• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

30 VJET NGA RRËZIMI I MONUMENTIT TË DIKTATORIT

February 19, 2021 by dgreca

30 VJET NGA RRËZIMI I MONUMENTIT TË DIKTATORIT ENVER HOXHA, ARDHJA E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI/

Saimir Maloku, i përndjekur dhe i burgosur prej regjimit komunist shqiptar për 9 vite, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Rrëzimit të Simboleve Komuniste, i rrëfen ekskluzivisht gazetarit Sokol Paja për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, 20 shkurtin e vitit 1991, rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë dhe djegien publike të librave të tij. Sipas Malokut 20 shkurti është shembja e totalitarizmit shqiptar dhe fitorja e demokracisë në Shqipëri.

20 SHKURT VITIT 1991 SHEMBJA E TOTALITARIZMIT, FITORJA E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI.

Më datë 20 Shkurt të vitit 1991 u organizua një miting i madh i popullit të Tiranës me rreth 100 mijë veta në Qytetin e Studentëve në përkrahje të Grevës së Urisë të rreth 900 studentëve si dhe kundër regjimit të egër komunist. Unë kisha një urrejtje të madhe ndaj këtij regjimi totalitar dhe kërkoja të hakmerresha ndaj figures së diktatorit Hoxha. Kjo gjë m’u bë mua si dhe shtresës së gjerë të të persekutuarve politikë realitet në këtë ditë të shënuar historike. Jam krenar në jetë që sikur të ishte profeci e Zotit, pata shansin dhe fatin e madh historik që në ditën e 20 Shkurtit të vitit 1991 unë, i përkrahur nga një grup i madh të persekutuarish politikë, sindikalistë dhe nga mijëra protestues të kryeqytetit udhëhoqa turmën e parë dhe më kryesore të popullit të Tiranës nga godina e Radio – Televizionit Shqiptar drejt Sheshit “Skënderbej”. Në ato momente tepër delikate dhe të rrezikshme, unë, për të realizuar idealin tim dhe të popullit që thashë në gjyq, shpalosa vetitë më të mira të ushtarakut si strategjia e menjëhershme, këmbëngulja dhe guximi i madh, humanizmi im i lartë për të shmangur gjakderdhjen e mundshme si dhe urrejtjen tepër të madhe si ish-i burgosur politik që kisha për diktatorin Hoxha dhe regjimin komunist. Atë ditë një djalosh, i ri dhe jetim, me një rrip mëndafshi të kuq në ballë dhe rreth kokës, më solli një parullë rreth 3 metra të gjatë, ku shkruhej: LIRI DEMOKRACI. Ky djalosh, i quajtur Albert Risilia, e kishte bërë këtë parullë me perdet e dritareve të dhomës në Konviktin e shkollës ku banonte, duke e ngjyrosur me bojë këpucësh. Pasi vumë këtë parullë të madhe në krye të turmës unë, i shkëputur pak metra nga turma dhe si prijës i saj, i shoqëruar nga një fotoreporter i huaj, i bëja thirrje protestuesve të rrëzonim monumentin e E. Hoxhës si dhe të digjnim mijëra libra të tij në mes të Tiranës. Nuk harroja në ato çaste grisjen dhe djegien e dhjetëra librave artistike si dhe të Librave të Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze që kishin bërë oficerët e Sigurimit të Shtetit në shtëpinë time pas arrestimit. Ishte Jezu Krishti që më frymëzonte të hakmerresha ndaj këtij regjimi të urryer që dogji e grisi librat fetarë. Kështu, populli do të tregonte urrejtjen ndaj regjimit dhe do ta përqafonte përsëri fenë.

DJEGIA E MIJËRA LIBRAVE TË DIKTATORIT ENVER HOXHA

Gjithashtu, unë nxitja popullin protestues të digjte librat e diktatorit Hoxha dhe si hakmarrje ndaj tij për djegien e qindra mijëra librave fetare nga militantët komunistë në vitin 1967, kur me ligjin monstruoz të shtetit u hoq feja. Populli ka një shprehje: “Çfarë të keqe do të bësh, atë do ta pësosh po vetë”. Dhe kështu ndodhi me djegien e mijëra librave të diktatorit E. Hoxha. Me këtë veprim tepër të guximshëm, unë isha i vetëdijshëm se mund të arrestohesha përsëri për veprimtari të theksuar armiqësore dhe të përsëritur për të dytën herë kundër shtetit komunist dhe të pushkatohesha si nxitës ekstremist i turmës së protestuesve për rrëzimin e monumentit dhe si nxitës kryesor i trazirave popullore. Por, nga ana tjetër unë, i përkrahur nga dhjetëra shokë dhe shoqe, kryesisht të persekutuar politikë, shmangëm një masakër të madhe të mundshme, ku mund të ishin vrarë me qindra protestues të pafajshëm. Kjo për arsye se populli kërkonte të futej me forcë në Bllokun Qeveritar, ku ishin me qindra gardistë dhe policë të armatosur rëndë dhe mbi 20 tanke dhe autoblinda dhe gati 50 mitralozë të rëndë. Me këtë rast falënderoj z. Bujar Kore, operator televiziv dhe znj. Tefta Radi – gazetare e Televizionit Shqiptar, të cilët si të njohurit e mi, më vunë në dijeni për këtë gjë. Kjo sepse ata para një ore kishin qenë në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (e Punës) aty, në Bllokun Qeveritar. Informacioni i dhënë prej tyre ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme. Në rast se turma e madhe e protestuesve do të tentonte të futej me forcë në Bllokun e vilave të pushtetarëve dhe në godinën kryesore të Komitetit Qendror, ushtria, do të qëllonte ndaj mijëra protestuesve atëherë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” para Bllokut Qeveritar dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (të Punës) do të ishte mbushur me qindra të vrarë e të plagosur. Përfytyroni çfarë pasojash tepër katastrofike për Shqipërinë do të kishte kjo gjakderdhje e mundshme, kryesisht ndaj shtresës të persekutuarve politikë duke na kujtuar gjenocidin e tmerrshëm në Kamboxhia të Khmerëve të Kuq ndaj popullatës me kombësi vietnameze në vitin 1975.

USHTRIA ËSHTË ME NE. USHTARËT JANË VËLLEZËRIT TANË

Gjithashtu 6 ushtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u kapën nga protestuesit dhe në këto momente të vështira unë dhe shumë të persekutuar politikë nuk lejuam që ata të masakroheshin nga protestues ekstremistë dhe provokatorë. Falë ndërhyrjes tonë energjike, ne i lame ushtarët të lirë, duke bërtitur: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Më vonë njëri nga këta ushtarët e liruar nga ne protestuesit, sa herë më takonte, më falënderonte për ndihmën që i dhamë në atë ditë trazirash (e filmuar). Itinerari i lëvizjes së turmës tonë të protestuesve niste nga mbrapa “Piramidës” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe drejt Sheshit “Skënderbej”. Në tarracat e shumë ministrive kishte ushtarë me pushkë snajper, të cilët mund të më qëllonin dhe të më asgjësonin mua nga çasti në çast si udhëheqës i turmës së madhe të protestuesve. Kjo për arsye se unë isha pesë apo gjashtë metra i vendosur në krye të turmës së protestuesve dhe i nxisja ata me parulla të shumta politike kundër regjimit komunist. Pastaj, të gjithë protestuesit brohoritnin një zëri dhe fuqishëm po këto parulla politike. Pra, u thye heshtja dhe frika e popullit të Tiranës ndaj regjimit komunist. Por Zoti më ndihmoi dhe një masakër e tillë nuk ndodhi. Kam besim që fotot e bëra nga fotoreporteri i huaj që më shoqëronte mua, ku isha si prijës i turmës së protestuesve, një ditë do të jepen në media.

GUXIMI ËSHTË FILLIMI I FITORES

Unë dhe gjithë turma e protestuesve në ato çaste marshimi ishim tepër të gëzuar, sepse erdhi dita që populli i Tiranës t’i jepte dënimin e merituar diktatorit Hoxha dhe regjimit gjakatar komunist. Në ato çaste më kujtoheshin fjalët e Plutarkut, filozof grek: “Guximi është fillimi i fitores”. Turma jonë e protestuesve ishte turma më energjike dhe më kryesore që mbërriti e para në Sheshin “Skënderbej” dhe zumë vend pranë monumentit të diktatorit komunist. Pastaj erdhën edhe tri turma të tjera protestuesish. Aty, në sheshin kryesor, u bë një përleshje e ashpër e popullit me Forcat e Policisë dhe të Ushtrisë si dhe me Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këto forca policore ishin të pajisura me fishekë manovër stërvitjeje dhe jo vdekjeprurës. Policia përdori aty kundër popullit protestues makinën zjarrfikëse me pompa uji, disa makina policie me sirena të fuqishme dhe shumë qen kufiri. Në momentin që sapo rrëzohej monumenti nga turma e protestuesve, m’u shfaq papritur si në ëndërr portreti i Jezu Krishtit, i cili sikur thoshte për të më frymëzuar: “Shko Saimir dhe godite këtë kriminel të madh komunist që ndaloi besimin fetar dhe vrau e torturoi popullin e pafajshëm në Shqipëri”. Kjo ishte arsyeja kryesore dhe e jashtëzakonshme që unë u vërsula si shqiponjë dhe isha qytetari i parë që godita dhe pështyva kokën e monumentit të diktatorit komunist. Në ato momente mua m’u duk vetja sikur vendosa flamurin e Demokracisë mbi kokën e diktatorit komunist Hoxha dhe që shënoi rrëzimin e Komunizmit në Shqipëri. Ky ishte një fat i jashtëzakonshëm për mua dhe i rrallë në botë. Tri vajza dhe gra të persekutuara politike, me lot gëzimi në sy, më përshëndetën dhe më përqafuan gjithë entuziazëm në atë moment të jashtëzakonshëm historik. Ishte si një dëshirë e Jezu Krishtit që çasti më historik i shekullit të kaluar për popullin shqiptar të fotografohej nga fotografi i mrekullueshëm z. Armando Babani, i cili ishte edhe fotoreporteri i një agjencie amerikane lajmesh. Sot ai punon e jeton me familjen e tij në Gjermani. Unë dhe bashkëvuajtësit e mi e falënderojmë atë, që na lejoi të botohej në kopertinën dhe në faqet e librit tim kjo foto me vlera të jashtëzakonshme historike ku unë përpara mijëra protestuesve jam duke goditur dhe pështyrë kokën e monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha. Kjo foto i tregoi mbarë njerëzimit mallkimin e madh që i dha Zoti këtij diktatori komunist, që hoqi fenë nga Shqipëria. I takon Presidentit të Republikës ta dekorojë z. Armando Babani për këto foto, që u vlerësua nga mediat ndërkombëtare si edhe për kontributin e tij në pasqyrimin e Lëvizjeve Demokratike në vendin tonë. Në atë çast, rreth 100 mijë protestues ishin në ekstazë nga gëzimi i madh dhe në të njëjtën kohë bërtisnin: “E hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën!”, “Fitore – Fitore”, “Enver – Hitler”. Pastaj unë bëra dy apo tre herë kryqin dhe nisa të falënderoja Jezu Krishtin duke u shprehur: “Faleminderit o Zot që shporre Komunizmin nga Shqipëria!” Ja sa kuptimplote është shprehja: “Qesh mirë ai që qesh i fundit”. Në atë moment m’u kujtuan përsëri çastet e fundit të gjyqit tim kur unë në gjuhën angleze i lutesha Jezu Krishtit: “Të lutem o Ati i Shenjtë, shporre Komunizmin nga Shqipëria dhe shpëtoje këtë popull nga vuajtjet!” si dhe këndoja këngën amerikane “Let’s Tëist Again”. Tani kjo ishte si kënga e Fitores së Demokracisë në Shqipëri .

LIRIA, DEMOKRACIA DHE NJË SAKRIFICË FAMILJARE

Isha tepër krenar sepse edhe dy fëmijët e mi, dy dhe katër vjeç, ishin protestuesit më të vegjël të asaj dite tepër të rëndësishme. Makina zjarrfikëse e Policisë para godinës së Liceut Artistik kishte lagur me bojë të kuqe gruan dhe dy djemtë e mi dhe ata të tre dukeshin si indianët me pupla të kuqe të xhunglave të Amazonës. Babai i gruas time gjatë protestës ishte plagosur rëndë në kokë dhe mbas disa muajve vdiq. Atë nuk e vrau ushtari gjerman gjatë luftës, ndërsa vdekjen e tij e shkaktoi Policia Komuniste duke qëlluar me gurë protestuesit. Plani ynë për të djegur librat e diktatorit Hoxha në Librarinë “Flora” nuk u realizua atë ditë, sepse në tarracat e pallateve aty pranë saj kishte shumë ushtarë të pajisur me pushkë snajper. Të nesërmen pasdite, rreth orës 17.00 pra më 21 Shkurt të vitit1991, unë dhe një grup i madh të persekutuarish politikë, kryesisht të Rrugës së Kavajës dhe të lagjes së Kombinatit si edhe dhjetëra protestues të tjerë ndezëm një zjarr të madh duke grisur dhe djegur me mijëra libra të diktatorit që ndodheshin në Librarinë e madhe “Flora” në mes të kryeqytetit. Kjo ishte si hakmarrje e popullit të kryeqytetit ndaj diktatorit Hoxha, që në vitin 1967 urdhëroi djegien e librave fetarë në formë publike. Ishte Jezu Krishti ai që më dha mua këtë ide për djegien e librave dhe rrëzimin e monumentit të diktatorit, që unë ta thosha në fund të gjyqit tim hapur para popullit: “Jeta tregoi se kush beson te Zoti dhe i lutet Atij për të mirën e popullit, Zoti, në të ardhmen, ia plotëson dëshirën”. Pra, edhe Zoti plotësoi dëshirën time që i kërkova më 28 gusht të vitit 1976, në gjyqin tim. Këtë gjë e vërtetojnë edhe dokumentet gjyqësore të gjyqit ndaj meje, dokumente të cilat janë në Arkivin Qendror të Shtetit. Unë isha tepër i gëzuar dhe i lumtur sepse populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë ishte protagonisti kryesor për rrëzimin e monumentit të Diktatorit, të simboleve komuniste si dhe të djegies së mijëra librave të tij. Krahas djegies së mijëra librave, protestuesit rreth orës 12.00 hoqën edhe parullën e madhe 50 metra të gjatë ku shkruhej: “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë” nga tarraca e Pallatit të Kulturës, që ishte dhe godina më e madhe kulturore e Tiranës në atë kohë. Një ditë më parë, në çastin e rrëzimit të monumentit të E. Hoxhës në sheshin kryesor të Tiranës, agjencitë dhe stacionet e radiove dhe televizive të vendeve të botës dhanë njoftimin për këtë ngjarje tepër të rëndësishme që simbolizoi përmbysjen e diktaturës në vendin më të egër komunist të Evropës dhe shënoi fitoren e Demokracisë në vendin tonë.

KAMBANA E DEMOKRACISË GJËMOI DHE U DËGJUA NË ÇDO SKAJ TË SHQIPËRISË

Unë isha tepër i gëzuar sepse para popullit tonë u hap rruga që çdo qytetar i saj të gëzojë jetën, lumturinë, arsimimin dhe të drejtat e tij siç çdo qytetar europian. Gjithashtu porta e Evropës u hap për popullin tonë, të cilën e kishte mbyllur për 47 vite diktatori Hoxha dhe regjimi i urryer komunist. Kambana e Demokracisë gjëmoi dhe u dëgjua në çdo skaj të Shqipërisë. Tani ishim qytetarë të Shqipërisë dhe të Evropës. Shqiponja dykrenore shqiptare fluturonte e lirë në çdo skaj të kontinentit europian. Feja dhe funksionimi i objekteve fetare u vendos përsëri. Tani populli shqiptar i lutej Zotit që t’i bekonte ata për një jetë të re, pa vuajtje dhe plot gëzim. Në ditët në vazhdim, gjatë natës, Policia Komuniste arrestoi me dhjetëra protestues. Unë dhe shokët e mi ato ditë u detyruam të fshiheshim. Gjithashtu, unë i shkurtova shumë flokët, ndryshova veshje, mbaja syze të errëta që të mos njihesha nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Lëvizjet demokratike që ndodhën në vendet ish-komuniste të Evropës e goditën rëndë sistemin komunist. Në këto vende brenda një kohe të shkurtër fitoi demokracia dhe u përmbys komunizmi. Populli demokrat i Shqipërisë, me veprimet e tij tepër të guximshme, në këtë ditë, më të shënuarën e Demokracisë, ia preu kokën gjarprit komunist, i cili kishte helmuar shpirtin e tij me ideologjinë marksiste – leniniste. Prandaj, i takon këtij populli, si protagonisti kryesor i kësaj revolte, të emërtojë dhe ta festojë me madhështi këtë ditë të shënuar si dhe të demaskojë nostalgjikët e fundit të Komunizmit, që janë bërë pengesa kryesore për ecjen përpara të Demokracisë në Shqipëri dhe anëtarësimin e vendit tonë me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Kjo të kujton shprehjen e famshme të Napoleon Bonapartit: “Mos u përballni me popullin, por bashkohuni me të, sepse do jeni gjithmonë të fituar”. Fjalimin që mbajta në gjyqin tim dikur, se çfarë do të ndodhte në Shqipëri pas vdekjes së diktatorit, populli i Tiranës e realizoi me sukses duke e quajtur dhe duke bërtitur për diktatorin komunist: “Enver – Hitler”! “E hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën!” “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, “Poshtë Komunizmi” “Liri – Demokraci”etj.

STUDENTËT E GREVËS SË URISË

Kontribut mjaft të madh në këtë ditë të shënuar dha Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, i cili organizoi Grevën e Përgjithshme në Tiranë. Kjo grevë bëri që të gjithë punonjesit e Kryeqytetit u grumbulluan në Qytetin Studenti. Bazuar në informacionet e mediave dhe të Sigurimit të Shtetit si dhe të popullit të Kryeqytetit bashkë me mua, atë ditë dhanë një kontribut të madh edhe qytetarët protestues dhe studentët e Grevës së Urisë si: Rajmonda Bulku, Gëzim Kalaja, Eqerem Kavaja, Blendi Gonxhe, Fiqiri Xibri, Gëzim Shima, Sami Karriqi, Hajredin Fratari, Lulzim Brahja, Skënder Topi, Fatmir Merkoçi, Artur Zadrima, Petro Luarasi, Ardian Heta, Astrit Hatellari, Gjovalin Çokani, Albert Risilia, Agron Spaho dhe vëllai i tij Besniku, Ridvan Peshkëpia, Arben Lika, Shinasi Rama, Blendi Fevziu, Edvin Shvarc, Mesila Doda, Kujtim Çashku, Neritan Ceka, Ilirjan Abazi, Arjan Manahasa, Gëzim Vojka, Kreshnik Ndreu, Ferdinand Temali, Met Ibrahimi, Merita Bejo , Ahmet Kalaja, Ilir Dizdari, Durim Hoxha, Naim Qyqja, Hajrije Hasani, Gani Lami, Xhemal Zhuri, Sulo Jaupaj, Sanije Vojka, Lida Bezhani, Hygert Borova, Vera Rada, Lindita Hamiti, Liljana Llapaj, Pranvera Bodinaku etj., sepse ne shmangëm gjakderdhjen e madhe në popull dhe rrëzuam monumentin e diktatorit si dhe simbolet e tjera të komunizmit. Një kontribut të madh në pasqyrimin e këtyre ngjarjeve dhanë edhe operatorët e Televizionit Bujar Kore, Fatmir Çepani, Agim Buxheli dhe gazetarja Tefta Radi si dhe fotoreporterët Armando Babani,Gani Xhengo, Ali Begeja, Kujtim Çashku, Roland Tasho, Lulzim Lika dhe Besim Fusha. Shumica e këtyre qytetarëve protestues të mësipërm janë nga shtresa e ish-të persekutuarve politikë të Kryeqytetit. Në ato ditë Policia dhe Sigurimi i Shtetit arrestoi me dhjetëra protestues, të cilët u dënuan nga gjykatat komuniste. Populli ka respekt të madh për këta qytetarë të nderuar për kontributin e tyre në atë ditë të shënuar të Demokracisë. Pothuajse të gjithë këta protestues dhe punonjës të mediave janë dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhra e medalje. Veprimet e mia të guximshme gjatë ditëve të 20 dhe 21 Shkurtit të vitit 1991 ishin si një hakmarrje ndaj diktatorit dhe regjimit komunist. Greva e Urisë së minatorëve të Minierës së Valiasit më 16 Maj të vitit 1991 si dhe Greva e përgjithshme kombëtare e ish-të dënuarve politikë më 30 Shtator të vitit 1991 i dha përsëri një goditje të rëndë diktaturës komuniste, e cila ishte në grahmat e fundit të saj. Monumenti i Stalinit u hoq në Tiranë më vonë nga Qeveria. Më parë ishte hequr edhe monumenti i Leninit.

Filed Under: Featured Tagged With: 30 vjet, diktatori, rrezimi i monumentit, Saimir Maloku, Sokol Paja

ZËRI I AMERIKËS DHE RRËZIMI I MONUMENTIT TË ENVER HOXHËS

February 21, 2018 by dgreca

1 elezNGA DR. ELEZ BIBERAJ/*
DREJTOR DIVIZIONI I EUROAZISË -ZËRI I AMERIKËS/1 elez Panel

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës paraqet një moment kyç në tranzicionin e vështirë të Shqipërisë nga një regjim totalitar në një sitem shumë-partiak. 2 elez Berisha besnik

Kjo ngjarje gjithashtu paraqet një nga mbulimet më të rëndesishme të zhvillimeve në Shqipëri nga Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës.
Në shkurt te vitit 1991, Zëri i Amerikës ishte në një pozitë të veçantë për t’i mbuluar ngjarjet në Shqipëri. Me mbulimin e zhvillimeve kryesore gjatë vitit 1990, Zëri i Amerikës kishte nxitur elementët reformatorë dhe kishte arritur deri dikund t’i jepte formë debatit politik që po zhvillohej në vend. Si rrjedhim, Zëri i Amerikës kishte fituar popullaritet si një burim i besueshëm lajmesh.
Në Perëndim dominonte mendimi se për shkak të natyrës së ashpër të regjimit shqiptar, shanset e një tranzicioni paqësor në demokraci ishin, në rastin më të mirë, të vogla. Për ne ishte parësore që në emisionet tona të mos kishte nxitje dhune. Ne ishim të kujdesshëm dhe përmbajtja, gjuha dhe toni i transmetimeve tona ishte në përputhje të plotë me standartet më të larta të Zërit të Amerikës. Përmes raportimeve, intervistave, deklaratave zyrtare të qeverisë amerikane dhe analizave tona ne theksonim nevojën për ndryshime paqësore dhe bënim thirrje për qetësi. Besoj se Zëri i Amerikës ka luajtur një rol moderues gjatë atyre situatave jashtëzakonisht të tensionuara.
Ndërsa Zëri i Amerikës përpiqej të ishte një vëzhgues objektiv i zhvillimeve në Shqipëri, programet tona kishin synime të qarta: mbeshtetjen e kërkesave të shqiptarëve për liri dhe demokraci. Ne ishim shumë të interesuar që lëvizja studentore të çonte në krijimin e një sistemi demokratik, që do të respektonte plotësisht të drejtat e njeriut, dhe që Shqipëria më në fund t’i bashkohej familjes së vendeve të lira.
Mënjëherë pas ngjarjeve të dhjetorit 1990, çështja se si duhej trajtuar figura e Enver Hoxhës dhe trashëgimia e tij u bënë çështje kontestuese në marrëdhëniet mes qeverisë, e cila ishte e vendosur të mbronte trashëgiminë e diktatorit, dhe opozitës, që kërkonte de-Hoxhaizimin e vendit.
Partia Demokratike, në Programin e saj Minimal, të botuar me 12 dhjetor dhe të transmetuar në tëresi nga Zëri i Amerikës me 19 dhjetor, ishte zotuar të realizonte programin e saj në rrugë parlamentare, paqësore, dhe demokratike. Me gjithë kërkesat për de-politizimin e forcave të armatosura, të organeve të sigurimit dhe të drejtësisë, fillimisht Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare mbanin një qëndrim të kujdesshëm. Të shqetësuar nga mundësia e përplasjës me forcat konservatore komuniste, që kontrollonin ushtrinë, policinë dhe Sigurimin, udhëheqësit e rinj opozitarë ishin të kujdesshëm, që të mos provokonin forcat e vjetra dhe kërkonin ndryshime graduale.
Ky qëndrim i opozitës pasqyrohej ne intervistat që Zëri i Amerikës zhvilloi – pas 12 dhjetorit e deri nga fundi i janarit – me udhëheqësit opozitarë, përfshirë Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Azem Hajdarin, Arben Imamin, Besnik Mustafajn, Sabri Godon si dhe me intelektualë te shqyar, përkrahes te ndryshimeve demokratike, si Ismail Kadare, Dritero Agolli, Neshat Tozaj, Arben Puto, etj.
Një muaj pas krijimit të Partisë Demokratike, ne zhvilluam intervistën e parë të plotë, për një gamë të gjerë çështjesh me Sali Berishën. Intervista u transmetua me dy pjesë, më 12 dhe 13 janar 1991. Kryetari i Partisë Demokratike dhe ndihmësit e tij kryesorë ende nuk e kishin kritikuar publikisht Enver Hoxhën.
I pyetur drejtpërdrejtë se si e vlerësonte figurën e Enver Hoxhës, Berisha dha një përgjigje të kujdesshme, siç duket me synim për të kënaqur si komunistët ashtu edhe anti-komunistët. Berisha e cilësoi Hoxhën si një figurë komplekse që kishte udhëhequr Luftën Nacional Çlirimtare, dhe se nën udhëheqjen e tij Shqipëria kishte shënuar “arritje të pamohueshme.” Njëkohësisht, ai e cilësoi Hoxha si një diktator, që me politikat e tij të luftës së klasave dhe të izolimit i kishte shkaktuar dëme shumë të mëdha Shqipërisë.
Por ndërsa udhëheqësit e Partisë Demokratike mbanin një qëndrim të kujdësshëm ndaj figures së Enver Hoxhës, një grup aktivistësh dhe ish të burgosurish politikë, mbanin një qëndrim më të ashpër, duke kërkuar hedhjen poshtë menjëherë të Enver Hoxhës dhe kritikonin ashpër opozitën zyrtare pse nuk po tregonte angazhimin e duhur për de-Hoxhaizimin e Shqipërisë.
Më 11 janar, 1991, ne transmetuam një intervistë me Edi Rama, në atë kohë pedagog në Institutin e Arteve. Rama kishte organizuar një peticion, i cili u nënshkrua nga 480 vetë dhe iu dërgua Kuvendit Popullor, me anë të cilit kërkohej ndër të tjera rivlerësimi i Enver Hoxhës. Në intervistë për Zërin e Amerikës, Rama kritikoi ashpër Ramiz Alinë dhe Partinë e Punës dhe theksoi se, “Pa një rishikim të plotë e të saktë të së kaluarës nuk mund të bëhen hapa përpara.” Duke iu përgjigjur kritikëve, Rama tha:

“Ka shumë opinione këtu që thonë se janë disa njerez që duan të hedhin baltë mbi figurën e Enver Hoxhës. Unë desha vetëm të shtoj një frazë në atë që ne nuk duam të hedhim baltë mbi figurën e Enver Hoxhës, por duam të heqim baltën që na ka hedhur Enver Hoxha neve.”

Më 20 Janar 1991, ne zhvilluam një intervistë me shkrimtarin disident Kasëm Trebeshina, i cili kishte kaluar 17 vjet në burg. Trebeshina theksoi se nuk kishte pranuar të merrte pjesë në aktivitetet e atëhershme politike pasi partitë e reja politike nuk kishin programe të qarta, strategjike dhe “nguronin të preknin kultin e Hoxhës.” Në intervistë Trebeshina tha:

“Këto parti nuk mund ta kuptojnë se duhet një program strategjik për ta çuar vendin përpara, por merren me particizma edhe ngurojnë qe të prekin direkt kultin e Enver Hoxhës, kufoma e tij që qëndron si një arkivol përpara në rrugën e popullit shqiptar edhe nuk e le të eci përpara drejt demokracisë. Po nuk u hoq ky arkivol nga rruga dhe të flaket, populli shqiptar nuk mund të eci përpara.”

Udhëheqësit kryesorë të Partisë Demokratike, të cilët në atë kohë ishin përfshirë në një luftë të ashpër për kreun e partisë, u përballën me kritika të ashpra, që po tregoheshin shumë të butë lidhur me çështjen Hoxha.
Ne e trajtuam këtë çështje në një intervistë me Azem Hajdarin, të transmetuar më 8 shkurt 1991, pesë ditë para se Berisha të zgjidhej kryetar i partisë.
Qëndrimet e Hajdari ishin më të afërta me ndjenjat anti-kuministe të popullsisë dhe ai kishte prirjen të mbante qëndrime më ballafaquese se sa Berisha ose Pashko. Hajdari u pyet të përgjigjej për kritikat se Partia Demokratike nuk ishte një parti e vërtetë opozitare dhe se ishte krijuar me nismën ose propozimin e Ramiz Alisë. Ai bëri thirrje për dënimin e Enver Hoxhës, dhe shprehu mbështetje pa rezerva për Berishën dhe Pashkon. Ai e cilësoi Berishën si “flamurtari i pluralizmit politik,” dhe Pashkon si të parin që kishte bërë thirrje për ekonomi tregu dhe që kishte mbështetur Kadarenë kur shkrimtari kërkoi strehim politik në Francë.
Ndërsa gjendja e përgjithshme politike dhe ekonomike po përkeqësohej, Presidenti Alia vazhdonte t’u rezistonte thirrjeve për një ndarje të qartë me të kaluarën. Pas shtimit të sulmeve kundër simboleve të diktaturës, me 22 janar 1991, Alia miratoi një dekret për gjoja mbrojtjen e monumenteve të figurave kombëtare shqiptare, por që qartazi synonte t’u jepte fund sulmeve ndaj monumenteve të Hoxhës.
Berisha, Pashko dhe Hajdari menjëherë e dënuan dekretin e Alisë, por nuk kërkuan shkëputje të qartë nga e kaluara. Udhëheqja e Partisë Demokratike në atë kohë ballafaqohej me sfida më të ngutëshme e më të mprehta se ajo e Hoxhës: anti-mitingje të organizuara nga forcat komuniste no zona te ndryshme të vendit, frika e humbjes së kontrollit mbi lëvizjen e opozitës dhe shqetësimi që grupe dhe udhëheqës më radikalë mund të siguronin përkrahje popullore.
Pas shpalljës së dekretit të Presidentit Alia, gjendja politike dhe e sigurisë u përkeqësua me shpejtësi, u shtuan trazirat, grevat, sulmet ndaj zyrave të partisë komuniste, dhe në Durrës policia u përlesh me qytetarë të dëshpëruar që donin të shkonin në Itali. Studentët në Kamëz dhe në Tiranë u hodhën në grevë. Kërkesa kryesore e studentëve në Tiranë ishte heqja e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Pasi qeveria nuk i mori parasysh kërkesat e studentëve, më 18 shkurt 1991 mbi 700 studentë, përfshirë rreth 200 studente, si dhe pedagogë, filluan një grevë urije.
Ngjarjet që të çonin në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, i dhanë Zërit të Amerikës, një mundësi të jashtëzakonshme, që ne e përdorëm deri në maksimum, për t’i dhënë zë lëvizjes së studentëve dhe forcave demokratike dhe për të theksur se përpjekjet e Presidentit Alia për të mbrojtur trashëgiminë e Hoxhës dhe për të ngadalësuar proceset demokratike do të deshtonin.
Ne mobilizuam githë burimet tona, zgjeruam mbulimin e ngjarjeve në Tiranë dhe praktikisht thyem monopolin e regjimit mbi informacionin.
Mbulimi ynë u përqëndrua në tre aspektet kryesore:
• Ne arritëm të vendosnim një lidhje të drejtpërdrejtë komunikimi telefonik me studentët grevistë, ç’ka na krijoi mundësinë të kishim njoftimet më të fundit për situatën dhe për të shpjeguar natyrën e kërkesave të tyre.
• Ne transmtuam intervista ose përmbledhje intervistash me personalitete të njohura shqiptare, të cilët gëzonin autoritet moral, si dhe me udhëheqës opozitarë, që shprehënin mbështetje të plotë për studentët.
• Ky mbulim u plotësua më tej me komentet dhe analizat tona, me reagimet e zyrtarëve dhe ekspertëve të huaj si dhe me përmbledhjen e artikujve të shtypit amerikan dhe atij të Evropës Perëndimore.

Më 18 shkurt 1991, ditën e parë të grevës së urisë, në një analize, unë sugjeroja që Alia kishte vetëm një mundësi realiste: të pranonte kërkesat e studentëve.

“… Klima e re politike e bënë të lëhtë që Presidenti Alia t’i jap fund njëherë e përgjithmonë trashëgimisë së Enver Hoxhës për të mirën e Atdheut. Në kushtet e pluralizmit politik, i cili lindi si reagim i diktaturës së trashëguar nga Enver Hoxha, nuk mund të ketë vend për kultin enverist… Me Enver Hoxhën mund të mburret Partia e Punës, por jo populli shqiptar, i cili aktualisht po ballafaqohet me krizën më të thellë në këtë gjysëm shekulli, pikërisht si rrjedhim i politikës dritëshkurtër të diktatorit.”

Më 19 shkurt 1991, një ditë para rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, të dy emisionet tona, pas lajmeve ndërkombëtare, iu kushtuan tërësisht grevës së studentëve. Emisioni i orës 18, emisioni ynë kryesor, përmbante një raport të posaçëm dhe u hap me lajmin se pleniumi i Komitetit Qëndror, që ishte mbledhur atë ditë, kishte mbështetur vendimin e qeverisë për të hedhur poshtë kërkesat e studentëve. Lajmi u pasua nga intervistat me drejtuesit e studentëve Ridvan Peshkëpia dhe Arben Lika. Peshkëpia theksonte se studentët kërkonin dialog, por ishin të vendosur të vazhdonin grevën deri në plotësimin e kërkesave. Arben Lika shprehu të njejtat ide duke shtuar:

“Nuk jam mirë akoma. Do të jem mirë vetëm atëherë kur ta marrim vesh saktësisht që është hequr emri i Enver Hoxhës nga universiteti jonë, vetëm atëherë do të kem të drejtën morale që t’i them vetes të hyjë në dyert e këtij universiteti. Vetëm atëherë do të kem të drejtën morale që t’i kërkoj edhe kombit tim paksa qetësi, paksa admirim, paksa admirim për këtë rini kaq të mrekullueshme, për lirinë universitare, për shokët e mi që bënë një sakrificë kaq sublime.”

Ndërsa në fillim opozita dukej se nuk u kishte dhënë mbështejtje të fortë studentëve potestues, tani udhëheqësit e Partisë Demokratike, në intervista me Zërin e Amerikës, i mbështetën plotësisht kërkesat e studentëve. Gramoz Pashko, me një ndjenjë alarmi, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i kushtojë vëmendje Shqipërisë dhe të parandalojë një gjenocid të mundshëm. Ndërsa Berisha deklaroi se, “Do të ishte tragjike që kulti i individit të Enver Hoxhës të bëhej shkak për një dramë të madhe kombëtare.”
Napoleon Roshi, drejtor i Radios së Jashtme të Tiranës, në një intervistë të drejtpërdrejtë telefonike nga Qyteti Studenti kritikoi autoritetet për manipulimin që po i bënin opinionit të brendshëm e të jashtëm, përfshirë atij në Kosovë, dhe bëri një thirrje emocionale për mbështetje ndërkombëtare për demokratizimin e Shqipërisë.

“Po të flas nga Qyteti Studenti, ku 720 bijë dhe bija nga më të mirët e Shqipërisë, ajka e rinisë shqiptare, janë në një grevë të drejtë urije. Kërkesa e studentëve është që t’i hiqet emri Enver Hoxha sepse nuk mund të ketë depolitizim të universitetit po që së nuk i hiqet emri që përfaqëson një parti. Më shqetëson një gjë. Më shqetëson manipulimi i opinionit ndërkombëtar, heshtja e opinionit ndërkombëtar në një kohë kur 700 bijë dhe bija të Shqipërisë bëjnë grevë urije për një kërkesë të drejtë… Nuk mund të ketë demokratizim të jetës pa u plotësuar kjo kërkesë elementare e studentëve.”

Në emisionin e orës 20:30 më 19 shkurt, ne transmetuam të rejat e fundit. Cituam burime nga Tirana që vinin në dukje se forcat policore dhe ushtarake kishin rethuar Qytetin e Studentit, studentët këmbëngulnin se nuk kishin ndërmend t’i jepnin fund grevës së urisë, dhe se ata gëzonin mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Por segmenti më i rëndësishëm i emisionit ishte një intervistë me Ismail Kadarenë, i cili shprehu mbështetje pa asnjë mëdyshje për studentët. Shkrimtari i shquar tha se studentët po luftonin për “dinjitetin e Shqipërisë” dhe shtoi se, “Asnjë shqiptar nuk duhet të vuajë, të dënohet këtej e tutje për shkak të emrit të Enver Hoxhës.” Kadare më pas i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë dhe të fuqishme Presidentit Alia:

“I bëj thirrje Presidentit Ramiz Alia që të mos dëgjojë këshilltarët e tij të keqij, por të dëgjojë zërin e studentëve shqiptarë. Ata e duan Shqipërinë më shumë se këshilltarët e keqij. Në qoftë se Presidenti Ramiz Alia dëshiron që bota përparimtare ta përkrahë aksionin e tij të pajtimit kombëtar e të demokracisë, në qoftë se ai e dëshiron më të vërtetë këtë pajtim, e unë shpresoj se është kështu, ai duhet të mbledhë mendjen njëherë e përgjithmonë se përpara interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve s’mund të qëndrojë asgjë dhe askush, asnjë doktrinë, asnjë emër, asnjë parti, e asnjë shef partie. Shpresoj shumë që zëri i arsyes të dëgjohet në Shqipëri.”

Menjëherë pas emisionit mora disa telefonata kërcënuese dhe tepër armiqësore, disa besoj nga Shqipëria dhe të tjera nga vende të Evropës Perëndimore, me akuza se transmetimet tona po e çonin Shqipërinë drejt një lufte civile.
E mërkura, 20 shkurt 1991, do të sillte zhvillime dramatike. Në mëngjes përmes telefonit kontaktova burimet tona të Tiranë. Njoftimet ishin alarmuese: mijëra njerëz ishin mbledhur në Sheshin Skëndërbej, tanket kishin dalë në qytet, dhe dukej se Shqipëria ishte në prag të një ballafaqimi të rrezikshëm.
Por pak para fillimit të emisionit, morrëm lajmin se mbi 100,000 njerëz, të mbledhur në sheshin qendror të Tiranës, kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës.
Zëri i Amerikës e filloi emisionin duke njoftuar se simboli më i rëndësishëm që kishte mbetur ende nga komunizmi në Shqipëri më në fund kishte rënë. Por kriza nuk kishte përfunduar: qeveria ende nuk i kishte pranuar kërkesat e studentëve.
I gjithë emisioni atë ditë iu kushtua zhvillimeve në Shqipëri dhe përmbante intervista me përfaqësues të studentëve dhe disa personalitete të shquara, mes tyre Profesor Rexhep Qosja, Sali Berisha, Ridvan Peshkëpia, Arben Demeti, dhe disa studentë grevistë.
Gjatë dy ditëve të fundit, nga Prishtina kishte sinjale të ndryshme. Ndërsa studentët atje, ishin në solidaritet me vëllezërit dhe motrat e tyre në Tiranë, disa figura të njohura në Kosovë u kishin bërë thirrje publike studentëve ta ndërprisnin grevën e urisë. Deklaratave kritike ndaj protestuesve të ish udhëdheqësit të partisë komuniste Mahmut Bakalli dhe të profesorit të njohur Mark Krasniqi, u ishte dhënë rëndësi e veçantë nga shtypi i kontrolluar nga qeveria në Tiranë.
Profesor Qosja gëzonte mbështetje nga të dyja palët në Shqipëri. Ai kishte luajtur një rol të rëndësishëm në përcaktimin e qëndrimit të Kosovës ndaj Kadaresë, kur ai u largua nga vendi dhe gjatë demonstratave të dhjetorit të studentëve. Në të dyja rastet, ai e kishte bërë të ditur qëndrimin e tij në intervista me Zërin e Amerikës. Demokratët, nga ana tjetër, kishin marrë një shprehje të Qoses gjatë një intervistë me Zërin e Amerikës, më 13 dhjetor 1990, për t’i vënë titullin gazetës së tyre Rilindja Demokratike. Berisha, në intervistën e tij të parë me Zërin e Amerikës, më 12 dhjetor 1990, i pyetur për sfidat e pajtimit kombëtar, ishte përgjigjur duke cituar Qosen: “I përmbahemi asaj që thotë Rexhep Qosja: në luftë me vëllaun kërkush s’fiton”.
Qosja ishte një mbështetës i hapur i Presidentit Alia dhe unë nuk isha i sigurtë se çfarë qëndrimi do të mbante. Qosja i bëri thirrje Presidentit Alia të pranonte kërkesat e studentëve, duke shtuar se “e drejta është në anën e tyre” dhe se “është e palejueshme që për shkak të një emri të vdekur të bijë qoftë edhe një pikë gjaku në Sheshin e Skëndërbeut!” Qosja i bëri një thirrje emocionale Ramiz Alisë: “Studentët po kërkojnë t’i hiqet emri Enver Hoxha këtij universiteti. Le t’i hiqet! Universiteti është i popullit, i Shqipërisë, e jo i partive. Nuk jetohet prej namit të të vdekurve e sidomos nuk jetohet prej namit të atij që ka vdekur dyfish: edhe si njeri, edhe si simbol. E ka vdekur dyfish sepse ishte diktator.”
Në intervistën e tij, Sali Berishën bënte thirrje për qetësi dhe u kërkoi përkrahësve të mos binin pre e provokimeve të komunistëve: “Levizja studentore është një lëvizje demokratike ose më drejtë, pararoja e lëvizjes demokratike në Shqipëri. Ajo nuk synon aspak në destabilizimin e gjëndjes, provokimin e akteve të dhunës, apo përleshjeve sociale. Përkundrazi, ajo ka si qëllim kryesor vendosjen e demokracisë së vërtetë në Shqipëri… Vetëm një Shqipëri demokratike, me qytetarë të lirë, me qytetarë që gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e individit do mund t’u dalë zot dhe të mbrojë interesat dhe të drejtat e shqiptarëve kudo që ata janë.”
Ridvan Peshkëpia and Arben Demeti përshëndetën rrëzimin e monumentit, por theksuan se greva e urisë do të vazhdonte deri në plotësimin e kërkesave të studentëve. Ne po ashtu transmetuam komente të shkurtëra nga një dëshmitare që kishte parë rrëzimin e monumentit dhe tre studente të reja që ishin në grevën e urisë.
Brenda dy orësh, kur i erdhi koha emisionit tonë të radhës, në orën 20:30, nga Tirana kishte lajme të mira: qeveria kishte ndryshuar qëndrim duke pranuar që emri i Enver Hoxhës t’i hiqej Universitetit të Tiranës, ndërsa studentët njoftuan se do t’i jepnin fund grevës së urisë. Ne transmetuam materiale që përshkruanin atmosferën festive në kryeqytet përmes intervistave me dëshmitarë.
Rrëzimi i monumentit të Hoxhës çoi në një acarim të rrezikshëm të gjendjes, Shqipëria dukej se ishte shumë pranë një lufte të gjithashme civile, dhe për disa ditë emisionet tona iu kushtuan pothuajse tërësisht mbulimit të trazirave.
Alia personalisht mori përsipër kontrollin e vendit, emëroi një këshill presidencial prej nëntë anëtarësh dhe zëvendësoi kryeministrin Adil Çarçani me Fatos Nanon. Po ashtu, ai arriti një marrëveshje me partitë e opozitës sipas së cilës ato ranë dakord të pezullonin gjithë veprmtaritë që lidheshin me emrin dhe monumentet e Hoxhës gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 31 marsit 1991. Gjatë një fjalimi drejtuar vendit më 23 shkurt 1991, Alia u premtoi përkrahësve të vet se çështja e monumenteve të Hoxhës do të vendosej nga parlameti i ri, ose me referendum mbarëkombëtar pas zgjedhjeve.
Mirëpo, pas zgjedhjeve, vendi u përball me çështje më të mprehta dhe çështja Hoxha kurrë nuk u bë objekt i një diskutimi serioz nga elitat politike te vendit.
Njëzeteshtatë vjet pas rrëzimit të monumentit të Hoxhës, shqiptarët ende nuk janë shkëputur nga e kaluara e tyre e errët komuniste dhe vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të dyzuar rreth figures së Hoxhës. Mungesa e një konsensusi për figuren dhe trashëgiminë e Enver Hoxhës vazhdon të prodhojë polarizim dhe debate të pafundme.
Fryma dominuese e vitit 1991 – që dënonte krimet e së kaluarës komuniste – duket së është zëvendësuar nga një frymë alternative:
• që nxjerr në pah rolin e Enver Hoxhës gjatë luftës
• vlerëson arritjet gjatë sundimit të tij por pa dënuar me vendosmëri terrorin e ushtruar nga Hoxha
• dhe arrinë deri aty sa të vendosë, në mënyrë të pamoralshme, shenja të barazisë mes qëndrimeve komuniste dhe atyre anti-komuniste.
Kujtesa e krimeve të Enver Hoxhës nuk është më pjesë e rëndësishme e debatit publik. Ajo është lënë mënjanë dhe me ikjen e brezave të vjetër, kjo kujtesë gradualisht mund të fshihet.
Ndoshta kjo gjëndje është pasqyrë e përpjekjeve të vështira të Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë. Sidoqoftë, mendoj së shqiptarët dhe elitat e tyre kanë një përgjegjësi morale që të përballen publikisht, të dënojnë çmenduritë e së kaluarës komuniste, dhe të përpiqen të kapërcejnë traumat e trashëguara nga regjimi i Enver Hoxhës.
Është me rëndësi që kujtesa historike të mbijetojë, në mënyrë që aspekte të asaj periudhe të tmerrshme, të mos përsëriten kurrë më!

*Fjalim në Konferencën “Rrëzimi i Monumentit të Enver Hoxhës në Pasqyrimin e Shtypit Ndërkombëtar”
Fondacioni Konrad Adenauer
Tiranë, 20 Shkurt, 2018

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Elez Biberaj, rrezimi i monumentit, TË ENVER HOXHËS, zeri i amerikes

Tiranë: Përkujtohet rrëzimi i monumentit të diktatorit Hoxha

February 20, 2018 by dgreca

u3_shtatorja-1-300x270

Nga Ilirian Agolli/VOA/

1 elez

Veprimtarë e protagonistë të ngjarjeve të viteve 90, historianë e politikanë morën sot pjesë në një konferencë mbi 27 vjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha.

Ish-presidenti i Republikës, Sali Berisha, tha në konferencën e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, se rrëzimi i monumentit ishte ngjarja më kulmore e fundit të diktaturës.

Ai tha se diktatura komuniste e Ramiz Alisë vrau dhe burgosi shqiptarët deri ditën e fundit.

“Diktatura e dytë ishte ajo e mjerimit e ndërtuar qëllimisht nga diktatori Enver Hoxha, por diktatura e tretë ishte kulti i individit. Sot është jashtë imagjinate ajo periudhë e errët” – tha zoti Berisha.

Ai tha se kulti i Enver Hoxhës ishte qëllimi kryesor i lëvizjes antikomuniste, ndaj mjediset universitare u kërkua të zbrazeshin nga bustet dhe fotot e diktatorit.

“Lëvizja studentore u mbështet nga sindikatat dhe qytetarët. Atë ditë Ramiz Alia dha urdhër në një mbledhje ushtarake që të qëllohej mbi protestuesit. Kjo është e vërteta, që urdhëri u dha, por mbetet në meritën e atyre që nuk qëlluan mbi qytetarët” – tha zoti Berisha.

Ai tha se Neritan Ceka shmangu një gjakderdhje, kur bindi protestuesit, që të mos shkonin drejt Bllokut të zbrazur të udhëheqjes komuniste.

Qytetarët ishin të vendosur të rrëzonin kultin e diktatorit Enver Hoxha dhe e arritën këtë, tha ai.

Diplomati dhe publicisti Besnik Mustafaj solli detaje nga 20 shkurti 1991, dita kur mijëra qytetarë u bashkuan në sheshin Skënderbej dhe rrëzuan monumentin e diktatorit Enver Hoxha.

“Zyra ime e gazetarit ishte shumë pranë sheshit dhe kjo më ndihmoi të raportoja shpejt një ngjarje mjaft të rëndësishme” – tha zoti Mustafaj, dikur bashkëpunëtor i agjencisë AFP.

Ai tha se atë ditë gjithë Qyteti Studenti ishte në shtetrrethim dhe mijëra ushtarë e oficerë kontrollonin hapësirat në kryeqytet.

“Ishte frikë e madhe dhe po aty ishte trimëri e madhe dhe njerëzit e vranë frikën, ndërsa lajmi e tejkaloi izolimin e Shqipërisë” – tha zoti Mustafaj.

Më tej e mori fjalën drejtori i “Zërit të Amerikës” për divizionin e Euro-Azisë, dr.Elez Biberaj. Ai kujtoi një mori detajesh nga mbulimi i atyre ngjarjeve të rëndësishme kur drejtonte radion “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe. Zoti Biberaj ritransmetoi në sallë me zëra disa pjesë nga intervistat e transmetuara nga “Zëri i Amerikës” me personalitete të kohës si Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Sali Berisha, Napoleon Roshi dhe studentëve drejtues të grevës së urisë si Arben Lika dhe studente e qytetare të thjeshta.

Radio “Zëri i Amerikës” ishte e vetmja media e rëndësishme ndërkombëtare, që mbuloi nga afër lëvizjen demokratike studentore në kapërcim të viteve 1990-1991, dhe ndikoi në rrjedhën e ngjarjeve me një mori lajmesh dhe intervistash me protagonistët e zhvillimeve.

Ismail Kadare tha në intervistën për “Zërin e Amerikës” atë ditë: “I bëj thirrje Presidentit Ramiz Alia që të mos dëgjojë këshilltarët e tij të këqij, por të dëgjojë zërin e studentëve shqiptarë. Ata e duan Shqipërinë më shumë se këshilltarët e keqij. Në qoftë se Presidenti Ramiz Alia dëshiron që bota përparimtare ta përkrahë aksionin e tij të pajtimit kombëtar e të demokracisë, në qoftë se ai e dëshiron më të vërtetë këtë pajtim, e unë shpresoj se është kështu, ai duhet të mbledhë mendjen njëherë e përgjithmonë se përpara interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve s’mund të qëndrojë asgjë dhe askush, asnjë doktrinë, asnjë emër, asnjë parti, e asnjë shef partie. Shpresoj shumë që zëri i arsyes të dëgjohet në Shqipëri”.

Studiuesi Elez Biberaj theksoi se sot “27 vjet pas rrëzimit të monumentit të Hoxhës, shqiptarët ende nuk e kanë lënë pas të kaluarën e tyre të errët komuniste dhe ende nuk i kanë kapërcyer traumat që la pas regjimi i Enver Hoxhës. Paaftësia për të arritur në një konsensus për trashëgiminë e Hoxhës ka prodhuar konflikte të thella, polarizim të shoqërisë dhe debate të pafundme rreth kujtesës historike të Shqipërisë. Asnjë qeveri pas-komuniste nuk ka kërkuar falje për krimet e regjimit të Hoxhës” – tha zoti Biberaj.

Ai tha që megjithë natyrën shtypëse të regjimit të Hoxhës, shqiptarët kanë një qëndrim të paqartë rreth figurës së Hoxhës, vazhdojnë të jenë në konflikt për të dhe ndeshen me vështirësi kaq të mëdha për ta diskutuar pa pasion trashëgiminë e tij.

“Prirja mbizotëruese në vitin 1991, që dënonte krimet e së kaluarës komuniste të vendit, përgjithësisht është zëvendësuar nga një frymë alternative që nxjerr në pah rolin e Hoxhës gjatë luftës, vlerëson arritjet gjatë sundimit të tij, por pa dënuar me vendosmëri terrorin e ushtruar nga Hoxha dhe arrihet deri aty sa të vendosë në mënyrë të pamoralshme shenja të barazisë mes qëndrimeve komuniste dhe anti-komuniste” – tha zoti Biberaj.

Ai theksoi se kujtesa e krimeve të Hoxhës nuk është më pjesë e rëndësishme e debatit publik, se ajo është lënë mënjanë dhe se me ikjen e brezave të vjetër, ekziston rreziku që kjo kujtesë gradualisht të fshihet.

“Ndoshta kjo gjendje është pasqyrë e përpjekjeve të vështira të Shqipërisë drejt gjetjes së rrugës për një demokraci të konsoliduar dhe të qëndrueshme. Por shqiptarët dhe elitat e tyre kanë një përgjegjësi morale të përballen publikisht dhe të dënojnë çmenduritë e së kaluarës komuniste dhe të përpiqen të kapërcejnë traumat e lëna pas nga regjimi i Hoxhës. Është me rëndësi që kujtesa të mbijetojë, në mënyrë që aspekte të asaj periudhe të tmerrshme, të mos përsëriten kurrë më” – tha zoti Biberaj.

Filed Under: Histori Tagged With: rrezimi i monumentit, te diktatorit, Tirane

RRËFIMI TJETËR: RRËZIMI I MONUMENTIT SIPAS KICO MUSTAQIT; NGJARJET NË SHKOLLËN E BASHKUAR, PËRDORIMI I HAXHI LLESHIT PREJ RAMIZ ALISË….

February 20, 2015 by dgreca

DOSIER nga Albert ZHOLI/ Flet ish-Minsitri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi/
-Monumentin nuk e rëzuam ne, ne kishim në plan ruajtjen e RTV-së/
-20 shkurti Ramiz Alia jepte Alarmin se “ janë vënë në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar”./
-Ngjarjet e sikletshme të Shkollës së Bashkuar,ku ishte dhe Akademia Ushtarake e Shkolla “Skënderbej”/
-Momenti kur u rrëzua monumenti i Enverit, ishte një moment tepër i rrezikëshëm për Shqipërinë, sepse mund të përfundonte në një gjakderdhje, vëllavrasje/
-Për mendimin tim Shkolla e bashkuar nuk sulmoi por u sulmua. /
-Sekretarët e parë nuk dinin çfarë të bënin, nga ana tjetër po dorëzoheshin dokumentet e partisë/
-Ramiz Alia përdorte dhe shfrytëzonte shumë Haxhi Lleshin/
….Po t’ju referohemi informacioneve të atyre ditëve, skenari i zhvillimit të ngarjeve ishte ky: Turmat e njerëzve që do të niseshin nga qyteti Studenti do të merrnin së pari godinën e Radio Televizioinit, prej andej do të drejtoheshin në Kryeministri e në Komitetn Qendror të PPSH. Në dritaret e zyrave të Adil Carçanit, Enver Hoxhës e Ramis Alisë, nga krahu i bulevardit Dëshmortë e Kombit, do të vendosnin flamurët e PD-së e pastaj demostruesit do të futeshin në Bllokun e Udhëheqjes për të shkatërruar banesat e bllokmenëve “ një neologjizëm mjaft i përhapur ditëve të para të 1991-shit. Turma prej 100.000 vetësh (këtë shifër dha në mbrëmje një agjenci prestigjioze lajmesh), nuk mundi të hynte në godinën e Radiotelevizionit, ku nuk pati ndonjë incident. Lumi njerëzor, nëpërmjet rrugës së Elbasanit vërshoi në drejtim të sheshit “Skëndërbej” ku u rrëzua monumenti . Pastaj u kthye në bulevardin kryesor të Tiranës, duke thirrur: “Te Blloku! Te Blloku!” Bulevardi ishte bllokuar nga tanket e Gardës së Republikës. Ramiz Alia mbaj mend se i kishte sugjeruar komandantit të Gardës, Dane Binajt, që t’i jepte efektivit vetëm muncionin manovre. Kur Dane Binaj e paralajmëronte turmën të zbrapsej, se ndryshe do të hapte zjarr, drejtuesit e turmës bërtisnin: “Mos kini frikë” kanë predha manovre!”. Vetëm kur njëri prej tankeve shtiu në drejtim të plepave buzë Lanës dhe degët e plepave ranë përdhe njerëzit e kuptuan se Dane Binaj e kishte seriozisht. Atëherë njëri prej drejtuesve të atëherëshëm të PD-së Neritan Ceka, u ngjit tek njëri nga tanket dhe me megafon i bëri thirrje turmës që të kthehej mrapsht, çka dhe u bë. Në një nga pushimet midis seancave të Kuvendit, (prill 1991), i thashë Arben Imamit ( në atë kohë deputet i PD-së), se po të mos kishit rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës, do t’I kishit fituar ju zgjedhjet”. Arben Imami më dha një përgjigje që më vuri në mendime :” Monumentin nuk e rëzuam ne, e rrëzoi Ramiz Alia, ne kishim në plan ruajtjen e RTV-së, Komitetin Qëndror, Kryeministrinë dhe Bllokun”.Po qe se të dy janë shprehur sinqerisht, dhe me shqyrtimin dhe të fakteve që u përmendën më parë, atëherë mund të konkludohet se vërtetë partia Demokratike e konsiderointe si kurth rrëzimin e moinumentit të Enver Hoxhës dhe i ishte shmangur një lëvizjeje të tillë.
20 shkurti Ramiz Alia jepte Alarmin se “ janë vënë në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar”.
Për Ramiz Alinë, 20 shkurti ishte “ një nga ditët më dramatike e më të rënda” në jetën e kryeqytetit”.Në një mesazh që u transmetua nga televizioni mbrëmjen e po asaj date , Ramiz Alia jepte Alarmin se “ janë vënë në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar”. Ramiz Alia ka thënë disa herë se ai dha urdhër të mos qëllohet kundër turmës, për të mos shkaktuar gjakderdhje e vëllavrasje. Ministri I atëhershëm I Punëve të Brendëshme Hekuran Isaji pretendon në një intervistë (korrik 1991), se Ramizi I dha urdhër të qëllonte, por ai nuk e zbatoi. Vetë Ramiz Alia ka deponuar edhe para hetuesit për këtë çështje. Në librin “Ditari I burgut” ai e riprodhon këtë deponim:
“Kur demostruesit dolën në sheshin Skëndërbej dhe kishte gjasë që ata të sulmonin për të rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës, Hekuran Isai më mori në telefon, “Ç’të bëjmë?”. I them: “Sipas ligjit, kundër atyre që përpiqen të prishin monumentet si dhe kundër organizatorëve të demostratave të paligjëshme, policia duhet të ndërhyjë . Mirëpo, a mund të bëhet kjo atje, në sheshin Skëndërbej? A mund të evidentohen organizatorët?”. “Është e pamundur, m’u përgjigj Hekurani,-Në shesh ndodhen mbi 10.000 vetë, prandaj nuk mund të dallohen organizatorët, përveçëse nëse bëhet kasaphanë”. Atëherë i thashë: “Kasaphana dhe gjaku nuk na nevoiten, prandaj përpiquni ta shmangni të keqen me mënyra të tjera. Kur mbërriti lajmi se monumenti ishte rrëzuar, unë ndodhesha në mbledhjen e Komitetit Qëndror të Partisë dhe ua thashë edhe të tjerëve . Nëse Hekurani kishte vepruar kundër urdhërave, domethënë se ai nuk lejoi të përdoreshin armët, ndonëse e kishte urdhërin prej meje që t’i përdorte, atëherë gjëja më e thjeshtë që do të bënim ne apo çdo anëtar tjetër i Komittit Qëndror, do të ishte të thirrej Hekuran Isai e të jepte llogari apo t’i bëhej një vërejtje, siç e parashikonin rregullat e kohës. Mirëpo asgjë nga këto nuk u bë. Pse?Sepse të gjithë shokët e dinin se ishte mendim unanim i Komitetit Qendror që të mos përdoreshin armët kundër popullit . Kjo ishte vija e Partisë.
Momenti kur u rrëzua monumenti i Enverit
Momenti kur u rrëzua monumenti i Enverit, ishte një moment tepër i rrezikëshëm për Shqipërinë, sepse mund të përfundonte në një gjakderdhje, vëllavrasje . Sepse ishte një moment kur njerëzit ishun të revoltuar: njëra palë kërkonte rrëzimin, pala tjetër kërkonte mbrojtjen. Gjithkujt i kujtohet organizata “Vulletarët e Enverit”- pra ishte një rrezik vëllavrasjesh në përmasa të mëdha …Në momente të tilla themelore të historisë ka gjithmonë njerëz që i kuptojnë proçeset, ashtu sikurse ka edhe njerëz që nuk i kuptojnë . Prandaj dhe reagimet janë simbas mentalitetit të tyre. Në fund të fundit ishin masa të tëra njerëzish që dilnin dhe kërkonin një ndryshim rrënjësor të zhvillimit. Dhe nuk mund të mbrohej asgjë me armë; ajo vetëm do të ishte nja katrastrofë kombëtare dhe asgjë më tepër. Në rastin konkret, e vërteta mund të ketë pak rëndësi, po të meret parasysh se në mesazhin e 20 shkurtit Ramiz Alia theksonte :’Tashmë ka dalë krejt e qartë që forcat antidemokratike kanë një strategji të përpunuar. Ata duan shkatërrimn e Shqipërisë. Ata duan të shkulin me rrënjë çdo gjë që kemi ngritur. Ata janë gati të profanojnë edhe varret e të parëve …Këto forca nxiten e shtyhen për të vepruar për interesa politike. Synimi i tyre është armiqësimi i masave me pushtetin popullor. Një lojë cinike po zhvillohet me ndjenjat e poullit’. I gjithë mesazhi në fjalë I Ramiz Alisë karakterizohet nga një patetikë patriotike, që megjithatë mbart një ngarkesë të pazakontë konfliktuale. Ai gati-gati sa su thotë troç njerëzve : Rëmbeni armët për t’u treguar vendin ayre që arritën të rrëzojnë përmendoren kushtuar themeluesit të shtetit tonë , Enver Hoxhës. Në një pasazh mjaft ekuivok Ramiz Alia theksonte: I bëj thirrje popullit të marrë në dorë fatin e vet. Sot është dita të tregohet kush është patriot, kush e do me zemër Shqipërinë, kujt i dhemb mundi e djersa e derdhur, kush e don me të vërtetë demokracinë”. Bashkimi I fjalive është në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar, nga njëra anë dhe nga ana tjetër “Sot është dita të tregohet kush është patriot dhe e do me zemër Shqipërinë”, ishte mjaft i rrezikëshëm dhe mund të interpretohej fare mirë si një thirrje që njëra pjesë e popullsisë të rrëmbente armët kundër pjesës tjetër që ‘luante me ndjenjat” e pjesës së parë… Rrjedha e ngjarjeve të ardhëshme dëshmoi se taktika e Ramiz Alisë për të sensibilizuar masat në favor të regjimit komunist, me shpresën se inciativa për konfrontimin do të merrej nga vetë këto masa, nuk ishte krejt pa bazë. Dominimi gjysmëshekulor I komunistëve nuk mund të fshihej brenda një dite nga ndërgjegjet e njerëzve . Kjo vërehej më shumë në zonat ku PPSH kishte pasur vazhdimisht influencën më të madhe dhe njerëzit kishun lidhje farefisnore e krahinore me spiralet e nomenklaturës. Veç kësaj, në kushte e paralizimit të vendit, e vetmja propogandë që arrinte tek masat ishte ajo që bëhej nëpërmjet radios e televizionit shtetëror. Megjithatë monumneti i Enver Hohës në qendër u rrëzua. Roli i Ramiz Alisë tashmë dukej fare i zbehtë. Ai nuk kishte asnjë fuqi në drejtimin e shtetit. Roli i tij kishte përfunduar. De fakto ai nuk ishte më një udhëheqës.
Gabim, se vendi po kërcënohej realisht me puç ushtarak
Duket se pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës Ramiz Alia e kuptoi se ishte i izoluar, prandaj vendosi që edhe formalisht ta merrte në duart e veta drejtimin e pushtetit dhe u vu në krye të një këshilli presidencial që përbëhej prej 9 vetash. Në këshillin presidencial, me përjashtim të Fatos Nanos, emri i të cilit sapo kishte nisur të shkëlqente , gjithë të tjerët , ose qenë konservatorë të betuar, ose nuk kishin realisht asnjë lloj peshe në marrjen e vendimeve . Këshilli përbëhej , ( veç Nanos) nga: Haxhi Lleshi- ish kryetari presidiumit të Kuvendit Popullor, Kleanthi Koçi-Kryetar I Gjykatës së Lartë, Kiço Blushi shkrimtar, Lufter Xhuveli- petagog kryetar i partisë Agrare, Rexhep Meidani-petagog, Minella Dalani gazetar në pension, Xhenet Muço- ushtarak. Menjëherë pas krijimit të tij, Këshilli Presidencial lëshoi një deklaratë, ku kërcënonte se do të shpallej gjendja e jashtëzakoinëshme, nëse nuk vendosej rendi dhe qetësia publike. Të nesërmen e rrëzimit të monumentit u hapën fjalë se efektiva të shkollës së Bashkuar do të marshonin për në qendër të Tiranës, ku do të rivendosnin shtatoren e diktatorit që ndodhej në oborrin e shkollës. Por nuk ishte e gjithë Shkolla e Bashkuar. Por, nga ana tjetër duhet theksuar se kjo nuk mund të ishte një inciativë spontane, aq më tepër në një shkollë të tillë ushtarake, ku nuk diskutohej disiplina e hekurt. Madje në një thirrje të efektivave të shkollave ushtarake të Tiranës drejtuar presidentit, partive politike dhe gjithë popullit, thuhej në fund se me përmbajtjen e thirjes u njohën komandat e shkollave ushtarake dhe janë plotësisht dakort. Kërkesa e parë e kësajë thirrje lidhej me Enver Hoxhën, për figurën e të clit kërkohej që të përcaktohej me anë të një referendumi mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohej ashtu siç e do populli. Përmbajtja e thirrjes tingëllonte si ultimatum , dhe pati njerëz që kur u njohën me përmbajtjen e saj, menduan të tmerruar se vendi po kërcënohej realisht me puç ushtarak.
Ja teksti i thirrjes;
“Efektivi i shkollave ushtarake Tiranë , bij të punëtorëve , fshatarëve dhe intelektualëve të ndershëm, të shqetësuar seriozisht dhe indinjuar thellë nga veprimet krimnale dhe forcavce të errëta, ndaj të cilëve partitë politike dhe shoqatat e ndryshme me deklarata janë distancuar prej tyre publikisht, por fatkeqësisht jashtë dëshirës dhe kërkesave të panumërta të populit shqiptar, gjerndja në vend jo vetëm nuk po qetësohet , por keqësohet gjithnjë e më shumë, ndaj kërkojmë :
1. Figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anën e një referendumi mbarëpopullor, dhe ao të vlerësohet ashtu siç e do populli.
2. Në kushte e demokratizimit të mëtejshëm të vendit dhe të pluralizmit politik, kërkojmë departizimin e ushtrisë.
3. Kërkojmë që figura e ushtarakut të mbrohet me ligj ajo të jetë e paprekëshme.
4. Të zbatohet me reptësi ligji për mbrojtjen e objekteve që kanë vlera ekonomike, sociale, kulturore, historike, që janë ndërtuar me gjakun dhe djersën e popullit.
5. Kërkojmë që sot, më datën 22.2 1991, ora 17.00 përfaqësues të Presidiumit, të partive plitike, të Ministrive të Mbrojtjes e të Punëve të Brendëshme , si dhe të mjeteve të propogandës, Radiotelevizionit, organeve , organeve të shtypit të takohen me studentët dhe kuadrot e shkolave ushtarake . Takiki do të bëhet në sheshin e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve ‘Enver Hoxha”.
6. Radio-Televizioni të kalojë nëndrejtimin e Këshillit Presidencial dhe të japë informacion të plotë për gendjen në shkallë vendi dhe jo vetëm për ato çka zhvillohen në Tiranë.
7. Efektivat e shkollave ushtarake në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha partive politike, organizatave dhe subjekteve të ndryshme të largohen nga fjalët e deklarata e mëdha dhe të ulen me masat e poullit për t’u siguruar atyre qetësinë dhe stabilitetin në vend, për t’I ndërgjegjësuar me qëllim që të kapërcehet pa dhimbje e gjak situata e rëndë që është krijuar.

Ngjarjet e Shkollës së Bashkuar,ku ishte dhe Akademia Ushtarake e Shkolla “Skënderbej”.

Monumenti i Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit ishte rrëzuar, por asgjë nuk kishte përfunduar. Jo vetëm në Shkollën e Bashkuara të Oficereve, por dhe në segmente të tjera gjakrat ishin ndezur ethshëm. Vendosja e një busti në miniaturë, që do të zëvendësonte monumentin e derdhur në 8 ton bronx special, dukej se do të rivendoste nderin e humbur. Dhe ndërsa disa qindra studentë ushtarakë të armatosur ishin të gatshëm ta bënin këtë edhe forcat jashtë territorit të Shkollës bënin një presion të madh. Ndoshta vetëm një shkrepse dhe konfrontimi i palëve do të realizohej me “sukses të plotë”… por kjo nuk ndodhi. Është e nevojshme të themi që në fillim se flitet për ngjarjet e Shkollës së Bashkuar, por atje ishin edhe Akademia Ushtarake e Shkolla “Skënderbej”. Pra, tre shkolla. Kështu që më e drejtë është ta quajmë: “Ngjarja në shkollat ushtarake të Tiranës”. Gjithashtu, jam pyetur për grushtin e shtetit të shkollës, ndërsa unë dua të bëj të ditur se grusht shteti quhet ajo goditje që rrëzon pushtetin dhe merr në dorë drejtimin e tij. Pra, ne e kishim pushtetin dhe nuk kishim asnjë arsye që të rrëzonim vetveten. Në qoftë se këtë ankesë do ta kishte Ramiz Alia dhe qeveria e Adil Çarçanit, do të ishte ashtu siç pyesni ju dhe siç e ka pagëzuar PD-ja e Sali Berisha. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe.
Më 21 shkurt më telefonoi drejtori i Televizionit
Janë thënë shumë për këtë shkollë. Midis të tjerave se ajo po përgatitej për sulm për rivendosjen e monumnetit në qendër të Tiranës dhe vendosjen e qetësisë. Por, për mendimin tim Shkolla e bashkuar nuk sulmoi por u sulmua. U sulmua nga forca regressive që drejtoheshin nga PD. Ndaj kësaj shkolle filluan provokimet. Provokimi apo sulmi ndaj saj ishte i organizuar dhe kishte për qëllim që forcat e shkollës të dilnin në rrugë e të gjakosnin popullin. E pastaj të thuhej se, ja ç’bën ushtria e Enverit, vret populin Midis shkollës së Bashkuar dhe turmës u vendos policia, pra policia kishte kontaktin me njerëzt. Policia hante gurët dhe të paktën një polic u vra, kur një udhëheqës i PD hapi portën e një furgoni. Para kësajë ngjarjeje ishte krijuar një bërthamë, në krye të së cilës ishte një petagog shumë I mirë I Akademisë dhe disa petagogë të shkollës së bashkuar. Meqenëse se Ramiz Alia dhe udhëheqja kishin shprehur keqardhjen për rrëzimin e monumentit, Shkolla e Bashkuar mori përsipër të vendosin shtatoren në qendër të Tiranës. Po qe nevoja e mbrojmë ne dhe kush të dojë, le të vijë dhe ta rrëzojë, thoshnin ata. Më 21 shkurt më telefonoi drejtori i Televizionit e më tha se kishin shkuar dy studentë të Shkollës së Bashkuar me një peticion dhe donin të transmetohej tekstualisht siç e kishin shkruar. Madje e kishin kërcënuar ose transmetojeni kështu siç është, ose do ta marrim ne televizionin e do ta transmetojmë vetë . Unë iu përgjigja nuk kishte gjë të keqe të transmetohej, përderisa çdo natë transmetoheshin dhjetëra peticione nga shoqata me dy-tre anëtarë, megjithatë, i thashë, unë nuk jam kopetent, se urdhërat i marr nga lart, nga shoku Ramiz. Sa për televizionin i thashë, mos ki frikë, nuk meret me forcë, pasi televizioni drejtohet nga komiteti Qendror e shoku Ramiz. Pas pak më merr në telefon Vaskë Çifliku , sekretari i Ramiz Alisë e më thotë të njëjtat gjëra . ‘Ti urdhërat i merr nga shoku Ramiz”. Po, i thashë, e di këtë dhe s’kam dhënë urdhër të veçantë. Pastaj, shtova se, ajo që duan të bëjnë studentët e Shkollës së Bashkuar është gjë e mirë, meqë juve ju ka ardhur keq që u rrëzua monumenti , ata duan ta venë prapë në vend. Pra ngrihen për atë që ju qan zemra. Përfundimisht peticioni nuk u transmetua nga radiotelevizioni. U botua, pa pikën që fliste për rivendosjen e shtatores, vetëm në gazetën Zëri i Popullit, më 22 shkurt 1991.
Takimi në Shkollën e Bashkuar (21 shkurt 1991)
Në mbrëmjen e po asaj date, në Shkollën e Bashkuar po zhvillohej një takim me pjesëmarrjen e studentëve dhe petagogëve, një përfaqësuesi nga Ministria e Mbrojtjes, (më duket Shefi i Shtabit), Neritan Ceka nga PD, e të tjerë. Ndërsa po vazhdonte takimi u dëgjuan krisma . Ata të PD-së, thanë e ndërpresim diskutimin sepse shkolla hap zjarr dhe në kushte lufte nuk mund të diskutojmë . U ngjitën të gjithë në tarracë dhe panë se të shtënat vinin nga jashtë, ku plagos dhe një oficer i Shkollës së Bashkuar. Pasi u bindën se shkolla nuk kishte hapur zjarr , ata u kthyen dhe mbledhja vazhdoi. Shkolla ndërkaq ishte nën komandë dhe ndodhej e pozicionuar. Në shkollkën e Bashkuar kishte petagogë e studentë ,(ndonjë edhe në Akademi), që ishin komprementuar nga PD. Ishin togat e zbulimit , të prapavijës, që përbrenda shkollës ishin rrezik, sepse kisha frikë që po të ndodhte ndonjë situatë Brenda shkollës, mund të shkaktohej vëllavrasje. Në të vëretë, kur u rrethua Shkolla e Bashkuar nga njerëz provokatorë, këta ishin të parët që u ngritën kundër rrugaçëve që donin të sulmonin shkollën. Togat e zbulimit e të prapavijës që ishin më të kompromentuarat, u bënë më luftaraket, pse ata konsideruan se u shkel nderi I ushtarakut.
Rrëzimet e statujave të Enver Hoxhës ishin të orientuara
Fakti se rrëzimet e busteve në Tiranë, në Durrës, në Fier, në Korçë, Vlorë u bënë të gjitha rreth orës 11.00, na vuri në mendime. E diskutuam dhe në një rreth shumë të ngushtë në shtabin e përgjithshëm dhe gjykuam se kjo ishte bërë me orientim. Unë ende mendoj se ishte orientim nga Ramiz Alia. Pra, përshtypja ime ishte se ato qenë të organizuara . Dhe meqenëse ishte kështu, kjo mund të ndodhte edhe Brenda në Shkollën e Bashkuar. Vrisja mendjen se çfarë duhej bërë dhe vendosa që edhe unë ta organizoja heqjen e shtatores nga shkolla. Kam thirrur shefin e shtabit e drejtorin e Xhenjos e u kam thënë: Unë akoma nuk kam marrë lejen e Ramiz Alisë, por do t’I marr leje dhe vetëm ju do ta dini. Në rast se na japin urdhër për ta hequr shtatoren e Enver Hoxhës nga Shkolla e Bashkuar, ti si drejtor I xhenjos do të marrësh masa që në mëngjes atje të jetë bërë një lulishte, nuk dua që të mbetet gërmadhë.. Pasdite mora Ramiz Alinë në telefon dhe I thashë : “Mesa duket rrëzimi I busteve ka qenë I organizuar. Nëse është vënë në program që të rrëzohet edhe busti në Shkollën e Bashkuar , ne të marrim masa që në mëngjes të gdhihet lulishte “. Ai më bërtiti fort: “Si shoku Kiço ke mendimin të na heqësh komandantin e përgjithshëm ?!. Unë kuptohet, nuk I besova . Busti u hoq pas disa muajsh nga qeveria e stabilitetit, dhe nuk u hoq siç e mendoja unë.
Ramizi ndofta merrte raporte nga ndonjë burim tjetër
Edhte dhe sot më duket paksa e çuditshme. Gjatë gjithë asaj kohe të tensionuar nuk kemi komunikuar me njeri-tjetrin. Vetëm në mbledhjen e qeverisë unë raportova se situata ishte e ndezur. Nuk më kujtohet, por nuk kam marrë asnjë lloj detyre. Ne kishim punën tonë, të cilën e kishim shumë të qartë . Ramizi ndofta merrte raporte nga ndonjë burim tjetër, por unë nuk e di. Mua nuk më pëlqeu që brenda në shkollën e Bashkuar ishte futur zëvendësministri i brendshëm (Haredin Shyti) bashkë me kryetarin e PD-së të Tiranës dhe unë s’isha lajmëruar. Dhe në një moment, kur pati një të shtënë tanku, shoku Haredin Shyri më mori në telefon : “Jam këtu me kryetarin e PD-së për Tiranën” e më bënte vërejtje për veprimn e tankut. Atëherë nuk mu durua dhe I fola shumë ashpër, duke I thënë se, nuk jam në varësinë tuaj, kështu foli ministrit tënd, ç’pune ke me kryetarin e PD-së brenda në shkollë , ju merruni me policët përjashta , prandaj largohuni menjëherë , mos përfitoni nga mirësjellja e komandës së shkollës, etj. Unë nuk mund ta kuptoj edhe sot e kësajë dite se përse MPB dhe degët në rrethe , për çdo gjë informonin PD-në apo i merrnin leje asaj, duke mos menduar se kështu viheshin më keq fitilat. Kështu ndodhi edhe në Shkodër e rrethe të tjerë.
Pushtetin PD-së ja dhuroi vetë Ramiz Alia
Kjo është e vërtetë. Turma nga jashtë herë pas here provokonte Shkollën e Bashkuar. Ata kishin siguruar armë, qoftë të vjedhura, qoftë edhe nga jashtë. Për çudi atëherë, në duart e turmës janë gjetur armë Zastava , armë që nuk qarkullonin në Shqipëri. Por në kohën e përgatitjeve tremujore nuk ishte e vështirë të gjeje armë në Shqipëri, në kuptimin se ishin kompromentuar edhe disa oficerë, ishin kompromentuar edhe disa ushtarë, apo nënoficerë, që gjoja do t’i shërbenin demokracisë, ose mund të shiteshin armët. Por ato armë ishin të tjera tipa, të tjera kalibra . Nuk ishin të ushtrisë. Turma shtinin nga tarracat përballë shkollës së Bashkuar, ku na u plagos edhe një oficer. Megjihatë, ngjarja e Shkollës së Bashkuar ishte ajo që e shpjeguam, dhe qëllimet e atyre ishin që ta nxirrnin shkollën jashtë e të akuzohej pastaj ushtria për gjakderdhje dhe të përfitonte Partia Demokratike, ku më pas të akuzohej Partia e Punës (PS), dhe të thuhej se PD që e mori me gjak demokracinë, se ajo nuk iu dhurua. Ndërsa unë kam mendimin se pushteti iu dhurua dhe nuk e mori as me djersë, pa le me gjak! Pushtetin PD-së ja dhuroi vetë Ramiz Alia.
Ramiz Alia përdorte dhe shfrytëzonte shumë Haxhi Lleshin
Ramiz Alia thotë në një intervistë se ushtria do të marshonte drejt Tiranës dhe se ai e shpëtoi vendin nga gjakderdhja. Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe ishte e pamundur të bëhej në ato situate, kur rezervistët që kompletonin ushtrinë , “marshonin” siç thashë, drejt kufirit e largoheshin si refugjatë nga Shqipëria. Atëherë shtrohet pyetja se cilat forca do të marshonin drejt Tiranës? Ku e paskësh marrë apo parë Ramiz Alia këtë informacion që unë, si ministër i Mbrojtjes nuk e dija? Nëqoftëse ashtu, do të thotë se unë nuk e kisha në dorë situatën. Atëherë pse e bëri (apo e ka bërë) këtë deklaratë Ramiz Alia? Përgjigja ime është se e bëri për të justifikuar shthurrjen, anarkinë dhe shkatërrimin e Shqipërisë. Domethënë, i duhej një maskë për të mbuluar mangësitë dhe kjo maskë ishte ushtria. Pra, për mendimin tim, nuk kemi të bëjmë me sinqeritet të Ramiz Alisë, por me të kundërtën. Unë as sot e kësajë dite nuk e kuptoj urdhërin për të moblizuar 18 brigadat që do të marshonin drejt Tiranës. Ashtu sikurëse urdhëroi për shumë kompani të specializuara që erdhën në Tiranë pa asnjë qëllim e objektiv e pastaj u kthyen. Për këto të fundit ekzistojnë urdhëra të arkivuar. Të tillë urdhëra e lëvizje ushtarake nuk vlejnë as për veprime demonstrative e psikologjike, por ato ama vlejnë për të akuzuar. Për mobilizimn e forcave nga Dibra , Ramiz Alia përdorte dhe shfrytëzonte shumë Haxhi Lleshin, i cili edhe në shtëpinë e vet qëndronte ato ditë i armatosur me automatik e pistoletën në brez dhe plot krehëra fishekësh mbi tavolinë… Për këto urdhëra që jepeshin pa u konsultuar e pa objektiva duhet të japë shpjegime Ramiz Alia. Ju si leues mund të pyesni; Po Kiço Mustaqi, si ministër i Mbrojtjes Popullore, ç’bënte me këto urdhëra ? Mund t’ju përgjigjem se unë i zbatoja ato deri në atë pikë që nuk kiste rreziqe.Për shembull, kompania speciale të përqëndrohet në Tiranë dhe të rrijë në gadishmeri. Nuk u jepja asnjë urdhër tjetër dhe i ktheja mbrapsht. Këto janë të dokumentuara.

Ngjarjet e Shkollës së Bashkuar ishin një turp i madh për ato forca që i organizuan
Provokuesit, apo rrebelët (s’di si ti quaj), u larguan nga Shkolla e Bashkuar se panë qëndrimn e vendosur të Shkollës së Bashkuar. Panë qëndrimin që nuk binte në provokacion, panë se as shkolla, as Ministria e Mbrojtjes nuk mund të binin në provokacion. Edhe “dasma” pritej të bëhej brenda në shkollë, jo jashtë shkollës, sepse ata kërkonin ta organizonin ne “dasmën”. Ndërsa ne prisnim të na vinin brenda e atje të bëhej gjithshka, domethënë do të mbrohej shkolla. Do të mbrohej edhe me gjak. Ndërsa jashtë ne s’kishim punë . Sa më shumë të qëndronin ata jashtë, për ta ishte edhe diskretitim politik. Sepse nuk ka bërë vaki në asnjë vend të botës që turma civilësh të sulmojnë një repart ushtarak. Ngjarjet e Shkollës së Bashkuar ishin një turp i madh për ato forca që i organizuan . Të sulmosh qeverinë , Televizionin, Komitetin Qendror, këto kishin një kuptim, por të merrje Shkollën e Bashkuar s’kishte kuptim. Ç’kuptim kishte të sulmoje një repart ushtarak. Ajo do të thotë të kërkosh gjakderdhje për të justifikuar rezistencën e madhe që ke pasur ti për të sjellë demokracinë në Shqipëri. Nga ana tjetër, nëqoftëse këtë e ka organizuar dikush i PPSH, atëherë ai e ka bërë për të fituar pikë, dmethënë, shiko, të tillë ushtri kemi pasur, që e gjakoste njeriun, për të fituar vlera të tjera.Por më tepër ishte kundërshtari. Kam përshtypjen që ishin edhe të drejtuara, edhe të organizuara, por realiteti është që unë nuk e di kush i drejtonte forcat e jashtëme . Por që shkolla e Bashkuar ishte plotëssht në urdhërat dhe nën kompetencat e urdhërave të mia, kjo nuk diskutohet, domethënë s’kishte asnjë rrezik për të jashtmit. Bile-bile, shkolla pati durimin që iu shkatërruan tërë muret dhe nuk goditi njeri. Iu thyen tërë xhamat, edhe të komandës, e s’vrau njeri. Nëse kjo do të ishte bërë amerikanëve apo rusëve , do të kishin vrarë shumë njerëz. Shkolla e Bashkuar s’ka pse akuzohet . Pse?! Sepse dihet kush e bëri sulmin, janë fotografuar, janë filmuar ato ngjarje.
Sekretarët e parë nuk dinin çfarë të bënin, nga ana tjetër po dorëzoheshin dokumentet e partisë
Do të doja këtu të sqaroj se sulmi ndaj shkollës ishte i pamotivuar, ndërsa mbrojtja nga ana e efektivit të shkollës ishte e motivuar, “do mbronin shkollën armatimin, veteveten, repartin ushtarak”. Në mëngjesin e 21 shkurtit 1991 Shtabi i Përgjithshëm I Ushtrisë ishte informuar se një numër i madh oficerësh në brigadën e tankeve të Zall Herrit, kishin dorëzuar teserat e Partisë së Punës në mënyrë demonstrative, dhe në shenjë proteste për rrëzimin e monumentit të Ever Hoxhës. Vendosa të mblidh efektivin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe t’i porosisja që të lidheshin me të gjitha njësitë e Repuplikës, për t’u shmangur aventurat si dorëzimet e teserave apo uljen e gadishmërisë luftarake. Në kohën që hidhja në letër disa pika për të disiplinuar materialin, mendimet që do të shprehja më merr në telefon sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Skraparit Elmas Puto. Ai më thotë: Gjihë populli i Skraparit është mbledhur para Komitetit të Partisë dhe kërkon të dijë se përse u lejua rrëzimi I bustit. Njerëzit, kërkojnë armë që të mbrojnë Enver Hoxhën. Cfarë tu them unë?.
-Lidhu me shokun Ramiz, pasi si Sekretar i parë i rrethit tek ai i merr detyrat ,-iu përgjigja. E kam marrë disa herë, po atje s’më del njeri, ngriti supet matanë telit Elmas Puto dhe pastaj shtoi: “Po sikur të bëhem bashkë me 2-3 sekretarë të tjerë (e kishte fjalën për Gjirokastrën, Përmetin dhe Tepelenën) a na çon tek shou Ramiz?”Hajdeni dhe vij dhe unë bashkë me ju, i them. Pastaj u ngrita dhe u nisa për në mbledhje. Rrugës u futa në mendime të thella. Gjthshka po shkatërohej. Partia, Sekretarët e parë nuk dinin çfarë të bënin, nga ana tjetër po dorëzoheshin dokumentet e partisë. Në këto kushte të shpërbërjes a mund të kishte ushtri të fortë? Çfarë argumenti tu sillja oficerëve të Ministrisë së Mbrojtjes …
Në Shkodër u dogjën dy autoblinda
Në mars 1991 kur po transportonin me “Skanie” një kompani tankesh nga Vora për në Durrës më informuan se kolona u sulmua nga njerëz të pakënaqur që ktheheshin pasi ishin shkarkuar nga vaporet dhe nuk u lanë për të ikur jashtë. Nga ky sulm u thye vetëm një xham makine. Unë u habita me kaq pak dëm dhe thirra menjëherë komandantin e batalionit të tankeve që shoqëronte kolonën shokun Cane Nanaj (një officer i shkëlqyer që kemi mbaruar bashkë shkollën dhe kemi raporte shumë të mira shoqërore). E thirra Canen jo për dëmin por si kishte vepruar ai? Desha të dëgjoja nga goja e tijë si kishte vepruar. (Kur sulmohjet një kolonë tankesh e hipur mbi makina “skanie” unë e përfytyroja të paktën gjysmë të djegur e të asgjesuar). Në fillim Canen e sulmova duke e kritikuar si ju thyen xhamin, flinit gjumë ju? Po ma spjego si vepruat? Cania: Unë me të parë këtë situatë fillestare, ndërsa tankun e zbrita nga skania dhe ju drejtova turmave në drejtim të tyre, gjatë manovrimit me tankun, theva dhe nja dy plepa, kështu që turmat nuk panë se nga vanë dhe kolona marshoi e qetë deri në Durrës. Këtë desha të dija prandaj të thirra. Kritikën e fillimit ta bëra që të më trego të vërtetën. E falenderova për veprimin e shkëlqyer taktik, teknik e psikologjik dhe pa pasoja në të dy palët. Ja ç’bënë oficeri specialist.
Për të përballuar situatat e ndërimit të sistemeve, ministria e punëve të brendëshme na kërkoi tanke, autoblinda etj. Ja dhamë sipas kërkesave, por ata nuk morën oficerët për përdorim megjithëse ju lutem disa herë me gojë e me shkrim. Për rrjedhim në Shkodër u dogjën dy autoblinda, shyqyr që shpëtuan shoferët. Në Durrës kur kryetari i PD pa një anije në det e urdhëroi tankun ta kapte ç’të bënte shoferi? E futi në det dhe mbeti në ujë tanku. Tanku nuk është mjet luftarak detar por tokësor. Këtë e sqarojnë më mirë oficerët specialist, prandaj ne këmbëngulnim që në PB ti merte oficerat dhe ti dëgjonte për veprimet për taktikën e teknikën e çfarë ti duhej atyre. Duhej ruajtur bashkpunimi me specialistët dhe me Ministrinë e Bendshme. Ishin momente inkadeshente. Një lëvizje e gabuar dhe…Gjakderdhja ishte në çdo hap. Fjalë, mendim… Situatë lufte do ta komentoja. Duhej ruajtur me çdo kush gjakftohtësia.

Mbledhja e fundit e qeverisë Çarcani
Me këto mendime hyra në sallën ku ishin mbledhur oficerët eMinistrisë së Mbrojtjes. Sapo hyra, u paraqit forca, më me entuziazëm se zakonisht. Në ato momete mendova se gjithshka kishte marë fund, situata mund të shpërthente nga çasti në çast. Shoku Ramiz nuk komunikonte me mua fare. Ishim në mes katër rrugëve. Qava para 500 oficerëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Ata u ngritën në këmbë dhe brohoritën “Parti Enver, jemi gati kurdoherë”.E mora më në fund fjalën, dhe u dhashë udhëzimet, me një frymëzim që nuk e kisha patur ndonjëherë tjetër. U fola për gadishmerinë që duhej të kishte ushtria dhe u theksova se ndofta ka forca të tjera që e dëshirojnë shthurjen e ushtrisë. Pasi mbarova fjalën , më duhej të largohesha për mbledhjen e fundit të qeverisë Çarcani. Me vete mendoja se ishte hera e fundit që u flisja si ministër. Oficerët më thanë: “Duam të vijë këtu shoku Ramiz”. Në mbledhjen e qeverisë asistonte edhe Ramiz Alia , i cili për postin e ministrit të Mbrojtjes kishte caktuar Manxhar Binajn. Kur dëgjova këtë emërim, u ngrita dhe thashë se Manxharin e kam shumë shok dhe e respektoj pa masë, mirëpo situatat e sotme kërkojnë që në krye të Ministrisë së Mbrojtjes të qëndrojë një ushtarak, i cili të jetë i orientuar me suituatën e tanishme dhe të bindet plotësisht për urdhërat që do të japë . Ka shumë kuadro të aftë, shefi I shtabit, zëvendësit, qoftë dhe një drejtor drejtorie i Ministrisë së Mbrojtjes. Teksa po I thoja këtë sugjerim, Ramizi bëri një lëvizje mospërfilljeje . Atëherë unë I kujtova se në kohë lufte Ministria e Mbrojtjes kthehet në organ të Këshillit të Mbrojtjes dhe situata aktuale është pothuaj si në luftë, dhe I paraqita kërkesën efektivit për takimin me Ramizin. Atëherë ai më tha “shko e mblidhe efektivin”. E lashë Ramizin në mes mbledhjen e qeverisë dhe shkova në zyrë. Thirra edhe komandatët e divizioneve të Tiranës dhe pastaj erdhi Ramizi. Oficerët e pritën mjaft ashpër. Pyetja e parë që i bënë ishte se përse u lejua të rëzohej Enveri, pse lejohet shthurja dhe anarkia. Për monumentin, Ramiz Alia u përgjigj: “I kam dhënë urdhër Hekuran Isait ta mbrojë me çdo kusht, po nuk e ka zbatuar. Pyetja tjetër ishte përse lejohet gjithë kjo shthurje, veçanërist në Tiranë? Përgjigja e Ramizit që se policia nuk I përballon dot të gjitha situatat. Oficerët u kundërpërgjigjën se policia është në gjendje t’i thyejë demostratat , mirëpo mer urdhër të tërhiqet. Më pas Ramiz Alia foli për ndryshimet në qeveri. Kur tha se në krye të Ministrisë së Mbrojtjes do të vihej një person tjetër, atëherë oficerët iu hodhën: “Akoma nuk është tharë boja nga vendimi për emërimin ministër të Kiço Mustaqit, pse doni ta hiqni?!. Ne nuk duam ministër tjetër. Atëherë Ramiz Alia formuloi akuzën se kam tre muaj që Kiços dhe Hekuran Isait u kam dhënë detyrën të marrn masa për të përbaluar shthurjet dhe demonstrmet, dhe se kanë bërë. Iu hodha aty për aty dhe i thashë se unë asnjëherë se kam marrë një detyrë të tillë. Dhe vazhdova, se edhe tani sikur ta marr një urdhër të tillë, me ushtrinë nuk do të veproj. Sepse ato janë detyra për Ministrinë e Brendëshme që dsisponon ligjet, forcat dhe mjetet për ta bërë. Atje ku i kanë munguar forcat dhe mjetet Ministrisë së Brendshme, i ka marrë nga ushtria, për t’i përdorur sipas ligjit. Ministria e Brendëshme ka agjenturën, ka sigurimin dhe mund të përcaktojë kush janë organizatorët, që të marë masat kundër tyre.. Më pas Ramiz Alia tha se a e kishte gati dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzaknëshme, dhe ngriti në dorë një letër me nja dhjetë rreshta. Unë jam gati ta shpall gjendjen e jashtëzakonëshme, tha, por pa ushtrinë nuk e bëj dot dhe ushtria nuk ka fuqi ta ndërmarrë gjendjen e jashtëzakonëshme. Kur Ramiz Alia u tha oficerëve të Ministrisë së Mbrojtjes se “ unë jam gati ta shpall gjendjen e jshtëzakonëshme”, por pa ushtrinë nuk e bëj dot dhe ushtria dhe ushtria nuk ka fuqi ta ndërmarrë gjendjen e jashtëzakonëshme” unë ju hodha Ramizit aty për aty: “Shpalle gjendjen e jashtëzakonëshme dhe unë do ta përballoj vetëm me oficerët dhe nënoficerët e ushtrisë. Por më parë duhet aprovuar ligji mbi gendjen e jashtëzaknëshme, projektin e të cilit ne ua kemi dërguar që prej 3-4 muajsh”.
Rikthim tek mbledhja dhe letra e dorëheqjes
…Që t’i kthehemi përsëri mbledhjes, pas debatit për gjendjen e jashtëzakonëshme, Ramizi u largua dhe unë e përcolla deri tek makina. Rrugës më tha: “Ti Kiço do të mbetesh ministër i Mbrojtjes”. Në atë moment e kuptova që mua ajo udhëheqje nuk më donte për Ministër. Qëndrimi im në qeveri ishte rezultat i presionit të oficerëve në mbledhje . Atëherë u detyrova t’i bëj një analizë vetvetes. Kur këta njerëz nuk më duan për ministër, si mundem unë të zbatoj urdhërat e tyre? Ose, nga ana tjetër, si munden ata të drejtojnë pa një ministër “të tyrin”? Unë u kisha thënë hapur që urdhëra në kundërshtim me ligjin nuk zbatoj! Do të kisha dëshirë të më thëriste edhe Fatos Nano, t’ia shpjegoja këtë, por Nano nuk më thirri, pasi ai merte urdhërat nga Ramizi. Pasi i mendova gjithë këto, vendosa të jap dorëheqjen. U ula dhe shkruajta me dorën time një letër në drejtim të udhëheqjes, ku nënvizoa se për shkak të situatave të ndryshme, e gjykoja të arësyeshme të jap dorëheqjen. Përafërsisht, pasi nuk kam mabjtur kopje, në letrën e dorëheqjes shkruaja këto pak fjalë:
“Në gjendjen aktuale tepër të rënduar për të gjithë vendin,pavarësisht nga riqëndrimi im në qeveri për shkak të dëshirës së oficerëve për të mos më ndërruar me ndonjë njeri tjetër, jam I gatshëm ta jap vetë dorëheqjen,në çdo moment që të shikohet e arësyeshme nga ju.
Ministri i Mbrojtjes Popullore:
Kiço Mustaqi
Pesë pikat e dorëheqjes
1-Ushtria nuk duhej drejtuar nga një ministër, i cili mund të ishte civil, pra, qytetar i thjeshtë.
2-Në ato kushte tepër të vështira dhe të rrezikshme në krye të Mnistrisë së Mbrojtjes duhej zgjedhur njëri nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i cili e njihte mirë situatën dhe e kishte ndjekur atë nga afër.
3-Ministri i ri i Mbrojtjes duhej të ishte i tille që të dinte mirë të zbatonte urdhrat në bazë, në varësi të situatave dhe të vinte firmën e tij vetëm për ato gjëra që ishte i bindur.
4-Gjendja ishte tepër e rëndë dhe në qoftë se ushtria dhe Forcat e Armatosura do të dilnin jashtë kontrollit atëherë mund të kishim edhe gjakderdhje.
5-Oficerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes duhet të bëjnë një takim me ju.
Letrën e shkruajta vetë , me shkrim dore, nuk doja ta merte vesh njeri, as daktilografistët. Edhe numrin e protkollit e vendosa vetë, për të njëjtin qëllim. Letrën e nisa me shefn e protokollit të dokumentave tepër sekrete me Rëndësi të Veçantë (TSRV), Nezhdet Kambo. Letra u dërgua me emër: një kopje shoku Ramiz dhe një kopje shokut Fatos nano si Kryeministër. Pasi kaluan 2-3 ditë, më telefonoi Xhelil Gjoni Sekretar I KQ të PPSH, që mbahej afër nga Ramiz Alia dhe bashkëpunonte për cdo gjë me të, dhe më tha: “Pse e ke bërë letrën e dorëheqjes, kur ty të duan gjithë oficerët dhe mbete përsëri ministër?”Unë iu përgjigja se e bëra këtë gjë për ta patur ju më të letë, nëse largimi im kërkohet nga interesi i përgjithshëm. Nga ana tjetër nuk dëshiroj që ndokush të mendojë se unë kam qëllime karrieriste. Nga Fatos Nano nuk mora përgjigje,por kam përshtypjen se e kishte diskutuar me shokun Ramiz.
Deklarata e Sali Berishës ne ‘Zëri i Amerikës”
Më 7 shkurt 1991, Sali Berisha i deklaroi radios ‘Zëri i Amerikës” se ka përherë e më shumë shenja se Kiço Mustaqi po përgatit grusht shteti. Berisha u bëri apel forcave të armatosura , duke theksuar se Partia Demokratike ka besim të plotë, se ju kurrë në asnjë rrethanë nuk do të ngriheni kundër fëmijëve tuaj, kundër nteresave të atdheut. Natyrisht, e përgënjeshtrova liderin e opozitës, duke theksuar se ‘nuk më habit fakti që “Zëri I Amerikës” flet për grusht shteti…, bile financuesit e tij amerikanët, sipas mendimit tim, ishin edhe organizatorë të grushteve të shtetit në vende si ato të Amerikës Latine apo në Afrikë. Po më bëri përshtypje që ushqyes i një shpifjeje të tillë në drejtim të Shqipërisë, u bë një shqiptar , një udhëheqës kryesor I PD-së, Sali Berisha”. Paralajmërimi për grusht shteti nuk ishte produkt i Berishës. Kur ai tha për mua, indirekt u tha ushtarakëve të përgatiteshin për grusht shteti. Kjo teori nuk ishte produkt i Berishës, pasi Berisha nuk kishte pushtet që t’ia merrja unë me ushtrinë. Pushtetin e kishte Ramiz Alia. Kjo mund të ishte një farë parapregatitje, pse kishte ndonjë llaf nga njerëz kompetetë atje brenda, që Kiçoja është I përshtatshëm për këtë punë. Përsa më përket mua, kjo do të ishte një aventurë e madhe, dhe nuk më ka shkuar kurrë në mend. Së dyti, asnjë ushtarak nuk mund ta merrte me dhunë pushtetin, sepse veprmet e ushtrisë nuk mund të drejtoheshin kundër popullit, sepse populli që bënte i gjithë shërbim ushtarak, aktiv apo reservist i njihte shumë mirë ligjet ushtarake. Ndokush në udhëheqje mund ta kishte një mendim të tillë. Nuk dua të bëhem cinik, por ndofta kishte njerëz që e prisnin një grusht shteti. Këtyre unë u them: Ja, e bëra grushtin e shtetit. Do të ndërpriteshin ndihmat nga Europa, athere çfarë do t’i jepja unë popullit për të ngrënë? A s;do të ngriheshin kundër meje të uriturit?! Pastaj, kë do të komandoja , të gjithë kishin ikur në Greqi, në Itali, kishin marrë rrugët e botës. Dhe tjera, cili grusht shteti në botë ishte quajtur i drejtë nga sistemi ynë komunist?!. Ramizi u pozicionua shumë ashpër ndaj meje, a thua se gjithë përgjegjësitë për çfarë kishte ndodhur deri atëherë i kisha unë, Kiço Mustaqi. I binte edhe tavolinës me grusht. Në ato momente kisha përshtypjen se po imitonte Enver Hoxhën.
Si e argumentonte Ramiz Alia qëndrimin e vet të ashpër ndaj meje
Kur e kujtoj dhe sot çuditem. Ai argumentonte që ne nuk kemi marrë masa për krijimin e disa brigadave. Këtu do të zgjatem pak. Nga fundi i shkurtit apo fillimi i marsit 1991, morëm një urdhër nga Ramiz Alia që të krijonim disa brigada të lehta, me ushtarë të zgjedhur, të cilat të kishin mundësi të realizonin detyra të ndryshme, që do t’i merrnin më vonë. E morëm urdhërin në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes përgatitëm gjithë dokumentacionin, me detajet më të hollësishme, deri tek caktimi i ushtarëve në formacione, fjetina e krevate. Vepruam në gjendje alarmi, për mos i dhënë shkas Komandantit të Përgjithshëm (Ramiz Alisë), të na akuzonte për moszbatim urdhëri. Në këto formacione të reja ushtarake përfshiheshin 2-3 brigada në Tiranë, dy në Durrës dhe nga një në Shkodër, Vlorë, Elbasan, etj. I telefonova Ramizit dhe i thashë se dokumentat i kishim dërguar në sekretariatin e Këshillit të Mbrotjes dhe duheshin nënshkruar nga ai vetë. Krijimi i brigadave ishte në kompetencë të Këshillit të Mbrotjes, ndërsa, Ministri i Mbrojtjes kishte të drejtë të krijonte deri batalion. Këtë Ramiz Alia e quante moszbatim urdhëri dhe i binte tavolinës me grusht. Kërkonte të më vinte para përgjegjësisë, ndërsa në fakt ishte ai që nuk e kishte nënshkruar urdhërin. Pastaj, diskutuan të gjithë sa ishin atje, (7-8 vetë), të cilët argumentuan se përse nuk ishin zbatuar detyrat, pasi pritej nënshkrimi nga Ramiz Alia, etj, etj. Pasi e morën fjalën edhe zëvendësshefat e Shtabit, drejtori politik (që gjithashtu më mbështetën), Ramiz Alia e ktheu pllakën 180 gradë, dhe më falenderoi për punën e mirë që kisha bërë gjatë gjithë asaj kohe. Kështu përfundoi ajo mbledhje. Nuk është protokolluar asgjë, por ishin gjithë ata dëshmitarë. Besoj se nuk ka nevojë të komentohet se përse e bëri Ramiz Alia atë mbledhje….Por ajo që dua të komentoj në këto debate me Ramiz Alinë është se, ai më kritikonte pa të drejtë dhe hidhte pa të drejtë baltë mbi ushtrinë e cila mbante peshën kryesore në këto ngjarje. Më dukej sikur hapur kërkohej gjaku i ushtrisë. Kërkohej gjaku i ushtrisë që të justifikohej vendosja e demokracisë. Domethënë, të kërkosh që të ndeshet ushtria, të vrasë popullin, që nesër të dalësh e të thuash: Demokracia erdhi nga unë, pasi ushtria ishte kundër meje.

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Z. Zholi, Haxhi Lleshi, rrezimi i monumentit, Shkolla e Bashkuar

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT