-“Jahjaga: Jo bashkimi me Shqipërinë, por integrimi në BE është qëllimi ynë” /
-“NE DO TË PUNOJMË DHE DO TA COJMË NË VEND AMANETIN E TË PARËVE TANË DHE AMANETIN E DËSHMORËVE – DO TA BASHKOJMË SHQIPËRINË E PASTAJ I BASHKOHEMI EUROPËS TË KOMPLETUAR E JO TË MASAKRUAR”!
Opinion nga Makfire Maqedonci – Canolli/ New York/
Para pak ditësh hasa në një deklaratë të zonjës Atifete Jahjaga e cila kishte deklaruar ” Jo bashkimi me Shqipërinë, por integrimi në BE është qëllimi ynë”! Kërkoj falje qe nuk po e quaj Presidente por zonjë! Por si ta quaj Presidente një zonjë qe u vu në krye të shtetit tonë pa vullnetin dhe dëshirën e popullit, si ta quaj një zonjë presidente kur punon kundër dëshirës së popullit e aq më keq që jep deklarata kundër dëshirës dhe vullnetit tonë? Se nuk është prioritet i politikanëve tanë bashkimi me nënën Shqipëri këtë e kemi ditur gjithmonë por qe e thonë edhe haptas pa pikë turpi këtë nuk e kemi pritur, e aq më keq kur ato deklarata epen thua se edhe populli është duke i përkrahur apo e dëshiruar një gjë të tillë! Zonja Jahjaga deklaron pa nguruar duke e cekur se “Tani jetojmë në shekullin 21 dhe nuk është koha që të realizohen ide të shekullit të kaluar. Sipas saj qëllimi i Kosovës dhe i të gjithë banorëve të saj është integrimi në Bashkimin Evropian”. Mendoj se gabimi i saj është qe flet edhe në emrin e qytetarëve të Kosovës, sepse edhe të bërit Republikë e Kosovës ishte ide e shekullit të kaluar por ajo ide u realizua dhe ne nuk jemi fajtorë qe Jahjaga dhe bashkëpunëtorët e saj nuk ishin të interesuar që bashkimin me nënën Shqipëri ta bëjmë realitet në shekullin e kaluar! Jo zonja Jahjaga apo “Presidentja e zarfit” gabim jeni ju dhe gjithë ata qe mendojnë si ju! Nuk u burgosën vëllezërit tanë e nuk i lanë me gjak muret e burgjeve serbosllave e as nuk e tretën shëndetin dhe rininë e tyre për një Kosovë të tillë të ndarë në enklava e me pjesën veriore të Mitrovicës nën pushtetin serbosllav, as nuk na u vranë qindra dëshmorë në ballë me Bac Adem Jasharin në krye për një Kosovë të tillë, për një Flamur me yje e krejt “mavi-mavi” duke ja masakruar shqiponjën e duke ja fshirë ngjyrën e gjakut të shenjtë ku me atë gjak e lanë atë Flamur qindra dëshmorë breza me radhë. Trimat e UÇK-së nuk ia kthyen pushkën shkaut për bashkimin e Kosovës me Evropën pa u bashkuar me trungun e vet Shqipërinë! Dëshira dhe vullneti ynë qëndron dhe jemi të vetëdijshëm se akoma kemi punë për të bërë, akoma duhen sakrifica të reja aq më shumë kur juve dhe horrat tjerë i kemi të vendosur në krye të shtetit, aq më shumë kur asnjëri nga ju nuk shprehë dëshirë dhe vullnet për realizimin e ëndrrës sonë shekullore dhe amanetit të dëshmorëve për bashkimin me nënën Shqipëri, por një gjë ta keni të kjartë se ashtu siç nuk u burgosën vëllezërit tanë, si nuk u vranë qindra e mijëra të tjerë për bashkimin me Evropën për ta anashkaluar bashkimin e trojeve tona, ashtu as ne pasardhësit e tyre dhe as fëmijët tanë nuk do ta duam dhe nuk do ta përkrahim një gjë të tillë. Është e lehtë për ju të deklaroni një gjë të tillë sepse ju nuk e kishit as një nga familjarët tuaj në burgjet serbosllave, nuk e kishit as një në radhët e UÇK-ë e aq më pak ndonjë të vrarë, të masakruar apo ndonjë dëshmorë dhe nuk e keni parë nënën tuaj siç e kam parë unë në fëmijërinë time të paralizuar nga dhimbja sepse sa herë shkonte dhe i vizitonte djemtë e saj në ato burgje të mallkuara ajo e kuptonte se torturat më çnjerëzore bëheshin ndaj djemve të saj sepse ata e kërkonin bashkimin e trojeve tona. Nuk e keni parë nënën tuaj duke vdekur në moshën 49 vjeçe me mallë e dhimbje në zemër e duke ikur nga kjo jetë me lotë në sy sepse ashtu siç i shikonte tre djemtë e saj të burgosur padrejtësisht nëpër burgjet serbosllave me mijëra shokë e shoqe ashtu e shihte edhe Kosovën dhe mbarë popullin të burgosur! Ajo iku nga kjo jetë pa e shijuar Lirinë e djemve të saj dhe Lirinë e Kosovës, e si nëna ime nga kjo jetë ikën edhe shumë nëna tjera duke i lënë fëmijët e tyre nën prangat e robërisë! Dëshironi Ju apo jo, duan bashkëpunëtorët tuaj dhe servilët e BE=së e këlyshët e veglat e Serbisë, ne do të përpiqemi gjithmonë qe ëndrrën tonë shekullore dhe amanetin e prindërve , gjyshërve, stërgjyshërve dhe amanetin e dëshmorëve ta qojmë në vend dhe t’i bashkojmë trojet tona me një emër të përbashkët Shqipëri Etnike! Ne nuk po duam as Shqipëri të vogël as të madhe, por po e duam Shqipërinë natyrale ashtu siç na e dhuroi vetë Perëndia! Ne duam ta bashkojmë Atdheun tonë së pari e mandej të bashkohemi me Evropën si një trup i kompletuar e jo si një trup i masakruar!
Historia kërkon fakte, citime dhe jo fjalë ofenduese, gjuhën e urrejtjes
Replikë për gjuhën e urrejtjes së Halit Agës/
Ne Foto: Esat Pashe Toptani në Selanik pranë oficerëve të lart/
Nga Arben LLALLA/
Në gazetën Metropol dhe Dielli online, ishte botuar një intervistë e Halit Agës rreth vrasjes së Esat Pash Toptanit, ku ai si familjarë i Esatit pretendon me gjuhën e urrejtjes dhe ofenduese se Avni Rustemi se ka vrarë Esat Pashën, por e ka vrarë shefi i policisë së Parisit, Francua Laskia. Që në fillim të intervistës së tij Halil Aga shpreh qartë urrejtjen që ka për Avni Rustemin duke përdorur terma ofenduese si Injorantë (I paditur-I pashkolluar), opingar, rrjepacak. Në periudhën e atyre viteve 1920-1924, rreth 90% e shqiptarëve ishin të pashkolluar, të paditur apo ashtu siç i pëlqen Halitit të shprehet INJORANTË, shqiptarët ishin edhe leckaman ashtu siç i pëlqen ti ofendoj Haliti përsëri shqiptarët e kohës. Por zotëria duhet ta dijë se këta shqiptar “injorantë”, “leckaman”, “opingat”, “rrjepacak”, luftuan pa interes personal për Shqipërinë, nuk luftuan për të ruajtur pasurinë e tyre personale ashtu siç kanë luftuar dhe bashkëpunuar me çdo pushtues Pashët, Agat apo tregtarët e mëdhenj. Ishin “Leckamanët” dhe “Injorantët”, Bajram Ligu dhe Hito Lekdushi që më 1908 vranë në Gjinokastër Bimbash Turkun, mikun dhe kolegun e Esat Pashës. Në kohën kur Toptanët dhe shumë pashallarë të tjerë, kënaqeshin me çingiet,shqiptarët e vërtetë mendonin se si të bënin shtetin e tyre të zhvilluar dhe të pavarur.
Me këtë intervistë shprehësi Halit Aga kërkon të rrëzojë historinë e aktit kombëtar të Avni Rustemit i cili qëlloj mbi Esat Pash Toptanin në Paris, më13 Qershor 1920 , por z.Halit e di mirë se historia nuk përmbyset me fjalë ofenduese, as me të holla, por me burime, citime, gazetat e kohës dhe shumë dekumenta të tjera që sot nuk është vështirë të gjenden në Paris, Selanik, Beograd, Tiranë apo gjetkë. Në këtë intervistë Halit Aga qartë shpreh ndjenjat e tij të urrejtjes dhe vlla-vrasjeve që kërkon të nxisë, kur sot shqiptarëve u duhet bashkim dhe vëllazëri, duke falur çdo pik gjaku hasmërie njeri-tjetrit.
Sa për pretendimet se Esat Pashën e vrau shteti francez, kjo bie poshtë sepse Esat Pash Toptani kur mbërriti në Selanik më 27 Gusht 1916 u prit me paradë madhështore nga gjenerali francez Emanuil Serraili. Për shërbimet që i bëri Francës, Esat Toptani, do të nderohej nga gjeneral Serrail me Kryqin e Luftës në një ceremoni të madhe të organizuar më 18 Gusht 1917, në qendër të Selanikut.
Për bashkëpunimin e Esat Pash Toptanit me Serbin, do të ribotoj fotot nga takimet që ka patur me oficerët e lartë serb në Selanik më 1916-1917. Nëse Halit Aga pretendon se Esat Pasha nuk është tradhtar i Kombit shqiptar, unë kam për ti bërë vetëm një pyetje të thjeshtë: Përse familjarët e tij pas ka vitesh demokraci nuk i kanë sjellë eshtrat e tij në Tiranë, por ende varri i Esat Toptanit gjendet madhështor në varrezat serbe? Tek e fundit ska asnjë ligj që i ndalon kockat e Esatit të prehen në atdheun e tij. Përse Serbia është kujdesur me aq dashuri që eshtrat e Esat Toptanit nga Parisi për në Beigrad të udhëtojnë madhërishëm? Përse Serbia pranoj që ky njeri të varroset midis ushtarëve serb? Këto janë pyetje që presin përgjigje nga ju z.Halit.
E pash të arsyeshme të reagoj ndaj një Palo intervistë të shprehur me ofendime dhe gjuhën e urrejtjes nga trishtimi apo nga mos përfitimi i pozitave të lartë që kanë gëzuar dikur në perandorinë osmane familjarët e Halit Agës, për ngjarjet e historisë së vërtetë që kanë lënë gjurmë në Enciklopedinë botërore.
Nuk vendoset qerrja para kalit
Në përgjigje të replikë së zotit Alban Daci/
Nga Eshref Ymeri/
Pas botimit në internet më 16 shkurt 2014 të shkrimit tim me titull:”Të gjitha këngët i thamë,Por më të mirën e lamë,”
në të cilën bëhej fjalë për intervistën e zotit Alban Daci për formimin e Forumit Demokristian Shqiptar, të botuar në internet më 15 shkurt 2014, vjen reagimi i tij me titull:“Replikë në lidhje me shkrimin e Eshref Ymeri me titull “Ribashkimi i trojeve shqiptare! 17-02-2014- (Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)” Në replikën me mua, zoti Alban Daci deklaron për veten e vet:
“…unë jam pjesë e Lëvizjes Federaliste Europiane, e cila kërkonte e kërkon të krijoi një federatë europiane që do të kishte për qëllim të krijonte Shtetet e Bashkuara të Europës. Ajo që kam shkruar unë se edhe nëse nuk do të ekzistonte Bashkimi Europian, do të kishim krijuar një të ngjashëm. Kjo është një ndër filozofitë e Lëvizjes Federliste Europiane dhe nuk e kam shpikur unë”.
Me këtë deklaratë, zoti Alban Daci e ka sqaruar bukur mirë se cili qenka qëllimi i krijimit të Frontit Demokristian Shqiptar. Ndërkohë unë mendoj se Fronti Demokristian Shqiptar, në programin e vet, duhej të kishte si detyrë parësore organizimin e mbarë Diasporës Shqiptare që ajo të bëhet pjesë e pandarë e problemeve të brendshme që ka kombi shqiptar brenda trojeve etnike. Dhe si detyrë parësore, për mendimin tim, duhej të ishte pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e Diasporës në proceset zgjedhore që zhvillohen në mbarë trojet tona etnike. Në këtë mënyrë, Diaspora e organizuar do të ndiqte shembullin e Zvicrës, në zgjedhjet parlamentare të së cilës marrin pjesë edhe rreth 700 mijë votues të Diaporës Zvicerane pëmes votimit elektronik. Kësisoj, Diaspora Shqiptare do të ushtronte ndikimin e vet të drejtpërdrejtë edhe në jetën politike në mbarë trojet tona etnike.
Së dyti, unë përsëri këmbëngul se pa bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët, çdo pjesëmarrje në lëvizjen federaliste evropiane është në dëm të interesave tona mbarëkombëtare. Sepse, me trojet shqiptare të ndarë pikë e pesë, Evropa Federaliste do të sillet si agai me shërbëtorin.
Nga faqet e shtypit është bërë i njohur ky informacion:
“Hungaria është kundërpërgjigjur ndaj penalizimeve të bëra nga Bashkimi Europian. Kryeministri i këtij vendi Viktor Orban akuzoi BE-në se po përpiqet të kolonizojë vendin. Gjatë një takimi me mbështetës të tij Orban deklaroi në Budapest se vendi nuk kishte ndër mend të jetonte në bazë të urdhrave dhe dëshirave që ka Brukseli” (Citohet sipas: “Orbani i përgjigjet BE: Hungaria nuk është koloni”. Gazeta “Start”. 16 mars 2012).
Kur Brukseli e trajton si koloni një shtet me autoritet, si Hungaria, merret me mend se si do të sillet ai me Shqipërinë Londineze dhe me Kosovën në Evropën Federaliste.
Prandaj, të merresh me lëvizje federaliste evropiane pa zgjidhur çështjen kombëtare – shkrirjen e trojeve tona etnike në një shtet të bashkuar – do të thotë të veprosh si puna e atij që gjë në shtëpi nuk ka dhe kërkon të japë sadaka, ose të vendosësh qerren para kalit.
Në artikullin tim unë nuk përdorja asnjë fjalë fyese në adresë të zotit Alban Daci, për të cilin shprehja respekt për formimin e tij si intelektual. Kurse ai, në replikën e vet, ka përdorur një sërë fjalësh dhe shprehjesh fyese në adresën time. Unë po rezervohem këtë herë të përdor fjalë fyese në adresë të tij. Ai është i ri dhe në turrin e vërtikshëm që ka marrë drejt federalizmit evropian dhe krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës, të kujton dhëndrin e ri, të cilit nuk i dilet përpara.
Ftoj lexuesit e nderuar të shprehen se kush ka të drejtë.
Santa Barbara, Kaliforni
18 shkurt 2014
Disa të dhëna interesante për Kryepeshkopin e Shqipërisë z.Anastas Janullatosin
Replikë me fakte me Dhimtraq Shonin/
Ne Foto: Gjenerata e Oficerave rezervë kur ka qenë edhe Anastas Janullatosi (1952-1953)/
Nga Arben LLALLA/
Shumë pak është shkruar për biografinë e vërtetë të Kryepeshkopit të Shqipërisë z.Anastas Janullatosit. Mediet në Shqipëri ose e kanë frik hirësinë e tij z.Janullatosin ose ju vjen keq për të sjellë fakte rreth të shkruar së tij të vërtetë, biografisë për të cilën dikush duhet ta thotë të vërtetën, atë të vërtetë që të gjithën ne kemi nevojë ta dimë për drejtuesin më të lartë të kishës së pavarur të Shqipërisë.
Nga kërkimet e mia gjeta se Anastas Janullatosi rrjedh nga një familje me rrënjë shqiptare, babai i tij Gerasimos është me origjinë nga ishulli Qefalonia, që është populluar nga viti 1502 me leje të Senatit të Venedikut nga shqiptarët. Gerasimos Janullatos ka lindur në Lefkada, por për shumë vite ai jetoj dhe punoj familjarisht në Prevezë ku u martuar me Roksani Malltezin. Familja e nënës së Janullatosit janë nga Preveza e Çamërisë nga fisi i Malltezëve. Ishte daja, akademiku Kostandin Malltezi (1869-1951) që i dha përkrahje Anastas Janullatosit të vazhdonte shkollën e lartë për Teologji pasi mbarojë gjimnazin.
Gerasimo Janullatos ka qenë tregtar dhe mori pjesë në luftërat ballkanike dhe u kthye pas përfundimit të tyre me gradën kapiten në Prevezë. Gjatë viteve 1920-1923, Gerasimos Janullatos humbi të gjithë pasurinë e tij dhe shkoj bashkë me familjen për të punuar në Pirea.
Anastas Janullatosi nuk e filloj jetën e tij si njeri i përkushtuar për përhapjen e kristianizmit qysh në fëmijëri apo në manastir, ashtu siç ka ndodhur me shumë titullar të kristianizmit, por e nisi karrierën fetare pasi mbaroj universitetin dhe filloj punë si profesor i teologjisë dhe historisë në shkollat fetare ortodokse.
Emri i pagëzimit prindëror i tij është Tasos, ndërsa kur u bë peshkop pas viteve 1970 mori emrin fetar Peshkop Andrusis Anastas Janullatos.
Në vitin 1947 mbaroj gjimnazin dhe më 1952 shkollën e lartë për teologji.
Më 1952-1954, shkojë ushtar në shkollën për oficerë rezervë në Siru, DEA, duke u bërë më tej edhe udhëheqës-komandant i grupit. Gjatë periudhës së vazhdimit të shkollës Anastas Janullatosi ishte shok gjenerate me deputetin dhe ish-ministrin e jashtëm të Greqisë Petro Moliviatin të partisë Demokracia e Re të Miçotaqit, Karamalisit që sot e drejton Andoni Samaras. Janullatosi dhe Moliviatis kanë qenë studentë me rezultate dhe inteligjentë të lartë në këtë shkollë. Gjatë një interviste në vitin 2011 Anastas Janullatosi ka deklaruar se në shkollë ka mësuar taktikat ushtarake për tu zbatuar në terrenin e Shqipërisë.
Shkolla ushtarake që ndoqi Janullatosi është themeluar më 1887 me vendim të mbreti të Greqisë Georgjios. Të njëjtën shkollë e ka mbaruar në vitin 1941 Kostandin Miçotaqi, dhe kur ishte kryeministër i Greqisë Miçotaqi erdhi në krye të kishës Autoqefale shqiptare Anastas Janullatosi.
Në vitin 1960, Anastas Janullatos u shurukua Dhjak dhe më 1964 fitoj titullin Arqimadrit dhe në vitin 1972 Peshkop me emrin Andrusis Anastas Janullatos.
Gjatë periudhës së juntës ushtarake në Greqi 1967-1974, Anastas Janullatos ka qenë njeri i afërt me kryepeshkopin e Greqisë Jeronimo Koçonit, arvanitas edhe ky si shumë figura të ndritura të Greqisë Moderne. Misionet fetare jashtë Greqisë të prof.Anastas Janullatos gjatë viteve 1967-1974 janë financuar nga Pavlos Çipras i cili ishte nga Arta e Çamërisë. Çipras ka mbështetur fuqishëm ekonomikisht Kryepeshkopin Jeronimos Koçonis. Pavlo Çipra është babai i kryetarit të partisë së majtë greke Synanizmos Aleksi Çipras me rrënjë nga Arta.
Anastas Janullatos ka mbështetur që në fillim protestat e studentëve të Politekniut, ai bashkë me disa profesor të shkollës Teologjike kanë qenë jashtë dyerve të Politekniut duke mbështetur fort protestuesit dhe dërguar fshehtas ushqime dhe ilaçe.
Më 1976, në Pirea u mbajtën zgjedhjet për Mitropolit të kësaj qyteze dhe Anastas Janullatos humbi me 10 vota diferencë kundrejt fituesit Rogon Kallinikos i cili u zgjodh Mitropolit i Pireas.
Për shumë vite Anastas Jnaullatos nuk e fitoj kurrë titullin me vota Mitropolit. Gjatë periudhës 1974-1998, kur në krye të Kishës Autoqefale greke ishte Serafinis, Janullatosi trajtohej si njeri i përbuzur dhe i dënuar prej Kryepeshkopit të Greqisë Serafinit pasi peshkop Andrusis Anastas Janullatos kishte qenë i përkëdheluri i ish-kryepeshkopit Jeronimo Koçonit.
Postin për të riorganizuar kishën Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos e ka të dhuruar nga Patriarku i Sinodit të Shenjtë të Fanarit në Stramboll z.Bartolomesos.
Vallë rastësi është që Anastas Janullatosi erdhi në krye të kishës Autoqefale të Shqipërisë gjatë periudhës që kryeministër i Greqisë ishte Kostandin Miçotaqi? Rastësi është që hirësia e tij ka mbaruar shkollën për oficer rezervë, atë shkollë që e kanë mbaruar shumë figura të larta të politikës greke si ish-Kryeministri Aleksandër Korizi, ish-kryeministri dhe ministër i jashtëm Georgjios Rallis, ish-kryeministri Kostandinos Georgakopulos, ish-kryeministri Miçotaqi, ish-ministri Panajoti Papaliguras, ish-ministër i jashtëm Petro Moliviatis, ish-ministri i jashtëm Janos Kranidhiotis, Mitropoliti i Selanikut Anthimos, Mitropoliti i Ileas Germanu, Mitropoliti i Nikeas Georgjios, Mitropoliti Kou dhe Nisiru etj.? Ndoshta! Por është më e pëlqyeshme të shkruhet biografia e vërtetë e kryepeshkopit Anastas Janullatosi tani që është gjallë se sa të thuhen kur ai të vdesë.
Vërej: Nëse hirësia e tij z.Anastas Janullatosit ka dyshime në këto të dhëna që i paraqes lexuesve pa ndonjë prapavijë politike, atëherë unë si historian e ftoj të vërtetojë të kundërtën që këto sa kam shkruar janë gënjeshtra dhe unë deklaroj se do të heq dorë njëherë e përgjithmonë nga jeta publicistike dhe e dorëzoj diplomën time të historisë sepse historiani i vërtetë nuk bënë asnjë marrëveshje në dëm të historisë reale. Para fakteve edhe vetë ZOTI përkulet.
REPLIKË CJERRJEVE LUFTËNXITËSE TË KRISTO PAPËS
NE FOTO: KUVENDI I GREQISE 1856.NE KEMBE DEPUTETE SHQIPTARE-CELO PICARI ME FUSTANELLE/
– THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË /
-Nuk mund të ndryshohen rrjedhat e historisë, nuk mund gjakun ta bëjë ujë! Ata, erdhën arbër, jetuan suliot, vdiqën si grek/
NgaArben Llalla/
Pas intervistës së deputetit Kristo Papa dhënë gazetarit Artur Zhejit , i dërgova një letër private z.Papa, ku i tregoja se nuk mund të ngrinte dorë kundër vetvetes, kundër gjakut të arbërit, kundër familjarëve të suliotve, por deputeti i Agimit të Artë paska probleme me vetveten, me njohjen e historisë greko-shqiptare. Atëhere po i ribotoj letrën e shqiptarëve të Greqisë dërguar shqiptarëve të Shqipërisë më 1899, pasi Kristo Papa deklaroj se do na hante të gjallë si komb pas shpalljes së tij Non Grada në Shqipëri. Kristo Papa i jep kurajo minoritarëve grek që jetojnë në Shqipëri të bëjnë durim, por unë i them se minoritarët grek i dënojnë deklaratat e këtij nazisti që janë nxitëse drejti një lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe pse grekët i kanë bërë shumë të këqija kombit shqiptar, përsëri ne shqiptarët i kemi falur, jemi treguar tolerantë dhe këtë e kemi bërë për paqen e dy popujve dhe jo për frik, sepse Kombin shqiptar nuk e tremb një Greqi e shpartalluar ekonomikisht dhe psikologjikisht. Nga pikëpamja numerike grekët janë një komb i vogël i krahasueshmëm me shqiptarët në Ballkan, ndërsa progresionet demografike të çojnë në përfundimin se në mesin e shekullit 21 do të ketë më shumë shqiptar se grekë në Ballkan. Dokumenti i mëposhtëm mban titullin “THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË” është marrë nga libri me titull “Η ΠΡΟΚΗΡΥΞΗ ΤΟΥ ΑΡΒΑΝΙΤΙΚΟΥ ΣΥΝΔΕΣΜΟΥ”. Ky libër është botuar në vitin 1996 nënkujdesin e studiuesit arvanitas Aristidh Kola i cili ka bërë dhe komentet e tij. Në fund të dokumentit na paraqiten tre nënshkrimet me mbiemrat Shehu, Boçari, dhe Xhavella. Këta mbiemra i përkasin familjeve të shquara arvanitase që i kanë dhënë lavdisë Greqisë.
THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË
VËLLEZËR! Ju themi dhe ju quajmë vëllezër, pasi edhe na ndajnë vendi dhe feja, nuk pushojmë së qeni vëllezër, sepse të gjithë arbërit kudo që gjendemi sot, jemi pasardhës të pellazgjëve, të cilët ata të parët erdhën nga Azia në Europë dhe u vendosën në Arbëri. Sepse jemi bij të Aleksandri i Madh, të parit burrë me emër në botë që fitoi ndaj gjithë Azisë. Sepse jemi bij të Pirros, atij mbreti e gjenerali të madh të Arbërisë, i cili fitoi mbi romakët dhe do të bëhej edhe ai si Aleksandri i Madh, po të kishte rrethanat e tij, domethënë të kishte përballë armiq të çrregullt e barbarë si persët, midët dhe indianët dhe jo si romakët që ishin të rregullt e të shkolluar. Sepse jemi bij të Skënderbeut të madh, që fitoi mbi tre Sulltanë dhe ruajti lirinë e Arbërisë deri në çastin që mbylli sytë, prej plagëve të rënda që kishte marrë në betejën e fundit kundër armiqve të atdheut të vet, Arbërisë. Sepse, fundja më në fund, kemi të njëjtin atdhe, të njëjtin gjak, të njëjtat veshje dhe të njëjtën gjuhë. VËLLEZËR! Lloj-lloj armiqsh hynë ndërmjet nesh dhe na ndanë, dhe na bënë të huaj, dhe na shkapërdanë, e na bënë armiq me njëri-tjetrin, dhe kështu arbër gjenden në Austri, arbëreshë në Itali, arvanitë në Greqi, por lavdia më e madhe dhe nderi më i madh është tek ju, që duruat gjithë të këqijat e skllavërisë dhe qëndruat në Arbëri, në atdheun tonë të dashur e të madh. Mirëpo, sado që të gjendemi larg atdheut tonë të madh, Arbërisë ne të tjerët, sado që të bëhemi të mëdhenj në vend të huaj si njerës; pashallarë, gjeneralë dhe ministra, nuk e harrojmë kurrë brezin tonë dhe atdheun tonë të vërtetë. Në Austri na thonë austriakë, në Itali italianë dhe në Greqi grekë; por ne jemi mirënjohës ndaj këtyre kombeve që na përbujtin dhe na nderojnë si vëllezër të tyre dhe na besojnë poste drejtuese nëpër shtete dhe ushtri, ndërsa u shërbejmë me besnikëri siç u ka hije njerëzve të ndershëm, gjithë herë ëndërrojmë atë ditë të lavdishme e të ndritur që do të ngrihet kombi arbër i lirë me flamurin e vet, me mbretin e vet, me administratë të vetën dhe me ushtrinë e vet. Sot ndodhemi në një kohë që kombet po rilindin. Shikoni grekët! Ishin skllevër dhe vuanin nën zgjedhën turke. U zgjuan një ditë nga zëri i Rigas Fereos dhe u ngritën, thyen zinxhirët e skllavërisë, e përzunë tiranin nga dheu i tyre e u bënë mbretëri. Shikoni serbët! Ngritën krye dhe u çliruan! Shikoni malazezët! Nuk i ndanë kurrë armët nga duart e tyre dhe u çliruan! Shikoni vllehët! Luftuan dhe u çliruan. Shikoni bullgarët! Luftoi për ta Rusia dhe u çliruan. Ata janë të vetmit që u çliruan me gjak të huaj. Gjithë këto kombe, grekët, serbët, malazezët, vllehët e bullgarët, ishin raja të Sulltanit dhe tani u bënë mbretëri të lira, secili me flamurin e vet, buxhetin e vet, gjykatat e veta e ushtrinë e vet. U bënë të lira e të vetëpushtetëshme dhe nga gjithë këto kombe, vetëm ne, arbërit, jemi ende në gjumë dhe armiqtë tanë na rrethojnë, na shtrëngojnë nga të gjitha anët e duan të na shqyejnë e të na copëtojnë. Austria i ka sytë të mbërthyera mbi Arbërinë tonë. Don ta gllabërojë të gjithën e të zbresë në Selanik. Italia don Vlorën tonë. Mali i Zi don Shkodrën tonë, Serbia, Bullgaria dhe Vllahia hahen për Manastirin tonë, për Durrësin tonë, Prizrenin e Krujën tonë, që ishte kryeqytet i Skënderbeut tonë! Nuk kemi asnjë mik. Të gjithë janë armiqtë tanë, sepse të gjithë duan të keqen dhe shkatërrimin tonë. Gjithë kombet që i kishte shkelur Turqia pak a shumë u çliruan. Vetëm armenët, çifutët dhe ne arbërit gjendemi ende pa lirinë tonë, dhe më e keqja, humbëm qenien tonë kombëtare dhe të gjithë na quajnë turq, ndërsa nuk jemi aspak turq, por arbër të pastër. Pasardhës të pellazgjëve dhe jemi të parët njerëz që shkelën dhe u vendosën në Europë. Ne arbërit ishim gjithmonë shtylla e Turqisë. Eshtrat tona gjenden të mbjella në Hungari, në Serbi, në Mal të Zi, në Krime, në Bullgari, në Greqi, në Persi, në Arabi, e gjer në kufijtë e Indisë. Gjaku i arbërit për katërqind e ca vjet rrodhi e rrjedh për jetën e Turqisë. Po të mos ishim ne, Turqia do të kishte ikur prej vitesh nga Europa. E megjithatë Turqia as që ka ndërmend të na japë lirinë, por don të na këtë roje të saj, që t’i ruajmë trojet derisa të shkatërrohet ajo dhe ne bashkë me të. Mirëpo nëse Turqia është e natyrshme ashtu siç po e shohim si dritën e diellit, që të shkojë andej nga ka ardhur, pse është popull i huaj i ardhur nga thellësitë e Azisë, dhe u vendos në troje të huaja, pasi shkatërroi lirinë dhe mbretëritë e këtyre vendeve, po përse të shkatërrohemi dhe ne bashkë me të? Përse dheu ynë të bëhet austriak, apo të ndahet mes austriakëve, italianëve, serbëve, bullgarëve dhe grekëve? Nëse Turqia na jepte lirinë, do të bëheshim barrikadë ndaj rrebeshit austriak dhe italianë nuk do mundte të shkelte trojet tona. Sa për malazezët, serbët, bullgarët dhe grekët, do të gjenim mënyrën që të mbroheshim. Por Turqia nuk e do të mirën tonë, ajo do vetëm gjakun dhe eshtrat tona. Mirëpo koha ecën dhe armiqtë tanë që na rrethojnë, mprehin shpatat e duan të na shkelin e të gllabërojnë dheun tonë e të na bëjnë skllevër. Erdhi, vëllezër, koha që të gjithë arbërit të kemi një mendim. Duhet të lëmë armiqësinë që na lindën Turqia dhe besimet fetare. Turqinë dhe fenë duhet ta lëmë mënjanë. Turqia është turp i huaj dhe duhet ta flakim, feja është për secilin më vete dhe secili duhet ta mbajë siç e gjeti. Do të ishte mirë të qemë arbërit të gjithë muhamedanë apo të gjithë të krishterë, mirëpo, gjersa kemi besime të ndryshme: muhamedanë dhe të krishterë dhe të ndarë në herezi të ndryshme: ortodoksë, papistë, myslimanë, bektashinj, rufainj, do të ishte mirë t’i linim fetë mënjanë ashtu siç janë, pse njeriu duhet të ketë një fe dhe parajsa u bë nga Zoti për të mirët dhe Ferri për të këqinjtë. Asnjë i krishterë i keq nuk do të shkojë në parajsë dhe asnjë muhamedan i mirë në Ferr. Prandaj të shohim fisin tonë dhe gjendjen tonë. Për sa kohë që gjendemi nën Turqinë është si të jemi mbyllur në një shtëpi që po digjet. Po të mbesim aty do të digjemi dhe ne. Turqia është e dënuar nga rrethanat që të largohet prej Europës. Atë nuk mund ta shpëtojë asgjë. Duhet të largohemi nga zjarri, duhet të ndahemi sa më shpejt nga Turqia, që të mos zhdukemi dhe ne bashkë me të. Thamë se jemi të rrethuar prej armiqve: austriak, malazezë, serbë, bullgarë dhe grekë, por nga armiqtë, disa janë të rrezikshëm e disa jo. Italia dhe Austria mund të na hanë e të na gllabërojnë e të na zhdukin nga faqja e dheut. Po të biem në thonjtë e Italisë apo të Austrisë, pas pak vjetësh nuk do të ketë Arbëri. Që të shpëtojmë, duhet të bëjmë marrëveshje me një prej armiqve tanë të parrezikshëm; malazezët, serbët, bullgarët apo grekët. Le t’i shqyrtojmë: malazezët, serbët dhe bullgarët janë copëza të Rusisë. Ata punojnë për Rusinë dhe kush bashkohet me ta bie në gojën e Rusisë. Ata të tre, duan apo s’duan, një ditë do të bëhen vasalë të Rusisë. I vetmi shtet nga të gjithë këto që dolën prej hirit e prej gërmadhave të Turqisë, që e ka të garantuar jetesën e vet nga e gjithë Europa, është Greqia. Tokën e Greqisë nuk mund ta shkelë askush. Kastile përfshimë edhe Greqinë ndër armiqtë tanë, pse aparanca e gjërave kështu tregon. Mirëpo, po të thellohemi pak në esencë, po të këshillohemi paksa me historinë, po t’i shqyrtojmë mirë gjërat, do të shohim se Greqia nuk ka asnjë armiqësi me ne dhe as mund të ketë. Historia na thotë se grekët janë pasardhës të pellazgjëve, gjyshërve tanë, se grekët dhe arbërit në vitet e Bizantit kishin një fe, një mbretëri dhe një shtet, se Skënderbeu fliste dhe arbërisht dhe greqisht dhe se shkruante greqisht dhe se Greqia e sotme është vepër arbërore dhe greke. Në luftën e 1821-shit që bëri Greqia kundër Turqisë, luftoi edhe fara jonë, arbëreshët dhe Greqia u çliruan edhe me ndihmën tonë. Në mes të kaq heronjve që nxori Kryengritja greke, të gjithë heronjtë detarë, përveçse vetëm Psarionëve, ishin arbër të Hidrës, të Specës, të Poros dhe të Kranidhit. Heronjtë më të shumtë të steresë ishin arvanitas të Sulit, të Himarëss, të Athinës, të Tebës, të Livadhjasë, të Atlandës, të Korinthit dhe shumë zonave të Moresë, që deri më sot flasin arbërisht. Përveç arvanitasve të krishterë qenë edhe 3500 arvanitas muhamedanë që luftuan bashkë me grekët kundër turkut dhe prijësa të tyre qenë Tafil Buzi, Gjoleka, Hodoja e të tjerë kapedanë të shquar arvanitas. Nuk do të themi asnjë gënjeshtër, vëllezër, po të themi se Arvanitët çliruan Greqinë! Është e vërtetë se gjatë revolucionit grek të 1821-shit, grekët dhe arvanitët u goditën ndërmjet tyre dhe arvanitasit mysliman vranë Marko Boçarin, ndërsa Karaiskaqi vrau Musa Qafëzezin, mirëpo nuk luftonin grekët kundra arvanitasve, por luftonin grekët me turqit dhe turqit me grekët. Suliotët, himariotët dhe kaq arvanitas të tjerë, i luftonin arvanitasit sikur të ishin turq e jo arvanitas, Shkodran pasha, Musa beu, Çelo Picari, Omer Vrioni, Ago Vasjari, Ahmet Dimo e kaq të tjerë luftuan kundër grekëve si turq e jo arbër. Dy ngjarje të mëdha të asaj kohet na bindën se arvanitët dhe grekët mendonin si të ishin vëllezër e jo si të qënit të huaj ndërmjet tyre. Njëra ngjarje është kjo: Kur Ali Pasha i vuri Kardhiqoitët të çarmatosur në një vathë dhe u tha kapedanëve grek të zbraznin armët mbi ta, kapedanët i thanë Ali Pashës: “Jepu më parë armë e pastaj fillojmë luftën. Sa janë të çarmatosur, ne nuk i vrasim!” Dhe kështu kapedanët grekë nuk i ngjyen duart në gjakun e vëllezërve kardhiqiotë dhe e lanë këtë lavdi të pandershme tek qenia më e ndyrë që ka lindur Arbëria, tek Thanas Vaja me lekliotët e tij! Ngjarja e dytë ndodhi në urën e Alamanës kur Athanas Dhiako ra i gjallë në duart e turqëve. Omer pashë Vrioni komandant arvanitas, u përpoq me çdo mënyrë ta shpëtonte, por nuk mundi, sepse Qose Mehmet pasha kur mësoi se Omer Vrioni donte ta shpëtonte gjithsesi Dhiakon nga duart e turqëve, dha urdhër që sa më shpejt ta shkonin në hell si derr. Kur e mori vesh këtë Omer Vrioni qau si fëmijë për vdekjen e Dhiakos. Këto dy ngjarje dëshmojnë se në zemrën e popullit grek e arvanitas është rrënjosur ndjenja e farefisnisë që kanë grekët me arvanitët. Greku, para se të bëhej grek ishte arvanitas, domethënë pellazg. Grek do të thotë: Arvanitas i qytetëruar. Gjuha jonë, arbërishtja është më e vjetër se greqishtja e lashtë, që sot e quajnë gjuha homerike. Gjuhëtarët e mençur të Europës e konsiderojnë greqishten si një përkryerje të arbërishtes. dhe Greqia pa Arbëri dhe Arbëria pa Greqinë janë gjëra gjysmake. Kur Greqia dhe Arbëria të bashkohen, atëherë do të bëhet Greqia e Madhe dhe Arbëria e Madhe. Kështu siç jemi, kemi nevojë të mbështetemi në shpatullat e një fqinji. Po të mbetemi me Turqinë, rrezikojmë të humbasim bashkë me të. Po të shkojmë me Italinë, do të na gëlltisë, dhe pas disa vitesh do të kemi humbur etnitetin tonë e do të bëhemi italianë, pasi interesi i saj është që të mos mbetemi arbër e të ngremë krye ndonjë ditë. Po të shkojmë me Austrinë do ta pësojmë më keq se me Italinë. Po të shkojmë me malazezët apo serbët, apo bullgarët, do të bëhemi një ditë vasalë të Rusisë. Veç kësaj, malazezët, serbët dhe bullgarët janë popuj të huaj dhe është turp për ne që jemi vendas të kërkojmë mëshirë nga malazezët, serbët dhe bullgarët. Po të duam të veprojmë vetëm, e para do të na godasë Turqia e s’do të na ndihmojë askush dhe e dyta, edhe po të çlirihemi nga Turqia, nuk do mundim të jetojmë vetëm, pse vendi ynë është i varfër, nuk kemi shkollë dhe më e keqja, nuk kemi një besim: ca jemi muhamedanë, ca të krishterë dhe mbretëritë e krishtera që ndodhen rreth nesh do të gjejnë çdo mënyrë që të na bëjnë të grindemi mes nesh e të gjejmë shkak të huajt të ndërhyjnë në punët tona të brendshme e të na coptojnë. Jetesa e një shteti te tillë arbëror në mes gjashtë shteteve të krishterë, Italisë, Austrisë, Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, është jetë shkurtër dhe shkatarrimtare e madhe për kombin tonë. Nuk na mbetet mënyrë tjetër, vëllezër, veç t’i thërrasim mendjes sa më shpejt, të harrojmë kush është muhamedan e kush i krishterë dhe të mbështetemi mbi Greqinë e të krijojmë Mbretërinë Greko-Arbërore, si Hungarezët me Austriakët, dhe Suedezët me Norvegjezët. Janë të shumta arsyet që na detyrojnë të bëjmë këtë dhe vetëm këtë: 1- Dheu i Greqisë është i garantuar dhe askush nuk mund ta shkelë, edhe po shkeli do ikë shpejt. 2- Grekët janë fara jonë dhe ne jemi vëllezër të larguar, pasi janë edhe ata bij të gjyshërve tanë, pellazgjikëve. 3- Kemi të bëjmë me Greqinë, pse kemi mijëra arvanitas këtu dhe gjuha arvanitase flitet gjer brenda në Athinë. 4- Sepse liria e Greqisë është gatuar edhe me gjakun arvanitase dhe po të mos qenë arvanitasit, Hidrasit, Speciotët, Poriotët, Suliotët, Himariotët, etj. Nuk do të mundte të çlirohej Greqia. 5- Grekët dhe arvanitët kanë të njëjtat zakone dhe të njëjta sjellje, veshin të njëjtat veshje-fustanellat, flasin gjuhën tonë dhe ne të tyren dhe nderin e familjes e kemi dhe ata dhe ne, mbi kryet tona e jo nën këmbët siç e kanë të tjerët, që nuk dinë ç’do të thotë nderi i gruas dhe i kanë gratë e tyre hoteleve e birrarive të hargalisen me botën e huaj para syve të tyre! Zoti e ruajt arbërin nga një gjendje e tillë. 6- Grekët janë pak, siç jemi dhe ne, nuk do të mundin kurrë të na bëjnë si të duan e të na helenizojnë, por do të jemi në jetë të jetëve arbër përkrah tyre. 7- Se në te vërtetë shkronjat arvanitase janë ato të greqishtes dhe ne me grekët të bashkuar të kemi shkronjat tona të natyrshme, të shkruajmë me germat tona dhe jo vllaçe, italiane si ato që sajojnë në Bukuresht e gjetkë. 8- Grekët i njohim e na njohin. Jetuam mijëra vjet me grekët e jetojmë ende si vëllezër, sepse farat tona, Grekja dhe Arbërorja, gjenden në një vend që u përket të dyve. Mijëra grekë jetojnë brenda në Arbëri dhe mijëra arbër jetojnë brenda në Greqi dhe kurrë deri më sot nuk luftuan njeri-tjetrit. Dhe në Arbëri grekët dhe arvanitasit jetojnë si vëllezër, dhe në Greqi arvanitasit me grekët jetojnë si vëllezër, sepse të dy popujt grek dhe arbër jetojnë në vende që u përkasin që të dyve, dhe nuk është njëri popull në tokën e tjetrit si në tokën e huaj. Ajo çka është greke është dhe arvanitase dhe ajo çka është arvanitase është dhe greke. Gjaku nuk bëhet ujë! Shikoni vëllezër, sa arsye të mëdha kemi që të bëhemi një me grekët, ndërsa nuk kemi asnjë arsye që të qasim italianët, austriakët, vllehët, malazezët, serbët dhe bullgarët!!! Kur të themi të bëhemi një me grekët, nuk themi të bashkojmë fetë tona, apo qeverisjen tonë. Një bashkim të tillë as e mendojmë, as e duam! Ne duam nga Greqia që të sigurojmë vendin tonë, të zhvillojmë tregtinë tonë, të ndriçohemi nga dija e saj….. Ne mendojmë që Greqia të ketë fuqi si shtet në Greqi dhe Arbëria në Arbëri, dhe jo Arbëria të jetë e nënshtruar ndaj Greqisë. Nënkuptojmë bashkimin vetëm në një bashkimi të dukshme të mirëkuptuar, duke pasur të njëjtin mbret, të njëjtin ministër të jashtëm dhe të njëjtin ministër të luftës dhe të luftojë Greqia për Arbërinë dhe Arbëria për Greqinë, me një fjalë të kemi të njëjtët miq e të njëjtët armiq. Nënkuptojmë që Arbëria të ketë ushtri të sajën, xhandarmëri të sajën, polici e administratë të sajën, financa të vetat, gjykata e sistem arsimor të vetin. Një shembull të tillë e kemi tek Austria e Hungaria, ku nuk është afria që është ndërmjet arvanitëve e grekëve. Austriakët janë gjermanë dhe hungarezët një popull lindor, krejtësisht i huaj. Përpara vëllezër! Ejani të bëhemi një Mbretëri Greko-Arbërore dhe duhet të bëhemi, sepse kemi një gjak, një atdhe, dhe një zot!
Nënshkruesit
SHEHU
BOÇARI
XHAVELLA