• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Njeriu i ri” dhe mungesa e kurajos civile

May 19, 2018 by dgreca

1-Reshat-Kripa-300x150

Nga Reshat  Kripa/

“Njeriu i  ri”, një term i shpikur nga propaganda komuniste. Kush ishte “Njeriu i ri” i krijuar nga sistemi i përmbysur? Ishte ai që spiunonte shokun apo vëllanë e tij, që ditën të qante dhe natën të nxirrte sytë. Ishte turma që brohoriste me ovacione udhëheqësit. Pëllëmbët e duarve të tyre kishin zënë kallo nga duartrokitjet. Zërat ishin ngjirur nga brohoritjet për “idhujt e pavdekshëm“. Një garë e pashpallur midis popullsisë ekzistonte se kush do të ishte më i pari në servilizmat. Ishin pjellat e “njeriut të ri”. Dhe këta njerëz i  shihnim të shkatërronin kisha e xhamia, të manifestonin rrugëve  për të dalë “vullnetarë“  për të jetuar “të lumtur“ në  “fshatin e lulëzuar”  që  jetonte  me bukë thekre apo misri, pa qumësht dhe pa mish  dhe që ishte i detyruar të punonte nga mëngjesi në mbrëmje vetëm për një grusht të hollash që nuk mjaftonin as për të mbajtur frymën. Përse ndodhte një gjë e tillë? Ishin pasojat e “njeriut të ri“. Individi kishte humbur personalitetin e  tij.

Vitet kaluan. Sistemi totalitar që kishte krijuar “Njeriun e ri” u përmbys. Por nuk ishte përmbysur ky “Njeri i ri“. Ai ishte shndërruar në një përbindësh që pak nga pak gllabëroi gjithë pushtetin politik dhe ekonomik të vendit. Ithtarët e sistemit të përmbysur i kthyen krahët atij sistemi dhe filluan ta mallkojnë dhe anatemojnë dhe sa hap e mbyll sytë filluan të çirren se gjoja me kohë na paskëshin luftuar për këtë demokraci. Por nuk dëgjova asnjërin prej tyre të hedhë botërisht poshtë të keqen që e kishte mbuluar për vite me radhë. Asnjë nuk e bëri një veprim të tillë. Shqipëria është shumë larg këtij nocioni të demokracisë. Deri më sot në vendin tonë nuk është ndjerë zëri i kurajos civile për të hedhur poshtë të keqen e madhe të së kaluarës, për të kërkuar ndjesë për këtë të kaluar dhe për të ecur përpara drejt së ardhmes. Ky zë nuk është ndjerë nga asnjë politikan, nga asnjë qeveritar, nga asnjë intelektual i shquar. Jemi i vetmi vend i botës ku kjo ndjenjë mungon.

Pasojat e këtyre “njerëzve të rinj“ i shohim sot në çdo hap të jetës. Ata na janë ngatërruar nëpër këmbë dhe nuk na lenë të ecim përpara. Ata i gjen kudo. Janë në krye të politikës dhe jetës shoqërore shqiptare, në krye të mediave dhe organizmave që veprojnë në vend. Oktapodët e saj kanë ndrydhur vullnetin e një populli të tërë. “Njeriu i ri” sot është shndërruar në politikan, analist, drogaxhi, trafikant e të tjera të këtij lloji.

                Kurajoja civile është një nga  vetitë më të çmuara të njeriut modern. Shembulli më i mirë në këtë drejtim janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë vendet e Bashkimit Europian, madje edhe ish-vendet e tjera socialiste të Europës Lindore. Kjo është demokracia e vërtetë. Kjo është kurajoja civile. Por sot me keqardhje dhe dhimbje po konstatoj se gjërat nuk janë plotësisht ashtu. Ne vazhdojmë të jemi të vonuar në rrugën tone, vazhdojmë të jemi të vonuar në rrugën drejt Europës. A do të vazhdojmë të jemi akoma nën tutelën e këtij “njeriu të ri“?

Më vjen keq që po e them por drejtuesve të shtetit shqiptar, të një pjese të partive politike dhe shoqatave të shumta u mungon kurajoja civile. Një gjë e tillë ndodh nga shkaku i mentalitetit komunist që ende ekziston në ndërgjegjet e tyre. Shfletoj faqet e internetit dhe më tërheq vëmendjen një faqe mbi dorëheqjet më të bujshme në botë. Ato janë të shumta por unë do të citoj ato më domethënëset.

Laila Freivalds, ish-Ministre e Punëve të Jashtme e Suedisë në vitin 2003, dha dorëheqjen pasi u kritikua se kishte shkuar në teatër  më 26  dhjetor 2014,  ditën  që  ndodhi  cunami  aziatik,

duke e akuzaur se nuk dëgjonte lajmet kur nuk ishte në punë.

Kancelari i  Gjermanisë  Perëndimore, Wili  Brandt, dha  dorëheqjen  pasi   asistenti  i  tij

personal Gunter Guillaume kishte qenë spiun i Gjermanisë Lindore dhe u akuzua se kishte një spiun në qeverinë e tij.

Baroni Geoffrey Howe, ministri më jetëgjatë në kabinetin  e Margaret Thatcher në Britani. Ka mbajtur gjithshtu edhe postet e Kancelarit të Thesarit, Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Jashtme dhe së fundi kryetar i Dhomës së Komunave dhe zëvendëskryeministër. Më 1 nëntor 1990 jep dorëheqjen  si pasojë e fjalimit të kryeminstres në Këshillin Europian, ku ajo deklaron për herë të parë se britania kurrë nuk do të fusë qoftë edhe një monedhë të vetme  në sistemin monetar europian.

Morihiro Hosokawa, politikan japonez që qëndroi në krye të qeverisë japoneze nga gushti 1993 deri në prill 1994, dha dorëheqjen pasi  tha atë që asnjë lider tjetër japonez nuk e kishte thënë për 48 vjet. Në fjalimin e tij përkujtimor për Luftën e Dytë Botërore, ai deklaroi se kjo luftë ishte “një luftë e gabuar, një luftë e agresionit”.

Lord Michael Bates mbërriti 2 minuta me vonesë në Dhomën e Lordëve dhe kjo gjë i ishte dukur shumë e turpshme. Ministri nuk kishte arritur në kohë dhe nuk ndodhej në sallë kur opozita kishte bërë një pyetje në drejtim të tij. Në momentin që mori fjalën ai i ishte drejtuar kryetares së Dhomës së Lordëve, Ruth Lister, së cilës i kishte kërkuar falje për vonesën dhe kishte deklaruar:

“Ju kërkoj falje që u tregova i paedukatë dhe nuk isha në vendin tim për t’iu përgjigjur pyetjes. Në pesë vjet për mua ka qenë privilegj t’iu përgjigjem pyetjeve në emër të qeverisë. Unë gjithmonë kam besuar se duhet të ngremë nivelin e mirësjelljes dhe respektin për t’iu përgjigjur pyetjeve. Më vjen turp që nuk isha në vendin tim për t’u përgjigjur dhe për këtë arsye i ofroj Kryeministres dorëheqjen time menjëherë.

Kjo është kurajoja civile. Ky është zëri i ndërgjegjes. Po në Shqipëri ky zë mungon. Janë vetëm dy raste kur ky zë është ndjerë këtu tek ne. I pari nga Sokol Nako, ministër në qeverinë Nano që dha dorëheqjen pasi aksidentalisht shtypi me makinë një qytetar dhe i dyti nga Fatmir Mehdiu që dha dorëheqjen kur ndodhi ngjarja e  Gërdecit.

Lidhur me sa më sipër dua  të theksoj tre raste të tjera që po të kishte vepruar zëri i ndërgjegjes duhej të kishin dhënë dorëheqjen. Por kjo nuk ndodhi.

Rasti i parë i përket ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Kur disa muaj më parë prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit si pjesëmarrës në grupin e Habilajve të arrestuar në Itali, një kor i madh korbash i dolën në mbrojtje duke e deklaruar si model të ndershmërisë. Sikur kjo gjë të kishte ndodhur në ndonjë vend të Europës Perëndimore, ju siguroj se personi menjëherë do të jepte dorëheqjen. Por personazhi ynë nuk kishte kurajon civile ta bënte një gjë të tillë. Përse? Arsyeja të bënë të besosh se ai e ndjente veten fajtor por nuk kishte kurajo të përballej me drejtësinë. Një gjë të tillë e bëri disa muaj më vonë, atëhere kur siç duket kishte marrë sigurinë e mbylljes së çështjes. Vendimi i  gjykatës kohët e fundit për “arrest shtëpie” e vërteton një gjë të tillë. Mos u çudisni nëse nesër ai del i pafajshëm dhe ndoshta mund të kthehet përsëri në postin e tij të lartë.

Rasti i dytë i përket ministrit aktual të punëve të brëndëshme, Fatmir Xhafa, i akuzuar për lidhje me të vëllanë, Agron Xhafa, që paska qenë dënuar në Itali me tetë vjet e dy muaj për trafik droge. Kjo akuzë është hedhur poshtë nga ministri. Unë nuk mund të them nëse është apo jo fajtor pasi këtë do ta zgjidhë drejtësia por, duke qenë vëllai i një të dënuari për krijimin e një bande të drogës, gjë që është vërtetuar edhe nga deklarata e bashkëpuntorit të tij, Albert Veliut, xhesti i parë që do të tregonte fisnikërinë e tij do të ishte dhënia e dorëheqjes. Por ai  nuk  e  bëri.Përse? Sepse i mungon kurajoja civile ose e ndjen veten fajor  dhe mundohet ta mbulojë fajin me forcën e pushtetit që gëzon.

Rasti i tretë i përket kreut të qeverisë, Edi Ramës. Në asnjë vend të botës nuk ekziston një

kryeministër që të qëndrojë në pushtet kur ministrat e tij akuzohen për korrupsion ose vepra të tjera penale që janë të vërtetuara. Por edhe ai nuk e ka kurajon civile të jap dërëheqjen. Përse? për të njejtat arsye si edhe për dy të sipër përmendurit.

Kjo është Shqipëria e sotme të nderuar lexues, Shqipëria në botën e çudirave. Por a do të vazhdojë gjatë në këtë rrugë? Unë nuk e besoj. Forca e arsyes së njerëzve të ndershëm që nuk i mungon vendit tonë do të dijë të gjejë rrugën për përmbysjen e pushtetit të korruptuar dhe krijimin e një shteti me të vërtetë demokratik që do të hyjë në Bashkimin Europian me ballin lartë.

Filed Under: Analiza Tagged With: “Njeriu i ri” dhe, mungesa e kurajos civile, reshat kripa

Homazh për mikun tonë Lirim Biçaku

May 7, 2018 by dgreca

 

1 shenje zije1 lirim-bicaku-c1200x600[1]

Nga Reshat Kripa/*

I nderuar miku  ynë!

Ju them mik se me të vërtetë i tillë ishe. Ti ishe këshilltari ynë i urtë, ishe burri me një karakter të fortë, i pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e intrigantëve të pamoralshëm.  Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde për në banesën e përjetëshme.  Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde të urtë. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Ishe i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak fisniku. Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.                Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta kur mblidheshim dhe diskutonim për të ardhmen e atdheut tonë të përvuajtur. Diskutonim për shoqatën tonë të nderuar që përfaqesonte frymën më demokratike të shoqërisë shqiptare, frymën e nacionalizmit shqiptar. Këtë  nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.

Ti i përkisje asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Doje të jetoje i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën tënde. Doje të jetoje në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut,  jetoje në një epokë të gabuar. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e  lira, ndjenjat e shpirtit  të pastër. Jetoje në atë epokë kur kishe dëshirë për të studiuar dhe nuk të linin të studioje, kishe dëshirë për të punuar dhe nuk të linin të punoje, kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as  të jetoje. Jetoje në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

Të nderuar familjarë. Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet tona. Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë .Ai ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim  në krahun tonë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes mikun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Qoftë i lehtë dheu që  i  ra përsipër!(Foto-Kortezi-Telegraf)

Filed Under: Opinion Tagged With: homazh, Lirim Bicaku, reshat kripa

Dy përvjetorë, dy figura të paharruara

March 7, 2018 by dgreca

1-Reshat-Kripa-300x150

Nga Reshat Kripa*/Ne këto shkrime do të përqëndrohem në dy figura të paharruara që mua më kanë mbetur në kujtesën time të pavdekshme. Shkrimi i parë, i bërë  në kuadër të 90 vjetorit te lindjes së saj, është për motrën time, Fatushe Kripa (Vlora), Tushi, siç  e thërrisnim ne dhe me këtë emër do ta përshkruaj tashti e tutje. (Së bashku në foto). 1 ReshatiKa  lindur më 8 mars 1928 në Vlorë. Ishte e katërta nga motrat e mia pas Lirisë, Qamilesë dhe Dritës.  Si dhe motrat e saja shkollën fillore e kreu në qytetin e Vlorës në vitet 1935– 1940. Po në vitin 1940 filloi edhe shkollën e mesme, kësaj here në Tiranë në shkollën pedagogjike femërore “ Nana Mbretëreshë “, që tashti kishte marrë emrin “ Nana Skanderbeg “, ku ishte edhe Drita. Ishte një nxënëse e nivelit të lartë. Ishte sistematike në përgatitjen e studimeve, gjë që e ruajti edhe kur doli në punë.

Kur familja jonë u dëbua për motive politike pa asnjë argument për në Vlorë, Tushi ndenji me Dritën për të përfunduar shkollën, të cilën e mbaroi në vitin 1948. Atë vit i doli bursa për shkollën e lartë në Jugosllavi, por prishja e marëdhënieve me të e bënë që të kthehej në Vlorë. Në atë kohë ishim në gjendje të vështirë ekonomike. Ishte periudha e krizës së bukës. Racioni ishte 400 gram bukë për të papunët dhe 600 gram për të punësuarit. Përveç kësaj ky racion ishte bukë misri.

Fillimisht filloi punë në Bankën e Shtetit Shqiptar. Në shtatorin e vitit 1948 u  emërua mësuese e klasës së tretë në shkollën Nr. 4. Në shtator 1949 kaloi mësuese në klasën e parë të shkollës Nr. 3. Në verën e vitit 1950 bëri një kurs dy mujor për mësuese dhe u emërua mësuese e gjuhë–letërsisë  në shkollën 7 vjeçare të Skelës. Në vitin 1952 emërohet në shkollën 7 vjeçare të Bishanit në buzë të lumit Vjosë. Kuptohet që një veprim i tillë u bë për motive politike.

Në periudhën 1953 – 1957 kreu me sukses fakultetin pedagogjik në degën gjuhë – letërsi me korespondencë. Në shtatorin e vitit 1955 emërohet në shkollën modelore ku qëndroi deri në vitin 1964, vit në të cilin u martua.

Vitet 1950 – 1961 ishin vitet më të vështira për familjen tonë. Unë dhe im vëlla Besniku ndodheshim në burg. Më kujtohet çasti i arrestimit tim. Tushi doli jashtë portës dhe duke më përqafuar më tha:

– Mbahu i fortë!

Këto fjalë më dhanë forcë kur qëndroja në qelitë e sigurimit, apo kur meresha në pyetje nga hetuesit. Më kujtohet edhe çasti i kthimit tim në Vlorë, kur u lirova pas pesë vitesh. Kur mbërrita  në  stacionin  e  autobuzit  më  priste  babai. Atëherë  banonim  në  lagjen  Varosh  në  shtëpinë  e Thoma Shytit. Nuk kishim bërë veç fare pak hapa, kur vjen Tushi  dhe  më përqafon duke derdhur lotët. Në atë moment edhe unë u përlota. Babai na pa dhe foli:- Mjaft tani! Lërini lotët për në shtëpi.

E   njëjta   skenë   u   përsërit   edhe   në   dhjetorin   e   vitit  1961,    kur   u  lirua   Besniku. Kishim dalë për ta pritur unë, Qamilea dhe Tushi. Besua ishte dobësuar jashtë mase. Përveç kësaj ishte edhe i sëmurë. Një gjendje e tillë i preku shumë si Tushin ashtu edhe Qamilen. Të dyja filluan të lotonin dhe m’u desh mua t’u flisja për të pushuar.

Në këto vite u  çfaq karakteri i vërtetë i Tushit. U çfaq vetmohimi dhe sakrifica e saj e pa treguar. Nuk na u nda në çdo vend që ishim duke filluar që nga Nizhaveci i  Maliqit  në  Gosë  të Vogël të Kavajës, nga Ura Vajgurore në Shtyllas të Fierit, nga Bulqiza në Rinas, nga Zadrima në Divjakë, nga Bubullima në Thumanë, nga burgu i Vlorës në atë të Tiranës. Në çdo gërxhe dhe shkrepa që na shpinin, ajo na ndiqte nga prapa, deri sa na kthyen shëndoshë e mirë në gjirin e familjes.

Edhe pas lirimit Tushi u bë kujdestarja e jonë, mësuesja e jonë. Kur u liruam ruanim ende mentalitetin e burgut, një mentalitet i ndryshëm nga ai që sundonte në jetën e përditëshme të njerëzve. Ishte merita e saj që na përshtati me mentalitetin e ri, që na shpëtoi nga një gabim i dytë që do të na kushtonte shumë shtrenjtë si neve ashtu edhe gjithë familjes.

Në korrik 1964 martohet me Xhevdet Vlorën, nipin e Ismail Qemal Vlorës, babait të pavarësisë së Shqipërisë. Si rezultat i martesës u lindën dy fëmijë Ada më 21 prill 1965 dhe Qemali, ose Luli siç e thërrasin të gjithë,  më 6 shtator 1966.

Tushi vazhdoi punën e saj si mësuese gjuhe dhe letërsie nëpër shkolla të ndryshme të kryeqytetit si “ Kushtrimi i Lirisë “ dhe “ 1 Qershori “ ku doli edhe në pension në vitin 1978. Pjesën tjetër të jetës e kaloi duke u kujdesur  që fëmijtë të mësonin sa më mirë dhe të bëheshin njerëz të devotshëm dhe ata ia shpërblyen në të njëjtën mënyrë.

Në vitin 2002 pësoi një ishemi cerebrale që e dëmtoi shumë dhe që pas pak muajsh u përsërit duke e lënë përfundimisht në shtrat. Në këtë mënyrë lëngoi për pesë vjet. Por kujdesi i fëmijve ishte i paparë. I caktuan një grua që i shërbente dhe i plotësonte çdo dëshirë që ajo kishte.. Së fundi më 16 janar 2007  mbylli  sytë  dhe  u  nis  për në parajsën që i takonte. Ishte një humbje e madhe për të gjithë ne. Humbëm motrën tonë të dashur që kishte sakrifikuar gjithçka për familjen.

***

MBESA-JAROSHKA1 JarushkaShkrimi i dytë i përket mbesës sime, në 50 vjetorin e lindjes, pikërisht 20 vjet më vonë se tezja e saj, motra e përmendur më sipër. Bëhet fjalë për Jaroshka Pelingun (Murati) që ne të gjithë e thërrisnim Oshka. Origjina e emrit të saj ka një histori të veçantë. Disa muaj më parë se të lindte ajo, prindërit e saj Hysen dhe Drita Pelingu kishin shkuar  në një festival që zhvillohej në Budapest. Atje u kishte rënë në sy një vajzë e vogël që shiste gështenja të pjekura në rrugë. Ishte një vajzë shumë e bukur. E pyetën për emrin.  “Jaroshka’ i ishte përgjigjur ajo. Ky emër iu mbeti në mendje dhe ia vunë vajzës së tyre.

Oshka lindi në Tiranë më 8 mars 1948. Shkollën 7 vjeçare dhe atë të mesme e kreu në Liceun Artistik “ Jordan Misja “ ku u diplomua për violinë në vitin 1966. Pikërisht atë vit ne na kishte vdekur nëna. Jaroshkën e emëruan mësuese muzike në shkollën “ Qemal Gorishova “ në Vlorë. Erdhi të banonte te ne. Shpejt me sjelljen e saj fitoi simpatinë e kolegëve të tjerë të shkollës. Ishte gëzimi i familjes tonë në ato vite kur vdekja e nënës na kishte shkaktuar një zbrazëtirë të  madhe.

Në një farë mënyre  mënyre ajo u bë shkak që të na hiqej sado pak hidhërimi ynë dhe veçanërisht mua dhe bashkëshortes sime, me të cilën ishin pothuajse bashkëmoshatare.   U lidhëm në mënyrë të veçantë me të. Bisedonim për çështje të ndryshme nga të gjitha fushat e jetës, shkonim  në  kinema, teatër apo estradë. Ndonjëherë shkonim në ndonjë pistë vallzimi, ku hanim edhe ndonjë pastë apo akullore, sipas të ardhurave që kishim.

Në Vlorë Jaroshka qëndroi katër vjet, deri në verën e vitit 1970, kur mundi të transferohej pranë familjes, duke u emëruar si violiniste në orkestrën e Radio Televivizionit Shqiptar. Në këtë punë vazhdoi për shumë vjet deri sa kaloi në diskotekën e radios, ku punoi deri në ditën që doli në pension.  Jaroshka mundi të mbaronte edhe Universitetin e Tiranës në degën gjuhë – letërsi me korespondencë. U martua me Ferdinand Muratin, ose Fojdin siç e thërrisnin, një redaktor në televizionin shqiptar, nga Elbasani. Fojdi ishte një  djalë  i  mirë,  i  përkushtuar  për  familjen. Si rezultat i  martesës iu lindën dy fëmijë, një djalë Erioni dhe një vajzë Orjana.

Erioni mbaroi shkollën e mesme. Drita me Hysenin, duke mos patur vetë djalë, u lidhën jashtë mase me të. Mund të themi pa hezitim se ishin ata që e rritën. Erioni zinte një vend të veçantë në zemrat e tyre, njëlloj si dikur babai im që u lidh me djalin tim, Tanin, pas vdekjes së nënës. Në vitin 1997 ai mori rrugën e emigracionit duke përfunduar në Francë. Atje u njoh me një franceze, Viktorian, me të cilën u martua dhe u lindi një vajzë Dea. Erjoni tani banon në Tiranë.   Orjana mbaroi shkollën e mesme në Tiranë. Pastaj u rregjistrua dhe filloi studimet në Universitetin e Bukureshtit. Atje u njoh me Johanin me të cilin u martua. Por fati nuk i eci. Një sëmundje e rëndë e ndau nga jeta në një moshë fare të re, në vitin 2012.Disa muaj më pars,  në të njejtin vit, u nda nga jeta edhe e ëma, Oshka, e cila vuante edhe ajo nga e njejta sëmundje me të bijën.

Këto humbje të rënda ndikuan tepër në zemrën e motrës time. Dritës, e cila i mbylli sytë dhe shkoi pranë tyre më 3 tetor 2013. Por dhimbjen më të madhe e ndjeu Ora, vajza e dyte e familjes, e cila brenda një viti humbi tre njerëzit më të dashur për të.

* “Historia e familjes Kripa”

Filed Under: Politike Tagged With: dy figura, Dy përvjetorë, reshat kripa, të paharruara

Masakra e padënuar

February 25, 2018 by dgreca

Bomba-ne-Ambasaden-Sovjetike

Nga Reshat Kripa/

Në këtë përvjetor të masakrës së pashembullt që regjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike në shkurt të vitit 1991, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve. Kush ishte ajo forcë që u dha mundësi këtyre heroinave për të mbijetuar në ato kushte ferri? Padashur më kujtohet thënia e filozofit të shquar gjerman Friedrich Nietzsche që shkruante:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku….

Po, ishte gjaku dhe origjina fisnike që i mbajti aq lart këto gra, vajza dhe djem. Fisnikërinë e tyre nuk mundi ta thyente as terrori dhe as metodat e tjera djallëzore të përdorura nga rregjimi.                                                                                               Fola vetëm për këto pesë familje, pasi këto erdhën në qytetin tim dhe e kemi ndarë vuajtjen së bashku, por nuk mund të rri pa përmendur edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera të shpërndara nëpër Shqipëri, fati i të cilave ishte i njëjtë me këtë të këtyre që përmenda më sipër.

Kujtoj këto dhe para syve më dalin njëzetedy martirët e kësaj masakre të paramenduar që filloi më 19 shkurt dhe brenda një jave, deri më 26 shkurt, gjithçka ishte kryer, duke filluar nga arrestimet masive dhe deri në ekzekutimin makabër. Një veprim i theksuar servilizmi të paparë i një kllouni politik ndaj “mikut më të madh të popullit shqiptar, Bashkimit Sovjetik”, i njëjtë me atë të shprehur disa vite më parë kur braktiste Kosovën martire në favor të  “vëllezërve jugosllavë” të cilëve u shërbente si shërbëtori besnik i padronit.

Kush ishin këta martirë?

Sabiha Kasimati, Pjerin Guraziu, Anton Delhysa, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaceli, Manush Peshkëpia, Mehmet Shkupi, Niko Laze, Lluka Rashkoviç, Haki Kodra, Reiz Selfo, Myftar Jegeni, Thoma Katundi, Hekuran Troka, Qemal Kasaruho, Tefik Shehu, Gjon Temali, Fadil Dizdari, Petro Konomi, Pandeli Nova dhe Ali Qorralliu.

Nder dhe respekt kujtimit te tyre te paharruar.

Ja si është shprehur krimineli Mehmet Shehu, kryeministër i asaj periudhe, lidhur me këtë ngjarje në mbledhjen e byrosë politike:

Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, po një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba dhe kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë që do të marrim duhet të jetë në një shkallë të tillë, te elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kasaruho etj, sonte ti arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre ti pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të proçedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana, të familjeve reaksionare brenda një muaji.

Ndërsa të gjithë anëtarët e tjerë të byrosë politike i përgjigjen një zëri:

 Të gjithë jemi dakort me këto masa.

Lidhur me sa më sipër CIA ka hedhur dritë mbi ngjarjen e 1951. Ajo thekson:

 Në Shqipëri besohet gjerësisht se bomba ishte një inskenim i autoriteteve shqiptare për të justifikuar fushatën e radhës së spastrimeve në parti. Ky version mbështetet dhe nga fakti që pas saj u arrestuan rreth 1000 shqiptarë (50 prej të cilëve u pushkatuan pa gjyq dhe familjet u internuan në kampe)

Kjo ishte Shqipëria socialiste e asaj periudhe. Po sot çfarë po bëhet për nderimin e këryre figurave  dhe integrimin e trashëgimtarëve të tyre? Çdo gjë është lënë në heshtje. Edhe një rezolutë e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006, në të cilën deputetet socialistë dolën nga salla, megjithëse kanë kaluar mbi njëmbëdhjetë vjet asnjë pikë e saj nuk është realizuar.

Është miratuar një ligj mbi dëmshpërblimin financiar të të dënuarve politikë nga regjimi komunist por ndonse kanë kaluar gati dhjetë vjet ende ka mbetur për në kalendat greke zbatimi i saj. Deri kur vallë?  Madje sipas një projekt-ligji që po përgatit qeveria Rama u hiqet e drejta e dëmshpërblimit trashëgimtarëve të rradhës së dytë, një qëndrim i theksuar armiqësor ndaj kësaj shtrese fisnike që e pagoi lirinë dhe demokracinë me gjakun e saj.

Në  rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Nr. 1481 (2006) “Nevoja për Ndëshkimin Ndërkombëtar të Krimeve të Regjimeve Totalitare Komuniste” theksohet:

“Asamblea  beson  që  viktimat  e  atyre  krimeve  që  u realizuan nga regjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara”

Ndërsa. zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës deklaroi:

Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi të  ketë  ardhur  në  pushtet  dhe  të  ketë  qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Janë pikërisht këta lakej të komunizmit që sot janë në pushtet madje disa prej tyre në poste drejtuese në kuvend, qeveri apo drejtësi që i kanë ngritur zërat e tyre të ngjirur duke  duke hedhur baltë mbi martirët e vërtetë të këtij kombi, midis të cilëve edhe këta martirë.

Nuk është e rastit që në vendin tonë, si në asnjë vend tjetër të ish-sistemit socilaist, që një qeveri që e quan veten demokratike të jetë në aleancë me parti që në programin e tyre kanë sisetmin komunist, që hymnizojnë diktatorin Enver Hoxha, që nxjerrin gazeta me propagandë të hapur komuniste apo që shfaqin në ekranet e disa televizioneve  filma shqiptar të periudhës së përmbysur që hymnizojnë atë periudhë. Nuk është e rastir që edhe televizioni shtetëror shqiptar, për të cilin paguan takse çdo shqiptar, ka filluar të shfaqë filma të këtij karakteri.

Sipas një libri të një ish-profesorit tim të nderuar që kishte vizituar Gjermaninë, deri rreth viteve 80-të në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Po tek ne çfarë po ndodh? Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende vazhdojnë të ngulen në eshtrat e martirëve tanë që prehen në ato varreza.

Deri kur do të vazhdohet në këtë mënyrë?

Filed Under: Featured Tagged With: Masakra e padënuar, reshat kripa

Homazh për të rënët e lirisë

February 7, 2018 by dgreca

Mehmet Babani- 70 vjet më parë/

1 kripaaa-c1200x600

Nga Reshat Kripa/

Më 25 janar 2006 Asamblea Parlamentare e KE-së, me 99 vota pro, 42 kundër dhe 12 abstenime, miratoi rezolutën Nr. 1481 (2006) “ Mbi nevojën për dënimin ndërkombëtarë të krimeve të rregjimeve komuniste “. Pro kësaj rezolute votoi edhe delegacioni parlamentar shqiptar.  Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Por, për një vend të tillë si Shqipëria, ku diktatura komuniste ekzekutoi mbi 6.000 persona,  burgosi mbi 17.000 nga të cilet mbi 1000 ndërruan jetë në qelitë e burgjeve, dhe internoi mbi 22.000 familje ku humbën jetën mbi 10.000 burra, gra dhe fëmijë, është absurde të besosh se vendi ynë ka zbatuar vendimet e marra nga kjo asamble.

Ja si i përshkruan këto krime iniciuesi i rezolutës së mësipërme, suedezi Goran Linblad:“Një tipar i rëndësishëm i krimeve të komunizmit, ka qenë represioni i drejtpërdrejtë kundra gjithë njerëzve të pafajshëm, krimi i të cilëve ishte vetëm prania në këtë kategori. Në këtë mënyrë,   në  emër  të  ideologjisë,  rregjimet  kanë  vrarë dhjetra milionë kulakë, fisnikë, borgjezë dhe grupe të tjera.“

Ky tmerr ndodhte në shekullin e njëzetë, në “Shekullin e Megavdekjes“ , siç do ta quante Zbigniev Brzhezhinski në librin e tij “Jashtë kontrollit“ botuar në vitin 1993. Në librin e mësipërm paraqet shifrat e viktimave civile të shkaktuara gjatë shekullit të kaluar.Sipas këtij libri, Lufta e Parë Botërore shkaktoi 13 milion viktima, ajo e dyta 35 milion, ndërsa holokausti komunist 65 milion njerëz., shifër kjo që, sipas të dhënave të fundit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara, arrin në gati 100.000.000 vetë Vini veshin. Ndërsa në të dy luftrat botërore u zhdukën 48 milion njerëz, gjatë periudhës së sundimit komunist kjo shifër arriti dyfishin e të dy luftrave.. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, këto vrasje kryheshin   në   periudhë   paqeje,   me   gjakftohtësi    dhe cinizëm,   me   ndërgjegje  të  plotë  prej  sadisti,  vetëm  e vetëm se dikush mendonte ndryshe nga sundimtari.

Të flasësh për genocidin komunist të ushtruar nëpër burgje dhe kampe, është njëlloj sikur të përshkruash tmerret e ferrit. Pyetini ata që kanë mundur të shpëtojnë gjallë nga këto tmerre dhe do të mësoni ngjarje të padëgjuara ndonjëherë, të pakonceptuara për një mendje të shëndoshë. Do të mësoni për burgje dhe kampe të krijuara posaçërisht për shfarrosjen e njerëzve, për tortura të lemerishme të ushtruara mbi nacionalistë të shquar dhe intelektualë demokratë që jetën e tyre ia kushtuan atdheut.Lufta kishte mbaruar. Krismat e armëve kishin pushuar. Por jo gjuetia e njerëzve. Ajo vazhdonte me gjithë egërsinë e saj. Viktima të kësaj në rradhë të parë ishin mendjet më të ndritura të vendit, intelektualët më të shquar të kohës, të diplomuar në universitetet më në zë të kohës së atëhershme. Dhe tragjedia e këtyre njerëzve të shquar ishte se gjykoheshin nga njerëz inkopetentë, që ishin të aftë vetëm për krime dhe jo për drejtësi. Kështu jo në pak raste teneqexhiu gjykonte mjekun apo avokatin, nallbani profesorin apo shkrimtarin, kovaçi inxhinierin apo klerikun e nderuar. Një gjë e tillë ndodhte në të gjitha qytetet e vendit.

Turma injorantësh endeshin rrugëve të qytetit, plot urrejtje për bashkatdhetarët e tyre, të etur për gjak të pafajshmish. Një luftë e re kishte filluar, lufta kundër çdo shenje të nacionalizmit shqiptar. Pothuajse në çdo qytet zhvilloheshin gjyqe speciale. Vendimet ishin monstruoze. Me dhjetra të pushkatuar. Me qindra të dënuar me dënime të rënda. Me mijra të internuar  në  kampet e çfarrosjes. Shoqëria shqiptare ishte ndarë në dy kampe armike, në proletarë që duhej të sundonin dhe në borgjezë që duhej të çfarroseshin.

Studiuesi i njohur Giovani Sartori në studimin e tij “Edhe një herë për teorinë e demokracisë“, botuar në vitin 1987, shkruan:”Njerëzit që kurrë  nuk  e  kanë  njohur  diktaturën  dhe  tiraninë  e  kanë  të  lehtë  të  jepen  pas retorikës për lirinë duke harruar fare realitetitn  e thjeshtë dhe  të  tmerrshëm  të  shtypjes  së  njimendtë atje ku ekziston përnjimend“.

Sot, në emër të lirisë, flasin dhe rrahin gjoksin, më tepër se kushdo tjetër, pikërisht ata që e ndihmuan sistemin totalitar të qëndronte në këmbë për një periudhë aq  të  gjatë.  Këta  korba  të zinj janë pikërisht ata që nuk e kanë ndjerrë kurrë mbi shpatullat e tyre peshën e rëndë të diktaturës. Janë ata që nuk kanë provuar kurrë çdo të thotë të humbasësh një familje të tërë, në holokaustin më të egër që ka parë bota

Dëgjoj faqet e shtypit të përditshëm nëpër organet televizive dhe nuk shoh asnjë lajm, sikurse edhe shumë herë të tjera, mbi një masakër të zhvilluar në qytetin e Korçës më 4 shkurt 1948. Duket sikur autorët e këtyre krimeve apo pinjollët e tyre përpiqen t’i kalojnë në heshtje këto krime monstruoze deri sa të harrohen. Por ne nuk harrojmë. Ne do t’i kujtomë vazhdimisht ato mendje të ndritura, madje do t’ua lemë trashëgim edhe bijve tanë që të njihen me historinë e vërtetë të këtij vendi.

Le të hyjmë në ngjarjet për të cilat bëhet fjalë.

Pas goditjes që iu bë të ashtuquajturit “Grupi i Deputetëve“, një raprezalje e tmerrshme nisi në të gjithë Shqipërinë, që nga Shkodra deri në Vlorë dhe që nga Tirana në Korçë duke përdorur të njejtin skenar të së ashtuquajturës lidhje të elitave kundërevolucionare me grupin e cituar më lartë, gjoja për të rrëzuar pushtetin popullor. Një numër i madh pushkatimesh apo dënimesh me afate të gjata burgu deri në burgim të pëtjetshëm zhvilloheshin në të gjithë vendin

Po cilët ishin të ashtuquajturit kundërevolucionar të grupit Korçës?

Qazim Frashëri, një pinjoll i familjes së madhe të frashërllinjve, vëllai i Faslli Frashërit që kishte udhëhequr demostratat antifashiste në Korçë. Ishte një intektual i shquar dhe një patriot i vërtetë.

Bexhet Frashëri edhe ky një pinjoll tjetër i asaj familje edhe ai gjithashtu intelektual i njohur.

Mehmet Rushan Babani, noter në qytetin e Korçës. Kishte përfunduar studimet e larta juridike në Stamboll. Pjesëtar i revolucionit xhonturk në vitin 1908. U rezistoi me armë në dorë andartëve grekë që, si hakmarrje, i dogjën shtëpinë në Baban në vitin 1914. Mori pjesë në drejtimin e Republikës Autonome të Korçës në vitet 1916-1918. Më vonë, i zhgënjyer nga politka në Ballkan, ishte tërhequr duke u kthyer në profesionin e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk mund të rinte sehirxhi por u përfshi në vorbullën e ngjarjeve. Nuk mund të shkëputej nga ndjenjat atdhetare por filloi të ushtronte ndikimin e vetë në dobi të unitetit kombëtar. Ishte koha kur forcat balliste bashkëpunonin me ato të Frontit Nacionalçlirimtar. Ishte ndërmjetës për sigurimin dhe bashkëpunimin ndërmjet çetës komuniste të komanduar nga Fuat Babani dhe asaj balliste me në krye Safet Butkën. Kjo vërtetohet edhe me faktin se një pjestar i familjes së tij, Sedat Babani, që rezulton dëshmor partizan, u vra në rrethana të dyshimta  në betejën për çlirimin e Krujës. Në kohën që  me vdekje me pushkatim dënohej Mehmet Babani në Korçë, njëri nga djemtë e tij, Fiqiret Babani, ishte  mjek  ushtarak, shef  i  shëndetësisë  së divizionit të Gjirokastrës.  

Faik Rushan Babani, vëllai i Mehmetit, edhe ky jurist studiuar në Stamboll. Kishte  marrë

pjesë, bashkë me të vëllanë, në revolucionin e xhonturqve dhe në ngjarjet e vitit 1914 kundër andartëve grekë. Pjesëmarrës i lëvizjes së Fan Nolit dhe  më vonë, pas amnistisësë së shpallur nga mbreti Zog, kthehet në Shqipëri dhe përfshihet në administratën shtetërore.

Nafiz Babani (Mero), nip i Mehmetit dhe Faikut (djali i kushëririrt të tyre) kishte mbaruar akademinë ushtarake të Modenës në Itali. Më 7 prill 1939 ishte komandant dhe udhëheqës i luftëtarëve që mbronin qytetin e Sarandës.. Pas pushtimit fashist u largua jashtë shtetit. Në atë periudhë mbreti Zog u bëri thirrje gjithë ushtarakëve të larguar nga atdheu të ktheheshin në Shqipëri për të mos lejuar që xhandërmaria kombëtare të binte në duart e italianëve. Kësaj thirrje iu bashkua edhe Nafizi. Gjatë luftës italo-greke, duke qenë ne krye të një batalioni shqiptar nxiste dhe ndihmonte shumë ushtarë që të dezertonin nga rradhët e ushtrisë dhe të ktheheshin në vendet e tyre. Qëndrimin e tij në atë detyrë e justifikonte me qëndrimin besnik të betimit që kishte bërë si ushtarak.  Pas vitit 1944 u tërhoq nga karriera ushtarake dhe u kthye për të jetuar në Progër të Korçës.

Qani Sulejman Vinçani, avokat, dikur protagonist në ngjarjet e Republikës së Korçës në mitingun e fundit të zhvilluar në vitn 1920. Ishte kunati i Mehmetit dhe Faikut. Ka qenë deputet opozitar në parlamentin e mbretërisë së Zogut. Dy djemtë e tij, Vandush dhe Valter Vinçani kanë qenë aktivistë të lëvizjes nacionalçlirimtare. Në kohën që Qaniu dënohej, i biri Vandushi vazhdonte të ishte në organet drejtuese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe vetëm pas ngjarjeve të Konferencës së Tiranës në vitin 1956 u dënua.

Fadil Garo, tregëtar në Korçë, një person i afërt me familjen Babani.

Nexhip Lamçe, një fermer i zakonshëm nga Starova e Pogradecit.

Këta dhe disa të tjerë nga Devolli i Korçës ishin protagonistët e kësaj tragjedie të madhe.

Arrestimet e të mësipërmve filluan më datën 17 maj 1947 dhe përfunduan në fund të muajit korrik të atij viti. . Më datën 22 nëntor 1947 u dha vendimi i gjyqit të tyre. Gjyqi i zhvillua nga një bandë terroriste dhe e pashkolluar e përbërë prej Bexhet Memës, Agush Gjergjevicës dhe Loni Dimoshit, asistuar nga një kapter, Shaban Pogradeci dhe me prokuror Aranit Çelën.

Akuzat ishin fare qesharake. Ndërmjet të tjerave përmenden gjoja marrja e të hollave nga jashtë shtetit për t’i përdorur për përgatitjen e kryengritjes dhe se gjoja paskan dhënë  të holla edhe nga xhepet e tyre për t’ia arritur këtij qëllimi. Akuza të tjera ishin terrorizmi dhe vrasjet që paskeshin bërë. Po kë kishin vrarë? Trupi gjykues nuk paraqiti asnjë emër pasi asnjë prej tyre nuk kishte vrarë.

Cili ishte vendimi i gjyqit?

Qazim Frashëri nuk arriti të dilte para gjyqit. Atë e kishin mbytur në tortura qysh në organet e sigurimit dhe kishin hapur fjalën se gjoja ishte vetëvrarë. Por me se?

Mehmet Babani, Fadil Garo, Nafiz Babani (Mero) dhe Nexhip Lamçe me vdekje me pushkatim

Të tjerët me burgime që fillonin nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Vendimi u zbatua plot 70 vjet më parë më 4 shkurt 1948.

Për ironi të fatit një pasardhës  i fisit Babani, i pyetur nga një ish-partizan për fatin e Nafiz Babanit (Meros), duke mos dashur që t’i thotë se e kishin pushkatuar i thotë:

  • Ka vdekur.

Dhe ish-partizani i hidhëruar i ishte përgjigjur:

  • E kam pasur komandant batalioni kur isha ushtar  në  luftën  italo-greke. Ishte  trim,  i

zgjuar dhe na nxiste që të dezertonim. Vete nuk erdhi me ne pasi kishte bërë betimin ushtarak. E shihni sa e mirë është partia jonë? Atë njeri nuk e paska dënuar.

Fatkeqi nuk e dinte se si kishin rrjedhur ngjarjet dhe indoktrinimi e bënte të besonte në drejtësinë e një partie kriminale dhe kriminelëve që i shërbenin asaj me nje bindje prej skllavi.

Kanë kaluar 70 vjet nga ngjarja e mësipërme. Nuk kam degjuar asnjë President të Republikës të nderojë veprën e tyre të pavdekshme me ndonjë dekoratë, titull apo medalje. Me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Krahinës Autonomike të Korçës, Këshilli i Qarkut në vitin 2016 i ka dhënë Mehmet Babanit titullin “Personalitet i shquar“ me motivacionin:

“Personalitet i Qarkut të Korçës, pjesëmarrës dhe aktivist në ngritjen e Krahinës Autonome të Korçës gjatë periudhës së funksionimit të saj (dhjetor 1916-shkurt 1018) dhe organizimin e administratës shqiptare“

Unë mendoj se kjo nuk është e mjaftueshme. Veprimtaria e tyre nuk i shërben vetëm Qarkut të Korçës por gjithë Shqipërisë, madje të gjithë kombit shqiptar. Ai dhe shokët e tij a nuk do të ishin në nderin e Presidentëve të Republikës të vlerësoheshin për aktivitetin e tyre kombëtar? Po të munden le të përgjigjen.

Filed Under: Histori Tagged With: Kujtese, Mehmet Babani, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT