• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Requiem për Vesel Kullën

February 27, 2013 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Ike Vesel i dashur! Ike dhe na le vetëm në rrugën tonë. Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde për në banesën e përjetëshme.  Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Ishe pothuajse fëmi kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Ishe i detyruar të rriteshe jetim pasi komunizmi të vrau atin tënd të nderuar. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, Vesel i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak fisniku dhe në këto çaste më kujtohet një frazë e filozofit të shquar Niçe:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku…

Dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.

Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta ku, atje në shtëpinë e kryetarit tonë të nderuar, Lalë Osmanit, mblidheshim dhe diskutonim për botimin e të parës gazetë nacionaliste, gazetës “Liria”, ku ti do të ishe njeri nga gazetarët më të mirë të saj. Ti e justifikove plotësisht besimin që të dhanë. Këtë  nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.

Veseli i përkiste asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për gazetarinë. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Donin të shkruanin për të vërtetën. Por, për fatin e tyre të keq, jetonin në një epokë të gabuar. Ata jetonin në atë epokë kur nuk mund të shprehnin ato që ëndërronin, ato që u buronin nga zemrat e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ky regjim shpikte lloj-lloj formula totalitare për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formula absurde që ndrydhnin talentet e mëdha dhe u hapnin rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë. Por talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet. Një nga këta ishte edhe Veseli.

Të nderuar familjarë. Mos derdhni lot. Në krahinat tona nuk e kanë zakon të derdhin lot për burrat e shquar. Atyre u thurrin vargje, u këndojnë këngë. Veseli ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim  në krahun tonë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e tij e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes Veselin tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Qoftë i lehtë dheu që do të ra përsipër!

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: per Vesel Kullen, requiem, reshat kripa

Në kujtim të një intelektuali të shquar

February 25, 2013 by dgreca

Rasim    Balla & Reshat   Kripa/

Po shkruajmë për një person që duhet shkruar, për një person që i mbylli sytë në mërgimin e largët por që dëshira e tij ishte të prehej në atdheun mëmë. Këtë dëshirë ia plotësoi e shoqja, zysh Meremja. Duke u gdhirë 11 janari 2012 shpirti i profesor Suatit erdhi në Golem dhe pas dy ditësh erdhi edhe arkivoli me trupin e tij të pajetë. Varrimi u bë madhështor. Respekti u krye i plotë. Ju dha lamtumira e fundit fisnikut, patriotit, atdhetarit, intelektualit e demokratit Suat Babani që gjithë jetën ëndërroi për demokracinë e vërtetë.

Lindi në vitin 1920 në fshatin Baban të Devollit në një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Qysh në fëmijëri i vdiqën të dy prindërit e tij, duke e lënë jetim. Kujdesi që tregoi për të gjyshja dhe dy xhaxhallarët e tij, bënë që të mos e ndjente shumë humbjen e prindërve. Ai mundi të mbaronte jo vetëm arsimin fillor por të kryente me sukses dhe me rezultate të shkëlqyera Liceun Francez të Korçës, ku mori bazat e një edukate dhe kulture perëndimore.

Pushtimin fashist e priti me urrejtje së bashku me të vëllanë, Sedatin, i cili u inkuadrua në Brigadën e Parë Sulmuese, ku edhe ra heroikisht në luftën për çlirimin e Krujës më 8 gusht 1944.

Pas lufte mbaroi studimet e larta në Bullgari, në degën e agronomisë gjithmonë me rezultate të shkëlqyera. Ishte një tip i veçantë. Megjithse ishte vëlla dëshmori, kurrë nuk kërkonte që për hir të kësaj të fitonte favore apo privilegje të pamerituara. Filloi të punonte si agronom në fermën e Maliqit. Sjellja arrogante dhe prepotente e drejtuesve të pushtetit i treguan fytyrën e sistemit në të cilin po jetonin. Kështu që ai u zhgënjye nga ky sistem dhe filloi ta shihte atë me një sy tjetër.

Në vitin 1948, me grupin e deputetëve, i dënohet me vdekje dhe ekzekutohet xhaxhai i tij, juristi dhe noteri i njohur Mehmet Babani, i cili i kishte ndenjur aq pranë kur kishte humbur prindërit e tij. Xhaxhai tjetër, Faik Babani, që edhe ky i kishte qëndruar  pranë, u dënua për motive politike. Të dyja këto ndikuan në formimin e një bindje tjetër në ndërgjegjen e tij.

Megjithatë puna në fermën e Maliqit vazhdonte. Kultura dhe edukata që kishte marrë që i ri, niveli i lartë profesional si dhe dashuria për punën, bënë që ferma, edhe në sajë të kontributit të tij, të kishte rezultate të larta, që rriteshin nga viti në vit. Ishin pikërisht këto rezultate  dhe kontributi  i  dhënë prej tij që Presidiumi i Kuvendit Popullor ta dekoronte me Urdhërin e Punës të klasit të tretë në vitin 1954, ndërsa në vitin 1956 ta dekoronte përsëri me Urdhërin e Punës të klasit të parë. Më vonë, pas një aksidenti të rëndë që pësoi, transferohet në shkollën e mesme bujqësore në Golem të Kavajës.

Por këto nuk e detyruan të hiqte dorë nga marëdhëniet e ngushta që kishte me familjarët e tij. Krahas punës, ai pati kurajon që, edhe në kushtet e rënda të përndjekjes nga sistemi, t’i gjendej pranë dhe të kujdesej edhe për xhaxhanë e burgosur dhe sidomos, pas lirimit të tij, kur ai nuk kishte asnjë mundësi jetese pasi ishte shumë i moshuar dhe pa fëmijë, iu ndodh gjithmonë pranë.

Në pozicionin e mësuesit, si specialist në fushën e bujqësisë, profesor Suati edukoi dhe paisi me kulturë profesionale disa breza nxënësish, të cilët edhe sot e kujtojnë me nostalgji dhe respekt të madh metodikën e mësimdhënies së profesorit të tyre. Kujtojnë me nostalgji e respekt karakterin e tij të palëkundur, seriozitetin dhe mjeshtërinë gjatë proçesit mësimor, si dhe dashurinë prindërore të këtij njeriu me virtyte të larta. Si njohës i saktë i tre gjuhëve të huaja, frëngjisht, italisht, bullgarisht, ishte i apasionuar pas programeve  shkencore  televizive  të  huaja

si dhe dëgjues i rregullt i emisioneve të lajmeve në këto televizione, falë njohjes perfekte të gjuhës frënge dhe italiane.

Autoriteti i tij ishte i tillë që detyroi pushtetin e atëhershëm të kërkonte ta bënte me vehte. Për shkak të njohurive të larta shkencore, impononte gjithmonë respekt dhe autoritet por kishte, gjithashtu, dashuri dhe thjeshtësi me kolegët dhe punëtorët. Për këtë iu propozua nga Byroja e Partisë së Golemit të bëhej anëtar i Partisë së Punës. Duke qenë i ndërgjegjshëm për konditat e tij politike, ai iu përgjigj thjeshtë:

–         Më falni, por këtë detyre nuk e bëj dot.

Ndërrimi   i   sistemeve  e  gjeti  profesorin,  së  bashku  me  bashkëshorten,  ish  mësuese

matematike, në pension. Shumë nga rinia e Golemit, që sot janë rritur, kujtojnë që profesori ato ditë kishte rilindur, ishte rinuar. Ai, së bashku me bashkëshorten, kishin vite që e prisnin një ditë të tillë. Shtëpia e profesor Suatit tashmë priste çdo ditë  djemtë e Golemit. Bëheshin diskutime politike, bëheshin pyetje dhe profesori, së bashku me bashkëshorten, sqaronin me  qetësi por, gjithmonë, me optimizëm dhe siguri për të ardhmen. Frika ishte vrarë… Suat e Mereme Babani ishin ndër të parët që u antarësuan në Partinë Demokratike dhe ishin gjithmonë aktiv në proçeset demokratike. Gjithmonë i pranishëm në konferenca dhe takime me drejtues të lartë të Partisë Demokratike. Megjithëse të lodhur nga jeta ata tregonin një gjallëri që shumëfishohej sidomos në fushatat zgjedhore, duke biseduar me njerëzit, duke treguar me largpamësi për të ardhmen europiane të Shqipërisë si dhe duke rritur optimizmin. Ky njeri, që kishte refuzuar antarësimin në Partinë e Punës së Shqipërisë, gjeti forca dhe, megjithëse në moshë të thyer, të rreshtohej në rradhët e Partisë Demokratike, pasi aty shikonte të ardhmen e atdheut.

Në vitet e fundit, tashmë i lodhur nga pesha e moshës që i rëndonte mbi supe, por aktiv dhe me shëndet të plotë mendor, ndërmori disa herë udhëtime në vendin e lirisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u takuar dhe respektuar vëllezërit e gruas së tij dhe shumë miq të vjetër që i kishin shpëtuar thonjve të komunizmit. Por, siç duket, perëndimi kishte mbërritur. Fundi po arrinte. Profesor Suati e parandjeu dhe i tha së shoqes atë shprehjen e thjeshtë dhe të bukur, atë që thonë vetëm atdhetarët e mëdhenj:

–         Dua të fle, për jetë, në atdhe, në Shqipërinë time, atje ku e kam vendin!

Këtë amanet ia plotësoi e shoqja, mësuesja e njohur Meremja.

Ky ishte profesor Suati. Është në nderin e kujtdo,  sidomos  organeve  arsimore  të  rrethit

Kavajë apo edhe atyre qëndrore të shkruajnë dhe të kujtohen për këtë figurë të njohur të arsimit shqiptar.

A do ta bëjnë vallë? Do të presim dhe do të shohim.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Inmemoriam, reshat kripa, Suat babani

Të përndjekurit politikë dhe qëndrimi i tyre ndaj zgjedhjeve

February 20, 2013 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Lexova opinionin e zotit Agron Tufa në gazetën “Panorama” të titulluar: “Kriza e kauzës zgjedhore dhe ish-të përndjekurit” dhe dua, në vijim të këtij shkrimi, të paraqes edhe unë opinionin tim në lidhje me çështjet që autori, me të drejtë, ngre në këtë shkrim. Jam Kryetari i Degës së Tiranës të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, shoqatë që, nga numri i anëtarve dhe periudha njëzetedyvjeçare e aktivitetit të saj, mban vendin e parë në Shqipëri, në krahasim me shoqatat e tjera. Lidhur me sa më sipër dua të theksoj se vetëm dega e Tiranës që unë përfaqësoj, ka në gjirin e saj 9572 anëtarë. Kush mund të thotë se kjo është fantazi, le të urdhërojë në zyrat tona dhe do t’i gjejë të gjithë anëtarët e degës sonë të regjistruara në kompjuter. Shoqata jonë është, gjithashtu, anëtare, e vetme, e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin, ku bëjnë pjesë përfaqësuesit e të përndjekurve politikë të vendeve ish-komuniste të Europës Lindore. Bëra këtë hyrje pak të gjatë për të treguar se opinioni im është ai i të gjithë anëtarve të shoqatës tonë dhe, për këtë, duhet të kihet parasysh nga partitë politike tani në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit. Një gjë është e qartë, vota e ish-të përndjekurve politikë do të jetë vendimtare për fituesin e zgjedhjeve të ardhme.                                                                                                                 Dua të theksoj që në fillim se anëtarë të shoqatës tonë janë ata të përndjekur politikë që, duke filluar nga periudha e Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fund të vitit 90-të janë pozicionuar në krahun nacionalist të politikës shqiptare dhe këtë pozicion e ruajnë edhe sot. Ndaj edhe shoqata është emërtuar antikomuniste. Në nenin “1” të programit të saj thuhet:

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë është një shoqatë e pavarur. Ajo bashkon në gjrin e saj të gjithë të përndjekurit politikë nga regjimi komunist pa dallim idesh politike, përkatësie kombëtare, gjëndje shoqërore, feje, race, seksi dhe arsimi që janë kundër komunizmit. Ajo është kombëtare, pluraliste, humanitare, politiko-shoqërore.                                                                                                                      

Sikurse shihet nga ky nen kushti kryesor për të qenë anëtar është antikomunizmi. Ndërsa në nenin “4” thuhet:                                                                                                                                   Shoqata ka për mision të saj fisnik mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të përndjekurve politikë, si dhe të drejtat dhe interesat e ligjshme të vetë shoqatës. Atë nuk mund ta përfaqësojë asnjë subjekt, kushdo qoftë, përveç organeve të saj të zgjedhura nga Kuvendi Kombëtar i Shoqatës.                                                                                                                                

Pikërisht në këto dy nene do të mbështetem edhe unë në shprehjen e opinionit tim. Parimisht për ne, mbështetur në programin e shoqatës,  nuk ka pasur preferenca se cilën parti apo koalicion partish do të mbështeste shoqata. Kjo për arsyen e thjeshtë se për  shoqatën do të ishte më e preferuara ajo parti apo grupim që do të plotësonte më mirë detyrimet ndaj kësaj shtrese. I shtojmë kësaj edhe qëndrimin ndaj mentalitetit komunist që, siç e theksuam më lart, është një nga synimet kryesore të shoqatës. Le të analizojmë tani me rradhë se si kanë vepruar ndaj nesh partitë apo grupimet e ndryshme  të dala në skakierën politike të vendit tonë.

Po e fillojmë me grupimin e partive të majta me në krye Partinë Socialiste. A ka qenë ndonjëherë antikomuniste kjo parti dhe ky grupim? Asnjëherë. Të gjithë të përndjekurit politikë e kanë parasysh qëndrimin që ka mbajtur ky grupim ndaj tyre në periudhën kur ishin në qeveri (1997-2005). Çfarë e karakterizoi atë periudhë? Pushime masive nga puna, heqje e të drejtave të fituara gjatë viteve të para të ndryshimeve demokratike  për arsimimin, punësimin, strehimin e tyre, anullimin e ligjit të lustracionit të miratuar në vitin 1995  dhe si pasojë lirimin nga burgu të ish krerëve të regjimit komunist të dënuar nga gjykatat shqiptare dhe dëmshpërblimin e tyre me shuma maramendëse, miratimin e një ligji qesharak për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë të barabartë me një kafe 50 lekëshe në ditë, ligj që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, hymnizimin e ngjarjeve apo individëve të regjimit komunist që ishin të njohur për krimet e tyre dhe shumë të tjera.

Po pas vitit 2005 kur në krye të Partisë Socialiste erdhi zoti Edi Rama? Ndonse erdhi me shumë bujë duke ia hedhur fajin për gjithçka ish-drejtuesit Fatos Nano, Rama ruajti të njëjtën strukturë të së kaluarës me bllokmenë apo bij bllokmenësh të regjimit të përmbysur. Filloi një fushatë të shfrenuar kundër ish-drejtuesit Fatos Nano, duke ia hedhur të gjithë fajin atij për qeverisjen e keqe dhe duke premtuar një përmbysje të mënyrës së qeverisjes. Cilat ishin pasojat e këtyre premtimeve për të përndjekurit politikë? Me urdhër të kryetarit të tyre deputetët socialistë bojkotuan të gjitha seancat ku miratoheshin ligje në mbrojtje të kësaj shtrese. Le të përmendim këtu Rezolutën në mbështetje të asaj të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Për Ndëshkimin e Krimeve të Kryera nga Regjimet Komuniste”, ligji për dëmshpërblimin e tyre dhe amendamenti për përfshirjen në këtë ligj të të pushkatuarve pa gjyq, ligji për lustracionin në Republikën e Shqipërisë dhe ligje të tjera.                                                                                                 Vitin që kaloi zoti Rama ndërroi taktikë duke menduar se do të gënjente ish të përndjekurit politikë. Mblodhi rreth vetes një grusht gjoja ish-të përndjekur por që në të vërtetë i përkisnin grupit të falsifikatorëve dhe vjedhësve që regjimi komunist, për t’i dënuar më tepër u kishte shtuar edhe nenin politik të agjitacionit dhe propagandës, apo ata të pamoralshmit që pasi kishin përdhunuar familjarët e tyre për t’i shpëtuar ndëshkimit kishin tentuar për t’u arratisur jashtë shtetit dhe kështu u quajtën të përndjekur politikë si dhe ish-bashkëpuntorët e sigurimit që po i shlyenin borxhin diktaturës. Me këta tipa, që e kishin treguar veten edhe gjatë trazirave të viti 1997 duke u bashkuar me rebelët komunistë, zoti Rama doli me tezën e rishikimit të politikës ndaj të përndjekurve politikë. Me të drejtë zoti Tufa pyet:                                                                            – Kush ka ndryshuar, ish-të përndjekurit politikë apo Partia Socialiste?

Përgjigjen kësaj pyetje ia jap unë. Të përndjekurit e vërtetë politikë nuk ndryshojnë. Ata i qëndrojnë besnik parimeve të tyre. Edhe Partia Socialiste nuk ka ndryshuar. Ajo është po ajo që ka qënë, trashëgimtare e denjë e Partisë së Punës të Shqipërisë, një armike e betuar e të përndjekurve politikë. Është demagogjia e saj që, duke përdorur veglat e mësipërme, kërkon t’u mbush mendjen të përndjekurve se paska ndryshuar. Në rast se një gjë e tillë qenka e vërtetë atëherë përse zoti Rama nuk u kërkon falje më parë të përndjekurve për krimet e kryera nga paraardhësja e partisë që ai drejton, Partia e Punës e Shqipërisë? Ai mund të thotë se nuk më takon mua të kërkoj falje pasi nuk i kam kryer unë apo partia ime ato krime. Po zonja Merkel, kancelare e Gjermanisë mos vallë i kishte kryer vetë krimet e nazistëve kur i kërkoi falje të gjithë hebrenjve dhe viktimave të tjera të nazizmit? Po Papa Gjon Pali i Dytë që kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në kohën e mesjetës? Po zoti Majko, përse nuk kërkon falje që i quajti “plehra” luftëtarët e divizionit 4000 të NATO-s që ranë në luftë për përmbysjen e rendit komunist në Shqipëri? Përse sot e quan aleancën me NATO-n një domosdoshmëri për vendin tonë kur luftëtarët e saj të rënë në kohën e diktaturës i quan “plehra”? Jepni përgjigjen për këto pyetje dhe pastaj keni të drejtë të pretendoni se e keni ndryshuar kursin e partisë suaj.

Përsa i përket partisë së zotit Bamir Topi, Fryma e Re Demokratike, opinionin tim për të e kam dhënë qysh gati një muaj më parë më 14 dhe 15 dhjetor 2012 në gazetat “Metropol” Nr. 2856 dhe “55” Nr. 355 ku, midis të tjerave citoja:

Dua    t’ju   pyes,  i  nderuar   zotni,  si   nuk  ju  drodh  dora  kur  nënshkruat   dekorimin  e kriminelëve që kishin çuar në ekzekutimin e martirëve të Spaçit, Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe  Vangjel  Lezho   apo  Qafës  së  Barit,  Tom  Ndoja  dhe  Sokol  Sokoli,  njëlloj  si

paraardhësi juaj me dekorimin e vrasësit të poetit Havzi Nela? Si nuk pyetët, të paktën, ndonjerën nga shoqatat e të përndjekurve politik më parë? Ju thoni se i përkisni shtresës së të përndjekurve politikë. Atëherë si i kryet këto veprime? Edhe për këto, po patët kurajo duhet të përgjigjeni.   Ndaj edhe zotit Topi dua t’i bëjë të njejtën pyetje:

– Përse sot nuk i kërkoni falje familjarëve të martirëve të mësipërm për veprimin tuaj të papërgjegjshëm? Në rast se keni ndryshuar, të paktën këtë gjë duhet ta bëni. Përndryshe do të mbeteni “parti e re me xhaketa të vjetra” dhe ata që e quajnë veten të përndjekur politikë, nuk do të gjejnë strehë në partinë tuaj.

Sa për Aleancën Kuq e Zi mendoj se nuk ia vlen fare të shkruaj pasi, me përbërjen që ka, nuk është gjë tjetër veçse një konglomerat ekstremistësh dhe anarshistësh të hedhur poshtë nga të gjitha krahët e politikës shqiptare. Lidhur me demagogjinë e tyre mbi Shqipërinë e Madhe ose Etnike, do të doja t’iu thoja se janë kujtuar shumë vonë. Ideatorët e vërtetë të asaj lëvizje kanë qenë nacionalistët e vërtetë shqiptar që edhe jetën e dhanë në shërbim të kësaj çështje dhe ata që ende kanë mbetur gjallë i kanë gjetur forcat politike ku do të mbështeten                                                   Tani le të kthehemi tek forca më e madhe politike e së djathtës shqiptare, Partia Demokratike dhe koalicioni i saj. A i ka kryer kjo forcë detyrimet ndaj shtresës së të përndjekurve politikë? Po të përndjekurit politikë a janë të gjithë me këtë forcë? Le t’i shtjellojmë këto dy pyetje:                                                                                                                                    Me ndryshimet demokratike, pas vitit 1991, të përndjekurit politikë u hodhën në masën mbi 90% me Partinë Demokratike dhe kjo ishte e kuptueshme. Ajo ishte forca e parë politike që doli me flamurin e demokracisë. Për të thënë të vërtetën, në periudhën e parë të qeverisjes së saj, u bënë shumë përpjekje dhe u miratuan shumë ligje në përkrahje të kësaj shtrese. Mjafton të përmenim arsimimin, punësimin, strehimin e të tjera. Në ato vite nuk merrej asnjë vendim pa miratimin e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë. Por të gjitha këto u përmbysën me marrjen e pushtetit nga socialistët në vitin e zi 1997.                                                                                     Le të kthehemi tani pas marrjes së pushtetit, në vitin 2005, nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj. Nëqoftëse do ta krahasojmë me periudhën e qeverisë socialiste, diferenca është e madhe. Ky koalicion mbetet gjithmonë shumë më afër të përndjekurve se sa koalicioni i majtë. Por po ta krahasojmë me qeverisjen demokrate të viteve 1992-1997, do të shohim se ka diferenca dhe këto bien në sy në të gjitha sferat e jetës. Një gjë e tillë ka bërë që një pjesë e të përndjekurve politikë, që dikur ishin plotësisht me të, ta shohin me dyshim qeverisjen e demokratëve. Një gjë e tillë duhet t’i alarmojë drejtuesit e Partisë Demokratike dhe në mënyrë të veçantë drejtuesin e saj, zotin Sali Berisha. Detyrimisht diçka duhet ndryshuar në trajtimin e çështjeve të të përndjekurve politikë në rast se duan të kenë mbështetjen e tyre të plotë. E theksoj edhe një herë se kjo mbështetje do të jetë vendimtare në fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit. Le të analizojmë me rradhë se cilat janë pikat kryesore ku duhet të mbështet Partia Demokratike në parg të zgjedhjeve:

1. Likujdimi deri në qershor i dy kësteve të dëmshpërblimit dhe fillimi i këstit të tretë.

2. Likujdimi në total i atyre që jetojnë ende. Sipas llogarive tona duke marrë parasysh se sipas të dhënave të Ministrisë së Financave numri i atyre që jetojnë është 2400 vetë dhe duke zbritur dy këste që janë likujduar, atëherë për të likujduar gjashtë këstet e tjera nuk duhen më shumë se 75 milion euro, shumë që na duket plotësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit.

3. Fillimi i dëmshpërblimit për të internuarit e periudhës 1945-1954

4. Miratimi në seancë plenare i amendamentit të KM, miratuar edhe nga komisionet parlamentare që parashikon zgjatjen  e  afatit  të  dorëzimit  të  dokumentave,  heqjen  e  nenit  që ndalon dhënien e dëmshpërblimit personave të dënuar gjoja për “terrorizëm” e të tjera.

5. Fillimi i zbatimit të gjithë pikave të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë të vitit 2006 “Mbi Ndëshkimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri” ku përfshihen:

a. Heqjen e të gjitha dekoratave, titujve dhe urdhërave akorduar diktatorit Enver Hoxha.

b. Rishikimin e datave simbol të sistemit komunist

c. Bërjen publike të dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist

d. Bërjen e ligjit të ri të lustracionit

e. Përmbushja e detyrimeve ligjore për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë.                                                                                     f. Ngritja e memorialit në nderim të shqiptarëve të rënë në luftën kundër regjimit totalitar, vendosur edhe nga Kuvendi i Shqipërisë qysh në janar të vitit 2009.

g. Hapja e muzeumeve dhe kthimi në muze i burgjeve dhe kampeve politike.

h. Organizimi i një konference kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist.                                     Përveç pikave të rezolutës së mësipërme nga Partia Demokratike duhet të ketë parasysh që shoqatave të të përndjekurve politikë t’u jepet e drejta e një numri të caktuar deputetësh të propozuar prej tyre, emërimit në organet qëndrore të shtetit shqiptar të një numri ish-të burgosurish politikë që jetojnë ende. Kjo gjë pasi, praktikisht sot, përveç presidencës që ka një këshilltar të burgosur politik, as Kuvendi, as Kryeminstria, as shumica e Ministrive, as Prokuroria e Përgjithëshme, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë e të tjera nuk e kanë në organet drejtuese një të tillë, gjë që nuk i nderon. Është e vërtetë që në Kuvendin e Shqipërisë ka disa deputetë me prejardhje nga kjo shtresë por, për fat të keq, zëri i tyre është ndier fare pak në mbrojtje të saj, madje as që i kemi parë ndonjëherë në dyert e shoqatës tonë që, njëkohësisht, është edhe e tyre.                  Këto janë pikat ku duhet të mbështetet Partia Demokratike në programin e saj elektoral. Mbështes propozimin e bërë nga zoti Tufa për një marrëveshje midis Qeverisë dhe shoqatave të të përndjekurve politikë, të ngjashme me atë të lidhur para zgjedhjeve të 22 marsit 1992 midis ish-Presidentit Berisha dhe ish-Kryetarit të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zotit Osman Kazazi. Një marrëveshje e tillë do të ishte një stimul i lartë për tërheqjen e kësaj shtrese të përvuajtur pas vetes.

A do ta kryejë Partia Demokratike dhe aleatët e saj një gjë të tillë. Kjo varet nga vullneti i saj. Ne shpresojmë. Njëkohësisht iu themi se të përndjekurit e vërtetë politikë nuk shkojnë kurrë majtas. E keqja më e madhe që mund të ndodhë është se ata mund të mos dalin fare në votim. Një gjë e tillë nuk është në favorin e Partisë Demokratike dhe aleatëve tësaj                                     Ne jemi në pritje.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe zgjedhjet, reshat kripa, te perndjekurit

QUO VADIS SHQIPERI?

February 1, 2013 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

Sipas bibles terrori i ushtruar nga diktatori Neron e detyroi Shën Pjetrin të braktiste Romën por, rrugës gjatë ikjes, iu shfaq fryma e shenjtë që i tha:

– ”Quo Vadis”?

Shën Pjetri u kthye përsëri në Romë ku u sakrifikua. Ky shembull i jashtëzakonshëm m’u kujtua këto ditë kur dëgjoj debatet e pamoralshme për gjoja vlerësimin e figurave të regjimit të urryer komunist. Ndaj, me të drejtë, unë pyes:

Quo Vadis Shqipëri?

Kjo pyetje më bren nga brenda. Fati e pruri që, gjatë rrugës së jetës time, të takohem me ata burra të rrallë që zor se mund t’i vijnë më këtij kombi. Isha fare i ri. Nuk isha në gjendje të vlerësoja se kush kishte të drejtë ose jo. Ata burra më mësuan të vërtetën e këtij kombi, atë të vërtetë që dua ta shpreh në këtë shkrim.

Këto ditë, si kundërpërgjigje e vlerësimit të ish-figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar që kanë dhënë një kontribut të vyer për kombin tonë, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ka shpërthyer edhe nje fushatë e nostalgjikëve të regjimit komunist që, me të gjitha mënyrat, përpiqen të reabilitojnë figurat e diskriminuara të atij sistemi.

Një rast i tillë shërbeu edhe 100 vjetori i lindjes së kryekriminelit të regjimit komunist, Mehmet Shehu. Konferenca jubilare e organizuar me këtë rast nga pinjollët e atij regjimi te urryer dhe publikimi i saj në faqet e para të medias shqiptare, është treguesi më i mirë që Shqipëria, në fakt, nuk po ecën në rrugën e duhur drejt demokratizimit të saj. Ju do të pyesni: përse? Përgjigjen kësaj pyetje jua jap unë:

Në Gjemani deri pas viteve 70-të nuk mësohej fare historia e nazizmit ose ajo e drejtuesit të saj Hitlerit. Përse bëhej kjo? Mos vallë kot së koti  sa  për  të   shkuar  rradhën?  Jo.  Ajo

kishte një qëllim. Ajo periudhë e errët e  kombit  gjerman  duhej

të harrohej. Populli gjerman duhej të mësohej me frymën e re që kishte lindur pas përmbysjes së nazizmit. Një gjë e tillë dha rezultatet e saj. Gjermania, djepi i nazizmit, shumë shpejt u kthye në një nga vendet më demokratike të Europës. Ky është gjenialiteti i atij kombi. Një gjë të tillë mund ta bënte një komb i veçantë siç ishte ai gjerman.

Para disa vitesh në Austri një parti neo naziste fitoi shumicën në zgjedhjet parlamentare dhe formoi qeverinë. Kundër saj u ngritën të gjitha qeveritë demokratike të botës që e detyruan të jepte dorëheqjen.

Lidhur me këto dy shembuj dua të pyes:

-Quo Vadis Shqipëri? Si ka mundësi që lejon fundërinat e regjimit të përmbysur të ringjallin ato figura që ti i hodhe në koshin e plehrave?

Ndërmjet këtyre figurave, ajo që bie më tepër në sy është ajo e kriminelit Mehmet Shehu. Ndoqa me vëmendje debatin e zhvilluar në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Midis pjesmarrësve pashë dy figura që ora u ka mbetur qysh më shumë se pesëdhjetë vjet më parë. Njëri prej tyre, Fatos Klosi,  është pedagog në një nga universitetet e vendit. Mjerë studentët që marrin leksione prej tij. Nuk e di se çfarë u mëson pedagogu i tyre. Se po të jenë ato që shprehu në këtë emision do të thoja pa mëdyshje se është mëkati i Ministrisë së Arsimit që ka caktuar në detyrën e edukimit të brezit të ri njerës të tillë të indoktrinuar jashtë mase me mentalitetin e përmbysur të epokës së errët komuniste. Ky pinjoll i atij regjimi kishte kurajon edhe sot në sistemin kapitalist dhe demokratik të deklarojë se Mehmet Shehu paska qenë një burrë shteti i shquar. I të njejtit mendim me të ishte edhe përfaqësuesi tjetër i këtij klani, Idajet Beqiri, një klloun i një partie që veç atij nuk ka asnjë anëtar tjetër, madje as pjestarë te familjes së tij.

Tani le t’i kthehemi figurës së Mehmet Shehut që po bëhet kaq shumë zhurmë ditët e fundit. Kush ishte ai? A ishte me të vërteët një burrë shteti, ashtu siç e paraqesin dy individët e përmendur më sipër?

Unë do të doja që figura të tilla, të inkriminuara me regjimin komunist, as të mos përmendeshin fare në vendin tonë, ashtu siç veproi Gjermania me Hitlerin dhe nazistët. Por, duke u nisur nga zhvillimi i ngjarjeve në vend, dua të shpreh mendimin tim për figurën e Mehmet Shehut apo edhe të figurave të tjera të atij regjimi, mendim që më thotë se Shqipëria duhet t’i hedhë në koshin plehrave dhe të mos kujtohet më për to.

Kush ishte Mehmet Shehu. Unë nuk jam historian që të merrem me dokumenta dhe fakte. Nuk dua as të citoj se ka vrarë në mënyrë cinike qindra kundërshtarë politikë apo robër lufte, para dhe pas marrjes së pushtetit nga komunistët. Unë dua t’i përgjigjem mendimit të dy zotërinjve se Mehmet Shehu paska qenë një burrë shteti i vërtetë.

Kush mund të quhet një burrë shteti i vërtetë? Zotërinjtë e mësipërm dhe sidomos pedagogu Klosi, që e quan veten një intelektual i formuar plotësisht, e dinë shumë mirë se burrë shteti quhet një person që punon me vetmohim për të mirën e kombit të vetë. Ndaj dua ta pyes:

A punoi Mehmet Shehu për të mirën e kombit  shqiptar?

Kush ishin merita e tij në këtë drejtim?

Në rast se zoti Klosi, apo edhe zoti Beqiri, quajnë merita shpronësimin total të pronarëve, kolektivizimin e detyruar të tokave bujqësore, militarizimin pa shkak të vendit, shtypjen e fjalës së lirë, varfërimin deri në limitet e mbijetesës për qytetarët e të tjerë,  unë do t’iu jepja të drejtë.

Le t’i analizojmë këto njera pas tjetrës.

Le të marrim shpronësimin total të pronarëve. Zotërinjtë nuk mund të pretendojnë se zoti Shehu nuk ka dorë në këtë çështje. E pra, ku çoi ky proces. Në rrëmbimin e një prone të ligjëshme, që e kishin vënë me djersë për vite me rradhë. A solli një veprim i tillë përmirësimin e gjendjes ekonomike të shqiptarëve? Përkundrazi ai solli varfërimin e tyre të skajshëm.

Po   kolektivizimi   i  detyrueshëm  i  tokave  bujqësore?

Fillimisht dua të bëj disa pyetje;

-Në  cilin   vend   të   botës   ky   kolektivizxim   ishte   i

detyrueshëm? A dha rezulta ky kolektivizim. Përveç asaj që fshati mbillte grurë dhe hante vetëm misër, madje edhe ky nuk mjaftonte për nevojat e tij, nuk kishte rezultat tjetër.

Le të shohim fenomenin e militarizimit të vendit. Në çdo skaj u ndërtuan mijra bunkerë për t’u mbrojtur nga armiqtë imagjinarë të krerëve komunistë. U ngritën fabrika të prodhimit të armëve që shpenzonin shuma maramendëse të buxhetit të shtetit. Çfarë panë qytetarët e këtij vendi nga këto/ Asgjë përveç varfërimit të mëtejshëm. Një ushtri e jashtëzakonshme. Për çfarë shërbeu? Një flluskë sapuni që u shkërmoq brenda ditës në fundin e viteve 90-të.

Shtypja e fjalës së lirë, fenomeni më negativ i atij regjimi. Shqipëria e vogël u mbush me dhjetra burgje dhe kampe pune të detyruar ku dergjeshin mijra fatkeqë, vetëm e vëtëm se kishin guxuar të ngrinin zërin për të drejtat e tyre. Diktatori dhe ndjekësit e tij nuk shikonin gjë tjetër përveç se armiq. Madje armiq u bënë edhe ata që kishin luftuar në një barrikadë me të. Sipas rradhës lakejtë filluan të hanë njëri-tjetrin sipas rradhës. Kjo ishte logjika e sundimtarëve.

Varfërimi ishte pika kulminante e atij regjimi. Kush është mbi moshën dyzet vjeç i mban mend rradhët e pafund për të marrë një kilogram qumësht, tollonat e racionit ku çdo familje nuk mund të merrte më shumë se një kilogarm mish, 100 gram gjalp apo ushqime të tjera të limituara kësisoj në muaj. Sot të gjitha këto duken si ëndrra, si të pabesueshme.

Atëherë pyes përsëri:

-Vallë   ky   ishte   kryeministri   i   suksesshëm   i    asaj

periudhe? Ky ishte kryeministri që, sipas mendimit të shprehur nga dy zotërinjtë, ishte kryeministri i dytë për sukseset në Shqipëri pas Ismail Qemalit?

Si përfundim unë do të doja t’u thoja dy zotërinjve dhe gjithë atyre që kanë mendjen e tyre që të heshtin. Duan apo nuk duan epoka  e  tyre  tashmë  është  përmbysur.  Atyre  nuk  u  ka mbetur gjë tjetër veçse, në rast se kanë ende ndonjë fije ndërgjegje,  të pendohen dhe të kërkojnë falje. Do të doja t’iu kujtoja fjalët e Hamletit drejtuar nënës së tij:

-O nënë, hidhe  poshtë  gjysmën  e  keqe  të  zemrës  dhe

jeto me gjysmën tjetër më të mirë!

Nëqoftëse do të kenë kurajo ta bëjnë një gjë të tillë, atëherë do të kenë të drejtën të jetojnë të qetë në shoqërinë e sotme shqiptare. Në të kundërt fatkeqësia është për ta.

Në mbyllje të këtij shkrimi dua t’i kthehem pyetjes së biblës Quo Vadis Shqipëri? Quo Vadis  shqiptarë?  Quo  Vadis analistë dhe gazetarë që nuk reshtni së shkruari për shkaktarët e mënxyrës që pësoi ky komb? A e keni dëgjuar një gjë të tillë në vendet e tjera të botës demokratike?

Ju lutem, përgjigjuni këtyre pyetjeve. Në të kundërt heshtni!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Quo Vadis Shqiperi?, reshat kripa

Fjalë imzot, vetëm fjalë!

January 29, 2013 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/

Kjo shprehje e të madhit Uilliam Shekspir m’u kujtua më 27 janar 2013 në ditën e gjenocidit komunist në Shqipëri. Me vendim të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, qysh në vitin 2004, data 27 janar është caktuar si dita e gjenocidit nazist kundër hebrejve. Lidhur me këtë Parlamenti Shqipërisë hartoi një rezolutë ku solidarizohej me të dhe, njëkohësisht, në një pikë të saj e shpallte edhe si ditën e gjenocidit komunist. Ky ishte një vendim i drejtë i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Para syve m’u shfaq gjenocidi që ka ushtruar regjimi komunist mbi popullsinë civile. Mjafton t’i hedhim një sy librit “Jashtë kontrollit” të personalitetit të njohur amerikan Zbigniev Brzhezhinskij për të kuptuar gjithçka! Në këtë libër jepet një pasqyrë e plotë e këtyre krimeve të kryera gjatë shekullit të njëzet që autori e quan “Shekulli i megavdekjes”. Ai bën, gjithashtu, edhe krahasimin e këtyre shifrave me atë të viktimave të dy luftrave botërore.

Le t’u hedhim një vështrim shifrave të viktimave civile:

Lufta e Parë Botërore                        13 milion

Lufta e Dytë Botërore                          35    „

Gjithsejt dy luftrat botërore                48    „

Ndërsa viktimat e shkaktuara nga sistemi komunist gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij janë:

Nga Lenini                                           8  milion

Nga Stalini                                        25     „

Nga Mao Ce Duni                                       29     „

Nga Pol Poti                                        1     „

Nga diktatorët e Europës Lindore       3     „

Gjithsejt                                   66     „

Vini veshin! Sistemi komunist shkaktoi 18 milion viktima më shumë se të dy luftrat botërore së bashku. Por, ndërsa viktimat e luftrave botërore u shkaktuan nga bombardimet e të tjera në kushte lufte, viktimat e komunizmit erdhën si pasojë e gjenocidit të ushtruar drejtpërdrejt mbi popullsinë civile, me cinizëm dhe gjakftohtësi, në kushte paqeje, vetëm e vetëm sepse dikush mendonte ndryshe nga diktatorët që sundonin në këto vende.

Për të parë përmasat e këtij gjenocidi, le t’i referohemi të dhënave të tjera të këtij libri mbi disa prej masakrave më të njohura,  të ushtruar në ish-Bashkimin Sovjetik:

1 milion të ekzekutuar në fund të viteve 20-të

1 milion të ekzekutuar dhe 2 milion të vdekur në kampet e punës së detyruar vetëm gjatë viteve 1937-1938.

7 milion fshatar të vdekur gjatë procesit të kolekivizimit

360.000 robër lufte të vdekur nga konditat e këqija

140.000 ushtarë polakë të ekzekutuar

20.000  oficerë polakë të ekzekutuar afër Minskut, zbuluar në fundin e viteve 80-t

14.736 oficerë polakë të ekzekutuar  më 5 mars 1940, me urdhër të Berias, shefit të KGVD-së dhe të miratuara nga vetë Stalini si  edhe  10.685  të  burgosur  të tjerë politik 15.000 oficerë të tjerë polakë të ekzekutuar në pyllin e Katinit.

Ju lutem, zotërinj, mos thoni se edhe zoti Brzhezhinskij gënjen ose shpif në këtë libër!

Le t’i kthehemi tani të dhënave mbi krimet e komunizmit të kryera në vendin tonë, të nxjerra nga arshiva e Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë:

1.   Të ekzekutuar                               6.023    veta

2.   Të vdekur në burg                               1.065       “

3.   Të burgosur                                 17.300       “

4.   Të sëmurë mendorë                        260       “

5.   Të internuar                               180.000       “

6.   Të vdekur në internim                          9.000       “

Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijve të internuar nën 14 vjeç, që nuk janë përfshirë në këto lista,  atëherë rezulton  se numri i përgjithshëm i  atyre  që  kanë  pësuar  drejtpërdrejt  persekutimin  arrin  250.000 veta. Duke marë parasysh  se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 vetë, rezulton se  25% e asaj popullsie është persekutuar. Po t’i shtojmë kësaj edhe të tjerë  që nuk janë regjistruar fare, atëherë përqindja arrin përmasa rëqethëse.

Duke lexuar këto të dhëna mendova:

– Si ka mundësi që këtë ditë, asnjë personalitet shtetëror ose partiak nuk u kujtua ta përmendë? Si ka mundësi që mediat elektronike dhe ato të shkruara dhe, sidomos, TVSH-ja, për të cilën edhe ne të përndjekurit politikë paguajmë taksën, që janë mjaft të ndjeshme ndaj ngjarjeve të tjera, për këtë ditë heshtin? A ka mundësi të harrohen këto? Si mund të mos kujtohen për ditën gjenocidit komunist, kur këtë ditë e ka miratuar Kuvendi i Republikës? Çfarë është, harresë apo mosdashje?

Nuk jam në gjendje t’i jap përgjigje. Sido që të jetë, ajo është një çështje që nuk  nderon asnjë në vendin tonë. Madje do të thoja më tepër partitë politike, sidomos ato të djathta.

– Fjalë imzot, vetëm fjalë! – më pëshpëriti një mik që kisha pranë dhe që m’i kishte kuptuar mendimet e mia. – Politika shqiptare është bazuar vetëm në fjalë. Ajo kërkon të na përdorë si manekinë sa herë i nevojitemi.

Nuk doja t’i besoja fjalët e mikut tim. Por, para syve më dilnin edhe disa raste të tjera të heshtjes karshi ngjarjeve që kanë lidhje me përndjekien politike. Një rezolutë me 17 pika për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri, miratuar qysh në vitin 2006, prej së cilës janë realizuar vetëm dy, ajo e ngritjes së Institutit të Hetimeve të Krimeve të Komunizmit dhe ajo e shpalljes së një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, ditë që, fillimisht u caktua 21 maji, dita e revoltës së Spaçit, ditë që nga ana e autoriteteve nuk u përkujtua asnjëherë dhe që më vonë u zëvendësua me 20 shkurtin, ditën e rënies së monumentit të diktatorit. Më dilte vendimi i Këshillit të Ministrave nr 42, datë 14.01.2009 për projektligjin “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave të Krimeve të  Komnunizmit në Shqipëri”  miratuar  edhe nga Kuvendi i Republikës së  Shqipërisë,  ku  parashikohej  ngritja  e  “Obeliskut  të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit”, obelisk i cili, megjithëse kanë kaluar katër vjet nga miratimi i tij, ende nuk është ngritur. Më dilte vendimi tjetër i Këshillit të Ministrave që parashikonte zgjatjen e afatit të dorëzimit të dokumentave për dëmshpërblim, heqjen e nenit që parashikonte mospërfitimin e dëmshpërblimit për ata ish të dënuar politikë me nenin e terrorizmit, përdorimin e dokumenteve të Komisionit Tripalësh në përfitimin e këtij dëmshpërblimi, dhënien e dëmshpërblimit njëherësh për të gjithë ata ish të dënuar politikë mbi 85 vjeç, që Komisioni i Ligjeve e ktheu në 75 vjeç dhe që ende, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, nuk po vihet në rendin e ditës së Kuvendit . Më dilnin të gjitha këto dhe mendoja – Përse të ndodhte kështu, kur të gjithë autoritetet shtetërore flasin për përkrahjen që iu jepet ish të përndjekurve politikë?

Nga këto mendime më zgjoi miku im që përsëriti:

– Fjalë imzot, vetëm fjalë!

Një nismë e madhe e drejtuesit të Partsë Socialiste pushtoi të gjitha faqet e medias shqiptare. Sipas kësaj nisme në kupolën e kësaj partie na qenka formuar edhe një komision ose grup pune, quajeni si të doni, që do u merrka me përgatitjen e një programi për të përndjekurit politikë. Në krye të këtij komisioni qenka caktuar një zonjë ose zonjushe, bija e një ish të dënuari politikë, nga ata që dikur e ngrinin në qiell regjimin komunist për të “mirat” e tij, por që vetë diktatura i hëngri kokën. Me të u bashkua edhe një “kryetar shoqate të përndjekurish” me origjinë “nacionaliste” por që, çuditërisht, diku i kishte mbetur borxh diktaturës dhe disa individë të tjerë nga jashtëqitja e kësaj shtrese. E pra ky grup doli me një platformë për zgjidhjen e problemeve të të përndjekurve politikë.                       Duke menduar këto mua më lind pyetja- Sa shpejt jeni kthyer nga qabeja, ju mor drejtues dhe partia e juaj? A nuk ishte partia e juaj që, pas vitit 1997, na pushoi nga puna dhe hartoi një ligj dëmshpërblimi që na jepte vetëm një kafe në ditë, ligj që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese? Ju mund të thoni se këtë ligj e hartoi paraardhësi juaj dhe ju nuk mbakeni përgjegjësi për sa ka bërë ai. Por le të shohim periudhën kur ju jeni drejtues i saj. Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratohej rezoluta “Për dënimin e Krimeve të Regjimit Komunist në Shqipëri”? Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratoheshin ligjet e dëmshpërblimit dhe amendamentet e ndryshme për to? Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratohej ligji “Për Lustracionin në Republikën e Shqipërisë”? Përse një nga deputetët tuaj më me emër, ish-kryeministri Majko, i quajti “plehra” luftëtarët e batalionit 4000 të NATO-s që ishin vrarë në Shqipëri në përpjekje me forcat e sigurimit për rrëzimin e diktaturës komuniste?

Në këto çaste ndjeva përsëri zërin e mikut tim:

-Fjalë imzot, vetëm fjalë!

Një person me shumë ish-e, një ish-ministër, ish-nënkryetar i një partie të madhe të djathtë, ish-kryetar grupi parlamentar, ish-president që tani mban postin e kryetarit të një partie të re, por veshur me xhaketa të vjetra, ligjëron e ligjëron, duke thënë se u mbështetka te ish të përndjekurit politikë, madje ka mundur të grumbullojë pranë  vetes   edhe  disa  individë  të veçantë, premtoka se dashka t’ua shlyeka dëmshpërblimin këtyre për tre vjet. Unë mendohem dhe pyes përsëri:   – Përse nuk e bëri një gjë të tillë kur ishte në partinë e mëparshme?

Përgjigjen ma jep miku im:  – Fjalë imzot, vetëm fjalë!

A do të bjenë ish të përdjekurit politikë në vorbullën e kësaj loje fjalësh? Unë nuk do ta besoja. Por miku im më tregoi barcaletën e mëposhtme:

– Parandori romak Neroni i vuri zjarrin Romës. Banorët, të revoltuar, u ngritën dhe rrethuan pallatin perandorak. Perandori, i trembur, thirri këshilltarin e tij, të urtin Seneka dhe i kërkoi rrugëzgjidhjen. Seneka i tha:

– Thuaju që zjarrin e vunë të krishterët.

Në atë kohë krishterimi sapo kishte filluar të përhapej në Romë. Neroni e vështroi me vëmendje dhe i tha:

– A do të më besojnë?

Dhe Seneka iu përgjigj:

– Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!

A është e vërtetë një gjë e tillë? Ndoshta. Megjithatë nuk dua të besoj se ish të përndjekurit politikë do të mund të përdoren si manekinë. Në veshët e mi vazhdojnë të ushtojnë fjalët e mikut tim:Fjalë imzot, vetëm fjale.Deri kur Shqipëria do të vazhdojë me “Fjalë imzot, vetëm fjalë”?

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: krimet e komunizmit, Krimet e Luftes, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT