• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UDHËTARI I PËRJETSHËM

March 14, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
GJERGJ KALAJ, UDHËTARI I PËRJETSHËM/
“Dielli” i Amerikës ma dha lajmin e zi në një mëngjez:/
Iku dhe një tjetër Gjergj…/
E prisja një ditë prilli të lumnueme prej Zotit/
Kur do të pinim një kafe në (krye)qytetin e Nju Jorkut./
Asnjani nuk i lamë tjetrit nji të tillë takim,/
Gjergj, askush nuk e dinte se do shkoje kaq shpejt në amshim…/
Ne, me Gjergj Kalajn e Grudës,pa u njoft ndër veti ,/
Prej larg patëm të afërten miqësi./
E, veç një herë, u pamë sy më sy./
Tek Takimi traditë: “Alpet Shqiptare”,/
Në një drekë bujare të Bruno Selimajt/
Në një kullë antike në Guci./
Aty patëm dy orë me të qeshura/
Folëm për ngjarje të reja, për histori të vjetra…/
Gjergji, ky malësor mërgimtar vinte shpesh në Malësi,
Me të madhin mall, me të madhen dashuri.
Me zemrën Ulqin, me shpirtin Shqipëri…
Në shtëpinë e tyre Kalaj në qytetin e Nju Jorkit,
Dy “Gj…”-të shqiptare,
Gjergj e Gjyste,
Si dy shqipe të Kombit.
E donin Shqipërinë Etnike deri në kufijtë e ëndrrës,
ideologjisë, sakrificave vetmohuese, legjendës…
Mbi lartësitë e shpirtit
Përtej mureve të zemrës.
Gjergj, do të vijë në prill e do trokas tek agjensia jote:
E, Ti – do të jesh udhëtar i përjetshëm
I kësaj Kohe. I kësaj Bote.
I këtij Qielli. I kësaj Toke…
E, Gjergji Kalaj do të jetë përjetë në Udhëtim.
Gjergjat nuk i mungojnë Kombit Tim!
Tiranë, 13 mars 2016

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: GJERGJ KALAJ, Ramiz Lushaj, UDHËTARI I PËRJETSHËM

E pazakontë Ekspozita “Shkollat Amerikane në Shqipëri”

March 7, 2016 by dgreca

NJË FTESË PËR TY, BUJAR LESKAJ/
 Nga Ramiz LUSHAJ/
   1.E pazakontë Ekspozita “Shkollat Amerikane në Shqipëri (1891-1933)”, me mbi 300 foto të hershme të ngjitura vertikalisht në 71 stenda të hijshme prej druri, me mbi 200 tekste shkollore e programe mësimore, gjithato dokumenta të ndryshme si dëftesa shkollore, blloqe shënimesh, mjete mësimore, etj. të hapura horizontalisht në nëntë  tavolina ekspozimi, që flasin për historinë kumtuese për mirë të pesë shkollave shqiptaro-amerikane: Shkolla e Vashave në Korçë (1891), Shkolla Teknike në Tiranë, e njohur ndryshe “e Harry Fultzit” (1921), Instituti “Kyries” në Kodër-Kamëz (1922), Shkolla Fillore “Kennedy” në Korçë (1925) dhe Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës (1926).
Ende dhe sot, në të 125-tin vit, shkollat shqiptare në trojet etnike në Ballkan nuk e kanë mbrri nivelin e lartë e fuqinë e madhe të tyre të mësimdhënies teoriko-praktike, të bazës materiale e didaktike, etj.
Kjo Ekspozitë, në këtë 7 Mars 2016, me gjithçka ekspozon në stenda e vitrina të saj, është një leksion i hapur për politikën shqiptare në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Preshevë, që t’i kthejnë ma shumë e ma mirë sytë me fjalë e vepra drejt arsimit kombëtar shqiptar, që ta ngrejmë në lartësinë e standarteve bashkëkohore euro-atlantike.
 2.
 Komisioni Organizator i Ekspozitës, teksa po hartonte listën e ftesave për eliten politike të Tiranës: presidentin Bujar Nishani, kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, ish presidentin e ish kryeministrin Sali Berisha, ish-kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, liderin e  ri të Opozitës Lulzim Basha dhe ministren e Arsimit Lindita Nikolli, u ndal tek një emër i njohur: Bujar Leskaj. Pas tij vinte kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Myzafer Korkuti. Lista rendore mbyllej me të ftuarin e dhjetë, një tjetër politikan i kohës. Kaq, e mjaft.
            Një ftesë e veçantë është për Ambasaden Amerikane në Tiranë, për ambasadorin e saj Donald Lu, për këtë diplomat që ka një çerek shekulli në diplomacinë amerikane, që është një misionar i madh amerikan, që sillet si një shqiptar i vërtetë, jo vetëm se flet shqip, por edhe ngaqë mendon e vepron shqiptarisht.
            Po çështja shtrohet ndryshe: çka e lidh sot dr. Bujar Leskaj, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit me Ekspozitën “Shkollat Amerikane në Shqipëri” në dy shekujt e kaluar të kombit shqiptar?! Me çfarë “statusi” i çohet atij kjo ftesë në listën elitare me vetëm dhjetë të ftuar të tillë nderi në këtë veprimtari shqiptaro-amerikane?!
            Epilogu i kësaj Ekspozite, që ngjan si një “muzeum” për nga objektet e vlerat e saj, e ka prologun e vet, dhjetë vjet ma herët, prej nga viti 2006, çka lidhet dhe me emrin e dr. Bujar Leskaj, asokohe ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Ai, atëherit, për herë të parë, e përkrahu pjesmarrjen e koleksionistëve shqiptarë me një stendë të madhe e të veçantë në Panairin e Librit në Pallatin e Koncerteve në Tiranë. Ai, tek Shpëtim Sala, kryetari i sotëm i Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë (QMKSH), pa një dalëzotas të përkushtuar, një studjues e koleksionist me passion e aksion, me arkiv të pasur, me shpirt kombëtar shqiptar. Ndaj i ofroi atij, Shpëtimit me miqtë e tij koleksionistë, mundësinë e mirë të hapjes së një ekspozite tematike në Vlorë në Nëntorin 2006, në Ditën e Festës të Flamurit, e cila ishte mjaft e suksesshme. Diçka përtej një arritjeje të zakonshme, një befasi e rrallë.  Ishte e dyta ekspozitë brenda vitit, brenda pak muajve.
            E prej atëherit, nga viti 2006, në këto dhjetë vite, Shpëtim Sala – kryetar i  QMKSH me antarët e veprimtarët e saj koleksionistë, ka hapur 30 ekspozita të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe deri në Budapest të Hungarisë. Vetëm për arsimin kombëtar shqiptar ka hapur disa ekspozita të tilla si në Tiranë e Strugë, në Korçë e Pogradec. Kjo Ekspozita “Shkollat Amerikane në Shqipëri” është e 31-njita Ekspozitë e historianit e koleksionistit Shpëtim Sala, e Qëndres së tij, me miqtë e tij.
            Vet Shpëtim Sala, kryetari i QMKSH, thotë se i është mirënjohës dr. Bujar Leskajt, ish ministrit të Kulturës, sepse ai iu besoi, i vlerësoi, i përkrahu në kryehere e tevona, vitin tjetër, si një ministër shqiptar kombëtar. Ndaj dhe në këtë 7 mars 2016, plot dhjetë vite ma vonë, Shpëtim Sala, kryeprotoganisti veprimtar i kësaj ekspozite, në fjalën e tij kryesore në hapje të ekspozitës, i shpreh mirënjohje me fjalë shpirti, miku e shqiptari dr. Bujar Leskajt, pasi ai iu dha dorën për mirë, iu dha udhën për mbarë. Përndryshe, si të thuash, dr. Bujar Leskaj, është “kumbara” i kësaj pune të çmuar të nisur dhjetë vite ma herët, e që vjen me kurorë lavdie dhe në këtë ekspozitë “Shkollat Amerikane në Shqipëri”, që hapët nga Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë  e historianit e koleksionistit Shpëtim Sala, në bashkëpunim me Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante me kryetar David Hosaflook dhe Muzeun Historik Kombëtar, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit e firmën tregtare sponsore plotore “Bijoutiful”.
   Dr. Bujar Leskaj, ish deputet i Vlorës, sapo erdhi në krye të Ministrisë së Kulturës, me shpirtin e hapin e tij kombëtar shqiptar, në vitin 2006-2007, ende pa u shpall Kosova shtet i pavarur e Sovran (17 shkurt 2008)  e organizoi në mënyrë institucionale e bashkëpunuese “Muajin e Veprimtarive Shqipëri-Kosovë”, tue bashkrendue punët me Ministrinë e Kulturës së Kosovës. Edhe kur ishte “kloni i kufinit”, kur piramidat ngriheshin përgjatë vijës së kufinit, kur kalimi i kufinit ishte tradhëti kombëtare, kur gjakosej me gjak shqiptari kufini, ishin librat e kangët, veprimtaritë kulturore-artistike, që po e thyenin kufinin në mes Shqipërisë e Kosovës, që po kërkonin e jetësonin bashkimin Kosovë-Shqipëri. Po, realisht, “de facto”, kufini Shqipëri-Kosovë u thye për herë të parë nga UÇK në Koshare, në vitin 1999, ndërsa për herë të dytë, në fushën e lidhjeve e bashkimit kulturor, e ka “thye” zyrtarisht dr. Bujar Leskaj në vitin 2006. Të tjerë ministra të kulturës të tipit aksidental “Pango” apo “Xhaferri”, që erdhen pas dr. Bujar Leskajt, e zbehën, e shuan, e harruan këtë punë të mirë e të madhe kombëtare të paraardhësit të vet.
            Për sa kohë që dr. Bujar Leskaj, kuadri me tri universitete inxhinierike, ekonomi-financë e juridik, ishte në krye të Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, ka kryer gjithato veprimtari që e kanë lartësuar kulturën kombëtare shqiptare, që kanë lanë gjurmë e emër për mirë, që kanë krijuar traditë ndër vite, aq sa shumkush atë e vlerëson si një “Ministër Kulture me Status të Përhershëm”, ndaj e ftojnë në veprimtari të ndryshme kombëtare në gjithato rrethe të Shqipërisë, në disa treva shqiptare në Ballkan, sikurse dhe më 7 mars 2016 në Ekspozitën elitare “Shkollat Amerikane në Shqipëri”.
Dhe, në këto veprimtari, sa herë që ftohen personalitete elitare, organizatorët mirënjohës kanë dhe “Një ftesë për ty, Bujar Leskaj”…

Filed Under: ESSE Tagged With: nje Ftese per Bujar Leskaj, Ramiz Lushaj, Shkolla shqiptaro-amerikane

PLAVË-GUCI – PALCË E ASHT I TROLLIT TAND

February 19, 2016 by dgreca

Ramiz LUSHAJ/
1./
Në Plavë-Guci:/
Ka ra shi e m’u lagën kambët nga vërshimet e gufimet e tokës/
Ka ra borë e m’u ngrinë thinjat e mallit e të kokës/
Ka ra dielli e për këtë trevë iu fala me dorë lart qiellit/
Ka fry flladi e m’i bjen amanetet e Luftës së Nokshiqit…/
2./
Në Plavë-Guci:/
Ka rigon loti i mërgimtarit e më del dhimbja n’lule t’ballit./
Ka këndojnë zogjtë në kulla të mbetura pa njeri…/
Ka vijnë shkijet me kapica e veladona si korba të zi…/

3.
Plavë e Guci:
Si dy krahë të Shqiponjës
Si një lumë i Kohës.
Si një mal i vetëm në Vargmalin e Kombit
Tokë arbnore e hyjnore, e bekuar prej Zotit!

4.
Plavë-Guci:
Me lavdinë tande u rritën brezat shqiptar
Emri yt, në palët e Flamurit Kombëtar.
Ke hyrë në atlaset e bukurisë së botës.
Genet e tua rritja përditë me rranjë e lisa tokës.
Shqip le të flasin zogjtë, gurët, bari, gjethet.
Shqip të flasin malet, lumenjt’, andrrat, djepet…
Bëhu në këtë shekull të ri palcë e asht i trollit tand:
Qëndro si në jetë e motmote: kala, istikam…!

Tiranë, 18 shkurt 2016

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: I TROLLIT TAND, PLAVË-GUCI – PALCË E ASHT, Ramiz Lushaj

PSE KATER AMBASADORE NGA TROPOJA MBETEN JASHTE SHERBIMIT DIPLOMATIK SHQIPTAR?!

January 26, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Tre ish-ambasadorë të shtetit (e kombit) shqiptar, Islam Lauka, Lisen Bashkurti e Mal Berisha, në ndrrimin e viteve, brenda një muaji kohe, i pashë të ftuar me intervistat e tyre dinjitare tek i përjavshmi emision elitar “Diplomaticus” në ma popullorin televizion, Neës 24. Një tjetër ish ambasador në Zvicër, Mehmet Elezi, i katërti tropojas, më 16 janar 2016 ishte i ftuar në TVSH për veprën e tij “Fjalor me emra njerëzish: 31 mijë emra iliro-shqiptarë”.
Diçka, pothuaj, e zakonshme ftesa televizive, po e veçanta “flenë” diku tjetër, tek karta e tyre e identitetit në gjendje civile e publike, pasi të katër janë breznik nga Tropoja. Berisha, Elezi, Lauka kanë lind atje.
E, bash për këtë fakt, me ndrrimin e pushteteve, kthina e kulisa qeveritare i kanë largue nga selitë e lartësitë diplomatike. Bashkurtin, shumë ma herët. Para dy vitesh Elezin. Laukën në fillimviti 2015. Berisha (me aq sa di) gjendet dhe pak muaj në atë klucën ligjore “diplomat në dispozicion”.
Kësisoj, për ta, në kësi rasti e për këtë fenomen, them se është ushtrue “genocid politik” (i kalkuluar e i kamufluar) për shkak të origjinës së tyre krahinore, mbiemrit, potencialeve intelektuale e diplomatike. Ashiqare, hakmarje politike. Sikur qeveritë e Tiranës të ishin të kohnave të kështjellave mesjetare e jo tashma të integruara me seli, programe e frymë euro-atlantike në NATO, BE, KE, OSBE. Sjellje të sojit neo-otomanizëm, neo-komunizëm, neo-fashizëm.
E, kjo-këto qëndrime e veprime kanë mbrri kulmin e vet, përderisa diplomati Lauka arriti të flasë dhe me “Letër të Hapur” ndaj ministrit të Jashtëm Bushati, përderisa mediat i kanë ba në shpeshti publike qëndrimet e kryeministrit Rama ndaj ish-ambasadorit Berisha në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut. Arben Manaj shkruan: “Faktikisht, ka mbi dy vjet që Tirana nuk jep fonde për ambasadën, për të zhvilluar një pritje një herë në vit për festat kombëtare dhe kjo, pasi deri përpara një muaji, në ambasadën shqiptare në Londër ka qenë ambasador “kulaku” Mal Berisha” (gazeta “Shqip”, 3 dhjetor 2015).
Këto janë veç ajsbergu politik ndaj tyre, pasi “saçi” diplomatik e din vet se çka ka nën të për gatesë e shërbesë të tillë, se sa ja çon temperaturën përbrenda gaca-prushi përmbi të.
Po sidoqoftë, dhe ky emisioni “Diplomaticus” tregoi qartë një fakt të njohur: Diplomacia Panshqiptare i kërkon, botnisht e shpësh herë, si nevojë diplomatike të ditës e të kohës, këta tre ambasadorë nga Tropoja, përfaqësues diplomatik të Shqipërisë në kryeqendra botërore në Nju Jork, Bruksel, Londër, Moskë apo në Hungari, Turqi e Kosovë.
Diplomacia (“jo Bushat”) don me ua ndie zanin diplomatik profesional e kualitativ në media e mediume për çështje madhore me interes kombëtar, rajonal, ndërkontinente. Jo veç tek Neës 24. Jo veç tek Televizioni Publik Shqiptar (RTPSH). Po edhe në të tjera televizione në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, etj. Ish-ambasadori Berisha sapo u kthye nga një kumtim referues në një veprimtari shkencore në Amerikë, kurse ish-ambasadori Lauka para disa ditësh kumtoi me intervistë tek “Zëri i Amerikës” për temën “Rusia dhe Ballkani”. Të shumtë janë dhe shkrimet e tyre, librat e tyre për diplomacinë…
Këta ambasadorë edhe po të mos ishin në të tilla detyra diplomatike do të ishte në nderin e diplomacisë shqiptare t’i thirte në detyrë shtetorore për të dhanë ma shumë e ma mirë për kombin e vet.
2.Këta katër ish-ambasadorë të kombit shqiptar, Islam Lauka, Lisen Bashkurti e Mal Berisha, Mehmet Elezi, me kontributet e atributet e tyre në diplomaci më kujtojnë realisht atë thënien botnore: arti i diplomacisë është truri i shtetit.E, këta të tre, me veçantitë e lartësimet e tyre diplomatike, me veprimtarinë si diplomat, me librat e shkrimet për diplomacinë, hyjnë tek arti i diplomacisë, bajnë pjesë tek truri i shtetit shqiptar londinez, i kombit shqiptar euro-atlantik.Këta ambasadorë nga Tropoja kanë mijëra faqe shkrimi në libra të tyre e në gazeta e revista shqiptare e të huaja. Ma shumë se sa mbi 37 mijë ditë jete e veprimtarie të diplomacisë shqiptare në këto 104 vite të Pavarësisë Shqiptare. Përndryshe, për ma tepër, këta shquhen ndër diplomatët e tjerë shqiptarë ndër vite për botimet e tyre.
Ambasador Lisen Bashkurti, ma shumë se çdo diplomat tjetër shqiptar, ka botue 22 libra për diplomaci e marrëdhanie ndërkombëtare, disa sish dhe në anglisht si “Historia e Diplomacisë Shqiptare” (në tre vëllime), “Identiteti, Imazhi, Diplomacia”, “Krizat Ndërkombëtare”, “Negociatat – Historia, Teoria dhe Praktika”, “Kombet e Bashkuara dhe Rendi i Ri Botëror”, “Organizatat Ndërkombëtare dhe Nismat Rajonale”, “Europa, Ballkani dhe Sfida e Kosovës”, “Political Dynamics ëithin the Balkan Countries”, “National and European Identity of Albanians”, “Albanian Diplomacy betëeen the Past and the Future”, “Diplomacia Shumëpalëshe dhe Organizatat Ndërkombëtare”, “Mbi të Drejtën Ndërkombëtare dhe Organizatat Ndërkombëtare”, etj.

Ambasador Islam Lauka, ma shumë se çdo diplomat tjetër shqiptar, ka botue disa libra në gjuhë të huaja si anglisht, arabisht, rusisht, persisht, rumanisht, serbisht, rusisht, si “Kosova: Rast Universal apo Sui generis” më 2007 në shqip, anglisht, arabisht, rumanisht, persisht, “Shkëputja e Kosovës nga Serbia” më 2007 në shqip, anglisht e serbisht, ”Evolucioni i çështjes së Kosovës dhe gjendja e tij aktuale” më 1994 në rusisht e shqip; “Kosova e pavarur ose dështimi i kryqëzatës ruso-serbe” më 2011; “Shqipëria në arkivat ruse”(me bashkautor) më 2006 dhe “Antologjia e kryqëzimit: qëndrimi rus ndaj çështjes shqiptare 1878-2012” (me bashkautor) më 2012, etj.

Ambasadori Mal Berisha, duke ecë në rrugën e shkrimtarisë të Nolit e Konicës, është i vetmi diplomat shqiptar që ka shkrue ma shumë vepra për marrëdhaniet shqiptaro-amerikane e shqiptaro-britanike, për temën hebraike, etj. Dy veprat e tij: “Shqiptarët, lisa mbi truallin ilir: vlerësime të shtypit amerikan për shqiptarët dhe Shqipërinë 1908-2003” (Edualba. Tiranë, 2006. 256 faqe) dhe “Shqiptarët, europianët më të lashtë dhe më të rinj” (Edualba, Tiranë, 2009, 325 faqe) janë dëshmi historike për udhën e vlerësimet e të huajve për Shqipërinë e Shqiptarët, etj. Në 100 Vjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë botoi veprën trevëllimshe “Charles Telford Erikson”, e cila ka hyrë në Bibliotekën e Kongresit Amerikën në Uashington D.C., në raftin e parë të pavionit të librit, e ekspozuar dhe me poster, gjendet dhe në Dhomen e Referencave, si një libër studimor meritor e një botim klasik e modern. Një tjetër vepër e studiuesit Mal Berisha është ajo për ambasadorin amerikan “Herman Bernstain (1876-1935) Journalist, Ëriter, And Diplomat” (2014), rreth të cilit ka mbajt ligjërata institucionale në të dy anët e Atlantikut, dhe në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kontribut i vyer ndër kohëra janë dhe shqipërimet e tij të veprave me interes kombëtar shqiptar si ato: “Shqipëria Jugore ose Epiri i Veriut në Çështjet Europiane Ndërkombëtare 1912-1923” (Koha. Tiranë, 1998) dhe “Shpëtimi në Shqipëri – Njëqindpërqind e hebrejve në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti”, etj.

Ambasadori Mehmet Elezi i ka 46 vjet me libra të shkruar nga pena e tij e shquar. Ai ka kontribute madhore me veprën e tij akademike “Fjalor i Gjuhës Shqipe”, me 41.000 fjalë e rreth 54.000 kuptime, të cilat nuk gjenden në fjalorët e Akademisë së Shkencave të viteve 1980 e 2002, si dhe me rreth 5.300 shprehje frazeologjike. Veç një penë si e Mehmet Elezit na jep të tilla vepra publicistike, analitike, filozofike, diplomatike si “Shansi i tretë” (1993), “Gjeostrategjia tjetër” (1996), “Kosova midis politikës e realpolitikës” (1999), etj. Ai është shumëdimensional: diplomat, publicist, shkrimtar, poet, gjuhëtar, studiues, etj. I numërohen gjithato kumtime ndërkombëtare e artikuj të botuar përtej kufijve të Shqipërisë Londineze.
3.Ndër këta katër ambasadorë, dy prej tyre, kanë tituj e grada shkencore, si prof. dr. Lisen Bashkurti e dr. i shkencave Islam Lauka. E, të katër, janë dhe pedagogë universitar e shërbyer deri dekan e rektor në universitete shtetërore e private në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni (FYROM), Luginën e Preshevës, etj., ku ligjërojnë në fushën e diplomacisë e marrëdhanieve ndërkombëtare, etj.
Këta të katër ish ambasadorë janë “institucione më vete”, janë “akademik” të diplomacisë panshqiptare. Secili prej tyre, edhe kur nuk ishte diplomat zyrtar në MPJ apo në ambasada të Shqipërisë në botë, kanë punue ma shumë se dhjetra diplomatë e titullar diplomatik në detyrë funksionale.
Dr. Islam Lauka ka punuar në MPJ deri Drejtor i Përgjithshëm Drejtorie i Organizatave Ndërkombëtare, ish ambasadori i parë i Shqipërisë në shtetin e ri të Kosovës e, në shtator 2013-mars 2014 Dekan i Trupit Diplomatik të akredituar në Prishtinë, ish drejtor i Bordit të Institutit të Diasporës në MPJ, president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (prej vitit 2003), drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike (prej nga viti 2005).

Prof. dr. Lisen Bashkurti, ish drejtor drejtorie në MPJ e ambasador në disa shtete, është President i Akademisë Diplomatike Shqiptare, antar nderi në disa institucione ndërkombëtare diplomatike në botë, etj. Ai është drejtues i revistave shkencore “Diplomacia” e “Global Challenge”. Meritor i disa titujve, urdhëra e çmime kombëtare e ndërkombëtare për kontribute të vyera në fushën e diplomacisë e marrëdhanieve ndërkombëtare.

Mehmet Elezi, prej vitit 1994, ka qënë themelues e drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Ndërkombëtare e Strategjike në Tiranë, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i njohur me disa botime shkencore. E, vitet e fundit, është antar i disa organizmave dhe në fushën e diplomacisë e marrëdhanieve ndërkombëtare dhe përtej kufijve të Shqipërisë Londineze.
Mal Berisha, nga diplomat, konsull e kryekonsull në Stamboll, në vitin 1998 kur ishte në SHBA, nën emblemën e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, kontribuoi për çështjen e Kosovës. Në vitin 2000 punësohet nga Kombet e Bashkuara dhe bën pjesë në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Ai punoi disa vite dhe drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale dhe Inisiativave në MPJ.
Asnjëri nga këta katër ish-ambasador nuk rrinë tek dera e MPJ e as mbi krye të ministrit të Jashtëm apo kujtdo tjetër ma lart, ma të madh, po largimet e tyre nga Shërbimi Diplomatik Shqiptar dëshmojnë se Diplomacia Shqiptare e ka vështirë të jetë Diplomaci e niveleve të larta euro-atlantike. Askund në botë, as në vendet “me grushte shtetI”, të varfëra, në ecje drejt zhvillimit të vet, nuk i lëvizin diplomatët e tyre si MPJ e Shqipërisë.
Dr. Islam Lauka ia ka fillue Shërbimit Diplomatik në vitin 1985, qysh në kohën e komunizmit, të monizmit, po largimi i tij nga detyra kryhet pikërisht në 30 vjetorin e karierës diplomatike, në vitin 2015 (!).
Mal Berisha ka një çerek shekulli që ia nisi detyrës të diplomatit në MPJ të Shqipërisë e, tashti, ai nuk emërohet askund në një detyrë të lartë diplomatike (!)
Edhe Lisen Bashkurti, plot 25 vite ma parë u emërua ambassador i Shqipërisë në Hungari e, prej vitesh, mbetet zyrtarisht jashtë Shërbimit Diplomatik Shqiptar, por punon realisht ma shumë e ma mirë se shumë diplomat të niveleve të larta në MPJ.
Mehmet Elezi, ambasador i Shqipërisë në Konfederatën Zviceriane prej vitit 2006, kthehet në nëntor 2013 në Tiranë e, prej atëherit, nuk u thirr në një detyrë të lartë diplomatike, u la jashtë Shërbimit Diplomatik Shqiptar.
Ndërkohë që këta katër ish-ambasadorë mbeten jashtë Shërbimit Diplomatik Shqiptar për faktin se janë “nga Tropoja”, MPJ e Shqipërisë merr “hy e dil” në sallonet diplomatike disa politikanë me diplomaci diletante, të cilët nuk dinë si duhet as për shkrimin diplomatik e nuk kanë dijeni çka duhet as për shtetin ku shkojnë ambasadorë…?! Pse ka menjanime e bllokime të tyre për/në veprimtari diplomatike shtetërore për t’iu dhanë detyra diplomatike të larta në MPJ e në seli diplomatike në botë, atje ku duhen ma shumë, atje ku japin ma tepër ?! A thue ma shumë nepotizëm kanë këta katër ish ambasadorë tropojas apo si ndonjë rast historik që të ketë deri në pesë vetë diplomatë me lidhje gjaku farefisnore në MPJ, në Shërbimin Diplomatik (!)
A thue Diplomacia Shqiptare që po bahet 104 vjeçe e ka një “luks” të tillë, a e ndjen një turp të tillë, sa t’i nxjerrin politikisht “të tepërt”(!) këta katër ambasadorë të sprovuar të shkallëve të karierës diplomatike?!

Filed Under: Analiza Tagged With: diplomatik, Islam Lauka, Lisen Bashkurti, Mal Berisha, Mehmet Elezi, pse u lane jashte sherbimit, Ramiz Lushaj

KY RASTI PRESIDENCIAL: ATIFETE JAHJAGA…

January 12, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
Atifete Jahjaga, e para femër presidente e Kosovës dhe e krejt regjionit të Ballkanit, 40 vjeçarja e Prishtinës, e lindur në Gjakovën akademike të “politikës së madhe”, po e përmbush mandatin e saj pesëvjeçar presidencial tue krijue si lidere: profilin e saj, formatin e vet. Asokohe, më 2011, ashtu si i erdhën rroçkullat e broçkullat politikës së ditës në Kosovë, zgjedhja Presidente e Atifete Jahjagës – ndonësi nuk ishte ma e afta ndër figurat publike e politike të Kosovës, ajo ishte zgjidhja ma e mirë dhe tashti tue i kqyrë tojat e tejat e politikës në Kosovë, si po i përdorë klasa politike tapitë e tokës, politikës e diplomacisë të Kosovës, po duket se Atifete Jahjaga si Presidente, ishte “zgjedhja ma e mirë”.
Ajo erdhi në krye të shtetit të Kosovës kur në ma pak se një vit kohor u (k)thyen në vargni e vorbulli katër burrshtetas të Kosovës, katër presidentë fron(tal): Fatmir Sejdiu (27 shtator 2010), Behxhet Pacolli (22 shkurt – 4 prill 2011), Jakup Krasniqi (në detyrë) një herë nja pesë muaj (27 shtator 2010-22 shkurt 2011) e mbi tre ditë (4-7 prill 2011). Ajo doli si e vetmja zgjidhje në tavolinë dhe si kandidaturë e zgjedhur në Parlament, atëherit kur u detyruan të heshtin zaret e zararet e politikanëve të fortë në votë e në “tortë”. Këta presidentë mandatshkurt(uar) vinin nga tri parti politike parlamentare: LDK, PDK e AKR, kurse Atifete Jahjaga vinte, si i thonë jo-shqip: Indipedente. Të gjithë këta presidentë, shto dhe Nexhat Dacin e 2006-tës, e kishin të vështirë të qëndronin presidentë të shtetit të Kosovës pas Presidentit legjend-ar dr. Ibrahim Rugova. Të gjithë patën kohë të pakët me krijue emër të madh, të vetin, modelin e vet. E, mos t’iu vijnë kurrnjanit keq nga këta burrështetas presidencial në se pas tyre në vargni, pas ikjes së tyre me “rreknim” e jo me “rrotacion”, Atifete Jahjaga e kishte ma të lehtë të ishte Presidente e Kosovës për pesë vjet tue mos pasë asnjanin prej të pesë presidentëve të mapërshëm “model” të saj, përveçse “Njëshit”, Ibrahim Rugovës. Jo se e imitoi Rugoven e madh se kësisoj do të kishte dështue në rritjen e vet politike, po duke mos e luftue Rugovën në vërtetësitë reale të kauzës së tij para e pas vdekjes, duke mos e “glorifikue” Rugovën për fronin e vet, duke mos e “privatizue” Rugovën për karrieren e vet, etj. Ndonjëri nga presidentët e mbajti Rugovën si “statujë” apo “tabelë” e jo si “flakadan”…Dikush tjetër si Krasniqi i hapi dy krahët politik përtej “tapetit”…, kurse Pacolli hodhi hapa përtej Pacollit…,etj.
Atifete Jahjaga, e vetmja femër gjeneral-majore në Europën Juglindore, si politikane e ushtarake me shkollime postdiplomatike euro-atlantike për Siguri e Drejtësi në Amerikë (në Departamentin e Drejtësisë, në Akademinë Nacionale të FBI, në Universitetin Virginia-s), në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe (në Universitetin Leicester-it), në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” Gjermani, etj. veproi ndryshe nga komandantët e luftës si Thaçi kryeministër, Krasniqi e Veseli kryeparlamentar, Ramush Hajredini ish kryeministër, Fatmir Limaj i Nismës, etj., të cilët ende e kishin dhe e kanë të pambyllur betejën për “kryekomandat të paqes”. Kjo u duk dhe vitin 2014 në krizën paszgjedhore parlamentare dhe po sy-duket në klimën politike të muajve të fundit në ecuri drejt zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Protesta e pazakontë e 9 janarit 2016, me ngjyrimet e saj kombëtare e politike, me demonstrim force vitale të Opozitës të Kosovës, në koft se përseritet prapë e ma ndryshe, atëherit dhe situata politike do të jetë krejt ndryshe… Hashim Thaçi po duket se turravrapon vendosmërisht drejt fronit presidencial dhe po kaq frikshëm i sheh “semaforët” gjatë këtij rrugëtimi politik. Isa Mustafa kryeministër po don “zonë të lirë” në territorin e udhjeksisë së tij pa Hashimin zv/kryeministër e ministër i Jashtëm tue ran ë ujdi-sje për një tjetër territor “ekstra”, atë presidencial, pasi “Qeveria Mustafa” po duket sikur është dhe “Qeveria Thaçi”. Me dy “kokëministra”. Me dy “luanë të politikës” në shilarsen a kaluçin e Qeverisë në një mot e një muaj.
Presidentja Atifete Jahjaga, një femër tipike dardane, duket sikur shembujt frymëzues të detyrës e jetës së saj politike e publike i kërkon e i merr brenda “gjinisë” së vet politike, tek bota femërore në avangardë të globit e të kohës së sotme, tek shembujt klasik, modern, magjik, si Hillary Klinton e Angela Merkel e ndonjë tjetër. Sigurisht Jahjaga nuk ka peshë politike, as palcë e as asht politik që të jetë si ato, si një nga ato, po duket se ajo ka shpirt idealisteje për t’u ngjarë atyre në raste, hapa e caqe të caktuara në detyrën e saj të lartë e me mjaft vështirësi të mëdha prej gjithkahit e për çdo ditë.
As Pozita dhe as Opozita në Kosovë në këto zgjedhje presidenciale nuk janë në kushte politike të atilla si duken në marrëveshje ultas e në buzëqeshje para kamerave, pasi situtata politike mund të përseritet si rasti politik 2010-2011, po disi krejt ndryshe, në kushte e realitete krejt të tjera (ndër)kombëtare, politike e diplomatike, etj. Troç, me thanë të drejtën, të vërtetën, kjo Pozita politike qeverisëse në Kosovë ka mëkate e makutëri shumëplanëshe, pasi mbi shpinën e tyre, në ndërgjegjen e tyre kombëtare shqiptare, randojnë dhe me presione e tensione akte të zeza si Marrëveshja “Zajednica” me Serbinë, “Demarkacioni” me Malin e Zi, gjykimet e pritshme të Gjykatës Speciale në Kosovë për krimet në luftë e në pasluftë të UÇK-së, etj. Ndaj po ka përnguti politike për ta zgjedhë Presidentin e Kosovës qyshce më 11 shkurt 2016, para kohës kushtetuese, me hakërrim politik. E, në këtë rast, si po duket mengjezi e si po vjen mesdita, prapë do të kemi President të Kosovës Atifete Jahjagën, pavarësisht se ajo deklaroi zyrtarisht e botnisht se do të dorëhiqet nga detyra e Kreut të Shtetit në datën e ligjshme, 6 prill 2016. Patjetër, Presidentja me mandat në përfundim, nisë dhe nga këshilltarët e këshillimtarët e saj politik e diplomatik është aq e zgjuar sa të mos e shpallin kandidaturën në një të tillë “politikë eksplozive”, po dhe politika në Kosovë në se do të ketë “shpërthime eksplozive” të saj nuk është aq e pazgjuar sa të mos e rizgjedhin prapë Atifete Jahjagën në krye të Shtetit të ri të Kosovës.
Presidente Atifete Jahjaga, ndaj të cilës kam pasë shkrime me pluse e minuse, duket se orakulli i saj ka të veçantë prillin, pasi në prill 1975 u lind e rrit si bijë e denjë në derën e Agajve të Rashkocit me kontribute e atribute atdhetare dhe në prill 2011 u zgjodh me marrëveshje vota Presidente e Kosovës. Çështja shtrohet ndryshe: a do të ketë një tjetër Prill si Presidente Atifete Jahjaga, pasi edhe Politika e Kosovës është në “Prillin” e vet politik?! Përndryshe, duke perifrazuar titullin e një vepre të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, do të thoshja dhe kësisoj: A do të kemi sivjet një “Prill të Thyer” në Zgjedhjet Presidenciale në Kosovë?!
Tashti, në përmbyllje, po e shoh rastin presidencial Atifete Jahjaga, në fokus e në spektrim të një thanie elitare të Presidentit Amerikan Barak Obama në Universitetin Cape Town: “Ne mund ta matim faktin se sa mirë është duke performuar një vend me atë se si ai vend i trajton gratë e vendit të vet”. E, në rastin e hapin e parë, me zgjedhjen e Jahjagës presidente, Kosova e tregoi performarcën e saj, e dha shembullin e vet. Ndaj ne po bajmë sikur e harrojmë rastin 2014 kur Presidentes Atifete Jahjaga iu kërkue dorëheqja nga posti lartnor i Presidentes nga politika në krizë politike e nga kulisat në kultivim politik në Kosovë, sepse mendojmë se në këtë prag pranvere 2016 me rastin presidencial Jahjaga kemi shansin publik politik diplomatik (ndër)kombëtar të tregojmë se si Kosova “i trajton gratë e vendit të vet”.

Filed Under: ESSE Tagged With: atifete jahjaga, Ky rasti Presidencial, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT