Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Bota moderne kur ngre hotele luksoze iu vno’ yje për me i dallue ndërveti. Kështu dhe kullat malësore në Shqipërinë e Veriut. Edhe Kullat e Doçit të Lurës, dera e Parë e Lurës, kanë shumë yje flamurtarë, martirë, prijës, dijetarë, qyshse nga koha e Skënderbeut, me Preng Nikollë Doçin, tevona – me Llesh Nikollë Doçin e “Treqind duvakëve të Lurës”, Dod Llesh Doçin, me Dodë Llesh Doçin (Sulltani), me Kolë Bush Doçi, me Bibë Kol Doçi, me Doç Gjergj Doçi, me Llesh Preng Doçi, me Kol Bibë Doçin e shkollës së parë shqipe në Lurë, …me Gjok Doçi – Hero i Popullit…dhe Llesh Zef Doçi e, i sotmi, i kësaj kohe, i kësaj dite, qytetari dinjitar e biznesmeni humanist Dod Llesh Doçi.
Këshilli i komunës Lurë më 24 maj 2015, bash në Fushë-Lurë, në Festën e Shën Kollit,ka me e dekorue me titullin e lartë “Qytetar Nderi” edhe lurasin e saj, një protoganist fisnik, biznesmenin lartësor, meritor, bajemirë, Dod Llesh Doçi, që është një nga aktet mirënjohëse ma të mira që ka krye tashti së vonit ky truall i lavdive etno-historike e bukurive natyrore prej se nga koha e Shkambit të Kuq dhe e Liqejve të Lurës
Dod Doçin e kam njoft në Fierzë, në vitet ’70, asokohe kur ndertohej vepra e madhe e dritës. Ai ishte një nga emrat e njohur të këtij gjigandi energjitik -si një teknik i zoti, si drejtues sektori (kantieri) me qindra punëtorël, si veprimtar i shquar. Punonte atje sëbashku me të tjerë të gjakut e pragut të tij. Ata ishin një “Lurë e vogël” në brigje të Drinit e Valbonës. Kësokohe e pata takue dhe Llesh Zef Doçin, babën e Dodës, kur erdhi atje, si zakonisht, me i pa njerëzit e vet. Dr. Nikollë Loka e ka botue vjet një monografi “Llesh Zef Doçi i Lurës, Forca e mendjes, pesha e fjalës” e, në ditën e përumit të saj, më 31 mars 2014, në atë ceremonialitet të drejtuar nga Osman Vladi, iu dorëzue titulli i lartë “Qytetar Nderi” i Lurës. Tashti, babë e djalë – “Qytetar Nderi” të Lurës. Ecë tradita. Te dy janë emra në kalendarin e kohës.
Dod Doçi është i lidhun fort, rrënjë e degë, me Lurën e tij. E ka mbajt lart emrin e vendlindjes së vet. Ai, si biznesmen, tue pasë përkrah dhe vllaznit e vet, e ka ngritë në Gjirin e Lalzit në Durrës një fshat turistik me emrin “Lura”. Kjo është Lura e Dytë në brigjet e Detit Adriatik. Edhe gjelbrimin e ka nga Lura, nga pyjet e saj. Vjet, në tetor 2014, e ndërtoi nga projekti e deri tek pajisjet e mjediset përrreth dhe e përuroi Kishën katolike në Lurë, kishën me emrin e Nënës së Jezu Krishtit. Ai ka investue për dhjetë vjet për kujdestari të mirëmbajtjes së saj.Nga A tek ZH gjithçka ishte mendja e dora e tij, xhepi i tij, i firmës e familjes së tij. Si astenji rast tjetër kësisoj në historinë shqiptare. Ai është dhe njeri bamirës. Përndryshe, siç e tha në simbolikë, me metaforë të bukur, një intelektual luras atje tek liqeni i Bruçit në gusht 2014: “Dod Doçi është një kishë tek i cili faleshim të gjithë, po nuk e dinim se një ditë ai do të ndërtonte dhe vet një kishë në Lurë”.
2.Isha i ftuar nderi në përurimin e Kishës katolike në Lurë, sëbashku me gazetarin e “Zëri i Amerikës”, Pëllumb Sulo, i ardhun në këtë ngjarje të veçantë nga Shkodra, i cili herët, në rininë e tij, ka qënë mësues edhe në Tropojën time, në Nikaj-Mërtur.
Prania jonë në Lurë më solli në mendje Fan Nolin, që në Konferencën e Paqes në Gjenevë më 1919, tue iu kundërpërgjigj akuzave kundërshqiptare se shqiptarët nuk qënkan të zotët të bajnë shtet, sepse nuk merren vesh e të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, iu deklaroi aty: “Dëshiroj që zotëria Juaj të më tregojë një vend tjetër në Evropë apo gjetkë ku të gjallojnë bashkë më së miri në një shtëpi familjarë dy besimesh, të krishterë e myslimanë. Kurse kjo ndodh në dy krahina të vendit tim, në Lurë e në Nikaj-Mertur”.
Interesant është fakti se përfaqësues të tri familjeve tipike që kanë pasë në trungun e madh të familjes e në kullat e veta edhe katolikë, edhe muslimanë, si ngahera,janë të pranishëm në Festën e Shën Kollit në Lurë. Ata janë të derës të Nikollë Kaçorrit, të Doçit dhe të Morisenëve. I përmendin dhe personalitete e udhëtarë të huaj. Dy përfaqësues të tyre nderohen me titullin “Qytetar Nderi” si biznesmeni Dod Llesh Doçi – një ndër 100 biznesmenët ma të shquar të Shqipërisë Londineze dhe ish luftëtari e kuadri i meritave e i sakrificave, Gjon Dedë Moriseni (pas vdekjes).
3.Në krye fill të këtij lajmi e kisha në mendje me i shkrue veç katër-pesë rradhë, po më erdhën fjalët e morën udhë, ndaj nuk po due me fol ma gjatë, veçse po i marr nga fletorja do fjalathanie nga dreka e pas përuimit të Kishës katolike Shën Maria në Lurë – vepër bamirëse e biznesmenit Dod Llesh Doçi i Lurës.
Nga urimi im në tetor 2014 në hotel “Hoti” në Lurë:
-Tungjatjeta! Po gotëzoj me Ju disa fjalë të mijat në këtë ditë nga ma të rrallat të jetës time, pasi në Ditën e bekuar të Bajramit marr pjesë në përurimin e Kishës katolike Shën Maria në Lurë, ku jena këtu në bashkari katolikë e muslimanë. Folëm me gazetarin e “Zërit të Amerikës”, Pëllumb Sulo, e ndajmë të njëjtin mendim: veprimtaria e sotme e përurimit ishte tejet e veçantë.
-Miq luras e të ftuar, e kam njoft Dod Doçin krejt të ri, para disa dekadash, në vitet ’70. Shumçka ka ndryshue në kohnat tona, edhe regjimet, edhe vendi ynë, po Doda ka mbet’ i njëjti – i pandryshueshëm në shpirtin e tij, në zemrën e tij, në jetën e tij. Unë jam një vit ma i madh se Doda po a ka më duket nja dhjetë vjet ma i ri. Dy fjalë – dy vlerësime: E para: Dod Doçi është njeriu që e ka ruajt gjithmonë Buzëqeshjen. E dyta: Dod Doçi është njeriu që vazhdimisht prodhon energji.
Gotëzimi tjetër: Dod Doçi i ka krye katër universitete Universiteti i parë Lurë, vendlindjen e tij. Është “Universiteti Popullor i Lurës”. E ka pasë fat genetik, jetik, se në këtë Universitet është i Derës së Doçit, i Derës së Parë në Lurë dhe ka pasë për dekan akademik Llesh Zef Doçin – babën e tij. Universiteti i dytë i tij është Universiteti i Veprave të Dritës. Kur ka punue në Fierzë, në Koman e në Banjë.Universiteti i tretë është Universiteti Shtetëror i Tiranës, ku u diplomua për inxhinier para ’90-tës.Universiteti i tij i katërt është Universiteti i tij i Biznesit. Shembulli ma i mirë është vet firma e tij “Lura”.
Me këtë gotëzim po iu them se jeta e Dod Doçit ka tri të veçanta: Jeta e tij është Sakrificë. Jeta e tij është Sukses. Jeta e tij është Meritë…”
4. Në përmbyllje, në këtë ditëmirë të dekorimit edhe të Dod Llesh Doçit kujtojmë një thanie: “As profetët nuk vlerësohen në vendlindjen e tyre”. Raste si ky përbajnë përjashtim. Biznesmeni lurjanë, Dod Doçi, ndonëse disi vonë, u nderua me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Lurës”. E gëzoftë! I nderuari nderohet, veçanërisht nderi rritet kur të nderon Lura.
Ne foto: Dod Doci me zonjen e tij Alda Laçi-Doçi tek liqeni i Bruçit në Lurë.
TARZANI I RI I KELMENDIT
Ramiz LUSHAJ/
Stërgjyshi, i madhi Sokol Sadria, rri me vorr e plagë/
te vija e kufinit që i ndan në tri shtete tokat e Kelmendit./
Tarzani i vogël me sy mbrapa iku në hapësirat pa kufi të Shëngenit./
Tek kulla e tyne i ka mbetë çanta me libra në shqip,/
I kanë mbetë pa krye në fletore detyrat e shtëpisë…/
Loti i kalit të tij po i thatno’ lulet e tokës në Velabisht…/
Në Guci e Plavë, në Podgoricë, udhëdvetin përditë bletët:/
-Tarzanit të vogël, pse ia batë xhungël vitet e jetës?!/
Engjëlli ynë, çka the në atë fletoren tande në kullën me dry:
-Vendlindje, si Tarzan modern i Kelmendit do të vij për Ty…
Lule vrrini e bjeshke do të çoj tek varri i stërgjyshit,
Do i çeli ëndrrat e mia në udhët e vllaznisë e të fisit…
Do të kuvendoj me male, lumenj, me kelmendasit kreshnik’,
Do ta ndezi prapë zjarrin e kullës time në Valebishtit…
Flokët e tua çelës gërshetë i le në derë të kullës, o Tarzani i Kelmendit,
Kthehu pa u thinjë, o i vogli mërgimtar i Shëngenit…!
Kohës po ia nisi dhe poi a la vargun përgjysë:
-A kie me më ftue në dasmën tande në Velabisht?!
Në se nuk do të jem: si në legjendë, do kthehem në një Konstandin:
Do të vij për amanetin e maleve, për hatrin tand, për qejfin tim.
Sot po ta çoj këtë vjershë, o Tarzani i ri i Plavë-Gucisë:
Tek fletorja e pambyllur e detyrave të shtëpisë…
Tiranë, 16 maj 2015
ISA BOLETINI I MITROVICËS NUK ËSHTË PA VENDLINDJE SI LEJ FENI I KINËS
Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Ky 10 qershori 2015 i rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë më përkujtoi 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Tiranë kur pikërisht në kit’ datë kombëtare simbolike dyshja Hoxha-Shehu e rivarrosi për herë të pestë Naim Frashërin, poetin tonë kombëtar, nga lulishte pranë Kryministrisë (1950) në kodra të Liqenit Artificial të Tiranës.
Ç’ka është kjo përnguti turravrap Rama-Thaçi për rivarrimin e katërt të Isa Boletinit në Vlorën e Flamurit?! Cili po ia mban “ison” tjetrit për Isën e madh të kombit. A kena të bajmë me një kopjaci të modelit Hoxha-Shehu?! A thue çka ka Isa – kryeministri i sotëm i Kosovës që nuk po flet hala për Isën e Pavarësisë?! Nuk jena as në vit jubile të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Po presim të 137-tin vjet. Qysh me ia ngjit emnin kësaj pune: Si dështim i politikës shqiptare të Prishtinës e Tiranës për çështjen e pambyllur të Mitrovicës së Veriut. Kemi dy “varre të hapura” në brigje të Ibrit: varri i Mitrovicës dhe varri i Isës. Ndoshta po e mbyllin të parin edhe prej trysnisë ndërkombëtare pansllave, etj. dhe po e lanë të hapun atë të Isa Boletinit tue e rivarrosë me ceremoni nacionaliste e festive në Vlorën e Ismail Qemalit?! Ndoshta kjo ka të bajnë dhe me fushatën elektorale në Shqipëri, ku H. Thaçi e ka ba mendjen shtrat topi për me iu gjend pranë E.Ramës, tue pasë në krah dhe Erdoganin, sikurse banë në zgjedhjet e kalueme në Kosovë. Kësaj ia nxori kryet vet Thaçi në konferencë për shtyp në Tiranë kur i ceku zgjedhjet e 21 qershorit 2015 ! A iu kujtohet elektoriada e Thaçit në Prizren? M’i përnget kjo e Ramës në Vlorë e Tiranë? Po, pse bre po bahet kështu me Isë Boletinin e Historisë?!
2.I pari varr i Isa Boletinit është ai i janarit 1916 në Podgoricë (Titogradi), tokë etnike shqiptare e Gentit e Teutës, tashti kryeqytet i Malit të Zi.
Në rreth dy dekada shqiptarët e vërtetë të gjakut e idealit të tij atdhetar i ranë në gjurmë reale varrit të tij dhe ia mbrrinë me ia tërhjekë më 15 nëntor 1989 eshtrat Isa Boletinit (vet i teti martir i lirisë) para se aty të ndërtohej një park i qytetit. Ato ndejtën do kohë në Prizren dhe i çuen në Mitrovicë ku i mbajtën të fshehuna në një thes e arkë në oborr të xhamisë të atyhit. E, ndoshta, ky klasifikohet si “rivarrimi i dytë”.
Në vitin 2004 Qeveria e Kosovës mori vendim me e varrosë Isën në vendlindjen e vet, tek kulla në Boletin, aty në kodrën e Sokolicës, bash në Mitrovicën e Veriut. Prapë, zyrtarisht u fol dhe për 28 nëntor 2014 po kurrgja sa ba.
Sotpërsot Isa Boletini i ka dy varre të hapuna shtetnisht: njani në Mitrovicë, në Boletinin e tij dhe tjetri po i hapet në Shqipëri, në Vlorën e tij.
Në Deçan, në trollin e geneve të breznive të tij, në Mitrovicën ku lindi më 15 janar 1864, gjithandej në Kosovë, dhe në Shqipëri, kudo, po ka kundërshti. Dikush thotë ta varrosim në Mitrovicë. Flitet për në Prishtinë. Ka zëra dhe për në Deçan. Dy qeveritë shqiptare janë për në Vlorë.
Përndryshe, mos u debatoni ndërveti. Rivarroseni Isa Boletinin në qytetin e Bac Bajram Currit. A e dini pse? Aty, tek Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, në hyrje të qytetit, të ngritura më 1974 e ka një varr bosh, pa eshtrat e tij. Heroi i Popullit Isa Boletini, që është “varri i parë” i tij në Shqipërinë Londineze. Aty i ka dhe të afërmit e vet të gjakut e të luftës, me të cilët u vra në pritë malazeze në Podgoricë më 23 janar 1916 si Januz Boletini, Hajdar S. Radisheva, etj. Aty i ka aty dhe deçanasit e vet të origjinës: Sylejman Vokshi – Hero i Popullit, Asim Vokshi – Hero i Popullit… Aty i ka dhe heronjtë e popullit Mic Sokoli, Bajram Curri… Me propozim të rrethit të Tropojës, iu dha Isa Boletinit titulli i lartë “Hero i Popullit”, pasi ishte dëshmor i këtij rreth…, një pjesë të madhe të jetës së tij e ka kalue në Malësinë e Gjakovës, në mikpritje e në luftra me malësorët e saj, ndaj le të jenë aty dhe në kohë paqeje eshtrat e tij, tek varri i vet në Varrezat e dëshmorëve të Tropojës.
3.Në protokollin shtetëror për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit është paraparë një shetitije me eshtrat e tij në itenerar Boletin-Mitrovicë-Prishtinë-Prizren-Tiranë-Vlorë.
Kjo m’i përnget shetitjes me eshtrat e Car Llazarit të luftës në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë) 1389 me Sulltan Muratin e Parë të Perandorisë Otomane. Kësaj lufte serbët i kanë ngritë mit. Sot në Mitrovicë një shesh i madh ka emnin Car Llazar!
Në koft se do’ politika e Tiranës dhe ajo e Prishtinës le të bajnë nji “Shetitije Kombëtare Shqiptare” të eshtrave të Isa Boletinit, tue ia fillue nga Podgorica e varrimit 1916 e çvarrimit më 1989, nëpër treva të Malësisë së Madhe përtej kufinit me Malin e Zi dhe deri në Deçan e Junik…të shtetit të ri të Kosovës, dhe deri në Maqedoni (FYROM), në Shkupin e 1912-tës, dhe vetëm mbasandejna në Boletin-Mitrovicë-Prizren-Kukës-Tiranë-Lushnje-Vlorë.
4.Në një bisedë alpine më 1986 me Dritëro Agollin, ish antar i KQ të PPSH e kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë e dveta për Lej Fenin kinez të rinisë time. Më kallxoi se kur ishte në Kinë i ra me shetitë gjithandej e kudo i folnin për Lej Fenin: këtu kreu kit’ akt, këndej udhëtoi me makinë, këtu…Jehonë. Memorialistikë. Memoriale. Një ditë po i thotë Kryetarit të Gazetarëve (ose Shkrimtarëve) të Kinës për me e çue në vendindjen e Lej Fenit. Ai e tërhoqi veçmas tue i pa të ditun se Lej Feni nuk ka vendlindje, as nuk ka ekzistuar në Kinë, atë e krijuam vetë, ai është heroi ynë, i duhej Kinës…
Ne, në vitet e komunizmit, dinim gjithçka për Lej Fenin – heroin imagjinar të Kinës, të “lindur” në vitin 1932 në një familje të varfër fshatare, që kishte jetën me veprimtari revolucionare, ditarin e tij, citatet e tij. Si ky: “8 nëntor 1960 …Oh, sa e emocionuar je ti o zemra ime. Sa e madhe je ti partia ime! Sa largpamës jeni Ju, Kryetari Mao Ce-Dun! Jetën e re, që kaloi ua kushtoj Juve Kryetari Mao! Ju më shpëtuat jetën kur ndodhesha në buzë të varrit, Ju më përtëritë jetën, më ushqyet, më veshët dhe më dërguat në shkollë…”.
Për Lej Fenin, frymëzuesin e Revolucionit Kulturor Kinez, thuhet se e dha jetën heroikisht nga një tra i madh që i ra në krye teksa po përpiqej ta shpëtonte kamionin që ia kishte dhanë partia e tij moniste e kryetarit Mao Ce Dun, u (ri)botue më 1964 një libër në shqip me mijëra kopje, i cili në vite të miqësisë me Kinën lexohej ma shumë se Bibla e Kurani sot, dinim ma shumë për jetën e veprat e tij se sa të fshatit, fisit e rrethit tonë, kishte popullaritet ma shumë se vet Isa Boletini, heroi ynë i përmasave ndër-kombëtare.
Tashti, në kit’ vit të demokracisë shqiptare, deshta me iu thanë dy qeverive shqiptare në Tiranë e Prishtinë: Isa Boletini nuk është hero imagjinar si Lej Feni. Krejt ndryshe nga Lej Feni i Kinës, ka vendlindje e vet, kullën e vet, trollin e vet. Ndaj duhet me i lanë “lejfenizmat” dhe ri-varroseni Isa Boletinin e Pavarësisë në Boletinin e tij, në Mitrovicën e Historisë.
KJO E PAZAKONTË DO TE NDODHI NË PRISHTINË
Nga Ramiz LUSHAJ/
A do të jetë aty dhe Presidentja e Kosovës, Shkelqësia e Saj, Atifete Jahjaga?/
Miku im i mirë Dëfrim Cani më teli dje lajmin se në murin e tij në fb, dr. Islam Lauka, ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë e paska publikue një promovim libri më 14 maj 2015, 0ra 11.00, në Bibliotekën Kombëtare e Universitare në Prishtinë të poetes Zyra Ahmetaj. Ai ishte i mendimit ta uroja e ta falenderoja nga largësia Tiranë me zë apo mesazh. E pashë tevona. Sigurisht meriton mirënjohe publikisht. Diçka e pazakontë. Pse?
Shqipëria me dy shtetet e saj, në dy kryeqytetet Tiranë e Prishtinë, ia ka mbrri që dhe ambasadorët e politikës kombëtare shqiptare, si ky shembulli i dr. Islam Lauka në Prishtinë, të merren me organizimin e një promovimi libri deri në detaje, tek lajmtaria në fb, tek sigurimi i pjesmarrjes. Për gjithçka. Shqiptarisht. Shpirtërisht. Po i (ri)kthehemi librit. Po rritemi bashkë me librin. Ndryshe nuk mund t’i kapim lartësitë. Edhe ambasadorët po merren me lartësime të tilla.
Libri poetik “Alfabeti ynë” i Zyra Ahmetaj është për fëmijë. E ceka kit’ fakt se shpesh herë njerëzit që kapin lartësi harrojnë se kanë ecë dhe caca-caca. Apo ndryshe. Ambasadorët që tokin me elokuencë duart me burra të mëdhenj shtetesh e kanë të vështirë të akt-kryejnë sipërmarrje të tilla “të vogla” për një libër për fëmijët e vegjël. Përndryshe: unë s’kam pa e as nuk kam dëgjue në treva etnike shqiptare që një ambasador të organizojnë e të shkojnë në një promovim libri për fëmijë, veçse në libra të të rriturve, të të mëdhenjve, për libra me tema të mëdha të kohës.
E fundit, që mund të ishte dhe në vargni kryefjale, si tjetër e veçantë: poetja Zyra Ahmetaj, autore e disa librave për fëmijë e të rritur, tash 40 vjet është invalide, me aftësi të kufizuara apo me term shkencor “paraplegjike. Më duhet të kujtoj diçka: shumë njerëz të mëdhenj të botës ishin invalid, si presidenti amerikan Franklin Ruzvelt, që nga karroca e tij e invalidit udhëhoqi edhe koalicionin fitimtar treshe në Luftën e Dytë Botërore. Poetja Zyra gjithkahit ecën me karrocë, sikurse dhe më 14 maj 2015, ora 11.00, në Bibliotekën Kombëtare e Universitare në Prishtinë, në promovimin e librit të saj. Më duket sikur libri i saj i paradokohshëm “Flutuojnë engjëjt” i përket së parit asaj që po fluturon lartësive të jetës, të kohës. Ajo, Zyraja, është vlerësuar me titullin “Krenaria e Qytetit”nga Bashkia e qytetit tim alpin, nga bashkia e Bajram Currit. Boll me vend, me plot të drejtë. Prej kohësh, Zyraja është kryetare e dëgës së Tropojës për shoqatën bamirësë “Shpresë e dashuri”. E zgjedhur antare nderi e disa klubeve letrare dhe në Kosovë. Si rrallkush dinë ta qëndisin një kostum kombëtar shqiptar si për hobi nga fëmijëria dhe për të siguruar një jetë sa ma të mirë për veten e saj si, për familjen e saj disa antarëshe. Ka marrë pjesë në disa panaire kombëtare e ndërkombëtare. Ajo, në rininë e vet ma të hershme ishte një volejbolliste e njohur dhe në veprimtari kombëtare. Një lexuese e apasionuar. Qysh atëherit shkruante poezi e mendonte të botonte libra.
Në vitin 1975, në moshën 19 vjeçare, kur autobuzi i aksionistëve shkollarë të Tropojës po kthehej nga aksioni kombëtar në Kombinatin Metalugjik u rrëzue në Shpal të Mirditës. Aty u aksidentua dhe poetja Zyra Ahmetaj. E çaun në Tiranë, në Spitalin Universitar që sot mban emnin “Nënë Tereza”. Ato ditë ndodhesha me shërbim nga gazeta “Zëri i Rinisë” në Elbasan. Kam shkue të nesërmen e aksidentit me dhimbje panshqiptare dhe i kam takue të gjithë aksionistët, pasi asokohe punoja dhe vet me rininë në rrethin e Tropojës. Dhe aty isha me kit, status zyrtar. Ndër aksionistët takoj dhe Zyra Ahmetaj. Ajo i epte trupit të saj të ecte, po nuk mundtte të ngrihej. I dveta doktorrët. Ata më thanë se e ka të pamundur. Infermierë e familjarë i rrinin tek kryet me turne që Zyra të mos lodhej me provat e saj të pafund për t’u ringritur në kambë. Donte të fluturonte… Po ajo eci në jetë. Kahmos ka shkue në klinika të botës.
Tashti ecë me karrocë e ngrihet në kambë me paterica. Ka arritje në jetë. Një prej tyre është dhe libri me vjersha “Alfabeti ynë”. Vet ky promovim është diçka nga alfabeti ynë i kohës. Deshta që aty, më 14 maj 2015, ora 11.00, në kit promovim libri të Zyra Ahmetajt të ishte dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ambasadorë të shteteve të ndryshme të botës të akredituar në Kosovë…Të ishim të gjithë.
KUMANOVË, KALLXOMË NË BESË TË ZOTIT..
Ramiz LUSHAJ/
1./
Kumanovë dardane e shqiptarit rrënjas,/
Leka i Madh:/
Sot a linde Adem Jasharë…?/
Apo i kie në genet e gjakut,/
Në istikame brigjeve të Vardarit./
Në Lagjen e Trimave,/
Në kokrrën e shkreptimave…/
Kumanovë, kallxomë në Besë të Zotit,/
Kush u kallë në flakë/
Kush mori plagë/
Në kit’ 9 maj, në ditë të sodit?!/
Europa e Bashkuar…?!/
Marrëveshja e Ohrit…?/
Andrra Shqiptare e Bashkimit…?!/
Rrgallja e Maqedonisë drejt shkatërrrimit…?!
2.
Kumanova dardane e Gjergj Kastriotit:
Nuk po të shoh nga tymi i barotit
Nga pika e lotit.
E bana fjalën time shigjetë e hark’për sllavët
A të duhet me të derdh gjak në prag…
Me i mbrojt tokat, djepet, plagët, varret…
Vij aty, si dikur të parët e mi:
Në Shtimje, Slivovë, Karadak.
Sot po i flas në gjunjë lutjeje,
Me fjalë gjaku…
Ashtit të trollit,
Palcës së kombit,
Mos ia ktheni Kumanovës shpinën
Si ,dikur, në Shkupin kryengritës, Hasan Prishtinës.
Vlora e Flamurit Kombëtar Shqiptar,
Pa Kumanovë, Preshevë, Podgoricë, Rrozhajë…
Gjithnji do të ketë 2015,
Gjithnji do të ketë 9 Maj…
- « Previous Page
- 1
- …
- 9
- 10
- 11
- 12
- 13
- …
- 29
- Next Page »