• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Negociatat Kosove-Serbi,as andej,as këndej

October 19, 2020 by dgreca

Pavarësia dhe tërësia teritoriale e Kosovës janë të pa negociushme-

NGA SADIK ELSHANI*- PHILADELPHIA- Kohëve të fundit janë shtuar përpjekjet për ta vazhduar procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një ngjarje e rëndësishme ishte marrëveshja e 4 shtatorit që u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë në Uoshington. Është shkruar mjaft për këtë marrëveshje, prandaj nuk ka nevojë që të thellohemi më tepër në këte shkrim. Dikush e cilësoi si historike e dikush tjetër si tradhti. Kjo marrëveshje, që më tepër ishte një nënshkrim i një dokumenti të parapërgatitur nga Shtëpia e Bardhe dhe jo si një rrjedhojë e një procesi negociator në mes të dy palëve, nuk ishte as historik dhe as tradhti. Historike do të ishte kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, Vuciqi vjen në Kosovë dhe në Prekaz përkulet përpara viktimave, ashtu siç bëri Vili Brandti në Varshavë; Serbia kërkon falje për krimet dhe shkatërrimet e bëra dhe zotohet që t’i kryejë te gjitha detyrimet e saj, e në radhë të parë të angazhohet për gjetjen e më shumë se 1600 shqiptarëve të zhdukur. Por, siç duket nga ky hap jemi shumë larg dhe ndoshta nuk do të ndodhë kurrë.

Ata, qofshin qeveritarë, politikanë e gazetarë që deklarojnë se njohja reciproke Kosovë – Serbi do të vijë së shpejti gabohen rëndë. Serbia kurrë nuk do ta njehë Kosovën pa ia futur dikush asaj te dyja këmbët në një këpucë ose pa u ballafaquar me një gjendje të rëndë, izolim të përgjithshëm nga bashkësia ndërkombëtare – dilemë hamletiane: Të jeshë apo të mos jeshë. Do te jeshë nëse e pranon pavarësinë e Kosovës, ose përndryshe nuk do të jeshë. Derisa Serbia e gëzon përkrahjen e Rusisë dhe Kinës dhe deri diku përkëdheljen e BE-së, ajo kurrë nuk do të ngutet që ta njohë Kosovën. Kush mendon ndryshe e gënjen veten dhe popullin e Kosovës. Është me rëndësi që Serbia ta njehë shtetin e Kosovës, sepse do ta mundësonte njohjen edhe nga shumë vende si dhe anëtarësimin në organizatat botërore, OKB, etj. Por, në ndërkohë Kosova nuk duhet të mbetet peng i këtij procesi, akti të munguar. Ne duhet të përqëndrohemi që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës sikur Serbia të mos ekzistonte fare dhe të përgatitemi, të jemi gjithmonë të gatshëm që të ballafaqohemi me të në çdo çast e cdo rrethanë.Tekefundit, kemi të bëjmë me një shtet që nuk na ka njohur kurrë, madje gjithmonë është munduar që të na zhdukë nga faqja e dheut.Të mos e krijojmë dhe të mos bëhemi të varur nga një Sindrom i Serbisë, sikur nuk mundemi pa Serbinë. Të mos e lidhim fatin tonë me Serbinë. Mirë do të ishte që armiqtë shekullorë të pajtohen, por për këtë ka një proces që u cek pak më lart. Pa e njohur Serbia Kosovën nuk mund të ketë as “Mni Schengen”, sepse ky koncept ngërthen në vete, nënkupton marrëdhëniet e mira në mes të dy vendeve dhe jo vendeve që nuk e njohin njëri – tjetrin.

Kosova në mes të Shillës dhe Haribdës

Në këtë proces të negociatave secila palë, Serbia, SHBA-të, BE-ja, po mundohet që ta hedhë vallen e vet, por ne duhet ta hedhim vallen tonë nën ritmin e daulleve tona dhe të mos lejojmë që askush të hedhë valle në kurrizin tonë. Gjer më tani vetëm SHBA-të janë treguar si partner, përkrahës e dorëzan serioz të Kosovës, ndërsa nga BE-ja vetëm Gjermania e deri diku edhe Anglia. Ndaj udhëheqjes së Kosovës është duke u ushtruar një trysni e vazhdueshme dhe e pakuptimtë që të bëjnë lëshime në dobi të Serbisë. Prandaj, faktori politik i Kosovës duhet të jetë i bashkuar dhe jo i përcarë siç është tani. Ndërtimi i një shteti ligjor me institucione demokratike e funkcionale është mënyra më e mirë për t’ua mbyllur gojën kundërshtarëve tanë. Ne u jemi mirenjohes perjete te gjithe miqve tane qe na perkrahen ne ditet me te veshtira, por sot disa nga ata nuk jane duke u sjellur si miq te vertete. Atij që i është bërë një e mirë duhet ta vlerësojë atë, por edhe ai që e ka bërë atë të mirë nuk duhet ta keqpërdoë atë. Miku i mire, miku i vërtetë nuk të vë në pozitë të vështirë. Kërkesat e ndërkombëtarëve për krijimin e Associacionit të Komunave Serbe në formën e tanishme janë të papranueshme. Nuk e di a ka asociacione të tilla komunash të pakicave kombëtare në ndonjë shtet të BE-se, si p. sh. në Sllovakinë e z. Lajçak. Madje, një shtet anëtar i BE-së, Greqia, as që e njeh ekzistencën e shqiptarëve në shtetin e saj. Shqiptarët në Greqi nuk gëzojnë kurrëfar të drejta: u mohohet kombësia, gjuha, nuk kanë shkolla, gazeta në gjuhën shqipe, etj. Udhëheqësit e Kosovës duhet t’i ngulin këmbët dhe t’i mbrojnë interesat e Kosovës. Ne i dimë më mirë problemet tona sesa ndërkombëtarët, ata nuk do të jetojnë në Kosovë, ne do të jetojmë dhe do të ballafaqohemi me këto probleme tërë jetën. “Mikun prite mirë, nderoje, por zot shtëpie mos e bëj” – thotë një fjalë e urtë shqipe. Ne duhet të këshillohemi, t’i dëgjojmë kur e kanë me vend, por vendimet duhet t’i marrim vetë. E di që ky është një process delikat dhe i ndieshëm, por siç ka thënë poeti dhe prozatori gjermano – amerikan, Charles Bukoëski (1920 – 1994): “Ajo që ka rëndësi më tepër, është menyra sesi ecën përmes zjarrit”. Qeveria e Kosovës nuk e ka luksin që të ballafaqohet me BE-në dhe përfaqësuesit e saj të ngarkuar në proceset e dialogut Kosovë – Serbi. Këtë më së miri mund ta bëjnë shqiptarët përmes lidhjeve të tyre në vendet përkatëse të BE-së dhe në vetë selinë e BE-së. Duhet bërë një lobim duke shfrytëzuar të gjitha mënyrat: kontakte me politikanë, gazetarë e publicistë që gëzojnë autoritet në profesionin e tyre dhe që kanë ndikim të fortë në qeveritë e vendeve përkatëse, si dhe te publiku i gjërë.

Asociacioni – kurtha, Kali i Trojës i Serbisë

Kërkesa e BE-së për krijimin e asociacionit sipas orekseve të Serbisë është një kërkesë paradoksale. Europa e bashkuar që hoqi barrierat, kufijtë në pjesën dërmuese të teritorit të saj, tani kërkon nga një shtet i ri me 10 mijë kilometra katrore që të krijojë një shoqëri, shtet të stilit, modelit “Apartheid” në gjirin e saj. Përmes krijimit të këtij asociacioni Serbia është duke u munduar që ta fusë përsëri Kosovën nën kthetrat e saj. Vështirë shuhen ëndrrat dhe lakmitë shekullore të Serbisë për tokat shqiptare. Serbët dhe të gjitha pakicat tjera kombëtare, grupet etnike në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e vendit. Ata gëzojnë më shumë të drejta se shumë pakica kombëtare që jetojnë në shtetet anëtare të BE-së. Rastin ekstrem (të tejskajshëm) të Greqisë e cekëm pak më lart. Ndërsa shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës e Sanxhak gëzojnë shumë më pak të drejta sesa serbët që jetojnë në Kosovë. Por, për këtë BE-ja nuk e çanë fare kokën.  BE-ja nuk kërkon nga pesë shtetet anëtare të saj që ta njohin Kosovën, ndër këto është edhe Sllovakia e z. Lajçak. Ne shqiptarët si pjesë përbërëse e kontinentit europian që nga lashtësia e gher në ditën esotme, duhet t’i përqafojmë idealet europiane, t’i mishërojmë vlerat europiane, perendimore. Është për t’u habitur se i dërguari i BE-së për Kosovën, z. Lajçak, komisioneri Borrell dhe para tij komisionerja Mogherini, me sjelljet, veprimet e tyre mospërfillëse ndaj shtetit të Kosovë tregojnë qartë se janë pikërisht ata që snuk i mishërojnë këto vlera, këto ideale. Vlen të thekësohet këtu se edhe vendi prej nga vjen z. Borrell, Spanja, ende nuk e ka njohur Kosovën.

Deklaratat joserioze, skandaloze të z. Lajçak

Zoti Lajçak deklaroi se Kosova duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj për ta formuar asociacionin sipas kërkesave të papranueshme të Serbisë, kërkesa të cilat i përkrahë edhe z. Lajçak.Është Serbia ajo që duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj në të cilën Kosova ende figuron si pjesë përbërëse e saj. Z. Lajcak dhe BE-ja duhet ta ndryshojnë qasjen, qëndrimin e tyre për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë – Serbi, duke përfunduar me njohje reciproke. Z. Lajcak pastaj deklaroi se për të marrë diçka duhet dhënë diçka, domethënë, për të arritur një kompromis, Kosova duhet të japë diçka. Duhet t’ia bëjmë të ditur z. Lajcak se Kosova ka dhënë shumë, ka sakrifikuar shumë ndër shekuj për lirinë dhe pavarësinë e saj: mijëra shqiptarë të burgosur, të vrarë, gra të dhunuara, shtëpi dhe objekte industriale, shkollore, kulturore të shkatërruara. Lista e vuajtjeve të shqiptarëve nga dhuna serbe është shumë e gjatë dhe shqiptarët do të bëjnë cdo gjë që kurrë më të mos kthehen nën sundimin serb. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, miqtë dhe armiqtë tanë. Qëndrimet e z. Lajçak nuk janë në të njejtat valë me vendet kryesore të BE-së të cilat e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës me kufijtë ekzistues. Ka mjaft tema, ceshtje që duhen diskutuar me Serbinë, por jo pavarësia dhe tërësia teritoriale e shtetit të Kosovës. Kosova ka dhënë mjaft, ndërsa Serbia nuk është ndëshkuar fare për krimet e saj të kryera në tërë teritorin e ish Jugosllavisë.

Philadelphia, 18 tetor, 2020

*Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: negociatat-Serbi-Kosove, Sadik Elshani

JO-NË EMËR TË POPULLIT!

May 10, 2020 by dgreca

Nga Sadik ELSHANI*/ Siç duket për një pjesë të shoqërisë kosovare, dhe asaj shqiptare në  tërësi, përfshirë këtu edhe institucionet shtetërore, ende po është e vështirë që të largohen (distancohen) nga e kaluara komuniste. Kjo po manifestohet me vazhdimsinë  e disa praktikave, disa shprehjeve çoroditëse, demagogjike të asaj periudhe të errët nëpër të cilën kaloi kombi ynë. Është e pakuptimtë që disa shprehje, thirrje absurd të përdoren edhe sot, 30 vite pas shembjes së sistemit komunist. Këto ditë duke lexuar një artikull në gazetën KOHA.net (29 prill, 2020) që bënte fjalë për dënimin me gjyq të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, nga Partia e Ashkalinjve, e pashë të bashkangjitur edhe kopjen e aktgjykimit, vendimit gjyqesor. Ajo që më habiti ishte se në fillim të këtij aktgjykimi qëndronte shprehja e shkruar me shkronja të mëdha: NË EMËR TË POPULLIT.

Është kjo shprehje, parullë që kur e dëgjon duhet t’ia rrëqethe trupin çdo shqiptari. Me këtë parullë në gojë janë burgosur, interenuar, pushkatuar shumë shqiptarë të pafajshëm. Janë shkatërruar me mijëra familje, jetëra të pafajshme – është shkatërruar një popull i tërë. Kjo shprehje është përdorur me djallëzi nga sistemi komunist për t’i ikur përgjegjësisë, për t’i hedhur popullit hi syve, për t’i përligjur krimet e tyre se, nuk po të dënojmë ne, por populli. Lista e krimeve të kryera në emër të popullit është e gjatë dhe e dokumentuar mirë, prandaj nuk është nevoja që t’i ripërsërisim në këtë shkrim të shkurtër. Populli kurrë nuk e ka autorizuar askënd që të flasë në emër të tij, lëre më që të kryej krime makabre në emër të tij dhe kundër tij.

Populli nuk e dënon dhe nuk mund ta dënojë askënd, por ligji. Prandaj kjo shprehje duhet të largohet njëherë e përgjithmonë nga aktgjykimet, praktikat gjyqësore, sepse nganjëherë e besa edhe shpesheherë, drejtësia po bën edhe lëshime, po jep gjykime jo të drejta, po e shtrembëron procesin gjyqësor. Besoj se populli nuk do të pajtohej kurrsesi me këto praktika gjyqësore, padrejtësira. Nuk ma merr mendja se kjo shprehje përdoret në aktgjykimet e ndonjë shteti demokratik. Sa për kurreshtje e bëra një kërkim në Google për të njëjtën shprtehje në gjuhën serbokroate: U ime naroda (Në emër të popullit), vetëm për të parë se a është duke u përdorur ende në ndonjë shtet tjetër, ish republikë të Jugosllavisë: Ende ishte duke u përdorur në Serbi.

Të mos përdoret emri i popullit vend e pa vend dhe të mos manipulohet me emrin e popullit për t’i fshehur padrejtësitë, vendimet e gabuara, paaftësitë e gjyqtarëve, trupit gjykues. Është shumë e thjeshtë: qytetarin në gjykatë e dënon. e gjen të fajshëm, apo të pafajshëm, gjyqtari, ligji (n’Amerikë, juria e përbërë nga qytetarët e zakonshëm). Thjesht të thuhet: je i paditur në bazë të këtij e atij ligji dhe pastaj gjatë procesit gjyqësor të dëshmohet fajësia, apo pafajësia. Po ashtu, pas procesit gjyqesor të merret vendimi në bazë të ligjit, nenit përkatës dhe jo: NË EMËR TË POPULLIT. Mjaft është keqpërdorur emri i popullit!

Philadelphia, 10 maj, 2020

*Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Sadik Elshani

Një veprimtari e bukur përmbyllëse për Vitin e Skenderebeut

January 9, 2019 by dgreca

Në Nju Xhersi u organizua një Konferencë Shkencore për Vitin e Skenderbeut dhe u bë përurimi i poemës dramatike “Gjergj Kastriot Skenderbeu” të aktorit Xhevat Limani/

1 Marigoja1 Filadelfia1 me vajzen1 Ligejruse Filad

Nga Sadik ELSHANI*/

Viti 2018 është shpallur Viti i Skenderbeut në tërë botën shqiptare, sepse shënojmë 550 vjetorin e ndarjes fizike nga kjo botë të Heroit tonë Kombëtar. Po ashtu, shënojmë edhe 575 vjetorin e kthimit të tij në Krujë, për të shënuar kështu periudhën më të ndritur e më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Me këtë rast në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë u organizuan mjaft manifestime të ndryshme kulturore – artistike, konferenca shkencore, simpoziume, etj. Siparin e këtyre veprimtarive e hapi Akademia Shqiptaro – Amerikane e Shkencave dhe e Arteve me seli në Nju Jork, e cila ne ditën e shtunë më 13 janar në mjediset e Monroe College në Bronx organizoi Konferencën Shkencore kushtuar figurës së Gjergj Kastriot – Skenderbeut me rastin e 550 vjetorit të kalimit të tij në botën e lavdisë së përjetshme. Në këtë konferencë ku mernin pjesë një numër i lakmueshëm i bashkatdhetareve, u paraqit një numër i madh i kumtesave që vinin nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Në këtë tubim merrte pjesë edhe një grup veprimtarësh nga shoqata “Bijtë e Shqipes”. Ndërsa një javë më vonë, edhe shoqata “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia organizoi një veprimtari dinjitoze ku u paraqiten disa kumtesa serioze, shoqëruar pastaj me një program artistik dhe koktejin tradicional me pije e ushqime të kuzhinës shqiptare.

Në fillim të dhjetorit morëm një njoftim nga dr. Bexhet Asani, i cili na ftonte që të marrim pjesë në një veprimtari që do te organizohej në Nju Xhersi në fund të dhjetorit, një veprimtari, një Konferncë Shkencore për ta mbyllur Vitin e Skenderbeut. Edhe përkundër angazhimeve tona në punë e veprimtari të fundvitit, ia arritëm që të bëheshim pjesë e kësaj veprimtarie të bukur. Veprimtaria u zhvillua më 28 dhjetor në Pompkin Lakes (Nju Xhersi), në qendrën qytetare, shoqërore (Civic Center) të këtij qyteti. Kjo Konferencë Shkencore u organizua nga dr. Bexhet Asani, sekretar i Akademisë Alternative Pegasiane, zonja Sabije Veseli, kryetare e Shoqatës së Grave Shqiptaro – Amerikane “Marigona”, imami Arun Pollozhani dhe prof. Bashkim Klloboçishta, hulumtues i shkencave historike. Merrte pjesë një grup, ndoshta jo i madh në numër, por i zgjedur i bashkatdhetarëvë – njerëz të artit shkencës e kulturës, kryesisht me banim në Nju Xhersi e Nju Jork. Nga shoqata “Bijtë e Shqipes” merrte pjesë një grup i përbërë nga kryetari Bujar Gjoka, anëtarët e Këshillit Drejtues: Bujar Çela e Sadik Elshani dhe ish nxënësja e shkollës shqipe “Gjuha Jone”, Silvana Çela – vajza e Bujarit.

Këtë konferencë e hapi dr. Bexhet Asani, i cili u dëshiroi mirëseardhjen të pranishmeve dhe pastaj bëri njoftimin për programin dhe mbarëvajtjen e këtij tubimi shoqëruar me një fjalë hyrëse për rëndësinë e figurës së Skenderbeut në historinë tonë kombëtare dhe theksoi: “Për një cerek shekulli Shqipëria dhe Gjergj Kastriot Skenderbeu ishin mburoja e Europës. Kryeheroi i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për njëzetë e pesë vjet bëri luftë çlirimtare, për njëzetë e pesë vjet bëri luftë ngadhënjimtare, për njëzetë e pesë vjet vigjiloi për të mbrojtur tokat arbërore nga cilido armik që do të sulmonte Arbërinë e shenjtë të mbretit Skënderbe. Gjergj Kastrioti Skënderbeu bëri luftë triumfale. Kushdo që mendon se Skënderbeu mbrojti fenë apo luftoi kundër kësaj apo asaj feje ai nuk mund të jetë as hulumtues, as studiues, as shqiptar, as atdhetar por vetëm tradhtar i atdheut të tij dhe shqiptarizmit.”Ky tubim pastaj vazhdoi me paraqitjen e kumtesave të përgatitura posaçërisht për këtë konferencë. Në vazhdim po japim titujt dhe autorët e këtyre kumtesave:

  1. Prof. Kristaq F. Shabani:
    “Skënderbeu, një histori politike” – Një kumtim paraqitës mbi veprën e Prof. Aurel Plasarit, studiues, përkthyes
  2. Prof. dr. Nebi Dervishi (USHT):
    “MARRËVESHJA E SHKUPIT (27 PRILL 1463) DHE FITORET E SKËNDERBEUT NË VITET 1462-1465”
  3. Prof. mr. sc. Migena ARLLATI:
    POEMË MBI EPOKËN DHE KULTIN E GJERGJ KASTRIOTIT – (Vështrim mbi poemën e Fran Ukcamës: “Gjergj Kastrioti – Heroi kombëtar e shkëlqimtar”)
  4. Dr. Sadik Elshani:
    “SKËNDERBEU I LAVDISË SË PËRJETSHME, MBIJETESA E NJË KOMBI”
  5. Mr. Sabaudin Zhuta:
    OPERA “SKANDERBEG” E ANTONIO VIVALDIT, FRYMËZIM BAROK
  6. Prof. dr. Nebi Dervishi:
    “BETEJA E LIVADHISË” (vjeshtë 1462), me rastin e 556 vjetorit
  7. Dr. Bexhet Asani:
    POEMA “SKËNDERBEU” E RILINDËSIT MAQEDONAS GRIGOR PËRLIÇEV

Për shkaqe objektive autorët e disa kumtesave: Prof. Kristaq F. Shabani, prof. dr. Nebi Dervishi. Mr. sc. Migena Arllati nuk mund të merrnin pjesë personalisht në këtë konferencë, por kumtesat e tyre u lexuan nga zonjat, Sabije Veseli e Sonila Gjona – Fitzpatrick, si dhe z. Shaban Shala. Siç shihet nga vetë titujt e këtyre kumtesave, tematika e kësaj konference ishte mjaft e lërmishme, ndërsa autorët kishin bërë një punë serioze në trajtesat e tyre.

Në këtë veprimtari kushtuar “Vitit të Skënderbeut”u  bë edhe  përurimi i Poemës dramatike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të dramaturgut dhe aktorit Xhevat Limani, themelues dhe drejtues i Teatrit Shqiptar të Amerikës. Libri u botua në përkujdesjen e prof. Kristaq F.Shabanit i cili është redaktor letrar i veprës. Me këtë rast u lexua parathënia e prof. Kristaq Shabanit: Hëna pesëmbëdhjetëshe e paralajmëroi daljen e poemës dramatike,“GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”
Për poemën dramatike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të artistit Xhevat Limani, fjalën e rastit e mbajti rcensenti i librit, dr. Bexhet Asani, duke theksuar se kjo poemë dramatike është një panegjirik për Heroin tonë Kombëtar.  Me këtë shfaqje të poemës dramatike, “Gjergj Kastriot Skenderbeu, aktori Xhevat Limani gjatë tërë vitit me plot sukses u parqit në të gjitha trevat shqiptare, në shumë qendra të diasporës dhe te arbëreshët e Italisë. Nxënësja Sivana Çela i dhuroi dr. Bexhet Asanit një buqetë me lule dhe recitoi disa vargje për Skendeerbeun. Ishte ky një rast i mirë për kryetarin e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Bujar Gjoka që t’i njoftojnte të pranishmit për shkollën e kësaj shoqate dhe për veprimtaritë e shumta që rganizon ajo. Pastaj ne diskutime moren pjese imami Arun Pollozhani dhe z. Naim Balidemaj, të cilët e vlerësuar lart figurën e Skenderbeut si fytyrën më të ndritur të kombit tonë.

Në fund fjalën e mori edhe aktori Xhevat Limani, i cili foli për procesin krijues të poemës dramatike “Gjergj Kastriot Skenderbeu”, duke shprehur dëshirat e kahmotshme dhe motivacionet për hartimin e kësaj poeme. Në vazhdim ai recitoi me një mjeshtri artistike e plot ndjenja disa vargje nga poema e Naim Frashërit, “Skenderbeu”.  Duhet përmendur se në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe drejtori i AA Vision Media and Interpreting Services,gazetari Qazim Doda, i cili e gjiroi tërë veprimtarinë për kanalin e tij në YoyTube. Po ashtu, ai diskutoi në këtë tubim dhe bëri disa njoftime për punën e tij gazetareske në komunitetin shqiptaro – amerikan e më gjërë. Në fund për të gjithë të pranishmit u shtrua  një koktej i pasur me pije e ushqime të shijshme tradicionale shqiptare për të cilin ishin kujdesur zonjat shqiptare. Edhe gjatë koktejit bisedat vazhduan në mes bashkatdhetarëve për Skenderbeun, cështjet kombëtare, gjendjen në trojet shqiptare dhe për disa cështje të komunitetit tonë shqiptaro – amerikan. Kështu mori fund edhe kjo veprimtari përmbyllëse për Vitin e Skenderbeut.

Philadelphia, janar 2019

*Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sadik Elshani, Skenderbeu, veprimtari, Xhevat Limani

Per pastertine e gjuhes shqipe

October 23, 2018 by dgreca

1a gjuha

NGA SADIK ELSHANI*/

Ka kohe qe niveli i gjuhes sone te folur e te shkruar eshte duke u perkeqesuar dita – dites. Mjafton te lexosh gazetat, revistat e shtypura, portalet elektronike, te percjellesh programet radiofonike e televizive dhe menjehere bie ne pah ky nivel i mjerueshem ne te cilin ka rene sot gjuha jone. Fjale te huaja te panevojshme e te çoroditura jane duke e vershuar, duke e dhunuar gjuhen tone. Por, jo vetem ne fjalor, edhe ne sintakse verehen gabime te shumta. Thurja e fjalive, radhitja me vend e fjaleve dhe sipas rregullave gramatikore te gjuhes shqipe ne fjali ka rendesi te madhe, sepse ne te kunderten, i humbet kuptimi fjalise, mendimit te shprehur. Po ashtu, gabimet drejtshkriomore jane te pranishme ne shumicen e shkrimeve gazetareske e publicistike, madje edhe ne dokumente zyrtare te organeve, institucioneve tona shteterore e akademike. Ne kete shkrim te shkurter nuk do te perqendrohem ne keto probleme, sepse ato i kam trajtuar me gjeresisht ne shkrimin tim: “Nevoje e domosdoshme gjuhesore e kombetare: ta pasurojme dhe ta pastrojme gjuhen tone” (Illyria, 9 korrik 2017 – gjindet ne internet). Prandaj, pa u zgjatur, do te perqendrohem ne disa raste te vecanta qe jane bere pak si te bezdisshme.

Fjalet qe ne gjinine mashkullore mbarojne me “-ni”, ne gjinine femerore duhet te mbarojne me “-nja”

Koheve te fundit, sidomos ne shtypin e Shqiperise londineze, po verehet nje kahje ne shkrimin e disa emrave te gjinise femerore qe percaktojne ca profesione, perkatesi qytetare e kombetare e qe ne trajten e shquar duhet te mbarojne e te shkruhen me “-nja”, ato jane duke u shkruar me “-nia”: historiania (historianja), politikania (politikanja), kapitenia (kapitenja), dekania (dekanja), shkodrania (shkodranja), italiania (italianja), amerikania (amerikanja), e shume e shume fjale te kesaj natyre. Per ata qe ndoshta mendojne se nuk duhet te kalohet nga shkronja “n” te shkronja “nj”, atyre u duhet perkujtuar se gjuha shqipe, abece-ja e saj eshte e bazuar ne parimin: shkruaj si lexohet, lexo si shkruhet. Ne e kemi edhe shkronjen “n” edhe shkronjen “j” qe kur jane se bashku lexohen si “nj”. Si do ta sqarojne keta perdorues te kesaj forme te ketyre emrave fjalen Gjermania (per shtetin gjerman) dhe fjalen gjermania (per femren gjermane). Atehere, perse ne fjalen Gjermania po u lexoka ashtu siç eshte shkruar, ndersa (sipas tyre) ne fjalen gjermania, duhet te shkruhet gjermania e te lexohet gjermanja?! Prandaj, duhet shkruar dhe duhet lexuar: gjermanja. Edhe shume fjale te tjera te ngjashme jane duke u shkruar gabim: shpeshhere ne vend te fjales “policja”, shkruhet “policia”; ne vend te fjales “prokurorja”, shkruhet “prokuroria”, etj. Ne raste te tilla nganjehere nuk dihet nese behet fjale per “policine”, apo “policen”.

Emrat foljore te gjinise femerore mbarojne me “je”: ecje, kapje, vajtje, ardhje, matje, marrje. Prandaj, edhe emrat foljore qe sot shkruhen me “nie” ne fund: thenie, marredhenie, duhet t’i nenshtrohen ketij parimi dhe te shkruhen: thenje, marredhenje, etj.

Shkronja “nj” e tepert, e panevojshme si shkronje e veçante e abece-se se gjuhes shqipe

Siç u cek pak me lart, abece-ja e gjuhes shqipe eshte e bazuar ne parimin: shkruaj si lexohet, lexo si shkruhet. Abece-ja jone e ka edhe shkronjen “n” edhe shkronjen “j” qe kur jane prane njera tjetres lexohen si “nj”, pa kurrefare ndryshimi ne shqiptim nga shkronja e vecante “nj”. Atehere, perse ta kemi kete shkronje te vecante ne abece-ne tone? Kjo ndoshta ka ardhur nga ndikimi i abece-se kroate, sepse edhe At Gjergj Fishta edhe Dom Ndre Mjeda kane kryer studime ne disa qendra katolike ne Kroaci. Kroatet e kane shkronjen “nj”, por e kane edhe shkronjen “n” dhe “j” qe sikur ne gjuhen shqipe kur jane prane njera – tjetres lexohen si “nj”. Mund edhe te jem gabim, por mua po me duket si shkronje e tepert dhe e panevojshme.

Fjalet qe ne trajten e shquar te gjininse mashkullore mbarojne me “gu”, ne gjinine femerore duhet te mbarojne me “gja” (g-ja)

Shume fjale qe shenojne disa profesione, apo dukuri qe ne trajten e shquar te gjinise mashkullore mbarojne me “-gu” (pedagogu, psikologu, dermatologu, albanologu, e shume te tjera), ne gjinine femerore jane duke u shkruar me “-gia” (pedagogia, psikologia, dermatologia, albanologia, djegia, e shume te tjera). Perseri, ne baze te parimit: shkruaj si lexohet, lexo si shkruhet, keto fjale duhet te shkruhen: pedagogja, psikologja, dermatologja, albanologja, djegja, e keshtu me radhe. Ketu duhet pasur kujdes dhe duhet sqarur se ne keto fjale “g-ja” dhe “j-ja” nuk lexohen si “gj-ja” ne fjalen “gjuetari”, por lexohen si “g-j”. Keto duhen shenuar qarte ne fjalor, ose per te menjanuar çdo ngaterrese, hutim me shkronjen “gj” duhet vendosur nje apostrof ne mes te shkronjes “g” dhe “j”, apo nje “e” e pazeshme. Ka shume shembuj ne gjuhet tjera ku behet nje nderhyrje artificiale per te formuar nje emer te gjinise femerore (kjo praktikohet ne gjuhen franceze). Po ashtu, ka shume shembuj ku nje shkronje shkruhet njesoj, por lexohet ndryshe ne nje flale e ndryshe ne tjetren, madje edhe ne te njejten fjale. Per shembull ne fjalen e gjuhes angleze, Irish (irlandez-i/-ja), “i-ja” e pare lexohet “aj”, ndersa “i-ja” e dyte lexohet “i”. Ketu nuk ka nevoje per kurrefare sqarimi, sepse ata qe e njohin gjuhen angleze e dine sesi shqiptohet kjo fjale. Meqenese numri i fjaleve te cekura me lart nuk eshte aq i madh, edhe nese perfundojne me “gja”, njohesit e gjuhes shqipe nuk do ta ngaterrojne me shkronjen “gj”, por e dine se ne keto fjale shkronjat “g” dhe “j” lexohen si “g-j” e jo si“gj”. Fjalet e tilla qe mbarojne me “gia” shenojne profesionin perkates dhe jo personin femer qe e ushtron ate profesion, edhe pse ne themi “psikologjia” e jo “psikologia”, e fjale te tjera te ngjashme. Shkurt, le te shkruhen si te shkruhen, por le te shqiptohet/degjohet edhe “g-ja” edhe “j-ja”.

Jo punonjes, por punues ose punetor; jo standarti, por standardi; jo korrupsion, por korrupcion

Fjalet qe ne dialektin tosk mbarojne me “-onjes”: botonjes, lexonjes, mesonjes e shume te tjera te kesaj natyre, ne gjuhen standarde shkruhen: botues, lexues, mesues, Prandaj, perse fjala “punonjes” ende perdoret ne gjuhen standarde dhe gjindet ne fjalor? Kur jemi duke folur per gjuhen standarde, ne vend te fjales “standarti”, duhet te perdoret fjala “standardi”.

Fjalet me prejardhje latine/romane qe mbarojne me “-tion”: station, transition, corruption, ne gjuhen shqipe duhet te shkruhen: stacion, tranzicion, korrupcion dhe jo siç po shkruhet: korrupsion. Pra me “c” dhe jo me “s”.

Eshte koha per te vepruar per pasurimin dhe pastrimin e gjuhes shqipe

Pasurimi i gjuhes sone me fjale e shprehje te reja si dhe pastrami i saj nga fjalet e huaja te panevojshme duhet te jete detyre paresore per te gjithe shqipfolesit, posaçerisht e atyre qe çdo dite shkruajne neper gazeta, revista, flasin ne radio e televizion, merren me botime te ndryshme. Nje rol te rendesishem, do te thoshja kyç, duhet ta luajne gjuhetaret e shkrimtaret tane, shkollat e te gjitha niveleve, institucionet shteterore e akademike. Njeri nder gjuhetaret tane qe vazhdimisht merret seriozisht me keto probleme te gjuhes sone eshte akademik Gjovalin Shkurtaj, i cili ka botuar disa libra me studime ne te cilat ai shpreh shqetesimin e tij prej shkencetari per gjendjen jo te mire te gjuhes qe perdoret ne mjetet e komunikimit masiv dhe ne te folmen e perditshme. “Nga se sot rrezikohet gjiuha shqipe?” – e shtron pyetjen profesor Shkurtaj dhe vete e jep pergjigjen: “Nga mosperfillja, nga mungesa e kujdesit te organizuar e te drejtuar nga shteti, nga botimet e paredaktuara e te pakorrektuara, si dhe nga njefare ndjenje e pergjithshme nenvleresimi ndaj saj”. Ndoshta ky mendim i profesor Shkurtajt eshte me vend, por punet kryhen vetem atehere kur dikush ngul kembe, vendos se keshtu nuk mund te vazhdohet me. Ka ardhur koha, madje edhe kaluar, qe te themi: mjaft eshte mjaft. Eshte koha qe te veprojme dhe jo vetem te vezhgojme sesi niveli i gjuhes sone te shkruar e te folur eshte duke rene poshte e me poshte. Une vete nuk jam gjuhetar, nuk e kam pergatitjen e duhur profesionale gjuhesore, prandaj ketu po shpreh vetem shqetesimet e mia si nje shqiptar qe e do dhe e cmon gjuhen e vet. Do t’i kisha lutur te gjithe ata qe gjuhesine e kane profesion (dhe jo vetem ata) qe te merren me seriozisht me problemet e gjuhes shqipe, sepse te flasesh e te shkruash bukur, paster gjuhen tende nuk eshte vetem kulture, por eshte edhe atdhedashuri. Ta kujtojme edhe njehere porosine e profesor Çabejt: “Sot me fort se kurre na shtrohet detyra qe kete gjuhe, nje nga elementet e kombesise sone, ta pasurojme me fjale te visarit popullor dhe ta pastrojme nga masa e lendes se huaj”. Dhe ta flasim e ta shkruajme bukur, paster.

Filadelfia, Tetor, 2018

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: e gjuhës Shqipe, Per pastertine, Sadik Elshani

Rugovizmi dhe kapadaizmi, azganizmi yne

September 23, 2018 by dgreca

1 rugova KlintonNga Sadik ELSHANI*/

1 Rugova permendoreRugovizmi/

Qe ne fillim duhet theksuar se paraqitja e Dr. Ibrahim Rugoves ne skenen politike te Kosoves ishte nje dukuri e papare gjer atehere ne hapesiren shqiptare dhe ate ballkanike. Gadishulli qe kishte perjetuar drama, tragjedi njerezore, luftera e dhune te panderprere, thuaja gjate tere historise se tij, nuk ishte mesuar te ndeshej me nje qendrese (rezistence), levizje paqesore. Por ja qe dr. Ibrahim Rugova solli diçka te re, solli nje qasje te re, rezistencen paqesore, rezistencen kembengulese burrerore – zgjodhi forcen e parimeve te larta morale mbi forcen e vrazhde fizike. E mosperfillen pushtuesin, e refuzuan nenshtrimin dhe ngriten institucionet, shoqerine paralele. Shqiptaret te cilet ishin rritur me trimerite e Ciklit te Kengeve te Kreshnikeve, Gjergj Elez Alise, bemat e Skenderbeut, tani po provonin diçka ndryshe, diçka te re, diçka qe nuk e kishin provuar kurre me pare. Edhe dr. Rugova qysh nga lindja e kishte perjetuar fatin e rende te Kosoves, sepse sapo kishte lindur ai, çetniket serbe ia kishin vrare babain dhe gjyshin. Ai ishte rritur duke i degjuar keto histori dhe shume histori te tjera te dhimbshme qe ka perjetuar populli yne. Pa dyshim, edhe ngjarjet e Vitit te Madh 1968 do te kene lene gjurme ne ndergjegjen, kalitjen e karakterit te studentit te atehershem, Ibrahim Rugova. Me strategjine, filozofine e tij politike e kishte projektuar pavaresine e Kosoves, qellimin perfundimtar, endrren e popullit te Kosoves. Pra, ky eshte rugovizmi: filozofia politike, strategjia e dr. Ibrahim Rugoves per te arritur pavaresine e Kosoves. Armiku yne, siç kishte bere gjithmone, zgjodhi rrugen e dhunes, rrugen e krimit, gjenocidit. Barbarizmi nuk mund ta perqafoje qyteterimin dhe vertet eshte shume e veshtire qe barbarizmi te luftohet, mposhtet me mjete paqesore. Por, koherat tani kishin ndryshuar, Europa dhe bota perparimtare ishin zgjuar nga indiferenca e tyre, sepse armiku yne, dikur miku i tyre, e kishte mbushur kupen me krimet e tyre barbare e çnjerezore.  Dr. Rugova ishte bere simboli, flamuri i kesaj levizje dhe me forcen e personalitetit, intelektualizmit te tij e beri te ndjeshme, e nderkombetarizoi çeshtjen e Kosoves, e gezoi perkrahjen dhe mbeshtetjen e demokracive, fuqive me te medha boterore. Por, çka eshte edhe me e rendesishme, ai e gezonte perkrahjen, dashurine, respektin e pakufishem te popullit te vet. Udheheqesi i zgjedhur ne menyre demokratike qe e gezon respektin dhe perkrahjen e popullit te vet, do ta gezoje edhe perkrahjen, mbeshtetjen e botes perparimtare. Qyteterimi europian e boteror qe i mbeshteti, qe i perqafoi vlerat e larta intelektuale e njerezore te ketij biri te Nene Terezes, sikur u pajtua qe te bente diçka per popullin, vendin e ketij njeriu qe misheronte paqen, mirekuptimin, harmonine ne mes te popujve dhe jo dhunen. Me perkrahjen nderkombetare, luften e Natos dhe te shqiptareve, kjo qasje e re solli diçka qe nuk kishte mundur te realizohej me heret – solli pavaresine e Kosoves. Te mos harrojme se shqiptaret e Kosoves vazhdimisht kane luftuar per lirine dhe pavaresine e tyre, Kosova ka patur burra shume me trima se “komandantet” rrahagjokes: Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Galica, Shaban Polluzha e shume te tjere, por ja qe nuk munden t’i arrinin synimet e tyre. Nuk ka nevoje qe te zgjatemi me teper ketu se te tjerat i ka thene dhe do t’i thote historia.

Dr. Rugova nuk ishte nje Shenjt, njeri i perkryer, por ishte udheheqesi i duhur, ne kohen e duhur, ne çastin vendimtar, ne vendin e duhur. Kishte shume kohe qe vendi yne e priste nje prijes te tille, te mençur e guximtar. E quajten Gandi i Ballkanit. por ai ishte edhe Moisiu i Ballkanit, Moisiu i shqiptareve. Ai nuk i priu popullit te tij drejt tokes se premtuar, sepse ata ishin ne token e premtuar, ne token e tyre – ai i priu popullit drejt fitores se lirise, heqjes se prangave te roberise shekullore. Iishte i begatuar me tipare shume njerezore, kurre nuk e ka fyer askend, nuk e ka share askend, nuk e ka kercenuar askend, nuk ka folur keq per askend, edhe pse te tjeret e sulmonin vend e pa vend. Nuk ishte nje udheheqes mendjemadh e fjalebosh, por gjithmone i qete, nje intelektual i brumosur me ndjenjat e atdhedashurise dhe i edukuar me nje fryme liberale perendimore, i armatosur me forcen e argumentit, te vertetes, fakteve – shembellture e intelektualit te angazhuar. I kishte ngarkuar vetes nje qellim, nje mision te larte e fisnik: te mos merrej me te tjeret, por vetem me çeshtjet, interesat madhore te Kosoves dhe te kombit tone. Kete mund ta bente vetem nje intelektual, humanist me shpirt fisnik e zemer te gjere si dr. Rugova, njeri qe me veprat e tij: “Strategjia e kuptimit” (1980), “Vepra e Bogdanit” (1982), “Refuzimi estetik” (1987), kishte sjelle nje qasje te re edhe ne fushen e kritikes, studimeve letrare dhe te mendimit kombetar. U ngrit mbi nivel, gjithmone i matur, i miresjellshem: “Qetesia cmohet teper edhe ne diplomaci. Kurre nuk duhet te flase njeriu me nje fjalor te rende, me nje arsenal fjalesh qe ka shtypi, gazetat. Eshte edhe nje parim tjeter: kurre nuk duhet paraqitur as vajtues as eksploziv. Duhet shtruar gjerat ashtu siç jane. Pra, nuk duhet imponuar, nuk duhet te jesh emocional, as ekskluziv, as te urrehen popujt e tjere”. Cili nga politikanet tane te sotshem i permbahet ketij parimi themelor e kaq te domosdoshem per te komunikuar me njeri – tjetrin ne menyre te qyteteruar e njerezore.1 dhuna

Dhuna, kapadaizmi, azganizmi ne shoqerine shqiptare

Ka shume rrahagjokes qe ende jane duke e kritikuar rrugen e tij paqesore, qe nuk ishte nenshtruese, por sfiduese, kembengulese, formoi nje shoqeri te qyteteruar, ndertoi nje shtet paralel, si permendem me lart, dhe qe u kurorezua me fitore. Por, ne hapesiren shqiptare dhe ate ballkanike gjate gjithe historise ka patur vetem dhune. Ne shoqerite ku mbizoteron kulti i ekzagjeruar i mashkullit, ne shoqerite “macho”, ne shoqerite ku njerezit vuajne nga sindromi i heroit, njerezit e urte, te mençur e te sjellshem si dr. Rugova, quhen frikacake, tuca. Perkundrazi, eshte e kunderta. Bukur e ka thene shkrimtari libanezo – amerikan, Khalil Gibran (1883 – 1931): “Sjellja e mire dhe te qenit njerezor, nuk jane shenje e dobesise dhe deshperimit, por manifestojne fuqi dhe vendosmeri”. Rrahagjokesat duhet ta dijne se Kosova nuk kishte ushtri, tanke, aeroplane – forcat tona ishin shume te pabarabarta me ato te armikut tone. Duhej hulumtuar, gjetur nje rruge tjeter. Ne patem kohe per njeqind vjet qe te çliroheshim, por nuk mundem vetem me forcat tona, duhej nje perkrahje, nderhyrje nderkombetare.

Dhunen, azganizmin dhe kapadaizmin ne shoqerine shqiptare bukur e ka karakterizuar shkencetari, shkrimtari e diplomati, Eqrem bej Vlora (1885 – 1964) ne librin e tij, “Kujtime, 1885 – 1925”: “Shqiptari ka prapa nje tradite mijevjeçare kapadailleku dhe dhune, ndaj edhe heronjte e udheheqesit e tij njuk mund t’i parafytyroje ndryshe, vecse te pajisur me keto veti. Kenge popullore nuk u kendon mendjelarteve, shpetimtareve, zemerdhembshurve, por e mburr hakmarresin, trimin, te pameshirshmin, te dhuneshmin dhe intrigantin”. Pra, edhe sot, dhuna ne shoqerine dhe skenen politike shqiptare eshte mjaft e pranishme, madje e tolerueshme, qe manifestohet ne sjelljet dhe veprimet e politikaneve tane: rrahjet ne parlament dhe ne studiot televizive, dhuna ne shoqeri e familje.Udheheqesit tane, perfshire edhe kryeministrin, shpesh perdorin gjuhen e dhunes, forcen e muskujve dhe jo gjuhen e arsyes, forcen e mendjes, argumenteve. “Mjere ai vend ku perçmohen mendjet e lartesohen muskujt” – ka thene shkrimtarja italiane, Sveva Casati Modignani (1938). Per fat te keq, ai vend eshte vendi yne. Prandaj, nuk eshte aspak per t’u habitur se ne nje shoqeri, vend te tille ende ka njerez ne pozita politike dhe neper institucionet shteterore, kulturore e akademike qe mundohen ta perdhosin vepren e dr. Ibrahim Rugoves.

Periudha e ndritur e Rilindjes sone Kombetare dhe veprimtaria e levizjes se dr. Rugoves jane deshmi te qarta se, asnje qendrese e armatosur nuk mund te jete e suksesshme pa patur perkrah nje levzje te drejte e te forte politike, gjitheperfshirese dhe mbarekombetare, qe gezon edhe perkrahjen e gjere nderkombetare. Intelektualet nuk duhet te heshtin perpara sfidave te veshtira qe po kalon Kosova e koheve te fundit – nuk duhet te behen peng i politikes se dites dhe te ambicieve te tyre te semura per pushtet, duke e perçare popullin, madje duke nxitur edhe dhune. Ngjarjet e koheve te fundit ne Kosove jane duke pasqyruar qart se Kosoves sot po i mungon nje intelektual, nje politikan i kalibrit te dr. Rugoves. Po ndihet dukshem mungesa e prijesit emblematik te Kosoves, udheheqesit qe rrezatonte vlera kombetare e miresi njerezore. Njerezit si dr. Rugova rralle paraqiten ne jeten publike e politike te nje vendi, nje populli te vogel dhe kam frike se per nje kohe te gjate nuk do te kemi nje njeri te permasave, autoritetit te tij.

Ne figuren e dr. Ibrahim Rugoves politikanet shqiptare e kane nje shembull te mire per ta ndjekur. Finis coronat opus (fundi e zbukuron vepren) kane thene latinet e vjeter – vetem shikone ceremonine e varrimit te dr. Rugoves. Ne kohen e dr. Rugoves Kosova ndryshe trajtohej e jo si sot, qe dita dites eshte duke rene poshte e me poshte perkrahja e saj nderkombetare.

Philadelphia, 23 shtator, 2018

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: azganizmi, Rugovizmi, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT