Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Ku-ku…e imja Kumanova dardane në verilindje të Maqedonisë, po çka të gjeti në Ditën e madhe të Europës?! Po kush t’i përgjaki shqiptarët e tu etnik, vllaznit e mi të gjakut? Ç’ka i kie ata avionë të zhurmshëm mbi krye, ato të shtëna flakë sllave nga autoblindat policore rrugëve e dyerve tua?!
A ky është Bashkimi i Europës (BE) që na e deklaroi kryediplomati frëng Robert Shumani 65 vjet ma herët?! A thue me gjak e plagë, me sundim e spastrim etnik kumanovjan, po don me u integrue Maqedonia në BE, e cila kit’ dhjetor i përmbush 10 vjet kandidate e saj?!
Eh, e pata rrejt’ veten prej kaherit tue mendue se Europa ime, juaja, e jona, pas rënies së Përdes së Hekurt, në kit’ Rend të Ri Botëror, u ba e ndershme ndaj shqiptarëve në Ballkan? Më fal Fishta i madh! I shitoftë Zoti në qiell e zanat e malit në troje të Karadakut ata që të përgjakin o Kumanova ime në Ditën e Europës, në sytë e botës!
Po qysh po mundet kjo Europë plakë e nuse për me e mbajtë në kambë e në udhë, në gjinin e vet e me krime të tilla kundërshqiptare, kit’ krijesë të saj – FYROM (Maqedoni), kit’ “fëmijë të paligjshëm” të saj?
Ku-ku…Kumanovë, qysh me kanë bre kjo Ditë e Europës – Dita jote e Gjakut tand!
2.Ku-ku…Kumanovë, po a ban me dit’ kjo Koha e Sodit, kjo Botë Globale…, se ty të përgjakën pikërisht më 9 Maj 2015, në Ditën e Fitores së Europës mbi Fashizmin, në 70 vjetorin e kapitullimit përfundimtar të Rajhut Nazist (!) Kjo të ndodhi në kit’ Ditë të Europës, në kit’ Festë të Dyfishtë të saj !
Po ti, o Kumanova ime, dije, thuaju djepeve, varreve, lapidarëve të tu: kjo gjakderdhja jote është Turpi i Europës, një Turp i ri i saj! Nuk mundet me i la (shpërla) kit’ Turp as Valbona e vendlindjes time, e kthjelltë si loti jot’ o Kumanovë, e pastër si dhimbja jote o Kumanovë!
A e di o Kumanova ime gjeostrategjike në Ballkan, me rrugë autostradore e hekurdhore që lidhin Vjenën me Athinën, Selanikun me Beogradin, Maqedoninë me Turqinë e Bullgarinë, ty Kumanovë me Shkup, Preshevë e Gjilan, sepse jam ka flas kështu në kit’ ditë të sodit?!
Europa e Bashkuar po e lejon ringjalljen e Hitlerit të ri në Maqedoni! E ky është Nikolla Gruevski, që iu ka kthye tytat e armëve shqiptarëve etnik e shtetformues në Maqedoninë artificiale.
E fort mirë po e dinë Europa se në Maqedoni po ringjallet “Fashizmi Maqedonas” kundër shqiptarëve trojenik.
E fort keq po luan Europa e Sodit! Si Europa e Djehit?!
E fort mirë po e di se Europa e Bashkuar e NATO janë në Maqedoni e Ballkan, edhe për Shqiptarët, edhe për Maqedonasit, po çka ndodh kur ta merrë ana e barrës ma shumë në njërin krah?!
A veç me bërtit brigjeve të Vardarit e selive të Brukselit: Ku-ku…Kumanova ime, edhe kur na sundojnë si mesjetarë. Edhe kur na shpërngulin sllavët si në kohën e dyndjeve barbare, si këto ditë në Kumanovën etnike shqiptare, ku realisht shqiptarët kapin rreth 40 përqind e maqedonasit nja 50 përqind e pakica e mbetun janë serbë, turq, romë, vllehë, etj. Kumani (ova) është sllave, maqedonase, po aq sa mund të jetë i tillë dhe fshati i madh Kumani në rrethin e Fierit. Edhe kur maqedonasit sillen si gjakatarë çikllopik ndaj shqiptarëve etnik, si ngahera dhe kësah here në Ditën e dyfishtë të Europës?!
Ku-ku…Kumanova ime e coptueme, e përgjakur, nën terror fashist maqedonas, me platforma e akte spastrimi etnik shqiptar…! A je ka më ndie “Qyqja” Europë e shek. XXI, “veza” jote e paligjshme Maqedoni (me problematika të hapuna me fqinjtë për emrin, flamurin, fenë, tokat…) nuk mund të rritet në truallin etnik shqiptar e nga shqiptarët etnikë duke krijue Kumanova të gjakut shqiptar nëpër Maqedoni, duke e kthye Maqedoninë edhe shqiptare në një “Ukrainë ballkanike” kundërshqiptare…?!
Ku-ku…Kumanovë, Maqedonasit e Gruevskit edhe në shek. XXI, edhe në kit’ vitin 2015, po sillen si “korba” sllavë të etun për gjak shqiptar. Krra-krra…Korba antishqiptarë hangshi kryet tuaj!
Europë e Bashkuar në këto 6 dekada të pas Shumanit dhe me Shqipërinë e coptuar në 6 shtete ballkanike nga Konferencat e Traktatet e Paqes, në koft se nuk don me m’u rrëfye për 9 Majin 2015 të Putinit në Moskë, vepro për 9 majin 2015 në Kumanovën shqiptare, ndaj të tilla “Kumanovave maqedone” në tokat etnike shqiptare. Përndryshe, Europë, po ta kallxojë një urti të të parëve të mi: Shqipe, kurrë mos nxani miqësi me korbat…!
KOHË E PAMJAFTUESHME DO TË ISHIN NJËQIND VJET…
Nga Ramiz LUSHAJ/
Selim Aliaj i Tropojës iu përket me gene dy fiseve: fisit të madh të poetëve të botës dhe fisit me epose e epope të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës. E gdhend bukur fjalën poeti e shkrimtari ynë euro-kontinental Besnik Mustafaj tek parathania e vëllimit poetik “Muzat e dhimbjes” teksa medalion për autorin: “Selim Aliaj pati pa dyshim një përceptim prej poeti të botës. Dhe jo vetëm në anët e mira të veprës së vet, por edhe në të metat mbetet diku thellë poet. Ai është i vetëdijshëm se jeton diku në periferi dhe nuk kërkon të ikë prej saj. Përkundrazi, vendos ta kthejë periferinë në qendër, një ndërmarrje kjo, që mund t’i shkojë vetëm një poeti” (“Muzat e dhimbjes”, fq. 4-5).
Selim Aliaj është rrënjas nga fshati Kasaj i Shipshanit, fshat të cilin, sëbashku me kusherinin e tij, me poetin kombëtar Hamit Aliaj, qyshse në vitet ’70 e banë të njohur në hartat e kohënave dhe si “ fshat i poetëve”.
Poeti ynë Selim, “shtegtar i veprave të dritës” (fq. 4) si e quan ai veten në kohë dhe rrugëton dhjetra kilometra e vjen këtu në metropolin Tiranë me librin e parë poetik “Për njerëzit e dritës” (viti 1977) e u banë miradije të gjithëve në zyra e bulevarde të kryeqytetit: Kam ardhur andej nga Alpet / t’ju sjell një grusht fjalësh veriore /(Po aty. fq. 5).
E fshatit Kasaj i lisnojnë prapë njerëzit e letrave shqipe si poeti e studiuesi me libra të botuar Hasan Selimi – njeri i veçantë e që po del në pension si gjyqtar i Shkodrës, apo studiuesit me libra dorëshkrimorë si pedagogu e avokati Ali Aliaj (vëllai i Selimit) dhe i nderuari e i ndjeri Ramadan Çelaku.
Selim Aliaj është nga bajraku i Shipshanit, bajrak me prijëtarë historik Din Bajram Bajraktarin, Bek Din Bajraktarin, Tahir Bek Bajraktarin e të tjerë, po edhe vet është një bajrak, një ndër bajrakët e poezisë shqipe në Kasaj e Malësinë e Gjakovës, ndër treva etnike shqiptare në Ballkan. E poeti i thotë vendlindjes së tij: Biografia jote do të na duhet përherë…”(“Për njerëzit e dritës”. fq. 27).
Selim Aliaj është poet i vërtetë me dy libra poetik të pjekur, që nuk i ka djegë kurrnji furrë e kohënave që i përjetuem bashkarisht me fate e fatalitete.
Ai ka në arkivin e kullës së tij në Kasaj dhe në faqe të gazetave e revistave të Tiranës poezi të tij të palueme e të botueme, që sigurisht janë disa vëllime poetike, krejt si “kulla poetike” të reja të tij e të kohës sonë, që presim prej truallit të tij të na vijnë në duar e bibliotekat tona dhe brumi e toka e vet ka me i mbajtë gjatë në udhë e istikame.
E, për ata që nuk e dijnë, Selim Aliaj është dhe poet i kangëve të Malësisë së Mirë, Tropojës, e për ma tepër, me njanën prej tyne “Çou moj çikë e del te ara” doli në skenë për herë të parë kangtarja Fatmira Breçani, Mjeshter e Madhe, çika e dajës tem, Cen Selim Breçanit të Markajve, një nga vendet ma të mira të botës. Këtë kangë e ka kompozue i ndritshmi e i ndjeri Bashkim Gjyriqi.
Selim Aliaj ishte dhe dramaturg, pasi ka shkrue disa drama, qyshse herët e tevona.
Për Selim Aliajn kisha me folë bukur gjatë, po diçka nga jeta e pena e tij ka me mbetë tana herët në memorien e kohës: Ishte poet i brezit të viteve ’70 të Tropojës poetike, sëbashku me Ndoc Paplekën, Mehmet Elezin, Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, Avni R. Mulaj, Besnik Mustafaj, Halil Buçpapaj e të tjerë. Selim Aliaj ishte mik i mirë dhe me brezat e rinj të poetëve e krijuesve të tjerë të Tropojës: kompozitorët Kolë Susaj e Bashkim Gjyriqin, poetët Jaho Margjeka, Mujë Buçpapaj, Marash Mëhilli e të tjerë.
Rreth këtij fakti deshta me thanë diçka:
Tropoja i ka rritë poetët e vet.
Po mbi të gjitha, si rrallkund e rrallherë: poetët e Tropojës e kanë rritë njani-tjetrin në breznitë e veta poetike.
Tropojës ia kanë marrë deri në tepri pasuritë e saj nën e mbitokësore po kurrnjiherë nuk kanë mujt’ me ia marrë poetët e saj.
Triania e Selim Aliajt është kjo: simbolika Drita. Ndërtues i veprave të dritës në Vaun e Dejës e në Fierzë. Mësues i dritës në disa vise të Tropojës. Autor i vëllimit poetik “Për njerëzit e dritës”. Pra, në jetën e tij prej poeti, prej malësori, prej misionari, i pati të tria me Dritë: Shpirtin, Udhën, Fjalën Poetike.
E, në përmbyllje: Selim Aliaj kishte dy dashuri të tij të mëdha, binjake siameze, që lartësojnë njana-tjetrën, dy dashuri të përjetshme dhe pas vdekjes: Poezia e Vendlindja.
E, sot, sikurse dhe herë të tjera, ne, shokë e miq të tij të jetës e letrave po flasim në këtë sallë për dashurinë e tij të madhe: Poezinë.
E, sot, si astenjëherë tjetër, kanë ardhë dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal të Tropojës, nga vendlindja e Selim Aliajt dhe e imja; kanë ardhë nga dashuria e madhe e trollit të Selim Aliajt; kanë ardhë me e nderue sot Selim Aliajn e tyre, Selim Aliajn tonë, poet i kohës e i botës.
Përndryshe, në ditë të sodit: dhania e titullit “Qytetar Nderi” nga komuna e vendlindjes së tij, Tropojës, poetit Selim Aliaj më ngjan si një dasëm legjendë në Tiranë, ku krushk të parë jo vetëm simbolik, kena poetin e njohur Besnik Mustafaj, shokun e rinisë të Selim Aliajt dhe redaktorin e librit të dytë poetik të tij “Muzat e dhimbjes” (Botime Ora. Tiranë, 2001), moderatorin e kësaj veprimtarie. Krushk’ të parë kena dhe drejtuesit e ardhun nga komuna e Tropojës: Ram Kortoçi, Xhavit Çela…
A e ndiet’ dhe sot kangën: “Çou moj çikë e del te ara”. Për atë Zot nuk e di se kur e ka pasë kohën me ardhë ajo çika e kangës së tij, për me e marrë nusen e tij, po veç po due me thanë: Selim Aliaj në koft se i iku kësaj dasme të tij, ai kurrë nuk iku nga vendlindja e vet – fshati Kasaj e komuna Tropojë, e rrethi Tropojë. Kurrë nuk i iku Poezisë. As me lindjen e tij, as me vdekjen e tij. E, prandaj kjo ditë po më përnget brenda legjendës, mbi realitetin, përtej vizioneve si “Dasma e Selim Alisë”.
E tashti boll fola me fjalët e mia e tuajat për Selim Aliajn: shokun tim, poetin tonë, Qytetarin e Nderit të Tropojës. Prandaj po e mbylli me vargjet e poezisë të Selim Aliajt, shkrue 40 vite ma herët, botue tek “Për njerëzit e dritës” (fq. 10), me titull: “Shokëve të mi”:
Ju më mbollët poezinë në shpirt
që gjithnjë të më rrjedhë si krua,
i shoh të zgjaten vargjet e mia
sikur ditët në duart tuaja…
Çdo ditë ju shtoni një heroizëm të ri…
pranverës sonë i shtoni jetë.
Që të shkruaj për ju
Kohë e pamjaftueshme do të ishin njëqind vjet.
E, tashti, po shtoj dhe diçka, që desha të ishte kryefjalë nderimi për Këshillin e Komunës të Tropojës, për kryetarin e tij Adem Beli e sekretarin Idriz Bugushi dhe veçmas për nismëtarin bajemirë e faktkryem Xhavit Çela, që i dhanë me unanimitet babës tim, Ali Mus Lushaj, veteran i luftës e i punës, autor i monografisë “Shipshani i Malësisë së Gjakovës”, etj. titullin “Qytetar Nderi” i komunës Tropojë. Mirë u takofshim bashkarisht në një eveniment nderimi për babën tem, në një veprimtari të tillë, si kjo e sodit. që do ta organizojmë me vllazninë e madhe Lushaj e fisin e Shipshanit, me komunen Tropojë, me Malësinë e Gjakovës.
KOSOVA E RREZIKUAR NGA DEMARKACIONI ME MALIN E ZI
DEMARKACIONI ME MALIN E ZI PO IU MERR SHQIPTARËVE TË KOSOVËS NJË SIPËRFAQE TRE HERË MË TË MADHE SE ISHULLI I SAZANIT APO MBI SHTATË HERË MË TË MADHE
SE PRINCIPATA E MONAKOS?!/
Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1. Sivjet kena hy’ në të pestin vit të bisedimeve ndërshtetërore për vijën kufitare (demarkacionin) e Malit të Zi me Kosovën e, në kit’ prill 2015, kur Hashim Thaçi – zv/kryeministër e ministër i Jashtëm i Kosovës, mori titullin “Qytetar Nderi i Ulqinit”, i premtoi aty dhe presidentit malazez, Vujanoviçi, se kjo punë ka me u krye punë javësh. Komisioni Shtetëror i Kosovës me kryeshef Murat Meha (i Agjençionit Kadastral të Kosovës) po i jep dorën e fundit Raportit (antishqiptar) të shenjimit të kufinit me Malin e Zi, të çilin ka me e dorëzue në Qeverinë me dy krena (e në krizë) të Kosovës. Tashti, pas kalandimit, prej diktatit ndërkombëtar, pas disa humbjeve të fituara në bisedime me malazezët, ka një rrezik të madh panshqiptar: të ndodhemi para një tradhtie të re kombëtare të pritshme, që klasa politike e Kosovës me përnguti ka me i dhanë “legjetimitet” ratifikimit të Marrëveshjes për vijën kufitare me votimin (medoemos me 2/3 e votave) në Kuvendin e Kosovës.
Gati kurrkujt sa ka ia ndie aq fort në këto qeveritë vargavijë të deri sodit në Kosovë, anipse kadastra e gjeodezia e shtetit multietnik e shoven të Malit të Zi a ka don me çkye padrejtësisht territore të mëdha shqiptare vrri e bjeshkë në anë të Pejës me rrethina: veçanarisht në hapësira gjeografike rreth vendkalimit kufitar e doganor të Kullës, në pjesën rugoviane të Çakorit (qafa e të çilës të çon drejt komunave Plavë e Guci), në fshatrat vrri e bjeshkë të Hajlës (qafa gjatë e gjanë e saj i lidh Rugovën me malësitë e saj si fshatrat Dacaj e Husaj e deri në përtej Rozhajë). Kurrkush, nga të mëdhajtë e Kosovës 2015: as Jahjaga, as Mustafa, as Thaçi, as kryeparlamentari Veseli, nuk janë kanë me kambë e sy në këto troje etnike shqiptare që don me na i rrëmbye shteti malazez, sepse asnjani prej tyne nuk ka ndonjë pronë të veten aty. Edhe kryetari i Komisionit, dr. Meha, deklaron dhe pas 15 takimeve zyrtare me banorët skej kufinit: “shqetësime natyrisht që kanë”, po ai vet personalisht i ka mbi 700 mijë Euro tokë trashëgimi (10 ha) e të tjera (ha e ari) të bleme vitet e fundit e çka po i duhet me luftue shtetnisht me sakrifica e sfida për ato troje në tri komunat kufitare të Kosovës me Malin e Zi.
Si po (keq)ecin punët e demarkacionit, kur Qeveria e Kosovës iu thotë vitpasviti banorëve të vijës kufitare: “të presin”, “të kenë durim”, etj. dhe nuk iu premtojnë zgjidhje të shpejtë e të drejtë, dhe nga ana tjetër, kur vet Bashkimi Europian kushtëzon Kosovën me negociata për Status e për Vizat me caktimin në terren të kufinit Kosovë-Mali i Zi, atëherë, patjetër, siç kumton para disa ditësh dhe kryekomunari i Pejës, Ali Lajçi e të tjerë. do të kemi dhe protesta deri në ekstreme…
2.Kurrkujt mbi tokë mos t’i duket e tepërt ajo çka lypin banorët e Kosovës skej kufinit, pasi iu mbesin tokat e tyne vrri-bjeshkë në anën e shtetit të Malit të Zi. E kanë një thanie japonezët: Tokë, më fal që të shkel me kambë (!) E, pra, qysh me pranue këta me i shkelë me kambë dy qeveritë: e Kosovës dhe e Malit të Zi?! A pak toka i ka marrë truallit tonë kombëtar principata e mbretnia e Malit të Zi në dy shekujt e kaluem: XVIII-XIX., nga Ostrogu (1853) e Grahova (1858) dhe deri në vitet 1913-1925. Saktësisht, sot, ky shtet republikan gjukanoviçian, i ka mbi dy të tretat e territorit të tij me toka shqiptare nga Rozhaja e Plavë-Gucia deri në Ulqin e Tivar, etj. E, prapë po duen me na marrë padrejtësisht e paturpnisht toka etnike shqiptare dhe në shek. XX?!!
Ky, Ali Lajçi, vëzhgues e këshilltar në Komisionin e Kosovës për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në prill 2015 pohon se vija kufitare malazeze hyn deri në 5-8 km në thellësi të Kosovës, në Kullë, Çakorr, Hajlë, tue zbrit deri tek Ura e Zhlebit në Kullë dhe Kuqishtë e Leqinat në Rugovë, tue marrë bjeshkë e vendbanime nga ma të mirat e të shfrytëzueshme nga banorët. Aq ma keq kur kemi të bëjmë me raste të tilla: forcat policore të Malit të Zi hyjnë deri në 6 km në thellësi të territorit të Kosovës tue i pengue edhe shqiptarët e Deçanit, Pejës e Istogut të shfrytëzojnë bjeshkët e tyre, të dalin në stanet e tyre, të zotërojnë kullotat e pyjet e tyre. Nga zona e Rugovës, banorët e Shtankajve e Bogajve pse kanë deshtë të shfrytëzojnë tokat e tyre kanë pasë 5-6 arrestime nga forcat policore kufitare malazeze.
Ish ministri i Brendshëm i Kosvës, Bajram Rexhepi, pat’ thanë në Pejë, para mediave, në shtator 2010: “Çështja e demarkacionit është problem që do të zgjidhet, kufiri mund të luhet 200 ose 300 metra”(!!!). Deklarata e tij mbetet alarmante atë ditë e sot. Atëherit, nëse bazohemi në të dhënat e tij zyratare kemi një përllogaritje të tillë: Vija kufitare me mbi 79 km, me u luejt me 200 m apo 300 m. i bie që mesatarja të jetë 15 km2 apo 24 km2.
Të mos harojmë diçka: në historinë botërore për 15-24 km2 sipërfaqe kufitare ka pasë raste të shpërthimit të një lufte lokale apo rajonale ndërmjet shteteve.
Përndryshe: nuk janë pak as mbi 15 km2 apo rreth 24 km2, pasi ishulli strategjik i Sazanit – ma i madhi i Shqipërisë Londineze është vetëm 5.5 km2 dhe dihet nga historia mesdhetare se sa lufta janë krye nëpër shekuj në mbrojtje të tij. Pra, shtetit të ri të Kosovës i merren nga shteti i Malit të Zi, në secilin nga dy rastet e masipërme, rreth tre apo katër Sazanë(!) Nuk janë pak sikur të ishte dhe “një Sazan” i tillë.
3.Shqiptarët e Shqipërisë Londineze, më 8 qershor 2011, përgjatë një kilometri gjatësi hynë e zhvendosën 50 m. kufirin në lumin Gërçar të Gucisë (mesi i rrjedhës së tij është kufi mes dy vende fqinjë), po të nesërmen jehuan fortas gazetat malazeze si “Novosti”, etj. Nga kjo ndërhyrje shqiptare pati një reagim të madh mediatik, publik e zyrtar malazez, disa herë ma i lartë, ma i shpejtë, ma i fortë se sa bëhet nga Kosova apo Shqipëria në të tilla raste.
Shteti i Kosvës vepron pak, lehtë e dobët edhe kur forcat policore të Malit të Zi hyjnë deri në 6 km në thellësi të territorit të Kosovës tue i pengue shqiptarët e Deçanit, Pejës e Istogut të shfrytëzojnë bjeshkët e tyre, të dalin në stanet e tyre, të zotërojnë kullotat e pyjet e tyre. Nga zona e Rugovës, banorët e Shtankajve e Bogajve etj. pse kanë deshtë të shfrytëzojnë tokat e tyre kanë pasë disa herë arrestime nga forcat policore kufitare malazeze.
Në kohën e Ish-Jugosllavisë të Titos, në vitin 1974, kufiri ndërmjet Republikës së Malit të Zi e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) u vendos në dam të shqiptarëve të Pejës me rrethina edhe për faktin se kësokohe Pejën e drejtonte një malazez. Po tashti që tri komunat kufitare të Kosovës i kanë kryekomunarët shqiptarë sa po janë qëndrestarë me i ruejt pronat e veta për mos me ua marrë shteti i Malit të Zi?!
4.A thue a din’ ndokush prej nesh me i kallxue botës e vetvetes se sa kilometra katërore (km2) është sot sipërfaqja e shtetit të ri, të pavarur e sovran, të Kosovës dardane?!
Dhjetra km2 ia kanë marrë Patriakana e Pejës, Manastiri i Deçanit, etj. të cilët kanë status të veçantë? Manastiri i Deçanit, i ngritur mbi toka të shqiptarëve si Hasi Kuçit, mbi themele të Kishës së Gashit të Xërxës, me projekt arkitekturor të priftit shqiptar Vita i Kotorrit, etj. sot ka mbi dy (2.3) km2 territor të saj me status të veçantë e të mbrojtur dhe nga KFOR! Kjo nuk është sipërfaqe e pakët. Ma e madhe se Principata e Monakos. Apo jo?! Pothuaj sa gjysma e ishullit Sazan të Vlorës apo ma shumë se gjysma e ishullit Ada të Ulqinit. Tashti, ky manastir, nuk lejon me kalue shkurtaz nëpër extra-territorin e tij as auto-rruga ndërkombëtare Deçan-Plavë, po duhet me krahëmarr’ dikah tjetër (!)
Sivjet po donë me na i marrë dhe 15 km2 apo 24 km2 edhe me caktimin final të vijës kufitare Mali i Zi-Kosovë. Vështroni hartën e botës: Republika Nauru në Oqeani, shtet ishullor e antar i OKB-së, është vetëm 21 km2.
Kryeministri malazez Milo Gjukanoviç bën disa deklarata të tilla: “nuk ka kurrfarë probleme në kufizimin e Malit të Zi me Kosovën”, “Ekziston kontest i vjetër për përdorimin e kullosave nga njëra dhe ana tjetër e kufirit, por kjo nuk është problem i kufizimit”, “dikush dëshiron të krijojë disa probleme kufitare të Malit të Zi, në mënyrë që ta ngadalësojë integrimin e tij evropian”, etj.
Kosova, liderët e saj, i bajnë lëshime pa kushte Malit të Zi e Gjukanoviçit, si ngahera dhe në kit’ rast të demarkacionit të kufinit dhe mendësia e tyre në këto pesë vite pasqyrohet tek kjo thënie zyrtare: “Është një çështje që kërkohet edhe nga BE-ja për të treguar aftësitë dhe mundësitë e Kosovës për përkufizimin e shtetit sipas vijës e çila duhet të shënohet në terren”. Ndërkohë, ekspertë shqiptarë e ndërkombëtarë të kufirit, të cilët ishin edhe në “demarkacionin” tepër problematik e jo pak konfliktual Kosovë-Maqedoni, e përcaktojnë si ma të vështirë kufirin Kosovë-Mali i Zi.
Ndërkohë ekspertë ndërkombëtar të kufinit, që kanë punuar dhe për demarkacionin me Maqedoninë thonë se “vija kufitare me Malin e Zi është ma e vështirë”.
Predrag Bulatoviç, deputet i Partisë Popullore Socialiste, parti opozitare serbe, kërkoi nga foltore e Parlamentit Malazez, që, sipas tij,“duke pasur parasysh aspiratat shqiptaromadhe” të fqinjëve të lidhen me ta (Shqipërinë e Kosovën) të atilla marrëveshje që të garantojnë që çështja e kufirit me Malin e Zi të jetë zgjidhje e përjetshme. Ky sinjal (in)direkt duhet të jetë një tjetër paralajmërim për Tiranën e Prishtinën zyrtare që të jenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm në marrëveshjet e tyre edhe me kufirin e kaltër e të gjelbër me Malin e Zi, me vijen kufitare shtetërore nga delta e Bunës në Ultinën e Epërme të Limit, nga Ulqini në Rozhajë. E, kur shovinistët malazez e lypin kësisoj, me përndjekje bulatoviçiane, duhet patjetër t’ua kallxojmë “kufirin tek dardha e thana”…
ÇELËSI I TIRANËS, KUJT I DHUROHET?
ÇELËSIN E TIRANËS” – BASHA IA NDAN ATIT TË SHENJTË, PAPA FRANCESKU DHE EDI RAMA KËNGTARIT ANTISHQIPTAR, GORAN BREGOVIÇIT
Nga Ramiz Lushaj/
1.Kryebashkiaku mandat dytë i Tiranës e kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, në vitin 2006, i dorëzoi me solemnitet të lartë “Çelësin e Tiranës” Goran Bregoviçit, i njohur si kangtar dhe antishqiptar. Babai i tij, kroati Franjo, ishte ushtarak i ushtrisë jugosllave, ndërsa nana e tij serbe, thirret Borka, i lindur në Sarajevë e qytetar i lagjes Senjak të Beogradit të Serbisë.
Ky, Goran Bregoviçi, ishte mik i afërt i kriminelëve e antishqiptarëve si Zheljko Raznjatoviçit-Arkanit, Vojisllav Sheshelit, Ratko Mlladiçit, e në kohën e luftës dha koncerte për ta në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, etj.; ishte frymëzues i miteve serbe në Kosovë, sidomos me kangët “Kallashnikov”, “Juriiis” (Sulm mbi ta…), “Pucaj” (Qëllo-zjarr-vritni…), etj. Krejt Kosova i ka ndie këto kangë të Bregoviçit, veçmas ajo “Kallashnikov” ishte si hymn i çetnikëve të Sheshelit e “tigrave” të Arkanit, që jehonte nga kasetofonët e makinave të ushtarëve e paramilitarëve serbë në rrugët e Kosovës teksa kryenin vrasje, përdhunime, torturime, spastrim etnik të shqiptarëve. Në kohën e Luftës në Kosovë kërkonte ndalimin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbi, ndërmerrte koncerte bamirëse në Greqi (Sheshi “Omonia”, etj.) e shtete të tjera për të mbledhë ndihma për Serbinë e Millosheviçit; ka marrë pjesë në demonstrata kundërshqiptare në Beograd, etj.
Pasi e mori “Çelsin e Tiranës”, dy vjet ma vonë, më 12 qershor 2008, në 9-vjetorin e Lirisë së Kosovës, Bregoviç u rrëzue nga qershia e kopshtit të tij në Beograd, tue pësue damtime të randa, po prapë më 2009 erdhi në Shqipëri, në qytetin bregdetar të Durrësit. Pra, nuk kemi të bajmë me një rast të vetëm, po me një qëndrim e veprim të prejkoshëm, të përhershëm. Gazeta e famshme e Beogradit “Kurir”, vitin e kaluar, pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, shkruante:”Ajo që nuk nuk e dinim dhe tashmë është bërë shumë interesante, është një fjalim i Ramës, në të cilin ai thoshte se gjatë regjimit të Enver Hoxhës dëgjonte fshehurazi muzikën e grupit Bjello Dugme”. E ky grup, me aktivitet qyshse në kohën e Jugosllavisë Federale, në vitet 1974-1989, dhe – tevona: 2005, 2014, dhe ka për antar të tij edhe antishqiptarin Goran Bregoviç.
2.Kryebashkiaku i Tiranës e njiherash dhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i dha në Sheshin “Nënë Tereza”, në meshën e madhe solemne, më 21 shtator 2014, Papa Franceskut titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Tiranës dhe në mënyrë simbolike dhe Çelësin e Tiranës.
Ati i Shenjtë, i 266-ti në Vatikan, të parën vizitë në Europë e kreu në Shqipëri, erdhi me avion me Flamur Kombëtar Shqiptar, bekoi Vendin e Shqipeve, dha mesazhe të mëdha për Shqipërinë e Shqiptarët, etj. E, pati zëra publik nga pena të njohura që jo pa fakte i hapnin udhë mendimit e hulumtimit që Papa Françesku të ketë dhe origjinën e tij të hershme shqiptare, nga arbëreshët e Argjentinës, e mund të jetë një nga pothuaj dhjetë Papët e Vatikanit me prejardhje shqiptare.
3.Këta dy shembuj, i kryebashkiakut e kryesocialistit Edi Rama më 2006 e i kryebashkiakut e kryedemokratit Lulzim Basha më 2014 nuk janë thjesht dy shembuj të pakrahasueshëm, krejt të ndryshëm. Dy liderët shqiptarë të dy shembujt i kanë akt-krye kur ishin në Opozitë. Me bindje të plota. Me ceremoni të veçanta.
Po, mbi të gjitha, këta dy shembuj flasin për diferencat e mëdha politike, kombëtare e qytetare që kanë ndërveti dy lidershipët e sotëm, Lulzim Basha nga Edi Rama. Këta shembuj dëshmojnë dhe faktin tjetër: se sa larg e lart qëndron në startet e stadin e kohës së sotme kombëtari euro-atlantik, Lulzim Basha, kryebashkiak i metropolit shqiptar, kryetar i ri i PD-së e i Opozitës Shqiptare.
ECI ME PESË MIJË TIVARË
Nga Ramiz LUSHAJ/
ECI ME PESË MIJË TIVARË/
Kushtim në 70 vjetorin e (pa)harruar të Masakres të Tivarit/
E kam trupin krejt me varrë/
Pesë mijë i mora në Tivar…/
Si vendbanimet si i ka harta
Trupi im i ka pesë mijë masakra/
Pesë mijë vjet në histori/
Varrët ma banë trupin kuq e zi./
Nga antikiteti deri në Recak
Trupi ende më kullon gjak…/
Pesë mijë masakra si ajo në Previ/
Eca në kohëna si Gjergj Elez Ali…/
Pesë mijë masakra m’i banë barbarët…
Martirëve të mi ua di vendet, historitë,varret…
M’i lanë idealet, andrrat, plagët…genin shqiptar.
Eci në pesë mije vite me pesë mijë Tivarë…
Tiranë, 31 mars 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 10
- 11
- 12
- 13
- 14
- …
- 29
- Next Page »