RUGOVËS ADEM DEMAÇI T’I KËRKOJË NDJESË!/ Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ E dëgjova me dhimbje sulmin e Adem Demaçit drejtuar Rugovës që nuk jeton më. E dëgjova me lot në sy mbrojtjen që i bëri Akademik Mark Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të liderit indipendentist, i përjashtuar nga koalicioni i LDK-së menjëherë pas vdekjes së Rugovës. Më mirë se Mark Krasniqi askush nuk mund t’i dilte në krah Ibrahim Rugovës. Mbrojtjen e Rugovës nuk mund ta bënte asnjë nga lidërshipi i LDK-së ardhur postmortum Rugovës. Mark Krasniqi, si një shenjtor i lirisë mbi tokë, me të drejtë ishte plot pezm, sepse nuk e ka menduar që Adem Demaçi të shkonte deri këtu. Mirë kur Rugova ishte gjallë, por tani! Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Adem Demaçi janë tre nga ikonat e luftës për liri dhe pavarësi me kompleksitetin që ka patur koha e vështirë, kur midis shqiptarëve ishte ngritur Muri i Berlinit dhe kur pushtuesi ushtronte të gjitha mjetet për të mos lejuar të ndodhte ajo që tani është realitet. Natyrisht që Ibrahim Rugova është lideri i pavarësisë. Dhe nëse pavarësia simbolizon kulmin, atëhere Ibrahim Rugova është mbi këtë kulm. Por kjo nuk e ul veprën e Adem Demaçit që ky të shfrynte mësime historie duke fyer Ibrahim Rugovën që nuk është më midis të gjallëve. Sepse ne jemi të gjithë dëshmitarë, të gjithë jemi bashkëkohës të historisë dhe e dimë se pavarësia e Kosovës ishte ideali më i paarritshëm në botë. Ibrahim Rugova, Akademik Mark Krasniqi, Adem Demaçi janë emra të ndritur që bëjnë pjesë në listën e sakrifikuesve për lirinë e Kosovës, ata që do t’ia mbajnë përherë Kosovës themelet e lirisë të forta. E dëgjova me dhimbje kur Adem Demaçi e portretizoi liderin indipendentist si „frikacak“. Ibrahim Rugova tash mbush shtatë vjet që ndodhet në botën e përtejme, në parajsë pranë Zotit, nga të paktët politikanë shqiptarë pa mëkate, jo si mëkatar, ashtu si e kanë zënë rrugën për në ferr shumica e politikanëve shqiptarë. Sa ishte gjallë, gazetat e majta të Kosovës i mbushnin për ditë faqet me sulme të paskrupullta kundër Ibrahim Rugovës, me shpifje, intriga, spekulime, sepse e dinin se, nëse rrëzonin Rugovën, betejën politike e kishin të fituar. Ndërsa ne të paktët gazetarë që mbronim liderin gandist, na etiketonin si „ekstremistë“ dhe pastaj na kërcënonin me jetë dhe e quanin veten „çlirimtarë“. Shikoni se çfarë paskrupullësie. Që do të thotë se vazhdon, përderi sa Adem Demaçin dikush e frymëzoi që ta etiketojë pas vdekjes Ibrahim Rugovën, e t’i bëjë aq dëm me fjalët e veta, vetë Adem Demaçit. Sa ishte gjallë Rugova, beteja e politikanëve të të gjitha ngjyrave ishte gjithmonë e humbur, me gjithë luftën mediatike dhe të të gjitha mënyrave kundër tij. Kur vdiq Rugova, PDK i fitoi zgjedhjet dhe hyri menjëherë në aleancë me Fatmir Sejdiun dhe LDK-ja mori të tatëpjetën, duke e lënë jetim elektoratin Rugovian. Adem Demaçi që, për nga vepra, i takon gjithë historisë të Kosovës, bën gabim kur e ndan popullin e Kosovës, i cili ka vuajtur dhe është ngritur i gjithi në këmbë për hir të idealit të lirisë. Adem Demaçi nuk ka nevojë për partitë e Kosovë. As t’u bëjë shërbim atyre, siç veproi kur e fyeu edhe të vdekur Rugovën si „frikacak“! Po kush është trim, sipas Demaçit, ata që i bënin atentat Rugovës për ta vrarë! Ata janë burracakë, frikacakë, kriminelë! Kudo qofshin i pret rruga për në ferr, sepse biletën për atje e kanë prerë me bëmat e tyre. Po Demaçi çfarë ka! Pas vdekjes të Rugovës, filluan të përfitojnë të majtë e të djathtë prej mospranisë së tij, ndërkohë që tani thonë se të gjithë kanë qenë rugovistë. Po të shihni pelegrinazhet tek varri i Rugovës, ai është vendi më i vizituar nga shqiptarët, por edhe nga mëkatarët – nga ata që ia kanë nxirë jetën Rugovës kur ishte gjallë. Ndofta janë penduar, ndofta i kërkojnë ndjesë, ndofta i luten që t’ua fali atë çka ata i punuan kur ai frymonte mes nesh. Ta dinë se Rugova i ka falur! Me një kusht, që të mos e vazhdojnë rrugën e qoftëlargut me luftue shqiptari kundër shqiptarit. Ndërsa për sulmet më të fundit që Demaçi nisi kundër Rugovës së vdekur nuk gjej asnjë sens. Adem Demaçi për vitet e burgut meriton të quhet njëri nga Mandelat e Europës. Ne shqiptarët kemi dy, Pjetër Arbnorin dhe Adem Demaçin, emrat me të cilët duhet të krenohen Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët. Po përse e nëpërkëmb emrin e vet Adem Demaçi , me gojën e vet, duke nëpërgojuar Ibrahim Rugovën? Nuk jam dakord me ata që thonë se asht plakë e rrokatë tash Demaçi. Jo, e kam dëgjuar plotë herë Demaçin kur flet ashtu si duhet, me marr mend ne të gjithë prej tij! Po çka atëherë! Qëndrimi i Rugovës, për të cilin Adem Demaçi spekulon kësaj here duke e cilësuar si frikacak, ishte vetëm në mbrojtje të popullit të Kosovës, sepse, asaj kohe, as SHBA dhe aq më pak Europa, nuk ishin të gatëshme ta mbronin Kosovën ashtu si vepruan më 1999. Deri kur Presidenti George Bush senior shpalli „vijën e kuqe“, qendrimi Amerikan ishte autonomi për Kosovën. Le të kujtojmë se tragjedia që ndodhi në Bosnje do të ripërsëritej në Kosovë, me një skenar edhe më të përkryer për shkak të homogjenitetit të popullsisë. Mua më erdhi tmerrësisht keq kur e dëgjova Adem Demaçi që bëhej mashë për ata që i pret ferri, dhe nuk e le Rugovën të prehet i qetë në parajsë, pas atyre të gjitha poshtërsive që ia punuan kur ai ishte në gjallje. Përballë lapsusit lajthitës të Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës i doli në krah Akademik Mark Krasniqi, shenjtori i gjallë i Kosovës. Atij i kishte hije edhe pezmi ndaj Demaçit. Mark Krasniqi i doli në krah Rugovës së vdekur, sepse asnjërit nga lidërshpi i LDK-së nuk i kanë hije fjalët. Me që Demaçi na ktheu pas, e kam të freskët kohën kur, ndërsa qeveria hije e Kosovës jetonte me plot komodidete në Perëndim, Ibrahim Rugova qëndronte me familjen në Kosovën e pushtuar. Dhe i viheshin në diskutim pagesat e biletave dhe udhëtimeve në SHBA dhe Europë, ku ai lobonte për pavarësinë e Kosovës! Nuk gjej asnjë sens në sulmet e Demaçit kundër Rugovës. Adem Demaçi dha kontributin e tij si Mandela i Kosovës, i burgosur në burgjet e pushtuesit, Ibrahim Rugova si lideri Indipendentist, i cili përmes mënyrës gandiste dhe europianiste e sendërtoi pavarësinë, e ktheu nga një iluzion në realitet. Të dy i duhen Kosovës. Shqiptarofobia ishte sëmundje e Ballkanit, e cila do ende kohë të shërohet plotësisht. Pavarësia e Kosovës, lideri i së cilës është Ibrahim Rugova, ngjante si një „kataklizmë“ për mentalitetin ballkanik, pasi shqiptarët gjithmonë shiheshin si qytetarë të dorës së fundit aty ku jetonin. E Pavarësia, ky objektiv që e ideoi dhe sendërtoi Rugova me të gjithë ata që iu bashkangjitën, kërkonte burrëri të madhe, jo burracakëri. Prandaj Ibrahim Rugova ishte burrë, burrështeti! I pari në historinë e Kosovës moderne! Dhe këtë gjë e di mirë Adem Demaçi, të cilit i ka hije që t’i kërkojë ndjesë Rugovës. Mjaft u fye nga burracakët Rugova i gjallë! Nuk dua të pranoj se Adem Demaçi është burracak, sepse kam respekt për burgun e tij. Edhe Demaçi vetë, nëse ka respekt për vetë Adem Demaçin, duhet t’i lypë ndjesë Rugovës të vdekur dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët idealin e Rugovës e mbajnë në shpirtrat e tyre gjithnjë të gjallë!
sami repishti, USA says
Nji shkrim mallengjyes, realist dhe ndertues. Te flaseh sot kunder Ibrahim Rugoves ashte te flasesh kunder perpjekjeve vigane te popullit kosovar per liri e pavaresi, te flasesh kunder klases intelektuale kosovare qe kuptoi randesine e rezistences aktive por paqesore, dhe efektin e saj ne diplomacine
perendimore. Ka qene “pacifizmi” rugovian qe ka binde politikanet perendimor ne seriozitetin e rezistences kosovare me u çlirue ma pare, dhe me ndertue nji shtet te pavarun pa synime agresive, nji shtet paqesor ne mesin e vendeve te qytetnueme europiane. Rugova ka qene simbol i kesaj tendence qe nderon edhe sot Kosoven. I perjeteshem qofte kujtimi i Dr.Ibrahim Rugoves,liderit kosovar, dhe fatmiresisht, miku i im.Sami Repishti
Eugjen Merlika says
Mirenjohje e respekt te thelle kujtimit te ndritun te Presidentit te pare te Kosoves se pavarun, i vetmi udheheqes bashkekohor i saj qe vazhdoi traditen e atdhetarizmit e pjekunise politike te figurave te njohuna te gjysmes se pare te shekullit te shkuem, qe nga Nexhip Draga e Hasan Prishtina, tek Bajram Curri e Dervish Mitrovica, tek Xhaferr Deva e Iljaz Agushi, per me permende vetem disa prej tyne, qe paten role te randsishme ne historine shqiptare.
Ibrahim Rugova qe nismetari i mirefillte i idese se pavaresise se Kosoves. Ai e kerkoi ate me ngulm e me durim, por me mjete paqesore e bindjeje, sepse nuk donte te shkarkonte mbi popullin e tij pasojat e shtypjes policore serbe, veprime qe i pame, ne gjithe tmerrin e tyne, ne muejt e pare te vjetit 1999 e qe mund te kishin pase pasoja katastrofike per Kosoven e Shqipnine, po te mos vendoste NATO-ja me nderhye ushtarakisht.
Atyne qe e akuzojne per “frikacak” Presidentin Rugova do t’u kujtojsha vargjet e medha te poetit kombetar At Gjergj Fishta :
“Por i urti kurr nuk ngutet
“Prej burrnise e jo prej tutet”
Mendoj se autoriteti atdhetar i Rugoves, ne historine e Kosoves e te Shqipnise, tashma e ka fitue piedistalin e vet ne Panteonin e saj e çfardo opinioni te shprehet, nuk mund t’a ule kurre nga ai vend nderi.