• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

4 Korriku, ditëlindja e një shteti dhe një epoke të re për njerëzimin

July 4, 2021 by dgreca

4 Korriku i vitit 1776 hapi horizonte të reja, të papara gjer atëherë/

Shkruan:Dr. SADIK ELSHANI-FILADELFIA-USA/

Sot është 4 Korriku, ditëlindja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 4 korrik të vitit 1776, 245 vite më parë, në Filadelfia u shpall pavarësia e Amerikës me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, nga të gjithë përfaqësuesit e 13 kolonive të atëhershme – koloni që nuk donin më të jenë nën sundimin e Kurorës Mbretërore Britanike, por dëshironin të ishin të pavarura, të lira për të vendosur vetë për fatet dhe ardhmërinë e tyre. Në atë 4 korrik të atij viti të largët nuk u themelua vetëm një shtet i ri, por lindi një vizion, një ideal i ri i paparë gjer atëherë në botë – u themelua një shtet bazuar në parimin e lartë të vlerave njerëzore: Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe me një deklaratë që fillon me fjalët emblematike të gdhendura me shkronja të arta në historinë e ShBA-ve dhe tërë njerëzimit: Ne populli (Ëe the people). Ishte ky një ngadhnjim mbi dhunën, robërinë, tiraninë. 4 Korriku i vitit 1776 u bë burim frymëzimi, gurrë e pashterrshme lirie edhe për vendet dhe popujt tjerë anembanë botës. U bë burim frymëzimi për Revolucionin Francez të vitit 1789, që e hodhi poshtë sundimin mbretëror dhe hodhi themelet e Republikës Franceze bazuar në moton: Barazi, liri, vëllazëri (egalite, liberte, fraternite). Ishin idealet amerikane ato që u prinë edhe shumë lëvizjeve të tjera përparimtare në botë, lëvizjeve për liri e pavarësi. Shteti amerikan nuk u krijua si një shtet i përkryer dhe ende është larg i të qenit i përkryer, por është një vend gjithnjë në ndërtim, vend që kurrë nuk i hiqen skelat, vend që gjithmonë sfidon kufijtë e së pamundurës, vend që i ka krijuar mekanizmat për t’i korrigjuar të metat, padrejtësitë që janë shfaqur e mund të shfaqen herëpashere në shoqerinë amerikane. Shkurt, vend që nuk dorëzohet kurrë.

Amerika, vendi që ecën vetëm përpara

Është kushtetuta amerikane, ky dokument i shenjtë modern që siguron funksionimin e shtetit dhe qeverisë amerikane, edhe kur ballafaqohen me sfida të ndryshme e të ndërlikuara. Është dokument i përpiluar nga njerëz vizionarë, njerëz gjenialë, bazuar në ndarjen e barabartë të pushtetit: ekzekutiv, gjyqesor, legjislativ. Është populli amerikan këmbëngulës dhe i vendosur për të ecur vetëm përpara, për të arritur çdo qëllim, për të përballuar çdo sfidë. Në fillim të viteve të 60-ta të shekullit të kaluar Presidenti Kennedy hodhi një qëllim sfidues: Deri në fund të dhjetëvjeçarit të 60-të, njeriu të shkojë në Hënë dhe të kthehet i padëmtuar (i sigurt) në Tokë. Më 21 korrik të vitit 1969, astronauti Neil Armstrong shkeli në Hënë dhe ekipazhi u kthye në Tokë shëndosh e mirë. Është ky shpirti optimistik që e vë në lëvizje këtë vend vigan. Nuk është vetëm madheshtia tokësore e njerëzore, forca ekonomike e ushtarake që e bëjnë këtë vend të fuqishëm, por janë edhe vlerat e larta morale e njerëzore, të quajtura ideale amerikane. Amerika gjithmonë ka luftuar edhe për lirinë e të tjerëve dhe kurrë për t’i kolonizuar vendet tjera, përt’i roberuar popujt tjerë. Këtu perfshihen edhe shqiptarët, Shqiperia, Kosova. Prandaj, në bisedat, diskutimet me amerikanët shpesh e dëgjon fjalën: freedom (liri), fighting for freedom (lufton, të luftosh për liri).

Amerika dhe shqiptarët

Shqipëria (çdo pëllëmbë e tokës ku ujit i thonë ujë e bukës i thonë bukë) dhe shqiptarët shprehin një simpati e dashuri të veçantë e të pakufishme për Amerikën – engjëllin tonë mbrojtës, shpëtimtar. Miqësia shqiptaro – amerikane i ka rrënjët e thella dhe një histori të gjatë, duke filluar nga përkrahësi i vendosur i çeshtjes shqiptare, Kryetari (Presidenti) Uilson, i cili pas Luftës së Parë Botërore e mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe e pengoi copëtimin e mëtejmë të saj. Ishte Presidenti Clinton që i shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga pastrimi etnik, nga shfarosja e sigurt që i kanosej nga regjimi i egër i Millosheviqit. Ndërsa Presidenti Bush e përkrahu dhe e mundësoi Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. Fal ndërhyrjes dhe përkrahjes së vazhdueshme të  Amerikës dhe NATO-s, Kosova sot është e lirë dhe shtet i pavarur. Për këto shërbime madhore dhe ndihmat tjera, shqiptarët gjithmonë do t’u jenë mirënjohës Amerikës dhe aleatëve të saj përendimorë. Prandaj, 4 Korriku festohet me dashuri e madhështi edhe në Kosovë e Shqipëri. Edhe në ditët më të errëta të regjimit komunist, i cili orë e çast e baltoste Amerikën, shqiptarët shpresat i kishin drejtuar kah Amerika, shpëtimin e tyre e shihnin te Amerika. Regjimi komunist u përmbys dhe tani Shqipëria dhe Amerika janë aleat, ndajnë vlera të përbashkëta dhe ideale te njejta për lirinë, të drejtat e njeriut, mirëqenjen njerëzore. Gjatë gjithë këtyre viteve Shqipëria ka qëndruar një aleate e fortë e besnike e ShBA-ve dhe sot ushtarët shqiptarë dhe ata amerikanë shërbejnë krah për krah njëri – tjetrit ne Aganistan, si dhe më parë ne Bosnje e Irak. Kohëve të fundit edhe Kosova i ka dërguar ushtarët e saj në misionin paqëruajtës ne Kuvajt.

Amerika dhe bashkësia shqiptaro – amerikane

Tani ka më shumë se një shekull që edhe shqiptarët janë bërë pjesë e mozaikut amerikan, ëndrrës, jetës amerikane, realitetit amerikan. Bashkësia shqiptaro – amerikane ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e popullit tonë, duke filluar me punën dhe veprimtarinë e palodhshme të Nolit, Konicës si dhe shumë atdhetarëve e intelektualëve të tjerë shqiptarë, Federatës Panshqiptare “Vatra”. Sot shqiptaro – amerikanët, sikurse paraardhësit e tyre vite më parë, janë duke dhënë ndihmesën e tyre në të gjitha lëmitë, sferat e jetës amerikane, nga yjet e Holivudit gjer te fituesit e Çmimit Nobel. Shqiptarët kanë ardhur në Amerikë të vendosur për të korrur suksese, për të përparuar, për të përmbushur ëndrrën amerikane. Bashkësia shqiptaro – amerikane është duke punuar me përkushtim që të sherbejë si një urë lidhëse e miqësie në mes së Shqipërisë, Kosovës dhe ShBA-ve, për t’i afruar qytetarët e të dyja shteteve shqiptare me Amerikën. Tani Amerika është bërë atdheu ynë i dytë, atdheu ynë i përvetësuar, i përshtatur (adoptuar). Janë këto lidhje ndër vite me presidentët, kongresistët, senatorët dhe zyrtarët tjerë të lartë amerikanë që e kanë ëerhequr vëmendjen e Amerikës për çeshtjet shqiptare, duke filluar nga takimet e Nolit me Presidentin Uilson.

Falenderojmë Amerikën që na ka përqafuar si qytetarë te lirë e të barabartë, na mundëson që t’i rrisim familjet tona, ta ruajmë gjuhën dhe traditat tona. Prandaj: Gezuar 4 Korrikun! Është një Dite e Madhe për Amerikën, shqiptarët dhe gjithë botën përparimtare e liridashëse.

Filadelfia, më 4 korrik, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Opinion Tagged With: 4 Koorriku, ditelindja, epoke e re, Sadik Elshani

Në poste drejtuese në Kosovë të zgjidhen njerëz të aftë e të përkushtuar

June 27, 2021 by dgreca

Nga Sadik ELSHANI*/

Kur e shohim gjendjen anemike, të plogshtë, politike, ekonomike e shoqërore të Kosovës, nivelin jo të lakmueshëm në shumë lëmi: arsim, shkencë, kulturë e shëndetësi, gati secili prej nesh shpesh e bën të njejtën pyetje: Ku janë intelektualët, ekspertët, njerëzit profesionistë që muk angazhohen, por rrinë anash, bëjnë vetëm sehir? Ajo që më nxiti t’i shkruaj këto radhë është kandidatura e arkitektit të njohur edhe ndërkombëtarisht, Përparim Rama, për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së). Qysh herët në jetën time jam përcaktuar për interesat kombëtare dhe jo të ndonjë partie të caktuar politike, prandaj ky shkrim nuk ëshytë as përkrahje e kandidatit dhe partisë në fjalë, por vetëm e një nisme, një ecurie që duhet përshëndetur e që është mirë ta ndjekin edhe partitë tjera politike për të rekrutuar njerëz të aftë, të zotë në postet drejtuese të institucioneve të Kosovës. Për zotin Rama nuk di edhe aq shumë, përveçse ato që kam lexuar në shtypin e përditshëm, të tjerat le t’i thonë votuesit në zgjedhjet vendore (lokale) që do të mahen në Kosovë më 17 tetor. Për të qenë një udhëheqës, administrator i suksesshëm nuk mjafton vetëm aftësia profesionale, por duhet patur edhe aftësi të tjera drejtuese (menaxhuese) për të bashkërenduar punët, për të prirë e për t’i bashkuar njerëzit.

Në disa intervista në shtypin Kosovar, zoti Rama u shpreh se është apolitik, jo partiak. Madje ai nuk është as anëtar i LDK-së. Por, së paku që nga koha e Aristotelit e dimë që njeriu është një “kafshë politike” (“zoon politikon”). Ajo çka ka dashur të thotë zoti Rama është se, ai në radhë të parë do të pëqëndrohet në kryerjen e detyrës së kryebashkiakut të Prishtinës me përkushtim dhe jo të ndjekë verbërisht ineresat e parisë dhe të ndonjë klani brenda partisë. Disa i shfrytëzuan këto shqiptime (deklarata) të zotit Rama për ta sulmuar atë dhe LDK-në se nuk paska një kandidat nga radhët e anëtarëve më të vjetër të partisë, duke e cilësuar këtë si një dobësi të LDK-së. Dikush ndoshta është anëtar më i vjetër, më militant i partisë, por ndoshta nuk është në gjendje që ta  kryejë me sukses detyrën e një kryebashkiaku për t’i zgjidhur problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët – i mungon përgatitja e duhur, përvoja, vullneti, durimi e përkushtimi. Problemet zgjidhen me vepra, punë të përkushtuar dhe jo me fjalë, qofshin ato edhe më të bukurat e më të ëmblat. Me siguri as me militantizëm partiak. Është ky një rast që duhet t’u shërbejë si shëembull edhe partitë e tjera për t’i zgjeruar radhët e tyrë, për t’u përtrirë me fytyra të reja, njerëz që ofrojnë ekspertizë, profesionalizëm, sjellin diçka të re e kreative.

Veprime të tilla të sjelljes së anëtarëve, kandidatëve nga partitë e pavarura dhe ato kundërshtare (rivale) e praktikojnë edhe partitë që kanë tradita qindravjeçare. Këtu në ShBA, nnë vitin 2006 Partia Demokratike e rekrutoi republikanin Jim Ëebb që të kandidojë si demokrat në shtetin e Virxhinias për në Senatin e ShBA-ve. Ndërsa Michael Bloomberg, i cili tërë jetën ka qenë demokrat, në zgjedhjet e vitit 2001 për kreun e Bashkisë së Nju Jorkut kandidoi si republikan, sepse lista e kandidatëve nga radhët e Partsë Demokratike ishte mjaft e gjatë dhe ai nuk kishte kurrëfar gjasash për ta fituar emërimin (nominimin) e partisë. Zgjedhejt i fitoi si republikan dhe qëndroi si republikan për disa vite, për t’u bërë psataj i pavarur (independent) dhe nga viti 2018 përsëri u bë demokrat. Duhet theksuar se në skenën politike të qytetit të Nju Jorkut demokratet mbizotërojnë bindshëm. Ka edhe shumë shembuj të tjerë të kalimit nga njëra parti në tjetrën.

Zgjedhjet vendore (lokale) siç tregon edhe emri,  kanë të bëjnë me zgjedhjen e kandidatëve që janë në gjendje dhe të aftë t’i zgjidhin problemet vendore, njerëz që e njohin dhe e duan qytetin dhe bashkëqytetarët e tyre, me punën dhe përkushtimi e tyre e begatojnë jetën e qytetit, ia lehtësojnë jetën qytetarit. E ka thënë bukur një figurë emblematike e politikës amerikane, Tip O’Neill (1912 – 1994), ish Kryetar (Speaker) i Dhomës së Përfaqësusve të Kongresit Amerikan (1877 – 1987): “All politics is local” (“Të gjitha politikat janë lokale”). Prandaj, në këto zgjedhje vendore pragmatizmi duhet të mbizotërojë mbi ideologjinë. Duhet përgëzuar të gjithë ata kandidatë, intelektualë e profesionistë. që shprehin gatishmërinë për t’u angazhuar në skenën politike e shoqërore të Kosovës, për të dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e vendit.

Philadelphia, më 27 qershor, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Jerez te afte, Sadik Elshani

Të mos ndihemi inferiorë e të kompleksuar

March 28, 2021 by dgreca

–-Vlerat janë arma më e fortë për t’i luftuar urrejtjen dhe paragjykimet/

Nga Sadik ELSHANI/ *

Në bisedat tona të përditshme shpesh e dëgjojmë, e bëjmë pyetjen: Pse ne shqiptarët e ndijmë veten pak si të kompleksuar, më të ulët (inferiorë) ndaj të tjerëve, kur në situata të ndryshme ndodhemi në praninë e të tjerëve, kur i shohim politikanët, udhëheqësit tanë në takimet e tyre zyrtare në praninë e delegacioneve, zyrtarëve të huaj? Fatkeqësisht këtu ka dicka të vërtetë e që nuk duhet të jetë kështu. Fillimisht kjo vjen se trevat shqiptare si rrjedhoje e rrethanave historike katastrofike për ne kanë ngelur prapa në çdo pikëpamje, lëmi të jetës shoqërore, ekonomike,arsimore e shkencore, krahasuar me viset tjera të kontinentit europian. Megjithatë, shqiptarët ndër shekuj kanë arritur që të krijojnë disa vlera të qëndrueshme e të larta morale e njerëzore për të cilat janë të njohur në tërë botën: krenarinë kombëtare, trimërinë, besën, mikpritjen, tolerancën ndërfetare… Ndoshta ne nuk mund të nxirrnim nga mesi ynë një Da Vinçi, Mikelanxhelo, Rembrant, Bethoven, por kur u është dhënë rasti, mundësia shqiptarëve, ata kanë shkëlqyer. (Diçka të ngjashme ka shprehur në vargje edhe Dritëro Agolli në një poezi të tij). Po, edhe populli ynë i vogël nga gjiri i vet nxori figura të përmasave botërore në të gjitha periudhat e qenjes së tij: Perandori Konstatin, Skenderbeu, Leunik Tomeo, Onufri, Aleksandër Moisiu,Shën/Nënë Tereza, Bekim Fefmiu, Ismail Kadare e shumë e shumë të tjerë.

Dikush që vjen nga një vend i zhvilluar, i përparuar, jo domosdoshmërisht do të thotë se ai person vetë është më i ditur, më i përparuar, më i zoti se ti, për të vetmen arsye se po na vika nga një vend i madh, i zhvilluar. Vendi i tij mund të jetë më i zhvillur, më i përparuar, por ai vetë mund të jetë nën nivelin tënd. Përsse Ismail Kadare, Inva Mula, Majlinda Kelmendi e shumë të tjerë duhet ta ndiejnë veten inferiorë?! Cka kanë të tjerët më shumë se ata/ato? Asgjë. Kur i përket një populli të vogël, me shekuj të shtypur, atëherë ndihesh pak i druajtur, i tërhequr kur ndodhesh në mesin e të tjerëve. Kjo ndodh zakonisht në fillim, por me kalimin e kohës e sheh se të tjerët nuk janë më të mirë, më të zotët se ti. Këtë e kam ndier edhe vetë si dhe shumë kolege e kolegë të mi nga të gjitha viset shqiptare që kemi studiuar në universitetet e ish Jugosllavisë: Zagreb, Beograd, Sarajevë, Lubjanë, etj. (Unë kam studiuar në Universitetin e Zagrebit). Në fillim i kemi patur rezervat, druajtjet tona, sepse po vinim nga pjesët më të pazhvilluara të ish Jugosllavisë dhe tani po studionim së bashku me kolegët tanë nga Beogradi, Zagrebi, Sarajeva, Lubjana, Spliti, Rijeka e shumë qytete të tjera që ofronin kushte, një jetë shumë më të mirë se vendbanimet tona. Por, pas pak kohe e kemi parë se në përgjithësi ata nuk ishin më të mirë, më të zotët se ne, dhe se kjo nuk kishte të bënte fare me përkatësinë kombëtare, apo vendlindjet tona. Me punë të përkushtuar, me vullnet të çelikët e me një vendosmëri për të ecur përpara çdo gjë është e mundur, çdo gjë mund të kompenzohet.

Disa e ndërrojnë edhe emrin për ta fshehur kombësinë e tyre, duke menduar, gabimisht, se nëse i pëkasësh një kombi, vendi të përparuar mund t’i maskosh të metat tua. Bota të respekton, vlerëson për atë që je, dhe për atë që mëton të jeshë. Kopja gjithmonë është më e shëmtuar se origjinali. Figurat tona të ndritura të përmendura më lart i ka bërë të madhërishme puna e tyre, talenti i tyre. Ata nuk e kanë mëshehur përkatësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, është i njohur rasti i Bekim Fehmiut kur me këmbëngulje ka kërkuar që në shtypin Italian të korrigjohej përkatësia e tij e gabuar kombëtare, “aktori jugosllav”, me “aktori shqiptar nga Jugosllavia”. Përndryshe ai do të tërhiqej nga projekti i filmit për Odiseun. Edhe një rast tjetër që lidhet me Bekim Fehmiun: Sipas bashkëshortes së tij, aktores, Branka Petriq, gjatë gjirimit të filmit “Avanturistët” Bekimit i kanë kërkuar që ai ta ndërrojë emrin, por ai kurrsesi nuk ka pranuar. Jo rastësisht e përmenda rastin e Bekimit, sepse shqiptarët në ish Jugosllavi për shkak të shtypjes së egër që ushtrohej ndaj tyre, mungesës së të drejtave më elementare, kishin mbetur prapa të tjerëve. Shpeshherë fyheshin dhe bëheshin objekt talljeje. Por, kur shqiptarët i fituan disa të drejta, ata e shfrytëzuan rastin dhe shkëlqyen gati në të gjtha lëmitë: kulturë, shkencë, sport, etj. Kur për magjistraturën time e fillova punën eksperimentale në një laborator të Fakultetit të Farmacisë e Biokimisë në Zagreb, ku edhe kisha studiuar, pas ca muajsh kur u bëmë pak më te afërt me njëri – tjetrin një docente me shumë dashamirësi m’u drejtua: “Koleg, ne nuk e kemi ditur që ka shqiptar që punon kështu.” Ju lutem mos e merrni këtë si një vetëlavdërim, sepse ka shumë shqiptarë që janë më të aftë e më të zotët se unë. E mora vetëm si shembull që më ka ndodhur mua. Jam i sigurt se u ka ndodhur edhe shumë të tjerëve.

Në një takim që patëm me sopranon e njohur, Ermonela Jaho, në shoqatën “Bijtë e shqipes” në Filadelfia, në tetor të vitit 2006, gjatë bisedës ajo na tregoi për një ngjarje që i kishte ndodhur në fillim të karrierës së saj në Itali: Kur paraqitësi i programit e kishte paraqitur atë si, sopranoja nga Shqipëria, salla kishte filluar të qeshte me tallje. Atëherë, ajo na tregoi, se edhe pse nga natyra është pak e turpshme, ajo e kishte mbledhur guximin dhe i ishte drejtuar publikut: “Pse po qeshni? Ju ende nuk më keni dëgjuar duke kënduar. Pasi e mbarova këngën e paraparë në program, iu drejtova përsëri publikut duke u thënë se, tani do t’u këndoja një këngë nga vendi im, këngën “Asaman, o lule”. Salla pastaj shpërtheu në duartrokitje”. Më duket se s’ka nevojë për koment. Janë këto figura që i kanë dhënë nder kombit, emrit të tyre dhe nuk kanë kërkuar lavdi në emrin e ndonjë kombi tjetër të cilit nuk i përkasin. Kombi na nderon vetëm atëherë kur ne e nderojmë atë. Secili komb, i madh e i vogel, i ka veset dhe virtytet e veta, te mirët dhe të këqinjtë e vet. Prandaj, nuk duhet të ndihemi inferiorë, më të ulët, të kmpleksuar ndaj të tjerëve.

Ka edhe nga ata që në ndonjë situatë të caktuar i kanë mohuar, janë fshehur nga prindërit e tyre. Ka raste që ne i njohim personalisht kur nxënësi që ka qenë duke u shkolluar në qytet kur e ka parë prindin fshatar në qytet i është larguar, e ka mospërfillur kur ka qenë në shoqëri të shokëve të tij të shkollës. Për këtë temë, shkrimtari më i njohur slloven, Ivan Cankar (1876 – 1918), e ka një tregim të shkurtër antologjik me elemente vetëjetëshkrimore (autobiografike), “Greh” (“Mëkati”).  Këtë tregim e kemi patur në librin tonë të leximit në një nga vitet e shkollës fillore dhe që nga ajo kohë më është ngulitur thelle në kokën, mendjen time. Shkurtimisht, një nënë udhëton në këmbë për katër orë nga fshati për ta vizituar djalin e saj që shkonte në shkollë në Lubjanë, për t’i sjellur këmishat e lara dhe ca para. Ajo ishte duke pritur djalin e saj para dyerëve të shkollës kur zilja bie dhe nxënësit dalin nga shkolla pas përfundimit të mësimit. Kur djali e sheh nënën e tij të rraskapitur, të veshur me veshje fshatare, me çizmet e baltosura dhe me një boshçe ku i kishte këmishat e tij, djali nuk i paraqitet asaj. Një shok i klasës e pyet djalin se mos ishte ajo nëna e tij. Ai ia kthen: “Jo, ajo nuk është nëna ime”. Djali duke u fshehur në turmën e nxënësve largohet pa e takuar nënën e tij. Nëna pret për një kohë të gjatë dhe kur nuk e sheh djalin e saj niset drejt banesës së tij, duke menduar se mos ndoshta djali është i sëmurë dhe nuk ka ardhur në shkollë. Djalin e gjen në banesë dhe i tregon se e kishte pritur para shkollës, por djali i thotë se nuk e kishte parë. Dikur pasdite nëna niset për t’u kthyer në fshat. Djali e përcjell nënën nëpër qytet, por tani e bren ndërgjegjja për atë që kishte bërë pak më parë dhe dëshiron t’u thotë të gjithëve se ajo ishte nëna e tij. Kthehet në banesë dhe qanë me të madhe, por mëkati kishte zënë vend, ishte ngulitur në shpirtin e tij dhe të gjitha lotët e derdhura nuk mund ta lanin më.

Pra, kjo ndjenja e të qenit inferiorë ndaj të tjerëve manifestohet edhe te disa kombe të tjera. Në vitin 1977 në Qendrën Kulturore Studentore ne Qytetin e Studentëve në Beogradin e Ri, profesori në pension i Fakultetit të Farmacisë, eksperti botëror i bimëve mjekësore, dr. Jovan Tucakov (1905 – 1978) e mbajti nje ligjëratë për bimët mjekësore dhe përdorimin e tyre për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Ishin të pranishëm studentë nga një pjesë e mirë e territorit të ish Jugosllavise, isha edhe une dhe kolegu im i studimeve, Ekrem Guri (tani i ndjerë). (Unë atëherë studioja në Universitetin e Beogradit dhe po atë vit në vjeshtë kam kaluar në Universitetin e Zagrebit). Gjatë ligjeratës profesori e pyeste ndonjë student se prej nga ishin dhe kur ata i tregonin emrin e fshatit ai u tregonte se cilat bimë rriteshin në fshatin e tyre dhe pikërisht në cilin vend. Pastaj u tregonte për disa zakone, tradita të fshatit të tyre, si u këndonin bletëve, etj. Studentët pak si të turpëruar e ulnin kokën, ndërsa profesori pak si me qortim u drejtohej: “Mos u turpëroni nga prejardhja e juaj!”

Rëndësi kanë vlerat njerëzore që ti i rrezaton dhe jo emri yt, kombësia apo vendi prej nga vjen. Sillu mirë, me kulturë e respekt ndaj të tjerëve, tregohu i zoti në leminë, punën tënde dhe të gjithë do të respektojnë. Vlerat janë arma më e fortë për t’i luftuar urrejtjen dhe paragjykimet.

Philadelphia,  mars, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Jo inferiore, Sadik Elshani

Bijtë e Shqipes e ngritën Flamurin edhe ne Pandemi…

December 2, 2020 by dgreca

Shqiptarët në Filadelfia e ngritën flamurin Kuq e Zi në sheshin e Bashkisë/

NGA SADIK ELSHANI/*

Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia i kushton një rëndësi të madhe festmit të 28 Nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që ka hyrë në kujtesën e kombit tonë si, Dita e Flamurit. Kjo ditë shënohet me organizimin e veprimtarive të ndryshme: Mbrëmjen e Madhe të Flamurit (darkë solemne e koncert), vizita nëpër familjet e bashkatdhetarëve, pjesëmarrjen në Paradën e Ditës së Falenderimeve, ngritjen e flamurit në bashkinë e Filadelfias, etj. Por, këtë vit për shkak të pandemisë Covid-19 shumë nga këto veprimtari nuk mund të organizoheshin. U organizua vetëm ceremonia e ngritjes së flamurit Kuq e Zi në sheshin e bashkisë së Filadelfas. Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Filadelfias organizon ngritjen e flamurit tonë në Bashkinë e Filadelfias me një ceremoni solemne. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Filadelfias.  Edhe këtë vit, në datën 27 nëntor u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë, por për shkak të pandemisë që u cek më lart, këtë vit kjo ceremoni ishte e modifikuar: numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar, duheshin mbajtur maskat; muzika shqiptare jehonte në shesh, por nuk mund të vallëzonim si herave të tjera. Megjithatë, pjesëmarrja ishte e lakmueshme dhe bashkatdhetarët ishin të lumtur të takonin, të uronin njëri – tjetrin, ndiheshin të lumtur, shprehninë kënaqësinë e krenarinë që Shqipëria dhe shqiptarët po nderohen në qytetin e lindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, edhe përkundër këtyre rrethanave shqiptarët u mblodhën të bashkuar, ashtu siç na thërret Himni ynë Kombëtar: “Rreth flamurit të përbashkuar….” Për rregullimin e skenës, tribunës festive, si zakonisht, u angazhua zoti Haki Çollaku. Skena ishte zbukuruar me flamurin Kuq e Zi dhe atë amerikan. Gati të gjithë të pranishmit mbanin në duar flamujt Kuq e Zi dhe ata amerikanë. Kalamajt, shumica të veshur me veshjet tona kombëtare, gëzoheshin në mënyrën e tyre femijërore. Po ashtu, edhe koha ishte shumë e mirë, pjesërisht me diell dhe e ngrohtë.

Në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Filadelfias, Jim Kenney, në këtë ceremoni merrnin pjesë Përfaqësuesja e Qytetit të Filadelfias (City Representative), zonja Sheila Hess dhe menagjeri i Veprimtarive dhe Projekteve Speciale po në të njejtin department, z. Robert Nonemacker. Që në çastet e para të takimit tonë, zonjat Hess shprehu befasinë e saj të këndshme, që edhe përkundër rrethanave, kufizimeve, numri i pjesëmarrësve ishte i lakmueshëm. Ceremoninë e hapi zoti Sadik Elshani, i cili u uroi të pranismëve 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe bëri disa njoftime lidhur me programin dhe specifikat e kësaj veprimtarie: mbajtjen e maskave dhe distancën sociale. Pastaj fjalën e mori z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Nga zyra përkatëse e Bashkisë na kishin njoftuar se këtë vit nuk do të ketë program e as fjalime, prandaj edhe z. Gjoka nuk u zgjat në fjalën e tij, por pasi i uroi bashkatdhetarët për Festën tonë Kombëtare dhe i falenderoi ata për pjesëmarrjen në këtë veprimtari të rëndësishme, ai i tha edhe disa fjalë për 28 Nëntorin dhe vendin që zë kjo datë në historinë tonë kombëtare..Pastaj u luajtën himnet kombëtare të ShBA-ve dhe Shqipërisë. Gjatë këndimit të Himnit tonë Kombëtar në shtyllë ngritej flamuri Kuq e Zi, flamuri i shqiptarëve. Për të ngritur flamurin këtë vit u nderua z. Haki Çollaku, veprimtar i dalluar e i palodhur i shoqatës dhe i bashkësisë shqiptaro – amerikane të Filadelfias. Sipas programit e procedurave të qytetit të Filadelfias për veprimtaritë publike nën rrethanat e pandemisë, zonja Hess nuk mbajti fjalim sikurse herave të tjera, por ajo vetëm i dorëzoi zotit Gjoka Proklamatën me të cilën kryebashkiaku i Filadelfias e nderonte Shqipërinë në përvjetorin e saj të pavarësisë dhe e shpallte ditën e premte, 27 Nentor, 2020 që të jetë dita e nderimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në Filadelfia. Ndër të tjera në tekstin e Proklamatës lartësohej historia e Shqipërisë, miqësia shqiptaro – amerikane dhe vlerësohej puna e ndihmesa e shqiptarëvë në zhvillimin e përparimin e Filadelfias, duke sjellur kulturën e tyre, vlerat e larta kombëtare e njerëzore.

Pas këtyre fjalimeve të rastit përsëri edhe për disa çaste jehoi kënga dhe vallja shqiptare. Por, nuk u mbyll me kaq kjo veprimtari: Zoti Enver Parllaku i ftoi të gjithë të pranishmit që të shkonin për të pirë një kafe në restorantin që ai drejton. Është traditë të thuhet për një kafe, por z. Parllaku shtroi një drekë të pasur me të gjitha të mirat, pije e ushqim të mjaftueshëm (bollshëm) e të shijshëm. Edhe këtu bashkatdhetarët kaluan ça çaste të këndshme, biseda të përzemërta nën tingujt e muzikës shqiptare. Enveri është një bashkatdhetar bujar që i respekton traditat shqiptare të mikpritjes. Ai në restorantin e tij disa herë ka organizuar veprimtari fondembledhëse për të grumbulluar fonde monetare për godinën e re të shoqatës sonë dhe për t’i ndihmuar bashkëkombësit tanë në Shqipëri pas goditjes së tërmetit të vitit të kaluar. E falenderojmë Enverin për bujarinë, mikpritjen dhe atdhedashurinë e tij.

Kështu edhe këtë vit, në rrethana të modifikuara e të kufizuara, me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit në Bashkinë e Filadelfias. Zemra të mbushet me kënaqësi kur e sheh duke valuar flamurin tonë në qytetin ku u shpallë pavaresia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund ta mbyllim këtë shkrim pa i shprehur falenderimet dhe mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetit të Pennsylvanias dhe qytetit të Filadelfias që na kanë pranuar si qytetar të lirë e të barabartë, ku jetojmë, punojmë, studiojmë, rrisim familjet tona dhe me krenari e ngrehim flamurin tonë Kuq e Zi. Të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në botë u urojmë me gjithë zemër: Gezuar 28 Nëntorin! Ndërsa Shqipërisë sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetësi.

*Më shumë fotografi gjeni në Facebook: Gazeta Dielli

Filadelfia, 27 nentor, 2020

Filed Under: Komunitet Tagged With: bijte e shqipes, Flamuri 28 nentor, Sadik Elshani

Negociatat Kosove-Serbi,as andej,as këndej

October 19, 2020 by dgreca

Pavarësia dhe tërësia teritoriale e Kosovës janë të pa negociushme-

NGA SADIK ELSHANI*- PHILADELPHIA- Kohëve të fundit janë shtuar përpjekjet për ta vazhduar procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një ngjarje e rëndësishme ishte marrëveshja e 4 shtatorit që u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë në Uoshington. Është shkruar mjaft për këtë marrëveshje, prandaj nuk ka nevojë që të thellohemi më tepër në këte shkrim. Dikush e cilësoi si historike e dikush tjetër si tradhti. Kjo marrëveshje, që më tepër ishte një nënshkrim i një dokumenti të parapërgatitur nga Shtëpia e Bardhe dhe jo si një rrjedhojë e një procesi negociator në mes të dy palëve, nuk ishte as historik dhe as tradhti. Historike do të ishte kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, Vuciqi vjen në Kosovë dhe në Prekaz përkulet përpara viktimave, ashtu siç bëri Vili Brandti në Varshavë; Serbia kërkon falje për krimet dhe shkatërrimet e bëra dhe zotohet që t’i kryejë te gjitha detyrimet e saj, e në radhë të parë të angazhohet për gjetjen e më shumë se 1600 shqiptarëve të zhdukur. Por, siç duket nga ky hap jemi shumë larg dhe ndoshta nuk do të ndodhë kurrë.

Ata, qofshin qeveritarë, politikanë e gazetarë që deklarojnë se njohja reciproke Kosovë – Serbi do të vijë së shpejti gabohen rëndë. Serbia kurrë nuk do ta njehë Kosovën pa ia futur dikush asaj te dyja këmbët në një këpucë ose pa u ballafaquar me një gjendje të rëndë, izolim të përgjithshëm nga bashkësia ndërkombëtare – dilemë hamletiane: Të jeshë apo të mos jeshë. Do te jeshë nëse e pranon pavarësinë e Kosovës, ose përndryshe nuk do të jeshë. Derisa Serbia e gëzon përkrahjen e Rusisë dhe Kinës dhe deri diku përkëdheljen e BE-së, ajo kurrë nuk do të ngutet që ta njohë Kosovën. Kush mendon ndryshe e gënjen veten dhe popullin e Kosovës. Është me rëndësi që Serbia ta njehë shtetin e Kosovës, sepse do ta mundësonte njohjen edhe nga shumë vende si dhe anëtarësimin në organizatat botërore, OKB, etj. Por, në ndërkohë Kosova nuk duhet të mbetet peng i këtij procesi, akti të munguar. Ne duhet të përqëndrohemi që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës sikur Serbia të mos ekzistonte fare dhe të përgatitemi, të jemi gjithmonë të gatshëm që të ballafaqohemi me të në çdo çast e cdo rrethanë.Tekefundit, kemi të bëjmë me një shtet që nuk na ka njohur kurrë, madje gjithmonë është munduar që të na zhdukë nga faqja e dheut.Të mos e krijojmë dhe të mos bëhemi të varur nga një Sindrom i Serbisë, sikur nuk mundemi pa Serbinë. Të mos e lidhim fatin tonë me Serbinë. Mirë do të ishte që armiqtë shekullorë të pajtohen, por për këtë ka një proces që u cek pak më lart. Pa e njohur Serbia Kosovën nuk mund të ketë as “Mni Schengen”, sepse ky koncept ngërthen në vete, nënkupton marrëdhëniet e mira në mes të dy vendeve dhe jo vendeve që nuk e njohin njëri – tjetrin.

Kosova në mes të Shillës dhe Haribdës

Në këtë proces të negociatave secila palë, Serbia, SHBA-të, BE-ja, po mundohet që ta hedhë vallen e vet, por ne duhet ta hedhim vallen tonë nën ritmin e daulleve tona dhe të mos lejojmë që askush të hedhë valle në kurrizin tonë. Gjer më tani vetëm SHBA-të janë treguar si partner, përkrahës e dorëzan serioz të Kosovës, ndërsa nga BE-ja vetëm Gjermania e deri diku edhe Anglia. Ndaj udhëheqjes së Kosovës është duke u ushtruar një trysni e vazhdueshme dhe e pakuptimtë që të bëjnë lëshime në dobi të Serbisë. Prandaj, faktori politik i Kosovës duhet të jetë i bashkuar dhe jo i përcarë siç është tani. Ndërtimi i një shteti ligjor me institucione demokratike e funkcionale është mënyra më e mirë për t’ua mbyllur gojën kundërshtarëve tanë. Ne u jemi mirenjohes perjete te gjithe miqve tane qe na perkrahen ne ditet me te veshtira, por sot disa nga ata nuk jane duke u sjellur si miq te vertete. Atij që i është bërë një e mirë duhet ta vlerësojë atë, por edhe ai që e ka bërë atë të mirë nuk duhet ta keqpërdoë atë. Miku i mire, miku i vërtetë nuk të vë në pozitë të vështirë. Kërkesat e ndërkombëtarëve për krijimin e Associacionit të Komunave Serbe në formën e tanishme janë të papranueshme. Nuk e di a ka asociacione të tilla komunash të pakicave kombëtare në ndonjë shtet të BE-se, si p. sh. në Sllovakinë e z. Lajçak. Madje, një shtet anëtar i BE-së, Greqia, as që e njeh ekzistencën e shqiptarëve në shtetin e saj. Shqiptarët në Greqi nuk gëzojnë kurrëfar të drejta: u mohohet kombësia, gjuha, nuk kanë shkolla, gazeta në gjuhën shqipe, etj. Udhëheqësit e Kosovës duhet t’i ngulin këmbët dhe t’i mbrojnë interesat e Kosovës. Ne i dimë më mirë problemet tona sesa ndërkombëtarët, ata nuk do të jetojnë në Kosovë, ne do të jetojmë dhe do të ballafaqohemi me këto probleme tërë jetën. “Mikun prite mirë, nderoje, por zot shtëpie mos e bëj” – thotë një fjalë e urtë shqipe. Ne duhet të këshillohemi, t’i dëgjojmë kur e kanë me vend, por vendimet duhet t’i marrim vetë. E di që ky është një process delikat dhe i ndieshëm, por siç ka thënë poeti dhe prozatori gjermano – amerikan, Charles Bukoëski (1920 – 1994): “Ajo që ka rëndësi më tepër, është menyra sesi ecën përmes zjarrit”. Qeveria e Kosovës nuk e ka luksin që të ballafaqohet me BE-në dhe përfaqësuesit e saj të ngarkuar në proceset e dialogut Kosovë – Serbi. Këtë më së miri mund ta bëjnë shqiptarët përmes lidhjeve të tyre në vendet përkatëse të BE-së dhe në vetë selinë e BE-së. Duhet bërë një lobim duke shfrytëzuar të gjitha mënyrat: kontakte me politikanë, gazetarë e publicistë që gëzojnë autoritet në profesionin e tyre dhe që kanë ndikim të fortë në qeveritë e vendeve përkatëse, si dhe te publiku i gjërë.

Asociacioni – kurtha, Kali i Trojës i Serbisë

Kërkesa e BE-së për krijimin e asociacionit sipas orekseve të Serbisë është një kërkesë paradoksale. Europa e bashkuar që hoqi barrierat, kufijtë në pjesën dërmuese të teritorit të saj, tani kërkon nga një shtet i ri me 10 mijë kilometra katrore që të krijojë një shoqëri, shtet të stilit, modelit “Apartheid” në gjirin e saj. Përmes krijimit të këtij asociacioni Serbia është duke u munduar që ta fusë përsëri Kosovën nën kthetrat e saj. Vështirë shuhen ëndrrat dhe lakmitë shekullore të Serbisë për tokat shqiptare. Serbët dhe të gjitha pakicat tjera kombëtare, grupet etnike në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e vendit. Ata gëzojnë më shumë të drejta se shumë pakica kombëtare që jetojnë në shtetet anëtare të BE-së. Rastin ekstrem (të tejskajshëm) të Greqisë e cekëm pak më lart. Ndërsa shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës e Sanxhak gëzojnë shumë më pak të drejta sesa serbët që jetojnë në Kosovë. Por, për këtë BE-ja nuk e çanë fare kokën.  BE-ja nuk kërkon nga pesë shtetet anëtare të saj që ta njohin Kosovën, ndër këto është edhe Sllovakia e z. Lajçak. Ne shqiptarët si pjesë përbërëse e kontinentit europian që nga lashtësia e gher në ditën esotme, duhet t’i përqafojmë idealet europiane, t’i mishërojmë vlerat europiane, perendimore. Është për t’u habitur se i dërguari i BE-së për Kosovën, z. Lajçak, komisioneri Borrell dhe para tij komisionerja Mogherini, me sjelljet, veprimet e tyre mospërfillëse ndaj shtetit të Kosovë tregojnë qartë se janë pikërisht ata që snuk i mishërojnë këto vlera, këto ideale. Vlen të thekësohet këtu se edhe vendi prej nga vjen z. Borrell, Spanja, ende nuk e ka njohur Kosovën.

Deklaratat joserioze, skandaloze të z. Lajçak

Zoti Lajçak deklaroi se Kosova duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj për ta formuar asociacionin sipas kërkesave të papranueshme të Serbisë, kërkesa të cilat i përkrahë edhe z. Lajçak.Është Serbia ajo që duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj në të cilën Kosova ende figuron si pjesë përbërëse e saj. Z. Lajcak dhe BE-ja duhet ta ndryshojnë qasjen, qëndrimin e tyre për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë – Serbi, duke përfunduar me njohje reciproke. Z. Lajcak pastaj deklaroi se për të marrë diçka duhet dhënë diçka, domethënë, për të arritur një kompromis, Kosova duhet të japë diçka. Duhet t’ia bëjmë të ditur z. Lajcak se Kosova ka dhënë shumë, ka sakrifikuar shumë ndër shekuj për lirinë dhe pavarësinë e saj: mijëra shqiptarë të burgosur, të vrarë, gra të dhunuara, shtëpi dhe objekte industriale, shkollore, kulturore të shkatërruara. Lista e vuajtjeve të shqiptarëve nga dhuna serbe është shumë e gjatë dhe shqiptarët do të bëjnë cdo gjë që kurrë më të mos kthehen nën sundimin serb. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, miqtë dhe armiqtë tanë. Qëndrimet e z. Lajçak nuk janë në të njejtat valë me vendet kryesore të BE-së të cilat e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës me kufijtë ekzistues. Ka mjaft tema, ceshtje që duhen diskutuar me Serbinë, por jo pavarësia dhe tërësia teritoriale e shtetit të Kosovës. Kosova ka dhënë mjaft, ndërsa Serbia nuk është ndëshkuar fare për krimet e saj të kryera në tërë teritorin e ish Jugosllavisë.

Philadelphia, 18 tetor, 2020

*Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: negociatat-Serbi-Kosove, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT