• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ramush Tahiri po na mungon…

August 23, 2021 by s p

Nga Sadik Elshani 

U bë një javë që u nda para kohe nga kjo botë Ramush Tahiri, politogu, gazetari, këshilltari politik, por mbi të gjitha, njeriui i urtë i Kosovës,shoku ynë i dashur. Një humbje e madhe për familjen, neve shokët dhe gjithë Kosovën e tërë shqiptarinë. Dhimbja është e madhe dhe në këto çaste të rënda gjejmë ngushëllim te kohët e lumtura të jetës sonë, kujtime nga ditët tona studentore në Zagreb – kohë kur kishim shumë energji rinore e shumë ëndrra për të ardhmen tonë, të ardhmen e Kosovës dhe të kombit tonë. Shiriti i kujtimeve të regjistruara në kujtesën tonë këto ditë dhimbjeje vetëm lëviz, nuk ndalet fare dhe më shpie te shtatori i vitit 1977 kur për herë të parë e takova Ramushin.

Vitin e parë dhe një pjesë të vitit të dytë e kam kryer në Universitetin e Beogradit dhe në shtator të vitit 1977 kam kaluar në Universitetin e Zagrebit. Meqenëse konviktet ende nuk ishin ndarë, unë për disa ditë qëndrova së bashku me bashkëvendësit e mi, Isuf Buzhala dhe Rizah Vata, në dhomën e tyre studentore në konviktin “Cvjetno Naselje”. Pas disa ditësh në dhomën e tyre për vizitë erdhen edhe disa studentë, ndër ta edhe Ramushi, të cilin kurrë nuk e kisha takuar më parë, por emrin ia kisha dëgjuar ato ditë, sepse ai atë vit ishte kryetar i klubit të studentëve shqiptarë, “Shkëndia”. Që në çastet e para të bisedës sonë më la përshtypjen e një njeriu të sinqertë, serioz e shumë të përzemërt. Meqenëse gjatë viteve të gjimnazit dhe gjatë studimeve në Beograd si anëtar i kryesisë se Shoqatës – Letrare Muzikore “Përpjkekja”isha i angazhuar në organizimin e shumë veprimtarive letraro – artistike, edhe në Zagreb u angazhova në organizimin e shumë veprimtarive të tilla së bashku me Ramushin dhe një grup veprimtarësh të klubit “Shkëndia”. Miqësia jonë sa vinte e forcohej çdo ditë e më tepër. Fal pikëpamjeve tona të ngjashme, gati identike, për çështje të ndryshme dhe respektit të ndërsjell, miqësia jonë ishte e sinqertë dhe e qëndrueshme. Për një kohë kemi banuar edhe në të njejtën banesë. Edhe pas përfundimit të studimeve tona vazhdimisht kemi qenë në kontakt, herën e fundit kemi kontaktuar më 1 gusht, përmes  “messenger”-it.Ramushi kishte një karakter të fortë burrëror, i ndershëm, i sinqertë, i matur dhe i mirësjellshëm me të gjithë studentët. Prandaj, edhe e gëzonte respektin e të gjithëve. Që në atë kohë ishte një personalitet që me zgjuarësinë, maturinë e tij projektonte largpamësi si një njohës i shkëlqyer i historisë, traditive dhe zakoneve tona shqiptare. Njeri nga i cili pritej që në të ardhmen të luajë një rol të rëndësishëm në rrjedhat e ngjarjeve për të përparuar pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi. Vazhdimisht intersohej për t’i zgjeruar njohuritë e tij, duke kaluar kohë të gjata nëpër biblioteka, librari e antikvariate, duke kërkuar materiale që lidheshin me historinë e shqiptarëvë, gjendjen e shqiptarëve në ish Jugosllavi. Isha me Ramushin në një librari kur në një revistë shkencore që botohej nga Instituti i Historisë së Kroacisë, “Časopis za suvremenu povijest” (“Revista për historinë bashkëkohore”) e hasëm “Elaboratin e Ivo Andriqit për Shqipërinë”, i vitit 1939, botuar në vitin 1977 nga historiani kroat, Bogdan Krizman (1913 – 1994). Ky ishte një projekt për zhdukjen, shpërnguljen, asimilimin e shqiptarëve, për përvetësimin e pronave të tyre… Menjëherë i blemë disa kopje dhe ua dërguam njerëzve të njohur në Prishtinë. Po ashtu, u treguam edhe shokëve të tjerë dhe i nxitëm që edhe ata ta shpërndanin këtë revistë. Për një kohë të shkurtër ky Elaborat u bë i njohur për shumë shqiptarë, përfshirë edhe shumë studiues që merreshin me këtë lami. Ramushi nuk mësonte, studionte vetëm për ta dhënë një provim, por ai studionte për t’u përgatitur për provimin jetësor, për t’i zbatuar një ditë në jetë këto njohuri, për t’i dalë zot popullit të vet. Punimi i tij i diplomës për pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi (Jugosllavinë në mes të dy Lufërave Botërore dha atë të pas Luftës së Dytë Botërore) është një punim shumë serioz i punuar me shumë përkushtim, duke shfrytëzuar një literaturë të begatë, dokumente e botime të shumta origjinale. Ky punim diplome do të pranohej si një disertacion në shumë universitete prestigjioze botërore.

Pas diplomimit Ramushi u punësua si gazetar në “Rilindje”, gazetën e vetme të përditshme në Kosovë, ku shquhet për artikujt e tij të guximshëm, duke trajtuar tema të ndieshme për atë kohë. Kur në korrik të vitit 1990 forcat policore serbe e mbyllën “Rilindjen”, ishte Ramushi që u ballafaqua me zyrtarin serb që kishte ardhur për ta mbyllur gazetën. Pak më vonë Ramushi u zgjodh nënkryetar i Qeverisë së Kosovës në Ekzil. Për disa vite punoi në Shkup dhe pastaj u vendos në Tiranë, ku punoi si redaktor i “Rilindjes”. Pas çlirimit të Kosovës Ramushi punoi në Kuvendin e Kosovës si këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit, prof. dr. Nexhat Dacit. Një kohë ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa nga viti 2011 gjer në vitin 2016 ka qenë këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Vite më parë e dëgjova Ramushin në një intervistë televizive, ku tregoi se zonja Jahjaga do ta pranonte detyrën vetëm nëse Ramushi pranonte të jetë këshilltari i saj. Deri në çastet e fundit të jetës së tij ka qenë i angazhuar si analist politik në disa studio televizive, ka dhënë mjaft analiza e intervista edhe për shumë agjenci të huaja të lajmeve.

Si kryetar i klubit të studentëve shqiptarë, “Shkëndia”, por edhe gjatë të gjitha viteve si student, Ramushi demonstronte aftësi shembullore të një udhëheqësi të ardhshëm të shqiptarëve. Kishte aftësi për t’i bërë së bashku studentët, fjala e tij kishte peshë, respektohej nga të gjithë. Unë shpesh, si me shaka, i drejtohesha jo në emrin e tij, Ramush, por me nofkën, “udhëheqës”. Shpesh takoheshim nëpër dhomat tona studentore dhe ne një grup i ngushtë, por edhe me studentët  tjerë bisedonim dhe i qanim hallet e popullit tonë. Detyra jonë e parë ishte kryerja e studimeve dhe kthimi ynë në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Por, një shqetësim i përhershëm i yni ishte pozita e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe çka duhej bërë që ajo gjendje të ndryshonte për të mirën tonë. Në rrethanat e asaj kohe mundësia e vetme ishte që Kosova ta fitonte statusin e republikës brenda Federatës Jugosllave. Nga disa skenarë tjerë të mundshëm më i bindshmi ishte ai i një mundësie të shkatërrimit, shpërbërjes së Jugosllavisë, një situatë e ngjashme me atë të krijuar në vitin 1941. Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e kishin humbur një mundësi të shkëlqyer për t’u bashkuar në një shtet shqiptar. (Kjo është një temë tjetër e gjërë dhe nuk është vendi që të zgjatemi më tepër). Në këto biseda dilte në pah aftësia, zgjuarësia, mençuria dhe largëpamësia e Ramushit si një njohës i shkëlqyer i historisë së popullit tonë dhe rrethanave politike të asaj periudhe historike në të cilën po jetonim ne. Me një fjalë, kur të vinte koha jonë, të ishim të gatshëm e të përgatitur për t’u ballafaquar me çdo situatë të mundshme. Ishim ai brez që rrethanat historike dhe dashuria për vendin, kombin tonë, na kishin pjekur, burrëruar para kohe.

Dha ajo kohë të cilën e kishim pritur me dhjetëvjecarë të tërë erdhi. (Shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera në ish Jugosllavi gjatë gjithë historisë së tyre kurrë nuk i kanë ndalur përpjekjet për një Kosovë të lirë e të pavarur). Në vitin 1990 filloi shpërbërja e Jugosllavisë dhe shqiptarët ishin të përgatitur në kërkesat e tyre: Nëse Jugosllavia nuk shkatërrohej, Kosova duhej të shpallej republike e barabartë me republikat e tjera të Federatës Jugosllave; nëse Jugosllavia shpërbëhej, atëherë Kosova do shkëputej nga Jugosllavi dhe do të shpallej shtet i pavarur. Në këto procese kombëtare ka luajtur një rol të madh edhe Ramushi me përgatitjen e tij profesionale, guximin dhe karakterin e fortë kombëtar e njerëzor. Tani Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik. Me angazhimin e tij në administratën e Kosovës Ramushi e ka dhënë ndihmesën e tij të çmueshme për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve shtetërore demokratike të Kosovës.

Ramushi ishte i begatuar me virtyte e vlera të larta njerëzore që i cekëm me lartë, ishte mishërim i së mirës njerëzore. Në jetën e tij private dhe atë publike ai gjithmonë ka qenë një njeri shumë i drejtë, i sinqertë, i shoqërueshëm dhe shumë modest – njeri i tokës, apo siç thonë anglisht, “doën to earth”. Në paraqitjet e tij televizive në debate të shumta si analist, ai gjithmonë ishte në nivelin e duhur, i përgatitur mirë, fliste qetas me fakte dhe debatonte me argumente të forta dhe jo me sharje e fyerje personale. Për të gjitha çështjet serioze, problemet me të cilat po ballafaqohet Kosova më ka ineresuar mendimi, vlerësimi i Ramushit, sepse gjithmonë i kam besuar sinqeritetit, logjikës dhe gjykimeve të tija të shëndosha.

Ikja e tij e parakohshme e ka lënë të pikëlluar familjen e tij, neve shokëve e miqve të tij – sikur na është shkëputur një gur  çmueshëm nga mozaiku u jetës sonë.. Ka lënë një zbrazëti në jetën politike e publike të Kosovës. Jeta mbi dhe është e përkohëshme, veprat janë të përjetshme.

Prehu i qetë shoku im shtrenjtë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë e të pavarur!

P. S.

E kam mbajtur te fortë veten keto ditë, por ja, në përfundim të këtij shkrimi sytë m’u mbushen me lotë. Do të na mungosh…

Filadelfia, më 22 gusht, 2021.

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Komunitet Tagged With: perkujtim, Ramush Tahiri, Sadik Elshani

4 Korriku, ditëlindja e një shteti dhe një epoke të re për njerëzimin

July 4, 2021 by dgreca

4 Korriku i vitit 1776 hapi horizonte të reja, të papara gjer atëherë/

Shkruan:Dr. SADIK ELSHANI-FILADELFIA-USA/

Sot është 4 Korriku, ditëlindja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 4 korrik të vitit 1776, 245 vite më parë, në Filadelfia u shpall pavarësia e Amerikës me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, nga të gjithë përfaqësuesit e 13 kolonive të atëhershme – koloni që nuk donin më të jenë nën sundimin e Kurorës Mbretërore Britanike, por dëshironin të ishin të pavarura, të lira për të vendosur vetë për fatet dhe ardhmërinë e tyre. Në atë 4 korrik të atij viti të largët nuk u themelua vetëm një shtet i ri, por lindi një vizion, një ideal i ri i paparë gjer atëherë në botë – u themelua një shtet bazuar në parimin e lartë të vlerave njerëzore: Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe me një deklaratë që fillon me fjalët emblematike të gdhendura me shkronja të arta në historinë e ShBA-ve dhe tërë njerëzimit: Ne populli (Ëe the people). Ishte ky një ngadhnjim mbi dhunën, robërinë, tiraninë. 4 Korriku i vitit 1776 u bë burim frymëzimi, gurrë e pashterrshme lirie edhe për vendet dhe popujt tjerë anembanë botës. U bë burim frymëzimi për Revolucionin Francez të vitit 1789, që e hodhi poshtë sundimin mbretëror dhe hodhi themelet e Republikës Franceze bazuar në moton: Barazi, liri, vëllazëri (egalite, liberte, fraternite). Ishin idealet amerikane ato që u prinë edhe shumë lëvizjeve të tjera përparimtare në botë, lëvizjeve për liri e pavarësi. Shteti amerikan nuk u krijua si një shtet i përkryer dhe ende është larg i të qenit i përkryer, por është një vend gjithnjë në ndërtim, vend që kurrë nuk i hiqen skelat, vend që gjithmonë sfidon kufijtë e së pamundurës, vend që i ka krijuar mekanizmat për t’i korrigjuar të metat, padrejtësitë që janë shfaqur e mund të shfaqen herëpashere në shoqerinë amerikane. Shkurt, vend që nuk dorëzohet kurrë.

Amerika, vendi që ecën vetëm përpara

Është kushtetuta amerikane, ky dokument i shenjtë modern që siguron funksionimin e shtetit dhe qeverisë amerikane, edhe kur ballafaqohen me sfida të ndryshme e të ndërlikuara. Është dokument i përpiluar nga njerëz vizionarë, njerëz gjenialë, bazuar në ndarjen e barabartë të pushtetit: ekzekutiv, gjyqesor, legjislativ. Është populli amerikan këmbëngulës dhe i vendosur për të ecur vetëm përpara, për të arritur çdo qëllim, për të përballuar çdo sfidë. Në fillim të viteve të 60-ta të shekullit të kaluar Presidenti Kennedy hodhi një qëllim sfidues: Deri në fund të dhjetëvjeçarit të 60-të, njeriu të shkojë në Hënë dhe të kthehet i padëmtuar (i sigurt) në Tokë. Më 21 korrik të vitit 1969, astronauti Neil Armstrong shkeli në Hënë dhe ekipazhi u kthye në Tokë shëndosh e mirë. Është ky shpirti optimistik që e vë në lëvizje këtë vend vigan. Nuk është vetëm madheshtia tokësore e njerëzore, forca ekonomike e ushtarake që e bëjnë këtë vend të fuqishëm, por janë edhe vlerat e larta morale e njerëzore, të quajtura ideale amerikane. Amerika gjithmonë ka luftuar edhe për lirinë e të tjerëve dhe kurrë për t’i kolonizuar vendet tjera, përt’i roberuar popujt tjerë. Këtu perfshihen edhe shqiptarët, Shqiperia, Kosova. Prandaj, në bisedat, diskutimet me amerikanët shpesh e dëgjon fjalën: freedom (liri), fighting for freedom (lufton, të luftosh për liri).

Amerika dhe shqiptarët

Shqipëria (çdo pëllëmbë e tokës ku ujit i thonë ujë e bukës i thonë bukë) dhe shqiptarët shprehin një simpati e dashuri të veçantë e të pakufishme për Amerikën – engjëllin tonë mbrojtës, shpëtimtar. Miqësia shqiptaro – amerikane i ka rrënjët e thella dhe një histori të gjatë, duke filluar nga përkrahësi i vendosur i çeshtjes shqiptare, Kryetari (Presidenti) Uilson, i cili pas Luftës së Parë Botërore e mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe e pengoi copëtimin e mëtejmë të saj. Ishte Presidenti Clinton që i shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga pastrimi etnik, nga shfarosja e sigurt që i kanosej nga regjimi i egër i Millosheviqit. Ndërsa Presidenti Bush e përkrahu dhe e mundësoi Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. Fal ndërhyrjes dhe përkrahjes së vazhdueshme të  Amerikës dhe NATO-s, Kosova sot është e lirë dhe shtet i pavarur. Për këto shërbime madhore dhe ndihmat tjera, shqiptarët gjithmonë do t’u jenë mirënjohës Amerikës dhe aleatëve të saj përendimorë. Prandaj, 4 Korriku festohet me dashuri e madhështi edhe në Kosovë e Shqipëri. Edhe në ditët më të errëta të regjimit komunist, i cili orë e çast e baltoste Amerikën, shqiptarët shpresat i kishin drejtuar kah Amerika, shpëtimin e tyre e shihnin te Amerika. Regjimi komunist u përmbys dhe tani Shqipëria dhe Amerika janë aleat, ndajnë vlera të përbashkëta dhe ideale te njejta për lirinë, të drejtat e njeriut, mirëqenjen njerëzore. Gjatë gjithë këtyre viteve Shqipëria ka qëndruar një aleate e fortë e besnike e ShBA-ve dhe sot ushtarët shqiptarë dhe ata amerikanë shërbejnë krah për krah njëri – tjetrit ne Aganistan, si dhe më parë ne Bosnje e Irak. Kohëve të fundit edhe Kosova i ka dërguar ushtarët e saj në misionin paqëruajtës ne Kuvajt.

Amerika dhe bashkësia shqiptaro – amerikane

Tani ka më shumë se një shekull që edhe shqiptarët janë bërë pjesë e mozaikut amerikan, ëndrrës, jetës amerikane, realitetit amerikan. Bashkësia shqiptaro – amerikane ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e popullit tonë, duke filluar me punën dhe veprimtarinë e palodhshme të Nolit, Konicës si dhe shumë atdhetarëve e intelektualëve të tjerë shqiptarë, Federatës Panshqiptare “Vatra”. Sot shqiptaro – amerikanët, sikurse paraardhësit e tyre vite më parë, janë duke dhënë ndihmesën e tyre në të gjitha lëmitë, sferat e jetës amerikane, nga yjet e Holivudit gjer te fituesit e Çmimit Nobel. Shqiptarët kanë ardhur në Amerikë të vendosur për të korrur suksese, për të përparuar, për të përmbushur ëndrrën amerikane. Bashkësia shqiptaro – amerikane është duke punuar me përkushtim që të sherbejë si një urë lidhëse e miqësie në mes së Shqipërisë, Kosovës dhe ShBA-ve, për t’i afruar qytetarët e të dyja shteteve shqiptare me Amerikën. Tani Amerika është bërë atdheu ynë i dytë, atdheu ynë i përvetësuar, i përshtatur (adoptuar). Janë këto lidhje ndër vite me presidentët, kongresistët, senatorët dhe zyrtarët tjerë të lartë amerikanë që e kanë ëerhequr vëmendjen e Amerikës për çeshtjet shqiptare, duke filluar nga takimet e Nolit me Presidentin Uilson.

Falenderojmë Amerikën që na ka përqafuar si qytetarë te lirë e të barabartë, na mundëson që t’i rrisim familjet tona, ta ruajmë gjuhën dhe traditat tona. Prandaj: Gezuar 4 Korrikun! Është një Dite e Madhe për Amerikën, shqiptarët dhe gjithë botën përparimtare e liridashëse.

Filadelfia, më 4 korrik, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Opinion Tagged With: 4 Koorriku, ditelindja, epoke e re, Sadik Elshani

Në poste drejtuese në Kosovë të zgjidhen njerëz të aftë e të përkushtuar

June 27, 2021 by dgreca

Nga Sadik ELSHANI*/

Kur e shohim gjendjen anemike, të plogshtë, politike, ekonomike e shoqërore të Kosovës, nivelin jo të lakmueshëm në shumë lëmi: arsim, shkencë, kulturë e shëndetësi, gati secili prej nesh shpesh e bën të njejtën pyetje: Ku janë intelektualët, ekspertët, njerëzit profesionistë që muk angazhohen, por rrinë anash, bëjnë vetëm sehir? Ajo që më nxiti t’i shkruaj këto radhë është kandidatura e arkitektit të njohur edhe ndërkombëtarisht, Përparim Rama, për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së). Qysh herët në jetën time jam përcaktuar për interesat kombëtare dhe jo të ndonjë partie të caktuar politike, prandaj ky shkrim nuk ëshytë as përkrahje e kandidatit dhe partisë në fjalë, por vetëm e një nisme, një ecurie që duhet përshëndetur e që është mirë ta ndjekin edhe partitë tjera politike për të rekrutuar njerëz të aftë, të zotë në postet drejtuese të institucioneve të Kosovës. Për zotin Rama nuk di edhe aq shumë, përveçse ato që kam lexuar në shtypin e përditshëm, të tjerat le t’i thonë votuesit në zgjedhjet vendore (lokale) që do të mahen në Kosovë më 17 tetor. Për të qenë një udhëheqës, administrator i suksesshëm nuk mjafton vetëm aftësia profesionale, por duhet patur edhe aftësi të tjera drejtuese (menaxhuese) për të bashkërenduar punët, për të prirë e për t’i bashkuar njerëzit.

Në disa intervista në shtypin Kosovar, zoti Rama u shpreh se është apolitik, jo partiak. Madje ai nuk është as anëtar i LDK-së. Por, së paku që nga koha e Aristotelit e dimë që njeriu është një “kafshë politike” (“zoon politikon”). Ajo çka ka dashur të thotë zoti Rama është se, ai në radhë të parë do të pëqëndrohet në kryerjen e detyrës së kryebashkiakut të Prishtinës me përkushtim dhe jo të ndjekë verbërisht ineresat e parisë dhe të ndonjë klani brenda partisë. Disa i shfrytëzuan këto shqiptime (deklarata) të zotit Rama për ta sulmuar atë dhe LDK-në se nuk paska një kandidat nga radhët e anëtarëve më të vjetër të partisë, duke e cilësuar këtë si një dobësi të LDK-së. Dikush ndoshta është anëtar më i vjetër, më militant i partisë, por ndoshta nuk është në gjendje që ta  kryejë me sukses detyrën e një kryebashkiaku për t’i zgjidhur problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët – i mungon përgatitja e duhur, përvoja, vullneti, durimi e përkushtimi. Problemet zgjidhen me vepra, punë të përkushtuar dhe jo me fjalë, qofshin ato edhe më të bukurat e më të ëmblat. Me siguri as me militantizëm partiak. Është ky një rast që duhet t’u shërbejë si shëembull edhe partitë e tjera për t’i zgjeruar radhët e tyrë, për t’u përtrirë me fytyra të reja, njerëz që ofrojnë ekspertizë, profesionalizëm, sjellin diçka të re e kreative.

Veprime të tilla të sjelljes së anëtarëve, kandidatëve nga partitë e pavarura dhe ato kundërshtare (rivale) e praktikojnë edhe partitë që kanë tradita qindravjeçare. Këtu në ShBA, nnë vitin 2006 Partia Demokratike e rekrutoi republikanin Jim Ëebb që të kandidojë si demokrat në shtetin e Virxhinias për në Senatin e ShBA-ve. Ndërsa Michael Bloomberg, i cili tërë jetën ka qenë demokrat, në zgjedhjet e vitit 2001 për kreun e Bashkisë së Nju Jorkut kandidoi si republikan, sepse lista e kandidatëve nga radhët e Partsë Demokratike ishte mjaft e gjatë dhe ai nuk kishte kurrëfar gjasash për ta fituar emërimin (nominimin) e partisë. Zgjedhejt i fitoi si republikan dhe qëndroi si republikan për disa vite, për t’u bërë psataj i pavarur (independent) dhe nga viti 2018 përsëri u bë demokrat. Duhet theksuar se në skenën politike të qytetit të Nju Jorkut demokratet mbizotërojnë bindshëm. Ka edhe shumë shembuj të tjerë të kalimit nga njëra parti në tjetrën.

Zgjedhjet vendore (lokale) siç tregon edhe emri,  kanë të bëjnë me zgjedhjen e kandidatëve që janë në gjendje dhe të aftë t’i zgjidhin problemet vendore, njerëz që e njohin dhe e duan qytetin dhe bashkëqytetarët e tyre, me punën dhe përkushtimi e tyre e begatojnë jetën e qytetit, ia lehtësojnë jetën qytetarit. E ka thënë bukur një figurë emblematike e politikës amerikane, Tip O’Neill (1912 – 1994), ish Kryetar (Speaker) i Dhomës së Përfaqësusve të Kongresit Amerikan (1877 – 1987): “All politics is local” (“Të gjitha politikat janë lokale”). Prandaj, në këto zgjedhje vendore pragmatizmi duhet të mbizotërojë mbi ideologjinë. Duhet përgëzuar të gjithë ata kandidatë, intelektualë e profesionistë. që shprehin gatishmërinë për t’u angazhuar në skenën politike e shoqërore të Kosovës, për të dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e vendit.

Philadelphia, më 27 qershor, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Jerez te afte, Sadik Elshani

Të mos ndihemi inferiorë e të kompleksuar

March 28, 2021 by dgreca

–-Vlerat janë arma më e fortë për t’i luftuar urrejtjen dhe paragjykimet/

Nga Sadik ELSHANI/ *

Në bisedat tona të përditshme shpesh e dëgjojmë, e bëjmë pyetjen: Pse ne shqiptarët e ndijmë veten pak si të kompleksuar, më të ulët (inferiorë) ndaj të tjerëve, kur në situata të ndryshme ndodhemi në praninë e të tjerëve, kur i shohim politikanët, udhëheqësit tanë në takimet e tyre zyrtare në praninë e delegacioneve, zyrtarëve të huaj? Fatkeqësisht këtu ka dicka të vërtetë e që nuk duhet të jetë kështu. Fillimisht kjo vjen se trevat shqiptare si rrjedhoje e rrethanave historike katastrofike për ne kanë ngelur prapa në çdo pikëpamje, lëmi të jetës shoqërore, ekonomike,arsimore e shkencore, krahasuar me viset tjera të kontinentit europian. Megjithatë, shqiptarët ndër shekuj kanë arritur që të krijojnë disa vlera të qëndrueshme e të larta morale e njerëzore për të cilat janë të njohur në tërë botën: krenarinë kombëtare, trimërinë, besën, mikpritjen, tolerancën ndërfetare… Ndoshta ne nuk mund të nxirrnim nga mesi ynë një Da Vinçi, Mikelanxhelo, Rembrant, Bethoven, por kur u është dhënë rasti, mundësia shqiptarëve, ata kanë shkëlqyer. (Diçka të ngjashme ka shprehur në vargje edhe Dritëro Agolli në një poezi të tij). Po, edhe populli ynë i vogël nga gjiri i vet nxori figura të përmasave botërore në të gjitha periudhat e qenjes së tij: Perandori Konstatin, Skenderbeu, Leunik Tomeo, Onufri, Aleksandër Moisiu,Shën/Nënë Tereza, Bekim Fefmiu, Ismail Kadare e shumë e shumë të tjerë.

Dikush që vjen nga një vend i zhvilluar, i përparuar, jo domosdoshmërisht do të thotë se ai person vetë është më i ditur, më i përparuar, më i zoti se ti, për të vetmen arsye se po na vika nga një vend i madh, i zhvilluar. Vendi i tij mund të jetë më i zhvillur, më i përparuar, por ai vetë mund të jetë nën nivelin tënd. Përsse Ismail Kadare, Inva Mula, Majlinda Kelmendi e shumë të tjerë duhet ta ndiejnë veten inferiorë?! Cka kanë të tjerët më shumë se ata/ato? Asgjë. Kur i përket një populli të vogël, me shekuj të shtypur, atëherë ndihesh pak i druajtur, i tërhequr kur ndodhesh në mesin e të tjerëve. Kjo ndodh zakonisht në fillim, por me kalimin e kohës e sheh se të tjerët nuk janë më të mirë, më të zotët se ti. Këtë e kam ndier edhe vetë si dhe shumë kolege e kolegë të mi nga të gjitha viset shqiptare që kemi studiuar në universitetet e ish Jugosllavisë: Zagreb, Beograd, Sarajevë, Lubjanë, etj. (Unë kam studiuar në Universitetin e Zagrebit). Në fillim i kemi patur rezervat, druajtjet tona, sepse po vinim nga pjesët më të pazhvilluara të ish Jugosllavisë dhe tani po studionim së bashku me kolegët tanë nga Beogradi, Zagrebi, Sarajeva, Lubjana, Spliti, Rijeka e shumë qytete të tjera që ofronin kushte, një jetë shumë më të mirë se vendbanimet tona. Por, pas pak kohe e kemi parë se në përgjithësi ata nuk ishin më të mirë, më të zotët se ne, dhe se kjo nuk kishte të bënte fare me përkatësinë kombëtare, apo vendlindjet tona. Me punë të përkushtuar, me vullnet të çelikët e me një vendosmëri për të ecur përpara çdo gjë është e mundur, çdo gjë mund të kompenzohet.

Disa e ndërrojnë edhe emrin për ta fshehur kombësinë e tyre, duke menduar, gabimisht, se nëse i pëkasësh një kombi, vendi të përparuar mund t’i maskosh të metat tua. Bota të respekton, vlerëson për atë që je, dhe për atë që mëton të jeshë. Kopja gjithmonë është më e shëmtuar se origjinali. Figurat tona të ndritura të përmendura më lart i ka bërë të madhërishme puna e tyre, talenti i tyre. Ata nuk e kanë mëshehur përkatësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, është i njohur rasti i Bekim Fehmiut kur me këmbëngulje ka kërkuar që në shtypin Italian të korrigjohej përkatësia e tij e gabuar kombëtare, “aktori jugosllav”, me “aktori shqiptar nga Jugosllavia”. Përndryshe ai do të tërhiqej nga projekti i filmit për Odiseun. Edhe një rast tjetër që lidhet me Bekim Fehmiun: Sipas bashkëshortes së tij, aktores, Branka Petriq, gjatë gjirimit të filmit “Avanturistët” Bekimit i kanë kërkuar që ai ta ndërrojë emrin, por ai kurrsesi nuk ka pranuar. Jo rastësisht e përmenda rastin e Bekimit, sepse shqiptarët në ish Jugosllavi për shkak të shtypjes së egër që ushtrohej ndaj tyre, mungesës së të drejtave më elementare, kishin mbetur prapa të tjerëve. Shpeshherë fyheshin dhe bëheshin objekt talljeje. Por, kur shqiptarët i fituan disa të drejta, ata e shfrytëzuan rastin dhe shkëlqyen gati në të gjtha lëmitë: kulturë, shkencë, sport, etj. Kur për magjistraturën time e fillova punën eksperimentale në një laborator të Fakultetit të Farmacisë e Biokimisë në Zagreb, ku edhe kisha studiuar, pas ca muajsh kur u bëmë pak më te afërt me njëri – tjetrin një docente me shumë dashamirësi m’u drejtua: “Koleg, ne nuk e kemi ditur që ka shqiptar që punon kështu.” Ju lutem mos e merrni këtë si një vetëlavdërim, sepse ka shumë shqiptarë që janë më të aftë e më të zotët se unë. E mora vetëm si shembull që më ka ndodhur mua. Jam i sigurt se u ka ndodhur edhe shumë të tjerëve.

Në një takim që patëm me sopranon e njohur, Ermonela Jaho, në shoqatën “Bijtë e shqipes” në Filadelfia, në tetor të vitit 2006, gjatë bisedës ajo na tregoi për një ngjarje që i kishte ndodhur në fillim të karrierës së saj në Itali: Kur paraqitësi i programit e kishte paraqitur atë si, sopranoja nga Shqipëria, salla kishte filluar të qeshte me tallje. Atëherë, ajo na tregoi, se edhe pse nga natyra është pak e turpshme, ajo e kishte mbledhur guximin dhe i ishte drejtuar publikut: “Pse po qeshni? Ju ende nuk më keni dëgjuar duke kënduar. Pasi e mbarova këngën e paraparë në program, iu drejtova përsëri publikut duke u thënë se, tani do t’u këndoja një këngë nga vendi im, këngën “Asaman, o lule”. Salla pastaj shpërtheu në duartrokitje”. Më duket se s’ka nevojë për koment. Janë këto figura që i kanë dhënë nder kombit, emrit të tyre dhe nuk kanë kërkuar lavdi në emrin e ndonjë kombi tjetër të cilit nuk i përkasin. Kombi na nderon vetëm atëherë kur ne e nderojmë atë. Secili komb, i madh e i vogel, i ka veset dhe virtytet e veta, te mirët dhe të këqinjtë e vet. Prandaj, nuk duhet të ndihemi inferiorë, më të ulët, të kmpleksuar ndaj të tjerëve.

Ka edhe nga ata që në ndonjë situatë të caktuar i kanë mohuar, janë fshehur nga prindërit e tyre. Ka raste që ne i njohim personalisht kur nxënësi që ka qenë duke u shkolluar në qytet kur e ka parë prindin fshatar në qytet i është larguar, e ka mospërfillur kur ka qenë në shoqëri të shokëve të tij të shkollës. Për këtë temë, shkrimtari më i njohur slloven, Ivan Cankar (1876 – 1918), e ka një tregim të shkurtër antologjik me elemente vetëjetëshkrimore (autobiografike), “Greh” (“Mëkati”).  Këtë tregim e kemi patur në librin tonë të leximit në një nga vitet e shkollës fillore dhe që nga ajo kohë më është ngulitur thelle në kokën, mendjen time. Shkurtimisht, një nënë udhëton në këmbë për katër orë nga fshati për ta vizituar djalin e saj që shkonte në shkollë në Lubjanë, për t’i sjellur këmishat e lara dhe ca para. Ajo ishte duke pritur djalin e saj para dyerëve të shkollës kur zilja bie dhe nxënësit dalin nga shkolla pas përfundimit të mësimit. Kur djali e sheh nënën e tij të rraskapitur, të veshur me veshje fshatare, me çizmet e baltosura dhe me një boshçe ku i kishte këmishat e tij, djali nuk i paraqitet asaj. Një shok i klasës e pyet djalin se mos ishte ajo nëna e tij. Ai ia kthen: “Jo, ajo nuk është nëna ime”. Djali duke u fshehur në turmën e nxënësve largohet pa e takuar nënën e tij. Nëna pret për një kohë të gjatë dhe kur nuk e sheh djalin e saj niset drejt banesës së tij, duke menduar se mos ndoshta djali është i sëmurë dhe nuk ka ardhur në shkollë. Djalin e gjen në banesë dhe i tregon se e kishte pritur para shkollës, por djali i thotë se nuk e kishte parë. Dikur pasdite nëna niset për t’u kthyer në fshat. Djali e përcjell nënën nëpër qytet, por tani e bren ndërgjegjja për atë që kishte bërë pak më parë dhe dëshiron t’u thotë të gjithëve se ajo ishte nëna e tij. Kthehet në banesë dhe qanë me të madhe, por mëkati kishte zënë vend, ishte ngulitur në shpirtin e tij dhe të gjitha lotët e derdhura nuk mund ta lanin më.

Pra, kjo ndjenja e të qenit inferiorë ndaj të tjerëve manifestohet edhe te disa kombe të tjera. Në vitin 1977 në Qendrën Kulturore Studentore ne Qytetin e Studentëve në Beogradin e Ri, profesori në pension i Fakultetit të Farmacisë, eksperti botëror i bimëve mjekësore, dr. Jovan Tucakov (1905 – 1978) e mbajti nje ligjëratë për bimët mjekësore dhe përdorimin e tyre për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Ishin të pranishëm studentë nga një pjesë e mirë e territorit të ish Jugosllavise, isha edhe une dhe kolegu im i studimeve, Ekrem Guri (tani i ndjerë). (Unë atëherë studioja në Universitetin e Beogradit dhe po atë vit në vjeshtë kam kaluar në Universitetin e Zagrebit). Gjatë ligjeratës profesori e pyeste ndonjë student se prej nga ishin dhe kur ata i tregonin emrin e fshatit ai u tregonte se cilat bimë rriteshin në fshatin e tyre dhe pikërisht në cilin vend. Pastaj u tregonte për disa zakone, tradita të fshatit të tyre, si u këndonin bletëve, etj. Studentët pak si të turpëruar e ulnin kokën, ndërsa profesori pak si me qortim u drejtohej: “Mos u turpëroni nga prejardhja e juaj!”

Rëndësi kanë vlerat njerëzore që ti i rrezaton dhe jo emri yt, kombësia apo vendi prej nga vjen. Sillu mirë, me kulturë e respekt ndaj të tjerëve, tregohu i zoti në leminë, punën tënde dhe të gjithë do të respektojnë. Vlerat janë arma më e fortë për t’i luftuar urrejtjen dhe paragjykimet.

Philadelphia,  mars, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Jo inferiore, Sadik Elshani

Bijtë e Shqipes e ngritën Flamurin edhe ne Pandemi…

December 2, 2020 by dgreca

Shqiptarët në Filadelfia e ngritën flamurin Kuq e Zi në sheshin e Bashkisë/

NGA SADIK ELSHANI/*

Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia i kushton një rëndësi të madhe festmit të 28 Nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që ka hyrë në kujtesën e kombit tonë si, Dita e Flamurit. Kjo ditë shënohet me organizimin e veprimtarive të ndryshme: Mbrëmjen e Madhe të Flamurit (darkë solemne e koncert), vizita nëpër familjet e bashkatdhetarëve, pjesëmarrjen në Paradën e Ditës së Falenderimeve, ngritjen e flamurit në bashkinë e Filadelfias, etj. Por, këtë vit për shkak të pandemisë Covid-19 shumë nga këto veprimtari nuk mund të organizoheshin. U organizua vetëm ceremonia e ngritjes së flamurit Kuq e Zi në sheshin e bashkisë së Filadelfas. Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Filadelfias organizon ngritjen e flamurit tonë në Bashkinë e Filadelfias me një ceremoni solemne. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Filadelfias.  Edhe këtë vit, në datën 27 nëntor u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë, por për shkak të pandemisë që u cek më lart, këtë vit kjo ceremoni ishte e modifikuar: numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar, duheshin mbajtur maskat; muzika shqiptare jehonte në shesh, por nuk mund të vallëzonim si herave të tjera. Megjithatë, pjesëmarrja ishte e lakmueshme dhe bashkatdhetarët ishin të lumtur të takonin, të uronin njëri – tjetrin, ndiheshin të lumtur, shprehninë kënaqësinë e krenarinë që Shqipëria dhe shqiptarët po nderohen në qytetin e lindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, edhe përkundër këtyre rrethanave shqiptarët u mblodhën të bashkuar, ashtu siç na thërret Himni ynë Kombëtar: “Rreth flamurit të përbashkuar….” Për rregullimin e skenës, tribunës festive, si zakonisht, u angazhua zoti Haki Çollaku. Skena ishte zbukuruar me flamurin Kuq e Zi dhe atë amerikan. Gati të gjithë të pranishmit mbanin në duar flamujt Kuq e Zi dhe ata amerikanë. Kalamajt, shumica të veshur me veshjet tona kombëtare, gëzoheshin në mënyrën e tyre femijërore. Po ashtu, edhe koha ishte shumë e mirë, pjesërisht me diell dhe e ngrohtë.

Në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Filadelfias, Jim Kenney, në këtë ceremoni merrnin pjesë Përfaqësuesja e Qytetit të Filadelfias (City Representative), zonja Sheila Hess dhe menagjeri i Veprimtarive dhe Projekteve Speciale po në të njejtin department, z. Robert Nonemacker. Që në çastet e para të takimit tonë, zonjat Hess shprehu befasinë e saj të këndshme, që edhe përkundër rrethanave, kufizimeve, numri i pjesëmarrësve ishte i lakmueshëm. Ceremoninë e hapi zoti Sadik Elshani, i cili u uroi të pranismëve 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe bëri disa njoftime lidhur me programin dhe specifikat e kësaj veprimtarie: mbajtjen e maskave dhe distancën sociale. Pastaj fjalën e mori z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Nga zyra përkatëse e Bashkisë na kishin njoftuar se këtë vit nuk do të ketë program e as fjalime, prandaj edhe z. Gjoka nuk u zgjat në fjalën e tij, por pasi i uroi bashkatdhetarët për Festën tonë Kombëtare dhe i falenderoi ata për pjesëmarrjen në këtë veprimtari të rëndësishme, ai i tha edhe disa fjalë për 28 Nëntorin dhe vendin që zë kjo datë në historinë tonë kombëtare..Pastaj u luajtën himnet kombëtare të ShBA-ve dhe Shqipërisë. Gjatë këndimit të Himnit tonë Kombëtar në shtyllë ngritej flamuri Kuq e Zi, flamuri i shqiptarëve. Për të ngritur flamurin këtë vit u nderua z. Haki Çollaku, veprimtar i dalluar e i palodhur i shoqatës dhe i bashkësisë shqiptaro – amerikane të Filadelfias. Sipas programit e procedurave të qytetit të Filadelfias për veprimtaritë publike nën rrethanat e pandemisë, zonja Hess nuk mbajti fjalim sikurse herave të tjera, por ajo vetëm i dorëzoi zotit Gjoka Proklamatën me të cilën kryebashkiaku i Filadelfias e nderonte Shqipërinë në përvjetorin e saj të pavarësisë dhe e shpallte ditën e premte, 27 Nentor, 2020 që të jetë dita e nderimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në Filadelfia. Ndër të tjera në tekstin e Proklamatës lartësohej historia e Shqipërisë, miqësia shqiptaro – amerikane dhe vlerësohej puna e ndihmesa e shqiptarëvë në zhvillimin e përparimin e Filadelfias, duke sjellur kulturën e tyre, vlerat e larta kombëtare e njerëzore.

Pas këtyre fjalimeve të rastit përsëri edhe për disa çaste jehoi kënga dhe vallja shqiptare. Por, nuk u mbyll me kaq kjo veprimtari: Zoti Enver Parllaku i ftoi të gjithë të pranishmit që të shkonin për të pirë një kafe në restorantin që ai drejton. Është traditë të thuhet për një kafe, por z. Parllaku shtroi një drekë të pasur me të gjitha të mirat, pije e ushqim të mjaftueshëm (bollshëm) e të shijshëm. Edhe këtu bashkatdhetarët kaluan ça çaste të këndshme, biseda të përzemërta nën tingujt e muzikës shqiptare. Enveri është një bashkatdhetar bujar që i respekton traditat shqiptare të mikpritjes. Ai në restorantin e tij disa herë ka organizuar veprimtari fondembledhëse për të grumbulluar fonde monetare për godinën e re të shoqatës sonë dhe për t’i ndihmuar bashkëkombësit tanë në Shqipëri pas goditjes së tërmetit të vitit të kaluar. E falenderojmë Enverin për bujarinë, mikpritjen dhe atdhedashurinë e tij.

Kështu edhe këtë vit, në rrethana të modifikuara e të kufizuara, me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit në Bashkinë e Filadelfias. Zemra të mbushet me kënaqësi kur e sheh duke valuar flamurin tonë në qytetin ku u shpallë pavaresia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund ta mbyllim këtë shkrim pa i shprehur falenderimet dhe mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetit të Pennsylvanias dhe qytetit të Filadelfias që na kanë pranuar si qytetar të lirë e të barabartë, ku jetojmë, punojmë, studiojmë, rrisim familjet tona dhe me krenari e ngrehim flamurin tonë Kuq e Zi. Të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në botë u urojmë me gjithë zemër: Gezuar 28 Nëntorin! Ndërsa Shqipërisë sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetësi.

*Më shumë fotografi gjeni në Facebook: Gazeta Dielli

Filadelfia, 27 nentor, 2020

Filed Under: Komunitet Tagged With: bijte e shqipes, Flamuri 28 nentor, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT