Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Gusht 2015/ Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot në një konferencë shtypi lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi shprehu shqetësimin e tij dhe të partisë që drejton lidhur me “verzionin e gabuar të propozuar dje nga Komisioni për demarkacion qeverisë së vendit”.
“Shqetësimi i Aleancës është në punën e Komisionit tonë për demarkacion, që mendojmë që i ka propozuar qeverisë së vendit. Pra, verzioni të cilin fatkeqësisht dje qeveria e Kosovës dhe kryeministri Mustafa e miratuan është i gabuar. Ne jemi të shqetësuar me këtë drejtim të qeverisë, e cila ka miratuar dje një verzion të gabuar të shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, i cili nuk është në Qafën e Çakorrit, por është në brendi të Grykës së Rugovës dhe i cili nuk është në urën e Zhlebit, por është në brendi të territorit të Kosovës”, tha Haradinaj.
Tani, vijoi ai, këtë konferencë e kam thirrur, meqenëse nuk jam në Parlament, që t’i them kryeministrit, zëvendësit të tij dhe tërë qeverisë – ndaluni.
“Ndaluni, se jeni gabim. Ndaluni, se populli ju ndalë, por më mirë është të ndaleni vet. Pra, është bukur e thjeshtë porosia ime për ata. Në rast se ata vërtetë dëshirojnë ta dijnë të vërtetën, i ftoj që të shkojnë dhe ta shohin këtë të vërtetë. Të luhet fshehtas me kufirin ashtu siç është luajtur me Trepçën është e tepërt. Po bëhet një ofendim i intelektit të secilit prej nesh, por ka kaluar në abuzim kjo retorikë e tyre. Nuk po bëhet fjalë as për milimetra as për metra, por po bëhet fjalë për mbi 10 mijë hektarë territor të Kosovës. Po bëhet fjalë që dy milionë qytetarë të vendit do të jenë të varfëruar nga ky veprim i gabuar i qeverisë. Nuk është vetëm e Rugovës, as vetëm e Dukagjinit, por është edhe e Kosovës”, tha kryetari i AAK-së.
Kryetari Haradinaj tha se Aleanca dhe Kosova, në përgjithësi, e konsiderojnë Malin e Zi një fqinj të mirë, i cili na ka njohur dhe i cili ka bërë veprime të cilat janë në dobi të fqinjësisë dhe u shpreh se nuk mendon që ka dorë ose gisht asnjë qeveri e huaj, asnjë institucion relevant ndërkombëtar dhe madje as Podgorica zyrtare dhe se ky është problem i logjikave tona.
“Thirrja ime për t’u ndalur nuk është luftë për pushtet. Nuk ka të bëjë kjo me vota, por ka të bëjë me një testament të brezave për territorin që e kemi. Nuk kanë të drejtë këta njerëz të shkojnë në këtë drejtim. Pikërisht, në atë trevë për të cilën po flasim ka luftëra dhe luftëra, e legjenda e legjenda, është e larë me gjak dhe është testament. Qeveritarët gabojnë rëndë, nëse mendojnë se pushteti ua mundëson ta bëjnë këtë”, u shpreh Haradinaj duke përfunduar se si qytetar nuk e pranon këtë vijë kufitare.
KOSOVE- QEVERIA, BISEDIME ME OPOZITEN PER GJYKATEN SPECIALE
QEVERIA E KOSOVËS PARALAJMËRON BISEDIME ME OPOZITËN DHE RIPROCEDIM NË KUVEND TË NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE DREJT KRIJIMIT TË SPECIALES/
Nga: Behlul Jashari/
PRISHTINË, 27 Qershor.-Qeveria dhe insititucionet tjera të Republikës së Kosovës angazhohen që në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë që çështja e Gjykatës Speciale të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
MUSTAFA: ËSHTË FAT I KEQ QË ËSHTË KËRKUAR QË GJYKATA TË THEMELOHET JASHTË KOSOVËS
Në një mbledhje konsultative të qeverisë, të zhvilluar sot, lidhur me hapat që do të ndërmerren për përmbushjen e obligimeve të institucioneve të Kosovës ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, e ratifikuar me ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, kryeministri kosovar Isa Mustafa paralajmëroi riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me tre partitë opozitare që nuk i votuan dje në Kuvend ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Speciales.“Kam ftuar këtë mbledhje konsultative të qeverisë, për të biseduar bashkërisht lidhur me hapat që do të ndërmarrim në këto ditë rreth përmbushjes së obligimeve të institucioneve tona ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat ne i kemi ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë rast ndaj marrëveshjes që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, që është ratifikuar në Kuvend me ligj të veçantë”, tha fillimisht Mustafa.Dje, vijoi ai, ka qenë seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën është diskutuar gjatë lidhur me amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë lidhur me implementimin e kësaj marrëveshje.“Edhe përkundër asaj që nuk është arritur që të sigurohen votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë evidente është realizuar vullneti i shumicës së deputetëve, dhe kjo flet për përcaktimin e shumicës që ne të ndjekim rrugën evropiane dhe euroatlantike, që ne të tregojmë seriozitetin tonë lidhur me zbatimin e të gjitha detyrimeve tona që i kemi marrë ndaj faktorit ndërkombëtar, dhe detyrimeve të cilat i kemi marrë vitin e kaluar lidhur me ligjin për ratifikimin e marrëveshjes, përkatësisht letrës e cila është këmbyer ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Baroneshës Ashton, e që ka të bëjë me themelimin e dhomave të veçanta të Gjykatës Speciale”, u shpreh kryeministri kosovar.
Në këtë rast, vijoi ai, ne konsiderojmë se duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet, si qeveri e Republikës së Kosovës, edhe më tutje që të përmbushen detyrimet e vendit tonë, sepse kemi të bëjmë me përmbushjen e detyrimeve ndaj vënies së drejtësisë, mirëpo gjithmonë duke bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, në mënyrë që të shtrojmë një rrugë dhe një perspektivë të përbashkët të zhvillimit të vendit tone”, theksoi Mustafa.
Ne, tha ai, mendojmë se në ditët në vijim qeveria e Republikës së Kosovës të bashkërendis aktivitetet me Kuvendin e Republikës së Kosovës, me grupet parlamentare, në mënyrë që të punojmë të gjithë së bashku, që në ditët në vijim të riprocedohet lënda e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese në Kuvend dhe poashtu të zhvillojmë edhe takime dhe biseda edhe me faktorin ndërkombëtar, i cili është këtu në Kosovë dhe të bashkërendisim me ta të gjitha këto punë.
“Konsiderojmë poashtu se çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimi i drejtësisë nuk është vetëm çështje e pozitës, përkatësisht e partive të cilat janë në pozitë, është çështje e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, edhe deputetëve të opozitës të cilët në mandatin e kaluar e kanë votuar ratifikimin e marrëveshjes, përkatësisht letërkëmbimin ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Baroneshës Catherine Ashton (përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian në atë kohë), dhe janë pjesë e ligjit mbi ratifikimin e kësaj marrëveshje. Ky ligj i detyron jo vetëm partitë që janë në pozitë, por i detyron të gjitha subjektet në Kosovë që ta bëjnë zbatimin e saj dhe ne poashtu e shohim arsyen që edhe me partitë opozitare të bashkërendisim dhe të bisedojmë, sepse çështja e vënies së drejtësisë dhe çështja e perspektives evropiane të Kosovës nuk është çështje vetëm e disa strukturave, ose e një strukture politike ose një koalicioni politik, por është çështje e shtetit të Kosovës, është çështje e qytetarëve të Kosovës dhe është çështje e ardhmërisë tone”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai vijoi se, të gjithë ne do të ishim të lumtur sikur kjo gjykatë me kohë të ishte themeluar në Kosovë dhe ne të përplotësonim të gjitha kushtet që një gjykatë e tillë të funksiononte këtu.
“Është fat i keq edhe për Kosovën edhe për neve që është kërkuar që gjykata të themelohet jashtë vendit. Mirëpo, ne megjithatë jemi pajtuar sepse kemi ratifikuar një marrëveshje të tillë dhe të gjithë ne e kemi marrë për obligim se ajo marrëveshje do të realizohet. Prandaj, ne shohim arsye të punojmë, të tregojmë gatishmërinë tonë dhe përcaktimin tonë që si qeveri duhet të punojmë edhe më tutje, të bashkëpunojmë me të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe suksesin tonë e shohim si sukses të të gjithëve”, tha kryeministri.
Mustafa tha se, natyrisht se në asnjë rast nuk i gëzohemi asaj që ne të festojmë ose të manifestojmë mosvotimin e përcaktimeve tona dhe detyrimeve tona, por e shohim si sukses kur detyrimet tona arrijmë t’i bëjmë vepër dhe që zotimet tona që i kemi dhënë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj Bashkimit Evropian t’i vëmë në vepër dhe të ecim në perspektiven evropiane.
“Kemi nevojë që të kemi bashkëpunim ndërkombëtar, kemi nevojë të ecim rrugës së integrimeve evropiane, sidomos të atyre që kanë të bëjnë tani me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, me liberalizimin e vizave, me aderimin tonë në institucionet tjera ndërkombëtare, të cilat janë të domosdoshme që aty të gjendemi dhe për këtë ne duhet të tregojmë përcaktimin dhe seriozitetin tonë ndaj të gjitha detyrimeve të cilat Kosova i ka marrë, por edhe ndaj detyrimeve të cilat ne do t’i marrim në të ardhmen”, tha kreu i qeverisë kosovare.
Prandaj, përfundoi Mustafa, takimi i sotëm ishte i karakterit që ne të ulemi të tregojmë përcaktimin tonë dhe zotimin tonë që do të punojmë këto ditë, në mënyrë që të përmbushim detyrimet tona, do të punojmë më tërë Kuvendin, me të gjithë deputetët dhe me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe faktorin ndërkombëtar që është këtu dhe pastaj në qeveri do të marrim vendimin adekuat lidhur me riprocedimin e amendamenteve përkatësisht lëndës e cila do të mundësonte që ne të realizojmë këto detyrime.
THAÇI: GJYKATËN SPECIALE TA THEMELOJMË NË BAZË TË KUSHTETUTËS DHE LIGJEVE TË KOSOVËS, BASHKËRISHT ME PARTNERËT TANË BE-në E SHBA-të
Zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha se mbështetë plotësisht qëndrimet që i prezantoi kryeministri Mustafa në emër të qeverisë dhe pozicionimin e qeverisë së Republikës së Kosovës edhe pas zhvillimeve të reja që kanë ndodhur dje në Kuvend. “Ajo që është me rëndësi është që shumica e deputetëve ishin në favor të përcaktimit tonë të kryerjes së këtij standardi, kriteri apo edhe obligimi karshi bashkësisë ndërkombëtare që e kemi marrë ne si shtet i Kosovës”, u shpreh ai.
Prandaj, vijoi Thaçi, vlerësoj se riprocedimi në kohën e duhur në ditët e ardhshme nga ana e qeverisë është një vendim i drejtë, një vendim që duhet të kalojë edhe përmes një koordinimi edhe ndërpartiak, por në të njëjtën kohë edhe një konsultimi të ngushtë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejtë që është e mundur dhe sa më shumë që është e mundur në kuptimin e një konsensusi edhe politik edhe qytetar edhe një bashkëpunimi të ngushtë me partnerët tanë strategjikë në mënyrë që të ruajmë hapin e perspektivës evropiane edhe në procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit, aplikimit në Këshill të Evropës si dhe rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.
“Prandaj, unë dëshiroj dhe në njëjtën kohë shpresoj që ne do të ngrihemi të gjithë mbi reagimet çfarë i kemi pasur edhe dje aty këtu prej deputetëve apo individëve të caktuar, në mënyrë që të marrim përgjegjësinë edhe të vlerësimit politik, edhe të votimit në kuadër të përgjegjësive më të larta tona kushtetuese, ligjore dhe të interesit shtetëror të Republikës së Kosovës. E ritheksoj edhe sot se është jetike për të ardhmen e vendit që të themelojmë ne gjykatën e veçantë, Gjykatën Speciale, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, pra ta themelojmë bashkërisht me partnerët tanë Bashkimin Evropian dhe SHBA-të dhe në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë së Kosovës që kjo çështje të kalojë në Këshillin e Sigurimit”, theksoi kryediplomati kosovar Thaçi.
Ai vijoi se, bashkërisht me partnerët tanë ne jemi të qartë se do të përmbyllet kjo çështje në periudhë shumë të shkurtër kohore 3 deri 5 vjet, ndërsa në rast të ndonjë rreziku tjetër apo lëshimi tonë kjo çështje mund të bartet në një periudhë të gjatë, me dëm të madh për shtetin e Kosovës, në periudhën 15 apo 20 vjeçare.
“Do të thotë edhe dëmi politik mund të jetë i madh, edhe dëmi i perspektivës euroatlantike por edhe një dëm i madh i sanksioneve të ndryshme për zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e sigurt për qytetarët e Kosovës”, përfundoi Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës në një deklaratë mbrëmë vonë vlerësi se mosmiratimi i djeshëm në Kuvendin e Kosovës i ndryshimeve kushtetuese që do të hapnin rrugë për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, nuk i shërben interesave madhore të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar të punojë deri në përmbushjen e plotë të detyrimeve që derivojnë nga letërkëmbimi ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Baroneshës Catherine Ashton si dhe fton të gjitha institucionet që t’i kontribuojnë përmbushjes së këtij obligimi dhe të mbrojnë interesat e shtetit të Kosovës”, theksonte deklarata.
“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se çdo dështim për përmbushjen e obligimeve nga ana e institucioneve tona, e vë në pikëpyetje seriozitetin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata.
MUNGONIN 5 VOTA PËR MIRATIM TË NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE PËR GJYKATËN SPECIALE
Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës, krijimin e Gjykatës Speciale. Për miratim duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Mungonin së paku 5 vota për miratim. Ndërsa më shumë se 5 mungonin votat pro të deputetëve nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK – 7 ishin kundër e 2 abstenuan.
Në deklarime, dy forcat më të mëdha politike të koalicionit qeverisës që kanë 68 deputetë (PDK 35, LDK 33) u shprehën pro, e tre të opozitës me gjithësej 31 deputetë kundër, ndërsa grupet parlamentare të komuniteteve pakicë nuk u deklaruan. Pa grup parlamentar janë 5 deputetë, 4 shqiptarë e 1 serb.
JACOBSON: JEMI TË ZHGËNJYER THELLË NGA REZULTATI I VOTIMIT NË KUVEND
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka bërë të ditur se SHBA-ja është e zhgënjyer thellë me moskalimin e amendamenteve që hapnin rrugën e themelimit të Gjykatës Speciale, dje në Kuvendin kosovar.
Sipas shtypit të sotëm të Prishtinës, ajo ka bërë të qartë se kjo çfarë ka dëshmuar të premten Kuvendi i Kosovës është një pengesë për aspiratat euroatlantike të Kosovës. Jacobson bën sërish të ditur se Qeveria amerikane nuk do t’i bllokojë përpjekjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën që të themelojnë Tribunalin në OKB në mungesë të themelimit të saj me lejen e Kuvendit të Kosovës.
“Ne jemi të zhgënjyer thellë nga rezultati i votimit të sotëm në Kuvend. Rezultati është një pengesë për aspiratat euroatlantike të Kosovës. Siç e kemi theksuar më parë, në mungesë të themelimit të Gjykatës Speciale, Qeveria e SHBA-së nuk do t’i bllokojë më përpjekjet e anëtarëve që s’e njohin Kosovën që të themelojnë Tribunalin në OKB”, ka thënë ambasadorja Jacobson për “Zërin”, shkruan kjo gazetë.
ZHBOGAR: BASHKIMI EVROPIAN ËSHTË NJOFTUAR PËR VOTIMIN NEGATIV TË KUVENDIT TË KOSOVË
Bashkimi Evropian është njoftuar për votimin negativ të Kuvendit të Kosovë, deklaroi mbrëmë Shefi i Zyrës së BE-së/PPBE Samuel Zhbogar lidhur me ndryshimet kushtetuese që mundësojnë themelimin e Dhomave të Posaçme.
“Jam i zhgënjyer me rezultatin e seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. BE-ja është njoftuar për votimin negativ lidhur me ndryshimet kushtetuese të cilat do ta kishin mundësuar krijimin e Dhomave Speciale të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special. Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos që t’i trajtojë supozimet serioze që dalin nga raporti i vitit 2011 të Këshillit të Evropës. Në këtë mënyrë BE-ja do të vazhdojë të punojë me institucionet e Kosovës përkitazi me konfirmimin e zotimeve që dalin nga Letër këmbimet 2014”, theksonte Zhbogar në deklaratën e sdërguar nga Zyra e BE në Kosovë.
SEJDIU: KOSOVËS I NEVOJITET HAP I VENDOSUR DHE I ARSYESHËM PËR TË GJETUR FORMULËN MË TË MIRË
Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se debati i djeshëm në Kuvendin e Kosovës dhe mosmiratimi i amendamenteve kushtetuese të propozuara nga qeveria për themelimin e Gjykatës Speciale domosdo Kosovën e fut në një fazë të re dhe jashtëzakonisht të ndjeshme.
“Megjithë zotimet e zyrtarëve më të lartë të shtetit për përfundimin e këtij procesi, sot doli një përgjigje tjetër nga Kuvendi i Kosovës. Kjo tregon se nuk kishte një përgatitje serioze dhe thellësisht të pjekur për këtë proces. Po kështu, kjo dëshmon brishtësinë e funksionimit institucional”, është shprehur ai.
“Kosovës i nevojitet hap i vendosur dhe i arsyeshëm për të gjetur formulën më të mirë të kapërcimit të kësaj situate. Sigurisht se variantet mund të jenë të shumta. Por, para së gjithash Kosovës i nevojitet një unitet nacional dhe qytetar dhe veprime shumë të vendosura për të zhvilluar partneritet të sinqertë , në radhë të parë brenda gjithë forcave politike të vendit dhe paralelisht një partneritet të fuqishëm e të sinqertë me miqtë e dëshmuar të Kosovës”, ka theksuar Fatmir Sejdiu, i cili si President i vendit ka udhëhequr Ekipin e Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, të ndërmjetësuara nga Kryenegociatori Martti Ahtisaari – Emisari Special i OKB-së.
KONJUFCA: LAJM I MIRË PËR KOSOVËN -MOSVOTIMI I GJYKATËS SPECIALE
Lëvizja Vetëvendosje organizoi sot konferencë për shtyp, ku kryetari i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, foli rreth mosvotimit të djeshëm të Gjykatës Speciale. Ai tha se mosvotimi i kësaj gjykate nga Kuvendi është një lajm i mirë për Kosovën. “Dje u evitua heqja e një pjese të konsiderueshme të sovranitetit republikan”, tha Konjufca.
Ai reagoi ndaj paralajmërimeve të qeverisë se këtë çështje do ta rikthejë në Kuvendin e Kosovës. “Në vend që qeveria të reflektojë pas këtij refuzimi në kuvend, ajo është përcaktuar për rrënimin total të demokracisë parlamentare”, u shpreh Konjufca.
HARADINAJ: NE SI SHTET DUHET TË FILLOJMË TË MERREMI VETË ME TEMAT TONA
Kosova duhet të merret vet me temat e veta, tha sot Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, një prej tre partive opozitare, që bashkë me disa deputetë të pozitës dje në Kuvendin kosovar pamundësuan miratimin e ndryshimeve kushtetuese për krijimin e Gjykatës Speciale jashtë vendit.
“Ne si shtet duhet të fillojmë të merremi vetë me temat tona, cilatdo qofshin ato. Ne jemi kundër eksperimenteve me Kosovën. Të gjithë duhet të na trajtojnë dhe të na besojnë se jemi të gatshëm me i marrë vetë përgjegjësitë”, është shprehur ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj, ka marrë pjesë sot në hapjen e punimeve të Kuvendit Zgjedhor të Aleancës së të Rinjve të Kosovës.
“Kosova po kalon momente të rëndësishme dhe ju rinia mund t’i vëni në shprehje aftësitë tuaja për zhvillimet dhe ndryshimet që mund të vijnë shpejtë”, është shprehur ai.
Kreu i AAK-së, Haradinaj, ka shfrytëzuar kuvendin zgjedhor të të rinjve të partisë së tij, për të kritikuar edhe njëherë qeverinë e Kosovës që ka mbajtë mbledhje edhe sot dhe insistimin e saj për themelimin e Gjykatës Speciale.
DEDA: KOSOVËS I DUHET ALTERNATIVË PËR SPECIALEN, OPOZITA TË MOS BARRIKADOHET
Deputeti i subjektit më të madh opozitar kosovar, Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda ka thënë se pa inate e pa barrikadim, të gjitha partitë politike duhet të ulen dhe të propozojnë alternativën e Kosovës për Gjykatën Speciale.
“Tash, pa inate, të gjitha partitë politike në Kuvend duhet të ulen dhe ta propozojnë alternativën e Kosovës ndaj Gjykatës Speciale që nuk kaloi dje. As nuk duhet qeveria të inatoset dhe për inat ta procedojë amandamentin e dështuar kushtetues, dhe as nuk duhet të barrikadohet opozita”, ka thënë Deda.
Ajo që duhet të ndodh tash sipas Dedës është një marrëveshje për Gjykatën e Kosovës për Krime Lufte.
“Gjykatë të njëjtë çfarë kanë Kroacia, Bosnja e Serbia. Mund ta bëjmë këtë Gjykatë të Kosovës për Krime Lufte, me seli në Prishtinë; edhe nëse është me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë; të bëhen gjykimet në Kosovë për çfarëdo pretendimi; dhe të pajtohemi për dëshmi dhe mbrojtje të dëshmitarëve jashtë Kosovës që janë të rrezikuar këtu”, ka thënë Deda, i cituar nga media.
“Ekziston edhe rruga e cila e sforcon shtetin tonë dhe pjekurinë politike dhe shoqërore për ballafaqim me të gjitha krimet e kryera në Kosovë, dhe jo vetëm sipas pretendimeve të Martyt. Pa inate, pa barrikadim”, është shprehur deputeti Deda.
Qeveria e Kosovës shkarkon ministrin serb Jabllanovic
Jabllanoviq nuk e ka pranuar vendimin për shkarkimin e tij/
Qeveria e Kosovës ka shkarkuar nga detyra ministrin serbe Aleksandër Jabllanovic. Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media nga Kryeministri Isa Mustafa. Mustafa ka thënë se Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës Jabllanovic nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar, por nuk ka bërë me dije nëse e ka shkarkuar atë apo ka dhënë dorëheqje.
Ministri që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, u vu në qendër të tubimeve popullore në Kosovë pas fyerjeve që bëri në adresë të grave kosovare që protestuan disa javë më parë gjatë vizitës së kryeminsitrit serb në Kosovë, Aleksandar Vuçiç, duke i quajtur ato “egërsira”.
“Nga sot, ministri Jabllanoviç nuk bën më pjesë në kabinetin qeveritar”, ka deklaruar Mustafa.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, shefi i qeverisë ka prekur edhe çështjen tjetër të nxehtë, atë të ndërmarrjes së Trepçës. “Për pasurinë tonë nuk debatojmë me të tjerë”, ka thënë ai. Duke kaluar në problematika të tjera, për të cilat në javët e fundit ka pasur edhe protesta, Mustafa ka thënë se janë probleme të trashëguara të cilat kërkojnë kohë të zgjidhen.
“Ditët e fundit jemi ballafaquar me greva dhe protesta të ndryshme. Më duhet të them se nuk jemi në gjendje të përballojmë rritjen e pagave, duhen edhe 130 milionë euro në buxhet, të cilat nuk i kemi”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se pagat në Kosovë nuk janë të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit, duke vënë në dukje se ato janë mbi mesataren e pagave në Ballkan, përkatësisht në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Jabllanoviq nuk e pranon vendimin për shkarkimin e tij
Prishtinë, 3 shkurt 2015 – Aleksandar Jabllanoviqi ka thënë se nuk e pranon vendimin e kryeministrit Isa Mustafa për shkarkimin e tij nga posti i ministrit dhe se gjatë ditëve në vijim do të shohin se si do të veprojë Lista Srpska.
Ai ka thënë se do të vazhdojë takimet me kryeministrin Isa Mustafa, duke thënë se shpreson se nesër nuk do të ketë protestë në Prishtinë.
“Gjatë ditëve në vijim do të shohim se si do të funksionojë koalicioni qeverisës i Listës Srpska me PDK-në dhe LDK-në”, tha ai për Klan Kosova.
Qeveria e Kosovës, 50 mijë euro për maternitetin e Preshevës
Nga B.Jashari/.-Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim për transferimin e shumës financiare në vlerë prej 50 mijë eurove në llogarinë e Komunës së Preshevës, në mbështetje të implementimit të projektit të Maternitetit të Preshevës.Vendim i sotëm, u bazuar në konkluzionet e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të mbajtur në Prizren në 11 janar 2014, dhe me qëllim të përkrahjes së popullsisë shqiptare në Komunën e Preshevës.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, janë zotuar të përkrahin bashkërisht projektin për ndërtimin e Maternitetit në Preshevë, në shumë prej 100 mijë euro.
Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës, është zotuar që të përkrahë Komunën e Preshevës me shumën prej 50 mijë euro. Ministra e Financave ka pranuar kërkesën nga Komuna e Preshevës në transferim të mjeteve financiare në llogarinë e saj.
XHANDARMERIA SERBE E HOQI LAPIDARIN NE PRESHEVE, REAGON QEVERIA E KOSOVES
Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet e indinjuar me veprimin e autoriteteve të Serbisë për heqjen me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës.
“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit”, thuhet në deklaratën me shkrim të Qeverisë së Kosovës.
“Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit, tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët”, thuhet në deklaratë.
Ky veprim i autoriteteve serbe, cilësohet si i shëmtuar dhe jocivilizues. Veprime të tilla, “nuk e ndryshojnë dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë, përkundrazi, vetëm sa e forcojnë atë dhe na rikujtojnë se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar”, vazhdon reagimi i Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë.
“Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike”, thuhet në këtë deklaratë.
Në fund të reagimit konkludohet se “ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”.
Pjesëtarët e xhandarmërisë së Serbisë sot herët në mëngjes e kanë larguar përmendoren e luftëtarëve të rënë të UÇPBM-së, para Kuvendit të Komunës në Preshevë.
Afro 150 pjesëtarë të xhandarmërisë, pak para orës 7 të mëngjesit, e kanë rrethuar sheshin në qendër të qytetit, ku gjendej përmendorja, e kanë mbuluar me një thes të bardhë të plastikës dhe e kanë ngarkuar në kamion, i cili i përcjellë nga 20 makina të policisë, është larguar nga Presheva.
Gjatë këtij operacioni ishte i pranishëm edhe komandanti i xhandarmërisë së Serbisë, Bratisllav Dikiq, i cili nuk ka dashur të prononcohet për media.
Nga ana tjetër, në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, theksohet se “përmendorja e ngritur në mënyrë ilegale”, sot është larguar nga qendra e Preshevës dhe se aksioni ka kaluar pa incidente.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6