ROLI I AUSTRO-HUNGARISË NË SHKOLLIMIN SHQIP NË MAL TË ZI (1916-1918)
Nga Dr.Nail Draga/
1.Hyrje/
Për opinionin e gjerë është e njohur se pas vendimve të Kongresit të Berlinit(1878) vise dhe vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi. Një veprim i tillë ngjau edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1912/13), sepse kufiri i Malit të Zi u zgjerua nga lindja duke aneksuar territore të reja të cilat ishin të banuara popullsi shqiptare. Me rastin e vendosjes së administrimit të ri pushteti malazias çështje parësore kishte ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë, duke marrë parasysh së shqiptarët ishin homogjen në viset e tyre autoktone. Andaj për t ia arritur qellimit pushteti aktivizoi dy metoda: kolonizimin e viseve dhe vendbanimeve shqiptare si dhe asimilimin përmes arsimimit në gjuhën sllave. Të vetëdijshmëm për rrethanat e krijuara shqiptarët u përpoqen të rezistojnë sa kishin mundësi, por një numër i konsideruar i tyre u shpërngulën duke u vendosur në Shqipëri, e ate kryesisht në Shkodër. Por, në rrethana të reja gjatë Luftës së Parë Botërore në viset shqiptare në Mal të Zi Monarkia Austro-Hungareze, hapi shkollat e para në gjuhën shqipe. Ishte ky një veprim përfid i pushtetit për të fituar simpatinë e shqiptarëve, që pati jehonë pozitive në aspektin arsimor, kulturor e kombëtar, sepse në shkollat e hapura nga Ulqini e deri në Rozhajë, tingëllojë bukur gjuha shqipe si asnjëher më parë. Një veprim, i tillë për shqiptarët nuk ishte befasi duke marrë parasysh rolin vendimtar të Monarkisë Austro-Hungareze në Pavarësinë e Shqipërisë.
Përveç literaturës së konsultuar po ashtu si burim të veçantë kemi edhe gazetën ”Posta e Shqypnies”(1916-1918) e cila dilte në Shkodër, me kryeredaktor P.Gjergj Fishtën, që ka përcjellur me kujdes ngjarjet e ndryshme e në veçanti ato arsimore gjatë kësaj kohe tek shqiptarët në Mal të Zi.
2.Interesimi i Austrisë për shqiptarët
Ndikimi i austriak në Shqipëri ishte i lidhur edhe me të drejtën e mbrojës së kultit dhe të kishëssë krishterë në Perandorinë Osmane, të siguruar me një sërë traktatesh ndërkombëtare. Duke filluar nga Paqa e vitit 1615, e nënshkruar në mes Perandorit Matie e Sulltan Ahmetit të II, duke vazhduar nëto të viteve 1681, 1699, 1718, 1739, 1791, mori përvijim ajo qe njihet si politika e Kultusprotektoratit. Perandoria Austro-Hungareze kishte të drejtën e kontrollit të zbatimit të këtyre trakteve dhe me 1837 Papa ia kaloi Austrisë mbrojtjen e të drejtave të katolicizmit në Shqipëri. Në kuadrin e kultusprotektratit, Vjena zhvilloi një veprimtari të gjerë kulturo-arsimore, shkencore, fetare dhe propogandistike.
Politika arsimore austriake dhe rritja e ndikimit të saj ë zhvillimet arsimore e kulturore ndër disa kombësi, është e lidhur dhe e ndihmuar edhe nga disa dispozita ligjore të Qeverisë së Vjenës. Në vit1848 ajo hartoi ligjin, sipas të cilit “…në shkollat fillore fëmijët duhet të mësohen në gjuhën e tyre amtare”.Një gjë e tillë u përforcuaa me dispozitat ligjore të vitit 1849.
Kurse neni 17 i ligjit shtetëror austriak i datës 21.12. 1867 për problemet e arsimit, theksonte se “çdo kombësi ka të drejtë të ruaj dhe kultivojë individualitetin e vet kombëtar dhe gjuhën e vet popullore” dhe se “ në këto vise ku disa kombësi jetojnë së bashku, shkollat duhen rregulluar në atë mënyrë që në to të kultivohet edhe gjuha e kombësisë tjetër”.
Edhe pas krijimit të Perandorisë Austro-Hungareze, më 14 nëntor 1868, në disa dispozita ligjore, si ajo evitit 1876, trajtohet çështja e arsimit dhe e të drejtave të pakicave kombëtare. Ndikimi kulturor austriak ndër shqiptarët dhe në Evropën lindore është i lidhur edhe me lëvizjen “Mbi autonominë kulturore kombëtare”,mjaft e përhapur para Luftës së Parë Botërore. Pas kësaj teorie, kombësitë e ndryshme në territorin e një shteti duhet të formojnë lidhjet e tyre kombëtare, të cilat duhet të përqëndroheshin në çështjet kulturore dhe zhvillimit arsimore e të kulturës austriake, por njëheri, ka ndihmuar edhe në zhvillimet e kulturës kombëtare të kombësive të tjera.
Në kuadrin e kësaj politike dhe këtyre synimeve Austro-Hungaria e përqëndroi vëmendjen në ndërtimin, rindërtimi mirëmbajtjen e kishave e përgatitje të klerit katolik në hapjen e shkollave për shqiptarët. Deri në shpalljen e Pavarësisë Austro-Hungaria vetëm në Vilajetin e Shkodrës subvenciononte 47 shkolla fillore nga të cilat 10 femërore.
Por, rrethanat zhvillimit arsimor në periudhën 1916-1918, nuk duhet t shpjegohen vetëm me shkaqe fetare e kulturore, sepse rol primar kanë pasur faktorët ekonomikë, politikë e ushtarakë. Austro-Hungaria ishte e interesuar për të siguruar rrugën detare të adriatikut, për të hedhur një këmbë të sigurtë për zgjerimin në Ballkan e drejt Lindjes. Zhvillimet luftarake ia kërkonin që të kishte siguri e qetësi në prapavijë, dhe mundësisht, të tërhiqte shqiptarët në luftë përkrah vetes.
Prandaj, zhvillimet arsimore në periudhën 1916-1918 janë nga njëra anë, shprehje e synimeve politike, ushtarake, fetare e kulturore të monarkisë Austro-Hungareze dhe, nga aana tjetër, shprehje e dëshirave dhe e kërkesave të popullit shqiptar që të shkollohet në gjuhën e vet amtare.
3.Hapja e shkollave në gjuhën shqipe(1916-1918)
Në janar të vitit 1916 Austro-Hungaria e okupon Malin e Zi. Pas vendosjes së pushtetit të tyre administrativ, shqiptarët njohën disa liri qe i kishin të mohura nga ana e Malit të Zi si: përdorim e flamurit kombëtar, pjesëmarrjen në administratën civile lokale, arsimimin në gjuhën shqipe etj.
Me kërkesat e popullatës shqiptare dhe me interesimin e komandave ushtarake austro-hungareze, filluan të hapën shkollat në gjuhën shqipe në viset shqiptare në Mal të Zi, nga Ulqini në jug e deri në Plavë në veri(Ulqin, Salç, Ljare,Tuz, Dinoshë, Priftën, Triesh, Arzë, Plavë, Vuthaj, Martinaj dhe Rozhajë ).Deri në fund të qershorit të vitit 1917, funksionuan 23 shkolla në gjuhën shqipe.(Posta e Shqypnies, nr.67, 28.7.1917, f.4).
Komanda austro-hungareze urdhëron që të mësohet gjuha shqipe në të gjitha ato vende ku gjenden shqiptarë, në mënyrë, siç shkruante shtypi, “qi shqyptarët të mbesin shqyptarë e kurgja tjetër”(Posta e Shqypnies, nr.57, 23.6.1917 f.4)
Nuk ka dilemë së për të hapur shkolla në gjuhën shqipe, përveç lokaleve, mjeteve shkollore e teksteve mësimore, mungonin edhe mësuesit. Këtu duhet shtuar edhe problemet ekonomike, por ishte dëshira për të sfiduar rrethanat e kohës, ku shkolla shqipe bëri hapat e para.
Në këto rrethana për të siguruar mësues komanda austro-hungareze mobilizoi arbneshet e Zarës, të cilët i vuri para alternativës:”O ushtar në front, o mësues në shkollat shqipe në Mal të Zi”. Shumë prej tyre pranuan detyrën e mësuesit ku punuan më shumë pasion, duke lënë emër të mirë në kujtesën e nxënësve dhe të prindërve si: Kristo Peroviqi(që njëherit kryente detyrën e inspektorit në shkollat shqipe), Josip Rela, Zef Duka, Nikollë Peroviqi, Stjepan Moroviqi, Mirash Kërstiqi, Vladimir Kërstiqi, motër Eleonora Moroviqi.
Në disa shkolla ka pasur edhe mësues vendi sikurse ishin Gjon Gjekë Lucajdhe Kolë Prelokë Gegajnga Trieshi, të cilët kanë qenë të angazhuar në Malësi. Po ashtu duhet cekur edhe angazhimin e priftërve në procesin mësimor sikurse ishin padër Jak Salçi në Ulqin e Salç, famullitari Pjetër Angelio Gaudio në Ljare i lindur në Itali, por e fliste mirë gjuhën shqipe, si dhe Luigj Bushati nga Shkodra i cili ishte meshtari i kishës së Traboinit në Malësi të Madhe. Ndërsa në Rozhajë mësimin e ka zhvilluar një shqiptar që ishte në shërbimin ushtarak austriak i lindur në Drenicë.
Në këtë kohë transferimi i mësuesve prej një shkolle në tjetrën ka qenë dukuri e zakonshme. Për shëmbëll Josip V. Rela ka punuar në Arzë, Guci dhe në shkolla të tjera. Dukuri e ngjashme ka qenë edhe me mësuesit e tjerë.
Përmbajtja e mësimit ka qenë: leximi, shkrimi, gramatika(prej klasës së dytë), aritmetika, historia, dituri natyre, gjeegrafia, vizatimi, punëdore, kënga dhe besimi.
Nxënësit nuk kishin abetare, fletore, lapsa, libra të tjerë për kryerjen e detyrave shkollore dhe shtëpiake. Pajisja me mjete mësimore ka qenë punë e vështirë. Për furnizimin e shkollave dhe të nxënësve me mjete mësimore meritë të madhe kanë pasur mësuesit e tyre, por u kanë dhënë ndihmë të madhe edhe Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi e të tjerë.
Nxënësit ndiqnin rregullisht shkollën, dhe e kishin të siguruar një shujtë në ditë. Ndërsa, nxënësit e varfër kishin të siguruar falas fletoret dhe lapsat.
Mësuesit e këtyre shkollave me angazhimin në procesin mësimor si dhe me sjellje ndaj nxënësve e prindërve të tyre gëzonin autoritet të madh.
Eshtë më rëndësi të cekët me ketë rast kontributi i një mësuesi vendas, i cili i përkiste periudhës së Rilindjës Kombëtare Shqiptare. Fjala është për mësuesin e nderuar Gjon Gjekë Lucaj, i cili ka mbetur ekzemplar i përkushtimit arsimor dhe kombëtar në Malësi dhe më gjerë.
Bëhët fjalë pikërisht për vitin shkollor 1917/18 që është vit historik për banorët e Malësisë përkatësisht të fshatit Dinoshë(Grudë), sepse atë vit Gjon Lucaj për herë të parë çelë shkollën shqipe në Dinoshë dhe zhvilloi mësimin një vit shkollor. Mësimin e zhvillonte në godinë private, në kushte tejet të vështira. Godina nuk kishte kushte elementare higjienike e pedagogjike për zhvillimin e mësimit. Por, me inisiativën e mësuesit të shkathtë dhe të popullit të etshëm për shkollë, kushtet përmirësohen sadopak dhe mësimi zhvillohej rregullisht.
Mësuesi i zellshëm u mësonte nxënësve këto lëndë: gjuhë amtare, histori, gjeografi, artimetikë, muzikë etj. Meritë e posaçme e Gjonit është se pasuroi përmbajtjën e mësimit të gjuhës amtare, të historisë, të gjeografisë, muzikës me frymën patriotike në procesin mësimor dhe aktivitetet jashtëshkollore në periudhën 1916-1918. Duhet të theksohet se Gjoni çmonte të gjitha lëndet mësimore, por më përparësi ishin ato të cilat ofronin më shumë përmbajtje për rritjen e patriotizmit.
4.Gazeta ”Posta e Shqypnies” për shkollën shqipe
Të dhëna në lidhje me procesin arsimor në gjuhën shqipe në viset shqiptare në Mal të Zi, siç kem i cekur më lartë na ofron gazeta ”Posta e Shqypnies”(1916-1918), e cila ka dalë në Shkodër nën drejtimin e kryeredaktorit P. Gjergj Fishtën. Ne me këtë rast po paraqesim fragmente të cilat janë me interes për të kuptuar rrethanat e kohës kur kanë vepruar këto shkolla në viset shqiptare.
Me mjaft interes është shkrimi me titull “Shkolla shqype n‘Ulqin”ku në mes të tjerashshkruhet:
“ Nji mik i joni na shkruen prej Ulqinit: Me 17 t’ Frorit mrrina ktu n’ Ulqin, ku, por saa dola prejë karrocet, m’ rrethuen nji tubë djelmnië bashkatdhetarë, prejë t’ cillve u ndië brohoria: rrnoftë Austro-Hungaria! rrnoftë Shqypnia! njaq qi mue m’u lkund zemra prejë gzimit, kahë shifshe gazmendin e tyne per lirië e dashtnië per atdhee. N’e nesret dola neper gjytet, gjithkund m’raa me vuu n’oroë nji entuzjazm t’ vertetë per jetë t’ ree qi kaa zanë fill per ket popull, i cili mjeroj per 40 vjet n’ robniët Malitzii. Por gzimi i em maa i madhi kje m’ atëherë, kur fati i bardhë m’qiti me u ndeshë m’ Drejtorin e shkollës s’ gjytetit, Z.Kristo Peroviq, qi asht nji Shqyptaar prejë Boro Erizzo nget Zadret. Mas dishirit t’ em, z.Drejtori me nji herë m’ prini e m’ çoj me paa shkollen, e u gzova në shpiirt, tujë u vertetue me syy t’ mii se msimi epej krejt n’ gjuhë shkype. Kush e kishte mendue para ksajë vjete, se n’ Ulqin mund do t’ vehej kurr gjuha shqype per gjuhë msimi nder shkolla t’ Ulqinit!
Nuk ka dilemë se ky ishte një moment emocional, duke marrë parasysh se shkolla shqipe në Ulqin filloi punën me 1 shtator 1916. Ndërsa më pas shkruan se“ punë qi m’ raa me paa e ndië n’ at shkollë, ndieva edhe kto vjerrsha prejë nji vajzet gjashtë vjeç, qujtun emnit Mahmude:
Zot i dashtun, qi per fmië,
Kee dishmue gjithmonë dashtnië
Epna die e mend të holla
Qi t’ jetojëm si na mson shkolla.
Dhe në fund shkruhet se:Tujë ndië kta vjerrsha, thashë me vedi: masi ky fmië lutka Perendiën, qi me i dhanë die e mend per me jetue si mson shkolla, paa dyshim se, tujë këë qi n’ Ulqin shkolla bahet shqyp, edhe ajo do t’ dalë shqyptare; pse n’ shkollë trajtohet karakteri i nierit. Per ket arrsy, prap po tham se Shqyptarët e vertetë do t’ ja u dijnë per nderë ket perparim t’ shkollës të Ulqinit z.Majorit Kroboth e z. Dr. Kristo Pero, t’ cilit aq mirë i kan kuptue nevojët e vendit, edhe po dijnë me i vue si e lypë arrsyja.
”(Posta e Shqypnies”, nr.27, 10.3.1917)
Për hapjen e shkollës në Plavë kemi një letër në cilën thuhet:
“Qe se edhe per ne erdh çasti qi aq fort patem pritë e dishrue. Neper kujdes t’ qeverisë s’ përgjithtë ushtarake, na kje çue edhe neeper msues shkollet nji shqyptaar i rii Z.S.Krstiq, i cili, me 30 t’ prillit, na çili shkollen. Se saa i madh kje, per ket rasë t’ bukur, gzimi i gjith katundit t’ onë, mujt m’ u paa, maa mirë se kurr, m’ at nade n’t’ cillen u mush shkolla me njata fmi t’ cillet e kishin me detyrë-detyrë aq shejte,- me ndjekë msimet. Gzimi i jonë, porsi prind qi jena, kjeedhe fort maa i madh, kur ndime msuesin se u nepte fmive t’onë msim m’ t’amlen e t’ dashtunen gjuhen t’ onë gjuhen shqype. Fmiet e vogjel, por nder ta janë disaa edhe t’ rritun, shkojën në shkollë me gzim, si me gzim mundohena edhe na veë me i çue, sado qi n’ kto kohë t’ ngushta kishin me mujtë me i shtii n’ punë, e me dobië t’ madhe, edhe tu shpia.
Për shkollë, per ket bekim shejt na perket t’ gjithve m’ u munduederi ku t’ mundena e m’ u shkrii, masi gm maa t’ madh nuk mujtem me ndie zemrat t’ona, se tujë paa qi fmiët t’ onë po kan rasë m’ u msue n’ gjuhë t’ parve t’ onë.”(Posta e Shqypnies”, nr.52, 6.6.1917)
Në lidhje me funksionimin e shkollave në Malësi të Madheshtypi kohës ne mes tjerash jep edhe ketë informacion:
“Kto shkolla shqyptare t’ Malciës s’ Madhe, si gjithkund njeti, janë myllë per kta dy muej veer. Por para se me u myllë, Komandari i Becirkut, Dr. Bugo Peternell, desht me u gjetë vetë nder sprovime, per me paa perparimin qi kishin baa fmia e shkollës s’ Tuzit e t’ Traboinit, e cila kjo vetem, kaa 50 zansa. Prejë sprovimesh u duk se fmia kishin perparue mirë fort nder kndime, njaq qi Berci komandanti met fort i kondenuem, e u pergzue me Famullitar t’ Traboinit, fort t’ Ndertin A. Luigj Bushatin, msuesin e asajë shkolle, si edhe me t’ Ndertin zotnië Msues t’ shkollës s’Tuzit-nji Shqyptaar prejë Borgo Erizzo nget Zaret-per kujdes qi kishin pasë per msim t’ fmivet. E na gzohëna n’ nji mndyrë t’ posaçme me z. Becir komandantin qi aq interesë t’ madhe kaaa diftue er msim e gjytetnim t’ bijvet t’ komit t’ onë; pse si e diim, ky zotnië, per me baa qi fmia t’ ndjekin edhe maa me zell e cenë shkollen, per gjith ditë u kaa qitë buken e mjesditës tujë u diftue n’ ket mndyrë dyy herë bamirsi i tyne: per msim e zhdrivillim t’ mendes e per t’ majtiun t’ jetës”.(Posta e Shqypnies”, nr.57, 26.6.1917, f.4)
Gazeta “Posta e Shqypnies” njofton se më datën 8 qershor 1918, nxënësit e qytetit të Ulqinit dhanë provimet e fundit të vitit ku morën pjesë shumë zotërinj, zyrtarë, ushtarë e civila dhe shumë zonja të nderuara. Pas provimeve, “Një kangë shqipe këndue nji zanit prej xansavet shqiptar, gzoj zemrat e gjithë atyre që dishrojnë përparimin e kombit shqiptar”(Posta e Shypnies, nr.53, 19.6.1918).
Bëhet më dije se në shumë raste në ceremonitë e mbylljes së vitit shkollor merrnin pjesë komandantët e zonave ku ishin shkollat. Komandatëti ushtarak i Malësisë së madhe, dr. Hugo Peternell pasi mori pjesë në provimet r zhvilluara në shkollat e Tuzit e Traboinit, mbet tepër i kënaqur se”kishin përparue mirë fort nëdr këndime”(Po aty, nr. 57, datë 23.6.1917).
- Ndërprerja e punës së shkollave shqipe
Me kapitullimin e Austro-Hungarisë ndërpritet puna e shkollave shqipe në trojet shqiptare të administruara nga Mali i Zi si në Dinoshë, Priftën, Tuz, Arzë, Triesh, Ulqin, Ljare, Plavë, Guci, Vuthaj, Martinaj e Rozhajë.
Nga të dhënat e publikuara në lidhje me ketë periudhë kohore del qartë se shkollën shqipe shqiptarët e kanë mbeshtetur sepse ajo ishte risi sepse për të parën herë mësohej në gjuhën amtare, me përmbajtje e program mësimor, për historinë e gjeografinë dhe muzikën kombëtare. Pra ishte e kundërta që mësohej në gjuhën sllave-serbe, sepse aty mësohej vetëm për sllavet që ishin të huaja dhe të imponuara për shqiptarët.
Në një stuatë të tillë mësuesit e këtyre shkollave gëzonin autoritet të madh, andaj kanë pasur mbeshtetje të madhe nga prindërit e nxënësve dhe popullata vendore.
Ndërsa pas vitit 1918 për shqiptarët e këtyre viseve vijnë kohëra të vështira, sepse vazhdon politika e pabarazisë paraktike ekonomike e shoqërore, përkatësisht ajo asimiluese e sllavizuese, duke mos lejuar arsimimin në gjuhën shqipe. Ishte kjo koha e hegjemonizmit të Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, që më vonë quhet me emrin Jugosllavi, e cila zgjati deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore(1941-1944), ku përseri në këtë kohë okupatorët italian i hapin shkollat më mësim në gjuhën shqipe, çështje kjo e cila meriton trajtim të veçantë.
6.Përfundim
Ndonëse në kushte të vështira shoqërore-ekonomike, pa mjete mësimore e tekste shkollore, pa infrastrukturë shkollore adekuate, ishte pasioni i mësuesve të cilët nuk kursyen asgjë për të arritur qellimin e misonit të tyre që ishte arsimimi i shqiptarëve duke iu mësuar për të parën herë lexim e shkrim në gjuhën shqipe.
Ne rrethana të tilla nuk ka dilemë së ishte dashuria e madhe për gjuhën shqipe nga ana e prindërve dhe nxënësve shqiptarë që sfidoi rrethanat e kohës. Ndonëse këto shkolla punuan një kohë të shkurtër pa dyshim ishte ky një kontribut më vlerë për arsimin e shqiptarëve dhe zgjimin e dashurisë për gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë e popullit shqiptar. Andaj koha e Austro-Hungarisë dhe e mësuesve të angazhuar në procesin mësimor në shkollat në gjuhën shqipe do të kujtohen përherë me admirim, sepse ata vuan gurthemelin e parë të mësimit në gjuhën e bukur shqipe, në viset shqiptare në Mal të Zi.
Literatura konsultuar:
1.Vehbi Hoti,Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, Botoi:”Camaj-Pipa”, Shkodër 2002
2.Prof. dr. Vehbi Hoti, Aspekte të zhvillimit të arsimit shqip në Ulqin dhe në trevat e tjera në Mal të Zi në periudhën e Luftës së Parë Botërore, nëUlqini në rrjedhat e kohës, Botoi:ART CLUB, Ulqin 2000
- Dr.Palokë Berishaj,Shkollat dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi deri në vitin 1918, KOHA 5-6/1985
- Dr.Palokë Gj.Berishaj,Gjoni e Agroni në shërbim të arsimit dhe shkencës,Botoi:Shoqata Nikollë Ivanaj, Tuz 2003, f.62-62.
- Dr.Palokë Berisha,Zhvillimi i shkollës dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi prej vitit 1878-1988, Botoi: ART CLUB, Ulqin, 1997
- Gazeta“Posta e Shqypnies”,Shkodër (1916-1918)
- Elmaz B.Plava,Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare(Kujtime dhe dokumente historike),Botoi: Marin Barleti, Tiranë 2002
- Hasan I. Gjonbalaj,Paria e Krahinës së Plavës dhe Gucisë(1878-1945),Botoi:Drenusha, Prishtinë, 2009
- Nail Draga,Shqiptarët në Mal të Zi,Botoi: Art Club, Ulqin, 1994
- M.Sirdani,Për historinë kombëtare,Hylli i Dritës, nr.5, Shkodër, 1936
- Haxhi Lajçi,Shkolla në Dacaj dhe në Buxhov(Malësia e Rozhajës) 1943-2013, Rozhajë 2014
- Eleni Kocaqi, Si e krijoi Austro-Hungaria shtetin shqiptar,Botoi”Emal”, Tiranë, 2012