• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Departamenti Amerikan i Shtetit kritikon Qeverinë Rama për zgjedhjet dhe korrupsionin

March 3, 2017 by dgreca

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për vitin 2016 për Shqipërinë. Në këtë raport ka një shuplakë të fortë për organizimin e zgjedhjeve lokale.

1 departament i Shtetit

Sipas DASH, në zgjedhjet lokale të vitit 2015 pati kepqedrim të pushtetit nga partitë kryesore, si edhe presione mbi votën. Sa i përket korrupsionit, DASH vëren se prokurët kanë ende frikë që të hetojnë rastet e peshqve të mëdhenj.Gjithashtu, në 14 mijë raste denoncimi për korrupsion, vetëm 94 janë proceduar për hetime.

Zgjedhjet e Fundit:

Zgjedhjet kombëtare parlamentare më të afërta u zhvilluan në vitin 2013. Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE­së raportoi se ato “ishin konkurruese me pjesëmarrje aktive të shtetasve përgjatë gjithë fushatës dhe me respekt të vërtetë për liritë themelore.” OSBE­ja vërejti: “Atmosfera e mosbesimit ndërmjet dy forcave kryesore politike ndikoi mjedisin zgjedhor dhe sfidoi adiministrimin e të gjithë procesit zgjedhor.” Në shtator u mbajtën zgjedhje të posaçme për kryetarin e Bashkisë Dibër pas pushimit nga puna të kryetarit të mëparshëm për abuzim me detyrën.

Vëzhduesit ndërkombëtarë vlerësuan ngjarjet e ditës së votimit si të qeta dhe të mirë­ organizuara. Megjithatë, në javët para zgjedhjeve, procesi u shënua nga akuza të blerjes së votës dhe kërcënim I votuesve nga të dyja partitë politike.

Në qershor 2015 vendi zhvilloi zgjedhjet lokale në mbarë vendin për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë. OSBE­ja e vlerësoi Ditën e  Zgjedhjeve përgjithësisht pozitivisht, por vërejti se ndonëse kuadri ligjor “mund të kishte siguruar bazën për zgjedhje demokratike”, partitë kryesore keqpërdorën pushtetin dhe përgjegjësitë e tyre të gjera brenda administrimit të zgjedhjeve dhe nuk patën vullnetin politik të zbatonin kuadrin ligjor me efektivitet.

Në raportin përfundimtar misioni i vëzhguesve të OSBE­së raportoi akuza të përhapura për presion mbi votuesit, të cilat, bashkë me raste të vëzhguara në ditën e zgjedhjeve, ngritën shqetësime për mundësinë e votuesve për të votuar lirisht. Misioni i vëzhgimit raportoi gjithashtu se mjedisi i fushatës ishte paqësor, me përjashtim të disa incidenteve të shkëputura, dhe se liritë themelore të shprehjes dhe grumbullimit u respektuan. Pjesëmarrja e grave dhe pakicave: pjesëmarrja e grave në qeveri u rrit në mënyrë të qëndrueshme deri sa arriti një rekord prej 23 përqind të deputetëve gr në parlament dhe 30 përqind të ministrave.

Ligji drejtues i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 kërkonte që 30 përqind e kandidatëve të ishin gra dhe që ato të përbënin 30 përqind të posteve me emërim dhe me zgjedhje. Gratë përbënin 18 përqind të anëtarëve të zgjedhur në parlament në vitin 2013. Sipas raportit të OSBE­së për zgjedhjet, sidoqoftë, tre partitë kryesore nuk e përmbushën kuotën 30­ përqindëshe të detyruar për gratë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i gjobiti këto parti por gjithsesi i pranoi listat e tyre.

Zgjedhjet lokale të qershorit 2015 u organizuan pas ndryshimeve të kodit zgjedhor që u kërkonin partive të alternojnë kandidatët burra dhe gra në listat e tyre. Sipas raportit përfundimtar të OSBE­së për vëzhgimin e zgjedhjeve, gratë u zgjodhën në më shumë poste, pothuajse një e treta, në këshillat lokale. Kërkesat për regjistrim civil, përfshirë tarifat dhe mungesën e dokumenteve të identifikimit vështirësuan mundësitë e anëtarëve të komunitetit rom të votonin në zgjedhjet lokale të qershorit 2015. Disa vëzhgues deklaruan se partitë politike ofruan të paguanin këtë tarifë në shkëmbim të votës. Deri në tetor nuk pati ministra apo deputetë romë.

Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në qeveri

Ligji parashikon dënime penale për korrupsionin e zyrtarëve, por qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektivitet dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korrupsioni pa ndëshkueshmëri. Në dhjetor të vitit 2015 Kuvendi miratoi legjislacionin e dekriminalizimit që parandalon individët me dënime penale nga shërbimi si kryetarë bashkish, deputetë, apo në qeveri dhe poste të tjera shtetërore. Gjatë viti autoritet ndërmorën hapa shtesë për të luftuar korrupsionin. Në korrik Kuvendi miratoi unanimisht amendamete kushtetuese për të aprovuar një reformë të gjerë të gjyqësorit që përfshinte krijimin e institucioneve të reja antikorrupsion. Këtu përfshihet ngritja e një zyre të pavarur prokurori dhe një nëjsie hetimore, përgjegjësia e vetme e të cilave do të jetë hetimi dhe ndjekja penale e korrupsionit në nivele të larta dhe e krimit të organizuar. Në gusht, Kuvendi miratoi një ligj për vetingun që synon pakësimin e korrupsionit mes prokurorëve dhe gjykatësve. Qeveria gjithashtu zgjeroi përdorimin e kamerave të trupit tek oficerët e policisë për të shkurajuar korrupsionin e rrugës. Një numër agjencish qeveritare hetuan raste korrupsioni por burimet e kufizuara, rrjedhjet e hetimeve, presione të vërteta ose të perceptuara poltiike dhe një sistem i çrregullt riemërimesh penguan hetimet. Ministria e Drejtësisë raportoi se dënimet në gjykatat e rretheve u ulën me 37 përqind në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014. Nuk pati të dhëna përsa i përket dënimeve në gjykatat e apelit. Në raste selektive që përfshinin aktorë ndërkombëtarë, agjencitë e antikorrupsionit bashkëpunuan me shoqërinë civile.

Korrupsioni:

Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes. Në fillim të vitit, 75 raste korrupsioni ishin ende pa gjykim, me 29 raste shtesë të filluara në qershor. Deri në gusht gjykatat dënuan 76 të pandehur për korrupsion? 25 raste u pushuan. Mbetën 121 raste për korrupsion që prisnin gjykimin. Deri në korrik, faqja e internetit ngritur në 2015 për të lejuar qytetarët të denonconin korrupsionin nga zyrtarët publikë kishte marrë 14,752 ankesa, 94 prej te cilave koordinatori i referoi për ndjekje penale.

Ndërsa prokurorët shënuan përparim në ndjekjen e korrupsionit në raste me profil të ulët publik, përfshirë gjykatës dhe prokurorë, ndjekja penale për krime të nivelit të lartë mbeti e papërfillshme për shkak të frikës së hetuesve për hakmarrje, mungesën e përgjithshme e burimeve, dhe korrupsionit brenda vetë gjyqësorit. Në shtator një gjykatë dënoi Spiro Kserën, ministër i punës nga qeveria e mëparshme, me 20 muaj burg për abuzim me detyrën pasi kishte përvetësur 30 milionë lekë ($240,000) që duhej të shkonin për përfitimin e komunitetit rom. Në maj autoritetet shkarkuan kryetarin e bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, pas publikimit të pamjeve filmike në të cilat ai dukej se kërkonte favore seksuale nga një femër në shkëmbim për një vend pune. Xhelili apeloi vendimin në Gjykatë Kushtetuese e cila e mbështeti shkarkimin e tij.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Departamenti amerikan i shtetit, korrupsioni, qeveria, Rama

Dita e 13-të e Protestës: Basha kërkon dorëheqjen e Ilir Metës

March 2, 2017 by dgreca

*Republika e Re, Basha për herë të parë kërkon edhe dorëheqjen e Ilir Metës /

*Berisha: Shqiptarë, mendoni për votën tuaj të lirë. Karteli i drogës është në qeveri/

2 Basha

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka kërkuar për herë të parë edhe dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, aleatit të Kryeministrit Edi Rama, me të cilin kanë krijuar qeverinë e koalicionit.Basha e ka artikuluar qartë në një intervistë dhënë Report TV: “Skenari i vetëm është largimi i kësaj qeverie.  Rama dhe Meta dhe kushdo tjetër të japin dorëheqjen dhe t’i hapin rrugë qeverisë teknike. Unë u them në emër të qytetarëve: Reflektoni dhe hapini rrugë qeverisë teknike; rrugë tjetër nuk ka.” Sot protesta e opozitës para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e 13.

Berisha: Shqiptarë, mendoni për votën tuaj të lirë. Karteli i drogës është në qeveri /

Ish-Kryeministri Sali Berisha iu ka drejtuar një thirrje qytetarëve shqiptarë sot nga “çadra e lirisë” përpara kryeministrisë.Ai ka bërë thirrje që shqiptarët të mendojnë për votën e tyre që është e rëndësishme. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se qeveria është kthyer në një bandë kriminale, e nuk është më qeveri.

Pjesë nga fjala e ish-kryeministrit Berisha:Thirrjen nëse i besoni apo votës së lirë, nëse duhet apo jo që ne të përcaktojmë votën e lirë si rrugën për të garantuar të ardhmen që meritojmë. Vetëm një moment ju ftoj të dashur shqiptarë, të mendoni për votën tuaj.Unë e di që qindra mijëra nga ju kur dëgjojnë këto fjalë thonë: “Ne s’kemi kafshatën për të ngrënë”. Unë jam me ju se kafshata është jeta, është më e rëndësishme se vota, por unë ju them ju të tjerëve që a ka një rrugë tjetër që këta njerëz të mos numërojnë kafshatën, të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre, përveç votës së lirë?Të votojnë përmes votës së lirë edhe për ata që lotët e mjerimit ua kanë shuar sensin, kuptimin e votës.Problemin e kafshatës mund ta zgjidhim duke votuar të lirë.Këtu para tre ditësh këtu ishte një personalitet shumë i shquar i politikës ndërkombëtare, zonja Betancurt që karteli i drogës e grabiti kur bënte garën për President.Ajo tha këtu se Shqipëria nuk më duket si Kolumbia. Për zonjën ishte e drejtë sepse qeveria e drogës kishte angazhuar ushtrinë për të luftuar kartelin e drogës, kurse këtu karteli i drogës është qeveria. Në dallim nga Kolumbia, drogën e mbjell qeveria, që I ka shndërruar strukturat e saj në struktura kanabiste.

Sa drogë ka shkuar në vitin 2016 deri tani? 150 tonelata me statistika. Por italianët kanë kapur 10-15% se pjesën tjetër nuk e kapin drogë.

Pse u mbush vendi me drogë: u mbush vetëm për një qëllim, që të helmojë votën, që vota të kapet me çdo kusht, që kanabisi të përcaktojë vullnetin e shqiptarëve.

A mund të votohet në një vend ku në të katër anëtar sundojnë bandat e armatosura të kanabisit? Ky kriminel që rri në zyrën e Kryeministrit bërtet si i çmendur se po bën shtet!

Çfarë shteti po bën ti që ke bandat në çdo metër katror të këtij vendi, kur e ke mbushur vendin me banda kanabisi. Po ndërton shtetin e drogës, po ndërton banditokraci!

Filed Under: Komente Tagged With: Basha, Berisha, doreheqje, Droga, Ilir Meta, qeveria

Qeveria e Kosoves,homazhe te shtatorja e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova

February 16, 2017 by dgreca

1 Qeveria homazhe te Rugova

Prishtinë, 16 shkurt 2017/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe kabineti qeveritar, me rastin e shënimit të nëntë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, bënë homazhe te shtatorja e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.Pas homazheve, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë figurën e Presidentit Rugova, luftën heroike të UÇK-së dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që u flijuan për pavarësinë e Kosovës.“Jemi së bashku me zëvendëskryeministrin Kuçi, me ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i bërë nderime Presidentit Ibrahim Rugova. Ne si institucione të Republikës së Kosovës vlerësojmë lartë figurën e Presidentit Rugova dhe kontributin e tij në shtetndërtim, ashtu siç vlerësojmë shumë lartë luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që u flijuan qoftë me mendje, qoftë me jetë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për ndërtimin e shtetit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, homazhe, Peremndorja e Rugoves, qeveria

SITUATA DËSHPËRUESE: QEVERIA, REALISHT KA RËNË

February 1, 2017 by dgreca

 

asllani-21

Nga Asllan Bushati/Në gjykimin tim, ngjarja më madhore  që  tronditi politikën  botërore ( vetkuptohet dhe atë shqiptare), ishte zgjedhja e Presidentit Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë. Kjo për disa politikanë  të majtë shqiptarë  ishte rrufe në qiell të hapur , kurse  për ato të djathtë, intelektualë e vizionar të së ardhmes, një zhvillim pozitiv i përmasave botërore. Unë dhe familja ime( që natyrisht  jemi  të djathtë por jo  politikanë), hyjmë tek këto të fundit ,sepse me vetëdije i dhamë Presidentit Trump pesë vota, kur të gjitha testimet e opinionit një ditë para zgjedhjeve, tregonin se ai do të ishte humësi i zgjedhjeve, e që fatmirësisht doli fitues.

Por le ti marrim në një analizë të shkurtër qëndrimet e liderëve dhe të partive  kryesore politike shqiptare pas zgjedhjes së Presidentit Trump. Kështu, forca kryesore qeverisëse PS-ja, e priti pothuaj në gjendje zije  këtë ngjarje të madhe botërore, për shumë arsye, por mbi të gjitha  për deklaratën e pamatur dhe të pafalëshme për një kryeministër që bëri Edi Rama. Ai me siguri i shtyrë  dhe i përdorur tëmerrsisht keq nga skifterët e Sorosit, bëri një gafë të madhe politike sepse kur ai foli , nuk foli si djali i Kristaq Ramës para moshatarëve të tij, por si kryeministri i Shqipërisë. Në këtë rast diaspora shqiptare në  Amerikë (përfshi dhe mu), u ndje shumë shumë e ofenduar sepse ai në  deklaratën e tij në një farë mënyre na përfaqësonte edhe ne si shqiptarë me banim në Amerikë. Nisur nga kjo Edi Ramës nuk mund t’i shkonte as nëpër mend  të vinte në Amerikë dhe të merrte pjesë në ceremoninë  e inaugurimit të Presidentit Trump,  sic bëri Basha, Meta, Mediu etj. Jo vetëm kaq ,por deklarata e tij do të komentohet gjatë si  avanturizëm apo  më e pakta gjë si një  cilimillëk, por që në mjedisin amerikan do të vazhdojë të na baltos edhe ne që jetojmë në këtë vend të mbrekullueshëm. Seriozisht ndiehem i fyer nga ky veprim i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Nga ana tjetër segmentet mbështetëse të Edi  Ramës këtu në SHBA, (po hamendësoj por edhe e besoj), me siguri  vazhdojnë ti cojnë  atij mesazhe e lëvdata  duke i thënë bravo, ti u tregove burrë, ne nuk të lemë në baltë, do ta ngremë Amerikën dhe botën në demostrata  kundër Trump-it, do t’ju mbështesim edhe ju për zgjedhjet e ardhëshme etj. Madje  për “zollumin” e kanabisit do ta mbajmë një vesh shurdhër e një sy qorr, por ti mos caj kokën e  vazhdo  të  mbledhësh  sa më shumë para se ato i bëjnë dhe i fitojnë zgjedhjet. Këto lloji mesazhesh   të të dëshpruarve, ndoshta  i japin atij zemër dhe e frymëzojnë në drejtimin e gabuar, sepse  jo rrallë  e shohim të krekosur në ekrane e median e shkruar cdo ditë.  E shohim më  autoritarist e më  arrogant, mospërfilljes e  më  brutal. Ka shumë dëshmi e deklarime të hapura e të besueshme  se  ai ka personalizuar cdo gjë, e  po e keqpërdorë edhe  shtetin sikur  të ishte pronë personale e tij. Pushteti i tij është lidhur me krimin dhe krimi nuk është karagjozllëk apo teatër zbavitës i Ramës, por barut, dinamit, plagë, vrasje, shkatërrim fizik e moral i shoqërisë shqiptare.

Poashtu  gati të gjithë mediat i ka futur në vathën e pallatit të pushtetit, duke e lënë shoqërinë shqiptare pa pushtetin e katërt, pa informacionin e duhur e në censurë të plotë. Masmedia (duke qenë e përlyer edhe vetë ), nuk mund ta mbrojë si duhet  interesin publik ,nuk mund të thotë  më me zë të lartë se  torta e madhe e korrupsionit po ndahet në qeveri dhe se thërrimet bien nëpër gjykata e media. Kjo që po ndodh  sot  në Shqipëri me PS-në dhe Edi Ramën, ndodh vetëm në  vendet totalitare e diktatoriale.

Në rrugën e tij inatcore e  per kaprico personale shkarkoi nga detyra para dy ditësh edhe Ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani, i cili me deklaratat që bëri ja corri më shumë maskën e “liderit rilindjes”, batutaxhiut ekselent, hokatarit  e njeriut babaxhan.

Partneri  i eminent i pallatit qeverisës,  LSI-ja, në pamje të jashtme (realitetit nuk dihet), le të  kuptohet  se e pëlqeu ardhjen e Presidentit Trump në pushtet. Por  udhëheqësi i saj Ilir Meta erdhi në Amerikë i ngarkuar me shumë gjynahe nga qeverisja me PD-në, me incizimet e Dritan Priftit, me problemet e Cez-DIA, me ceshjen Doshi, me blerje të zgjedhjeve, me korrupsion të të emruarve të tij dhe me një baltosje jo të  vogël  në sytë e opinionit publik shqiptar. Edhe  përfaqësitë diplomatike e shërbimet e  nëndheshme,  duhet të kenë informuar se cfarë përfaqson Ilir Meta si person  dhe  partia e tij në spektrin politik shqiptar. Sido që të jetë LSI-ja ka dhënë edhe disa shenja oponence  kundër  PS-së (megjithëse në qeverisje me të), për kanabisin, ligjin për kriminalitetin, reformën në drejtësi, mjeksinë, arsimin, përdorimin e mjedis etj. Pas këthimit nga Amerika , Ilir Meta është përpjekur të largojë pisllëkun që i ka rënë nga kontrabandisti i drogës Balili sa i bëri propozime edhe Presidentit Nishani  që ta shtrojë këtë problem në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Për punën e dobët të qeverisë dhe arrogancën e Kryeministrit  kanë folur (kuptohet me pëlqimin e Metës ) deputetet Vasili,Koka, Tavo dhe një rrebesh të vërtetë Ministri i shkarkuar i Drejtësisë Ylli Manjani.Ky i fundit duke patur informacione nga bota e nëndheshme e burgjrve e akuzoi  Ramën për kanabisin, për policinë specilale që jo vetëm suverion opozitën por edhe LSI-në madje edhe prokurorët; se korrupsioni është më i madh në qeveri se sa në gjykata, urdhërohen në telefon  nga Kryeministri prokurorë e gjyqtar të marrin vendime në kundërshtim me ligjin duke favorizuar klientelën e Ramës, se shërbimet partnere i kanë sygjeruar shkarkimin e Saimir Tahirit, por ai nuk e bën se nëpërmet tij kontrollon e drejton mafien e kanabisit etj akuza  që mund të ndodhin vetëm në shtetet totalitare.Por pika më kulmore në marrdhëniet PS-LSI,  ka qenë më 21 Korrik 2016 kur Ilir Meta kërcënoi me dorëheqje e  qeveri  teknike në rast mos gjetjes së konsensusit për paketën kushtetuese të reformës në drejtësi. Kjo zbritje me” shpatë në  dorë  në fushbetejë”, më kujtoi një ngjarje nga koha e diktaturës kur mendohej se:” në se humbasim luftën frontale me armikun, përkohësisht mund të kalohet në luftën e shkallës dyte, pra luftën partizane dhe kryeqytet i vendit do te ishte Skrapari “. Atë dite Ilir Meta  e këtheu në kryeqytet vendlindjen e tij duke e detyruar Edi Ramën të tërhiqej i mundur. Por pyetja shtrohet po tani LSI-ja pse e bën opozitarizmin brenda qeverisë? Mendoj se janë dy arsye madhore e para ndiehet e kërcënuar nga Rama me vetingun dhe së dyti Kryeministri  nuk i ka lejuar saj ekses në fushat e kanabisit ku lëvizin shuma të mëdha parash.

Tani le të shohim pak në kampin opozitar dhe më së shumti PD-në. Lideri saj Lulzim Basha erdhi në inaugurimin e Presidentit Trump, i qetë, shumë i mirëpritur dhe  më  i respektuari  udhëheqës shqiptar, por i vënë pak në shenjestrën e ndërkombëtarëve si  frenues i reformës në drejtësi. Kjo shenjestër nuk e zbehte aspak gjithë betejen opozitare që ai kishte udhëhequr me shumë sukses kundër  Edi Ramës , i cili kërkonte ta vinte nën këmbët e qeverisë prokurorinë dhe gjithë sistemin e dejtësisë . Pra Basha erdhi si fitues i duelit me qeverinë dhe i  besuari për proceset e së ardhmes. Vec Uashingtonit ai mori të njëjtat vlerësime dhe nga europianët duke e pasuruar cv-në e tij.

Parë nga gjithsa më lart, pyetja shtrohet se cfarë premtimesh morën liderët shqiptar nga Administrata  e re Trump? Në gjykimin tim meshazhi për Edi Ramën ka qenë – je i pa besueshëm për ne, zollumet që ke bërë janë  të shumta,(jo vetëm deklarata kundër Presidentit Trump), mos shko më tutje në rrugën e gabur që ke zgjedhur. Për Ilir Metën : këto tetë vitet e fundit je baltosur shumë. Ka ardhur koha të dalësh në opozitë ku do të keshë kohë të merresh me pastrimin tënd dhe të partisë, pa hyrë në koalicion parazgjedhor me askënd. Për Lulzim Bashën: vazhdo të ecësh përpara duke insistuar për zgjedhje të reja  elektronike e të nderëshme. Ne do t’ju vëzhgojmë nga afër dhe në cdo rast do të keni ndihmesën tonë.

Si përfundim, situate politike në Shqipëri është në gjendje dëshpëruese.  Qeveria realisht ka rënë sepse koalicioni qëndron në këmbë vetëm formalisht. Zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri  teknike, por edhe për atë nuk ka kohë. Atëherë ky koalicion le të shkojë ashtu duke u zvarritur deri në zgjedhjet e reja, por me një kod të ri zgjedhor, ku ti pritet cdo rrugë prave të kanabisit , financimit të paligjëshëm dhe shit-blerjes së votës. Dispozitat ndëshkuese për parregullsi në zgjedhje të bëhen  shumë të forta. Shoqëria shqiptare e meriton të shpëtojë një herë e mirë nga zgjedhjet e këqija.

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, qeveria, shqiperi, Situata

Basha: Qeveria, autore e kapjes dhe vjedhjes së zgjedhjeve

January 19, 2017 by dgreca

1 BashaNga Arben Xhixho/Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Uashington për të marrë pjesë nesër në ceremoninë e përurimit të presidentit të ri Donald Trump. Por, ndërsa në Shtetet e Bashkuara nesër fillon nga detyra administrata e re, Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve të përgjidhshme që do të zhvillohen në qershor. Në intervistën për shefin e shërbimit shqip Arben Xhixho, zoti Basha flet për gjendjen në Shqipëri në prag të zgjedhjeve dhe kërkesat që ka bërë Partia Demokratike për to.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha ju ndodheni këtu në Uashington për ceremoninë e përurimit të Presidentit të ri Donald Trump. Fillimisht do të kërkoja një sqarim për statusin me të cilin po merrni pjesë ju në këto ceremoni. Ka pasur spekulime në shtypin shqiptar për mënyrën se si vijnë zyrtarët shqiptarë këtu në Uashington. Ajo që dihet është që nuk ka ftesa zyrtare nga qeveria amerikane. Ftesat lëshohen nga anëtarët e kongresit, ligjvënës ose senatorë. Cili është statusi juaj?

Lulzim Basha: Unë jam ftuar në ceremoninë e inaugurimit dhe në ceremonitë e tjera me rastin e inaugurimit, nga anëtarë të mazhorancës, pra të partisë republikane të kongresit amerikan. Për shembull, dje kam qenë i ftuar i senatorit Ted Cruz. Për ceremoninë e inaugurimit kam ftesë të përbashkët nga kryetari i komisionit për Europën në komisionin e jashtëm të Kongresit dhe nga bashkëkryetari i komisionit për OSBE-në, nga dy kongresmenë të njohur republikanë dhe po kështu kam një numër ftesash nga kongresmenë dhe senatorë të partisë demokratike për disa nga aktivitetet e tjera që organizohen gjatë inaugurimit të presidentit Trump. Pra, ftesat janë ftesa, nuk janë bileta, janë të papaguara, janë të dërguara dhe jo të kërkuara dhe unë jam i nderuar që u jam përgjigjur ftesave të përfaqësuesve të shumicës në kongresin amerikan dhe të partisë republikane, komitetit kombëtar republikan për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Trump, pra, në ceremoninë e inaugurimit dhe të gjithë festimet dhe ceremonitë e tjera.

Zëri i Amerikës: Në fakt do të bëj një sqarim. Do të thotë se ju i quani ftesa ato që quhen po bileta. Por dallimi është që disa prej këtyre dalin në forume të ndryshme të shtiblerjes online, përfundojnë atje, në rrugë pa të drejt dhe njerëz të ndryshëm mund të arrijnë t’i blejnë me çmime nga pesëqind deri në disa mijë dollarë.

Lulzim Basha: Nuk e kam ndjekur këtë proces, me thënë të drejtën. Unë jam i ftuar zyrtarisht nga anëtarë të kongresit, nga anëtarë të mazhorancës dhe nga komiteti kombëtar republikan për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit dhe në të gjitha ceremonitë e tjera që zhvillohen gjatë kësaj jave, disa prej të cilave kanë filluar.

Zëri i Amerikës: E qartë. Zoti Basha zgjedhjet e tanishme presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara ishin nga më interesantet dhe në të njejtën kohë më përçarëset në historinë e Amerikës. Megjithatë, nesër kur të bëhet ceremonia e përurimit presidenti i zgjedhur Trump do ta filloj ditën me një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Obama. Prej andej, të dy do të shkojnë në kongres. Do të fillojnë pastaj ceremonitë e tjera përuruese. Rivalja e tij kryesore, Hillary Clinton do të jetë e pranishme në ceremoninë e përurimit. Pra kjo do të thotë se në Amerikë, një nga thelbet, çelësi i demokracisë, tranzicioni paqësor i pushtetit nuk po cënohet aspak. Të kthehemi në vendin tuaj në Shqipëri. Pas gjithë këtyre viteve të tranzicionit në sistemin demokratik, zgjedhjet, tranzicioni i pushtetit ka qënë gjithmonë jo aq i suksesshëm. A ka ardhur koha që edhe në Shqipëri këto ndryshime pushteti, pasi mbarojnë zgjedhjet pala humbësa ta përgëzoj palën fituese dhe jeta të vazhdoj normalisht?

Lulzim Basha: Unë do të thoja se konstatimi është pjesërisht i drejtë. Në zgjedhjet e 2005 dhe në zgjedhjet e 2013 pati rotacion pushteti. Të dyja këto unë do t’i vlerësoja si relativisht të qeta dhe joproblematike. Do të vlerësoja në veçanti tranzicionin e vitit 2013, kur mazhoranca e atëhershme përgatiti dosjet për të gjithë institucionet në mënyrë të plotë dhe substantive për t’i lehtësuar tranzicionin e pushtetit qeverisë që erdhi drejtuar nga zoti Rama dhe zoti Meta. Kjo u vlerësua nga shoqëria shqiptare edhe ndërkombëtarisht. Pra, ishte një hap drejt konsolidimit të praktikës demokratike në Shqipëri. Problemi është se që nga ky moment kemi patur probleme të njëpasnjëshme me zgjedhjet. Dy muaj pas tranzicionit të pushtetit ne patëm zgjedhje lokale në Korçë për shkak se ish-kryetari i bashkisë u emërua zëvendës-kryeministër. Nga mediat shqiptare, të cilat nuk mund t’i akuzosh se janë afër opozitës, u filmua një proces i turpshëm i shit-blerjes së votës. Opozita protestoi dhe ngriti zërin. Unë insistova për një hetim të plotë. Hetimi nisi dhe në korrik të vitit tjetër, pra, në 2014, maxhoranca në mënyrë të njëanshme kaloi një amnisti për të bllokuar nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të shitblerjes së votës në Korçë. Mosndëshkimi i këtij krimi elektoral ishte paralajmërim për atë që ndodhi në 2015, për atë që OSBE e quajti minim të besimit tek vota e lirë. Ky ishte konkluzioni i OSBE për zgjedhjet e 2015. Për të arritur në shfaqjen më të shëmtuar në zgjedhjet e Dibrës në shtator të vitit të kaluar, ku përveç shitblerjes së votës, problemi i madh i rolit të kriminelëve në politikë dhe në zgjedhje, i infektuar edhe me problemin e drogës, sollën asgjësimin e procesit politik. Çfarë është procesi politik? Ai është një garë. Edhe këtu në Amerikë patëm garë mes dy alternativave.

Zëri i Amerikës: Keni të drejtë. Ideja është kjo që në Amerikë ose në Shqipëri kur të mbarojnë zgjedhjet të mos vazhdojnë më thirrjet për bojkotim parlamenti, protesta të kryesuar nga partitë ose deputetët vetë. A është maturuar sa duhet politika shqiptare?

Lulzim Basha: Problemi numër një me Shqipërinë sot është se qeveria është treguar jo e paaftë për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme, por autore e kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve. Sot në Shqipëri kemi një problem, që është konstatuar botërisht nga shumë sondazhe të pavarura, që shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira e të ndershme. Dhe ky është një problem i madh jo vetëm për opozitën, për partinë demokratike apo për mua. Ky është një problem i jashtëzakonshëm për vendin. Sepse të mos besosh që do të kesh zgjedhje të lira e të ndershme do të thotë të mos besosh tek e ardhmja, të mos kesh shpresë se përmes votës mund të ndryshosh politikën. Kjo ka sjellë një valë të re emigracioni. Shqiptarët po largohen nga Shqipëria, sepse ka një humbje besimi te politika si instrument ndryshimi. Kjo është detyra jonë e parë dhe kryesore; të rikthejmë besimin te politika, si instrument në duart e qytetarëve për të ndryshuar, e jo për të ndryshuar ministrat apo klientët e qeverisë, por për të ndryshuar jetën e qytetarëve. Që kjo të ndodhë, duhet të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Sot zgjedhjet janë të kërcënuara nga shitblerja e votës, nga moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, apo kriminelët në politikë, nga përdorimi i shtetit. “Shteti u bë njësh me partitë” – tha OSBE-ja. Ndaj ne kemi propozuar një paketë ku përfshihet votimi dhe numërimi elektronik, dekriminalizimi i shpejtë i politikës, aksesi i barabartë në media, kufizimi i shpenzimeve elektorale dhe transparenca e financimit të partive politike.

Zëri i Amerikës: Pikërisht kjo, sot reforma zgjedhore është në qendër të debatit politik që po bëhet në Shqipëri. Por ky debat i madh po bëhet pikërisht para zgjedhjeve.

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë. Debati ka nisur qysh në vitin 2011, që të jemi të drejtë. Partia Socialiste ka ngritur disa çështje, që ishte votimi elektronik në 2011, u bënë prova në 2013 për numërimin elektronik. Ato dështuan, por nuk ka dështuar teknologjia, sepse është alibi të thuhet kështu, që pse dështoi në 2013 numërimi elektronik nuk mund të kërkohet sot votimi elektronik. Ne kemi bërë kërkesën në maj 2016. Në 17 maj PD e ka zyrtarizuar kërkesën, sepse kërkesa është më e hershme. Qysh pas zgjedhjeve të 2015 unë i kam shkruar komisionit të ODIHR-it dhe i kam këkruar zyrtarisht maxhorancës votimin elektronik: le të marrim së bashku masat për votimin elektronik.

Zëri i Amerikës: Në komisionin paralamentar për zgjedhjet, partia demokratike, pra opozita dhe shumica kanë pak a shumë të njejtin numër anëtarësh. Pra, komisioni është i ndarë në mënyrë të barabartë dhe nuk kemi dëgjuar që partia juaj që nga maji, siç thatë ju vetë, deri sot të keni insistuar në votimin elektronik. A mendoni ju se votimi elektronik mund të arrijë të realizohet, mund të bëhet në këto pesë muaj? Kryetari i OSBE-së në Shqipëri tha që është pak vonë.

Lulzim Basha: Unë nuk kam ndërmend të hyj në debat që kanë për detyrë të ndihmojnë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme. Detyra e OSBE-së është që shqiptarët të votojnë të lirë. Kjo është detyrë kryesore e opozitës. Duhet të jetë detyrë kryesore edhe e maxhorancës. Duhet të jetë detyrë kryesore e çdokujt që i dhimbset Shqipëria, çdo shqiptari dhe e miqve tanë. Ne kemi një propozim konkret, i cili është zyrtarizuar më 17 maj 2016, pra, çdo alibi se nuk e kemi thënë në kohë, se nuk kemi kohë është vetëm një alibi. Të thuash se nuk kemi kohë për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, kjo është qesharake. Shqiptarët duan zgjedhje të lira e të ndershme dhe meritojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është një zgjidhje që ne kemi ofruar. Ne jemi të hapur nëse maxhoranca apo nëse partnerët kanë zgjidhje të tjera më të mira se kjo. Ne jemi të hapur t’i dëgjojmë e t’i pranojmë. Shqetësimi ynë ka të bëjë me faktin se shitblerja e votës, që gjithë shqiptarët e dinë se është një problem i madh, deformon vullnetin e qytetarëve. Çfarë ndodh? Nuk zgjidhet një qeveri në bazë të dëshirave, projekteve dhe kërkesave ë qytetarëve, por në bazë të parave që blejnë varfërinë e qytetarëve. Dhe me t’u zgjedhur një qeveri e tillë, ajo në vend që t’u përgjigjet qytetarëve me investime, me punësim, me ekonomi më të fortë, me të ardhme më të sigurtë, me gjithë masat që duhet të marrë, fillon e merret me xhepat e saj, me xhepat e klientëve, që u kanë dhënë paratë për të blerë votat e qytetarëve. Pra, varfëria, papunësia dhe kriza ekonomike janë drejtpërdrejt të lidhura me zgjedhjet e prishura dhe të kapura. Që të kemi një ekonomi funksionale, që të kemi një punësim real, jo vetëm premtime për 300 mijë vende pune, por punësim real, duhet të kemi një qeveri të përgjegjshme, dhe kjo del vetëm nga zgjedhje të lira e të ndershme.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se ky kushti që keni vënë ju për votimin dhe numërimin elektronik nuk arrin të zbatohet teknikisht, çfarë qëndrimi do mbani ju për zgjedhjet?

Lulzim Basha: Ne besojmë që kemi dhënë një zgjedhje të duhur për të zgjidhur një pjesë të problemit. Ka probleme që otimi elektronik nuk i zgjidh, si është problemi i drogës.

Zëri i Amerikës: Padyshim, është rrugëdalje shumë e mirë. Por është çështje kohore. Bëhet apo s’bëhet?

Lulzim Basha: Më lejoni ta shtjelloj pak se këtë kam biseduar këtu edhe me përfaqësuesit amerikanë, të cilët më kanë dhënë mbështetje të plotë dhe janë realisht të shqetësuar për zgjedhjet në Shqipëri. Ky është një shqetësim i madh për partnerët tanë euro-amerikanë, një shqetësim i madhe edhe për SHBA-të, për gjithë bashkëbiseduesit që kam patur deri sot këtu, dhe kanë premtuar mbështetje. Mbështetjen e premtoi Victoria Nuland disa herë në bisedat që kam patur me të, mbështetje kanë premtuar drejtues të lartë në senat dhe në kongresin amerikan. Përfaqësues të administratës së presidentit Trump po e ndjekin me një shqetësim të veçantë problemin e zgjedhjeve, por edhe problemin e krimit, të drogës në Shqipëri, dhe janë të angazhuar dhe mbështesin plotësisht përpjekjet e mia dhe të partisë demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme. Unë besoj se ka ardhur koha që gjithë këto forca, jo vetëm opozita shqiptare, jo vetëm partia demokratike, por edhe partnerët tanë edhe shoqëria civile, edhe media shqiptare, gazetarët shqiptarë, qytetarët, të bashkohemi për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme.

Zëri i Amerikës: Në kuadër po të zgjedhjeve, partia juaj sot ka të njejtat figura kryesore që ka pusur edhe në tetë vitet kur ishit në qeverisje dhe në zgjedhjet e kaluara të cilat i humbët. Ju jeni në zgjedhje të reja, dhe padyshim që synoni t’i fitoni ato. A mendoni se kjo mund të përbëj problem? Ju keni bëri thirrje, e keni hapur partinë javët e fundit. A është pak vonë për këto gjëra?

Lulzim Basha: Partia Demokratike ka qënë në një proces rinovimi prej ditës së parë të zgjedhjes sime si kryetar, më lejoni ta sqaroj. Pas momentit të daljes…

Zëri i Amerikës: Megjithatë, dominojnë figurat kryesore.

Lulzim Basha: Po sigurisht pasi grupi parlamentar nuk ndërrohet rrugës apo jo. S’ndodh as me Kongresin amerikan, as me senatin. Por ndryshe nga sporti, politika nuk është vetëm çështje moshe. Është çështje kontributi dhe gadishmërie për t’i shërbyer njerëzve. Kushdo që ka gadishmërinë, integritetin, energjinë për t’i shërbyer njerëzve, është i mirëpritur të jap këtë kontribut brenda partisë demokratike duke ndarë vlerat tona, ato që besojmë ne.

Zëri i Amerikës: Po. Dhe pasi shërbejnë, pasi japin kontributin, kur rezulton i humbur ia lë vendin të tjerëve. Apo jo?

Lulzim Basha: Dhe padyshim partia është hapur. Unë kam kënaqësinë të ndaj me ju, siç kam ndarë me shqiptarët përmes mediave në Shqipëri, faktin se me dhjetra të rinj të mirëshkolluar në Shqipëri, dhe jashtë Shqipërisë, të punësuar në institucionet prestigjoze private dhe publike, i janë bashkuar Partisë Demokratike. Ne kemi sot një ekip të jashtëzakonshëm, me juristë, me ekonomistë, me profesionistë të fushave të ndryshme të cilët kanë hartuar një program të Partisë Demokratike për një ekonomi të fortë dhe për të nxjerr vendin nga kriza ku ndodhet sot. Punësimi i shqiptarëve, hapja e vendeve të punës, ringritja ekonomike janë tre propozimet kryesore me të cilat ne dalim para shqiptarëve, propozime konkrete, jo me fabula, 300 mijë vende pune kot. Por për mua sot si kryetar i opozitës dhe nesër si kryeministër detyra numër një është të kthejmë vendet e punës që janë zhdukur si rezultat i politikave të gabuara, i represionit, i arrogancës, i taksave të larta. Kjo është plotësisht e mundur dhe sot unë kam një program, kam një ekip që ndërthur kontributet në vite dhe energjinë dhe potencialet e reja të cilat janë bashkuar me Partinë Demokratike jo për të marr, se ne sot jemi në opozitë, por për të dhënë dhe për të kontribuar. Pra Partia Demokratike shkon në këto zgjedhje me një ekip ku ndërthurret eksperienca më e mirë, integriteti dhe energjia rinore. Dua të sjell në vëmendjen tuaj faktin që dy ditë para të nisesha për këtu, ne kemi hapur një proces unik në politikën shqiptare, të përthithjes të kandidaturave për deputet, jo vetëm duke pyetur strukturat tona, ananëtarët tanë dhe mbështetësit tanë por duke pyetur qytetarët anembanë. Duke ju drejtuar kështu, jo vetëm drejtuesve të partisë demokratike, por edhe shoqërisë civile, botës akademike, botës së sipërmarrjes, të përndjekurve politikë, pronarëve, organizatave jo-fitimprurëse, rinisë, pensionistëve. Pra, të gjitha kategorive shoqërore, për të evidentuar njerëzit më të gatshëm dhe më të besueshëm për të qenë deputetët e ardhshëm të partisë demokratike. Ky është një proces i domosdoshëm për të kthyer besimin tek politika, hapja e partive politike. Sepse këtu ku kemi ardhur, zoti Xhixho, kemi ardhur si rezultat edhe i partitokracisë, i vendim-marrjes së mbyllur, i korrupsionit të ngritur në sistem për shkak se të gjitha vendimet merren dhe kontrollohen nga një palë duar dhe po kështu kontrollohet pushteti që lind nga këto vendime. Kjo do të marrë fund me mua. Partinë po e hap. Hapja do të jetë e parikthyeshme, do të vazhdojë të zgjerohet dhe kështu me këtë frymë hapjeje, siç menaxhojmë sot betejën opozitare nesër do të menaxhojmë qeverisjen e vendit. Në konsultim të plotë me qytetarët, duke përfilllur kërkesat e qytetarëve, duke mos i shkelmuar ato, pa arrogancë, duke i njohur problemet, duke i zgjidhur problemet.

Zëri i Amerikës: Si do të jenë listat e deputetëve të partisë, do të jenë lista të hapura apo do të jetë të përcaktuara nga kryetari i tanishëm?

Lulzim Basha: Sistemi aktual nuk lejon lista të hapura por propozimi ynë për votimin elektronik i hap rrugë listave të hapur. Partia demokratike nuk kemi qenë dhe nuk mund të jemi kurrë pengesë për listat e hapura. Unë e kam thënë dhe dua ta përsëris, për mua çdo sistem që e sjell deputetin më afër qytetarit është i pranueshëm. Por për momentin, vëmendja jonë është tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të garantohet vota e shqiptarit, le ta zgjedhin vetë kë sistem të duan. Me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me mbështetjen e partnerëve tanë amerikanë dhe euroatlantik, partia demokratike shkon e sigurt drejt fitores.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit, lidhur me një reform po aq të rëndësishëme që është ende duke u kryer në Shqipëri, që u miratua, po vazhdojnë ende të miratojnë ligje të tjera për reformën në drejtësi. Nuk dua të ndalem në meritën, në vlerat ose në difektet e kundërshtimeve ose ankesave që keni pasur ju ndaj këtre ligjeve. Por, do të ndalemi tek çështja e përceptimit, e imazhit. A mendoni se kundërshtimi që ju i keni bërë kësaj reforme ose çuarje e këtyre ligjeve të reja në gjykatën kushtetuese që mund të kenë qenë ankesa tuaja plotësisht të drejta, por ka përfunduar që janë rrëzuar, mund ta dëmtojë imazhin e partisë dhe mund të ketë një kosto elektorale?

Lulzim Basha: Absolutisht jo. Sepse partia demokratike prej ditë së parë ka qenë pro reformës në drejtësi. Të tjerat janë broçkulla dhe “fake news” për të përdorur një term nga presidenti Trump. Janë lajme të rreme të shpërndara dhe të fabrikuara nga kundërshtarët e vërtetë të një reforme të vërtetë në drejtësi, ata që i tremben drejtësisë së pavarur. Ne kemi kundërshtuar një drejtësi në duart e kryeministrit, në duart e këtij kryeministri apo në duart e mia, apo kushdo që vjen pas meje. Por ne kemi qenë prej fillimit për një drejtësi të pavarur dhe për këtë kemi marrë edhe përgëzimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Zv/Sekretarja Nuland. Unë kam patur rastin ta bisedoj këtë edhe me anëtarët dhe drejtuesit e lartë të administratës që inagurohet nesër dhe kam marrë sigurinë, garancinë, që ata do të mbështesinë plotësisht këtë përçasje parimore ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor, jo shtetit njëshit, jo shtetit të kyreministrit por shtetit ligjor, shtetit të së drejtës. Ndaj nga kjo vizitë, deri tani sepse nesër kemi ditën e madhe në Uashington, dua të ndaj me gjithë shqiptarët kënaqësinë e madhe të një Uashingtoni që mbetet thellësisht i interesuar për përparimin dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe të një administrate të re të presidentit Trump që pret me padurim të vazhdoj kontributin për sigurinë, shtetin ligjor dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në të gjithë rajonin. Kam patur rastin të flasë edhe për problemet e fundit në Kosovë dhe çështjet e stabilitetit rajonal në tërësi dhe ju them në fund të kësaj interviste se për partinë demokratike me ardhjen e presidentit Trump nis erë e re, jo vetëm për Amerikën por edhe për Shqipërinë, ku në qendër do të jetë qytetari dhe fuqia e qytetarit, vota e qytetari, zëri i qytetarit do të përbëj ndryshimin e vërtetë. Unë do të mbështetem fuqimisht tek ky shembull dhe kam besim te madh se ky shembull jo vetëm do mbështesë por edhe do të frymëzojë një ndryshim të shpejtë në Shqipëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: autore e kapjes dhe, Lulzim Basha, qeveria, së zgjedhjeve, vjedhjes

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT