Rafaela Prifti/
Ceremonia për emrin e rrugës Fan Noli ishte manifestim publik i krenarisë kombëtare, i cili mblodhi bashkë organizatorët e nismëtarët me përfaqësuesë zyrtarë, aktivistë, klerikë, drejtues të shoqatave shqiptare dhe bashkëatdhetarë, në South Bronx më 9 prill. Mbase data edhe mund të harrohet një ditë por tabela do mbetet.
Për figura shumëdimensionale si Noli, është e kuptueshme dhe e natyrshme që çdo njëri nga këto grupe dhe të gjithë së bashku të ndiejnë një lidhje të veçantë me të duke përfshirë, politikanë, diplomatë, klerikë, historianë, letrarë dhe artistë.
Organizatori Mark Gjonaj, ishte ai që e bëri propozimin për emrin e rrugës kur ai ishte anëtar i Këshillit bashkiak të qytetit. Përfundimi i këtij projekti në ditën e caktuar kishte shumë rëndësi për të. Meqenëse teknikisht pati një vonesë në instalimin e tabelës, Ornela Beshiri, anëtare e Bordit të Bashkësisë 11, drejtoi prostestën në fund të muajit shkurt për të kërkuar plotësimin e zotimit.
Anëtarja e re e Këshillit Bashkiak, Marjorie Velazquez, tha se e ndjen veten pjesetare të komunitetit shqiptar të lagjes që përfaqëson dhe se do vazhdojë të qendrojë pranë tij në çdo kohë. Për klerikët si edhe besimtarët, Noli dhe Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare janë një. E tillë është edhe lidhja e tij me Federatën Pan Shqiptare të Amerikës Vatra, si një nga themeluesit e saj. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se kjo ditë e shenjtë përkon me 110 vjetorin e Vatrës dhe se Fan Noli ia kushtoi jetën Zotit dhe kombit të tij.
Kombi i tij nuk ishte vetëm Shqipëria, sipas vlerësimit të Senatorit të Nju Jorkut dhe Kryetarit të Shumicës në Senatin Amerikan Chuck Schummer. “Noli nuk është vetëm hero i shqiptarëve, por edhe i amerikanëve” sepse ai punoi, u plak dhe prehet këtu, dhe mbi të gjitha sepse ju dha me përkushtim idealeve dhe institucioneve demokratike të Amerikës, u shpreh ai.
Programi i ceremonisë kishte fjalime të shkurtëra dhe përshëndetje nga drejtues të shoqatave, personalitete dhe bashkëatdhetarë shqiptarë amerikanë. Në to si edhe në bisedat e mia me disa pjesëmarrrësit ata shprehën ndjenja të krenarisë kombëtare dhe entuziazëm për këtë manifestim publik.
Emri i një rruge mund të jetë sot veçse një akt simbolik por domethënia e tij është afatgjate. Fan Noli nuk gjindet vetëm në librat e historisë, në albume, arvika, në tekste antologjike dhe ato fetare.
Ai tani është edhe “FAN NOLI Way” – një orientim i pranishëm në hartën e Nju Jorkut.
Organizatori Mark Gjonaj tha se është në përgatitje e sipër ceremonia për rrugën Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Festivalin e Little Italy në Bronx në datën 15 maj.