Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në manifestimin përkujtimor me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova/
Prishtinë, 21 janar 2016/
E nderuara familje e Presidentit Ibrahim Rugova,
Të nderuar përfaqësues të të gjitha subjekteve politike që jeni sot së bashku me ne,
Faleminderit shumë për pjesëmarrje,
Të nderuar ambasadorë,
I nderuari ambasador i Shqipërisë, Sllovenisë, Hungarisë dhe përfaqësues tjerë diplomatik,
I nderuari Ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës, z. Gjergji,
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë Islame,
Të nderuar deputetë, ministra,
Të nderuar anëtarë të Kuvendit,
Të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Kryetarë të komunave, veprimtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve dhe veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Dhe të gjithë ju që jeni prezent këtu në prezencë shumë të madhe, sepse po i bëni një nderim shumë të madh për Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Sot, në dhjetëvjetorin e shkuarjes në amshim, po e kujtojmë me nderimet më të larta Kryetarin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dijetarin e burrështetasin tonë, Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Vdekja e hershme e Presidentit Rugova, në janarin e acartë të vitit 2006, ishte goditja më e rëndë për popullin dhe institucionet e Kosovës. Ai iku pikërisht në shtegun e fundit të procesit të gjatë e të rëndë për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj, sepse, siç thoshte vetë Presidenti Rugova, Kosova de facto ishte e pavarur që nga qershori i vitit 1999.
Dhjetë vite më parë, qytetarët e Kosovës i dhanë në mënyrë madhështore lamtumirën e fundit Presidentit të tyre, për ta pohuar edhe një herë besimin për filozofinë e tij të veçantë politike, besimin për Prijësin Ibrahim Rugova, njeriun më të urtë dhe më konsistent që ka pasur ndonjëherë politika dhe institucionet e këtij vendi.
Siç ndodh përherë me prijës të mëdhenj, populli i Kosovës, gjatë dy javëve të ceremonisë së përmortshme të ditëve të zisë kombëtare, duke i sfiduar temperaturat ekstreme të ulëta, tregoi nderimin dhe dashurinë e pashembullt për Presidentin Rugova, duke vërshuar si një lumë i pandalshëm në sheshin “Nëna Terezë” të Prishtinës.
Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cercë, Komuna e Istogut. Më 10 janar të vitit 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan babanë, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, luftëtarë të njohur kundër çetave çetnike, të cilat po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967, kurse Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prishtinë.
Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, nën mbikëqyrjen e semiologut Roland Barti. Rugova doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1984. Në vitin 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Veprimtarinë e vet shkencore, pothuajse për dy dekada, Rugova e zhvilloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si hulumtues i letërsisë.
Dr. Ibrahim Rugova hyri në botën e politikës pasi kishte krijuar emër nderi në fushën e studimeve letrare te ne, në të cilat u shqua si me veprën e tij jetësore Vepra e Bogdanit 1675-1685, ashtu edhe me studimet e tjera të shumta, në të cilat ai trajtoi me profesionalizëm dhe ndjeshmëri të rrallë teorike e estetike autorët dhe veprat më me ndikim të letërsisë shqipe dhe të asaj botërore.
Brezi i shkrimtarëve dhe studiuesve të kohës së Ibrahim Rugovës, shënoi fillimin e rrënimit të mendësisë social-realiste jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën intelektuale shqiptare. Ndikimi i mendimit kulturor, nacional e human të këtij brezi pati jehonë të jashtëzakonshme, duke u shtrirë shpejt edhe në sferën e mendimit politik.
Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij punuan për idenë e pavarësisë së Kosovës, rreth së cilës pastaj u bashkua mbarë populli i Kosovës.
Sikundër në krijimtarinë dhe studimet letrare, edhe në veprimtarinë e tij si prijës kulturor e politik, Dr. Ibrahim Rugova ishte krejtësisht i veçantë. Nga pozita e kryetarit të ish-Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ai e kundërshtoi me vendosmëri dhe me dinjitet të admirueshëm intelektual e kombëtar propagandën e errët të qarqeve intelektuale e zyrtare të Serbisë kundër shqiptarëve, e sidomos kundër elitës intelektuale dhe institucioneve arsimore e shkencore të Kosovës.
Ngadalë, por bindshëm, Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional. Më 23 dhjetor 1989, ditën kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, Ibrahim Rugova u zgjodh njëzëri Kryetar i LDK-së.
Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 Korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, shtator 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës më 24 maj 1992.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK-ja fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004. Po ashtu, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
Të nderuar pjesëmarrës,
Dimensioni intelektual i tij, humanizmi dhe urtësia e rrallë që e karakterizonte atë, e shndërruan Ibrahim Rugovën jo vetëm në prijës historik politik, por edhe në prijës shpirtëror të popullit të Kosovës. Së këndejmi, është fare e natyrshme dashuria e pamasë, madje adhurimi që qytetarët e Kosovës kanë shfaqur, e shfaqin sot dhe do ta shfaqin përgjithmonë për njeriun që iu priu në kohërat më të vështira, Ibrahim Rugovën.
Sot, në dhjetëvjetorin e shkuarjes së tij në amshim, me bindje pohojmë se e ardhmja vetëm sa do ta forcojë këtë lidhje të fuqishme të qytetarëve të Kosovës me idetë, me veprimet kulturore dhe politike, me vizionin e Ibrahim Rugovës për Kosovën dhe të ardhmen e saj euroatlantike.
Presidenti Rugova ishte Prijësi me të cilin lidhet një epokë – Epoka e Pavarësisë. Ideja e pavarësisë së Kosovës hyn në domenin e ideve të mëdha, jetësimi i të cilave kërkon dije, urtësi dhe sakrifica të jashtëzakonshme.
Ne patëm bekimin e Zotit që në rrethanat më të vështira nëpër të cilat kaluam si vend e si popull, patëm një Prijës si Ibrahim Rugova, një njeri me fjalë të buta, po me qëndrime të forta, një lider që fliste me elipsa, por përçonte mesazhe të sakta e jetëgjata, një intelektual të rrallë që e njihte shkëlqyeshëm traditën e etnisë së tij shqiptare, të cilën, pastaj, e ndërlidhte në mënyrë brilante me dijet e modernitetit, të humanizmit dhe të civilizimit evropian.
Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Qeveria e Republikës së Kosovës sot, po punon më përkushtim të veçantë për të realizuar prioritetet e saj të cilat me vizionin dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar para më shumë se dhjetë vjetësh Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Qeveria e Kosovës sot e ka në preambulën e veprimit të saj fuqizimin e partneritetit dhe miqësisë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore evropiane.
Institucionet e Kosovës sot, me shumë sfida, po e vazhdojnë me vendosmëri dhe konsistencë rrugën integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike, alternativa e vetme perspektive për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, e formuluar si e tillë nga vet Presidenti Rugova.
Ne vazhdojmë të jemi besnik të paepur të paqes, mirëkuptimit, dialogut konstruktiv si mjet për zgjidhjen e problemeve brenda dhe jashtë vendit, por edhe të vendosur që ta ushtrojmë dhe ta ruajmë sovranitetin e vendit tonë.
Kosova është në rrugë të mbarë të bëhet shtet i zhvilluar ekonomikisht, vend i dijes dhe prosperitetit, i admiruar dhe i dashur nga qytetarët e saj.
Rugova fliste dhe shkruante me ëndje për potencialet tona zhvillimore, për bukuritë dhe pasuritë natyrore, për të zotët e tokës në vendin e tyre, vlera këto që i japin vulën këtij vendi e i shtojnë dinjitetin këtij populli.
Me duart e tij të shtrira përpara, Rugova nuk mohonte se ne kemi dallime dhe se dallimet janë të natyrshme, por tregonte se ardhmërinë mund ta pushtojmë nëse jemi bashkë, sepse shumë më shumë kemi gjera që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, se demokracia është arenë në të cilën ne konkurrojmë me vlerat tona por edhe bashkëpunojmë për vlera të përbashkëta në interes të vendit.
Rugova peshonte sfidat tona, kultivonte arsyen e çdo veprimi, durimin për përballimet e rënda, vlerësonte rolin e miqve dhe dashamirëve. Këto vlera na nevojiten edhe sot, kur po kalojmë një rrugë jo të lehtë, por të domosdoshme, kur po bëjmë kthesa të mëdha dhe të rënda politike në interes të vendit tonë.
Shumë të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Presidenti Rugova krijoi platformën politike për Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës, anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo platformë u bë program politik i të gjithë shqiptarëve në Kosovë, u bë busulla jonë drejt integrimeve euroatlantike.
Presidenti Rugova punoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, si dhe për forcimin e kohezionit të popullit të Kosovës. Ai i krijoi Kosovës shumë miq anekënd botës, duke i vendosur në qendër të diplomacisë së tij kryeqytetet e vendimmarrjes botërore.
Gjithashtu, Presidenti Rugova i krijoi shenjat e identitetit nacional e shtetëror të Kosovës, Flamurin e Dardanisë dhe Himnin “Kur ka ra Kushtrimi në Kosovë”.
Njohës i shkëlqyeshëm i historisë dhe i kulturës shpirtërore e materiale të popullit të tij, Rugova i pohoi kudo me forcë vlerat më ekzemplare të popullit të Kosovës, si: bujaria, mikpritja, nderimi i mikut, harmonia ndërfetare dhe ndëretnike. Me këtë qasje, ai e riktheu përsëri Kosovën në vëmendjen e kryeqendrave të mëdha botërore.
Të gjithë ne sot jemi dëshmitarë të të arriturave kolosale të Kosovës së lirë dhe të pavarur. Shohim se janë përmbushur shumë nga idealet e Presidentit Rugova, idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Konstatojmë po ashtu se kemi shumë për të bërë për ta integruar Kosovën në familjen e vendeve të Bashkimit Evropian, për ta rritë ekonominë, për ta përmirësuar arsimin dhe shëndetësinë, për ta forcuar shtetin e së drejtës. Sot Kosova është shtet sovran dhe i pavarur i pranuar nga mbi 110 shtete.
LDK, sikurse edhe e gjithë Kosova, sot kujton me mburrje presidentin e saj Historik, Ibrahim Rugova.
Rugova do të kujtohet përgjithmonë si politikan i urtë, po këmbëngulës, që synonte ta edukonte me konceptet e mendimit dhe të humanizmit skenën e ashpër të politikës.
Rugova, krijues e mendimtar, qëndron në zenitin e vlerave të letrave shqipe; Rugova, politikan e Prijës, është një model shembullor i veprimit politik.
Zoti e bekoftë Presidentin Ibrahim Rugova!
Zoti e bekoftë familjen e tij!
Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës dhe Republikën e Kosovës!
Faik Krasniqi:Me Vjosa Osmanin,LDK do bëhet si në kohën e Presidentit Rugova!
Nëse të dielën delegatët e LDK-së, votojnë prapë Isa Mustafën kryetar të LDK-së, gardën e vjetër, parazitët dhe servilët përretj tyre, kjo parti do të fundoset si Titaniku, e në zgjedhjet që priten të mbahen gjatë këtij viti, sepse ky koalicion nuk e ka gjatë dhe do të prishet gjatë vjeshtës nga PDK-ja, për shumë arsye, do të pësoi shumë keq, duke u abstenuar masovikisht nga elektorati i saj dhe do shkojë nën kuotën 10%, thekson publicisti dhe analisti politik, Faik Krasniqi! Sipas publicistit dhe analistit politik nga Prishtina, shpresa e vetme për LDK-në dhe Kosovën, për momentin është Vjosa Osmani, e cila do ta rikthente elektoratin rugovian, dhe si kryeministre e Kosovës edhe udhëheqjen e drejtë të shtetit, me njerëz të pastër e të pakonsumuar, të ndershëm dhe me integritet të lartë, do ta rimëkëmbte ekonominë e shkatërruar dhe shkapjen e shtetit nga kriminelët e politikës dhe parapolitikës! Është në dorën e 355 delegatëve të LDK-së, që ta votojnë prapë gardën e vjetër komuniste, mjeranët, parazitët dhe servilët e tyre përreth, e me votën e tyre ta fundosin njëherë e mirë këtë parti – partinë e parë demokratike në shtetet postkomuniste, apo kanë shansin historik që këtë parti ta kthejnë superlidere në Kosovë, si në kohën e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, duke votuar Vjosa Osmanin kryetare të LDK-së, thotë analisti politik, Faik Krasniqi! Por nëse Vjosa Osmani nuk e merrë timonin e LDK-së, dhe LDK-ja nuk çlirohet njëherë e mirë nga garda e vjetër komuniste, hajdutët, bllokmenët, mjeranët, parazitët dhe servilët rreth tyre, atëherë që nga e hëna së bashku me Vjosën, shoqërinë civile dhe njerëzit e mediave, duhet të aktivizohemi sinqerisht për krijimin e një formacioni të ri politik, me njerëz të rinjë, të pakonsumuar, të pastër dhe të ndershëm, sepse çdo sondazh po tregon që një frymë e re politike, do t’i deklasonte të gjitha partitë ekzistuese që drejtohen nga këta matufa pleq dhe kriminelë, duke fituar mbi 70% të votave, sepse populli është mërzitur dhe zhgënjyer nga kjo klasë e vjetër politike, e kriminalizuar, e tejkorruptuar, e degraduar, të cilët tash e 16 vite ua kanë shkatërruar jetën dhe vazhdojnë akoma ta bëjnë një gjë të tillë – thekson publicisti dhe analisti politik – Faik Krasniqi!
RUGOVËS I DOLI NË KRAH AKADEMIK MARK KRASNIQI SI SHENJTORI I GJALLË
RUGOVËS ADEM DEMAÇI T’I KËRKOJË NDJESË!/ Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ E dëgjova me dhimbje sulmin e Adem Demaçit drejtuar Rugovës që nuk jeton më. E dëgjova me lot në sy mbrojtjen që i bëri Akademik Mark Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të liderit indipendentist, i përjashtuar nga koalicioni i LDK-së menjëherë pas vdekjes së Rugovës. Më mirë se Mark Krasniqi askush nuk mund t’i dilte në krah Ibrahim Rugovës. Mbrojtjen e Rugovës nuk mund ta bënte asnjë nga lidërshipi i LDK-së ardhur postmortum Rugovës. Mark Krasniqi, si një shenjtor i lirisë mbi tokë, me të drejtë ishte plot pezm, sepse nuk e ka menduar që Adem Demaçi të shkonte deri këtu. Mirë kur Rugova ishte gjallë, por tani! Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Adem Demaçi janë tre nga ikonat e luftës për liri dhe pavarësi me kompleksitetin që ka patur koha e vështirë, kur midis shqiptarëve ishte ngritur Muri i Berlinit dhe kur pushtuesi ushtronte të gjitha mjetet për të mos lejuar të ndodhte ajo që tani është realitet. Natyrisht që Ibrahim Rugova është lideri i pavarësisë. Dhe nëse pavarësia simbolizon kulmin, atëhere Ibrahim Rugova është mbi këtë kulm. Por kjo nuk e ul veprën e Adem Demaçit që ky të shfrynte mësime historie duke fyer Ibrahim Rugovën që nuk është më midis të gjallëve. Sepse ne jemi të gjithë dëshmitarë, të gjithë jemi bashkëkohës të historisë dhe e dimë se pavarësia e Kosovës ishte ideali më i paarritshëm në botë. Ibrahim Rugova, Akademik Mark Krasniqi, Adem Demaçi janë emra të ndritur që bëjnë pjesë në listën e sakrifikuesve për lirinë e Kosovës, ata që do t’ia mbajnë përherë Kosovës themelet e lirisë të forta. E dëgjova me dhimbje kur Adem Demaçi e portretizoi liderin indipendentist si „frikacak“. Ibrahim Rugova tash mbush shtatë vjet që ndodhet në botën e përtejme, në parajsë pranë Zotit, nga të paktët politikanë shqiptarë pa mëkate, jo si mëkatar, ashtu si e kanë zënë rrugën për në ferr shumica e politikanëve shqiptarë. Sa ishte gjallë, gazetat e majta të Kosovës i mbushnin për ditë faqet me sulme të paskrupullta kundër Ibrahim Rugovës, me shpifje, intriga, spekulime, sepse e dinin se, nëse rrëzonin Rugovën, betejën politike e kishin të fituar. Ndërsa ne të paktët gazetarë që mbronim liderin gandist, na etiketonin si „ekstremistë“ dhe pastaj na kërcënonin me jetë dhe e quanin veten „çlirimtarë“. Shikoni se çfarë paskrupullësie. Që do të thotë se vazhdon, përderi sa Adem Demaçin dikush e frymëzoi që ta etiketojë pas vdekjes Ibrahim Rugovën, e t’i bëjë aq dëm me fjalët e veta, vetë Adem Demaçit. Sa ishte gjallë Rugova, beteja e politikanëve të të gjitha ngjyrave ishte gjithmonë e humbur, me gjithë luftën mediatike dhe të të gjitha mënyrave kundër tij. Kur vdiq Rugova, PDK i fitoi zgjedhjet dhe hyri menjëherë në aleancë me Fatmir Sejdiun dhe LDK-ja mori të tatëpjetën, duke e lënë jetim elektoratin Rugovian. Adem Demaçi që, për nga vepra, i takon gjithë historisë të Kosovës, bën gabim kur e ndan popullin e Kosovës, i cili ka vuajtur dhe është ngritur i gjithi në këmbë për hir të idealit të lirisë. Adem Demaçi nuk ka nevojë për partitë e Kosovë. As t’u bëjë shërbim atyre, siç veproi kur e fyeu edhe të vdekur Rugovën si „frikacak“! Po kush është trim, sipas Demaçit, ata që i bënin atentat Rugovës për ta vrarë! Ata janë burracakë, frikacakë, kriminelë! Kudo qofshin i pret rruga për në ferr, sepse biletën për atje e kanë prerë me bëmat e tyre. Po Demaçi çfarë ka! Pas vdekjes të Rugovës, filluan të përfitojnë të majtë e të djathtë prej mospranisë së tij, ndërkohë që tani thonë se të gjithë kanë qenë rugovistë. Po të shihni pelegrinazhet tek varri i Rugovës, ai është vendi më i vizituar nga shqiptarët, por edhe nga mëkatarët – nga ata që ia kanë nxirë jetën Rugovës kur ishte gjallë. Ndofta janë penduar, ndofta i kërkojnë ndjesë, ndofta i luten që t’ua fali atë çka ata i punuan kur ai frymonte mes nesh. Ta dinë se Rugova i ka falur! Me një kusht, që të mos e vazhdojnë rrugën e qoftëlargut me luftue shqiptari kundër shqiptarit. Ndërsa për sulmet më të fundit që Demaçi nisi kundër Rugovës së vdekur nuk gjej asnjë sens. Adem Demaçi për vitet e burgut meriton të quhet njëri nga Mandelat e Europës. Ne shqiptarët kemi dy, Pjetër Arbnorin dhe Adem Demaçin, emrat me të cilët duhet të krenohen Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët. Po përse e nëpërkëmb emrin e vet Adem Demaçi , me gojën e vet, duke nëpërgojuar Ibrahim Rugovën? Nuk jam dakord me ata që thonë se asht plakë e rrokatë tash Demaçi. Jo, e kam dëgjuar plotë herë Demaçin kur flet ashtu si duhet, me marr mend ne të gjithë prej tij! Po çka atëherë! Qëndrimi i Rugovës, për të cilin Adem Demaçi spekulon kësaj here duke e cilësuar si frikacak, ishte vetëm në mbrojtje të popullit të Kosovës, sepse, asaj kohe, as SHBA dhe aq më pak Europa, nuk ishin të gatëshme ta mbronin Kosovën ashtu si vepruan më 1999. Deri kur Presidenti George Bush senior shpalli „vijën e kuqe“, qendrimi Amerikan ishte autonomi për Kosovën. Le të kujtojmë se tragjedia që ndodhi në Bosnje do të ripërsëritej në Kosovë, me një skenar edhe më të përkryer për shkak të homogjenitetit të popullsisë. Mua më erdhi tmerrësisht keq kur e dëgjova Adem Demaçi që bëhej mashë për ata që i pret ferri, dhe nuk e le Rugovën të prehet i qetë në parajsë, pas atyre të gjitha poshtërsive që ia punuan kur ai ishte në gjallje. Përballë lapsusit lajthitës të Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës i doli në krah Akademik Mark Krasniqi, shenjtori i gjallë i Kosovës. Atij i kishte hije edhe pezmi ndaj Demaçit. Mark Krasniqi i doli në krah Rugovës së vdekur, sepse asnjërit nga lidërshpi i LDK-së nuk i kanë hije fjalët. Me që Demaçi na ktheu pas, e kam të freskët kohën kur, ndërsa qeveria hije e Kosovës jetonte me plot komodidete në Perëndim, Ibrahim Rugova qëndronte me familjen në Kosovën e pushtuar. Dhe i viheshin në diskutim pagesat e biletave dhe udhëtimeve në SHBA dhe Europë, ku ai lobonte për pavarësinë e Kosovës! Nuk gjej asnjë sens në sulmet e Demaçit kundër Rugovës. Adem Demaçi dha kontributin e tij si Mandela i Kosovës, i burgosur në burgjet e pushtuesit, Ibrahim Rugova si lideri Indipendentist, i cili përmes mënyrës gandiste dhe europianiste e sendërtoi pavarësinë, e ktheu nga një iluzion në realitet. Të dy i duhen Kosovës. Shqiptarofobia ishte sëmundje e Ballkanit, e cila do ende kohë të shërohet plotësisht. Pavarësia e Kosovës, lideri i së cilës është Ibrahim Rugova, ngjante si një „kataklizmë“ për mentalitetin ballkanik, pasi shqiptarët gjithmonë shiheshin si qytetarë të dorës së fundit aty ku jetonin. E Pavarësia, ky objektiv që e ideoi dhe sendërtoi Rugova me të gjithë ata që iu bashkangjitën, kërkonte burrëri të madhe, jo burracakëri. Prandaj Ibrahim Rugova ishte burrë, burrështeti! I pari në historinë e Kosovës moderne! Dhe këtë gjë e di mirë Adem Demaçi, të cilit i ka hije që t’i kërkojë ndjesë Rugovës. Mjaft u fye nga burracakët Rugova i gjallë! Nuk dua të pranoj se Adem Demaçi është burracak, sepse kam respekt për burgun e tij. Edhe Demaçi vetë, nëse ka respekt për vetë Adem Demaçin, duhet t’i lypë ndjesë Rugovës të vdekur dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët idealin e Rugovës e mbajnë në shpirtrat e tyre gjithnjë të gjallë!
AUTORI DHE AUTORITETI
* Është turp them të ndodhen njerëz të lindur shqiptarë që përpiqen të pakësojnë fytyrat që i dhanë shkëlqim Shqipërisë, në vend që të përpiqen të rrëfejnë se fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre.(FAIK KONICA ME 1902)/
* MESAZH I LENE NGA IBRAHIM RUGOVA: Ose refuzimin estetik ose shkrimtar oborrtar, ose prijës i popullit./
SHKROI: SABRI HAMITI
I. PARANTEZA E PARË: SHPATA E LIBRI
Në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, u tha, do të sillen (për pak kohë) në Tiranë Shpata e Skënderbeut nga Vjena dhe Meshari i Gjon Buzukut nga Vatikani, si dy shenja të identitetit shqiptar. Të dy shenjat, kaq të rëndësishme, qëndrojnë për shekuj jashtë tokës shqiptare, andaj bartja e tyre në Tiranë do të dukej një ngjarje. Ngjarje, më duket mua kujtesa e Shpatës dhe e Librit, për të dëshmuar jo një histori, po një përhershmëri të shenjave dalluese të një identiteti, që shkon domosdo përtej një përvjetori politik nacional. E pra, shenjat themelore: Shpata e Gjergjit dhe Meshari i Buzukut, po kthehen për të riaktualizuar një identitet, që lidh polin e veprimit dhe polin e meditimit në botën shqiptare. Edhe më tepër, për të theksuar modelin kulturor të Kastriotit e të Barletit, model i zhvilluar e i plotësuar nëpër shekuj deri më sot. Ky model kulturor e nacional, patjetër ka dhe protagonistët e vet në kohë e në rrethana të mëvonshme.
II. PARANTEZA E DYTË: PAGËZIMI E MALLKIMI
Shenja, më mirë, qenia identitare themelore e shqiptarëve, shqipja, është dëshmuar dhe shkruar relativisht vonë, në fillim me dy formula elementare gjuhësore e shkrimore: Formulën e Pagëzimit dhe Formulën e Mallkimit. Formula e Pagëzimit ndodhet në një letër qarkore në latinisht, e nënshkruar nga Pal Engjëlli, arqipeshkv i Durrësit, më 1462, dhe ka këtë trajtë:
Un te pagezonj p’r emni (t’) Atit e t’Birit e t’Shpertit Shenjt
Formula është në dialektin gegë.
Formula e Mallkimit shfaqet në trajtë replike, në një tekst dramatik, në komedinë Epirota, të autorit Tommaso de Mezzo, shkruar e botuar në Venedik në vitin 1483, ku personazhi (epirot) e mallkon veten për humbjen. Formula del në trajtën:
Tràmburë të kloftë golja [T’u dridhtë goja]
Është e vitit 1483 dhe është në dialektin toskë.
Dy formulat e para të shqipes së shkruar duken shenja domethënëse e përcaktuese për dy momente të jetës së njeriut. Formula e Pagëzimit lidhet me lindjen, nisjen e jetës shpirtërore, kurse Formula e Mallkimit lidhet me sprovat e jetës, mallkimin e saj, vetëmallkimin. Njëra e shkruar në Mat e tjetra në Itali, e para në gegnisht, e dyta në toskërisht. E para është kanonike e shpirtërore, me nocione fundamentale: Ati, Biri e Shpirti; e dyta është jetësore, ka mbrenda tronditjen individuale dhe është fryt i një formulimi popullor.
Paranteza për dëshmitë e para shqipe të pagëzimit e të mallkimit, mbaron pa u ngutur të pohohet se jeta e shqiptarit zhvillohet ndërmjet pagëzimit e mallkimit, duke u parë si variante e procesit mbijetues, që kalon nga njëra formulë në tjetrën.
III. HOMO POETICUS/HOMO POLITICUS
Formulimi: Njeriu krijues thyer për njeriun veprues, që në nismë, shenjon dy gjendje si dhe procesin e kalimit nga njëra gjendje në tjetrën. Njeriu krijues me Njeriun veprues ballafaqon dy gjendje të individit, atëherë kur është i vetmuar dhe atëherë kur realizohet në komunikim me të tjerët. Edhe shkallët e komunikimit me të tjerët krijojnë variante të sjelljes individuale e kolektive; sjellje nëpërmjet komunikimit të veprës (artistike) dhe sjellje nëpërmjet veprimit konkret. Pra, ndeshja ka dy nivele të dramatikës, një herë në rrafshin e krijimit letrar, herën tjetër në rrafshin e veprimit shoqëror. Homo poeticus është krijues, krijues botësh, meditant, prodhues idesh, njeri civil; Homo politicus është veprues, drejtues botësh, militant, zbatues ideologjish, njeri politik.
1. Auctori e Auctoriteti
Në fusha kaq të ndryshme të krijimtarisë e të veprimtarisë njerëzore, përcaktohen statuset e funksionet e Auctorit e të Auctoritetit, të lira apo të lidhura njëra me tjetrën.
Nocioni Auctor del nga folja augendo (duke shtuar/rritur), ngase ky, autori me penën e vet shton faktet, të dhënat ose mendimet e të tjerëve. Auctori është ai që bëhet garant i veprës. Auctori është ai që nëpërmjet veprës mban autoritetin. Në Mesjetë Auctori tregon pasionin që është në të njëjtën kohë shkrimtar e autoritet, shkrimtar që jo vetëm lexohet, por edhe respektohet e botohet. Në këtë vështrim të gjithë shkrimtarët nuk janë autorë, ngase autori është shkaku i parë apo shkaku kryesor i një gjëje. Që në Antikë (450 vjet para Krishtit) shfaqen nocionet poíètes dhe poíèsis, duke dalë nga forma: poíèn (bën, prodhon). Nisur nga kjo, Poíètes është prefigurim i nocionit të autorit, tash me vështrimin e kreatorit, krijuesit. Pikërisht këtu shfaqet si nocion plotësues inspirimi (frymëzimi krijues), që në greqisht del si manía; në latinisht si furor; në Renesancë në trajtën furor poeticus, në frëngjisht: folie në vështrimin e marrëzisë apo çmendisë poetike. Çështja është: a është kjo maní që bën përdallimin ndërmjet shkrimit poetik e shkrimit politik, ndërmjet shkrimit pasionant e shkrimit militant; për ta karakterizuar dyzimin e Auctorit, me gjithë madhështinë e forcën e tij, në autor të pasionit e në autor të misionit; duke e pasur të parin, që e kthen botën kah vetvetja, kurse të dytin që e kthen vetveten kah bota. Për rrjedhojë auctori bëhet autoritet duke u nisur nga individualja, ndërsa autoriteti në shoqëri niset nga perceptimi kolektiv, kur individualja pretendon të bëhet e përgjithshme. Atëherë auctori bëhet protagonist: protagonist në letërsi (Konica); protagonist në shoqëri (Naimi), sikur që protagonisti shoqëror bëhet protagonist në letërsi (Gjergj Kastrioti).
Homo poeticus e homo politicus janë dy gjendje autoriale që lidhen ndërvete në një proces të kapërcimit, duke kaluar herë nëpër pasion, herë nëpër mision. Ky kapërcim ka një dramatikë kur ndodh në letërsi, e dramatikë tjetër kur ndodh në shoqëri.
2. Dramatika në letërsi
Grindja e ideales me realen mund të bëhet doktrinë e konfliktit edhe mbrenda në letërsi, madje mbrenda veprës së një autori. Të kujtohet si duket shqiptari në veprat e Fishtës Lahuta e Malcís dhe Anzat e Parnasit. Tjetër është kur shkruhet e pretendohet letërsi e pastër si te Lasgushi, Camaj a Anton Pashku, ku mungon tendenca. Tjetër është kur shkruhet letërsi me tendencë dhe lexohet me tendencë, mbështetur në një tendencë letrare e përtejletrare, për të prodhuar letërsi doktrinare, misionare, të rrethanave, të angazhuar apo qëllimore. Sepse, letërsia qëllimore, e mbështetur në të bërat e Personazhit dhe në Diskursin e autorit, zakonisht përfundon në format dominante të Utopisë apo të Distopisë (Antiutopisë), për të marrë fund në Ideologji. Një letërsi e paqëtimit fillestar, që përfundon në një letërsi të konfliktit midis reale e ideales: se në një anë është doktrina krijuese e mbështetur në të pamundshmen, fantastiken, imagjinaren, ndërsa përballë është doktrina vepruese, arti i të mundshmes, maturia, maturimi, realja. Ende jemi në mesin e fenomenit krijues letrar, pra mbrenda dramatikës së krijimit të veprës së artit, dhe në dramatikën e auctorit – krijues letrar. Sepse, rrëshqitja në një gjendje krejt tjetër është kur auctori bëhet krijues i shkrimit doktrinar politik, madje ideologjik. Kjo rrëshqitje e vetëdijshme njihet e dallohet te autorët shqiptarë, që nga Barleti e këndej. Tanimë zhvendosja autoriale është e madhe, e dallueshme, dhe dramatika e hartimit letrar merr qetësinë e njëtrajtshmërinë, ku diskursi letrar vihet tërësisht në shërbim të idesë e të ideologjisë.
Të sjellim ndërmend Doktrinën kryengritëse të Budit e të Bogdanit, Testamentin politik të De Radës, Dëshirën e shqiptarëve të Naimit, Të vërtetën e shqiptarëve të Pashko Vasës, Shqipërinë e Samiut, Shqipërinë e Konicës, Identitetin shqiptar të Kadaresë, Çështjen e Kosovës të Ibrahim Rugovës.
3. Dramatika në shoqëri
Është një situatë e re kur autori bëhet autoritet, dhe si i tillë hidhet në veprim shoqëror. Tanimë edhe shkrimi i tij merr karakterin jomeditant, merr karakterin militant të veprimit. Veprimi bëhet themel i ndodhisë së pritme në shoqëri, prandaj gjithë fenomeni është shoqëror, qoftë me pretendime krijuese artistike. Forma dominante është shkrimi politik, madje shkrimi ideologjik i kurorëzuar me ideologji, e cila don një zhvillim të pritshëm të utopisë, e cila më vonë mbaron në antiutopi. Ndërsa Auctori, duke u shndërruar në Auctoritet shoqëror, merr ngadalë karakterin autoritar, me premisat e diktatorit e të diktaturës në shoqëri. Kështu hyhet në arenën e betejës së madhe e të egër ideologjike e pushtetore. Në këtë betejë letërsia është përfundimisht humbëse. Nuk njihet ndonjë autor shqiptar të ketë krijuar kryevepra letrare, mbas angazhimit të madh politik e ideologjik. Pra, në të tilla rrethana, mbrenda Auctorit si Auctoritet, Ideologjia e mund Poezinë.
Secili pushtet apo pushtetar, që letërsinë e përdor si propagandë (qoftë propagandë të absolutit të përparimit), autorin e konsideron vëlla të vogël ndihmëtar, porse Auctorin si Auctoritet e koncepton si rival për pushtet dhe të pabesueshëm. Prandaj, ekziston një raport kaq i dysishëm e i ndërliqshëm ndërmjet autorëve e autoriteteve pushtetore, jo vetëm në kohën e diktaturës, por në të gjitha kohët e botës shqiptare. Se frika e lakmia nuk mund të prodhojnë asnjëherë dashurinë; ato mund ta prodhojnë mosdurimin e urrejtjen. Sepse dijetarët e dinë, madje diktatorët janë të bindur, që vetëm autorët e prishur mund të bëhen militantë, kurse militantët e prishur nuk bëhen kurrë autorë, prandaj donë t’i kenë pranë, për t’i pasur në kujdes, ndërsa kur i kanë kundër, nuk pushojnë t’i vënë në rrezik të përhershëm.
E pra, çka i shtyn autorët të dalin nga bota e tyre krijuese, ndërsa nëpërmjet statusit të autoritetit t’i shtrohen rrezikut të pushtetit? Çështja është universale, po në botën e në historinë shqiptare lidhet me dysinë fillestare të kulturës: shpatë e shkrim (penë), një model kulturor që luftëtarin e shkrimtarin i ka pranuar si autoritete, madje duke i mitizuar.
Modeli i veprimit politik i shkrimtarit shqiptar kalon nëpër disa trajta themelore: kritikë pushtetit; tallje me pushtetin; portretim i pushtetit, lavdërim i pushtetit. Dramatika rritet kur shkrimtari i paparashikueshëm bëhet pragmatik në politikë. Qoftë i shpallur disident apo defetist, autori është i detyruar (si qenie shoqërore e politike) të jetë ose jashtë pushtetit, ose kundër pushtetit ose në pushtet. Kjo nuk ka të bëjë me maksimën e gjetur të Ibrahim Rugovës: kush nuk mund ta bëjë refuzimin estetik ose “bëhet poet i oborrit”, ose “prijës i popullit”. Prijës i popullit, zgjedhje e mirë dhe e guximshme, krahasuar me poetin e oborrit; mirëpo edhe ky bëhet status i shërbyesit, që domosdoshmërisht shpie te pushteti.
IV. PËRVOJA E PROVA SHQIPTARE
Në kulturën e në botën shqiptare, shkrimtarët (e njohur) janë ngritur në nivelin e autoritetit, të vlerësuar, madje të adhuruar, deri në rrafshin e luftëtarëve të lirisë. Nëse këta të dytët janë pranuar heronj, ata të parët janë konsideruar heronj të kulturës. A nuk janë ngritur në nivelin e një binomi përgjithmonë Gjergj Kastrioti e Marin Barleti? Duke jetuar një jetë paralele ndërmjet krijuesit individual e vepruesit politik e atdhetar, shkrimtarët kanë kaluar nëpër procesin e kapërcimit nga një situatë në një situim: duke provuar procesin e alteritetit e të tjetërsimit, kalimin nga krijuesi te vepruesi, nga kontestuesi te pranuesi, nga rebelimi te përshtatja, nga krijuesi te njeriu civil, mandej te militanti politik Kjo e bën të vështirë trajtimin estetik të veprës së tyre pa e lidhur me trajtimin e veprimit të tyre. Ata janë dashur e padashur homo poeticus edhe homo politicus. Madje, statusi i dysishëm i prek edhe në procesin e veprimtarisë qytetare. Do ta provojmë këtë dysí duke trajtuar shkrimtarë të njohur, të lidhur me periudha të ndryshme të historisë, në ballafaqim të parë me aktualitetin e kohës së tyre.
1. Kryengritësit: Budi, Bogdani
Në ballë të shkrimit doktrinar e të shkrimit poetik në shqip qëndrojnë Pjetër Budi e Pjetër Bogdani.
Pjetër Budi, mbasi e ribëri Doktrinën e krishterë të shkrueshme e të lexueshme në shqip, hartoi vjersha doktrinare në shqip me fjalor e kadencë popullore, duke ndërfutur aty tema shqiptare, qoftë në trajtë të lutjes hyjnore, qoftë të mjerimit tokësor. Duke kërkuar komunikimin shqip të doktrinës, Budi u rebelua kundër klerikëve të huaj në botën shqiptare, gjest që e pagoi me jetë kur u përmbyt në lumin Drí. Mirëpo, rebelimi i tij kishte ambicie të rritej në kryengritje kundër turqve, që dëshmohet me letrën dërguar kardinalit Gocadini: një program rajonal për kundërvënie, i strukturuar nëpërmjet përshkrimit historik e gjeografik të tokës shqiptare, për të artikuluar domosdonë e lirimit të kësaj toke.
Pjetër Bogdani shkroi veprën monumentale Cuneus Prophetarum, si doktrinë të krishterë në shqip e italisht, dhe mbrenda saj thuri kulturën retorike e filozofike të kohës. Në strukturën e kësaj vepre hartoi shtesën poetike, me këngët e Sibilave si parathënëse të botës së Krishtit si flijim e si dashuri. Shtesa tjetër përtej tekstit doktrinar merr trajtën e fakteve e të informatave për botën shqiptare, duke theksuar durimin e qëndrueshmërinë e Malësorëve.
Pjetër Bogdani, mbas botimit të veprës së vet kulturore e letrare, vitet e fundit i shkoi duke përgatitur kryengritjen antiturke në truallin e Kosovës. Në valën e kryengritjes ai vdes. Hakmarrja e kundërshtarëve mori trajtën barbare të zhvarrimit të tij në Prishtinë.
Pra, kryengritja e Budit ishte ide e mbetur në tentativë, kurse kryengritja e Bogdanit u bë vepër. Të dytë e paguan veprimin e vet me jetë. Prandaj, Budi e Bogdani kanë në veprën e tyre tharmin poetik e tharmin politik, si dhe heroizmin kulturor e kombëtar.
2. Misionarët: De Rada, Pashko Vasa, Naimi, Samiu
Këta janë apostujt e shqiptarizmit dhe themeluesit e letërsisë kombëtare shqipe. Të rrokur nga vala e Romantizmit, këta autorë zbuluan të kaluarën për të krijuar vizionin e të ardhmes, mohuan të tashmen, për të krijuar kombin e vendin e lirë. Zbuluan subjektivitetin si mirasin e përjetshëm për të krijuar letërsi. Dhe, në fund a në fillim, në shkrime kombëtare-politike prodhuan ideologjinë nacionale shqiptare. Si personalitete secili në mënyrën e vet ishin të ndërgjegjshëm që kishin në vete dhe në krijimtari pasionin e misionin përnjëherësh. Zbuluan heronjtë kombëtarë, dhe më të njohurin e tyre Gjergj Kastriotin – Skënderbeun; artikuluan heronjtë letrarë autobiografikë të ideologjisë së vet.
Jeronim de Rada krijoi Milosaon, poemën brilante të rinisë, me shkëlqimin e artit poetik arbëresh; hartoi gjithë jetën poemën Skënderbeu i pafanë, me pretendimin për të krijuar epopenë e identifikimit etnik; dhe më në fund, në muzgun e jetës së vet, vetëm pak muaj para se të shkonte botoi Testamentin politik, mbasi kishte mbaruar Autobiografinë, si kronikë të ndodhive të një jete si pasqyrë të zjarrmisë krijuese poetike.
Pashko Vasa, me një përvojë të madhe krijuese në italisht (Burgimi im e Trëndafila e gjemba) e në frëngjisht (Bardha e Temalit), shkroi në shqip poemën kushtrimore O moj Shqypni, duke përmbyllur homo poeticusin e vet. Njëkohësisht ai veproi e shkroi tekste doktrinare nacionale në shqip e në frëngjisht, si thirrje për shqiptarët e si njohje e informacion për botën tjetër. Te ky destinimi i tekstit e përcakton strukturën e argumentin e tij. Kur shkruan shqip (Shqypnia e shqyptart), teksti mbështetet në figurë e në ndiesi; kur shkruan në frëngjisht (La vérité sur l’Albanie et les Albanais) teksti mbështetet në arsye e në argumentim.
Naim Frashëri, poeti më i madh i romantizmit shqiptar, shkroi utopinë e vet nacionale me poemën Bagëti e Bujqësia, një Shqipëri të ëndrrave. Mandej botoi lirikat personale të dhembjes e të zjarrmisë duke synuar bukurinë ideale në trajtën e dashurisë; këndoi kalueshmërinë e kohës, duke artikuluar dhembjen personale e universale. Naimi një poet i gjuhës së zjarrtë shqipe. Po, Naimi poet, nuk u pranua mëkot apostull nacional qysh për të gjallë, qoftë me mësimet (moralizimet) kombëtare mbrenda veprave poetike. Edhe më: Naimi shkroi në greqisht (Dëshirë e vërtetë e shqiptarëvet) dhe në shqip (Ligj’ e përjetshim’ e shqipëtarëvet), tekste me karakter formues, informues e militant.
Sami Frashëri, meditant e militant, dijetar e shkrimtar, shkroi në turqisht (Enciklopedi, teatër, roman) i vlerësuar si transformues i kulturës së re turke. Po, vepra e tij më e madhe në shqip, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do bëhetë, si lloj shkrimi është një utopi, kurse si qëllim ka transformimin e botës shqiptare, duke marrë karakterin e tekstit ideologjik dhe utilitar. Është vlerësuar si kurorë e shkrimit letrar e programatik të romantizmit shqiptar: për liri, pavarësim e zhvillim të vendit e të kombit.
Pra, nëse Naimi ka krijuar utopinë letrare të Shqipërisë, Samiu ka krijuar utopinë sociale e politike të Shqipërisë.
3. Kritikët: Fishta, Konica, Noli
U bë Shqipëria, a u bënë shqiptarët? Do të shtrojnë pyetjen e vështirë kritikët. Duke u kaluar modeli himnizues i kulturës e literaturës (pra himnizim për së mbrendshmi e kundërshtim për së jashtmi), tashti hyhet në diskutimin kritik të mbrendshëm me shumë pikëpyetje e dilema. A është deklarimi i pavarësisë pavarësi dhe a është realja shqiptare në grindje të fortë me idealen? Është brezi i shkrimtarëve e kritikëve që rrok këto probleme të vështira, duke i shtruar në vepra letrare, në vepra kritike, madje dhe në veprime konkrete pushtetore në Shqipëri.
Gjergj Fishta gjithë shekullin e vet krijues e bëri në Shqipëri. Si besimtar, ky autor e fshehu lirikën intime me hijeshi në gjirin e shkrimit doktrinar të përshpirtshëm. Krijoi veprën poetike monumentale Lahuta e Malcís, si vepër identitare shqiptare, me një fundament të trashëgimit historik të idealizuar. Mirëpo, Gjergj Fishta krijoi dhe vepra poetike të humorit e të satirës përmbysëse për botën shqiptare, pikërisht kur i referohet realitetit të kohës, dhe pikërisht në kohën kur u bë përfaqësues i popullit dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Gomari i Babatasit e Visku i Babatasit janë satirat e tij për Shqipërinë e mbrendshme, ndërsa melodrama Jerina ase Mbretnesha e lulevet është përgjigje mohimeve të jashtme të identitetit kulturor të Shqipërisë.
Faik Konica, si modeluesi i shkrimit kritik, pëlqimin apo kundërshtimin shkrimor e ngriti në nivel të polemikës. Nuk kurseu askënd, madje as mitet letrare, si Naimi. Dhe krijoi përjetë moskuptime për shkrimin e vet me temperament. E madhe qe ndeshja: ndërmjet modelit himnizues (të vetvetes nga shqiptarët), që në trajtën e ideales jetonte ende te personaliteti i Konicës, dhe modelit kritik për shqiptarin real e Shqipërinë reale. Konsistenca kritike e Konicës rri e figuruar edhe në vepra letrare si Një ambasadë e Zulluve në Paris, Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit edhe në esetë kritike Shqipëria si m’u duk dhe Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore. Konica deshi të bënte një kirurgji të jetës shoqërore, kulturore e politike të shqiptarëve, në një orë anatomie, ku duhej të qërohej levantinizmi, që kishte pushtuar këtë botë. Edhe Konica, si përfaqësues shteti u bë bipolar, sidomos përballë fenomenit pushtetor të Ahmet Zogut.
Fan S. Noli trajtohet si ideolog i Revolucionit të viteve njëzet, dhe kjo pranohet nga ai vetë (në Autobiografi), Më parë është bërë autoritet moral: prift, mandej deputet, mandej kryeministër, pastaj autor dhe autoritet letrar. Prandaj, duket rast i veçantë në modelin e kritikëve. Për këtë shkak veprat e tij letrare, sidomos veprat poetike (Albumi), në thelb, në zënie, janë derivime të ndodhive politike e pushtetore, kështu që modeli i tij ka një përmbysje nga modeli fillestar. Ai tani duket: Homo politicus/Homo poeticus. Letërsia e tij postpolitike (Albumi) ka element themelor idenë, madje ideologjinë. Kjo duket në diskursin e tij poetik dhe politik, që në mënyrë konstante kërkon veprimin apo lamenton mosveprimin, kurse folja e ligjëratës së tij politike e poetike është në mënyrën urdhërore; ligjërata mbështetet në kontraste të forta dhe vepra merr shpesh ton satirik, përjashtues e kryengritës.
4. Autorët në diktaturë: Demaçi, Kadare, Qosja
Autorët shqiptarë në kohën e diktaturës komuniste lindore e shqiptare kanë kaluar nëpër raporte tepër të ndërlikuara me pushtetin, duke u ndodhur ndërmjet unit kreativ individual dhe pritshmërive (apo obligimeve) ndaj kolektivitetit. Kjo gjendje është artikuluar në mënyra të ndryshme, qoftë në strukturat letrare, qoftë në raportet qytetare: herë si përshtatje, herë si rebelim, e më rrallë edhe si kryengritje. Është fjala për ata që më parë janë bërë autorë e autoritete e më pas objekte dhe subjekte të politikës.
Adem Demaçi në moshë të re botoi romanin Gjarpijt e gjakut, një vepër kult të letërsisë së re shqipe në Kosovë. Pra, si djalosh u bë autor dhe autoritet, prandaj i rrezikshëm për pushtetin. Edhe më tepër kur krijoi organizim politik klandestin për lirinë e popullit të vet. Ndëshkimi ishte i tmerrshëm, 28 vjet burg. Romani Gjarpijt e gjakut si metaforë nuk ishte rrezik për pushtetin, rrezik ishte ideja e lirisë dhe veprimi për këtë ide. Mbas burgut, Demaçi rebelimin e vet e çoi deri në nivelin e kryengritjes e të luftës për çlirim. Dhe vazhdoi të shkruante letërsi, vetëmse letërsia e tij e mëvonshme, e përshkuar me më shumë militantizëm të afishuar, nuk e ka kaluar nivelin e romanit të parë as të adhurimit për të. Demaçi mbetet i rebeluari i përjetshëm politik, porse ky rebelim nuk përkthehet përherë në vlerë të njëjtë artistike.
Ismail Kadare shkëlqen në letërsinë shqipe në mënyrë të pazakontë, ngase nis të botojë veprat poetike në një ambient kulturor e ideologjik kur metoda e kodifikuar e realizmit socialist, në fakt është një detyrim për shkrim letrar doktrinar. Nuk ka dyshim që Kadare (me vepra të njohura) është i rebeluari i metodës. Këtu hyn romani Kronikë në gur, si sagë e fëmijërisë për qytetin e lindjes; kështu dhe romani Pallati i ëndrrave, i shkruar si një antiutopi e diktaturës, madje e tiranisë. Mirëpo, shkrimit tendencioz ose shkrimit me tezë, ky autor nuk i shpëton në vepra si Dimri i vetmisë së madhe, ku, duke e bërë referencë letrare aktualitetin, e krijon kryepersonazh ideologjik kreun e pushtetit. Edhe vetë i zgjedhur në pushtet më parë, Kadare më vonë racionalizon se qëndrimi pranë pushtetit ishte tagër për të shpëtuar autorin, që do të thotë letërsinë e tij; homo poeticusin kërkon ta shpëtojë homo politicusi.
Shkrime me tezë janë edhe veprat që shpalojnë apo afishojnë identitete shqiptare. Kadare mbas rënies së diktaturës, kërkimin identitar të shqiptarëve, e vijon me vepra eseistike si: Identiteti evropian i shqiptarëve dhe Mosmarrëveshja.
Rexhep Qosja, e nis krijimtarinë si kritik dhe vazhdon si shkrimtar, ndryshe nga autorët e brezit. Autori kritik, që në fillim rrok tema letrare e përtej letrare: shoqërore, kritike mbrenda sistemit, politike. Artikulimi i fortë i idesë, i qëllimit dhe qëndrimi bëhen shenjat e para dalluese të këtij diskursi, që për pasojë prodhojnë një kritikë për apo kundër, që shkon në kufi të polemikës. Prapëseprapë, vepra e tij kryesore studimore është Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi, e cila vlerëson letërsinë dhe ideologjinë nacionale, kurse vepra e tij kryesore letrare është Vdekja më vjen prej syve të tillë, që tematizon lirinë individuale e nacionale. Me pasionin e kritikut dhe kredon e ideologut, Qosja hyn në lëvizjen politike të Kosovës dhe konkurron në zgjedhje politike. Po, ky pasion bëhet ngarkesë për veprat letrare të pastajme që tematikisht rrokin aktualitetin. Shkrimi militant kudo, e sidomos te shqiptarët, prodhon mospajtime e moskuptime.
V. IKONA RUGOVA
Ibrahim Rugova duket rast i veçantë për ngrehinën e tij kulturore e letrare dhe për ngrehinën humanistike, liberatore e nacionale.
Në kulturën shqiptare mbetet kritik e teorik i letërsisë. Madje, në fillet e tij militante theksoi: “Do të kujtohem për ato që kam shkruar”, që është rezonim i krijuesit.
Për veprimin lirimtar e humanist, për punën e prijësit, për peshën e Presidentit të vendit, është krahasuar me Vaclav Havelin e me Gandin; madje është quajtur Kolosi i brishtë.
Rugova, krijues e mendimtar, e shihte kalimin nga homo poeticus në homo politicus si një ndërrim të statusit, një proces të tjetërsimit, qoftë kjo si zgjedhje (e mbrendshme) apo si detyrim (i jashtëm).
Ai e bëri kalimin e tillë, duke kërkuar lirinë e Kosovës, si prijës. Sa kishte këtu pasion e sa mision, sa kishte dhembje e shpërblim, do ta bëjë evidente historia.
Rugova duket i veçantë edhe për dy gjëra, për të cilat dëshmoj:
E para: pasi hyri në politikë, Ibrahim Rugova nuk shkroi më letërsi;
E dyta: më tha një herë: “Nuk ishte dëshira as zgjedhja ime t’i bie pashë më pashë kënetës politike. U ndodha aty. Hëngra gurë të nxehtë. Po e dhashë gjithë vuajtjen time”.
VI. PARANTEZA E TRETË: PO TI?
Rugova krijues ka përsëritur: ose refuzimin estetik ose shkrimtar oborrtar, ose prijës i popullit.
Ose? Ose?
Këto tema e dilema mbeten të hapura kur trajtohet raporti homo poeticus/homo politicus në historinë e në botën shqiptare.
Po të rimarrim dy parantezat e fillimit, mësimi është frapant:
E nëse është fatum i kulturës shqiptare të ketë pranë e pranë shpatën e penën;
E nëse formula e pagëzimit është bekim për homo poeticus të imagjinojë e fantazojë, të krijojë të bukurën;
E nëse formula e mallkimit është kob për homo politicus, që luan me jetën e përqafon vdekjen;
Mea culpa, mea maxima culpa!
Konica i prerë e me temperament, në këtë pikë sikur maturohet, kur shkruan më 1902:
Është turp them të ndodhen njerëz të lindur shqiptarë që përpiqen të pakësojnë fytyrat që i dhanë shkëlqim Shqipërisë, në vend që të përpiqen të rrëfejnë se fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre.