhe botës së sotme tranzicionale dhe kaotike, ku me guxim intelektual ofron zgjidhje ose ide për zgjidhje për të rivendosur hierarkinë e vlerave të munguara qofshin intelektuale, politike apo letrare.

Një vlerë që i jep ngrohtësi librit janë edhe kujtimet për njerëz të njohur të botës shkencore shqiptare. Veçojmë kujtimet për Profesorin e nderuar Eqrem Çabej apo intelektualë të jerm nga Kosova, si Rexhep Qosja, Agim Vinca, Engjëll Sedaj e të tjerë.

Lashë pa përmendur edhe shumë analiza të tjera, kontribute intelektuale, letra të hapura, mendime analitike siç mund të jenë ato politologjike që kanë të bëjnë me botën gjermane dhe nevojën për zhvillim të vendit tonë në po atë shembull e të tjera, apo refleksionet që autori bën, nisur nga disa fakte jetësore, për ata që në kohën e diktaturës ndëshkuan të tjerët dhe nuk e ndjenë e as e ndjejnë si nevojë të ripërtëritjes së shpirtit të tyre, po as si detyrë humane që të kërkojnë falje e të bëjnë një ndjesë publike mbi të shkuarën e tyre të errët. Lashë edhe ndonjë autor pa përmendur sepse trajtimet në këtë libër voluminoz, ku ngërthehet lëndë e tre librave bashkë, janë të shumta. Por do të doja të falënderoja autorin më së shumti për punën e kujdesshme filologjike dhe analizat e mirëfillta që i përkasin botës së letërsisë. Më kujton ndonjëherë ky libër një punë analitike të Mitrush Kutelit të quajtur “Viti letrar 1943”. I keqkuptuar së shumti nuk ju dha asnjëherë vlerësimi si një përpjekje për ta institucionalizuar punën e kritikës letrare, për ta bërë atë një instrument shkencor. Ky libër më zgjon idenë që autori kërkon të ndjekë këtë vazhdë. Si profesionist, si intelektual me një ide të madhe në mes që është padyshim në kërkim të një humanizmi të ri për rigjenerimin e mendësisë së popullit tonë.”

Më tej iu dha fjala pedagogut tjetër të letërsisë të Universitetit “Fan Noli”, poetit e prozatorit Dr. Eris Rusi, i cili u ndal kryesisht në vlerësimin që studiuesi Gjika i ka bërë veprës “Ferri i çarrë” të Visar Zhitit. Për të mos e bërë të mërzitshme e të lodhëshme këtë kronikë, fjalën e Dr. Rusit po e dërgojmë tek gazeta “Illyria”.

U kalua pastaj në promovimin e veprës “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut”, vepër e cila është vlerësuar dhe prej studiuesish amerikanë si Dr. Norman Wendth, prof. R. Dean Davis, akademikut Jorgo Bulo, etj. Peshkopi Joan Pelushi, Metropolit  i Korçës, në pamundësi që të vinte vetë kishte dërguar At Spiro Katundin, i cili dha përshtypjet shumë të mira të Mertopolitit për biografinë kushtuar Shën Palit.

“Kjo biografi pasuron në mënyrë të ndjeshme jetën dhe veprën e Apostullit Pavël, i cili solli fjalën e Jezu Krishtit, besimin e ri, qytetërimin e ri të krishter në trojet tona, tha At Katundi dhe vijoi, mbas këtij studimi, biografët që do të merren me jetën e këtij shenjtori do t’i referohen këtij studimi si një burim i dorës së parë për veprimtasrinë e tij në trojet ilire.”

Në këtë promovim, kishte ardhur nga Berati mësuesi në pension Çlirim Mukli, një ish-bashkëstudenti i profesor Gjikës në Fakultetin Histori Filologji gjatë viteve 1962-1966. Ai tha se mbasi e kishte lexuar me shumë vëmendje biografinë kushtuar Shën Palit, ishte nxitur të gjente ndonjë gjurmë të kalimit të këtij shenjtori nëpër Berat, mbasi përmendja në këtë vepër e kalimit të tij, nga Durrësi në Backë të Skraparit, në Përmet e pastaj në Butrint, e le të hapur mundësinë e kalimit edhe nëpër Berat, një qytet i lulëzuar në atë kohë, i njohur me merin Antipatrea. Z. Mukli theksoi: “Mitropoliti i Beratit, Anthim Aleksudhi, më 1868, botoi në Korfus “Syntomos istoriki perigrafi tis ieras Mitropolias Belegradhon” (Përshkrim i shkurtër historik i Belegradonit [kupto Beratit]. Ndër të rjera, në faqen 115, ai shkruan: “Në vitin 64 pas Krishtit, Kryemësuesi, i shenjti Pavël dhe shoqëruesit e tij… predikuan çështjen e kishës dhe të Ungjillit të Shenjtë, duke kaluar nga krahinat e Greqisë nëpër të gjithë Ilirinë, pra edhe në Antipatrea”.

Po ashtu në librin “Leksiku i kulturës popullore shqiptare”, botuar nga “Skanderbeg books” 2005, Robert Elsie shkruan për Shën Palin: “. . . E kremtja, bashkë me atë të Shën Pjetrit, i bie më 29 qershor me kalendarin perëndimor dhe më 12 korrik me kalendarin julian ose lindor. Dita e Shën Palit kremtohej në Mirditë, pa dyshim falë

kishës që mban emrin e tij në Blinisht, ku fiset mirditore mblidheshin në kuvend.

Kisha të tjera kushtuar Shën Palit ka pasur në Shupal – domethënë Shën Pal i Tiranës; në

Pult – Shkodër, e vitit 1348; abaci të Shkodrës – Pukë; Peshqesh – Mirditë; Qelzë –

Pukë; dhe Kabash – Pukë.”

Kështu, e mbylli fjalën e tij z. Mukli, mendoj se në të ardhmen kur autori të ketë bërë kërkime të mëtejshme, mund të bëjë një botim të ri të kësaj vepre, ku të saktësojë dhe të përvijojë edhe në hartën e tij vajtjen e Shën Palit në Berat, si dhe në disa fshatra të tjera në Shqipërinë veriore, krahas vendeve që ai ka përmendur.”

Mbas z. Mukli folën edhe disa qytetarë si profesor Ilia Tili, etj. Ky mbasi e përgëzoi autorin e këtyre dy veprave, vuri në dukje disa tipare të ish-gjimnazistit Thanas Gjika, kur e kishte pasur nxënës dhe kishte vënë re se ai shquhej për këmbënguljen për të arritur tek e vërteta, për ndershmërinë dhe dashurinë ndaj shokëve e qytetarëve të ndryshëm.

Në fund u ngrit profesor Gjika, i cili falenderoi rektorin e Universitetit “Fan Noli”, prof. Ali Jasharin për krijimin e kësaj ceremonie të frutshme, e cila për nga niveli shkencor ishte e njëjtë me promovimet që ai kishte bërë në Tiranë për librat e tjerë ”Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” (2007) dhe “Mihal Grameno jeta dhe vepra” (2012),  në prani të kolegëve të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe Institutit të Historisë. Ai tha se Universiteti “Fan Noli” me pedagogë të përgatitur kaq mirë, si zotërinjtë Naço dhe Rusi,  ka një të ardhme pedagogjike e shkencore që do ta kenë zili shumë universitete të vendit. Leximi i librit tim voluminoz dhe përgatitja e recensioneve kaq profesionalë prej këtyre dy kolegëve brenda një kohe prej vetëm 10-11 ditësh, tregon se ky kuadër pedagogjik është shumë më i përgatitur nga ana shkencore se sa isdhim ne në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në vitet 1970-1996, kur punoja unë atje.

Përgëzime dhe ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe dëgjimin e vëmendshëm.

1-shen-pali

Filed Under: LETERSI Tagged With: fan noli, ne Universitetin, promovim, Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT