• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“QYTETAR NDERI” I BREGDETIT

June 18, 2015 by dgreca

MËSUESI I MERITUAR MINELLA GJONI MERR TITULLIN “QYTETAR NDERI” I BREGDETIT/

 Reportazh nga Agron Shele/

Ditën e diel më datë 31 maj, Komuna e Lukovës organizoi në Sarandë një event kulturor me rastin e dorëzimit të titullit qytetar nderi (pas vdekjes) për Mësuesin e Merituar Minella Gjoni. Ishte vlerësim i punës 47 vjeçare të një jetë mes misionit të mësuesit dhe pasionit të studjuesit për një nga figurat më të rëndësishme të plejadës bregdetase me kontribute të jashtëzakonshme në shumë fusha nga ajo arsimore, studimore, historike, folklorike, gjuhësore, antropologjike e letrare.

Po kush eshte Minella Gjoni? 

I shquar në mësimdhënie për edukimin e dhjetëra brezave, por ndërkaq, edhe nje kontributor i palodhur si studiues, hulumtues e qëmtues i çdo vlere shqiptare ne leminë shpirterore të kesaj treve me identitet te spikatur. Shembull i përkushtimit dhe pasionit për mësuesinë e shkrimtarinë, atdheun e vendlindjen, punën dhe profesionin, inteligjencën dhe zellin për t’i çuar gjer në fund detyrimet e tij intelektuale, prindërore e njerëzore të mësuesit, studiuesit, hulumtuesit, kthyesit dhe transmetuesit të çdo vlere të ardhur nga skutat shekullore, në gërma të arta për brezat.

Kryetari i Komunës, Vladimir Kumi theksoi se ishte shumë simbolike për të, që të mbyllte aktivitetin e komunës së Lukovës me vlerësimin e një figure shumë të rëndësishme për krahinën e Bregdetit, Mësuesin e Merituar Minella Gjonin. Sepse është një personalitet me të cilin krenohet gjithë krahina për vetë vlerat që bart ky njeri. Dhe është po kaq nder për ne për këtë vlerësim që i bëjmë këtij njeriu. Titullin ia dorëzoi bashkëshortes, zonjës Izmini Gjoni e cila theksoi se gjithë jetën, Minella Gjoni punoi me përkushtim për krahinën e Bregdetit, ndaj vlerësimi më i madh siç thoshte ai, ishte kur të vlerësojnë njerëzit e tu.

Në këtë aktivitet të dorëzimit të titullit të realizuar si një spektakël, morën pjesë shumë drejtues të lartë të institucioneve lokale, arsimore, miq, të afërm, kolegë, ish- nxënës, shkrimtarë, artistë, intelektualë të fushave të ndryshme me të cilët përgjatë jetës ka bashkëpunuar Minella Gjoni.

Profesori Paskal Milo i pranishëm në këtë event i cili kishte rrugëtuar enkas nga Tirana për të nderuar kujtimin e Minella Gjonit në këtë ditë të rëndësishme si dhe familjen e tij, theksoi: “Ky është një vlerësim i merituar për Minella Gjonin, se Krahinës rrallë i vijnë personalitete si Minella, një studiues i apasionuar që e ka gërmuar me shumë kujdes arkivin historik të zonës bregdetare dhe ka vjelur burime të çmueshme arkivore e bibliografike për të na prodhuar gjithë atë lëndë interpretuese të historisë bregdetare dhe mbi të gjitha ka një dashuri të madhe për Bregdetin në çdo faqe të librave të tij. Minella Gjoni ka skalitur emrin e tij përjetësisht në memorjen e Bregdetit, por edhe në kujtesën kolektive bregdetare që materializohet në librat e tij. Le të jetë ky hap vlerësues, duke u paraprirë hapave të vlerësimeve të tjera për Minella Gjonin, nga institucione shtetërore më të larta, të cilat ai i meriton”.

Gjatë eventit u prezantua edhe dokumentari për jetën e Minella Gjonit “BARDI I RRËNJËVE TË BREGDETIT”

Në këtë dokumentar, krahas jetës e aktivitetit të tij 47 vjeçar, ishte e pranishme edhe fjala e shumë studiuesve mbi veprën e Minella Gjonit si e profesorëve: Adriatik Kallulli,  Agim Vinca, Fatmir Terziu, Josif Papagjoni, Paskal Milo etj.. Për më tepër po jepim disa nga prononcimet e tyre :Profesori Adriati Kallulli, në një prononcim të vitit 2009, shpreh vlerësimin për veprën e Minella Gjonit: Identitetin tonë mund ta zbulojmë, konfirmojmë dhe mbrojmë, përmes komunitetit ku lindëm e ku kemi rrënjët tona. Këtë konfirmon studiuesi i mirënjohur Minella Gjoni permes librave të tij. Asnjëherë nuk është e lehtë të shkosh te rrënjët e tua, që janë rrënjë të të parëve të tu. Minella Gjoni që i ka hyrë kësaj superdetyre, Identitetin e komunitetit të Bregdetit Jonian mund ta zbulojë dhe interpretojë Minella Gjoni, sepse është i përgatitur ta kryejë këtë kërkim të tejlodhshëm. Por jo vetëm kaq. Gjoni mund të eci në maratonën shumëvjeçare të kërkimit, sepse beson te puna e tij, te kërkimi i tij, te ekzistenca e shtresave të identitetit të tij. “Mësues i Merituar” në kuptimin e epërm të fjalës, Minella Gjoni, na shtyn dhe na le në pellgun e turpit që nuk kemi mundur të bëjmë për vendlindjet tona, një të satën e tij.

Prononcim i Agim Vinca

Gjatë karrierës së tij arsimore 47 vjeçare, për punë të suksesshme, është vlerësuar, nderuar dhe dekoruar periodikisht me medalje të shkallëve të ndryshme. Ndër më të rëndësishmet përmendim: Disa herë “Mësues i dalluar” në rang kombëtar vlerësuar nga Ministria e Arsimit. Në vitin 1987 është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” të klasit të dytë nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë. Për t’u kurorëzuar bindshëm e suksesshëm në vitin 1989 i vlerësuar nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë me titullin e lartë “Mësues i Merituar”. Një event i pasqyruar gjerësisht edhe në shtypin e kohës.

Kështu vijuan shumë vlerësime edhe në vitet e demokracisë. Kjo bëri që Minella Gjoni në daten 28 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, të vleresohet nga nenprefektura ndër 10 personalitetet me te spikatur në 100 vjet te kesaj treve. Në motivacionin e çertifikatës së mirënjohjes shkruhej: “I jepet z. Minella Gjoni arsimtar, studiues dhe intelektual me motivacionin: në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e shquar në edukimin e shumë brezave të nxënësve në zonën e Bregdetit, duke përcjellë dije të qëndrueshme, kulturë të gjerë dhe frymë patriotike, për pasionin e rrallë dhe punën e palodhur për hulumtimin, studimin dhe botimin e traditave, zakoneve, trashëgimisë patriotike dhe kulturore të krahinës së bregdetit, duke mbetur një model intelektuali pasionant me kontribute të spikatura edhe në vendimarrjen lokale.”

Dhe për gjithë këto kontribute të shumta të Minella Gjonit, Këshilli i Komunës Lukovë dhe Komuna Lukovë e nderuan me titullin e lartë meritor “Qytetar Nderi”

Prononcim i Josif Papagjini

Në një moment përgjatë dokumentarit, profesori Josif Papagjoni shprehet: Minella Gjoni është nga ata djem të Bregut, modest e këmbëngulës, që ka kontribute jo thjesht si një ndër personalitetet e arsimit në trevën e Jugut e më gjerë si Mësues i Merituar, por edhe për studimet e tij në rrafsh historik, folklorik, gjuhësor, arsimor e letrar. Tipologjia e këtij lloj studiuesi, ndonëse kurrë nuk u largua nga fshati i tij, është ajo e një intelektuali që e kapërcen rrethinën me dijen, vullnetin dhe dashurinë për librat, hulumtimet e gjurmimet shkencore. Ishte një antropolog në zë i zonës së Bregdetit, njihte zakonet, doket, kulturën e jetesës, tipin e banesës, dialektin, toponiminë, fjalët e urta, historinë, kulturën materiale, pasuritë e relievit e artin.

Kujtimet, mbresat, emocionet i shprehën për Minella Gjonin në këtë ditë të tij shumë miq, kolegë, ish nxënës, shkrimtarë, studiues duke bërë që të dilte sa më i plotë portreti i tij shumëdimensional. Ishin emocione që rroknin tërë spektrin e ndjesive njerëzore, sa gëzim, sa dhimbje, sa lotë, sa buzëqeshje e trokëllima gotash si një tingull i ekzistencës së përjetshme të tij.

Aktori i mirënjohur Anastas Nika, interpretoi vargje të disa poetëve që ia kishin dedikuar Minella Gjonit. Interpretimi i tij tejet emocional, i ndjerë e me pathosin që vetëm një aktor i talentuar si ai di ta përcjellë, arriti të përlotë gjithë të pranishmit.

Ndërsa Grupi polifonik “Zëri i Bilbilit”, interpretoi një këngë të realizuar enkas për këtë event, dedikuar Minella Gjonit, me vargje të dy poetëve Petraq Pali e Zaho Vasili.

Minella Gjoni i lidhur fort me studimin, letërsinë, artin ka dashur tua përcjell pasionet e tij edhe fëmijëve e më tej edhe nipërve të tij. Ndaj si një përshëndetje për gjyshin e saj dhe për miqtë e tij të pranishëm, u luajt një melodi në piano nga mbesa e tij, Viola Papa.

Familjarët e Minella Gjonit shprehën mirënjohje për Komunën e Lukovës, Këshillin e Komunës, për të gjithë të pranishmit që me prezencën, vlerësimin e kujtesën e tyre, bëjnë që Mësuesi i Merituar Minella Gjoni të ngelet përjetësisht këtu mes nesh.

Filed Under: Featured Tagged With: Agron Shele, i Bregut, Minella Gjoni, qytetar Nderi

EKREM SPAHIU – QYTETAR NDERI NË MAT

April 6, 2015 by dgreca

Me rastin e 76 vjetorit të lindjes së Mbretit LEKA I, Partia “Lëvizja e Legalitetit” Dega Mat, organizon një takim me antarë të saj, miq dhe të ftuar. Me këtë rast në Burrel u organizua edhe ceremonia e dorëzimit të titullit “QYTETAR I NDERI” z. Ekrem Spahiu.
Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i PLL dhe njëkohësisht Kryetar i Komunës Lis z. Agim Selita i cili ndër të tjera tha: “Këto data të shënuara të muajit prill, ne gjithmonë i kemi kujtuar duke i përmbledhur me datën 5 prill, që sigurisht është dita më e gëzuar se lindi Princi trashëgimtar Leka. Kjo ditë nuk është si çdo datëlindje e zakonshme, se me lindjen e Princit u vu guri i parë në themelet e krijimit të Dinastisë Mbretërore Shqiptare, prandaj ky lajm u prit me hare dhe gëzim të madh nga mbarë populli shqiptar”.
Në emer të Këshillit foli Kryetari i saj z. Lulzim Kola, i cili edhe i dorëzon titullin z. Ekrem Spahiu me motivacionin:
“Për kontribute të veçanta në dobi të Komunës Lis, si edhe për përkushtimin dhe vëndosmërinë e tij në realizimin me sukses të plotë të një proçesi, për promovimin, lartësimin, vlerësimin dhe nderimeve të Mbretit Zog I dhe Familjes Mbretërore Shqiptare”.
Z. Ekrem Spahiu duke marrë titullin “QYTETAR NDERI” ndër të tjera tha:
“Të jesh qytetar nderi i trevës tuaj është një ndjesi krejt e veçantë nga të gjitha Bashkitë dhe Komunat e tjera të vendit, se je pikërisht në trojet e Familjes Mbretërore Shqiptare, në vendlindjen e Mbretit Zog I për të cilët krenoheni jo vetëm ju në Burgajet, Lis dhe Mat, por të gjithë shqiptarët.
Ky gëzim shtohet edhe më shumë, pasi kjo ceremoni zhvillohet pikërisht sot më 5 prill, me rastin e 76 vjetorit të lindjes së Mbretit Leka I që ne legalistët e festojmë çdo vit.
Gjithë ato fjalë të mira që thatë nuk shkojnë thjeshtë për mua, por absolutisht edhe për bashkëpuntorët e mi dhe të gjithë legalistët që janë njerëzit më të mrekullueshëm të cilët kanë kountribuar e sakrifikuar për idealin mbretëror dhe atë kombëtar.
Ato vlerësime dhe nderime për Mbretin Zog dhe Familjen Mbretërore, nuk mund të realizoheshin nëse nuk do të kishim vullnetin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike, Kryeministrit z. Sali Berisha, Kryetarit të Bashkisë Tiranë z. Lulzim Basha dhe gjithë strukturave të PD”.
Z. Spahiu duke e mbyllur tha: Të jesh “Qytetar Nderi ” është një oblikim i madh, prandaj shpreh angazhimin tim se do ta mbaje me dinjitet këtë titull.
Në emër të Partisë Demokratike foli z. Bedri Hoxha – Deputet i Matit dhe i Qarkut të Dibrës, i cili pasi vlerësoi lart kontributet e z. Spahiu dhënë për demokracinë, Legalitetin, Matin dhe në veçanti për Familjen Mbretërore, shtoi se: “Do të ishte në nderin tonë që z.Ekrem Spahiu të ishte “QYTETAR NDERI” i të gjithë bashkive dhe komunave të rrethit Matit”.

Filed Under: Kronike Tagged With: EKREM SPAHIU -, NË MAT, qytetar Nderi

DR. ISLAM LAUKA,“QYTETAR NDERI”, NE BAJRAM CURRI

March 27, 2015 by dgreca

TROPOJA NDERON ME TITULLIN “QYTETAR NDERI” DJALIN E PERSONALITETIN E SAJ, DR. ISLAM LAUKA, AMBASADOR/
Nga Valdet ERMALI/
Këshilli Bashkiak i qytetit alpin Bajram Curri, qendra administrative e rrethit të Tropojës, me unanimitet, në mbledhjen e tij, më 23 mars 2015, e nderoi me titullin “Qytetar Nderi”, djalin e personalitetin e saj, dr. Islam Lauka, ambasador, me motivacionin: “Për rolin e kontributin e pandërprerë në promovimin e vlerave historike, kulturore, arsimore e turistike të qytetit Bajram Curri dhe Malësisë së Gjakovës, , për argumentimin shkencor e mbrojtjen diplomatike në botë të çështjes kombëtare shqiptare, në veçanti, të Kosovës, si dhe lobimin për njohjen e saj shtet i pavarur e sovran ”.
Ambasadori i parë i Shqipërisë në Kosovë (2009-2014), dr. Islam Lauka, shkencëtar, politilog, diplomat, kulturolog, publicist, përkthyes, autor i disa veprave shkencore për Kosovën etj., President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, ka marrë disa vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, ndër të cilat edhe titullin “Qytetar Nderi” i komunës së Bytyçit, vendlindjes së tij, në vitin 2010.
Jo vetëm kur jetoi e punoi në detyra të ndryshme në qytetin Bajram Curri e në
rrethin e Tropojës, po asnjëherë zoti Islam Lauka nuk e ka harruar vendlindjen e tij, Malësinë e Gjakovës, përkundrazi, gjithmonë ka theksuar se para se të jetë diplomat, studiues, publicist, apo përkthyes, ai e ndjen veten tropojan në çdo qelizë të tij, natyrisht një tropojan patriot, i përkushtuar ndaj vendit dhe kombit të tij. Në CV e tij dhe në historikun e bashkisë së Tropojës njihen gjithato kontribute të tij në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, turizmit, etj.
Gjithashtu, dr. Islam Lauka është autor i disa librave shkencor me jehonë (ndër)kombëtare, si: “Kosova, rast universal apo sui generis” (shqip, anglisht, arabisht, rumanisht). “Evoluconi i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale”.(rusisht). “Shkëputja e Kosovës nga Rusia” (shqip, anglisht). “Kosova e pavarur ose dështimi i kryqëzatës ruso-serbe”. Bashkëautor i veprave: “Shqipëria në arkivat ruse”; “Antologjia e kryqëzimit: qëndrimi rus ndaj çështjes shqiptare, 1878-2012”.
Ceremonia për dorëzimin e titullit “Qytetar Nderi” do të organizohet në fillim të muajit prill 2015 në qytetin Bajram Curri me pjesmarrje dhe të disa personaliteteve shqiptare nga institucione shtetërore e të shoqërisë civile nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, etj.

Filed Under: ESSE Tagged With: B Curri, Dr. Islam Lauka, qytetar Nderi

ARDIAN KYCYKU “QYTETAR NDERI I POGRADECIT”

August 22, 2014 by dgreca

Nga Novruz Xh Shehu/
Në kuadrin e 45 vjetorit të lindjes, në Pogradec, në 23 gusht, nga Bashkia e atij qyteti, nën kujdesin personal te zotit Artan Shkëmbi, ju dorëzua titulli “Qytetar Nderi” shkrimtarit të shquar Ardian – Christian Kycyku.
Shkrues sa në gjuhën rumune, po aq në gjuhën shqipe (16 romane shqip e po aq rumanisht), botues i revistes letrare e kulturore Haemus, rektori i një prej universiteteve më prestigjioze të Bukureshtit, Ardiani është i njohur në jo vetëm në hartat rumanisht e shqipfolëse por, i përkthyer në 12 gjuhë, ai ka arritur të bëhet ndjeshëm i proferuar nga lexuesit elitar në tërë kontinentin europian.
Një nga arsyet e kthimit të vëmëndjes nga ky shkrimtar me talent të pazakontë, është fakti se ai po shkruan në një stil pothuaj krejt të ri, me të njëjtën përgjegjesi në shqip e rumanisht, duke vendosur në arkitekturën e veprave kulturën, historinë, frazeologjinë, psikologjinë e temperamentin e peroonazheve sipas vëndeve përkatës.Këtë nuk mund ta bëj vetëm thjesht një krijues pa qenë studjues e personalitet më horizont të gjerë kulturor.
Simbolika, esseja, filozofia, humori deri në ironi therëse, janë tipare dalluese të prozës së autorit.
Në Rumani është vlerësuar nga kritika, ndër tre shkrimtarët më të mirë të atij vendi, ndërsa në Shqipëri, në vitin 2013, u vlerësua nga Ministria e Kulturës me cmimin “Penda e argjendët”.
Salla në Bashkinë e Pogradecit ish tejet e mbushur me personalitete të letërsisë , artit, kulturës si dhe familjarët e autorit. Vajza e tij Julia është me talent mjaft premtues në prozë e në fotografinë artistike.U pritën me interes fjala e z.Raqi Margeri, Skender Demolli, Novruz Xh Shehu etj.Zoti Shehu e Ferdin Licaj erdhën posacërisht nga Tirana për këtë aktivitet.
Fotot e bëra tek Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli ishin jo vetëm thjesht një nderim ndaj këtyre personalitteve të shquar por edhe për faktin se i përkasin një pemeje të njëjtë gjenealogjike, me rrënjë qindra vjet më parë në Mokër.

Filed Under: Kulture Tagged With: ARDIAN KYCYKU, I POGRADECIT”, Novruz Xh. Shehu, qytetar Nderi

Papa Françesku, “Qytetar Nderi” i Tiranës

July 23, 2014 by dgreca

Nga Gjergji MIMA/
TIRANË, 23 Korrik / Në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, në shtator 2014, në një mbledhje të veçantë Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi akordimin e fondit prej 332,786,906 lekë për ndërhyrjen dhe rivitalizimin e sheshit “Nënë Tereza” si dhe dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës, Atit të Shenjtë.
Për herë të parë, në mbledhjen e mbajtur jashtë radhe, anëtarët e Këshillit Bashkiak miratuan në unanimitet dy projekt-vendimet. Investimi në shesh bëhet edhe më i domosdoshëm dhe emergjent në kuadër të vizitës së Papës në Shqipëri, ku në sheshin “Nënë Tereza” do mbahet dhe mesha e shenjtë.
Ky investim po realizohet në kushtet e një nevoje ekstreme, si rezultat i rëndësisë së këtij evenimenti, ndikimit social dhe kulturor që ka kjo vizitë për komunitetin e qytetit të Tiranës dhe më gjerë, si dhe afatit të venë në dispozicion deri në vizitën e Papa Françeskut, kjo dhe bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 440 datë 02.07.2014 , në bazë të të cilit është krijuar Komisioni Shtetëror, që do të bashkërendojë punën për organizimin e aktiviteteve lidhur me këtë eveniment.
Gjithashtu, në mbledhje u mor edhe vendimi për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës Papa Françesku, Papa i 266-të i Kishës Katolike me motivacionin:
“Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë, për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave në krye të Selisë së Shenjtë, si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës, pikërisht Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare , i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë.”

Filed Under: Kronike Tagged With: i Tiranës, Papa francesku, qytetar Nderi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT